Zija ÇELA – Një kodosh që josh edhe arsyen e shëndoshë

E kam thënë, Djalli e merr përsipër atë që bën, sepse e ka të shpallur qëllimin njëherë e përgjithmonë.
Kur hyn në marrëdhënie me njeriun, hyn me bonus të gatshëm: “Ti bëje këtë, se unë të jap atë”! Dhe gjen pikën ma të dobët. Në një çast të caktuar, për shembull, njeriu ndien t’i zuzullojnë veshët, pastaj sikur dëgjon një zë të mistershëm, që ia bën sedrën fërtele:
“Ama, po habitem me ty! Nuk të kisha ditur kaq strikt, as kaq frikacak e qullac pa cak! E si, si e duron ndjenjën e shtypjes në këtë hapësirë kaq të kufizuar?! Pse, çfarë i pandeh zotrote, budallenj i pandeh trimoshat që thyejnë rregullat e karantinës?! Ata nuk duan të zenë myk në shtëpi, mor kopuk, nuk – nuk, nuk duan t’u kalbet trupi për së gjalli në kolltuk!… Dil pra, mos u bëj teveqel! Nëse dëshiron t’i shpëtosh stresit çmendurak të izolimit, dil në rrugë kur të shkrepet dhe sa herë që të teket”!
Është Djalli, ky kodosh i përbotshem, që ta zbraz në tru këtë ngashënjim. Dhe, për të qenë objektiv, ai di ta joshë edhe arsyen e shëndoshë. Sepse, në pamje të parë, të rren mendja se zgjedhje të tilla kleringu janë dukshëm me përfitim.
Por në të njejtin çast ekziston një zgjedhje tjetër, duke pyetur veten: “Çfarë është ajo që Djalli ma jepka me kusht dhe Zoti nuk ma jepka falas?”
Djalli vërtetë është kozmik, por Njeriu është racional, krijesë me mundësinë për të qenë superior ndaj tij. Prandaj njeriu nuk ka përse të ankohet aq shpesh me vonesë: “Boboo, çfare bëra!”, dhe të mos frenohet në kohën e duhur, duke shkundur veten me logjikën: “Përse, përse ta bëj?!” Çka mund të lakohet pafundësisht: Përse të përdor ndaj të tjerëve një gjuhë me thonj; përse të vjedh e të mashtroj; përse të ve dorë mbi gruan; përse t’i bëj prindërit haram dhe mizorisht t’i braktis në moshë të shtyrë; përse më vlon në shpirt zilia e zezë; përse të korruptohem e moralisht të shëmtohem; përse të mos dëshmoj bujari ndaj njerëzve në nevojë; përse të abuzoj duke qenë pushtetar për t’u sjellë pastaj si totalitar; përse të bëj të atillë opozitë sikur kundershtarit dua t’i nxjerr sytë; përse të më mungojë mirësia dhe empatia; përse të mos e bëj hajmali atë që quhet dashuri, Dashni Njerëzore?!…
Zoti nuk lë boshllëk. Boshllëkun, që e mbush Djalli, e krijon njeriu me zgjedhjet e tij të gabuara.