Year: 2023

  • Henry Kissinger, diplomati që pushtoi femrat më të bukura të Hollivudit dhe fitues i çmimit Nobel

    Henry Kissinger, diplomati që pushtoi femrat më të bukura të Hollivudit dhe fitues i çmimit Nobel

    Në moshën e nderuar të 100 vjetëve, më 30 nëntor 2023, vdiq Henry Kissinger, një nga figurat më të rëndësishme të politikës së shekullit të 20-të. Njeriu, veprimet e të cilit i bënë Shtetet e Bashkuara fuqinë globale që njohim sot. Bavarez, me origjinë hebreje, ushtar vullnetar dhe më pas gjeneral në luftën amerikane kundër nazizmit, ai ishte Sekretar Shteti dhe Këshilltar i Sigurisë nën qeveritë Nixon dhe Ford. Më 1973 iu dha Çmimi Nobel për Paqen për përpjekjet e tij në zgjidhjen e luftës në Vietnam.

    Nuk ka nevojë për prezantime të mëtejshme Kissinger, Makiaveli i shekullit XX, emri i tij tashmë ka hyrë në librat e historisë. Megjithatë, ka një anë të Sekretarit që me dinakëri ka qëndruar e fshehur gjatë gjithë jetës së tij të gjatë. Politikan me profesion, në kohën e lirë Kissinger ishte një hajdut i vërtetë… zemrash, i cili pushtoi disa nga femrat më magjepsëse të kohës së tij.

    Henry Kissinger, playboy i West Wing

    Playboy i West Wing. Edhe kështu është quajtur Henry Kissinger. Sepse, papritmas, ai ishte kazanova më me fat në Krahun Perëndimor të Shtëpisë së Bardhë, në atë anë ku ndodhen edhe zyrat e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Seks simboli i administratës Nixon” përcaktohej në një artikull të Women’s Wear Daily më 1971.

    Një politikan race, ai ishte gjithë zemra dhe përkëdheli kur bëhej fjalë për t’ju afruar femrave. Romantik, galante dhe me një nuancë guximi që nuk bën kurrë keq. Madje, savoir faire i tij arriti të shkëpusë një puthje edhe nga Zsa Zsa Gabor, e madhërishmja diva simbol e Hollivudit të njëherë e një kohe.

    Dhe pas Gabor, në vitet e tij si beqar në Shtëpinë e Bardhë, Kissinger pushtoi edhe supermodelen Candice Bergen; aktoren fituese të çmimit Oscar Shirley MacLaine; e më tej akoma, Marlo Thomas, aktoren Liv Ullman (e cila e përkufizoi si “burrin më interesant të takuar ndonjëherë”), Samantha Eggar dhe gazetaren e njohur Diane Sawyer. Madje flitet edhe për një martesë të fshehtë me Bond Girl-in, Jill St John.

    Sharmi i tij ishte i tillë që, në një sondazh të kryer nga Associated Press mes lepurusheve të Playboy më 1972, pyetjes: “me cilin mashkull do të shkonit në një takim nëse mund të zgjidhnit cilindo në botë”, emri i Henry Kissinger ishte më i përmenduri.

    Martesa e parë dhe dashuria e madhe me Nansy-n

    Por, përpara se të bëhej playboy i Shtëpisë së Bardhë, Henry Kissinger ishte një burrë serioz dhe tradicional, ashtu siç ishin edhe shumica e burrave të brezit të tij. Në një moshë shumë të re, u martua me shoqen e tij të liceut – edhe ajo refugjate hebreje – Ann Fleischer. Patën dy fëmijë, Elizabeth dhe David, dhe u ndanë 15 vjet pas martesës. Fleischer e quajti marrëdhënien e tyre “totalisht të palumtur”.

    Disa dekada më vonë, pasi e mbylli në mënyrë të shkëlqyer karrierën e tij si hajdut zemrash, Kissinger u martua me të renë dhe ambicioze Nancy Maginnes, vajzën e një ish-futbollisti dhe avokati të pasur. Të dy u njohën në Harvard, ku ajo ishte studente dhe ai profesor. Kissinger e rekomandoi atë për rolin e ndihmësit të guvernatorit të atëhershëm të Nju Jorkut, Nelson Rockefeller dhe, më 30 mars 1974, e bëri gruan e tij. Pavarësisht fjalëve të shumta dhe të përsëritura për një krizë, të dy nuk u ndanë kurrë dhe Nancy qëndroi pranë Sekretarit të madh deri në ditën e vdekjes.

  • Nga Enver BYTYÇI – Mohuesit e pavarësisë mashtrojnë me ditën e flamurit dhe festojnë ditën e çlirimit!

    Nga Enver BYTYÇI – Mohuesit e pavarësisë mashtrojnë me ditën e flamurit dhe festojnë ditën e çlirimit!

    Ta zëmë se gjermani i fundit iku më 29 nëntor, dy ditë mbasi ai kishte ikur prej Malit të Zi në drejtim të Kroacisë! A duhet festuar 29 nëntori? Po sikur gjermani i fundit të ishte larguar më 28 nëntor, pra ditën e pavarësisë së Shqipërisë dhe të ishte festuar në këtë ditë që prej vitit 1945? A duhej festuar edhe në këtë rast? Deri më sot është zhvilluar debat i ashpër, nëse data e çlirimit është data 28 apo 29 nëntor. Debat koti, se dita e çlirimit nuk ekziston. Përkundrazi ajo ishte dita e skllavërimit!

    Data e 29 nëntorit është lidhur dhe interpretuar si vendim i imponuar nga Tito për shkak se në këtë datë të vitit 1943 u mblodh Konferenca e AVNOJ-it, në të cilën u themelua Jugosllavia socialiste e pas Luftës së Dytë Botërore. Opozita konservatore e ka kundërshtuar ditën e çlirimit gjatë këtyre më shumë se 30 viteve me argumentin që sapo thashë. Madje ajo i ka nderuar dëshmorët e Luftës së Dytë Botërore me datën 28, ditën e pavarësisë. Këtë vit, për fat, ka reflektuar më mirë. E ka mohuar si ditë çlirimi!

    Po a duhet festuar një ditë çlirimi për Shqipërinë. Unë besoj se thjesht duhen përkujtuar dëshmorët e Luftës së Dytë Botërore, por asnjë festë, asnjë aktivitet tjetër nuk duhet bërë. As shpikja e “Natës së Bardhë” nga Erion Veliaj! Se nata e 29 nëntorit ishte natë e zezë! Sterrë e zezë! Ishte nata kur nisi në masë lufta civile kundër nacionalistëve shqiptarë!

    Për mua nuk ka rëndësi data se kur iku gjermani i fundit nga Shqipëria. Në fund të fundit si me 28 ashtu dhe me 29 nëntor të vitit 1941 apo 1944 liderët shqiptarë të luftës aleatë të komunistëve jugosllavë qenë. Miq dhe vëllezër me serbët ishin ata. Prandaj dhe kjo aleancë jugosllavo (serbe) – shqiptare nuk mund të përkujtohet, aq më pak të festohet. Dhe për ta arsyetuar këtë mendim timin ka mijëra argumente. A nuk iu zhdukën emri, eshtrat dhe varri Patër Gjergj Fishtës me urdhër të serbëve? A nuk u izolua Shqipëria, me qëllim që diktatori dhe diktatura të mbijetonin? Por me pasojën e tmerrshme të shkatërrimit të atdheut dhe kombit! A nuk u bënë miqtë – armiq dhe armiqtë – miq?! A nuk u varfëruan shqiptarët si kurrë ndonjëherë në jetë?! A nuk u përçamë dhe ndamë me kufij me tela me gjemba?! U pushkatuan 5548 shqiptarë patriotë, thjesht pse mendonin ndryshe: U burgosën dhjetra mjijë të tjerë. Vdiqën në burgje rreth nëmijë gjithashtu! Se ata donin atdheun më shumë se pushtetin!

    Ata që erdhën në pushtet pas 29 nëntorit 1944 ndryshuan historinë dhe duke e ndryshuar historinë përdhosën pavarësinë dhe vetë ditën e flamurit. E përdhosën më së pari simbolin e kombit, kur i vunë yllin, draprin dhe çekanin sovjetik. Burgosën dhe persekutuan shumicën dërmuese të familjeve të atyre që shpallën pavarësinë. Edhe djalin e Ismail Qemalit! Edhe vëllain e Nënë Terezës! Madje vetë bamirësen më të madhe e më të njohur të njerëzimit! Këta që na thonë se duhet festuar 29 nëntori, si ditë e çlirimit, e burgosën gjithë popullin shqiptar dhe i përndoqën gjithë proklamuesit e pavarësisë. Sepse duhej sikur ishin ata që kishin ngritur flamurin në Vlorë.

    E çfarë mohuan tjetër? Po radhis vetëm disa fakte: – Ushtria ishte krijuar më 5 dhjetor 1912, ndërsa në tekstet e historisë na thonin se ishte krijuar më 10 korrik 1943! Çfarë absurdi? Kështu ndodhi me policinë, xhandarmërinë dhe me çdo ngjarje të vërtetë historike. Madje na thanë se Republika ishte krijuar më 11 janar 1946 e në fakt para saj ishin formuar dy republika, ajo parlamentare në Kongresin e Lushnjës (janar 1920) dhe ajo presidenciale me president Ahmet Zogun (janar 1925). Çfarë nuk zhdukën nga historia e kombit tonë! Shkollën e parë shqipe e sollën në vitin 1887, ndërkohë që ajo kishte ekzistuar shekuj më parë. Madje na thanë se edhe Naim Frashëri ishte ateist, në mos komunist! Se Ahmet Zogu ishte “satrap” e terroristi Avni Rustemi na ishte hero! E shpallën të paqenë gjithçka që solli pavarësia, aq sa dukej se diktatori ishte njëkohësisht proklamuesi i saj!

    Ndaj dhe e ashtuquajtura ditë e çlirimit ishte në fakt ditë e skllavërimit! Skllevër të të huajve antishqiptarë dhe skllevër të politikave të dhunës për pushtet! Deri në absurdin e festës së datave historike jugosllavo-serbe e ditëlindjes së Titos dhe Stalinit! Se 29 nëntori u caktua ditë e çlirimit të Shqipërisë për hatër të miqësisë me Jugosllavinë e Titos dhe Serbinë e Rankoviçit, kjo është vetëm një prej argumenteve pse nuk duhet festuar 29 nëntori. E vërteta është se ajo datë është për tu urryer dhe jo për ta festuar. Jo urrejtje hakmarrëse, por reflektimi. Dhe ditën që do ta urrejmë të ashtuquajturën festë të çlirimit, atë ditë do të nisim të përpjetën tonë! Ndryshe do të vazhdojmë të jemi skllevër të ambicieve për pushtet të pasuesve të ish-partizanëve që nuk jetojnë më, por që kanë lënë bijtë e nipat e tyre si mëkëmbës të luftës dhe si simbole të ditës së skllavërimit!.

  • Të korruptuar, por patriotë me flamur…!

    Të korruptuar, por patriotë me flamur…!

    Mezi e presin këtë ditë, si një larje ndërgjegjeje për atë që i bëjnë vendit, kombit, qytetarëve. Flamurin e tundin me patriotizëm të madh, mbajnë fjalime si shtetarë, mburren si heronj të gjallë që brezat do i kujtopjnë, por në fakt janë ca “brejtës” të korruptuar kokë e këmbë të cilët kanë në xhep çelësat e pushtetit dhe arkës së madhe të korrupsionit, gjithnjë nën hijen e rëndë të sibolik komëtar, flamurit të vendit.

    Dje u përkujtua 111-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë. Propaganda në kulmin e saj, në një ekstrazi kinse patriotike nga njerëzit që kujtojnë jo pavarësisnë e vendit, por pavarësinë e plotë për të grabitur, mbajtur pushtet me krimin, botën e errët të oligarkisë dhe shtrirjen e fenomenit të korrupsionit në çdo “cep të flamurit”.

    Në muajin e 11 dhe vitin 111 pushtetarët tanë zbarkuan në Vlorë. Çdo gjë duhej të dukej “madhështore” në organizim, për t’i bërë temena të madhe ditës së Pavarësisë, aty ku 111 vjet më parë Ismalil Qemali dhe shumë patriotë të tjerë ngritën flamurin kombëtar dhe shpallën Pavarësinë e Shqipërisë. Kush mund ta mendonte nga ata patriotë që 111 vite më vonë soji i pushtetarëve e ka përdhosur atë flamur, i ka ulur kokën një kombi, po degdis nga vendi çdo ditë qytetarët e saj, ndërsa vetë parakalojnë krenueshëm si “shtetarë” të mëdhenj.

    Nga ai shesh me buqeta e kurora lulesh dhe të përkulur para Monumentit të Pavarësisë kanë kaluar edhe Arben Ahmetaj, Saimir Tahiri dhe Ilir Beqja. Një i dënuar si i përlyer ndërkombëtarisht në trafikun e drogës, tjetëri në kërkim për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa të tretit i vijnë prangat rrotull, pavarësisht mbrojtjes që po i bën kryeministri. Edhe ish-kryebashkiakët e Rilindjes patriotë të medhenj janë shfaqur… Vangjush Dako, Fatos Tushe, Lefter Alla, Fran Tuci, apo më i freskëti Safet Gjici. Ky i fundit mu bash e dy metra larg flamurit të madh kombëtar bënte seks oral në zyrën e shtetit. Patriot dukej…

    Sot pas 111 vitesh jemi nën një regjim autokratik të theksuar, gati një prag lart diktaturës që nuk vjen me larjmërime të mëdha, por fare butë, duke përdorur fort edhe simbolet kombëtare. Ata shiten si atdhetarë në këtë bulevard korrupsioni, ndërsa kanë për dëshmitarë popullin votues që e duatroket edhe kur e varfëron dhe e brohoret edhe kur e shtyp.

    Edhe në Tiranë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit parakaluan shumë syre zyrtarësh lokalë e qëndror. Veshur bukur si për festë të madhe, me kostume të zinj dhe kollare të kuqe firmato, të blera shtrenjt me para korrupsioni… Ama për këtë ditë janë patriotë. Dhe nuk është aspak vçudi që ata e duan kështu siç është këtë komb. Të festojnë jo ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, por vit pas viti delirin e tyre që të kenë lirinë për ta grabitur, për tu pasuruar dhe mbajtur pushtet me forcën e parasë që vjen nga oligarkia dhe tytën e armëve që ofrohet për ta nga krimi i organizuar dhe bandat…!

  • Nga Erion DASHO – Liria nuk duhet marrë e mirëqenë!

    Nga Erion DASHO – Liria nuk duhet marrë e mirëqenë!

    Në 11 shtator 2023, u mbushën 10 vjet nga hipja në pushtet e Boratit. Kaq skandale dhe megaskandale kanë ndodhur në këta 10 vjet, sa edhe një i vetëm prej tyre do të kishte mjaftuar për të rrëzuar një qeveri, nuk po them në një vend demokratik, por edhe në ndonjë prej demokracive hibride të botës.

    Mjafton të përmenden koncesionet e shëndetësisë, djegësit, afera e portit të Durrësit, shembja e teatrit, kanabizimi i vendit, skandali i menaxhimit të pandemisë, skandali i dokumentuar me zë e figurë i vjedhjes së votave në Dibër, kuintalët dhe tonët e kapur të kokainës çdo muaj, blerja e hapur e votave në Tiranë, Durrës e Lezhë gjasme nëpërmjet dëmshpërblimeve të tërmetit, skandalet me patronazhistë dhe aktivistë, etj., etj.

    Rezultati i zgjedhjeve lokale 2023, por sidomos ai i përsëritjes së zgjedhjeve në Kukës e Rrogozhinë tregoi se pushteti i Boratit dhe rilindjes ka marrë peng vullnetin e shqiptarëve dhe i kontrollon ata me të njëjtin efikasitet si regjimi komunist para 40 vjetësh. Nëse sot, do të realizohej votimi në secilën bashki të vendit, gjasat që të fitojë kandidati i rilindjes janë pothuajse 100%.

    Ndërsa komunizmi e arriti këtë duke lejuar vetëm një kandidat në fletën e votimit, rilindësit arritën të njëjtën gjë në kushtet e një të ashtuquajture “demokraci”. Nga kjo pikëpamje, rilindësit ja kanë kaluar edhe vetë Enverit!

    ***

    Fakti që Borati kontrollon gjithçka nuk është e keqja më e madhe. E keqja më e madhe është pranimi i këtij fakti si “normalitet”; është ai numër i madh shqiptarësh në Shqipëri dhe në botë që duartrokasin arritjet e rilindësve.

    Kur këta pyeten se ç’mendim kanë për të ardhmen nën qeverisjen e Boratit, të përgjigjen me krenari se rilindësit mund të qeverisin edhe 10 vjet të tjerë apo më gjatë. “Argumentet” që japin janë: “zhvillimi” i Shqipërisë, rritja e numrit të turistëve, rritja e buxheteve, etj. Kjo turmë nuk është çudi që edhe lindjen e diellit dhe ardhjen e pranverës t’ja atribuojë ndonjë ditë Boratit!

    Grupi i dytë i justifikimeve ka të bëjë me opozitën. Këtu përmendet përçarja e opozitës, mungesa e një platforme opozitare (a thua se fushatat e Boratit me tepsi e timon kanë qenë shembuj “platformash”!!!), non grata e kryetarit të opozitës, etj.

    Nga ana tjetër, ithtarët e Boratit anashkalojnë megaskandalet e sipërpërmendur, por mbi të gjitha pasojën e tyre më të tmerrshme, shpopullimin apokaliptik të Shqipërisë nën regjimin rilindës.

    ***

    A mund ta mendonin shqiptarët në 2013-ën se në 2023-in:

    》Do të ringrihej sekti i spiunëve të cilët tashmë quhen aktivistë dhe patronazhistë?!

    》Do të kishin një qeveri “hije” në burgjet e Shqipërisë të përbërë nga ish-ministra, ish-kryebashkiakë dhe ish-zyrtarë?!

    》Do të shihnin vendin e tyre të bëhej një prej qendrave botërore të narkotrafikut dhe ky i fundit do të hynte në aleancë me qeverinë e rilindjes?!

    》Do të kishin një kryeministër të papërgjegjshëm dhe klloun, i cili u bëhet leckë ndër këmbë oligarkëve dhe të fortëve  ndërkohë që bën kokoroçin dhe bullistin me të dobëtit?!

    》Do të humbiste sërish vlera e votës duke mos ndikuar aspak në zgjedhjen e deputetit apo kryetarit të bashkisë?!

    》Do të niste eksodi biblik i shqiptarëve, ku bizneset do të kërkonin emigrantë nga vendet e Afrikës dhe Azisë për të plotësuar vendet e punës?!

    Fatkeqësisht, unë mund të parashikoj edhe më keq, nëse vazhdojmë me Boratin dhe rilindjen, deri në 2033-in:

    》Patronazhistët dhe aktivistët do të komandojnë jo vetëm mënyrën se si duhet votuar, por edhe mënyrën se si duhet menduar!

    》Bandat e narkotrafikut do ta kthejnë Shqipërinë në një “mini-Meksikë” apo “mini-Kolumbi” ku ka luftë mes bandave, pengmarrje dhe dhunë në rrugë!

    》Borati i 2033-it nuk do të këtë vetëm një blog dhe një ERTV, por ERTV 1, 2, 3 e kështu me radhë! ERTV Sport, Histori, Premium!

    》Shqiptarët do të jenë zëvendësuar në masë nga bangladeshas dhe afrikanë, por ata nuk do të jenë problemi më i madh. Problem do të jenë terroristët e të gjithë ngjyrave që do të dynden këtu herë me marrëveshje dhe herë pa marrëveshje!

    ***

    Kur Presidenti i parë amerikan, Xhorxh Uashington, largohej vullnetarisht pas dy mandateve në krye të atij që më vonë do të bëhej shteti më i fuqishëm i botës, ai i dërgonte jo vetëm enturazhit politik të kohës, por edhe miliona politikanëve të kohërave të mëpasshme një mesazh me rëndësi të jashtëzakonshme.

    Tetë vjet janë të mjaftueshëm që një lider të japë më të mirën e vet për mbrothësinë e kombit. Më pas ai humbet largpamësinë e ideve, mprehtësinë e mendimit dhe entuziazmin e veprimit. Pas tetë vitesh në pushtet nis rënia, hyrja e vetes në qejf, megalomania, refuzimi i kritikës, etj., për t’i lënë vendin shumë shpejt kultit të individit dhe diktaturës.

    Shqiptarët e kanë arritur tashmë këtë gjë!

    Duke toleruar 10 vjet Boratin, shqiptarët kanë krijuar monstrën e radhës. Ai ka akaparuar çdo pushtet dhe, ç’është më e keqja, ka farkëtuar aleancën me narkotrafikun dhe oligarkinë. Shtoi kësaj rrjetin e patronazhistëve dhe kontrollin total të medias, portaleve dhe medias sociale, monstra Borat tashmë ka dalë jashtë çdo kontrolli.

    Shqiptarëve u ka mbetur vetëm një shans: ta largojnë Boratin nga pushteti me çdo kusht e me çdo çmim. Ai është tashmë si ai kanceri që ka penetruar të gjithë organet dhe sistemet e organizmit. Nëse “terapia” nuk nis sot, një përpjekje nesër mund të rezultojë e kotë!

    ***

    Shqiptarët bëjnë pjesë tek kombet që kanë luftuar në mijëvjeçarë për liri, por pak e kanë shijuar atë. Sot janë gati për ta humbur sërish lirinë e fituar në 1990-ën, për të rihyrë nën zgjedhën e radhës, nën Enverin e radhës. Fatkeqësisht, një Enver që rrezikon të bëjë atë që nuk e bënë dot pushtuesit në shekuj: zhbërjen e kombit shqiptar!

    Nëse shqiptarët do ta marrin lirinë të mirëqenë dhe nuk do të ringrihen në mbrojtje të saj, ky ka për të qënë një gabim historik dhe i pafalshëm.

    Uroj të mos të ndodhë!

  • Nga Basir ÇOLLAKU – SKY ECC, formulari ‘vrasës’ për Ramën, Ballën, Olsin, ministra, deputetë…

    Nga Basir ÇOLLAKU – SKY ECC, formulari ‘vrasës’ për Ramën, Ballën, Olsin, ministra, deputetë…

    DeSKY-izimi i politikës, drejtësisë, pushtetit lokal, administratës, biznesit, medies, nuk është më në dorën e përdoruesve. PO-të apo JO-të e tyre, nuk tjetërsohen nga vullneti. Kopja nuk e mund origjinalin.

    Përpjekja anemike propagandistike u shfaq me deklarimin e ministrit të Brendshëm, Taulant Balla. Sipas tij, nga e hëna, oficerët e policisë do të plotësojnë një formular vetëdeklarimi, nëse kanë qenë apo jo përdorues të aplikacioneve të koduara Sky ECC.

    Po përse vetëm SKY dhe jo Encrochat e Matrix? Pse kaq kursimtar?!

    Përse vetëm policia?!

    Komedi e zezë. Dredhi diversioni. Përpjekja për të blerë gjashtë vite të së shkuarës, 2015- mars 2021, tashmë të zbardhura, është njëlloj si t’i vësh ashensor banesës njëkatëshe. Kjo shpezë leksikore e ministrit, do të ketë bërë të qeshin shumë ambasadorë në Tiranë. Ky ka ujkun, listën e përdoruesve në polici dhe kërkon gjurmët, vullnetarizmin e pohimit të tyre. Njëlloj si me vetingun e policisë, të lënë udhëve nga lobingjet e grupeve kriminale, për të mbajtur njerëzit e tyre nëpër zyrat e duhura. Shërbim me pagesë.

    Apo njëlloj si me sallatën e rëndë penale të TIMS, bërë nga ndërhyrja me regji të ministrit Balla.

    Historia e pastrimit nis ndryshe.

    Ajo fillon me deklarimet nga lart. Konkretisht:

    Unë, Edi Rama, nuk kam ose kam pasur akses në SKY ECC.

    Unë, Taulant Balla, nuk kam pasur ose kam pasur…

    Unë, Ulsi Manja, nuk kam pasur ose kam pasur. Sepse Ministritë e Drejtësisë e të Brendshme janë institucionet kryesorë në këto komunikime me partnerët. Ata janë edhe emërues policësh e funksionarësh drejtësie me ndikimet jo të pakta. Ta nisin.

    Unë ministri, deputeti, bashkiaku, kam pasur ose nuk kam pasur.

    Unë, Prokurori i Përgjithshëm…

    Unë, kryetari i Gjykatës Kushtetuese…

    Unë, kryetari i Gjykatës së Lartë…

    Unë, kryegjykatësi i rrethit, kryeprokurori i rrethit…

    Unë, prokurori, gjyqtari, funksionari i drejtësisë, KPK, KPA, KLGJ, KLP, ILD, nuk kam pasur apo kam pasur.

    Më tej meseleja vazhdon gjatë në zanate të tjera në biznes dhe medie.

    Balla dhe ministri i drejtësisë Manja, KM Rama, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme e dinë mjaft mirë se mbi 300 oficerë policie kanë pasur akses në këto aplikacione dhe telefona me pagesë e të kriptuar. Kjo ngjan si një tender. Kë të lëmë e kë të nxëmë. Po mirë është të ftojë dhe Ardi Veliun të plotësojë formularin se merakoset nga mosftesa.

    Kur të sajoni formularin, mbajeni një sy nga Franca, Belgjika, Holanda. Jo për gjë, po të prishin skedinën ata, me origjinalin e materialeve. Madje prokurorët firmëtarë të dosjeve të mbërritura e tjerave të pritshme do të qeshin nga nisma e mëkatarëve për vetërrëfim të kontrolluar.

    Përtej faktit dëshmues nëse kanë pasur apo jo telefona të tillë, këtu kemi edhe një skemë bartëse të një rreziku të ri.

    Francezët, belgët, holandezët, i sollën. Do të sjellin shumë të tjera. Duart e SPAK do të thonë kush kishte, çfarë bëri, ku u përfshi. Këtu ka një shteg jo plot të ndriçuar. Edhe aktualisht janë harruar të publikohen e përfshihen nëpër dosje disa komunikime komprometuese për ministra e pushtetarë. Ndonëse janë tek origjinalet. Kjo nuk justifikohet me një kohë shtesë, apo procedim penal më vete. Kur të hapen formularët, çojini nga një kopje të plotësuar, francezëve, belgëve, holandezëve. Algoritmi i gatshëm është si makina e të vërtetës. Ju zbardh në pak minuta. Të presim kush do ta plotësojë formularin e parë…

  • Sa shumë e deshi Rama diasporën…

    Sa shumë e deshi Rama diasporën…

    Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, elozhet e kreut të qeverisë Edi Rama për diasporën shqiptare krijuan iluzionin e një respekti dhe përkujdesje të liderit për të larguarit nga Atdheu.
    “Nëse ka një mësim nga suksesi i shqiptarëve në diasporë, është mësimi se asnjë ëndërr sado e madhe kur njerëzit e shohin me sy hapur nuk është e paarritshme përderisa e shohin, por sa janë të gatshëm ta synojnë ta arrijnë dhe të paguajnë të gjithë kostot e asaj përpjekje, te ngrihen nga gjitha rrëzimit, ti rezistojnë gjitha lodhjeve dhe zhgënjimeve në atë rrugë”, tha Rama me pathos.

    Një frazë në një fjalim që dukej sikur pikturonte me kujdes të madh ndjenjën sublime të ‘babait të kombit’ për shqiptarët nëpër botë.

    Megjithatë, mjafton një ballafaqim me realitetit për të zbuluar të vërteten lakuriqe që rrëzon fasadën e propagandës dhe nxjerr në pah portretin zhgarravinë të marrëdhënies së sunduesit me diasporën.
    Vota e emigrantëve

    Një copëz të këtij realiteti e solli në vëmendje kreu i shtetit, i cili kujtoi se e drejta kushtetuese e emigrantëve për të votuar, mohohet ende.

    “Qytetarët shqiptarë jashtë vendit duhet të kenë të drejtën për të votuar, sipas një modeli që shumë vende të tjera e aplikojnë me sukses. Kjo do të kthejë diasporën në aktore të drejtpërdrejtë, duhet të këtë përfaqësim politik që do i japë zë shqiptarëve jashtë vendit, nuk janë objektiva të pa arritshëm, janë nisma të domosdoshme që ne si shqiptarë të jemi bashkë edhe pse larg. Ne u jemi borxhlinj për kontributin e madh që ju jepni. Shqiptarët që kanë jetuar jashtë ndër vite janë kthyere kontribuojnë me ide e nisma të reja në fusha të ndryshme, iniciativa me shumë suksese, studentë, sportistë e profesionistë të shkëlqyer që jetojnë e punojnë jashtë Shqipërisë bëjnë çdo ditë promovimin më të mirë që mund ti bëjnë një vendi”, tha Presidenti Bajram Begaj.

    Premtimi për votën e emigranteve nga Rama dhe PS e udhëhequr prej tij, është i hershëm. Megjithatë, dekada në fronin e pushtetit po kalon dhe “vota e emigrantëve” vijon të përsëritet ende si premtim.

    Gjykata Kushtetuese konstatoi cënimin e të drejtës së emigrantëve për të votuar në zgjedhjet e fundit dhe i kërkoi Kuvendit që ta adresonte ligjërisht. Opozita nga ana tjetër ka kërkuar që të punohet për çështjen në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore. Por Rama duket se nuk e ka me ngut. Për momentin preferon të mbajë kontrollin politik mbi komisionin duke zgjedhur cilën ‘opozitë’ të ketë në tryezë. Fjalët e bukura nuk i kursen, ama kontrolli politik për udhëheqësin, duket se vjen i pari.

    Shpopullimi

    Mbi talentin në interpretim të shefit të mazhorancës “hodhi baltë” -siç mund të shprehshin të nënshtruarit e liderit – edhe ndonjë syresh nga opozita.

    “Këtë Samitin e Diasporës duhet ta kishin bërë në La Mansh se mbase ndalnin gomonet e shqiptareve, që ikin nga sytë këmbët edhe sot e kësaj dite për shkak të Ramës”, shkroi në një postim në “FB” deputeti i PL-së, Petrit Vasili.

    Raportet e institucioneve vendase në fakt, apo ato të organizatave të huaja, gjatë pushtetit 10-vjeçar të Ramës, kanë dëshmuar një rritje në shifra të konsiderueshme të shqiptarëve që largohen nga vendi. Shumë e konsiderojnë shpopullim këtë lëvizje të shqiptarëve larg Atdheut, e i atribuojnë arsye si korrupsioni, keqqeverisja, pagat e ulëta në raport me kostot, mungesa e kushteve të një jetese me dinjitet, pasiguria për të ardhmen… Lista është e gjatë! Megjithatë hemorragjia vijon ende. Anketat e fundit tregojnë se një pjesë ende e konsiderueshme e popullsisë, kryesisht të rinj, e shohin të ardhmen e tyre larg Shqipërisë.

    Në këtë pikë, ekspertët paralajmërojnë pasoja serioze: biznese pa fuqi punëtore, administratë pa punonjësit me kualifikimin e nevojshëm, spitale pa mjekë, sholla pa mësues, kolapsim i skemës së pensioneve.

    Qeveria nga ana tjetër ka realizuar nisma që vlerësohen me shumë pak ose aspak efekt për të frenuar emigrimin, rikthimin e të larguarve apo shtimin e lindshmërisë, që gjithashtu përbën një tjetër çështje shqetësuese. Me bonuset për bebet mburren vetëm Rama me ministra, ndërsa shifrat tregojnë për ulje periodike të këtij treguesi. Skemat e financimit si IRPAD apo të ngjashme janë kthyer në të mirëfillta korruptive e klienteliste. Qeveria madje po harton dhe nisma të cilësuara anti-kushtetuese si ajo për studentët e mjekësisë, të pezulluar nga Gjykata Kushtetuese.

  • Nga Agim XHAFKA – A është mendërisht normal kryeministri ynë?

    Nga Agim XHAFKA – A është mendërisht normal kryeministri ynë?

    Duket si pyetje ironike, cinike dhe tallëse, por në botën e qytetëruar bëhet shpesh. Ja, së fundi bash në SHBA nuk rreshtin në media dyshimet për qëndrueshmërinë mendore të Biden apo për çrregullimet e sjelljes të Trump. Qytetarët e përgjegjshëm kudo në botë duan siguri që drejtuesi i qeverisë të jetë i fortë mendërisht e në vendime ta demonstrojë atë.

    Tek ne para ca vitesh u botua një kartelë mjekësore që nënkuptonte se zoti Rama nuk qe në ekuilibër mendor. Padyshim që ajo qe instrument i një loje politike, por nuk u përgënjeshtrua e në perceptimin popullor ngeli si një njollë ndaj shëndetit mendor të kryeministrit. Duhej qysh atëherë opozita të këmbëngulte për një komision mjekësor, por ndodhi ajo që ngjan përherë tek ne. Kalojnë tre ditë dhe harrohet çdo e keqe. Tani pas dhjetë vitesh të drejtimit të vendit nga PS po gjen shpjegim konkret ajo kartelë.

    Nga muaji në muaj, nga viti në vit po shohim dhe ndjemë në kurriz kamzhikun e një qeveritari që bën lojë politike, institucionale, legjislative veç për qëndrimin e tij në post e jo për prosperitetin e vendit. Sa sheh ofiqarin tonë me atlete që bredh nëpër takime zyrtare në botë, të kap trishtimi. Ku e gjetëm një specie si ky që pandeh se kostumi nuk vishet për në zyrë, por vishet kur shkon në dush. Sa harron këtë, vjen njoftimi nga BERZH, qeveria jonë është më e dobëta në Evropë. Ndërkohë kryeministri ynë pasi e mëson i premton popullit të tij që do e qeverisë deri në vitin 2030. Ikën jashtë gjysma e popullit, Rama ngre taksat për gjysmën që ka ngelur. D.m.th,ikni edhe ju, ç’prisni, mos rrini më. Harxhon buxhetin për miqtë e tij, dhe pensionistët pa ndihmën e fëmijëve, do ishin varrosur me kohë. Premton që kurrë nuk do ngrihen qendra refugjatësh në Shqipëri dhe firmos me Italinë që të ngrihen ato sa më shpejt. Manipulon kursin e valutës që të zhdukë nga faqja e dheut eksportet. FMN deklaron se jemi vendi më i varfër në Evropë, ky flet për turizëm dhe për fasadë progresi. Rriten çmimet, ua kalojnë dhe vendeve perëndimore, kryeministri bredh me çarterin e tij futur te benevrekët zyrtare. Dhe bunkerizohet e saldohet te posti duke ngritur një gjyqësor privat e ve në zbatim një reformë drejtësie si inkuizicioni i mesjetës. Por dhe kjo nuk i mjafton. Shkatërron opozitën, e shkërmoq atë dhe përbuz kushtetutën e ligjet. Tani në Shqipëri, Rama është kudo. Në presidencë ai, në qeveri ai, në parlament ai, në gjykatë ai, në sport ai, në ushtri ai, në polici ai, në arsim ai. Ke frikë të hapësh dhe frigoriferin në shtëpi se të del ai.

    Ndaj nuk duhet pyetur më a është i sëmurë mendor kryeministri. Se e provojmë çdo ditë që është i shkarë nga veprimet normale, të logjikshme dhe të arsyeshme. Nuk na çudit më me kapërcimet dhe akrobacitë që i bën truri. Dhe siç duket panorama tashmë atë nuk e ndal dot më partia e tij. PS-në e ka kthyer në repart ushtarak. Mbushur me 99-ça dhe me skllevër. Se i duhen për firma dhe nesër për burg. Që të mburret, reforma në drejtësi nuk pyet kush ia ha dardhat këtij.

    Tashmë ai nuk kupton vidhisjen e vendit, emigrimin, varfërimin, mjerimin. Para syve i rri ajo që i gatuan truri i sëmurë. Një Shqipëri që ndrin dhe shkëlqen. Opozita po përpiqet të ringrihet nga hiri. Po bën të pamundurën. Por në këto ditë duhet kërkuar dhe ndihma e mjekëve. Që të na thonë se ky njeri nuk është normal. E t’i lenë recetën në dorë. Një mjekim i mirë shëron atë, por dhe shoqërinë shqiptare. Kur amerikanët ngrenë dyshime për shëndetin mendor të Biden, ne duhet ta kërkojmë urgjent. Çdo ditë kryeministri ynë shfaqet anormal. Ta shërojmë, aq më tepër që shëndetësinë e kemi falas.

  • Nga Lutfi DERVISHI – Kryeministri shqiptar, magjistar i paqes

    Nga Lutfi DERVISHI – Kryeministri shqiptar, magjistar i paqes

    Në një lëvizje që kapi në befasi Fuqitë e Mëdha, Kombet e Bashkuara, BE-në, NATO-n dhe G20, Shqipëria arriti të ndalojë luftën mes Izraelit dhe Hamasit.

    Konflikti 70 vjeçar dhe lufta e përgjakshme mes Izraelit dhe Hamasit që rinisi më 7 tetor të këtij viti, do të mbeten kujtim i një të shkuare të hidhur.

    Armëpushimi katër ditor është vetëm preludi i fundit të konfliktit të përgjakshëm.

    Kryeministri i Shqipërisë, dje, në dy takime të veçanta, një me ambasadorët e Ligës Arabe dhe tjetrin me ambasadoren e Izraelit parashtroi vizionin e tij për të ardhmen: ‘Një Gaza pa Hamasin dhe Izraelin’

    5 fjalë më të fuqishme se fuqia çdo lutje fetare që njeh rruzulli- janë magjia që ktheu luftën në paqe dhe konfliktin e përgjakshëm në bashkëjetesë paqësore.

    Dega e ullirit e ofruar nga Kryeministri shqiptar- është pranuar nga të dy palët dhe Tirana nga një kryeqytet i Sportit dhe Rinisë, befas kthehet në Qendrën Universale të Paqes!

    Ndërkohë që Komiteti i çmimit Nobel për paqen dhe revista Time Magazine ndihen të lehtësuar sepse e kanë që sot njeriun e vitit 2024, Uashingtoni, Brukseli, Pekini dhe Moska ndihen të lehtësuar, por edhe të frustuar nga ky sukses diplomatik i nivelit Kisinger.

    ‘Jemi të lehtësuar dhe të shokuar’- tha një zëdhënës i NATOs për suksesin e befasishëm të kryeministrit shqiptar.

    ‘Kam bërë gabim që kam shkuar në Gaza dhe që kam thirrur disa herë Këshillin e Sigurimit për të ndalur luftën. Duhet të kisha shkuar në Tiranë dhe t’i lutesha kryeministrit Rama’- tha sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres.

    Shqipëria e armatosur vetëm me sharmin e Kryeministrit arriti të bëj atë që nuk e ka bërë deri më sot as Presidenti i shtetit më të fuqishëm të Globit dhe as Papa i Romës: paqe në Lindjen e Mesme.

    Ndonëse lajmi është pritur me hare si në botën arabe ashtu edhe në Perëndim, nuk mungojnë as teoritë konspirative. Në rrjetet sociale, po shkruhet se Kryeministri i Shqipërisë posedon aftësi magjike me të cilat i kthen armiqtë e betuar në miq për kokë dhe anasjelltas.

    Për të mbështetur teorinë e tyre, konspiracionistët thonë se dy njerëz miq për kokë në Shqipëri (Sali Berishën dhe Lulzim Bashën) i ka kthyer në armiq të betuar…

    Por mbështetësit e Kryeministrit Rama e hedhin poshtë këtë konstatim pasi, theksojnë ata, Kryeministri, siç e bëri të qartë edhe në Forumin e Paqes në Paris, është shumë i zënë me çështje rajonale si konflikti gjysmë i ngrirë Kosovë- Serbi, luftën në Ukrainë, varfërinë në Jemen dhe ngrohjen globale.

    I pyetur për mundësinë e ringjalljes së shpejtë të konfliktit në Ballkan, një zëdhënës i qeverisë shqiptare tha: ‘E pamundur. Nuk ka asnjë shans. Axhenda e Kryeministrit është e zënë me probleme në rajone të tjera të globit’

  • Periodat e Braçes dhe andropauza e pushtetit

    Periodat e Braçes dhe andropauza e pushtetit

    Ai nuk po bën më bujë. I harruar në një cep të Parlamentit, dikur i vetëshpallur si “mbrojtës i fshatarëve dhe hallexhinjve”, ish-numri dy i qeverisë shqiptare kërkon të shfaqet si protagonist, teksa ka propozuar që gratë që kalojnë ciklin menstrual një herë në muaj, të marrin raport mjekësor dhe tu paguhet nga shteti.

    Një deklaratë që ai e shoqëroi edhe me “studim të thelluar” duke iu futur literaturave mjekësore dhe sociale. “A ka mundësi që grave dhe vajzave tu njihet periudha e ciklit si periudhë sëmundje dhe e paguar. Raport i paguar nga buxheti i shtetit, pasi po e konsiderojnë sëmundje lart e poshtë dhe është mirë që një iniciativë të tillë që nuk kushton shumë, që duhet kalkuluar të përfshihet në iniciativat e ministrisë së Shëndetësisë”-tha Braçe në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë.

    Po ashtu Braçe njihet si personazh aktiv në rrjetet sociale i cili përveçse ankohet pafundësisht si një “qytetar pa pushtet”, jep edhe receta si të zgjidhen problemet, duke mos kujtuar asnjëherë të vetme se është përfaqësues i kësaj qeverie dhe mazhorance parlamentare që për pak futet në vitin e 11 të qeverisjes. Gjithashtu ka qenë edhe zëvendëskryeministër, që kur iu propozua ai post shpërtheu në lot mallëngjimi.

    Gjithçka ndodhi më pas ishte veçse një flluskë e madhe që nuk solli asgjë. U përqëndrua shumë tek sektori i bujqësisë dhe me shumë të drejtë pasi prej saj mban frymën gjysma e popullsisë së vendit. Po çfarë të mirash solli? Sot bujqësia është në ditët më të errëta. Pa subvencione, e pambrojtur, pa treg të garantuar, pa ndihmë e mbi të gjitha shumë bujq në vend janë kthyer si “bujkrobër modern” që vlejnë sa për tu marrë votën.
    Edhe ato para të ofruara si grante për fermerët shqiptarë nga BE përfunduan në duaert e oligarkëve dhe njerëzve të pushtetit. Fondet e IPARD II u bllokuan nga BE pikërisht për shkak të abuzimeve me to, pasi nuk shkuan për fermerët, por për bosët e biznesit dhe politikës. Braçe nuk u ndje kurrë për këtë problem madhor. Të jemi para një impotence të dukshme verbale?! Koha po e tregon se kjo lloj “sëmundje” ka prekur edhe ata pak personazhe që njihen si “safi socialist” dhe jo qenie gjenetikisht të modifikuar si Rilindje.

    Megjithatë Braçe ka kohë që hesht për bujqësinë, ka muaj që e shumta mund të grindet me ndonjë “ekspert ministrie” duke bërë lajm veten, por pa asnjë bereqet. Nuk ka gojë të flasë për oligarkinë pasi kur ishte zëvendëskryeministër me firmën e tij dhe me “autorizim nga i madhi” ka privilegjuar botën e biznesit që majmet e majmet edhe me “dhjamin e pleshtit fshatar”.

    Tashmë Braçe ka përfunduar pafund në gojët e grave, sidomos ato të artikuluara mirë që drejtojnë shoqata dhe OJQ të financuara nga projekte kombëtare dhe ndërkombëtare. Flasin mirë për Braçen disa prej tyre. E quajnë të drejtë që gratë të marrin raport dhe paguhen për kohën që kalojnë ciklin menstrual, të paktën katër ditë në muaj. Disa të tjera thonë se është një lloj diskriminimi pasi “cikli menstrual” nuk duhet trajtuar si sëmundje, por diçka e natyrshme dhe nëse një grua ka probleme shëndetësore me ciklin menstrual, çdo mjek apo mjeke do i jepte raport, pa pasur nevojën e “draftit Braçe” për periodat e çdo gruaje në moshën e caktuar.

    Nëse Braçe do e kishte seriozisht këtë nismë padyshim që duhet të mendonte edhe për andropauzën. Është një lloj cikli që edhe pse nuk quhet sëmundje e mirëfilltë prek meshkujt në një moshë të caktuar, zakonisht pasi kalojnë mbi 50 vjeç. ‘Andropauza shpesh është identifikuar me një rënie të seksualitetit dhe performancës së burrave të kësaj moshe, por edhe me gjendjen e tij psikologjike, e cila është krejt e ndryshme (në këtë gjendje, mashkulli që ka kaluar në andropauzë është më i lodhur, më i irrituar)’. Në vijë të përgjithshme ky është përkupfizimi që i japin mjekët adropauzës.

    Një mashkull i lodhur, i irrituar dhe për më shumë që ka pushtet jo pak por një dekadë shfryn “impotencën” në dhunën ndaj qytetarëve, mbipushtetin, kontrollin e plotë mbi çdo pushtet në letra të pavarur dhe mbi të gjitha eksitohet nga paraja, korrupsioni dhe megalomania duke shëtitur jashtë vendit për të kapur noj qushe mediatike për tu quajtur si zgjidhës u halleve të botës si emigracioni, luftërat dhe konfliktet mes vendeve. Po për adropauzën a do të ketë ndonjë “draft”?

  • Nga Endri XHAFO – Pse nuk kishte dhunë në protestën e opozitës

    Nga Endri XHAFO – Pse nuk kishte dhunë në protestën e opozitës

    Më pyeti tani në mëngjes një mik: “Përshendetje Endri, meqë kam takim me një diplomat, a mund të më thuash një mendim personal pse nuk pati radikalizëm dje në protestë”?

    Përgjigjja për mua është e qartë: Sepse Berisha dhe Meta nuk e kishin këtë qëllim. Pse?

    E para, sepse askush nga komuniteti ndërkombëtar nuk do t’i mbështeste, përkundrazi, pikërisht ndërkombëtarët do të thonin “me këta doni të vini ju në pushtet”?

    Së dyti, zhgënjimi i (atyre) ndërkombëtarëve që prisnin dhunë, provokon kënaqësi në raport të drejtë në kampin opozitar; sa më i madh zhgënjimi i tyre, aq e madhe kënaqësia e opozitarëve. Dhe kjo na çon në arsyen e tretë pse nuk pati radikalizëm:

    Berisha dhe Meta, por sidomos Berisha, nënvijëzuan dje diferencën me bombat molotov të Lulzim Bashës. Jo se njerëzit e terrenit të Bashës janë të ndryshëm nga ata të Berishës, sigurisht në pjesën më të madhe janë po të njëjtët, por diferencën e bën vullneti politik se ç’do të bësh me ata njerëz. Dhe i vetmi “akt vandal” i protestës së djeshme ishte boja e kuqe simbolike mbi dyert e Kryeministrisë. Dhe i vetmi person i ndaluar “live” përpara kamerave ishte një person për të cilin u raportua se ka probleme të shëndetit mendor.

    Arsyeja e katërt: Vetëm njerëzit e dobët, ose që të tjerët i konsiderojnë të dobët në një moment të caktuar, kanë nevojë të dëshmojnë se mund të jenë edhe të dhunshëm, që të tregojnë se duhen marrë seriozisht. Kujtoni Berishën në 14 shtator ’98 (vinte pas poshtërimit të ’97-ës), Ramën në 21 janar 2011 dhe Bashën gjatë protestave të 2019-ës.

    Berishën të gjithë e dinë që pas kaq vitesh eksperiencë mund të të bëjë gjëmën, ose, të paktën të huajt presin që ai të bëjë gjëmën. Por Doktori kishte nevojë vetëm t’u çonte një mesazh partnerëve ndërkombëtarë, se ata nuk duhet të mbështesin më Ramën edhe kur tjetërsimi i votës del në pah në vetë raportet e ODIHR-it.

    Në këtë kuptim protesta e djeshme ishte një provë gjenerale e asaj që mund të ndodhë pas 14 majit, nëse vota tjetërsohet sërish. Mesazhi i Berishës për këtë ishte eksplicit: “Nga ky shesh, duhet t’ju deklaroj se Shqipëria nuk do ketë kurrë stabilitet pa votën e lirë të shqiptarëve”.

    Dhe e fundit, pse protesta dje nuk kishte qëllim dhunën, ishte se Berisha dhe Meta kishin qëllim të karikonin në radhë të parë njerëzit e tyre, që të dëshmonin se me kë është populli opozitar. Dhe kësaj, ia arritën shkëlqyeshëm. Diskutimet pastaj se sa ishte numri i pjesëmarrësve, etj., janë thjesht retorikë. Nga ajo që pa dje, Edi Rama duhet të fillojë të shqetësohet.