Month: February 2024

  • Kabaretë e Ramës dhe Gonxhes në zonat e mbrojtura

    Kabaretë e Ramës dhe Gonxhes në zonat e mbrojtura

    Krijimi i një ministrie të re enkas për Blendi Gonxhen, disa e komentuan si “një vend i mirë pune për shokun e hershëm”, por arsyeja e vërtetë po zbulohet shpejt. Zonat e mbrojtura, që me ligjin e deritanishëm nuk preken dhe nuk lejohet ndërtimi, shumë shpejt do të kthehen në troje për tu betonizuar nga oligarkia e lidhur me pushtetin.

    Me ndryshimet ligjore të paraqitura nga qeveria, drejtori të dorës së dytë, ministria e Goxhes dhe padyshim vetë kryeministri, do lëshojnë pafund leje ndërtimi në parqe natyrore dhe site arkeologjike. Idetë janë fort të qarta: Ndërtime dhe komplekse turistike në zonat e mbrojtura.

    Rama do i mbrojë si “investime strategjike”, paçka se pas “investitorëve strategjikë” deri më tani janë shfaqur gaztorë, deputetë, ministra, ish-ministra të PS-së dhe bosë të krimit të organizuar. Betoni do derdhet lumë në zonat e mbrojtura dhe koha do jetë e shpejtë kur në parqet natyrore të cilat u ruajtën edhe në vitin e trishtë 1997, do të lulëzojnë ndërtimet, kryesisht resortet turistike, hotele dhe kazino.

    Asnjë pengesë nuk do të kenë pasi këtë të enjte projektligji do të votohet në Parlament, për ta pasur sa më shpejt në duar dhe pas miratimit do të nisë batërdia në shkatërrimin e atyre pak zonave ku dora e egër e ndërtimeve pa kriter ende nuk i kishte kapur.

    Në mungesë të reagimit qytetar, për ne “mendon bota”… Kreu i delegacionit të BE-së në Tiranë Silvio Gonzato rikujton qëndrimin e progres-raportit të vitit 2023 për ligjin kontravers për investimet strategjike. “Legjislacioni për investimet strategjike ngre shqetësime për mbrojtjen e biodiversitetit, pasi mund të lejojë investime të mëdha turistike dhe industriale në zonat e mbrojtura,” citohet raporti në letër, duke shtuar se “për më shumë qeveria propozon të lejojë ndërtimin e një numri veprash infrastrukturore mbi vaditjen (kullimin) dhe mbrojtjen nga përmbytja në zonat e mbrojtura”.

    Kjo është klithja e fundit që vjen nga BE, por duket se Rama me taborin e tij ka ndezur me kohë motorët e betoniereve. Projektligji do kalojë me urgjencë këtë të enjte, ku deputetët e PS-së që të gjithë në rresht do i bëjnë kryeministrit dhuratë gjithë zonat e mbrojtura. Një fije shpresë është nëse organizmat ndërkombëtare të mbrojtjes së natyrës mund të ndikojnë që të paktën ta shtyjnë ca në kohë këtë çmenduri qeveritare.

    Fatkeqësisht një barrierë që mund ta ndalonte shkatërrimin e mjedisit dhe objekteve kulturore tashmë ka rënë prej më shumë se një viti. Gjykata Kushtetuese është kthyer si “zyrë protokolli” e kryeministrit, duke mos pranuar asnjë ankesë që vjen nga opozita apo shoqëria civile për ligje që prekin interesin qytetar. Të njëjtin fat nëse ankohet do të ketë edhe ky ligj që të enjten merr rrugëtimin zyrtar. Gjyqtarët e kushtetueses janë aty, teksa në emër të drejtësisë së re po bëjnë rolin e “patronazhistëve” të pushtetit. Pas pak kohësh, kabaretë e kryeministrit do vihen në punë, duke mbjellë beton kudo pas së cilëve është një lavatriçe e madhe e pastrimit të parave të pista.

  • Nga Lutfi DERVISHI – Shishja e ujit kjo bombë me hidrogjen

    Nga Lutfi DERVISHI – Shishja e ujit kjo bombë me hidrogjen

    Një grup turistësh holandezë mbrëmë iu bashkuan protestës të opozitës me idenë se kishin të bënin me një pelegrinazh pranë një manastiri.

    Megjithatë, pavarësisht, qetësisë dhe mungesës së incidenteve, lajmet e sotme flasin për një hetim të detajuar të policisë.

    Ndërsa manifestuesit që mbanin në duar pankartat (përgjithësisht satirike) po i jepnin  lamtumirë bulevardit, disa policë që duam (më të zellshëm ata me veshje civile dhe kapuçonë) me një zell që do të bënte me turp Sherlock Holmsin nisën një hetim të imtësishëm. Ndaluan 4-5 protestues, dhe nisën me shpejtësi mbledhjen e provave në vendngjarje.

    Provat e mbledhura dhe të bëra publike, do të hutonin edhe më entuziastët e romaneve policeske. Plot 37 bidonë plastikë uji 0.5 litra, 6 bidonë plastikë të djegur, 21 flakadanë, një bidonë i mbushur me një lëng që dyshohet se është benzinë dhe plot 3 kapsolla! (imagjino të ishin hetuar festimet e Vitit të Ri!)

    Shishet me ujë, mesa duket arma më e rrezikshme e përdorur nga protestuesit u morën me po të njëjtin seriozitet që tregohet kur sekuestrohen kuintalë me kokainë në Portin e Durrësit. Zëra të pa konfirmuar thonë se janë marrë në cilësinë e provës materiale edhe “pështyma të manifestuesve) për të identifikuar keqbërësit ose më saktë të pangopurit me të mirat që i ka sjellë kjo qeveri popullit mosmirënjohës prej 10 vitesh.

    Në një botë ku testimi i ADN-së zbulon krimet më të tmerrshme duket se policia që duam ka hapur një degë të re  të mjekësisë ligjore: hidrokriminologjinë. Kjo fushë novatore jo vetëm që zbulon aktivitetet e paligjshme të demonstruesve që përdorin shishe uji, por gjithashtu është zile alarmi ndaj rreziqeve të hidratimit të manifestueve.

    Në analet e historisë së protestave, hetimi që u shfaq edhe live në TV do të mbahet mend padyshim për përzierjen e tij unike të këngëve, fjalimeve, 5-6 molotovëve, entuziazmit policor dhe kriminalizimit të hidratimit.

    Ndërsa bota rri e shikon, shpresa është që etja për demokraci, si shishet e konfiskuara të ujit, do të mbetet e pashuar.

     I mbetet Prokurorisë që të çojë më tej, hetimin e nisur nga policia dhe sigurisht që gjykata do të thotë fjalën e fundit.

    Nuk dihet nëse ky hetim i imtësishëm për të zëvendësuar protestuesit që do të shpëtojnë nga amnistia por e rëndësishme është që nga sot duhet të bëjmë kujdes kur pimë ujë me bidon.

    Ndërkohë materialet e sekuestruara (shishe plastike bosh dhe shishe të djegura do të kalojnë si lëndë e parë për incineratorin e Tiranës.

    P.S. Turistët hollandeze që ndenjën deri në fund të manifestimit kërkuan të dinë se kur do të jetë koncerti i radhës në Bulevard?

  • Nga Alfred LELA – Protesta e 20 shkurtit, si shenjë se opozita projekton normalitet

    Nga Alfred LELA – Protesta e 20 shkurtit, si shenjë se opozita projekton normalitet

    Mbrëmë, falë elektrizimit që prodhoi protesta e opozitës, kishte më shumë entuziazëm se sa mban prej kohësh mitra e lodhur e ngjarjeve shqiptare.

    Pjesëmarrja trajtohej si jonormale dhe krahasimi bëhej me 7 korrikun 2022, një demonstrim shprese dhe fuqie, i cili ende kujtohet me notalgji në qarqet opozitare në Shqipëri.

    Debati për numrat mund të vazhdojë gjatë, ashtu si edhe skeçi i përhershëm me dron dhe pamje nga lart në stacionet qeveritare, por për fytyrën e normalitetit që ofroi protesta, nuk foli thuajse askush.

    Dhe askush nuk mund të fajësohet, pasi normalitet konsiderohet prej vitesh e kundërta e tij.

    Protesta e djeshme duhet parë, jo si prodhim i anormalitetit, por të kundërtës, nevojës për normalitet politik.

    Edhe mënyra e zgjedhur prej Sali Berishës për të mbajtur fjalimin, me një foltore dhe banerin e zakonshëm të komunikimit opozitar, ishte një përpjekje për të përcjellë normalitet. Ata që mund ta ndiqnin protestën rastësisht, pa ndonjë njohje specifike të Shqipërisë dhe të kontekstit politik të saj, nuk do të mund ta kuptonin dot se Sali Berisha, ishte një lider që fliste nga izolimi. Berisha dukej dje sikur fliste nga sheshi, ishte para protestuesve dhe fizikisht në ballë të tyre.

    I tillë, një ushtrim normaliteti ishte edhe fjalimi i tij. Aq shumë i tillë sa dukej se e përqeshte anormalitetin e Edi Ramës me programacionin e vet, me minimumin jetik, rrogat, investimet, Shqipërinë e së ardhmes etj.

    Berisha ishte një Navalny shqiptar që kërkonte ta verbonte opresionin qeveritar me pasqyrat arkimediane të ligjësive të normales.

    Ndërsa shefi i opozitës e vishte me normalitet Shqipërinë, Edi Rama, që nga takimi me Erdoganin në Ankara ngulmonte për të kundërtën. Prania policore në Bulevard, ishte e tillë sa dukej sikur nuk ishin shqiptarët që po protestonin në Tiranë, por kurdët në Turqi. Gjuha, përherë e gatshme, për ta trajtuar si anormale opozitën e vendit nga shpura medikatike proqeveritare, edhe mbrëmë pas protestës shpërndante toksina belicioze.

    Policët civilë në turmë dhe shoqërimi i protestuesve, apo dhe inskenimi i ‘hetimeve’ para Kryeministrisë ishte pjese e skenarit të pushtetit për të mbajtur gjallë pamje të anormalitetit.

    Një tjetër pamje e normalitetit, që siguroi opozita, është fakti se ata që ishin mbrëmë në Bulevard nuk qenë shqiptarë të patronazhuar apo të detyrurar nga shefi dhe nga puna në shtet. Ata qenë shqiptarë me vullnet të lirë të cilët i dhanë një mësim të gjithëve, se çfarë është liria dhe çfarë normaliteti. Sidomos atyre që konsiderojnë normale mungesën e disidencës, të opozitarizmit dhe të një pushteti që vazhdon pa konkurencë dhe përtej ligjit.

    Këta të fundit i shihje mbrëmë studiove. Gjysmë të kërrusur dhe të dorëzuar ata e pranonin më fund opozitën, por jo normalitetin. Ende të bezdisur prej tij, ende pengje të nevojës që anormalja e pushtetit të jetë modus vivendi i gjërave.

    20 shkurti, si mbrëmë, si para 33 viteve, mbetet shenja se, një pjesë e shoqërisë e kthen vendin në normalitet, pikërisht kur normalja duket e pamundur.

    Të rrëzoje shtatoren e Enverit 33 vjet më parë ishte futje e Shqipërisë në normalitet. Të demonstrosh sot se gjërat nuk janë siç i paraqet Edi Rama, është gjithaq normalitet.

  • Nga Andi BUSHATI – Një protestë anti Blinken

    Nga Andi BUSHATI – Një protestë anti Blinken

    Protesta e 20 shkurtit, me pjesmarrjen që demostroi, i provoi të gjithëve se në Shqipëri ka një masë të stërmadhe njerëzish që nuk besojnë se vendi drejtohet nga “një kryeministër i shkëlqyer”, apo nga “një udhëheqës i shquar”. Në këtë kuptim, më shumë sesa një manifestim për të celebruar bashkimin e opozitës, më tepër sesa një mbështetje për liderin e persekutuar Berisha (dukej nga pjesmarrja që qe me e madhe sesa ajo e 7 korrikut 2022), më përtej se një përpjekje për të dobësuar qeverisjen autokratike, ajo ishte një mesazh anti Blinken.

    Ata njërëz që u derdhën në bulevard ishin të deleguarit e asaj tërësie opozitare, që nuk i besojnë fjalëve që sekretari amerikan i shtetit tha pak ditë më parë në Tiranë, që e përbuzin injorimin që Blinken i bëri të gjitha opozitave, që shprehin mos dakordësi me linjën që diplomacia amerikane ndjek prej vitesh, kundër çdo faktori anti Rama në këtë vend.

    Duke zhvilluar menjëherë pas vizitës së Blinken protestën më të madhe që prej majit 2021, kur Sali Berisha u shpall non grata, ata pjesmarës dëshmuan se nuk e hanë më për djathë sapunin që u ofron administrata aktuale e Uashingtonit.

    Pikërisht këtë provoi edhe pjesmarrja në këtë manifestim e mbi 20 deputetëve që iu bashkuan opozitës reale, të cilët pas më shumë se dy vitesh kalamendje mes kërcënimeve për “ngrënie bari” dhe të bërit politikë të bazuar tek vota, zgjodhën këtë të dytën.

    Të ashtuquajturit pjestarë të grupit Bardhi, që kishin rrefuzuar të mblidhnin “një kongres kundër SHBA-së”, megjithëse ai iu kërkohej nga antarësia, që kishin miratuar përjashtimin e liderit historik, për ta mbajtur mirë me ambasadën, që injoronin militantët në emër të një të ardhmeje strategjike për ta, u kthyen të gjithë në vathë.

    Sepse për ata, ashtu sikurse për çdo qytetar të këtij vendi me dy pare mend në kokë, Edi Rama nuk mund të jetë dot kurrësesi, ai që u portretizoi në mënyrë të paturpshme, kryediplomati amerikan.

    Pra, ata që u derdhën në bulevard këtë 20 shkurt e bënë për të rrëzuar shtatoren e një diktatori të ri, që Antony Blinken u rek të legalizonte tek piramida mauzoleum.

    Si për ta theksuar edhe më shumë këtë mesazh, askush nuk e përfilli shantazhin që bënë disa përfaqësues të vulës, tashmë të shitur tek qeveria, se këtë të martë do të zhvillohej një protestë kundër “aleatit tonë të madh strategjik”.

    Natyrisht duke mbërritur në konkluzionin se kjo ishte një protestë kundër mesazheve të Blinken, jam i ndërgjegjshëm se zjarrfikëset trushplarës të propagandës do të prodhojnë tituj për protestën “anti amerikane” të saliistëve.

    Por, është thjeshtë çështje e tyre nëse ngatërrojnë qëllimisht, një person të vetëm të një administrate kalimtare, me peshën e dhe vlerat e hiperfuqisë. Për ta vlen vetëm një pyetje: si e shpjegojnë që protesta më e madhe e opzitës pas kaq vitesh, “rastisi” vetëm pesë ditë pas vizitës së sekretarit të shtetit?

    Unë vetë e kam përgjigjen: kjo e sotmja qe diçka më e madhe sesa një demostrim i minorancës berishiste. Ajo ishte reagimi i një shumice që nuk pranon të tërhiqet prej hunde duke ia shitur Ramën si një udhëheqës të shquar dhe kryeministër të shkëlqyer.

  • Nga Luçiano BOÇI – Mos i mungoni historisë

    Nga Luçiano BOÇI – Mos i mungoni historisë

    Qytetarë sot është dita juaj!

    Dita e së vërtetës!

    Griseni heshtjen dhe bashkohuni me ne për të thirrur liritë e të drejtat tuaja.

    Për të kërkuar dinjitet, mirëqënie e demokraci!

    Për të nisur së bashku ndërtimin e një të sotme dhe të ardhme që na duhet dhe e meritojmë.

    Për një vend:

    -Pa shpopullim

    -Pa korrupsion

    -Pa krim

    -Pa autokraci

    Largojeni apatinë dhe hajdeni me ne në bulevard, të themi të vërtetat tona dhe me ato të nisim të ndërtojmë Shqipërinë tonë:

    -Ku ka arsim cilësor

    -Shëndetësi për çdo njeri

    -Siguri e rend

    -Ka gëzim jete

    -Dhe shpresë pa fund

    Revoltohuni qytetarë!

    -Të fitojmë krenarinë tonë

    -Të fitojmë lirinë politike të votës

    -Të fitojmë opozitën e bashkuar

    -Të fitojmë familjet tona

    -Të fitojmë vendin tonë

    Mos mungoni në ditën tuaj!

    Është dita për të ngritur në pjedestal NJERIUN dhe shembur IDHUJT e rremë!

    SOT NË 20 SHKURT, NË 17.30 NË BULEVARDIN “DËSHMORËT E KOMBIT”

  • Nga Enver BYTYÇI – Pse duhet të jemi sot në protestë?

    Nga Enver BYTYÇI – Pse duhet të jemi sot në protestë?

    1. Sepse nuk duam më të vazhdojë braktisja e Shqipërisë. Duam ta ndalojmë hemoragjinë kombëtare të emigrimit dhe shpopullimit!

    2. Sepse duam që të ringrihen tri shtyllat e shtetit: – Arsimi, shëndetësia dhe administrata publike!

    3. Sepse nuk duam një vend pa opozitë, me institucione shtetërore në duart e një njeriu. Ne shqiptarët i kemi vuajtur pasojat e diktaturës dhe nuk mund të lejojmë të rikthehet ajo në emër të stabilokracisë!

    4. Sepse duam drejtësi. Drejtësi sidomos në luftën kundër korrupsionit, mafies dhe krimit të organizuar. Pra drejtësi e luftë pa kompromis kundër të keqes që e ka mbërthyer për gryke regjimin e sotëm!

    5. Sepse duam barazi. Barazi në dinjitet, barazi në integritet, barazi në votim, barazi në shpërndarjen e të mirave materiale dhe fondeve publike, barazi dhe drejtësi në shanse!

    6. Sepse duam liri! Liri të fjalës e të mendimit, liri të shprehjes në medie, liri të kritikës e të kontrollit të institucioneve të shtetit, sidomos ekzekutivit, liri në zgjedhjet politike, por edhe në zgjedhjet personale për ta ndërtuar vetë jetë tonë!

    7. Sepse duam demokraci! Demokraci në ndarjen e pushteteve dhe funksionimin e pavarur të tyre! Demokraci në pjesmarrjen e drejtpërdrejtë në qeverisje përmes referendumeve. Demokraci në ushtrimin e funksioneve të secilit institucion! Pra llogaridhënie dhe jo si tani, kur ekzekutivi e shteti i kërkojnë llogari popullit, zgjedhësve!

    A na i siguron këto vetëm një protestë? Sigurisht që jo. Por ne duhet të dëshmojmë se ne i duam këto vlera të shoqërisë njerëzore! Dhe kjo protestë duhet të japë mesazhin se është mjet i efektshëm për të arritur këto synime.

    A na i siguron këto opozita që ka thirrur protestën? Ne duhet ta rrëzojmë këtë regjim dhe duhet ta testojmë e paralajmërojmë opozitën se ne nuk do ta tolerojmë as atë nesër në pushtet! Vetëm duke i marrë vetë ne fatet tona në duart tona do të imponohemi. Por radha është t’i imponohemi këtij regjimi! Që sot!

    Opozitën do ta testojmë nesër e në çdo protestë që do të bëhet! Nesër do ta testojmë për projektin dhe kërkesat ultimative që do t’i bëhen regjimit kleptokratik e mafioz të Shqipërisë.

    Mos u pajto me stabilokracinë, kërko me ngulm lirinë dhe demokracinë! Kjo është motoja dhe qëllimi ynë!

  • Rrezikon 4 vite burg, Luiz Ejlli akuzohet për falsifikim

    Rrezikon 4 vite burg, Luiz Ejlli akuzohet për falsifikim

    Luiz Ejlli është një personazh mjaft i dashur për publikun, por mesa duket ai nuk ka shkëputur ende lidhjet me problemet ligjore. Prej datës 26 dhjetor 2022 Luiz Ejlli është i pandehur për drejtësinë shqiptare si person i dyshuar për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve.

    Prokuroria e Fierit, më datë 26 shkurt do të japë dënimin përfundimtar të tij në orën 12:45. Ky dëgjim pritet të vendosë fatin e tij në lidhje me akuzën: falsifikimin e dokumenteve në bashkëpunim.

    Drejtësia e akuzon Ejllin se me profesionin e noterit ai ka falsifikuar deklaratë noteriale për të justifikuar paratë e një personi që ishte në hetim. Kjo histori nis në vitin 2021 aty ku prokuroria do të kërkonte sekuestrot e pasurive të shtetasit F.A. si të pajustifikuara me burime të ligjshme.

    Data për paraqitjen e tij para gjykatës ishte caktuar për datën 12 shkurt, por për shkak të arsyeve të ndryshme, ajo u shty deri më 26 shkurt. Luiz Ejlli për këtë veprë penale, e cila në bazë të kodit të procedurës penale mund të dënohet me burgim nga 6 muaj deri në 4 vite.

  • Është vendi më i mirë në Evropë, edhe më virtuozi nga të gjithë

    Është vendi më i mirë në Evropë, edhe më virtuozi nga të gjithë

    Renditja e re e 10 vendeve evropiane më të respektueshme të mjedisit

    Hemsol, kompani e specializuar në energjinë e rinovueshme, ka hartuar një renditje që zbulon se cilat vende evropiane respektojnë më shumë mjedisin. Janë vlerësuar elementë të ndryshëm, si kuota e energjisë së rinovueshme, niveli i riciklimit të mbetjeve, përdorimi i transportit publik, zona pyjore dhe bujqësore dhe emetimet e dioksidit të karbonit për frymë. Në vendin e dhjetë të kësaj renditjeje gjejmë Slloveninë e cila merr një pikavarazh total prej 51.63 nga 100.

    Vendi i nëntë zihet nga Zvicra, destinacion udhëtimi i njohur për malet spektakolare, grykat e egra dhe pyjet mistike. Rezultati i arritur prej helvetëve është 51.75 nga 100.

    Vendi i tetë shkon për Luksemburgun, që shtrihet në qendër të Evropës, që zbulon në sytë e vizitorëve një peizazh të vërtetë përrallor të përbërë nga lumenj dhe liqene të kristaltë. Rezultati i arritur është 51.83 nga 100.

    Fluturojmë tani në vendin e shtatë, që është zënë nga Gjermania, një vend i madh që ofron mundësi të shumta për të përjetuar momente relaksi dhe pushimesh në harmoni me mjedisin. Midis Parqeve kombëtare, rezervateve natyrore, liqeneve të pacënuar dhe peizazheve të mrekullueshme, është e lehtë të udhëtosh në mënyrë të qëndrueshme. Rezultati i marrë është 52.06 nga 100.

    Vendi i gjashtë është për Estoninë, e cila vitin e kaluar u vlerësua si Best Green Destination i huaj, duke dekretuar Talinin, kryeqytetin e tij, European Green Capital 2023. Një komb që synon respektimin e natyrës dhe që ka marrë një rezultat 54, 66 nga 100.

    Vendin e fundit të kësaj Top 5 e zë Suedia, vend në të cilin mbështetshmëria, ekoturizmi dhe turizmi i përgjegjshëm janë të garantuar dhe inkurajohen nga një sërë aktivitetesh dhe ekskursionesh që respektojnë mjedisin, por edhe nga popullsia dhe kultura vendase. Rezultati i marrë është 62.05 nga 100.

    Vendi i katërt është i Islandës, ku udhëtimet karakterizohet nga natyra, aventura dhe emocionet e forta. Bëhet fjalë për një vend ku natyra mbretëron sovrane e me një dendësi mesatare të popullsisë ndër më të ulëtat në planet. Rezultati i marrë është 62.13 nga 100.

    Medalja e bronztë i shkon Finlandës, ku që nga 1 korriku 2022 ka hyrë në fuqi një ligj i ri klimatik, i cili përcakton objektivat e uljes së emetimeve për 2030 dhe 2050, duke përditësuar edhe objektivin për vitin 2050. Rezultati i marrë është 62.31 nga 100.

    Shkalla e dytë e podiumit është e Austrisë, vendi në të cilin është regjistrua përqindja më e lartë e trafikut të pasagjerëve në transportin publik në Evropë. Firmëtare e Marrëveshjes së Parisit, ka pikavarazhin e dytë më të lartë për riciklimin e mbetjeve, ndërsa rezultati total është 68.89 nga 100.

    Vendi më miqësor ndaj mjedisit në Evropë është Norvegjia, e cila synon të arrijë në zero emetime neto të dioksidit të karbonit midis viteve 2045 dhe 2055. Dhe jo vetëm kaq, sepse kjo tokë e veriut të kontinentit tonë është e impenjuar edhe që të garantojë për vendet në zhvillim që të kenë akses në energji të pastër dhe të rinovueshme, plus shpërndan deri në 3 miliardë korona në vit për të ndihmuar në shpëtimin e pyjeve tropikale të botës. Rezultati i tij total është 73.30 nga 100.

    Përgatiti Dardan MITROVICA

  • Nga Erion DASHO – Koha për të rrëzuar diktaturën

    Nga Erion DASHO – Koha për të rrëzuar diktaturën

    Vrasja e Navalnit në Rusi ishte çështje kohe. Sikundër Prigozhin, ai cilësohej prej vitesh “i vdekuri që ecën”. Sidoqoftë, lajmi shkaktoi shok, zemërim dhe më pas, për vendet që sikundër Shqipëria ndodhen në të njëjtën situatë me Rusinë, reflektim.

    Si arritëm deri këtu? Rusët me Putinin, hungarezët me Orbanin, turqit me Erdoganin, serbët me Vuçiçin, shqiptarët me Boratin?!

    Diktatorët nuk lindin të tillë, as edhe bëhen diktatorë për një ditë. Jemi ne që i krijuam!

    》kur për shkak të problemeve personale, qirasë së shtëpisë apo kredisë, rrogës së ulët, etj., ja lamë “të tjerëve” përgjegjësinë për demokracinë. Të luftosh për demokraci në një vend që është mësuar me diktaturën është e lodhshme, kërkon energji, kërkon kohë, kërkon guxim. Shumë nga ne u lodhën sapo e nisën këtë rrugë 34 vjet më parë.

    》kur për të shkuar në plazh një fundjavë qershori, thamë “E ç’do të ndryshojë vota ime?!” Një votë është përballë qindra mijërave. Ka vota që blihen, që vidhen, ka njerëz të tremben dhe shantazhohen. Ç’mund të bëj unë i vetëm përballë pushtetit?”

    》kur për të mos prishur rehatinë personale, për të mos u parë në një shesh apo në një rrugë proteste, për të mos rrezikuar vendin e punës, biznesin, karrierën, etj., thamë “Ç’më duhet mua? Unë nuk jam edhe aq keq. Pse duhet të rrezikoj?”

    》kur për të marrë certifikatën, vërtetimin, diplomën, vendimin, shërbimin, etj., nuk ngurruam të jepnim rryshfetin, pa menduar se ai punonjësi i vogël që ne korruptuam me 5 apo 10 mijë lekë ishte baza e piramidës së korrupsionit që përfundoi me tigrat që zhvatën dhjetëra apo qindra milionë euro.

    》kur të pakënaqur me pagën, karrierën, shkollën, kopshtin, rrugën, shtëpinë, etj., ne ikëm, lamë vendin dhe shkuam në një tjetër vend; dhe kur nuk na pëlqeu as vendi i dytë, shkuam tek një i tretë. Dhe Shqipëria mbeti bosh!

    * * *

    Putinët, Erdoganët, Orbanët, Vuçiçët, Boratët, etj., janë aty sepse u toleruan!

    Regjimet e tyre hajdute janë aty sepse korrupsionin e tyre e ushqyem edhe ne!

    Sot janë me qindra mijëra rusë që protestojnë nëpër botë, por të paktë janë ata që dolën në rrugët e qyteteve ruse. Rusët në Rusi janë braktisur përballë regjimit vrasës.

    E njëjta gjë me shqiptarët. Janë të shumtë shqiptarët në emigracion që flasin, që presin ndryshimin, që nuk mund të pajtohen dot me një kryeministër që ka 11 vjet në pushtet dhe po ecën ekzaktësisht në të njëjtën rrugë me sivëllezërit e tjerë diktatorë.

    Por janë ende të paktë shqiptarët që protestojnë në Shqipëri. Kur duhej të ishin me qindra mijëra në protestë.

    Sot duhet kuptuar nga kushdo se për demokracinë duhet luftuar sa më shpejt. Çdo ditë e kaluar në diktaturë e bën më të vështirë luftën për demokraci. E kundërta, sa më herët të niset, aq më mirë.

    Sot opozitarët e Shqipërisë janë në burg. Nëse do të vijë dita të jenë në varrezë si ata rusë, atëherë do të jetë shumë më e vështirë; do të jetë ndoshta shumë vonë.

    Sot shqiptarët duhet të angazhohen fuqishëm për të luftuar korrupsionin, vjedhjet, oligarkët dhe narkotrafikantët e lidhur me qeverinë.

    Shqiptarët duhet të luftojnë kapjen e drejtësisë dhe përdorimin e saj si kamxhik në dorën e pushtetit.

    Shqiptarët duhet të luftojnë grabitjen e pronës publike, grabitjen e parqeve për kulla, grabitjen e atij që as edhe pushtuesit nuk ja bënë Shqipërisë, grabitjen e portit të Durrësit.

    Shqiptarët duhet të luftojnë shpopullimin, sepse përsa kohë vazhdon vjedhja, grabitja dhe diktatura, nuk mund të ngjallet shpresa dhe shqiptarët do të ikin pa kthim.

    Sot më tepër se kurrë është koha për të vendosur para përgjegjësisë të korruptuarit, hajdutët e pareve dhe të taksave të shqiptarëve, shkatërruesit e demokracisë, shkatërruesit e kombit!

    Koha për dhënie llogari ka ardhur!

  • Nga Lutfi DERVISHI – Krimi-krimi, droga-droga, ferrat-ferra

    Nga Lutfi DERVISHI – Krimi-krimi, droga-droga, ferrat-ferra

    Në Devollin e punës, aty ku Dritëroi i madh nisi udhën e letrave me një trastë balte të marrë arave për ta sjellë në Lidhjen e Shkrimtarëve, është shënuar një ngjarje e rrallë.

    Megjithëse për ditët kur jetojmë e jashtëzakonshmja duket përherë e më e zakonshme, kjo ngjarje është e denjë për të qenë kryelajm kudo ku bukës i thuhet bukë dhe ujit i thuhet ujë…

    Policia lokale, ose më mirë të themi “Policia që Duam”, ka demonstruar edhe një herë vigjilencën e saj të pashembullt përballë keqëbërësve të mëdhenj e të vegjël.

    Këtë herë, falë inteligjencës policore, dronëve, satelitëve (Albania 1, Albania 2) dhe bashkëpunimit me partnerët vendas e të huaj, është zbuluar një skandal kaq i madh sa po të mos ishte kapur në kohë, do të rrezikonte Marrëveshjen e Parisit për luftën ndaj ngrohjes së klimës.

    Policia e Devollit ka kapur në flagrancë një fermer i cili guxoi të digjte ferrat në tokën e tij për të lëruar, pluguar dhe mbjellë.

    Po, po, mos u çudit, keqbërësi tani është prapa hekurave!

    Mbase për ndokënd lajm është fakti se ka ende fermerë devollinj që mbjellin sërish e sërish tokën edhe pse djersën e dekadave e kanë hedhur në lumin e tyre, por kjo është temë tjetër.

    Ngjarja sot është ky keqbërës që pasi i ra kazmës gjithë ditën, statuja e drejtësisë me kazmën e ligjit në dorë nuk e toleroi.

    Dikush mund të thotë se policia duhet të përqëndrohet më shumë te kanabisi, trafiku,  vjedhjet, kërcënimet në rrjete sociale apo te ndërtimet pa leje?

    Por jo, në këto ditë dimri, policia që duam është fokusuar aty ku nuk ja pret mendja askujt: Te kopështet e fermerëve.

    I akuzuari, një rebel 58-vjeçar, i njohur nga autoritetet vetëm si L.L., akuzohet për ndotje mjedisore. Krimi i tij?

     I vuri flakën disa barishte që guxuan të harliseshin në pronën e tij.

     E  imagjinonini skenën: një fermer nga ata që gjen rëndom në Devoll, i armatosur me një çakmak, ndez zjarr dhe siç thotë populli ku ka zjarr ka edhe tym. Ku ka tym ka edhe probleme.

    Komisariati i Devollit, për të mos mbetur pas kolegëve italinë dhe ekuadorianë që po merrren me kartelet ndërkombëtare të drogës apo rrjeteve të kontrabandës, mobilizoi specialistët më të mirë të hetimit të krimit.

     Këta heronj të uniformave blu, brenda një kohe rekord referuan çështjen në Prokurori dhe garantuan banorët e Devollit dhe më gjerë se këtej e tutje do të shihnin vetëm tym nga oxhakët e tyre.

    Prokurori gjatë marrjes në pyetje u sigurua që 58 vjeçari, nuk kishte qëllim që me zjarrin e vënë për të djegur “mbeturinat” t’u kujtonte bashkëfshatarëve çështjen e incineratorëve që nuk punojnë.

    Hetuesit kanë sekuestruar celularin e keqbërësit dhe po hetojnë njëkohësisht në disa pista.

    Pyetja tashmë që endet si avulli në kokën e të dehurit për prokurorin është: Çfarë proçke tjetër mund të na bëjë L.L? 

    Duke gjykuar nga mosha, kuptohet që ai mund të bëhet recidivist. Mundet, larg qoftë të ujisë më shumë se ç’duhet kastravecët në baçe duke shpërdoruar një pasuri publike.

     Ndoshta L.L mund të vijojë duke krasitur pa leje shkurret e trëndafilave. Koha, kjo gjykatëse e pa mëshirshme do të tregojë.

    Por, devollinjtë e punës mund të flenë të qetë, duke e ditur se policia që duam është gjithmonë vigjilente…

    Megjithëse çdo baçe e bukur ka ferrat e veta, nuk e di nëse do mjaftojë rakia e tyre e fortë që të kapërcejë këtë “histori” që të deh me marrëzinë dhe të bën xurxull me budadallëkun.