Year: 2024

  • Nga Nga Enver BYTYÇI – Filozofia e Rilindjes – Rrëno familjen dhe shtresën e mesme, pastaj zhbëje identitetin kombëtar!

    Nga Nga Enver BYTYÇI – Filozofia e Rilindjes – Rrëno familjen dhe shtresën e mesme, pastaj zhbëje identitetin kombëtar!

    Lajmi i fundit: – Vëllai vret vëllanë, pastaj dhe veten. Lajme të tjera të mëparshme: – Djali vret nënën! Burri vret gruan! Vëllai ther motrën! Plagosje të kushërinjve për pronën! Dhe të gjitha këto duken si përditshmëri e lajmeve në mediet shqiptare. Nëse një gazetar pyet kryeministrin apo anëtarët e kabinetit të tij, përgjigja është hazërxhevap: “Këto ndodhin kudo në botë”!

    Por ama në asnjë vend të botës nuk promovohen e anonçohen në medie lajme të tilla në përditshmëri. Përjashto rastet kur krimi konsiderohet masakër ose terror. Pse këtu në Shqipëri jepen edhe lajme kur dikush divorcohet, kur dikush grindet, e jo më kur ndodhin krime në familje?! Ka një strategji të studiuar dhe të ndërtuar me shumë kujdes, finesë dhe djallëzi: – Të krijohet përshtypja se familja është në krizë dhe njerëzit të gjenden para fatalitetit, të pamundur për të reaguar dhe për të mbajtur një familje të shëndoshë. Ndërkaq shteti kujdeset që të rritet varfëria, me qëllim rrënimin e mëtejshëm të familjes.

    Situata dramatizohet shumëfish nëpërmjet medieve që përhapin lajme të tilla. Ndërkohë kjo nxit emigracionin, i cili e godet përfundimisht familjen shqiptare. Edhe kaq sa shqiptarë kanë emigruar në dekadën e fundit janë të mjaftueshëm të dëmtojnë familjet shqiptare. Nga 12 qarqe në tetë prej tyre, sipas studimit të ditëve të fundit, jetojnë më shumë banorë të moshës së tretë, sesa të rinj. Qeveria e Rilindjes ndryshoi ekuilibrat e shoqërisë shqiptare në favor të armiqve të kombit tonë. Dhe formula e kësaj qeverie është të rrënojë familjen si qeliza bazë e shoqërisë sonë.

    Nga ana tjetër këtij qëllimi i shërbejnë edhe politikat e zhbërjes së shtresës së mesme. Edhe në këtë rast ka një strategji të qëllimshme. Një komb pa një shtresë në rritje me të ardhura të garantuara për jetën e familjes dhe kjo është shtresa e mesme, është i destinuar të dobësohet dhe të shkatërrohet. Në periudhën e Mbretërisë shqiptare kishte vajtur në fshatin tim të lindjes kryetari i Komunës së Kukësit dhe i kishte kërkuar gjyshit tim 3-4 djem për t’i dërguar për shkollim në internatin Kosova të Krumës në Has. Ndërkohë ai vuri një kusht: – Nuk i dua as të varfër, as të pasur shumë. I dua nga shtresa e mesme, thotë administratori i Mbretit. Gjyshi e pyet se pse duhen këta? Dhe ai përgjigjet: “I varfëri ta shet atdheun për një copë bukë, ndërsa e pasuri ta shet atdheun për më shumë pasuri”!

    A ka një filozofi të tillë qeverisja e Rilindjes? Ajo nuk ka as nuk do ta ketë këtë mision e këtë vizion! Qëllimi e përpjekjet e saj janë të përçajë, sepse kësisoj mund e sundon më lehtë këtë vend e këtë popull. Qeveria shqiptare punon që ta varfërojë qytetarin shqiptar, sepse në këtë mënyrë e manipulon dhe i imponohet më me sukses. Ka si destinacion ta shkatërrojë familjen, me qëllim që kjo strukturë e shoqërisë të mos ndikojë te anëtarët e saj për të përzgjedhur alternativën më të mirë të qeverisjes në zgjedhje. Lufta kundër shtresës së mesme është objektiv edhe i ligjit të tatimit për profesionet e lira, i cili hyri në fuqi më 1 janar 2024. Rrënimi i kësaj shtrese është interes politik i Rilindjes, sepse vetëm shtresa e mesme nuk manipulohet dhe nuk gënjehet me një thes miell në këmbim të votës.

    Gjithçka që ndodh me shtresën e mesme dhe me familjen lidhet me pushtetin, zgjedhjet, manipulimin dhe imponimin e vullnetit të një oligarkie të caktuar, ku bëjnë pjesë politikanët e mazhorancës dhe ata të shiturit nga opozita, pronarë mediesh dhe më të pasurit në biznes!

  • Nga Erion DASHO – Ata po dalin hapur në mbështetje të Berishës dhe të opozitës

    Nga Erion DASHO – Ata po dalin hapur në mbështetje të Berishës dhe të opozitës

    Borati shpresoi se duke dënuar Sali Berishën me arrest shtëpie dhe duke ndaluar komunikimin e tij me opozitarët, do të ndalej zëri i tij dhe do të fashitej opozitarizmi.

    Nuk mund të ishte më i gabuar!

    Në sajë të patronazhistëve dhe rrjetit të spiunëve, presionit me vendin e punës dhe deri me bukën e gojës, Borati e kishte vendosur në presion të jashtëzakonshëm opozitën.

    Unë flas rregullisht me miq e familjarë në Shqipëri dhe një nga shqetësimet më të mëdha të drejtuesve lokalë të opozitës është se edhe antarët më besnikë janë të frikësuar dhe nuk i përgjigjen thirrjeve për protesta.

    Përsa i takon pëlqimeve në rrjetet sociale, taktika ka qënë e dyfishtë. Nga njëra anë aplikacioni “Aktivisti” për të spiunuar çdo person që mund të shantazhohet me vendin e punës apo me biznesin.

    Nga ana tjetër, rrjeti i suflaqexhinjve shfrytëzon çdo të çarë në politikat apo mundësi që ofrojnë praktikat e biznesit të rrjeteve sociale për të shënjestruar deri edhe bllokuar llogaritë e opozitarëve. Si rezultat, deri para pak javësh, edhe postimet e vetë Berishës kishin një rënie të dukshme të numrit të pëlqimeve në disa qindra për postim.

    Numri i ulët i protestuesve para Kuvendit, ku vetë Berisha ishte në podium, i bëri përshtypje çdo opozitari dhe u shfrytëzua nga mediat e blera të pushtetit.

    Situata sot me Berishën në arrest paraqitet totalisht e përmbysur.

    Statuset e Sali Berishës në median sociale marrin minimumi disa mijëra pëlqime, për të arritur deri në dhjetëra mijëra për statuse të caktuar. Përpara banesës së liderit demokrat mblidhen disa herë në ditë me qindra protestues, madje edhe në mënyrë spontane.

    Demokratët dhe opozitarët po dalin hapur në mbështetje të Berishës dhe të opozitës. Hapi i radhës është revolta kundër diktaturës së Boratit, e cila do të çojë natyrshëm në rënien e tij.

    ***

    Duke stisur çështjen e paqenë të ish-kompleksit sportiv “Partizani”, Borati dhe drejtësia e komanduar shpresuan t’i jepnin goditjen fatale opozitarizmit në Shqipëri.

    Kalimi i masës bëri që demokratët dhe opozitarët shqiptarë të vrasin frikën dhe nisin procesin e shumëpritur të rrënimit të diktaturës së re të Boratit.

    Përfundimi?

    Një Berishë në krye të lëvizjes së pandalshme që do të sjellë pluralizmin e dytë për shqiptarët, dhe një Borat para drejtësisë për të dhënë llogari për regjimin më kleptokratik që ka njohur historia e Shqipërisë.

  • Nga Peter TIEDE – Tërmet ballkanik rreth këtij 79-vjeçari

    Nga Peter TIEDE – Tërmet ballkanik rreth këtij 79-vjeçari

    A po ndërmerr papritur Shqipëria masa kundër korrupsionit apo dikush ka frikë nga plaku? Një tërmet politik po trondit aktualisht vendin. Dihet që politika në Ballkan dhe veçanërisht në Shqipëri ndonjëherë mund të jetë e ashpër. Politikanët e korruptuar, votat e blera, paratë e drogës dhe mafias, skandalet e përgjimeve mes partive dhe ministrave që shkarkohen për shkak të kontakteve mafioze… Vështirë se ndonjë nga këto klishe mund lihet mënjanë. Por tani bastioni i kontrabandës së drogës në Evropë është në krye të të gjithave! Një konflikt politik që vazhdon prej vitesh mes kreut të qeverisë socialist Edi Rama (59 vjeç) dhe paraardhësit të tij, ish-presidentit konservator Sali Berisha (79 vjeç), po shkon drejt një kulmi të ri.

    Berishës i është caktuar masa e arrestit shtëpiak në Tiranë. Akuza: korrupsion dhe shpërdorim detyre. Më shumë se 15 vite më parë, ai mësohet se ka privatizuar një qendër sportive në favor të dhëndrit të tij (i cili është gjithashtu i arrestuar). Berishës aktualisht i lejohet të komunikojë vetëm me avokatët e tij dhe disa anëtarë të familjes. Fotoja kryesore tregon ish-kreun e qeverisë duke treguar me të dyja duart shenjën e fitores nga dritarja e banesës së tij në Tiranë.

    Kjo situatë u parapri nga një betejë në gjykatë dhe në parlament. Pak para Krishtlindjeve, anëtarët e Partisë Demokratike të Berishës u përpoqën të pengonin një mbledhje (parlamenti) në të cilën 79-vjeçarit do t’i hiqej imuniteti. Ata madje kishin përdorur karriget për të ngritur barrikada dhe hodhën bomba tymuese!

    Vetë Berisha flet për një fushatë hakmarrëse të Ramës. Ai thotë se dëshiron ta përjashtojë nga frika e humbjes së pushtetit në zgjedhjet parlamentare që po vijnë në Shqipëri në 2025-ën. Pavarësisht arrestimit dhe bllokimit të komunikimit, BILD arriti të komunikojë me Berishën në Tiranë. Ish-profesori i universitetit që e nxori Shqipërinë nga komunizmi i epokës së gurit pas 1991 thotë për BILD: “Ndihem shumë i motivuar për të udhëhequr një luftë të suksesshme kundër diktaturës së dytë në 32 vjet në vendin tim. Këtë herë është një shtet droge, një diktaturë mafioze.”

    Berisha e konsideron Ramën personalisht përgjegjës për futjen e tij në listën e sanksioneve të SHBA-ve, me informacione të rreme dhe ryshfet. Rama e mohon këtë prej muajsh. Çështja është bërë objekt i një skandali korrupsioni në SHBA. Ish-shefi i FBI-së në New York thuhet se ka marrë para dhe një licencë nafte nga Tirana.

    Dikush që njeh Ballkanin po aq mirë sa Rama dhe Berisha është Elmar Brok (77-vjeçar, CDU). Shefi i politikës së jashtme për një kohë të gjatë i Parlamentit të BE-së e shikon Tiranën me mosbesim dhe thotë për BILD: “Kaosi politik po shkon drejt një kulmi të ri. Është e çuditshme që, 15 vjet pas një rasti të supozuar, një ish-kryeministër vendoset në arrest shtëpie dhe i ndalohet komunikimi edhe me partinë e tij. Dhe kjo para zgjedhjeve parlamentare të planifikuara për vitin e ardhshëm…” / BILD

  • Arrestimi i kreut të opozitës shqiptare dhe roli i “Drejtësisë së Re”. Nga e dinte Rama shpalljen “non grata” të Berishës? Kronologjia e plotë e ngjarjes më të bujshme politike të 2023

    Arrestimi i kreut të opozitës shqiptare dhe roli i “Drejtësisë së Re”. Nga e dinte Rama shpalljen “non grata” të Berishës? Kronologjia e plotë e ngjarjes më të bujshme politike të 2023

    Ndalimi i komunikimit me personat jashtë familjes është respektuar nga Sali Berisha si pjesë e vendimit të gjykatës speciale. Kjo masë, që i shtohet arrestimit dhe izolimit në shtëpi nën mbikqyrjen policore, i ka dhënë një goditje të fortë formacionit politik që ai drejton.

    Kjo u pa edhe sot, kur një grup simpatizantësh u grumbulluan poshtë shtëpisë së Berishës, për t’i dhënë mbështetje me brohorima dhe thirrjet “O Sali o hero, gjithë Shqipëria ty të do”.

    E vetmja gjë që mund të bënte Berisha ishte të dilte në dritare për të përshëndetur simpatizantët me dy gishta dhe me dy flamuj me logon e Partisë Demokratike.

    Vetë ai nuk foli, pasi kjo i ndalohet me vendim të gjykatës speciale. Berisha dha një mesazh në Facebook, kur shpërndau filmimet e mësipërme me mbishkrimin “Duke përshëndetur luftëtarët e lirisë në betejën e tyre pa kthim kundër diktaturës së drogës, krimit e korrupsionit”.

    Komunikimin me demokratët e mori përsipër e bija, Argita Berisha. “Asnjë diktator nuk i përballet dot shpirtit tuaj të lirë. Nuk ka pranga sistemi që mund të burgosin lirinë tuaj. Ju jeni misionarët e kësaj lufte, që nga kjo rrugicë, do të shtrihet në të gjithë rrugët dhe rrugicat e Shqipërisë” tha Argita Berisha që më pas iu bashkua tubimit.

    Me Berishën të arrestuar, formacioni politik që ai udhëheq gjendet në udhëkryq. Prej vitesh disa ngjarje i kanë dhënë opozitës goditje të forta, që në të njëjtën kohë kanë forcuar pushtetin e Ramës.

    Paralajmërimi i Ramës në 31 Janar 2019

    Deklarata e Ramës që erdhi në formën e një pyetjeje provokuese në parlament ishte e papritur në seancën e fillimvitit 2019. “Kam një pyetje të drejtpërdrejtë për ty. Sali ti a e kapërcen dot oqeanin me dash?” ishte pyetja e kryeministrit Rama që dukej se dinte diçka më shumë se të tjerët. Rama e la me aq paralajmërimin e tij, por u deshën të kalojnë dy vite që kjo pyetje të merrte përgjigje.

    Kallëzimi në SPAK për Sali Berishën në nëntor 2020

    Padia për privatizimin e kompleksit Partizani u dorëzua në SPAK në 17 Nëntor të vitit 2020 nga Taulant Balla, në cilësinë e kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Sipas kallëzimit, Sali Berisha kishte shpërdoruar detyrën për privatizimin e kompleksit dhe përfitimet ishin të dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi. Për 3 vjet, Berisha nuk u mor asnjëherë në pyetje.

    Humbja e PD në zgjedhjet e 25 Prillit 2021

    Partia Demokratike humbi zgjedhjet në 25 Prill 2021. Partia Socialiste fitoi 74 mandate e vetme, ndërsa Partia Demokratike dhe aleatët morën 59 mandate. LSI mori 4 dhe PSD 3.

    Shpallja non grata nga SHBA në 19 Maj 2021

    Ndërsa Partia Demokratike nuk e kishte marrë ende veten nga humbja diskutohej nëse duhej ndjekur rruga e protestave apo ajo e pranimit të rezultatit. Në Maj, Departamenti i Shtetit e shpalli Sali Berishën non grata për korrupsion madhor. Ish-kryeministri kërkoi prova për korrupsionin e supozuar dhe tha se do të bënte padi ndaj sekretarit të shtetit, Entoni Blinken.

    Rizgjedhja e Bashës kryetar i PD më 14 Qershor 2021

    Lulzim Basha hapi garën për kryetar të PD-së dhe konfirmoi veten në krye pas një procesi që u zhvillua në qershor. Berisha nuk mbajti një qëndrim pro tij në fushatë, por as e kundërshtoi procesin. Pas zgjedhjes si kryetar Lulzim Bashës iu kërkua me ngulm përjashtimi i Sali Berishës nga PD nga ambasadorja Juri Kim.

    Përjashtimi i Berishës nga Basha, 9 Shtator 2021

    Ndërsa amerikanët i kishin lënë afat të merrte një vendim, Lulzim Basha shpalli përjashtimin e Sali Berishës nga Partia Demokratike. Ai tha se nëse nuk do ta merrte një vendim të tillë, për Berishën dhe familjen e tij do të kishte pasoja akoma më të mëdha dhe se çështja e non gratës ishte personale e Berishës, ndaj duhej zgjidhur si e tillë.

    Lufta për Vulën e PD

    Me një numër deputetësh besnikë që u larguan nga i ashtuquajturi grupi zyrtar parlamentar i Partisë Demokratike, Sali Berisha nisi lëvizjen e Foltores dhe zhvilloi Kuvendin e 11 Dhjetorit ku shkarkoi Lulzim Bashën dhe sekretariatin ekzistues të PD-së. Më pas, dërgoi në gjykatë statutin e ri dhe vendimet e marra në kuvendin e 11 Dhjetorit që u zhvillua në stadiumin Air Albania. Në anën tjetër, Lulzim Basha zhvilloi Kuvendin e 18 Dhjetorit në Pallatin e Kongrese. Lindën kështu dy PD dhe një çështje në gjykatë, që mban ende pezull intrigën mes demokratëve.

    Ndihma e Ramës për Bashën në 8 Janar 2022

    Në 8 Janar, demokratët e udhëhequr nga Sali Bërisha tentuan të marrin selinë e Partisë Demokratike. Qindra vetë të armatosur me leva, gurë dhe koka dashi tentuan të hynë brenda një selie të blinduar me armatura, ku ndodhej Lulzim Basha dhe mbështetësit e tij. Pas disa orësh përpjekjeve të dhunshme për të marrë selinë, forcat speciale urdhërohen të ndërhyjnë për të mbrojtur Lulzim Bashën me gaz lotsjellës.

    Zgjedhjet e 6 Marsit dhe disfata e Bashës 2022

    PD e drejtuar nga Lulzim Basha rezultoi forcë e tretë në 5 bashki në zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit 2022. Forcë e dytë doli vetëm në Rrogozhinë. Në anën tjetër, një koalicion Berisha-Meta i quajtur “Shtëpia e Lirisë” i dha fitoren Rithemelimit në Shkodër dhe e vendosi forcë të dytë në bashkitë e tjera, përveç Rrogozhinës. Rezultati nuk linte vend për dyshime. Basha dha dorëheqjen dhe la Enkelejd Alibeajn të ruajë logon e PD-së.

    Vendimi i Gjykatës që i dha Berishës logon e PD-së 2022

    Pas konfirmimit të Berishës në krye të opozitës me votën e 6 Marsit ishte i natyrshëm vendimi i gjykatës që i dha logon dhe selinë Sali Berishës. Por vendimi i gjykatësit Agron Zhukri u sulmua fort nga Basha dhe mediat e qeverisë. Grupimi i Bashës e ankimoi çështjen në Apel.

    Rama nxit SPAK drejt hetimit të Berishës, Prill 2022

    Pas zgjedhjeve të pjesshme, kryeministri Edi Rama, i bëri thirrje prokurorëve të SPAK “të hyjnë më thellë në kraterin e vullkanit të poshtërsive, krimeve, vjedhjeve.” Në kongresin e Partisë Socialiste, ai e nxiti SPAK-un të hetojë ish-kryeministrin Berisha, të cilin Departamenti Amerikan i Shtetit e kishte shpallur non grata” për korrupsion. “Ata që akuzohen për korrupsion dhe minim të demokracisë duhet të përfshihen në hetimet e SPAK-ut, që duhet të hetojë nëse akuzat e qeverisë amerikane janë ose jo të bazuara” – tha Rama në Kongresin e PS.

    Rama kërkon ndëshkimin e Berishës nga SPAK, Maj 2022

    Presionin publik për prokurorët e SPAK, Rama e shtoi edhe nga asambleja e Partisë Socialiste një muaj më pas. “Kush e ka lexuar mandatën e Sekretarit të Shtetit, e ka të qartë se i takon institucioneve të drejtësisë në Shqipëri që të bëjnë detyrën e tyre bazuar te ai përfundim i nxjerrë nga SHBA”, tha Rama duke vazhduar t’i drejtohet prokurorëve specialë: “E keqja kualifikohet deri tani dhe ju skualifikoheni. Problemi është se e keqja do e vërë sërish përfund këtë vend. PS nuk do lërë dy gurë bashkë që të mos e lejojë këtë” deklaroi ai nga asambleja e PS në Maj 2022.

    Britania e Madhe e shpall non grata Berishën, Dhjetor 2022

    Edhe këtë non grata e paralajmëroi i pari kryeministri Edi Rama gjatë një fjalimi në parlament. Të nesërmen, Sali Berisha doli në konferencë dhe deklaroi se vendimi ishte i sponsorizuar nga mafia ndërkombëtare.

    Berisha qëllohet me grusht në 6 Dhjetor 2022

    Sali Berisha u qëllua me grusht nga Gerti Shehu një person që sipas tij ishte infiltruar nga policia për ta sulmuar fizikisht. Në sallën e gjyqit, për Gerti Shehun nuk u paraqit asnjë dokument që të vërtetonte se ai ishte i sëmurë mendor. Lideri i opozitës u qëllua në fytyrë dhe u gjakos nga grushti i Gerti Shehut.

    Apeli ia merr vulën e PD dhe ia kalon Alibeajt në Mars 2023

    Gjykata e Apelit të Tiranës vendosi të rikthejë në Shkallën e Parë vendimin e dhënë nga gjykatësi Agron Zhukri. Vendimi u mor një muaj para zhvillimit të zgjedhjeve lokale. Berisha mbeti sërish pa parti duke shtuar amullinë brenda opozitës. Logo e PD kaloi në duart e Enkelejd Alibeajt që vendosi që Partia Demokratike të hyjë në zgjedhje vetëm në Tiranë dhe në disa bashki në jug.

    Zgjedhjet e 14 Majit, Berisha humb edhe Shkodrën

    Në zgjedhjet e 14 Majit, i mbetur pa parti, pa financime dhe përballë një mazhorance të gjithëpushtetshme, kandidatët e Berishës morën rreth 500 mijë vota me koalicionin “Bashkë fitojmë”. Por ata humbën pjesën dërrmuese të bashkive mes të cilave edhe Shkodrën dhe Kamzën, dy bastione historike të PD. Rama fitoi 57 bashki nga 61 që janë gjithsej.

    Berisha person nën hetim, në pranga Jamarbër Malltezi, 21 Tetor 2023

    Në 21 tetor 2023, në media u shpërndanë menjëherë pamjet e arrestimit të dhëndrit të Sali Berishës, Jamarbër Malltezit që u arrestua nga policia në Rinas. Për Berishën, SPAK kishte siguruar një vendim gjykate për detyrim paraqitje dhe sekuestrim pasaporte si person nën hetim. Prokurorët kishin vendosur të vepronin për privatizimin e kompleksit Partizani.

    Arrestimi i Berishës dhe ashpërsimi i vendimit të gjykatës speciale

    Fillimisht kreu i opozitës e kundërshtoi strategjinë e SPAK për ta izoluar brenda vendit. Ai e quajti hetimin të dirigjuar nga Edi Rama dhe prokurorët dhe gjykatësit i konsideroi vegla të pushtetit. Mosbindja për detyrimin e paraqitjes, u pasua nga një masë më e ashpër që është arrest shtëpie dhe ndalimi i komunikimit me personat që nuk janë pjesë e familjes.

  • Nga Kim MEHMETI – Nuk i është mbyllur goja Kryetarit të opozitës, por Shqipërisë!

    Nga Kim MEHMETI – Nuk i është mbyllur goja Kryetarit të opozitës, por Shqipërisë!

    Gjatë epokës së komunizmit kishte shumë vende të sunduara nga diktaturat proletariate, vende ku u vranë dhe u burgosën me mijëra kundërshtarë të regjimeve komuniste, por askund dhe asnjëra nga ato diktatura nuk ishte aq e egër dhe aq e pashpirte sa ajo e Enver Hoxhës në Shqipëri.

    Edhe sot, në shumë vende postsocialiste, demokracia është e deformuar dhe kryesisht ajo është ‘hajdutokrate’, por askund jo si në Shqipëri ku parlamenti i ngjan një vendtakimi të grindavecëve dhe banditëve të mëhallëve partiake dhe ku në masë të madhe, institucionet shtetërore janë në shërbim të hajdutëve qeveritarë.

    Pra, edhe sot kur drejtësia e një shteri matet nëpërmjet asaj sa  vlen ligji edhe për ‘mbretin edhe për shërbëtorin’, në shumë vende të kësaj bote ndodh të paraburgosen presidentë e kryeministra, por askund jo që në fazën e hetimit dhe askund ata nuk arrestohen me gojë të lidhur, që të mos mund të flasin me askënd përpos me vetveten dhe që të mos mund t’ua thonë të vërtetën e vet as zgjedhësve të tyret.

    Tani shtrohet pyetja e logjikshme: pse në mëmëdheun tonë, edhe mbretëria, edhe komunizmi, edhe demokracia kanë fytyrë më të shëmtuar dhe më të egër se kudo tjetër?

    Përgjigja e kësaj pyetjeje fshihet në të sotmen e Shqipërisë, kur më qartë se kurdo qoftë shihet ‘portreti’ kolektiv politik i vëllezërve tanë të mëmëdheut, portret i pikturuar nga heshtja e tyre e tanishme kur do duhej t’i mbushnin sheshet e të protestonin, edhe atë jo për ta shpëtuar nga arresti kryetarin e opozitës, por për ta nxjerrë nga ‘paraburgimi’ Shqipërinë, për të treguar se ata nuk do lejojnë që vendi i tyre të bëhet ‘Spakistan’ e ata ‘Spakistanezë’, që të dëshmojnë se e dinë që kur i mbyllet goja cilitdo të zgjedhuri të populli, ti e ke lënë të pagojë votuesin e tij.

    Pra përgjigja pse në Shqipëri edhe mbretëria, edhe komunizmi edhe ‘hajdutokracia’, janë më të deformuara se kudo tjetër, fshihet në të vërtetën se në shumicë, ne jemi popull që mbetemi të pagojë përpara të pushtetshmit e të pasurit dhe e shkelim të ndershmin dhe të pambrojturin.

    Ne pra në shumicë jemi popull të cilit nuk i pengon as drejtësia e ‘reformuar’ me  prokurorë të Xhaxhit Enver, te të cilët ndryshimi i sistemit dhe ligjeve vështirë se mund ta shlyej mendësinë se i pafajshëm mund të jetë vetëm Diktatori.

    Dhe duke qenë të tillë, duke u ngutur sa më shpejtë të pasurohemi, gjatë këtyre tri dekadave, ne i shlyemë nga vetvetja shumë vlera me të cilat mburrej shqiptaria.

    E shlyem edhe moralin dhe ndershmërinë, duke mbetur kështu pa guximin qytetar dhe pa turpin në vetvete, me çka harruam se diktatorin e lindë populli, e jo e kundërta dhe se, aty ku  pushtetarët nuk e kanë frikë popullin, nuk të vlen gjë as kushtetuta as ligji.

    Ku ta dish, mbase neve shqiptarëve më së shumti na përshtaten diktaturat, sepse vetëm ato na mundësojnë që heshtjen dhe mosguximin vetjak ta mbulojmë me papërgjegjësinë kolektive.

    Dhe të shtiremi se nuk e dimë që fatkeqësia e sotme e Shqipërisë nuk janë vetëm politikanët e saj, por edhe elitat tjera që do duhej ta mbronin popullin e vendin nga regjimi i Piktorit, nga ky regjimi i cili edhe nuk ka zgjidhje tjerët përpos që nëpërmjet zhurmës mediatike t’i mbulojë kryehajdutët e vendit.

  • Andi BUSHATI – Bulevardin e 2 marsit e mbushi Rama, jo Meta

    Andi BUSHATI – Bulevardin e 2 marsit e mbushi Rama, jo Meta

    Bilanci i Ilir Metës në këtë 2 mars nuk mund të matet me numra. Sfida e cila iu bë përpara kësaj të hëne, se sa njerëz do të mbledhë, se s’ka të çmendur që mund të dalin në bulevard për “Ilir floririn”, se askush nuk beson se njeriu me bllok në dorë, mund të bëhet garanti i librit të kushtetutës, tashmë mund të quhet e tejkaluar.

    Ilir Meta tuboi në bulevard shumë më tepër njerëz se ka mbledhur ndonjëherë në këtë vend një kryetar shteti.

    Ai grupoi rreth vetes një masë tepër më të madhe se sa sa mund ti garantojë partia prej nga vjen dhe që e mbështet pa rezerva, LSI-a.

    Dhe e gjitha kjo e ka një shpjegim.

    Ai duhet kërkuar në thirrjet e asaj mase të pafundme protestuesish që teksa dëgjonin fjalimet e pjesmarrësve në mbrojtje të kushtetutës, brohorisnin në kor “Rama ik” apo “poshtë diktatura”.

    Ai duhet gjetur në në lajtmotivin e të gjithë oratorëve, që ndonëse vinin nga profesione, bindje dhe histori të ndryshme, i bashkoi së toku një fill i vetëm: në këtë vend duhet ndaluar instalimi i një regjimi.

    Pra, manifestimi i 2 marsit, ndonëse kishte okelion e mbrojtjes së kushtetutës, ishte një protestë ndaj një njeriu të vetëm. Ai ishte një grumbullim që kishte në epiqendër Edi Ramën dhe sistemin autarkik që ai po ngre. Ai ishte mitingu më i çuditshëm në botë, ku të gjithë ishin bërë bashkë kundër atij që askush nga oratorët nuk ia përmendi emrin.

    Në këtë kuptim, konkluzioni që del nga ajo që shikuam në bulevard, nuk duhet parë si një sukses personal i presidentit. Mbi të gjitha, ai qe konfirmimi se ekziston në këtë vend një masë e madhe, në rritje progresive, që nuk pajtohet dot me pushtetin personal, kleptokratik dhe të kriminalizuar të Edi Ramës.

    Ata sot i mblodhi Ilir Meta. Ata dje i mblidhte Lulzim Basha. Ata nesër mund ti mbledhë pa surprizë edhe Nisma Thurrje apo Organizata Politike e Arlind Qorit. Sepse sado liderë të fshihen, të squllen, të shiten, populli që nuk e duron më këtë rregjim, nuk mund të mbetet pa zë.

    2 marsi shërbeu pikërisht për këtë. Për të kuptuar se regjimet sfidohen në rrugë dhe jo në tryeza. Se autokratët përballohen me forcë dhe jo me dialog. Se paqja kërkon burrërri dhe squlltësia nuk prodhon dot kurrë paqe.

    Prandaj Ilir Meta, sot, nuk mund të mburret se populli opozitar doli në bulevard pro tij. Ai mjafton të gëzohet se pati intuitën dhe forcën për të interpretuar vullnetin e atyre që janë të gatshëm të rezistojnë.

  • Nga Agim XHAFKA – Berisha është si Kadri Roshi, o budallenj!

    Nga Agim XHAFKA – Berisha është si Kadri Roshi, o budallenj!

    Që kur u dha dënimi për Sali Berishën, të ngujohet në shtëpi me vendim gjykate, më erdhi në asociacion me të Kadri Roshi. Njësoj dhe ai, nga talenti i madh që shfaqi, pati mes aktorëve të Teatrit Kombëtar plot ziliqarë dhe njerëz të mllefosur kundër tij. Ata nuk e donin ta kishin në skenë, ndaj nisën metodat klasike të atyre viteve. Me letra anonime mbushur me shpifje, me denoncime mbi fakte të paqena, dhe në ndonjë rast për fat të keq ia dolën. Në ca pjesë, artisti i madh nuk mori asnjë rol, u mënjanua. Por në ca çaste, se më pas nga që artdashësit e kërkuan dhe u pa që ai institucion po humbte vlera prej mungesës së këtij artisti, u çel rruga. U lejua që Kadriu të demonstronte potencën artistike. E sot ai na flet me emocion nga filmat që i shohim mes ekranit.

    Njësoj po e ndjek fatin e tij dhe Berisha. Pallavra janë faktet gjoja korruptive, mysybete janë shpjegimet e shtetit. Thelbi është; sot për sot ky personalitet ia çjerr bëmat regjimit e fjala e tij mobilizon shqiptarët të shporrin të keqen. Dhe në vend që qeveria të konkurrojë opozitën për të mirën e Shqipërisë i ve stërkëmbësha. Me sajime ose saldime me pështymë që nuk ngjitin fare në perceptimin popullor. Kaq frikë ndaj Berishës sa e ngujuan në apartamentin e tij, ndaluan takimet me bashkëpunëtorët dhe duan ta largojnë nga votuesit. Kështu ndodh kur mediokrit duan të mbajnë ngjitur vithet te karriget. Nuk afrojnë alternativa, shpresë, vlera, por gjejnë zgjidhjen e shkurtër, atë më të dëmshmen. Rehatojnë garat ku do marrin pjesë, pra duan të luajnë futboll vetëm me një portë.

    Sot për sot Rama ndjehet i parrezikuar, por harron që kënga shqiptare ka vargjet:

    -Në ato maja rripa-rripa,

    Një herë ma hipe e një herë ta hipa.

    Kështu e luftuan Kadri Roshin e sot ai duartrokitet përherë. Ndërsa kundërshtarët e tij u harruan. Atyre u humbi edhe emri, edhe vula…

  • Nga Ylli MANJANI – Ky është matrapazllëk, jo demokraci!

    Nga Ylli MANJANI – Ky është matrapazllëk, jo demokraci!

    Nëse është e vërtetë ajo që thotë gazeta Kathemerini, pra që Edi Rama kërkon të katapultojë Vangjel Tavon në krye të bashkisë Himarë si i komanduar nga qeveria, deri sa të mbarojë gjyqi i stisur Beleri dhe, se për këtë na kërkohet edhe dakordësia e qeverisë Greke, jemi përpara një pazari ANTIDEMOKRACI.

    Matrapazllëk i shëmtuar që nuk ka asnjë ligj që e bën të pranueshëm!

    Që të merreni vesh, duhet të biem dakord si fillim me standardin demokratik.

    Në një mjedis demokracie vendimin se kush drejton bashkinë e merr populli i asaj bashkie. Në vijim, deri në zgjedhjet e tjera, vendimet në bashki i merr ai që ka zgjedhur populli.

    Mjafton të jetë i aftë mendërisht, i mundur fizikisht dhe i padënuar ligjërisht dhe ai që është zgjedhur vendos.

    Ky është rregulli i përbotshëm demokratik.

    Në bashkinë e Himarës populli zgjodhi Fredi Belerin të marrë vendime dhe jo qeverinë e Shqipërisë e as atë të Greqisë.

    Tani vijmë tek zgjidhja që propozon Edi Rama.

    Kush është Edi Rama që merr vendime për bashkinë e Himarës?! I zgjedhur nga Himara, apo i autorizuar nga i zgjedhuri Beleri?!

    Ç’punë ka qeveria e Greqisë që duhet të japë dakordësi për një matrapazllëk lokal krejt antidemokraci në Shqipëri?!

    Duke ruajtur konsideratë të lartë personale me ta, por për hir të llogjikës parimore pyes: Ç’lidhje ka Vangjel Tavo, apo edhe emra të tjerë si Ilir Paço e Theodhori Çami të përmendur në gazetë si zgjidhje e Ramës, me bashkinë e Himarës?! Ata as në Këshillin Bashkiak të asaj bashkie nuk janë.

    Si u merrkan vendimet për Himarën në injorim total të popullit të Himarës,zgjedhjeve demokratike dhe autoritetit të zgjedhur aty?!

    Pse qenka kaq e vështirë të bëhet më e thjeshta?!

    Zgjidhjen e ka dhënë populli i Himarës dhe në bazë të atij verdikti ligji është shumë i qartë.

    Zgjidhja është shumë shumë e thjeshtë. Ajo fillon me një leje burgu 6 minutëshe, jo 6 orëshe si ajo e turpit të i dhanë për në varreza.

    Vetëm 6 minuta duhen për yë bërë betimin formal dhe është Fredi Beleri ai mandaton një të zgjedhur të tij që të ushtrojë detyrën në kushtet e pamundësisë fizike.

    Ska nevojë për asnjë shpikje tjetër. As për jabanxhinj të komanduar e as për pazare politike qeverish.

    Gjithnjë, nëse është e vërtetë ajo që shkruhet në Kathemerini, ajo zgjidhje quhet rrëmbim pushteti; dhunim i demokracisë; shkelje e autonomisë vendore,krahas talljes së rëndë që bëhet me Himarën. Pa harruar në asnjë çast dhunimin e lirive dhe të drejtave Kushtetuese.

    Matrapazllëku nuk është zgjidhje demokratike.

  • Nga Luçiano BOÇI – Në Shqipërinë (koloninë) ndëshkimore

    Nga Luçiano BOÇI – Në Shqipërinë (koloninë) ndëshkimore

    Rreziku i mbylljes së ciklit demokratik të Shqipërisë dhe rënies së saj në autokraci është i dukshëm.

    Shenjat tashmë janë fakte dhe dyshimet janë prova.

    Formulat e së kaluarës janë rikthyer jo si fantazma më, por si sisteme e institucione të zbukuruara me terma impresionantë.

    Shoqëria është e mpirë nga propaganda dhe e zhveshur nga ndjeshmëria e po shkon me shpejtësi drejt një dehumanizmi konvencional.

    Protokollet e diktuara politikisht janë strikte dhe synimet janë të qarta: Opozita duhet të ekzekutohet me çdo çmim.

    Gjithçka tjetër përtej kësaj i përket një teatri të mbushur me hipokrizi.

    Shqipëria tashmë i ngjason një kolonie ndëshkimore e stilit kafkian.

    Ajo ka humbur çdo ekuilibër, jetik për një shtet të së drejtës, midis Drejtësisë dhe të drejtave njerëzore dhe politike.

    Sot Drejtësia është thjesht një ndëshkim si hakmarrje oreksesh politike dhe përputhet me thënien e  personazhit të Franc Kafkës, Oficerit të paemër i cili krenohet me pompozitet: “Parimi sipas të cilit unë gjykoj është ky: fajësia është gjithnjë jashtë çdo dyshimi. Ka gjykata që nuk puqen me këtë parim, pasi janë të përbëra nga disa koka e kanë mbi vete edhe gjykata më të larta. Kjo nuk ndodh këtu….”

    Kjo nuk ndodh as në Shqipëri. Superstruktura juridike e sajuar impononon çdo shkallë, qoftë dhe parlamentare,  nuk konsideron asnjë ankimim dhe përjashton çdo mbrojtje juridike. Sipas urdhërit politik qëllimi justifikon çdo lloj drejtësie.

    Thelbi i saj nuk është as e drejta dhe as procedura.

    Superstruktura i ngjason makinerisë ekzekutuese që përshkruan Kafka, në zemër të së cilës qëndron Aparati ose Makineria. Makineria për koincidencë përputhëse ka tre pjesë.

    Shtratin, Vizatuesin dhe Lesën, e cila është e aftë të shkruajë dënimin mbi trupin e të akuzuarit para se procesi të ndodhë, madje ai nuk ekziston fare, sepse është zëvendësuar nga urdhëri.

    I akuzuari nuk ka asnjë faj apo bindje për faj, por makineria nuk konsideron asgjë.

    Oficeri vetë është shndërruar në një shtojcë të makinerisë, i përkushtuar me zjarr dhe që mendon se është mishërim i drejtësisë, por në fakt është mishërimi i urdhërit të verbër politik.

    Në Shqipërinë ndëshkimore, sikurse në koloninë e Kafkës, opozitën duan ta eleminojnë me një Aparat të ngjashëm tre pjesësh të krijuar posaçërisht dhe në pothuaj të njëjtën mënyrë.

    Me “oficerë” që kanë humbur dimensionin human të ligjit për shkak të politikës, që hetojnë me opinion dhe qëllime krejtësisht politike e që i binden vetëm “komandantit” dhe sidomos “ish-komandantit”, idem si tek Kafka.

    E pra e gjitha kjo nuk është drejtësi.

    Ky është një revansh politik i pështirë, i cili kërkon të realizohet me shpirtrat e ftohtë të makinerisë së propagandës dhe aparatit politik të drejtësisë.

    Por ndryshe nga Kolonia ndëshkimore e Kafkës në Shqipërinë hakmarrëse

    Opozita nuk mund të ulet në shtratin e vizatimit me anë të lesës.

    Ajo nuk mund të arrestohet dhe as të eleminohet, sepse atë e mban gjallë e në këmbë karakteri dhe misioni i saj për të shpëtuar ato parime e vlera që na bëjnë të jemi  në përballje për mos të dorëzuar në duart e ekzekutorëve majtistë qeverisës që fshihen pas makinerisë së propagandës e drejtësisë, pluralizmin e demokracinë.

  • Nga sot, rritet tatimi për profesionet e lira, 29 000 biznese do të paguajnë 3 mld më shumë

    Nga sot, rritet tatimi për profesionet e lira, 29 000 biznese do të paguajnë 3 mld më shumë

    Nis sot zbatimi i tatimit progresiv me normat tatimore 15% dhe 23% për të vetëpunësuarit, personat fizikë dhe tregtarë të shërbimeve të profesioneve të lira.

    Në total, sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në regjimin e ri tatimor do të përfshihen deri në 29 mijë biznese të profesioneve të lira. MFE llogarit se deri 90% e totalit të bizneseve (të ndarë sipas 3 kategorive, si: të vetëpunësuarit, personat fizikë dhe tregtarë) përfshihen në fashën e të ardhurave vjetore deri në 14 milionë lekë në vit që do të tatohen me normë 15%.

    Më 22 dhjetor 2023, në Fletoren Zyrtare u botua VKM me listën për shërbimet e profesioneve të lira që do të përfshihen në taksimin e ri. Në profesionet e lira janë përfshirë 26 lloje aktivitetesh të ndarë në 180 profesione.

    Sipas relacionit të projektbuxhetit 2024, efekti i parashikuar në buxhet është 3 miliardë lekë më shumë.

    Në listën e profesioneve të lira u përfshinë aktivitetet e shërbimeve të IT, të kontabilitetit, avokatët, arsimin, mjekët, pasuritë e paluajtshme, agjencitë e lajmeve, agjencitë e punësimit, të sportit operatorët turistikë etj.

    Kontabilisti Sotiraq Dhamo tha se numri i profesioneve të lira të përfshira është i pakët pasi ato janë të rregulluara me ligj, si: audituesit, avokatët, mjekët, noterët, kontabilistët, infermierët…. Të tjerët janë thjesht shërbime që ofrohen nga individë. Për këtë arsye, sipas tij, lista përmban më shumë shërbime që ofrohen nga individët.

    Dhamo theksoi se vendimi me listën analitike të profesioneve të lira duhej të ishte publikuar 3 muaj pas miratimit të ligjit. Ligji u miratua në muajin mars dhe VKM përkatësisht duhej të publikohej në periudhën korrik-gusht 2023.

    Sipas listës analitike në taksimin e ri do të përfshihen kategoritë e aktiviteteve si:

    Filma, video dhe prodhimi i programeve televizivë, regjistrimi i zërit dhe aktivitete të prodhimit të muzikës;

    Shërbime të teknologjisë së informacionit;

    Aktivitete të shërbimit të informacionit; Aktivitete të shërbimeve financiare, përveç sigurimeve dhe financimit të pensioneve;

    Sigurimi, risigurimi dhe financimi i fondeve të pensioneve, përjashtuar sigurimin shoqëror të detyrueshëm; Aktivitete ndihmëse të ndërmjetësimit financiar përveç sigurimit dhe financimit të pensioneve;

    Aktivitete të pasurive të paluajtshme; Aktivitete juridike dhe të kontabilitetit; Aktivitete arkitekture dhe inxhinierie;

    Aktivitete të kontrolleve dhe analizave teknike; Publiciteti dhe kërkimet e tregut; Aktivitete të tjera profesionale, shkencore dhe teknike; Aktivitete veterinare;

    Aktivitete të marrjes e dhënies me qira; Aktivitete të punësimit; Agjenci udhëtimi, operator turistik dhe të tjera aktivitete të shërbimit të rezervimit;

    Administrim zyrash mbështetje administrative dhe të tjera aktivitete mbështetëse; Administrimi publik dhe mbrojtja; Sigurimi social i detyrueshëm;

    Arsimi; Aktivitete të shëndetit; Aktivitete të qendrave të kujdesit mjekësor e social;

    Aktivitete të kujdesit social pa akomodim; Aktivitete krijuese; Arte dhe aktivitete çlodhëse;

    Aktivitete sportive argëtuese dhe çlodhëse; Aktivitete të tjera shërbimi./D.Azo/Monitor

    Lista e plotë: https://qbz.gov.al/eli/fz/2023/187/ff511c32-7d11-435f-89ae-80b1fed2e1ce