Year: 2023

  • Nga Basir ÇOLLAKU – 3 marsi – PD t’i bëjë gjyq Ramës e jo Rama gjyq PD-së!

    Nga Basir ÇOLLAKU – 3 marsi – PD t’i bëjë gjyq Ramës e jo Rama gjyq PD-së!

    3 marsi është protestë. 3 marsi është mëkatërisht edhe gjyq i panevojshëm për të ndodhur në këtë mënyrë. Procedurialisht dhe ligjërisht juristët e dinë se ai teatër politik po i bën dëm drejtësisë.

    Gjyqtarët u bënë politikanë duke zvarritur veten dhe politikanët kryesisht pushtetarët dhe të lidhur pas tyre, u bënë gjyqtarë duke dhënë vendimet. Kaq mjafton ta quash surrogato. Pazar i gjësë së gjallë.

    Të përfshirët përdorin deri diku kotësinë. Asnjë vendim gjykate nuk bën më shumë demokrat njërin se tjetrin dhe anasjelltas. Natyrisht tregon disa interesa personle të jo pak prej deputetëve. Disa duan të  ngelen të tillë edhe më gjatë. Ambicie e shoqëruar më flirte qeverie dhe bashkie. Pastaj mbledhin punonjësit e kompanive, rini shkollore të dedikuar e deleguar me dy flamuj partie dhe i marketojnë si përvëlim demokratësh. Disa shesin amerikanizëm, disa blejnë moskovizëm, të tjerë hanë kinezërira, kur nga USA vijnë ngjarje të rënda të investuara për asgjësim opozite nga KM i vendit.

    Shoh nëpër ekrane dhe në rrjete sociale shumë slogane besnikërie deri në absurd. Disa hyjnizojne dei në vdekje me Lulzim Bashën të tjerë deri në përjetësi me Sali Berishën e tek-tuk ndonjë me afeksione më periferike. Janë rralluar britmat opozitare se Rama me çetën e tij duhet të vejë në të sëmës.

    Energjia e derdhur ka shpesh arsye personle por jo fort politike. Ka hakërrime si zënka lagjesh mes adoleshentësh, ku çukisin fjalë se do ta shihni ju liderin tonë, se ne e të tjera tollovi gomonesh. PD po lufton me të vërteta të mëdha helmuar  nga kundërshtari fashist.

    Nuk vë re të dendësi të domosdoshme kundër Edi Ramës. Kundër Erion Veliajt. Kundër Taulant Ballës, Damian Gjiknurit, ministrave e bashkiakëve hajdutë.

    Gjykata e demokratëve, eshtë më supreme.se çdo lloj gjykate. E thjeshtë. Me Juri të Madhe qindra-mijë anëtarëshe. Ajo vendos me fornë të prere dhe ka fakte e prova shpirtërore të gjalla në kujtesë dhe aktualitet. Të pamanipulueshme.

    Gjykata e Demokratëve vendos nëse deputetë, të zgjedhur të saj, funksionarë politikë, të të gjitha forumeve ne Tiranë dhe nëpër rrethe janë: Më të pasur nga përdorja e pushtetit opozitarë. Kanë shitur votën, dakortësinë, ulur ritmin e kallëzimeve, denoncimeve, kanë heshtur për vjedhje, trafiqe, masakër të parave e pronës publike. Nëse zavallosen pas parasë së pushtetit.

    Nëse kanë pamundësuar mbrojtjen e demokratëve kur ata janë hequr padrejtësisht nga puna, zvarritur gjyqeve si protestues, gjobitur e ndëshkuar se janë demokratë, goditur bizneset për arsye politike. Nëse nuk janë ndier kur oficerë policie sado pak kanë luftuar, kur gjyqtarë e prokurorë me dinjitet mezi kanë rezistuar. Apo kanë mbyllur gojën kur ambasadorët janë majmur nga Rama, kur ndërkombëtarët kanë bërë katrahura, ekonomike, kur hajdutë nga Evropa dhe USA kanë tallur menderen me Shqipërinë dhe shqiptarët.

    Dhe ku jemi?!?!

    Në një datë ku Rama sokëllin se do ju bëjë gjyqin demokratëve, ndonëse duhet demokratët, opozitarët e mbarë-shqiptarët, ta dënonin atë pa asnjë sekond vonesë. Ne të djathtët nuk duhet të presim Drejtësinë Amerikane. Ajo e sistemon vetë historinë e rendë të Ramës e Charlesin e FBI. Ajo dosje ka shtrirje në Shqipëri, Ballkan dhe Europë. Aty në dosje është Rama, Veliaj, Xhafa, Damiani, Taulanti, e plot deputetë, bashkiakë, biznesmenë. Ka gjobëvënie e pagesa të paligjshme sa procesi do na befasojë. Në emra dhe shuma. Kanë poshtëruar reformën në drejtësi dhe blerë pafund pasuri të kombit. Ne opozitarët demokratë, duhet ta bëjmë Ramën të gatshëm të udhëtojë si dëshmitar aty ku po hetohet, në SHBA.

    Ky është gjyqi opozitar. Mençuri do të ishte që demokratët ta zhbënin vetë gjyqin e Ramës, para se të fërkojë duart i pandehuri Rama. Gjithnjë nëse e shkuara ka pengje sa nuk blihen dot, aq sa ta shkëmbesh me të ardhmen. Të hedhë gurë ai që nuk ka mëkate.

    Nuk tha krejt kot Chërçilli, përse u bë me Stalinin kundër Hitlerit. 3 mars jo gjyqi i Ramës për PD por PD dhe opozita t’i bëjë gjyqin Ramês… Seanca ka nisur…

  • Nga Enver BYTYÇI – Pse target i korrupsionit Rama-McGonigal ishte Berisha dhe jo Basha!

    Nga Enver BYTYÇI – Pse target i korrupsionit Rama-McGonigal ishte Berisha dhe jo Basha!

    Ka shumë nga ata që aferën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, me ish-funksionarin e lartë amerikan, Charles McGonigal e trajtojnë si goditje të Lulzim Bashës e madje e përdorin si rehabilitim të tij në konfliktin e brendshëm në Partinë Demokratike. Por duket qartë se target i atij komploti korruptiv nuk është Lulzim Basha. Përkundrazi ishte Partia Demokratike, opozita dhe Sali Berisha. Megjithatë le të shkojmë direkt te argumenti:

    Lidhjet korruptive Rama-McGonigal kanë filluar diku nga viti 2017 dhe janë thelluar sidomos në vitin 2018. Pra, në periudhën kur McGonigal ishte shef kundërzbulimi në FBI-në e Nju Jorkut. Jemi në kohë menjëherë pas marrëveshjes Rama-Basha të 17 majit 2017. Ajo marrëveshje ishte, dhe rezultoi në praktikë si asgjësuese për opozitën. Se atë natë pati një pazar midis tyre, këtë e ka pranuar ish-lideri i opozitës në parlamentin e Shqipërisë, kur iu drejtua pas dy vitesh Edi Ramës se: “Më gënjeve njëherë, ishte faji yt, më gënjeve për së dyti, është faji im”!

    Por demokratët dhe opinioni nuk morën vesh kurrë se cila ishte gënjeshtra. Ku qëndronte mashtrimi i Ramës? Cili ishte pazari i prishur! Basha nuk tha asnjëherë se pse dhe me çfarë premtimesh ishte gënjyer. Prandaj dhe është e pabesueshme që një lider opozite, që gënjehet në mesnatë nga rivali i tij politik, të ishte gjithashtu objekt i ndonjë investimi aq të madh për ta eliminuar.

    Megjithatë disa analistë pro-Bashës e lidhin skandalin Rama-McGonigal, me aferën e 500 mijë dollarëshe që Basha pagoi për një foto me Donald Trump në vitin 2017. Thuhet hapur se Rama dha para për ta hetuar këtë aferë, sepse atij i interesonte dobësimi dhe zhbërja e opozitës. Dhe Rama ia arriti në njëfarë mase qëllimit. E goditi ashpër Partinë Demokratike me faktin se një kompani ruse ka paguar për takimin Basha-Trump. Basha, i rënë në kurth nga bashkëpunimi Rama-McGonigal, nuk mundi të mbrohej.

    Ndaj dhe kundërshtarët e opozitës e përdorën këtë aferë “ruse” të Bashës për ta marrë peng atë dhe vetë opozitën. Basha, duke rënë në gropën e kurthit të kurdisur, e dëmtoi rëndë opozitën dhe uli imazhin e saj. Ai nuk qe i zoti as të mbrohet politikisht, moralisht apo juridikisht.

    Këtu mbaron historia me Lulzim Bashën. Dhe prej këtij momenti ai u bë aleat e bashkëpunëtor i komplotit Rama-McGonigal për ta denigruar opozitën dhe për ta lënduar dhe pushkatuar politikisht Sali Berishën. Sepse të gjithë e dinin që Berisha nuk lejoi një koalicion Rama-Basha pas zgjedhjeve të qershorit 2017 e më pas nuk e lejoi këtë edhe pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Marrja peng e Bashës kishte të bënte pikërisht me integrimin e opozitës në mazhorancë. Kjo rrugë ishte më e mira e asgjësimit të Partisë Demokratike. Prandaj dhe pengesa kryesore mbetej Berisha, me një rol të padiskutueshëm edhe pas largimit të tij nga funksioni i kryetarit të PD-së në korrik 2013.

    Kësisoj Rama, pasi mbaroi punë me Lulin, gjithë bashkëpunimin e tij korruptiv me zyrtarin e lartë të FBI-së e përqendroi kundër Berishës dhe Ilir Metës, sidomos kundër Berishës. Pohimi i Sokol Ballës, sipas të cilit “Rama dhe grupi i tij po linin leshtë për ta shpallur Berishën non-grata”, është dëshmia më e plotë e angazhimit, lobimit dhe interferimit të Edi Ramës kundër Sali Berishës. Ndërsa kur kryeministrin e pyesin për këtë, ai përgjigjet shkurt: “Pse çfarë e dini ju Amerikën, se u korruptoka kështu apo ashtu”! Por hetimi i Departamentit të Drejtësisë në SHBA provoi se ky kryeministër ka korruptuar një nga eksponentët e FBI-së dhe bashkë me të kanë përgatitur dosje dhe raporte të falsifikuara, me qëllim shpalljen e Berishës non-grata.

    Dosja e bashkëpunimit të Ramës me McGonigal nuk është zbardhur plotësisht. Komisioni ligjor i Kongresit Amerikan ka hapur një proces hetimor dhe kërkon të dalin të gjitha dokumentet. Ndërkohë një ish-kongresmen i pati kërkuar zotit Blinken informacion të detajuar për shpalljen e Berishës non-grata. Ai informacion nuk iu dha kurrë Kongresit. Sepse, nëse ekziston, lidhet me dosjet që kanë përgatit Rama dhe McGonigal dhe këto dosje qenë të porositura. Do të dilte në sipërfaqe që para gati dy viteve skandali Rama-McGonigal.

    Por një gjë është e sigurt dhe për këdo është e qartë se Rama nuk do të paguante asnjë grosh për të lobuar kundër një lideri opozitar të marrë peng. Atij i duhej të eliminonte Sali Berishën. Dhe deri diku ia arriti. Skema ishte tridimensionale: – Kush paguan, nuk shpallet non-grata. Kështu ndodhi së paku me tre biznesmenë të fuqishëm. – Kush nuk paguante, do të shpallej i tillë. Kështu ndodhi me Ylli Ndroqin! – Ata që do paguanin për të mos u shpallur non-grata, do të jepnin edhe taksën për të përgatitur dosjen përkatëse për shpalljen e Berishës non-grata.

    Kjo skemë pastaj shtrihet deri te ambasadorja Kim, te ndonjë diplomat tjetër në DASH dhe përmes tentakulave të George Soros dosja do të shkonte deri te sekretari i Shetit, Blinken. Si brumë do të shërbente dosja e FBI-së përgatitur nga McGonigal, ndërkohë që lobimi për vendimmarrje më pas nuk do të ishte i vështirë! Në këtë lobim ishte Soros përcaktues! Dhe i gjithë rrjeti ishte në lidhje të ngushtë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama!

  • Nga Kim MEHMETI – Jo “Asosacion Komunash”, por ‘Republikë Shqiptare’ në Maqedoni!

    Nga Kim MEHMETI – Jo “Asosacion Komunash”, por ‘Republikë Shqiptare’ në Maqedoni!

    Pa dyshim se keni dëgjuar si partinë shqiptare – të cilën kohë më parë e dëbuan nga koalicioni qeverisës – përnjëherë iu ringjall damari i shqiptarisë dhe ka propozuar që edhe shqiptarët e Maqedonisë të kërkojnë atë që duan të realizojnë serbët e Kosovës – ‘Asosacion të Komunave Shqiptare’.

    Dhe ky nuk është rasti i parë që dëshmon se përderisa janë në pushtet, partitë e shqiptarëve të Maqedonisë, shpërfaqen si shumë properëndimore e proshtetërore – me çka bëhen të largëta për shqiptarët e shumë të përshtatshme për maqedonasit dhe për ‘miqtë tanë perëndimorë’ – e porsa mbeten në ‘rrugë’, u kujtohet se në të vërtet është dashur të jenë vetëm proshqiptare.

    Tani shtrohet pyetja e logjikshme: ç’është ajo që partive të këtushme shqiptare ua paralizon nervin kombëtar e proshqiptar përderisa janë në pushtet, e që kur janë në opozitë i bënë aq proshqiptare sa të çojnë të mendosh se – për arsye kombëtare – mbase do ishte më mirë sikur atyre me ligj t’u ndalohej pjesëmarrja në qeveri?!

    Nuk ka dyshim se ‘tenderokracia’ është ajo që atyre ua ngulfat nervin shqiptarë përderisa janë në pushtet, e të qënurit larg grazhdit të shtetit, atyre ua ringjallë ndjesitë kombëtare.

    Sidoqoftë duhet thënë se edhe kur janë në opozitë, pra edhe atëherë kur, si në rastin e lartë përmendur, vjedhin ide dhe projekte serbe, pra edhe atëherë kur mendërisht shpërfaqen si ‘serb të vonuar’, drejtuesit e partive shqiptare në Maqedoni, nuk e kanë guximin e mjeshtërve të destabilizimit të Ballkanit – të politikanëve serbë.

    Dhe duke qenë më frikacakë se ‘mentorët’ e tyre politik, ata edhe kur duan ta ndihmojnë qeverinë e Vetëvendosjes në Kosovë, bëjnë një gabim të pafalshëm: tridhjetë për qind të shqiptarëve të Maqedonisë i barazojnë me një autobus serbësh të Kosovës. Kështu që, në vend se të kërkojnë atë që kanë realizuar serbët e Bosnjës – pra ‘Republikën Shqiptare’ në Maqedoni, ata dalin me kërkesë qesharake për ‘Asosacion Komunash’, gjë që u ka hije shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe atyre të Malit të Zi.

    Por sidoqoftë, edhe këtë kërkesë duhet parë nga këndvështrimi i mallit që partitë shqiptare shesin në tregun politik të Maqedonisë edhe atë atëherë kur kanë hallin e mbijetesë politike dhe kur mezi presin të rikthehen atje ku do donin të mbeten përgjithmonë – pjesë e ‘vëllazërisë tenderokrate’.

  • Nga Meri LIKA – Revolucioni, si modifikim rrënjësor nën Kushtetutën që kemi

    Nga Meri LIKA – Revolucioni, si modifikim rrënjësor nën Kushtetutën që kemi

    Në fjalorin opozitar këto kohë është duke u përdorur shumë termi revolucion, për t’i dhënë një identifikimin më specifik, lëvizjes, protestave dhe presionit që është duke ushtruar opozita.

    Disa e pranojnë termin si të tillë, disa duan ta moderojnë atë sepse sipas këtyre të fundit revolucioni është rrëzimi një rendi dhe vendosja e një rendi tjetër, por sipas gjykimit tim nuk është ky kuptimi i vetëm i kësaj fjale.

    Fjala revolucion vjen nga latinishtja revolutio që do të thotë një kthim, ose ndërrim. Revolucioni është një ndryshim themelor shoqëror në strukturën e pushtetit ose organizatës që ndodh gjatë një periudhe relativisht të shkurtër ose të gjatë në varësi të strukturës së organizatës.

    Aristoteli përshkroi tre lloje revolucionesh politike:

    1- Ndryshim komplet nga një kushtetutë në një tjetër

    2- Modifikim rrënjësor nga një kushtetutë ekzistuese.

    3- Ndryshimi i sistemit, udhëheqësit ose regjimit në një tjetër

    Këto shpjegime mund t’i gjej gjithkush në Wikipedia, kurse në fjalorin e gjuhës shqipe fjala revolucion nënkupton dhunë dhe e ka kufizuar veprimin vetëm në ndryshimin e rendit shoqëror, madje në fjalor shembulli kryesor është revolucioni socialist (proletar).

    Ka ardhur koha që termave t’iu japim kuptimin e tyre, pa i radikalizuar.

    Meqenëse e përmenda fjalën radikalizim do doja të theksoja se kuptimi shqip i kësaj fjale është:

    RADIKAL m.

    Anëtar i një partie politike të borgjezisë ose të mikroborgjezisë, që përkrah radikalizmin, ithtar i radikalizmit. Radikal borgjez.

    RADIKALIZËM m.

    Rrymë politike e majtë e borgjezisë ose e mikroborgjezisë, që kërkon të zbatohen disa reforma demokratike borgjeze pa e prekur sistemin kapitalist të shfrytëzimit. Krahu i radikalizmit mikroborgjez.

    Por në fakt ne e dimë që kuptimi i kësaj fjale nuk është rryma e borgjezisë dhe mikroborgjezisë por është të prekësh diçka në thelb ose në themel. Njëjtë ndodh edhe me revolucionin.

    Unë personalisht e mendoj dhe dua që të ndodh një proces revolutio sepse sot jemi në një abyss që po na përpin të gjithëve.

    Sot, nuk jemi të përfaqësuar, sepse opozita nuk lejohet të flas.

    Sot, nuk kemi pluralizëm, sepse pushteti është një partiak.

    Sot, nuk kemi asnjë mjet në dorë për të luftuar korrupsionin se drejtwsia wshtw e kapur.

    Sot, hajdutët dhe kriminelët politikë nuk trajtohen në institucione por në studio televizive.

    Sot, vota e votuesit nuk vendos kush duhet ta qeverisë, por vendos hajduti dhe krimineli.

    Sot, drejtimin e partive politike nuk e vendos antarësia por qeveria.

    Sot, pavarësia dhe vasaliteti janë kthyer në normalitet.

    Sot, ambasadorët e huaj janë bërë zotër të shtëpisë.

    Sot, kushdo që ka mik kryeministrin mund të shantazhojë këdo dhe kurdo.

    Sot, jemi të aftë të korruptojmë këdo dhe kudo, pa masë, kufi e as nivel.

    Sot, politikat serbe të shpopullimit janë transferuar nga Serbia në Shqipëri.

    Sot, qeveria nuk punon për ekonominë shqiptare por si të bëj me det serbin.

    Sot, Alabari, Zotua, Mërtiri, Fusha e kompani, mund të marrin çdo pasuri kombëtare nëse mbushin xhepat e pushtetit.

    Sot, liliputët e politikës mendojnë se janë gjigandët e opozitës.

    Sot, jemi më të varfër se në 1990-tën.

    Sot, nuk kemi para të kurohemi në “shëndetësinë falas”, e as të arsimohemi në “arsimin falas”.

    Sot, jemi më pranë diktaturës se kurrë ndonjëherë.

    Gjithkush mund të shtojë shumë më shumë se këto të këqija, e unë mendoj se për këto dhe shumë të tjera ia vlen të kemi revolucion, nga ai i llojit të dytë që ka përcaktuar Aristoteli, ai i modifikimit rrënjësor nën një kushtetutë ekzituese.

    Ky lloj revolucioni, ndryshon institucionet, kundërshton format e së shkuarës dhe ndërton forma të reja. Ajo që dua të them me termin “revolucion” përfshin opozitën, organizimin, heqjen dhe krijimin e një drejtimi krejt të ri.

    Revolucioni nuk është vetëm ekonomik, apo thjesht politikë, apo thjesht kulturor, apo thjesht shoqëror. Revolucioni mund të jetë në ndonjë ose në të gjitha këto sfera të jetës shoqërore.

    Revolucioni është një mënyrë jetese që njerëzit e arsyeshëm mund ta adoptojnë nëse kujdesen për veten, për familjet e tyre, për miqtë, fqinjët, bashkëqytetarët e tyre, dhe se ata i kuptojnë shtrirjen dhe rrënjët e padrejtësive aktuale.

    Revolucioni është ajo që na duhet në botën moderne për të pasur liri dhe ndoshta edhe për të mbijetuar.

    Sot na duhet motoja e revolucionit francez,  “Liri, Barazi, Vëllazëri”, por tashmë jo e kufizuar në vetëm këto tre fjalë. Revolucioni sot duhet të jetë me moton “Liri, Barazi, Drejtësi, Vllazëri, Dinjitet, Respekt”.

  • Nga Basir ÇOLLAKU – Nga darka 10 mijë dollarëshe, drejt pilafit të burgut

    Nga Basir ÇOLLAKU – Nga darka 10 mijë dollarëshe, drejt pilafit të burgut

    Darka e fundit, darka e gabuar, darka e të marrëve, e shumë lloj gjetjesh të tjera mund të jetë darka 10 mijë dollarëshe në USA, e Edi Ramës dhe McGonigal. Kjo mund të jetë një tjetër dëshmi e provë, e veprimeve të Ramës për tu dëshmuar para drejtësisë amerikane. Alisson Guerriero, ish- e dashura e Charles McGonigal, agjentit, ish-drejtor i kundërzbulimit të FBI në Nju York, ka vazhduar rrëfimin e saj për rrjetin amerikan, One America News, ku ka treguar detaje të përfshirjes së kryeministrit Edi Rama.

    Ndër të tjera denoncuesja përmend se “Mendoja se fillonte dhe mbaronte me Shqipërinë. Nuk e dija se ishin të përfshirë edhe pjesa tjetër e Ballkanit, nuk e dija që mund të ishin përfshirë edhe rusët”. Dëshmuesja ofron një ndër rrëfimet e Charles McGonigal “.. Charles më tha, ndonëse nuk di a mund ti besoj më ato që më thoshte ai, që e çoi kryeministrin Rama në restorantin St. George dhe se darka kushtoi 10 mijë dollarë”.

    Natyrisht ka lokale me shtrenjtësi të paprekshme, ku një shishe verë mund të kushtojë mijëra dollarë, apo një biftek mijëra euro, siç konsumuan ministrat shqiptarë te Nusreti kohë më parë. Apo nëse pjatat kanë shërbyer edhe bardhësinë hundore si ushqim i preferuar i njërit prej darkuesve. Luksi dhe shfrenimi, nëpër dreka, darka, apo mëngjese të tilla mes të akuzuarve të dosjes së Departamentit të Drejtësisë amerikane, janë tregues të parrëfyer ende plotësisht, të cilat janë konsumuar për të tjera ndere e paligjshmëri.

    Zhdukja e Edi Ramës, izolim, i tij, shtimi i dhunës në Kuvend e në çdo institucion, janë shenjat e panikut të përballjes. Parlamenti e lexon rregulloren sipas stomakut të Ramës, Prokuroria dhe Gjykata lexojnë Kodet përkatëse, sipas dhimbjes së kokës së Ramës, biznes-oligarkët e lexojnë tregun dhe çmimet sipas portofolit të shefit të tyre të qeverisë. Diplomatët, recitojnë qëndrimet, shumica e tyre, sipas humorit të Edi Ramës. Mediat thuajse të gjitha, këndojnë lajmet anemike sipas sms-ve të Ramës nëpërmjet Fugës.

    Këto autokraci prodhon darka 10 mijë dollarëshe e Edi Ramës, ku hedh pafundësi dollarësh për të asgjësuar opozitën, mendimin ndryshe, kundërshtarët e çdo lloji, drejtësinë, ligjet, duke e bërë vendin një pabanueshmëri ekstreme. Dëshmitë e reja të botuara nga mediet amerikanë flasin për një skandal jo vetëm shqiptar, e ballkanik, por edhe evropian. Blerjet dhe gjobat e grupit me agjentë sigurimi, spiunë rusë, kinezë, amerikanë, Neza, Duçka, Deripaska, McGonigal, Rosini, ku bën pjesë kryeministri Rama, janë një hartë në rritje emrash, personash, shumash marramendëse parash.

    Darka nuk është asgjë duke parë brendinë e dosjes, e qindra milionë euro të shpërndarë nëpër biznese, ku përfitues, janë aktorët e dosjes. Kjo organizatë kishte projektuar të kafshonte në çdo vakt ngrënieje, pjesë pasurie të Shqipërisë. Dhe për këtë i duhej një Ceo në krye të punëve të mbrapshta. Ashtu siç është Rama në të vërtetë. I kapur, i inkriminuar, i lidhur me bandat dhe Mafian, lehtësisht i shantazhueshëm nga këta lloj ortakësh.

    Por menjëherë fiket nëse e përball me qelinë, siç rasti i ka ardhur. Do i duhet të harrojë darkat 10 mijë dollarëshe dhe të mendojë për çajin, djathin, groshët, sallatërat, pilafin e qoftet e burgut. Do i duhet të mendojë për shumë racione të tilla. Sepse ka ortakërinë e qeverisë e bashkive në listë pritjeje. Për të zgjatur agoninë e ka kthyer Kuvendin në një stallë derrash. Jo se po përdor si fyerje këtë emërtesë blegtorale, por transformimi i sallës së ligjbërësve, e ligjvënësve është më shumë se dramatik. Dalldia mendore e Edi Ramës ka bërë komikë deri në ekstrem vartësit e tij partiakë, të cilët janë kartona që ulen dhe ngrihen, veprime të palidhura me kokën e tyre…

  • Nga Lutfi DERVISHI – Përpara me marsh indietro!

    Nga Lutfi DERVISHI – Përpara me marsh indietro!

    Nuk numërohen fjalimet, konferencat, seminaret, projektet, debatet, hetimet që janë bërë këto 30 e kusur vite në Shqipëri për çështjen e korrupsionit.

    Por problemi po nuk u kap te rrënjët nuk zgjidhet kurrë. Ashtu sikundër dashi, për ta mposhtur kapet nga brirët edhe e keqja duhet parë/pikasur në gen.  Me kohën që po shpenzojmë duke u marrë me çështje të ditës ne po i ngjajmë njeriut që ka marrë shatin dhe prashit në det. 

    Studioni të shkuarën, nëse doni të keni një të ardhme të mirë – këshillon kinezi Konfuc, që në shqip i thonë Mësuesi.

    Krimi dhe korrupsioni – ulërasin eskpertët e Brukselit dhe mjeshtrit në Tiranë.  Por a nuk do të ishte më mirë të hetonim psh origjinën e “kafesë”? A ka kjo lidhje me faktin që jemi vendi i dytë në botë për numrin e bar-kafeneve? A nuk është fjala “kafe” një fjalë kod. “Do të pimë një kafe?”. “Di gjë sa e ka kafen filani?” “ke edhe ti kafen tënde?”. Ja pra që këto punë janë pak më të thella se ç’duken.

    Ne sot pa pikë përgjegjësie merremi me pallatet që ndërtohen pa leje në kullë, kur në të vërtetë energjitë tona duhet t’i kishim drejtuar gjetkë…Nëse ne hetojmë siç duhet, me drejtësi dhe profesionalizëm piramidat e Egjiptit, që ekzistojnë prej 15 mijë vjetësh jo vetëm mund të gjejmë rolin e shqiptarëve në projektimin dhe ndërtimin e tyre, por mund të ndriçojmë edhe veten për shkaqet e krizës së piramidave 25 vjet më parë edhe dashurinë e pamasë që kemi për ndërtimin në përgjithësi dhe betonin në veçanti. Piramidat u ndërtuan me tender te hapur, me negociim apo me PPP?

    Kemi 30 vjet që themi: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” dhe herë i ngjajmë breshkës që ecën mbrapsht dhe herë lepurit që vrapon në drejtim të kundërt. Do të ishim ku e ku më të qartë nëse do të fokusoheshim te hetimi i vrasjes së Jul çezarit më 15 mar të vitit 44 para Krishtit. Mund të duket kohë e humbur kot. Por jo. Dyshimet janë se krimi u krye nga një grup senatorësh, por asgjë nuk është e sigurtë. Ndoshta nga ky hetim mund të dalin se kush qëndron realisht prapa vrasjes, cilat kanë qenë motivet e vërteta? A ishte një komplot i financuar nga shqiptarët për të destabilizuar Romën? Dhe këtu hetimi mund të zgjerohet dhe kontekstualizohet. Rënia e Perandorisë Romake, është debatuar gjatë nga historianët nëpër shekuj, por prokurorët tanë të nderuar, mund të na shpjegojnë arsyet e vërteta të ngritjes dhe rënies së kësaj perandorie. Me këtë analizë ne do të jemi edhe më shumë të qartë nëse ja vlen të bëhemi pjesë e perandorisë së Bashkimit Europian. Përfundimisht i japim përgjigje pyetjeve: po bëjmë mirë që po zvarritemi apo duhet të zvarritemi pak më shumë? A ka rrezik të na fusin me zor në BE?

    Pse duhet të vrasim mendjen kaq shumë për incineratorët sot, kur fare mirë mund të fokusohemi te legjenda e Rozafës? Kjo legjendë ka vetëm pak mijëra vjet, por nëse kuptojmë se kush saktësisht gënjeu i pari nga vëllezërit mund të kemi gjetur çelësin që shpjegon se pse “më parë se rregullat ne mësojmë hiletë”. Po, ja vlen edhe 50 vjet të hetohet me imtësi legjenda e Rozafës. Dhe të nxjerrim mësimet e duhura dhe të mos sakrifikojmë njerëz kot te afera e incineratorëve.

    Shqipëria, vendi më i korruptuar në Europë, thotë një anketë e Transparency International dhe turren gazetarë, analistë, ekspertë dhe opozitarë a thua se zbuluan rrotën për herë të dytë. Po të hetohet dhe studiohet me kujdes sundimi i mbretit Agron- në kohën e paraardhësve tanë, ilirëve, akuza do të jetë e qartë si kristali: mbretërimi i Agronit karakterizohej nga korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin. Një hetim, ndoshta edhe me ndihmën e partnerëve, do të zbulojë shkaqet dhe kështu ne kuptojmë që kur flasim për korrupsionin asgjë të re nuk ka në këto troje.

    “O diell që lind andej nga perëndon” – përsëritim si papagall nga mëngjesi në  mëngjes dhe habitemi pse liderët tanë vizitojnë më shpesh Stambollin se Brukselin. Po të hetohet me pa anësi beteja e madhe e Shkodrës, që ishte dhe përplasja më e madhe e Republikës së Venedikut me Perandorinë Osmane më shekullin e 15, sot do të ishim më të qartë.  Një qartësim i kësaj beteje, identifikimi i palëve, heronjve dhe sabotatorëve na ndihmon shumë për të qartësuar pozicionin tonë mes Perëndimit dhe Lindjes dhe për të përcaktuar hapat që do të ndërmarrim në të ardhmen.

    Pse ne jemi këtu ku jemi e kemi të gatshëm justifikimin: “na la turku, 500 vjet prapa”.  

    A nuk është më mirë të studiojmë me kujdes pushtimin 500 vjeçar të Osmanëve. A nuk ja vlen të shpenzojmë 15-20 vjet për të kuptuar se ku i kemi rrënjët e së keqes. Të kuptojmë më mirë etimologjinë e fjalëve allishverish, badjava, batakçi, bakshish, dallaverexhi, kapar, kodosh, marifetçi,  korrupsion,, peshqesh, pizeveng,  rryshfet, veresie, qyl, qelepir, qerrata? Sa e vërtetë është ajo shkruan Konica se turqit thonë për ne: “shqiptari shkon me qef në ferr, po t’i thuhet se edhe atje të paguajnë”

    Pa kuptuar të shkuarën, ne do të vijojmë të humbasin të tashmen dhe e ardhmja jonë  do t’i ngjajë tabelës së famshme në dyqan: “Sot me pagesë, nesër veresie”. E nesërmja nuk do të vijë kurrë.

    Nuk thonë kot: E shkuara nuk vdes kurrë, madje as nuk është e shkuar” dhe mos të harrojmë porosinë e lashtë sa vetë korrupsioni: “Ata që nuk kujtohen për të shkuarën janë të detyruar që ta përsërisin atë.”

    Ne po bëjmë atë që kemi bërë në shekuj e mijëvjeçar.

  • Dinamizmi norvegjez

    Dinamizmi norvegjez

    Oslo nuk ndalet kurrë: në avangardë nga këndvështrimi arkitektonik e me shumë ide novatore për të jetuar sa më mirë

    Nga Carlos Pascual, El País, Spanjë

    Janë tre-katër qytete në Evropë që shquhen për dinamizmin e tyre. Një evolucion i bërë edhe më i shpejtë nga dëshira për të qenë gjithmonë në avangardë. Diçka që shkon përtej çështjes urbane, arrin madje deri aty sa të propozojë një model bashkëjetese për të ardhmen. Një nga këta qytete është Oslo. Deri para pak vjetësh, kryeqyteti norvegjez bënte lajm vetëm kur në bashkinë e tij moderne jepej Çmimi Nobel për Paqe. Por në 2008 pati një kthesë: në pranverë hapi dyert Opera Huset, teatri i operës i projektuar nga studio norvegjeze Snøhetta. Një lloj ajsbergu prej mermeri në zonën e Bjørvika, në bregun juglindor të fjordit të Oslo-s. Një klithmë që pati të njëjtin efekt katalizator si muzeu i Guggenheim në Bilbao. Teatri i operës ishte fara e parë, por për të arritur rilindjen e plotë të zonës u desh të pritej edhe për disa vjet.

    Ndërkohë, në skajin e kundërt të fjordit, lindi një tjetër zonë – Tjuvholmen, që mund të përkthehet si ishulli i hajdutëve. Dikur ka qenë një zonë port me vinça e kasolle. Në vjeshtën e vitit 2012, aty lindi, e projektuar nga Renzo Piano, qendra e re e muzeut të artit modern Astrup Fearnley. Muzeu ishte themeluar njëzet vjet më parë nga familja e pronarëve të anijeve nga e cila ka marrë edhe emrin.

    Arkitekti italian ka projektuar një strukturë me vija të holla, që duket se është e vendosur si një pulëbardhë në bregun e detit. Një çati e ngjashme me vela mbështillet dhe bashkon dy ndërtesa të veshura me dru, njëra që strehon koleksionin e përhershëm dhe tjetra ekspozita të përkohshme. Koleksioni i përhershëm u përqendrua në artin amerikan dhe pop të viteve tetëdhjetë (me autorë si Andy Warhol, Jeff Koons, Cindy Sherman), por gradualisht u hap me tendenca të tjera, veçanërisht me figurat gjermane ekspresioniste si Gerhard Richter, Anselm Kiefer dhe Sigmar. Polke. Edhe koha pikturon, thoshte Pablo Picasso. Dhe ndërtesat piqen si fruta, mund të shtojmë: guaska prej druri e muzeut është zbardhur nën shiun dhe flladin e kripur, duke i dhënë një dorë piktoreske.

    Projekti i Renzo Piano

    Ishulli i hajdutëve ndryshoi në një çast. Pranë muzeut ëshrë hapur hotelin “The Thief”, i cili është një lloj galerie arti e maskuar. Arkitektët norvegjezë kanë eksperimentuar dhe çuar përpara propozime utopike, duke projektuar komplekse banimi dhe zyrash shumë inovative: dhoma të brendshme të shndërruara në sheshe apo sallone publike. Lungomare (Stranden), që lidh ishullin me bashkinë dhe muzeun e ri kombëtar, është bërë pika më e gjallë e qytetit, me bare, restorante, dyqane akulloresh, agjenci turistike që ofrojnë mini-kroçera. E deri edhe kurse për kajak, padlle dhe sërf.

    Edhe zona Bjørvika është gjithmonë në lëvizje. Pas teatrit të operës janë ndërtuar një sërë ndërtesash të njohura si The barcode: dymbëdhjetë rrokaqiej me lartësi dhe gjerësi të ndryshme, të ndara nga hapësira të mëdha, në mënyrë që gjithçka të duket si një barkod i pamatë. Kodra e Ekeberg, që mbyll anën lindore të fjordit, i ka marrë përsipër të gjitha këto ndryshime: duke filluar nga 2013, 150 vjetori i lindjes së Edvard Munch, zona që pati frymëzuar pikturën e tij të famshme The Scream u shndërrua në një park skulpture, thuajse një ves për Oslon, që në fakt e kishte që më parë parkun e madh Vigeland në veri, një tjetër park më të vogël pranë muzeut të Piano, të cilit më vonë iu shtua edhe pylli i muzeut Kistefos. Duke ecur përgjatë shtigjeve të Ekeberg-ut, ndeshesh në vepra të artistëve si Salvador Dalí, Fernando Botero apo Louise Bourgeois, të ndërthurrura mrekullisht në peizazh.

    Në Bjørvika, në verën 2020, u hap biblioteka Deichman, ngjitur me teatrin e operës. Emrin e ka marrë nga një iluminist që ia dhuroi librat dhe dorëshkrimet e para në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë bibliotekës që ndodhej më parë aty. Sot struktura ka një domethënie shumë më të gjerë: një agorë në kuptimin më të pasur të termit, ku mund të hysh për të lexuar apo marrë hua libra, por edhe për të biseduar, për të pirë një kafe, për të rikarikuar bateritë e laptopit apo për të pasur në dispozicion pajisje për të prodhuar një podcast, për të mësuar të qepësh apo për të ndjekur një koncert eksperimental në një nga gjashtë katet e tij.

    Më 2021, u inaugurua muzeu i shumëpritur Munch, i projektuar nga spanjolli Juan Herreros. Punimet zgjatën më shumë se një dekadë. Jo të gjithëve u pëlqen pamja gri dhe shtrembëria e bllokut të jashtëm, por një herë brenda saj është e lehtë të pushtohesh nga funksionaliteti dhe shkëlqimi i trembëdhjetë kateve, edhe pse veprat e artistit mund të gjenden vetëm në tre prej tyre. Më 2022, përpara fasadës u instalua një skulpturë gjigante prej nëntë metrash, The mother, e artistes britanike Tracey Emin.

    Dëshira për natyrën ka gjetur shprehjen e saj në muzeun Kistefos, rreth gjashtëdhjetë kilometra nga Oslo. Në vjeshtën 2019, mbretëresha Sonia e Norvegjisë dhe princi trashëgimtar i Danimarkës përuruan The Twist, një urë, skulpturë, muze i realizuar nga arkitekti i ri danez Bjarke Ingels. Ndërtesa, së bashku me një mulli të vitit 1889, është pjesë e parkut më ambicioz të skulpturave në vend, me më shumë se dyzet vepra të artistëve bashkëkohorë si Tony Cragg, Anish Kapoor, Claes Oldenburg. Një vend magjik për të kaluar ditën dhe për t’u zhytur në art: shtegu i heshtjes, Path of silence, i Jeppe Hein, i mundëson fëmijët të spërkaten midis getove me ujë dhe të rriturve të shumohen nëpër pasqyra.

    Një tjetër vepër e madhe arti e pritur prej kohësh është muzeu i ri kombëtar, i ndërtuar në vendin e një ish stacioni hekurudhor. Inauguruar në qershor 2022, ndërtesa trekatëshe, e projektuar nga gjermani Klaus Schuwerk, me linjat e saj të sheshta dhe veshjen me pllaka norvegjeze, është simboli më i fundit i qytetit, i karakterit të tij të matur dhe elegant. Oslo nuk ndalet kurrë: në shtator 2022 u rihap kompleksi Sommerro, i cili fillimisht strehonte selinë e kompanisë së energjisë elektrike të qytetit. Tani është një hotel luksoz me restorante, një pishinë dhe një sauna në çati. Struktura rikuperon shkëlqimin borgjez dhe modernist të viteve tridhjetë dhe veprat e artistit norvegjez Per Krohg. Kjo është britma e fundit, shumë ndryshe nga ajo e Munch. Tani na mbetet vetëm të presim vazhdimin.

    Përktheu Dardan MITROVICA

  • Nga Andi BUSHATI – Pse duhet ta falenderojmë Ramën

    Nga Andi BUSHATI – Pse duhet ta falenderojmë Ramën

    Sëpaku një gjë Edi Ramës duhet ti’a dimë për nder: Sa më shumë kohë kalon, aq me tepër ai na lehtëson nga hipokrizia e të jetuarit në një sistem demokratik. Gjuha që ai përdori gjatë intervistës në “Opinion” të zhvishte nga çdo iluzion për instalimin e një regjimi personal.

    Ishin disa pika, gjatë bashkëbisedimit të paqtë me Fevziun, që të linin të kuptoje qartë se ai qëndron mbi ligjin dhe nuk e ka as ndërmend ti nënshtrohet atij; se është ai që cakton se deri ku mund të shkojnë kufijtë e të bërit opozitë; se ai ka veshur skeptrin moralist të përcaktimit të cakut deri ku mund të jetë i kritikueshëm.

    Kur u pyet se përse e shkel me të dyja këmbët detyrimin kushtetues të ngritjes të një komisioni hetimor për skandalin McGonigal, ai u përgjigj me arrogance: “Një komision i tillë nuk ka për tu bërë kurrë… opozita s’ka asnjë shanc, pasi gjithçka ka një cak”. Sado skandaloze të duket kjo për të gjithë ata idiotë të dobishëm që ende përkundin iluzionin e një loje demokratike, së paku Rama nuk e vuri veten në rolin e hajvanëve të grupit të vet parlamentar, që mëtojnë të justifikohen se komisioni hetimor nuk po ngrihet, pasi në të ardhmen parashikohet të ndryshojë ligji për to. Ai u përgjigj shkurt: “Nuk dua dhe nuk e bëj”.

    Të njëjtën logjikë përdori edhe për fshehjen nga debati parlamentar, lidhur me zyrtarin e FBI-së, që sipas Washington Post-it u zhyt deri në grykë në një marëdhënie sekrete me Ramën. Ai shtjelloi argumentin se ai “degradim zologjik” nuk e meriton prezencën e tij. Pra, ndonëse në një republikë parlamentare kryeministri e ka për detyrim të japë llogari përpara kuvendit, Rama e shpalli atë të padenjë, duke u zhveshur nga kjo përgjegjësi kushtetuese. ‘Unë do të shkel në parlament vetëm kur ta gjykoj vetë të arsyeshme” i tha Fevziut.

    Edhe këtu ai është i sinqertë, thotë thjeshtë: “s’më pëlqen dhe s’dua”, jo si prapanicëlëpirësit që i shkojnë nga pas dhe reken të logjikojnë se kërkesa për interpelancë nuk u bë në kohën e duhur, apo se firmat që e kërkonin ata qenë të fallcifikuara.

    E njëjta arrogancë u duk qartaz kur me një indiferencë shpërfillëse tregoi se, si kryeministër, aq i bënte nëse për shkak të vulës, opozita mbetej pa hyrë në zgjedhje. “Nuk është tema ime kjo”, iu përgjigj Fevziut i cili i habitur e pyeti: “Po si do shkoni në zgjedhje pa opozitën”? “Ne nuk kemi lidhje se kush shkon në zgjedhje…ne do shfaqim ofertën tonë, nëse dikush thotë që s’ka ofertë, pasi ka mbetur pa vulë,, kjo është puna e tij”, qe batuta që erdhi më pas…

    Pra, përpos mesazhit të kriptuar që i çohet gjykatës, për të vazhduar punën si levë e përçarjes së opozitës, lajmi që u jepet gjithë shqiptarëve është tjetër: Nuk ju gjen asgjë e keqe nga përsëritja e një pushteti lokal monist. 

    Sindroma e njeriut që nuk preket nga e keqja përreth tij, sado thellë të jetë zhytur ajo, u pa edhe në episodin kur lëshoi Arben Ahmetajn, për çështjen e inceneratorëve, duke përsëritur fabulën bajate të atyre që hanë dardhë dhe mollë prapa shpinës së tij.

    Pra, Edi Rama nuk mban asnjë përgjegjësi edhe nëse gjithë ekipi që ka vendosur bashkë me të për aferën 430 milionëshe shkon në burg. Ai mund të qëndrojë i pastër papvarësisht nga rrethimi i plehrave.

    Ai është njësoj neutral ndaj vjedhjes së shekullit, po as sa dhe nëse zgjedhjet bëhet pa opozitën. Ai nuk e çan kokën që shkel detyrimet kushtetuese, vetëm sepse thjeshtë nuk e pëlqen gjuhën dhe sjelljen e rivalëve. Ai qëndron mbi institucionet demokratike, pasi ato janë të padenja për moralin e tij.

    Kjo qe qasja e shpërfaqur në Opinion dhe pikërisht për këtë ne duhet ta falenderojmë Edi Ramën. Së paku, duke u sjellë si një autokrat që bën ç’të dojë, vetë vendos e vetë vulos, vetë vret e vetë pret, vetë grabit e vetë shemb, ai na hoqi qafe të gjithë ata që robtohen në parlament dhe në studiot televizive të mbrëmjes, të na mbushin mendjen për ligjshmerinë e veprimeve të shefit.     

    Ky ndryshim qasjeje: “e kam fuqinë, prandaj do vendos ç’të dua” e bën më të thjeshtë spjegimin e gjithçkaje.

  • Nga Meri LIKA – Diktatura perfekte

    Nga Meri LIKA – Diktatura perfekte

    Në vitin 1990, gjatë një takimi intelektualësh të organizuar nga Octavio Paz dhe të transmetuar në televizion, shkrimtari peruan, Mario Vargas Llosa tha: Meksika është diktatura e perfekte. Diktatura perfekte nuk është komunizmi. Nuk është BRSS. Nuk është Fidel Castro. Diktatura e përsosur është Meksika. Meksika është diktatura e kamufluar… Ajo ka karakteristikat e një diktature: qëndrueshmërinë, jo të një njeriu, por të një partie. Dhe të një partie që është e palëvizshme.

    Nëse këto fjalë do të ishin thënë për Shqipërinë e përpara viteve 90-të, besoj se të gjithë do të ishim dakord, por fatkeqësia më e madhe është se sot, tre dekada më vonë, ngjashmëria e diktaturës perfekte me atë që është duke ndodhur tek ne është vërtetshmërisht e frikshme. Sot pas as më të voglin dyshim, Shqipëria është diktatura perfekte që Llosa ka dashur të thotë në krahasimin e tij.

    Përballë diktaturës e vetmja gjë që mund të bëjnë qytetarët është ta rrëzojnë, duke u bërë opozitarë. Të jesh opozitar nuk do të thotë të jesh me Berishën apo Metën, të jesh opozitar do të thotë të mbrosh demokracinë edhe në kushtet kur pushteti përpiqet me çdo kusht të ta ndalojë këtë. Të jesh opozitar do të thotë që të luftosh për të mbajtur të pacënuar themelin e demokracisë dhe të ardhmen e vendit tënd.

    Sot askush nuk duhet të dorëzohet duke u justifikuar me shprehjen “Ja e hoqëm Ramën po kë do të vemë!?”. Qytetari opozitar duhet të reagojë, fryma e luftës kundër pushtetit nuk duhet të kufizohet duke përshkuar rrugën nga dhëmbi në buzë e pa dalë dot prej saj.

    Fjalët e para në Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e hartuar në vitin 1786, janë, “We the people” pra “Ne populli”, ne e sjellim frymën, ne e bëjmë demokracinë, ne jemi qytetarët, ne jemi pushteti. Ne jemi ata që duhet të kërkojmë idenditetin, lirinë, kombin dhe për më tepër respektin nga shteti e nga pushteti.

    Pushtetit i mbipopulluar me korrupsion, po përpiqet të hedhë në erë me aparatin e tij të shumicës së votave, çdo grimë entuziaste demokratike me të cilën mund të pajtohet çdo qytetar, e bëjnë këtë sepse pa ne ata do të kishin dorë të lirë për të instaluar regjimin që duan. Të qeverisur kaq keq jemi duke hyre në një tunel ku edhe ato pak drita që i mendonim të ndezura janë duke u fikur një nga një. Askush nuk duhet më të mendoj se lufta mes opozitës do t’i bëj mirë vendit dhe do na nxjerr nga tuneli.

    Tuneli është shumë më i madh se kryeministri. Është e pabesueshme që ende ka njerëz të cilët i besojnë kësaj qeverie, apo të tjerë të cilët mendojnë se duke mos zgjedhur asnjë krahë qëndrojnë në një nivel i cili i mban larg nga partitë e vjetra apo dhe liderët e vjetër. Ky pushtet po na tregon përditë se këtu gjithçka mund të sekuestrohet, përvetësohet, dhunohet.

    Një pjesë e mirë akoma nuk e ka kuptuar se jemi nën ligjin e bandave dhe që natyrshëm na çon në konflikte të të gjithëve kundër të gjithëve, banditi kundër qytetarit, dëshirës së çmendur për pushtet kundër punës së ndershme. Ende një pjesë e jona nuk e ka kuptuar se autokracia sjella kaosin, kaosi sjell dhunën, dhuna sjell tunelin të cilit i dimë hyrjen, por jo daljen.

    E gjithë kjo situatë po çon në një kolaps moral të të gjithë vendit, një kolaps që bëhet përditë e më i keq sa më shumë të pafuqishëm bëhemi ne qytetarët. Pafuqia për të marrë vendime nuk ka për të na dhënë zgjidhjen, sepse pafuqia na “korrupton” duke gërryer çdo skutë të ndërgjegjes.

    Nëse humbasim ndërgjegjen do të na duhet të vuajmë në heshtje rrëmbimin e lirisë nga matrapazët.

  • Nga Lutfi DERVISHI – Turizimi i skandaleve!

    Nga Lutfi DERVISHI – Turizimi i skandaleve!

    A po planifikoni pushime të paharruara? A doni të përjetoni emocione që nuk i përjetojnë as ata që vizitojnë hapësirën?

    A jeni i/emërzitur nga turizmi i detit, malit? A ju ka ardhur në grykë turizmi arkeologjik, a ju rrënqeth turizmi dentar?

    Është koha për të vizituar Shqipërinë! Vend i njohur botërisht për një turizëm unik- turizmin e skandaleve

    Në Shqipëri mund të keni ardhur për plazhet e virgjëra, për malet madhështore, për qytetet historike si Gjirokastra, Berati, Kruja, Shkodra, pert ushqimin e shijshëm dhe mikpritjen proverbiale, por atraksionet e vërteta turistike ato që janë përvoja unike nuk janë as monumenti i Skënderbeut, as parku i Butrintit, as rrënojat antike greke e romake dhe as tava Elbasanit. Atrakstionet e vërteta turistike i keni parasysh, por nuk keni ditur t’i shijoni. Gjërat më të mëdha ne i fshehim në vendet më të dukshme.

    Ejani dhe vizitoni Shqipërinë në çdo stinë të vitit, në çdo muaj të vitit, në çdo javë të muajit dhe në çdo ditë të javës. Është e sigurtë që do të përjetoni një përvojë unike, që nuk do ta përjetoni në asnjë cep të globit.

    Imagjinoni pak veten duke ecur në rrugët e kryeqytetit të Shqipërisë dhe turi juaj të nisë me vizitën e një apartamenti modest, mu si ato mijëra aparatamente që janë ndërtuar pas viteve 90. Në dukje do t’iu duket një shtëpi mëse e rëndomtë, por me ndihmën e një ciceroni lokal ju mund të njiheni me historinë e kësaj vatre të thjeshtë dhe të vobektë, streha e një pastruese që ruante plot 500 mijë euro kesh dhe bizhuteri me vlerë të pallogaritshme. Ciceroni mund t’iu tregoj një histori sa mahnitëse dhe madhështore po aq edhe të vërtetë. Pasi të dëgjoni këtë histori për një vit nuk do t’iu shkojë mendja për të hapur NETFLIX-in. Ja ku i kursyet 144 euro! Shqiptarët e dijnë këtë histori edhe autoritetet e dijnë, edhe drejtësia e di, por ju do të mbeteni pa fjalë. Emocion i garantuar.