Year: 2023

  • Nga Armand SHKULLAKU- Deri ku e kanë limitin zonjat e Rilindjes

    Nga Armand SHKULLAKU- Deri ku e kanë limitin zonjat e Rilindjes

    Indinjata e djeshme e grave socialiste në Kuvend ndaj gjuhës së Berishës, hap një debat mbi kulturën e dominimit dhe përdorimit nga lideri të një trupe të tërë politike, këtë herë me ndjeshmëri të lartë, siç është ajo e përfaqësimit femëror në politikë. Çështja nuk është se përse Rama fshihet pas “fustanit të grave” për një skandal të caktuar, por se deri kur këto gra do ta përdorin këtë “fustan” për të mbuluar hipokrizinë dhe mungesën e personalitetit politik.

    Reagimi ndaj gjuhës së Berishës, i bërë pikërisht në kohën kur i duhej liderit të zënë në çark, gjithësesi do të ishte i pranueshëm nëse zonjat socialiste do të kishin patur të njëjtin standart sa herë që edhe kryeministri i tyre, brutalisht apo duke flirtuar me kontekstin, përdor gjuhën seksiste. “Revolta” vetëm në një drejtim, i shndërron ato pikërisht në të kundërtën e asaj që pretendojnë të jenë. I kthen në numra që lëshojnë zë vetëm me urdhër nga lart. Spiropali për shembull është sot personifikimi më eklatant i kësaj dukurie.

    Zonjat e mazhorancës nuk janë shqetësuar asnjëherë kur kryeministri, kolegen e tyre Albana Vokshi, nuk e thërriste në emër por Pamela, me një theks të qartë intimidues dhe seksist. As kur vite më parë, me xheste vulgare i shpjegonte zonjës Topalli në Kuvend nëse i ngrihej apo jo opozitës. Gratë e majta nuk bëzanë as kur lideri i tyre kaloi çdo limit duke selektuar fushatën e kaluar një foto me kontekst denigrues seksist të Grida Dumës, të cilën e shoqëroi dhe me pasthirrma “oh- oh” dhe më pas, gjoja për t’u justifikuar deklaroi se “Ju, Ilir Meta, Saliu dhe kush tjetër, tek kjo ‘ohoho’ dhe goja e Gridës shikoni gjëra që mua s’më bien ndër mend… “.

    https://rumble.com/v29ibcw-rama-koment-seksist-pr-grida-dumn.html

    Madje ato dukeshin komode edhe kur kryeminstri nga karrikia e tij në Kuvend, sulmonte me fjalor të ulët kundërshtarin politik dhe i bërtiste në prani të tyre “o rrotë k…”. Shembujt e gjuhës seksiste dhe intimiduese të Ramës ndaj grave dhe në prani të grave janë të panumërta, por zonjave të partisë kjo gjë nuk ua vret veshin dhe nuk ua prek dinjitetin. Cipa e tyre bëhet e hollë dhe e ndjeshme vetëm ndaj kundërshtarëve, dhe kjo, atëherë kur ua kërkon kryetari që i ka përzgjedhur të jenë aty ku janë.

    Dhe ktu vimë pikërisht tek një prej shpjegimeve të kësaj sjellje politike me standart të dyfishtë. Po të shohësh sot, gratë që janë rritur në karrierë falë forcës së tyre dhe mbështetjes nga votuesit socialistë, janë një specie thuajse në zhdukje. Mjafton të sillni ndërmend zonjat e PS një dekadë më parë dhe të krahasoni personalitetin e tyre politik me ato që janë sot të emëruarat e Rilindjes, si në qeveri ashtu dhe në Kuvend. Karrierën e tyre, vendin e tyre, detyrën e tyre, e përcakton një njeri i vetëm, shpeshherë edhe pa i pyetur fare. Të shumta janë rastet kur ngritjen e tyre në ekzekutiv e kanë mësuar nga ekrani i tv.

    Tipare dalluese të kësaj kategorie janë dëshmia e bësnikërisë, mundësisht që nga koha e Bashkisë së Tiranës; mungesa e indentitetit politik; përsëritja besnike e mesazheve të liderit; zbrazëtia nga çdo liri mendimi e gjykimi; pranimi pa kushte dhe pa debat i rolit që të përcakton lideri dhe levizja e kontrolluar brenda hapësirës që u ka vizatuar po prapë lideri.

    Zonjat socialiste, në një pjesë të konsiderueshme,  nuk janë aty ku janë si rezultat i kontributit të tyre në politikën kombëtare, por si vullnet i tekave të kryetarit. Kryetari të vë, kryetari të heq. Më shumë se sa shqetësimin për komunitetin, në mendjet e tyre mbizotëron shërbimi për “mbretin”. Prandaj dhe “indinjata” e djeshme në Kuvend në emër të dinjitetit, kompromentohet pikërisht nga standarti i dyfishtë. Madje dhe nga hipokrizia, që sado të mbulohet, është e dukshme për këdo që ka ndjekur transformimin e PS në Rilindje. Për më tepër, që vetë zonjat e mazhorancës i njohin fare mirë sjelljet e liderit të tyre në mbledhjet me dyer të mbyllura dhe gjuhën që përdor jo në publik ndaj atyre vetë.

    T’i nënshtrohesh të keqes brenda shtëpisë tënde dhe të shfaqesh si luftëtare ndaj saj kur e ndesh diku tjetër, më e pakta nuk të bën të besueshme. As për fjalët dhe as për “fustanin” që tenton të mbulojë kryetarin, kur kupton se është në hall.

  • Nga Alfred LELA – Kushtuar atyre që habiten me 11 shkurtin

    Nga Alfred LELA – Kushtuar atyre që habiten me 11 shkurtin

    Rusifikimi i Shqipërisë, rreziku që vjen prej hemisferës gjeopolitike të Vladimir Putinit, nuk janë dhe aq ndikimi me fuqi të fortë (hard power) apo të butë (soft power), se sa një molisje e përgjithshme e vetëdijes, një anestezi mbi vetë mendimin dhe reagimin, që i bën njerëzit të ndihen dhe të shfaqen si apatikë dhe të painteresuar. Madje, hera herës, edhe të bezdisur dhe nervozë, nga ata që mendojnë ndryshe, flasin ndryshe dhe veprojnë ndryshe.

    Dikush e quan diktatura e relativizimit, një tjetër penetrim i pushtetit, e të tjerë vetëdije e ulët komunitare. Sidoqoftë, mendoj se kjo gjendje e shoqërisë shqiptare është gjëja më pro-ruse që shfaq. Është mpirja e përgjithshme e asaj tip shoqërie, e ilustruar nga rusja, që, psh, pushtimin e Ukrainës e mbllaçit si një kronikë të përditshmërisë, si, ta zëmë, dalja e një treni nga shinat në linjën Shën Pjetërburg-Moskë. Apo liderin e opozitës, të cilin Putini e përndjek, e burgos apo e helmon, e sheh vetëm si një aksesor, dhe jo si një fakt që i jep shoqërive të lira thelb, ose shpjegon mungesën e tij. Elementë të tillë si Alexey Navalny, Pusssy Riot, Ana Politkovskaja, e me radhë, janë sall shpërqendrime, që e bëjnë kupolën e artë të Kremlinit, si fuqi politike dhe financiare, të shkëlqejë edhe më shumë. Pra, ata nuk janë aty si njëra anë e spektrit, por si rudiment që shoqëritë e lira të Perëndimit i spërkasin mbi Rusi. Njëfarë provokimi jolëndor, i cili nuk duhet lënë të shndërrohet në diçka më shumë se aq.

    Pozicioni që, shoqëria e ushtruar nga pushteti, ka ndaj këtyre elementëve, është njëfarë skërmitjeje demokratike: ju mund të ekzistoni, por me lejen tonë! Këtë vetëdije e sheh të bëjë vend edhe në Shqipëri. Reagimi, në disa qarqe mediatike-politike-shoqërore, ndaj pozicioneve opozitare, dhe së fundmi protestës së 11 shkurtit, është një lloj ‘habie ruse’. Nëse e lëmë mënjanë apatinë shoqërore, dhe merremi me habinë e atyre që ndajnë debatin e mbrëmjes me shoqërinë, duke e ushtruar atë pikërisht në apati, do të gjejmë se këta ‘rusë të së sotmes’ janë ‘danezë të së shkuarës’.

    Po çfarë është protesta e 11 shkurtit në një sinops? Është reagimi i opozitës pas publikimit të fakteve në aktpadinë e Departamenetit amerikan të Drejtësisë, ku kryeministri Rama, dhe njerëz të afërt me të, figurojnë personazhe kryesore, si sabotatorë të procesit të brendshëm politik. Siç del qartë, një prej krerëve të FBI është nxitur dhe paguar që të hetojë kundërshtarin politik të Ramës. Pyetja që gjithshkush mund të bëjë është: a ka metoda të njëjta edhe në gatimin e non grata-s për kryetarin e PD, Sali Berisha? Amerikanët, në sistemin e drejtësisë, i dënojnë ose shfajësojnë të pandehurit bazuar mbi prova, që janë brenda ose jashtë ‘reasonable doubt’ (dyshimit të arsyeshëm). A mundemi të dyshojmë arsyeshëm se Partia Demokratike është goditur brinjë më brinjë, duke i hequr nga poshtë këmbëve platformën e garës së hapur, dhe duke e futur në një konteskt ndërkombëtar shkatërrimtar?

    A duhet Partia Demokratike të ngrihet dhe ta bëjë kauzë këtë padrejtësi? Sigurisht. Jo vetëm për rastin në vetvete, por edhe për raportin që ky rast ndërton me ‘kauzat’ që opozita e mëparshme ka paraqitur për të thirrur popullin në shesh dhe për të protestuar. Marrim për shembull protestën e 21 janarit të vitit 2011. “Populli opozitar” u thirr para Kryeministrisë, në fjalët e Ramës, “edhe për të tejkaluar opozitën”, pra për të bërë dhunë, për një video ku shfaqeshin dy ministra të qeverisë, të cilët flisnin për 700 mijë euro. A duhet të dalë populli në protestë nëse zyrtarët e saj të lartë korruptohen apo korruptojnë me 700 mijë euro? Natyrisht. Duke pranuar këtë standard, çfarë do duhej të bënte populli sot, kur, afërsisht shumën e korrupsionit të përfolur të dy ministrave, e konsumon vetëm pastruesja e një drejtoreshe të qeverisë Rama?! 

    Pa harruar raste të tjera, të po kësaj qeverie, në kohën kur ishte opozitë. Klasiku ndër ta është rasti i famshëm i Griseldës së Kavajës, të cilën narrativa e eksponentëve socialistë të asokohe, e la me barrë dhe e futi në mjetin e rrëmbimit të njerëzve të qeverisë së PD. Kur Erion Veliaj thotë sot se “çështja McGonigal është një stuhi në gotë”, ai di diçka, se është ekspert i gotës, por jo i stuhisë. Ato, për mirë a për keq, kanë forcën të ndodhin jashtë nesh. Si stuhia McGonigal për shembulll.

    Ata që habiten me protestën e 11 shkurtit kanë një problem me opozitën, kuptohet. Por problemin më të madh e kanë me veten. Topitja e tyre mund të vijë nga afërsia me pushtetin, nga tradita e gjatë e nënshtrimit, apo të jetë çështje karakteriale. Në të gjitha rastet ata janë një trupë e gatshme për rusifikimin e Shqipërisë. Një vend që i jep leje opozitës sa për të qenë rrotull.   

  • Nga Meri LIKA – Yuri, Yuri, si më dëgjon? Marrje!

    Nga Meri LIKA – Yuri, Yuri, si më dëgjon? Marrje!

    Tani që po shkruaj, jam e ulur në një lëndinë të gjelbërur, sepse që prej vitit 2021, sipas këshillës së ambasadores Yuri Kim, unë zgjodha të ha bar. Bëra këtë zgjedhje jo se doja, por sepse sipas mendimit tim është shumë më e ndershme të hash bar sesa të pranosh një opozitë false, apo akoma më keq të pranosh të të drejtojë korrupsioni.

    Për shumë muaj, madje mund të them se për dy vite, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara u bë figura kryesore në edicionet informative. Ajo duke hyrë e duke dalë ku i takonte, por dhe ku aspak nuk i takonte, nuk la rast e mundësi për të treguar se me kë ishte e dashuruar dhe luftonte për të na imponuar me çdo kusht dashurinë e saj. Një ditë të bukur, kur pa se nuk po dashuroheshim me të njëjtin subjekt, na paralajmëroi se kush nuk dashuronte njësoj si ajo, do të hante bar.

    Duke qenë se jam rebele, më pëlqen që gjithmonë të jem kundër rrymës, e sidomos kundër urdhërave. Mundohem të mos shkel ligjin ama kur përpiqen të më urdhërojnë shijet dhe të më përcaktojnë zgjedhjet, kthehem krejtësisht një “antiligjore” e denjë. Këtë zgjedhje bëra edhe pas orientimit që u përpoq të më jepte ambasadorja. Unë zgjodha të ha bar.

    Zgjodha barin jo me kokfortësinë e budallait, por sepse kisha bindjen time të brendshme, njohurinë dhe pjekurinë e duhur për të ditur se unë duhet të zgjidhja luftën ndaj pushtetit dhe ndaj patericave të tija, qoftë kjo edhe me çmimin e ngrënies së barit. Në kohën e zgjedhjes, përveç bindjes sime nuk kisha asgjë tjetër me vete, por në këto dy vite gjatë rrugëtimit tim barëngrënës, fillova të armatosem edhe me faktet që dilnin e dalin përditë një e nga një, të cilët tregonin korrupsionin që ka pushtuar pushtetin. Përditë kuptoja se kisha bërë zgjedhjen e duhur, se bindja dhe njohuritë e mia nuk më kishin zhgënjyer, por më kishin drejtuar në rrugën e drejtë.

    E ndërkohë që unë armatosesha më vërtetësi, ylli mbasadoresk i intervistave e kronikave televizive filloi të rrallonte daljet e saj. Përqafimet qeveritare me ambasadoren, fotot e saj me opozitën kallpe, nuk ishin më refren i lajmeve dhe portaleve. Divorci i dashurisë së ambasadores po dukej i afërt, ndërkohë që unë vazhdoja të haja bar, duke kërkuar të kem opozitë, duke kërkuar të heq nga pushteti të korruptuarit, duke kërkuar një qeveri të mirë dhe duke kërkuar demokraci ku vota të vendos, gjëra të cilat ambasadorja nuk donte të m’i lejonte.

    Sot kam shumë dëshirë ta pyes ambasadoren, si është? Dua ta pyes nëse po vuan nga zhgënjimi i dashurisë, dua ta ftoj në një drekë ose darkë vegjetariane me bazë bari. Por duke qenë se jemi në nivele të ndryshme shoqërore e nuk do ta kem ndonjëherë mundësinë që ta takoj, e duke mos ia patur as numrin e telefonit e as e-mailin, thjesht po i drejtohem me ata telefonat që bënim dikur kur ishim fëmijë, ata me dy kuti shkrepse dhe fill pambuku. Do t’i drejtohem me shpresën se do të jetë më mirë që të kthehet në fëmijë për të qenë e pafajshme në këtë katrahurë politike që ajo krijoi me vetëdije të plotë pa menduar se dashuria për interes fundin e ka të keq dhe të shpejtë.

    E ashtu mes lodrës tonë të komunikimit fëminor, me njerën nga kutitë e shkrepse në dorën time e me tjetrën në dorën e saj, ta pyes e ti them:

    – Yuri, Yuri si më dëgjon? Marrje! O Zot sa më dhimbsesh!

  • Nga Andi BEJTJA – Gangsterët që përdhunuan sigurinë e Amerikës dhe pluralizmin në Shqipëri

    Nga Andi BEJTJA – Gangsterët që përdhunuan sigurinë e Amerikës dhe pluralizmin në Shqipëri

    Mega afera tashmë e njohur “McGonigal” nuk mund të shikohet ngushtësisht si një çështje e drejtësisë amerikane apo në rastin më të keq si një serial thriller Netfliksi me zyrtarë të FBI të korruptuar nga rusët. Apo si një black comedy, në rastin e pjesës amerikano-shqiptare, ku një ish- agjent i sigurimit shqiptar i jep lekë borxh në dorë bosit të FBI-së dhe ku një drejtor i një kompanie kineze kënaq dhe fantazinë më të shfrenuar të regjizorit, se është në të njëjtën kohë dhe këshilltari pa pagesë i kryeministrit shqiptar.

    Vetëm aktakuza e Jurisë së Madhe, si rezultat i një hetimi disa vjeçar, nxjerr dy konkluzione të gurta që shkojnë përtej jurisprudencës: gangsterët e përfshirë në këtë histori kanë përdhunuar sigurinë e Amerikës, ndërsa për shqiptarët na kanë përçudnuar jo vetëm imazhin e Amerikës, por mbi të gjitha na kanë futur në arkivol pluralizmin dhe demokracinë në Shqipëri.

    Pjesa më dramatike për ne si shqiptarë, është momenti kur sekseri shqiptar, i jep para zyrtarit të lartë të FBI për të varrosur opozitën shqiptare me letra dhe fjalë të mara nga zyra e Kryeministrit shqiptar nga sekseri tjetër po shqiptar.

    Thënë shqip dhe shkoqur, një Kryeministër i një vendi me më pak se tre milione banorë të mbetur, një zyrtar i lartë i FBI dhe dy sekseruq shqiptarë, jo vetëm thjesht vënë në diskutim sigurinë e Amerikës, por arrijnë të zhvendosën gjithë aksin demokratik të marëdhënieve Amerikë-Shqipëri, duke i bërë politikanët dhe diplomatët përtej oqeanit të gjykojnë dhe të veprojnë në mënyrë jo vetëm të padrejtë, por ndoshta dhe antidemokratike.

    Nuk është çudi që një zyrtar i lartë atij niveli, që arrin deri aty sa t’i heqë sanksionet një nga oligarkëve më të mëdhenj rus, të mos ketë lehtësisht efektshmëri për heqjen apo vendosjen e një non grate të një politikani opozitar që armë të vetme kishte vetëm iPad dhe Facebook dhe për më tepër në një vend 3 milionësh ku Kryeministri i këtij vendi ngre dorën vullnetarisht për të marë muxhahedinë e afganë që dhe vetë Amerika e Madhe heziton t’i mbajë.

    Ne nuk e dimë dot sot që po flasim sa janë kostot e fshehura finaciare të këtij operacioni për murosjen e opozitës në Shqipëri, (jam i sigurtë që janë shumë e më shumë), por dëmet që i kanë ardhur vendit nga kjo janë të pallogaritshme dhe Amerika e manipuluar pikërisht nga këto operacione mafioze në nivelin më të lartë, ka luajtur një rol kyç në përgatitjen e kostumit të këtij monizmi të pastër që po instalohet në Shqipëri.

    Sot, ata që vazhdonin e sulmonin opozitën edhe pse në qivur, duke argumentuar se Amerika nuk gabon asnjëherë, janë më demode se kurrë, por më demode se kta janë ata që akoma nuk venë në pikëpyetje një nongrada pa prova dhe vazhdojnë të cilësojnë si antiamerikanë atë grup politik, social apo kulturor, që nuk bëri gjë tjetër vecse u mundua të ruajë pastërtisht pilarët e demokracisë në Shqipëri përkundrejt furtunës së një Amerike të manipuluar m’u në zemrën e saj.

    Duam s’duam ky hetim i McGonigal në Amerikë, ka hapur një faqe të re jo thjesht në aspektin politik por dhe atë intelektualo-shoqëror. Për të filluar nga kjo e fundit, unë jam i sigurtë që intelektualë si Lubonja do ndiqen më me vëmëndje dhe më me kërshëri kur analizojnë gabimet e Uashingtonit, madje jam i sigurtë se makineria e propagandës shtetërore do e këtë të pamundur të gjejë dhe komentues dixhitalë me pagesë për t’ia vërsulur atij si anti-amerikan. Ndërsa politikisht, pas kësaj që ndodhi mund ta kuptoj që Taulant Balla vazhdon thotë “nuk i marrim parasysh propozimet e non grata-s në Parlament”, por e kam të vështirë ta imagjinoj se me çfarë kurajo morale, pjesa e mbetur e të ashtuqujturit grupi “Basha” të vazhdojë të mbajë vulën dhe kreun e grupit parlamentar.

    Ndaj, Mega Afera Mc Gonigal nuk është thjesht një çështje drejtësie. Përfundimi i hetimeve mund të vërë në vend krenarinë amerikane dhe të rikthejë besimin te institucione si FBI. Po për ne është çështje jetike, është cështje pluralizmi e demokracie. Pas kësaj që ndodhi, madje na e keni borxh: Restore Democracy in Albania!

  • Nga Basir ÇOLLAKU – Rama, i pandehur i FBI në 21 janarin amerikan

    Nga Basir ÇOLLAKU – Rama, i pandehur i FBI në 21 janarin amerikan

    Sapo hodhi satelitët për të bërë namin kundër korrupsionit e paligjshmërisë, duket se kapjen e parë, kryeministri e bëri sefte me veten. Qëlloi rastësi natyrore e kalendarike 21 janar në Nju Jork si kujtesë mëkatesh për qeveritarin tonë, datë të cilën nuk do të ketë optimizëm ta artikulojë shpesh si manipulues.

    Ryshfet strategjik. Ky është krijimi më i ri, shpikja më e re e Edi Ramës, për kombëtarët dhe ndërkombëtarët, me marrjen e pushtetit, mbajtjen e tij përtej fuqisë së votave, rezultatit elektoral, duke themeluar autoritarizmin. Duke përmbysur në favor të pushtetit të tij çdo gjë, me mjete jodemokratike. Agjentë të FBI, agjentë shqiptarë, oligarkë rusë, investime strategjike, ryshfete strategjike, janë këto vepra të rënda penale, elementë, në të cilët gjendet i rrethuar dhe konsumuar Edi Rama.

    Charles McGonigal funksionari i lartë i FBI i arrestuar, më pas liruar me garanci pasurore 500 mijë dollarë, në hetim për shpërdorime me detyrën dhe paligjshmëri, fshehje, me një rrezik dënimi dyshifror vitesh burgu. Kjo çështje e hetuar prej dy vitesh dhe ka tërhequr në dosje, kryeministrin Edi Rama, me të cilin sipas asaj çfarë deri më tani ka dalë nga aktakuza, është takuar disa herë informalisht, shoqëruar nga personat privatë, Agron Neza dhe Dorian Duçka.

    Veprimet e kryera prej tyre janë të rënda ligjërisht. Drejtësia amerikane ka zbuluar gjetjet hetimore, se pagesat në adresë të drejtorit të kundërzbulimit të FBI të Nju Jorkut, kanë shërbyer për të përdorur ndikimin e tij, si udhëzim dhe sugjerim për të hetuar lobimin e bërë nga Partia Demokratike me lobistin Nik Muzin. Këtu nuk ka aspak lobim. 225 mijë dollarët e deritanishëm mund të sjellin shifra të tjera gjatë shqyrtimit gjyqësor. Ata janë përdorur jashtë sistemit për të përfituar ndikim në asgjësimin e opozitës në Shqipëri. Prova është nisja e një hetimi për PD e Lulzim Bashën si kreu i saj se kishin përdorur para me origjinë ruse. Në këtë furtunë Rama ndërtoi sulmin ndaj PD dhe ka emra të tjerë vendas e të huaj të përfshirë.

    Kam shkruar disa herë, paratë e lobimit nga PD nuk kanë qenë ruse. Procedurat kanë përballje me hetimin dhe gjërat u ndaluan në Apel me qëndrime prokurorësh ndryshe. Rusia nuk destabilizon dot Shqipërinë me 500 mijë dollarë. Por mundet ta bëjë këtë gjë duke kapur në rrjetën e vet kryeministirn e vendit. Rusët janë me zë e figurë këmbëkryq me Edi Ramën, ku shfaqet në këtë dosje oligarku Oleg Deripaska, në këtë histori bashkëpunimi ekonomik dhe jo vetëm. Janë dhe biznesmenë e politikanë të tjerë shqiptarë e ballkanikë, në këtë bërthamë përfituesish, ku janë shtuar veprimet e vendimet. Deripaska bëhet investitor strategjik, McGonigal ka aksione të konsiderueshme në këto investime. Duhet një ndalim dhe hetim i detajuar i investimeve strategjike në Shqipëri, për të marrë vesh lidhjet e këtij grupi në hartën e interesave ekonomike, se ku dhe sa janë shtrirë.

    Le të nisë me ministren strategjike Xhaçka, e shumë të tjerë në rradhë. Siguria jonë kombëtare natyrisht është cënuar me zbulimin e kësaj historie të rëndë dhe pyetja shqetësuese është se ndoshta rusët nëpërmjet Ramës, kanë një karrike të tyren në NATO? Reagimi i Kryeministrit në daljen para medies, rezultoi një genjeshtër e madhe, në përballje me shkresat e publikuara nga mediet amerikane dhe botërore, si pjesë e dosjes. Nuk jam unë, i njoh, e kam takuar për këshilla, janë miq leksikorë në anglisht. Belbëzimet e azmatike të Ramës, ngjajnë shumë me rastet e tjera si te Tahiri, Xhafa, Balla, Dako, Beqja, Ahmetaj, Gjiknuri, 184, droga, armët kimike, botimet e Bild, e shumë të tjera. Për kjo është më e rëndë se të gjitha të tjerat të marra së bashku.

    Tërmeti që ka kapur kryesocialistin, duket teksa ka angazhuar gjith qeverinë, prokurorinë, medien, të shpikë ngjarje, të tjetërsojë vëmendjen e opiniot publik. SPAK thirri Shkëlzën Berishën për ngjarje të 15 viteve më parë, Bordi Transparencës hodhi ca qindarka mbi naftën, Lindita përjashtoi nga Kuvendi Sali Berishën, Prokuroria e Posaçme merret me 21 janarin e 2011 teorikisht dhe qëmton një konferencë me Guardia di Finanza. Prokuroria e Tiranës, e Përgjithshme, e Posaçme, asnjëra nuk ka pasur takatin e pavarësisë, të regjistroje kryesisht një procedim penal, në adresë të shtetasve shqiptarë, për lajmin e dalë në 21 janar në USA, ku gjenden shumë të përfrshirë në këtë aferë të rëndë, nisur me kryeministrin Edi Rama. Ky është fryt i reformës në drejtësi të kontrolluar nga pushteti, në pritje të porosisë nga qeveria se si të sillet me hetimin?! Saga sapo ka nisur. 21 janari 2023 amerikan, po kërkon të pandehur Edi Ramën. A kemi minim të demokracisë e korrupsion masiv?!!!

    Përgjigjet “po” janë brenda dosjes.

  • Nga Andi BUSHATI – Pse pas korruptimit të zyrtarit të FBI-së qëndron Edi Rama

    Nga Andi BUSHATI – Pse pas korruptimit të zyrtarit të FBI-së qëndron Edi Rama

    Dyshimet se regjimi i Tiranës ka arritur të korruptojë zyrtarin më të lartë në historinë e FBI-së, që hetohet për këtë krim, e ka vënë në një vështirësi të dukshme Edi Ramën. Ai po akuzohet se ka arritur të bëjë atë për të cilën nuk ia kanë dalë deri më tani, as Pekini dhe Moska, duke thyer rekordin e blerjes me para të pista të shefit të kundërzbulimit të njërës prej agjencive më prestigjioze në glob.

    Fillimisht, në një status të varfër në Twitter, Rama shpalli se kishte vendosur të mos merrej me budallenjtë që i hidhnin këto gurë në lumë, duke paralajmëruar se nuk do prononcohej më për këtë temë. Të njëjtën gjë bënë edhe kamikazët e tij mediatikë duke u zhdukur si me komandë nga debatet e mbrëmjes që trajtonin çështjen e Charles McGonigal. Por, kjo strategji, nuk zgjati dot as 24 orë. Miza që i digjte e bëri kryeministrin të japë shpjegime të tjera, për mikun e tij të arrestuar në Amerikë. Ai pretendoi se as vetë personalisht, as qeveria e Shqipërisë nuk kishte lidhje me akuzat që rëndonin mbi zyrtarin e arrestuar. Se, McGonigali, 225 mijë dollarët i kishte marrë si borxhe private. Se ai vetë, i njihte dy ndërmjetësit që kishin “financuar” zyrtarin e FBI-së, por ama, ata nuk kishin punuar për llogari të tij.

    Lapsi.al i është drejtuar me një email zyrtar pyetjesh edhe ambasadës amerikane në Tiranë, edhe Departamentin të Drejtësisë në SHBA, për të mësuar mbi axhendën e ish-zyrtarit të lartë të FBI-së në Tiranë, nëse ai është shoqëruar nga diplomatë në këto biseda me kryeministrin apo ato kanë qenë takime private me qëllime të tjera. Pasi pyetja më e rëndësishme është se për ç’arsye kryeministri i Shqipërisë duhet ta takonte një zyrtar të lartë të FBI-së në praninë e personave privatë, që i kishin dhënë para apo paguar udhëtimet këtij të fundit?

    Por edhe me kaq informacione sa mund të lexohen në përshkrimin e detajuar të aktakuzës kundër Charles McGonigal, del e qartë, se ndryshe nga ç’pretendon kryeministri shqiptar, ai është i dyshuari kryesor për korruptimin e këtij zyrtari.

    Pika më e fortë për këtë gjendet në atë paragraf të aktakuzës kundër Charles McGonigal ku dëshmohet se ai u angazhua për të investiguar në dëm të një partie të opozitës. Nuk ka asnjë dyshim se bëhet fjalë për hetimin e çështjes se pagesave që Lulzim Basha i bëri lobistit Nik Muzin. Edhe datat edhe interesi për çështjen përkojnë me periudhën kur shpërtheu ky skandal.

    Pra, ka një pyetje që qartëson gjithçka: çfarë leverdie do kishte një person privat si Agron Neza t’i jepte 225 mijë USD Charles McGonigal-it, për të hetuar kundër PD-së? Vetëm kaq mjafton për të kuptuar se njeriu i interesuar të dëmtonte rivalin e tij politik, qe një dhe vetëm një: Edi Rama. Partia e tij e përdori më pas këtë çështje për të anatemuar partë ruse të Bashës dhe për të denoncuar deputetët e rublave. Pra nuk ka dyshim se Charles McGonigal është korruptuar nga regjimi i Tiranës, për ti shërbyer luftës së brendshme politike në Shqipëri. Ky version përforcohet edhe më tej në aktakuzë ku theksohet fjalë për fjalë, se në 22 janar 2018, Agron Neza, i dha zyrtarit të FBI-së informacione që i kishte marrë drejtpërdrejt nga zyra e kryeministrit. Pra njeriu që e kishte paguar me dollarë cash McGonigalin, po e furnizonte atë edhe me me informacionet që kabineti i Edi Ramës prodhonte kundër PD-së.

    A mund të ketë më dyshime pas kësaj? Natyrisht që jo. Ish zyrtari tashmë i arrestuar i FBI-së, nuk ka marrë para, as për biznes, as për interesa personale, ai është paguar si lobist politik i pushtetit.

    Këtë e dëshmojnë edhe fakte të tjera në aktakuzë. Kështu, ai që në dokument rezulton si dëshmitari B, por që tashmë është njohur si këshilltari informal i kryeministrit, Dorian Duçka, i ka paguar shpenzimet dhe udhëtimet zyrtarit të FBI-së. Po pse një njeri i afërt me Ramën, të cilin ai e ka pajisur me pasaportë diplomatike, të cilit i ka lënë të drejtën e përdorimit të një adrese emaili të kryeministrisë, u dashkërka të financoka Charles McGonigal? Natyrisht për realizimin e objektivave që i ka caktuar për të realizuar shefi.

    Për të gjitha këto, jo më kot, kryeministri i Shqipërisë përmendet plot 14 herë  në aktakuzë. Jo më kot ai ka bërë plot 4 takime me McGonigal, jo me tagrin e postit që ai mban në FBI, por për ta përdorur këtë pozicion për interesa okulte lobimi.

    E gjithë vija logjike e kësaj marrëdhënieje të çon në një pikë: se Edi Rama është në origjinë të korruptimit të zyrtarit më të lartë të FBI-së të akuzuar ndonjëherë për këtë krim. Me anë të njerëzve të tij ai dyshohet se e pagoi atë për ta përdorur në luftën e brendshme politike të Tiranës, për të goditur opozitën dhe përforcuar pozitat e pushtetit të vet.

  • Nga Lutfi DERVISHI – Patronazhistët e ekraneve…

    Nga Lutfi DERVISHI – Patronazhistët e ekraneve…

    Në fakt janë tre kategori patronazhistësh që nuk jane vlerësuar aq sa duhet për kontributin dhe punën e tyre sfilitëse.

    Të parët janë patronazhistët që u bënë publik në rastin e rrjedhjes së të dhënave personale. Janë njerëz real, kanë emër, mbiemër, punojnë diku dhe kujdesen për emrin, mbiemrin, vendin e punës dhe hallet e një grupi votuesish. Interesohen për ty a jeton në Shqipëri apo je jashtë shtetit? Kanë arritur të pikasin preferencën politike që ke, dhe mbi të gjitha nëse ke ndonjë problem per të zgjidhur. Duket sikur ky patronazhist është çelësi i suksesit që garanton fitoren në zgjedhje. Gabim. Zgjedhjet nuk fitohen ditën e votimit. Zgjedhjet nuk fitohen as gjatë fushatës elektorale, zgjedhjet fitohen pa nisur beteja. Për këtë kontributin më të madh e japin patronazhistët e kategorisë së dytë.

    Këta patronazhistë, si rregull bëjnë dy punë. Puna e dytë është më e rëndësishme: është puna në botën digjitale. Krahas shpërndarjes së njoftimeve dhe linqeve në whatsapp, këta patronazhistë kanë detyrë partie aktivizimin në rrjete sociale. Përveç likeve, komenteve të tipit: bravo, super, Shqipëria në rrugën e duhur, përveç shpërndarjeve të postimeve të shefave dhe shefave te shefit. detyra kryesore është përgjimi i të tjerëve: çfarë postojnë, kujt i bëjnë like, çfarë shpërndajnë në rrjet?

    Menjëherë futen në komente sipas strategjisë së artit ushtarak në fillim grupi i sulmit- ata që nuk ja bën syri tërr të fyejnë dhe të ofendojnë, skalioni i dytë janë komentuesit sulmues ad hominem- pra nuk komentojnë çfarë është postuar, por kalojnë në sulm ndaj personit. Këta nuk e lexojnë postimin nga frika se mund te infektohen dhe ndërrojnë mendjen. Këta hidhen direkt në sulm.

    Skalioni i tretë janë komentuesit me përvojë; këta nuk sulmojnë, por “argumentojnë”: këto gjëra ndodhi kudo, nuk është taman kështu, a e mban mend si ka qenë atëherë etj etj. Këta janë patronazhistët që nuk flenë. Punojnë orar e pa orar. Nga e hëna në të hënë. Nuk njohin të shtunë, dhe e kanë harruar të dielën. Por edhe kjo kategori, megjithë rëndësinë që ka nuk është vendimtare. Aq më tepër që një pjesë e mirë e tyre punojnë në illegalitet, me profile fallco

    Vendimtare është kategoria e tretë: patronazhistët e ekraneve. Këta janë vërtet për t’u vlerësuar se venë fytyrën e tyre në dispozicion të partisë. Guximi i tyre i çartur për të zhvlerësuar faktet, dhe injoruar logjikën; kurajo për të përbaltur opinionin ndryshe dhe për të lëvduar veten ende nuk është shpërblyer sa duhet.

    Patronazhistët e ekranit kanë detyrën më të vështirë. U duhet që të zezës t’i thonë e bardhë dhe djallit t’i thonë ëngjëll. Sidomos në ngjarje të mëdha- puna e tyre nuk ka të çmuar. Oratoria e tyre me vetëm 186 fjale e lë Ciceronin të turpëruar. Klasi i tyre për të parë filxhan në një rast dhe po për një rast të ngjashëm të ngrenë zërin për të lënë drejtesinë të bëj punën e vet është thjesht ..epik!

    Patronazhistët e ekraneve kanë aftësinë mahnistëse të flasin pa pushim dhe të mos thënë absolutisht asgjë, kanë kurajon që kur thirren për të folur për Tiranën, të flasin për Zimbabven dhe kur kur pyeten për krime të policisë shqiptare të tregojnë me detaje krimet e FBI.

    Patronazhistët e ekraneve- asnjëherë nuk janë shpërblyer aq sa e meritojnë. Të paktën në ligjin e ri për dekoratat duhet parashikuar një medalje për to.

  • Nga Enver BYTYÇI – Karma që do t’i kthehet si bumerang Edi Ramës!

    Nga Enver BYTYÇI – Karma që do t’i kthehet si bumerang Edi Ramës!

    “Karma është kurvë”, i tha kryeministri më i korruptuar në të gjitha vendet europiane presidentes së Parlamentit Europian. Edi Rama foli në panelin e Politico në Forumin e Cras Montana-s të Zvicrës javën e kaluar. U duk se këtë fjali cinike ia drejtoi të pranishmëve, por në fakt aty ishte presidentja e PE-së, Roberta Metsola, dhe ai e etiketoi drejtpërdrejt atë, si dhe Parlamentin Europian, edhe pse zonja Metsola është një nga mbështetëset më të spikatura të zgjerimit. Shkak i kësaj është skandali i Qatargait, në të cilin janë përfshirë disa eurodeputetë. Por jo vetëm kjo!

    Edi Rama me këtë stil hoxhist mbron korrupsionin e tij galopant dhe arrogancën që buron nga ky korrupsion

    Arsyeja e këtij pohimi përçmues anti-europian është përkrahja që parlamenti europian ia dha Kosovës dhe paralajmërimet e tij ndaj Serbisë! Gjuha e Edi Ramës është gjuhë e egër, cinike, dashakeqe, e sëmurë, madje ngjitëse dhe e rrezikshme për interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Është gjuhë e dasive, urrejtjes, hakmarrjes, dhunës dhe fyerjes edhe me partnerët dhe miqtë e Shqipërisë. Kjo vjen për arsye se ai i ka prioritet interesat e tij personale të pushtetit dhe pasurisë, e jo ato të shtetit, shoqërisë dhe kombit shqiptar.

    “Karma është kurvë”, thotë Edi Rama në një event nga më të rëndësishmit në planet, përpara kamerave të sa e sa vendeve. Dhe këtë sarkazmë cinike të tij e transmetojnë live me entuziazëm ekranet tona televizive, si për t’u thënë shqiptarëve se “E shihni se si komandanti ynë përballet me Europën”!

    Krahasimi është i njohur – Ka të bëjë me fjalimin e Enver Hoxhës të vitit 1960 në Moskë! Por dihen pasojat e një gjuhe të tillë edhe ndaj Perëndimit, të cilën e përdorte diktatori shqiptar! Por, ndërsa Enver Hoxha mbronte ideologjinë e tij staliniste, Edi Rama me këtë stil hoxhist mbron korrupsionin e tij galopant dhe arrogancën që buron nga ky korrupsion. Ndërkaq gazeta e Beogradit “Blic” e së shtunës së kaluar ka zbuluar edhe diçka tjetër. Se karma e Edi Ramës na qenka qëndrim politik i kryeministrit të Shqipërisë në mbrojtje gjithashtu të Serbisë së Aleksandër Vuçiç. Në këtë kuptim shihet qartë se karma e Edi Ramës i flet në anglisht Serbisë! Se kryeministri i Shqipërisë ndërsa natën fle në Beograd, ngrihet në mëngjes për të goditur pas shpine Kosovën, Shqipërinë dhe shqiptarët. Ndryshe nuk kishte asnjë arsye pse media e Vuçiqit, Blic, të heroizonte kryeministrin e Shqipërisë. Që në krye të artikullit thuhet se, “se Edi Rama vuri në dukje hipokrizinë e BE-së në Davos, ‘adresa’ kryesore e tij ishte kryetarja e Parlamentit Europian”. Dhe më tej gazeta e Beogradit shkruan për guximin e Edi Ramës për të thënë se nëse do ishin këto kushtet e pranimit në BE, gjysma e vendeve anëtare nuk do të ishin integruar! Një karshillëk ky i tipit Putin e Vuçiq së paku ndaj gjysmës së vendeve të Bashkimit Europian!

    Vërtet askush nuk e di pse duhet ky karshillëk dhe çfarë mirësie i vjen Shqipërisë nga kjo?! Duke mos gjetur arsye pro-shqiptare, gazeta Blic e Beogradit na kujton të vërtetën e hidhur: – Fjala e Edi Ramës në Davos i sjell dobi Serbisë! Gazetat e Beogradit jo rrallë hapen me lëvdata për kreun e ekzekutivit të Shqipërisë, ndërkohë që ato denigrojnë dhe etiketojnë me terma fyes dhe shpifës për Albin Kurtin, Madje këtë të fundit e kanë quajtur edhe “terrorist”, njësoj siç edhe Putin ka etiketuar Zelensky-n në Ukrainë. Prandaj dhe fjala e Ramës e qëndrimi i tij në Davos, përveçse shpreh një të vërtetë në lidhje me avokatinë e Edi Ramës ndaj Aleksandër Vuçiqit dhe Serbisë, synon njëkohësisht të ngjizë idenë fikse të Beogradit, sipas të cilit “Shqiptarët e Shqipërisë janë engjëjt, ndërsa ata të Kosovës janë djajtë, me të cilët nuk merresh dot vesh”!

    Kjo thjesht për faktin se beteja e Serbisë zhvillohet në Kosovë dhe për Kosovën. Ajo nuk ka asnjë problem dhe pretendim ndaj Shqipërisë. E megjithatë kryeministri i Shqipërisë bëhet eksperiment për tezat anti-shqiptare serbe. Ndërkaq nuk mund të kalohet fakti se Shqipëria është vendi më i korruptuar i Europës. Ajo renditet e 110-ta në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, poshtë Afrikës së Jugut, Bjellorusisë dhe Kazakistanit. Gazeta “Blic” e Beogradit e ilustron shkrimin për Edi Ramën me një foto të tij së bashku me presidentin Vuçiq, një përdorim ky i përhershëm për medien serbe, me qëllim që të krijojë perceptimin publik në Serbi se “Lidershipi serb është në rrugë të mbarë dhe në të drejtën e vet, përderisa merr përkrahjen dhe avokatinë e kryeministrit të Shqipërisë”! Është ky një truk elektoral për përdorim të brendshëm politik, me të cilin presidenti serb synon të tërheqë vëmendjen e opinionit publik në funksion të pushtetit të tij. Kësisoj të dy palët kujdesen të mbajnë njëri-tjetrin në pushtet.

    Por një gjë është e sigurt: – Në momentin që do të hapen arkivat e marrëveshjeve sekrete dhe bisedave po ashtu diskrete midis Vuçiqit dhe Edi Ramës, bashkëpunëtorët e mëhershëm në histori të Serbisë do të na duken ne shqiptarëve si “heronjtë” tanë. Sepse marrëdhënia anti-shqiptare dhe sidomos anti-Kosovë e Edi Ramës me presidentin e Serbisë është aq e thellë dhe e pabesë, sa askush sot nuk do të mund ta konceptonte. Dhe atëherë do të shihnim shumë qartë se vërtet “Karma është kurvë”!

  • Nga Kim MEHMETI – Pasi plaçkitën popullin, hajdutët e ’Rilindjes’ po vjedhin njëri- tjetrin!

    Nga Kim MEHMETI – Pasi plaçkitën popullin, hajdutët e ’Rilindjes’ po vjedhin njëri- tjetrin!

    Mediat e Shqipërisë raportojnë për pastruesen, që zonjës së shtëpisë ku ka shërbyer, ia ka vjedhur me qindra mijë euro. Ndërkohë del se e dëmtuar është një hajdute e rangut të ulët në taborin e hajnave të ‘Rilindjes’, dhe si e tillë nuk e ka ditur se kur e plaçkitin hajdutin, ai nuk ankohet, por vetëm ua ndërron vendin parave të vjedhura. Pra, nuk ka vepruar ashtu si shumë hajna të tjerë nga vëllazëria e saj hajdutësh.

    E në të vërtetë i gjithë ky rrëfim hajdutërie shpërfaq atë që dihet: se Shqipëria kalbet, se ajo është bërë mëmëdhe i hajdutëve dhe i kriminelëve të ‘Rilindjes’, dhe si e tillë, ajo është e ‘papërdorshme’ për popullin që jeton aty dhe e ‘padobishme’ për shqiptarët që jetojnë jashtë saj.

    Një Shqipëri e tillë, pra, mund të jetë e mira e hajdutëve, por fatkeqësi për të rinjtë e saj dhe për Kosovën e sotme që përballet me beteja të vështira politike lidhur me pavarësinë e saj. Për këtë Kosovë, ku me ardhjen e VV në pushtet u ngjall shpresa se do bëhet shtet që do u takojë qytetarëve, e jo pushtetarëve.

    E cila shpresë nga dita në ditë zbehet edhe shkaku se edhe pushtetarët e sotëm u treguan të pandjeshëm ndaj popullit të varfër, por shumë të kujdesshëm, për shembull, ndaj akademikëve që kanë vetëm një parim shkencor: të majmen në grazhdin e shtetit e t’i shërbejnë qeverisë që ua mbush atë grazhd.

    Pra, shumë të kujdesshëm ndaj akademikëve që shkrimet e tyre të rrafshit gazetaresk duan t’i shpallin si punime shkencore të ASHAK-së, ndaj atyre që mbase pa dashje e mbajnë gjallë mendësinë antishqiptare serbe se Kosova nuk është djep i atdhetarisë dhe patriotizmit shqiptar, por fole e ‘bandave akademike’ dhe e ‘islamit politik’, i cili e rrezikon Evropën dhe nga i cili rrezik, përpos Serbisë, atë e mbrojnë edhe disa akademikë shqiptarë.

    Por megjithatë, nuk mund të thuhet se Tirana zyrtare nuk bën asgjë për shqiptarët që jetojnë jashtë mëmëdheut. Posaçërisht kur dihet se Kryeministri i Shqipërisë i ftoi në Tiranë kryesuesit e partive politike të shqiptarëve të Maqedonisë, e të cilat prej moti janë vetëm kompani fitimprurëse për  tenderokratët e tyre.

    Ku ta dish, mbase ky takim kishte vetëm një qëllim: t’u dëshmojë ‘Rilindësve’ të majtë maqedonas të LSDM-së se Tirana e Piktorit kurrë nuk do i tradhtojë ata dhe degën e tyre shqiptare të quajtur BDI. Dhe nuk është e pamundur që gjatë këtij takimi, Kryeministri i Shqipërisë t’i ketë udhëzuar hajnat e partive shqiptare të Maqedonisë të mos i përsërisin gabimet e hajdutëve të ‘Rilindjes’ së tij dhe të kenë kujdes ku i fshehin parat e vjedhura.

  • 21 janari, karafilat e propagandës pengojnë drejtësinë

    21 janari, karafilat e propagandës pengojnë drejtësinë

    Katër jetët e humbura më 21 janar 2011, ende kërkojnë drejtësi, jo vetëm gjyqësore por mbi gjithçka, morale. 12 vjet më pas, ndoshta të katër viktimat nëse do ishin në jetë do gjendeshin në revoltë, protestë kundër qeverisë së sotme, ose diku emigrantë nga keqqeverisja e sotme.

    Edhe një herë si çdo herë në dhjetë vite qeverisje, kryeministri Edi Rama kryen të njëjtin ritual. Takim në sallën e hartave në kryeministri me familjarët e viktimave dhe më pas karafilë në vendet ku humbën jetën Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrta dhe Aleks Nika.

    Atë ditë u gatua ardhja e Ramës në pushtet me gurin që hodhi duke fshehur dorën dhe me lutjen malinje që një gisht të tërhiqte këmbëzën. Drejtësi tha Rama për katër të vrarët. Dëshmorë i shpalli pasi i kishte dërguar protestuesit para kryeministrisë dhe nisi një dhunë masive me punonjësit e policisë dhe Gardës së Republikës.

    Opozitari i atëhershëm Rama bëri me shenjë nisjen e aksionit dhe u rehatua qetë në selinë e partisë, për të pritur me padurim gjakun që do të derdhej. Drejtësi bërtet sërish Rama dhe duket kaq paradoksale kur drejtësinë e ka në duar vetë, duke tërhequr sa herë dëshiron “këmbëzën e armës dosje” kundër të tijëve që dalin nga rreshti, kundër qytetarëve apo edhe opozitarëve.

    Ka pasur çdo mekanizëm në duar për të nxituar drejtësinë që të japë drejtësi, por e drejta vret më shumë se plumbat, djeg më fort se molotovët, lëndon më ashpër se gurët e më rëndë se mbajtja e një pushteti mbi gjakun e atyre që ikën nga të gjallët, duke lënë për një dekadë një shoqëri me shpresë të vdekur.

    Edhe disa “fakte të reja” të hedhura në tregun mediatik tregojnë komunikimet në radio të drejtuesve të Gardës që shprehen që të qëllohet nëse protestuesit kalojnë gardhin rrethues të kryeministrisë.

    Komandanti Ndrea Prendi dhe gardisti Agim Llupo janë hetuar, gjykuar dhe dënuar. Shumë pakënaqësi ka për masën e dënimit, por ajo çështje duket e mbyllur për interes të të gjithë palëve politike. Megjithatë, zëri qeveritar nuk erdhi nga Rama, por ministrja Elisa Spiropali që dramatikisht në aktrimin e leximit të deklaratës kërkoi rihapjen e hetimeve.

    Në fakt kushdo që ka qenë i vëmendshëm në deklaratën e saj e kupton qartë që drejtësisë i kërkohet të hetojë vetëm ata që qëlluan, por jo ata që organizuan dhe shtynë protestuesit në akte dhune.

    Një drejtësi e vërtetë do të përballte Ramën dhe drejtuesit e tjerë të asaj proteste në bankën e akuzës, në të njëjtin rresht me ata që zbrazën armët dhe vranë katër protestues më 21 janar 2011.