- SPONSOR -






- SPONSOR -

21 janari, karafilat e propagandës pengojnë drejtësinë

Katër jetët e humbura më 21 janar 2011, ende kërkojnë drejtësi, jo vetëm gjyqësore por mbi gjithçka, morale. 12 vjet më pas, ndoshta të katër viktimat nëse do ishin në jetë do gjendeshin në revoltë, protestë kundër qeverisë së sotme, ose diku emigrantë nga keqqeverisja e sotme.

Edhe një herë si çdo herë në dhjetë vite qeverisje, kryeministri Edi Rama kryen të njëjtin ritual. Takim në sallën e hartave në kryeministri me familjarët e viktimave dhe më pas karafilë në vendet ku humbën jetën Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrta dhe Aleks Nika.

Atë ditë u gatua ardhja e Ramës në pushtet me gurin që hodhi duke fshehur dorën dhe me lutjen malinje që një gisht të tërhiqte këmbëzën. Drejtësi tha Rama për katër të vrarët. Dëshmorë i shpalli pasi i kishte dërguar protestuesit para kryeministrisë dhe nisi një dhunë masive me punonjësit e policisë dhe Gardës së Republikës.

Opozitari i atëhershëm Rama bëri me shenjë nisjen e aksionit dhe u rehatua qetë në selinë e partisë, për të pritur me padurim gjakun që do të derdhej. Drejtësi bërtet sërish Rama dhe duket kaq paradoksale kur drejtësinë e ka në duar vetë, duke tërhequr sa herë dëshiron “këmbëzën e armës dosje” kundër të tijëve që dalin nga rreshti, kundër qytetarëve apo edhe opozitarëve.

Ka pasur çdo mekanizëm në duar për të nxituar drejtësinë që të japë drejtësi, por e drejta vret më shumë se plumbat, djeg më fort se molotovët, lëndon më ashpër se gurët e më rëndë se mbajtja e një pushteti mbi gjakun e atyre që ikën nga të gjallët, duke lënë për një dekadë një shoqëri me shpresë të vdekur.

Edhe disa “fakte të reja” të hedhura në tregun mediatik tregojnë komunikimet në radio të drejtuesve të Gardës që shprehen që të qëllohet nëse protestuesit kalojnë gardhin rrethues të kryeministrisë.

Komandanti Ndrea Prendi dhe gardisti Agim Llupo janë hetuar, gjykuar dhe dënuar. Shumë pakënaqësi ka për masën e dënimit, por ajo çështje duket e mbyllur për interes të të gjithë palëve politike. Megjithatë, zëri qeveritar nuk erdhi nga Rama, por ministrja Elisa Spiropali që dramatikisht në aktrimin e leximit të deklaratës kërkoi rihapjen e hetimeve.

Në fakt kushdo që ka qenë i vëmendshëm në deklaratën e saj e kupton qartë që drejtësisë i kërkohet të hetojë vetëm ata që qëlluan, por jo ata që organizuan dhe shtynë protestuesit në akte dhune.

Një drejtësi e vërtetë do të përballte Ramën dhe drejtuesit e tjerë të asaj proteste në bankën e akuzës, në të njëjtin rresht me ata që zbrazën armët dhe vranë katër protestues më 21 janar 2011.