Year: 2024

  • Nga Andi BUSHATI – Pse Rama është i dënuar ta mbrojë Veliajn

    Nga Andi BUSHATI – Pse Rama është i dënuar ta mbrojë Veliajn

    Sa më shumë që Erion Veliaj po shpenzon kohë me kolegët e SPAK-ut, në dëm të qytetarëve të Tiranës, aq më e fortë po bëhet një dilemë që ka kapluar qarqet politike: ç’do të bëjë me të Edi Rama? Që pasi shpërtheu skandali i kompanisë 5D, kryeministri nuk e ka përgënjeshtruar kurrë deklaratën e bërë në fillim të prillit të këtij viti, kur tha se “Bashkohej fjalë dhe presje me qëndrimin e Erionit”.

    Atëhere, pas arrestimit të drejtorëve të bashkisë, që u kapën duke vjedhur fondet e buxhetit për ti shpënë në kompaninë e tyre private, Veliaj pati hedhur tezën: nëse kryeministri nuk di gjë që vërtësit e tij, madje as që zëvendësi i vet akuzohet si hajdut, as unë nuk kam pse mbahem përgjegjës, po qe se ata poshtë meje, hanë kumblla dhe dardha pas shpinës sime.

    Në këtë pikë, Rama e barabiti delfinin e dikurshëm me veten duke mbështetur alibinë se Tusha, Molla dhe Qato mund të kenë përvetësuar para publike, pa djeninë e atij që kishin mbi krye.

    Po përse Rama i qëndron prej një viti këtij versioni dhe pse ai është i dënuar ta mbrojë me çdo çmim “Tiranën e Lalit”?

    Kur ka qenë puna për skandale të tjera, mes të cilave shkëlqen ai i inceneratorëve, kryeministri është rekur të argumentojë se qëllimi i tij ka qenë i mirë, por ka pasur disa shokë të skuadrës që e kanë tradhëtuar atë rrugës. Ai është përpjekur të manipulojë se ia kanë futur, Arbën Ahmetaj që kishte një miqësi të vjetër me Mirel Mërtirin, Leftër Koka që ka dashur të kalojë para në llogarinë e tij personale, apo Alqi Bllako që ka siguruar paga të majme për të atin pensionist. Por ama, një logjikë e tillë nuk mund të funksionojë për Erionin. Pikë së pari se ai është sjellë gjatë gjithë kohës si lakeu par exellence i shefit.

    Të gjithë e dinin se ai qe zbatuesi më i pështirë i çdo urdhëri. Le të marrim për shembull rastin e inceneratorit të Tiranës. Në atë kohë grupi i strukturuar e kishte shmangur Arben Ahmetajn. Ky i fundit, siç del dhe nga dokumentet e SPAK, e kishte refuzuar këtë aventurë të re, madje i kishte kthyer mbrapsht propozimet e Veliajt. Pra nëse ai paskësh qenë “truri” dhe “nismëtari” qëllimkeq, pse projekti vazhdoi edhe kur atë e nxorën jashtë? Fare e thjeshtë, sepse urdhërat jepeshin nga Rama. Vetëm kjo fuqi madhore mund ta detyronte Veliajn të vinte firmë miratuese duke shkelur ligjin dhe marrë kompetencat e këshillit bashkiak. Vetëm ajo mund ta shndërronte atë nënshkrim me fuqi edhe për bashkitë e Kavajës, Vorës e Kamzës.

    Pra, është e dukshme se Veliaj ka vepruar si ushtar. Kjo është e qartë edhe për ata që nuk duan ti hyjnë gjërave thellë. Mjaftojn të kujtojnë se si një kryebashkiak, që “de jure” ka autonomi nga shefi i ekzekutivit, merrte urdhra para kamerave, për të lyer që në pesë të mëngjesit shkallët e pista të një pallati, apo për të kapur me vrap lopën e një katundari.

    Që Rama e kishte nën kontroll të plotë Veliajn këtë e tregon edhe lista e përbashkët e bashkëpuntorëve të afërt. Shokët më të ngushtë të Lalit ishin ata që kryeministri mbante në paradhomë, çka tregon se mes tyre, më shumë sesa aleanca politike, funksiononte përkatësia e të qenit pjesë e të njëjtit klan.

    Servil deri në dhimbje dhe manipulator gjer në madhështi, për llogari të shefit, Lali, rekrutonte aktorë protestues të teatrit, që Rama vendosi të shembte, ai turrej të përçante ata që kundërshtonin prishjet abuzive të shtëpive dhe bizneseve, ai i sulej si qen i tërbuar FSHF-së, kur merrte urdhrin se partia duhet të politizonte dhe futbollin.

    Të gjithë e kuptonin se këto kosto, një pjesë të çmimit të të cilave po e paguan tani, Veliaj nuk i merrte me qef, por sepse pati vendosur ti shërbente me të gjitha mënyrat atij që njihte si padrino.

    Edhe për skandalin e 5D, që në sipërfaqe mund të duket si i kurdisur pas shpinës së shefit, të gjithë socialistët e dinë se drejtorët e bashkisë ishin edhe krerët e shtabit elektoral të kryeqytetit. Rama që përditësphet rregullisht me matjet e opinionit, ka qenë gjatë gjithë kohës i ndërgjegjshëm se rezultatet zgjedhore të Tiranës, nuk mund të mbërriheshin kurrësiesi pa u vënë në punë makineria okulte e Veliajt, Qatos, Mollës, Tushes etj, të cilët mendonin vërtet së pari për vete, ama nuk e harronin kurrë nënën parti.

    Gjithë sa u rendit më sipër i’a bën të pamundur Edi Ramës që të përsërisë edhe për Veliajn të njëjtën fabul: “Edhe ky ma futi pas shpine”. Me hir apo me pahir, mardhënia që ka ngritur me ish drejtuesin e Mjaftit dhe G 99 e ka dënuar atë që të jetë i detyruar ti’a mbrojë figurën dhe bilancin.

    Thënë këtë, duhet pranuar se kjo zgjedhje politike e Ramës nuk e bën automatikisht të paprekshëm Veliajn. Nga mënyra se si po rrjedhin ngjarjet, duket sikur mëkatet vanitoze të bashkëshortes, fallciteti i një aureole artistike, ca dhjetra mijëra euro të harruar nëpër sirtarë, shkujdesa për grimcat që pikonin në llogari bankare, perversiteti për të mbajtur miq me të shkuar të errët, nuk është çudi ta bëjnë atë komshi provizor të ish drejtorëve të vet.

    Por e gjitha kjo mund të mbetet në kuadrin veseve të vogla që bashkëjetonin me një personazh të lehtë dhe fluturak si Erioni. Për to mund ta paguajë personalisht njeriu. Ndërsa për Ramën, “fenomeni Veliaj”, atij të cilit i trashëgoi dashurinë e parë, Bashkinë e Tiranës, ai që shumëkush e shikonte si pasardhës, mbetet i paprekshëm. Jo se e do apo e çmon, por thjeshtë se i është bërë e papërdorshme alibia e tradhëtisë. Tashmë kjo gjë duket sheshit. E vetmja dilemë është nëse dhe SPAK do të ndjekë të njëjtën rrugë, duke hetuar veset e Erionit dhe jo Veliajn si ingranazh i një makinerie kriminale.

  • Nga Lutfi DERVISHI – Kur gënjen policia!

    Nga Lutfi DERVISHI – Kur gënjen policia!

    Nuk është hera e parë që policia e shtetit kapet në gënjeshtra. Por pyetja: kush ideon, shkruan dhe shpërndan gënjeshtra në emër të Policisë së Shtetit duhet të marrë një përgjigje.

    Seriali i dezinformimit, që kulmon me manipulime të turpshme në raste tragjike si ai i Klodian Rashës, shënoi mbrëmë episodin e radhës me nënkryetarin e Kuvendit, Agron Gjekmarkaj.

    Rasti i Klodian Rashës, që u vra nga policia, pas protestave solli dorëheqjen e ministrit të Brendshëm. Por, edhe pse autori është në burg nuk mund të thuhet se u bë drejtësi, sepse kurrë nuk u zbardh kush ideoi/publikoi deklaratat dezinformuese që tentuan të manipulonin ngjarjen?

    Në deklaratën e sapo bërë publike, Agron Gjekmarkajt rrëfen përballjen me një grup policësh të cilët, pavarësisht identifikimit të tij si nënkryetar i Kuvendit, përdorën dhunë.

    Çfarë ndodhi pasi Gjekmarkaj mbërriti në spital? Si gjithmonë, Policia lëshon një deklaratë dhe në vend se të qartësojë, tenton të manipulojë opinionin publik.

    Në një vend normal, do të niste hetimi. Por kur policia zvarrit në mes ditës ish Presidentin si të ishte terrorist, manipulimi dhe reagimi si cuba duket gjëja më e vogël.

    E vërteta është se policia vazhdon me gënjeshtra sepse jo vetëm nuk mban kush përgjegjësi, por ngrihen në përgjegjësi. Kujto rastin e drejtorit të përgjithshme të Policise që gënjeu publikisht për ngjarjen tragjike në Elbasan në prag të zgjedhjeve të 2021 dhe u gradua zëvendësministër.

    Nuk behet me fjale për raste të izoluara, por për një model që ushqehet sa nga arroganca në rritje aq edhe nga mungesa e transparencës dhe përgjegjësisë.

    Nëse dhuna i ndodh nënkryetarit të Parlamentit, nesër mund te dhunohet kushdo. Edhe atij që sot mendon se është i paprekshëm.

    Në vigjilje të Krishtlindjeve, Agron Gjekmarkaj thotë se shpreson për një Shqipëri më të bardhë dhe më të mirë.

    Por, në një vend ku dhuna dhe gënjeshtra janë modus operandi, kjo mbetet një ëndërr që kërkon më shumë sesa shpresë, kërkon veprim dhe drejtësi.

    Ndryshe prisni deklaratën e radhës nga policia e shtetit…

  • Nga Luçiano BOÇI – Valltari i Vdekjes

    Nga Luçiano BOÇI – Valltari i Vdekjes

    Rama po përdor vrasjen Martinit për të zgjatur jetën e tij politike.

    Ai vazhdon të hedhë vallen e tij pa pyetur fare as për jetën dhe as për edukimin.

    Thjesht kërkon të justifikojë veten e qeverisjen, por dhe në formë cinike të mbyllë një komunikim problematik për qeverisjen dhe një motor i cili ka ndihmuar në përmbysjen e pushteteve të kalbura si i Ramës.

    Përdorimi i humbjes së jetës së Martinit, si sebep për të censuruar fjalën e opinionin, ngjan si një tjetër goditje e dhënë nga njeriu që ka përgjegjësi direkte për ngjarjen e rëndë në shkollë.

    Aq më tepër që komunikimet që shkaktuan përplasjen, nuk vërtetohen ende që erdhën nga kjo platformë me gjithë problemet që ka.

    E vetmja arsye e vendimit duket se është ajo politike.

    Megjithëse personalisht nuk jam ndonje fans i TikTok dhe as i rrjeteve në përgjithësi, e kam ndjekur jo pa vëmendje debatin që bëhet sot kudo për Tiktok.

    Çështja e mbylljes së tij ka përfshirë disa vende, duke u fokusuar kryesisht në aspekte të sigurisë kombëtare, mbrojtjes së të dhënave dhe ndikimit social.

    Po asnjëri nuk ka kaluar në masën ekstreme, e cila në rastin e Ramës ngjan dhe idiote.

    Një vit mbyllje s’ka asnjë kuptim as në aspektin edukues dhe as në aspektin e ndikimit negativ.

    Alternativat e rrjeteve të tjera janë aty dhe teknologjia do të gjenerojë akoma të ngjashme.

    Specialistë të komunikimit, sociologë dhe metodistë megjithëse parashtrojnë disa shqetësime, për Tiktok si zgjidhje optimale, sugjerojnë kontrollin nëpërmjet filtrave e kufizimeve përmbajtjesore e moshore.

    Megjithëse TikTok është kritikuar për mbledhjen e një sasie të madhe të dhënash nga përdoruesit, të promovimit të sjelljeve të rrezikshme ose të dëmshme, manipulimit të informacionit dhe konkurrencës së padrejtë, ai ka një sërë avantazhesh të renditura nga specialistët të cilët kanë hartuar një listë të arsyes të mosmbylljes së tij, që janë:

    1. Liria e shprehjes:

    – Mbyllja e një platforme të madhe sociale mund të konsiderohet një shkelje e lirisë së shprehjes dhe të drejtave të përdoruesve.

    2. Nxitja e kreativitetit:

    – TikTok ka shërbyer si një hapësirë për krijues të rinj dhe ka krijuar mundësi për sipërmarrës dhe artistë të promovojnë punën e tyre.

    3. Përdorim i përgjegjshëm:

    – Problemet që lidhen me përmbajtjen dhe sigurinë mund të zgjidhen me rregullore më të mira dhe me masa mbrojtëse, pa e ndaluar plotësisht aplikacionin.

    4. Ndikimi ekonomik:

    – TikTok ka krijuar vende pune dhe ka ndihmuar shumë biznese të vogla përmes reklamave dhe strategjive të marketingut.

    Pra Tiktok nuk është vetëm me pamje djalli,siç mundohet ta paraqesë Rama për arsyet e tij politike e të censurës. Aq më tepër njeriu e njerëzimi nuk mund të dalë kundër teknologjisë

    Në vend që të mbyllet, disa vende kanë propozuar:

    – Rregullime për mënyrën se si TikTok menaxhon të dhënat.

    – Monitorim më të mirë të përmbajtjes dhe zbatimin e kufizimeve për përmbajtje të papërshtatshme.

    – Ndërtimin e serverëve lokalë për të ruajtur të dhënat e përdoruesve brenda kufijve të vendit.

    Pra gjithcka duhet të bazohet në një analizë të kujdesshme të përfitimeve dhe rreziqeve që ofron platforma.

    Por valltari i vdekjes nuk pyet.

    Ai kërkon të arrijë qëllimin e tij në funksion të jetës së tij politike e cila po fiket çdo ditë që vjen.

  • Nga Andi BUSHATI – Shikojeni pak Ramën përmes Tik Tok-ut

    Nga Andi BUSHATI – Shikojeni pak Ramën përmes Tik Tok-ut

    Vendimi për të mbyllur me dhunë një platformë komunikimi i ngjan atij për asgjesimin e Covidit përmes nxjerrjes së tankeve në rrugë. Ato janë dëshmi të fytyrës autoritare të një regjimi

    Kush ndërmer guximin ti kthehet kujtimeve aspak të bukura të kohës së Covidit me siguri e mban mend një akt, sa të çmendur po aq dhe qesharak. Në betejën e ethshme për të luftuar virusin, kryeministri ynë vendosi të nxjerrë autoblindat në bulevardet e kryeqytetit. Bashkë me masat dhe oraret që shpallte nga kulla e ngujimit në Surrel, se kur duhet të dilnin nga shtëpia pensionistët, kur nënat me fëmijë dhe kur adoleshentët, Edi Rama imponoi iluzionin se mund ta mposhte virusin me grykën e tankeve. Pikërisht ky absurd i kohës së izolimit, ngjan së tepërmi me urdhërin e fundit të rënë nga qielli, për të mbyllur për një vit Tik Tokun në Shqipëri. Ajo çka ka të përbashkët lufta, si kundër virusit shëndetësor edhe ajo kundër atij social, është mendësia diktatoriale e të përballurit me to.

    Ky duhet të jetë edhe këndi për të shikuar këtë masë absurde. Ndonëse në arenën tonë publike po debatohen tema mbi efektin e platformës kineze për shëndetin mendor të të rinjve; ndonëse shumë opozitarë ngrenë gishtin për të denoncuar, se promovuesi i kulturës së dhunës me të zgjedhurit në parlament dhe bashki, nuk mund të ketë edhe ilaçin për ta kuruar atë; ndonëse disa të tjerë shohin tek ky akt një manovër elektorale; thelbi i asaj që po ndodh është shpërfaqja e fytyrës autokratike të Edi Ramës.

    Për të kuptuar këtë, mjafton të përmblidhen disa të vërteta të thjeshta. Shqipëria do të bëhet i vetmi vend i botës demokratike ku pretendon të bëjë pjesë, që ka mbyllur totalisht një ptatformë të rëndësishme sociale. Argumentat morale që po hedh në treg Edi Rama, për ta bërë këtë, ngjajnë njësoj si ato që talibanët përdorën për ta çrrënjosur Tik Tokun, pas rikthimit të tyre në pushtet në Afganistan. Fakti se një gjë e tillë po ndodh duke e lidhur në mënyrë abuzive me vdekjen tragjike të Martin Camit, ndërkohë që është provuar se, as viktima dhe as vrasësi nuk kishin lidhje me këtë rrjet social, ngre pikpyetje për një veprim arbitrar. Parodia që u përdor për konsultimin publik me prindrit, për të justifikuar një vendim të marrë paraprakisht, është një farsë që ndodh vetëm në regjimet anti demokratike.

    Masa ekstreme dhe aspak proporcionale e mbylljes, pa kaluar në parë nga hapat e ndërmjetëm si, vënia e filtrave, apo kufizimet moshore, është tipike për mënyrën se si veprojnë këto regjime.

    Duke rreshtuar të gjitha këto, duhet pranuar se debati për mbylljen apo jo të Tik-Tokut nuk është thjeshtë një sherrnajë e provincës sonë të vogël. Ai ka ndarë në pro dhe kundër edhe shoqëri shumë më demokratike se kjo jona. Kështu, në SHBA, në periudhën e presidencës së parë Trump, ky i fundit e kërkoi një gjë të tillë. Por prit, mos u rrëmbeni për të thëhë: “ja e shikoni, qenka ide amerikane”. Argumentat nuk kishin asgjë të përbashkët me denoncimet morale për “rrugaçin e lagjes”. Debati u bë rreth cënimit të sigurisë kombëtare, mundësisë së spiunimit të qytetarëve amerikanë nga një platformë e bazuar në Kinë e po ashtu edhe për vjedhjen dhe përdorimin e të dhënave të tyre personale.

    Por, ndonëse në SHBA përplasja nuk kishte të bënte me skrupuj moralë, por me arsye shtetërore, në atë vend demokratik fitoi kauza e atyre që luftonin për të drejtat dhe liritë, përpara sigurisë.

    Në argumentat e tyre përmendej se Tik Toku ishte një rrjet penalizimi i të cilit mund të kufizonte fjalën e lirë, mund të vriste të drejtën për tu shprehur të miliona njerëzve që komunikonin mes tyre dhe krijonin përmbajtje. Ata vinin alarmin se një akt i tillë mund të krijonte precedentin e rrezikshëm të përsëritjes së këtij sanksioni ekstrem edhe për platforma të tjera.

    Kjo është arsyeja që asnjë pjestar i orbitës euro altantike nuk e ka ka hedhur këtë hap.

    Ndërsa ne po e bëjmë, përmes shkopit magjik të një njeriu të vetëm, i cili vendos edhe për vrasjen me tanke të virusit edhe për hyrjen apo daljen nga Ballkani i hapur edhe për dhurimin e sovranitetit të shtetit duke ngritur kampe italiane emigrantësh.

    Prandaj, para së gjithash, më tepër sesa një debat që ka të bëjë me shëndetin mendor të fëmijëve, me luftën ndaj kulturës së dhunës, me manovrat elektorale të momentit, tek akti i mbylljes së Tik Tokut duhet të zbulojmë mjetet dhe armët që përdoren në këtë betejë. Mënyra e vendimarrjes, manipulimet që i paraprinë dhe farsa përmes të cilës i’u servirën publikut, flasin shumë. Ato nxjerrin në pah tiparet e domosdoshme për të skicuar fytyrën e një regjimi. Ato dëshmojnë se ky vendim është ilustim i thelbit autokratik të pushtetit të Edi Ramës. Se ku po na shpie kjo, nuk ka nevojë për shumë shtjellim. Në fund të viteve ‘60, Shqipëria u bë i vetmi shtet në botë që ndaloi fenë me ligj. Rekordi sot po përsëritet duke iu kundërvënë një besimi gati shpirtëror të këtij shekulli të ri, religjionit numerik.

  • Propaganda boshe e qeverisë ‘Rama’ për “rritjen” e pagës mesatare: Shqipëria e fundit në rajon

    Propaganda boshe e qeverisë ‘Rama’ për “rritjen” e pagës mesatare: Shqipëria e fundit në rajon

    Dy vite më parë, qeveria, e vënë në “sedër” nga diferencat e mëdha të pagave me rajonin, premtoi që t’i rriste ato, duke i çuar mesatarisht në 900 euro.

    Fillimisht u la të nënkuptohej që bëhej fjalë për pagën mesatare në ekonomi, por më pas u sqarua se premtimi ishte vetëm për administratën, për të cilën pagat vendosen nga institucionet qeveritare. Qeveria ishte e bindur se rritja e pagave në administratë do të nxitë dhe sektorin privat, që të ndiqte të njëjtën linjë.

    Dy vjet më pas, qeveria në dukje ka arritur që të mbajë premtimin direkt që dha. Paga mesatare mujore bruto e administratës publike u rrit me 15% në tremujorin e tretë të vitit, duke arritur në 96.8 mijë lekë. E konvertuar në monedhën e përbashkët, me kursin aktual (rreth 98.2 lekë), paga në Euro u llogarit në 987 euro në posterat e shumtë që u shpërndanë në rrjetet sociale.

    Edhe me këto shifra, sërish gara me rajonin mbeti e humbur, teksa Serbia, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina e Maqedonia e Veriut nuk kanë qëndruar në vend, duke ofruar sot për punonjësit e tyre publikë, paga mesatarisht 20% më të larta që shkojnë deri në 1400 euro në muaj.

    Sa për biznesin, ai nuk ecën me rregull treshi. Diferenca mes pagave në shtet dhe privat në tremujorin e tretë 2024 arriti në nivel rekord, me administratën që merr 40% më shumë sesa të punësuarit në privat, nga 22% në të njëjtën periudhë të dy viteve më parë. Të paktën zyrtarisht, privati nuk i ka paguar më shumë punonjësit gjatë vitit të fundit./Monitor

  • Nga Milaim NELA – Kuvendi butaforik i përbashkët dhe kontrasti ulëritës Rama – Kurti!

    Nga Milaim NELA – Kuvendi butaforik i përbashkët dhe kontrasti ulëritës Rama – Kurti!

    Mbledhja e deputetëve të dy gjysmave shqiptare në Prishtinë në mbledhje të përbashkët nuk është bashkim, është trishtim.

    Prania e Edi Ramës njeriut që nuk e mbrojti asnjë ditë e asnjëherë Dardaninë përballë Serbisë e Vuçiçit nuk është as bashkim e as mbrojtje për Kosovën por është poshtërim i saj!

    Edi Rama nuk i dënoi siç duhet asnjërin nga sulmet terroriste shtetërore serbe ndaj Kosovës por përkundrazi në çdo forum ndërkombëtar ku ka përfaqësuar qeverinë shqiptare ka mbrojtur e justifikuar Vuçiçin e Serbinë sa herë i është dhënë rasti dhe asnjëhere Kosovën!

    Gjatë pushtetit dhe sundimit 12 vjeçar të klanit soro-rilindas të Edi Ramës nuk kemi patur asnjë njohje të shtetit të Kosovës si rezultat i diplomacisë së shtetit shqiptar!

    Edi Rama edhe kur Shqipërisë ju dha mundësia të drejtonte Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara nuk e mbrojti në asnjë rast Kosovën dhe të bëhej avokat i saj por ja la fushën e lirë të shpifjeve Aleksandar Vuçiçit e Serbisë.

    Shqipëria e Edi Ramës ishte ajo që nën sundimin e tij refuzoi të miratojë qoftë edhe një rezolutë që dënonte genocidin serb mbi Kosovën!

    Kurrë në historinë e saj edhe kur nuk ishte shtet Kosova nuk ka qenë më e rrezikuar nga Shqipëria se sa nga Shqiperia Zyrtare e Edi Ramës!

    Shqipëria duke qenë shtet eksperimental sorosian në funksion të hegjemonisë ekonomiko-politike serbe dhe interesit serb gjithçka brenda dhe jashtë saj e bëri kundër Kosovës!

    Shqipëria ishte e para që në terma praktikë i vuri sanksione Kosovës para atyre të Bashkimit Europian në vend që të ishte ZËRI i saj kudo ku ajo kishte zë e kudo ku kishte fjalën.

    Shqipëria e Edi Ramës i mëshon të ashtquajturit dialog shqiptaro-serb dhe krijimit të Asociacionit serb brenda Kosovës më shumë se sa vetë Serbia dhe negociatorët pro-serbë të Brukselit.

    E këtë e bën duke e qenë e vetëdijshme për efektin shkatërrues të këtij asociacioni brenda Kosovës që jo vetëm nuk ju shërben serbëve të Kosovës por shkatërron në themel të ardhmen dhe shtetësinë e shtetit më të ri në Ballkan.

    Ky kuvend i përbashkët butaforik dhe pa asnjë esencë kombëtare e kombëtariste dëshmoi se Kosova dhe Shqipëria janë afër dhe të afrueshëm politikisht aq sa magneti tërheq një copë dërrasë.

    Shqipëria gjatë sundimit të Edi Ramës jo vetëm nuk e hoqi kufirin administrativ me Kosovën por përkundrazi ju vendosi edhe nja dy kufij të tjërë gjobëvënës shqiptarëve të Kosovës që duan të vizitojnë Shqipërinë dhe dhe atyre të Shqipërisë që duan të vizitojnë Kosovën, një në Thirrë e një në Thumanë!

    Edi Rama gjatë 12 viteve të sundimit të tij bëri që “të huajt, ata kosovarët” ta braktisin bregdetin shqiptar e të shkonin në vende tē tjera të rajonit!

    Mesazhet e dhëna sot nga drejtuesit politikë të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë Soro-Rilindase ishin si dy drejtëza të mythëta e kishin të përbashkët vetëm gjuhën shqipe e asgjë tjetër!

    Kosova kërkonte mbrojtje nga Shqipëria për kauzat e saj e të kombit shqiptar e Shqipëria fliste me gjuhën e Brukselit e “vendeve të paangazhuara”!

    Kryeministri i Kosovës kërkoi veprimtari aresimore e sportive të përbashkëta me Shqipërinë kur kjo e fundit e injoron jo vetëm interesin por edhe ekzistencën e Kosovës e ato që ajo kërkon në fakt i organizon me Serbinë!

    Sot nga foltorja e Kuvendit të Kosovës u çorrën gjoja për shqiptarizëm ata që shqiptarizmit në këto 12 vjet i kanë bërë dëmin më të madh!

    Sot foli për heqje sanksionesh ndaj Kosovës ai që me veprime e mosveprime e me mbrojtjen që i ka bërë Serbisë deri më sot vetë Edi Rama ka kontrubuar më shumë se kushdo në vendosjen e këtyre sanksioneve tmerrësisht të padrejta!

    Në se ka hipokrizi në politikë sot ajo ishte ulur këmbëkryq në mes të Prishtinës!

    Edi Rama sot nuk harroi ti jepte Serbisë edhe një shërbim të fundit para zgjedhjeve të 9 shkurtit duke i kërkuar Kosovës ti bindet unilateralisht të gjitha kërkesave të Serbisë për hatër të Europës.

    Ai shfaqi dëshpërimin e tij për mbajtjen e disa anëtarëve të ‘klanit të Rognerit’ në Hagë e kërkoi edhe njëherë lirimin e tij se pa ata duket që ai nuk e rikthen dot ndarjen e veriut të Kosovës!

    Ai shkoi deri atje sa kërkoi rezolutë nga Kuvendi i Kosovës për lirimin e tyre. Ai foli në favor të kësaj rezolute tashmë jo si kryeministër i Shqipërisë por si kryetar i partisë qê krijoi Dushani e Miladini në vitin 1941!.

    Albin Kurti nga ana e tij në tërësi foli si shtetar i përgjegjshëm duke prekur pikat delikate e duke dhënë mesazhet e duhura në mbrojtje jo vetëm të shtetit të tij por edhe interesit dhe të të drejtave të shqiptarëve në përgjithësi gjë që Edvin Ramës as nuk i shkoi nëpër mend!

    Shqiptarët këtej e andej kufirit të heqin dorë nga fasadat e shpifura si kjo e sotmja e të sillen si shtetarë të përgjegjshëm duke punuar pa fasada si kjo e sotmja.

    Por duke thënë këtë asgjë nuk do të ndodhê nëse shqiptarët e Shqipërise Londineze nuk do ta shkulin një minutë e më parë kancerin ‘soro-rilindas që ka pushtuar Shqipërinë!

  • Nga Enver BYTYÇI – Çfarë do të prodhojë mbledhja e dy parlamenteve në Prishtinë? Asgjë!

    Nga Enver BYTYÇI – Çfarë do të prodhojë mbledhja e dy parlamenteve në Prishtinë? Asgjë!

    Sot mblidhen dy parlamentet, ai i Shqipërisë dhe i Kosovës. Takimi do të bëhet në Prishtinë. Pa rend dite! Pa agjendë pune! Thjesht me nje rend fjalimesh propagandistike dhe promovuese të të dy mazhorancave dhe dy kryeministrave. Do të flasin edhe kryetarët e grupeve parlamentare shkurt. Por me kusht që të vlerësojnë performancën e kryeministrave Rama e Kurti. Sidomos të Edi Ramës!

    Megjithatë çdo shqiptar, çdo qytetar i Shqipërisë dhe i Kosovës do të duhej të dëgjonte edhe disa refleksione:

    1. Pse parlamenti i Shqipërisë nuk e miratoi rezolutën e paraqitur nga deputeti demokrat, Tritan Shehu, për të dënuar genocidin serb në Kosovë? A ka të bëjë kjo me marrëdhëniet e ngushta të kryeministrit të Shqipërisë me presidentin e Serbisë? Sigurisht që po! Atëherë a do të duhej që në këtë mbledhje të sotme të reflektonte kryeministri Rama dhe të kërkonte ndjesë se nuk ia arriti ”ta bind” presidentin Vuçiq për njohjen de jure të Kosovës, siç pati premtuar kur nisi bashkim-vëllazërim shqiptaro-serb?  Në fakt ky arsyetim ishte maska e lidhjeve të ngushta Rama-Vuçiq!

    2. Reflektim do të thotë të shihen gabimet e së shkuarës dhe të përfitohet nga përvoja e përbashkët. Në këtë aspekt shtrohen disa paradigma:

    – A do të kërkojë ndjesë Edi Rama pse i vendosi sanksione politike Kosovës pas ngjarjeve të fundit të qershorit 2023? Pra, pse anulloi në minutën e fundit mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive? Sigurisht që jo! Madje do të thotë se e bëri këtë maskarallëk “për ta mbrojtur Kosovën”, pasi që kishte dijeni se shtetet anti-Kosovë në Europë do ta ndëshkonin më shumë atë.

    – A do të kërkojë ndjesë Edi Rama për thënien e tij “Veriu i Kosovës është tokë e askujt”, madje pasi u asgjësua kompania paraushtarke e terroristëve serbë në Banjskë? Dhe për më tepër, a do ta njohë suksesin e qeverisë së Kosovës për shtrirjen e sovranitetit të saj në veri të vendit? Apo do të vazhdojë të këshillojë që “Të mos veprohet në veri pa marrëveshje në dialogiun me Serbinë”?! A do të kërkojë edhe në këtë mbledhje që veriu i Kosovës të vihet nën protektoratin e KFOR-it, pra NATO-s, siç pati kërkuar në verën e vitit 2023?! Apo do të reflektojë dhe do të kërkojë ndjesë për atë kërkesë pro-serbe e anti-shqiptare?!

    – Mbledhja e dy parlamenteve do të duhej të ishte transparente dhe t’i jepte përgjigje pyetjes pse u përça politika shqiptare dhe ajo kosovare deri në pikën që një pjesë e saj t’i bashkohet ideologjisë dhe interesave serbe në Kosovë dhe një pjesë tjetër të rezistojë jo vetëm kundër sulmeve serbe, por edhe kundër sulmeve të ngjajshme në Kosovë e në Shqipëri?! A do të mbahet dikush përgjegjës për këtë? Dhe duhet ditur se ky dikushi e ka organizuar këtë mbledhje “për të larë m.t me sh.rrë”, pra për të maskuar veprimtarinë e tij përçarëse Brenda shqiptare për llogari të Beogradit! Emri I tij është Edi Rama!

    3. Në mbledhje do të flasin dy kryeparlamentarët, shefat e grupeve parlamentare dhe në fund dy kryeministrat. Dmth nuk do të ketë debat! Nuk do të ketë diskutime! Do të ketë një paradë! Kjo paradë do të fshehë gjendjen faktike, dasitë dhe veprimtarinë përçarëse të kryeministrit të Shqipërisë. Megjithatë opinioni duhet të shqetësohet jo vetëm për këtë fakt. Duhet të shqetësohet edhe për faktin se dy kryeministrat do të hiqen si shefat realë të të dy parlamenteve. Ndërkohë që ata me kushtetutë përgjigjen dhe japin llogari para legjislativit. Kjo mbledhje do të rikonfirmojë se sidomos Edi Rama qëndron mbi parlamentin, mbi legjislativin, se ai nuk jep llogari, por kërkon llogari dhe jep direkativa si diktatorët e të gjitha llojeve. Ndryshe nuk kishte pse flisnin kryeministrat, aq më tepër në mbyllje të punimeve. Në këtë mbledhje duhej të flisnin dy presidentët, zonja Osmani dhe zoti Begaj. Me kushtetutë ata janë kryetërë të shteteve tona. Kësisoj në këtë mbledhje do të kemi një disbalancim të pushteteve, përforcimin e pushtetit të kryeministrave, përfshirë dhe kryeministrin Kurti. Përveçse një propagandë dhe përpjekje për të manipuluar opinionin publik në prag zgjedhjesh elektorale!

  • Pse amerikanët kërkojnë një mandat të dytë për prokurorët e SPAK

    Pse amerikanët kërkojnë një mandat të dytë për prokurorët e SPAK

    Neni 148/d i Kushtetutës parashikon se prokurorët e SPAK emërohen për një mandat 9 vjeçar, pa të drejtë riemërimi

    Në ceremoninë për kremtimin e 5 vjetorit të SPAK, kishte mbërritur enkas nga Uashingtoni edhe zv/sekretari amerikan i shtetit, Alexander Kasanof, i cili ka kërkuar një ndryshim kushtetues për të zgjatur mandatin e prokurorëve të posaçëm.

    Pasi lavdëroi punën e tyre për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë, një formulë standarte e përsëritur parreshtur nga ndërkombëtarët, pasi nuk humbi rastin për të vlerësuar kryeministrin Rama, reformat e të cilit “kanë prodhuar përparim”, diplomati i administratës demokrate në ikje, tha shprehimisht: “për t’u siguruar se SPAK-u do të vijojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ne besojmë se prokurorët e SPAK duhet të lejohen të kandidojnë sërish pas përfundimit të mandatit të tyre aktual. Dështimi për të realizuar këtë rrezikon të dështojë përpjekjen e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ajo rrezikon humbjen e profesionistëve tuaj më me përvojë dhe njohurive të tyre profesionale”.

    Në fakt, teza e hedhur nga Alexander Kasanof, nuk është e re. Prej muajsh shefi i prokurorisë speciale Altin Dumani ka kërkuar të njëjtën gjë, duke predikuar përpara deputetëve se kolegëve të tij i duhej edhe një mandat i dytë. Në maj 2024 Dumani e kishte argumentuar me nevojën për vazhdimësinë e rezultateve, hetimit të çështjeve dhe një garanci për standardet e institucionit dhe jo si një shqetësim për karrierën e tyre. “Kudo që ka mandat nuk ka liri, qëndrueshmëri në rezultate” u tha ai atëherë deputetëve duke këmbëngulur se nuk ka kuptim që “një prokurori që është në mes të një hetimi të rëndësishëm t’i ndërpritet puna në mes me mbarimin e mandatit”, gjë që sipas tij do të ndikonte edhe në efektivitetin e punës së vetë strukturës. Por pavarësisht nga argumentat e Alexander Kasanof dhe Altin Dumanit, ka një gjë që qëndron mbi ta. Ajo është Kushtetuta e Shqipërisë. Kur ajo u ndryshua për t’i hapur rrugën një reforme radikale në drejtësi, ajo parashikoi një mandat të kufizuar për prokurorët e SPAK. Neni 148/d i saj parashikon se prokurorët e SPAK emërohen për një mandat 9 vjeçar, pa të drejtë riemërimi. Dhe me siguri që hartuesit e reformës kanë patur arsyet e tyre bindëse që e kanë vendosur këtë kufizim. A duhen peshuar argumentat, pro ndërprerjes së mandatit, apo ripërtëritjes së tij? Ndoshta po. Por ama një gjë është e sigurtë. Ashtu si në zgjatjen antikushtetuese të afateve të qëndrimit në detyrë të komisionerëve të vettingut, edhe ky rast i ri, po tregon se Reforma në drejtësi sa herë vihet në provë ka nevojë për arrnime. Si pasojë e tyre, kushtetuta po shndërrohet në leckë, që e ndryshojnë sipas qejfit.

  • Nga Andi BUSHATI – Tri shembuj për arrogancën e papërballueshme të një amerikani

    Nga Andi BUSHATI – Tri shembuj për arrogancën e papërballueshme të një amerikani

    Me rastin e 5 vjetorit të SPAK, atij që në një farë mënyre mund të quhet si krijesa e tyre, zv sekretari amerikan i shtetit, Alexander Kasanof, erdhi në Tiranë të celebronte sëbashku me prokurorët e posaçëm dhe me krerët e drejtësisë në këtë vend. Ndonëse një zyrtar në largim, si pasojë e rezultatit të zgjedhjeve të nëntorit të shkuar, diplomati amerikan nuk e kishte lënë pas krahëve arrogancën tipike të të dërguarve të perandorisë në një provincë të humbur të saj. Në afro tetë minuta fjalim ai dha së paku tre shembuj në formë, mesazh politik dhe imponim kushtetues, nga ato që hasen vetëm në republikat e bananeve.

    Z. Kasanof e filloi fjalën e tij dikur rikujtuar medaljen që shefi i tij në krye të diplomacisë amerikane, i dha Altin Dumanit, në 9 dhjetor në Uashington, me motivacionin si kampion kundër korrupsionit. Natyrisht, pavarësisht përkrahjes apo kritikave që mund të ketë gjithësecili, ky qe një vlerësim i amerikanëve për punën e këtij institucioni. Por, ama nga këtu e deri te cilësimi i këtij evenimenti si “një ditë e madhe për popullin shqiptar”, është një hendek i pa kapërcyeshëm. Me çfarë lehtësie një zyrtar tranzitor mund ta shpallë atë si ngjarje të veçantë për mbarë një komb? Të tilla mund të konsiderohen fitorja e një lufte, një datë çlirimi, nënshkrimi i një marëveshjeje të rëndësishme, si fjala vjen anëtarësimi në NATO apo në BE, por jo një ceremoni e lobuar politike. A mund ta shpinte nëpër mend SHBA-ja ta bënte këtë me një vend di Franca, Italia apo qoftë edhe Hungaria, e jo më pastaj ta shpallte edhe ditë të madhe për ata popuj? Natyrisht që është e paimagjinueshme. Por, ajo ndodh nga menësia e të trajtuarit si turma delesh të popujve që magjepsen si indianët e dikurshëm nga dhurimi i pasqyrave. Kjo qasje është pjellë e të njëjtit mentalitet me atë që e yshti ish ambasadoren Yuri Kim, të caktonte edhe se cilët ishin “heronjtë e fëmijëve tanë”. Sa do qesharake që të duket, ekzistojnë vërtet mbi këtë rruzull diplomatë të prekur nga sindroma e Lorencit të Arabisë, që besojnë se mund të përcaktojnë hierarkinë e vlerave të një shoqërie. Ky i sotmi ishte një rast tipik.

    Por, këmbëngulja për të shpallur “një ditë të madhe për shqiptarët” është vetëm ana më sipërfaqësore dhe e padëmshme e fajlimit që mbajti Z. Kasanof. Më i rëndë qe fakti se në një ceremoni që i përkushtohej drejtësisë së pavarur, ai gjeti rastin të bëjë propagandë pro Edi Ramës.

    Njësoj si sekretari Anthony Blinken, që kur vizitoi Tiranën nuk pati pikë droje ta etiketonte atë si “një udhëheqës të shquar” dhe “kryeministër shumë të mirë”, vartësi i tij u tregoi prokurorëve: “Dëshëroj të vlerësoj drejtimin e kryeministrit dhe qeverisë së tij që ka prodhuar një përparim të madh në reforma”. A e dinte ai që teorikisht Edi Rama është i dyshuar në disa dosje të SPAK, që nga ajo McGonigal, koncesionet në shëndetësi, vendimarrja për inceneratorin e plot të tjera? A qe ky një mesazh adresuar spakistëve se të gjithë politikanët janë të barabartë, por ka disa që janë më të barabartë se të tjerët?

    Për një shtet vërtet sovran kjo lloj arrogance duhet të qe e papranueshme. Vështirë se në ndonjë tjetër vend, anëtar të NATO-s, do qe toleruar mbledhja e njerëzve të drejtësisë për t’u thënë atyre se shefi i qeverisë është një personazh pozitiv, pra në thelb i paprekshëm.

    Me të njëjtën shpërfillje që jepen sinjale për personazhe të paprekshëm, kushtetuta e këtij vendi trajtohet jo vetëm si e prekshme, por më keq, si një leckë e arrnueshme. Kjo u pa në pjesën e fjalimit kur, me një lehtësi të papërballueshme, diplomati amerikan kërkoi një ndryshim në ligjin themeltar të shtetit, për të zgjatur qëndrimin në detyrë të prokurorëve të SPAK. Në nenin 184/d të kushtetutës përcaktohet shprehimisht se mandati i tyre është 9 vjeçar dhe i pa rinovueshëm.

    Natyrisht hartuesit e reformës në drejtësi kanë pasur arsyet e veta që kanë vendosur kështu. Disa prej tyre mund të kenë pasur merakun për të mos i dhënë atyre fuqi të përhershme ekstraligjore. Për të mos i bërë të ndihen të paprekshëm dhe fuqiplotë. Për të mos krijuar në thelb një “republikë prokurorësh”. Ndërsa tani, SPAK dhe Dumani pretendojnë se puna e tyre shkatërrohet po u ndërprenë mandatet. Se dëmtoihet vazhdimësia e hetimeve, përvoja e krijuar dhe në thelb, lufta kundër krimit dhe korrupsionit.

    Çështja nga ana praktike dhe juridike mund të hajë diskutim. Disa mund të shqetësohen se SPAK-u dobësohet, ndërsa disa të tjerë se ai mund të ngrihet mbi ligjin. Pikërisht për këtë, dikush që reket të të japë një këshillë, mund të sugjerojë se ky diskutim duhet hapur, se argumentat pro dhe kundër duhen debatuar, e kështu me radhë. Por në vend të kësaj, Z. Kasanof urdhëroi me një arrogancë të paparë: këtë duhet ta bëni. Pyetja që shtrohet është: pse në vend të këshillës miqësore, ai zgjodhi pozicionin dominant të një padroni? A mundet që në një vend normal të urdhërosh trajatimin e kushtetutës si një leckë? A mund t’i konsiderosh njerëzit aq idiotë, sa edhe tu predikosh se reforma në drejtësi është një histori suksesi, por njëkohësisht të kërkosh çdo pesë vite ndryshimin e rregullave të saj të lojës?   

    Në të tre këto raste nuk ka logjikë, por imponim; nuk ka dialog, por urdhër; nuk ka bshkëpunim, por forcë. Trajektorja e shkurtër, që nga predikimi se çfarë duhet quajtur ditë e madhe për një popull e deri tek mospërfillja për të përdhosur kushtetutën e tij, janë ilustrimi i një Amerike që nuk jep shembull përmes vlerave, por dominon nëpërmjet frikës. Anën me të errët të kësaj superfuqie e shfaqi vetëm brenda tetë minutave, zyrtari i një administrate në largim.

  • Pse BE-a ka zgjedhur autokratin Rama para Vuçiçit dhe Dodikut

    Pse BE-a ka zgjedhur autokratin Rama para Vuçiçit dhe Dodikut

    Ai ofron thjeshtësinë e një “stabilokrati” ballkanik, pasi qeveris një vend që në thelb nuk ka opozitë, ndërkohë që është një mbështetës i zjarrtë i BE-së

    Si ka mundësi që një shoumen që minon çdo ditë vlerat demokratike në vendin e tij, është i përzgjedhuri i BE? Kjo është pyetja që shtron në këtë artikull studiuesi spanjoll specializuar në zgjerimin e BE-së dhe politikën e Ballkanit Perëndimor Alejandro Esteso Pérez. Për të kuptuar këtë dilemë ai bën një portret krahasues së kryeministrit shqiptar duke e i vënë përballë atij dy udhëheqës të tjetë iliberalë, Aleksandar Vuçiçin e Serbisë apo Milorad Dodik i Republikës Srpska. Ai e ka shkruar këtë artikull të fortë për revistën e përdymuajshme të bazuar në Krakovë “New Eastern Europe” . Por duke bërë radiografinë ai paralajmëron njësoj si politikbërësit po ashtu edhe analistët. Fakti që Rama ka asgjesuar demokracinë dhe ka zhbërë opozitën si alternativë, në një moment mund të krijojë problem edhe për vetë BE=në.

    Kryeministri shqiptar Edi Rama, prej 11 vjetësh në pushtet, është përgjegjës për tkurrjen dhe përkeqësimin e hapësirës civile të Shqipërisë dhe kalimin e ngadaltë të vendit drejt një autokracie elektorale. Ndryshe nga liderë të tjerë në Ballkanin Perëndimor, si Aleksandar Vuçiç i Serbisë apo Milorad Dodik i Republikës Srpska, të cilët shpesh trajtohen si autokratë klasikë të rajonit, falë një qasjeje pro-europiane dhe një karizmme të veçantë, Rama ka arritur të shmangë vëmendjen ndërkombëtare nga veprimet e tij joliberale brenda vendit.

    Ndërkohë që Shqipëria nisi zyrtarisht negociatat e anëtarësimit në BE disa javë më parë, duke ritheksuar rrugën pa kushte të vendit drejt Europës, lideri i saj përdor të njëjtat metoda shtypjeje demokratike dhe kapje të institucioneve, si Vuçiç dhe Dodik. Por interesi i BE-së për të ruajtur aleancën me nxënësin e bindur i kalon në heshtje ose i minimizon sa herë që është e mundur këto aspektë. Kjo tendencë përbën një trend vetëm mes institucioneve të BE-së dhe shteteve anëtare, por gjithashtu midis shumë vëzhguesve, analistëve dhe ekspertëve.

    Nxënësi i autokratit

    Shqipëria po rrëshket gradualisht drejt një spiraleje autoritare, pasi parametrat kryesorë demokratikë vazhdojnë ta përshkruajnë atë si një vend “pjesërisht të lirë”. Gjykatat janë subjekt i presionit dhe ndikimit politik; pavarësia e mediave është e kufizuar; korrupsioni është i përhapur; mosbesimi i qytetarëve ndaj institucioneve demokratike është i lartë; dhe opozita – si në nivelin qendror ashtu edhe atë lokal – është e dobët dhe e çorganizuar. Kjo është aq e vërtetë sa që disa e konsiderojnë Shqipërinë si një sistem Parti-shtet.

    Ky degradim ka ndodhur kryesisht falë rolit të Edi Ramës, i cili nuk ka më rivalë seriozë pasi ka mundur të margjinalizojë agjendat e demokratizimit dhe sundimit të ligjit në një nivel shqetësues. Brenda një kornize institucionale dhe politike që frenon çdo përpjekje për llogaridhënie, Rama ka shtypur kundërshtimin publik dhe madje ka toleruar praninë e krimit të organizuar, me të cilin ai është akuzuar se ndan objektiva fitimprurëse.

    Nga ana tjetër, përgjatë procesit të integrimit në BE, Rama ka qenë i aftë dhe i artikuluar. Për vite me radhë ka ekzistuar përshtypja se Shqipëria po vuante pasojat e vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut, vend me të cilën Komisioni Europian (KE) e kishte çiftuar Tiranën. Parimisht, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të duhej të ecnin së bashku drejt BE-së, pavarësisht tekave të Sofjes. Megjithatë, kjo qasje ndryshoi pasi Shkupi mbeti peng i kokëfortësisë bullgare.

    Shqipëria e la pas krahëve këtë barrë në shtator 2024, kur kandidatura e saj u shkëput nga ajo e Shkupit. Në tetor, madje arriti të hapë zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me fillimin e grupit të kapitujve mbi çështjet themelore. Gjithçka të krijonte iluzionin se Tirana po i përmbushte angazhimet e saj. Përparimi i perceptuar i saj mund të përdorej për të krijuar idenë se procesi i zgjerimi po ecte përpara, pavarësisht mangësive reale.

    Të dashurosh BE-në duke u sjellë si despot

    Institucionet e BE-së dhe shtetet e saj anëtare kanë një histori të trajtuarit të vlerave në mënyrë pragmatike kur bëhet fjalë për prioritizimin e marrëdhënieve dypalëshe ose shumëpalëshe me vende jo-anëtare. Turqia, Azerbajxhani dhe Tunizia janë shembuj të qeverive me të cilat Brukseli ka arritur marrëveshje të ndryshme për energjinë ose migracionin – pavarësisht gjendjes së të drejtave të njeriut dhe standardeve demokratike në këto vende.

    Kjo ka ndodhur ndërkohë që përbrenda vetes BE-ja ka përdorur një standart të dyfishtë. Ajo po e përballon me vështirësi sjelljen e një udhëheqësi autokratik si Viktor Orbáni në Hungari, i cili nuk respekton vlerat e BE-së dhe për këtë rrezikon gjithmonë të izolohet politikisht ose të ndëshkohet. Një gjë është e qartë: nuk ka eksportues nafte apo pritës refugjatësh që mund të tolerojnë një qeveri iliberale brenda BE-së. Sytë mund të mbyllen vetëm nëse kjo qeveri mbështet hapur sovranitetin dhe legjitimitetin e BE-së.

    Figura e Kryeministres italiane Giorgia Meloni është një shembull tipik. Edhe pse ajo i përket të djathtës radikale dhe po zbaton agjendën më të djathtë politike në dekada, duke cenuar të drejtat e prindërve LGBTIQ+ dhe duke goditur protestat paqësore, ajo e mbështet BE-në. Ky faktor i mundëson asaj që të mos trajtohet si një dele e zezë. Vetë Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, ka qenë e qartë në këtë pikë.

    Edi Rama ka ndjekur modelin e Melonit për një kohë të gjatë – madje shumë përpara se vetë Meloni të vinte në pushtet. Për BE-në dhe veçanërisht për shtetet anëtare, kryeministri shqiptar ofron një avantazh të dyfishtë. Ai ofron thjeshtësinë e një “stabilokrati” ballkanik, pasi qeveris një vend që në thelb nuk ka opozitë, ndërkohë që është një mbështetës i zjarrtë i BE-së si projekt politik dhe i së ardhmes së pakushtëzuar të Shqipërisë brenda saj. Kjo politikë krijon një kontrast të madh me Aleksandar Vuçiçin, i cili ofron stabilitet por krijon paqartësi në lidhje me qëllimet e Serbisë ndaj BE-së dhe nuk linjëzohet gjithmonë me politikën e saj të jashtme. Prandaj, Rama duket si nxënësi më i mirë i Ballkanit Perëndimor mes vendeve që bëjnë pjesë në grupin e zgjerimit të BE-së.

    Rama ka arritur të magjepsë imagjinatën e BE-së si një lider karizmatik dhe i aftë, njësoj siç ndodhte më parë me Vuçiçin, Dodikun dhe ish-kryeministrin maqedonas Nikola Gruevski. Falë qëndrimeve të tij pro-perëndimore, mbështetjes për integrimin në BE dhe NATO, aftësisë për të shmangur mosmarrëveshjet rajonale si dhe sigurisë “stabilitokratike” që garanton, BE-ja ndihet rehat duke u mbështetur tek Rama, si një aleat i ngushtë, deficitet demokratike të të cilit se ka për gjë t’i injorojë. Shanset për një alternativë politike të besueshme në Shqipëri për momentin janë të dobëta, gjë që mund të përkeqësojë situatën dhe përpjekjet e BE-së për stabilitet rajonal.

    Një mesazh nga e ardhmja

    Në sytë e BE-së, Rama përgjithësisht nuk përbën kërcënim. Ai është karizmatik dhe i besueshëm dhe, ndryshe nga Vuçiç dhe Dodik, nuk mbështetet te ndikimi i rrezikshëm joliberal i Hungarisë. Përkundrazi, ai shërben në mënyrë pragmatike interesat e udhëheqësve më të pranueshëm joliberalë, si Italia.

    Megjithatë, vendosmëria e BE-së për të mbështetur sistemin stabilitokratik dhe gjysmë-autoritare të Shqipërisë mund të ketë pasoja të rënda. Tolerimi pa kontroll i veprimeve të Ramës dhe klikës së tij; mungesa e kufijve të qartë për rrënimin e demokracisë dhe erozionin e sundimit të ligjit; mbyllja e syve ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut për hir të gjeopolitikës, mund të shndërrojë udhëheqjen e tij në një problem të rrezikshëm për Bashkimin Europian në kushte të caktuara.

    Ky është një paralajmërim jo vetëm për Komisionin Europian dhe shtetet anëtare, por sidomos për gazetarët, akademikët, analistët dhe vëzhguesit, të cilët shpeshherë nuk e përfshijnë Ramën në listën e autokratëve rajonalë. Në përgjithësi, ata duket se zbusin politikat e një shoumeni që minon përditë vlerat themelore të BE-së.

    Alejandro Esteso Pérez/ “New Eastern Europe”/Përtheu T. Çela, Lapsi.al