Year: 2024

  • Si u bind gjykata për kontrollin në shtëpinë e Erjon Veliajt / Vendimi i plotë

    Si u bind gjykata për kontrollin në shtëpinë e Erjon Veliajt / Vendimi i plotë

    SPAK: Të afërmit e Veliajt përfitime të paligjshme nga njerëz me interesa në Bashki

    Kur agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit trokitën në shtëpinë e Erjon Veliajt tek Kodra e Diellit mëngjesin e të premtes së 6 Dhjetorit ata mbanin në duar vendimin e gjykatës që u jepte të drejtën e një kontrolli të shtëpisë dhe sekuestrimin e celularit të Ajola Xoxës, bashkëshortes së kryebashkiakut të Tiranës.

    Meqënëse në atë mëngjes, Xoxa rastisi vetëm në shtëpi, ajo i la në pritje disa orë deri sa aty mbërriti avokati i saj që mbikqyri veprimet e tyre në banesë. Erjon Veliaj, atë ditë ndodhej në Hamburg për një takim dhe u kthye në orët e pasdites.

    Pasi mbaruan kontrollet në shtëpinë e çiftit Veliaj-Xoxe, agjentët e BKH-së kontrolluan edhe ambjentet e galerive dhe të studios ligjore që administron Ajola Xoxa, kompaninë e të vëllait të Veliajt, Arbërit, vilat në pronësi të tij në Qerret dhe disa kompani të tjera.

    Pak ditë më vonë, kur Veliaj komentoi veprimet e agjentëve të BKH-së dhe sekuestrimin e celularit të të shoqes nga ata që i quajti “trokitës”, ai tha se agjentët e BKH kishin kryer kontrolle pa pasur një vendim gjykatë.

     Pavarësisht se pa një vendim gjykate për të hyrë në shtëpi dhe plus një situate të pakëndshme për gjithë lagjen ku jetojmë prej 12 vjetësh, në një pallat të ndërtuar 15+ vjet më parë (poshtë të cilit ishin mbledhur me lajmërim, nga kushedi se kush, altoparlantët mediatikë, që ishin vendosur si dikur te radha e qumështit përpara se të arrinte vetë grupi hetimor), bashkëshortja ime është treguar plotësisht bashkëpunuese dhe transparente me grupin hetimor, për çdo kërkesë të tyre, madje i ka shoqëruar vetë, qoftë në zyrën e saj, qoftë në shtëpinë e prindërve” shkruajti Veliaj.

    Kështu, vendimi I gjykatës, që publikohet sot është me disa rezerva për të dhënat personale të personave të përfshirë. Vendimi tregon se si u bind gjyqtarja Atalanta Zeqiraj nga dy prokurorët Altin Dumani dhe Ols Dado, që BKH duhej të kryente kontrollin e shtëpisë së Veliajt dhe në disa ambjente të tjera për plotësimin e hetimeve.

    Prokurorët Altin Dumani dhe Ols Dado pretendojnë se Veliaj dhe të afërmit e tij kanë përfituar para nëpërmjet kompanive të Elman Abules, një personazh që deri më sot ka qëndruar në hije, megjithë problemet që ka pasur me drejtësinë.

    Prokuroria e ka akuzuar Elman Abulen se ka ngritur një skeme të pastrimit të parave, ku është pjesë bashkëshortja e tij bashkë me Kristian Boçin dhe Vladimir Avramin.

    Lajmi bëri bujë disa muaj më parë, pasi prokuroria u bllokoi rreth 50 milion euro pasuri që ishte investuar kryesisht në ndërtim, pasi paratë kishin origjinë të dyshimtë. Por sekuestro u hoq disa ditë më vonë kur prokurorja e Apelit, Arta Marku u riktheu pronat të akuzuarve.

    Në dosjen e 50 milion eurove, prokurorët e përshkruajnë Elman Abulen si një personazh që i ka njohur herët problemet me drejtësinë në Belgjikë.

    Elman Abule në bizneset e tij ka lidhje me persona të përfshirë në aktivitete të paligishme dhe konkretisht me Kristian Boçi apo Denis Matoshin (alias Eldi Dizdari). Gjithashtu sipas informacionit të Interpol Brukseli/Belgjike, rezulton se shtetasi Elman Abule është i njohur në Belgjikë për “Organizatë Kriminale”, “Vjedhe në rrethana rënduese” dhe “Mbajtje dhe shitje e sendeve të vjedhura”, fakte të ndodhura ne vitet 2004-2005.

    Konkretisht nga informacioni i përcjellë nga Dretoria e Interpolit nr. 4783/8 prot., datë 12.09.2023 është informuar se shtetasi Elman Abule është dënuar më datë 17.01.2007, nga Gjykata e Antëerp, me 30 muaj burg për veprën penale, vjedhje me thyerje ose duke përdorur çelësa të kopjuar dhe krijim bande”, duke u denuar ky shtetas me 2 vjet burg me kusht dhe 1 vit vit në burg për krijim bande” thuhet në dosjen e prokurorisë që ka hetuar Elman Abulen, Kristian Boçin dhe të afërmit e tyre.

    SPAK i ka shkuar më tej skemave të pastrimit të parave, pasi gjatë hetimit është zbuluar lidhja me familjarë të afërt të Erjon Veliajt, që dyshohet se përfituan shuma parash në mënyrë të paligjshme.

    Më poshtë është paragrafi që sipas prokurorëve Altin Dumani dhe Ols Dado implikon Veliajn dhe të afërmit e tij në skemat e përfitimit të parave në rrjetin e kompanive që ka në pronësi Elman Abule.

    anëtarë të ngushtë të familjes si dhe familjarë të tjerë të afërt me Kryetarin e Bashkisë Tiranë, shtetasin Erion Veliaj, kanë marrë përfitime të paligjshme përmes disa shoqërive dhe individëve, të cilët kane interesa të drejtpërdrejta në Bashkinë Tiranë. Nga hetimet e kryera deri në këtë fazë, kanë rezultuar fakte mbi lidhje të ngushta mes këtyre individëve dhe aktiviteteve të lidhura me qeverisjen lokale, të cilat dyshohet të jenë materializuar në përfitimin e pasurive ose përfitimeve financiare në mënyrë të paligjshme. Gjithashtu, nga hetimet janë evidentuar veprime konkrete të cilat përfshijnë transaksione financiare, kontrata të dyshimta dhe fatura të dyshuara fiktive të realizuara përmes disa shoqërive, të cilat janë në pronësi të regjistruar ose që kontrollohen faktikisht nga familjarët e ngushtë dhe familjarë të tjerë të Kryetarit të Bashkisë. Këto transaksione, të cilat dyshohet të kenë mundësuar më pas përfitime të parregullta për familjarë të ngushtë dhe të tjerë familjarë të afërt me Kryetarin e Bashkisë, konstatohet të jenë realizuar përmes një strukture komplekse të marrëdhenieve financiare që qëllim final ka patur integrimin (injektimin) e vlerave monetare në sistemin bankar, duke fshehur në këtë mënyrë origjinën e tyre të paligjshme.

    Në vendimin e gjykatës, gjyqtarja Atalanta Zeqiri është bindur nga kërkesa e dy prokurorëve Altin Dumani dhe Ols Dado që të kryhen kontrolle në shtëpinë e Veliajt, por edhe në zyrat dhe ambjentet e kompanive që administrohen nga Ajola Xoxa, bashkëshortja e tij.

    Një burim tha për Lapsi.al se pjesë e provave janë edhe bisedat e gjetura në telefonin e sekuestruar të një prej të hetuarve në dosjen e pastrimit të parave të Elman Abule dhe Kristian Boçi, por këto janë në të dhënat shkresore që shoqërojnë vendimin e gjykatës dhe me të cilat gjyqtarja Atalanta Zeqiri thotë se është bindur për të firmosur vendimin e kontrollit.

    VENDIMI I PLOTË I GJYKATËS

    Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga:

    GJYQTARE – ATALANTA ZEQIRAJ

    Sot më datë 05.12.2024, mori në shqyrtim në Dhomë Këshillimi, pa praninë e palëve dhe të sekretares gjyqësore kërkesën penale nr.698 regj themeltar që i përket:

    Kërkues: Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, përfaqësuar nga prokurorët z. Altin Dumani dhe z. Ols Dado.

    Objekti: Kontroll personal/i vendeve dhe banesave.

    Baza ligjore: Nenet 202, 202/a, 203, 204, 205, 206, 207, 298 të Kodit te Procedures Penale.

    Gjykata, në zbatim të nenit 202/a parag.3 të K.Pr. Penale pasi mori në shqyrtim në Dhomë Këshillimi kërkesën penale, si shqyrtoi aktet dhe çështjen në tërësi,

    Vëren se:

    I. Rrethanat e faktit

    1 Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën penale e cila ka marre nr. 698 regj themeltar.

    2 Prokuroria e Posaçme mbi bazën e kallëzimit penal ka regjistruar procedimin penal nr.27/të vitit 2024. Ky procedim penal është regjistruar lidhur me veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal. Në funksion të hetimit, nga ana e Prokurorisë sẽ Posaçme janë kryer një sërë veprimesh hetimore. Në përmbledhje të veprimeve të kryera deri në këtë fazë të hetimit paraprak, konstatohet se ekzistojnë të dhëna konkrete që anëtarë të ngushtë të familjes si dhe familjarë të tjerë të afërt me Kryetarin e Bashkisë Tiranë, shtetasin Erion Veliaj, kanë marrë përfitime të paligjshme përmes disa shoqërive dhe individëve, të cilët kane interesa të drejtpërdrejta në Bashkinë Tiranë. Nga hetimet e kryera deri në këtë fazë, kanë rezultuar fakte mbi lidhje të ngushta mes këtyre individëve dhe aktiviteteve të lidhura me qeverisjen lokale, të cilat dyshohet të jenë materializuar në përfitimin e pasurive ose përfitimeve financiare në mënyrë të paligjshme. Gjithashtu, nga hetimet janë evidentuar veprime konkrete të cilat përfshijnë transaksione financiare, kontrata të dyshimta dhe fatura të dyshuara fiktive të realizuara përmes disa shoqërive, të cilat janë në pronësi të regjistruar ose që kontrollohen faktikisht nga familjarët e ngushtë dhe familjarë të tjerë të Kryetarit të Bashkisë. Këto transaksione, të cilat dyshohet të kenë mundësuar më pas përfitime të parregullta për familjarë të ngushtë dhe të tjerë familjarë të afërt me Kryetarin e Bashkisë, konstatohet të jenë realizuar përmes një strukture komplekse të marrëdhenieve financiare që qëllim final ka patur integrimin (injektimin) e vlerave monetare në sistemin bankar, duke fshehur në këtë mënyrë origjinën e tyre të paligjshme.

    3. Në dinamikën e hetimit, më datë 05.12.2024, Prokuroria e Posaçme i është drejtuar me kërkesë gjykatës nëpërmjet së cilës ka kërkuar:

    > Lejimin e kontrollit personal të shtetasve:

    i. Ajola Xoxa, dtln. X.XX.19XX, nr. personal: XXXXXXXT;

    ii. Arbër Veliaj, dtin. 2X.X2.1XXX, nr. personal: XXXXXXD;

    iii. Elman Abule, dtin. XX.X.XXXX, nr. personal: XXXXXXXE;

    iv. Marisa Nito, dtin. XX.0X.XXXX, nr. personal:XXXXXXX;

    v. Adela Kondakciu, dtin.XX.XX.1XXX, nr. personal: 1XXXXXXX;

    vi. Driant Zeneli, dtin. XX.XX.1XXXX, nr. personal: XXXXXXXXQ;

     Kontrolli të bëhet me qëllim zbulimin, administrimin dhe sekuestrimin e provave që kanë lidhje me veprën penale, duke përfshire prova dokumentare dhe elektronike, të tilla si pajisje elektronike – aparate celular, pajisje kompjuterike laptop apo kompjuter personal, etj);

     Lejimin e kontrollit të vendeve/zyrave të shoqërive dhe OJF-ve:

    i. PARTNERS LAW SHPK, NIPT: XXXXXXX0, Adresa: Njesia Bashkia Nr. 5, Rruga “Ibrahim Rrugova”, SkyTower-Kati 10/4.-Tirane, me administrator Ajola
Хоха.

    ii. Nan Gallery SHPK, NIPT: M3 XXXXX, Adresa: Njesia Bashkia Nr. 5, Rruga:

    .**Ibrahim Rrugova”, SkyTower-Kati 10/1, me administrator Daniela Vuksani.

    ili. Nan Gallery SHPK, NIPT: M3XXXXXX, adresa nr. 2: Ndërtesa me adresë te rruga “Deshmorët e 4 Shkurtit”, Tirane, pasuria nr. 3/546, ZK nr. 8270, Zona e Ish-Blokut, Tirane.

    iv. OJF “Qendra Harabel”, NIPT XXXXXXA, Adresa: Njësia Bashkia Nr. 5, Rruga: Brigada 8, Hyrja 1, Apartmenti 32-Tirane, me administrator Driant Zeneli;

    v. Ava Studio SHPK, NIPT: XXXXXX0, Adresa: Njesia Bashkia Nr. 5, Rruga:
Brigada 8, Ndërtesa nr. 19. Hyrja 5, Kati 10 Apartamenti 32-Tirane, me administrator Valbona Xoxa. (Qendra Harabel dhe Ava Studio kanë të njëjten adresë pasi janë në 
të njëjtin numër pasurie 2/461+1-32).

    vi. Gogel SHPK, NIPT: K91XXXXXU, Adresa: Rruga “Pjeter Bogdani”, Ndërtesa Rainboë Center, kati 2, Njesia Bashkiake Nr.5, Tirane, me administrator Riana Muçobega;

    vii. Rametal SHPK, NIPT LXXXXXC, Adresa: Durrës- Xhafzotaj XHAFZOTAJ Autostrada Durrës-Tirane, Km 5, në Vrinë, me administrator Alman Abule;

    viii. Adela Kondakçiu PF, NIPT XXXXXX, Adresa: Rruga Sami Frashëri, Ndërtesa Nr. 11. H.28. Ap.6. Njësia bashkia Nr. 5.

    Kontrolli të bëhet me qëllim zbulimin, administrimin dhe sekuestrimin e provave që kanë lidhje me veprën penale, duke përfshirë prova dokumentare dhe elektronike, të tilla si pajisje elektronike – aparat celular, pajisje kompjuterike laptop apo kompjuter personal, etj);

    > Lejimin e kontrollit te banesave:

    i. Apartment (duplex), në pronësi të Arbër Veliaj, i përbërë nga apartmentet/pasurite:
Nr. i Pasurise 118/81/Nd5+1-1, Volumi 65, Faqe 24, Lloji i Pasurisë Apartament, Sip. 56.3 M2, Vendodhja Selite, (rezidenca Kodra e Diellit) Pronari Arbër Veliaj.

    Nr. i Pasurisë 118/81/Nd5+1-2, Volumi 65, Faqe 24, Lloji i Pasurise Apartment, Sip. 56 M2, Vendodhja Selite, (rezidenca Kodra e Diellit) Pronari Arber Veliaj.

    ii. Pasuria Nr. 1/650, volum 29, faqe 166, ZK 3101, ndodhur ne Zonën e Stimuluar “Ardian Carçani”, Qerret, Iloji “truall”, sipërfaqia totale 446.6 m2 (nga të cilat truall 446.6 m2; Ndërtesë 80.42 m2), referuar ndryshe si Vila nr. 5, në pronësi të Arbër Veliaj;

    Pasuria Nr: 1/647, Vol 29, Faqe 103, K. 3101, ndodhur në Zonen e Stimuluar

    “Ardian’ Carçani”, Qerret, Iloji “truall”, sipërfaqe trualli të objektit 494 m2, vilë, me sipërfaqe të bazës se njësisë 82 m2, në pronësi të AGIKONS SiPK , (këto dy vila janë kufitare (Pasuria 1/650 ndodhet në kufi, ana jugore e pasurisë 1/647).

    > Kontrolli të bëhet me qëllim zbulimin, administrimin dhe sekuestrimin e provave që kanë lidhje me veprën penale, duke përfshirë prova dokumentare dhe elektronike, të tilla si pajisje elektronike – aparat celular, pajisje kompjuterike laptop apo kompjuter personal, etj).

    II. Vlerësimi i gjykatës

    4. Neni 202 i Kodit të Procedurës Penale përcakton se: “1. Kur ka arsye të bazuara për të menduar se dikush fsheh në personin e tij prova materiale te veprës penale ose sende që i përkasin veprës penale giykata merr vendim për kontrollin personal. Kur këto sende ndodhen në një vend të caktuar, vendoset kontrolli i vendit ose i banesës. 2. Gjykata që ka nxjerrë vendimin mund të veprojë vetë ose të urdhërojë që veprimi të kryhet nga oficerët e policisë gjyqësore, të caktuar në vendimin e kontrollit…”. Neni 202/a i Kodit të Procedurës Penale përcakton se: “1…. 3. Gjykata merr vendim të arsyetuar në dhomë këshillimi, brenda 24 orëve nga kërkesa e prokurorit. Kundër vendimit që refuzon kërkesën për kontroll mund të bëhet ankim i veçantë në Gjykatën e Apelit brenda 24 orëve. …”.

    5. Në analizë edhe te akteve shkresore të vëna në dispozicion të gjykatës, të analizuara në unitet me njëri-tjetrën, giykata çmon se në rastin objekt gjykimi ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se janë konsumuar elementët e veprës penale për të cilën është regjistruar procedimi penal nr.27/2024.

    Referuar akteve të paraqitura për gjykim si dhe dinamikës së procedimit penal nr.27/2024, vlerësohet se kontrollet e kërkuara nga Prokuroria e Posaçme janë të nevojshme, pasi dyshohet se munden të gjenden sende të cilat i përkasin veprës penale apo nga të cilët mund të merren të dhëna me rëndësi dhe që janë të domosdoshme për vërtetimin e akuzës në hetim. Qëllimi i tyre lidhet me gjetjen dhe sekuestrimin e provave që kanë lidhje me veprën penale apo kanë gjurmë të veprave penale, duke përfshirë prova dokumentare, elektronike, të tilla si pajisje elektronike aparat celular, pajisje kompjuterike (laptop apo desktop) si dhe sende të tjera të cilat vërtetohen se i shërbejnë qëillimit të hetimit.

  • Nga Lutfi DERVISHI – Ata që nuk kënduan…

    Nga Lutfi DERVISHI – Ata që nuk kënduan…

    Çfarë do të ndodhte nëse do të reagonim po aq shpejt dhe  fuqishëm për disa që nuk janë larguar nga Shqipëria me dëshirë, por janë  përballuar  me presione dhe ndëshkime? .

    Edvin Prifti, është një kardiokirurg. Profesioni tij lidhet me shpëtimin e  jetëve. Është i pari që foli për pandeminë dhe vaksinat, por që sot përballet me drejtësinë pas katër vjet hetimesh dhe përgjimesh. Është mjeku që ka operuar 7300 pacientë. Asnjë ditë me pushtet, asnjë tender apo abuzim me fonde publike. Mbi të sot rëndojnë katër akuza. Mbi ne rëndon indiferenca.

    Ilir Allkja, mjeku që ngriti zërin për kushtet në spitale, dhe u përjashtua nga puna. Kur atij ju komunikua pushimi nga puna ne ishim me pushime

    Emiliano Nuhu, oficeri i policisë që denoncoi abuzimet dhe rreziqet që vijnë nga korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin, nga lidhja e bandave m  politikën.  Sot ka fituar azil politik.  Ai nuk heshti, por heshtëm ne.

    Antoneta Sevdari, një prokurore që guxoi të jetë e ndershme dhe e pavarur në një sistem drejtësie të kalbur do të ishte sot pa punë nëse nuk do të ishte Gjykata e Strasburgut. Asnjë zë për të mbrojtur atë. Asnjë përgjegjësi për ata që e “dhunuan”

    Dritan Zaganin, oficeri që denoncoi lidhjet e krimit me politikën, si shpërblim u përball me persekutim të paprecedentë publik deri edhe nga kryeministri. Sot është azilant politik. Ne bëmë melodrama me denoncimet e tij.

    Agron Tufa, poet, shkrimtar mund të ishte sot këtu. Por kërcënimet me jetë për punën e tij si drejtues i Instituti të Përndjekurve Politik e detyruan të kërkonte azil. Heshtëm.

    Pal Trashaj i dha fund jetës pas vitesh trokitje në dyert e drejtësisë shqiptare. Po ta kishim dëgjuar sot do të ishte mes nesh.

    Ervin Salianji është deputet që po bën burg për “kallëzim të rremë publik”. Është i pari që vuan dënimin ekstrem për këtë “vepër penale”. Për këtë heshtja është e “justifikuar” sepse ky është politikan.

    Apostol Vaso, një mjek i rrallë që u largua nga puna për “Mungesë kreditesh” ndërkohë që kishte punime shkencore të botuara në revistat më prestigjoze të mjeksisë. Eshtë mjek që shëron dhimbjet, por ne jemi të mpirë dhe nuk ndjejmë më dhimbjen tonë le pastaj të tjetrit.

    Këta individë (sigurisht që ka edhe të tjerë) nuk janë thjesht emra; janë simbol i indiferencës dhe mungesës se kurajos për të ngritur zërin ndaj së keqes.

    Ata nuk zgjodhën të largoheshin, por të shërbenin. 

    Nëse nuk do të kishim heshtur a do të kishte për ta shpërfillje, përbuzje dhe akuza?

    Nëse do të kishim protestuar për ta ndoshta do të kishim tharë moçalin ku heronjtë zhduken dhe nostalgjia kthehet në dekor për indiferencën tone gjenetike që aktori njohur Mehdi Malkaj e sintetizoi në pyetjen: “e ç’më duhet mua”?

    “Gjarperi që nuk më kafshon mua paste jetën e gjatë”. Apo si Shvejku “e ç’më duhet mua se ç’bëj unë?”

    Bëjmë shumë mirë që flasim për  ata që ikin, por gjynah që nuk ngremë zërin edhe për ata që nuk e kanë zërin e bukur për të kënduar.

  • Nga Andi BUSHATI – Rënia e butë e Erion Veliajt

    Nga Andi BUSHATI – Rënia e butë e Erion Veliajt

    Ndërkohë që karriera politike e Erion Veliajt po rrokulliset në mënyrë të pakthyeshme, duket sikur drejtësia po gjurmon një shteg të hollë ku edhe nëse goditet personi, të lëndohet sa më pak partia dhe udhëheqësi që e lartësoi atë. Ky do të qe një konkluzion i shpejtë për këdo që ka lexuar vendimin e gjykatës, për kontrollin e banesës së kryebashkiakut dhe njërëzve të tij të afërm.

    Efekti i asaj që po ndodh është krejt i ndryshëm nga realiteti. Po ta shohësh në sipërfaqe duket sikur u bë nami. Erion Veliaj është zyrtari më i lartë në detyrë deri tani, ndaj të cilit ushtrohet kontroll banese. Ai po hetohet për korrupsion. Bashkëshortes dhe vëllait të tij i’a kaluan në sitë shtëpitë dhe zyrat. Prokurorët dyshojnë se ai dha familjarët e vet kanë marrë privilegje nga një ish trafikant, i dënuar më parë në Belgjikë, në këmbim të favoreve që u ka bërë kryebashkiaku.

    Këto dyshime edhe gjykata i ka konsideruar të arsyeshme, për sa kohë e ka lejuar SPAK-un të ushtrojë bastisje dhe të sekuestrojë paisjet elektronike që i nevojiteshin. Pra, në pamje të parë, duket sikur ky mund të serviret si një rast tipik për të ilustruar tezën e fundit të pandëshkueshmërisë.

    Për një kohë të gjatë Veliaj ka qenë njeriu më i rëndësishëm pas Ramës në PS, i etiketuar jo zyrtarisht si delfini i tij, i cili ka kryer të gjitha punët e pista të pushtetit, duke filluar nga rekrutimi i aktorëve protestues tek teatri, shuarja e ptotestave tek unaza e re, apo 5 maji, deri tek kontrolli i rreptë i mediave të mëdha duke përdorur edhe buxhetet faraonike që kontrollonin kompanitë e të vëllait. “Prejka” e tij, duket sikur e çon marrëdhënien mes dy pushteteve në një stad të ri, ta patestuar më parë. Ajo i jep shanc, të gjithë idhtarëve të reformës në drejtësi, të çirren me gojën plot, se sitemi po funksionon dhe se nuk ka më të paprekshëm. Ndryshe nga një vit më parë sot askush nuk do të habitej nëse Veliaj do të kishte atë fat që nuk i urohet askujt.

    Por, kam frikë se ky është vetëm një efekt iluziv, i kuruar shkëlqyshëm. I shikuar nga këndi i arritjes tek dikush që dukej deri dje se qëndronte mbi ligjin, kjo histori u jep të drejtë besimtarëve të punës së SPAK dhe GJKKO-së. Por nga një optikë tjetër, gjërat nuk janë kaq rozë. Nëse çështjen e shtrojmë ndryshe, pra nëse pyesim se a përputhet kapja në falagrancë e Veliajt, për një korrupsion individual, me perceptimin publik për rolin që ai ka pasur tek inceneratori inekzistent i Tiranës apo tek Firma 5D që kishte shpërndarë metastazat në gjithë institucionin e drejtuar prej tij, përgjigjja do të jetë krejt e ndryshme.

    Natyrisht në këtë pikë, argumentat e atyre që justifikohen se drejtësia e ka të pamundur të vërtetojë me fakte perceptimet publike, se puna e saj është të gjurmojë provat dhe jo përshtypjet, se edhe Al Caponen e dënuan për fshehje taksash, kanë një bazë logjike. Por në rastin tonë tendenca për t’u marrrë me pesonin e korruptuar si alibi për të fshehur korruptimin e sistemit, po kthehet në praktikë pune. Sot për djegësit e Elbasanit, Fierit dhe atë të munguar të Tiranës drejtësia ka zbuluar vetëm disa hajdutë të vegjël, që duket sikur njollosën një punë të mirë. Për koncesionet në shëndetësi është përdorur e njëjta logjikë, aq sa edhe ish ministri u burgos për abuzim me fatura restoranti, për mos e çuar çështjen më lart.

    Fabula po përsëritet edhe me Veliajn. Deri tani ai dyshohet si një keqbërës i rëndomtë, që ka përfituar nga një ish trafikant, të cilit i ka bërë favore përmes fuqisë së tij si kryebashkiak, por jo për sistemin e gllabërimit të fondeve nga drejtorët i institucionit që përdoreshin më pas për të blerë zgjedhjet. As për milionat e inceneratorëve që i kalonin deputetët nga opozita tek partia në pushtet dhe që shndërruan në leckë TV-të kombëtare.

    Të gjitha këto raste të bëjnë të dyshosh se drejtësia e re ka mandat të arrijë tek persona të ndëshkueshëm, por pa guxuar të prekë një sistem të pandëshkueshëm. Prandaj ajo merret me “krimet” personale të individit pa e parë atë si ingranazhin e një mekanizmi të programuar për të vjedhur. Kjo pamje e përgjithshme ngre pikpyetje edhe për rastin Veliaj. Mos kemi të bëjmë edhe këtu me një drejtësi me llogari? Me një pazar të negociuar? Me një rënie të butë, që edhe nëse përfundon aty ku s’thuhet, Erioni ta dëmtojë sa më pak partinë dhe shokët që do të vijojnë po njësoj misionin për të cilin u përdor ai?

    Eshtë ende shpejt që këto dilema të marrin një përgjigje përfundimtare. Kjo ndoshta do të kërkojë kohë. Por deri tani shenjat janë që njeriu më i rëndësishëm pas Ramës në PS të paguajë individualisht dhe jo si pjesë e organizatës ku bënte pjesë.

  • Franco Baresi dhe 81 ditët e tij te Fulham si Drejtor Teknik

    Franco Baresi dhe 81 ditët e tij te Fulham si Drejtor Teknik

    Pas 30 vjetësh, më 23 maj 2002 Franco Baresi largohet nga Milani duke u dakorduar me Fulhamin: punoi si drejtor teknik për Al Fayed, një punë që zgjati vetëm 81 ditë

    Emri i Franco Baresi është i lidhur fort me historinë e Milanit. Të gjithë tifozët, kuqezinj apo jo, madje edhe fare të rinjtë që nuk e kanë parë të luajë, sigurisht e dinë rëndësinë e tij në ekipin që ka fituar gjithçka në Evropë dhe në botë. Ekip i të cilit sot është zëvendëspresident nderi.

    Sidoqoftë, pakkush ndoshta e di mend që ‘Kaiser Franz’, pasi i vari këpucët e tij klasike në gozhdë, në një moment të jetës së tij ka dashur të kishte edhe një eksperiencë menaxheriale, duke pranuar propozimin e Fulham dhe duke u transefuar në Premier League. Kjo aventurë e re, e ndërmarrë nga ish-mbrojtësi me shumë entuziazëm, do të përfundojë pas vetëm 81 ditësh për shkak të mosmarrëveshjeve të ashpra me trajnerin Jean Tigana.

    Baresi e pati lënë futbollin e luajtur më 1 qershor 1997 në moshën 37 vjeçe. Ndeshja e tij e fundit ishte humbja në shtëpi e rossonerëve kundër Cagliarit të Mazzones për 0-1. Dhe ndodhi që pikërisht në lamtumirën e tij, Milani e hoqi nga përdorimi fanellën me numër 6, të cilën ai e pati veshur përgjatë një karriere 20-vjeçare. Më 28 tetor të të njëjtit vit ndeshja e lamtumirës u luajt edhe ndeshja e lamtumirës në San Siro, të Meazzas.

    Lënë mënjanë rolin e futbollistit dhe liderit në fushë, ku me Milanin pati fituar 6 Skudeto, 3 Kupa Kampionësh, 2 Kupa Ndërkontinentale, 3 Super Kupa Evropiane dhe 4 Super Kupa Italiane, Franco ulet në tavolinë si drejtues. Mirëpo eksperienca në këtë fushë nuk e entuziazmon, do të preferonte të kishte një rol më në rresht të parë në procesin vendimmarrës. Kështu pranon propozimin e Fulham të pronarit super të pasur egjiptian Mohamed Al Fayed, i cili brenda katër vjetëve e ka sjellë skuadrën e tij nga Divizioni i Tretë sërish në Premier League, ku nuk luante që 1968 e largët.

    “Si drejtues i dhashë Milanit atë që munda, – do t’i deklaronte ai “La Gazzetta dello Sport”- në respekt të roleve që më ishin caktuar. Sektori im rinor fitoi dy turne Viareggio, të cilat janë Botërore rinore dhe humbëm një Scudetto me Primaverën në finale. Me pak fjalë, të rinjtë e Milanit ishte në të njëjtin nivel me Skuadrën e Parë”.

    Negociator me legjendën e rossonerëve është Moody Al Fayed, nipi i Mohamed. Kështu, ish-mbrojtësi, më 23 maj 2002 lë postin e zëvendëspresidentit dhe Milanin pas pothuajse 30 vjetësh qëndrimi në klub dhe më 1 qershor 2002 firmos një kontratë një vjeçare dhe nis zyrtarisht të punojë në aventurën e tij të re të përtejoqeanit. I ofrohet një rol i ri dhe inovativ në organigramën e klubit, ai i ‘Director of Football’, që do të thotë ‘Drejtor i Futbollit’, një lloj Drejtori Teknik me detyra që variojnë nga vëzhgimi i futbollistëve, te këshillat për blerjet e ardhshme, por edhe të mësimdhënies dhe zhvillimit të ekipit të femrave.

    “Presidenti Al Fayed – zbulon – më huazoi një nga apartamentet e tij. Me pamje nga Hyde Park. Një margaritar. Stadiumi i stërvitjes nuk është larg”. 

    Mohammed Al Fayed, Fulham

    Arsyet për të bërë mirë janë shumë të larta, dhe Barezi nuk i fsheh.

    “Pas gati tridhjetë vjetësh po ia nis nga e para. Gjendja ime shpirtërore? Jam pak i shqetësuar dhe shumë kurioz. Në valixhe kam më shumë libra anglishteje sesa rroba. Duhet ta mësoj gjuhën shpejt. Por është një betejë. Prej gjashtë muajsh kam marrë rolin e studentit, kam një mësues që më shoqëron hap pas hapi, por përmirësimet janë të ngadalta. Ishte më lehtë të fitoja një Scudetto ose një Kupë Kampionesh”, do të deklaronte për ‘La Gazzetta dello Sport’.

    Pa folur për ambjentimin me vendin e ri, Baresit shpejt iu desh t’i bënte llogaritë me ndërhyrjen në vendimet e trajnerit Jean Tigana, si dhe me shtypin britanik, jo shumë të butë ndaj tij dhe gjithmonë gati për të nxjerrë në pah kontrastet që krijohen brenda klubit londine. Sidoqoftë, ish-mbrojtësi zhytet në rolin e tij të ri dhe i vë vetes një qëllim: të eksportojë modelin Milan te Fulhami.

    “Fulham është një klub i vogël, por i shëndetshëm. Mund t’i krahasoj me Atalantn. I shpjegova presidentit që, për të marrë rezultate, nevojitet planifikim. Në gjithçka. Nga miqësoret, te udhëtimet, nga sektori i të rinjve në një projekt taktik. Më pëkqente të sillja te Fulhami stilin Milan. Një stil që është sinonim i suksesit. Edhe Berlusconi më tha që do të vinte të na shihte. Licencë trajneri? Për mua mund të jetë diçka më shumë”.

    Skuadra londineze ka tashmë elemente të vlefshme brenda saj: në skuadër bëjnë pjesë, ndër të tjerët, portieri Van der Saar, mbrojtësi irlandez Finnan, skocezi John Collins, francezi i talentuar Malbranque dhe sulmuesit Louis Saha dhe Luis Boa Morte. Baresi, që donte me vete Filippo Gallin si konsulent personal, mendon se skuadra mund të përforcohet me shartime me kosto të ulët të disa lojtarëve me përvojë, mundësisht futbollistë italianë dhe disa perspektivave të reja.

    Antonio Benciano, Parma

    Kështu, në fund të korrikut i bën një ofertë mikut të tij të madh Alessandro Costacurta, aso kohe pa kontratë, punon për marrjen e lojtarit tjetër të lirë Antonio Beniglione dhe për blerjet e Antonino Asta nga Torino dhe Angelo Di Livio nga Fiorentina, si dhe disa të rinj me perspektivë.

    “Ndërkohë, kemi vënë nën kontratët Beneventon. – do të rrëfejë besimplotë për ‘La Gazzetta dello Sport’ – Eksperienca e tij mund të jetë e dobishme. Pastaj, do të doja të sillja në Londër disa të rinj. Talente si Maccarone, por që, i cili do do të shkojë në Middlesbrough”.

    Por, pas asaj të Costacurtës, i cili në fund nënshkroi një marrëveshje të re me Milanin, edhe ardhja e mbrojtësit klas ’68, i cili në gusht do të kishte mbushur 34 vjeç, dështon në momentin e fundit .

    “Pasi lojtari iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore, – bën të ditur një zëdhënës i Fulham – vendosëm të mos e teserojmë”.

    Në të vërtetë, ardhjen e nënkampionit të Botës USA 1994, e kishte bllokuar trejneri Jean Tigana i cili menjëherë e ndaloi operacionin sapo u kthye nga pushimet verore.

    “Asnjë lojtar nuk do të nerret pa miratimin e Tigana. – deklaronte një zëdhënës i francezit – I takon atij të zgjedhë skuadrën dhe lojtarët që do të angazhohen. Roli i Franco Baresi përfshin vetëm vëzhgimin dhe zgjedhjen e lojtarëve për t’ia propozuar Al Fayed”.

    Është në këtë moment që Baresi me siguri e kupton se qëndrimi i tij në Angli nuk do të kishte qenë i lehtë. Ish kapiteni i Milanit arrin të sjellë në mënyrë të pavarur te Fulham vetëm qendërsulmuesin argjentinas Facundo Sava, i blerë për 2 milion stërlina (pak më pak se 2.5 milion euro).

    Për pjesën tjetër, propozimet e tij hidhen poshtë nga Tigana, por legjenda e rossonerëve nuk tërhiqet, përgënjeshtron problemet brenda klubit dhe përpiqet të gjejë objektiva të rinj të merkatos që bëjnë për Fulhamin. Ndërkohë, londinezët marrin pjesë në Kupën Intertoto me objektiv kualifikimin për në Kupën UEFA .

    “Te Fulham komandon Al Fayed. – siguron ‘Kaiser Franz’ në fillim të gushtit – Është ai që më ofroi mundësinë për të pasur një eksperiencë të nivelit të lartë në Angli. Kush e bën skuadrën? Gazetat angleze kanë një mënyrë të çuditshme për t’i treguar gjërat, por nuk ka konflikte. Unë jam këshilltari i presidentit, bashkëpunoj me Tigana, i cili mbetet në të gjitha efektet përgjegjësi teknik i drejtimit të ekipit. Është ai që vendos kë të blejë e kë të shesë dhe si ta nxjerrë në fushë Fulhamin”.

    Junichi Inamoto – Japoni – Fulham

    Sidoqoftë, Baresi arrin të marrë hua Pierre Wome nga Bolonja, mbrojtësin Djetou, hua nga Parma dhe japonezin Inamoto, edhe atë përkohësisht nga Gamba Osaka.

    “Unë po mësoj të lëviz në realitetin e futbollit anglez, ditë pas dite. – shpjegon – Por në bazë të përvojës sime marr pjesë konkretisht në menaxhimin e klubit, në dialog të vazhdueshëm me presidentin, Tigana dhe lojtarët. Mund të propozoj lojtarë, pastaj e vlerësojmë së bashku si të veprojmë. Fulham, vitet e fundit, ka shpenzuar shumë për të arritur në Premier League dhe të qëndrojë aty. Tani do që të shpenzojë pak, dhe nuk është e lehtë të gjesh elementë të nivelit të lartë me kosto të ulët”.

    “Inamoto, Djetou dhe Wome janë goditje të mira, – beson ai – të marra duke ndjekur politikën e huazimeve dhe lojtarëve të lirë”.

    Fulham në të vërtetë i kërkon Baresi të zgjedhë mes fiqve të tharë dhe edhe për një drejtues me përvojë si ai nuk është e lehtë. Pastaj, edhe mungesa e një buxheti të përshtatshëm, vetëm sa shton mosmarrëveshjet me Tigana. Sidoqoftë, skuadra e nis mirë, duke arritur të fitojë finalen e Intertoto kundër Bolognës së Guidolinit.

    “Bologna na ofron një test shumë të rëndësishme. – thotë Baresi, para ndeshjes në transfertë – UEFA është një objektiv i madh për Fulham, por përparësia është një vit i mirë në Premier League. Pas vendit të 13 të sezonin e kaluar, Bologna do të mundësojë të verifikojmë gjendjen e Fulhamit për kampionatin që nis më 17 gusht”.

    Në përballjen e dyfishtë me bolonjezët që zhvillohet në gusht, është pikërisht japonezi Inamoto protagonisti i madh. Në Dall’Ara ai shënoi njërin nga 2 golat (tjetri u shënua nga francezi Legwinski) që i mundësoi londinezëve të barazojnë 2-2, në kthimin në Loftus Road (shtëpia e Fulham atë sezon, duke pasur parasysh problemet e qirasë të lidhura me impiantin Craven Cottage) shënon madje edhe një hat-trick, i cili i dha klubit të Al Fayed trofeun Intertoto dhe mbi të gjitha kualifikimin për Kupën UEFA 2002/03.

    Pavarësisht rezultateve pozitive të fillim sezonit, Tigana, i bezdisur nga popullariteti dhe pesha e Baresit në klub, bën presion me dorëheqje për t’ia lënë vendin ​​në stol ish-kapitenit të Milanit dhe, në sajë të mbështetjes së drejtuesve të vjetër dhe zyrtarëve të tjerë të Fulham, arrin të përfitojë zvogëlimin e rolit të Baresi në klub në një ‘këshilltar të thjeshtë të Al Fayed’ dhe kontratën e tij nga një vit në vetëm 6 muaj provë .

    Shumë për Kaiser Franzin, i cili, ndryshe nga francezi, ishte përpjekur të mos zbulohej asgjë nga tensionet e brendshme në klub. Baresi nuk gjeti miq në klubin londinez dhe pas një ‘komploti’ të vërtetë kundër tij, më 20 gusht 2002, vetëm 81 ditë pas ardhjes, ndërpret në mënyrë përfundimtare konsensuale  bashkëpunimin me Fulham.

    “Vendosa që do të ishte në interesin tim profesional, dhe edhe një rezultat i arsyeshëm për Fulham, që t’i jap fund lidhjes sonë të shkurtër,” shpjegon legjenda rossonere.

    “E kam dëshiruar Baresin sepse me imazhin e tij ndërkombëtar mund të kontaktonte çdo klub dhe të hapte për Fulham çdo perspektivë merkatoje. – replikon pas ndarjes Mohamed Al Fayed – Më pëlqejnë eksperimentet në biznes, por jo të gjitha eksperimentet ja arrijnë”.

    Pa Baresin në radhët e klubit, Fulham do të bjerë nga Premier League, duke mbyllur sezonin me një vend zhgënjyes të 14-të, ndërsa pas suksesit në Intertoto, aventura e londinezëve në Kupën UEFA do të përfundojë në raundin e tretë kundër Hertha Berlinit. Ndërsa legjenda rossonere do të kthehet te Milani për të mbuluar rolin e trajnerit të Primaverës, që kishte mbetur i lirë pas kalimit të Mauro Tassotti si zëvendës i Ancelottit, duke e lënë përfundimisht pas krahëve interludin e shkurtër dhe të pafat anglez.

    Artikulli është i përkthyer nga bashkëpunëtorë të jashtëm, për informacione dhe bashkëpunime kontaktoni me redaksinë

  • Balluku “gjyq” Spiropalit, të pathënat e mbledhjes me dyer të mbyllura

    Balluku “gjyq” Spiropalit, të pathënat e mbledhjes me dyer të mbyllura

    Kryetarja e parlamentit akuzohet se po shantazhohet nga Gazment Bardhi

    Mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste nuk ishte ashtu siç e përcolli shkurt përmes një njoftimi zyra e shtypit të socialistëve.

    “Gjatë mbledhjes, anëtarët e grupit vlerësuan punën e bërë deri më tani në komisione, duke evidentuar arritjet, sfidat dhe prioritetet për javët e ardhshme. Një pjesë e rëndësishme e diskutimit u fokusua te shqyrtimi i rendit të ditës për seancën plenare te radhes”, thuhej mes të tjerash në njoftimin propagadistik që nuk thotë asgjë.

    E vërteta është se mbledhja e sotme në fakt ishte një “gjyq” për Elisa Spiropalin, tregoi për Lapsi.al një burim brenda radhëve të ligjvënësve socialistë.

    Revanshi i Belinda Ballukut

    Në krye të goditjes së saj në sy të gjithë deputetëve ishte zv.kryeministrja Belinda Balluku. Me tone të ashpra ajo fshikulloi Spiropalin për keqmenaxhimin e seancës plenare të javës së shkuar ku u shkaktua kaos pasi mazhoranca futi me shpejtësi projektligjin për faljen e gjobave.

    Balluku akuzoi Spiropalin se po favorizonte opozitën duke iu dhënë hapësirë të pamerituar dhe në shkelje të rregullores sipas zv.kryeministres. Jo vetëm kaq, por Balluku shkoi edhe më tej duke aluduar se kryetarja e parlamentit është nën një presion prej Gazment Bardhit, i cili i dikton edhe sjelljen në seancë plenare. Burimi i tha Lapsi.al se gati gati Balluku ngriti insinuata që Spiropali po shantazhohet nga kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

    Kujtojmë këtu që Gazment Bardhi i ka përmendur shpesh Pëllumb Gjokën kryetares së parlamentit Elisa Spiropali. E ka pyetur publikisht disa herë se çfarë dhurate ka marrë ajo nga Pëllumb Gjoka. Nuk dihet nëse Belinda Balluku ka pasur në mendje pikërisht këto akuza të Bardhit teksa fshikullonte Elisa Spiropalin. Por numri dy i qeverisë nuk ishte e vetme në këto kritika.

    Sulmin e Ballukut e pasojnë të tjerë

    Menjëherë si për t’i rënë në sy asaj e për t’i treguar devotshmëri dhe besnikëri, u rreshtuan Taulant Balla, Erion Braçe dhe Blendi Klosi. Gati me të njëjtën gjuhë edhe ata shpërfaqën pakënaqësitë e tyre ndaj Elisa Spiropalit.

    Pati edhe qëndrime disi më të zbutura si ai i kryetarit të Grupit të PS, Niko Peleshit apo Mimi Kodhelit. I gjithë “gjyqi” u zhvillua pa praninë e vetë Elisa Spiropalit, e cila mungonte në mbledhjen e sotme të Grupit të PS. Mbase kishte zgjedhur vetë të mungonte duke e ditur se çfarë po gatuhej në prapaskenë.

    Asgjë nuk ndodh pa bekimin e Ramës

    Fshikullimi i sotëm që Balluku i bëri Spiropalit në sy të të gjithë grupit të PS-së nuk është një axhendë personale, aq më tepër duke e ditur që ajo është e vetmja në radhët e socialistëve që e ka lartësuar aq shumë Edi Ramën duke i thënë Skënderbe.

    Sulmi nuk mund të bëhej asnjëherë pa bekimin e kryeministrit që mungonte gjithashtu në mbledhjen e grupit. Askush nuk është i luajtur mendsh në PS sa që të ngrejë krye kundër Kryetares së Kuvendit në sy të të gjithë grupit parlamentar pa pasur më parë dakordësinë e Edi Ramës.

    Këtë nuk do ta guxonte as Belinda Balluku e jo më pastaj personazhe periferike si Erion Braçe apo Taulant Balla. Gjithçka duket e orkestruar prej vetë “Skënderbeut” kundër “Mamicës” së tij. Arsyet mbeten ende të paqarta!

  • Gjithçka që duhet të dini për të kuptuar çfarë tha Venecia për Xhaçkën

    Gjithçka që duhet të dini për të kuptuar çfarë tha Venecia për Xhaçkën

    Vërtet deputetët nuk mund të detyrohen të votojnë, por ata nuk mund të shprehen kundër Kushtetutës dhe vendimeve të GJK

    Mbajta apo heqja e mandatit të deputetes për shkak të konfliktit të interesit nga ish ministrja Olta Xhaçka tani më nuk ka ndonjë rëndësi praktike. Për pak muaj hyjmë në fushatë elektorale dhe asaj personalisht nuk i duhet më vendi që fitoi në zgjedhjet e vitin 2021. Por opinioni që erdhi nga Komisioni i Venecias kishte vlerë për tjetër gjë: për të kuptuar se sa e zbaton rilindja ligjin dhe sa e respektoj ajo kushtetutën.

    Prandaj edhe pas zbardhjes së opinionit palët po përpiqen ta paraqesin sipas interesit të tyre, madje pa pasur fare drojë nga manipulimi dhe zgjedhja e paragrafëve që u volisin. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe shumica e mediave duke treguar kështu hapur anësinë e tyre. Sapo u dha “leja për botim” kryetarja e kuvendit e quajti verdiktin e Venecias si një mbëshetje për qëndrimet e rilindjes.

    Spiropali e etiketoi si një qëndrim kushtetues pretendimin se deputetët socialistë nuk mund të votonin me urdhër të gjykatës për të shpënë në Kushtetuese shqyrtimin e çështjes Xhaçka: “Gjykata Kushtetuese ka kërkuar që deputetët të votojnë në një mënyrë të caktuar dhe kjo nga ne është lexuar jo thjesht si ndërhyrje në pavarësinë e Kuvendit, por në radhë të parë si një vendim i pazbatueshëm për shkak të pamundësisë së një rregulli që i imponon deputetit se si të votojë”, shkrujti ajo duke pretenduar se Venecia i dha të drejtë këtij pretendimi!

    Nga ana tjetër opozita thërriti fitore dhe se opinioni njollos mospërfilljen e Kushtetueses nga socialistët. Sipas Gazmend Bardhit: “Qartësisht Komisioni i Venecias konfirmoi drejtësinë e betejës së opozitës, duke ritheksuar se nuk mund të ketë diskrecion politik për respektimin dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Në rastin konkret nga i cili u ngrit kjo kërkesë, Gjykata Kushtetuese ka marrë dy vendime dhe zbatimi efektiv i këtyre vendimeve nuk duhet të kushtëzohet me votimin nga shumica parlamentare”, shpjegoi sekretari i demokratëve. Edhe nënkryetari Oerd Bylykbashi theksoi se: “Komisioni i Venecias sot foli qartë e me zë të lartë: “vendimet e Gjykatës Kushtetuese që detyrojnë Kuvendin e Shqipërisë të dërgojë rastin Xhaçka për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese nuk mund të vihen në pikëpyetje, zvarriten, minohen, pengohen apo bllokohen nga Kuvendi me votën e mazhorancës”.

    Po atëhere kush ka të drejtë, Spiropali apo drejtuesit e PD? Mediat që e paraqisin se Venecia i dha të drejtë qeverisë, apo ato që e komentojnë si një fitore të opozitës?

    Për të kuptuar më shumë jo vetëm kemi lexuar opinionin e Venecias, të shkruar në një zhargon tejet profesional, por edhe konsultuar atë me juristë ekspertë për të kuptuar të vërtetën. Konkluzioni i përgjithshëm është se Venecia nuk i ka dhënë të drejtë PS-së dhe thelbi i qëndrimit të saj gjendet në paragrafin 22 të dokumentit, ku thuhet shprehimisht se “zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nuk duhet të kushtëzohet me votimin nga shumica parlamentare”. Aty vërtet me gjuhë të vulgarizuar thuhet se deputetët s’mund të urdhërohen nga askush se si të votojnë, gjë që socialistët e shesin si një dhënie të drejte për qëndrimet e tyre….por ky konstatim ka një POR të madh. Këta deputetë nuk mund të votojnë kundër parimeve të kushtetutës dhe shtetit ligjor. Thënë troç ndonëse shumica socialiste, votoi kundër shqyrtimit të mandatit të ish ministres së jashtme, Venecia rekomandon që Kuvendi duhet të zbatojë urdhërin e Gjykatës dhe ta dërgojë çështjen e deputetes Xhaçka në Gjykatën Kushtetuese. Mendimi i përgjithshëm i ekspertëve të kontaktuar nga Lapsi.al është se “Opinioni thekson se ndërsa deputetët nuk mund të detyrohen të votojnë në një mënyrë të caktuar, ata mund të votojnë vetëm për çështje që janë brenda kompetencës së Parlamentit. Komisioni i Venecias thekson se përsa kohë ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, ai vetëm mund të zbatohet”.

    Nuk dihet se ç’do të bëjnë Edi Rama dhe të tijët pas këtij verdikti të qartë. Fakti që ata po mundohen të manipulojnë është një indicie se do i shkojnë deri në fund kokfortësisë së tyre. Për mbi dy vjet ata e kanë sorrollatur me të gjitha mënyrat dosjen Xhaçka. Ajo akuzohet se gjatë kohës kur mbante detyrën e Ministres së Jashtme, Komiteti i Vendimeve Strategjike i drejtuar nga kryeministri Edi Rama miratoi statusin e “investitorit strategjik” për bashkëshortin e saj, Artan Gaçi, i cili po ndërton një hotel në Dhërmi. Më pas, përmes një vendimi qeverie, hotelit iu dha e drejta e përdorimit afatgjatë të brigjeve të detit.

    Në korrik të këtij viti, Gjykata Kushtetuese doli me vendim në të cilin e akuzoi shumicën parlamentare se kishte shkelur kushtetutën dhe cënuar themelet e shtetit. Po në vend që të reflektonin, socialistët vendosën të fitonin kohë duke iu drejtuar Venecias. Ndërsa tani që ajo foli ende nuk dihet se çfarë do të bëjnë. Qëndrimi më i arsyeshmë sipas ekspertëve është që Kryetarja e këtij kuvendi, si përfaqësuese e institucionit ti’a përciellës vetë çështjen gjykatës.

  • Nga Alfred LELA – Rama dhe tri Rezolutat

    Nga Alfred LELA – Rama dhe tri Rezolutat

    Tri rezoluta në harkun e 30 ditëve janë një triumvirat trimufi për Partinë Demokratike dhe tri krisma të thata në trekëmbëshin e qeverisë së Edi Ramës.

    E thënë kështu duket si teprim, por në u duktë i tillë ka të bëjë vetëm me faktin se PD i kanë mungura prej kohe lajmet e mirë që vinin nga të dërguarit apo kancelaritë e Perëndimit.

    Rrezolutat e miratura nga EPP-Partia Popullore Europiane, CDI-Partitë e qendrës Demokrate dhe IDU- Unioni Demokratik Ndërkombëtar, janë secila në vetvete dhe të tria bashkë, një rezolucion i lartë, jo vetëm mbi çështjet dhe betejat që ka ngritur opozita gjatë tre viteve të fundit, por edhe mbi krizat thelbësore të Shqipërisë.

    Drejtimi i rezolutatve është në kah krejt të kundërt me retorikën zyrtare që Edi Rama mbron dhe përpunon, si brenda ashtu dhe jashtë Shqipërisë. Përnjëmend ato thonë çka trumbeton prej kohësh PD, por ato, as mund të vlerësohen, as mund të zhvlerësohen ngase i thotë Partia Demokratike. 

    Sigurisht, ato janë qëndrime politike të PD, por bëhen qëndrime edhe të këtyre tri organizatave të mëdha politike botërore, në rastin kur miratohen prej tyre. Ne mund vetëm ta imagjinojmë reagimin e Ramës ndaj këtyre prozhektorëve ndërkombëtarë mbi shtetin e ngritur prej tij dhe Rilindjes por, po ta bazojmë te reagimi i tij ndaj njërës prej rezolutave, të PPE, e gjejmë parehatinë e tij. Kryeministri i dërgoi një letër shefit të PPE, Weber (I dashur Manfred!) ku i kërkonte që PPE të mos vazhdojnë me projekt-rezolutën, pra të mos e miratojnë. Si ngahera, Rama nuk e shihte problemin te vetja dhe qeverisja e tij, por te parardigma e vjetëruar dhe foshnjërake ‘fajin e ka Saliu’. Se çfarë bëri zoti Weber në reagim ndaj lutje-kërcënimit të Ramës, ju e dini tashmë. Jo vetëm EPP e kaluan Rezolutën, por partitë e djathta dhe të qendrës miratuan unanimisht edhe dy të tjera, edhe më të ashpra. Të dyja këto kërkonin atë që opozita prej kohësh sheh si zgjidhje të krizës politiko-shoqërore-elektorale, një qeveri ndërmjetëse.

    Rezolutat kanë në thelb alarmin e rrëshqitjes së shtetit të drejtuar nga Rama, njëfarë anti-shteti të ndërtuar mbi katër kolona fundosëse të cilat janë lidhjet e krimit me qeverinë/poltikën/policinë; zgjedhjet fasadë; gjyqësori/institucionet e kapura, si dhe përndjekja politike e opozitës.

    Kjo është pamja me rezolucion të lartë e gjendjes në Shqipëri, ky është thelbi i tekstit të tri rezolutave ndërkombëtare të partive të qendrës dhe të së djathtës, që qeverisin gjysmën e botës, nga Italia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Tani qeverisë i mbetet të pozicionohet përballë këtyre rezoltuave, jo si Rilindje klanesh e tarafesh, por si Parti Socialiste e Shqipërisë. Kursi i përhershëm i Ramës e ka se kush kritikon atë dhe qeverinë ka sharë flamurin dhe Shqipërinë. Kjo nuk prodhon zgjidhje, por më shumë struc, që fsheh kokën dhe lë jashtë prapanicën.

    Një kryeministër dhe qeveri që kaq shpesh i nisnin fjalitë me “jam krenar” për këtë e atë (fjala kre-krye është rrënja e krenarisë), nuk bën ta mbyllin me ‘përfunduam si b***arë”.

  • Nga Lutfi DERVISHI – Me sy dhe veshë nga Venecia

    Nga Lutfi DERVISHI – Me sy dhe veshë nga Venecia

    Në një vend të krijuar nga konferenca e ambasadorëve të Fuqive  të mëdha, në një vend ku dielli nuk lind pa miratimin e ndonjë komisioni ndërkombëtar, nuk mund t’i zësh besë askujt. Aq më shumë një politikani, deputeti, ministri apo gjyqtari!

    Po a mund t’i besosh një mjeku?

    Doktori më tha se nga një vakt në tjetrin duhet të kalojnë e pakta pesë orë. “Por,” shtoi me ton serioz, për t’u siguruar, mund të kërkosh një opinion të dytë. (Second opinion). Nuk e kuptova pse ma tha në anglisht këtë, ndoshta po mësugjeronte ndonjë klinike jashtë.

    Ke ndonjë adresë ku mund të shkoj?  .

    Aty ku shkojnë të gjithë, – tha, – te Komisioni Venecias.

    Në fillim mendova se po bënte shaka, por jo. Në një vend ku politikanët, deputetët dhe madje edhe gjyqtarët kushtetues nuk marrin dot vendime pa pyetur Venecian, pse duhet të jetë ndryshe për stomakun tim? Në fund të fundit, është një çështje që lidhet me Kushtetutën e Organizmit të Njeriut.

    Ndërkohë, po imagjinoj skenën: një anëtar i Komisionit të Venecias, i ulur në një zyrë  të mrekullueshme mbi kanalet e famshme, merr një e-mail nga Shqipëria: “Kërkesë urgjente për opinion: A duhen 5 apo 6 orë pushim mes vakteve? A përbën shkelje nëse ha më herët? A është njeriu sovran në marrjen e vendimeve për stomakun e tij?”

    Dhe Venecia, me seriozitetin që e karakterizon, thërret një sesion emergjent. Si rregull në dhjetor. Diskutojnë, analizojnë, krahasojnë praktikat ndërkombëtare dhe pas një debati të gjatë, nxjerrin një opinion përfundimtar: “Pesë orë janë standardi minimal, por në raste emergjente, si në kohë fushate, mund të hanë dhe pas katër orëve e gjysmë. Megjithatë, çështja i përket kompetencave jo vetëm të sovranitetit të stomakut, por edhe të aparatit tretës në tërësi. Çdo njeri është sovran për stomakun e tij, me përjashtim të ushqimeve që shkaktojnë shqetësim në stomak”

    Tek e fundit kërkesa ime është legjitime se ka të bëjë me shëndetin, ndryshe nga ajo e deputetëve që në vend që të respektojnë ligjet që vetë i kanë miratuar, pyesin Venecian:

    – “A mund të vazhdojmë të bëjmë si të na dojë e bardha zemër, apo ka ndonjë kufi edhe për ne?

    – Nëse ka kufi për ne a nuk po kthehemi te teoria e “sovranitetit të kufizuar” të Brezhnjevit?  

    -A duhet të zbatojmë ne vendimet e Gjykatës Kushtetuese apo t’i diskutojmë si telenovelë në mbledhjet e grupit parlamentar?”

    Dhe ç’të thuash për gjyqtarët kushtetues? Janë ata që duhet të zbatojnë Kushtetutën, por çdo vendim e shoqërojnë me pyetjen: “A i pëlqen kjo Venecias?” Nëse përgjigjja është “jo,” atëherë duhet të rivotohet, të diskutohet, të riformulohet. Sepse, opinioni i Venecias ka peshë më të madhe se ai i Kushtetutës!

    Nuk është çudi që një ditë të kërkojnë një opinion se kur duhet të nisë zbukurimi i pemës së Vitit të Ri.

    Dhe pas opinionit të dytë kush na pengon ne të kërkojmë një opinion, të tretë, të katërt…?!

    A ka komision tjetër mbi atë të Venecias?

    P.S. Uroj që askush të mos kërkojë opinion nga Venecia për këtë shënim

  • Shqipëri-Kosovë, akulli që nuk po shkrin

    Shqipëri-Kosovë, akulli që nuk po shkrin

    Ftohja e marrëdhënieve politike ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës po përcillet edhe në ekonomi me tregtinë në vendnumëro dhe rënien e vizitorëve. Sipas projeksioneve, PBB-ja e Rajonit pritet të arrijë në 135.3 miliardë euro më 2024, teksa ekonomitë tona, të dyja së bashku, pritet të arrijnë një vlerë prej 33 miliardë eurosh, shumë kjo sa 24% e PBB-së së pritshme të Rajonit. Ekonomia e Serbisë zë 45% të PBB-së së 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria dhe Kosova nuk po i shfrytëzojnë potencialet për bashkëpunim, në mënyrë që të bëhen konkurruese dhe të rrisin mirëqenien e qytetarëve të tyre.

    Kosova dhe Shqipëria, dy shtete të të njëjtit komb, nuk i kanë shfrytëzuar potencialet e burimeve natyrore dhe popullsinë e re në moshë për të rritur përfitimet ekonomike.

    Në vend që të rritet, popullata shqiptare në rajon është reduktuar dhe është plakur teksa në aspektin ekonomik, konvergjenca me Rajonin ka mbetur e pandryshuar gjatë 10 viteve të fundit. Qeveritë e dy vendeve, me politikat e tyre, nxitën emigrim masiv të popullatës, duke dështuar të krijojnë mundësi sidomos për të rinjtë.

    Ekonomitë e dy shteteve bazohen në një model që nuk gjeneron punësim me vlerë të lartë dhe nuk kanë mundur të integrohen në zinxhirët e industrisë si Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

    Prodhimi i Brendshëm Bruto në vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëri, Kosovë, Bosnjë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi ishte rreth 80,5 miliardë euro në vitin 2013, sipas të dhënave nga institucionet financiare ndërkombëtare FMN dhe BB.

    Shqipëria dhe Kosova së bashku e kishin PBB-në 19,2 miliardë euro në vitin 2013, vlerë kjo sa 23.8% e PBB-së së Rajonit. Sipas projeksioneve, PBB-ja e Rajonit pritet të arrijë në 135.3 miliardë euro më 2024, teksa ekonomitë tona të dyja së bashku pritet të arrijnë një vlerë prej 33 miliardë eurosh, shumë kjo sa 24% e PBB-së së pritshme të Rajonit.

    Përgjithësisht, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shënuar rënie të popullsisë që kur u shemb regjimi komunist në vitin 1990. Gjatë dekadës së fundit, popullata shqiptare e dy shteteve ka pësuar rënie të fortë për shkak të uljes së lindjeve dhe emigracionit të lartë, por këto fenomene kanë qenë më të dukshme në Shqipëri dhe në Kosovë, duke bërë që popullsia e dy vendeve të pësojë rënie me 15% dhe 12% secila ndërmjet 2011 dhe 2024.

    Shqipëria dhe Kosova gjithashtu janë të integruara më pak në zinxhirin e vlerës së tregut global, duke qenë se sektori i bujqësisë dominon dy ekonomitë dhe sektorët e industrisë ku ofrohen paga më të larta janë më pak të pranishme se në rajon.

    PBB, gara Shqipëria-Kosovë

    Kosova përjetoi në 1998 një nga luftërat më të përgjakshme në Europë pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa Shqipëria doli shumë e varfër nga rrëzimi i një prej regjimeve diktatoriale më të egra. Falimenti i firmave piramidale në vitin 1997 e vështirësoi edhe më tej situatën, pasi një shumicë e madhe familjesh humbën të gjithë kursimet e jetës në këto skema.

    Me liberalizimin e tregtisë, të ardhurat nga emigracioni dhe zhvillimi i industrive që kërkonin krah pune, PBB-ja e Shqipërisë shënoi në vitin 2023 mbi 2,3 trilionë lekë (22 miliardë euro). Ky rezultat është 70% më i lartë se në vitin 2013, kur PBB-ja e vendit ishte 1,3 trilionë lekë.

    Ekonomia e Kosovës në vitin 2023 arriti një vlerë të PBB-së 9,76 miliardë euro, me rritje 91% në krahasim me vitin 2013, kur përllogaritej 5 miliardë euro.

    PBB e përbashkët Shqipëri – Kosovë zë 33% të ekonomisë së rajonit. Serbia në vitin 2024 pritet të ketë një PBB prej 62 miliardë eurosh, që përbën 45% të PBB-së totale të Rajonit.

    Struktura e ekonomisë në vendet e Ballkanit Perëndimor dominohet nga në tre sektorë kryesorë, bujqësia, industria dhe shërbimet. Këta sektorë kanë ndryshuar gjatë viteve, pasi shumica e një pjese të vendeve kanë kaluar nga ekonomitë bujqësore në ekonomi më të orientuara nga shërbimet dhe industrisë.

    Vetëm në Shqipëri, struktura e ekonomisë dominohet nga bujqësia, e cila në vitin 2022 zuri 18% të PBB-së. Në Kosovë, bujqësia zë 7% të PBB-së, ndërsa në dy vende të tjera, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, bujqësia zë më pak se 7% të PBB-së dhe në Bosnjë është më pak se 5%.

    Në vendet e BE-së, bujqësia zuri më pak se 2.5% të PBB-së më 2022. Zhvillimet e sektorit të bujqësisë janë paradoksale për Shqipërinë, pasi është sektori më i madh në ekonomi, teksa nevojat e konsumit të vendit plotësohen nga importet. Importet bujqësore janë tre herë më të larta se eksportet dhe janë zgjeruar më tej këtë vit.

    Ekonomia e Shqipërisë dhe Kosovës ka varësi të lartë nga ndërtimi, i cili nuk sjell produktivitet në afat të gjatë.

    Gjatë vitit të kaluar, ndërtimi zuri rreth 11% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke e renditur Shqipërinë në vendin e parë në rajon për rëndësinë që ka në ekonomi. Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT pas Shqipërisë vjen Kosova, ku ndërtimi zë rreth 10% të PBB-së, ndërsa në vendet e tjera, sektori zë 5-7% të PBB.

    Ekonomia e Bosnjës ka ekspozimin më të ulët ndaj ndërtimit, me vetëm 5,7% të PBB-së, në Maqedoninë e Veriut ndërtimi zë 5.9% të ekonomisë, në Serbi 7% dhe në Kosovë, pak më shumë se 10%.

    Në Serbi dhe Bosnjë, industria është dega kryesore e ekonomisë që kontribuon më shumë se 23% në PBB-në e vendeve. Në Maqedoninë e Veriut, industria zë 19% të PBB-së, ndërsa në Shqipëri, më pak 14%.

    Edhe pse me peshë më të ulët, industria në Shqipëri është më pak produktive pasi mbështetet në njësi prodhimi të industrisë fasone të tekstil-këpucës, që punojnë me material porositësi, ndërsa në rajon, Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Bosnjë, dega e industrisë është e lidhur me zinxhirin e industrisë automative, e cila ka norma më të larta fitimi dhe prodhon paga më të larta për punonjësit.

    Normat e larta të emigrimit të të rinjve po e bëjnë vendin jo tërheqës për transferimin e njësive të prodhimit. Gjithsesi, me dimensionet e reja të gjeopolitikës globale, ku zinxhirët e prodhimit po transferohen sipas aleancave të reja globale, Shqipëria ka shanse të larta për të tërhequr investitorë me potencial.

    Me gjithë zhvillimet e pritshme, sektori i ndërtimit do të vijojë të ketë kontribut në rritje në ekonominë e Shqipërisë dhe Kosovës.

    Ekspertët e ekonomisë në të dy shtetet mendojnë se qeveritë nuk u kanë kushtuar vëmendje zhvillimeve ekonomike.

    Kosova është vendi me popullsinë më të re në Europë, ka pasuri nëntokësore, tokë pjellore dhe kapacitete për të rritur prodhimin e energjisë së pastër, por në krahun tjetër, mungojnë politikat dhe mbështetja e duhur politike dhe financiare për t’i zhvilluar më tej këto mundësi.

    Gjatë viteve të fundit, zhvillimet politike në vend kanë lënë në hije aspektin ekonomik, tha Mustafë Kadriaj, profesor i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës.

    Ndërsa eksperti i njohur, Selami Xhepa, thotë se qeveria shqiptare ka zhvilluar një model ekonomik bazuar në vlerën e ulët të punës, teksa përfitimet ekonomike nuk janë ndarë në mënyrë të drejtë përderisa Shqipëria ende ka 43% të popullsisë në rrezik të varfërisë.

    Në “luftë” të ftohtë

    Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës kanë lënë pas edhe bashkëpunimin formal. Nga viti 2008 deri më 2023, qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës kanë zhvilluar 15 mbledhje të përbashkëta, me qëllim thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe ndërmarrjen e reformave të përbashkëta. Mbledhja e fundit u bë në korrik të vitit 2023 në Shkodër dhe deri më tani, kur po mbyllet 2024, nuk është zhvilluar mbledhje tjetër.

    Zhvillimet në mbledhjen e fundit kishin të bënin me projektet e përbashkëta infrastrukturore, si rrugët dhe hekurudhat, për të lidhur më mirë dy vendet dhe për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve dhe mallrave, si dhe zhvillimin e turizmit dhe krijimin e mundësive për të promovuar më shumë bashkëpunimin në këtë sektor.

    Kryeministrat Rama dhe Kurti, jo vetëm që nuk po bashkëpunojnë, por shpesh shfaqen si konfliktualë, duke shmangur takimet dhe duke replikuar në distancë.

    Kjo marrëdhënie e ftohtë mes qeverisë ka injektuar një frymë në popullsinë e përgjithshme, kur gjithnjë e më shumë shqiptarët e Kosovës nuk preferojnë të pushojnë në Shqipëri. Numri i vizitorëve nga Kosova ra këtë vit, ndërsa volumi tregtar mbeti i njëjtë.

    Profesori Safet Gërxhalliu, i cili më parë ka drejtuar Odën Ekonomike të Kosovës, është shprehur se, ekonomistët dhe ekspertët e dy anëve të kufirit duhet të hidhen në veprim. Nuk ka më kohë për të humbur, pasi politika ka dështuar të bashkojë ekonominë.

    “Të mos merremi me arsyet pse ky bashkëpunim mungon, por të ulemi të gjejmë zgjidhjet, – propozon ai. Grupet e ekspertëve duhet të ulen dhe të hartojnë një program të përbashkët, ku në themel të jetë harmonizimi i taksave dhe tatimeve, njësimi i programeve arsimore, politikat e zhvillimit në shërbim të tregut të përbashkët dhe më pas qeveritë në të dy anët ta kenë në krye të axhendës”, thotë ai.

    Shqipëria ka nënshkruar me Kosovën marrëveshje bashkëpunimi më shumë se me çdo vend tjetër, por në realitet, një seri konfliktesh tregtare numërohen që kur Kosova shpalli pavarësinë, të cilat shpesh morën parametrat e një lufte tregtare. Shembulli tipik është viti 2013, kur një seri konfliktesh tregtare në të cilat u përfshinë edhe qeveritë ndikuan për keq tregtinë ndërmjet shteteve.

    Bllokimi i qumështit shqiptar në tregjet e Kosovës u pasua me bllokimin nga pala shqiptare të importit të mishit dhe të miellit nga Kosova. Konflikti me miellin u përsërit gjatë vitit 2016-2017. Në 10-vjeçarin e fundit, barra tarifore në tregtinë mes dy vendeve u rrit me tarifa e taksa indirekte.

    Kosova vuri në vitin 2014 një tarifë 40 euro për çdo natë qëndrimi të kamionëve nga Shqipëria, duke rritur në mënyrë të konsiderueshme kostot për eksportuesit shqiptarë. Ndërsa këto tarifa u baraspeshuan nga Shqipëria, e cila nga viti 2014 filloi zbatimin e tarifës së skanimit në dogana në 22 euro për çdo deklaratë doganore.

    Më vonë, gjatë vitit 2019, qeveria e Shqipërisë dha me koncesion mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit, ku automjetet e vogla që kalojnë në të paguajnë 5 euro me TVSH, autobusët 11 euro, kamionët e mesëm 16 euro dhe kamionët e rëndë 23 euro. Këto tarifa i rënduan më tej kostot për lëvizjen e njerëzve dhe mallrave ndërmjet dy vendeve.

    Propozimi

    Safet Gërxhalliu: Ekonomistët dhe ekspertët e dy anëve të kufirit duhet të hidhen në veprim. Nuk ka më kohë për të humbur, pasi politika ka dështuar të bashkojë ekonominë. Të mos merremi me arsyet pse ky bashkëpunim mungon, por të ulemi të gjejmë zgjidhjet.

    Grupet e ekspertëve duhet të ulen dhe të hartojnë një program të përbashkët, ku në themel të jetë harmonizimi i taksave dhe tatimeve, njësimi i programeve arsimore, politikat e zhvillimit në shërbim të tregut të përbashkët dhe më pas qeveritë në të dy anët ta kenë në krye të axhendës.

    Tregtia, përkeqësohet pozicioni i Shqipërisë

    Këtë vit, Shqipëria përkeqësoi pozicionin tregtar me Kosovën, pasi eksportet u ulën dhe importet u rritën gjatë 10-mujorit 2024.

    Në periudhën janar-tetor, volumi tregtar i Shqipërisë me Kosovën ishte 45 miliardë lekë. Kjo vlerë zuri 3% të tregtisë me jashtë të Shqipërisë (import + eksport), një pozicion i ngjashëm me vitin 2023.

    Gjatë 10 muajve të 2024, eksportet shqiptare në Kosovë shënuan 31 miliardë lekë, me rënie 9.2%, ndërsa importet nga Kosova u rritën me 29%. Rritja e importeve nga Kosova u dominua nga mallrat e kompanisë Devolli në Shqipëri me birrën “Peja”, prodhimet “Vita” dhe me tapicerinë e shtëpisë nëpërmjet “Comodita Home”.

    Importet nga Kosova arritën 13,4 miliardë lekë, rreth 130 milionë euro në 10-mujor, me rritje vjetore 29%.

    Eksportet shqiptare në Kosovë shënuan 31.7 miliardë lekë, me rënie vjetore mbi 9%. Tkurrjen më të madhe e pati hekuri me rreth 25% për shkak të rënies së prodhimit në kompaninë Kurum në Shqipëri. Eksporti i zarzavateve shënoi rënie me vlerë me rreth 22%, si rrjedhojë e rënies së çmimeve dhe rënies së euros, e cila i ka vënë në vështirësi eksportet e Shqipërisë këtë vit.

    Shqipëria ka suficit tregtar me Kosovën, por kjo pozitë shënoi rënie të dukshme këtë vit. Në 10-mujorin 2024, suficiti tregtar shënoi 18 miliardë lekë, me rënie 27% nga niveli 25 miliardë lekë që ishte vitin e kaluar.

    Tregtia me Kosovën është shumëfishuar në dekadën e fundit. Gjatë vitit 2023, volumi tregtar u 5-fishua në krahasim me vitin 2008, kur u shpall pavarësia. Shkëmbimi tregtar mes Shqipërisë dhe Kosovës nisi pas përfundimit të luftës në vitin 2000.

    Në rreth dy dekada tregti shihet se përfituesja më e madhe është Shqipëria, e cila eksporton më shumë se sa importon mallra në Kosovë. Në vitin 2023, vlera e mallrave që Shqipëria eksportoi në Kosovë ishte dy herë më e lartë se vlera e mallrave që importoi.

    Eksportet shqiptare në Kosovë dominohen kryesisht nga materialet e ndërtimit, lëkurët dhe prodhimet e tyre dhe ushqimet, ndërsa importet nga Kosova përfaqësohen kryesisht nga materialet e ndërtimit, të cilat zënë gati 50% të importeve, ushqimet dhe produktet kimike dhe plastike.

    Në vitin 2023, partnerët tanë kryesorë për eksportet ishin Italia (43%) duke u ulur me 10,2% krahasuar me vitin 2022, Kosova (9%) duke u rritur 8,3% krahasuar me vitin 2022 dhe Greqia (7%) duke u rritur 13,1%.

    Ndërsa partnerët kryesorë të Shqipërisë për importet më 2023 ishin Italia (22%) duke u ulur 5,9% krahasuar me vitin 2022, Kina (11%) duke u rritur 21,0% krahasuar me vitin 2022, Turqia (10%) duke u ulur 26,2% krahasuar me vitin 2022.

    Vizitorët nga Kosova braktisin Shqipërinë

    Marrëdhëniet Shqipëri – Kosovë në nivelin politik kanë njohur ulje-ngritje, por qytetarët e dy anëve janë lidhur fort sidomos nëpërmjet udhëtimeve, bashkëpunimeve kulturore, sportit dhe muzikës.

    Por suksesi turistik i Shqipërisë është zbehur gjatë sezonit të verës dhe fillimit të vjeshtës, të paktën nëse i referohemi atij që njihet si turizëm patriotik. Shifrat zyrtare konfirmojnë se në muajin gusht, rritja e shqiptarëve të Kosovës ishte thuajse inekzistente, ndërsa në shtator hyrjet shënuan rënie me 19.2% në raport me shtatorin e një viti më parë.

    Liberalizimi i vizave argumentohet të jetë një tjetër faktor që shtetasit e Kosovës kanë preferuar të eksplorojnë destinacione të reja në disa raste edhe nga Tirana, për shkak të linjave low cost.

    Por duket se nuk kemi të bëjmë vetëm me një zbehje të interesit të turizmit patriotik. Shifrat zyrtare tregojnë për një numër më të ulët të çekëve, një grup që vazhdimisht ka qenë me rritje dhe që ka pasur interes për turizmin e organizuar.

    Nisi si turizëm patriotik pas luftës së Kosovës në vitin 2000, por tani shtetasit nga ana tjetër e kombit zotërojnë kërkesën për turizëm në Shqipëri, duke zënë një të tretën e totalit të vizitorëve të huaj.

    Gjatë dekadës, numri i turistëve nga Kosova rritet me ritme dyshifrore, po gjatë këtij viti ato kanë shënuar rënie. Për shqiptarët për turizmin dimëror, destinacionet e Malit të zi dhe Maqedonisë së Veriut mbeten më të pëlqyera edhe pse Boga, Sharri dhe Brezovica janë po aq të bukura.

    Turistët nga Kosova janë bërë furnitori kryesor i të ardhurave në sektorin shqiptar të shërbimeve. Strukturat akomoduese në zonën e Durrësit, Shëngjinit dhe Velipojës fillimisht janë ngritur për t’iu përgjigjur kërkesës për turizëm nga Kosova.

    Vit pas viti, kjo kërkesë ka qenë e qëndrueshme dhe në rritje, duke u shndërruar në një burim të sigurte të ardhurash për ekonominë tonë. Gjatë vitit pandemik 2020 ku lëvizjet u bllokuan për shkak të koronavirusit, shqiptarët nga Kosova mbajtën gjallë turizmin në Shqipëri dhe parandaluan në thellimin e humbjeve në sektor.

    Me hapjen e Rrugës së Kombit në vitin 2009-2010, numri i udhëtarëve që hynë në Shqipëri u rrit ndjeshëm. Tani shtetasit nga Kosova, përveç pushimeve të verës, nisën të vizitojnë Shqipërisë masivisht edhe për fundjava, duke u bërë burimi kryesor i të ardhurave edhe për disa qytete jobregdetare si Gjirokastra, Berati dhe Korça, etj.

    Të dhënat zyrtare për hyrjen e turistëve nga Kosova datojnë pas vitit 2016, por të dhënat më të hershme për hyrjen e turistëve në rrugë tokësore tregojnë se pas përfundimit të Rrugës së Kombit, fluksi i tyre u rrit shpejt.

    Nacionalizmi ekonomik dhe përparësitë e bashkëpunimit

    Përtej deklaratave për bashkëpunim dhe vullnet të mirë, në themel shqiptarëve në të dy anët e kufirit u mungon nacionalizimi ekonomik. Kjo shihet qartë te mungesa e besimit që konsumatorët e dy shteteve kanë te mallrat e njëri-tjetrit.

    Jo vetëm që nuk ka besim por në shumë raste, ka edhe diskriminim. Profesor Safet Gërxhalliu ka vënë re se në Shqipëri, për të njëjtin produkt, preferohen më shumë kompanitë italianë dhe greke se sa ato nga Kosova.

    Ndërsa Përparim Tushaj, nga ConsultingALB, thotë se kompanitë e Kosovës nuk kanë mundur të çajnë në tregun e Shqipërisë dhe shpeshherë janë detyruar të bashkëpunojnë ose të bëjnë ortakëri me bizneset atje për të shitur produktet e tyre.

    Ndërsa ndryshe ndodh me mallrat shqiptare në Kosovë. Nafta e prodhuar në Shqipëri shitet masivisht në Kosovë dhe gjithashtu kompanitë shqiptare janë të pranishme në sektorët e financave dhe ndërtimit.

    Në kontekstin fiskal, Shqipëria ka barrë më të lartë fiskale se Kosova. Shqipëria ka TVSH 20% ndërsa Kosova ka sistemin dy nivelesh 18 dhe 10%. Tatimi mbi fitimin për bizneset me xhiro vjetore mbi 50 mijë euro në Kosovë është 10%, ndërsa në Shqipëri, bizneset e mëdha tatohen me 15%.

    Kosova ka një sistem më të butë progresiv për pagat se Shqipëria sidomos për nivelet më të larta dhe ka shumë më të ulëta se Shqipëria taksat e punës. Përpos shumë ngjashmërive në strukturën ekonomike, mentaliteti është i njëjtë në të dy anët e kufirit dhe këto elemente janë të mjaftueshme për të krijuar një treg të përbashkët unik.

    Kosova ka një sipërfaqe 11 mijë kilometër katror dhe popullsi prej 1,6 milionë banorësh, Shqipëria ka një sipërfaqe prej 28 mijë kilometër katror dhe popullsi prej 2.4 milionë banorësh.

    Nëse do të unifikoheshin rregullat e tregtisë dhe taksat, si dhe politikat ekonomike tregu i përbashkët do të kishte rreth 4 milionë konsumatorë, në një territor prej 39 mijë kilometrash katror. Në këtë mënyrë, shqiptarët do të krijon bashkësinë më të madhe në Rajon pas Serbisë.

    Duke pasur ende forcën e punës në kulmin e produktivitetit, Kosova dhe Shqipëria në një treg unik do të ishin një ofertë joshëse për kompanitë e huaja se në aspektin e tregtar, ashtu dhe në prodhim e manifakturë.

    Kjo dëshirë e hershme e bizneseve për një treg unik në fakt nuk është bërë pjesë e agjendave të përbashkëta të qeverive, edhe pse spektakli në këtë drejtim nuk ka munguar.

    Por tani kur bota është përfshirë në pasiguri nga luftërat, shtete të vogla të tilla si Shqipëria dhe Kosova, do të duhen të bashkohen në tregje më shumë si nevojë emergjente për mbijetesë se sa për dëshirë patriotike.

    Sfida

    Tani kur bota është përfshirë në pasiguri nga luftërat, shtete të vogla të tilla si Shqipëria dhe Kosova, do të duhen të bashkohen në tregje më shumë si nevojë emergjente për mbijetesë se sa për dëshirë patriotike. /Monitor

  • Orët e fundit të Erion Veliajt

    Orët e fundit të Erion Veliajt

    Ç’ndodhi duke pritur avionin Wiz Air të linjës Hamburg-Tiranë

    Atëhere kur të gjithë e prisnin në Tiranë, pasi një skuadër e OPGJ-ve i kishte kontrolluar banesën e vet, atë të vëllait dhe zyrën e bashkëshortes, Ajola Xoxa, një pasagjer i zakonshëm e fotografoi Erion Veliajn në sediljen e avionit Wiz Air të linjës Hamburg-Tiranë. Njeriu që qëndronte gjysëm i maskuar nën një kasketë të zezë dhe me trupin të fshehur pas një xhupi të stërmadh skiatorësh dukej që i druhej vështrimit të të tjerëve. Ai kishte qenë gjatë gjithë ditës epiqendra e titujve kryesorë të atyre mediave, pjesën më të madhe të të cilave i kontrollon me dorë të hekurt dhe kosto të larta prej një dekade.

    Lajmi i avancimit të hetimit pasuror ndaj kryebashkiakut të përfshirë në skandalin e inceneratorit të Tiranës dhe atij të vjedhjes së fondeve publike nga vartësit e tij të 5D, nuk ishte një ogur i mirë. Aq më tepër këto kontrolle dhe sekuestrimi i celularit të së shoqes e vinin atë në pozicion të vështirë. Ishin momente që Veliaj do dëshironte të qe i padukshëm. Si i tillë u soll dhe kur zbriti rreth orës 18:50 në Rinas, ku një makinë e priti në dalje të sallonit VIP, për t’iu shmangur kamerave dhe reporterëve të panumërt që e prisnin për një deklaratë. Lapsi.al ishte aty me të tjerët, por nuk mundi ta kontaktojë. Mes gazetarëve qarkullonin “burime të pakonfirmuara nga SPAK”, që thoshin se prokurorët i kanë kërkuar tashmë gjykatës “masën arrest shtëpie”, ç’ka do të sillte, në ditët e ardhshme, një shkarkim të pashmangshëm nga kryeministri. Të tjerë, kujtonin se cilido që i është nënshtruar një hetimi pasuror nuk ka përfunduar mirë. Prandaj komenti i kryebashkiakut pritej si ujët e pakët, në ato orë të mbrëmjes të së premtes, që nuk ka rezultuar të jetë një ditë me fat për ata që kanë pasur punë me prokurorët specialë.

    Vetëm rreth  20:30-ës, pasi i shoqëruar nga një skuadër badigardësh Erion Veliaj ndaloi në apartamentin e katit të katërt, te Kodra e Diellit 1, ku gjatë paradites pati zbarkuar BKH-ja, ai bëri një reagim evaziv në rrejtin “X”. Përpos llafollogjisë së përhershme kundër gazetarëve, ai pranoi për herë të parë se gjendej nën hetim pasuror duke shtuar se ai dhe familjarët e vet do jenë të hapur ndaj çdo vendimi të drejtësisë: “Duke marrë shkas nga zhvillimet e ditës së sotme, hapat procedurale të kryera nga prokuroria e posaçme në lidhje me hetimin pasuror që po kryhet ndaj meje dhe familjarëve të mi, jo vetëm janë të mirëpritura, por edhe i mbështes në çdo hap” shtoi ai.

    Më parë lidhur me këto “hapa të mirëprituar”, SPAK kishte bërë një reagim të kursyer. “Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar informon se janë ndërmarrë disa veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal,” u tha, pa pretenduar se mund të jepeshin më shumë detaje.

    Ato që rodhën përmes mediave tregonin goxha më tepër. Pasi zonja Xoxa nuk i kishte hapur derën për një kohë të gjatë, derisa në shtëpi të mbërrinin biznesmenë të afërt me Erionin, hetuesit e BKH kishin kontrolluar për dy orë apartamentin. Më pas ata ishin zhvendosur për në Sky Tower atje ku gjenden zyrat e shoqatës Harabeli të Ajolës. Aty gërmuan përreth shtatë tetë orë dhe u larguën vetëm në mbrëmje.

    Por, këto akte ekstreme nuk janë të veçuara. Ato shihen si vijim i një kalvari të gjatë që filloi fiks një vit më parë, kur krahu i djathtë i kryebashkiakur, Taulant Tusha përfundoi në pranga. Në mars të këtij viti erdhën disa goditje të tjera. Marenglen Qato dhe Redi Molla, patën të njëjtin fat pas zbulimit të skandalit 5D, ku drejtorët e bashkisë dergonin fondet publike drejtpërdrejt në kompaninë e tyre private. Në prill, ndonëse bëri lodra çilimijsh me “kolegë” dhe u detyrua të mbillte pemë para SPAK-ut, Veliaj u detyrua të parakalonte për herë të parë publikisht para derës së prokurorisë. Ndërkohë, si kurrë ndonjëherë më parë, mediat u mbushën me lajmet e dosjes së SPAK për mënyrën se si kalonin fondet e bashkisë në ndërtimin e hoteleve private ku një punonjëse e përgjuar pohonte se Veliaj ishte pronar. Kryebashkiakut filluan t’i shmangeshin disa nga figurat publike që deri në atë moment ishin në garë për t’u shfaqur pranë tij. Një goditje edhe më e rëndë erdhi në shtator kur në asamblenë e PS-së Edi Rama i hoqi monopolin e drejtimit të qarkut të Tiranës. Kryeqyteti tani do ndahej ne tresh mes atij, Elisa Spiropalit dhe Ogerta Manastirliut. Por ky nuk qe kamzhiku i fundit. Pak javë më pas, si përforcim u shtua edhe Blendi Gonxhe, që përflitet në selinë mavi si zëvendësuesi i menjëhershëm i Lalit, nëse ai shkarkohet në mënyrë të parakohshme nga detyra.

    Pra, në një vit rënia e Veliajt ka qenë e pandalshme dhe shpresa e armiqve të tij të shumtë, se do ta heqin qafe, më e madhe se kurrë më parë. Por jo të tëra shenjat kane qenë të tilla. Të gjithë ata që shpesh gjatë këtyre muajve kanë ngritur pyetjen, nëse Rama do ta shesë apo jo delfinin e tij kanë marrë sinjale kontradiktore. Sapo plasi skandali 5D kryeministri i doli në krah kryebashkiakut. Kur ky i fundit përdori alibinë se edhe atij mund t’i kenë ngrënë kumbulla dhe dardha pas shpine njësoj si shefit, Rama bëri një deklaratë ku pohonte se bashkohej me pikë e presje me versionin e Veliajt. Megjithatë, për të ruajtur ambiguitetin, kur u pyet në Report TV për Veliajn, disa ditë më vonë, kryeministri lëshoi mesazhe diametralisht të kundërta: “SPAK t’i nxjerrë ujin e zi korrupsionit dhe ku ka arsye, ku ka prova për këdo qoftë” këmbënguli ai.

    Ky dyzim është lehtësisht i shpjegueshëm. Nga njëra anë Rama është i ndërgjegjshëm se provat e korrupsionit të Veliajt janë evidente, ato kanë dalë sheshit me dëshmi dhe dokumenta dhe ai e di se duke e mbrojtur merr kosto edhe për vete. Ama, nga ana tjetër ai kupton gjithashtu se si kryebashkiak, Lali ka grumbulluar një pushtet financiar dhe një makineri elektorale që do t’i hynte në punë në 11 majin e ardhshëm. Prandaj kalamendet mes dy vendimarrjeve.

    Ky hezitim politik nuk ka ngelur pa infektuar as drejtësinë. Vërtet SPAK duket se ka nisur një hetim pasuror, nga i cili deri më tani nuk ka shpëtuar askush (Ahmetaj, Beqja, Meta, Berisha). Por ndryshe nga të tjerët prokurorët janë treguar shumë më të mëshirshëm me Erionin. Ndërsa për ata që ishin larguar nga pushteti, prej më shumë se një dekade, kanë kërkuar burg me justifikimin se mund të prishnin provat, për kryebashkiakun nuk kanë guxuar as masën e pezullimit nga detyra. Ndërsa ish zv/ kryeministrit i bënë kontroll të menjëhershëm banese dhe ia rrodhën të gjitha gjetjet në publik, për Veliajn u vonuan një vit dhe u treguan hermetikë. Disa me të drejtë ngrenë pyetjen: çfarë vlere ka sekuestrimi i celularit të Ajola Xoxës pas 12 muajsh, kur ajo e mori vesh se ky aparat i mallkuar i hëngri kokën, psh. Monika Kryemadhit? 

    Mes këtyre dritëhijesh, dilema se ç’do të ndodhë me fatin personal të Veliajt vazhdon. A do të shkojë ai drejt burgut? Apo vetëm detyrim paraqitje apo arrest shtëpie? A do të ndodhin këto tani shpejt, apo pas zgjedhjeve të përgjithshme?

    Por nëse për qytetarin Erion ka mëdyshje, politikani Veliaj e ka prerë biletën. Ato që thuheshin për të një vit më parë janë shuar. Askush sot nuk e sheh më as si pasardhësin e Ramës dhe madje as me një vijimësi normale të karrierës. Për të gjithë duket sikur e ardhmja e tij në PS është djegur. Sforcimi për të korruptuar aktorët që rezistuan tek teatri, për të mposhtur protestën e bonorëve që iu prishën shtëpitë tek unaza, apo 5 maji, sukseset elektorale në Tiranë, të gjitha janë shumëzuar me zero. Sot për të askush nuk pyet më se çdo të jetë nesër, por se ç’fat e pret tani shpejt.

    Disa vënë bast se do të shpëtojë. Të tjerë e shohin se po bëhet gati për burg. Fiks ashtu siç ishte veshur në avionin e linjës Hamburg Tiranë, kur kishte turp të përballej me sytë kureshtarë të pasagjerëve.