Year: 2025

  • 25 dribluesit më të mirë në historinë e futbollit: klasifikimi

    25 dribluesit më të mirë në historinë e futbollit: klasifikimi

    Arti i driblimit është thellësisht i ndërthurur me futbollin dhe shpesh do do të thotë që të bësh më të mirën ndaj kundërshtarëve. Dribluesit ekspertë janë të paçmuar për skuadrat e tyre, ndaj, le t’i hedhim një vështrim disa nga më të mirëve që kemi parë dhe që historia e futbollit na tregon.

    Bergkamp zbarkoi te Arsenal dhe u bë menjëherë një sensacion në Premier League. “I vinte në gjumë mbrojtësit nëpërmjet një ndjenje të rreme sigurie dhe më pas nxirrte një truk magjik nga kapelja e tij,” shkruan Bleacher Report.

    Mesfushori argjentinas është shquar si një nga lojtarët më elegantë dhe efikasë në rolin e tij. E farkëtoi reputacionin gjatë kohës në Real Madrid dhe te Milan, duke fituar UEFA Champions League në tre raste.

    Përpara se në Barcelonë t’ia behte Lionel Messi, ishte László Kubala ai që konsiderohej shpesh si lojtari më i mirë i klubit katalanas. Sulmuesi hungarez ishte një ikonë e Barcelonës dhe këtë e vërtetojnë edhe statistikat. Ka shënuar 288 gola në 361 ndeshje, sipas faqes zyrtare të FC Barcelona.

    Eden Hazard i Chelsea ka qenë pa dyshim një nga dribluesit më të mirë të futbollit modern. Me një shkallë suksesi mahnitëse prej 63.1%, sipas Opta Analytics, anësori belg ka qenë i pandalshëm në krah.

    I konsideruar një nga lojtarët më të mëdhenj skocezë të të gjitha kohërave, Grey bëri emër te Leeds United. I mbiquajtur ‘Valseri i fundit’, sulmuesi skocez ishte një driblues i mahnitshëm. “Kur ai luan në dëborë, nuk lë gjurmë”, ka thënë për të Don Revie (ish-trajneri i Leeds).

    Një nga futbollistët irlandezë më të mëdhenj në histori, sulmuesi i Celtic konsiderohej një nga dribluesit më të mirë të kohës së tij. “Në 20 metra larg portës, Patsy Gallacher ishte sulmuesi më i rrezikshëm që kam parë ndonjëherë”, kujton legjenda e Rangers, Alan Morton.

    Meazza konsiderohet si një shtyllë e futbollit italian për nga ndikimi që ka pasur në lojë. Interi i ka dhënë emrin e tij stadiumit pasi kaloi 13 sezone me ta (duke debutuar më 1927).

    Overmars ka qenë një nga dribluesit më vdekjeprurës të ’90. I fortë, i shpejtë dhe i shkathët, ishte një kërcënim i vazhdueshëm për mbrojtësit. Ish lojtari i Barcelonës ka shënuar 21 gola në 172 ndeshje, sipas faqes zyrtare të klubit.

    Shpërthimi i Franck Ribéry nga krahu ishte i tmerrshëm për mbrojtësit, të cilët përpiqeshin të gjenin çdo lloj mënyre për ta ndaluar francezin. Sipas Opta Analytics, gjatë sezonit 2021-2023, Ribery ka regjistruar një normë suksesi në driblim prej 47.8%.

    Një tjetër sulmues “magjik” brazilian që ka patur një ndikim të madh në futbollin evropian ishte Romario. Sipas vetë futbollistit, ka shënuar rreth 1047 gola, por të dhënat zyrtare e mbajnë në 690. Pëlqen apo jo, ai ka qenë padyshim një nga më të mirët.

    Figo ishte pjesë e gjeneratës së artë portugeze (asaj që nuk arriti dot ta fitonte një titull) dhe konsiderohej një lojtar jashtëzakonisht inteligjent në fushë. Vizioni dhe aftësitë e tij të shkëlqyera në driblim e bënë një sulmues shumë efektiv.

    Ikoniku sulmues anglez nga Hanley ishte një tjetër forcë për t’u konsideruar në fushë. E kundërta e George Best, ka qenë një futbollist vërtet i disiplinuar gjatë gjithë karrierës së tij. I mbiquajtur “magjistari i driblimit”, ka qenë një model i rëndësishëm për brezat e ardhshëm.

    Sulmuesi italo-argjentinas është konsideruar si një nga dribluesit më të mirë gjatë karrierës së tij (1954-1969), duke fituar një reputacion të jashtëzakonshëm në të gjithë Evropën. Gjatë tetë sezoneve të tij në Juventus, shënoi 134 gola në 215 ndeshje dhe fitoi tre Scudetto, sipas Transfermarkt.

    Sulmuesi brazilian konsiderohej një yll i La Ligës gjatë kohës së tij te Barcelona ​​dhe me të drejtë! Neymar kompletonte repartin vdekjeprurës sulmues të klubit katalan, bashkë me Suarez dhe Messi. Gjatë kohës së tij në La Liga, ka regjistruar 5.75 driblime të kompletuara për ndeshje, sipas StatMuse.

    Cristiano Ronaldo është një tjetër emër i madh në listë. Sulmuesi portugez ka plazmuar një gjeneratë futbollistësh gjatë rivalitetit të tij epik me Messin. Edhe pse Messi ishte një driblues më i zotë, Ronaldo sidoqoftë ishte në luftë të vazhdueshme me argjentinasin. Sipas StatMuse, Ronaldo ka regjistruar 2.21 driblime të suksesshme për çdo 90 minuta.

    Jairzinho ka qenë një tjetër sulmues i suksesshëm brazilian përgjatë viteve ’70, duke shënuar në çdo ndeshje të Kupës së Botës më 1970. Kishte këmbë që lëviznin aq shpejt saqë mbrojtësit pyesnin gjithmonë se ku ishte topi.

    Për shumë, Pelé ka qenë më shumë se një futbollist, ishte një ikonë. I mbiquajtur ‘O Rei’ (Mbreti), sulmuesi brazilian ishte i njohur për aftësitë e tij të shkëlqyera në finalizim dhe driblim. Sipas FIFA-s, ai është “lojtari më i mirë në historinë e futbollit”.

    ‘Zizou’ ka qenë një tjetër lojtar i madh, që ka fituar gjithçka gjatë karrierës së tij. Ishte një mesfushor jashtëzakonisht i talentuar, që i superonte kundërshtarët me driblime të klasit botëror. Shumëkush do ta mbajë mend firmën e tij ‘Zidane roulette’.

    Një tjetër legjendë braziliane për të cilën disa thonë se ishte edhe më i mirë se vetë Pelé: Garrincha, i njohur për aftësitë e tij të shkëlqyera të driblimit, të plotësuara tunele, finte dhe kthesa të forta. Ishte thjesht i paparashikueshëm, pavarësisht se vuante nga një sërë problemesh, si këmbën e djathtë të përkulur dhe këmbën e majtë më të shkurtër.

    Legjenda e Barcelonës ishte një gjeni në fushë dhe i çmendte mbrojtësit. Ai është një nga lojtarët e paktë në këtë listë me një driblim të quajtur me emrin e tij: ‘Cruyff turn’.

    George Best ka qenë një rockstar i vërtetë në fushën e futbollit dhe një anësor jashtëzakonisht i talentuar që i tërbonte kundërshtarët me driblimet e tij. I lindur në Irlandën e Veriut, e kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij te Manchester United dhe, deri më sot, konsiderohet si një nga lojtarët më të talentuar që ka luajtur ndonjëherë në atë pozicion.

    Top i Artë 1968 – Më 1968 fitoi Topin e Artë, duke fituar edhe një Kupë Kampionesh dhe dy kampionate.

    Ronaldo ka qenë një tjetër lojtar brazilian me famë botërore, i cili, sipas shumëve, ka qenë në të vërtetë më i miri në artin e tij. Përpara dëmtimit në gju, sulmuesi brazilian ishte i pandalshëm. “Ronaldo ishte heroi im”, ka thënë Messi gjatë viteve të tij të para në Barcelonë, duke theksuar ndikimin e tij.

    Fenomeni – ‘O phenômeno’ kishte një aftësi të jashtëzakonshme në driblimin e kundërshtarëve dhe për t’u pozicionuar për një goditje premtuese. Gjatë kohës së tij te Inter, ka shënuar 59 gola në 99 ndeshje, sipas Transfermarkt.

    Çfarë mund të thuhet për të madhin Lionel Messi? Konsiderohet nga shumë si ‘GOAT’ për shkak të rekordeve të tij mbresëlënëse në karrierë dhe aftësisë unike me top.

    Driblues i paparë – Sipas Opta Analytics, Messi (2021-2023) ka regjistruar një përqindje driblimesh të suksesshme prej 58.4%, duke arritur në mesatarisht 7 driblime për ndeshje.

    Një tjetër gjeni i kohës së tij ka qenë padyshim Diego Armando Maradona. Ishte një lojtar jashtëzakonisht i talentuar I cili, për fat të keq, ishte gjithmonë në qendër të stuhisë. Sidoqoftë, aftësia e tij e jashtëzakonshme me topin e bënte një makth të vazhdueshëm për mbrojtjen.

    Kupa e Botës 1986 – E udhëhoqi Argjentinën dhe Napolin drejt suksesit, duke fituar Kupën e Botës më 1986 dhe Scudetton e parë të Napolit më 1987.

    Nëse pyesni ndonjë tifoz futbolli, në mbarë botën, se çfarë mendon për “Dinhon”, pjesa më e madhe do ta njohin atë si dribluesin më të madh të të gjitha kohëve. Stili i tij unik dhe aftësia e jashtëzakonshme në fushë e kanë ngritur atë si një lojtar fantastik mes legjendave.

    Këmbë magjike – Këmbët e tij magjike do të thyenin çdo mbrojtje kundërshtare, duke e bërë të paparashikueshëm me topin. Gjatë sezonit të tij 2005 me Barcelonën, regjistroi numrin më të madh të driblimeve të kompletuara me një përqindje suksesi prej 61% (87/134), sipas Opta Analytics. Zinédine Zidane e kujton kundërshtarin e tij si “klas total – një lojtar shumë i madh”.

    Materiali u përgatit për gazetatjeter.ner nga Dardan MITROVICA

  • Nga Enver BYTYÇI – Pse Edi Rama çdo vendim e merr në errësirë?!

    Nga Enver BYTYÇI – Pse Edi Rama çdo vendim e merr në errësirë?!

    Sa herë zgjohemi dhe ende pa hapur sytë hapim televizorin, dëgjojmë vendimmarrjet e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Dhe në të gjitha rastet vemë re se vendimet e tij nuk janë kolegjiale, por personale. Në përmbajtjen e vendimmarrjes së strukturave të shtetit shqiptar të gjitha vendimet merren me imponimin e Edi Ramës. Edhe ato të gjyqësorit, kur interesi i tij është aty.

    Në kohën e diktaturës kishte rate kur Biroja udhëzonte diskutime në struktura ose në masë për të shkuar te një vendimmarrje. Të tilla tentativa u bënë nga qeveria e Edi Ramës vetëm në dy raste, atë të Open Balkan dhe të legalizimit të kanabis-sativa. Të dyja në errësirë, formalisht, pa asnjë lloj transparence, me kryekontrollor kryeministrin. Ndërsa për Tik-Tokun errësira ishte katran! Akoma më katran se katrani janë vendimmarrjet për investitorët strategjikë. Së fundmi u shpall si i tillë dhëndëri i presidnetit Trump, Kushner. Vendimmarrja është shpallur para shumë muajsh. Askush nuk e di se si u arrit në këtë vendimmarrje. Kush u konsultua? Cilat struktura bënë ndonjë hulumtim ose studim për interesin dhe dobinë e këtij investimi për shqiptarët. Gjithçka duket investim politik për pushtetin e Edi Ramës! Ndaj dhe vendimmarrja edhe në këtë rast ishte në errësirë të plotë.

    Duket qartë se Edi Rama i merr vendimet në mënyrë autoritare, pa konsulta, pa pyetur, thjesht duke dhënë urdhra. Ky fakt është i njohur. Nuk është pra diçka e re. Por ajo që e bën absurd situatën në këtë vend ka të bëjë me faktin se kryeministri i Shqipërisë nuk mban asnjë përgjegjësi për vendimet që vetë i merr. Parimi i tij është “çfarë u duhet qytetarëve se cfarë bëj unë?! Ata më kanë dhënë mandatin dhe unë bëj me këtë mandat atë që dua”! Ky lloj konceptimi i votës së qytetarëve është themeli i strukturimit të diktaturave.

    Vendimet e Edi Ramës jo vetëm merren në errësirë, por ato nuk lejohet as të vlerësohen e gjykohen nga taksapaguesit shqiptarë. Ndonëse është ai që emëron ministra e zevendësit e tij, asnjëherë nuk mbajti përgjegjësi juridike, morale apo politike për vendimmarrjen e tij, kur këta ministra u kapën “duke ngrënë dardha pas shpinës së tij”! Ndonëse pa asnjë konsultim dhe pa marrë as edhe ndonjë info prej institucioneve të zbatimit të ligjeve i dha statusin e investitorit strategjik Pëllumb Gjokës, sërishmi tha se “Përgjegjësia është individuale”!  Vetë e promovon, vetë e favorizon, vetë e legjitimon si strategjik, vetë e inkurajon të grabisë qindramijë metra katror tokë në bregdet, vetë e mbron edhe kur strategjiku bën vrasësin dhe në fund thotë se “Unë nuk e dija, përgjegjësia është personale”!

    Por kur vendimmarrja është personale, siç ndodh me marrjen e çdo vendimi nga ana e Edi Ramës, atëherë vërtet përgjegjësia është personale, por e vetë kryeministrit të Shqipërisë. Edi Ramës nuk ia imponon askush vendimet që merr. Është ai imponuesi më i madh në historinë post diktatoriale në këtë vend. E megjithatë, ai në stilin e diktatorit Hoxha, akuzën e ndërton sipas stratagemës se “Uji kullon i pastër në krye, por turbullohet rrugës”! Kur Enver Hoxha i dënonte të ashtuquajturat grupe armiqësore, thoshte se “gjithçka është bërë pa dijeninë e udhëheqjes (udhëheqësit) dhe në tentativë për ta eliminuar atë”! Identike është filozofia e sotme e Edi Ramës. Nuk ka rast që nuk e justifikon si përgjegjësi të tjerëve.

    Ndonëse të gjitha vendimet merren prej tij. Ndonëse nuk ka asnjë lloj transparence në marrjen e këtyre vendimeve dhe bërjen e ligjeve, Edi Rama sërishmi hiqet si “engjëll”, ai që “nuk di asgjë’”, “është njëkohësisht i larë në katran dhe i pastër, pa ngjyrë”. Kjo situatë në një demokraci është turpi i kësaj demokracie. Është gjithashtu edhe turpi i të gjithë atyre njerëzve demokratë e të ndershëm brenda dhe jashtë vendit tonë, të cilët nuk duan ta shohin atë.

  • Nga Alfred LELA – Rama në monologun e viktimës, heroit dhe të inkriminuarit

    Nga Alfred LELA – Rama në monologun e viktimës, heroit dhe të inkriminuarit

    Edi Rama, në monologun e gjatë të një të diele, kur njerëzit i lë pushim edhe Zoti, nuk ka pushuar mbi gjysmë ore duke folur për persekutim imagjinar politik nga kundërshtari. Ky i fundit ka emrin e përhershëm, shkrumbuar prej 15 vitesh në sloganin që qet tym, por barutin e ka të lagur dhe, as nuk vret e as nuk bind, “fajin e ka Saliu”.

    Një kryeministër në pushtet q’prej vitit 1998, pra plot 27 vite, që ankohet për rivalin e votuar jashtë pushtetit, para 12 vitesh, dhe që ka 10 vite më pak se ai në pushtet, është një rast haluçinance që meriton studime të posaçme të shkencës politike, por edhe Psikologjisë.

    Duke bërë pikërisht atë që ia mvesh si faj kundërshtarit, përdorimin e familjes së tij biologjike, Rama thirri dje ngjarje të vjetëruara, në një apel të pakërkuar dhe të çuditshëm për një publik që, në masën më të madhe i ka harruar batërditë në fjalë.

    Shndërrimi i vetes në hero të viktimizuar ndoshta mund të kuptohet më mirë duke risjellë një përkufizim psikologjik që quhet triada e errët (dark triads) që, sipas Britannica, karakterizohet si  kombinim i tri trajtave negative të karakterit: makiavelizmi, narcisizmi nënklinik dhe psikopatia-me tipare të caktuara si ftohtësia, agresiviteti dhe dupliciteti.

    Pra, Rama në monologun e gjatë të hero-viktimës, paraqitej si prijësi i ftohë dhe përllogaritës i Makievaleit, narcizi që sheh veten e bukur në pellgun e parafytyrimit popullor për të, dhe duplicisti që shpreh mendime të dyfishta kontradiktore.

    I kësaj të fundit është rasti kur përgjigjet për akuzat se bashkëpunon me krimin duke sqaruar se është ai që i zgjedh bashkëpunëtorët, jo e kundërta. Duke thënë se ai ka fuqinë për të zgjedhur, sepse është numri 1, ai kundërshton veten në pretendimin tjetër, atë të ‘shkëputjes’, prej bashkëpunëtorëve politikë. Jo se nuk e ka fuqinë e përzgjedhjes edhe në këtë rast, por se ai pranon se ka bërë kaq shumë zgjedhje të këqija, por zgjedhjet nuk kanë lidhje me të.

    Rama gënjen kur thotë se bashkëpunëtorët e zgjedhur për në Kuvend, qeveri apo bashki të vendit janë larguar nga politika nga dekriminalizimi, i cili paskërka patur edhe mbështetjen e tij. Aspak ashtu, sepse Rama i ka mbrojtur deri në fund të gjithë bashkëpunëtorët me probleme me dekrimin, dhe i ka lëshuar kur e ka kuptuar se ishte e pamundur t’i mbante. E ka bërë këtë me Dakon, Roshin, Kajmakun e gjithë të tjerët.

    Një sjellje pjesërisht të kundërt ka dëshmuar në mandatin aktual, kur ka lëshuar pa shumë vonesa disa prej bashkëpunëtorëve, por vetëm pasi i ka shkarkuar nga detyra dhe i janë dashur si ‘koka turku’, por edhe si pakt me SPAK, sipas parimit të jap disa ‘dëshmorë’, por të tregoj vijën e kuqe të pakalueshme.

    Mënyra që Rama zgjedh për të përligjur raportin me krimin është posaçërisht interesant. Duke thënë se ka fuqinë të zgjedhë bashkëpunëtorët (pra edhe në rastin e paktit me krimin) ai inkriminon veten. Jo prej arrogancës që dëshmon fjalia, por për faktin se në dosjet e shërbimeve të huaja, ka dëshmi indirekte dhe direkte të këtij bashkëpunimi. Rasti i deputetit Çyrbja të Durrësit, ku Rama është prijësi, është flagrant. Bisedat e zbardhura mes narcos të Durrësit që përcaktojnë Çyrbjen si të tretin në listë, janë në vetvete loja për territor dhe pushtet të bandave të të qytetit për dominimin e portit, narkotrafikut dhe rrjeteve ekonomike të zonës. Një prej mënyrave se si shfaqet kjo fuqi është lidhja me Kryeministrin, dhe shembulli më ilustrues i kësaj është ndikimi tek ai për kandidatët në listën e PS në Durrës. Çyrbja, i nisur për i pesti a i gjashti në listë, do të ishte sërish deputet, por banda që e mbështeste, duke e zhvendosur lart, në vendin e tretë, u dëshmonte rivalëve ndikimin te Kryeministri. Nëse kjo nuk thuhet drejtpërdrejt, a dyshohet se emrat dhe pozicionet në listë i vendos miratimi dhe firma ekskluzive e Edi Ramës?! Atij që ka fuqinë ‘të zgjedhë bashkëpunëtorët’ dhe jo “të zgjidhet prej tyre”.

  • Nga Kim MEHMETI – Kurtin e forcojnë kritikët e tij të çartur!

    Nga Kim MEHMETI – Kurtin e forcojnë kritikët e tij të çartur!

    Gjatë fushatës parazgjedhore në Kosovë thuajse të gjithë pyesin pse drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje nuk marrin pjesë nëpër debate televizive? Përgjigjja është shumë e thjeshtë: sepse e kanë kuptuar se ata më së shumti i forcon kritika çmendurake ndaj tyre dhe se më së miri përfaqësohen nga kritikët e tyre, të cilët kur i dëgjon, të duket se flasin me gojën e Radojçiit.

    Andaj se VV është e partia më e fortë në Kosovë dhe se ajo do i fitojë edhe këto zgjedhje parlamentare, më së miri dëshmojnë kundërshtarët e saj që nuk mund të përmbahen e sillen si të çartur. Dhe të cilët as që mund ta fshehin se më së shumti Kurti i ka dëshpëruar pse edhe duke qenë Kryeministër nuk u bë si ata – hajdut!

    Ndërkohë mbete e vërteta se VV është e fortë sepse ka kundërshtarë drejtuesit e PDK’së të cilët ia gjetën emrin lirisë, por assesi ta zbulojnë mbiemrin e hajnisë si dhe, drejtuesit anemik të LDK’së të cilët të vetëdijshëm se nuk kanë kurrnjëfarë fizionomie politike, e përdorin portretin e Rugovës.

    Duke shpresuar  kështu se sërish do u jepet mundësia që, njësoj si disa herë në të shkuarën, popullin ta zhvatin qetë e butë dhe duke i  buzëqeshur.

    Kuptohet, të sundosh pesë vite e të mos kesh bërë gabime është e pamundur. Por të verbuar nga urrejtja patologjike ndaj Kurtit, kritikët as që i shohin gabimet e tij reale.

    Siç është për shembull gara e tij me Piktorin se kush do i merr peng shqiptarët që jetojnë jashtë Shipërisë e Kosovës e që e çoi atë të ndërhynte në zgjedhjet parlamentare të Maqedonisë, ku i ‘forcoi’ shqiptarët e këtushëm duke i copëtuar si dhe, duke e përkrahur VLENin e përdorshëm vetëm për qeverinë më proserbe që ndonjëherë ka pasur ky vend: atë të VMRO-DPMNE’së!

    Në të vërtet, si majtist i rreshkur, Kurti i çmon lartë vetëm ata që e adhurojnë. Madje atij i duket e pabesueshme të ketë shqiptar që nuk e ka atë idhull. Andaj atë më së shumti mund ta dëmtojnë dhe ta harxhojnë politikisht vetëm adhuruesit e tij të verbër.

    Kurti e dinë këtë dhe prandaj adhuruesve të vet ua ka ndaluar pjesëmarrjen nëpër emisione debatuese dhe nëpër TV ekrane ku të gjithë flasin vetëm për të dhe askush nuk flet për partitë tjera.

    Adhuruesve të vet ai ua ka lënë në disponim vetëm rrjetet sociale ku rëndom, budallai ia zbërthen politikën të hutuarit.

  • Nga Armand SHKULLAKU – Olsi Rama, si alibi për mëkatet e të vëllait

    Nga Armand SHKULLAKU – Olsi Rama, si alibi për mëkatet e të vëllait

    Për shumkënd ishte i habitshëm dhe jo proporcional një monolog prej 35 minutash i kryemistrit Rama me rastin e deklarimit nga SPAK, se vëllai i tij nuk rezultonte i përfshirë në çështjen e trafikiut të kokainës, të njohur si dosja Xibraka. Ndonëse Gazmend Bardhi, njeriu që inicioi verifikimin e implikimit ose jo të Olsi Ramës, e cilësoi qesharake dhe jo përfundimtare deklaratën e prokurorisë, kryeministri ka përfituar nga rasti për t’iu drejtuar qytetarëve me një fjalim të pazakontë, si një alibi patetike për gjithë veprimtarinë e tij politike e njerëzore.

    Me tonet dramatike, interpretimin me një zë që dridhej dhe sytë që tregonin lëndimin e padrejtë, Edi Rama foli për brengat e prindërve të ndarë nga jeta, për seksualitetin e tij, për skizofreninë e sajuar, akuzat për dhunë në familje e deri tek ajo për atësinë e djalit të tij. Një rrëfim i pakërkuar që, detyrimisht të çonte tek pyetja: pse e gjithë kjo valë viktimizimi patetik, edhe nëse SPAK i kishte dhënë të drejtë vëllait të tij?

    Arsyeja e elegjisë së Edi Ramës për veten, mund të kuptohej vetëm në fund të 35 minutave, kur në emër të poshtërsisë që kundërshtarët i paskëshin bërë atij, ai u kërkoi votat shqiptarëve për një mandat të katërt. Për të arritur në këtë kërkesë, Rama shfrytëzoi të vëllain si alibi për të gjitha mëkatet, skandalet dhe aferat korruptive që rëndojnë mbi atë dhe qeverinë e tij. Mesazhi që ai u mundua të përcjellë, duke iu referuar pjestarëve të familjes me qëllim të qartë ndjeshmërinë e publikut, ishte ai se ashtu si në rastin e Olsit edhe të gjitha akuzat e tjera ndaj tij nuk janë të vërteta. Se ato nuk kanë për bazë realitetin, por hakmarrjen e verbër ndaj suksesit të tij si politikan. Nëpërmjet Olsit, Edi Rama tentoi të zhbëjë edhe Tahirin, Beqajn, Ahmetajn, Kokën, Bllakon, Prengën, Ndokën, Roshin, Çyrben, e dhjetra të tjerë duke i servirur jo si produkte të sistemit që ai ka ngritur, jo si përgjegjësi politike, por si devijime që opozita i përdor me patëdrejtë për të goditur figurën e tij të pastër si kristali.

    Jo pa qëllim, ndonëse nuk e kishte përmendur askush, ai e nisi rrëfimin e tij me aspektin personal për të dalë pastaj si rrjedhojë “logjike” edhe tek profili politik. Apologjia e kreut të organizatës së Rilindjes ishte e ndërtuar mbi këtë dikotomi. Pra nuk jam homoseksual siç më kanë akuzuar, por nuk kam as saraje. Nuk jam skizofren, por nuk kam përfituar asnjë kokërr leku. Nuk kam dhunuar gratë e familjes, por nuk kam lidhje me asnjë kriminel. Nuk kam shpifur ndaj babait tim, por nuk kam vjedhur apo blerë zgjedhjet…

    Në një gjysëm rasti që iu dha, nëpërmjet “çlirimit” të të vëllait nga implikimi në një aferë të rëndë, Edi Rami provoi të përfitojë për të barabitur kësisoj të gjitha akuzat ndaj tij. Por problemi i kryeministrit nuk është i vëllai, të cilin nuk e ka zgjedhur vetë, por ata që ai zgjedh për të qeverisur shqiptarët dhe për të cilët edhe sot e kësaj dite nuk ka marrë pikën e përgjegjësisë politike. Çfarë lidhje kanë të ndjerët Aneta e Kristaq me skandalet elektorale të Dibrës, Durrësit apo Elbasanit? Po orientimi seksual i kryeministrit ku ndikon tek sterilizimi apo inceneratorët? Nëse zëvendësi i tij ka denoncuar se bashkëshortja e kryministrit abuzon me pushtetin e këtij të fundit te AKSHI apo e bija ka përfituar tek projekti i Eko Parkut, ku hyn akuza për skizofreni apo dhunë ndaj grave?

    Pra është e qartë se i gjithë parashtrimi emocional i monologut të Ramës me rastin e Olsit, nuk ishte gjë tjetër veçse një tentativë propagandistike për t’u parë nga shqiptarët si viktimë edhe për gjëmat e Rilindjes në këto 12 vjet. Dhe ndonëse qëllimi për t’ia bërë publikut “mishin me kokrra” ishte primar, kryeministri nuk e përmbante dot gjuhën e urrejtjes duke e zhvlerësuar instiktivisht dëshirën për t’u dukur si viktimë. Jashtënxjerrje, palo djalë, tutor, zorrë jashtëderdhje etj, ishin shpërthimet e “viktimës” që po e tret jetën për të mirën e Shqipërisë.

    E nëse elegjia e Ramës për veten nuk do të ishte një monolog, përballë tij do të kishte mjaftuar vetëm një pyetje për të kuptuar thelbin e rrëfimit patetik: Po mirë Olsi e të gjitha akuzat personale janë shpifje të ulëta, po shokët e armëve, banditët e zgjedhjeve, milionat e avulluara, hajdutët e ministrive e bashkive, kriminelët jashtë e brenda, i zgjodhe vetë apo t’i caktuan opozita, kanalet e portalet? Rasti i Olsit nuk është i vlefshëm për të bërë katharsisin e Rilindjes. Përndryshe kthehet në rastin tipik të përdorimit të familjes për kredite politike, pikërisht ai për të cilin Edi Rama akuzoi kundërshtarët në monologun 35 minuta.

  • Nga Armand MAHO – I paskemi hyrë në hak zavallit!

    Nga Armand MAHO – I paskemi hyrë në hak zavallit!

    Tartufi, në komedinë me të njëtin emër të Molierit ishte një klerik i cili kishte fituar besimin e mikut të tij borgjez Orgonit, por në të vërtetë nuk ishte tjetër, vetëm se një gënjeshtar dhe mashtrues. Në një kohë që kishte marrë premtimin e mikut të tij për t’i marrë vajzën, joshte dhe gruan e këtij të fundit. Vetë Molieri, arti gjenial i të cilit ishte demaskimi i hipokrizisë dhe të metave njerëzore pyetur rreth këtij personazhi do të përgjigjej “Edhe gjërat më të shenjta nuk janë të mbrojtura nga njerëzit e korruptuar: dhe ne shohim faqezinj, që abuzojnë çdo ditë me devotshmërinë dhe e bëjnë atë t’i shërbejë krimeve më të mëdha”.

    Megjithëse ka 12 vjet në pushtet, Edi Rama, u tregua mjaft i devotshëm në rolin e viktimës. Në një mesazh të stërgjatë, të lodhshëm që nuk jepte asnjë zgjidhje, Rama, përdori vendimin e fundit të SPAK që zhvishte nga akuzat e implikimit në dosjen e laboratorit të drogës në Xibrakë vëllain e tij, Olsin, i cili la Amerikën pikërisht në ditën që i vëllai mori kryeministrin, për të na “iluminuar” rreth akuzave që i janë bëtë atij ndër vite.

    S’ke se si duke pasur përpara një njeri me pamjen e gjyhnaqarit siç u shfaq ai sot, mos të bëjë të reflektosh për një moment se “ndoshta dhe mund t’i kemi hyrë në hak kot zavallit”!

    Në subkoshiencë në të qindën e sekondave mund të kalojë ajo ideja se ndoshta akuzat që janë ngritur në tërë këto vite, që e vizatojnë Ramën si politikanin më të korruptuar që ka nxjerrë ndonjëherë ky vend, ndoshta, ndoshta, kanë qenë të tepruara.

    Por ja që memorja nuk të lejon t’ia bësh këtë nder Edi Ramës.

    Ky individ, më jetëgjati në pushtet, ( që nga shtatori i vitit 1998) sapo ka ardhur nga Franca ku bënte jetë barboni, ka pasur si axhendë vetëm vjedhjen.

    Si ministër Kulture u akuzua për vjedhjen me fasadat, dhe ndërhyrjen që i bëri atëherë pushtetit vendor për qendrën e qytetit, me qëllimin që t’i jepte vetë lejet e ndërtimit brenda unazës së vogël. Më pas, aktiviteti i tij në Bashkinë e Tiranës dihej. Ishte ky individ që vuri si normë 20%-shin e famshëm për lejet e ndërtimit, madje një ndërtues atëherë e akuzoi publikisht. Përpos kësaj, hyrja e tij në politikë e pushtet, vendosi dhe standardin e blerjes së medias apo shoqërisë civile, duke ngritur përreth tij murin e shërbëtorëve të tipit Erion Veliaj.

    Por që mos shkojmë aq larg, ne kemi 12 vjet që pushtetin e këtij farë kryeministri dhe miqve të tij banditë ose jo po e provojmë në kurriz. Akuzat që i janë ngritur i ka merituar një më një.  A ka qenë individi me emrin Edi Rama që i ka dalë në mbrojtje çdo afere korruptive dhe vjedhjeje që ka ndodhur në këtë vend?

    A ka qenë ky, që i doli për zot kanabizimit të vendit, dhe e shpallte Sajmir Tahirin si “Kapiten të luftës kundër drogës”

    A ishte ky që hartoi ligjin hajdut të investimeve strategjike?

    A është ky që e ka çuar ndërtimin e një kilometri rrugë 20 milionë euro?

    A është ky që firmosi për vjedhjen me inceneratorët?

    A është ky që korruptoi ish drejtorin e FBI-së McGonigal?

    A është ky që për interesa tërësisht korruptive fali portin e Durrësit?

    A është ky që solli në Vlorë dy anijet që nuk prodhuan asnjë kwh, me një kosto prej 90 milionë euro?

    A nuk është ky që e ka shndërruar Shqipërinë në lavatriçe të pastrimit të parave?

    A është ky që gënjeu pa pikë turpi për shëndetësinë falas, për pensionet e të tjerat me rradhë?

    Koha do ishte e gjatë për të renditur hajdutërinë dhe mbrojtjen që ky individ, i ka bërë gjithfarëlloj allishverishi në këtë vend dhe pa ju nxirë faqja, sot del e kërkon mëshirën e shqiptarëve në votën e 11 majit!

    Edi Rama njihet për aftësinë e paskrupullt të gënjeshtarit, shtirakut, oportunistit mashtruesit që bën gjithçka për t’ia dalë mbanë. Ai e di fort mirë se çfarë ka bërë i vëllai. Fundja në këtë katundin tonë me firmën dhe mbrojtjen e Ramës janë pasuruar gjithfarë horri, banditi e ahengxhiu, pse duhet të bënte përjashtim vëlla Olsi?

    Jeta personale e Ramës nuk është se na hyn shumë në punë. Pra, është ose jo homoseksual, bi apo trans, nuk na duhet hiç. E rreh ose jo gruan e tij apo gratë e të tjerëve, përderisa s’ka ndonjë denoncim dhe derisa e lejojnë, të bëjë ç’të dojë. Po ama akuzat për vjedhje dhe abuzim me pushtetin në adresë të tij, i rëndojnë një më një. Ai dhe mund të vazhdojë me çmendurinë që e ka kapluar për të burgosur opozitën, vetëm se një gjë e ka të sigurt…. Shpejt ai s’do jetë me ‘Skënderbeu i Elisës’, dhe ditët e tij të pleqërisë nuk do i kalojë me Koçon në Vuno. Ai do ketë fundin që kanë të gjithë mashtruesit dhe ata që abuzojnë me besimin e njerëzve, njësoj si Tartufi i Molierit!

  • Nga Basir ÇOLLAKU – Dy ministra nuk udhëtojnë dot në USA

    Nga Basir ÇOLLAKU – Dy ministra nuk udhëtojnë dot në USA

    Duket se përveç Veliajt që e kishte vizitën e fundit për në Amerikë, janë edhe dy ministra në pamundësi biletash për të vizituar tokën e premtuar.  Kjo ngjan me një qëndrim ndryshe tashmë ndaj mazhorancës. Pasi paligjshmëria inkriminimi dhe korrupsioni janë motivet e ndalesave për zyrtarët e lartë. Janë dy qeveritarë të rëndësishëm që do i mungojnë diasporës elektorale.

    Për të dy, ka dosje me rrethana të rënduara penale. Tendera, koncensione, investime strategjike, favore të inkriminuarve për përfitime elektorale, janë brendi e fashikujve. Natyrisht si pjesa dërrmuese e ekzekutivit janë në hetim për dosje të rënda kriminale. 2025 nisi me rikthimin e veprimeve hetimore në Strukturën e Posaçme për dosjen “Xibraka” ku po hetohet Olsi Rama, në procedim penal të trafikut të kokainës, vëllai i Kryeministrit. Thellimi veprimeve do të sillte edhe  hetim në kuadër të ligjit antimafia për KM. Muajt parazgjedhorë do të jenë intensive në SPAK për politikanë të cilët janë në hetim prej muajsh.

    Janë paketë e veprimeve invetiguese prokurorë e gjyqtarë e oficerë të policisë, ministra e deputetë. Procedimet kanë në fokus edhe dosjet e mëdha të sky-enchro, ku përgjimet kanë nxjerrë shumë të dhëna për lidhjet mafioze të pushtetit me krimin e organizuar. Hetimet janë shtuar për vepra të fshehjes së pasurive, pastrim parash, investime nga droga e korrupsioni.Në janar janë mbushur tre vite të regjistrimit të procedimit penal Rama-McGonigal dhe zhvillime të reja janë në prag. Me sa duket Qeveria duhet t’i zhvillojë mbledhjet në SPAK,  pasi do të ketë shumë ftesa për anëtarët e kabinetit.

  • Përse Trump do që të marrë Grenlandën, Kanadanë dhe Panamanë: hija e Luftës, Kina dhe Arktiku

    Përse Trump do që të marrë Grenlandën, Kanadanë dhe Panamanë: hija e Luftës, Kina dhe Arktiku

    Donald Trump ka shtënë edhe një tjetër nga të tijat. Zot, tani me të vërtetë do të shpërthejë Lufta e Tretë Botërore! Janë pak a shumë këto dy kategoritë e përgjigjeve ndaj deklaratave të fundit të presidentit të zgjedhur mbi pushtimin e mundshëm (edhe me forcë) të Grenlandës dhe Panamasë dhe për aneksimin e Kanadasë si shteti i 51-të i Shteteve të Bashkuara. Por, a mund të ndodhë vërtet e gjithë kjo? E vërteta, si gjithmonë, qëndron diku në mes. Nga njëra anë, manjati ka dashur t’i shtrijë dorën nacionalizmit të dëshpëruar të yjeve dhe vijave, përmbledhur nën moton “America First”, e cila i mundësoi rizgjedhjen. Nga ana tjetër, vështrimi i presidentit dhe i aparatit amerikan projektuar tashmë në një të ardhme të afërt në të cilën konkurrenca për Arktikun dhe sfida e madhe me Kinën do të bëhen konkrete dhe të rrezikshme.

    Pse Trump do Grenlandën

    Analizojmë pika për pikë deklaratat e Trump, duke filluar nga Grenlanda. Për të janë shkruar nga të gjitha: ishulli më i madh në botë pas Australisë, i pasur me hidrokarbure, uranium dhe tokë të rralla dhe një platformë e madhe strategjike për projeksion në Arktik. Gjithçka e drejtë, por, pyetja vlen edhe për territoret e tjera: pse SHBA nuk i ka pushtuar kurrë deri më tani? Gjatë gjithë historisë së saj, Shtetet e Bashkuara janë përpjekur ta blejnë Grenlandën më shumë se një herë, së fundmi nga Trump gjatë presidencës së tij të parë më 2019. Atëherë pyetja e duhur shtrohet: pse tani? Ishulli është pjesë e Danimarkës, por kohët e fundit ka filluar sërish të kërkojë me zë të lartë pavarësinë, madje duke shpallur edhe një referendum. Trump ka qenë i zoti të futet në këtë fërkim, duke shkaktuar reagimin e pashmangshëm të shteteve evropiane me të cilat kontrasti ka qenë përvijuar tashmë, që nga shpallja e tarifave dhe një tërheqje e SHBA nga kontinenti. “BE do të mbrojë kufijtë e saj,” ka paralajmëruar në fakt Franca. Por nuk ka rrezik.

    Çfarë kërkojnë (vërtetë) SHBA-të e Trump nga Grenlanda

    Përtej propagandës, shumë e rëndësishme kjo për një superfuqi, objektivi realisht i ndjekshëm nga Uashingtoni nuk është pushtimi ushtarak i një territori sovran. Në përkufizimin “prioritet absolut” kontrolli i “pronësisë” amerikane të Grenlandës, presidenti i zgjedhur ka shumë të ngjarë të synojë firmosjen e një akordi. Flitet për Compact of Free Association, një lloj protektorati i bazuar në të ashtuquajturën “federatë e lirë”. Ky është një model pavarësie dhe dekolonizimi i njohur nga OKB-ja, të cilin Grenlanda po e ndjek që nga vitet Nëntëdhjetë. Në një debat parlamentar mbi kushtetutën e ishullit në prill, federata e lirë u përcaktua si një mënyrë për të organizuar sovranitetin e ardhshëm. SHBA do të krijonte baza amerikane dhe sillnin personel ushtarak në territor, në këmbim të njohjes së sovranitetit të plotë dhe ndihmës së konsiderueshme ekonomike dhe materiale. Është një pikë e fundit, e përbashkët edhe për territoret e tjera të pretenduara nga Trump: hija e gjatë e Kinës. Pekini në fakt prej vitesh ka bërë investime dhe kontrata të mëdha në Grenlandë, për të shfrytëzuar burimet e tij të pafundme dhe për të ushtruar presion mbi rivalët e tij kryesorë amerikanë.

    Përse Trump do që të aneksojë Kanadanë

    Pamja e plotë e Arktikut na çon drejt e në Kanada. Flasim për një vend të madh të inkorporuar në kontinentin amerikanoverior, tashmë kryesisht nën ndikimin e SHBA-së pa nevojën e një kontrolli të drejtpërdrejtë federal, i cili do të rezultonte vetëm si një barrë shtesë për administratën e yjeve dhe vijave. Kanadaja tashmë përfaqëson një brinjë “të jashtme” të SHBA-së, duke garantuar edhe një votë më të harmonizuar brenda organizatave shumëpalëshe dhe ndërkombëtare si OKB-ja. Mirëpo, janë edhe faktorë të tjerë për t’u konsideruar. Para së gjithash, entuziazmi nacionalist i miliona votuesve, i trashëguar nga dhjetëra breza që për mbi një shekull kanë ëndërruar aneksimin e fqinjit të madh verior. Kriza e qeverisë Trudeau dhe pasiguria në rritje ndërkombëtare i kanë dhënë Trump një mundësi tjetër për të kapërcyer valën. Sipas manjatit, SHBA “nuk mund të vuajë më deficitin masiv tregtar dhe të mbajë ndihmën që Kanadasë i duhet për të qëndruar në këmbë”. Aneksimi i Kanadasë si shteti i 51-të federal, në mënyrë demokratike dhe duke ndjekur çdo hap të procesit ligjor, do t’i mundësonte Shteteve të Bashkuara përvetësimin e drejtpërdrejtë të tregjeve dhe burimeve, duke shtuar thellësinë e saj strategjike dhe duke i garantuar Uashingtonit de facto kontrollin e drejtpërdrejtë të të gjithë “ishullit” amerikanoverior. Sigurisht, me përjashtim të Meksikës, me të cilën tonet janë padyshim më pak të qeta dhe miqësore. Megjithatë, Grenlanda dhe Kanadaja na shtyjnë drejt temës së madhe: konkurrencës në rritje midis fuqive për dominimin e Arktikut.

    Gara për Arktikun dhe luftrat e së ardhmes

    Arktiku do të jetë teatri i sfidës së ardhshme midis fuqive të planetit. Ndryshimet klimaterike dhe ngrohja globale kanë hapur dhe do të vazhdojnë të hapin rrugë të reja tregtare në atë që ekspertët e kanë quajtur “oqeani i pestë i ardhshëm”. Që tani, kur është i lundrueshëm, pra jo në muajt e dimrit, Deti Akullnajor Arktik mundëson përgjysmimin e kohëve dhe kostove për transportin e mallrave nga Azia në Evropë, nga Lindja në Perëndim. Northern Sea Route – Rruga e Detit Verior duket edhe më e rëndësishme në një kohë kur kriza e Detit të Kuq po i detyron kompanitë tregtare t’i bien qark Afrikës për të arritur tek konsumatorët perëndimorë. Një autostradë ujore që nuk qeveriset nga asnjë ligj dhe që sheh një mbizotërim të qartë territorial të Rusisë. Moska ka shpenzuar dy shekuj duke u zgjeruar në të gjithë vijën e madhe bregdetare veriore të botës dhe e quan veten një “shtet Arktik në gjithçka dhe për gjithçka”. “Do t’ia thyejmë dhëmbët kujtdo që përpiqet të na kërcënojë në rajon”, ka përsëritur Vladimir Putin më shumë se një herë. Dhe në fakt Arktiku është plot me baza dhe anije ushtarake ruse, pasi Federata u përjashtua nga Këshilli Arktik, në të cilin tani kanë mbetur vetëm shtatë vende të tjera perëndimore. Hyrja e Finlandës dhe Suedisë në NATO dhe riarmatimi rëndë i Polonisë e kanë zhvendosur boshtin e Aleancës Atlantike drejt Balltikut, duke përfituar nga lufta në Ukrainë si një mundësi për të militarizuar frontin verilindor. Nga ana e saj, Rusia ka forcuar bashkëpunimin strategjik me Kinën, e cila ka investuar miliarda e miliarda juanë dhe teknologji të avancuara në infrastrukturën e Arktikut. Një kundër-globalizim i plotë, shumë më efektiv se Rrugët e brishta të Mëndafshit. Mare Nostrum rus lidh Atlantikun dhe Paqësorin me një thjeshtësi të habitshme, dhe është edhe i pasur me gaz dhe naftë. Më pas Pekini dërgoi për herë të parë në absolut Gardën e tij Bregdetare Kombëtare në ujërat nordike, duke çimentuar një partneritet edhe ushtarak me Moskën. Me rënien e barrierës së akullit, për shkak të klimës dhe gërmimeve njerëzore, pushtimet dhe luftërat do të bëhen të mundshme.

    Përse Trump do Panamanë

    Lidhja midis oqeaneve është në qendër edhe të synimeve të Trump për Panamanë. Kanali artificial mundëson kalimin midis Atlantikut dhe Paqësorit pa pasur nevojë të qarkullojë të gjithë kontinentin amerikan. Në fakt ishin Shtetet e Bashkuara që praktikisht e kanë krijuar, kur më 1901 morën kontrollin e tij për 99 vjet. Më 31 dhjetor 1999, Uashingtoni vendosi t’ia dorëzonte shtetit të Panamasë menaxhimin e korridorit detar 82 kilometra të gjatë. Një lëvizje taktike, e cila megjithatë vite më vonë ka lejuar depërtimin e Kinës që, nëpërmjet investimetve të zakonshme miliarda dollarëshe, dëshiron të projektojë ndikimin e saj si fuqi ekonomike. Këtë herë pikërisht në oborrin e shtëpisë amerikane, siç tashmë ka ndodhur në Kubë dhe Venezuelë, për të mos thënë në të gjithë Amerikën Latine. Kontrolli, edhe në distancë, i Kanalit të Panamasë është vendimtar për SHBA-të, që në këtë mënyrë mund të lëvizin lehtësisht flotën e saj nga Atlantiku në Paqësor dhe anasjelltas. Dhe shumë më tepër: në kalimin e Panamasë bazohet e gjithë hegjemonia e SHBA. Hegjemoni e vënë në provë pikërisht nga depërtimi kinez dhe nga momenti i lodhjes perandorake të përjetuar nga SHBA, e mbiekspozuar në teatrot e tensionit botëror nga Lindja e Mesme, në Tajvan. Kërcënim për fuqinë amerikane në nyjën e Panamasë është edhe ndryshimi klimaterik, me shtrëngimin e thatësirës që ka vënë dhe do të vërë në provë të madhe flukset tregtare.

    Nga Gjiri i Meksikës në Gjirin e Amerikës

    Mbrojtja e sigurisë kombëtare dhe e interesave mbi të gjitha është – në propagandën e Trump-it – përpara çdo aleance apo traktati. Një tjetër dhimbje e madhe koke për sigurinë amerikane, në këtë kuptim, është Meksika. Retorika mbi emigracionin e paligjshëm dhe muri i famshëm kufitar janë kuajt e betejës së Presidentit të zgjedhur, i cili nën një zjarr të plotë nacionalist nuk ka rreshtur së sulmuari edhe fqinjin e bezdisshëm jugor. Duke afirmuar se dëshiron t’i ndryshojë emrin e Gjirit të Meksikës në “Gjiri i Amerikës”. Si dëshmi të faktit se kontrolli i detrave, veçanërisht i atyre “shtëpiakë”, mbetet thelbi dhe shqetësimi kryesor i fuqisë amerikane. Përfaqësuesja republikane e Georgia-s, Marjorie Taylor Greene, ka njoftuar tashmë se do të prezantojë legjislacionin për të ndryshuar emrin gjeografik të Gjirit, i cili u krijua gjatë Perandorisë Spanjolle në hartat e institucioneve ushtarake dhe federale.

    Propaganda kundër propagandës, kundërlëvizja e Meksikës nuk vonoi. Presidentja Claudia Sheinbaum iu përgjigj Trumpit dhe bashkëpunëtorëve të tij duke treguar një hartë të vitit 1607, kur Meksika përfshinte territore të pushtuara më vonë nga SHBA me forcë. Dhe me emrat e tyre origjinalë: Tejas (Teksasi i sotëm), Nuevo Mexico, Arizona, Yuta (Juta e sotme), Nevada dhe Kalifornia. Përgjigja pikante ndaj Trump u përmbyll me një tjetër shaka historike: kreu i Shtetit meksikan tha se manjati ka ilustruar projektin e tij të ri “nga panairi Mar-a-Lago, në territorin e La Florida, në Nueva España, Capitania General de Cuba”, në bregun e “Gulfo de México”. “Mund t’i quajmë Shtetet e Bashkuara Amerike Meksikane,” përfundoi ajo.

    SHBA-të duan vërtet të pushtojë me forcë territore të tjera?

    Nëse ka një gjë që na ka mësuar historia, është që gjithçka mund të ndodhë. Madje, shpesh ndodh ekzaktësisht ajo që nuk pritej. Megjithatë, mbi realizueshmërinë e pushtimit apo aneksimit të territoreve apo shteteve të tjera nga Shtetet e Bashkuara ekzistojnë pengesa të mëdha. E para është misioni çlirimtar dhe demokratik që Uashingtoni i ka përcaktuar vetes në shekullin e njëzetë: nëse do të përdorte forcën ushtarake për të përvetësuar tokat që i përkasin në mënyrë legjitime kombeve të tjera, ai do të shkatërronte bazën retorike mbi të cilën ka ndërtuar perandorinë e tij aktuale. Një motiv i dytë mund të gjurmohet në mënyrën amerikane të të qenit perandori: pa e thënë hapur, duke i ulur provincat e saj (përfshirë Evropën) në një gjendje ekonomike dhe post-historike, duke mbajtur larg fantazmën e luftës reale si garanci kontrolli, duke dominuar detet. Një skemë që sigurisht ka hyrë në krizë vitet e fundit, siç perceptohet nga rivalët dhe siç tregohet nga shpërthimi i njëkohshëm i shumë fronteve të luftës.

    Përgatiti për gazetatjeter.net, Dardan MITROVICA

  • Nga Enver BYTYÇI – Ajo që bëri Biden me Sorosin është e denjë vetëm për Edi Ramën!

    Nga Enver BYTYÇI – Ajo që bëri Biden me Sorosin është e denjë vetëm për Edi Ramën!

    Joe Biden, presidenti në ikje i SHBA-ve, dekoroi George Soros, me medaljen më të lartë amerikane, atë të lirisë. Po a është medalja amerikane e lirisë e përshtatshme e aq më pak në përputhje me vlerat që predikon dhe ka predikuar George Soros?! Pikërisht kjo pyetje i jep përgjigje edhe absurdit Biden për t’i dhënë dekoratën më të lartë amerikane manjatit të doktrinës anti-familje, anti-pronë, anti-shtet, anti-atdhe e anti-komb të George Soros.

    Soros është armiku më i madh i demokracisë dhe lirisë. Për këtë shkak ai nuk ka lidhje me lirinë njerëzore, madje as me lirinë natyrore të njeriut. Ai ka në projektin e tij shkatërrimin e vlerave të lirisë dhe demokracisë tradicionale dhe krijimin e një bote nën kontrollin e beniaminëve të tij. Ai nuk pranon as vlerat natyrore të lirisë njerëzore. Soros mbështet regjime autoritare dhe narco-qeverisëse si këtë regjimin e Shqipërisë së lodhur nga mafia dhe krimi i organizuar në Shqipëri. Soros është projektuesi i një bote pa familje, pa atdhe, pa identitet dhe integritet. Soros është financuesi i anti-vlerave dhe kundërshtar I civilizimit të sotëm. Dinjiteti dhe identiteti janë dy cilësitë themelore të lirisë së njeriut. Të dyja këto janë dhuratë e Zotit, sepse vetëm Zoti i posedon ato si pronë të vetën. Soros nuk njeh as pronësinë e Perëndisë! Është armik i njeriut dhe për pasojë edhe i vetë krijuesit!

    Askush si George Soros në botën e sotme nuk i ka kontribuar çmontimit të vlerave tradicionale të lirisë dhe demokracisë. E megjithatë presidenti amerikan Joe Biden mori guximin që ta dekorojë atë me medaljen e lirisë. Kjo do të thotë se Soros kishte dhe ka ndikim të jashtëzakonshëm në administratën e Biden dhe për këtë arsye ka patur dhe ka mbështetjen e demokratëve amerikanë. Kjo do të thotë se në sipërmarrjet mafioze të Soros ka pjesën e saj edhe administrata amerikane Obama-Biden. Ky fakt e bën të dukshme arsyen pse amerikanët votuan me shumicë dërmuese e të padiskutueshme Donald Trump.

    Medalja e lirisë për George Soros është një hipokrizi dhe intrigë politike e presidentit në ikje, Joe Biden. Sepse të dekorosh me këtë medalje njeriun që ka punuar më shumë së çdokush tjetër kundër vlerave të lirisë,  është më shumë se absurditet. Është një skandal i vërtetë. Ajo që po bën Biden në momentet e fundit të presidencës së tij është vërtetë e tmerrshme dhe e turpshme. Fillimisht shpalli faljen për veprat penale të djalit të tij. Një precedent i panjohur më parë as nga kryetarët e shteteve diktatoriale. Ju siguroj që diktatorët maten më shumë sesa u mat Joe Biden për të dekretuar faljen e djalit të tij. Ai dekretim shkon gjithashtu në kundërshtim me mentalitetin perëndimor, ku promovohet koncepti se “djali apo vajza duhet të paguajnë koston e gabimit që bëjnë, sepse ndryshe nuk reflektojnë”!

    Joe Biden me atë dekret të faljes së djalit shkelmoi këtë koncept perëndimor të drejtësisë të ngulitur në ndërgjegjen njerëzore si vlerë e perëndimit. Ndërkohë që dekoroi me medaljen e lirisë personin më të angazhuar të globit për kapjen e pushteteve, sidomos të drejtësisë, George Soros. Nëse një manipulator dhe diktues i vendimeve gjyqësore, si Soros, merr dekoratën e të qenit kampion i lirisë, atëherë kjo e çmonton konceptin e lirisë dhe e devijon ndërgjegjen shoqërore nga e vërteta. Por në praktikën e administratës së Biden nuk është hera e parë që ndodhin këto.

    Sekretari i Shtetit Blinken, njeriu kryesor i Soros në administratën e shkuar të SHBA-ve, me shpalljen si kampion të luftës kundër korrupsionit të Dvoranit dhe Dumanit në Shqipëri ka dëshmuar të njëjtin koncept si edhe shefi i tij Biden. Kreu i opozitës shqiptare, Sali Berisha, publikoi një fakt të implikimit të njeriut të besuar të kryeministrit shqiptar, Taulant Ballës, për lidhjet e tij me organizatat kriminale. Këto të dhëna i ka në dosje edhe Dumani i dekoruar prej Blinken. Por fatkeqësisht kreu i SPAK nuk vepron, nuk hap hetime, nuk reagon. Sepse drejtësia në Shqipëri është produkt i Soros. Sepse më shumë vlejnë dekoratat e Blinken dhe Biden, sesa e vërteta dhe drejtësia!

  • Nga Kim MEHMETI – Nëse dikush ta përbuzë gjuhën e nënës, ai të ka pështyrë në fytyrë!

    Nga Kim MEHMETI – Nëse dikush ta përbuzë gjuhën e nënës, ai të ka pështyrë në fytyrë!

    Kjo ‘tezja’ që shpesh herë nuk e dinë se ku ndodhet – por që nuk harron se është Presidente e Maqedonisë dhe se  vendin duhet ta mbrojë nga armiku i natyrshëm i tij, nga shqiptarët – gjithmonë ka qenë parimore.

    Gjatë kohës së Millosheviqit ajo e mbronte Serbosllavinë e quajtur Jugosllavi nga rrënuesit e saj, kryesisht nga shqiptarët.

    Përderisa ishte ministre e Gligorovit, ajo e mbronte Maqedoninë e pavarur nga kërkesat e shqiptarëve për arsimim në gjuhën amtare.

    Sot, si Presidente e VLEN-it, ajo e mbron gjuhën maqedonase nga gjuha shqipe duke refuzuar të nënshkruaj dekretin për licencat dygjuhësore në çerdhe!

    Ndërkohë duhet pranuar se edhe pushtetarët shqiptarë të këtyre tri dekadave të fundit kanë qenë parimorë dhe kanë përkrahur cilindo kandidat maqedonas për president që ka pranuar atyre t’ua nënshkruaj licencat e vasalit.

    Sidoqoftë duhet thënë se gjërat nuk do ndryshojnë përderisa shqiptarët e këtushëm nuk e kuptojnë se emërtimi i gjuhës së tyre amtare si gjuha e ’20 për qindëshit’, nuk e tregon vetëm pafytyrësinë e përfaqësuesve të tyre politikë, por e shpërfaq edhe turpin grupor të shqiptarëve të Maqedonisë.

    Pra pozita e shqiptarëve të Maqedonisë do ndryshojë vetëm atëherë kur ata do e kuptojnë se ka diçka edhe më poshtëruese se sa tjetri të të pështyjë në fytyrë: të ta përbuzë gjuhën e nënës.