Year: 2025

  • Nga Artan HOXHA – Ku janë dashnore(ë)t e SPAK/ GjKKO?!

    Nga Artan HOXHA – Ku janë dashnore(ë)t e SPAK/ GjKKO?!

    Drejtësia e Rilindur, maja e saj, SPAK/GjKKO, u morën me Erjon Veliajn në ditët e fundit 2024 dhe me Sali Berishën fill pas vitit të ri.

    Për Sali Berishën apeli i GjKKO-së nuk pranoi kërkesën për riarrestim shtëpiak bërë nga SPAK por rinxorri nga mënga detyrimin e paraqitjes dy herë në muaj para OPGj-së. Të ripranonte arrestin shtëpiak do ishte vetëdiskreditim ulëritës por edhe ta linte pa masë fare do ishte dorëzim pa kushte i regjimit, ndaj Apeli i GjKKO-së e luajti lojën e idiotit të dobishëm-idiotësia është kaq ashiqare sa edhe bufi e kupton se me këtë masë procesit hetimor, aq më shumë në këtë fazë të avancuar, nuk i jepet asnjë garanci ndaj atyre ‘frikërave’ të SPAK se Sali Berisha mund të arratiset apo të frikësojë dëshmitarët a të dëmtojë provat.

    Afërmendësh, entuziazmi i dashnore(ë)ve të SPAK/GjKKO rishpërtheu hareshëm pas mekjes (deri kritika për gjyqtaren) kur shkalla e parë e GjKKO-së, në fund të nëntorit, i hoqi fare masat e sigurisë.

    Në ndërkohë, këta dashnore(ë): KLP-ra; KLGJ-ra; OJF-ra; TV-ra; organizata e ambasada; politikanë, aktivistë, analistë e gazetarë; konsulentë, zyrtarë kombëtarë e ndërkombëtarë; as që ua ndjeu ndopak kur Erjon Veliaj nga ‘kolegë’ i quajti ‘trokitës’ spakistët dhe byroistët me rastin e kontrolleve të ushtruara ndaj së shoqes, vëllait dhe bizneseve të tyre e kur pretendoi se kontrollet ishin bërë pa vendim gjykate.

    Po aq nuk u ndjenë kur, pas pyetjes mbi 5 orëshe, nga Selia e Këshillit Bashkiak Erion Veliaj e përqeshi SPAKun se ai bazohej veçse në sajesat e një anonimi dhe heshtën si guri i varrit kur të nesërmen, në mediet rilindëse, doli materiali demaskues me 8 pika që e bënte copë gjith procesin e SPAK/GjKKO ndaj atij dhe familjarëve të vet. Në këto pika veprimet hetimore anatemohen aq rëndë sa barazohen me veprimet e tipit ‘sigurim shteti’ (shih link: https://www.gazetatema.net/politika/mbrojtja-e-veliajt-i-pergjigjet-spak-tete-pikat-qe-vertetojne-se-hetimi-i473299). Për më tepër, disa dashnore(ë) iu turrën rëndshëm kundër vetë SPAK/GjKKO-së, të gatshëm të shkelmonin dashurinë e jetës-Drejtësinë e Rilindur-për hatër të Erjonit.

    Të njëjtat pretendime për procesin i kanë paraqitur më parë edhe të akuzuarit nga opozita por dashnore(ë)t e SPAK/GjKKO-së, kurdo e kujtdo, i janë sulur si të tërbuar në mbrojtje të Drejtësisë së Rilindur e ‘kurajos së saj për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë’. Tërbimi ju kthehet në shurdhim kur Veliaj iu shan ‘dashurinë e jetës’-nuk dëgjojnë, nuk shikojnë, nuk flasin-ndonëse 8 pikat e Veliajt përfshijnë e tejkalojnë të gjitha akuzat e të tjerëve për SPAK/GjKKOnë lidhur me një fazë kaq të hershme të hetimeve.

    Po kështu u sollën edhe pas konferencës së Kryerilindësit më 30 dhjetor. Në atë konferencë shumëorëshe, tipike autokrate, (shih link: https://www.kryeministria.al/newsroom/kryeministri-edi-rama-ne-konferencen-tradicionale-te-fundvitit-me-gazetaret-2/), Edi Rama u pyet tri herë për rastin Veliaj. Në dy herët e para u përgjigj përmbledhtazi se nuk komenton rastet individuale, askujt në PS nuk i lejohet gjithashtu, përvec pas një vendimi përfundimtar gjyqsor, pak a shumë siç u përgjigj edhe tek Zëri i Amerikës dy ditë më herët, por tek përgjigja e pyetjes së herës së dytë paralajmëroi mos ta vinin më në ngasje, e ngasjes nuk i rezistoi tek pyetja e tretë.

    Në të tretën e të vërtetën përgjigje, në pjesën e parë të saj, duke iu referuar gjyqit publik në medie e rrjete sociale ai lartësoi Veliajn si udhëheqës politik dhe transformues të Tiranës e, për këtë aspekt, u shpreh se ‘…atëherë këtu jemi në kushtet kur ka shumë për të menduar dhe ka shumë për të reflektuar’, ndërsa tek pjesa e dytë e përgjigjes, kur iu referua thelbit të dyshimeve të SPAK për Veliajn dhe familjarët e tij, ai u shpreh ‘…Ndërkohë që, nuk jemi në kushtet kur është shpallur ndonjë akuzë publike, me gjithë argumentet përkatës. Jemi në kushtet kur ka fjalë, thashetheme, sms-ra, një sms pa emër, në kuptimin që nuk kuptohet se kujt i është ngritur, si i është ngritur, pra jemi në kushtet e një amullie shumë të ngjashme me një çorbë derrash që nuk mund të jetë arsye për të marrë qëndrime ne sot. Ne do të shohim evoluimin edhe në kohën e duhur do të mbajmë qëndrimet tona’.

    Shkurt, qartas e haptas-çorbë derrash-e derisa të jetë e këtillë nuk mund të mbajë qëndrim për ç’ka thote SPAK/GjKKO. Nëse shtojmë këtu edhe ç’ritha lidhur me sekuestrimin e bazës së Limionit apo se ç’ritha për rastin Xhaçkaj dhe Gjykatën Kushtetuese, del fare qartë se ç’mendon Edi Rama për krijimin e vet më madhështor-Drejtësinë e Rilindur, të paparë që nga 1912ta-kur kjo, me a pa dashje, i cenon interesat.

    Ai foli, dashnore(ë)t e SPAK/GjKKO riheshtën. Ndoshta për shkak të pushimeve dimërore, atmosferës festive, vëmendjes së pakët medietike, udhëtimeve, pijeve e ushqimeve. Le të presim çdo thonë e çdo bëjnë në ditët në vijim.

    Nëse vijojnë të heshtin, s’mbetet urim tjetër festiv për të gjithë at(o)a, dashnore(ë)t pra, veç atij të famshmit urim të Gent Strazimirit:

    SPAK YOU

  • Nga Agim XHAFKA – Pse besoj Berishën dhe jo Ramën

    Nga Agim XHAFKA – Pse besoj Berishën dhe jo Ramën

    Këtë vit në maj do të bëhen zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë. Për fat ato janë më të thjeshtat nga gjithë ç’janë zhvilluar deri më sot. Nuk ka nevojë fare për fushatë, për programe dhe për harxhe televizive. Se njerëzit këto katër muaj deri në datën 11 maj thjesht  do bëjnë ca pyetje e do marrin shpejt plot përgjigje. Psh:

    -Doni o shqiptarë mos bllokoheni në Elbasan kur shkoni në Pogradec, Korçë e Greqi?

    Normal që e zgjidh veç Berisha. Nën qeverisjen e tij u bë dhe tuneli në Krrabë. Një ëndërr e elbasanllinjve në shekuj. Pa folur për autostradat në Jug, apo rrugët rurale që janë mijra kilometra.

    -Doni karburante me çmime me të lira?

    Normal që veç Berisha e kryen.

    -Doni rroga më të larta?

    Normal që Berisha do merret me to. Ua dyfishoi mësuesve e mjekëve rrogat kur ishte kryeministër. Mbahet mend ajo rritje.

    -Doni ilaçe cilësore?

    Normal që mjeku Berisha atje e ka vëmendjen.

    -Doni energji elektrike më të lirë, ujë të pijshëm në çezma, arsim cilësor, mosbraktisje të vendit, mbrojtje të pasurive të atdheut, zhdukjen e pagesave për inceniratorët, mënjanimin si praktikë të koncesioneve, çuarjen në gjykatë të hajdutëve të parasë publike, ulje të taksave e borxhit?

    Normal që gjithë këtyre halleve veç ai u jep zgjidhje?

    -Doni o shqiptarë në qeverisje Ramën apo Berishën?

    Normal që Berishën.

    -Pse?

    Se ai e mban fjalën që jep. Nuk e kthen kurrë. Dhe kryesorja ka lënë vepra të punëve të tij. Se votuesi është si shën Thomai. Beson një gjë kur e prek. Kështu dhe ne në maj. Do votojmë për doktorin. Nuk ka nevojë për program e fushatë. Mjafton të kujtojmë Rrugën e Kombit që e bëri për dy-tre vite, të kujtojmë hyrjen në NATO, të sjellim ndër mend heqjen e vizave dhe në çast të shohim pastaj filmin e Ramës xhiruar këto 12 vite. Me largime masive të shqiptarëve, me rritje çmimesh që as në ëndërr nuk i përfytyron kush, me zmadhimin dy herë të borxhit publik, me shpërndarje e parave të shqiptarëve në duart e tre-katër shokëve të vet, me korrupsionin masiv që e ka futur si virus në çdo zyrë…

    Sivjet në maj zgjedhjet janë më të thjeshtat zhvilluar ndonjëherë. Askush nuk e kthen kokën nga Rama. Nuk sheh nga prapa domethënë. Nga varfëria e hajdutëria. Shqiptarët duan shtet, duan një kryeministër serioz që të shkojë në zyrë dhe të mos banojë në avion.