Blog

  • Nga Armand SHKULLAKU – Si dështoi Edi Rama me cirkun në Londër

    Rreth 700 familje shqiptare, përfshirë edhe fëmijët, të cilave u është refuzuar azili në Mbretërinë e Bashkuar, do të përfshihen në një proces të dëbimit nga ky vend. Vendimin e bëri të njohur pak ditë më parë në parlamentin britanik, ministrja e Brendshme, Shabana Mahmood, që për ironi të fatit i përket partisë Laburiste, të cilën, fiks një muaj më parë, kryeministri shqiptar e lavdëroi botërisht në një forum në Londër për “përparimet e bëra në migrimin e paligjshëm”.

    Sot, Edi Rama, u shpreh se ishte zhgënjyer thellë nga vendimi në fjalë duke thënë se “si mundet një Sekretare e Brendshme e Partisë Laburiste të përsërisë kaq dobët retorikën e së djathtës ekstreme populiste-  dhe të veçojë 700 familje shqiptare, një pikë statistikore në oqeanin e sfidave të Britanisë pas Brexit”.

    Në këtë fjali të kryeministrit kuptohet qartë se si mundet një ministre laburiste të marrë atë vendim pa e përfillur fare diplomacinë e zotit Rama. Ky i fundit e ka të pamundur që edhe në një rast kaq konkret, që lidhet me fatin e disa qindra familjeve shqiptare, të mos merret me rastin, por kërkon t’u kujtojë britanikëve oqeanin e sifadave ku janë zhytur pas Brexit.

    Këtë bëri ekzaktësisht kryeministri shqiptar, kur një muaj më parë, në vend të angazhohej për problemet e bashkatdhetarëve të tij, nisi të ironizojë Britaninë e Madhe. “Ju e latë Evropën sepse donit më pak anije dhe keni më shumë anije. Ju e latë Evropën sepse donit më shumë investime. Keni më pak investime. E latë Evropën sepse donit më shumë lumturi. Tani jeni në depresion”. I bindur se me këtë retorikë poetike do tërhiqte vëmendjen e mediave britanike dhe do të kthehej në “star”-in e forumit, Edi Rama shkoi më tej ndërsa u tall me ish ministren konservatore Suella Braverman dhe me një impostim prej aktori amator deklaroi se ata që kritikojnë shqiptarët duhet të mbyllin gojën, shut the fuck up.

    Sigurisht që një mënyrë e tillë të foluri, mori vëmendje mediatike dhe për Edi Ramën u fol gati dy ditë në mediat ishullore. Por vetëm kaq. Dhe mesa duket fjalët e këtij lideri global nuk i kanë lënë asnjë shenjë as aletaëve laburistë, ministrja e të cilëve vendosi dëbimin e 700 familjeve shqiptare. Talljet ndaj Braverman nuk kanë mjaftuar që sekretarja e Brendshme labursite të ndryshojë mendim, pavarësisht zhgënjimit që i paska shkaktuar Edi Ramës, duke vërtetuar kështu se diplomacia e cirkut funksionon për të tërhequr vëmendje por jo për të zgjidhur probleme.

    Egocentrizmi prej kllouni i Edi Ramës, që nga uljet në gjunjë, veshjet atipike, humori bajat apo leksionet e “një të vogli” ndaj të fuqishmëve të planetit, e kanë vendosur shpesh atë nën projektorët e mediave të rëndësishme të botës. Si çdo klloun që merr vëmendje në momentin që shfaqet. Por vetëm kaq. Sepse bota nuk njeh shembuj kur diplomacia e cirkut mund të bëjë punën e vërtetë, atë që kërkon seriozitet, vullnet e konsistencë, që shpesh nuk shpërblehet me marketing politik për protagonistët, por ama jep rezultate për vendin.

    Edi Rama ka plot shembuj që e vërtetojnë këtë, por ky i fundit me Britaninë e Madhe është më ilustrativi për cirkun dhe lojën banale ku vërtitet kryeministri shqiptar. Kontrasti që kryeministri i një vendi si Shqipëria, tashmë gjithnjë e më shumë i asociuar me narko trafikun, u tregon britanikëve se çfarë halli i ka zënë me Brexit, padyshim që zgjon një trill mediatik. Kur i njëjti shpërfaq “guximin” për të sulmuar apo tallur politikanë të rëndësishëm si Braverman apo Farage (sigurisht në opozitë) edhe kjo i grish gazetarët ishullorë. Por fatkeqësisht nuk i shpëton dot familjet dhe fëmijët shqiptarë, për të cilët laburistët në pushtet kanë marrë vendim t’i kthejnë në vendin nga ku ikën e ku qeveris prej një dekade e gjysëm Edi Rama.

    Ndërsa kryeministri shqiptar jepte leksione një muaj më parë në Londër, një zyrtar i ministrisë së Brendshme britanike i tha “Daily Express” këto fjalë: “Edi Rama nuk e ka idenë se për çfarë po flet. Nëse ai do ta bënte vërtet punën e tij, shqiptarët nuk do të kishin ikur për në Mbretërinë e Bashkuar në turma. Ai duhet të shpenzojë më pak kohë duke folur në publik dhe më shumë kohë duke marrë mbrapsht numrin rekord të kriminelëve shqiptarë që mbushin burgjet tona”.

    Por a mund ta bëjë Edi Rama punën e tij? Diplomacia e cirkut është dëshmia më e pastër që i jep përgjigje kësaj pyetje. Një udhëheqës që ka dështuar të avancojë vendin e tij, të cilin e drejton prej 15 vjetësh, propagandën mediatike e ka të vetmen mbulesë të paaftësisë dhe abuzimit. Ai jep toka për kampe refugjatësh, ishuj për resorte, “shpartallon” ambasadorin rus, i garanton mbështetje Zelenskit dhe i tregon rrugën BE, por numri i shqiptarëve brenda vendit që drejton sa vjen e shteron. Sipas raporteve ndërkombëtare, Shqipëria mbetet vendi më i varfër në Europë, më i korruptuar dhe thuajse nën kontrollin e grupeve të fuqishme kriminale.

    Këto janë rekordet e liderit global, që veç ca artikujve rozë nëpër media dhe tortës së Marta Kos, nuk ka sjellë asnjë avancim të vendit në skenën ndërkombëtare. Sepse diplomacia e cirkut zgjat deri në shfaqjen e radhës, por nuk lë asnjë shenjë domethënëse. Shqipëria liberalizoi vizat me BE, mori statusin e vendit kandidat, u anëtarësua në Nato, pa patur liderë me atlete adidas apo aktorë skenash kalorsiake që bien në gjunjë pëpara liderëve të huaj.

    Në fund të çdo shfaqjeje, pas entuziasmit dhe duarve të skuqura nga përplasjet, spektatorët i kthehen realitetit dhe shtëpive të tyre për të menduar se çfarë kanë për të ngrënë. Edhe ato 700 familjet shqiptare në Britani, mund të jenë zbavitur me talljet e kryeministrit tonë ndaj Suella Braverman, por tashmë iu duhet të përballen me vendimin e ministres aktuale që synon t’i kthejë andej nga kanë ardhur. Dhe zhgënjimi i thellë i Edi Ramës, vështirë t’u vijë në ndihmë.

  • Shpërthen konflikti midis BBVA-BBVK– ja çfarë ka ndodhur

    Shpërthen konflikti midis BBVA-BBVK– ja çfarë ka ndodhur

    Rivaliteti mes dy prej reality‐show-ve më të mëdha në trojet shqiptare ka shpërthyer zyrtarisht dhe beteja ka nisur pikërisht në rrjetet sociale!

    Pas javësh thashethemesh, paralajmërimesh dhe pritjeje, të dy produksionet publikuan videot e tyre promocionale, duke sinjalizuar fillimin e “luftës” për dominim të publikut.

    BBV Kosova – Starton e para

    • Zyrtarizon nisjen e sezonit të katërt më 17 nëntor
    • Promoja me Alaudin Hamitin & Jonida Vokshin ka arritur 856 mijë shikime
    • Banorët ende të fshehur – një strategji që po ndez kureshtjen online

    BBV Albania – Rikthimi i shumëpritur

    • Konfirmon nisjen në dhjetor
    • Ledion Liço rikthehet si moderator
    • Videoja promocionale sapo doli dhe ka kaluar 1 milion shikime në pak orë

    Ky reagim i fuqishëm mbylli gojët e thashethemeve për anulimin e edicionit dhe për krizën e përfolur midis Ledionit dhe Sara Hoxhës.

    Gara sapo ka nisur

    S’ka akoma eliminime, votime apo banorë të zbuluar… por beteja për vëmendje, klikime dhe shikime ka nisur më herët se kurrë!

    Tani të gjithë presin me ankth përgjigjet e mëdha:

    ➡ Kush do të tërheqë më shumë publik?
    ➡ Cilët VIP-a do të surprizojnë në shtëpitë respektive?
    ➡ Cili format do të shpallet mbreti i reality-show-ve shqiptare?

    Një gjë është e sigurt: publiku shqiptar është gati për dramë, intriga dhe spektakël!

  • Nga Basir ÇOLLAKU – Nuk bëjnë punë kamerat, kur të kanë plas sytë

    Nga Basir ÇOLLAKU – Nuk bëjnë punë kamerat, kur të kanë plas sytë

    Kamera inteligjente verbohen kur i përdor një budallla, ose një i inkriminuar

    Se zbardh kamera krimin por dora që e ndez

    Do zbardhkërka vrasjen e Rinasit me kamera inteligjente zhurmon militantët e tij kryeministri Rama. Si satelitët që shohin vetëm datën e pagesës kompanisë kur i paguhet qiraja.

    Si tigrat 1 e 2 që kërdisën mbi 100 milionë euro para publike

    Si firmën e hedhur mbi kompaninë fantazmë që hodhe te inceneratori

    Si tunelin e Llogarasë

    Si rrugën Thumanë-Kashar

    Si rrugën e Arbrit

    Si aeroportin e Vlorës

    Si Portin e Durrësit

    Si 12 miliardë tendera infrastrukturë me abuzime ulëritëse

    Si kamerat që filmuan e fotografuan Olsin me çunat e kokainës në Xibrakë

    Si ata që e regjistruan po vëlla Olsin në biznesin e call-center

    Si ata që nuk njohën zërin e vëllait të Xhafës në prokurori

    Si ata që filmuan mijëra hektarë hashash që vazhdojnë gjelbërohen të patrazuar

    Po këto kamerat inteligjente do ia tregojnë banditët që ka emëruar në qeveri Ramës

    Si fondet e IPARD për bujqësinë por u bënë vila për shoqninë e partisë, që i pa e hetoi gjithë bota si vidhen po këtu askush

    Si tenderat sekret në pandemi

    Si plaçkitjet qindramilionë euroshe të AKSHI

    Si 22.4 ha tokë e Gjipesë që u bënë tokë daje, e verbuan kadastrën

    Si tonelatat e kokainës lumë në portin e Durrësit e nuk i prek asnjë kokërr polici

    Si investimet strategjike dhënë trafikantëve kur nuk sheh kujt ia firmos

    Si jepen punë publike e investime Mafias por sytë nuk ndalojnë

    Se mos hedh një sy kamerave të KM të shohim si hyjnë e dalin mafiozët e sanksionuar nga USA

    Si nuk pe dot Charlin e FBI kur dendej me shpërblime e gjoba dhe kryente qoka amerikane me pagesë nga këshillonjësit

    Si ata oficerë policie, prokurorë e gjyqtarë që i ke në dosje bandash

    Do e gjeje me kamera intelegjente vrasësin

    Edhe me këto kamera “budallaqe” po të kishe vullnet inteligjent do e zbardhje. Por me vullnet budalla nuk punon asnjë kamera inteligjente.

    Nuk ka të bëjë kamera. Mbreti Zog me dy xhandarë mbante rendin në një qytet. Meseleja është te dora që ndez e fik dhe lexon kameran.

  • Nga Enver BYTYÇI – E keqja që nuk i ndahet këtij vendi ka emër!

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke iu përgjigjur një pyetjeje të një pensionisti në njësinë administrative dy, thoshte se kreu i opozitës është “e keqja që nuk i ndahet këtij vendi”. Më duhet thjesht të sqaroj në këtë rast se çfarë do të thotë e keqja që nuk i ndahet këtij vendi. Më pas lexuesi ta mendojë dhe besojë vetë se kush, cili, cila, pra pse dikush është e keqja që nuk i ndahet Shqipërisë. Dhe jo vetëm Shqipërisë, por edhe Kosovës dhe çështjes shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

    Për Edi Ramën janë njerëzit e keqja që nuk i ndahen Shqipërisë. Në fakt janë fenomenet ato që përcaktojnë të keqen për një vend, për një popull, komb apo shtet. Prapa çdo fenomeni ka njëkohësisht një emër përgjegjës. Por po rendis disa prej fenomeneve që nuk i ndahen Shqipërisë dhe më pas publiku mund ta përcaktojë edhe atë kush, cili, cila ka lidhje me këtë të keqe.

    1.

    E keqja që nuk i ndahet Shqipërisë që nga koha e Skënderbeut e deri në këtë moment që hedh këto fjalë shkrimi është emigracioni i shqiptarëve, pra shpopullimi. Kush dëshiron të mësojë të vërtetën, le të marrë statistikat dhe të shohë se në cilat kohëra ka ndodhur dhe pse sot po ashtu ndodh shpopullimi i vendit tone. Tri janë eksodet më të mëdha. Ajo e viteve të para pas vendosjes së sistemit dhe regjimit kriminal të komunistëve. Pastaj eksodi i kohës së rënies së sistemit bolshevik komunist në Shqipëri dhe eksodi i 13 viteve të fundit. Eksodi i parë ka të bëjë me dhunën dhe terrorin deri në luftë civile që shkaktoi regjimi totalitar i Enver Hoxhës. Eksodi i dytë ka të bëjë me hapjen e Shqipërisë pas një izolimi absolut, sërishmi si rezultat i politikave shtypëse të regjimit totalitar enverist. Dhe i treti lidhet me regjimin e Edi Ramës, i cili duket qartë se shpopullimin e ka si agjendë të tij dhe grupeve mafioze me të cilat ai është i lidhur. Kishte emigrim përtej limiteve në vitin 1997, por edhe ai erdhi si rezultat i kryengritjes së armatosur dhe revolucionit të ish-bolshëvikëve të regjimit totalitar. Në vitet 2005-2009 çdo vit pati vetëm shtim të popullsisë.

    2.

    E keqja që nuk i ndahet Shqipërisë është mafia politike, ekonomike dhe e trafiqeve të drogës. Vendi ynë kurrë nuk ka pasur një simbiozë kaq të dukshme midis shtetit, grupeve kriminale dhe grupeve mafioze si në dekadën e fundit. Kurrë shteti nuk është vënë në dispozicion të mafies, siç është vënë nën drejtimin e Edi Ramës. Ligjin tek ne sot e bën mafia. E bëjnë mafiozët e Sibaloes, Ndraghetës dhe organizatave të tjera, të cilët kanë marrë prej kryeministrit të Shqipërisë liçencën e “partnerit strategjik” me mafiozin në krye të qeverisë. Mafiozët e vegjël janë partnerë strategjikë të kryemafiozit. Prej Pëllumb Gjokës e deri te Lefter Hysaj. Këta diktojnë projektet, politikat e zhvillimit, deri ato të bashkëpunimit me Beogradin në sektorë strategjikë si energjetika. Kjo është një e keqe që jo vetëm nuk i ndahet Shqipërisë, por e ka rrezikuar vendin tonë.

    3.

    Nuk e di nëse ka ndodhur ndonjëherë që tri kabinete qeveritare të jenë në burg ose në arrati. Edhe kjo e keqe nuk iu nda Shqipërisë sonë. Diktatura hoxhiste i pushkatoi shumicën e ministrave dhe kryeministrave të kohës, regjimi i sotëm ka krijuar ushtrinë e ish-ministrave në qelitë e burgut. Kjo e keqe e madhe nuk po na ndahet për shkak të politikave që ndjekin të dy këto regjime. Emrat dihen. I pari ishte diktator. I dyti, Edi pra, është një megaloman, që vjedh, duke qenë i sigurt se “nuk i hyn ferrë në këmbë”! Kjo e keqe duhet larguar.

    4.

    Më e madhja e keqe që nuk i ndahet Shqipërisë është tradhtia ndaj interesave kombëtare. Dy herë ka ndodhur që të bëhen lutje për ta shkatërruar kombin shqiptar. Në vitin 1944-1948, kur forcat partizane të Enver Hoxhës shkuan në ndihmë të ushtrisë partizane të Jugosllavisë (Serbisë) për t’i ndihmuar ata në gjenocidin serb kundër shqiptarëve. Dhe kur diktatori shqiptar i lutej Titos që ta pranonte Shqipërinë si Republikë të Shtatë të Jugosllavisë. Kjo ishte hera e parë. Hera e dytë lidhet me kryeministrin e sotëm. Ky i sotmi lidhi marrëveshje me presidentin e Serbisë për ndarjen e Kosovës dhe më pas për krijimin e atij që u quajt Minishgengen ose Open Ballkan. Të dyja këto janë turpi i historisë anti-shqiptare të regjimeve tona. E keqja e pas Luftës së Dytë Botërore u ripërtëri në dekadën e dytë të shekullit XXI nga kryeministri aktual. Pra është një e keqe që nuk na ndahet. Sepse tradhtia është mjeti me të cilin pasurohen këta lloj politikanësh shqiptarë.

    Tani hajde gjejeni se kush është e keqja që nuk na ndahet? Edi Rama dhe etërit e tij, apo Sali Berisha! A ka Berisha gabime? Sigurisht që po. Por e keqja që nuk na ndahet si komb, si popull e si vend është e lidhur me komunistët dhe post-komunistët. Këtë garë në spektrin politik shqiptar e kanë fituar ata! Pikërisht kjo është arsyeja pse lideri i Rilindjes e transferon të keqen që na ndjek te kundërshtari i tij.

  • Nga Basir ÇOLLAKU – Rama-Bela, mbytja në ‘Titanikun’ narkotik

    Nga Basir ÇOLLAKU – Rama-Bela, mbytja në ‘Titanikun’ narkotik

    Rama është shfaqur si dëshmitar në dosjen “Sinaloa-Hysa”, një ndihmës në aktivitetet e tij në Shqipëri. Një mikpritës i kushërinjve “meksikanë” në zyrë, për të ofruar lehtësirat e agjendës së kartelit “Sinaloa”. Një prej organizatave terroriste, siç e ka emërtuar zyrtarisht administrata Trump, dhe një nga më të pasurat e më të rrezikshmet në planet, sipas listës amerikane, ka degëzuar aktivitetet e saj në Shqipëri. Duket se shpërthimet e sanksioneve nga SHBA nuk kanë kthim pas.

    Dosja NarcoRama, me shembuj të ngjashëm, është e tejmbushur. Mesazhet nga DASH, DEA dhe CIA kanë qenë të forta dhe publike. Kartelet e drogës, kudo të ndodhen, janë në luftë me SHBA. Agjencitë amerikane dhe Ambasada në Tiranë kanë mbajtur qëndrime të shpeshta, duke pohuar se prioriteti numër një i qeverisë së tyre është lufta kundër trafikut të drogës, pastrimit të parave dhe krimit të organizuar, dhe bashkëpunojnë me qeveritë që e kanë këtë prioritet.

    I shushatur, ndonëse ende gjithëkontrollues i godinës së pushtetit të arnuar me korrupsion, pastrim parash, tendera dhe pronë publike e private të vjedhur, kokainë të bollshme dhe banda të kollarisura, Edi Rama tenton të gjejë një strehë azili për të qëndruar pak kohë më gjatë në pushtet. Nxjerr si budallenj disa evropianë ose diplomatë të paguar, të cilëve ua krehin bishtin, dhe i thonë se je afër BE-së, por e di se na duhet një certifikatë sigurie andej matanë oqeanit. Dhe defteri, megjithëse vonon, nuk harron: mbërrin.

    Luftar Hysa, familjarët dhe bizneset e tij, përfshirë kazinotë, janë sanksionuar dhe janë përfshirë në listën e zezë të Thesarit Amerikan. Dhjetëra milionë euro janë hedhur në ndërtim e kazino në Shqipëri dhe janë ripërcjellë në SHBA. Krimi vazhdon. Edi Rama ka pohuar publikisht, pasi janë shfaqur fotot e mysafirëve të “Sinaloa” duke dalë nga zyra e tij, se ka pritur Luftarin me “kushërinj nga Meksika” dhe këshilltarët e McGonigalit për të sqaruar disa padijenë burokratike. Kryeministri ynë është, për të thënë të vërtetën, tepër procedurial.

    Po bandat e Durrësit, Shkodrës, Elbasanit, Vlorës dhe Fierit, të hetuara dhe në kërkim, a kanë pastruar para nga trafiku i drogës përmes lejeve të investimeve strategjike, firmosur nga Edi Rama? Sigurisht, po. Po Taulant Balla dhe Olsi Rama? Në dhjetë ditët e fundit, mediat franceze, holandeze dhe rrjetet evropiane kanë publikuar se:

    Olsi Rama, sipas dokumenteve hetimore të aksesueshme për mediat, është provuar si përdorues i makinës së trafikantëve të drogës së laboratorit të kokainës në Xibrakë në 2014, por hetimet 11-vjeçare, përfshirë edhe SPAK, e kanë amnistuar.

    Taulant Balla, sipas shkresave të konsultuara, është kapur në përgjime të shumta duke biseduar me trafikantë droge.

    Dosjet “Çopja” dhe “Hoxhosmani” (Toyota Auris) janë belge, holandeze, gjermane dhe britanike, dhe lidhen me miliarda euro nga trafiku i kokainës, shumë prej të cilave janë investuar në Shqipëri në histori strategjike, ku firmëtari kryesor del të jetë kryeministri ynë me zëvendësen e tij strategjike, Belinda Balluku, çuditërisht ende në detyrë dhe firmëtare në mungesë dhe me porosi, sipas publikimeve të mbledhjes së qeverisë më 12 nëntor.

    Nuk mund të harrohet kapitulli “Aruba”, konfirmuar nga antimafia italiane dhe prokurori Nicola Gratteri. Samiti i kokainës në Antilet Holandeze, me pjesëmarrje të dedikuar të qeverisë shqiptare, charter privat dhe bosët e kokainës. Ora-dhuratë 400 mijë euro. Planet e investimeve të ndara në bordin e drogës. Tani, me provat që tregojnë gjurmë financimesh nga Ndrangheta, Sinaloa, Sacra Corona dhe organizata të tjera ndërkombëtare të trafikut të drogës, Rama nuk mund të bëjë sikur është mësues qorr, plak shurdh apo kryeministër budalla. Sigurisht, ka ministra, deputetë, bashkiakë dhe zyrtarë të tij të përfshirë në histori trafiqesh. Emrat janë aty. Anija do të mbushet gjatë mbytjes, nuk do të zbrazet.

    Përse shfaqet Rama kudo në këto ngjarje të mëdha?

    Palloshi i Ballukut, apo “sojnikja” e tij K.., i tremburi i Erionit, po mbytet në Titanikun narkotik, ndërtuar prej tij, me kanabizimin e vendit të pandërprerë. Miliardat nga tenderat dhe koncesionet, ku del emri firmëtar i Ballukut në mungesë dhe me porosi, kanë edhe adresa pastrimi parash dhe trafikantë droge përfitues. Ata dinë sekretet e ortakëve qeveritarë Rama-Balluku.

    Rikthimi komik i Veliajt si bashkiak procedurial, pasi shefi e fali dhe përdori, duke e rikthyer te pemët dekorative e jo te ato të mbjella, është pjesë teatrale mashtruese me shpresën të shpëtojmë bashkë, ose të vdesim bashkë. Ai prapë do të bëjë krokodilin, kur Bela të shkojë te vëlla Erioni së shpejti. Por mos e prisni këtë nëntor në panairin e librit “Kurbani” i Ramës. Panairi tjetër do të jetë kryekurbani, me të cilin shumë palë do të mbarojnë punë. Do të lexojmë “Kurban-Titanikun”, të mbushur me organizatën binjake “Rilindja” dhe “Sinaloa”. Dhe Titaniku nuk ka shpëtim.

  • Nga Alfred LELA – Shteti në timonin e atentateve

    Nga Alfred LELA – Shteti në timonin e atentateve

    Te ekzekutimi i Gilmando Danit, një eksponenti të dënuar më parë të krimit, nuk të habit vrasja vetë. Në atë botë ku jetohet me plumbin, gjasat janë që nga plumbi do të biesh. Janë tre elementë, që bien në sy, në këtë ekzekutim të sofistikuar, madje mund të thuhet se bërtasin.

    Së pari, le të konsiderojmë orën e atentatit. Edhe për Paul Castelanon, bosin e familjes Gambino në New York, atentatorët zgjodhën një orë të mbrëmjes, ku jo vetëm do të mund të binin më pak në sy dhe fshiheshin më lehtë, por edhe sepse mafiozët, (të paktën ata në Amerikë) nuk ia lejojnë vetes një sfidë direkt me forcat e ligjit.

    Sot, në një prej segmenteve më të rrahura të Shqipërisë, disa vetë qëlluan mbi një makinë luksoze dhe të blinduar, ku gjendej edhe armiku i tyre. Ishte dita me fat e të rastësishmëve përreth, por jo e shënjestrës. Komisariati i Policisë së Rinasit është punë 200 metrash më tej. Kamera dhe radarë të të gjitha llojeve, në çdo cep. Siguria, të paktën teorikisht, në këtë zonë është kryefjala.

    Atentatorët nuk pyetën për këtë. Kjo siguri, afërmendsh, vjen sepse ata janë gati t’ia bëjnë këtë sfidë (karshillëk) shtetit. Thënë me gjuhën e tyre ‘nuk e rruajnë për të’. Pavarësisht pasurisë, ‘e kena da menjen’, apo fuqisë së një grupi kriminal, shteti, po të ketë vullnet, e asgjëson saherë, kudo dhe kurdo të dojë. Këtu kemi ngecur.

    E gjitha lidhet me elementin e dytë, që gjendet na makinën e të ekzekutuarit. Ku ishte, epna Zot jetë për këto mrekulli të kohës sonë!, një oficer Policie. Madje një prej atyre të ngarkuar për mbikqyrje, ai që duhet të ruante blutë nga korrupsioni, me pak fjalë.

    Kjo nuk është arsyeja kryesore, dhe as lidhja e vetme e krimit me shtetin, është madje vetëm një fije. Siç dalin në përgjime, bosët e krimit kanë lidhje direkte me shefat dhe drejtorët e Policisë të cilët janë në borderotë e tyre. Në këtë hierarki, një zyrtar i AMP nuk mund të shërbejë më shumë se shoferi në këtë rast. 

    Në këtë hapësirë, ku kufijtë me ligjin janë fshirë, lëvizin njerëzit e botës së krimit. Ata nuk druhen dhe as ruhen sepse e konsiderojnë atë që bëjnë ‘një biznes si gjithë të tjerët’. Fatale në këtë rast është fakti se, ata që duhe të ishin përballe tyre, për t’i ndaluar, ata që duhet ta konsideronin punën si profesion të sigurisë publike, po ashtu e kanë kthyer në biznes.

    Krimi nuk ka frikë nga Policia, sepse Policia nuk ka frikë nga ligji, sepse këtë mungesë frike e shohin me radhë që nga shefat e tyre, e deri te shefat e shefave në majë të kupolës shtetërore. Për frikën nga Zoti, mos pyesni, se ende nuk kanë kaluar 100 vjet nga shembja e kishave dhe xhamive.

    Ka edhe një element të tretë, që lidhet me atë që dëgjojmë të thuhet dhe shkon në krah krejt të kundër me atë që shohim të ndodhë. Sot, ministrja e Brendshme, më pak se një orë nga atentati, mburrej në Komisionin parlamentar të Sigurisë, me një vetësiguri që buron, o nga naiviteti o nga moskokëçarja. Shifrat dhe qëndrimi i saj ishin më shumë përpjekje për propagandë se sa i një zyrtari të lartë të shtetit që e ka shqetësim sigurinë dhe rendin.

    Nuk mund ta fajësojmë deri në fund. Zonja Koçiu nuk është më shumë se një imitatore e shefit të vet. I cili prej kohësh është hedhur në epokën ‘post truth’ apo ‘alternative facts’. Thënë shqip, ai nuk i konsideron faktet, por i përmbys ato për hir të propaganadës. Atij nuk i intereson shteti, por pushteti. Këtë të fundit e ka ngritur të tillë, saqë do të binte sakaq pa mbështetjen te krimi dhe bandat.

    Dhe kjo është aryeja e fundit se, pse banditët u shfaqën sot në mes të ditës, ngjitur me aeroportin ndërkombëtar, vranë rivalët e tyre dhe e dogjën makinën e arratisë pak kilometra më tej. Prej kohësh, ata dhe të ngjashmit e tyre, janë me shtetin, i cili duhet ta mbrojë qytetarin prej tyre, në një marrdhënie biznesi. Herë i pajton shteti ata si nënkontraktorë, e herë të tjera ndodh e kundërta. Prandaj në makinat e e të fortëve i gjen të gjitha llojet e kostumeve të shtetit, nga blutë e deri te pelerinat e errëta.

  • Nga Kim MEHMETI – ‘Rilindja’ e Piktorit, si shkollë për trajnimin praktik të hajdutëve!

    Nëse do e vlerësoje ‘Rilindjen’ e Piktorit nëpërmjet funksionarëve të saj të burgosur, apo që janë të akuzuar për hajdutëri, del se parakusht që të jesh anëtarë i privilegjuar i saj është të jesh hajn.

    Ndërkohë duket perverse, por del se është e vërtetë: sa më shumë që shtohet numri i hajdutëve të arrestuar të ‘Rilindjes’, aq më shumë rritet numri i mbështetësve të Piktorit.

    Qe do te thotë se pjesa më e madhe e shqiptareve te mëmëdheut tonë duan qe hajdutët tua drejtojnë shtetin?!

    Së fundmi, për hajdutëri është akuzuar edhe Bela, edhe një nga pasardhësit e shokëve më të ngushtë të Xhaxhit Enver, të cilët edhe dominojnë në qeverinë e ’Rilindjse’, e cila qeveri gjithnjë e më shumë i ngjanë një shkolle për trajnim praktikë te hajdutëve.

    Dhe përderisa zbardhen bisedat e Belës ku ajo flet për ‘Palloshin e gjatë’ dhe kurvat, ‘Rilindësit’ dhe mediat që ata i kontrollojnë, i ka pllakosur heshtja mafioze.

    Pra mediat dhe ‘Rilindësit’ nuk i komentojnë veprimet e Belës ashtu siç bënin gjatë arrestimit të drejtuesve opozitarë qe policia i zvarriti gjatë prangosjes, sikur të ishin krye kriminelët e Shqipërisë.

    Po, qeveria e Piktorit për shumëçka të duket si shkollë për trajnimin praktikë të hajdutëve. Me çka Shqipëria shpërfaqet si vend i sunduar nga hajdutët

    Si një vend ku s’ka si mos jenë më të shpeshta vrasjet se dasmat.

    Dhe ku burrështetasit hajdutë pasurohen e qytetarët skamnorë dhe të pambrojtur nga askush ia hanë kokën njëri tjetrit.

  • Nga Enver BYTYÇI – Alibitë e “Palloshit” për të fshehur vjedhjen dhe grabitjen e pasurive publike!

    Behgjet Pacolli deklaroi se “Belinda Balluku më thirri në zyrë dhe më fyu”! Edhe ia ka dhënë aeroportin, edhe “e ka fyer”! Diçka shumë sureale. Ndërkohë tha se nuk e kishte takuar dhe as kishte komunikuar me zotin Rama përpara se sa të “fitonte” tenderin e ndërtimit të aeroportit të Vlorës. Më mirë se kaq nuk kishte se si të alibiohej sulmi mbi Ballukun dhe mbrojtja e kryeministrit Rama. Edhe miopët dhe naivët e kuptojnë mesazhin e këtyre dy fjalive. Se, edhe nëse Belinda ta ketë fyer Pacollin, është krejt mashtrim pohimi se ky i fundit nuk paska kontaktuar me kryeministrin “më të mirë”, siç thoshte ai, Edi Ramën. Përkundrazi Rama ka qenë garant te Pacolli dhe porositësi për të marrë pjesë në tendët dhe “fituar” atë. Mjaft më me simite që shiten për pite.

    Ndërkaq SPAK-u publikoi disa sms të kreut të “Rrugëve pa Rrugë” me ministren e tij, Belinda Balluku. Njësoj si në rastin Veliaj. Kreu i qeverisë po ndjek të njëjtin skenar. Ka mobilizuar medien që të përhapë sa më shumë helmin që SPAK lëshon kundër viktimës së radhës të Edi Ramës. Synimi është që “Palloshi” të dalë i larë nga skandali, të mos ndotet në asnjë pjesë të trupit e të trurit. Gjithë vëmendja e opinionit duhet të shkojë te viktima e vullnetshme e Ramës, Belinda Balluku. Ndryshe spërkatet me pesticide edhe Edi Rama. Kjo strategji ka funksionuar dhe po funksionon në rastin e radhës. Edhe kënga “Bela çao, Bela çao” është e porositur! Gjithçka në funksion të shfajësimit të fajtorit kryesor. Kjo është metoda mafioze e fshehjes së krimit. – Denigro dhe diskreditoje në publik partnerin në hajni dhe dil i larë nga kjo histori!

    Agron Shehaj në parlament, duke ritheksuar sms e Ballukut me fjalinë “Prit t’i çoj fjalën k..rvës”, në fakt ia bëri shërbimin Palloshit, të cilin Bela e quan “K.rvë”! Njerëzit do të besojnë me këtë se Belinda ka vepruar në kokë të vet, dhe pa dijeninë e rojtarit të dardhave. Edhe ky lloj diskursi jo vetëm nga Shehaj, por dhe opozitarë të tjerë, ka shkuar në drejtimin që dëshiron Palloshi. Të duket sa më larg Belinës dhe bëmave të saj! Ky është qëllimi i gjithë propagandës kundër Ballukut.

    Por problemi është se kryeministri e mban akoma si zevendëse të tij pikërisht këtë viktimën, të cilën vetë e hodhi në gojën e ujqërve. Nuk e heq dot. Vetë viktima nuk hiqet si e tillë dhe nuk do që të japë dorëheqjen. Si do të bëhet? Kjo sjellje do të shërbejë gjithashtu si ushqim për mediet. “E lagu apo nuk e lagu”, do të jetë loja. Derisa Palloshi të nxehet e t’i thotë SPAK-ut na sillni kërkesën për ta arrestuar Belinda Ballukun. Dhe kjo do të ndodhë, nëse Balluku do ta zgjatë dorëheqjen e saj deri në masën që njerëzit të kuptojnë se ajo shantazhon shefin e vet në krye të qeverisë. Por a do ta zgjidhë problemin arrestimi i viktimës së Ramës? Besoj se jo.

    Belinda e ka kërcënuar kryeministrin me fjalinë “Të marr dhe ty me vete! Unë nuk jam Erioni”! Mjafton kaq dhe të kuptosh sa e ndërlikuar është situata. Në fakt askush nuk beson se ka nevojë që Ramën ta marrin me vete Belinda apo Erioni. Përkundrazi, duhej të ishte kryeministri ai që në një shtet të së drejtës t’i merrte me vete viktimat e tij. Por kur mungon e drejta, atëherë qytetarët luten që viktimat ta marrin me vete Palloshin. Eshtë një lutje realiste, por a do të ndodhë kjo? Sërishmi nuk besoj as në këtë skemë. Palloshi i palon bashkëpunëtorët e tij te SPAK-u si të dojë dhe kur të dojë vetë.

    Ne kemi parë një video, kur krye..ti thoshte: “Pse nuk e njohim ne se kush është Beqir Balluku? Një m…m..ti”, thoshte ai. Edhe Palloshi i përmbahet kësaj formule në rastin e mbesës, ndonëse ai vetë është kreu i m, në krye të qeverisë shqiptare! Të gjithë e dinë këtë. Askush nuk beson se Behgjet Pacolli ashtu rastësisht u bë aksioneri kryesor i aeroportit të Vlorës. Eshtë kreu i qeverisë ai që para se të tenderojë përzgjedh koncensionarët dhe strategjikët. Më pas i adreson te ministrat përkatës. Ndërsa këta të fundit hyjnë në lojë me një punë të mbaruar – pazaret. Pazari është bërë nga kryem..! Kështu që ministrave nuk iu kërkohet kjë gjë. E vetmja gjë që u kërkohet është që plaçkën e radhës nga paratë publike ta ndajnë mirë.

    Nëse ministrat dhe bashkëpuntorët e tjerë të kryem… tregohen korrektë, nuk bëhen viktima. Nëse marrin ndonjë pjesë të Palloshit, atëherë ata shkojnë në satër. Ben Ahmetaj për këtë u shndërrua nga miku më i afërt, armiku më i madh i shefit të tij kryeministër. Po kështu edhe Bela do ta ketë zhvatur Palloshin, prandaj dhe u përgatit gijotina për të. Kështu është e do të jetë me të gjithë ata që besojnë se pasurohen duke vjedhur së bashku me Edi Ramën. Diku do të gabojnë në vjedhje. Dhe gabimi më i vogël në këtë kushton shumë. Pastaj bëhesh m..t – m..ti!

  • Nga Erion DASHO – Mamdani dhe ne

    Nga Erion DASHO – Mamdani dhe ne

    Në pamje të parë, nuk ka arsye që një opozitar shqiptar të gëzohet për fitoren e Mamdanit. Ideologjikisht, Mamdani përfaqëson të kundërtën e asaj që besojnë opozitarët dhe konservatorët shqiptarë.

    Anëtar i Partisë Demokratike Amerikane, Mamdani ngjan si varianti më i ri, më radikal dhe i zhvendosur akoma më tepër në të majtë, edhe kur krahasohet me atë që ka qënë për dekada simboli i së majtës ekstreme amerikane, senatorin Bernie Sanders.

    Fakti që Presidenti Tramp u përpoq t’i kundërvihej me çdo mënyrë zgjedhjes së Mamdanit, deri në pikën sa mbështeti publikisht një kandidat tjetër demokrat, duke i hequr mbështetjen madje edhe kandidatit republikan, është një tjetër faktor që e bën shumë më domethënëse fitoren e Mamdanit.

    Opozita jonë ka qënë prej kohësh në krah të Presidentit Tramp dhe politikave të tij, të cilat janë shndërruar tanimë në parimet drejtuese të lëvizjejes konservatore që po forcohet dita ditës në radhët e demokratëve shqiptarë.

    A ka kuptim, pra, që opozitarët shqiptarë t’i gëzohen fitores së Mamdanit?!

    Unë mendoj që po!!!

    Së pari, sepse Mamdani vjen në një moment shprese për Partinë Demokratike Amerikane. U pëlqejnë ose jo konservatorëve shqiptarë dhe atyre ndërkombëtarë politikat e demokratëve amerikanë, demokracia, sikundër edhe tangoja, ka nevojë për dy palë.

    Nëse pushteti gati absolut i Presidentit Tramp gëzon konservatorët, aktivistët anti-Woke, mbështetësit e zjarrtë të MAGA-s dhe dërgon sinjale pozitive për të gjithë botën, publiku i mençur amerikan, me përvojën 250 vjeçare në demokraci, vendosi t’i balancojë pushtetet. “Peshorja” e mjedisit politik, ekonomik dhe social amerikan nuk mund të anojë kaq dukshëm nga një anë e vetme. Dëmi për SHBA-të do të ishte i pariparueshëm.

    Së dyti, Mamdani doli pothuajse nga hiçi. Një këshilltar bashkiak i panjohur, i lindur në Afrikë dhe bartës i një besimi fetar që e përqafon më pak se 1% e shoqërisë amerikane, ai nuk është asfare politikani tipik amerikan, shpesh i mbrujtur në breza gjyshësh e stërgjyshësh.

    Zgjedhja e Mamdanit u dërgoi demokratëve shqiptarë mesazhin se publiku i lodhur me politikanët “tipikë” tashmë kërkon fytyra të reja. Fitorja e Mamdanit provoi se me kandidatë si Ilir Alimehmeti, Florian Binaj, Florian Haçkaj, Ermal Hasimja, etj., demokratët shqiptarë janë në rrugën e drejtë.

    Duke mbështetur këtë klasë të re aspirantësh politikë, opozita e ka të sigurt besimin e publikut; nëpërmjet tyre do t’i vendoset më së fundi fre vjedhjes dhe blerjes seriale të votave në gjashtë palë zgjedhje.

    Nëse qytetarët votojnë masivisht një Madan, një Alimehmet, një Binaj, nuk ka banditë, kriminelë apo narkotrafikantë që mund t’i kundërvihen ndryshimit!

    ***

    Demokratët shqiptarë ndodhen sot në një nga momentet më të vështira të historisë së tyre politike. Nuk është e lehtë të shpallesh humbës i katër zgjedhjeve parlamentare rresht (pavarësisht vjedhjes, blerjes dhe manipulimit të rezultateve).

    Por dalja në skenën politike e një grupimi politikanësh të rinj, energjikë, vizionarë dhe, mbi të gjitha, me imazh që ngjall besim në publik, shënon pikën e kthesës.

    Fitorja e parë u arrit!

    Fushata qytetare e Binajt dhe Alimehmetit po e bënte Binajn fitues të padiskutueshme të garës së bashkisë, çka e detyroi Boratin t’i drejtohej për ndihmë boratëve të Estradës Kushtetuese për të amnistuar Lalin e vet hajdut dhe shmangur fitoren e opozitës.

    Mesazh me shumë vlerë, i cili nëse interpretohet siç duhet nga opozita shqiptare, do ta çojë këtë të fundit shumë shpejt drejt fitores! Të shpresojmë…

  • Si të rrisësh ndjekësit në Instagram – Strategjia reale dhe falas për vitin 2025

    Si të rrisësh ndjekësit në Instagram – Strategjia reale dhe falas për vitin 2025

    Në kohën kur pragu për të dalluar në rrjetet sociale është bërë gjithnjë e më i lartë, për shumicën e krijuesve, markave dhe individëve bëhet e nevojshme të kuptosh se nuk mjafton të “jesh aty” — duhet të jesh aktiv, i menduar, strategjik. Janë të shumtë ata që shpërndajnë me lexuesit udhëzime të ndryshme, sipas tyre të detajuara, për të rritur ndjekësit në Instagram në mënyrë organike, të qëndrueshme dhe të ndershme, pa përdorur praktika të dyshimta. Në po ju japim optikën tonë.

    Në vijim do të përshkruajmë pikat kryesore, duke i sjellë në mënyrë të qartë, shqip — nga përgatitja strategjike, përmbajtja që funksionon, deri te bashkëveprimi dhe matja e rezultateve.

    Përgatitja përpara se të “postosh”

    Para se të filloni për të shtuar ndjekësit në Instagram, sipas kërkimeve, është thelbësore të bësh një përgatitje të mirë strategjike:

    Cili është qëllimi yt: Çfarë kërkon të arrish — më shumë ndjekës, më shumë angazhim, më shumë shitje?

    Kupto audiencën: Cilët janë njerëzit që do të doje të të ndjekin? Çfarë përmbajtje u pëlqen?

    Kujdesuni për branding-un personal ose të markës: Profil i qartë, biografi profesionale, imazh vizual i njëtrajtshëm.

    Mos u nisni nga eksperimentime pa plan — një “aksident” mund t’ju kushtojë besueshmëri.

    Kjo fazë e përgatitjes është thelbësore për të ndërtuar një rrugë të vlefshme dhe të qëndrueshme për rritjen e ndjekësve.

    Përmbajtje që tërheq dhe angazhon

    Duhet të kesh gjithnjë parasysh përmbajtjen – sepse esenca është aty. Disa nga këshillat kryesore:

    Publiko rregullisht, por mos bëni përmbajtje vetëm për “të publikuar”. Çdo postim duhet të ketë një vlerë për audiencën.

    Përdor formate të ndryshme: foto, video, storie, Reels — insta i jep përparësi formateve që provojnë angazhim.

    Përdori hashtaget në mënyrë të zgjuar: jo vetëm popullore, por edhe të lidhura me temën që kërkon të zhvillosh, për audienca të synuara.

    Angazhoji ndjekësit: pyet, ballafaqo ide, krijo ndërveprim — një audiencë që ndihet e përfshirë, ndan me të tjerët.

    Kujdesu për kohën e publikimit dhe për cilësinë vizuale — një postim i bukur në një moment jo të favorshëm nuk merr atë që pritet nga ai potencial që mund të kishte.

    Këto elemente ndihmojnë jo vetëm për rritjen e numrit të ndjekësve, por për një ndjekës që është aktiv dhe i përfshirë në përmbajtjen tënde.

    Çfarë duhet të mos bëni – shenjat e “rrugës së gabuar”

    Jemi në momentin për të kuptuar atë që duhet të shmangim — sepse është po aq e rëndësishme sa të dish çfarë të bësh. Disa paralajmërime:

    Evito të blesh ndjekës apo të përdorësh “follow-for-follow” si strategji kryesore. Këto mund të japin numra, por jo angazhim dhe nuk sjellin përfitime reale.

    Mos e shpenzo gjithë kohën në teknika boshe — pa një përmbajtje me vlerë, suksesi afatgjatë nuk vjen.

    Ki vëmendje ndaj angazhimit artificial: komentet robotike, like-et “masive” nga llogari jo reale – këto jo vetëm që nuk japin rezultatet që priten, por mund të të dëmtojnë reputacionin.

    Mos harro se algoritmi i Instagramit ndryshon — ajo që funksiononte dje, sot mund të mos ketë të njëjtin efekt. Kështu, është thelbësore fleksibiliteti dhe vëmendja ndaj të rejave.

    Kjo qasje shmang “kurthet” që ‘ngrehin’ shumë përdorues socialë — dhe e bën strategjinë më të shëndetshme e më me perspektivë.

    Analiza, matja e rezultateve dhe përmirësimet

    Rritja e ndjekësve nuk është vetëm një çështje postimi dhe pritshmërie, por edhe vëzhgimi i rezultateve dhe përshtatjes së vazhdueshme.

    Përdor Instagram Insights ose mjete të tjera analitike për të kuptuar se çfarë postimesh — temash, formatesh, orari — kanë shkuar më mirë.

    Mat parametrat kryesorë: rritjen e ndjekësve, numrin e like-ve, komenteve, klikimeve në bio etj.

    Kur diçka nuk funksionon siç e pret, përmirëso strategjinë: ndrysho stilin, provo orare të reja, eksperimento me formate të ndryshme.

    Mbaj mend: rritja e vërtetë është graduale, jo eksplozive brenda natës. Një audiencë e angazhuar vlen më shumë sesa numri bruto i ndjekësve.

    Kjo fazë është ajo që transformon përpjekjet tuaja drejt qëllimit.

    Nëse dëshiro të ndërtosh një prani të qëndrueshme në Instagram — jo vetëm për të “pasur numra”, por për të krijuar një komunitet që të ndjek, të beson dhe intereagon me ty — këto janë udhëzimet tona: përgatitu mirë, krijo përmbajtje me vlerë, evito marrëzi trukesh dhe analizoni rezultatet. Starti i mirë dhe vazhdimësia janë çelësi.

    Në fund të ditës, Instagram-i mbetet një fushë ku cilësia dhe autenticiteti bëjnë diferencën — dhe kush e kupton këtë më herët, merr përparësi të qëndrueshme.

    Materiali është përgatitur ekskluzivisht nga bashkëpunëtorë të jashtëm të gazetatjeter.net