GazetaTjeter.com
Analiza e lajmit

Nga Astrit KOLA – Triumfi i Legalitetit si komponente e shtetformimit

Bash kur rrezikohej zhbërja e shtetit shqiptar 97 vjet më parë, më 24 nëntor të vitit 1924 e Djathta legjitimiste me një aksion politiko-ushtarak të mbështetur nga Perëndimi, rivendosi rendin kushtetues dhe shmangu anarkinë rrënuese

Tashmë pothuajse unanimisht, ngjarja me rëndësi epokale, e që në historinë tonë është quajtur “Triumfi i Legalitetit”, larg paragjykimeve dhe etiketimeve keqdashëse, konsiderohet si rivendosje e ligjshmërisë në themelet e shtetit të rrezikuar shqiptar, në atë fund dhjetori të vitit 1924.

Por ndryshe nga interpretimet e shtrembëruara, duhet të bëhet e qartë njëherë e përgjithmonë se ky akt madhor i rivendosjes së legjitimitetit institucional të shtetit shqiptar – është kurorëzim i aksionit të kombinuar diplomatik, politik e ushtarak, barrën kryesore të të cilit e mbajti Ahmet Zogu.

Ky aksion madhor nuk ishte aspak inkursion personal dhe për qëllime e përfitime thjesht vetjake të Zogut, sikurse është shpifur qysh nga ajo kohë e deri më sot – por ka qenë dhe do të mbetet e konsiderohet përjetësisht si një sipërmarrje atdhetare për të vënë në jetë vendimin e qeverisë së ligjshme të kryesuar asokohe nga Iljaz bej Vrioni.

Ishte pikërisht ky personalitet i shquar që bashkë me anëtarët e tjerë të Qeverisë së rrëzuar me yrysh-yxhym turmash të manipuluara më 24 qershor 1924, mori vendimin për rivendosjen në Shqipëri të legjitimitetit qeverisës me mbështetjen e demokracive perëndimore.

Triumfi i legjitimitetit pa gjakderdhje, shënoi fundin e aventurës destabilizuese të partitokracisë, që u instrumentalizua nga arrivistë të papërgjegjshëm, që shtetin e konsideronin bango-provë eksperimentesh të dështuara qeverimi, duke përqasur praktika totalitare që pillnin dhunë dhe anarki.

Njëkohësisht, 24 dhjetori shënoi dështimin e parë institucional të republikanizmit dhe republikanëve shqiptarë, të cilët nxituan të shpërdorojnë vendimet e Kongresit të Lushnjes dhe hapësirat e lirive politike, teksa keqpërdorën institucionet e shtetit nëpërmjet krijimit të partive-banda, të mbështetura mbi krahë të armatosur, ku ishin fokusuar dhe infiltruar synimet dhe elementët në shërbim të të huajve.

Dhe jo rastësisht, pikërisht më 6 janar, bash 2 javë pas Triumfit të Legalitetit, Mbreti Aleksandër Karagjorgjeviç nisi aksionin diplomatik për coptimin e shtetit shqiptar, me pretekstin se “ky shtet i pastabilizuar politikisht, është dëshmi e paaftësisë shtetformuese të një populli të pakulturuar e të pakultivuar, që pjell trazira dhe destabilizim në Ballkan”.

Duke qenë protagonist në të gjitha ngjarjet madhore të shtet-formimit shqiptar dhe i mbrujtur me prirje natyrore për të kuptuar thelbin, rëndësinë dhe rrugët e shtet-formimit, Ahmet Zogu ishte produkti më unikal i klasës politike të ndërgjegjshme për fatet e vendit, e që mbështetej në idealet dhe idetë iluministe të Rilidjes kombëtare.

Mbështetja mbarëpopullore e Triumfit të Legalitetit, që u demonstrua në festimet e shqiptarëve të lumturuar; ristabilizimi i rendit publik dhe vendosja e paqes pas anarkisë, terrorit, gjyqeve dhe linçimeve publike të realizuara prej pseudo-demokratëve të Qershorit rrënimtar – janë shuplaka më e mirë për apologjetët e yrysh-yxhymit të turmave dhe bandave mbi shtetin dhe qytetarët e thjeshtë.

Shpirtmadhi Ahmet Zogu i fali të gjithë ata që guxuan të plaçkisin shtëpinë e Tij në Tiranë, duke përdorur deri edhe dinamit, e që bënë marrëzinë teksa dogjën me urë zjarri Sarajet e famshme të Zogollëve në Burgajet, pas qershorit 1924.

Koshient për destinin historik para bashkatdhetarëve, Zogu e rroku mirë mesazhin e Pavarësimit të 28 nëntorit 1912, dhe vendimin e 29 korrikut 1913 të Konferencës së Ambasadorëve, që shënoi Aktin Themelor të njohjes ndërkombëtare të Pavarësisë së shtetit shqiptar, duke përcaktuar që në nenin e parë se “Shqipëria njihet dhe formohet si principatë e mosvarun, sovrane dhe e trashëgueshme…”, dhe që në nenin e tretë përcaktonte se “Shqipëria është neutrale dhe neutraliteti i saj garantohet nga 6 Fuqitë e Mëdha”.

Pikërisht mbi këto premisa Zogu inicioi kongresin e Elbasanit dhe më pas atë të Lushnjes, ku me formimin e Këshillit të Lartë të Regjencës hodhi bazat e formës së ardhshme të regjimit mbretëror, si garanci për stabilitetin politik dhe mbijetesën e shtetit shqiptar.

Pas shpalljes “Mbret i Shqiptarëve” nga Asambleja Kushtetuese më 1 shtator 1928, Mbreti Zog proklamoi hapur idealin irredentist, Piemonti i të cilit ishin Kosova dhe trojet shqiptare të mbetura jashtë kufinjve administrativë londinezë. Dhe pavarësisht shpalljes së këtij synimi të hapur, demokracitë perëndimore dhe monarkitë fqinje e njohën menjëherë Mbretërinë Shqiptare.

Ndërtimi i shtetit të së Drejtës, ku të drejtat themelore të shtetasve ishin shumë më të gjera dhe më të shumta në krahasim me detyrimet, krijoi hapësira të pakufizuara për iniciativën e lirë, të bazuar mbi shenjtërinë e pronës, çka dha rezultate zhvillimore në të gjitha fushat.

Si kurrë ndonjëherë, ligji i bazuar mbi të drejtat e shtetasve dhe mbështetja mbarëpopullore ndaj regjimit mbretëruan mbi tokën shqiptare më shumë se edhe vetë Sovrani.

Kurrë ndonjëherë klasa politike nuk ishte ndërgjegjësuar kaq shumë në këtë sipërmarrje madhore të konsolidimit të shtetit dhe të begatimit ekonomik, që shpërblyen mundin e shqiptarëve.

Pikërisht për këto arsye dhe mbi bazën e këtyre arritjeve të periudhës së Monarkisë, ndonëse në kushtet e LDB, më 16 tetor 1943, Kuvendi Kombëtar rikonfirmoi parimin e neutralitetit dhe rishpalli Pavarësinë e Shqipërisë, rinjohu dispozitat e Kushtetutës së 1 shtatorit 1928 dhe emëroi Regjencën me në krye Mehdi Frashërin, duke ruajtur parimet monarkiste të formës së regjimit, ndonëse republikanët përfaqësonin shumicën e asambleistëve.

Të gjitha arritjet madhore të Monarkisë, si shtrat politik i së cilës shërbeu Triumfi i Legalitetit – kontrastojnë thellë me zhvillimet konfliktuale aktuale, ku institucionet nëpërkëmben dhe kryetari i Shtetit nuk mbart kurrfarë vullneti politik në emër të popullit sovran, teksa parlamenti i rrëzon çdo dekret, sikurse edhe i imponon dekretimin e vullneteve të mbrapshta të një klase politike të papërgjegjshme.

Në kuptimin politik, institucional dhe kushtetues, Triumfi i Legalitetit na shërben si një referencë e shkëlqyer, para së cilës rrëzohet çdo propagandë republikane.

Rivlerësimi konceptual i mesazheve historike dhe i pistave politike që përgatiti Triumfi i Legalitetit, është mjeti më efikas që mundëson praktikisht rikthimin e legjitimitetit të shtetit dhe të institucioneve, për të cilat sot kanë aq shumë nevojë shqiptarët.

Në këtë këndvështrim, Triumfi i Legalitetit mbetet pika më e lartë e referimit për kthimin në normalitet të pseudo-demokracisë së përdhosur e të gjymtuar shqiptare, produkt mostruoz i së cilës është mjerimi, rrënimi i vlerave morale e shpirtërore dhe nëpërkëmbja e të Drejtave dhe Lirive Themelore të qytetarit shqiptar.

You might also like