7 Prilli 1939 i parë me “sytë” e armikut

Nga Gjergj THANASI
Agresioni i 7 Prillit dhe pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste është parë në 3 këndvështrime të ndryshme, në vartësi të përkatësisë politike dhe të kombësisë: shqiptare, apo italiane.
Të tre këto këndvështrime do t’i trajtoj vetëm duke analizuar dokumente të palës italiane, që mbulojnë Operacionin OMT (Oltre Mare Tirana), siç u quajt në mënyrë të koduar zbarkimi dhe pushtimi i Shqipërisë nga trupat e Musolinit.
Së pari: Ishte propaganda fashiste, që pretendonte se “shqiptarët, përgjithësisht. e pritën me gëzim zbarkimin e trupave italiane, që vinin si miq për t’i shpëtuar vendasit nga sundimi i vrazhdë i mbretit tiran”.
Sipas propagandës fashiste, “… vetëm pak hajdutë e brigandë të liruar nga burgjet e të armatosur me urdhër të Mbretit Zog, hapën zjarr për pak minuta kundër trupave fashiste”. Kuptohet, që kemi të bëjmë me propagandë të mbështetur në gënjeshtra të trasha.
Për t’ia nxjerrë bojën kësaj teze, mjafton të analizojmë me kujdes një dekret të mbretit-perandor Viktor Emanueli III për dekorimin e ushtarëve, nënoficerëve dhe oficerëve italianë “për trimëri të treguar në fushën e betejës, (sic!) gjatë Operacionit OMT”.
Në dekretin e 22 majit 1939 të Mbretit Perandor Viktor Emanueli III “për dekorimin e ushtarëve dhe oficerëve, që treguan trimëri gjatë çlirimit (pushtimit) të Shqipërisë, janë dhënë gjithsej 12 medalje ari për trimëri ushtarake (pas vdekjes, domethënë së paku 12 ushtarakë italianë janë vrarë në luftime). Këtyre 12 të vrarëve u shtohen edhe 2 të tjerë: Florenzo Marani, capo cannoniere domethënë komandant topi, i dekoruar me Medalje Bronzi të Trimërisë, pas vdekjes, i vrarë në bordin e destrojerit “Lupo”, si dhe Vincenzo Semeraro, i dekoruar me Medalje Bronzi të Trimërisë, pas vdekjes, i vrarë gjatë zbarkimit në Durrës.
Me të njëjtin dekret janë dekoruar edhe 15 ushtarakë me Medalje Argjendi, “për Trimëri Ushtarake”, dhe 27 ushtarakë me Medalje Bronzi të Trimërisë. Ky dekret poashtu u akordoi Medaljen e Kryqit të Luftës 59 ushtarakëve italianë.
Ndonëse Mbreti-Perandor dukshëm ishte treguar dorëlëshuar me dekorimet e ushtarakëve të vet, prapë se prapë nuk mund të besohet që “një grusht hajdutësh e brigandësh të liruar nga burgjet” na paskërkan ofruar një rezistencë të tillë sa për ta detyruar Viktor Emanuelin të dekoronte plot 113 ushtarakë e civilë për trimëri në fushën e betejës.
Në këto dekorime dhe në arsyetimet për dhënien e dekoratave përkatëse, gjen mjaft hollësi se si u zhvilluan realisht luftimet dhe sesi dhe sa e organizuar ishte rezistenca e palës shqiptare ndaj zbarkimit të trupave italiane.
Së dyti: Këndvështrimi zogist i 7 Prillit na flet për “Monarkun August, që organizoi mbrojtjen e vendit, për mbretëreshën lehonë, që preferoi të udhëtonte në rrugë malore e të paasfaltuara, për të mos rënë në dorë të pushtuesve, duke refuzuar prerazi azilin në ndërtesën e Ambasadës amerikane, të ofruar nga ambasadori Hjuxh Grant…”.
Në kujtimet e personaliteteve zogiste, por edhe në komunikatat zyrtare të Radio-Tiranës, apo të Agjensisë Shqiptare të Lajmeve të datës 7 Prill, jepen përmasat e rezistencës së trupave shqiptare të komanduara nga Mbreti si “Komandant i Përgjithshëm i Fuqive Armate”, si edhe të humbjeve të trupave zbarkuese italiane. Kësisoj, në komunikatën e transmetuar nga Radio-Tirana, të formuluar nga ish kryeministri Mehdi Frashëri në shqip, anglisht, frëngjisht, italisht, turqisht e serbisht, në mesditën e 7 Prillit – bëhet fjalë për zbarkim të trupave italiane në Shëngjin, trupa që për shkak të rezistencës së shqiptarëve ishin zbrapsur tre herë, duke pësuar dhjetëra të vrarë e qindra të plagosur.
Trupat italiane nisën të zbarkojnë në Shëngjin pas një ore me shkëmbim zjarri të dendur, teksa pala shqiptare, krahas pushkëve, përdori edhe një mitraloz të tipit “FIAT Revelli”.
Mjetet e propagandës së Mbretërisë Shqiptare, ndonëse elementare e me mundësi të kufizuara, më 7 Prill 1939 e kryen detyrën e vet. Ato i dëshmuan botës tahmanë e Musolinit dhe përgjigjen shqiptare ndaj agresorëve, sipas zakonit: me pushkë!
Së treti, këndvështrimi i historiografisë komuniste përbëhet nga dy komponentë: ekzaltim i luftës së vullnetarëve shqiptarë dhe mohim i çdo përpjekjeje për rezistencë të organizuar nga Monarkia zogiste. Ky qëndrim, në mënyrë të qëllimshme thekson dhe përgjithëson raste tradhtie të oficerëve dhe funksionarëve të lartë zogistë, duke anashkaluar faktet historike, që dëshmojnë për të tjerë oficerë e nëpunës të shtetit, që i qëndruan besnikë betimit të bërë ndaj Atdheut dhe Mbretit, deri në sakrificën sublime të vetëmohimit.
Në propagandën komunistë këmbëngulet në “sabotimin e rezistencës së popullit shqiptar nga Mbreti Zog”, madje deri në shtrembërimin flagrant të fakteve historike.
Në thelb, ky këndvështrim thekson se “populli luftoi me dyfekë me gjalmë, ndërsa Mbreti hajdut i floririt ia mbathi nga sytë-këmbët, duke tradhtuar atdhenë dhe popullin e vet”!
Ky konkluzion gradualisht pas vitit 1990 ka rezultuar të jetë një gënjeshtër e trashë dhe banale. Propaganda komuniste 50-vjeçare ka rezultuar e pavërtetë edhe në saje të botimit të dokumentacionit të arkivave shqiptare (dokumentet e ministrisë së Brendshme të kohës së Qeverisë kuislinge Vërlaci), apo të arkivave të huaja.
E vërteta sipas dokumenteve italiane
Ekzistojnë një sërë dokumentesh italiane, që hedhin dritë për atë që realisht ndodhi gjatë Operacionit OMT (Oltre Mare Tirana), më 7 Prill e në vazhdim. Madje një raport i Mareshalit Pietro Badoglio (Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Italiane) për Mbretin-Perandor, hartuar pas inspektimit që Badoglio kreu në Shqipëri në prill-maj 1939, përmban të dhëna interesante për luftimet e kryera për pushtimin, si edhe për të metat dhe dobësitë e manifestuara nga trup-ekspedita italiane.
Ditari operacional i bazës ajrore të Grotaljes (Grottaglie), ofron hollësi për pushtimin e Aeroportit të Tiranës nga granatjerët (trupa elitë) italianë të transportuar me avionë.
Të dhëna jashtëzakonisht të vlefshme ofrojnë ditari i bordit: i destrojerit “Lupo” për luftimet e ashpra në Portin e Durrësit; i kryqëzorëve “Fiume” në Durrës dhe atij “Garibaldi” për zbarkimin në Sarandë; i destrojerëve “Castore” për zbarkimin në Vlorë dhe “Airone” për zbarkimin në Sarandë; i destrojerit “Lira” për zbarkimin në zonën e Banjave në Durrës (aktualisht ish-Blloku i udhëheqjes në plazh); i karrocatës “Giulio Cesare” për bombardimin e pozicioneve të një batalioni të këmbësorisë shqiptare në Bestrovë afër Vlorës.
Në librin “Le fanterie di marina italiana”, të shkruar nga Luigi Fulvi, janë botuar facsimilje dokumentesh për luftimet e kryera nga ushtarakët e njësisë elitë “San Marco”, gjatë zbarkimit në Shëngjin dhe në Sarandë.
Një kontroll i thelluar i arkivave të hapura italiane (të Super Marina-s, Super Aero-s dhe Regio Esercito-s), si dhe një interpretim i kujdesshëm i dokumentacionit që përmbajnë ato për 7 Prillin, me siguri do të sillte risi të rëndësishme për të kuptuar dinamikën e luftimeve më 7 Prill dhe në ditët në vazhdim.
Në Durrës
Rezistenca ishte më e organizuar, madje duke shfrytëzuar edhe dobësitë e trup-ekspeditës italiane, arriti t’u shkaktojë italianëve mjaft të vrarë e të plagosur, si edhe ta vonojë për më shumë se një ditë hyrjen e trupave italiane në Tiranë.
Rezistenca komandohej nga Major Abaz Kupi i xhandarmërisë (fakt ky i pranuar edhe nga një komunikatë e PKSH e shtatorit 1942, e shkruar nga vetë Enver Hoxha), dhe nga major Alibali i Ushtrisë Kombëtare.
Mbi italianët hapën zjarr me pushkë dhe tre mitralozë austriakë “Schwarzlose”: marinarët e togës së marinës, të komanduar nga kapiten Xhevdet Tirana; xhandarët e major Kupit; ushtarakët e Rojes së Kufirit, si dhe; vullnetarë të armatosur e të dislokuar në Depon e Ushtrisë shqiptare tek “Balta” (në buzë të ish Kënetës së Durrësit), të etiketuar “trupa kreshnike”.
Bateria “Prandaj”, e pajisur me 4 topa “Skoda”, kalibër 75/27 mm dhe e komanduar nga major Gaqe Jorgo, hapi zjarr me 12 predha kundër luftanijeve italiane në radën e Durrësit. Madje një nga predhat shkatërroi katapultën për lëshimin e avionëve të vendosur në bashin e kryqëzorit “Fiume”. Pra në Durrës nuk kishte “një grup vullnetarësh të armatosur me pushkë me gjalmë”, por disa qindra ushtarakë, xhandarë e vullnetarë të armatosur me pushkë e mitralozë të rëndë e të lehtë, si edhe të mbështetur nga artileria.
Komanda e mbrojtjes së Durrësit, deri në rënien e qytetit rreth orës 1000 të 7 Prillit, komunikonte vazhdimisht me Tiranën me telefon, me telegraf dhe me radio të tipit “R3”, madje edhe më mirë se trupat italiane, që u detyruan të përdorin avionët e zbulimit në funksionin e ndërlidhjes, sepse radiotelegrafistët italianë nuk dinin të përdornin stacionet moderne të radios tip “R3” (Për më shumë shiko relacionin “Badoglio”).
Në Durrës u kryen edhe punime xheniere, si përshembull hedhja në erë e urës mbi Lumin Erzen, që e gozhdoi në breg të Erzenit për rreth 20 orë kolonën e gjeneralit Messe, që kishte për objektiv pushtimin e Tiranës.
Italianët në Durrës patën të vrarë e të plagosur, përfshirë edhe oficerë (në detyrën e komandantit të kompanisë e të shefit të shtabit të batalionit të parë të regjimentit 47 të këmbësorisë).
Ushtaraku italian me gradën më të lartë, plagosur në Durrës, ka qenë nën/koloneli i Portit Mario Ramires, i dekoruar me “Kryqin e Luftës”, sepse u kishte prirë trupave italiane gjatë zbarkimit në Durrës, duke shfrytëzuar edhe njohjen në detaje që kishte për Portin e Durrësit.
Nën/kolonel Ramires ishte këshilltari italian i paguar nga Ministria e Luftës e Shqipërisë për organizimin e kapitanerive të Porteve në Shqipëri. Dekreti për dekorimin me Medaljen e Bronzit të Trimërisë të Luigi Aloisi-t, shef ky i komanduar i nën/Konsullatës italiane në Durrës (faktikisht oficer i SIM-it, zbulimit italian, i kamufluar gjithë kohën si diplomat) – hedh dritë mbi një aspekt tjetër të 7 Prillit: atë të luftës së fshehtë të zbulimit dhe kundërzbulimit.
Diplomati-spiun, 52 vjeçari Aloisi u plagos me dy plumba, teksa kryente veprimtari zbulimi kundër pozicioneve të trupave shqiptare.
Në Durrës trupat italiane u përleshën edhe trup me trup me xhandarët dhe marinarët shqiptarë. Madje nga dekreti mbretëror italian mësojmë se Domenico Perotta u dekorua me Medaljen e Argjendtë të Trimërisë, sepse u plagos në luftim trup me trup me dy ushtarakë shqiptarë në zonën e Portit të Durrësit.
Esposito Biagio dekorohej me Medaljen e Argjendtë të Trimërisë, sepse me bomba dore kishte sulmuar një pozicion të trupave shqiptare, duke vrarë e plagosur disa prej tyre, përfshirë edhe dy oficerë. Ka të ngjarë që ky është personi i cili ka vrarë kapterin Mujo Ulqinaku (Hero i Popullit), dhe ka plagosur toger Stefan Gogën.
Nga dekreti i dekorimit të marinarit Francesco Bontempo mësojmë se ura e komandimit e destrojerit “Lupo”, që u bregëzua e para në kalatën e Portit të Durrësit, ishte bërë shoshë nga plumbat dhe ishte mbushur me oficerë e marinarë të plagosur.
Mjafton ky fakt për të kuptuar sesa të ashpra ishin luftimet në Durrës.
Italianët, për të thyer rezistencën e mbrojtësve të Durrësit përdorën edhe goditjen me artileri kalibër 100 mm. të destrojerit “Lupo” dhe anijeve të tjera luftarake në Portin dhe radën e Durrësit.
Për trimërinë e treguar dhe efektivitetin e një bombardimi të tillë, koloneli (capitano di vascello), baroni Carlo Daviso di Charversod, u dekorua me “Kryqin e Luftës për Trimëri Ushtarake”.
Kolonel Karlo më pas arriti deri në gradën e kundëradmiralit, në funksionin e komandantit të Forcave të Marinës Italiane në Ishujt e Dodekanezit (Greqi).
Poashtu, nga këto dekorime mësojmë se avionët bombardues të lehtë “IMAM Ro 37”, kishin kryer me efektivitet të lartë bombardime të pozicioneve të forcave shqiptare në periferi të Durrësit, si edhe në zonën midis Fushë-Krujës dhe Vorës, kundër një kolone me kamionçina “Ford”, që transportonte trupa dhe artileri (efektivët e Shkollës së xhandarmërisë së Burrelit, të pajisur me mitrolozë FIAT dhe me topa të lehtë malorë, kalibër 65/17 mm). Autokolona në fjalë po shkonte në mbështetje të forcave shqiptare të vendosura në bregun e djathtë të Lumit Erzen.
Një fakt i tillë na jep të kuptojmë se mbrojtja në sektorin e Durrësit deri në Tiranë, ishte e tipit mbrojtje në thellësi, e organizuar në disa skalione.
Në Shëngjin
Një ditë para se trupat italiane të zbarkonin në Shëngjin, atje u dërgua për zbulim kapiteni (tenente di vascello) Aldo Capriata, i veshur si peshkatar në bordin e një barke peshkimi italiane. Mirëpo Kapiten Aldo, pasi u identifikua nga xhandarmëria zogiste, u arrestua dhe u torturua për të nxjerrë prej tij informata mbi trup-ekspeditën italiane. Kapiten Capriata, duke shfrytëzuar konfuzionin e shkaktuar nga bombardimi i Shëngjinit prej luftanijeve italiane arriti të arratisej dhe ndihmoi trupat elitë “San Marco” në pushtimin e Shëngjinit, ndaj dhe për këtë akt u dekorua edhe me “Medaljen e Argjendtë të Trimërisë”.
Në Shëngjin italianët u pritën me batare pushkësh dhe me breshëri të një mitralozi të rëndë. Në këtë konkluzion arrijmë kur lexojmë motivacionin e dekorimit të nën/kolonelit (capitano di fregata) Adone del Cima, dekoruar ky me “Kryqin e Luftës” për Trimëri Ushtarake, sepse me zjarrin e topave të destrojerit që komandonte, neutralizoi zjarrin e mitralozit dhe të një pjese të pushkatarëve që mbronin Shëngjinin.
Në hyrje të Shkodrës, trupat shqiptare të komanduara nga nën/kolonel Ullagaj (ish-bjellogardist), pasi kishin minuar Urën e Bunës, i pritën me zjarr pushkësh e mitralozësh bersaljerët e kolonel Scantini-t, që vinin nga Shëngjini. Madje në shkëmbimin e zjarrit tek Ura e Bunës pati të vrarë e të plagosur nga trupat italiane.
Ricardo Bomping, italian nga Istria (Pola), u dekorua me Medaljen e Artë të Trimërisë (pas vdekjes), me motivacionin “Duke thirrur ‘Avanti Savoia’ (Përpara për Mbretërinë e Savojës) u vra, ndërsa tentonte të kalonte urën e Bunës nën zjarrin e mitralozit armik (shqiptar)”.
Trupat shqiptare në përbërje të batalioneve “Deja” dhe “Korata”, (nën komandën e nën/kolonel Ullagajt), u tërhoqën drejt Koplikut në mënyrë të rregullt, bashkë me armatimin personal, me synimin e mbështetjes së forcave mbrojtëse shqiptare.
Në mesditën e 9 prillit, pasi u informuan se Mbreti Zog ishte larguar nga Shqipëria për në Greqi nëpërmjet Kapshticës, një pjesë e mirë e trupave të rregullta shqiptare, e oficerëve të tyre të shoqëruar nga familjet dhe një numër vullnetarësh të armatosur (trupat kreshnike), kaluan kufirin për në Jugosllavi. Ndër oficerët që kaluan në Jugosllavi ka qenë edhe kapiten Spiro Mojsiu, i cili më 10 korrik 1943 u emërua Shef i Shtatmadhorisë së Ushtrisë Partizane Shqiptare.
Në Vlorë
Trupat italiane ndeshën në një rezistencë të lehtë në zonën e Skelës, ku pësuan vetëm 2 të plagosur. Konsulli italian Merloni (spiun i SIM-it, i maskuar si diplomat), kishte punuar mirë për të neutralizuar rezistencën shqiptare, duke shfrytëzuar me djallëzi mërinë e vlonjatëve kundër Mbretit Zog dhe prefektit Kol Rrodhja (i dërguar prej Mbretit si dorë e fortë në Vlorë).
Asnjë vlonjat nuk pranoi të armatosej për të luftuar italianët, ndonëse nga Tirana, mbrëmjen e 5 prillit ishin dërguar në Vlorë 1300 copë pushkë “Mannlicher Carcano”, me nga 10 ballë fishekë (50 copë) secila.
Një numër i vogël xhandarësh të komanduar nga nën/kolonel Faik Quku, u tërhoqën duke luftuar në periferi të Vlorës. Madje në kodrat e Bestrovës, batalioni i këmbësorisë “Kaptina” i ushtrisë shqiptare, nga pozicione fushore pak të fortifikuara, me batare pushkësh dhe zjarr mitralozësh “FIAT M 1914”, i gozhdoi për orë të tëra këmishëzinjtë e Legjioneve “Ferrara” dhe “Nannini”. Njëkohësisht xhandarmëria e Beratit preu kabllin telefonik që lidhte zyrat e AIPA-s në Kuçovë me Italinë, kështuqë forcat zbarkuese italiane nuk mund të informoheshin për dispozitivin mbrojtës të forcave shqiptare në trekëndëshin Vlorë-Berat-Fier, zonë në të cilën italianët hynë vetëm në mbrëmjen e 8 prillit.
Në motivacionin për dekorimin me Medaljen e Bronzit për Trimëri të majorit (capitano di corvetta) Giuseppe Lauricella, theksohet se “në krye të trupave të veta zbarkoi nga destrojeri “Castore” pa u trembur, nën zjarrin e rreptë të armikut”.
Në motivacionin për dekorimin me Kryqin e Luftës për Trimëri të Stefanino Palmas-it, komandant kateri-silurues, me gradën kapiten (tenente di vascello), theksohet se ai “trimërisht komandoi bregëzimin e katerit-silurues, ndonëse anija goditej vazhdimisht nga plumbat e armikut”.
Pra në Vlorë, bataretë e mbrojtësve shqiptarë goditën jo vetëm trupat italiane, por edhe anijet prej të cilave zbarkonin këto trupa.
Për të thyer rezistencën e batalionit të këmbësorisë në kodrat e Bestrovës, karrocata “Giulo Cesare” qëlloi me 12 predha topi të kalibrit të rëndë 320/44 mm. Për këtë akt, kryetopçiu (capo cannoniere) Bertoldi, u dekorua me Medaljen e Kryqit të Kuftës për “Trimëri në fushën e betejës”.
Në Sarandë
Këtu rezistenca shqiptare komandohej nga kolonel Ali Riza Topalli. Gjatë luftimeve të zhvilluara në skelën e Sarandës, italianët patën disa të plagosur dhe dy të vrarë: Tomasso Lamberti, dekoruar me Medaljen e Artë të Trimërisë (pas vdekjes), dhe Andreino Pastine, i dekoruar me Medaljen e Argjendtë të Trimërisë (pas vdekjes).
Pas një zjarri prej 15 minutash, kufitarët, xhandarët por edhe vullnetarët e armatosur në depon ushtarake të Delvinës tërhiqen në Qafën e Gjashtës, ku me zjarr nga lartësia gozhdojnë trupat italiane që në përgjithësi ishin trupa elitë të Regjimentit “San Marco”, apo bersaljerë të mbështetur nga 2 skuadrone tankesh të lehtë të tipit “L3/35”, të njësisë “San Giorgio”.
Për të shuar rezistencën e trupave shqiptare, italianët shkelën edhe ligjet dhe zakonet e luftës, sepse morën peng dhe sollën në vijën e zjarrit, gruan dhe fëmijën motak të një togeri të Rojes Shqiptare të Kufirit.
Si është e vërteta?
Duke u bazuar edhe në dokumentet zyrtare italiane, mund të arrish në konkluzionin se shqiptarët, si fuqitë e rregullta qeveritare, ashtu edhe vullnetarët e armatosur, gjatë zbarkimit të trupave italiane bënë rezistencë të vendosur, jo vetëm në porte, por në disa raste edhe në thellësi të vendit. Normalisht, nga pala shqiptare pati trima dhe heronj, ashtu siç pati edhe frikacakë dhe tradhtarë. Tipik është rasti i ministrit të Luftës, gjeneral Aranitit, që, vetëm 4 ditë para zbarkimit të ushtrisë italiane, i paraqiti Mbretit Zog dorëheqjen për “pamundësi totale në kryerjen e detyrës”. Ky farë ministër Lufte ishte i aftë për të marrë rrogën e majme në napolona floriri në kohë paqeje, por krejt i paaftë si ministër në kohë lufte!!?
Kapiten Mahmuti, komandant batalioni këmbësorie në Berat, qysh në mëngjesin e 7 prillit shkëputi çdo lidhje me telefon dhe radio me Komandën e Përgjithshme të Fuqive Armate dhe me eprorin e vet nën/kolonel Qukun, që luftonte në Vlorë.
Ky kapiten Mahmuti nuk iu përgjigj thirrjeve të vazhdueshme që, në krye të batalionit të vet, të shkonte në ndihmë të batalionit “Kaptina”, të angazhuar në luftime të ashpra në kodrat e Bestrovës. Kapiten Mahmuti në Berat, pa çak e pa bam, në mëngjesin e 8 prillit u dorëzoi trupave italiane batalionin bashkë me armatimet e pajisjet, madje u dorëzoi edhe flamurin e batalionit.
Qark-komandanti i Xhandarmërisë së Gjirokastrës, me gradën nën/kolonel, në vend që të organizonte mbrojtjen e Qarkut të Gjirokastrës, me veturën personale, i shoqëruar nga shoferi dhe një aspirant, u drejtua për në Sarandë për të pritur me flamur të bardhë trupat pushtuese. Por me urdhër të Kolonel Ali Riza Topallit u ekzekutua në Qafën e Muzinës nga Roja Shqiptare e Kufirit, që i kishte ngritur një pritë.
Prefekti Mark Kodheli me bashkëshorten italiane, u evakuuan më datë 5 prill për në Itali, bashkë me një pjesë të civilëve italianë, rezidentë në Shqipëri. Madje nga Radio-Bari, Mark Kodheli u bëri thirrje durrsakëve dhe gjithë shqiptarëve, që t’i prisnin trupat italiane si çlirimtarët që do t’i shpëtonin shqiptarët nga “tirania” e Mbretit Zog. Kësisoj prefekti tradhtar i atdheut preferoi që napolonat flori të Mbretit Zog, t’i zëvendësonte me liretat letër të Duçes!
Nën/koloneli i Xhandarmërisë Stamati me bashkëshorte italiane, në prag të pushtimit u vu haptazi në shërbim të kolonel Gabrielle-s, atasheut ushtarak italian në Tiranë.
Nga një shkresë e zyrës sekrete të Ministrisë së Punëve të Brendshme mësohet se nën/kolonel Stamati bashkëpunoi edhe me nën/kolonel Bombati-n, instruktorin italian të artilerisë pranë ushtrisë shqiptare, për të nxjerrë jashtë luftimit një pjesë të parkut tejet modest të artilerisë shqiptare. Pikërisht ky fakt historik ka shërbyer edhe për një nga arketipet propagandistikë të historiografisë komuniste, atë “të heqjes së gjilpërave të topave…”.
Kapiten Xhevdet Tirana, ndonëse i martuar me italiane, më 7 Prill, sëbashku me marinarët shqiptarë nën komandën e tij, hapi zjarr mbi bersalierët dhe marinarët që zbarkonin nga destrojeri “Lupo”. Fakt ky i provuar nga dëshmia e tetarit të marinës Jonuz Dardha, dhënë gjatë marrjes në pyetje të robërve shqiptarë më 13 prill 1939 në “kazermat e Ali Rizait”, në Tiranë.
Konsulli shqiptar në Bari, Maliq Libohova, ndonëse iu kërkua me insistim nga eprorët e tij në Tiranë, nuk dha asnjë informacion për përgatitjet ushtarake që bëheshin në Bari në prag të 7 Prillit.
Kapiten Gjeluci, komandant i Kapitanerisë së Portit të Durrësit, duke shfrytëzuar njohjet personale në portet e Puljes, përpiloi një raport me mjaft hollësi dhe saktësi për dispozitivin e trupave italiane që po grumbulloheshin në Bari dhe Brindizi, në prag të agresionit fashist. Ky raport iu dërgua Ministrit Aranitasi dhe për dijeni Musa Jukës, Ministrit të Brendshëm.
Konsulli frikacak Maliq Libohova nuk e kreu detyrën ndaj Atdheut, ndërsa kapiten Gjeluci, me zgjuarsi dhe ndjenjë të fortë atdhetare shkoi madje edhe përtej detyrave funksionale të Kapitanerisë së Portit të Durrësit, duke ndërmarrë veprimtari të mirëfillta zbulimi ushtarak.
Koloneli i Xhandarmërisë Sami Koka dhe Ministri i ekonomisë Rrok Gera, të dërguar në Durrës nga Mbreti Zog për të diskutuar për një armëpushim me komandantin e forcave të pushtimit Gjen. Guzzoni-n, nuk e patën fare problem të viheshin në shërbim të italianëve duke tradhtuar Mbretin, Atdheun dhe betimin, respektivisht: Sami Koka si ushtarak; dhe Rrok Gera si deputet i Parlamentit shqiptar.
Si konkluzion mund të themi se pushtimi i 7 Prillit 1939 nuk është një histori bardh e zi, por në të ndeshen plot ngjyra e nuanca, ku protagonistët shqiptarë luajnë edhe role heronjsh, edhe role frikacakësh, edhe role tradhtarësh të Atdheut.