Blog

  • Klodian TOMORRI – Fatura e drekës së Elysees kalon nga Spitalla

    Vizita e beftë e kryeministrit Edi Rama në Pallatin Elysee dhe dreka e punës me Presidentin francez Makron, më shumë se axhendë politike, këtë herë kishte në menu interesa të mirëfillta ekonomike. Pas drekës, Edi Rama pranoi se një nga temat kryesore të bisedës me presidenin Makron ishin investimet franceze në Shqipëri, veçanërisht ato në fushën e energjisë, por pa dhënë më shumë detaje.

    Por çfarë po ndodh nën mbulesën zyrtare?

    Investitori më i madh francez në Shqipëri është kompania “Voltalia”, e cila është në pronësi të një prej familjeve më të pasura dhe më me ndikim në Francë. Në maj të vitit të kaluar, “Voltalia” u shpall fituese e ankandit për ndërtimin e parkut të parë diellor në Shqipëri, atë të Karavastasë. Ndërtimi i këtij parku do të kushtojë 100 milionë euro dhe do të financohet nga vetë kompania private. Por oferta e kompanisë franceze çuditi jo pak ekspertët.

    Ankandet e centraleve diellore kanë një formule mikse, ku kompanitë garojnë vetëm për çmimin me të cilin do ja shesin energjinë e prodhuar shtetit. Në rastin e Karavastasë ishte parashikuar që gjysma e energjisë do të blihej nga shteti dhe gjysma tjetër mund të shitej në treg të lirë. “Voltalia” mori përsipër që gjysmën e energjisë së prodhuar nga centrali 140 mega vatësh i Karavastasë, t’ja shesë shtetit shqiptar me çmimin 24.89 euro/mega ose dy deri në tre herë më pak se sa çmimi mesatar i energjisë në tregun ndërkombëtar. Ky ishte një përfitim i jashtëzakonshëm për shtetin dhe qytetarët shqiptarë.

    Por lajmi i mirë i Karavastasë, nuk zgjati shumë. Menjëherë pas ankandit filluan të dilnin zëra se kompania franceze ishte penduar për çmimin e ofruar dhe gjatë diskutimeve për firmosjen e kontratës kishte kërkuar kompensim. Në atë kohë zgjidhja e përfolur ishte ajo e ndërtimit të një centrali tjetër diellor, që do t’i jepej kompanisë franceze, por këtë herë çmimi i shitjes së energjisë do të ishte dukshëm më të lartë sesa ai i Karavastasë. Në këtë mënyrë, “Voltalia” mund të kompesonte çmimin ulët që kishte ofruar për Karavastanë. 

    Fillimisht këto lajme u panë me skepticizëm, por dyshimet nisën të shtoheshin jave pas jave dhe morën një konfirmim të fortë në fund të vitit të kaluar. Në muajin nëntor, qeveria shqiptare shpalli në mënyrë të beftë ankandin për ndërtimin e një tjetër centrali diellor në Spitallë të Durrësit. Sipas dokumentave të ankandit, centrali i Spitallës do të ketë një fuqi të instaluar 100 mega dhe 70 për qind e energjisë së prodhuar nga kjo vepër do të blihet nga shteti.

    Shpallja e beftë e Spitallës ishte vetëm konfirmimi i parë i zërave se qeveria po kompesonte “Voltalian”. Prova e dytë ishte edhe më e fortë. Edhe pse ankandi për centralin e Karavastasë përfundoi me çmim 24.89 euro/mega, çmimi referencë që u vendos për ankandin e Spitallës ishte 55 euro/mega, pra mbi dy herë më shtrenjtë.  

    Ndërsa prova e tretë ishte pjesëmarrja e “Voltalias” në ankand, ashtu sikurse flitej. Ankandi për centralin e Spitallës u mbyll në shkurt. Në të morën pjesë 5 kompani, nga të cilat 3 kompani gjermane, një joint venture indiano – shqiptar dhe kompania e pestë ishte “Voltalia”.

    Sipas afateve ligjore, në datën 2 mars, qeveria duhet të kishte bërë publike ofertat dhe të shpallte fituesin e garës. Por kjo nuk ndodhi. Afatet u shkelën dhe qeveria vazhdon ta mbajë pezull garën për centralin diellor të Spitallës. Arsyeja? Spitalla është shndërruar në një patate të nxehtë. 

    Burime konfidenciale thonë se oferta e “Voltalias” nuk ishte më e favorshmja në ankand, ndaj Ministria e Energjisë ngurron ta shpallë fituese. Për këtë hezitim, Edi Rama u thirr dje me urgjencë në Elysse. As për të ndërmjetësuar dialogun Kosovë – Serbi dhe as për shtetin ligjor apo mbarëvajtjen e demokracisë. Thjesht dhe mirëfilli për biznes. Ndërkohë që qytetarëve shqiptarë u mbetet vetëm të luten që Edi Rama të ketë luajtur fort të paktën. Karavastanë me Spitallën në këmbim të Po-së franceze për integrimin. Nëse jo, dreka e Elysses do të jetë vetëm fatura e radhës për Shqipërinë, e cila këtë herë vjen nga Spitalla.

  • Bill Clinton: Si e nisëm bombardimin e Serbisë?

    Bill Clinton: Si e nisëm bombardimin e Serbisë?

    Një vit më parë serbët kishin filluar një sulm kundër rebelëve shqiptarë kosovarë duke vrarë shumë njerëz të pafajshëm; kishte fëmijë dhe gra që i kishin djegur në shtëpitë e tyre. Raundi i fundit i agresionit serb kishte ndezur shkëndijen e një eksodi të ri refugjatësh dhe kishte shtuar dëshirën e shqiptarëve kosovarë për pavarësi. Vrasjet ishin shumë të ngjashme me ditët e para të luftës në Bosnjë, e cila ashtu si edhe Kosova ishte urë lidhese e ndarjes që ekzistonte mes muslimanëve europianë dhe të krishterëve serbë ortodoksë, një vijë ndarese përgjatë së cilës kishte pasur konflikte të herëpashershme prej gjashtëqind vjetësh. Në vitin 1974 Tito i kishte dhënë autonomi Kosovës, duke i lejuar vetëqeverisje dhe kontroll mbi shkollat. Në 1989-ën Millosheviçi i hoqi Kosovës të drejtën e autonomisë. Që prej kësaj kohe, tensioni kishte ardhur në rritje derisa shpërtheu më pas në 1995-ën kur Bosnja arriti pavarësinë. Unë isha i vendosur për të mos lejuar që Kosova të bëhej një Bosnjë e dytë. Po kaq e vendosur ishte edhe Medlin. Në prill 1998 Kombet e Bashkuara kishin detyruar mbi serbët një embargo armësh. Ndërkohë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kishin vendosur mbi ta një embargo ekonomike, pasi kishin dështuar t’i jepnin fund armiqësisë dhe nuk hynin në dialog me shqiptarët kosovarë. Nga mesi i qershorit, për të bërë të mundur ndalimin e dhunës, NATO-ja kishte filluar të planifikonte një numër mundësish për ndërhyrje ushtarake. Teksa afrohej vera, Dik Hollbruk (Dick Holbrooke) ishte kthyer në rajon për t’u përpjekur të gjente një zgjidhje diplomatike për këtë konflikt.

    Nga mesi i korrikut forcat serbe sulmonin sërish kosovare të armatosur dhe të paarmatosur, duke filluar kështu një verë sulmesh që do të detyronte 300,000 të tjerë shqiptare kosovare që të linin shtëpitë e tyre. Vonë, në shtator Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara aprovoi një rezolute tjetër, e cila kërkonte fundin e konfliktit dhe në fund të muajit në dërguam edhe një herë Hollbruk-un (Holbrooke) në Beograd që të përpiqej të gjente gjuhën e arsyes me Millosheviç-in. Në 13 tetor NATO-ja kishte kërcënuar të sulmonte Serbinë brenda katër ditëve në rast se nuk respektoheshin rezolutat e Kombeve të Bashkuara. Sulmet ajrore u shtynë kur u pa se 4 mijë oficerë të forcave speciale jugosllave ishin duke u tërhequr nga Kosova. Për pak kohë gjërat u përmirësuan por në janar 1999 serbët filluan të vrisnin sërish kosovarë të pafajshëm dhe kështu sulmet ajrore dukeshin të pashmangshme. Ne vendosëm të provonim diplomacinë edhe njëherë, por nuk kishim shumë optimizëm. Objektivat e palëve ishin shumë larg njëra-tjetrës. Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja donin që Kosova të gëzonte autonominë politike që kishte pasur nën Kushtetutën Jugosllave ndërmjet viteve 1974 dhe 1989 derisa ua hoqi Millosheviçi si dhe dëshironim një forcë paqeruajtëse të drejtuar nga NATO-ja që të garantonte paqen dhe sigurinë e civilëve kosovarë duke përfshirë këtu edhe minoritetin serb. Millosheviçi dëshironte ta mbante Kosovën nën kontroll dhe ishte kundër vendosjes atje të trupave të huaja ushtarake.

    Shqiptarët kosovarë kërkonin pavarësi. Por ata ishin të ndarë edhe mes tyre. Ibrahim Rugova, kreu i qeverisë hije ishte një burrë i butë, i dalluar për mbajtjen gjithmonë të një shalli rreth qafes. Unë isha i bindur që me të mund të arrinim një marreveshje paqeje, por nuk isha aq i sigurt për faktorin tjetër kryesor kosovar, Ushtrinë Çlirimtare Kosovare (UÇK) të drejtuar nga një i ri i quajtur Hashim Thaçi. UÇK-ja kërkonte pavarësi dhe besonte se mund të ndeshej dhëmbë për dhëmbë me ushtrinë serbe. Palët u takuan në Rambuje (Rambouillet) në Francë, më 6 shkurt (1999) për të rënë dakord mbi hollesitë e një marrëveshjeje, e cila do të rikthente autonominë, do të mbronte kosovarët nga shtypja me anë të një operacioni të drejtuar nga NATO-ja, do të ç’armatoste UÇK-në dhe do të lejonte ushtrinë serbe të vazhdonte të ruante kufirin. Madeleine Albright dhe homologu i saj britanik, Robin Kuk (Robin Cook) ngulën këmbë agresivisht në favor të kësaj politike. Pas një jave bisedimesh të koordinuara nga ambasadori amerikan Kris Hill, (Chris Hill) dhe homologët e tij nga Bashkimi Europian dhe Rusia, Medlin (Madeleine) dhe unë zbuluam se qëndrimi ynë kundërshtohej nga të dyja palët: serbet nuk donin të binin dakord pëer vendosjen në Kosovë të një force paqeruajtese të drejtuar nga NATO-ja dhe kosovarët nuk donin të binin dakord për të pranuar autonominë në rast se nuk merrnin garanci për mbajtjen e nje referendumi ku do të vendosnin për pavarësinë. Dhe UÇK-ja nuk ishte e kënaqur që do t’i duhej të ç’armatosej, pjesërisht për arsye se ata nuk ishin të sigurt se mund të mbështeteshin në forcat e NATO-s për t’u siguruar mbrojtje. Grupi ynë vendosi ta shkruante marrëveshjen në një formë të tillë që ta vononte mbajtjen e referendumit por të mos e mohonte atë përfundimisht. Në 23 shkurt, shqiptarët kosovarë, përfshi këtu edhe Thaçin, e pranuan marrëveshjen në parim, u kthyen në shtëpi për t’ua shitur atë njerëzve të tyre dhe në mes të marsit udhëtuan për në Paris për të firmosur dokumentin e përfunduar.

    Serbët e bojkotuan ceremonine ndërkohë që 40 mijë trupa serbe ishin grumbulluar përreth Kosoves dhe Millosheviçi përsëriti se ai nuk do te lejonte kurrë vendosjen e trupave të huaja në tokën jugosllave. Unë e dërgova Dik Hollbruk-un (Dick Holbrooke) për ta takuar atë për herë të fundit, por edhe Dik-u nuk mundi ta lëvizte nga vendi. Në 23 mars, pasi Hollbruk-u largohet nga Beogradi, Sekretari i Përgjithshem i NATO-s, Javier Solana, me mbështetjen time të plote, i kërkoi Gjeneralit Uesli Klark të fillonte sulmet ajrore. Në të njëjtën ditë, me shumicë votash 58- 41 Senati votoi për të mbështetur këtë veprim. Në fillim të muajit Dhoma e Përfaqesuesve kishte votuar 219 me 191 për të mbështetur dërgimin e trupave amerikane në Kosovë në rast se nënshkruhej marrëveshja e paqes. Mes Republikaneve të njohur që votuan në favor të këtij propozimi ishin edhe Dennis Hastert dhe Henri Hajd (Henry Hyde). Kur kongresmeni Hajd (Hyde) tha se Amerika duhet të ngrihet kundër Millosheviçit dhe spastrimeve etnike unë buzëqesha dhe thashë me vete “ndoshta doktor Xhekell (Jekyll) në fund të fundit ishte diku brenda tij” (Shënim i përkthyesit: Dr. Jakyll është një personazh letrar dhe këtu nënkupton anën pozitive të një personi.) Ndërsa shumica e Kongresit dhe të gjithe aleatët tanë në NATO mbështesnin sulmet ajrore, Rusia nuk ishte në të njëjtën linjë. Kryeministri Yevgeni Primakov ishte duke udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara për t’u takuar me Al Gore. Kur Al e njoftoi se një sulm mbi Jugosllavinë ishte i mundshem, Primakov urdhëroi që aeroplani i tij të kthehej mbrapsht drejt Moskës. Në datën 24 (mars 1999) une iu drejtova popullit amerikan për t’i treguar se çfarë isha duke bërë dhe arsyet pse po ndërmerrja nje akt të tillë. U shpjegova atyre se Millosheviçi u kishte zhvatur kosovarëve autonominë, duke u mohuar të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetutë për të folur gjuhën e tyre, për të pasur shkollat e tyre, dhe për t’u vetëqeverisur. Une iu pershkrova atyre masakrat serbe: vrasjen e civilëve, djegien e fshatrave, dëbimin e njerëzve nga shtëpitë e tyre, 60 mijë vetëm në pesë javët e fundit dhe gjithsej një çerek milioni. Më në fund unë kisha mundësi t’i vendosja ngjarjet aktuale në kontekstin e luftrave që Millosheviçi kishte shpallur kundër Bosnjes dhe Kroacisë dhe në ndikimin shkatërrues të vrasjeve të tij mbi të ardhmen e Europës.

    Fushata e bombardimeve kishte tre qellime: t’i tregonte Millosheviçit se ne e kishim seriozisht se do të ndalonim një rradhe tjetër të spastrimit etnik, se do të shmangnim një sulm akoma më të përgjakshëm kundër civilëve të pafajshëm në Kosove dhe se nëse Millosheviçi nuk do të dorëzohej se shpejti ne do të dëmtonim seriozisht kapacitetin ushtarak të Serbisë. Atë natë filluan sulmet ajrore. Ato do të zgjasnin për 11 javë, ndërkohë që Millosheviçi vazhdonte të vriste shqiptarët e Kosovës dhe të dëbonte rreth nje milion shqiptarë prej shtëpive të tyre. Bombat do të shkaktonin dëme të mëdha mbi infrastrukturën ushtarake dhe ekonomike të Serbisë. Fatkeqësisht në disa raste ato do t’u shmangeshin koordinatave të përcaktuara dhe do të merrnin jetën e njerëzve që ne po përpiqeshim të mbronim. Disa njerëz arsyetonin se qëndrimi ynë do të kishte qenë më i justifikuar nëse do të kishim dërguar edhe trupa ushtarake nga toka. Por me këtë argument kishte dy probleme. Së pari, derisa ushtarët të arrinin në pozicionet e tyre, të mjaftueshëm në numër dhe me mbështetjen e duhur, serbët do të shkaktonin një dem shumë të madh. Së dyti, viktimat civile të një fushate ushtarake në tokë do të kishin qenë shumë herë më të mëdha sesa numri i viktimave si rezultat i bombave të pasakta. Unë nuk u bashkova dot me argumentin se duhej të ndiqja një kurs i cili do të merrte më shumë jetë amerikanësh, pa siguruar shumë bindshëm mundësinë e një fitoreje. Strategjia jone shpesh do të dyshohej, por ajo kurrë nuk u braktis. Në fund të muajit, kur bursa u mbyll për të parën herë në historinë e saj me mbi 10 000 nga 3 200 kur une mora Presidencën, vendosa të bëja nëe intervistë me gazetarin e televizionit CBS, Dan Rather.

    Pas një diskutimi të gjerë për Kosoven, Dan-i më pyeti se nëse e prisja që një ditë të bëhesha bashkëshorti i një senatoreje të Shteteve të Bashkuara. Në atë kohë shumë zyrtarë të New York-ut ishin bashkuar me Carli Renxhell (Charlie Rangel) për t’i kërkuar Hillaryt të merrte në konsideratë që t’i hynte garës. I thashe Rather se nuk e kisha idenë se çfarë ajo do të vendoste, por nëse do të kandidonte dhe do të fitonte “ajo do të ishte e mahnitshme”. Në prill ndërsa ne kishim shtuar bombardimet në qytetin e Beogradit duke goditur Ministrine e Brendshme, selinë e televizionit shtetëror serb, shtëpinë e Millosheviçit dhe ndërtesën e partisë së tij, konflikti në Kosovë u intensifikua. Ne gjithashtu shtuam jashtëzakonisht mbështetjen financiare dhe praninë me trupa ushtarake në shtetet fqinje si Shqipëria dhe Maqedonia për t’i ndihmuar ata të përballonin vrullin e madh të refugjatëve. Nga fundi i muajit, kur Millosheviçi nuk ishte përkulur ende, nga dy drejtime njëkohesisht po vinin kundërshtime ndaj politikës sonë. Toni Bler (Tony Blair) dhe disa anëtarë të Kongresit mendonin se ishte koha për të dërguar trupa nga toka, ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve votoi kundër dërgimit të trupave pa aprovimin paraprak të Kongresit. Unë besoja ende se fushata ajrore do të jepte rezultat, dhe shpresoja se mund ta shmangnim dërgimin e trupave nga toka për arsye të ndryshme nga ajo e misionit paqeruajtës. Në 14 prill i telefonova Boris Yeltsin për t’i kërkuar pjesëmarrje me trupa ushtarake në një forcë paqeruajtëse ashtu si edhe në Bosnje. Shpresoja se një prani ruse do të ndihmonte të mbronte minoritetin serb dhe mund t’i jepte Millosheviçit nje mundësi për të shpëtuar fytyrën e tij për kundërshtimet ndaj vendosjes së trupave të huaja

    Pjesë nga libri ‘Jeta Ime’

  • Ardit GJINALI – “Shqipëria fiton një ideal të ri që thërret për ndryshim”

    Ardit GJINALI – “Shqipëria fiton një ideal të ri që thërret për ndryshim”

    Nuk është një brohoritje mbështetëse, nuk është buzëqeshja e zoritur e  një mirësjelljeje hipokrite,  nuk është  britma njerëzore që rreket të mveshë frikën; – është entuziazmi qytetar që thërret shpresën dhe mposht  të tillën frikë  që falangat pushtet-mbajtëse tentojnë të përcjellin ndaj qytetarit të zakonshëm; është thirrja qytetare për ndryshim thelbësor dhe për një angazhim të secilit  që bazohet në një ideal të ri  për një Shqipëri të rëndësishme sërish që fiton normalitetin. Një bashkim i rëndësishëm  energjie dhe vullneti njerëzor për të jetësuar ndryshimin ; vullnet i vërtetë që lexohet në sytë e shqiptarit të shumëvuajtur përgjatë kalvarit të sagës keqqeverisëse; sagë e mundimshme ku secila derë e shpresës është përplasur përdhunshëm në fytyrën e secilit qytetar; -segmentet famëkeqe keqqeverisëse kanë ndërmarrë akte dhe veprime të vazhdueshme për të errësuar secilën rreze drite  që lind nga ideali njerëzor që përmbys secilën ujdi meskine; ideali njerëzor është thelbi që mbron ekzistencën e qenësishme të një shoqërie; i tilli  është kushtrimi për të ngritur themelet e së ardhmes  duke ndryshuar të tashmen.

    Një ideal i ri që thërret për ndryshim…i tilli ndryshim që nuk mund të jetë ideal, por do të shënojë nisjen e një rrugëtimi shprese, besimi dhe bashkimi të një enumeracioni aspak  të tepërt të synimeve dhe pritshmërive të një shumice qytetare që nuk është thjeshtë e tillë morale, por gjithashtu politike; një shumicë thelbësore qytetarësh të lirë që përbëjnë të tillin thelb të shpirtit të patjetërsueshëm të një Shqipërie që mund të përkulet nga sulmi i vazhdueshëm i flukseve autokratike, por nuk dorëzohet- qëndresa fisnike e individit të lirë që vendosi të jetonte në këtë vend është themeli i përballjes qytetare me uzurpuesit e  shpresës; e tilla qëndresë është pasqyra për secilin të larguar  që të kthehet  në atdhe për të mos u larguar sërish;  është zëri i besimit dhe idealit për një Shqipëri të jetueshme dinjitetshëm ku mundësia e barabartë për secilin është thelbi i lirisë, e tilla që mbron demokracinë  dhe konsolidon shtetshmërinë që është  pushtuar nga mësymja e hordhive që rendin qorrazi në shikim dhe me  asfare mendim drejt rrëzimit së Republikës dhe qafë-thyerjes së palavdishme të mëpasshme  të tillëve , gjithashtu.

    Zëri qytetar kumbon dhe është shpresa e dritës në një errësirë që nuk ka fshehur dot mëkatet  e ansamblit jo njerëzor  me fytyra njerëzore  që dergjen  gëzueshëm mbi lotin, pikëllimin, dëshpërimin e  të pamundurve, të tillë asfare nga mungesa e aftësisë , por nga vjedhja e mundësisë; zëri qytetar është zëri i revoltës ndaj padrejtësisë, gënjeshtrës, hilesë, maskarallëkut dhe pisllëkut politik që zhgërryhet në baltën e dallavereve që shijon për të njëjtët si mjalta, por ndot dhe kutërbon pavarësisht një fasade neverie llamburitëse që nuk verbon dot shikimin e së vërtetës nga i njëjti halleshumë; – fasada llamburitëse është errësira që rreket të fshehë mëkatet, por e njëjta nuk mund të fshehë kutërbimin  ndotës të arishverishllëkut  gjuhë-jashtë dhe sy-shkelur  pas shpinës së qytetarit halleshumë.

    25 Prilli është dita e së vërtetës qytetare që do të ndëshkojë  gënjeshtrën  keqqeverisëse; është zëri qytetar që  dëgjohet dhe nuk  shuhet  dot nga tentativat qeverisëse; është vullneti qytetar që shprehet përmes votës dhe nuk deformohet dot për shkak të pjesëmarrjes masive në zgjedhje; 25 Prilli është data që fton për një pranverë shqiptare të demokracisë ku besimi për ndryshimi është ideali më i lartë njerëzor dhe shoqëror, gjithashtu. Koha e një bashkimi të madh  për një shpresë të re, besim të ri dhe për ndryshim është tani! Një shpresë e re është themeli i një ideali të ri që do të jetësojë ndryshimin e merituar në një Shqipëri që fiton. Koha e një bashkimi të madh  për një shpresë të re, është tani! Bashkë sepse ka ende shpresë…

  • Enver BYTYÇI – Shok me Aleksandër Vuçiç dhe mik me Gjergj Lucën!

    Enver BYTYÇI – Shok me Aleksandër Vuçiç dhe mik me Gjergj Lucën!

    Të premten e shkuar nga Kukësi ai i dërgoi një mesazh presidentit serb Aleksandër Vuçiç! Në reagim të hartës së Kosovës mbuluar me flamurin e Serbisë, u shpreh saktësisht kështu: “Ai shoku në Beograd luan kukulla në Facebook”! Ia dërgoi mesazhin mikut të tij, president të Serbisë – “Bën çfarë të duash, ti je dhe do mbetesh miku im”! Faqen zyrtare të presidentti të Serbisë e thjeshtoi në “lojë kukullash në fb”! Nuk ka nevojë më shumë se kaq për të kuptuar lidhjen e ngushtë midis Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiç.

    Në këmbim të kësaj miqësie të ngushtë kreu i shtetit serb po lobon që Rama të marrë një mandat të tretë. Ndërhyri te presidenti Macron, ndaj sot kryeministri i Shqipërië takon dhe drekon me presidentin francez. Fotografitë e tij në mediat trushplarëse do të bëjnë xhiron e radhës dhe injorantët, të paditurit, mediokrit gjithashtu do të mendojnë se “Edi Rama paska mbështetjen e Europës”! Në fakt është e kundërta. Ai nuk ka kurrëfarë mbështetjeje nga Europa. Europa I ka vënë atij 15 kushte që të happen bisedimet për pranimine  Shqipërisë në BE. Po të donte ta mbështeste, presidenti francëz do të votonte hapjen e bisedimeve me Shqipërinë, pavarësisht atyre 15 kushteve. Por ai ka qenë dhe do të jetë kundër kësaj, sa kohë është në krye të vendit Edi Rama. Pritja e sotme në Shën Elize është një çokë e koordinuar nga Aleksandër Vuçiç.

    Por le të kthehemi te lidhja Rama-Vuçiç. Ku qëndrojnë rrënjët e miqësisë midis tyre? Ata janë njësoj. Ngjajnë në mashtrime, në intriga, në komplote, në gjeste dhe në artikulim. Ngjajnë në veprën e korrupsionit gjithashtu. Vuçiç është kapur kohët e fundit me presh në duar. Ministri i tij i Brendshëm, anti-shqiptari Aleksandër Vulin, është kapur me 200 mijë dollarë korrupsion. Ministri i Mbrojtjes i Serbisë është kapur në korrupsion së bashku me djalin dhe vëllain e presidentit të Serbisë. Ky ministër ka dëshmi, me të cilat i bën presion shefit të tij në Beograd. Po ashtu ish-ministri i Jashtëm, tani kryetar i Kuvendit serb, Ivica Daçiç. Po rezulton se të gjithë politikanët serbë që janë marrë e merren me Kosovën dhe luftojnë ethshëm kundër saj janë njerëz të korruptuar në stafin dhe kabinetin e presidentit të Serbisë. Kosova shërben si alibi për aferat dhe pasurimin e tyre.Të gjithë këta kanë bashkëpunuar në një axhendë korrupsioni të paparë.

    Pasqyra para disa ditësh ia shpjegoi të njëjtat simptoma edhe kryeministrit tonë. I tha se “je i korruptuar deri në grykë”! Se ti e katërfishove koston dhe çmimin e një kilometri rruge me qëllim që të ndash paratë me oligarkët, madje me oligarkë që falsifikojnë firmën e departamentit të shtetit amerikan. Pasqyra i tha se edhe vëllai yt është i përfshirë në korrupsion për llogarinë tënde. Diku nga viti 2015, tha pasqyra, ti kryeminstër i kishe lënë vëllait tënd mbi 200 miloin dollarë për investime në Nju Jork. Pasqyra ia përmendi faktin se në vend të investoje për spitalet, paratë ia jep Vilma Nushit. Në vend të investoje për riparimin e pasojave të tërmetit dhe pandemisë, paratë ia çon në konto firmave fantazmë të receneratorëve. Të gjitha për një arsye të thjeshtë: Që të ndash paratë me këta oligarkë. Dhe e gjitha kjo ka një lidhje të ngushtë me Aleksandër Vuçiç. Kjo lidhje quhet linjë e pastrimit të parave të vjedhura e të grabitura kryesisht nga buxheti i shtetit shqiptar.

    Ndërkaq Vuçiç, sipas mediave europiane, është regjisturar në bisedime telefonike kompromentuese. E njëjta gjë ka ndodhur me mikun e tij në Tiranë, bisedat e të cilit janë publikuar në shkëlje të ligjit për zgjedhjet e lira në Shqipëri. Nëse do të dilnin të gjitha aferat e kryeministrit të Shqipërisë, më e madhja do të ishte ajo e Xibrakës në Elbasan. Aty do të shiheshin jo vetëm lidhjet e vëllait të kryeministrit, por edhe roli i këtij të fundit dhe Gjergj Lucës në atë skandal të madh jo vetëm kombëtar. Kandidati për deputet i opozitës, Boçi, tha se nëse ai do të kishte në dorë telefonin e Gjergj Lucës, nuk do të bëheshin zgjedhje në Shqipëri. Sepse kreu i mazhorancës do të duhej dërguar prapa hekurave dhe që në këtë moment zgjedhjet do të ishin një formalitet.

    Gjergj Luca është i njohur si fanatik i lidhjeve me Edi Ramën. Duhet pranuar se në këtë aspekt Luca është i sinqertë. Por marrja në mbrojtje e biznesmenit grabitqar Gjergj Luca nga ana e kryeministrit për të sulmuar një profesor universiteti dhe kandidat për deputet të opozitës, si Luçiano Boçi, është shumë kompromentuese për kreun e ekzekutivit shqiptar. Eshtë kompromentuese, sepse do të dëshmonte jo vetëm lidhjet e dyshimta të tij me Serbinë dhe presidentin serb, por edhe ato me oligarkët dhe sipërmarrësit e mbështetur prej tij.

    Kjo do të thotë se alternativa që Edi Rama u jep shqiptarëve është Aleksandër Vuçiç dhe biznesmeni Luca. Nuk besoj se ka shqiptar në këtë vend që pranon si alternativë këto dy modele, që personalizojnë edhe modelin Rama! Nuk besoj se ka shqiptar që beson se përkrahja e Vuçiç dhe Macron për Edi Ramën është në dobi të Shqipërisë, Kosovës dhe kombit shqiptar! Nuk besoj se dikush mendon që modeli i suksesit të grabitjes së pronave pa shpërblim nga Gjergj Luca është modeli më i mirë i qeverisjes në këtë vend!

    Ngado që ta shohësh modelin që ofron Edi Rama, ai model rezulton të jetë i dështuar, pa bilanc, pa ofertë, pa shpresë. Madje armiqësor me interesat e Shqipërisë e të kombit shqiptar! Ndoshta do të ishte ndryshe nëse kryeministri i Shqipërisë do të pranonte dështimet e veta në qeverisjen e tij tetëvjeçare. Do të ishte ndryshe nëse ai do të tërhiqej nga miqësia e ngushtë dhe lidhjet e dyshimta me presidentin e Serbisë. Do të mundej që dikush ta besonte atë, nëse nuk do të merrte në mbrojtje oligarkët e tipit Gjergj Luca, nga të cilët ai ka përfituar pasuri e pushtet të vjedhur!

  • Flurura AÇKA – Kryeministri që nuk e di se “të tjerët” janë qytetarë të tij

    Flurura AÇKA – Kryeministri që nuk e di se “të tjerët” janë qytetarë të tij

    Dy fjalë nga një “turiste” e shtëpisë së vet

    Mbrëmë takova një mik të vjetër që jeton në zemër të kalasë së Elbasanit, me të cilin kam një jetë që njihem. Mëngjesin e “Ditës së Verës”, më shpjegoi ai, nuk i ishte lejuar të ecte në rrugicën e tij, pasi aty do të kalonte kryeministri. Edhe sot nuk ishte aq e lehtë të ecje nëpër Elbasan, pasi mbase, i pakënaqur nga “Dita e Verës”, Kryeministri ynë ia behu edhe sot në Elbasan, dhe sërish për të derdhur çartjen që e ka zënë prej kohësh gjatë rrugës për te Dita e Pranverës Shqiptare. Tha mes të tjerash, se ne “të tjerët” ishim aq të dëshpëruar, sa ishim kthyer në klitharakë që po trazonim rrugën e tij aq të ndritur, për të cilën shqiptarëve u duhen vetëm sy për ta parë. Dhe elbasanasit në fakt kanë sy për ta parë!

    Unë dua të jem shumë e sinqertë me të dhe t’i them se me atë çfarë kam parë e dëgjuar e prekur nëpër Elbasan, të dëshpëruarit e vërtetë janë mijëra qytetarë të zakonshëm që nuk duan më të dëgjojnë dërrdërrollogjinë e tij të dalëboje; të dëshpëruarit e vërtetë janë “skuthat e tij të errësirës”, të cilët gjurmojnë hap pas hapi militantët demokratë dhe të tjerë qytetarë që u është fokur shpirti nga shkatërrimi që i ka bërë qytetit pushteti i tij dhe zarët e tij lokalë; të dëshpëruarit e vërtetë janë skuadrat e tij që dhunojnë dhe shkelin ligjin duke kërcënuar zyrat modeste të partisë opozitare, ku militojnë qytetarë të thjeshtë që meritojnë mbrojtjen nga ligji dhe shteti i tyre; të dëshpëruarit janë skalionet e tij që pasi i kanë siguruar me ligj mbylljen e opozitës me orën policore, dalin dhe bëjnë fushatë në orët e natës, pa pyetur për Covid e Ligj; i dëshpëruari i vërtetë është ai vetë që ende nuk e ka kuptuar se pyetjen që ia drejtoi sot opozitës “Se çfarë mund t’i ofrojë Shqipërisë?”, në të vërtetë duhet t’ia bëjë vetes dhe tarallakëve dhe banditëve rrotull tij.

    Çfarë mund t’i ofrojë më Shqipërisë kryeministri ynë? Çfarë mund t’i ofrojë Elbasanit dërgata e tij, veç shkatërrimit të plotë të qytetit, shkatërrim që çdo qytetar e ka fare të qartë. Qyteti i Elbasanit është tani një udhëkryq bandash të mbrojtura nga pushteti i tij, është një qytet i tulatur nga dora e dhunshme e emisarëve të tij, është një qytet i fyer nga inferiroriteti dhe denbabadenëria e drejtuesve të tij butakë.

    Lumi i vrerit ndaj opozitës, ndaj koalicionit të saj me partitë e tjera në Alencën për Ndryshim, vetëm e nderon opozitën dhe i shpjegon thjesht çdo shqiptari se sa i shqetësuar është kryministri i tij, por edhe përse është kaq i shqetësuar kryeministri i tij. Gjuha e tij nuk i ngjan asnjë kryeministri në botën e qytetëruar, i cili ka detyrë politike të bëjë zgjedhje të ndershme dhe detyrë historike të mos e bëjë më Shqipërinë lajm në gjuhë të huaj për guerrile që vjedhin vota dhe qeverira që vijnë në pushtet si hajdutë të vendimit të popullit të vet, duke shkelur çdo princip, çdo ligj, çdo moral, çdo kod e kusht qytetarie. Doni shembuj, ja një fare i thjeshtë. Në cilin ligj është mbështetur vendosja e këtyre reklamave të partisë në pushtet në këtë objekt shtetëror në Belsh?

  • Basir ÇOLLAKU – Luca dhe hala e “peshkut Rama” në fyt

    Basir ÇOLLAKU – Luca dhe hala e “peshkut Rama” në fyt

    Gjergj Luca është një biznesmen prej motesh në industrinë e përpunimit të peshkut, por jo vetëm. Afritë e tij politkisht kanë rendur ndaj të majtëve, ku janë shfrytëzuar kënaqshëm nga palët, herë me mostrazim e herë më mbrojtje, kur tepria vinte nga biznesmeni në raste sherri.

    Në arkivën e ngjarjeve, kujtojmë një inat me kosto të ish-kryeminsitrit socialist Fatos Nano. Një klient sqimatar për nga shijet, pijet dhe fijet, ishte jo pak herë mysafir në lokalin e njohur aso kohe “Rozafa Palace” të sipërmarrësit Luca. Në një ditë me mungesë fati, ish-kryeministrit me sa duket i kishte ngecur “një halë në fyt” gjatë një dreke të zgjatur deri në muzg, ziafet pushteti i mbyllur me ngrysje të fortzemëruar nga kreu i qeverisë. Shërbimi ka lënë një faturë korrekte për konsumatorët, e kjo “pakujdesi” solli një lajm të ashpër pak ditë më vonë. “Rozafa Palace”, u tha në njoftimet mediatike, me referencë adminsitratën tatimore, është gjobitur 800 milionë lekë të vjetra, për pretendime shkeljesh ligjore. Kjo shifër e paguar apo e vonuar, mbase anuluar, ishte sinjal divorci të afrisë së bizneseve të Lucës, me hyqymetin e vaktit kur ndodhi.

    Rrodhën kohë të tjera e Luca, nën kujdesin e një tjetër qeverie të majtë, drejtuar nga Edi Rama, solli një transferim qendrës së biznesit në Elbasan. Hektarë të shumtë si kujdes ndaj biznesit, me tarifa një euro, sipas nismës qeveritare, lindën Kooperativën e Lucës në Labinot, njëherësh një kujtesë e së shkuarës ideologjikisht. Kujtesa e mensave, e infrastrukurës së regjimit, u formatua duke mos munguar e lozhet e imazhit, mbështetjes, peligrinazhit, dhe jo vetëm për Edi Ramën. Vitin e shkuar në përpjekje për të rritur kooperativën e tij ekonomike, biznesmeni Luca u përpall prej disa javësh me banorët e Labinot-Fushë, të cilët deklaronin se po u merreshin pronat. Policia ishte hapur kundër qytetarëve, të cilët në disa raste kanë denoncuar publikisht, se janë kanosur edhe me jetë, për të hapur rrugë orekseve të biznesmenit.

    Në muajin shkurt të këtij vitit, Luca u replikua në distancë me presidentin e vendit z.Meta, pas emërtimit nga ana e tij oligark në adresë të sipërmarrësit të industrisë së peshkut, duke lajmëruar se po ndërtonte fabrikën e tretë. Dukshëm eksponentë të rëndësishëm të PS, duke përfshirë të deleguarin dolën në mbrojtje të biznesmenit afër tyre.  Ka disa enigma tepër interesante në këtë përplasje shpërthyese, ku nuk është kursyer as dhuna fizike ku Luca u përfshi në kanosjen ndaj deputetit të PD, z Luçiano Boçi. Absurdi do të flasë. Trimërimi për të kanosur e marrë peng kohën është pafuqi dhe frikë. Janë shumë pyetje gjysma e të cilave po shfaqen dhe qytetarët dinë shumë përgjigje ende të padhëna.

    A është Taulant Balla, koordinatori socialist mërzia e shumë biznesve të nëntokës e mbitokës në Elbasan, një shqetësim, alarm, se numri rendor në listë po e bën një ish dhe hesapet e vjetra mbeten zbuluar?

    A ëshët zoti sipërmarrës i peshkut, një nga financuesit e fushatës elektorale të partisë në pushtet, si mik i deklaruar i Edi Ramës, foton gjigande të të cilit e ka të ekspozuar në ndërtesat e kooperativës, si nderbërësi e mbështetësi biznesit të tij??

    A mundet kjo të bëhet paqësisht hapur, ashtu si ligji lejon, nëse përfshirja është sipas formës së parashikuar nga ligji?

    A ka Edi Rama personalisht interesa biznesi, ku sipërmarrësi i peshkut është në dijeni, apo i përzgjedhur për t’i mundësuar?

    A ka kjo meseleja e peshkut, si dukur në Durrës ajo e ngjalave, siklete trazuese për shumë aktorë të ligjshëm dhe të paligjshëm?

    Akuzat nuk kanë munguar për probleme serioze me mjedisin nga derdhjet e fabrikës së re apo dhe fabrikave të hershme, ku ekspertët kanë alarmuar qytetarët për dëmin e madh, ndërsa institucionet anemike kanë mbyllur sy e kthyer kurriz.

    A janë të shëndetshëm tunelet jo të pakta dhe çfarë peshe zënë në biznesin e peshkut, këto mjedise misterioze të së shkuarës, me një garanci të panegociueshme fshehtësie?

    A ka kjo histori force një kapitull të mëvonshëm për peshqit e mëdhenj, përmasat e të cilëve mund të mos i përpunojnë dot as fabrika?

    Në gjithë këto ngjarje dhune, ku pas shpinës e në ballë të tyre qëndrojnë biznesmenë dhe njerëz me rekorde kriminale, ka një faturë ende të pazbardhur dhe të papaguar. Kjo nuk do të mbyllet si dosje me një gjobë 800 milionëshe siç prodhoi vite më parë nervozizmi i Nanos. Në Shqipëri kryepeshku i madh për tu përballur me drejtësinë është Edi Rama. A do të mundet Luca dhe peshkgjuajtës të tjerë rrotull Ramës, të kapërdijnë HALAT e mëdha kur të urdhërohen për të ngrënë?

    Pafundësisht e vështirë. Të gjithë sardelet, kaonet, rrjetat, e mbi dhe nëntokës do të nisin vrapin për të ikur. Ngjarjet tensionuese në Elbasan janë dëshmi se palët kanë borxhe të palara dhe kërkojnë mbajtjen e ortakëve në lojën e madhe. Eshtë tepër vonë. Kryepeshku Rama e ka marrë vesh dhe kërkon të hedh në tigan oborrtarët e vegjël të menysë së peshqve. Një peshkatar i zgjuar, e sheh kur deti trazohet dhe nuk turret si i pamend drejt dallgëve. Vetëm nëse ka ndarë mendjen ta ketë keq me vete. Kooperativat e vjetra të komunizmit janë prova dhe modele telashesh, jo suksesi.

  • Red VARAKU – Pse Rama rrezikon të ketë fatin e Gruevskit?

    Red VARAKU – Pse Rama rrezikon të ketë fatin e Gruevskit?

    Tranzicioni i pushtetit në vendin tonë ka qenë gjithmonë i kërcënuar nga destabiliteti. Kjo për shkak se jemi një vend me demokraci të brishtë që do të thotë që nuk kemi institucione të pavarura që do të kishin legjitimitetin për të frenuar një degradim të tillë.

    Të gjithë e dimë që pas 1990 kemi patur tre rrotacione të pushtetit dhe njëri prej tyre u bë nën kërcënimin e armëve dhe të gjithë i kemi parasysh ngjarjet e vitit 1997, të cilat degraduan në përplasje civile dhe e çuan Shqipërinë vite pas.

    Pra, momenti i tranzicionit të pushtetit është një moment shumë delikat , i cili nëse nuk menaxhohet me maturinë e duhur , gjithmonë rrezikon të shpërthejë në përplasje civile.

    Fjala vjen si në vitin 2005 ashtu dhe në 2013 pati një dakortësi midis palëve, që pavarësisht gjithçkaje zgjedhjet do të njiheshin nga palët.

    Në fakt, kjo në politikë është thelbësore, sepse reflekton një lloj luajaliteti politik midis palëve që është një mekanizëm i domosdoshëm që pluralizmi dhe demokracia të funksionojë.

    Pikërisht ky luajalitet politik dhe dakortësi politike mungon në këto zgjedhje dhe kjo për shumë arsye që i kam shtjelluar në shumë shkrime siç janë përpjekjet për të asgjësuar demokracinë, nëpërmjet likujdimit të opozitës, përpjekja për destabilizimin e Ballkanit nëpërmjet projektit për ndarjen e Kosovës, projekti i Jugosllavisë së re, flirti më armiqtë e Perëndimit kundër SHBA dhe BE etj.

    Ndryshe nga 2005 dhe 2013, asnjë nga palët nuk ka deklaruar deri tani se do t’i njohë zgjedhjet në rast humbjeje.

    Palët jo vetëm janë të pozicionuara shumë larg njëra-tjetrës, por në të gjitha rastet kërcënojnë me eliminimin politik të tjetrit në rast fitoreje , që do të thotë që asnjëra nuk duket se do e pranojë rezultatin dhe është pikërisht kjo arsyeja e konfliktualitetit që ka dy vjet që mbizotëron klimën politike shqiptare.

    Klimë që do të shkojë me siguri drejt përplasjes, sepse nëse PS i vjedh sërish zgjedhjet siç edhe po tenton me banda dhe kriminelë, PD dhe LSI nuk do ta pranojnë rezultatin dhe do dalin sërish në rrugë, pak a shumë siç ndodhi në Maqedoni kur opozitën e udhëhiqte Zaev.

    Ndërsa nëse zgjedhjet i fiton PD -LSI, ndëshkimi i këtij kryeministri është i pashmangshëm, për shkak se kjo opozitë nuk ia fal dot këtij kryeministri faktin që ai tentoi ta eliminonte politikisht. Ajo u sulmua aq barbarisht, sa u detyrua të djegë mandatet dhe të bojkotojë zgjedhjet duke rrezikuar fort egzistencën e saj.

    Pra, nëse Opozita fiton zgjedhjet opozita e ka detyrim ndëshkimin e këtij kryeministri dhe kjo është arsyeja se pse ky kryeministër rrezikon të ketë fatin e Gruevskit. Por, njëkohësisht, kjo është arsyeja se pse ky kryeministër do bëjë çdo përpjekje për të vjedhur sërish zgjedhjet.

    Janë pikërisht këto dy skenarë që po trazojnë fort ujërat në kënetën politike shqiptare dhe kanë nxjerrë në skenë përbindësha, që rrezikojnë t’i kthejnë këto zgjedhje në përplasje të forta, që mund të prodhojnë dhe viktima, por ashtu si në skenarin Maqedonas nuk e ndalin dot tranzicionin e pushtetit, vetëm se shtojnë kostot që në fund do t’i paguajmë të gjithë ne.

  • Surpriza e zgjedhjeve holandeze quhet Sigrid Kaag

    Surpriza e zgjedhjeve holandeze quhet Sigrid Kaag

    Ministrja aktuale e Tregtisë së Jashtme e ka çuar D66, partinë e majtë liberale që ai drejton, në 24 vende në Parlament, duke zhvendosur nga vendi i dytë ultra të djathtin Geert Wilders. Flet gjashtë gjuhë dhe ka një kurrikulum shumë të gjatë, veçanërisht jashtë vendit

    Nëse konfirmimi i kryeministrit konservator Mark Rutte ishte i ditur, befasia e vërtetë e zgjedhjeve legjislative në Hollandë quhet Sigrid Kaag. Ministrja aktuale e Tregtisë së Jashtme e ka çuar D66, partinë e majtë liberale që drejton, në 24 vende në Parlament, duke zhvendosur ultra djathtistët e Geert Wilders nga vendi i dytë, që fituan 17 vende.

    Suksesi i Kaag, 59 vjeç, e rrjedhshme në gjashtë gjuhë, ndër të cilat arabishten, buron nga ofrimi i një alternative konkrete si për Rutte ashtu edhe për Wilders: si në përmbajtje (nëpërmjet refuzimit të një politike shumë të ngurtë të imigracionit) ashtu dhe në tone, qetësi siç i takon një diplomati me një karrierë të gjatë si ajo.

    Katolike dhe e martuar me një mysliman, një dentist palestinez me të cilin ka katër fëmijë, Sigrid Kaag ka mbuluar një sërë pozicionesh prestigjioze jashtë vendit. Ka qenë përfaqësuese e UNHCR në Jeruzalem, drejtore e UNICEF për Lindjen e Mesme dhe Afrikë, drejtore e Zyrës për Marrëdhënie me Jashtme të Programit të Zhvillimit të OKB dhe Koordinatore Speciale për OKB, për të përmendur vetëm një pjesë të CV-së së tij.

    Sidoqoftë, pozicioni që e bëri të njohur Kaag për publikun e gjerë ishte ai, i marrë më 2014, si koordinatore e misionit të përbashkët të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike në Siri.

    Kalimi i pjesën më të madhe të jetës jashtë vendit mund të ketë përbërë një dobësi për të. Profili i Kaag është kritikuar si shumë elitiste, jo maq mjaftueshëm në sintoni me problemet e një qytetari mesatar. Ajo gjithmonë është mbrojtur duke sjellë në kujtesën e të gjithëve se nuk ka origjinë të pasur. Sidoqoftë, basti u fitua. Dhe Rutte ka njoftuar se e dëshiron si një bashkëbiseduese për qeverinë e re.

    Përgatiti Dardan MITROVICA

  • Enver BYTYÇI – Monolog i “punëpambaruarit” para pasqyrës

    Enver BYTYÇI – Monolog i “punëpambaruarit” para pasqyrës

    Pasi e kaplloi pak gjumi dhe dremiti disa minuta, punëpambaruari u zgjua trembshëm dhe vinte vërdallë nëpër dhomë. Pa pasqyrën dhe menjëherë u ndal para saj.

    – Hë pasqyrë, më thuaj, a kam ende punë për të mbaruar?! A është kjo një arsye pse shqiptarët duhet të më votojnë prapë më 25 prill?! Dhe pasqyra, si gjithnjë dashamirëse e falenderuese për respektin ndaj saj, nuk mund të mos i përgjigjej pozitivisht:

    – Po zotni! Aftësitë tua nuk shterojnë kurrë. Ti ke shumë për të bërë. Ke vuajtur këto tetë vite dhe duhet të sakrifikohesh edhe katër vite të tjera!

    Punëpambaruari mori zemër dhe e përsëriti edhe njëhreë skenën, me qëllim që ta memorizonte në kamera e t’ua transmetonte zgjedhësve të pabindur. Pasqyra bindet, po këta copat e mishit me dy sy pse të mos binden?! Dhe e hodhi në rrjetet sociale. E morën mediet televizive audio, ato të shkruara e kësisoj lajmi u përhap në të gjithë botën shqiptare se punëpambaruari i tetë viteve të shkuara kërkon të mbarojë punë në katër vitet e ardhshme!

    Në fakt ai nuk mundi në tetë vitet e shkuara të mbarote as punët e punëpambaruarit paraardhës të tij. Rruga e kombit u ndërtua në 99 përqind të segmentit Milot-Morin në pesë vite prej paraardhësit të tij. Dhe ky punëpambaruari i sotëm ende nuk e ka përfunduar plotësisht atë 1 përqindshin, edhe pse është mburrur sipas tij se “Ne po mbarojmë ato që nuk bëtë ju”!

    Ai po kërkon edhe katër vite të tjera që ta mbarojë Rrugën e Arbërit të premtuar për ta përfunduar në vitin 2017, edhe pse ajo rrugë ishte ndërtuar në 40 përqind të saj nga paraardhësi i tij. Punëpambaruari mezi mbylli  20 përqind të rrugës së përfunduar në 80 përqind të saj Tiranë-Elebasan, bashkë me tunelin. Iu deshën për këtë gjatë vite edhe pse qeveria paraardhëse e tij e kishte përfunduar atë në katër vite!

    Megjithatë edhe unë mendoj se kryeministri aktual i Shqipërisë ka të drejtë në monologun e tij para pasqyrës. Ai ka lënë shumë punë pa mbaruar. Nëse i listojmë ato, do të ishte e pamundur që të përfshihen të gjitha punët e lëna përgjysëm. Megjithatë po përpiqemi:

    1. Punëpambaruari nuk ka kryer ende punë me PPP-të. I duhet që t’u japë oligarkëve edhe nja dy miliard euro të tjera, me qëllim që ta falimentojë plotësisht shtetin e shqiptarëve dhe më pas ta nxjerrë atë në ankand! Madje ka porositur blerësit e saj, parasëgjithash Goerg Sorosin!

    Ia ka ndarë një pjesë të Shqipërisë në ankand edhe Aleksandër Vuçiç. Ndoshta portin e Shëngjinit, sepse për Kosovën ka thënë se ajo “do të bëhet pjesë e portit të Durrësit”?! Më pas tha se ky port do të jetë i Elmar. Shumë e ngatërruar është pjesa që i përket Kosovës, por jo aq i paqartë koncensioni ndaj Serbisë. Ndaj i duhet minishengeni. Minishengeni është mjeti, jo qëllimi i realizimit të interesit serb në territoret shqiptare! Kësisoj punëpambaruari ynë mbaron një punë dhe një projekt të serbëve, të hartuar që në vitin 1844 përmes Naçertianias!

    2. Punëpambaruarit i duhen akoma financime për disa projekte private personale e familjare të nisura në Nju Jork, në Barcelonë, apo në ndonjë vend tjetër atraktiv në glob. Janë projekte që duhen çuar deri në fund. Janë projekte, për të cilat është kujdesur madje të mos shkojnë në veshin e ambasadës amerikane. Sepse në atë ambasadë ka ndonjë që “rastësisht” njofton departamentin e Shtetit! Paratë e korrupsionit tetëvjeçar, paratë e kanabizimit dhe ato të mafies duhen futur në punë.

    Po sikur pas humbjes të shkojë në birucë, siç shkoi miku i tij Hashim Thaçi?! Si mundet ai t’i mbarojë këto e të tjera projekte përsonale e të familjes?! Prandaj i duhet punëpambaruarit edhe një mandat i tretë. Mund të ndërtojë ehe një Surrel të dytë!

    3. Mandati i tretë i duhet atij edhe për një arsye tjetër. Pazaret me Beogradin u prishën në rastin e dështimit të projektit serb të ndarjes së Kosovës. Ai ka një plan sesi do të ringjallë interesin serb për të rinegociuar përfitimet e përbashkëta në realizimin e atij ose të projekteve të tjera të përbashkëta.  Në këtë pikë ai ka të drejtë të shfaqet si më i afti në historinë e shiqiptarisë. Nuk ka guxuar dikush tjetër në historinë moderne të shqiptarëve nga Rilindja e vërtetë e deri te rilindje e sotme e rreme, që të bëjë pazare kaq të hapura dhe të krijojë një kimi kaq miqësore të bashkëpunimit të zellshëm me autoritet e Serbisë, përveç këtij punëpambaruarit tonë, kryeministrit aktual të këtij vendi!

    4. Pas zgjedhjeve ai duhet të mbarojë edhe një punë tjetër. I kanë mbetur diku te 50-60 përqind e popullsisë aktive pa e burgosur dhe qindramijë të tjerë shqiptarë pa i përzënë nga trojet e veta për në emigracion. Eshtë punë që duhet mbaruar! Ish-kryeministri serb, Nikolla Pashiç, në përfundim të luftës së Parë Botërore, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari se “Çdo të bënte ai me shqiptarët”, u përgjigj: “Do të përpiqem t’i asimiloj. Nëse nuk pranojnë të asimilohen, do t’i dëboj. Dhe nëse nuk pranojnë të ikin nga Kosova, do t’i asgjësoj”! Edi Rama do të bëjë të njëjtën gjë: – Do të përpiqet që shqiptarët t’i bëjë rilindas dhe Shqipëria t’i ngjajë diktaturës së Hoxhës. Ata që nuk pranojnë, do t’i dëbojë nga ky vend. Dhe nëse nuk ikin nga Shqipëria, do t’i burgosë! A nuk i burgosi ai 38 mijë shqiptarë në vitin 2015?! Sapo të kapërcejë lumin e zgjedhjeve ai do të harrojë se çfarë ka premtuar. Në vend të “parajsës” së premtuar do të ofrojë burgun, varfërinë, eksodin masiv, rrënimin e vendit.

    Prandaj i duhen edhe katër vite të tjera punëpambaruarit! Kush beson se ato katër vite janë për prosperitetin e Shqipërisë, le të kthejë kokën pas e të mësojë se çfarë ka ndodhur në tetë vitet e qeverisjes së tij. Thjesht të kujtojë se për një km rrugë ose më saktë gjysëm rrugë ka dhënë 24 milion euro bashkë me tvsh-në! Dhe se në katër vite kanë ikur nga Shqipëria 480 mijë shqiptarë. Thjesht të kujtojmë se 90 përqind e shqiptarëve të tjerë të mbetur në vendin tonë janë të gatshëm të marrin arratinë prej këtij punëpambaruarit tonë!

    Nëse doni më për Belulin punëpambaruar, ka plot! Por po e ndalojmë stekën në këtë pikë.

  • Red VARAKU – Çfarë po prodhon dobësimi politik i pozitave të kryeministrit?

    Red VARAKU – Çfarë po prodhon dobësimi politik i pozitave të kryeministrit?

    Fenomeni që të bie menjëherë në sy në këtë fushatë është fakti që teksa zgjedhjet afrohen pozicioni politik i kryeministrit sa vjen dhe po dobësohet dukshëm.

    Numri i njerëzve që shpehin hapur zhgënjimin dhe zemërimin për këtë kryeministër sa vjen dhe po shtohet dhe prova për këtë është entuziazmi në takimet e Opozitës në të gjitha qytetet e vendit!

    Shpërthimi i zemërimit qytetar në Elbasan, një qytet që administrohet nga bandat më të rrezikshme të vendit, është një sinjal që qytetarët e kanë mposhtur frikën.

    Ndërsa, pritja madhështore që iu rezervua Lulzim Bashës në Vlorë, në qytetin që konsiderohet zemra e të majtës, është një provë që refuzimi për këtë kryeministër ka kapur një nivel historik.

    Në fakt kjo është krejt normale sepse me afrimin e zgjedhjeve pushteti transferohet tek qytetarët dhe pozicioni i kryeministrit ngushtohet dhe dobësohet. Kësisoj dhe fuqia e tij për të kërcënuar dhe ushtruar presion neutralizohet .

    Është hera e parë që po i shohim pozitat e Ramës të rrezikuara seriozisht dhe kjo ka filluar t’i shkaktojë panik dhe paniku destabilitet mendor. Pamjet e dhunës në Elbasan ishin pasojë e këtij paniku.

    Kjo është shumë e rrezikshme për stabilitetin e vendit, sepse ai me siguri do të tentojë të shkaktojë ndonjë emergjencë për të rikthyer autoritetin e tij siç është fjala vjen rikthimi i karantinës apo çmenduri të tjera.

    Rama nuk është thjesht një autokrat i korruptuar. Ai është një njeri i mbushur me urrejtje, paranoja dhe narcisizëm prandaj në këtë pikë është shumë i rrezikshëm.

    Frustrimi në rritje për humbjen në zgjedhje, mund ta çojë atë në marrjen e vendimeve antikushtetuese me qëllim rivendosjen e autoritetit të tij dhe reagimi i qytetarëve mund të jetë i paparashikueshëm.

    Për pasojë, në mungesë të institucioneve që mund ta frenonin disi, vendi mund të rrëshqasë me shpejtësi drejt përplasjes civile me pasoja fatale për vendin.

    Urojmë që për shumë arsye kjo të mos ndodhë, përndryshe shqiptarët do ta çojnë dhe duhet ta çojnë deri në fund atë që lanë përgjysëm në 1990, në mënyrë që kurrë më të mos na rikthehen hijet e errëta të së shkuarës që lamë pas.