Blog

  • Erion DASHO – A mund t’i besosh një mashtruesi?!

    Erion DASHO – A mund t’i besosh një mashtruesi?!

    Borati dhe boratët kanë disa ditë që përpiqen të justitikojnë me çdo mjet vazhdimësinë e programit të vaksinimit me vaksinën e Astra Zeneca-s. Ndërkohë arsimtarët, përfituesit e këtij raundi vaksinimi, janë në ankth në se duhet apo jo të pranojnë administrimin e vaksinës. Pezullimi i aplikimit të saj nga disa prej vendeve më serioze të Bashkimit Europian është perceptuar nga gjithkush si sinjal alarmi, ndërkohë që drejtuesit e arsimit dhe politika bën presione direkte dhe indirekte për të pranuar vaksinimin. Një pjesë e mësuesve janë në mëdyshje, të pranojnë një vaksinë që sipas psikozës kolektive që është krijuar ngjan “e pasigurt” apo të rrezikojnë vendin e punës?

    Problemi më i madh me këtë situatë impasi që është krijuar qëndron tek një person, Borati! Ai mori menjëherë iniciativën dhe ditën e hënë në mëngjes deklaroi se vaksinimi do të vazhdonte pasi sipas tij “vaksinat tona vijnë nga Suedia”. Pak orë më vonë Suedia vetë e pezulloi vaksinimin. Në mbrëmbje Borati deklaroi se Italia kishte rinisur vaksinimin me Astra Zeneca, deklaratë të cilën edhe një search i shpejtë në internet e vërtetonte që ishte e pavërtetë.

    Me dy mashtrime brenda ditës, Borati në vend që të qetësonte arsimtarët në panik, nuk bëri gjë tjetër veçse i hodhi më tepër benzinë zjarrit!

    Në fakt, në se ka një person të pabesueshëm lidhur me COVID-in, ai është Borati!

    1. Borati deklaronte në parlament se maskat nuk duhen, për të kaluar në ekstremin tjetër ku vendos me dhjetëra mijëra gjoba për të zbatuar një masë totalisht të panevojshme siç është mbajtja e maskës edhe në rrugë.

    2. Borati deklaronte se testet nuk janë të nevojshme, pastaj bënte prapakthehu dhe niste të aplikonte testime të shpejta në masë, për t’u rikthyer përsëri në situatën e mëparshme kur i duhej artificialisht të ulte numrin e të sëmurëve për arsye fushate.

    3. Borati deklaronte se Shqipëria kishte numrin më të ulët të vdekjeve në Ballkan dhe ndër më të ultët në Europë para se INSTAT të nxirrte zbuluar se Shqipëria ishte vendi më i prekur Europian dhe ndër më të prekurit në botë.

    4. Borati deklaronte se COVAX-i mjaftonte për të siguruar vaksinat, pastaj mori rrugët e kurbetit për të “lypur” vaksina sipas modelit të vet halldup duke nëmur COVAX-in, për t’u rikthyer sërish tek varësia nga COVAX, mekanizën i cili ka garantuar tani më tepër vaksina se ato që ka lypur Borati dhe boratët.

    Lidhur me COVID-in, shqiptarët kanë dëgjuar vetëm mashtrime dhe gënjeshtra nga kryeministri dhe qeveria e tyre. Në këto kushte, Borati dhe boratët janë të fundit që duhet të bëjnë argumentimin për nevojën e vazhdimit të vaksinës së Astra Zeneca.

    Duhet të flasin urgjentisht specialistët e vërtetë, por jo lejfenët e komitetit të cilët nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë certifikuar çmenduritë e Boratit dhe as puthadorët të cilët nuk kanë munguar gjatë gjithë pandemisë.

    Në këto kushte duhet të shprehen ekspertët me reputacion dhe integritet, të cilët ndonëse i kemi me pakicë, jemi ende me fat që ekzistojnë. Ata duhet të sqarojnë se nga pikëpamja mjeksore, nuk ka arsye përse të pezullohet imunizimi me vaksinën e Astra Zeneca, por nga pikëpamja psikologjike çdokush ka të drejtë të vendosë vetë në se do ta bëjë vaksinën sot apo pas disa javësh kur të jetë qetësuar mjegullnaja e këtyre ditëve.

    Mbi të gjitha të hiqet dorë nga praktika kriminale e bërjes së presioneve direkt apo indirekt mbi arsimtarët duke i kërcënuar me penalitete apo vendin e punës. Askush nuk mund të detyrojë askënd për t’ju nënshtruar një procedure mjeksore. E drejta për të kërkuar dhe marrë kujdes shëndetësor është e shenjtë dhe ajo i takon individit dhe vetëm individit.

    Borat, larg duar nga arsimtarët!

  • Armand MAHO – Ramën nuk e beson më as Erion Braçe!

    Edi Rama, në këto ditë të mbetura para 25 prillit, po mundohet të shfaqë një tjetër pamje, të atij që është në të vërtetë.

    Ka hedhur pas yamamoto e 2017, timonin, dajren dhe çdo gjë tjetër që e shoqëroi në atë fushatë, për t’u fokusuar tek ato që do të bëjë në katër vitet e ardhshme.

    Një dekalog, futurist me aeroporte çdo dhjetë kilometra, me tunele e me trena elektrik. Me rroga fantastike, pensione akoma më fantastike që në tetë vjet arriti t’i rriste vetëm 200 lekë të reja me sistem drejtësie, fund pandemie, rindërtim dhe gjithfarë premtimesh të pabesueshme, pjellë e fantazisë së zyrës së tij të propagandës.

    Dhe të gjitha këto premtime i bën në mes të një realiteti, që është pak ta quash dështim. Ky term mund të përdoret për kryeministra të vendeve të zhvilluara, që në një moment çedimi nuk kanë arritur objektiva në një sektor të caktuar të ekonomisë apo diku tjetër.

    Epoka “Rama” mund të përkufizohet me termin katastrofë. Menaxhimi skandaloz që i ka bërë ekonomisë, shëndetësisë, politikave sociale, rindërtimit, humbjes së shanseve për integrimin, sistemit demokratik në vend, krimit të organizuar të mbledhura të gjitha bashkë, kanë çuar në një situatë të ngjashme ndoshta dhe më keq të katastrofave natyrore apo njerëzore që shkretojnë gjithçka.

    Nuk erdhi nga natyra, nuk erdhi nga Zoti, nuk erdhi nga ndonjë luftë, por erdhi nga sistemi korruptiv, lidhja me botën e errët të krimit, apo dhe paaftësia që ai ngriti në sistem dhe që e quajti “Rilindje”.

    Panoramën e humbjes së besimit e shfaqin më së shumti dhe takimet që Rama po zhvillon në këtë prag fushate.

    Përveç banditëve të Elbasanit në Ditën e Verës, që i hapnin rrugët, në përgjithësi komunitetet kanë një lloj bezdisjeje nga vizitat e tij. Rama duket si për të ardhur keq. I plakur nga akumulimi pa fund i pushtetit, që e ka nxjerrë nga binarët, ai po braktiset përherë më e shumë nga taksapaguesit e tij.

    Administrata, që mbushte vendet e takimit si bën më punë, përkundrazi. Njerëzit s’mund të gënjehen me pjesëmarrjen e drejtorëve, apo specialistëve të bashkive që nxirren atje me përdhunë nën kërcënimin e bukës së gojës.

    Vizita e tij në qytetin e Laçit për rindërtimin, ishte shembulli më i mirë ku revolta e qytetarëve atje u shpreh me indiferencë. Në qendër të qytetit nuk gjendej një njeri që ta përshëndeste qoftë dhe nga larg.

    Kryeministri në kërkim të mandatit e tretë, duket si ajo rrëfenja me atë plakën e dëshpëruar, që në pasqyrë shikonte një realitet tjetër dhe kjo bënte që të thërriste nëpër fshat; “Më bëni dhe një herë nuse, pa di unë si nusëroj”.

    A nuk përngjan kështu dhe  kërkesa e Ramës që i bën të tijve për 88 mandate ?!

    Kur bie fjala tek besimi në tavolinat e të majtëve të zhgënjyer, por dhe të tjerëve, rëndom dhe jo pa romuz po përdoret një shprehje . “Ramën nuk e beson më as Erjon Braçe”.

    Ky i fundit është një militant tipik i së majtës, por pa qenë aspak i majtë. Rend verbërisht pas kryetarit të partisë,  apo kryeministrit kushdo qoftë. Këtë ka bërë me Metën, Nanon, dhe së fundmi më Ramën. Në fakt si ka dalë keq, sepse ka që nga adoleshenca dhe deri tani ne vigjilje të të 50-ve që mban në xhep mandat deputeti. Pra vetëm i ka marrë këtij vendi dhe këtyre njerzve  nga taksat e ska dhënë praktikisht asgjë.

    Duke njohur si vlerë vetëm militantizmin, zgjedhur heshtjen edhe kur e kanë trajtuar si leckë, ja ka dalë  t’i mbijetojë çdo suferine në PS, deri sa ka arritur në pozicionin aktual, te zëvendësit ku nuk ka asgjë në dorë përveç se të firmosë zullumet e Edi Ramës në vendimet që ai merr.

    E megjithatë në derexhenë ku ka arritur, kryetari i Rilindjes, s’është çudi që të ketë futur dyshime dhe tek militantizmi i llojit Braçe.

  • Klodian TOMORRI – Hipokrizia me infeksionin

    Akuzat e Ramës ndaj opozitës se po vendos fushatën para shëndetit të njerëzve me takimet elektorale, në fakt janë një hipokrizi e madhe. E vërtetë që grumbullimet e fushatës përhapin infeksionin. Por nga ana tjetër, qeveria shqiptare është e vetmja në Europë që eksperimentoi imunitetin natyral të tufës.

    Dikush aty lart mori një vendim të eksperimentonte. Dhe sigurisht ky nuk ishte vendim i Mira Rakacollit me Albana Ficon.

    Ishte vendim politik.

    Nuk ka vend tjetër në Europë, që e lëshoi kështu situatën, me lokalet hapur, me njerëzit e ngjeshur në mjetet e transportit urban etj etj.

    Italia, Gjermania, Franca, Greqia kudo janë mbyllur disa herë pas vjeshtës. Vetëm Shqipëria e lëshoi.

    Këto fashat orare janë totalisht kot, sa për të thënë që ne po marrim masa. Por e vërteta është që këtu u eksperimentua imuniteti i tufës në mënyrë të heshtur.

    Nuk është rastësi që Shqipëria pati rritjen më të lartë të vdekshmërisë në Europë. Dhe po imuniteti ishte strategji e mirëfilltë.

    Në fund të vitit të kaluar, qeveria financoi Akademinë e Shkencave për të bërë studim, që vendi po shkonte afër imunitetit për të lehtësuar pranimin e tezës në publik.

    Në qeveri gjërat nuk ndodhin asnjëherë rastësisht. Por të gjithë e panë çfarë ndodhi në dhjetor, janar, shkurt dhe çfarë po ndodh në mars.

    Tani, a ishte kjo zgjedhja e duhur apo jo?

    Këtë nuk e di askush. Nuk e dinë as institutet më të mira shëndetësore në botë.

    Qeveria nuk e bëri këtë zgjedhje se besonte që ishte e duhura, por sepse nuk kishte para.

    Do Zoti këto rëniet e infektimeve ditët e fundit të jenë sinjal se pandemia po lehtësohet.

    Por nuk e përhapi opozita, infeksionin. Këtë e di dhe Rama vetë. Përhapja e infeksionit ishte strategji qeveritare sepse qeveria nuk kishte para për të mbajtur masat.

  • Ardit GJINALI – Forca e pushtetit që nuk e mposht dot fuqinë e ndryshimit

    Ardit GJINALI – Forca e pushtetit që nuk e mposht dot fuqinë e ndryshimit

    Fuqia  qytetare për ndryshim qëndron në besimin dhe angazhimin e përbashkët për një Shqipëri ndryshe, të tillën Shqipëri të mundësisë së kthyer, të një besimi të ri; fuqia qytetare që ka në thelb të së tillës lirinë dhe vullnetin për ndryshim; fuqia qytetare që buron nga vuajtja, mundësitë e vjedhura dhe të munguara, e drejta e cënuar, ligji i shkelur; fuqia qytetare që vërehet në sytë e secilit të tillë, sytë që tregojnë vuajtjen e shpirtit të drobitur dhe që  kërkojnë të tillin  ndëshkim politik; syri i guximit që nuk trembet dot nga zhurmëmadhi pushtet që lëshon kërcënimin për të fshehur frikën që buron nga humbja e të tillit… i tilli është thelbi i forcës… forcë që nuk ndal dot përmes forcës të tillën fuqi qytetare për NDRYSHIM.

    Ndryshimi nuk ndalet dot nga vringëllimi dhe hakërrimi i secilit segment pushtet- mbajtës dhe të tillë ushtrues që rreket të vijojë sundimin e Shqipërisë përmes pushtimit të shtetit dhe uzurpimit të secilës hallkë që dëshmon panoramën e zezë të grykësisë, pangopësisë dhe spirales së mëkateve që kanë mveshur shikimin, dyllosur dëgjimin dhe rrëmbyer arsyen e një ansambli keqqeverisës që djallëzisht ka djallosur shumëçka në kufijtë e gjithçkaje në një vend që dhuroi  një enumeracion mundësish politike dhe qeverisëse për të tillët; – qytetari i zakonshëm i këtij vendi përjetoi sagën e shkaktuar nga një ushtrim asfare njerëzor i qeverisjes, e tilla që mbart një mendësi arkaike të jetësimit të sundimit përmes instrumentave famëkeq të nënshtrimit, frigimit,  varfërimit, poshtërimit të dinjitetit njerëzor, deformimit të vullnetit politik të shprehur përmes votës; – qytetari ndjeu përplasjen e ortekut të së keqes mbi fytyrën e të njëjtit nga enturazhi me fytyrë të munguar që nuk realizoi hiçgjë të gjithçkasë që premtoi dhe  ndërmori gjithçka që shënon të kundërtën e premtimeve të gënjeshtërta; e vërteta e munguar dhe e shprehur pa teklif  dhe plot tallje në kufijtë e përbuzjes është përbërësi kryesor i forcës së një pushteti që tenton të pengojë ndryshimin.

    Qytetari dhe shumësia e të njëjtëve thërrasin pa frikë dhe zërin plot për ndryshimin dhe një shpresë të re për individin, familjen dhe Shqipërinë; individi dhe vendimi i të njëjtit për ndryshim është thelbi i fuqisë që nuk mposhtet dot nga falangat mercenare të një pushteti të ushtruar keq, i kapur nga e keqja dhe që ndjell të keqen për të vijuar keqbërjen ndaj të njëjtëve që kanë jetuar, qëndruar dhe rezistuar nën zgjedhën e së keqes sepse shpirti i shumicës së njerëzve të zakonshëm të këtij vendi dhe i Shqipërisë nuk tjetërsohet dot. Kompromiset e vogla dhe meskine, darovitja pushtet-ushtruese, mundësia kinse e merituar dhe e vonuar, por  e mveshur me djallëzinë pushtetore të gllabërimit të mendimit,  panairi i premtimeve të plota në dukje që humbasin në humbëtirën e boshllëkut dhe hipokrizia  e gëzimit të sotëm buzagaz që mvesh lotin e dhimbjes së nesërme për qytetarin;- të tillat përpjekje janë pjesëza të mozaikut të forcës së të keqes së pushtetit- pjesëza që nuk zëvendësojnë vullnetin qytetar për liri të qenësishme individuale dhe shoqërore, i tilli çmim i secilës pjesëz nuk zëvendëson dot haraçin pushtet-ushtrues që buron nga liria e munguar, vjedhur, rrëmbyer dhe e fshehur skutave të zeza ku gatitet errësira autokratike për qytetarin dhe shoqërinë, gjithashtu.

    25 Prilli është dita dhe data e një bashkimi të madh qytetar për ndryshim dhe një shpresë të re; dita dhe data për të dëshmuar një shoqëri që reagon në një Shqipëri që fiton ditë më të mira, qeveri normale me një Kryeministër normal, gjithashtu. Koha për një besim të ri dhe shpresë të re është tani! Bashkë sepse ka ende shpresë…

  • Enver BYTYÇI – Ai nuk ka miq e bashkëpunëtorë! Ka rreth vetes vetëm kriminelë!

    Enver BYTYÇI – Ai nuk ka miq e bashkëpunëtorë! Ka rreth vetes vetëm kriminelë!

    Ai është i lodhur. Eshtë kërrusur. Nuk përqëndrohet dot. Sa herë del në ekran rrotullon sytë dhe ajo e bardha e syrit jep shenjat e ligësisë së tij, një ligësi në lodhje, në gjysëm agonie. Shfryn vazhdimisht. Edhe kur shan, edhe kur bullon, edhe kur i duket se po imiton Nolin, por në fakt imiton Rrokun!

    Kur është i shoqëruar me banditë bwhet cub! Ua bën atyre me shenjë që të hidhen në sulm. Ashtu si ditën e djeshme në Elbasan! E njësoj si më 21 janar 2011, kur nga mesi i turmës u bënte shenjë militantëve të sulmonin kryeministrinë. Por edhe kur bën shenjë për sulm i duket ligësia. Hedh gurin e fsheh dorën! Pas sulmit del e “lutet për paqe”! “Kurrë më” – thotë! Megjithatë vesinuk  i del as me shpirtin! Nuk rron dot pa banda dhe banditë, pa krim dhe kriminelë! Madje është në simbiozë të tillë, sa ata nuk e lënë më të ikë nga fushë-beteja kundër Shqipërisë!

    Ai nuk ka më fjalë. Në tetë vite i janë shterrur ato. Po nuk ka më as alternativë. Ndaj zgjedh kriminelët si të tillë. Alternativë e tij janë tetëdhjetëvjeçarët, të cilët glorifikojnë diktatorin! Kjo tregon se ai është në fundin e fundit të fundit të jetës së tij politike! Simbolika e tij është ikja, jo vazhdimi! Në tetë vite dështoi me shumë sukses! Nuk ka asnjë projekt të përfunduar! Asnjë fjalë e premtim të mbajtur! Asnjë vepër për të qenë! Ndaj dhe nuk i mbetet tjetër veç alternativës së banditëve dhe enveristëve!

    Në tetë vite nuk solli asnjë investitor të huaj! E ndoti klimën e biznesit e të investimeve me smogun e pistë të korrupsionit! Tani ka nxjerrë në shetitje belindat, tigrat, mjaftistët që të bëjnë shou me gjoja marrëveshje miliardëshe për investime në infrastrukturë dhe energjitikë! I ndihmon pak edhe Kimi! Në mungesë të areoporteve të premtuara që para tetë vitesh, u jep shqiptarëve aeroporte të tipit Katar në tridimensional.

    Ai ka marrë fund! I lexohet kjo në çehre, në fjalët kuturu që artikulon. I shfaqet në sy dështimi! Ia thonë jo vetëm kundërshtarët, por edhe miqtë e tij. Ka marrë fund me të gjitha e me gjithçka! Nuk ka më shokë, nuk ka më miq, nuk ka më bashkëpunëtorë! Ka vetëm kriminelë dhe lavjerrës ngjitës që i shkojnë pas. Gjithnjë për më shumë pasuri!

    Ai nuk ka pasur kurrë një fije ideali, përveçse atë të sundimit në një regjim piramidial të ngritur prej tij! Prandaj nuk ka vepra, veç shëmtisë së pushtetit harbut. La pas tymnajë propagande dhe dështimesh reale. Por la edhe një Shqipëri pa shpresë! La pas tij një model të shëmtuar të qeverisjes. Por edhe një mal me smogun e propagandës sikur ai “po bënte shtet”! Ai la pas shtetin e oligarkwve dhe dhunën mbi të varfërit! La pas makthin e dhunës policore kundër popullit të vet! La pas shkatërrime si ai i teatrit në këmbim të inatit, egos dhe hakmarrjes personale!

    Ai kurrë nuk qe i vërtetë me njerëzit! Kurrë, askush nuk e kuptoi se çfarë është, pse është, çfarë përfaqëson dhe çfarë fytyre ka! Ai diti vetëm të shtiret! Kur kërkon vota është ndryshe, tjetërsohet! Në fushatë elektorale nxjerr akte normative dhe ul taksat. Sapo mbarojnë zgjedhjet dhe e ka rrëmbyer pushtetin, i rrit ato, diçka më shumë se ç’ishin më parë. Mezi pret vitin tjetër fiskal që të planifikojë shtimin dhe rritjen e taksave. Dhe kthehet e u thotë qytetarëve: “Shteti nuk bëhet pa taksa”!

    Ai është kameleon i llojit unik në sojin e vet! Nuk rri kurrë në shpinë, edhe kur e lëshon me nokaut përtokë! Është si macja e zezë, ka shtatë shpirtëra! Por shpirtëra tersi! Shpirtëra që mallkojnë! E patë si i mallkoi para pak ditësh kundërshtarët e tij?! Nuk di të bëjë tjetër! Nuk di të japë shpresë! Nuk do të japë besim! Thjesht di të sulmojë, të etiketojë, të fyejë, të çirret, të bërtasë, të hungërij, të kakarisë, të mjaullinj. Ndonjëherë dhe të kukojë! Dje katër herë iu kundërvu liderit të opozitës! I tha “bëhu burrë”! Se burra, sipas tij, janë ata që bëhen palë me krimin e kriminelët, me bandat e bandidët. Po të jesh modern, i sjellshëm e kokulur, sipas tij, nuk je burrë! Se ai jeton me intrigën e paburrërisë!

    Ai vetëm merr, asnjëherë nuk jep! Merr për vete! Merr për rilidnjen! Merr për Olsin, për Lindën e për Zahon! Por nuk jep. Kur i jep Olsit i vendos kushte. Ndërsa Lindës i jep pa kushte! I ka dhënë bankën asaj! Si paraardhësi i vet, Nano. Lindës nuk i jep se e ka bashkëshorte, por se… Çfarë do më shumë!

    Ai është i tmerruar dhe njëkohësisht i dëshpëruar! I mban në rrjesht banditët, trafikantët dhe kriminelët! Ose më saktë e mbajnë ata atë gatitu! Por delet po i dalin nga rrjeshti! Ditmiri i është bërë makth. Pret dita-ditës se kur do të zbrazet kundër tij! E zbrazja e Ditmirit e klasifikon automatikisht si tradhtar të kombit! Ai është jo vetëm i zemruar me Lelin e Vlorës, por edhe i frustruar prej tij. Janë së paku 500 hektarë në bregdet që i kanë çuar në duart e një mafiozi, duke ua marr me forcë pronarëve në emër të asaj se “Nuk ka toka private në bregdet”! Nuk ka për ata që i kishin, por ka për mafiozët që bashkëpunojnë me atë dhe darkojnë në restorantin e tij në kryeministri!

    Ai nuk ka më të ardhme! Nuk ka as të sotme! Ka vetëm të shkuarën e zezë! Ka vetëm Atin! I biri dhe i shenjti i mungojnë! Se ëndërroi për të shkuarën e punoi për të shkuarën. Nuk la asgjë për ta kujtuar në të ardhmen. Eshtë i pari dhe i vetmi kryeministër që mund të kujtohet vetëm për dështimet e tij, por jo edhe për ndonjë vepër që la pas! Pikërisht këtë tragjedi ai e vuan shumë!

    Kishte besuar se duke ringjallur diktatorët apo mbretërit e absolutizmit, do të ndërtonte të ardhmen e këtij vendi! Por ai harroi se absolutizmi është epoka e errësirës!

  • Erion DASHO – Importi i vaksinave jashtë listës EMA-FDA, precedent i rrezikshëm

    Erion DASHO – Importi i vaksinave jashtë listës EMA-FDA, precedent i rrezikshëm

    Dje qeveria e Boratit nxori një vendim që i hap rrugën importit të vaksinave edhe jashtë listës së miratuar nga EMA dhe FDA. Ndonëse, përpjekja për të siguruar vaksina duhet përshëndetur, precedenti që krijohet është i rrezikshëm, për shkak të trokitjes në derën e gabuar.

    Për momentin janë qindra vaksina në eksperimentim, një pjesë e madhe e tyre në vende të cilat nuk kanë mekanizma kontrolli të përshtatshëm për të garantuar efektshmërinë dhe sigurinë e vaksinës.

    Deri dje garancia e shqiptarëve kanë qenë procedurat strikte të licensimit nga EMA dhe FDA. Sot jo më! Me vendimin e djeshëm, Borati hap një kuti pandore që ka potencialin të krijojë një dëm të jashtëzakonshëm, ndërkohë që përfitimet shëndetësore janë të dyshimta.

    Gamalea ka një kapacitet të limituar prodhimi dhe kontratat e saj tashmë janë te ezauruara. Dozat e Sputnik V që mund të sigurohen nëpërmjet kësaj lëvizje do të ngelen në nivelin e disa mijërave. Pra, pa ndonjë efekt domethënës mbi fushatën e vaksinimit kur mendon se 30 mijë doza mjaftojnë për të vaksinuar vetëm 0.5% të popullsisë!

    Një problem edhe më i madh në këtë vendim lidhet me vaksinat që do të kenë si vend origjine Kinën.

    Përvoja e deritanishme (sikundër ka ndodhur edhe me testet për COVID, mjetet mbrojtëse personale, etj.) ka treguar se nga ky vend vijnë produkte shumë cilësorë, sikundër edhe produkte me cilësi të dyshimtë.

    Organet tona të licensimit dhe farmakovigjilencës nuk e kanë kapacitetin për të bërë diferencën midis këtyre dy kategorive. Rrjedhimisht, vula e FDA-së dhe EMA-s ka qenë i vetmi garant për sigurinë tonë medikamentoze.

    Me vendimin e djeshëm, qeveria e Boratit ka hedhur një hap të rrezikshëm drejt rrënimit të besimit të qytetarëve shqiptarë tek siguria medikamentoze. Rruga për kontrollin e pandemisë me të vërtetë kalon nga vaksinat, por këto të fundit mund dhe duhet të sigurohen vetëm nga burime të sigurta!

    Borati dhe boratët nuk kanë asnjë të drejtë që për të mbuluar dështimin e tyre në menaxhimin e pandemisë në përgjithësi dhe me vaksinën në veçanti, të rrezikojnë më tej shëndetin e shqiptarëve.

    Ata duhet të pushojnë së trajtuari jetën e qytetarëve të këtij vendi si objekt elektoral për të fituar ca vota më tepër! Mbi të gjitha, loja me vaksinat dhe sidomos me vokacionin europian të shqiptarëve duhet të marrë fund sa më parë!

  • Red VARAKU – Mesazhi amerikan që erdhi një ditë pas ngjarjes në Elbasan

    Red VARAKU – Mesazhi amerikan që erdhi një ditë pas ngjarjes në Elbasan

    Menjëherë pas shpërthimit të dhunës në Elbasan dhe në ditën kur mbaroi dhe afati i dorëzimit të vetëdaklarimeve të kandidatëve vjen dhe reagimi i të dërguarit special të SHBA-ve pêr Ballkanin Perëndimor z. Mathew Palmer , i cili si në asnjë rast tjetër referuar zgjedhjeve deklaroi se SHBA-të prisnin zgjedhje me standartet më të larta ndërkombëtare.

    Ky është dhe reagimi i parë i SHBA-ve në lidhje me zgjedhjet e prillit në nivelin më të lartë diplomatik pas deklaratave të njëpasnjëshme të ambasadores amerikane, e cila ka bërë vazhdimisht thirrje për moskandidimin e individëve me rekorde kriminale.

    Ky reagim, i cili erdhi menjëherë pas dhunës në Elbasan dhe pikërisht ditën e vetëdeklarimit për kandidatët në KQZ , është njëkohësisht një sinjal që SHBA po e ndjekin me shumë vëmendje situatën në Shqipëri dhe po i monitorojnë rreptësisht standartet e zgjedhjeve.

    Kjo sepse tranzicioni i pushtetit në vende me demokraci të brishtë si Shqipëria, është gjithmonë i rrezikuar nga mundësia që mund të degradojë në përplasje të dhunshme e deri në konflikt civil.

    Asgjësimi i sistemit të drejtësisë, i cili është garant për ruajtjen e ballancave në një shoqëri demokratike dhe kthimi i institucioneve të tjera në kamzhik në dorën e pushtetit kundër opozitës rrezikon që deri në zgjedhje ta kalojë vendin në kaos total, ndaj vëmendja perëndimore dhe veçanërisht ajo amerikane pritet të shtohet .

    Ngjarja e Elbasanit ku për pak situata mund të degradonte në konflikt civil, që mund të shtrihej menjëherë në të gjithë vendin, është një paralajmërim serioz se deri në ç’pikë mund të degradojë kjo përplasje.

    Me sa duket mungesa e një marrëveshjeje për të garantuar të ardhmen e tij politike dhe fizike me sa duket i ka lënë vetëm një rrugë këtij kryeministri, destabilizimin e vendit.

    Është e qartë që fajtorë dhe përgjegjës për këtë është edhe vetë ndërhyrja brutale e faktorit ndërkombëtar në 2019 , për të mbajtur në pushtet këtë kryeministër përkundër vullnetit popullor, nderhyrje që ka prodhuar një zemërim edhe me të madh ndaj këtij regjimi, e cila sa vjen dhe po ndizet.

    Duke qenë se për të frenuar këtë kryeministër ka vetëm një mënyrë dhe ajo është një pozicionim i qartë dhe i vendosur ndërkombëtar kundër perpjekjeve për të mbajtur pushtetin me dhunë sinjali i SHBA-ve mbrëmë, paralajmëron se deri në 25 prill do ketë dhe mesazhe të tjera më të qarta dhe më të drejtpërdrejta, kjo proporcionalisht me reagimin e kësaj qeverie në raport me integritetin e zgjedhjeve .

    E vërteta është që sot këtë nuk e kanë vetëm detyrë, por ia kanë borxh të madh shqiptarëve, për vetë faktin që ishin pikërisht ata dhe personalisht vetë z. Palmer që e  mbajti në pushtet një dordolec si ky në kohën kur duhej arrestuar menjëherë për batërdinë në zgjedhjet e 2017.

  • Ardit GJINALI – “Të shpëtojmë Shqipërinë nga mandata e mandatit të tretë”

    Ardit GJINALI – “Të shpëtojmë Shqipërinë nga mandata e mandatit të tretë”

    Në çdo shoqëri demokratike, mandati i tretë nuk do të ishte asfare herezi dhe një alarm për të ardhmen e së tillës… i tilli mandati i tretë do të ishte një ushtrim demokratik që nuk do të shkaktonte kurrfarë alarmi mbi ekzistencën e shtetit të së drejtës dhe tërësisë së rendit demokratik, gjithashtu. Shqipëria e sotme ka parë, ndjerë dhe përjetuar shumëçka në kufitjë e gjithçkasë përveç të tillit normalitet të shumëkërkuar dhe të tillë dëshiruar nga një shumicë e qënësishme shoqërore, e tilla larg kompromiseve të vogla dhe aspak subjekt i darovitjes pushtet-ushtruese me të tillën dhuratë skllavëruese të shpirtit të reagimit dhe mendimit të munguar individual që shënon hapat e parë dramatikë të tjetërsimit tragjik të një shoqërie.

    Mandati i tretë i keqqeverisjes do të ishte mandata për shoqërinë shqiptare, qytetarin e angazhuar, profesionistin dhe intelektualin, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi që kanë vendosur të jetojnë në atdhe; i treti mandat do të ishte mandata e kobshme për demokracinë, shtetin dhe pluralizmin politik; pluralizmi politik  do të shndërrohej në të tillin mekanik  ku e kundërta politike në alternativë do të shuhej nga  represiviteti i shtet-pushtetit që  do të uzurponte secilin segment që ka shpëtuar nga thundrra e të tillit dhe ka shpërfaqur rezistencën demokratike dhe institucionale ndaj arbitraritetit. Aktualiteti i Shqipërisë së sotme është thirrja për të shpëtuar Shqipërinë nga mandata e mandatit të tretë keqqeverisës që do të pllakoste errësirën tërësore, e tilla që ka nisur shtrirjen  përgjatë  rrugëtimit  të mbrapshtë të evokuesve së absolutizmit dhe autoratizmit qeverisës në vend.

    Shqipëria ndodhet në zgrip të asgjësimit të rendit demokratik , instalimit tërësor  të autokracisë, shkeljes tërësore të të drejtave dhe ligjshmërisë së munguar të ngritur në sistem… dy mandate të plota të qeverisjes së keqe që mbeten dëshmia dramatike dhe pasqyra e trishtë e hapave të vazhdueshëm prapa në secilin sektor dhe zë duke e shndërruar vendin në një arenë të pajetueshme ku nocioni i “Jetës” në tërësinë kuptimore të së tillës mbetet në vlerësimin më të ulët  të kujdesit dhe  vizionit keqqeverisës  për shkak të konsideruarit  jo vetëm të qytetarit si një frymor dhe numëror statistikor, por gjithashtu dhe të Shqipërisë si një subjekt të ndarjes së parcelave pushtet-ushtruese ku zgjedha e qehajajve të pushtetit është zezona që  errëson dritën e bardhë të shpresës, besimit për të ardhmen dhe duke humbur qëllimshëm kuptimin e së tashmes. Shqipëria e copëzuar nën hyqmin e secilës sferë ndikimi pushteti është shndërruar në një objekt në kufijtë e  papërdorshmërisë si pasojë tragjike e angazhimeve të munguara, premtimeve të harruara, të vërtetës këmbë-shkurtër dhe gënjeshtrës qeverisëse me fabul të gjatë.

    Koha për një bashkim të madh për të shmangur mandatën e mandatit të tretë dhe për të sjellë lajmin e ndryshimit thelbësor dhe të qënësishëm për një Shqipëri të ditëve më të mira është tani! Shqipëria e së sotmes me zërin e secilit qytetar thërret ndryshimin dhe kërkon një besim të ri që nuk do të përdoret keq, por do të vendosë themelet për një të ardhme ku një shpresë e re është guri i  tillë i një themeli të qëndrueshëm që do të pengonte përsëritjen e makthit keqqeverisës.

    25 Prilli është dita dhe data që fton për mbrojtjen e demokracisë përmes ushtrimit të së drejtës së votës; një votë shprese, votë ndëshkimi, votë reagimi,  votë besimi dhe  votë ndryshimi. Koha për ndryshim dhe të shpëtojmë Shqipërinë nga mandata e mandatit të tretë është tani! 25 Prilli është dita për lajmin e ndryshimit dhe shpresës. Bashkë sepse ka ende shpresë…

  • Red VARAKU – Dezertimi masiv i socialistëve dhe vetmia e madhe e Ramës

    Red VARAKU – Dezertimi masiv i socialistëve dhe vetmia e madhe e Ramës

    Fakti që Rama ka kandiduar sërish të njëjtët njerëz me probleme me lidhje ligjin dhe rekorde kriminale, edhe pse mund të duket pak cinike është një lajm i mirë. Kjo sepse është një provë, që PS është në një krizë të rëndë dhe me këto emra të përzgjedhur, ai po shkon me vetëdije drejt një fundi të kontrolluar dhe të pashmangshëm.

    Ndërkohë , eliminimi politik që ky kryeministër po i bën personaliteteve emblematike të PS, individëve me kontribute politike dhe zëvendësimi i tyre me qenie pa kërbisht dhe kamikazë politik flet ashpër për realitetin që mbizotëron në këtë parti.

    Kriza e rëndë e PS po shpërfaqet dhunshëm kudo, por emblematike mbetet ajo që po shpërfaqet në zemrën e të majtës shqiptare në Vlorë, ku u vërtetua edhe ajo që shpesh përflitej nën zë si lufta e socialistëve me uzurpatorët e saj. Përjashtimi me një sms i Dritan Lelit dhe eliminimi politik i Alket Hysenit, dëshmon që PS kësaj here nuk e ka betejën me opozitën, por e ka betejën vetëm me veten.

    Ndësa , eliminimi politik i socialistëve historikë si Pandeli Majko, Ditmir Bushati, Fatmir Xhafaj apo Gramoz Ruçi tregon hendekun e madh që egziston midis metastazave të rilindjes dhe socialistëve të fundit në këtë parti dhe është prova që rilindja tashmë është një pakicë që komandon me kamzhik në dorë.

    Përplasja që ka nisur brenda PS, tregon, që nga kryengritje e heshtur, ajo ka filluar të artikulohet dhe po kalon në prag-kryengritje. Rikthimi i fëmijëve dhe ish-zyrtarëve të regjimit, prindërit e të cilëve kanë egzekutuar me mijëra shqiptarë të pafajshëm dhe kanë persekutuar me mijëra të tjerë dhe futja në lista e kasnecëve të krimit tregon një degradim dhe devijim të rrezikshëm të qeverisjes .

    Prania e këtyre infividëve në lista dëshmon që Rama sot ka nevojë vetëm për kamikazë besnikë, fanatikë të familjes kriminale që sundoi Shqipërinë gati gjysëm shekulli.

    Rikthimi i PS-së 30 vite pas te të njëjtët njerëz dhe te të njëjtat familje , tek të njëjtat metoda kundër lirisë dhe kundërshtarëve, dëshmon më shumë se çdo gjë qëllimin e vërtetë që fshihet pas këtij veprimi. Kjo është shenja më e madhe se PS ka hyrë në një krizë të rëndë. Martesa me krimin prodhoi një klimë helmuese brenda PS që erdhi duke u shtuar duke e paralizuar qeverisjen dhe vendin.

    Për shkak të kësaj bashkëjetese me krimin, ritmi i qeverisjes pothuajse ka ndalur dhe dezertimet nga partia sapo kanë filluar. Me ç’duket të gjithë janë të sëmurë nga kjo klimë dhe mezi presin rastin të dezertojnë, për të shijuar në qetësi luksin e krijuar nga pasuritë e vjedhura të shqiptarëve.

    Por, e gjitha kjo sigurisht nuk bëhet pa një qëllim. Të gjithë këta që ngrenë krye dhe kërcënojnë me dezertim, jo vetëm nuk e shqetësojnë Edi Ramën, por i bëjnë atij një nder të madh. Ai nuk do t’i ketë më nëpër këmbë pasi të kalojë në opozitë. Koha do të provojë nëse vlejnë më shumë ata që po ikin apo ata që erdhën me katapultim nga lart.

    Atij i duhet qoftë edhe një parti e vogël, por solide me kamikazë besnikë dhe pa kundërshtarë, që ta kontrollojë lehtë. Me ç’duket ai do të vazhdojë të mbetet halli ynë më i madh edhe kur PS të kalojë në opozitë, sigurisht nëse nuk arrestohet menjëherë pasi të largohet.

  • Armand MAHO – Nuk heq dorë nga krimi, as për ditë vere!

    Shija e hidhur që i la kryeministrit thirrja e qytetarëve “Rama ik” në Elbasan, nuk mund të lihej pa u ndëshkuar. “Çunat problematikë” që mbijnë në çdo zgjedhje, sidomos në Elbasan, dolën nga turma dhe me grushta e shkelma iu vërsulën atyre që fundja kanë 1001 arsye të kërkojnë ikjen e Ramës. Revolta e qytetarëve do ishte normale dhe për një kryeministër që ka punuar mirë, prej tetë vjetësh po ka lënë xhepa dhe hapësira personash të pakënaqur, dhe jo më për një kryetar qeverie se ky i yni që bilancin e punës e ka blozë.

    Pamje të tilla mediat ofruan jo pak dhe gjatë fushatës së Trump në Amerikë, apo dhe kryeministrave të tjerë në detyrë që në fund të mandatit kërkojnë votën e qytetarëve. Skena të tilla u panë në Angli gjatë zgjedhjeve atje, në Francë kundër Sarkozi e Hollande e kudo. Protestat në vigjilje fushate fundja janë shprehje e demokracisë, për atë që s’ke bërë apo atë që ke bërë keq. Por askush, nuk mban mbrapa ushtarët e rekrutuar nga krimi i organizuar për t’u mbrojtur.

    Por kryeministri ynë bën përjashtim. Për çdo zë kundër ai ka gati kërbaçin. Këtë kërbaç ai nuk ngurroi ta fusë dhe në parlament. Kur nuk ndërhyn policia atëherë ai përdor këtë lloj kërbaçi që e fut mes turmave. I patë dje? Të maskuar me kapuçë në kokë, ata kishin dalë të prisnin kryeministrin, që më shumë se shef i qeverisë dukej aty si një kapobandë.

    U shkëputën nga turma për t’u lëshuar mbi ata që kishin dalë të shprehnin zemëratën kundër dhënies së vendit me PPP, menaxhimit skandaloz të pandemisë, varfërisë dhe çdo fenomeni kriminal që ka ngërthyer keqas jo vetëm Elbasanin, por gjithë Shqipërinë. E çfarë ka tjetër në dorë, ai burri i moshuar që u dhuna dje veç fjalës?

    Duke qenë në xhepin e Ramës ata e kanë rrugën e shtruar për çdo prapësi në Elbasan. Një sy i vëmendshëm do vinte re se si qyteti heshti kur ata dolën në skenë.

    Pra i njihnin mirë, dhe jo më kot ishin sjellë aty. Zelli i tyre për të ndëshkuar të pabindurit e qytetit, që po thërrisnin kundër Ramës ishte i pazakontë, megjithatë deri diku i justifikuar. Rreziku se Rama mund të humbasë mandatin, për ata do të thotë shumë. Do të thotë që nesër, ata mund të përjetojnë ëndrrën më të keqe në ndonjë qeli burgu. Rama, Balla e të tjerë janë investim i tyre, dhe janë në ato pozicione për t’i mbrojtur. Rrëzimi i kësaj kaste do ishte rrëzimi i mburojës për ta.

    Por a mund ata ta nënshtrojnë këta lloj individësh një qytet përgjithnjë? Vendosmëria e atyre protestuesve dje iu tregoi të kundërtën. Frika tashmë po ia lë vendin ndëshkimit. U tregoi se numërimi mbrapsht ka filluar dhe shefi i tyre shumë shpejt s’do ketë më fuqitë e Zeusit që t’i mbrojë. I dhanë mesazhin se duhet të mendojnë që të ndërrojnë zanat, në rast se nuk duan të përjetojnë atë që deri më tani as nuk kanë mundur ta imagjinojnë. Kërbaçin e drejtësisë.