Blog

  • Enton ABILEKAJ – Një telendar me pushtet për mandatin e tretë

    Enton ABILEKAJ – Një telendar me pushtet për mandatin e tretë

    Pas dy mandatesh Kryeministër dhe 3 mandatesh si kryetar bashkie, pas 2 mandatesh varfërimi dhe 3 mandatesh betonizimi, Edi Rama nuk është kënaqur aq sa t’i dhurojë vendit një fushatë të qetë dhe zgjedhje normale.

    Në spektaklin personal sot, bëri atë që nuk i shkonte askujt ndërmend, i linçoi personalisht, me fotomontazhe dhe fyerje të gjithë eksponentët e opozitës.

    Me foto të montuara për kontrast me kandidatët e tij, të vjedhura nga memet, që deri sot askush nuk mund ta besonte që i bënte vetë, Edi Rama si një telendar profesionist, përdori audiencën për të linçuar shqiptarët që nuk mendojnë si ai.

    Më keq se “daci baot” apo fletërrufetë e komunizmit, më keq se gjyqet popullore, më keq se shpalljet nëpër gazeta. Më keq se operacionet e fshehta të Putinit, më keq se sajesat e Erdoganit, Edi Rama ka vendosur të kërkojë mandatin e tretë, kundër shqiptarëve që nuk e duan, kundër atyre që nuk do ta votojnë, kundër atyre që do votojnë për opozitën.

    Në fotomontazhin e turpshëm të shoqëruar me komentet prej telendari lagjeje, ai u dha mesazhin shqiptarëve se vetëm ata që janë me të mund të quhen të mirë, të tjerët janë të këqinjtë. Më shumë se linçim, ishte një ndërsim i çetës gjithmonë e më të vogël që e mbështet, për të sulmuar personalisht dhe familjarisht, fizikisht dhe moralisht këdo që mendon se Edi Rama nuk duhet ta fitojë mandatin e tretë.

    Ata që bullizojnë më të dobëtit, ata që abuzojnë me fuqinë për të nënshtruar apo linçuar të tjerët, kanë marrë sot shembullin se si ky krim social, mund të realizohet me mjetet moderne, se si pisllëku mund të shtrihet në mënyrë kapilare, duke u shpërndarë nga vetë Kryeministri, se si mbeturinat ushqimore trupore mund të dalin edhe nga goja.

    Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

    Pasi prishi marrëveshjen e 5 qershorit që garantonte vetëm pak më shumë mundësi për zgjedhje më të mira, pasi ndryshoi Kushtetutën në mënyrë të njëanshme duke injoruar dhe thirrjet e BE dhe SHBA, pasi e përshtati Kodin Zgjedhor për listën e tij të vetmuar, pasi hapi pazarin e blerjes së njerëzve nga PD dhe LSI, pasi futi në listë të njëjtët emra personash problematikë që janë evidentuar të lidhur me krimin ordiner apo elektoral, tani ka vendosur të shpërndajë pisllëkun me gojën e tij, të shkatërrojë çdo etikë elektorale, të na çojë në zgjedhjet më të shëmtuara, më të papranueshme në histori.

    As Sali Berisha i 1997 nuk e bëri kështu. Pavarësisht se e përçau vendin pas krizës që shkaktuan firmat piramidale, pranoi një Kryeministër socialist për të organizuar zgjedhjet dhe bëri fushatë të barabartë. As Fatos Nano në 2005, kur kërkonte i vetëm mandatin e tretë, nuk i prishi zgjedhjet.

    As Sali Berisha në 2013 nuk i çoi në këtë derexhe për të fituar mandatin e tretë. Në ikje, ata mundësuan zgjedhjet e tranzicionit, pa shkelur mbi gjithçka, pa e vënë delirin dhe grykësinë mbi fatet e vendit që rrezikohej nga vazhdimësia e tyre.

    Edi Rama po shkatërron gjithçka, çdo garanci, çdo parim, çdo shenjë etike që i ka mbetur politikës së diskretituar të tranzicionit. Ikën apo rri, ka vendosur që vendi në 26 prill të jetë një shkretëtirë morale, se ekonomike dhe sociale, ia arriti ta bënte përpara 25 prillit.

    Spektakli i sotëm është paralajmërimi se frika, babëzia dhe deliri të bashkuara tek njeriu që duhet të garantojë zgjedhjet e lira dhe të qeta, mund ta çojnë vendin në konflikt. Kjo përçarje e qëllimshme, për t’i kthyer zgjedhjet, nga një konkurim për zgjidhjen më të mirë, në një luftë për ekzistencë mes socialistëve dhe demokratëve, mund të sjellë vetëm qeveri të keqe, zgjedhje të kontestuara dhe dhunë. Të inspiruara nga një njeri i pangopur me pushtet, që është duke shkatërruar gjithçka për interesin e tij dhe nuk ka askënd për ta kontrolluar.

  • “Vullneti për ndryshim është thirrja qytetare për drejtësi shoqërore”

    “Vullneti për ndryshim është thirrja qytetare për drejtësi shoqërore”

    Drejtësia shoqërore  nuk mund të përmbushet në një demokraci të cënuar nga segmentet  e shtet-pushtetit që kërkojnë të instalojnë rendin e një stabiliteti të gënjeshtërt; mbrojtja e demokracisë është angazhimi i përbashkët i mbrujtur me besimin për një Shqipëri të jetueshme dhe të rëndësishme sërish; Shqipëria që fiton shtetin e së drejtës si thelbi i drejtësisë shoqërore që ka në shpirtin e së të njëjtës barazinë përpara mundësive dhe lëshimin e shtetit nga kthetrat e pushtetit. Pushteti nuk mund të përdorë drejtësinë si strehën e rradhës së mbrojtjes dhe justifikimit të pasojave të padrejtësisë mbi të përditshmet e qytetarit të zakonshëm të këtij vendi që nuk mund të pranojë zakonshmërinë e së keqes.

    Keqqeverisja thërret në apel ndërgjegjen politike të lëshuar qëllimshëm në mëshirën e munguar të vrangonjve të hordhive uzurpuese që rreken të tjetërsojnë të tillën sjelljen shoqërore përmes pranimit të autokracisë  si  një normalitet shoqëror;  Keqqeverisja thërret -me zë të lartë që kumbon prej të tillës humbëtirë ku ka vërtitur vetveten- moralin e munguar dhe të premtuar; thërret moralin duke folur  për drejtësinë e harruar  në kulisat e lojës së pushtetit që ka luajtur dramatikisht me të ardhmen e Shqipërisë duke e shndërruar jetën e të tillit qytetar në një subjekt të ankandit politik duke i deformuar vullnetin e shprehur përmes votës së lirë; vullnet i deformuar për të shkurajuar përpjekjen dhe vullnetin qytetar  për ndëshkim politik qytetar dhe për  ndryshim , gjithashtu.

    Jetojmë në humbëtirën qeverisëse të padrejtësisë që ka shkretuar një vend duke mbartur mbi kurrizin e kërrusur nga mëkatet e vazhdueshme një enumeracion humbjesh që e kanë kthyer Shqipërinë në oazin e mundësive të vjedhura, shpresës së rrëmbyer dhe drejtësisë së munguar. Padrejtësia e rrënjosur në secilën sjellje politike dhe në të tillët akte që ekzekutohen në vullnet të plotë të  qeverisësve  që kanë humbur njerëzoren në skutat e errëta të pangopësisë  dhe pandjeshmërisë që ka errësuar shikimin qeverisës; ka humbur arsyen për shkak të braktisjes makabër të misionit të mirë-qeverisjes për të tillin qytetar që është harruar të konsiderohet qënie njerëzore; ka humbur vullnetin për të dëgjuar dhe korrigjuar shumëçka të rrokullisur në dreqnim për shkak të dreqit që ka ngritur krye në trupin qeverisës duke vjedhur ndërgjegjen njerëzore të pushtet-ushtruesve; ndërgjegje e rrëmbyer për të dërguar Shqipërinë në kthetrat e djallëzisë që sundon  të tillën  në një rend  padrejtësie  që shkel të drejtën përmes fuqisë së arbitraritetit që shndërrohet në ligj.

    Secila humbje shënohet e tillë për Shqipërinë që nuk tjetërsohet  dot nga ansambli ndërgjegjie- humbur që nuk mund të pengojë vullnetin për ndryshim; ndryshim për një Shqipëri të ditëve më të mira dhe  qeverisjeje  me fytyrë njerëzore, një Shqipëri e shpresës dhe një besimi të ri, një Shqipëri ku ligji buron nga e drejta, një Shqipëri normale me një Kryeministër dhe qeveri normale, gjithashtu. Koha që Shqipëria të fitojë përmes një ndryshimi të rëndësishëm është tani! Koha për një bashkim të madh dhe një angazhim të përbashkët për ndryshim përtej ndasive të vogla është tani! Ndëshkimi ndaj keqqeverisjes dhe vullneti qytetar  për ndryshim janë shprehja më e lartë e drejtësisë shoqërore. Koha për një shpresë të re për të mbrojtur demokracinë dhe ndalur instalimin e autokracisë është tani! Bashkë sepse ka ende shpresë….

  • Red VARAKU – Lista e Ramës, listë detyrimesh ndaj bandave

    Rama ka nisur spektaklin e prezantimit të kandidatëve për deputetë. Ajo që bie menjëherë në sy është fakti, që edhe këtë akt thellësisht politik, ai konsideron thjesht dhe vetëm një operacion piari pa substancë, një përpjekje për të mbuluar problemet e brendshme të kësaj partie, të cilat po dalin në sipërfaqe pikërisht tani.

    Mjaftojnë emrat e blerjeve dhe largimeve të deritanishme për të kuptuar se Edi Rama është i pafuqishëm të ndryshojë substancën dhe po futet në këto zgjedhje me këmbë të lidhura.

    Është e tmerrshme që një parti e madhe me histori dhe plot personalitete, të katandiset të ofrojë një listë, e cila tregon se sa peng i të shkuarës dhe llogarive të vogla është ai sot.

    Me gjithë këtë rrumpallë ajo që bie në sy është heshtja dhe mungesa e një reagimi në PS. Kjo heshtje reflekton më së miri një shumicë të heshtur, e cila ndryshe nga opozita, ku shikojmë shpesh reagime, aty po hesht dhe pritet të hakmerret pa zhurmë dhe kjo mbase nuk duket, por ndjehet kudo.

    Të gjithë kandidatët që pritet të vendosen në listë as në ëndërr nuk e kishin menduar që do të ishin kurrë në ndonjë listë partie, e jo më në PS, sikur Rama të mos kishte detyrime ndaj klaneve që ata përfaqësojnë.

    Në të 12 qarqet e Shqipërisë e gjitha është kthyer një përleshje klanesh, që nuk respekton asnjë strukturë partie, një amalgamë të fortësh dhe idiotësh, një rezistencë e klaneve të korruptuara dhe bandave kriminale që kërkojnë garanci dhe që shpresat i kanë tek blerja e votave.

    I dyzuar mes faktit nëse duhet të bënte një listë politike fitimtarësh apo një listë detyrimesh ndaj bandave, Rama ka vendosur pa mëdyshje të plotësojë listën e detyrimeve ndaj grupeve kriminale që po e mbajnë në pushtet dhe me të cilët ka marrë dhe mbajtur pushtetin, pavarësisht blerjeve mediatike si Bozo apo Çomo.

    Është kjo arsyeja që të gjitha llogaritë elektorale apo sondazhet për mandatet e mundshme nuk kanë asnjë vlerë.

    Shumica e heshtur brenda PS-së, ajo që nuk ndjen veten të përfaqësuar në asnjë kriter mbi të cilin janë ndërtuar listat në këtë parti, është dhe shumica politike e asaj partie.

    Sipas informacioneve dhe emrave të larguar deri tani, jashtë listave po lihen kontributorët moralë të kësaj partie. Lista e deritanishme dëshmon problemin më të madh të PS, faktin që ajo ka mbetur peng i krimit dhe grupeve kriminale pa të cilat nuk bën dot asgjë.

    Edhe pse e di mirë që humbjen e ka të sigurtë pikërisht për shkak të bashkëpunimit me këta individë , ai nuk ka rrugë tjetër, sepse nëse i largon sot, PS rrezikon të dalë forcē e tretë.

    Për këtë arsye lista e Ramës duket se nuk do të jetë as listë fitoreje dhe as listë humbjeje, por listë borxhesh dhe detyrimesh. Me këtë qëndrim që nuk reflekton nevojën për të ndryshuar, rezultati i PS jo vetëm që nuk do jetë pozitiv, por kjo qasje pritet që t’i shkaktojë PS -së një humbje historike .

  • Edi PALOKA – Grupi parlamentar i Ramës, si mburojë imunitare për të inkriminuarit e vjetër dhe tëe rinj të “rilindjes”!

    Edi PALOKA – Grupi parlamentar i Ramës, si mburojë imunitare për të inkriminuarit e vjetër dhe tëe rinj të “rilindjes”!

    Rikthimi i figurave më të diskretituara të “rilindjes” si drejtues politik në 12 qarqet e vendit u ndoq me habi nga një pjesë e publikut. Gjithë ish-ministrat më të korruptuar e inkriminuar, të diskretituar deri në atë pikë sa vetë Rama ishte detyruar ti largonte dikur nën presionin e publikut apo dhe nën presion ndërkombetar si Beqaj, Ahmetaj , Gjiknuri tani i ka rikthyer përsëri në krye. Nuk mbeten pas në “vlera” as ministret dhe ish-ministret si Spiropali, Manastirlliu, Balluku, Nikolla e Gjonaj, të gjitha të zhytura në korrupsion e skandale e që do zënë ballin e listave të “rilindjes”.

    Kanë mbetur pa përfshirë vetëm Tahiri dhe Xhafa!

    Edhe emrat që përfliten për deputetë në ato që quhen vende të sigurta nëpër lista, pritet të zihen nga deputetë të inkriminuar dhe të korruptuar emri i të cilëve rezulton nëpër dosje kriminale e korrupsioni, të vjetra apo të reja.

    Ndërkaq bie në sy që edhe “prurjet e reja” të propaganduara me bujë nga Rama, i përkasin të njejtit lloj “rilindasish”, mjafton të shohësh atë me “të renë” e më të bujshmen, shefen e komitetit, që duhej të ishte i eksperteve, po ishte i partisë. Çomo duhet të përballet me drejtësinë për fshehjen me urdhër partie të mbi 7 mijë të vdekurve nga Covid-19 dhe për përdorimin e Komitetit të ekspertëve jo në shërbim të shëndetit të qytetarëve, por në shërbim të politikës së Ramës.

    Duke pare listat e Rames , kupton se ai, i vetedijshem per humbjen, po kerkon t’ju bej nga nje favor te fundit te perzgjedhurve te tij duke ju garantuar imunitet parlamentar perballe drejtesise qe si gjithe institucionet e tjera, pas 25 prillit, do i shpetoje kthetrave te Rames.

  • Ergys MËRTIRI – Pse Najada?

    Ergys MËRTIRI – Pse Najada?

    Najada Çomo nuk ka spikatur për ndonjë arritje profesionale. Askush nuk e përmend për ndonjë vlerë të veçantë si mjeke, apo për ndonjë mbresë te pacientët në raste kritike. Por kjo nuk do të thotë se ajo nuk është e aftë si shefe, e aftë jo për të përmbushur detyrën duke ofruar një produkt në dobi të qytetarëve, por për të plotësuar nevojën e dëshpëruar të qeverisë për të fshehur problemet e për të  fabrikuar një panoramë pas së cilës të fshihet. Znj. Çomo ka punuar fort në këtë drejtim. Ajo është investuar fuqishëm në fabulën që qeveria ka krijuar për pandeminë, duke u vetëprojektuar në një rol protagonisti në serialin kinematografik të ERTV-së mbi këtë çështje.

    Sigurisht, ka plot mjekë që kanë sakrifikuar vërtet shumë në këtë histori. Por jo të gjithë kanë mundësinë dhe aftësinë që ta konvertojnë punën e tyre në imazh publik. Drejtoresha, jo vetëm që ka ditur ta bëjë këtë mjaft mirë, por madje ka arritur të kapitalizojë edhe sakrificat e të tjerëve, e impostuar mediatikisht si komandante e “vijës së parëë” të frontit kundër “armikut të padukshëm”, pa harruar këtu modestinë për ta bashkëndarë kapitalin e saj personal me qeverinë, së cilës i duhet kaluar patjetër pjesa më e madhe e meritave.

    Znj. Çomo ka ditur gjithashtu të shtrëngojë me dorë të hekurt gjuhët e vartësve të saj “heronj”, për të mos nxjerrë në publik asgjë që dëmton qeverinë, në një kohë kur mosbesimi te sistemi shëndetësor është në nivele dramatike: asnjë ankesë, asnjë problem, asnjë informacion. Për muaj me radhë terri informativ dhe mungesa e plotë e transparencës u zëvendësuan me videoklipe raportimesh e kronikash që transmetonin plot patos e solemnitet “soap opera”-n e qeverisë, ku heronjtë bluzëbardhë përleshen si titanë me vdekjen, me kurajë, durim, përkushtim, në një shërbim spitalor të avancuar e modernizuar ku, nga pamjet, ke qejf të kurohesh.

    Jo vetëm kaq, por zonja në fjalë ka punuar mirë për t’i vënë “heronjtë” në rresht para Kryeministrit sa herë që ai dukej në spital për videoklipet e veta. Gjithashtu, ajo është treguar e përkushtuar edhe në cilësinë e anëtares së Komitetit të Ekspertëve, duke miratuar pa hezitim çdo vendim të qeverisë e duke mbrojtur më pas në publik gjithçka, sado e pambrojtshme qoftë.

    Madje ajo është vetofruar edhe në frontin e vërtetë, atë kundër “armikut të dukshëm”, duke sulmuar opozitën, për gjëra që nuk kanë të bëjnë fare me detyrën e saj. Ajo nuk ngurroi të vendosë fytyrën e saj as kur u denoncua fshehja e numrit të vdekjeve, duke e shfaqur problemin sikur gjithçka ishte në përgjegjësi të spitalit. Duke shërbyer si truprojë, ajo është hedhur mbi qeverinë për të marrë mbi trupin e saj shigjetat e akuzave që kanë shenjestruar Kryeministrin. Natyrisht që do shpërblehet për të gjitha këto.

    Por përtej të gjithave, Najada Çomo ka profilin tipik që i intereson Ramës për vetë mënyrën se si ai qeveris, të cilin e gjejmë te pjesa më e madhe e ministrave të tij. Prej kohësh ai tashmë qeveris me njerëz jopolitikë e joprofesionistë, të cilët kanë disa veti të thjeshta, por të arta, për atë çfarë atij i nevojitet: janë të bindur, të nënshtruar, të përkushtuar, të gatshëm për të zbatuar çdo urdhër sado të papranueshëm, si dhe të përshtatshëm për të ofruar një imazh në vitrinën e kukullave me kurdisje të qeverisjes. Pra Rama kërkon të rrethohet nga burokratë, pa profil politik dhe pa skrupuj profesionalë, nëpërmjet të cilëve ai përmbush të gjitha tekat dhe nevojat e tij publike.

    Nga ana tjetër, politikën e vërtetë, atë të magazinimit të parave dhe votave, ai e bën me ortakët realë nga bota e oligarkisë, me të cilët ndan tortën e pushtetit, si dhe me të fortë lokalë nga bota e krimit, nëpërmjet të cilëve organizon armatën e çunave problematikë për maksimalizimin e votës. Një pjesë të këtyre të fundit Rama nuk ka ngurruar t‘i përfshijë në Parlament në këto 8 vjet dhe shihet që po i shton në këto zgjedhje. Pra, dy modelet e kandidatëve tipikë me të cilët ai po shkon në zgjedhje ndahen midis këtyre dy kategorive: kukullave burokratike dhe gangsterëve politikë. Najada i duhet për të plotësuar kolorin e kategorisë së parë.

  • Erion DASHO – Borati dhe diplomacia e vaksinës

    Erion DASHO – Borati dhe diplomacia e vaksinës

    Dje një deklaratë e Sekretarit Amerikan të Shtetit lidhur me gjeopolitikën ndërkombëtare dhe konkretisht me marrëdhëniet SHBA-Kinë, çuditërisht u komentua edhe nga enturazhi i Boratit, por kësaj herë në konteksin e vaksinës anti-COVID.

    Borati (i cili kush-e-di se ç’plane diletanteske ka thurrur nën rrogoz për të blerë vaksina nga burime jashtë atyre perëndimore) heshti si fëmijë trazovaç i zënë në faj, ndërkohë që mbështetësit e tij u përpoqën ta adresonin debatin nëpërmjet argumenteve patetikë në shtypin pro-qeveritar.

    Si qëndron e vërteta?

    Prej kohësh ka qenë e qartë se vaksina e Gamaleas dhe ajo e Sinofarmit janë afta të prodhojnë një mbrojtje efikase ndaj virusit. Vetëm se të dy këto vende nuk pranuan t’i zhvillojnë vaksinat përkatëse në përputhje me standartet e pranuara ndërkombëtare të cilësisë dhe sigurisë.

    Për pasojë, në vend që këto dy vaksina potencialisht jetëshpëtuese për miliona njerëz të shndërroheshin në “armë” kundër virusit, u shndërruan në “armë” diplomatike. Nëpërmjet kontratave për furnizimin e vaksinës, autoritetet e dy fuqive po testojnë vendet që guxojnë të sfidojnë autoritetin e BE-së dhe SHBA-ve duke trazuar me sa munden gjeopolitikën e nakatosur gjatë pandemisë.

    Ku qëndron Shqipëria në këtë skakierë?

    Shqipëria sigurisht ka qenë dhe mbetet faktor i papërfillshëm gjeopolitik. Vetëm Enveri në përçartjet e tij gjysmë shekullore, mendonte se ne ishim shëmb graniti, ndërkohë që bota tallej me ne dhe na shikonte si një eksperiment qesharak aziatik në mes të Europës.

    Këtë qëndrim të Enverit na e rikujtoi Borati në verë kur ju përgjigj çaprazçe ofertës diplomatike të Ambasadës Ruse. Borati, i cili ka tetë vjet që qeveris me Facebook, kujton se edhe arti i diplomacisë mund të zhvendoset në këtë medium social.

    Çfarë duhet bërë?

    Diplomacia nuk ka vlerë kur zhvillohet në hava dhe diplomacia e vaksinës së Boratit është duke u zhvilluar e pambështetur askund.

    Borati qeveris popullin më të dëmtuar nga pandemia, me numrin më të lartë të vdekjeve në botë dhe me sistemin shëndetësor në kolaps total. Nëse ai dëshiron të bëhet pjesë e diplomacisë së vaksinave, këtë duhet ta bëjë duke treguar besnikëri ndaj miqve euroatlantikë, por jo në kurriz të shqiptarëve.

    Për shembull, kompania Moderna i ka përfunduar tashmë detyrimet kontraktuale në tregun amerikan dhe është duke përgatitur ekspansionin ndërkombëtar. Janë qindra milion doza të gatshme të kësaj vaksine super të efektshme.

    Ku qëndron Borati në raport me këtë zhvillim? A i ka nisur Shqipëria negociatat me këtë kompani “politikisht korrekte” me qëllim që të kontraktojë vaksinën e saj të miratuar prej muajsh nga FDA dhe EMA, apo do t’u bashkohet grupit të rebelëve me argumentin tashmë bajat se Europa e la në baltë në përballjen me epideminë?

    Borati është përfshirë në diplomacinë e vaksinës me të njëjtën delikatesë që tregon elefanti proverbial në dyqanin e qelqurinave. I ç’ekuilibruar si në politikën e jashtme, ashtu edhe në qeverisjen e brendshme, Borati duket qartazi se këto ditë marsi ka vetëm një qëllim: kapjen me çdo kusht pas pushtetit dhe sakrifikimin e gjithçkaje në funksion të kësaj ambicieje.

    Llogaritë për këtë qëndrim deri tani janë paguar në kurriz të jetës, shëndetit dhe ekonomisë së shqiptarëve. Të urojmë që miqtë dhe aleatët tanë tradicionalë të mos preken nga përçartja pranverore e Boratit…

  • Enver BYTYÇI – Ky do ta bëjë drejtësinë?!!!

    Enver BYTYÇI – Ky do ta bëjë drejtësinë?!!!

    Çfarë tha?! “Ma jepni mandatin e tretë që ta përfundoj reformën në drejtësi”! Ky që për tetë vite bëri vetëm padrejtësi dhe në asnjë rast nuk bëri drejtësi, ky pra, ky kërkon tani një mandat tjetër “për të bërë drejtësi”! O tempora o mores! Ky nuk ka as cipë, as nder, as moral! Ky bën sikur është “i virgjër”, kur në tetë vite është zënë me qindra herë në flirte pa fund të korrupsionit dhe padrejtësisë!

    Ky do të bëjë drejtësi?!!! Vërtet e beson dikush?!!! Vërtet ka nga ata që mendojnë se ky ka sensin dhe sentimentin njerëzor të drejtësisë?!!!  Nëse beson këtë, atëherë duhet të besosh se “toka është e sheshtë” tamam si tepsia e këtij. Se dielli rrotullohet rreth tokës dhe jo e kundërta! Se galaktika rri në ekuilibër për shkak të këtij që betohet se “do të bëjë drejtësi”, mbasi e shkatërroi shtetin e së drejtës! Aman, nëse beson këtë, atëherë besoje edhe se dita është natë dhe nata është ditë. Por edhe në I besofsh të gjitha këto që thashë më lart, mos e beso kurrë se ky bën drejtësi! Ky është sinonimi  i mashtrimit dhe kulmi i paturpësisë!

    Kush do ta bëjë drejtësinë? Ky që bashkëpunon me kriminelët për të shkatërruar shtetin ligjor?! Ky që merr në mbrojtje bosin e sipërmarrjes më të madhe të trafikut drogës, Sajmir Tahirin, dhe dënon me burg një konsumator ordiner të saj! Ky që dënon mijëra njerëz pse nuk kanë mundësi të paguajnë energjinë elektrike dhe paratë e tyre i merr e ia jep një oligarku të vetëm, për t’i ndarë me të?!

    Ky do të bëjë drejtësi?! Ky që “ua sharron këmbët gjyqtarëve dhe prokurorëve”, nëse ata dënojnë ndonjë anëtar të familjes së rilindjes që merret me kriminalitet?! Ky që e la vendin pa gjykatë kushtetuese dhe gjykatë të lartë, me qëllim shkeljen e kushtetutës?!

    A mund të bëjë drejtësi një si ky që përmes një projekti politik mbjell kanabis në të gjithë Shqipërinë, vetëm e vetëm që të krijojë rezerva të bollshme monetare për blerjen e zgjedhësve e të votave? Para një jave isha në një nga zyrat e postës në kryeqytet. Erdhi një person krah meje dhe i kërkoi punonjëses 50 kupona për 50 karta identiteti. Ku i çon? – I tha punonjësja. Nëse ti dëshiron një kupon për vete na merre. Ndoshta dhe dy e tre për pjestarë të tjerë të familjes. Por jo 50. Iku. U largua pa folur asnjë fjalë. Ndoshta ka gjet ndonjë shitës tjetër kuponash.

    Por ama askush nuk mund ta besojë se ato 50 kupona nuk ishin sponsorizuar nga një parti politike e interesuar për manipulimin e zgjedhjeve. Askush nuk mund ta besojë se kjo parti nuk është rilindja vetë, e cila është kapur tashmë në padrejtësinë e grabitjes së votave me të gjitha format! Dhe ti pret drejtësi nga ky, lideri i rilindjes?! Mos e thëntë Zoti t’ia japësh votën këtij përbindëshi, që me fjalë hiqet si Krishti e Muhameti dhe me vepra është si vetë djalli!

    Kush do të bëjë drejtësi? Ky që në vend të dënonte autorët e veprës penale në dosjet e denoncuara nga BILD, kapi dhe burgosi disa komisionerë të opozitës?! Sikur ishin ata që bridhnin me thesin e parave për blerje votash e nuk ishte ky bashkë me deputetë të tij, me kryetarë bashkish të rilindjes dhe me grupet kriminale të instaluara si mjete të marrjes së pushtetit me dhunë e me forcë!  Do bëjë drejtësi ky që bashkëpunëtorët e tij në krim i nxjerr nga dritarja dhe i fut brenda nga dera e rilindjes?!!! Vangjushi hyn dhe del çdo ditë në zyrën e kreut të bashkisë në Durrës! Ndërsa ky thotë se e ka larguar! Ai është anëtar i kryesisë së PS-së, ndërkaq ky thotë se “nuk ka lidhje me të”! Të tjerë Vangjushë, ndonëse rrinë në hije, bëjnë ligjin në pushtetin e rilindjes. Ky do t’i zevendësojë disa kriminelë me bijtë e tyre, thjesht se këta, bijtë, nuk kanë tre-katër e pesë emra. Por asgjë nuk do të ndryshojë në lidhjet e krimit me rilindjen. Dhe mund të besosh ti pastaj se ky “bën drejtësi”?!!! Drejtësi me kriminelë?!! Ka ndodh kjo ndonjëherë në historinë e njerëzimit?

    Ky nuk mund të bëjë drejtësi. Sepse ky nuk mund t’i shkëpusë lidhjet me trafikantët, me kriminelët dhe oligarkët. Sepse ky është i kapur. Sepse këtij nuk i vjen keq për të vobegtin, por i shërben të fortit. Sepse ky i shkel me këmbë ata që mundet t’i vejë poshtë vetes. Por u ikën atyre që ia kthejnë reston. Sepse ky nuk ka parime, nuk ka moral, nuk ka as ndjenja njerëzore! Për pasojë këtij as i shkon mendja të bëjë drejtësi.

    Thjesht thotë “Ta hajë kush ta hajë”! Të mashtrohet kush të mashtrohet! E nëse ti mashtrohesh për të disatën herë nga ky që drejtësinë e ha çdo ditë përshesh me kaçamak, atëherë nuk është faji i këtij! Eshtë faji yt se të pëlqen të jetosh me gënjeshtra, mashtrime dhe ëndërra të bukura si përrallat me llampën e Alajdinit! Pra, ky është në kuadratin e vet të mashtrimit e të mashtruesve. Të takon ty të mos mashtrohesh, të mos besosh përrallën “Ujku dhe qengji” dhe të vetëdijësohesh se vota është e shenjtë, nuk është lodër në dorën e këtij!

  • Erion DASHO – Borati përzgjedh deputetët!

    Erion DASHO – Borati përzgjedh deputetët!

    Një nga ngjarjet qenë emërimi i zj. Çomo si deputete në parlamentin e ardhshëm. Nga entuziazmi me të cilin Borati e anonçoi këtë emërim dukej sikur me këtë katapultim të Çomos do të marrin fund jo vetëm hallet e COVID-it, por edhe ato të shëndetësisë shqiptare.

    Por çfarë sjell Çomo në parlamentin e pas 25 prillit?

    Përgjigja është e shkurtër dhe e thjeshtë: Asgjë!

    Në profesionin e saj, Çomo do të mbahet mend si shefja e pavionit ku shqiptarët më shumë se për t’u shëruar, shkojnë për të humbur jetën. Dje kisha një status ku argumentoja se në pavionin e reanimacionit të Çomos vdekshmëria prej COVID-it luhatet midis 34% dhe 100%, një katastrofë që nuk e sheh as edhe në vendet afrikane.

    Në krye të spitalit më të rëndësishëm terciar, nga Çomo minimalisht do të pritej:

    1. Lidership në politikë-bërje, ku në pozicionin e antares së komitetit të të ashtuquajturve “ekspertë” duhej të ishte një “Fauçi” shqiptar. Faktikisht, sikundër gjithë kolegët e vet në komitet, u bë një miratuese në heshtje e tekave dhe urdhërave të Boratit për të ngjizur një nga përgjigjet më të dështuara ndaj COVID-it në shkallë botërore.

    2. Lideship organizativ, ku të krijonte modelin e kujdesit për pacientët e prekur me COVID. Në këtë model duhej të përfshihej mjeku i familjes, spitali lokal e rajonal dhe vetëm më pas do t’i vinte radha spitalit të saj COVID. Faktikisht, Zj. Çomo pranoi të qëndronte në krye të një strukture të përçudnuar ku pacienti merrej nga shtëpia për t’u dërguar direkt në spitalin e saj duke shkaktuar jo pak vdekje të parandalueshme si pasojë e kongjestionit.

    3. Lidership klinik, ku të udhëhiqte hartimin e protokolleve të trajtimit për çdo nivel të kujdesit shëndetësor. Faktikisht, edhe para pak ditësh më ka rënë në dorë një recetë e firmosur nga vetë Zj. Çomo ku pacientit i jepet një mjekim qartazi i gabuar. Çdo koment do të ishte i tepërt! Klinicistja që duhej të tërqihte pas vetes gjithë sistemin, ende nuk ka mësuar të trajtojë pacientët që i kërkojnë ndihmë direkt asaj vetë!

    4. Lidership edukativ, ku si qendër universitare duhej të krijonte një kaskadë trajnuese që të niste nga mjekët e spitaleve rajonale, por të vazhduar në formë kapilare deri në kujdesin shëndetësor parësor (pra mjekët e familjes). Kjo nuk ndodhi dhe sot spitalet rajonalë janë futur në lojë në mënyrë kaotike duke ofruar një nivel kujdesi që sigurisht lë për të dëshiruar.

    Duke emëruar Çomon si deputete dhe kandidate të ardhme për ministre të shëndetësisë, Borati në fakt është në përputhje të plotë me modelin e vet të udhëheqësisë: ministër i Boratit duhet të jetë një person i paaftë, mundësisht i dështuar në profesion, por kokëulur dhe i bindur deri në vdekje; një person që pranon të mendojë me mendjen e Boratit dhe të veprojë si një buratin i telekomanduar.

    A kishte Borati alternativa ndaj Çomos?

    Mjafton të shohim jo shumë larg Çomos, madje në krah të saj. Përgjatë gjithë epidemisë, ka spikatur një figurë e cila nga pothuajse e panjohur, u shndërrua në një prej personazheve më të dashur për qytetarët dhe ky ishte Prof. Tritan Kalo. Them i panjohur duke patur parasysh publikun e gjerë, pasi për kolegët e vet, Prof. Kalo ka qenë gjithmonë i kuotuar si ndër figurat më të vlerësuara të mjeksisë shqiptare.

    Një laureat me diplomë ari i fakultetit të mjeksisë dhe mbajtës i të paktën dy diplomave të huaja, Kalo vlerësohet si një njohës jashtëzakonisht i aftë jo vetëm i “zanatit” të vet bazë, mjeksisë klinike, por edhe i politikave shëndetësore. Mbi të gjitha, gjatë gjithë pandemisë, Kalo ka treguar personalitet, dinjitet dhe vlera të pamohueshme intelektuale dhe njerëzore. Nuk është rastësi emërimi i Prof. Kalos si personazh i vitit në shumë anketa dhe qytetar nderi nga disa bashki të vendit.

    I ndodhur midis Kalos dhe Çomos, Borati përzgjodhi pa asnjë mëdyshje Çomon, përzgjodhi mediokritetin para mençurisë, nënshtrimin para dinjitetit, konformizmin para rebelizmit. Duke përzgjedhur Zj. Çomo, Borati u tregoi paradhënie shqiptarët se cili do të kishte qenë modeli i një mandati të tretë qeverisës që fatmirësisht për shqiptarët nuk ka për të ardhur kurrë.

    Borat!

    Duke futur në parlament Zj. Çomo më tepër se shqiptarëve dhe vetes tënde, i ke bërë një nder jo të vogël vetë Çomos. Duke i dhënë asaj imunitetin parlamentar, ndoshta do të arrish të shmangësh hetimin e përgjegjësisë së Çomos për mjekimet e gabuara, vetëvrasjet me hedhje nga ballkonet e pavionit infektiv, fshehjen e numrit të vdekjeve, si edhe rolin e saj përcaktues në dështimin e përgjigjes shqiptare ndaj COVID-it.

    Për të mos përmendur disa akuza monstruoze të cilat janë përmendur vazhdimisht nën zë, por që deri më sot kanë mbetur të paprovuara.

    Borat!

    Emërimi i Çomos në parlamentin e ardhshëm, më tepër se shpresë për shqiptarët dhe shëndetësinë është një larje borxhi midis bashkëfajtorëve!

    Turp si për ty që e propozove dhe po aq turp për atë që e pranoi!

  • Red VARAKU – Përse Edi Rama ka ulur pantallonat përpara grupeve kriminale?

    Red VARAKU – Përse Edi Rama ka ulur pantallonat përpara grupeve kriminale?

    Ajo që të bie menjëherë në sy në fushatën e PS është asgjësimi i procesit politik i kësaj partie përmes riaktivizimit të bandave kriminale, të cilët po e kthejnë edhe këtë fushatë në fushatë dhune dhe presioni mbi qytetarët dhe jo në një fushatë ofertash dhe programesh politike.

    Ato po operojnë tipikisht si grupe të strukturuara kriminale, preokupimi i vetëm te cilave është marrja e pushtetit, pavaresisht mjeteve dhe mekanizmave që duhen përdorur.

    Për pasojë kudo ka nisur një represion mbi administratën ku punonjësit kërcënohen me vendin e punës nëse nuk mbledhin 20 karta identiteti, ndërsa ne zonat e goditura nga tërmeti ka nisur një falsifikim i formularëve të verifikimit dhe të rivleresimit lidhur me dëmet e shkaktuara nga tërmeti, duke e përdorur këtë fatkeqësi per gjueti shtrigash dhe presion mbi kundershtaret politike.

    Gjithashtu, permes akteve te paligjshme po zhvendosen qytetarë nga qendrat e tyre të votimit dhe po punësohen në administratë individë që janë persona me rekorde kriminale, apo familjarë të tyre me qëllimin e vetëm përdorimin e influencës së tyre në zgjedhjet e 25 Prillit.

    Ndërkohë plaçkitja që këto grupe po i bëjnë pasurisë publike vazhdon dhe pafuqia e Ramës për t’i ndalur shikohet si mbështetje për ta, ndaj kanë ngritur kokën dhe janë trimëruar . Në fakt trimërimi i tyre më shumë se ‘trimërinë’ e tyre po dëshmon degradimin e PS dhe kryetarit të PS.

    Po çfarë po e detyron Ramën të rikthehet në shtrat me krimin kur e ka të qartë që kjo ia shton edhe më shumë refuzimin dhe neverinë qytetarëve për këtë qeveri? Si është e mundur që krimi i ka ulur pantallonat Edi Ramës?

    Arsyeja e vetme është fakti se kjo është e vetmja alternativë që i ka mbetur për të fituar pas izolimit nderkombëtar ,i cili ka bllokuar procesin e integrimit si presion mbi këtë kryeministër, pas superkoalicionit opozitar që garanton rrotacionin dhe pas braktisjes masive të qytetarëve shqiptarë .

    Frika nga ndëshkimi dhe makthi nga humbja e pushtetit e ka alarmuar seriozisht këtë njeri dhe po e shtyn drejt akteve të dëshpëruara, pikërisht, sepse e ka të qartë që aleanca me krimin është shansi i tij i fundit.

    Pra, është pikërisht nevoja për të qëndruar në pushtet me çdo kusht dhe me çdo çmim, që e ka detyruar Edi Ramën të vetëposhtërohet si një kurtizane plakë para krimit me frikën se edhe këta nuk do ta braktisin ashtu siç po e braktisin të gjithë.

  • Ardit GJINALI – Një Fillim i Ri për qytetarin në një Shqipëri që fiton

    Ardit GJINALI – Një Fillim i Ri për qytetarin në një Shqipëri që fiton

    Regjimet politike tremben nga qytetari dhe të tillat rreken ta shndërrojnë të njëjtin në tillin banor të fjetinave urbane ku errësira e periudhës së gjumit  njehsohet me errësirën shoqërore të imponuar nga thundrra e autokracisë; e tilla thundër që nuk kërkon të sundojë vetëm politikisht, por gjithashtu provon të sundojë shpirtin e qytetarit për të sunduar shoqërinë, gjithashtu. Djallëzia politike tenton të shkurajojë qytetarin përmes kufizimit të hapësirës demokratike që identifikon një shoqëri normale; zëri i qytetarit nuk dëgjohet dhe vullneti i tij tjetërsohet përmes zgjedhjeve politike të cënuara në frymë dhe thelb; i tilli qytetar vëren rrëshqitjen dramatike drejt absolutizmit duke ndjerë kufizimin e vazhdueshëm të lirisë shoqërore; i njëjti vështron trishtueshëm humbjen e qytetit, lagjes, largimin e të afërmit dhe mikut duke ndjerë në secilën ditë zymtësinë e braktisjes , e tilla  që sjell në vëmendje  shumëçka të ndryshuar për të tillët që ende nuk e kanë kuptuar.

     Aktualiteti i përjetuar në secilën ditë të këtyre viteve,  ku arkaizmi dhe banaliteti realizojnë  dramën negative të pazakontë  që nuk mund të largojë vëmendjen e qytetarit të shqetësuar dhe të angazhuar. Qytetari kërkon dhe thërret për një fillim të ri, mundësi të re dhe besim të ri duke mos harruar trashëgiminë pozitive së të  shkuarës dhe duke ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme përmes ndryshimit të një tashmeje dramatike ku ka humbur qyteti, ka humbur qytetari dhe ka humbur Shqipëria.  Shqipëria ka humbur shtetin dhe qeverisjen…..shumëçka e uzurpuar dhe rrëmbyer në mendësinë e zbrazjes së shpejtë së tepsisë duke rrëmbyer dhe të tillën me qëllimin e humbjes së secilës gjurmë që dëshmon grykësinë rrënqethëse të enturazhit pushtet-mbajtës që ushtron me zell të tepruar  dhe me mendim të munguar të tillën pangopësi që përthithet  në humbëtirën e asgjësë së ofruar për  qytetarin dhe vendin, gjithashtu.

    Shqipëria e së sotmes ngec nën zgjedhën e grykësisë mëkatare që karakterizon segmentet e ferman-lëshuesve të pushtetit që e kanë shndërruar shtetin në një plaçkë shumë-përdorimshme që endet në të tillat duar jo të pastra që lëvizin mekanikisht për të shpërfaqur iluzionin e imazhit të ndryshuar, i tilli imazh i gënjeshtërt që rreket të mbulojë  pisllëkun  ndotës që kutërbon klientelizëm, nepotizëm, paaftësi të qëllimtë , arbitraritet, pandjeshmëri njerëzore pushtet-ushtruese  e reflektuar në të tillin dëgjim të munguar , shikim të mveshur nga imazhi i luksit që fluturon nga  nën-ndërgjegjet e ndërgjegjeve jo njerëzore dhe i tilli shikim hidhet me përçmim mbi të tillin qytetar që konsiderohet si bezdia e veshëve  të dyllosur nga rradhitja e sukseseve qeverisëse plot eksese mbi numërorët frymorë dhe mbi truallin kombëtar ; -të tillin truall ku po ushtrohet me legjitimitet të diskutueshëm juridik dhe tërësisht të munguar politik  e tilla keqqeverisje me fabul të humbur, por me vullnetin negativ të vazhdimësisë të së keqes.  

    E keqja mund të ndalet përmes një angazhimi të rëndësishëm të secilit qytetar, një vullneti të palëkundur njerëzor që tejkalon secilën llogari të vogël meskine , një bashkëveprim  energjish pozitive njerëzore për të shkulur të tillin negativitet që ka pllakosur vendin, një udhë e re e ndërtuar nga një bashkim i madh për ndryshim dhe një shpresë të re. Koha për një fillim të ri për qytetarin dhe një rrugëtim me shpresë të re është tani!  Bashkë sepse ka ende shpresë….