Blog

  • Ergys MERTIRI – Çmenduria dhe degjenerimi i sondazheve

    Ergys MERTIRI – Çmenduria dhe degjenerimi i sondazheve

    Në mungesë të një gare të vërtetë politike me debate mbi qeverisjen apo programet elektorale, mediat kanë nisur tashmë një betejë të pakuptimtë sondazhesh, me të dhëna dhe rezultate shpesh të çuditshme. Duke përjashtuar IPR Marketing, e cila tashmë ka një traditë të sondimit të opinionit para zgjedhjeve, një armatë operatorësh janë sulur të prodhojnë grafikë e tabela nga më absurdet dhe madje shpesh edhe qesharake.

    Ka televizione që transmetojnë, deri në dy herë në javë, në prime time, analiza “gjetjesh” të tilla, duke shpërdoruar në mënyrën dramatike hapësirën televizive. Rezultatet, jo vetëm që janë të pabesueshëm nga një perspektivë analitike e logjike, por shpesh janë kontradiktore midis tyre, çfarë i bën totalisht të pabesueshme e joprofesionale.

    Përse bëhet e gjithë kjo?

    Në fakt, për nga vetë rezultatet që nxjerrin (më saktë, fabrikojnë), kuptohet se interesi këtu nuk është aspak tek nevoja për të zbuluar paraprakisht orientimin e votes dhe kurioziteti për të parashikuar votuesin nuk e justifikon gjithë këtë histeri. I vetmi shpjegim qendron në faktin se, nëpërmjet këtyre lojërave mediatike, sondazhet po përdoren për të ndikuar në rezultat. Sondazhi, nuk është thjesht një instrument për të njohur një realitet, por mbi të gjitha për të prodhuar realitetin që duam. Nëpërmjet fabrikimit të të dhënave, ne mund të nxisim votuesit drejt prirjeve të caktuara, qoftë edhe vetëm duke afektuar sjelljen e popullatës në dekurajimin e votuesve kundërshtarë dhe inkurajimin e atyre përkrahës.

    Parashikimi në shkencat shoqërore, nuk është si në ato natyrore. Ai është agjent veprues dhe ndikon në ndryshimin e sjelljes së popullatës ku ky parashikim publikohet. Parashikimi pra nuk është neutral, por ndikon mbi ngjarjet që parashikon, gjë që e bën situatën paradoksale: Ti parashikon atë çfarë, pikërisht nëpërmjet parashikimit, je duke e shkaktuar.

    Duke qenë kështu, a është e mundur që një pushtet kaq i mbushur me propagandë, ta lerë pa përdorur një armë të tillë elektorale? Vetë shtimi marramendës i këtyre sondazheve në këtë prag fushate ka për qëllim të prodhojë idenë se qeveria është e fortë dhe për këtë arsye ajo do të fitojë doemos, ndërkohë që opozita është e dobët dhe e destinuar të humbasë.

    Ky në fakt është një perceptim të cilin qeveria ka kohë që mundohet ta prodhojë nëpërmjet propagandës dhe spineve analitike nëpër media. Duke qenë pa program, pa ide, pa moral dhe pa asnjë rezultat pozitiv në qeverisje, madje përkundrazi, e ngopur me korrupsion, kapje të shtetit, inkriminim e skandale të panumërta, ajo kërkon ta ndikojë publikun duke imponuar sistemin e saj të vlerave.

    Në këtë mënyrë ajo kërkon që forcat politike të mos vlerësohen mbi rezultate, por në terma të fuqisë. Sipas kësaj mendësie, qeveria do të fitojë dhe duhet të fitojë sepse ajo është e fortë, ndërsa opozitës i takon të humbasë, pasi është e dobët. Dobësia apo forca, në këtë rast, nuk përcaktohen nga ndonjë vlerë konkrete, por nga perceptimi mediatik, mbi mbështetjen që publiku i jep njërës apo tjetrës palë. Pikërisht, për prodhimin e këtij perceptimi, përdoren edhe sondazhet.

    Në fakt, forca e qeverisë qendron vetm tek fuqitë e saj manipuluese, të cilat vijnë pikërisht nga korruptueshmëria dhe niveli i lidhjeve klienteliste që ajo ka krijuar. Duke monopolizuar fuqinë ekonomike dhe tregun e medias, ajo ka në duar instrumente (sigurisht korruptivë) për të mbytur publikun me propagandë. Por duhet thënë se, në këto kushte, fuqia e saj politike buron pikërisht nga dobësia e saj morale, e cila është edhe arsyeja përse ajo mund dhe duhet të humbasë.

    Për këto arsye, publikut i duhet të heqë dorë nga spektakli banal i sondazheve të instrumentalizuara, të cilët janë hartuar për ta zhvendosur vëmendjen e tij në sfera që i interesojnë pushtetit. Debati duhet të orientohet drejt programeve dhe realitetit politik në vend, si të vetmet qasje që na ndihmojnë të bëjmë zgjedhjet e duhura politike.

  • Ardit GJINALI – “Mos’harresa e së keqes është thirrja për një  angazhim të përbashkët për ndryshim ”

    Ardit GJINALI – “Mos’harresa e së keqes është thirrja për një  angazhim të përbashkët për ndryshim ”

    Ndryshimi nuk është thjeshtë një nocion që bashkon të tillat bashkëtingëllore dhe zanore për të formësuar një term shpresë-përcjellës tek të shumtët qytetarë që vijojnë rrugëtimin e vështirë të  së përditshmes pavarësisht  sfidave që i vështirëson pamundësia e stisur nga djallëzia e pambarimtë  e varrmihësve të shpresës; – qytetari i zakonshëm , fisnik në përpjekjet e tij dhe qëndrestar ndaj remineshencës banale të njeriut të Ri- i tilli njeriu i Ri  që rreket të  shndërrojë  shoqërinë në një rrangallë; nga ana tjetër, qytetari i zakonshmëm  vijon qëndrimin në atdhe për shkak të shpresës që nuk mund ta varrosin dot dhe në besimin e palëkundur për ndryshimin që pret një Shqipëri  e larguar nga  interesat bordero-firmosëse dhe që shqetësohet për korrupsionin endemik, ekonominë e shkatërruar dhe punën e dëshiruar, por të munguar… Shqipëria e fytyrës së të vërtetës – larg realitetit të gënjeshtërt 3-D  dhe në padukshmëri me batuta-lëshimin  që ngjason me baltën që hidhet në fytyrën e qytetarit për ta përshtatur të tillin me fundin e llumit dhe zezonën e errësirës-   kërkon një fillim të Ri ku mundësia e dhënë është shpërblimi për besimin në një ndryshim të qënësishëm; besim asfare i shpërdoruar për të kthyer shpresën.

    Kujtesa është e rëndësishme për fatin e një shoqërie; e tilla nuk mund të pengojë vazhdimësinë drejt së ardhmes përmes shikimit kah e djeshmja e së shkuarës, por mbetet një vlerë thelbësore për të ndalur përsëritjen e të njëjtave dukuri të së njëjtës ; mosharresa është instrumenti mbrojtës i prosperitetit shoqëror dhe rendit demokratik nga sulmi i vazhdueshëm i viruseve politike me përmbajtje autokratike dhe tendenca absolutiste, të tillat metastaza të së keqes që drobisin trupin dhe nervin reagues të një shoqërie normale. Saga e këtyre viteve minimalisht të trishta dhe gjerësisht në kufijtë e tragjikes janë dëshmia e së keqes që ekspozohet përpara një shoqërie dhe rreket të uzurpojë secilin segment të së njëjtës me një qëllim final;- tjetërsimin e shoqërisë në secilin aspekt përfshirë dhe të tillin kuptimor duke e shndërruar në një bashkim mekanik gërmash.

    Vendi ndodhet përpara një sfide të rëndësishme që nuk përfshin një ndërrim pushteti, por një sfidë ndaj modelit të së keqes së instaluar që duhet rrëzuar pavarësisht përkatësisë partiake; e keqja që shkakton humbjen e të gjithëve… qytetari, prindi, profesionisti, shtetari, mjeku, mësuesi, studenti, sipërmarrësi, artisti, shkrimtari… humbin në një Shqipëri të pajetueshme ku rrushfeti vjedh mundësinë dhe i ashtuquajturi “mik” krekoset mbi dëngun e plehut  që skalit pisllëkun institucional të ndotur nga i përdoruri dhe i tremburi kinse shtetar prej “mikut” të shtet-pushtetit. Mosharresa nuk është mllefi popullor që fton për revanshin e rradhës që do të dërgonte shoqërinë në një spirale të panevojshme jostabiliteti; mosharresa është apeli për të ndaluar shtrirjen e së keqes dhe për të vendosur një standart shoqëror ku ndëshkimi përmes votës i premtimit të shkelur që paraqitet si bilanc qeverisës, meskinitetit  si virtyt dhe arbitraritetit  si ligjësi të ndërtojë themelet e qëndrueshme të një Shqipërie ndryshe.

    Angazhimi i përbashkët për të mundësuar ndryshimin është një thirrje asfare përsëritëse, por një detyrim pozitiv ndaj vendit; një angazhim i përbashkët duke kujtuar secilën vuajtje të këtyre viteve, angazhim për të mos harruar,  për të ndëshkuar me votë dhe për të dëshmuar një shpirt qytetar të patjetërsuar; për të dëshmuar që maturia qytetare hedh tutje secilin pushtet të ushtruar keqas; shpëtimi i së sotmes thërret për një bashkim të madh për të sjellë një shpresë të re me ditë më të mira në një  Shqipëri normale, qeveri normale dhe Kryeministër normal, gjithashtu. Mosharresa si një mundësi për të mundur të keqen dhe për të ndalur përsëritjen e së njëjtës  është normalitet shoqëror dhe njerëzor. Angazhohemi të gjithë bashkë duke mosharruar dhe në një përpjekje të përbashkët për një të ardhme me shpresë. Bashkë sepse ka ende shpresë…

  • Klodian Tomorri – Bejtja, premtimet elektorale dhe Ligji i Direktorit

    Kolegu Andi Bejtja kishte një shkrim provokativ nje dite me pare, i cili prek nje teme shume te rendesishme, por të nenvleresuar ne debatin publik; Pse premtimet elektorale te partive politike nuk targetojne te varfrit? Sado cinike te duket, pergjigja eshte shume e thjeshte. Arsyeja është tërësisht elektorale.

    Pese dekada me pare nje ekonomist nga Shtetet e Bashkuara i quajtur Aaron Director, elaboroi nje teze qe me vone do te njihej si Ligji i Direktorit. Sipas tij, grupi që dominon procesin politik ne shoqerite e lira demokratike eshte gjithmone shtresa e mesme. Argumenti eshte shume i thjeshte.

    Një forcë politike, që të marrë pushtetin ka nevoje për 50 per qind plus 1 te votave. Nese sheh shperndarjen e popullsise sipas te ardhurave, zakonisht prevalon ligji 30-50-20, ku 30 per qind e popullsise jane te varfer, 50 per qind shtrese e mesme dhe 20 per qind të pasur. E thënë thjesht, menyra me e lehte për të gjetur 50 per qind plus 1 te votave, është shtresa e mesme. Rrjedhimisht premtimet elektorale, por edhe programet qeverisese dizenjohen ne menyre te tille, qe te perfitoje shtresen e mesme, ndërsa kostot të financohen përmes taksave që paguhen nga te pasurit dhe te varfrit.

    I pari qe provoi empirikisht Ligjin e Direktorit ishte George Stigler. Permes një paperi influencial ne vitin 1970, Stigler duke studiar buxhetet e dhjetra vendeve provoi se shpenzimet publike financojne kryesisht programet, nga të cilat perfiton shtresa e mesme, por kostoja e tyre financohet nga taksat e të pasurve dhe të varferve.

    Tani të kthehemi në Shqiperi. Kush janë përfituesit kryesore nga zerimi i taksave te biznesit të vogel? Kush janë perfituesit kryesore nga heqja e taksave mbi naften, që premton opozita. Kush janë përfituesit kryesorë nga subvencionimi i arsimit publik? Kush janë perfituesit kryesore nga rritja e pagave ne sektorin publik? Pergjigja eshte e lehte. Sa te varfer kane biznese? Sa prej tyre kane automjete? Dhe sa te varfer shkojne ne Universitet. Shume pak. Perfituesit kryesore jane gjithmone shtresa e mesme.

    I vetmi program i shpenzimeve publike, qe targeton drejteperdrejte e varfrit eshte ndihma ekonomike. Vetem 40 milione dollare në vit dhe me gjithe premtimet për dyfishim shkon në 80 milione dollarë në vit. Me pak se 2 per qind e shpenzimeve totale te buxhetit.

    Koalicioni me i madh politik ne vendet demokratike do te jete gjithmone shtresa e mesme. Dhe ofertat politike te partive do të targetojne gjithmone shtresen e mesme. Madje edhe qeveria e Albinit, qe kolegu Bejtja e permend si qeveri pro te varferve. Ky është bast.

  • Enver BYTYÇI – Pse Miroslav Lajçak e fshiu nga harta shtetin e Kosovës?!

    Enver BYTYÇI – Pse Miroslav Lajçak e fshiu nga harta shtetin e Kosovës?!

    Miroslav Laçak është ndërmjetës i Bashkimit Europian për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Më saktë është përfaqësues i shefit për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, zotit Borrell. Lajçak dhe Borrell vijnë nga dy vende, të cilat nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, përkatësisht Sllovakia dhe Spanja.

    Duket se të dy këta në vend të ndjekin politikat e Komisionit dhe Parlamentit Europian, punojnë sipas axhendës serbe e ruse sa i përket Kosovës, statusit dhe njohjes së shtetësisë së saj. Miroslav Lajçak u shfaq këto ditë duke dhënë një intervistë për  “European Ëestern Balkans” me një hartë të rajonit pas shpine, në të cilën Kosova shihet të jetë “pjesë e Serbisë”! Ishte rastësi kjo?! Në politikë dhe në diplomaci nuk ndodhin kurrë rastësitë. Ato sajohen, vendosen e mbivendosen, me qëllim që të jepen mesazhe për dikë tjetër. Edhe intervista e Lajçak me sfond harten e rajonit tonë pa Kosovën shtet sovran e të pavarur ka një mesazh të caktuar:

    Mesazhi lidhet me faktin se ndërmjetësuesi europian për dialogun Kosovë-Serbi punon për zhbërjen e pavarësisë së Kosovës! Kush ka argumente tjera le të provojë të kundërtën, por askush nuk duhet të më thotë se ky veprim i ish-ministrit të Jashtëm të Sllovakisë erdhi nga pakujdesia e mos-vëmendja.

    Se Lajçak e përmes këtij edhe Borrell japin mesazhe anti-Kosovë, kjo tashmë është bërë e qartë në intervista e forma të tjera të njohura. Por që përmes kësaj harte të jepej mesazhi se “Kosova nuk mund të ekzistojë as si nocion gjeografik në hartë”, këtë nuk e kishte menduar as kundërshtari më ekstremist i ndërmjetësimit të tyre në zgjidhjen e konflktit midis dy vendeve. Nuk e kishin çuar në mendje s vetë serbët e Beogradit. Harta e Lajçak në zyrën apo në një ambjent tjetër pune të tij, e kthen Kosovën në statusin që asaj i jepte kushtetuta e vitit 1946 ose 1953 e ish-Jugosllavisë. Pra, statusin e një rajoni pa kurrëfarë autonomie të Serbisë së Rankoviçi, kur Kosova emërtohej me emërtimin e sotëm të kushtetutës serbe “Kosovo-Metohi” dhe kur shqiptarët në vend të quheshin “albanski”, përbuzeshin me emrin “shiptari”!

    Me këtë akt diplomatik, shefi i bisedimeve të BE-së ka shkelur jo vetëm të drejtën sovrane të Kosovës, jo vetëm vullnetin e shprehur të saj, pra verdiktin për të qenë shtet sovran dhe i pavarur. Lajçakka fyer rëndë shqiptarët në tërësi dhe ka shkelur disa dokumente ndërkombëtare. Së pari Rezolutën 1244. Në atë rezolutë Kosova, nëse nuk do të ishte e pavarur, do të ishte nën administrimin ndërkombëtar të OKB-së dhe NATO-s, por nuk do të ishte pjesë përbërëse e Serbisë. Në atë rezolutë përcaktohet dhe thuhet se “Statusi i Kosovës do të përcaktohet në kuadër të RF të Jugosllavisë”! Nuk e parasheh rezoluta 1244 që Kosova me statusin që do të kishte të bëhej pjesë e Serbisë.

    Me shpalljen e pavarësisë së Malit të Zi në Korrik 2006, Jugosllavia pushoi së qeni. Kësisoj Kosovës nuk i mbetej asnjë zgjidhje tjetër përveç pavarësisë, sepse Rezoluta 1244 nuk parashikonte që ajo të bëhej pjesë e Serbisë. Ndërsa “i paanshmi” Lajçak e ka vizatuar atë pa kufij administrativë si pjesë të Serbisë. Ka shkelur kësisoj ligjin ndërkombëtar të parashikuar në rezolutën në fjalë të Këshillit të Sigurimit, votuar edhe nga aleati i tij, Rusia.

    Por Miroslav Lajçak ka shkelur edhe rezolutat dhe vendimet e Bashkimit Europian. Një ditë para miratimit të Rezolutës 1244 në Këshillin e Sigurimit, ishin shefat e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Europian, të mbledhura në Bon të Gjermanisë, ata që më 9 qershor 1999 e votuan unanimisht atë rezolutë. Ishte Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian që para dy ditësh miratoi një rezolutë, në të cilën thuhet se “pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme” dhe i bën thirrje pesë vendeve anëtare të saj, edhe vendit të Lajçak dhe Borrell, Sllovakisë dhe Spanjës, që ta njohin pavarësinë e shtetit më të ri në Europë. Janë 23 vende të Bashkimit Europian që e kanë njohur shtetësinë e Kosovës. Janë gjithashtu të shtatë vendet më të industrializuara të botës që e kanë bërë këtë.

    Por Lajçak na thotë se “për Kosovën vendos ai, Serbia dhe Rusia”!

    Kosova është anëtare Bankës Botërore, FMN-së, BERZH, CEFTA-s, Organizatës Botërore të Doganave si dhe anëtare e FIFA-s, UEFA-as dhe Komitetit Olimpik dhe ajo duhet njohur si e tillë, si vend i pranuar nga Bashkimi Europian dhe organizata të shumta ndërkombëtare. Miroslav Lajçak përfaqëson Bashkimin Europian, është aty për ta forcuar këtë bashkësi shtetesh dhe paguhet me taksat europiane për t’i shërbyer vendimmarrjes së shumicës dërmuese të vendeve të BE-së. Por çfarë bën ai? I shërben interesave të vendit të tij, të cilat shkojnë në favor të interesave serbe e ruse dhe kurrësesi të Europës së vlerave dhe të demokracisë. I shërben rrjedhës anti-historike dhe politikave destruktive anti-europiane të Vladimir Putin.

    Kosova është sovrane dhe e pavarur, sepse popullsia e saj u përndoq, u dhunua, u asgjësua fizikisht, u dëbua masivisht, sepse vendi u dogj dhe u shkatërrua nga ushtria, policia dhe paraushtarakët e shtetit të Serbisë, sipas një projekti të paracaktuar e të formuluar në zyrat e kryetarit të shtetit serb të kohës. Kosova u bë e pavarur për shkak të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Tani Miroslav Lajçak me hartën e Kosovës si pjesë të Serbisë na jep mesazhin se edhe nëse një shtet si Serbia bën krime kundër njerëzimit dhe genocid kundër një populli jo serb, ky popull jo serb na qenka i detyruar të bashkëjetojë nën sovranitetin e shtetit genocidal. Ka harruar se genocidi hitlerian ndaj judëve çoi në krijimin nga hiçi të shtetit izraelit. Ndërkohë Kosova ekzistonte edhe para Serbisë, ekzistonte edhe atëherë kur në Rashkë u krijua principata e parë serbe, ekzistonte pra, edhe para Pashiçit, Çubrilloviçit, Rankoviçit, Milosheviçit, Vuçiçit dhe Lajçakut e Borrellit.

    Kësisoj harta e tij përveçse provokim është gjithashtu një akt anti-historik! Për këtë arsye institucionet e Kosovës duhet ta dënojnë këtë akt, t’i kërkojnë Miroslav Lajçak të kërkojë ndjesë publike dhe të deklarohet se do të ruajë paanësinë në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë! Në të kundërt, ai duhet bojkotuar!

  • Sali BERISHA – Edi Rama i vetmi në botë që 16-fishoi pasurinë si kryeministër

    Sali BERISHA – Edi Rama i vetmi në botë që 16-fishoi pasurinë si kryeministër

    Pasurim si në përrallë, apo vjedhje e jashtëzakonshme?

    Edvin Hajduti hyn në Guinness!

    Ai në 8 vitet e fundit 16-fishoi pasurinë si asnjë kryeministër në planet!

    Miq, në rast se i bie rrotull planetit nuk mund të gjesh kurrë një kryeministër apo një ministër në një vend të lirë apo qofte dhe diktaturë që në 8 vite pushtet të rrisë me 16 herë pasurinë e tij.

    Ky pasurim si në përrallë apo kjo vjedhje e jashtëzakonshme mund të ndodhtë vetëm në Shqipëri me Edi Ramen dhe vetëm me Edvin Hajdutin, i cili sapo erdhi ne pushtet:

    1-Zhduku konfliktin e interesit dhe,

    2-Nxori tezën se për korrupsionin nuk e kane fajin njerëzit, por e ka sistemi, me një fjale vidh kush të mundet dhe sa të mundësh se fajin nuk e ka hajduti, por sistemi.

    Me këto të dhëna të raportit të pavarur të BIRN të bazuara në të dhënat e institucioneve të emëruara nga vet Edvin Hajduti dëshmojnë për shfrytëzimin e shpërftyruar dhe të papërmbajtur të pushtetit  për pasurim personal, si kampion zyrtar i korrupsionit dhe vjedhjes mbi tokë.

    Miq, ky 16 fishim i pasurive të kryeministrit, i cili ne vitin 2009 si kryetar bashkie kishte deklaruar vetëm 3000 euro dhe 500 mijë lekë në ILDKP është i pashembullt në botë, por nuk pasqyron pasurinë e tij prej 200 milionë eurosh të denoncuar nga raporti i OSBE në fillim të vitit 2014 për të cilin Edvin Hajduti heshti si fija e barit dhe nuk guxoj ta përgënjeshtroje kurrë.

    Ky pasurim përrallor që ka në baze vjedhjet e jashtëzakonshme të Edvin Hajduti me rrjetin e tij ne PPP, tendera, taksa, tatime tregon së pari pse në Shqiperi korrupsion është shndërruar në sistem.

    Së dyti pse Edvini është kaq ngushtë i lidhur me klientelën gjakpirëse të pasunarëve të tij.

    Se treti pse këto 8 vite në Shqipëri varfëria ekstreme u rrit me 4.2 herë dhe 47% e shqiptarëve u zhyten në varfëri të moderuar.

    Këtu me poshtë keni raportin e pavarur te BIRN!

    Analiza: Edi Rama 16-fishoi pasurinë e deklaruar në 15 vjet

    Nga 60 milionë lekë që ka deklaruar në vitin 2003, deri në vitin 2018, pasuria e Edi Ramës, kryetar bashkie dhe kryeministër i Shqipërisë ka arritur shifrën e gati një milion dollarëve. Rrjeti investigativ BIRN, në analizën që iu ka bërë skedave të pasurisë në 15 vite, arsyeton se Rama dhe bashkëshortja e tij nuk kanë burime të mjaftueshme për të justifikuar pronat apo llogaritë bankare, duke i dhënë flamurin penalizues deklaratës së dorëzuar në ILDKP. Ende asnjë reagim nga Rama

    Rrjeti investigativ BIRN ka publikuar dje të dhënat e skedës së pasurisë së kryeministrit Rama për periudhën 2003-2018, në të cilën rezulton se kryeministri përgjatë 15 viteve e ka shumëfishuar pasurinë me rreth 16 herë. Këtu mbeten të pallogaritura dhe dy vite të tjera, 2019 dhe 2020. Sipas BIRN nga 6 milionë lekë të rinj që ka deklaruar Rama në vitin 2003, në vitin 2018 rezulton me një pasuri prej 100 milionë lekësh.

    Libri i tij “Kurban”, ka sjellë vetëm 8% të të ardhurave, ndërsa të tjerat vijnë nga paga e tij dhe e bashkëshortes. BIRN analizon se Rama nuk ka të ardhura të mjaftueshme për të krijuar një pasuri prej 1 milion dollarësh, duke i dhënë flamurin e kuq për burimet e pamjaftueshme financiare. Sipas BIRN, edhe burimet e ndërtimit të shtëpisë së tij në zonën e Surrelit, mbeten të paqarta. Më poshtë shkrimi i plotë:

    Edi Rama është prej tetë vitesh kryeministër i Shqipërisë dhe kërkon një mandat të tretë qeverisës në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Rama ka pasur një karrierë të larmishme përpara përfshirjes në politikë. Ai ka qenë pedagog i pikturës në Akademinë e Arteve, lojtar i ekipit kombëtar të basketbollit, publicist si dhe autor i dy librave; “Refleksione” së bashku me Ardian Klosin dhe “Kurbani”. Përfshirja e Edi Ramës në jetën publike dhe politike zë fill me lëvizjen e viteve ‘90 që rrëzoi regjimin komunist në Shqipëri, ku ai ishte një ndër zërat e spikatur publikë.

    Pas një largimi disavjeçar jashtë Shqipërisë, Rama hyri në politikë si ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në qeverinë e kryeministrit Fatos Nano në vitin 1998. Rama u zgjodh kryetar i Bashkisë së Tiranës në vitin 2000 dhe e drejtoi kryeqytetin për 11 vite radhazi. Ai u zgjodh kryetar i Partisë Socialiste në vitin 2005 dhe e drejton atë prej 16 vitesh. Ky raport u prodhua nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së kryeministrit Edi Rama nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e anëtarëve të Këshillit të Ministrave gjatë viteve 2013-2020. Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga kryeministri Edi Rama nga viti 2003 deri në fund të vitit 2018.

    Në deklaratën e parë të dorëzuar në ILDKPKI në vitin 2003, Rama deklaron pasuri me vlerë 6 milionë lekë dhe deri në fund të vitit 2018, pasuria familjare ka shënuar rritje me 16 herë, duke kapur vlerën e 100 milionë lekëve. Në fund të vitit 2018, pasuria familjare e Z. Rama përbëhet nga 73 milionë lekë pasuri të patundshme, 17.2 milionë lekë likuiditete bankare, huadhënie prej 9.7 milionë lekësh, automjet me vlerë 400 mijë lekë si gjendje cash prej 182 mijë lekësh.

    Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 94.3 milionë lekë, nga të cilat paga e Z. Rama është në masën 27% dhe të ardhurat nga puna e bashkëshortes 38%. Rreth 16% e të ardhurave kanë si burim qiratë, 9.5% punën artistike të Z. Rama dhe shitjen e librit “Kurban” si dhe 8% kanë si burim të ardhurat e krijuara nga i biri nga shitja e veprave të artit. Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit, si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit.

    Nga kontrolli aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit, njëra prej deklaratave rezultoi me probleme. Në periudhën 2003-2018, Edi Rama ka shkëputje nga funksioni publik dhe detyrimi ligjor për të deklaruar pasurinë nga korriku 2011 deri në shtator 2013. Pas zgjedhjes si kryeministër, Rama dhe bashkëshortja e tij rideklarojnë pasurinë e plotë në tetor 2013, e cila është shtuar me 44,736,099 lekë krahasuar me vitin 2011.

    Ndërkohë, burimet e deklaruara në rubrikat përkatëse janë të pamjaftueshme për të mbuluar shtesën e aseteve në shumën 29,641,593 lekë. Shtëpia e banimit në komunën Dajt në bashkëpronësi me bashkëshorten është deklaruar për herë të parë në vitin 2013 me vlerë 39,607,741 lekë dhe përbën zërin kryesor në shtesën e aseteve. Rama deklaron se ka dorëzuar në ILDKPKI dokumente shtesë si leje ndërtimi dhe dokumente mbështetëse për burimin e krijimit, të cilat BIRN nuk i disponon, por në rubrikat përkatëse të formularit nuk rezulton burimi i krijimit të kësaj pasurie. Në tetor 2013, subjekti deklaron se ka një detyrim të pashlyer për shtëpinë ndaj shoqërisë së ndërtimit në shumën 12,056,241 lekë “në pritje të miratimit të një kredie bankare”. Kredia bankare me vlerë 80,000 euro është lëvruar më 22 tetor 2013, me afat shlyerje 10 vjet.

    Në analizën statistikore të pasurisë janë përfshirë edhe dy huadhënie të deklaruara nga Linda Rama në vitin 2010, në vlerat 30 mijë euro dhe 40 mijë euro. Këto hua nuk deklarohet të jenë kthyer deri në fund të vitit 2018. Në vitin 2012, Z. Rama ka bërë rivlerësimin e një apartamenti banimi ‘parafabrikat 1 + 1, me sip. 59 m2’, i përfituar nga privatizimi, sipas çmimit fiskal në vlerën 5,422,000 lekë. Apartamenti është shitur në vitin 2017 në shumën 5,000,000 lekë.

  • Ermal MULOSMANI – Mos harroni edhe Fatmir Xhafajn, ai është Kampioni i vërtetë i Drejtësisë së re

    Ermal MULOSMANI – Mos harroni edhe Fatmir Xhafajn, ai është Kampioni i vërtetë i Drejtësisë së re

    Ardian Dvorani, një ish-prokuror i kohës së komunizmit (gjatë viteve 88-91), u përzgjodh nga Departamenti i Shtetit të SHBA-së si Kampion në luftën kundër korrupsionit’ me motivacionin :

    ‘Si nismëtar kryesor i reformimit të sistemit gjyqësor të Shqipërisë, gjyqtari Ardian Dvorani zhvilloi mekanizma për të zvogëluar ndikimin politik dhe kriminal në sistemin e Drejtësisë, hapa që ndikuan në vendimin e BE-së në Mars 2020 për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe çuan në mbrojtje kushtetuese për institucionet e reja antikorrupsion të Shqipërisë’.

    Po a i ka të merituara fjalët e motivacionit zoti Dvorani?

    Gjyqtari i Lartë Ardian Dvorani është një ndër emrat më të lakuar të drejtësisë shqiptare. Me një karrierë profesionale prej 33 vitesh, me gjithë ulje-ngritjet, ai gëzon një reputacion profesional të gjithpranuar.

    Dvorani ishte mjaft i ri në kohët kur ushtroi detyrën e Prokurorit të diktaturës në qytetin e Shkodrës (22-25 vjeç) dhe nuk u shqua në atë kohë për ndonjë zell të tepërt (siç bie fjala spikati Kryetari i Reformës në Drejtësi, ish- hetuesi Fatmir Xhafa). Megjithatë, një dënim me 15 burg që dha për rrëzuesit e bustit të Stalinit, në ditët e fundit të diktaturës, tregon shumë për frikën dhe konformizmin sesa për profesionalizmin e tij.

    Fatmir Xhafa dhe Ardian Dvorani duhej të ishin viktimat e para të çdo Reforme për Drejtësi. Ata ishin xhelatët ndëshkues të një padrejtësie të sanksionuar me ligj, ishin të përkëdhelurit e diktaturës dhe humbësit moralë të betejës me sistemin e ri të drejtësisë. Ata që kishin bërë Padrejtësinë nuk mundet të bënin edhe Drejtësinë.

    Një drejtësi e re kishte nevojë më së shumti për moral dhe morali nuk mund të vinte nga Padrejtësia e vjetër. Këtu është zanafilla e së keqes në Drejtësinë tonë të re. Atë e bënë ish-xhelatët e diktaturës.

    Në kriteret e vetingut ata hoqën çdo kufizim për sivëllezërit e tyre të diktaturës së proletariatit. Si mundet të shkruanin Fatmir Xhafaj dhe Ardian Dvorani fjalinë e tmerrshme: ‘Prokurorët, hetuesit dhe gjyqtarët e diktaturës nuk mund të jenë në postet e larta të politikës dhe drejtësisë së re?’

    Pasi i shpëtuan paq ndëshkimit nga vetingu moral, njëri në drejtësi e tjetri në politikë, dy strategët tanë të Reformës për Drejtësi, ishin më të zellshmit për të ndëshkuar kolegët e tyre përmes instrumenteve KPA dhe KPK. Xhafaj emëroi ish-këshilltarin e tij si Komisioner Publik që kundërshtonte ndonjë tip të papëlqyer që i kishte shpëtuar rrjetave të KPK dhe KPA.

    Tani dinin ata sesi e hidhnin vallen.

    Ardian Dvorani shkoi në vetingun e krijuar prej tij me një neglizhencë të skajshme, harroi të deklaronte rreth 10 milionë lekë të reja kursime ndër vite. Ky nuk ishte ndonjë veprim që synonte fshehjen, jam i bindur për këtë. Dvorani i kishte deklaruar ato para në deklaratat vjetore të pasurisë, edhe e kishte justifikuar burimin e tyre. Por, aq joserioze, mospërfillëse, sfiduese ishte sjellja e tij ndaj krijesave të veta (KPK dhe KPA) saqë harroi të deklaronte një pasuri të tërë! Sepse ai po shkonte si shefi te vartësat jo si nxënësi në provimin e jetës. Vartësit e tij me përulësi e pranuan këtë ‘harresë’ skandaloze dhe e ‘falën’ shefin e madh. Në fund të fundit kush ishin ata përpara tij!

    Ata ishin aty për të tjerët jo për Dvoranin.

    Kjo kapardisje prej vetëdijes së rëndësisë dhe paprekshmërisë arriti kulmin në rastin e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese në Nëntor të vitit 2019. Duke qenë prej 15 vitesh anëtari i Gjykatës së Lartë dhe Kryetar i KED(Këshillit të Emërimeve në Drejtësi), Dvorani ishte autoriteti që firmoste dërgesën e propozimeve tek organet e emërtesës (Presidenti dhe Kuvendi), sipas një radhe të caktuar, një herë njërit e pastaj tjetrit. Megjithëse Kushtetuta e Shqipërisë e detyron të zbatojë rigorozisht radhën, Dvorani bën të kundërtën, dërgon dy propozime me kandidatura menjëherë te Presidenti. Shkelja e Kushtetutës bëhej me vetëdije dhe në bashkëpunim me Parlamentin dhe maxhorancën qeverisëse.

    Presidenti kishte dy rrugë: 1. Të bëhej bashkëfajtor me Dvoranin dhe të zgjidhte dy kandidaturat dhe 2. Të zgjidhte njërin e të priste radhën për tjetrin pasi Parlamenti të zgjedhë kandidaturën e vet siç shkruante Kushtetuta.

    Duke shkruar sa më sipër nuk kam ndërmend aspak të bëj apologjinë e Presidentit. Mundet që veprimi i duhur të ishte shmangia e Presidentit nga zgjedhja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ndoshta shprehja e përmendur në motivacion: ‘zhvlloi mekanizmat e duhur për të zvogëluar ndikimin politik’ i referohet pikërisht këtij veprimi. Ama, për këtë gjë, duhej më parë të ndryshohej Kushtetuta. Për një gjyqtar karriere, anëtar 15 vjeçar të Gjykatës së Lartë, jurist-hartues ligjesh, kjo shkelje është e pafalshme. Dvorani po bënte politikë me postin e lartë të drejtësisë. Kjo është e palejueshme për cilindo.

    A e mori dekoratën amerikane Dvorani pikërisht për këtë veprim antikushtetues, për këtë nuk jam i sigurtë. Ama jam krejt i sigurtë që ky veprim duhej të ishte arsyeja që ajo dekoratë të mos jepej! Dvorani ishte kthyer haptas në një shërbëtor të vullnetit politik të maxhorancës.

    Tani mbetet të dekorohet edhe Fatmir Xhafaj, konceptuesi, frymëzuesi, drejtuesi dhe zbatuesi kryesor i Reformës në Drejtësi. Nëse ka një meritor kjo Reformë, i pari në radhë është Fatmir Xhafa.

    Hetuesi komunist që burgoste, torturonte dhe internonte njerëz vetëm se ata qeshnin kur vdiq Enver Hoxha është kumbara i kësaj drejtësie. Nëse ajo ka pasur sukses Kampioni i vërtetë i saj ai.

    Ne jemi bërë imunë nga këto zhvillime, na është squllur nervi, maksimumi qeshim ironikisht nga përbuzja, nënçmimi që na bëhet çdo ditë nga politikanët tanë . Zhgënjimi vjen vetë kur vendi Kampion i Lirisë vlerëson si Kampion të Drejtësisë një prokuror të Diktaturës.

  • Ilir NIKOLLA – Sfida e ndarjes së shtetit nga hajnia!

    Ilir NIKOLLA – Sfida e ndarjes së shtetit nga hajnia!

    Nuk është aspak e vështirë t’i klasifikojmë zgjedhjet tona të 25 prillit si zgjedhje aspak të zakonshme. Jo veç pandemia e kudogjindshme, por para së gjithash një bllokim i plotë i ushtrimit të demokracisë e bën 25 prillin një rast fatlum, një datë të afërt, një takim me historinë që s’duhet të humbet prej propagandës aq efektive të relativizimit, kësaj propagande që mund të themi se ka qenë kolona kryesore mbajtëse e pushtetit të Edi Ramës.

    Në mes të butaforisë së lojtarit “global” dhe pashpirtësisë së pushtetarit lokal, bilanci në vigjilje të zgjedhjeve për mazhorancën kuptohet lehtë se është një faliment i përgjithshëm. Lojtarin “global” Rama e lanë në bisht bash atëhere kur propagandës i duhej të regjistronte qoftë edhe një rezultat të vetëm, e lanë në bisht për çështjen e vaksinave. Asgjë s’vlejnë shkrimet e paguara që e krahasojnë Edi Ramën mes Turqisë e Greqisë si dikur Ali Pashën mes fuqive të mëdha.

    Tani shqiptarët po e provojnë në kurriz, se edhe kur bota aplikon zgjidhje globale, edhe kur synon njëfarësoj barazie për të gjithë në shpërndarjen e vaksinave, qeveria e “liderit global” s’arrin të bëhet pjesë. Gënjeshtrat mbi vaksinat klandestine të fillimjanarit dhe konferencat me dihatje të kryeministrit javën e fundit, me premtimin “mezi po duroj sa të jap lajmin se vaksinat do të vijnë”, po demaskohen çdo ditë në terren nga shifrat katastrofike të të infektuarve, të të shtruarve në spital dhe të viktimave prej koronavirusit. 5 mijë të vdekur shtesë në statistikat e vitit të shkuar janë një gur shumë i rëndë për t’u kaluar me shprehjen “s’dihet arsyeja pse janë kaq shumë, por s’është provuar se vdiqën prej virusit”.

    Analistët pranë Edi Ramës po kapen si të mbyturit pas fijes së barit, duke deklamuar lart e poshtë e si robotë të porositur, se asgjë s’do të ndryshojë me 25 prill, pasi të gjitha palët janë njësoj e se shqiptarët janë mësuar të bashkëjetojnë me të keqen, prandaj do të zënë hundët dhe do të rivotojnë për kryeministrin. Në ndihmë të këtij “fatalizmi” qatipët e kryeministrit kanë trazuar shkrime të vjetra të Konicës, Fishtës, Çajupit e rilindasve të tjerë, shkrime të cilat e dimë se në ç’kohë u shkruan e për ç’arsye. Synimi është të shkurajohet vullneti për ndryshim, pasi kështu do të ishte më e thjeshtë të kapërdihej edhe çfarëdo rasti që do verifikohej si manipulim i votës. Të mësuarit me të keqen s’do të thotë domosdo se do mësohesh edhe të të vjedhin votën, edhe të të heqin të drejtat të bësh tregti e të lëvizësh i lirë nëpër qytet, edhe të të rrahin larot e deputetit të zonës, veç se ke qenë aktiv në mbrojtje të pronës e të shtëpisë tënde.

    25 prilli është një rast i afërt për të konfirmuar se të keqen e kemi duruar, por s’jemi mësuar me të dhe të keqes nuk i japim kurrfarë vlere morale. 25 prilli është një rast për të treguar se hajduti mund t’ja hedhë shtetit e drejtësisë, se mund të ketë edhe ndihmën e pushtetit, por se kurrë me vullnet të lirë s’do të ketë votën e shqiptarit. Njësoj edhe për dallkaukun, dhunuesin e mashtruesin. Të përballesh me të keqen është një ushtrim që duhet ta bëjmë vetëm. Në ardhtë ndonjë ndihmë nga jashtë, është e mirëseardhur, por të shumtën e punës, shqiptarët duhet ta bëjnë vetë. Detyrimi ynë kombëtar është izolimi i keqbërësve dhe shpallja hapur e vullnetit për ndryshim. Këtij detyrimi duhet t’i dalim në takim me 25 prill, si blatim për përpjekjet e rilindasve të vërtetë për ta rikthyer Shqipërinë në Perëndim, por edhe si premtim se demokracia shqiptarë s’është më aq e brishtë sa thuhet e se asnjëherë në të ardhmen, s’do të lejohet që xhahili të bëhet mbret e qehajallarët të ndajnë pushtet.

    Sfida e ndarjes së shtetit nga hajnia s’është një betejë e re, atë e kanë fituar shumë demokraci më të vjetra se ne dhe sot renditen ndër shtetet me mbrothësi, prandaj s’ka pse 25 prilli të mos përjetohet si një sfidë për çlirimin e shtetit nga segmentet e hajdutërisë.

  • Red VARAKU – Superkoalicioni i opozitës si provë e bashkimit dhe besimit tek PD

    Red VARAKU – Superkoalicioni i opozitës si provë e bashkimit dhe besimit tek PD

    Kryetari i opozitës, Lulzim Basha firmosi sot në selinë blu marrëveshjen më aleatët e koalicionit. Ky është padyshim koalicioni dhe bashkimi më i madh i shqiptarëve kundër një regjimi, pjesë e të cilit janë të gjitha ngjyrat dhe nuancat e spektrit politik shqiptar.

    Madhësia dhe larmishmëria e këtij koalicioni , përveç se është një meritë e padiskutueshme e Lulzim Bashës si kryetar, dëshmon që PD mbetet një parti e hapur, që interes primar ka interesin e qytetarëve dhe jo interesin për pushtet dhe se ajo nuk ia ka mbyllur derën askujt që dëshiron të kontribuojë për rrëzimin e Ramës.

    Sigurisht, elementi më simbolik, që dëshmon bashkimin e opozitës dhe besimin se PD është gati për të marrë përgjegjësinë e qeverisjes së vendit, është fakti që në listë do të jetë edhe Fryma e Re Demokratike e themeluar nga ish-nënkryetari i PD z.Bamir Topi, që në zgjedhjet e shkuara ka qenë në koalicion me PS.

    Ky bashkim i madh i të gjitha ngjyrave dhe nuancave politike në të vërtetë është një shpullë e fortë mbi të gjithë ata që deri dje hidhnin baltë mbi opozitën dhe e akuzonin atë si të përçarë. Ai rrëzon të gjitha pretendimet e partiçkave të krijuara vetëm gjashtë muaj para zgjedhjeve, të cilat e’ shitën’ PD për interesa të vogla dhe meskine pikërisht në momentet e saj më të vështira.

    Kjo jo vetëm sepse vetë ngjyrat dhe madhësia e këtij koalicioni janë një provë e pakontestueshme politikisht, që Opozita e Bashkuar sot frymëzon vërtet ndryshim, por edhe sepse i demaskon bashkëpunëtorët e këtij regjimi si mercenarë politikë, si ‘gomerë’ dhe ‘mushka’ që po shalohen nga kryeministri me qëllim që të çojnë ujë në mullirin e pushtetit.

  • Enver BYTYÇI – Ti mundesh, po pastaj edhe nuk mundesh!

    Enver BYTYÇI – Ti mundesh, po pastaj edhe nuk mundesh!

    Eshtë bërë epike kjo shprehje në diskursin e rrjeteve sociale në Kosovë. "Edhe mundesh, por pastaj nuk mundesh! Perlë! E përkthyer në fjalorin tradicional shqiptar, kjo aksiomë do të thotë se e nis diçka, një punë, një veprim, por ngecesh e një ditë dështon! Pra nuk mundesh ta çosh deri në fund. As të keqen nuk e çon dot deri në fund, sepse nuk mundesh! Vjen një moment dhe dorëzohesh. Nuk ke më forcë, as argument ta justifikosh keqdashësinë e keqbërësinë tënde!

    Kjo do të thotë se nuk mundesh gjithashtu të mashtrosh për gjithmonë! Nuk mundesh të imponohesh gjithnjë! Nuk mundesh të inagurosh 27 herë të njëjtin kopësht fëmijësh, pa u tallur me ty! Ti edhe mundesh të shfaqësh filma dhe projekte në tredimensional, por në fund zbulohesh dhe të del boja! Edhe mundesh të premtosh po në tredimensional katër aeroporte, por kur e përsërit rrenën çdo vit, atëherë vjen një moment e nuk mundesh të jesh më i besueshëm!

    Ti edhe mundesh të thuash çdo katër vjet se “Në fund të mandatit do të keni 24 orë ujë” dhe në fund të të mëshirojnë me rrenën tënde! Ti edhe mundesh që të

    premtosh shëndetësi falas, por vjen korona dhe ta nxjerr bojën! Ti edhe mundesh të hiqesh si babai i kombit, por vjen tërmeti e të zbulon se kush je e se sa vlen! Ose vijnë përmbytjet dhe ta shpifin gjithë propagandën tënde të shpifur!

    U deshën tetë vite të mësojmë se mund të premtosh arsim të lartë falas! Por pastaj nuk mundesh dhe në vend që t’i ulësh, i rrit tarifat për studentët. Dhe të gjithën e justifikon me aksiomën se “Nuk ka shërbime falas”! Ti mundesh të premtosh heqjen e TVSH për bujqësinë e për ushqimet bazë, por pastaj dhe nuk mundesh t’i heqësh, sepse të bëjnë presion oligarkët që duan të ndërtojnë porte jahtesh dhe të duhet që këtë lloj takse ta heqësh për ata.

    Ti mundesh të bredhësh sa nga Rinasi te Arena Kombëtare me trajstën e disa dhjetra vaksionave anti-Covid në dorë! Por nuk mundesh t’i ushqesh me iluzione gati tre milion banorë të këtij vendi, të cilët e dinë se me strajcën e rrenave tua nuk bëhet vaksinimi në këtë vend!

    Ti mundesh të thuash se e ke luftuar korrupsionin. Por pastaj del Departamenti i Shtetit e të thotë se korrupsioni ka kapur të gjithë kapilarët e qeverisjes! Ti mundesh te thuash se e ke luftuar mafien. Por pastaj del prokuroria italiane e të thotë se ti vetë, kryebashkiaku yt i Tiranës dhe politikanë të rëndësishëm në

    qeverisje janë të lidhur me Ndraghetën!

    Ti mundesh të thuash se nuk i jep post ministror Tomë Doshit.

    Por pastaj edhe nuk mundesh, sepse ai të detyron ta bësh deputet e t’i japësh tendera pafund! E ka thënë me zë e me figurë: “Përveç Berishës, të gjithë të tjerët (d.m.th edhe ti) janë në thesin tim”!

    Ti mundesh, por pastaj edhe nuk mundesh! Nuk mundesh sepse je i kapur nga bandat, nga mafia, nga korrupsioni. Nuk mundesh se e ke ves tëndin të mashtrosh këdo, pavarësisht pozitës dhe hierarkisë në sistemin kombëtar, europian e global. Nuk mundesh, sepse ti bën pazare, nuk bën marrëveshje parimore me partnerët, me sipërmarrësit e fuqishëm dhe me aktorët politikë të brendshëm!

    Nuk mundesh, sepse të marrin në telefon nga qelia e burgut dhe të kërcënojnë me të palarat! Ti mundesh ta çosh në qeli një mjek, të cilit i gjen në shtëpi 500 milion lekë. Madje mundesh ta arrestosh

    në sallën e gjyqit, si në kohën e qoftë largut. Ti mundesh ta anonçosh në media këtë lajm çdo gjysmë ore. Sepse mjeku është kritik i juaji. Por ti nuk mundesh që ta largosh nga puna në partinë tënde dikë që ka fshehur dyfishin e shumës së këtij mjeku, jo pak, por një milion euro.

    Ti mundesh të lirosh kriminelët e kapot e bandave nga burgjet, mundesh edhe të burgosësh njerëz të pafajshëm, pse ata janë të varfër dhe nuk kanë asnjë mundësi të paguajnë p.sh energjinë elektrike. Por ti nuk mundesh ta nëpërkëmbësh dinjitetin njerëzor. Mundesh t’i detyrosh shqiptarët të ikin nga ky vend. Pastaj mundesh të thuash se “kjo ndodh gjithkund”. Por nuk mundesh ta mohosh se zgjedhjet i ke fituar duke premtuar jo ikjen, por kthimin e shqiptarëve në këtë vend!

    Ti mundesh të flasësh 24 orë për Kosovën. Por nuk mundesh ta mohosh se je miku e vëllai më i mirë i mundesh ta bindësh dikë në Kosovë për të realizuar planet e Beogradit, por nuk mundesh ta bindësh politikën dhe shoqërinë kosovare për këtë! Ti mundesh ta injorosh e mos e përmendësh asnjëherë faktin që Kosova bën zgjedhje të lira e të ndershme, njësoj si Gjermania.

    Mundesh edhe të mos e pranosh këtë fakt! Por nuk mundesh më kurrë, sa kohë të jesh në skenën e politikës shqiptare që të bësh të njëjtin proces zgjedhor në Shqipëri si ai i Kosovës. Sepse

    ti je zhytur në kaosin e vorbullën e kundërt, të blerje-shitjes dhe manipulimit të zgjedhjeve elektorale.

    Ti mundesh të thuash se nuk je autokrat. Por nuk mundesh ta fshish faktin se ti e ndërron kushtetutën brenda natës, se ti ke manipuluar dhe kontrollon legjislativin dhe gjyqësorin. Nuk mundesh të bindësh njeri se qeverisja me dekrete qeveritare nuk është autokraci. Nuk mundesh të bindësh njeri se ti përcakton

    në këtë vend se kush duhet të jetojë e kush duhet të vdesë! Mos e dhëntë Zoti këtë!

    Ti je monstër që mundesh, por vjen një ditë që edhe nuk mundesh! Nuk do të mundesh më pas 25 prillit që të tallesh, të fyesh dhe të ushqesh me energji negative dëshpruese këtë vend e këtë popull!

  • Artan FUGA – Një ëndërr për arsimin e lartë

    Artan FUGA – Një ëndërr për arsimin e lartë

    Jo më hyp këtu të shoç Stambollin! Pas 8 vjetësh, sot, pas praktikave për reformën e arsimit të lartë, nuk kemi ende asnjë studim qeveritar për atë se  cilat janë rezultatet e saj, veç disa fjalëve propagandistike në mitingje periferike për fushatë elektorale.

    Janë ndryshuar disa ministra dhe disa zëvendësministra dhe askush nuk e di më përgjegjësinë e kujt është. Njeri bëhet kryetar bashkie diku, tjetri ri-ikën në emigrim, tjetra rikthehet nga erdhi, tjetri merret me ndërtimet në Tiranë, tjetri i papunë, etj. Nga deputetët e komisionin të arsim shkences vetëm dy ose tre njohin nga brenda sistemin shkencor dhe arsimor. Por, ata bëjnë ligjin. Eshte e qartë se sistemi arsimor dhe shkencor ka nevojë për veterregullim dhe autonomi të shkallës të lartë të sistemit të arsimit të larte dhe shkencës.

    Kemi një ligj për akademinë e shkencave që bie ndesh, siç është pranuar nga vetë ligjëvënësit, me ligjin për arsimin e lartë dhe një ligj për arsimin e lartë që ndalon veprimtari për të cilat akademia e shkencave kryen aktivitete dhe merr financime nga qeveria. Kemi financime qeveritare arbitrare dhe pa konkurim publik për studime që priren të vërtetojnë krijimin absurd të “imunitetit të tufës”, në kohën kur epidemia e Covid 19 ka arritur pikun e lartë të vdekjeve.

    Kemi mijra të rinj që ikin për studime universitare jashtë shtetit.

    Anë e mbanë vendit mbyllen profile studimesh, për mos-rregjistrim studentësh, pra jo si rezultat i një strategjie transformimi të tyre nën drejtimin e Ministrisë të arsimit, por si dështime. 

    Dy vjet më parë studentët dolën në rrugë për të dëshmuar varfërinë dhe pakënaqësinë e tyre, dhe si përgjigje morrën fjalë pa asnjë rezultat.

    Për të mos folur për tezën e letërsisë të maturës me qendër hallet e Turit, një personazh tuaf hilarizues, i ngjashëm me Din Pakun, që i ngjante më tepër një hallakatjeje psikopatologjike, çka reflekton kaosin e cilësisë të arsimit parauniversitar. Kjo çoi në të parën demonstratë nxënësish në historinë e njerëzimit ku nxënësi kritikonte mësuesit!!!

    Dhe tani pas 8 vjetësh, ajo që premtohet është se qeveria do të sjelli në Fier universitetin politeknik të Stambollit që nuk është as më pak dhe as më shumë veçse një dështim i pranuar i reformës. Po të përdorja një fjalë të urtë popullore shqiptare është një : “Hyp këtu të shoç Stambollin !”

    +++

    Një reformë e vërtetë e arsimit universitar nuk mund të konceptohet nga ana tjetër nga tre ose katër persona politikë që nuk ka sesi ta njohin sistemin universitar, pa studime, dhe pa konsultime me komunitetin e gjerë universitar. Mbi të gjitha kërkohet të përcaktohen të gjitha degëzimet dhe hallkat sistemike ku duhen bërë korrigjimet, ndërhyrjet, si edhe nivelet administrative, financiare, shkencore, të të drejtave të studentëve që sot janë në nivelin vetëm të të drejtave kolektive, të orientimit me tregun, apo edhe në sistemet e drejtimit të arsimit të lartë.

    E po ashtu, në plan strategjik duken përcaktuar vlerat që do të udhëheqin këtë reformë. Nuk vlen një program reforme nëse nuk paraqitet fillimisht strategjia, ana financiare, qëllimet, objektivat, parametrat e matjes të arritjeve të pritshme të saj, etj., pra nëse kalohet në mënyrë amatoreske drejt dhe në propozime heteroklite dhe pa lidhje me njeri tjetrin.

     Reforma arsimore nuk duhet konfonduar as thjesht me reformën ekonomike të mbështetjes të studentëve apo të politikave sociale për ta. Kështu, sado e rëndësishme të jetë ana ekonomike në financimin e studimeve, nuk duhet të na çojë në një temë tjetër. Problemi është jo aq se studenti ka vështirësi ekonomike, por sepse pas viteve të gjata të studimeve, pas sakrificave, ai ka në dorë një diplomë që nuk është siç e ëndërronte, gjeneruese vlerash monetare dhe sociale për të.

     Mbi të gjitha na duhet të ndajmë mirë dhe qartë profilet e studimeve që (a) bëhen thjesht për të rritur nivelin kulturor të qytetarit, (b) profile që diplomojnë specialistë të lartë për fusha të ndryshme të shoqërisë, (c) profile studimesh që çojnë në profesione praktike, të cilat duhet ta rrisin peshën e tyre, si edhe (d) studime ekselence që diplomojnë elita teknokratësh dhe administratorësh të talentuar. Të gjitha këto tani janë përzjerë në një nebulozë amorfe. 

    Jam për një arsim të lartë të bazuar në përgjegjshmërinë e pedagogut dhe studentit për të marrë përsipër iniciativën e formimit të të diplomuarve, jo për një student dhe pedagog pa iniciativë dhe thjesht pësues urdhërash administrative vertikale nga agjenci dhe institucione të politizuara.

    Jam për universitete private dhe publike që të bashkojnë realisht burime financiare të diversifikuara të menaxhuara afatgjatë, dhe që nxisin përgjegjësinë për cilësi nga ana e stafeve dhe nuk e shtojnë personelin e tyre pa asnjë llogari financiare bazuar te arritja e optimumit: financim – rezultate, pra kthim i investimit të bërë për burimet njerëzore ose infrastrukturore.

    Jam për një arsim të lartë të bazuar në kërkimin shkencor, dhe jo në dogma apriorike në të cilat kanë prirje të kthehen të gjitha dijet e ngurtësuara në stereotipe.

    Jam për arsim të lartë që hap perspektiva pune dhe integrimi për të diplomuarit në tregun e punës, dhe jo të bazuar në fakultete që bëjnë pranime masive studentësh, pa kritere funksionale pranimesh, ndonëse ka prej tyre anëmbanë vendit që punësimin e diplomuarve te ata e kanë zero përqind.

    Jam për një integrim të kulturës, shkencës, ekonomisë dhe administratës publike në kuptimin që në këtë të fundit të vërshojnë më të mirët dhe jo militantët.

    Jam për hapje të departamenteve, fakulteteve dhe tregut universitar shqiptar dhe jo ndërtim të tyre si kazerma të ndara me thikë dhe administrativisht.

    +++

    Nuk mund të preken të gjitha, por po ndalem vetëm në disa këndvështrime makrouniversitare pa pasur as kohën duke mos qenë as vendi për t’i zhvilluar idetë imtësisht. Por, nuk janë pjesë e utopisë, pavarësisht se është një ëndërr. Mjafton të hedhësh sytë në Europë dhe kupton se arsimi dhe shkenca te ne janë nën frenat e politikës, administratës shtetrore vertikale dhe të politizuara pavarësisht se ky vertikalitet merr emrin « agjenci », si edhe nën presionin e interesave të disa shtresave të privilegjuara, të lidershipit dhe shtresave të privilegjuara lokale ose kombëtare. Përmbledhur : Politika te ne privon dhe mban nën zinxhira shkencën, arsimin universitar dhe edukimin. Pyetja ime sot është : A do politika një qytetar të formuar apo jo ? Apo do votues të paditur që manipulohet lehtësisht ?

    +++

    Konstatimi im është se në historinë e Shqipërisë, të shqiptarëve, edhe kur nuk ishte Shqipëria shtet më vete, diferencat mes nivelit të dijeve të rinisë të vendit dhe nivelit të të rinjve europianë sot janë më të mëdha sesa kurrë ndonjëherë më parë, edhe në krahasim me atë epokë kur latimin me daltën me gur e përdorte Greku dhe latimin me gur përdorte edhe Iliriani; lopën ushqente Italiani, apo Gjermani, lopën mirëmbante edhe Arbëri. Sot kohët janë të tjera. Hendeku është thelluar shumë.

    – Tregu shqiptar i arsimit të lartë ka nevojë të hapet gjerësisht jo vetëm ndaj shqiptarofolësve të Ballkanit, por ndaj të gjithë të rinjve të Ballkanit dhe më gjerë. Politika e kuotave që kalojnë nga Ministria e arsimit u ka ardhur koha të tregojnë se janë si vrima gjëlpëre ku nuk kalon dot qarkullimi i studentëve dhe i pedagogëve.

    – Maturantët shqiptarë nuk kanë pikën e arsyes të mos shkojnë lirisht dhe drejtpërdrejt të konkurrojnë për një vend studimi në universitetet të gjithë vendit, atje ku ata dëshirojnë, por të detyrojnë të kalojnë nën kontrollin e agjencive të ministrisë për t’i shpërndarë ata atje ku asaj i teket.

    – Provimet e maturës duhet të shkëputen nga “thonjtë” e stafeve të shkollave të mesme, ku gëlojnë favoritizmat dhe privilegjet për militantët dhe presionet ndaj mësuesve, duke u organizuar në nivel qendra qarqesh, në salla dhe stadiume të mëdha.

    – Kriteret e ekselencës, nën kontroll të fortë publik, më mirë se kushdo i vendosin dhe i masin universitetet përkatëse.

    – Ka ardhur koha t’i jepet fund klonimit dhe mbivendosjes të katedrave të ndryshme që titullohen me fusha studimesh uniforme dhe homogjene, por të kërkohet që çdo profil i ri studimesh që identifikon një njësi bazë të ketë specifikat e veta të dallueshme prej të tjerave.

    – Nuk mundet që pjesazhi universitar shqiptar të jetë akoma nën paragjykimin e hierarkisë në vlera midis universiteteve në Tiranë dhe atyre dytësore në rrethe ku e vërteta është se nuk dihet shumë se çfarë bëhet. Krijimi i katedrave të ekselencës në universitete të ndryshme, pa përsëritur njera tjetrën, mund të ishte hapi i parë i profilimit të ndjeshëm të universiteteve shqiptare çka do të gjallëronte periferinë e vendit dhe do të ndihte decentralizimin real të dinamikave urbane. Të shkoj ta zemë në Universitetin e Gjirokastrës se atje ta zemë do të kishte një fakultet gjuhësh dhe letërsie, më të mirin në vend, dhe jo sepse ngaqë jam me banim në Memaliaj, dhe nuk më doli e drejta e studimeve në Universitetin e Tiranës.

    – Nuk ka më arsye që studenti në një universitet publik a privat të mos rregjistrohet në më shumë se në një profil studimesh, njëherësh ose brenda një afati të caktuar disi më të gjatë kohe. Nuk ka përse vazhdohet me mendësi të viteve ’70 : një njeri një bursë studimesh gjatë gjithë jetës. 

    – Nuk ka asnjë arësye që studenti të mos bëhet co-hartues i programit të studimeve, dhe ta zgjedhi ai vetë pistën e diplomimit nisur nga një listë e gjatë propozimesh lëndësh të bëra nga personeli.

    – Tirana ka nevojë për ëndërrën e një qendre dokumentacioni dhe biblioteke qendrore universitare me rrezatim kombëtar, sikurse e ka çdo universitet i madh në Evropë, ku unë shoh një kullë, të vetmen kullë që gjeneron dritë dhe jo shkatërrim, me disa kate mbi tokë dhe po aq nën tokë, pajisur me librat dhe dokumentet për studim bashkëhore, me mijra vende studimi për universitarët.

    – Unë ëndërroj që vlerësimet e diplomave të cojnë në një diferencim të njohur normativisht të tyre në varësi të cilësisë të universitetit që i ka dhënë ato. Diploma me nivele të ndryshme sipas niveleve të universiteteve në kohën e dhënies së tyre në vend të “shpatës” politike mbi aktorët universitarë me rrezikun e mosçertifikimit në cdo 4 vjet.

    – Ka nevojë që njësitë publike pse jo edhe private të kthehen në asete ku bashkëpjesmarrës në aksione mund të të jenë shteti , vetë universiteti, pse jo edhe personeli pedagogjik si edhe biznese të ndryshme të interesuara. Financat universitare sikundër të gjithë financat ka vend t’i administrojë ai që jep paratë. Jo me borde inkompetente të zgjedhurish pasuar me individë që vijnë atje thjesht si militantë partiakë a të njohur ministrash, pa asnjë afatgjatësi strategjike në vizionin e tyre. Vijnë e ikin cdo katër vite.

    – Nuk matet cilësia e universiteteve kryesisht me inputet si deri më sot, por me outputet, pra me atë se çfarë japin si rezultat, jo me atë që kanë si kushte paraprake. Askush nuk mat kështu rezultatin e punës. Kriteret bazë të vlerësimit të universiteteve janë arritjet në punën shkencore, niveli i dijeve i matur edhe nga provime kombëtare për lëndë bazë, si edhe nga aftësia për të ndërtuar programe studimesh që punësojnë dhe i japin impulse zhvillimit kombëtar.

    – Sistemi i notave ka nevojë të kalojë me 20 ose 30 pikë që të dallojë mirë cilësinë e përgatitjes studentore.

    Mbi këto kritere të vijnë edhe financimet buxhetore publike që atje ku duhet me konkurim publik të çelin fonde për profile studimesh ekselente pa mbajtur parasysh nëse universiteti është privat apo publik.

    Krejt të tjera ka nevojë të jenë parametrat e matjes të nivelit të kërkimit shkencor. Sot ne kemi parametra shpesh korruptivë që masin aftësinë botuese të dikujt, por jo vlerën sociale të kërkimeve shkencore.

    – Mbi të gjitha vendi ka nevojë për një diversitet qendrash shkencore dhe jo për prirje si ato të akademisë të shkencave, ndërtuar në formë staliniste, që kërkon, në kundërshtim e vetë ligjin në fuqi, të monopolizojë drejtimin e kërkimit shkencor të vendit, pa pasur asnjë potencial për këtë. Kombi duhet në cdo fushë të ketë prioritetet e kërkimit shkencor, që të jenë pista kërkimesh dhe kualifikimesh shkencore.

    Nuk po zgjatem më tej, por një reformë e arsimit të lartë nuk është një program elektoral për të vota, është përpjekja pa kompromis për ta bërë kombin më të mençur. Jemi larg ! Përndryshe do të kënaqemi me shprehjen : “Hyp këtu të shohësh Stambollin !”