Blog

  • Armand MAHO – Bëjani këtë nder Ramës më 25 prill, hiqeni nga ajo punë që s’di ta bëjë!

    Kush mendon se Edi Rama apo e gjithë shpura e Rilindjes, gjuhën cinike ia drejton opozitës gabohet. I ardhur në politikë aksidentalisht, në mentalitetin e tij është krijuar ideja se e meriton atë vend, por siç ka treguar koha ai kurrë ska ditur ta bëjë atë punë. I mbrujtur keqaz, me shpërfillje, nga një elektorat që në të vërtetë ka votuar siglën por kurrë Ramën,  ai sot është shndërruar në një njeri megaloman që nuk lë rast pa qesëndisur ata që  bënë gabim  dhe e besuan për të vetmen herë në 2013-ën.

    Edi Rama nuk u bë kurrë burrështetas dhe për këtë flet qartazi mungesa e respektit për taksat dhe paranë publike, ose e thënë më qartë për ata që po u këputen kërbishtet për të paguar faturat. Respekti i tij adresohet tek të fortët, apo kriminelët që i sigurojnë votat, dhe se ka shumë për gjë të mbetet peng i tyre. Nuk ka respekt për biznesin e ndershëm, përjashto tufën e klientëve që e ndjekin pas për tendera dhe troje. Nuk ka respekt për ata që braktisin vendin, por i sheh si turistë që duan të bredhin botën. Nuk ka respekt për pronën, për hapësirat publike, aq më pak për shtetin që ka marrë përsipër t’a drejtojë.

    Mungesa e respektit për të gjitha kategoritë duket qartë në fushatën që ai po zhvillon për të marrë një mandat të tretë. Pak ditë më parë shqytarja e tij e bindur, doli e tha se mazhorancës i duhet mandati i tretë për të ndërtuar hekurudha dhe aeroporte. Vetë “Zeusi”, dy ditë më parë vendosi se kush do të jetonte kur tha se vaksinën do e marrin vetëm personalitetet e moshuara. Përzgjedhësit do jenë Margariti, Braçe, Spiropali e më the të thashë. Prindërit e gjithsecilit nga ne, nuk konsiderohen personalitete pavarësisht se u ka rënë bretku një jetë, nën regjimin e e atëhershëm të pinjollit Rama por dhe në këtë të sotmin të kryeministrit Rama. A ka tallje më të madhe se kaq…

    ***

    Ai që ka bindjen se kjo gjuhë cinike, e mbrapshte, tallëse, frustuese, bullizuese si rrallë në këto 30 vjet i drejtohet Bashës është mediokër. Ajo u drejtohet shqiptarëve. Është një alarm, një këmbanë, një kujë se asgjë s’ka për të ndryshuar në rast se Rama fiton një mandat tjetër, madje gjërat do bëhen akoma më keq. Nuk është çudi që një votë tjetër për këtë farë qeverie të ushqejë egon mitomane jo vetëm të Kryeministrit, por dhe të atyre që e shoqërojnë të prekur nga sindromi i “të pazëvendësueshmit”.

    Një qerthull makthi prej nga të cilës Shqipëria do e ketë të pamundur të dalë më. Ku projektet në 3D do zëvendësojnë shtëpitë e atyre që për dy dimra rresht po ngrysen e gdhihen në çadra, ku të sëmurët nga Covid do vazhdojnë të mbeten në duart e “Tireve” qeveritare dhe nuk do u jepet asnjë kompensim për milionat e harxhuara, ku PPP do prevalojnë mbi çdo interes social dhe ekonomik.

    Ku propaganda siç ka ndodhur tash e tetë vjet, do vazhdojë të zëvëndësojë pensionet, pagat, shëndetësinë, arsimin apo ekonominë. Kjo është pak a shumë panorama e zymtë që pret shqiptarët në një mandat tjetër të Rilindjes. Rama ka lindur për të qenë i tillë, dhe nuk mund të ndryshojë tashmë në vigjilje të 60 viteve që mbart mbi kurriz. Nderi i vetëm që mund t’i bëjnë shqiptarët është ta largojnë më 25 prill, nga ajo punë që nuk ia ka pasur haberin asnjë moment.

  • Gentian GABA – Udhëkryqi i 25 prillit: Drejt BE-së me Bashën apo në vendnumëro me Ramën?

    Nëse ka një fushë në të cilën shihet më qashtër pamjaftueshmëria politike e Edi Ramës, ajo është fusha e integrimit europian. Në dy mandate Shqipëria nuk ka hedhur asnjë hap përpara në këtë drejtim. Nëse dikush mendon se marrja e statusit të vendit kandidat është për t’u llogaritur si arritje e kryeministrit, duhet të bëjë llogaritë me vetë Ramën, i cili u bë arsyeja e bllokimit të tij kur ishte në opozitë. Dhe slogani “nuk e japim qarkun e Fierit për Brukselin”, me mosvotimin e tri ligjeve nga opozita e atëhershme, do të bëhej edhe letër lakmuesi për leximin e veprimit të Ramës në qeveri.

    Një mendësi që ngrihet mbi vendosjen e interesave personale mbi ato kombëtare. Shembulli më i fundit është ai i ndryshimeve kushtetuese të njëanshme, të cilat thyen paqen e brishtë të ndërtuar nga kushtëzimi europian. Paçka se Edi Rama e dinte se çmimin për shkeljen e marrëveshjes së 5 qershorit do ta paguante Shqipëria, ai përsëri zgjodhi “qarkun e Fierit” dhe jo Brukselin, çka i detyroi partnerët europianë të shtyjnë përsëri dritën jeshile për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, këtë herë edhe më të vetëdijshëm se nxitësi i kësaj pengese ishte vetëm një njeri, Edi Rama.

    Andaj, përbri kushteve që kanë ardhur në rritje, nga 3 në vitin 2013 në 15-të në vitin 2020, është shtuar një tjetër, ai i zgjedhjeve të 25 prillit, jo vetëm për të këqyrur cilësinë e tyre, por edhe për të parë nëse votuesit shqiptarë i kanë brendësuar mesazhet e qarta që partnerët europianë kanë dhënë nëpërmjet kushtëzimit ndaj qeverisë Rama. Një kushtëzim që nuk ka lindur nga akuzat e opozitës apo nga humoret e brendshme të Bashkimit Europian, sikurse i portretizon Rama me propagandën e tij, por janë produkt i veprimeve të kryeministrit. Ato kanë nxitur një reagim që shpeshherë është “sur mesure” për Ramën.

    Dhe një shëtitje me sytë e mendjes përgjatë këtyre tetë viteve, që do të na çonte nga kanabizimi i gjithë vendit, te kriminalizimi i institucioneve, nga vjedhja e zgjedhjeve tek azilkërkuesit në përmasa të ngjashme me vende në luftë si Siria, nga korrupsioni në nivelet e kapjes së shtetit te pastrimi i parave të krimit të organizuar, do të mjaftonte për të kuptuar se Rama nuk është zgjidhja, por problemi.

    Këtë e dinë europianët, por e di edhe Rama. Prandaj ka nisur ta relativizojë procesin e integrimit, ta përshkruajë BE-në me fjalë që i shkojnë për shtat politikanëve që drejtojnë vende anti-europiane, të shohë nga lindja dhe jo nga perëndimi; të gjitha këto shprehje të pafuqisë së tij për t’u përballur me ngecjen e procesit të integrimit, sidomos në prag të zgjedhjeve, ku përballë nuk do të ketë vetëm bilancin e tij negativ në këtë drejtim, por edhe Lulzim Bashën, një kundërshtar që në këtë fushë ka qenë protagonist në procese historike për vendin dhe që ka shfaqur ambicien, të mbështetur në përvojë të suksesshme, për ta çuar në destinacion ëndrrën e vjetër të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në këtë ambicie Basha nuk është i vetëm, pasi gëzon një mbështetje nga partitë simotra të PD-së, të cilat sot janë mazhoranca qeverisëse në Parlamentin Europian dhe atë të CDU-së gjermane, forca politike që drejton lokomotivën e Europës.

    Si për të shprehur vullnetin e tij për ta nxjerrë sa më parë Shqipërinë nga ngërçi në procesin e integrimit, Basha është shfaqur këto ditë në takime me kryeministra të vendeve të BE-së. Ndër to vlen të theksohet ai me kryeministrin e Sllovenisë, që për pak muaj do të marrë Presidencën e radhës të Bashkimit Europian. Presidencë që do të jetë e rëndësishme për të mbyllur sa më parë kapitullin e çeljes së negociatave dhe për të nisur me ata kapituj që do ta çojnë Shqipërinë drejt BE-së.

    Shprehje e qartë e një vizioni që nuk përkthehet vetëm si përmbushje e një procesi teknik, por mbi të gjitha si një vullnet politik për të fituar kohën e humbur dhe për të përmbushur sa më parë ambicien europiane të qytetarëve shqiptarë, të cilët vetëm fitojnë nga ndreqja e trajektores europiane e Shqipërisë.

    Kësodore, 25 prilli do të jetë një udhëkryq i rëndësishëm edhe për rrugëtimin europian të vendit, ku çështja që shtrohet për zgjidhje është mjaft e qartë: Qëndrimi në vendnumëro me Ramën, sikurse ndodhi këto dy mandate, ku JO-të ndiqnin njëra-tjetrën, apo drejt BE-së me Bashën, në gjurmët e arritjeve të mëdha Euroatlantike të pak viteve më parë?

    Nga bilancet e dy kandidatëve për kryeministër në politikën e jashtme, është e qartë se me cilin prej tyre Shqipëria fiton.

  • Armand SHKULLAKU – Lëreni të shkojë të merret me fëmijët

    Pas 8 vitesh, Edi Rama u tha shqiptarëve se është i gatshëm të sakrifikohet për ta duke qëndruar edhe 4 vite të tjera në pushtet. Ai do të kishte dashur t’i përkushtohej familjes së tij, por duke qenë se është i vetmi që ka “fuqinë e ambicies, vullnetit, dijes dhe eksperiencës”, është i dënuar të jetë përsëri kryeministër.

    Ky është rasti i parë kur një kryeministër , pas 8 viteve qeverisje, kërkon të marrë një mandat të tretë për të realizuar ato që premtoi në dy të parët. Reformimin e sistemit shëndetësor, luftën kundër korrupsionit, taksim progresiv më të drejtë, infrastrukturë moderne, etj. Këto i ka përmendur vetë Rama, pa u skuqur e pa u zverdhur, në postimin e famshëm, ku merr përsipër me vetmohim të sakrifikohet për popullin edhe 4 vjet të tjera në karriken e kryeministrit.

    Paradigma e liderit që nuk ka bërë asgjë në 8 vjet por duhet rizgjedhur se përsëri mbetet më i miri, është e vetmja mbi të cilën mund dhe po ngrihet fushata e Ramës. Në vend të ballafaqimit me secilin prej premtimeve që ka marrë përpara shqiptarëve, ai zgjedh të merret me kundërshtarin politik. Në vend të bilancave, preferon të deligjitimojë me gjuhë perverse mediat që ia shpalosin ato. Në vend të tregojë rezultatet konkrete të qeverisjes së tij, shfaqet si hije e Erion Velisë duke shëprndarë ca çelësa shtëpish. Inspektime me projekte 3D në dorë, ministra mbi traktorë sapo kthehen nga Dubai, stadiume e pallate sporti për të injektuar një grusht vaksinash… Dhe për t’i shëptuar ikjes nga llogaridhënia për të shkuarën qeverisëse, tashmë shënon kulmin e pacipësisë me tezën e re: Më zgjidhni mua se mendoj më shumë për ju se sa për familjen time biologjike!

    Mirëpo qytetarëve u mungojnë provat se Edi Rama vërtetë mendon për ta. Dhe kjo jo vetëm se si kryeminstër në 8 vite u ka dhënë vetëm shfaqje dhe jo mirëqënie, por edhe se personalisht bën një jetë tjetër nga ajo që reklamon. Atij i mungojnë si rezultatet ashtu edhe shembulli personal për t’i bindur shqiptarët për vetësakrifikimin e tij edhe katër vjet të tjera.

    Sa më shumë të afrohet data e zgjedhjeve, aq më shumë do ta dëgjojmë Edi Ramën ta paraqesë veten si të vetmen alternativë për Shqipërinë. Ai do ta evitojë me çdo kusht pyetjen se çfarë ke bërë në 8 vjet, duke i mbivendosur diskursin se ata të tjerët janë më keq se ai. Ai do të bredhë nëpër qytete e katunde, jo duke marrë përgjegjësi për ekonominë në kolaps e premtimet e pambajtura, por duke vizatuar dhjetra porte e aeroporte, miliona e miliarda që pritet të vërshejnë në Shqipëri. Edi Rama nuk mund të flasë për premtime tokësore, sepse ato do ta nxirrnin zbuluar paaftësinë dhe dështimin e tij, si i vetmi kreyministër me bilancin më të keq qeverisës në 30 vitet e fundit. Ai do të rrëfejë vetëm endrra me gjellë pasanikësh e lugë floriri, si manipulimi i fundit që i ka mbetur të provojë.

    I vetëdijshëm që ëndrrat nuk i ngopin njerëzit kur ngrihen në mëngjes, ka vendosur t’i japë edhe dimensionin sentimental këtij manipulimi. Ai do të ndërtojë fabulën e kryeministrit që vuan nga pesha e kryqit e të pushtetit për hir të popullit dhe jo të menaxherit të interesave të një grushti njerëzish. Se ai nuk është kryeministri i të pasurve, i PPP, koncensioneve, i zero investimeve të huaja për shkak të korrupsionit. Se nuk është kryeministri i kanabisit dhe vërshimit të parave të drogës, i banditëve me pushtet dhe pushtetit në shërbim të tyre. Se nuk është kryeminstri që po mban vendin peng në dyert e Europës dhe po i dërgon shqiptarët rrugëve të saj.

    Tani, pas 8 viteve, ai po kërkon të shndërrohet në kryeministrin e popullit. Madje i gatshëm të vetëflijohet për të, duke mos shkuar në shtëpi edhe katër vite të tjera. Nëse mendon të bëjë një sakrificë për shqiptarët, bën mirë të shkojë vërtetë në shtëpi. Familja do të çmallej me të dashurin e munguar dhe të tjerëve nuk do t’u mungonte kryeministri i përvëluar.

  • Ardit GJINALI – “Energjia për ndryshim sot është vullneti për Shqipërinë normale nesër”

    Ardit GJINALI – “Energjia për ndryshim sot është vullneti për Shqipërinë normale nesër”

    Angazhimi njerëzor për një ndryshim thelbësor që do të shpëtonte Shqipërinë nga kthetrat e jo-normalitetit mbetet një mision i rëndësishëm shoqëror dhe patriotik; një shpëtim kombëtar që do të shërbente për një rrugëtim të ri në udhën e besimit dhe shpresës… e tilla për të shpëtuar qytetarin dhe  shoqërinë dhe për të fituar sërish Shqipërinë… e tilla me të tashme të rrëmbyer përdhunshëm dhe të vërtitur diku  në honet dhe skutat e normalitetit të vjedhur për të mos u gjetur… një e tashme e rrëmbyer nga arbitrariteti pushtet-ushtrues  dhe e fshehur nga djallëzia pushtet-mbajtëse. Anormaliteti është ngulur këmbë-kryq duke dërguar vendin në një udhëkryq të rrezikshëm; një anormalitet i imponuar nën ngjyrat e gënjeshtërta të natyrshmërisë shoqërore që vizatojnë shqiptarin jo-normal, të tillin që meriton diktatin dhe pranon thundrrën e të gjithë-pushtetshmit.

    Jetojmë në realitetin e zymtë të ditëve autokratike, të tillat ditë  që nuk  zbardhen dot nga errësira që përcjell keqqeverisja; jetojmë në aktualitetin aspak normal  ku çekani i  arbitraritetit që nëpërkëmb secilën normë dhe shkel secilin ligj qëndron mbi kryet e secilit shqiptar të ndershëm e të zakonshëm, i tilli që përballon me dinjitet secilën pamundësi të shkaktuar nga ansambli i mëkatarëve pushtet-ushtrues; qytetari që ndjen imponimin e përdhunshëm të sagës së anormalitetit që kërkon përshtatjen dhe tjetërsimin e të tillit në një  frymor; një frymor  me zë të harruar dhe me kurajo të rrëmbyer që nuk përdor dot dorën e tij për të thënë “ndal” dhe “mjaft”, por i përdor të tillat për të duartrokitur normalitetin e munguar.

    Realiteti i sotëm politik dhe shoqëror është fytyra asfare meritore e Shqipërisë, e tilla që nuk meriton përjetimin e një kalvari ku takohen paaftësia, papërgjegjshmëria e qëllimtë, njeriu i munguar dhe shtetari i tjetërsuar ; një takim dramatik në kufijtë  e tragjikes për fatin e një shoqërie me të tashmen e uzurpuar nga vrangonjtë e arrogancës pushtetore. Arroganca pushtetore mund të përballohet përmes një energjie të përbashkët ndryshimi të faktorëve të ndryshëm shoqërorë që kërkojnë një Shqipëri tjetër…….Shqipëria e njerëzve që kërkojnë të ndërtojnë të ardhmen në këtë vend , në një shtet të së drejtës  ku mundësia përbën thelbin e lirisë individuale, në një vend me ekonomi të qëndrueshme ,demokraci funksionale dhe  me shpirt të reagimit shoqëror  ndaj arbitraritetit dhe trajtimit të pabarabartë ;  -në vendin ku  mosharresa e së shkuarës së errët është antitrupi më i  mire për të ndaluar përsëritjen e së njëjtës dhe  për vijimin pozitiv të ndryshimit të së tashmes dhe ndërtimit të së ardhmes, gjthashtu.

    E sotmja është kushtrimi për një bashkim të madh për të rikthyer të tashmen e rrëmbyer ; është apeli për të mundur shkurajimin, pezmin, trishtimin që shkakton veprimi i shtet-pushtetit; është thirrja për të vazhduar së bashku në emër të secilës sakrificë së ndërrmarrë gjatë këtyre viteve të vështira. E sotmja është ftesa për të hedhur tutje shumëçka nga ndasitë që janë të vogla në raport me aktin e madh të goditjes  së  udhëkryqit të imponuar nga autokracia qeverisëse që tenton të polarizojë skajshmërisht vendin, si i tilli element thelbësor që do të jetësonte sundimin keqqeverisës. E sotmja është energjia njerëzore për të garantuar një ndryshim të qënësishëm që do të kthente besimin për një fillim të Ri të një Shqipërie normale me ditë më të mira dhe një shpresë të re. Koha për një bashkim të madh për të shpëtuar të tashmen dhe për të vendosur themelet e një të ardhmeje normale të së nesërmes  është tani!  Një bashkim i madh është besimi për ndryshim dhe shpresë! Bashkë sepse ka ende shpresë…

  • Erion DASHO – Djallëzia e Boratit!

    Erion DASHO – Djallëzia e Boratit!

    Viti 2020 u mbyll me bluzat e bardha të cilave u këndoheshin këngë, shpalleshin qytetarë nderi dhe vetë kryeministri u çonte lule dhe bombone për t’i përgëzuar për “heroizmin” e treguar në përballje me “armikun e padukshëm”.

    Tashmë Tirja është bërë simboli i padëshiruar i mënyrës se si ofrohet kujdes shëndetësor në Shqipëri. Nuk ka si ndodh ndryshe në vendin ku politika kontrollon gjithçka dhe paraqet gjithçka sipas interesit të vet.

    Nisi me rastin “Tire”, vazhdoi me kërcënimin për të ndaluar dypunësimin e mjekëve dhe u finalizua me linçimin publik të Dr. Edvin Priftit. Të gjithë këto lëvizje i shërbejnë një plani të mirëmenduar dhe djallëzor të kryeministrit dhe enturazhit të tij.

    Si përfiton politika nga demonizimi i mjekëve dhe nxirja e bluzës së bardhë?

    Së pari, Borati u mbush mendjen votuesve se drejtësia e re boratase ka nisur të funksionojë. Nuk ka rëndësi në se je sanitare apo shtylla e një shërbimi shëndetësor jetëshpëtues, “drejtësia” e Boratit vepron njëlloj dhe është e pamëshirshme. Të huaj e vendas duhet ta “hanë” me qejf këtë pjatë bajate, por që është përgatitur dhe servirur mjeshtërisht.

    Së dyti, Borati dhe boratasit nuk ka ditë të mos përfliten për skandale. Tendera të fshehtë që si me magji fitohen me fond limit, qytete që përmbyten edhe nga vesa më e lehtë, koncesionarë që i mirëmbajnë rrugët në “të thatë”, por sa bie 20 cm dëborë ngecin, etj. Drejtësia e Boratit sigurisht hesht dhe është e paaftë të veprojë kundër korrupsionit të vërtetë. Por në se u hedh ca bluza të bardha turmave, këto të fundit do të harrojnë skandalet miliardëshe.

    Së fundi, dhe më e rëndësishmja, duhet gjetur alibia për katastrofën shëndetësore të COVID-it që u shpërtheu boratëve mú më mes të fushatës elektorale dhe është pasojë e drejtpërdrejtë e paaftësisë dhe amatorizmit. Ku ka zgjidhje më të mirë se t’ua lësh dështimin në derë “heronjve” të djeshëm? Dështimi me testimin, gjurmimin, trajtimin, etj. shitet tek bluzat e bardha, ndërsa Borati dhe boratët me pamje solemne presin 7,020 vaksinat “shpëtimtare”. Ndërkohë që numri real i vdekjeve si pasojë e keq menaxhimit të epidemisë e ka vendosur Shqipërinë midis vendeve më të prekura në planet.

    Borati ka hartuar dhe po zbaton një plan djallëzor për të tërhequr vëmendjen nga dështimi total me menaxhimin e epidemisë dhe jo vetëm. “Heronjtë” e djeshëm janë bërë viktimat e sotme.

    Para disa muajsh u pata bërë thirrje kolegëve që të refuzonin cilësimin e pamerituar “hero” dhe aleancën ta shihnin me qytetarët dhe jo me politikën.

    Ende janë në kohë për të demaskuar dëmin e jashtëzakonshëm që politika i ka bërë jetës dhe shëndetit të qytetarëve…

  • Sali BERISHA – Shqipëria, spitali më i madh i globit!

    Sali BERISHA – Shqipëria, spitali më i madh i globit!

    Shqipëria në të katër anët e saj lëngon si kurrë më parë në historinë e saj. Keqmenaxhimi ekstrem i pandemisë bazuar në vjedhjet, mashtrimin dhe manipulimin nga Xhahili i Surrelit, ndrikull Hajnia dhe kupola e konfliktit të interesit kanë bërë që Shqipëria sot të jetë për numrin e të sëmurëve që lëngojnë me COVID-19 në shtëpitë e tyre në proporcion me popullatën, spitali më i madh i globit.

    Në Shqipëri sot, nga Vermoshi në Konispol, dergjen në shtëpitë e tyre me COVID-19 dhjetëra mijëra të sëmurë, qindra por dhe mijëra prej tyre ndahen nga jeta pa asnjë ndihmë mjekësore.

    Kjo, sepse Shqipëria, ndonëse vendi me numrin ditor të të infektuarve më të lartë në botë pas Malit të Zi, me urdhër të Xhahilit të Surrelit ka numrin më qesharak dhe më të ulët në botë të shtretërve Covid dhe po me urdhër kriminal të tij, ajo ka numrin më të ulët në botë të shtrimeve në spital. Kështu, Shqipëria me 7739 raste javore ka shtruar gjithsej më pak se 100 raste në 7 ditë.

    Në Shqipëri, numri i të shtruarve në ditë në spitale mbahet i fshehtë nga Xhahili i Surrelit, ndrikull Hajnia dhe kupola e konfliktit të interesit, por nga data 8 gjer në datën 14 shkurt me gjithë 7739 rastet e reja në Shqipëri, numri i të shtruarve në spitalet Covid u rrit nga 499 të shtruar që ishin më datë 8 shkurt –  në 531 të shtruar. Pra u rrit me 34 të shtruar më shumë në katër spitalet Covid më datë 14 shkurt. Kurse Franca, me 82 mijë raste javore, ka shtruar në spitale javën e fundit 10037 raste! Krahasimi dëshmon dallim dramatik.

    Në këto të dhëna – dëshmi e keqmenaxhimit ekstrem të pandemisë, qëndron shkaku themelor i 6049 vdekjeve të tepërta në Shqipëri gjatë vitit 2020 me të cilat Shqipëria renditet e para në botë pas Meksikës dhe Perusë.

    Po në keqmenaxhimin ekstrem të pandemisë nga Xhahili i Surrelit, ndrikull Hajnia dhe kupola e konfliktit të interesit qëndron shkaku i numrit ditor të rasteve me COVID-19 më i lartë në botë në Shqipëri pas Malit të Zi, megjithëse Shqipëria ka ndër testimet më të ulëta në botë.

    Këto të dhëna dëshmojnë gjithashtu:

    Keqmenaxhimin ekstrem kriminal të pandemisë nga Xhahili i Surrelit, Ndrikull Hajnia dhe kupola e konfliktit të interesit, e dëshmon mbajtja e numrit qesharak më të ulët në botë të shtretërve për trajtimin e të sëmurëve me COVID-19;

    Rrezikun e madh që përbën për jetën e mijëra e mijëra të sëmurëve mosshtrimi i tyre në spital;

    Rezikun e jashtëzakonshëm që përbën për shqiptarët përhapja e lirë e COVID-19 nga qendrimet kriminale të papërgjegjshme të Xhahilit të Surrelit në menaxhimin e pandemise së COVID-19 të bazuara në vjedhjet, mashtrimet dhe manipulimet!

    Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe keqmenaxhimin ekstrem të pandemisë në vendin tonë, kërkoj:

    Shkrirjen e menjëhershme të kupolës së konfliktit të interesit që përdor menaxhimin e pandemisë në funksion të suksesit imagjinar të Xhahilit të Surrelit;

    Krijimin me urgjencë të Komitetit Kombëtar për menaxhimin e pandemisë së COVID-19 të kryesuar nga Presidenti i Republikës;

    Krijimin e Komitetit të Ekspertëve me specialistë të shquar, vendas dhe të huaj jashtë çdo konflikti të interesit që do të këshillojë Komitetin Kombëtar;

    Kërkesen nga Avokati i Popullit të një hetimi ndërkombëtar për përgjegjësit e keqmenaxhimit ekstrem të pandemisë COVID-19 në Shqipëri.

  • Red VARAKU – Degradimi që po prodhon paranoja e humbjes së pushtetit

    Red VARAKU – Degradimi që po prodhon paranoja e humbjes së pushtetit

    Ka një përpjekje për ta shpjeguar sjelljen e degraduar dhe të papërgjshme të Ramës me pushtetin strikt nga pikëpamja politike, pra si produkt i disa rrethanave të arsyeshme politike.

    Çka do të ishte krejt normale për një lider politik, sepse ajo që në fakt duhet të na interesojë tek një lider është pikërisht raporti dhe sjellja e tij politike, orientimi politik, përgjegjshmëria politike, toleranca politike, vendimet politike etj.

    Por, kjo qasje nuk vlen për të analizuar Ramën, sepse ajo që ne konsiderojmë sjellje politike të tij, në fakt është thjesht raporti i degraduar mendor dhe psikologjik i këtij njeriu me pushtetin.

    Ndaj me shumë se sa tek rrethanat politike, çelësi i zberthimit të arsyeve të sjelljes se tij të paqëndrueshme njerëzisht dhe politikisht duhet kërkuar vetëm tek ç’rregullimi i rëndë personalitetit të këtij njeriu, tek degradimi evident emocional dhe tendencat e tij të rënda sociopate.

    Ky çrregullim i rrezikshëm nuk kërkon ekpertizë për tu argumentuar, sepse e kemi parë të gjithë. E pamë të shpërfaqej dhunshëm tek përgjimet e BILD, e provuam pamëshirshëm tek menaxhimi skandaloz i pasojave që la tërmeti, po e ndjejmë mbi kurriz çdo ditë me menaxhimin shkatërrues dhe të papërgjegjshëm të pandemisë dhe po e shohim brutalisht me paqëndrueshmërinë e tij psikologjike, pikërisht në momentet më të vështira për vendin.

    Kjo për shkak se edhe ai vetë e ka kuptuar që po shkon drejt fundit dhe paranoja nga humbja e pushtetit në vend që ta kthjellojë, e ka bërë që të shkëputet edhe më shumë nga realiteti.

    Në fakt ishte e parashikueshme që ai të bëhej më agresiv kundër‘armiqve’ dhe të izolohej edhe më shumë nga realiteti, por askush nuk e kishte parashikuar që ky njeri do të degjenerojë tërësisht dhe do investohej kaq paturpësisht që t’i vjedhë zgjedhjet sërish siç po bën fjala vjen qoftë me ndryshimet e njëanshme kushtetuese, qoftë me angazhimin e strukturave kriminale për shantazhimin e zgjedhësve.

    Kjo sepse raporti i tij me pushtetin është toksik. Është pikërisht paranoja nga humbja e tij që arsyeja që ai e ka kthyer PS në një sekt personal, që preokupim kryesor ka mirëqënien shpirtërore të liderit.

    Ai e ka kthyer atë në një instrument vetëm në shërbim të interesave të tij personale dhe për këtë mjafton të shikojmë se si askush nuk reagon kundër tij, por e llastojnë paturpësisht me lëvdata mediokre edhe kur dështimi është ulëritës.

    Rasti i mungesës së një reagimi për përgjimet skandaloze ku parakalonte e gjithë elita e PS, rasti i mungesës së një reagimi për dështimin me tërmetin, ku ka ende shumë qytetarë të mbetur nëpër çadra ndërkohë që janë dhënë miliarda nga BE për ta dhe fakti që nuk kemi asnjë reagim për katastrofën, që ky njeri po shkakton për shkak të keqmenaxhimit të pandemisë  është një provë që PS jo vetëm nuk e ka fuqinë ta ndalë më këtë njeri, por është kthyer në një kamzhik në dorën e këtij njeriu kundër qytetarëve të këtij vendi.

    Është pra pikërisht ky raport toksik që ky njeri ka me pushtetin që e ka kthyer atë në njeri të rrezikshëm sot, sepse kjo ‘sëmundje’ ia bën të pamundur të kuptojë dhe të përballet me faktet kokëfortë të dështimit të tij me të cilat po përballet çdo ditë.

    E vetmja shpresë për qytetarët mbetet fakti që pas dy muash kemi zgjedhje.

    Lajmi i keq është fakti që institucionet tona dështuan për ta bllokuar instiktin e këtij njeriu për të instaluar një autokraci të re, por lajm i mirë është fakti që shqiptarët kanë ende miq të vërtetë në botë, të cilët ia duan të mirën dhe nuk mund ta lejojnë një tjetër eksperiment të rrezikshëm dhe këtë e dëshmon presioni i shtuar mbi qeverinë shqiptare përmes bllokimit të integrimit.

    Sigurisht, tani i takon atyre ta formalizojnë aktin e largimit të tij në 25 prill. Kjo jo vetëm si nevojë për ndryshim, por edhe për t’i kujtuar kujtdo që fuqinë për ndryshim nuk e ka askush në dorë, përveç vetë qytetarëve.

    Ndaj, për asnjë çast nuk duhet neglizhuar kurrë përgjegjësia që kemi për të përzgjedhur ata që do na qeverisin, sepse mjafton të hedhim sytë përreth për të kuptuar rëndësinë e vendimeve tona të pamatura.

    Pas 25 prillit do të fillojë një kapitull i ri për shqiptarët. Sigurisht qeveria që do vijë do ketë rolin e saj në mënyrën se si do përparojë Shqipëria, por në asnjë rast nuk duhet të harrojmë që fuqinë dhe rolin kryesor për këtë e kemi në dorë vetëm ne.

  • Klodian TOMORRI – Trifekta e pafytyrësisë

    Servirja e video propagandës qeveritare nga kabina e borëpastrueses teksa mijëra qytetarë ishin të bllokuar dhe po ngrinin për vdekje në rrugët anembanë Shqipërisë shënoi një çast të ri kulmor në hipokrizinë e qeverisë.

    Por këtë herë teatri shkoi aq keq, saqë u vetëdemaskua.

    Vetëm pak orë përpara se qeveria të servirte videon me borëpastrueset në ballë të punës, Policia e qeverisë kishte njoftuar nisjen e hetimeve për shpërdorim detyre ndaj kompanisë që mirëmban akset rrugore në veri të vendit. Këto të dyja nuk mund të rrinë dot bashkë. Rrugët ose mirëmbahen ose ai që i mirëmban ka shpërdoruar detyrën. Por me sa duket skenaristi i propagandës duhet ta ketë humbur fillin.

    Ndoshta edhe me të drejtë, pasi në 8 vite, propaganda është sektori më i ngarkuar i qeverisë. Pas kaq shumë lodhje, imagjinata degradon në skenarët banalë të ministreve që u hipin borëpastrueseve, njësoj si traktoristet heroina të Partisë së Punës, që ngjitën traktorin në Çukën e Frëngut.  

    Por pyetja që shtrohet natyrshëm në këtë situatë është; çfarë e detyron një qeveri të bëhet kaq qesharake? Dhe përgjigja më e natyrshme, që të vjen në mend është dështimi. Qeveritë bëjnë propagandë kur duan të mbulojnë dështimet. Por këto të fundit, zakonisht rrjedhin nga korrupsioni. Dhe kjo është trifekta e pafytyrësisë. Korrupsion, dështim, propagandë. A nuk ndodhi e njëjta gjë edhe me pandeminë? Tani të kthehemi tek faktet.

    Në vitin 2014, qeveria dhe Banka Botërore nisën një projekt me vlerë 156 milionë dollarë për mirëmbajtjen dhe sigurinë rrugore mbi bazën e performancës. Projekti e ndau Shqipërinë në katër rajone dhe përzgjodhi 1350 kilometra rrugë kombëtare, mirëmbajtja e të cilave u dha tek privatët me afat 5 vjeçar,

    Aksi Balldre-Lezhë-Milot është pjesë e rajonit të veriut. Tenderi për kontratën e majme u zhvillua në vitin 2017 dhe fitues u shpall një konsorcium prej dy kompanish; grekja Jv Bioliap dhe shqiptarja Geci shpk.

    Sipas kontratës, qeveria do t’u paguajë të dy kompanive 19 milionë dollarë në total dhe për pesë vjet ato do të mirëmbajnë 270 kilometra rrugë në veri të vendit duke përfshirë rikonstruksionin e rrugëve të dëmtuara si dhe mirëmbajtjen rutinë dimërore.

    Ngjarjet e një ditë më parë treguan se projekti që thith miliarda nga paratë e buxhetit, rrugët i ka lënë rrugëve. Reshjet e borës këtë fundjave ishin paralajmëruar prej më shumë se 10 ditësh. Por pavarësisht paralajmërimit, pavarësisht faktit se aksi Lezhë-Milot-Balldrenë ndodhet në një terren fushor, rruga u bllokua totalisht duke lënë me mijëra qytetarë, përfshirë të moshuar dhe fëmijë, gjithë natën nën terrorin e të ftohtit të acartë.

    Qytetarët shqiptarë po paguajnë 156 milionë dollarë për mirëmbatjen e akseve kombëtare, me qëllim që rrugët të mirëmbahen dhe të jenë të kalueshme në çdo kohë. Por mjafton vetëm një ditë borë dhe kushdo që mund të jetë duke udhëtuar rrezikon të humbasë jetën në rrugët e bllokuara, ashtu siç ndodhi të shtunën në çdo cep të Shqipërisë.

    Kjo është një indicie e fortë, që Prokuroria të nisë hetimet për të gjithë projektin 156 milionë dollarë të mirëmbajtjes dhe sigurisë rrugore, duke përfshirë prokurimin, zbatimin, por edhe mbikqyrjen e tij si nga Autoriteti Rrugor Shqiptar ashtu edhe nga konsulenti i pavarur. Pasi veç 156 milionë dollarëve për mirëmbajtjen, taksapaguesit shqiptarë paguajnë edhe një kompani konsulente që mbikëqyr zbatimin e kontratave të mirëmbajtjes.

  • Erion DASHO – A po manipulon Instituti i Statistikave me numrin e vdekjeve?

    Erion DASHO – A po manipulon Instituti i Statistikave me numrin e vdekjeve?

    Çdo datë 12 të shkurtit, majit, gushtit dhe nëntorit, INSTAT publikon tabelën e Treguesve Demografikë për tremujorin paraardhës.

    Ishte pikërisht ky raport i datës 12 nëntor 2020 që provoi për herë të parë mashtrimin me vdekjet nga COVID-i. Pas daljes së atij raporti, u kuptua se vdekshmëria prej COVID-it në periudhën  korrik – shtator 2020 nuk ishte 288 sa pretendohej nga qeveria, por rreth 1,300.

    Disa ditë më pas, kreu i opozitës do të provonte se ky mashtrim bëhej qëllimisht, ku të paktën gjysma e vdekjeve fshihej si pasojë e përgjegjësive të paqarta në raportim dhe përkufizimit të termit “vdekje nga COVID” sipas interestit dhe leverdisë së qeverisë.

    Për shkak se diferencat në raportimin e vdekshmërisë prej COVID-it janë një fenomen i njohur (objektiv në pjesën më të madhe të vendeve, por i lidhur me mashtrimet në vendet autoritare dhe gjysmë-autoritare), mekanizma investigues prestigjiozë i janë referuar pikërisht numrit të shtuar të vdekjeve për të vlerësuar numrin real të vdekjeve nga COVID-i.

    Studime të besueshme epidemiologjike në gjithë botën flasin se ka një lidhje direkte midis vdekjeve shtesë dhe vdekjeve nga COVID-i. Kështu VDEKJET REALE nga COVID-i vlerësohen midis 90% dhe 110% të numrit të vdekjeve shtesë.

    Në këtë kontekst, revista Monitor në Shqipëri ju referua shifrave të gjendjes civile dhe zbuloi se gjatë vitit 2020, Shqipëria ka patur 6,049 vdekje shtesë.

    Bazuar në këto vlera të vdekshmërisë shtesë, Shqipëria në datën 31 dhjetor 2020, nuk kishte 1,181 vdekje nga COVID (aq sa raportonte zyrtarisht Ministria dhe Komiteti), por një  numër real të vdekjeve midis 5,444 dhe 6,554.

    Në përputhje me këto shifra, Shqipëria nuk ishte një vend në mes të listës Europiane të vdekjeve nga COVID, por një nga tre vendet me vdekshmërinë më të lartë në Europë, madje edhe më të lartë se Britania e Madhe, Belgjika, Franca, Italia dhe Spanja që njihen botërisht për numrin e lartë të vdekjeve nga COVID dhe që në statistikat zyrtare mbajnë vendet e para për nga numri i vdekjeve për 1 milion banorë.

    Pikërisht në datën 12 shkurt 2021, ditën kur pritej dalja e publikimit periodik të INSTAT që do të zyrtarizonte numrin e vdekjeve ekstra gjatë tremujorit të fundit 2020 dhe, rrjedhimisht gjatë gjithë vitit 2020, ky publikim është fshehur.

    Kur klikon në faqen e INSTAT-it: http://www.instat.gov.al/…/lindjet-vdekjet-dhe…/… (hera e fundit që unë klikova ishte ora 06:00 a.m. e datës 15 shkurt 20201) linku i raportit të tremujorit të fundit 2020 nuk hapet.

    Hapet raporti i tremujorit të tretë dhe deklarohet se në datën 12 maj 2021 do të publikohet raporti i tremujorit të parë 2021, por linku i tremujorit të katërt 2020 nuk hapet.

    Në këto kushte, shqiptarët kanë të drejtë të pyesin: Pse fshihen shifrat zyrtare të vdekjeve?

    A mos po tentohet manipulimi i tyre?

  • Ardit GJINALI – “Bora e bardhë që tregoi faqjen e zezë së keqqeverisjes”

    Ardit GJINALI – “Bora e bardhë që tregoi faqjen e zezë së keqqeverisjes”

    Bora nuk mbuloi dot mëkatet keqqeverisëse, e tilla zbardhi shumëçka, por nuk mbuloi dot zezonën e pisllëkut që dergjet në secilin segment të të quajturit shtet që nuk po lihet i lirë nga sejmenët që përbëjnë mozaikun e pushtetit; bora me bardhësinë e saj tregoi mungesën ulëritëse të veprimit institucional në mbështetje të qytetarëve… të tillët taksapagues që derdhin mundin e tyre në mbushjen e arkave të një shteti që zhgërryhet fasadave  bojë-dala dhe që fryn të tillën administratë që e ka humbur dita-ditës emërtimin shtetërore, njëjtë si shteti që ka humbur rrugën sepse është kapur tërësisht nga pushteti. Shtet-pushteti që kërcëllet dhëmbët ndaj qytetarit të pafajshëm; kujdestarët e maskës që gjobisin qytetarin halleshumë apo inspektorët politikë që lexojnë nenet pandemike dhe gjobisin secilin mikpritës të aktiviteteve politike opozitare; shtet-pushteti që ka gjetur të ashtuquajturën zgjidhje që përkon me ndalimin e gjithçkaje në momentin e shfaqjes së të parit problem… mjetet e rënda ishin të privuarit nga fermani qeveritar i ndalesave të rradhës… i njëjti ferman që mbylli përditshmërinë në muajin Mars të vitit të shkuar dhe të tjerët në rradhë që ngjyrosnin Shqipërinë, e tilla që është shndërruar në një zonë të kuqe ku të konsideruarit  tufa frymyese po lihet të përballet me fatin e saj.

    Të kujtuarit e ngjarjeve të së shkuarës së afërt nuk është kurrë i tepërt… asfare i mërzitshëm në këto kohë të zymta për secilin të këtyre anëve… shtet-pushteti nuk kishte qen  shpëtimi në kohën kur tërmeti lëkundi vendin, i tilli shtet- pushtet nuk kishte shumëçka nga mjetet e duhura që duheshin për të shpëtuar më shpejt ç’ka kishte mbetur nga tërmeti shkatërrimtar, i njëjti shtet-pushtet ofroi minimumin e ndihmës ekonomike për flukset e popullatës dhe bizneseve që u prekën nga efektet e mbylljes së nxituar dhe pa plan, ky shtet-pushtet i shakave pa kripë dhe i kriposur restoranteve të luksit nuk ka kripën që duhet për ta hedhur rrugëve;shtet-pushteti që nuk pastrohet dot nga shumëçka e ndotur gjatë viteve keqqeverisëse nuk ka të tillat borë-pastruese që do ta lehtësonin situatën; i njëjti shtet-pushtet i mungesave të mëdha nuk harron të derdhë  gazin lotsjellës ndaj qytetarit që proteston,  përdor  mjetet  e  rënda kur duhet të vihet në zbatim ndonjë projekt infrastrukturor i diskutueshëm si i tilli i Unazës në Tiranë,  darovit klientët  me paratë e buxhetit të shtetit,  kridhet në propagandën  zhurmëmadhe që dëshmon realitetin e gënjeshtërt që po jetojmë.

    Bora me bardhësinë  e saj zbardhi të vërtetën dramatike të mungesës së shtetit, thjeshtësia dhe ftohtësia e frikshme e përcjelljes së secilës ngjarje që rrezikon dhe jetën e qytetarëve në periudhë pandemie; pamja e një mjeti të urgjencës që nuk lëvizte dot  ishte dëshmia e dhimbshme e rëndësisë së munguar për jetën; sirenat e së tillës urgjencë ishin alarmi për një Shqipëri që është në rrezik nga përgjegjësia e harruar dhe përgjegjshmëria e munguar; alarmi për një Shqipëri që duhet të kërkojë doemos ndryshimin përfundimtar….të tillin ndryshim të qasjes dhe sjelljes qeverisëse ndaj shtetit….koha që Shqipërisë ti kthehet shteti përmes një ndryshimi që do të vendosë normalitetin.

    Bora zbardhi shumë, por gëzoi pak në këtë vend… e tilla nuk zbardhi dot errësirën që ka pllakosur vendin… e tilla borë gëzoi pak… pak  nga gjenerata e re , fëmijët e këtij vendi që ende nuk e kuptojnë dramaticitetin e përditshëm që përballen prindërit e tyre… le të jetë gëzimi i tyre për borën si një parathënie e një gëzimi për një të ardhme ku gjenerata e tyre do të gëzojë ditët më të mira dhe një shpresë të re që po lind sot për një Shqipëri  normale nesër.