Blog

  • Erl KODRA – Toma, Edi dhe Yuri

    Erl KODRA – Toma, Edi dhe Yuri

    Tom Doshi është një garip tipik, përndryshe është shqiptari më i zakonshëm i këtij vendi plehrash. Edhe pse Rex Tillerson, ish Sekretari i Shtetit e ka shpallur non-grata, për Tomën nuk ka burrë nëne që të thotë gjysëm fjale, përveç Ambasadores Yuri Kim. Në fakt edhe Zonja Kim e drodhi në momentin e fundit.

    Sot gjithë ditën po vrisja mendjen për dekleratën e Ambasadores. Që në krye ajo thotë:

    “Më lejoni t’i jap fund spekulimeve: KM Edi Rama dhe unë patën një bisedë të qartë se çfarë do të thotë ky emërtim. Në fakt, Kryeministri më kujtoi se ai e kishte përjashtuar personalisht këtë person nga Partia Socialiste. Ai theksoi se ky person nuk do të ketë asnjë rol në asnjë qeveri në çdo qeveri që ai do të formojë”

    Edhe unë jam i bindur se Toma nuk ka ambicie për t’u bërë Ministër i Qeverisë Rama, sepse ai është më shumë se ministër. Roli i Tomës pranë Edi Ramës është më shumë se roli këshilltarit, partnerit ose ortakut politik. Të gjithë e njohin kontributin e tij në përgatitjet e 21 Janarit, dhe vite më pas, demaskimin e komplotit të Ilir Metës për vrasjen e tij nëpërmjet Durim Bamit. Por për këto ngjarje nuk flitet, aq sa duket sikur ato kanë ndodhur në një epokë tjetër.

    Toma ka blerë një parti politike nga Kryetari aktual i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi. Nuk dihet se me çfarë çmimi, por Toma është biznesmen i zoti, dhe ai nuk investon para me humbje. Pse, vetëm Edi Rama të blejë parti politike?

    Të kthehemi tek deklerata e zonjës Ambasadore.

    Shkurt, Edi Rama e paska siguruar zonjën Yuri se Tomën e ka përjashtuar personalisht nga Partia Socialiste, sepse ai ka blerë parti tjetër, dhe se ai nuk do të jetë ministër i qeverisë, dhe se, Toma nuk do të ketë ndonjë rol në formimin e qeverisë që ai do të formojë. Domethënë, Toma do të jetë deputet. Asgjë nuk e ndalon, as ligji, as Edi Rama, as Rex Tillerson, as Durim Bami, as Ilir Meta. Dhe kryesorja, sipas Yuri Kim, Edi nuk do ta bëjë ministër Tomën. Me fjalë të tjera, Rama do t’i fitojë zgjedhjet e 25 Prillit. Pa Tomën.

    E rëndësishme është që Toma të mos jetë Ministër i Brendshëm, ose Zv. Kryeministër, ose Kryetar Parlamenti. Ja, problemi u zgjidh me dy fjalë të Edi Ramës. U qetësua edhe Zonja Ambasadore Yuri Kim. Shyqyr Zotit!

    Domethënë, fitoi Toma, fitoi Rama, por edhe Yuri. Problem do të jetë vetëm opozita destruktive dhe elementët e saj terrorist. Philip Reeker dhe Matthew Palmer i kanë gati dekleratat.

    Por zgjedhjet e 25 Prillit do të jenë të lira dhe të ndershme. Garancinë për këto zgjedhje e jep Damian Gjiknuri dhe çunat problematik.

    Meqë ra fjala, në Kosovë pritet të fitojë Albin Kurti. Shumë do të gëzohen, por unë jo. Më duket sikur po i lexoj lajmet e vitit 2022 rreth zhvillimeve në Kosovë dhe Shqipëri. Sterrë të zeza.

  • Ardit GJINALI – Zullumi i tepruar që do të sjellë ndëshkimin qytetar të merituar

    Ardit GJINALI – Zullumi i tepruar që do të sjellë ndëshkimin qytetar të merituar

    Padrejtësia e skalitur në vitrinat e zezonës keqqeverisëse, të tillat vitrina që llamburisin duke imponuar një shkëlqim  verbues për vështrimin e qytetarit që është përhumbur në kërkim të së vërtetës të ofruar nga propaganda;  shkëlqim verbues për të pamundësuar gjurmimin e së vërtetës keqqeverisëse; e vërteta keqqeverisëse që artikulohet nga ushtruesit e të tillës, dëgjohet nga qytetari, por zëri i të vërtetës keqqeverisëse nuk e prek të tillin….e tilla gënjeshtër e mveshur me kostumin e së vërtetës prek shoqërinë përmes metastazave autokratike që rreken të tjetërsojnë secilin nerv reagues ndaj rendit sundues që zotëron gjithçka në të tashmen dhe tenton të vendosë fatet e së ardhmes nën të tijën thundër. Këto vite të shenjuara nga diktati i keqqeverisjes i mbrujtur në një vullnet tërësisht regresiv mbi garantimin e një stabiliteti shoqëror dhe politik; vullnet negativ për konsolidimin e rendit demokratik dhe balancës së pushteteve; vullnet i munguar për zgjedhje të gjithëpranuara që do të garantonin një zgjidhje të qëndrueshme politike; vullnet i zi për të mundësuar një ecuri pozitive të proçesit të Integrimit Europian përmes përmbushjes së standarteve që do të ishin antitrupat e duhur për të luftuar  sëmundjen keqqeverisëse.

    Drama e Shqiptarit të sotëm që endet në ekuipazhin e një anijeje qeverisëse që lundron në detin e madh të përrallës aeroportuale që shndërrohet  në funksion të propagandës,  në një tregim letrar me marinë dhe marinarë…..sërish larg subjektit Tokë dhe duke rendur pas fluturimit të pavërtetës së rradhës që materializohet në 3-D që sërish mbetet i largët për banorët e këtyre anëve…..të tillët kërkojnë dinjitet njerëzor, punë dhe një jetë normale; ata kërkojnë qytetin e humbur, qeverisjen e munguar, vëmendjen e harruar, besimin  e shpërdoruar……..qytetarët kërkojnë të shikojnë në sy fytyrën njerëzore të qeverisjes që nuk ngërdheshet, ironizon me cinizëm, tall dhe gajaset me qytetarin që është i detyruar të kthehet në një pjesëmarrës jo-dinjitoz të spektaklit qeverisës; fytyra njerëzore e një qeverisjeje që respekton qënien njerëzore dhe individin dhe nuk rend pas dukjes që mvesh thelbin e mungesave të një shoqërie si dëshmi e angazhimeve të munguara të së njëjtës; fytyra njerëzore e një qeverisjeje që nuk ndërton rrjetën e madhe të të pavërtetave  fabulë-humbura që janë helmatisja e së tillës së tashme të shqiptarit të ngratë.

    Qytetari durim-madh ka përjetuar shumëçka gjatë këtyre viteve, rradhët e shkruara  nuk do të mbaronin së treguari, por të tillat nuk do të ishin njëjtë të sakta me përjetimin e shumëkujt që ka provuar shuplakën jo-njerëzore të  pushtetit……qytetari ka heshtur për shkak të fuqisë së munguar në munguar në përballjen me arradhën pushtet-ushtruese, të tillët sejmenë që emërtimi hierarkik shtetëror u përcjell kurajo të shtuar për të marrë përgëzimet pushtetore; qytetari hesht dhe vështron…..kujton të shkuarën dhe vajton në heshtje zbrazëtinë e së tashmes, e tilla jo vetëm shpirtërore, por zbrazjen e lagjies, qytetit dhe vendit, gjithashtu. Qytetari hesht për të mos folur, i tilli hesht për të mos harruar, i tilli hesht për të ndëshkuar përmes të vetmit instrument që mbetet pushteti i tij…..i tilli i votës që do të sjellë ndryshimin e qënësishëm dhe do të zhbëjë shumëçka nga zullumi i tepruar që shkakton enumeracioni i akteve negative; vota do të jetë ndëshkimi qytetar i merituar për qytetin që mungon dhe Shqipërinë që lëngon. Koha për një ndryshim të vërtetë, shpresë të re për ditë më të mira është tani! Koha për një bashkim të madh për një Shqipëri normale, qeveri normale dhe Kryeministëri normal është tani! Bashkë sepse ka ende shpresë…

  • Andi BUSHATI – Minaretë e Rilindjes të zhytura në thes

    Çdokush që e ndjek me vëmendje fushatën e Rilindjes, me siguri që vë re një anomali: sa më shumë që qeveritarët flasin për arritjet dhe sukseset e këtij 8 vjeçari, aq më pak duan të përmendin transformimin e Tiranës, kullat e rokaqiejtë që po lartësohen përditë në kryeqytet.

    Erion Veliaj është i gatshëm të përgatisë minuta të tëra me kronika televizive edhe kur mbjell një lule të vetme, por nuk është shfaqur kurrë në prerjen e shiritit për fillimin e punimeve të një grataçiele. Edi Rama nuk lë katundari pa i dhënë kyçet e shtëpisë 50 metër katror, por nuk pozon asnjëherë përkrah një biznesmeni të ndershëm që është duke ngritur në ajër me mijra të tilla.

    Asnjëri prej të dyve, që është i aftë të shndërrojë në 3D edhe fantazitë më të çmendura, nuk ka treguar me mburrje projektin e një pallati të ri.

    Rilindasit po sillen sikur nuk i llogarisin mes sukseseve të tyre rreth 3 milionë metra leje që kanë dhënë në kryeqytet, duke i hapur rrugë një biznesi që i kalon mbi 3 miliardë euro.

    Nëse të gjithë flasin nën zë për kullën e atyre të Hollandës, për lejen e ndërtimit që morën çunat e Kolumbisë, për objektin e xhamtë që po lartësojnë ata të kumarit, kjo “politikë e madhe zhvillimi” nuk pasqyrohet në manualet e fushatës së rilindjes. Aty nuk ka asnjë fjalë, qoftë edhe për zhvillimin e qytetit. Asnjë lavdërim për nxitjen e biznesit të ndërtimit. Madje, çuditërisht, as edhe një mburrje për hapjen masive të vendeve të punës për muratorë, teknikë, inxhinjerë.

    Hiç dhe hiç. Të gjithë sillen sikur “minarja duhet mbajtur e futur në thes”, megjithëse ajo është në sy të të gjithëve. Dhe këtu nuk është fjala për minaren e xhamisë së Et’hem beut që po zhduket nga peisazhi dita ditës, por për simbolet e reja të narko kapitalizmit që po përjetojmë prej tetë vitesh.

    Natyrisht, ky stërmundim për të mbajtur të mbuluar një të fshehtë publike që ulëret, nuk ka të bëjë as me skrupujt e betimeve të Erion Veliajt, se ai do të firmoste “zero ndërtime në qendër të Tiranës” dhe as me ëndërrat e tij se do të donte të mbahej mend si “kryebashkiaku i pemëve dhe jo i betonit”.

    Kjo heshtje nuk është e lidhur as me përgjime si ato të Ndraghetas, sepse, në fund të fundit, këta “specialistë” që na premtuan me gojën e tyre se do vidhnin më pak se paraardhësit, 20- 30%-shin e marrin në çdo firmë që vënë dhe jo vetëm për lejet e ndërtimit.

    Prandaj pyetja që shtrohet është, pse ata që nuk kanë cipë të mbrojnë PPP si ato të Check-Up dhe laboratorëve, koncesione ai ato të traut të rrugës së kombit dhe inceneratorëve, përgjysmimin e dividentit për më të pasurit dhe faljen e pasurive të nëntokës, nuk i dalin zot asaj që po bëjnë në Tiranë?

    I vetmi krahasim që mund t’i shkojë për shtat kësaj dileme, është ai me investimin më të madh që ndërmori rilindja në fillim të mandatit të parë: atij të kanabizimit të vendit. Edhe atëherë, megjithëse të gjithë e kishin parasysh atë që po ndodhte, Edi Rama dhe Saimir Tahiri bërtisnin kundër mediave të kazanit dhe makinerisë së baltës që shpiknin për të nxirë imazhin e Shqipërisë.

    Edhe sot ndaj projektit gjigand të kullëzimit po sillen po njësoj, me ndryshimin e vetëm se vendin e ish ministrit të brendshëm, që përfundoi si personazh i kronikës së zezë, e ka zënë tani kreu i bashkisë.

    Arsyet se pse rilindja kërkon ta mbajë minaren të fshehur në thes edhe kësaj radhe i kanë bërë me dije institucionet ndërkombëtare.

    Në një raport të gushtit 2020, të titulluar “Flukset financiare të paligjshme në Shqipëri…”, hartuar nga “Nisma Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkufitar” (Global Initiative against Transnational Organized Crime) i financuar nga projekti gjerman GIZ dhe ministria e Jashtme Norvegjeze, zbulohet e vërteta që djeg. Aty theksohet se “Rreth 60% e firmave të ndërtimit që kanë marrë leje në periudhën 2017- 2019 në kryeqytet, nuk justifikojnë burimet e tyre financiare, ndërsa vlerësohet se për këtë periudhë 3 vjeçare janë pastruar në ndërtim rreth 1.6 miliardë euro”.

    Por, ky nuk është raporti i vetëm përvëlues.

    Task Forca Financiare (FATF) e MONEYVAL, që është një mekanizëm i përhershëm i Këshillit të Europës, theksonte në shkurt 2020 se ne jemi i vetmi vend europian që hyjmë në “zonën gri” për pastrimin e parave duke u renditur përkrah shteteve të botës së tretë.

    Edhe agjencia Reuters në momentin kur nuk u hapën negociatat nga BE në korrik 2019, shkruante se një nga shkaqet që u ndëshkua Shqipëria, qe se ajo perceptohej si një nga vendet më të korruptuara të Evropës që nuk ka arritur të luftojë pastrimin e parave, prandaj përballet me rezistencë më të fortë nga shtetet e Evropës veriore. Të njejtën gjë nënvizonte dhe raporti i departamentin Amerikan të Shtetit, ku pastrimi i parave lidhej me “investimet në pasuri të patundshme dhe marrëveshjet zhvilluese të biznesit”.

    Pra, nuk është e nevojshme të shkohet përtej këtyre burimeve krejtësisht të pavaruara nga njëra tjetra, për të kuptuar atë që i bën të kenë turp edhe personazhet më të paturpshme të politikës.

    Eshtë pikërisht kjo gjë që i detyron rilindasit, që me gjithë gropat e mëdha në bilancin e sukseseve të këtyre tetë viteve, të mos guxojnë të përmendin qoftë edhe një herë të vetme, kantierin më të madh të tyre me ndërtimin e kullave në Tiranë. Kjo shpjegon dhe faktin se përse Erion Velinë s’e kemi parë kurrë në inagurimin e një grataçiele, se përse imazhin e Edi Ramës s’e kemi shikuar asnjëherë të asociuar me një nga rokaqiejtë e skicuar prej tij.

    Por, ky turp i të paturpshmëve, që po rezulton ulëritës në këtë prag fushate, po shërben për ta ndarë njëherë e mirë debatin publik mes atyre që janë për një Tiranë me kulla edhe atyre që janë kundër saj. Heshtja e ideatorëve të këtij projekti flet më shumë se gjithçka.

  • Red VARAKU – Misioni i pamundur i Ramës për të mashtruar sërish durrsakët

    Red VARAKU – Misioni i pamundur i Ramës për të mashtruar sërish durrsakët

    Në një bashkëbisedim me rrogëtarët e partisë në Durrës, kryeministri shpalli plot pompozitet se në mandatin e tretë do ta kthente Durrësin në Dubain e Adriatikut.

    Ai premtoi porte kozmike ku do të zbarkojnë jahte sheikësh dhe hekurudha që do ta lidhin këtë qytet me të gjithë botën.

    Deri këtu nuk ka asgjë të keqe, fundja çdo parti politike ka strategjinë e saj të komunikimit me publikun dhe dështimi ose jo i këtij komunikimi matet vetëm në zgjedhje.

    Problemi qëndron në pafytyrësinë e qasjes që ky kryeministër sharlatan ka zgjedhur për tu ballafaquar me qytetarët durrsakë.

    Kjo sepse pas tetë viteve qeverisje qëndrore dhe gati 20 viteve qeverisje lokale nga Partia Socialiste, qytetarët fillimisht meritojnë një shpjegim për arsyet se pse ky qytet është shkatërruar plotësisht.

    Ata duhet të dinë arsyet se pse ky qytet është kthyer në një arenë ku bandat më të rrezikshme në Shqipëri përleshen për kockën e rradhës.

    Sepse, një kryeministër serioz para se të premtojë çudira për një mandat tjetër, më së pari duhet të japë llogari, se pse e ka lënë jashtë vëmendjes së qeverisë këtë qytet dhe pse e ka braktisur atë deri tani.

    Një kryeministër i përgjegjshëm duhet të sqarojë arsyet që e kanë detyruar t’ia dorëzojë drejtimin e këtij qyteti një njeriu që përfaqëson vetëm vullnetin dhe interesat e bandave më të rrezikshme në vend.

    Një individi, bëmat e të cilit patën jehonē deri tek Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili e futi atë dhe familjen e tij në listën e zezë të SHBA-ve.

    Pra, një kryeministër serioz fillimisht duhet ta fillojë me një ndjesë të madhe për këtë poshtërim.

    Por, ka dy arsye kur një kryeministër zgjedh të mos japë llogari dhe të mos kērkojë falje.

    E para kur edhe ai vetë e ka të qartë batërdinë që ka prodhuar babëzia e njerëzve të tij në qytetin e dytë më të rëndësishëm në Shqipëri dhe ka frikë të përballet me këtë.

    E dyta kur i konsideron durrsakët aq idiotë sa nuk janë të aftë ta kuptojnë, që është pikërisht babëzia e kētij njeriu për pushtet, që i ka kthyer ata thjesht në skllevër dhe spektatorë të përleshjes së këtyre bandave.

  • Ardit GJINALI – “25 Prill… Shqipëria fiton zgjedhjet dhe shtetin e së drejtës”

    Ardit GJINALI – “25 Prill… Shqipëria fiton zgjedhjet dhe shtetin e së drejtës”

    Në rendet që paraprijnë autokracinë, humbin të gjithë pavarësisht dritëshkurtësisë politike të ndonjë kahu politik që brohoret fitoren mbi humbëtirë…..marshimi i së keqes përmes zhurmës është reagimi që ndjell frika e të ndjerit vetëm; zhurma e gënjeshtërt që rreket të tregojë gjithë miratimin e dëshiruar dhe që mbulon mbështetjen e munguar; zhurmë e madhe për të mundur zërin e ndërgjegjes së brendshme të pushtet-ushtruesve, e tilla që gjëmon duke u kërkuar tërheqjen nga humbëtira që sjell vetmia politike. Secili ka humbur diçka apo shumëçka gjatë kësaj periudhe të errët, por energjia për ndryshimin mbetet e pandryshuar; e tilla dëshmon Shqipërinë që nuk tjetërsohet dot.

    Qytetari humbi zërin e përfaqësimit, shoqëria humbi të tillin zë të reagimit, e tashmja humbi të ardhmen, pushteti zaptoi shtetin duke humbur arsyen, pushtet-ushtruesi humbi ndërgjegjen, Republika ka humbur solemnitetin, Parlamenti ka humbur legjitimitetin, shtetari humbi dinjitetin shtetëror, e tashmja humbi të ardhmen kurse e shkuara fitoi vetveten përmes evokimit të secilës praktikë negative që cënoi kohezionin dhe stabilitetin shoqëror, gjithashtu. Rendi i mbrapshtisë qeverisëse  rrëmbeu  zgjedhjet  Shqipërisë për të vjedhur shpresën për të ardhmen  dhe besimin në të tashmen; këto vite qeverisjeje shënojnë kronikën dramatike të deformimit tërësor të vullnetit qytetar, të tillin në një numër të caktuar njësish vendore dhe në zgjedhjet parlamentare, gjithashtu.

    Zgjedha keqqeverisëse që rreket të vendosë tërësisht nën hyqmin e absolutizmit tërësinë e një vendi dhe shoqërie i rrëmbeu Shqipërisë zgjedhjet dhe dhuroi për vetveten politike votimet moniste; të tillat që ishin shfaqja groteske në kontekstin e një sistemi demokratik funksional, por dramatike në kufijtë e tragjikes për  prosperitetin demokratik të një shoqërie.  E shkuara e afërt nuk mund të kushtëzojë veprimin e së tashmes që është i mbrujtur në besimin për ndryshim ; besim për ti kthyer Shqipërisë zgjedhjet e rregullta dhe demokratike si kushti themelor për të garantuar një prosperitet shoqëror , i tilli që nuk garantohet nga një stabilitet i gënjeshtërt demokratik që ngrihet mbi cënimin e vullnetit qytetar.  Cënimi i vullnetit qytetar nuk shkaktoi humbjen e një partie politike të caktuar , i tilli ishte guri që vrau të drejtën përmes ligjit dhe drejtësinë që është shndërruar në një nocion abstrakt ose emërtesë shoqëruese ballinave të institucioneve që gëlojnë nga padrejtësia.

    Shqipëria ka nevojë për shtetin e së drejtës dhe i tilli nuk fitohet dot nëse nuk shpëtohen zgjedhjet; të tillat që shpëtohen nga një pjesëmarrje massive që do të përmbyste secilën llogari të tryezave që tremben nga  reagimi  qytetar përmes votës. Një votë  për të rivendosur përfaqësimin dhe për ti kthyer Shtetit fytyrën e dinjitetshme që është rrëmbyer nga arkaizmi dhe arbitrariteti pushtetor……për shtetin që  nuk mund të jetë llogorja e betejave të pushtetit për të mbrojtur sundimin mbi qytetarin përmes kufizimit të secilës liri……. për ti kthyer dinjitetin secilit punonjës shteti që nuk mund të urdhërohet për gjobëvënie selektive, arrestime të paligjshme apo gaz lotsjellës të derdhur mbi bashkëqytetarët.

    25 Prilli është dita dhe data që Shqipëria fiton zgjedhjet dhe përmes të tillave fiton shtetin e së drejtës, zbatueshmërinë e ligjit dhe një ndryshim thelbësor me ditë më të mira ku një besim i palëkundur për një shpresë të re është thelbi i energjisë pozitive për një bashkim të madh; bashkim i madh për Shqipërinë e normalitetit me një qeveri dhe Kryeministër normal, gjithashtu. Koha për një bashkim të madh për ditë më të mira në një Shqipëri që fiton është tani! Bashkë sepse ka ende shpresë….

  • Ylli MANJANI – Shqipëria e Sami Frashërit dhe e sotmja

    Shqipëria sot ngjan njësoj me atë që përshkruan Sami Frashëri në kapitullin “Shqipëria ç’është”, të kryeveprës së Tij “Shqipëria c’ka qenë, ç’është e ç’do të jetë”.

    E njëjta mendësi, e njëjta sjellje, të njëjtat probleme si në Shqipërinë e Samiut 1899, ashtu dhe në të sotmen.

    2 000 000 shqiptarë jetonin në trojet e Shqipërisë dhe 1 000 000 jashtë tyre. I njëjti raport edhe sot. Mesa duket nuk mban më shumë njerëz kjo tokë, e cila është më zvogëluar në kufinj sesa ajo e kohës së Samiut.

    Shqiptarët jetonin me plaçkë lufte si ushtarë të ushtrisë turke dhe me të ardhura nga puna në emigracion. Njësoj dhe sot, me ndryshimin që lufta është trafiku i drogës.

    Shteti (taksidarët) bësheshin bashkë me hajdutët e kusarët për të vjelë me pahir taksat e pa përballueshme të shqiptarëve të ndershëm. Njësoj si sot. Po idem.

    Shqipëria duhet të kërkojë miqësinë e perëndimit dhe jo të fqinjëve turqë, serbë e grekë – konstaton Samiu. Mesa duket edhe atëherë ka patur shqiptarë si Edvini që brakisin perëndimit për tu bërë tok me turqët, grekët e serbët. Sot Shqipëria zyrtare ka braktisur rrugën e schengen për tu ngulur në atë të minischengen ku fiton Serbia…

    Edhe gjuha shqipe vijon të jetë e rrezikuar, njësoj si në 1899. Deformimi i fjalëve shqip; letërsia e varfër në fjalor; arsimi shqip drejt degjenerimit; analfabetizmi që kërcënon janë shenja të vitit 1899.

    Nuk e dimë as ne, siç nuk e gjeti dot as Samiu, se “çdo të bëhet” me Shqipërinë. Por qartësisht e dimë se ç’është, ashtu siç e përshkruan dhe Samiu në atë kohë, përshkrim që vlen dhe në këtë kohë. Njësoj…

  • Enver BYTYÇI – Ku dallon letra e Joe Biden nga letra e Donald Trump e 14 dhjetorit 2018?

    Enver BYTYÇI – Ku dallon letra e Joe Biden nga letra e Donald Trump e 14 dhjetorit 2018?

    Dy vjet e gati tri muaj më parë, saktësisht më 14 dhjetor të vitit 2018, presidenti amerikan i kohës, Donald Trump, i dërgoi një letër dy presidentëve, atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Më pas Edi Rama foli në telefon me këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, John Bolton, dhe pas telefonatës kryeministri shqiptar doli në foltoren e parlamentit shqiptar e iu mburr me “lajmin fantastik,” se ai kishte folur me Bolton “për zhvillime të rëndësishme në rajon dhe në marrëdhëniet midis Kosovës e Serbisë”!

    Në letrën e atëhershme të Donald Trump thuhej shprehimisht: “Jemi të gatshëm t’i mbështesim përpjekjet tuaja për një marrëveshje që i balancon si interesat e Kosovës ashtu edhe interesat e Serbisë”.

    Ndërsa në letrën e ditës së sotme të presidentit amerikan, Joe Biden, dërguar presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, thuhet: “Ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen tonë për qëllimin e Serbisë për integrimin europian dhe ju inkurajojmë që të vazhdoni të bëni hapa të fortë përpara për të arritur atë qëllim – duke përfshirë krijimin e reformave të nevojshme dhe arritjen e një marrëveshje gjithë përfshirësë të normailizimit me Kosovën, të përqëndruar në njohjen reciproke”.

    Krahasojini ju lutem të dy këto letra dhe do të gjeni dallimin esencial midis tyre. Trump kërkoi atëherë një marrëveshje të balancuar. Kërkesa për balancim e Donald Trump u bazua nga formula e Vuçiç, sipas të cilit “Ne nuk pranojmë një zgjidhje me të cilën njëra palë i fiton të gjitha dhe pala tjetër humbet gjithçka”!

    Kjo formulë rezulton të ishte përpunuar dhe avancuar nga një lob degolistësh në ushtrinë, sigurimin dhe diplomacinë franceze. Drejtori i Qendrës Studimore për Minoritete në Beograd, Dushan Janjiç, e ka zbërthyer këtë skemë të projektit për ndarjen e Kosovës si kompensim për “të balancuar” interesat e Serbisë. Ai thotë se fillimisht ky lob e bindi edhe Emmanuel Macron për ndarjen e Kosovës e ndryshimin e kufijve midis saj dhe Serbisë. Ndaj në verën e vitit 2018 Macron ishte dakord me ndryshimin e kufijve. Por nga fundi i atij viti ndryshoi mendje dhe iu bashkua konceptit të Angela Merkel të mosndryshimit të kufijve.

    Biden kërkon tani një marrëveshje për njohje reciproke, pa mundësuar ndonjë lloj balancimi “të interesave të Kosovës dhe atyre të Serbisë”! Ofron si shpërblim për Serbinë anëtarësimin e saj në Bashkimin Europian. Ndërsa Donald Trump nuk e përmendte në letrën e tij integrimin europian të Serbisë apo të Kosovës. Sepse ish-presidenti Trump ishte për shpërbërjen e Bashkimit Europian, njësoj si edhe Vladimir Putin në Moskë apo Marie Le Pen në Francë, e cila financohet nga Kremlini.

    Një president amerikan, i pari në historinë e pas Luftës së Dytë Botërore, i cili të ishte kundër Unionit, logjikisht nuk mund të ofronte shpërblime për Serbinë në emër të Europës. Prandaj oferta e tij ishte ndryshimi i kufijve e shkëmbimi i territoreve “me mirëkuptimin e plëve”! Por kjo nuk ishte zgjidhja e bazuar në logjikën e zhvillimit të mëparshëm të ngjarjeve në konfliktin e Kosovës. Ishte thjesht zgjidhje sipas një parimi të denoncuar nga Wilson në Konferencën e Paqes në Paris!

    Koncepti i Biden është zgjidhja bazuar në të drejtën, ndërsa koncepti i Trump bazohej te balancimi i interesave. Që do të thotë, të interesave serbe dhe aspak interesave të Kosovës! Me nocionin për zgjidhje të Biden njihet e drejta e Kosovës për të patur shtetin e saj, si e drejtë e fituar për shkak të dhunës dhe krimeve serbe në Kosovë. Me “balancën” trumpiane Serbia trajtohej si e barabartë me viktimën dhe rehabilitohej për krimet e saj në Kosovë.  Para dy vitesh Mustafa Nano më shtroi pyetjen në emisionin e tij televiziv: “Po nëse amerikanët e mbështesin dhe e realizojnë ndarjen e Kosovës, çfarë do të thoni ju pastaj”? Përgjigja ishte  e tillë: “As në këtë rast dhe në asnjë rrethanë tjetër unë nuk bindem dhe nuk do të pajtohem me këtë lloj zgjidhjeje. Amerikanët nuk e realizojnë këtë projekt pa dakordësinë e shqiptarëve”!

    Zgjidhjen e ofruar nga Beogradi e duartrokitën Edi Rama, Hashim Thaçi, Baton Haxhiu, Blendi Fevziu, vetë moderatori Nano, si dhe sa e sa analistë e politikanë shqiptarë në territoret tona ballkanike. E përkrahën dhe ata që rrëzuan qeverinë e Albin Kurtit në Prishtinë. Të gjithë këta u bashkuan në përpjekjet e qeverisë dhe presidentit serb, Vuçiç, për ta bindur administratën Trump dhe presidentin Macron për një zgjidhje të tillë. Madje Rama dhe Thaçi mburreshin me letrën e Donald Trump dhe na bënë presion të madh të pranohej opsioni i ndryshimit të kufijve. Ndërkaq Macronin e ndoqën nga pas në Armeni e në Paris, me qëllim që t’i jepnin garanci se “faktori shqiptar nuk ishte pengesë për ndryshimin e kufijve të Kosovës”!

    Tani jemi te letra e Joe Biden. Ajo vjen pak javë pasi u promovua në postin e presidentit të SHBA-ve. Vjen gjithashtu si sinjal i faktit se qëndrimi amerikan ndaj Bashkimit Europian ka ndryshuar. Për pasojë ka ndryshuar edhe formula e zgjidhjes së konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë. Letra është frut i kombinimit të politikave midis administratës së re amerikane dhe qeverisë së zonjës Merkel. Hartat e thikat e lobit të degolistëve në Francë dolën në dritë atëherë kur u bashkuan në mbështetje të tyre Hashim Thaçi dhe Edi Rama, të cilët mundën ta tërhiqnin në anën e tyre Donald Trump. Por tani duket se në vend të hartave e thikave për Kosovën, Serbisë i ofrohet integrimi në Bashkimin Europian. Dhe kjo është mirë edhe për Kosovën e Shqipërinë.

    Për të gjitha arsyet që parashtrova më lart nuk ka pse Abdullah Hoti të bëjë fushatë elektorale me letrën e Biden. Ai u nis me Thaçin në fillim të qershorit 2019 për të shkuar dhe marrë pjesë në firmosjen e marrëveshjes së “balancimit të interesave të Kosovës e të Serbisë”, d.m.th të ndarjes së Kosovës! Nëse nuk do shpallej akt-akuza kundër ish-presidentit, Hoti do konsiderohej sot si njeriu që mbështeti atë. Gjykata Speciale e shpëtoi Kosovën dhe Hotin njëkohësisht.

    Nuk mund të përdoret letra e Biden drejtuar Vuçiç si pjesë e politikës së qeverisë Hoti, aq më pak të paraqitet si “dështim” i politikave të qeverisë së para tij, qeverisë Kurti!

    Kjo lojë elektorale është e pandershme, është e dëmshme dhe nuk i shton asnjë votues falsifikatorëve! Qytetarët duan njerëz të sinqertë. Ata nuk i duan manipulatorët. Nëse do t’i donin manipulatorët, me origjinalë se Thaçi e Isa Mustafa zor se do të kishte të tjerë pas tyre në Kosovë! Kundërshtarët thon të njëjtën gjë edhe për Vjosën e Albinin! Por këta duhen provuar! Pastaj duhet folur për ta!

  • Gentian GABA – Shqipëria fiton kundër populizmit dhe shpopullimit

    Fushata e Ramës në vitin 2017 vinte rrotull kërkesës së tij për të fituar i vetëm “timonin”, me anë të së cilit do të çonte ‘tepsinë’ për skrap. Terma të thjeshtë që do të mbeten të shënuar në historikun e asaj beteje elektorale, të cilat nënkuptonin marrjen e një mandati “solo”, pra pa aleatë të tjerë, për të ndaluar shpërdorimin e gjësë publike, e cila rrumbullakosej me metaforën e “tepsisë”.

    Nuk kishte zotime të tjera, apo më mirë, ky ishte zotimi kryesor i kryeministrit aktual që katër vite më vonë rezulton i pambajtur. I vetëm në pushtet, duket se bashkëqeverisja e Ramës nuk ka qenë me qytetarët, siç pretendohet në kampin e majtë, por me korrupsionin. “Shqipëria shtet i kapur nga oligarkët dhe krimi i organizuar, ligjet hartohen për ta që të vazhdojnë të kapin shtetin, korrupsioni në nivelet e larta i përhapur thellësisht dhe i pandëshkuar”- këto ishin gjetjet për vendin tonë në raportin e Transparency International, të publikuar dhjetorin e shkuar. Ky raport, si shumë të tjerë përgjatë qeverisjes së Ramës, e nxjerr kryeministrin cullak përballë përgjegjësive të tij ekskluzive.

    Sipas të cilave, në rastin më të mirë është fajtor për paaftësi për të çuar për skrap “tepsinë”, pra korrupsionin; e në rastin më të keq është fajtor për incentivmin e praktikave korruptive në dëm të interesit publik. Dhe në të dyja rastet, i paaftë për ta luftuar apo nxitës i korrupsionit, në prag të zgjedhjeve, Rama nuk mund t’i shmanget ballafaqimimt me këto fakte; sidomos kur edhe në këtë fushatë do të kalërojë të njëjtin populizëm që ka provokuar polarizim, pabarazi, ngërç të procesit integrues dhe largim masiv të shqiptarëve.

    Diferenca e hatashme midis Shqipërisë që pikturon Rama në rrjetet e tij sociale dhe asaj reale, do të jetë edhe fusha në të cilën do të zhvillohet beteja elektorale e 25 prillit.

    Në këtë fushëbetejë, Lulzim Basha, ka nisur të pozicionojë alternativën, programin dhe pjesë të ekipit të tij. Një program, SHQIPËRIA FITON, që qysh në krye i qëndron larg populizmit të kundërshtarit dhe premtimeve të bujshme, që po aq bujshëm janë shuar në të shkuarën. Po aq larg i qëndron edhe dogmatizimit bigot, i cili kërkon puritanizëm ideologjik në një terren shoqëror dhe ekonomik që bash me çlirimin e tregut, nëpërmjet taksimit të ulët dhe nxitjen e konkurrencës, kërkon edhe ndërhyrje me karakter social. E nëse taksa e sheshtë është një “evergreen” i së djathtës, që patjetër do të ndihmojë sipërmarrësit për të dalë nga informaliteti, do të nxisë investime, do të inkurajojë punësim dhe do të afrojë investitorë të huaj, përqëndrimi në veçanti te familja, arsimi dhe shëndetësia, nga sa është prezantuar deri më tani, kanë potencialin të adresojnë ato çështje që i kanë vendosur shqiptarët përballë udhëkryqit midis ikjes apo qëndrimit nga pamundësia e largimit.

    Dhe në nje vend ku emigracionin masiv dhe rënia e lindshmërisë, po tkurr me shpejtësi popullsinë e re, 15 deri në 29 vjeç, të vendosësh në qendër të politikave ekonomike familjen, do të thotë se SHQIPËRIA FITON është një program që mund të luftojë shpopullimin e egër që po pëson vendi.

    Ky vizion mbi familjen, forcimi i së cilës është kusht për një shoqëri të të fortë, sigurisht i ngërthyer në atë që në përgjithësi pritet të jetë një rreth virtuoz zhvillimi si pjesë e gjithë komponentëve të programit, nuk ka si mos të jetë fitues mbi pikëpyetjet e ngritura nga pala tjetër mbi faturën e programit ekonomik. Jo vetëm sepse pala tjetër përgjatë këtyre dy mandateve ka treguar se Shqipëria nuk është një vend i varfër (mjafton të shohim raportet e KLSH-së që ka konstatuar dëme ekonomike me nëntë zero dhe në valutë europiane), apo sepse midis qytetarëve dhe klientëve të qeverisë, ka zgjedhur këta të fundit për t’i gostisur me koncesione dhe PPP. Por sepse përballë emergjencës kombëtare, që është ikja e shqiptarëve, familjet duhen mbështëtur me çdo kusht; si e vetmja alternativë që Shqipëria ka për të fituar një të ardhme më të mirë.

  • Erl KODRA – Edi Rama dhe Oswald Cobblepot

    Erl KODRA – Edi Rama dhe Oswald Cobblepot

    Në vitin e largët 2004 unë kam publikuar një shkrim me titull “Tirana, qyteti që nuk funksionon”. Megjithatë, në atë kohë Tirana mund të shpëtohej. Por në rrethanat komplekse në të cilat atëherë gjendej vendi, ishte e pamundur të ndalej katastrofa urbane. Ishte koha kur qendrën më të madhe ekonomike dhe politike të vendit e drejtonte Mister 20 Përqindëshi, Kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama.

    Thelbi i shkrimit ishte se Tirana po degradonte me shpejtësi nga ndërtimet pa kriter, duke shkaktuar dëme shumëplanëshe; ekonomike, sociale dhe urbanistike, dëme këto që do të jenë afatgjata dhe të pariparueshme. Për mirë ose për keq, deri atëherë Tirana ishte një qytet akoma i pranueshëm, me hapësira të bollshme publike, ku shumica e ndërtimeve, pavarësisht cilësisë dhe arkiteturës, nuk i kalonte 5 – 6 kate. Kështu, Tirana e asaj kohe mund të shpëtohej, duke u shtrirë në gjerësi, dhe ruajtur trashgiminë sipas periudhave historike.

    Të shkruash për Tiranën e Mister 20 Përqindëshit është njësoj si të shkruash për Gotham City, qytetit fantazmogorik të DC Comics. Oswald Cobblepot, një kriminel elegant plotë sqimë zgjidhet kryebashkiak i Gotham City, ndërsa fillon të shpërndajë liçensa për kontrollin e krimit në qytet, përkundrejt përqindjes së fitimit. Madje, Cobblepot ia del të kontrollojë krimin e vogël, duke e përqëndruar atë në vetëm disa duar. Por Gotham City vazhdon të vuaj nën terrorin e vrasësve kontravers si Fish Mooney, Dr. Victor Fries, The Joker, Edward Nygma etj. Gotham është një qytet i errët prej betoni, ku mafia ka rrënjë të thella.  Carmine Falcone përfaqëson mafian italiane, ndërsa mafia ruse, kineze dhe japoneze ka zotërimet e saj në qytet.

    Në Gotham City, fjala krim ka humbur kuptimin e saj të parë, njësoj si në Tirana City. Fjalori i personazheve të qytetit është i njëjtë; si në Gotham, edhe në Tiranë flasin për zhvillim, qetësi dhe prosperitet. Ama, Oswald Cobblepot nuk heq dorë nga qëllimi i mirë për të kontrolluar krimin. Kohën e tij ai e quan Pax Penguina.

    Por le të kthehemi tek Mister 20 Përqindëshi ynë, në ngjitjen e tij marramendëse në majën e hierarkisë së kontrollit të qytetit. Një personazh me begraund artisti, pinjoll i një familje komuniste, me sjellje kontraverse, egoist dhe ambicioz, i etur për pushtet dhe pasuri, filloi të ngjitë shkallët e pushtetit, njësoj siç ngjiten shkallët e pallatit në ndërtim. Edi Rama kishte aftësinë për të kuptuar se çka është në të vërtetë posti i Kryebashkiakut, çfarë do të thotë administrimi i një qyteti në zhvillim. Uria për ndërtesa të reja banimi dhe shërbimi ishte e madhe. Pallatet imagjinare shitetin pa u hapur themelet, ndërkohë që Edi Rama firmoste pa iu dridhur dora leje ndërtimi pambarim, kuptohet përkundrejt vlerës 20 %.

    Kështu Edi Rama zbuloi thesarin me të cilin do të ndërtonte pushtetin e ardhshëm. Imagjinoni pak Mister-in tonë ndërsa administron themelet e çdo pallati në Tiranë, çdo Qëndre Biznesi, çdo grataçele, çdo rruge dhe hapësire publike. Me firmën e ketij njeriu të gjatë nga shtati, të veshur me sqimë, elokuent dhe inatçor, egoist dhe ambicioz, u ndërtuan miliona metër katrorë, me vlerë mbi 40 miliard Euro.

    Të dhëna të dorës së parë tashmë janë administruar, ku provojnë në mënyrë të pakundërshtueshme se si Edi Rama ka vjelë në mënyrë të strukturuar tarifën prej 20 përqind për çdo leje ndërtimi të firmosur nga dora e tij. Ndërtues gjithëfare, ordiner të pashkolluar, kriminelë dhe trafikant investuan miliarda euro në hekur dhe beton, në çdo rrugë dhe rrugicë të Tiranës, duke u ngjeshur deri në neveri byth-njëri-tjetrit. Aq e rëndë është gjendja, sa duhma e gojës ndjehet në mëngjes në rrugicat e ngushta mes pallateve me 20 kate. 

  • Red VARAKU – Pse qëndrimi antiperëndimor i kryeministrit është një vetëvrasje politike për të ?

    Red VARAKU – Pse qëndrimi antiperëndimor i kryeministrit është një vetëvrasje politike për të ?

    Ka një shqetësim në rritje nga deklaratat e kryeministrit, në të cilat ai sulmon Perëndimin dhe paralajmëron se nën udhëheqjen e tij Shqipëria do të shikojë alternativa të tjera, duke u bërë kështu i pari kryeministër pas tridhjetë vjetëve pluralizëm që vë në dyshim dhe diskuton orientimin e Shqipërisë.

    Në fakt, e vërteta është që deri këtu nuk ka asgjë për tu shqetësuar, aq më tepër kur këto deklarata vijnë nga një lider i një partie, e cila e ka natyrale lidhjen e saj me lindjen ashtu siç e ka natyrale urrejtjen për Perëndimin, pavarësisht se ka idiotë që kanë akoma iluzione për këtë.

    Problemi fillon kur ky qëndrim i tij fillon e konsiderohet si kërcënim për Perëndimin.

    Të mendosh se një kufomë e mbaruar politike ka fuqi të kërcënojë Perëndimin është minimalisht mendjelehtësi. Maksimumi një dordolec si ky mund të trembë vetëm sorrat dhe kukuvajkat.

    Në fakt, kjo deklaratë e pashpresë është qartazi një dorëzim dhe kapitullim i hapur përballë presionit dhe vendosmërisë, që Perëndimi po i bën në mënyrë që ky të largohet me procedurë.

    Përmes kësaj deklarate, ai jo vetëm thjesht pranon që Europa e ka izoluar dhe ia ka mbyllur dyert përfundimisht, por njëkohësisht bën një gabim fatal, sepse shpall orientimin e ri të Shqipërisë drejt Lindjes dhe kundër Perëndimit.

    Kjo është një vetëvrasje e sigurtë politike, sidomos tani para zgjedhjeve, sepse dihet që Shqipëria nuk hyn në hartën e vendeve ku ka dilema në lidhje me orientimin perëndimor të popullit shqiptar, sepse 97% e shqiptarëve janë pro orientimit perëndimor të Shqipërisë dhe vendosmërisht kundër çdo orientimi tjetër.

    Dhe kërcënimi me vetëvrasje i këtij pengmarrësi skizofrenik të popullit të tij, jo vetëm që nuk është më kërcënim, por në mungesë të një rrugëdalje tjetër, është qartazi frikë nga ndëshkimi dhe një klithmë e mjeruar për falje dhe mëshirë.