Blog

  • Enver BYTYÇI: Njohja e Kosovës nga Izraeli nuk është thjesht një akt diplomatik

    Enver BYTYÇI: Njohja e Kosovës nga Izraeli nuk është thjesht një akt diplomatik

    Sot ministrja e Jashtme e Republikës së Kosovës, Melisa Haradinaj dhe homologu i saj i Izraelit, Gabi Ashkenazi, nënshkruan marrëveshjen e njohes ndërkombëtare të shtetit të Kosovës dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis të dy vendeve në rang ambasadash. Ambasada e Republikës së Kosovës, sipas marrëveshjes së Uashingtonit të 4 shtatorit 2019, do të vendoset në Jersalem dhe jo në Tel Aviv. Marrëveshja parashikon gjithashtu angazhimin e Kosovës që organizatën e Hazbullahut ta shpallë si organizatë terroriste dhe të kthejë pasuritë e qytetarëve hebrej të kohës së Luftës së Dytë Botërore, qytetarë të cilët nuk jetojnë sot në Kosovë ose ishin viktimë e holokaustit hitlerian.

    Ka shqiptarë, të cilët nuk pajtohen veçmas me faktin që ambasada e Kosovës do të vendoset në Jerusalem. Një veprim të tillë diplomatik e kundërshton edhe Bashkimi Europian. Por shteti i Kosovës ndodhet para një veçorie të pa precedentë. Shtrëngimi dhe obstruksioni që i bën atij Serbia dhe Rusia, si dhe aleatët e tyre, e detyrojnë Kosovën të bëjë lëshime të favorshme për pozicionin e saj gjeopolitik. Lëshimi që ambasada të vendoset në Jerusalem nuk është në kundërshtim me interesin e Kosovës, edhe nëse nuk i sjell asaj ndonjë dobi specifike. Ndaj dhe vendimi i tillë është plotësisht i arsyeshëm dhe në pajtim të plotë me interesat e shqiptarëve në Ballkan. Po ashtu shpallja e Hezbollahut si organizatë terroriste nga ana e Kosovës shkon jo vetëm në adresë të interesave izraelite, por edhe të interesave amerikane e europiane. Ndërkaq Kosova synon të bëhet pjesë e Aleancës së Atlantikut dhe Bashkimit Europian.

    Por le të kthehemi te impakti i kësaj njohjeje. Njohja dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike Kosovë-Izrael forcon pozicionin e Kosovës në raport me shtetet aleate saj të saj, si SHBA-të, Britania e Madhe, Gjermania, Austria dhe Franca. Forcimi i këtyre lidhjeve rrit shanset që Kosova të integrohet më shpejt në BE dhe sidomos në NATO. Edhe pse BE e kundërshton vendosjen e ambasadës së saj në Jerusalem, në plan afatmesëm do të vlerësohet fakti i njohjes dhe do të venitet rëndësia e asaj se ku është vendosur kjo ambasadë. Por unë shoh një shans historik në përpjekjet e Kosovës për t’u anëtarësuar në NATO, sepse me aktin e njohjes nga Izraeli rritet mbështetja amerikane. Ndërsa lobi i fuqishëm izraelit në Kongres dhe politikën amerikane merr një rol të ri në mbështetjen e Kosovës në rrugën euroatlantike.

    Nënshkrimi i marrëveshjes në fjalë ditën e sotme do të nxitë pesë vendet anëtare të Bashkimit Europian, përkatësisht Greqinë, Sllovakinë, Spanjën, Rumaninë dhe Qipron që ta njohin shtetin e Kosovës. Aktualisht Greqia ka marrëdhënie shumë të mira me Izraelin. Për pasojë edhe Qipro. Prandaj pritet që presioni izraelit dhe nevoja e Athinës për forcimin e lidhjeve të saj me lobin izraelit në SHBA të përshpejtojë njohjen e Kosovës nga ana e qeverisë greke. Disa sinjale janë dhënë në këtë drejtim. Duhet të presim disa javë ose pak muaj dhe situata do të ndryshojë balancën. Me njohjen nga Greqia, Kosova do të përfitojë edhe njohjen e Nikozisë, sepse të dyja këto janë në ndërvartësi me njëra-tjetrën.

    Por edhe Spanja, Rumania dhe Sllovakia nuk do të mund të rezistojnë pas kësaj. Megjithatë Spanja do t’a njihte Kosovën menjëherë pas njohjes diplomatike të saj nga Selia e Shenjtë e Vatikanit. Nëse besojmë se çelësi i angazhimit europian dhe amerikan për Kosovën është Papati, atëherë duhet të mendojmë se si do të shfrytëzohet njohja e Izraelit për të nxit Vatikanin në këtë drejtim. Mos harrojmë faktin se në angazhimin e SHBA-së dhe NATO-s për bombardimin e Serbisë dhe çlirimin e Kosovës prej saj rol të rëndësishëm kishte Papa Gjon Pavli II. Kjo falë diplomacisë dhe politikës së miqësisë së Ibrahim Rugovës me Papa Vojtilën.

    Nëse autoritetet e Kosovës dhe ato të Shqipërisë do të angazhohen fort në lobim në Vatikan dhe te aktorët që ndikojnë Papatin, atëherë duhet besuar fort se kjo njohje nga ana e Selisë së Shenjtë do të vijë. Në këtë aspekt kanë shumë rol Kisha Katolike e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë si, si dhe autoritetet e larta të kësaj kishe. Duhet ditur se edhe në vitin 1919 rol kryesor për ruajtjen e tërësisë territoriale dhe njohjen përfundimtare të shtetit shqiptar luajtën përfaqësuesit e Kishës Katolike në Shqipëri të prirë nga Luigj Bumçi dhe Patër Gjergj Fishta! Ata ishin avokatët kryesorë të Shqipërisë në Konferencën e Parisit. Ajo eksperiencë e atëhershme duhet të bëhet modeli i intervenimit për njohjen përfundimtare të shtetit të Kosovës.

    Në gjith këtë aksion diplomatik e politik vendosja e marrëdhëniëve diplomatike dhe njohja nga Izraeli ndihmon mjaftueshëm për të qenë të suksesshëm. Thjesht duhet vu në veprim truri, duhet krijuar një konsensus kombëtar i qëndrueshëm dhe i pandikueshëm nga interferencat serbe. Duhet vullnet dhe pak investim financiar! Asgjë më shumë se kaq. Rrethanat ndërkombëtare janë të favorshme. Prandaj nuk ka më pse të ankohemi në stilin e Hashimit e Batonit se “Çka të bëjmë, Serbia nuk po na njeh dhe ne nuk jemi në situatën që mund të fitojmë atë që na takon”! Paradokse të tilla vijnë vetëm kur institucionet e Kosovës e të Shqipërisë i drejtojnë dhe manipulojnë njerëzit e papërgjegjshëm, në rastin më të mirë, ose njerëzit që i shërbejnë interesave serbe në Ballkan, në rastin më të keq!

  • Red VARAKU – Tre arsye pse Edi Rama nuk ngjall më besim

    Red VARAKU – Tre arsye pse Edi Rama nuk ngjall më besim

    Kjo qeveri ka dështuar në të gjitha drejtimet, por dështimi i saj më i madh është fakti që pas tetë vjetëve ajo ka humbur plotësisht kredibilitetin dhe nuk ngjall më asnjë besim tek qytetarët.

    Studiuesit dhe hulumtuesit që merren me besimin e qytetarëve tek qeveritë tregojnë që janë tre arsyet e rrënimit të besimit të tyre.

    Së pari, është mungesa e aftësisë. Kjo qeveri ka treguar një paaftësi legjendare në ushtrimin e detyrave të saj. Për shkak të paaftësisë së saj Shqipëria po izolohet nga Perëndimi dhe dyert e BE na janë përplasur në fytyrë për tetë vjet me rradhë duke na pesëfishuar kushtet për integrimin.

    Për shkak të paaftësisë së saj Shqipëria dhe shqiptarët kanë humbur rolin e të qenurit faktori më i rëndësishëm i stabilitetit në rajon dhe janë kthyer sot në anëtarë të projektit rus të Jugosllavisë së re, rrjedhimisht në vasalë defacto të Beogradit.

    Ajo dëshmoi paaftësi kriminale në menaxhimin e fatkeqësisë së tërmetit dhe pandemisë . Me qindra familje ndodhen akoma në çadra dhe në shumë zona rindërtimi ende nuk ka filluar akoma pavarësisht propagandës së qeverisë. Madje, qeveria po e përdor këtë fatkeqësi jo vetëm si propagandë për të pastruar imazhin e saj të rrënuar nga përgjimet dhe denoncimet e opozitës, por gjithashtu për të vjedhur miliardat e ardhura si ndihmë nga BE për qytetarët

    Ndërsa përsa i përket pandemisë qytetarët u lanë tërësisht të braktisur dhe pa asnjë ndihmë nga qeveria si në kuptimin shëndetësor ashtu dhe në kuptimin ekonomik. Me mijëra familje i përballuan vetë kostot e mjekimit, ndërsa me mijëra biznese dhe mijëra qytetarë dolën të papunë, madje të dhënat tregojnë që kjo qeveri e përdori në mënyrë krejt të pacipë edhe këtë fatkeqësi për të vjedhur tendera dhe për të bërë sërish propagandë.

    Së dyti, kësaj qeverie i mungon ndjeshmëria. Ajo ka dhënë prova të mjaftueshme që është tërësisht e pandjeshme ndaj halleve të qytetarëve. Lidhjet e saj me bandat dhe kthimi i këtyre bandave në ‘institucionet’ më të rëndësishme të organizimit komunitar është tallja dhe poshtërimi më i madh që kjo qeveri i ka bërë qytetarëve shqiptarë. Përgjimet e BILD dhe së fundmi përgjimet e Ndranghetës janë një radiografi e akullt dhe e hidhur e realitetit shqiptar të sunduar prej tetë vjetësh nga kjo qeveri.

    Së treti, një nga arsyet pse qytetarët nuk besojnë më është mungesa e integritetit. Integritet do të thotë të thuash atë që bën dhe të bësh atë që thua. Kjo qeveri vjen me një bilanc katastrofik dhe ka dëshmuar se nuk ka realizuar asnjë nga premtimet që bëri tetë vjet më parë. E vërteta është se ajo ka dëshmuar jo vetëm mungesë integriteti, por ka treguar se është krejt e pacipë në raport me qytetarët e saj.

    Pasuria e pajustifikueshme e qeveritarëve tanë, ndërkohë që sot Shqipëria është vendi me të ardhura më të ulëta në rajon dhe rreth 500 000 shqiptarë jetojnë në kushtet e varfërisë dëshmon që qeverisemi jo nga njerëz, por nga kriminelë të pamëshirshëm .

    Ndërsa, pamjet që rrodhën në mënyrë krejt rastësore dhe “të pafajshme” nga restoranti luksoz i Nusretit në Dubai, ku qeveritarë të akuzuar fort nga opozita për korrupsion, shijonin biftekë ari, ndërkohë që qytetarët shqiptarë ndodheshin nën ujë dhe rrezikonin dhe atë pak pasuri që i ka mbetur, ishte më shumë se mungesë ndjeshmërie, ishte babëzi shtazarake.

    Pra, paaftësia, pandjeshmëria dhe mungesa e integritetit kanë prodhuar thyerjen më të madhe të besimit tek kjo qeveri në mënyrë të pakthyeshme dhe kjo e ka tronditur nga themelet këtë kryeministër. Këto janë arsyet kryesore se pse sot kjo qeveri nuk ngjall më asnjë besim dhe këto janë arsyet kryesore se pse ky kryeministër nuk frymëzon dot më askënd, përveç Elisës.

  • Poli HOXHA – Pse Rama është i vërtetë kur i shpall ca gazetarë, më djaj se Ndrangheta!

    Sa herë që në Shqipëri opinioni tronditet nga hetime si ky i fundit i antimafies në Itali, mezi pres daljen e Edi Ramës.

    Jo për ta dëgjuar se çfarë do të thotë, sepse të paktën që nga koha e kriminalizimit të parlamentit e bashkive me deputetë e kryetarë që i morri edhe nga llumi i krimit, kemi të bëjmë me shfaqjen e të njëjtit film por me protagonist të ndryshëm. Veç personazhi kryesor që është ai vetë, e nuk ndryshon.

    Pra pres që të sigurojë videon dhe të vrapojë te një miku im i specializuar jashtë vendit, në fushën e psiko-analizës. Ulemi bashkë dhe e dëgjoj kur fut në ekspertizë jo thjesht fjalët, por gjendjen psikike dhe emocionale të kryeministrit. Shans i madh është, nëse ai del përpara kamerave ‘flakë për flakë’. Pra menjëherë pas publikimit të ndonjë skandali, me këto përmasa.

    Këtë herë, nuk e bëri. U mendua, testoi, u përpoq që të qetësohet, të para përgatisë 2-3 ditë terrenin me agjitpropët e tij nëpër studio televizive. Të gjithë të bashkuar me një tufë gazetarësh e mediesh, për të ardhur keq. Të shpërfytyruar në penë e ligjëratë e pa asnjë lloj frene, as sa për të ruajtur formalisht figurën e tyre publike. Për të sfumuar sado pak neverinë që lenë pas, me përpjekjet sa qesharake aq edhe absurde, për ti ngritur organizatës në pushtet alibi në ajër.

    Doli Edi Rama; me vonesë dhe më i parapërgatitur, por as këtë herë nuk zhgënjeu.

    Analiza psiko-emocionale ishte pak a shumë e njëjtë me atë që i është bërë kur i ngelën në derën që u hapi vetë, deputetë e kryetar bashkish të përzier kokë e këmbë me krimin. Kur mbronte e flakte sipas rastit, Elvis Roshin me 7 emra; Saimir Tahirin e drogës; Agron- Geron- Fatmir Xhafën; Vangjush Dakon `duarakullorja`; gjithë kupolën e Rilindjes që mbetën si peshq budallenj në rrjetën e përgjimeve gjermane, duke bërë tërmet votash së bashku me krimin në zgjedhjet e Dibrës, e ato për tepsinë e madhe në vitin 2017.

    Dhe kështu sa herë që kapet në flagrancë, ai ngërthehet papritur nga një kolaps psikologjik dhe emocional. Ky kolaps psikik shket jo rrallë, deri në shfrime të frikshme traumatike, veçanërisht kur shoqërohet me stimulant të fortë.

    Sytë që i rrotullohen anash, lart, poshtë e brenda kafkës, 360 gradë. Dhëmbët që i hollohen, ndahen e zgjaten, duke ju  rikthyer si në kohën kur nuk ende nuk i kishte riparuar në Nju Jork. Një tollovi mimika që ndryshojnë brenda sekondës; një mishmash ngërdheshjesh e plastikë  kërcënuese njëkohësisht.

    Burimi është frika- tha eksperti- një frikë e madhe e fshehur brenda që rritet çdo ditë dhe tenton që të plasë jashtë!

    Tentativa e të zotit për ta fshehur e ndrydhur atë, për ta shitur përpara të tjerëve në siguri dhe vendosmëri, bën të kundërtën. Shkatërron edhe logjikën, ndaj shpërthen në formë mllefi dhe kërcënimesh.

    Pas një goditje të tillë në tru e shpirt, u shfaq edhe mëngjesin e kësaj të marte përpara gazetarëve, duke tentuar që të mbrojë organizatën e tij. Ngriti alibi qesharake për `Ndrangheta` dhe shpalli si armiqtë më të mëdhenj të vendit, ata gazetarë e ato media, që  janë katandisur nën kujdesin e tij personal, më pak se gishtat e njërës dorë.

    ‘Ju që e luftoni mafien, ata që e luftojnë mafien shtrirë nëpër kolltuqe si derrat e kënaqur të Migjenit, e mbajnë shqiptaret me dokrra, e bëjnë si ekspertë të luftërave e janë më të korruptuar e inkriminuar se gjithë ne së bashku po e po, se as unë e as ju nuk hyjmë në këtë kategori, por dhe më keq se ata që i përkasin botës së krimit’, shpërtheu.

    Ishte qelbi që plasi vrullshëm nga mali i makateve dhe frikës që Edi Rama mbart në thellësitë e koshiencës dhe subkoshiencës së tij.

    Konkluzioni: Gazetarët dhe mediet që bëjnë thirrje për të hetuar SPAK këtu mbi përgjimet dhe indiciet që dalin nga plani shqiptar i ‘Ndragheta’; ata që kërkojnë të hapet dosja e lejeve të ndërtimit, pasurive të patundshme shtetërore e private, atë të pastrimit të milardave (sipas ndërkombëtarëve), ata që sugjerojnë që të ndiqet paraja… ata janë më të rrezikshëm, edhe se mafia e frikshme italiane!

    Shumë kolegë u revoltuan pasi e dëgjuan, por e kanë gabim pasi Edi Rama në këtë rast është treguar i sinqertë dhe i vërtetë në maksimum.

    Gjithçka që ka ndodhur me shpejtësi në këto 8 vite, pra instalimi i një shteti e pushteti klepto-mafioz, mbulohet dhe qëndron në këmbë vetëm në sajë të propagandës e cila ja ka dalë deri më tani që të prodhojë një kamuflazh perfekt.

    Ndrangheta (siç del edhe në përgjim), krimi i organizuar dhe trafikantët e drogës janë miq dhe ortak të Rilindjes. Armiqtë e vërtetë të këtij lloj shteti, janë ata që demontojnë mirazhin që ndërton Rama me makinerinë e tij të propagandës mashtruese.

    Ndaj ata gazetarë që kërkojnë hetim mbi skemën mafioze shtetërore që është ngritur në Shqipëri me paratë e krimit dhe korrupsionit, për Ramën janë përnjëmend, më të rrezikshëm edhe se vetë Ndrangheta!

    Madje ka arritur puna që armiq të shpallen, edhe ata që flasin me logjikë e që kalkulojnë të dhëna që janë sheshit në Shqipërinë e tij.

    Jemi katandisur fiks si në romanin fanta-politik të Xhorxh Oruellit, ‘Viti 1984’, ku në shtetin e `Oqeanisë` herezia, krimi më i madh ishte të mos pranoje atë që kishte vendosur Ministria e të Vërtetës (propagandës) e cila inxhinjeronte çdo fakt, njësoj si bën këtu zyra e Fugës.

    Edhe faktin që dy plus dy, nuk bëjnë asnjëherë katër, por gjithmonë pesë!

    Prandaj Edi Rama është i vërtetë kur sulmon ata pak zëra logjikë dhe i shpall armiqtë më të mëdhenj të vendit, e i vendos mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin.

    Dhe ja ku jemi: Ka arritur puna deri aty sa që të thuash në Shqipërinë e Edi Ramës se `dy plus dy bëjnë thjesht katër`, është një heroizëm i madh!

  • Ylli MANJANI – Nëse shoqëria e ka gojën për bukë, politika është “legjitime” jetë me krimin

    Çështjet e krimit, drogës e mafias nuk figurojnë në asnjë sondazh si shqetësim i shqiptarëve.

    Ky fakt është ulëritës për ne të gjithë si shoqëri!!!

    Dmth, nuk është faji i sondazheve sepse pyetjet mbi krimin e drogën bëhen rregullisht, por njerëzit nuk i shohin si problem.

    Kjo është dramë sociale.

    Shoqëria jonë bashkjeton mirë me krimin, drogën e mafian. Mjafton që këto të shpërndajnë para për bukë dhe ska asnjë problem. Duket sikur kjo shoqëri e ka gojën vetëm për bukë…!

    Këtu e ka burimin kriminalizimi i pushtetit. Këtu e ka burimin penetrimi i krimit e mafias në pushtet e vendimmarrjen publike. Nëse publiku nuk e sheh të udhës ndarjen e vetes me krimin, është e kotë të flasim për shtet, ekonomi të lirë dhe demokraci.

    Këtu e ka burimin edhe mos reagimi social ndaj hajdutëve të votave që i njohu gjithë Europa si të tillë. Këtu e ka burimin 20% – shi i Ndrangetës për bashkinë e për ministrin enigmatik.

    Ky element më le pa tekst, me thënë të drejtën.

    Personalisht nuk jam pajtuar e as pajtohem më këtë “paqe sociale” me krimin e mafien. Edhe sikur i vetëm të jem, rrefuzoj ta pranoj krimin e mafien si burim zhvillimi. Aq më pak si standard demokracie.

    Jam ndarë me këtë mentalitet edhe kur shërbeva në kabinet qeverisës dhe denoncova drogën, kur të gjithë (mesa duket me të drejtë) më thonin “je i sigurtë ti që nuk na penalizon politikisht denoncimi i drogës”?!!!

    Edhe sot nuk e di a jam i sigurtë, por e di që jam në rrugën e drejtë. Krimi e mafia janë e keqja e çdo shoqërie. Kjo e fundit, nëse është normale ndahet prej tyre.

    Shoqëria që bashkjeton me krimin nuk ka asnjë shanc të jetë e drejtë! Politika që përfaqëson këtë shoqëri, ska sesi të mos jetë mafioze.

  • Andi BUSHATI – Mos dëgjoni përgjimet, besoni sondazhet

    Ky mandat i dytë i rilindjes po mbyllet ashtu sikurse filloi: me përgjime që vërtetojnë atë që në fakt dihet botërisht.

    Skandali i lidhjes së Saimir Tahirit me grupin trafikant të Habilajve shërbeu vetëm për të na dhënë provën se kultivimi dhe eksportimi i hashashit ishte kthyer në një biznes qeveritar.

    Publikimi nga Bild, i dëshmive të grabitjes së votave në Durrës dhe Dibër, na shpjegoi se si arriti Edi Rama ta mbajë i vetëm tepsinë në duar.

    Po kështu, edhe përgjimet e fundit të eksponentëve të Ndraghetas italiane nxorën në dritën e diellit pastrimin e parave të mafias me kullat që po ngrihen në qendër të kryeqytetit, 20 përqindshin që merret për çdo leje të re ndërtimi, shumat që duhen për të korruptuar një ministër apo një kryepolic, etj.

    Natyrisht edhe në këtë rast, avokatia e mbrojtësve të qeverisë do të jetë e ngjshme me teknologjinë që kanë përdorur më parë, se përgjimet nuk përbëjnë prova, se besueshmëria e fjalëve të mafiozëve nuk duhet marrë për bazë, se këto janë goditje nën brez, në prag të një fushate elektorale.

    Por, po të dëgjohen me vëmendje bisedat e ndraghetisëve ato duken qartë se nuk janë aq në ajër. Ata përmendin një biznesmen real, i cili siç po vërtetohet përditë e më shumë ka lidhje të forta me pushtetin dhe ka marrë shumë para publike pa garë prej tij. Pra, mafiozët kalabrezë nuk flasin dhe aq kot, ata e dinë gjendjen e lejeve të ndërtimit, tregun real të tyre, kostot dhe çmimet e shitjes, madje e kanë gjetur edhe çelsin për të depërtuar në botën e nëndheshme të vendimmarrjes shqiptare.

    Në këtë këndvështrim edhe përgjimet e fundit italiane na përplasin para syve fabulën që e përshkruan më mirë se çdo gjë tjetër aventurën e rilindjes në pushtet: shkeljen e ligjit për të grabitur dhe pastaj grabitjen e zgjedhjeve për ti shpëtuar ligjit.

    Por, puna është se rilindasit po lëvizin ç’do gur për të mos u identifikuar më këtë imazh ulëritës për këdo që ka veshtë të dëgjojë. Ata nuk duan të pranojnë se ky tetëvjeçar ka qenë një dështim katastrofal: Se gënjyen me gjithçka që premtuan në 2013, qoftë për papunsinë, qoftë për reduktimin e pabarazisë, qoftë për sjelljen e investimeve të huaja, qoftë me buxhetin për arsimin, qoftë me hapjen e negociatave. Ata refuzojnë të pohojnë se qenë të paaftë të absorbonin 1 miliardshin e donacioneve dhe kredive për rindërtimin, që e shitën si sukses faraonik. Ata nuk janë në gjendje të ndërgjegjësohen se jemi vendi i fundit i rajonit që dhamë ndihmën më të vogël ekonomike për frymë dhe s’qemë në gjendje të ofrojmë kurrë paketën e tretë, për ata që u rrënuan ekonomikisht nga efektet e pandemisë.    

    I gjithë ky bilanc asgjesues, i ndërthurur edhe me skandale kriminale apo financiare, është i pa përballueshëm në një debat publik normal, ku duhet të diskutohen në mënyrë racionale të arriturat dhe mosrealizimet e forcës politike që ka qeverisur vendin.

    Pikërisht për ti shpëtuar kësaj përballjeje socialistët kanë shpikur në prag të kësaj fushate një truk të ri: përmbytjen e opinionin me sondazhe të reme.

    Në këtë kuptim, testimet e opinionit nga “kompanitë e mëdha”, që kanë mbirë si kërpudhat pas shiut në të gjitha TV Shqiptare, janë një kopje e keqe e taktikës që Rama përdori në 2017, për të bërë fushatë me dajre dhe çitjane. Qëllimi i tyre është që të shmangin bilancin real, për tu marrë me mirazhin e diçkaje që nuk ekziston. Synimi i tyre është që ti pengojnë qytetarët të gjykojnë për atë që kanë ndjerë mbi kuriz, për atë që kanë parë me sy, duke i bërë të joshen nga të qenit pjesë e një shumice inekzistente që ekziston vetëm në propagandën rilindase.

    Se si po ndodh kjo në praktikë është e lehtë të tregohet. Disa TV janë treguar të gatshme të publikojnë sondazhe që i vijnë direkt e nga zyra e shtypit e kryeministrit. Disa të tjerë, me më shumë skrupuj, e fshehin goditjet ndaj pushtetit përmes manipulimit të numrit të të pavendosurve dhe të atyre që refuzojnë të përgjigjen. Ndonjë i tretë pranon dhe ta anullojë fare rezultatin që ka paralajmëruar prej kohësh.

    Po ti shtosh këtyre truqeve edhe dilemen mbi vërtetësisë së sondazheve në një mjedis aspak demokratik, ku njerëzit e paguajnë me vendin e punës bindjen e tyre politike apo kritikën ndaj qeverisë, është e lehtë të kuptohet çorba që po gatuhet.

    Por, në këtë pikë rilindasve aq i bën. Ata po i shohin sondazhet si të vetmen mundësi për të mbuluar me një mjegullnajë imagjinare realitetin e trishtë me të cilin njerëzit po përballen përditë.

    Ata duan të ngulin në kokën e gjithkujt, jo vetëm të atyre që i kanë ndjerë mbi shpinë mëkatet dhe gjëmat e pushtetit, por edhe të të tjetëve që i kanë parë me zë dhe më figurë skandalet e tij, se ata gabohen pasi në këtë vend janë pakicë.

    Pikërisht, si rezultat i kësaj strategjie, ne do të gjendemi deri në 25 prill në një situatë paradoksale, ku sa më keq të shkojnë punët e qeverisjes, aq më lart do na shfaqen kuotat e Ramës në ekranet televizive. Qëllimi është i thjeshtë, që asksuh të mos reflektojë me mendje të ftohtë për atë që dëgjon në përgjime, por të ushqehet me realitetin virtual që fabrikojnë milionat e personazheve që i kemi dëgjuar të ndajnë paratë me Habilajt, Avdylajt apo Nraghetën.     

  • Klodian Tomorri – SPAK-un nën hetim

    Justifikimi i djeshëm i SPAK për tenderat emergjente të Covidit ishte i turpshëm. Prokuroria pranon që kitet u blenë me çmim 3 herë më të shtrenjtë se tregu, por sipas saj ministria e Shëndetësisë nuk ka faj.

    As anëtarët e Komisionit nuk kanë faj- thotë prokuroria- perveçse duhet të jenë më vigjilentë herën tjetër dhe të verifikojnë çmimet e tregut ndërkombëtar. Çmenduri.

    Ajo qe ka ndodhur eshte e qarte. Respiratoret nga 2 mije euro qe kushtonin ne treg u blene me 6400 euro. Kitet nga 2 dollare u blene me 6 dhe 9 dollare. Qytetareve shqiptare ju grabiten miliona euro, ndersa Spak thote se nuk ka veper penale, thjesht komisioni gaboi pak se nuk verifikoi cmimet ne tregun nderkombetar.

    Vini nen hetim SPAK-un pastaj. Ose detyrojini prokuroret t’i kthejne ata leket e qytetarebe qe avulluan me tenderat e Covidit. Kaq e thjeshte eshte.

    Ku ka gare ne bote qe prokurohet me vlere tre here me te larte se tregu dhe nuk mban njeri pergjegjesi. Nuk eshte 10 per qind me shume, as 20 per qind. Madje as 100 per qind. Eshte trefish. Jane miliona euro qe u jane marre qytetareve padrejtesisht duke shfrytezuar krizen. Ndersa disa njerez vdisnin nga virusi, disa te tjere fitonin miliona duke bere biznes me vdekjen. Kjo ka ndodhur me vigjilentet e Ministrise se Shendetesise.

    Nderkohe, ajo kompania qe del tek pergjimet e Ndraghetes, ka marre miliona e miliona euro tendera publike, pikerisht nga Ministria e Shendetesise. Madje me 2017-en, kur kane ndodhir ato pergjimet, KLSH e ka klasifikuar si peshkaqenin me te madh te buxhetit te shendetesise. Te paren. Por edhe ketu ka qene ceshtje vigjilence, si gjithmone.

  • Red VARAKU – ‘Ndranghetizimi’ i zgjedhjeve, kanceri që po i merr frymën shoqërisë shqiptare

    Po, është e vërtetë që para vitit 2013 kandidatë të ndryshëm takonin bosë të krimit për të siguruar vota në këmbim të favoreve të ndryshme, tenderave ose konçesioneve publikë.

    Kjo ishte kthyer në një taktikë normale politike për të maksimizuar votat. Një taktikë ende e paadresuar edhe në demokraci ku e ku më të konsoliduara se kjo e jona.

    Sigurisht, mbetet një taktikë elektorale e paligjshme, sepse bëhet në këmbim të favoreve që më pas politika duhet të përmbushë ndaj këtyre individëve, por gjithsesi këtë proces e kontrollonte politika dhe jo krimi.

    Por pas 2013, me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste, ka ndodhur një deformim shumë i rëndë jo vetëm politik, por dhe social, që ka dëmtuar rëndë fibrën kryesore që mban të shëndetshme raportet në një shoqëri normale .

    Tani bosët e krimit nuk janë aty si punëtorë të politikës, por ata e kotrollojnë atë. Ata nuk sigurojnë vetëm vota , por emërojnë personalisht dhe vetë kandidatët, të cilët praktikisht nuk janë më aty për t’i shërbyer qytetarëve, por duhet të zbatojnë vetëm urdhërat e këtyre bosëve, me një fjalë nuk janë vetëm se kukulla në shërbim të krimit.

    Pra, nuk është më politika e cila nëpërmjet strukturave dhe mekanizmave politike kontrollon sistemin apo përzgjedh kandidatët,  por janë bosët e krimit ata e kontrollojnë politikën, që emërojnë dhe zgjedhin kandidatët që duhet të votohen, duke e kthyer kështu politikën në një pazar të mirëfilltë të gjësë së gjallë vetëm për interesin e tyre të ngushtë.

    Situata nuk ka se si të mos jetë më dramatike se kaq dhe më shumë se sa ndërgjegjësimi i shoqërisë, është momenti që vetë qytetarët të bëjnë detyrën e tyre . Ata dhe vetëm ata duhet të marrin një pozicion të qartë kundër këtij fenomeni dhe duhet ta bëjnë tani.

    Sepse, nëse nuk do e bëjnë dot tani, nëse nuk do të arrijnë të ngrihen në nivelin që kërkon një shoqëri normale, e cila refuzon t’i nënshtrohet dhe kthehet në skllave të kriminelëve dhe palaçove politikë, metastazat e këtij kanceri do të pushtojnë çdo qelizë të shëndetshme të kësaj shoqërie dhe do të asgjësojnë dhe atë pak liri, e cila është oksigjeni që po na mban gjallë në reanimacion deri tani.

  • VEHAP KOLA – Shtresa e mesme e Tiranës me këpucë të grisura

    VEHAP KOLA – Shtresa e mesme e Tiranës me këpucë të grisura

    Nuk mbahet mend qëkur firma GABI i shpëtoi shqiptarët nga rrobat dhe këpucët e grisura.

    Me 10-15 mijë lekë të vjetra çdokush mund të blinte një palë këpucë lëkure në gjendje të mirë.

    Muajt e fundit, gjithnjë e më shpesh më bie të shoh njerëz me këpucë të grisura.

    Nuk e kam fjalën për ata qytetarë në varfëri ekstreme, por për njerëz me rrogë mesatare.

    Specialistë, mësues, pedagogë me këpucë të grisura.

    Paga mesatare në Shqipëri ka vite që ka ngecur, ndërsa çmimet nuk kanë ecur me të njëjtin ritëm.

    Në fund të vitit 2019, paga mesatare llogaritej 54,000 lekë të reja në muaj, ndërsa gjatë vitit 2020 ajo ra në 52,000 lekë të reja.

    Grafiku i mëposhtëm e tregon qartë ngecjen e pagave pas 2013-s.

    8 vite pasi Rama dhe Veliaj morën pushtetin, niveli i pagave mezi ka kapur nivelin ku e la qeveria Berisha. 

    Taksa progresive, tha Rama javën e kaluar, ua ka rritur pagat 97% të shqiptarëve.

    Se si rritja e tatimit mbi të ardhurat nga 10% në 13 dhe 23% ka rritur pagat, këtë nuk mund ta kuptojë ndonjë ekonomist.

    Derisa vendi të rikthehet në politikat ekonomike normale, shtresa e mesme në Shqipëri do të vazhdojë të arnojë rrobat dhe të veshë këpucë të grisura.

  • Enver BYTYÇI – Pse Berisha nuk mundi të shkojë në Strasburg për të mbrojtur UÇK-në?

    Enver BYTYÇI – Pse Berisha nuk mundi të shkojë në Strasburg për të mbrojtur UÇK-në?

    Si sot dhjete vite më parë, më 24 janar 2011, në Strasburg të Francës u mblodh Këshilli i Europës për të shqyrtuar atë që quhej “Raporti i senatorit zviceran dhe anëtarit të Asamblesë së Këshillit të Europës, Dick Marty”, me akuzat e tij për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ku bënin pjesë edhe akuza për vrasjen e serbëve dhe transplantimin e organeve të tyre.

    Në atë raport ishte folur jo vetëm për veprimtarinë e UÇK-së në territorin e Kosovës, por edhe në atë të Shqipërisë. Shtëpia e Verdhë në fshatin Gur Bardhë të Burrelit u bë mit i kësaj fabule të sajuar qëllimisht që t’i vihej në ndihmë Serbisë për t’u rehabilituar për krimet kundër njerëzimit dhe masakrat e panumërta të saj kundër shqiptarëve në Kosovë.

    Në atë mbledhje ishte përgatitur të shkonte gjithashtu kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Gati një muaj më parë ai kishte ngarkuar një grup pune për të bërë ekspertizën e zhvillimit të ngjarjeve dhe të shpifjeve të Dick Marty-it. Në atë ekspertizë ishte dhënë përgjigje gati e shteruar për sa diskutohej në Këshillin e Europës dhe argumentet e zotit Berisha do të shërbenin si ndihmë e jashtëzakonshme për të qartësuar të vërtetën e shtrembëruar nga një senator zviceran i shërbyer me dosjet e Prokurorit Special të Serbisë.

    Pavarësisht përgatitjeve, pavarësisht publikimit të lajmit se kryeministri i Shqipërisë do të shkonte për këtë qëllim në Strasburg, Berisha nuk mundi të marrë pjesë në atë mbledhje. Shkak u bënë ngjarjet e tri ditëve të mëparshme, ato të 21 janarit. Me ose pa qëllim, për karriken e Edi Ramës ndodhën ngjarjet e asaj dite të sulmit ndaj kryeministrisë dhe kreu i ekzekutivit shqiptar nuk mundi të realizojë një mision kombëtar në mbrojtje të vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Kosova, duke mos qenë anëtare e KE-së, nuk mund të dërgonte përfaqësuesit e saj në Mbledhjen e Asamblesë së Këshillit të Europës. Për pasojë shqiptarët mbetën të papërfaqësuar në atë mbledhje. Mospërfaqësimi dhe mungesa e kryeministrit të Shqipërisë aty i dha mundësi Dick Marty-it dhe palës serbe që iluzionin e krimeve të pabëra të UÇK-së ta shisnin si të vertetë të pamohueshme. Për pasojë vendimet e asaj dite ishin tragjike për Kosovën. Ato vendime çuan në ngritjen e Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë me prokurorë dhe gjykatës të huaj. Për pasojë sot kemi këtë situatë të pa dëshirueshme, kur disa drejtues të shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjenden në qelitë e kësaj gjykate. Sigurisht që kjo situatë është edhe pasojë e mosfunksionimit të qëllimshëm të drejtësisë në Kosovë.

    Nuk është çeshtja te katër apo katërmbëdhjetë eksponentë të luftës në Kosovë, të cilët gjenden ose mund të shkojnë në qelitë e Hagës. Fjala është te fakti se raporti I Dick Marty-it u përdor për të diskredituar luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës. Shkuarja në Hagë e Hashim Thaçit dhe të tjerëve duhet parë si obligim i tyre për ta pastruar Kosovën dhe luftën e saj nga diskreditimi i pa përligjur dhe absurd i Serbisë. Ndërsa përgjegjësia që do të dalë nga ky proces do të provojë ka mundësi që të akuzuarit të lirohen nga akuzat për krime kundëer serbëve, por jo edhe kundër shqiptarëve!

  • Red VARAKU – Axhenda kriminale e Ndranghetës si axhendë kombëtare për Shqipërinë

    Red VARAKU – Axhenda kriminale e Ndranghetës si axhendë kombëtare për Shqipërinë

    Përgjimet që po publikohen në Itali, ku anëtarë të organizatês famëkeqe të Ndranghetas rezultojnë të përfshirë në një projekt të pashembullt krimi dhe korrupsioni në kryeqytetin shqiptar.

    Njeriu kyç që e garanton realizimin e këtij projekti kriminal në Shqipëri është një individ, i cili citohet nga përgjimet të ketë lidhje të forta me kryeministrin aktual dhe me kryetarin e bashkisë së Tiranës.

    Nuk është hera e parë që Kapot e Ndranghetës përdorin zyrtarë të korruptuar të vendeve të pazhvilluara për të ushtruar aktivitetin e tyre kriminal me qëllim shndërrimin e këtyre vendeve në lavatriçe të parave të pista të kësaj organizate.

    Problemi është se asnjëherë ajo nuk ka arritur të kapë nivele kaq të larta të qeverisë, vetë dorën e djathtë të kryeministrit dhe pasardhësin kryesor të PS.

    Pra, Ndrangheta nuk kishte arritur kurrë më parë praktikisht të marrë nën kontroll një shtet të tërë, madje ta kthejë axhendën kombëtare të këtij shteti në funksion të axhendës së saj kriminale.

    Kjo nuk kishte ndodhur kurrë më parë, ndaj është alarmuar shteti italian dhe me të drejtë ka një zemërim për mungesën e reagimit të institucioneve shqiptare.

    Ndërkohë, të gjithë e dimë që zyrtarët që janë në krye të këtyre institucioneve janë emëruar aty pikërisht nga buratinët e kësaj organizate.

    Por, edhe nëse do të kishim institucione të pavarura, drejtësi të pakapur apo prokurorë kurajozë për të luftuar me hibride të tilla, pjella të përdhunimit që Ndrangheta i ka bërë rilindjes (psh shiko fytyrën e Veliajt), sërish kjo nuk do të mjaftonte.

    Sepse, lufta me hibride të tilla kriminale, përveç institucioneve të pakorruptuara dhe të pakapura, kërkon vullnet politik të hekurt dhe një reagim masiv qytetar.

    Pa vullnet politik të qartë dhe pa një reagim të madh qytetar nuk ka asnjë shans ta fitojmë luftën me këtë përbindësh.