Blog

  • Nga Vehap KOLA – Kësaj here, Ramën ka kush ta rrëzojë

    Nga Vehap KOLA – Kësaj here, Ramën ka kush ta rrëzojë

    Ata që do ta rrëzojnë Edi Ramën sivjet do të jenë pikërisht ata që votojnë kundër partisë në pushtet çdo 8 vjet. Lajmi i mirë për Shqipërinë është se kjo ushtri nuk përbëhet nga votues të gatshëm të shesin votën me para apo me qese ushqimesh. Nuk janë pjesë e saj as ata që nga kjo qeveri kanë marrë ndonjë goditje, qoftë kjo edhe burgosja për një faturë dritash të papaguar apo për një kupon të paprerë nga kasa. Rradhët e kësaj ushtrie të heshtur votuesish përbëhen pikërisht nga ata njerëz që nuk ia kanë shtrirë dorën asnjëherë shtetit apo qeverisë për jetesën e tyre.

    Politikanët i quajnë shtresa e mesme duke nënkuptuar atë kategori njerëzish që siguron të ardhura nga 70% në 200% të të ardhurës mesatare për frymë. Për momentin kjo shtresë në Shqipëri nuk është aq e madhe. Më e madhe se shtresa e mesme është shtresa e njerëzve që aspiron të jetë e tillë. Tipari themelor i kësaj shtrese është se ata besojnë që nëse nuk do të kishte qenë Rilindja me politikat e saj destruktive dhe me arkitekturën e plaçkitjes së Shqipërisë, ata do të ishin sot pjesë e shtresës së mesme.

    Këta njerëz i gjen me shumicë mes sipërmarrësve të vegjël të cilët kanë luftuar këto 8 vjet me mish e me shpirt për t’u mbijetuar mësymjeve gjobëvënëse të inspektorëve të taksave, policëve bashkiakë, inspektorëve të ndërtimit, inspektorëve të shëndetit publik, inspektorëve të punës, etj. Atyre u është dashur të paguajnë taksa të shumëfishuara, veçanërsiht për Bashkinë e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit. Janë këta sipërmarrës, pronarë dyqanesh, marketesh dhe butiqesh, restorantesh dhe bar-kafenesh që u futën me përdhunë në skemën e TVSH-së, duke u gllabëruar një llokëm të madhe të fitimeve të tyre modeste.

    Megjithatë, këta nuk janë të vetmit që do të votojnë kundër Edi Ramës në këto zgjedhje. Profesionistët e lirë kanë parë këto 8 vite një mur shtetëror rregullash e pengesash, taksash e tarifash për të ushtruar profesionin e tyre. Të gjithë e dimë se profesionistët e lirë, apo freelance, janë specialistë që ose nuk kanë mundur të sigurojnë një vend pune me pagë dinjitoze, ose konsulentë ligjorë, kontabël, fiskalë, e biznesi që gjatë viteve të mëparshme ishin angazhuar në projekte të financuar nga donatorë ndërkombëtarë, si Banka Botërore, FMN, BE, GIZ, USAID, SWISS Contact etj. Këtyre të vetëpunësuarve, qeveria Rama ua bëri jetën shumë të vështirë kur vendosi t’i fuste, prapë arbitrarisht, në skemën e TVSH-së.

    Një tjetër kategori e shumicës së heshtur që do ta rrëzojë këtë pushtet janë administrata publike. 160 mijë shqiptarët që punojnë në shtet janë të parët mbi fytyrat e të cilëve përplaset arroganca e shefave të kapardisur të cilët i ka vënë aty partia si shpërblim për punën e bërë për të marrë pushtetin. Veçanërisht, ajo pjesë e administratës publike që bën punën e specialistit është detyruar vazhdimisht të luajë rolin bezdisës të trumpetimit të propagandës së Rilindjes.

    Mijëra prej tyre marrin çdo mëngjes mesazhe në grupet përkatëse të komunikimit, që i urdhërojnë të pëlqejnë dhe shpërndajnë në Facebook dhe Instragram postimet e Ramës, Veliajt, ministrave, deputetëve dhe drejtorëve të tyre. Rilindja ka staf të dedikuar që raporton se kush i pëlqen e shpërndan, e kush jo, postimet e Ramës, Veliajt apo politikanëve të tjerë të pushtetit.

    Tani përpara fushatës, partia në pushtet i është vërsulur pa mëshirë administratës për ta shndërruar në rrjetë për mbledhjen e votave, duke i kërcënuar me vendin e punës nëse nuk garantojnë një numër minimal votash. Denoncimet në media të formularëve të shpërndarë në ministri, bashki e agjensi qeveritare janë vetëm maja e ajsbergut të asaj që po ndodh vërtet. Format e presionit janë nga më të shëmtuarat dhe fyeset. Telefonata e transmetuar nga gazeta gjermane BILD ku një deputet i kërkonte drejtorit të arsimit në Dibër të shkarkonte një drejtor shkolle në një fshat të Dibrës është shumë e përkorë krahasuar me neverinë që të shkakton presioni që po ushtrohet mbi administratën këtë parafushatë.

    Nëse Edi Rama me makinerinë e tij të manipulimit dhe blerjes së votës mund të neutralizojë efektin që ka varfëria në votë, ai nuk do të jetë në gjendje të shërojë plagën e thellë të arrogancës dhe abuzimit me këto tri shtylla të asaj që ka potencialin të jetë nesër shtresa së mesme shqiptare. Mënyra e vetme se si ai dhe çdo qeveri mund të marrë votën e pronarit të një dyqani, butiku apo restoranti është duke i çliruar nga taksat, duke i ndihmuar të rriten ose të paktën duke mos i penguar të bëjnë atë që dinë të bëjnë më mirë: të ndjekin interesin e tyre.

    Rruga më e mençur drejt votës së profesionistëve që ushtrojnë profesionet e tyre në mënyrë të pavarur është të mos kërkosh të nxjerrësh dhjam prej pleshtit duke i trajtuar ata me një logjikë fiskale plaçkitëse. Ndërsa administrata publike arrihet vetëm përmes derës së respektit për dinjitetin njerëzor dhe veçanërisht respektin ndaj lirisë së tyre për të ndjekur një jetë private sipas mënyrës që ata besojnë.

  • Nga Erion DASHO – Tirja dhe katastrofa e paralajmëruar e Rilindjes

    Nga Erion DASHO – Tirja dhe katastrofa e paralajmëruar e Rilindjes

    Epidemia e COVID-it e nxori zbuluar sistemin shëndetësor shqiptar! Pothuajse asnjë hallkë e ofrimit të shërbimit nuk arriti të funksionojë si duhet. Pasojat janë të dukshme. Ato i kanë vuajtur dhe po i vuajnë dhjetëra mijëra familje, pjestarët e të cilave u prekën nga COVID-i ose humbën jetën.

    Sikur të mos mjaftonte e gjithë kjo, historia e Tires tregoi se sistemi shëndetësor shqiptar ka marrë goditje edhe në atë që është baza e palëkundshme e çdo sistemi: etika mjeksore, deontologjia, humanizmi, elementë aq të nevojshëm gjatë ofrimit të kujdesit shëndetësor.

    Deri para pandemisë, shqiptarët kishin dëgjuar për mjekë që kërkonin rryshfet, por pranimi i ryshfetit dhe mohimi i një shërbimi jetëshpëtues nuk ishte dëgjuar deri më sot. Ajo që pamë gjatë pandemisë, tregoi se shëndetësisë shqiptare, në mënyrën si është organizuar dhe funksionon sot, i ka ardhur me të vërtetë fundi!

    Por a ka shpresa të rimëkëmbet ajo? Një përgjigje e ndershme do të ishte: “Shumë e vështirë”!

    Pandemia e gjeti Shqipërinë me një qeveri që premtoi sistem shëndetësor anglez dhe përfundoi me një shëndetësi të nivelit afrikan! E gjeti me një qeveri që premtoi shëndetësi falas dhe përfundoi me një popullsi që ka shpenzuar deri tani më shumë se 100 milion euro nga xhepi vetëm për COVID-in! E gjeti me një qeveri që mburrej se e menaxhonte epideminë 10 herë më mirë se Gjermania dhe përfundoi me një kryeministër që sjell nga Gjermania çanta me vaksina, ashtu si kontrabandistët e ilaçeve të viteve ’90!

    Për të qënë të drejtë, jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë botën, pandemia u ka dërguar mesazhe të forta politikanëve, politikë-bërësve të shëndetësisë dhe menaxherëve të shëndetit. Madje më tepër se kaq! Mesazhet për herë të parë në histori kanë arritur deri tek qytetari.

    Diku më shumë dhe diku më pak, konteksti ka qënë i qartë: Duhet ndryshuar katërcipërisht mënyra se si e kemi trajtuar deri më sot shëndetin dhe shërbimet shëndetësore!

    Nëse këto mesazhe i kanë marrë Merkel në Gjermani, Boris Xhonson në Britani dhe Makron në Francë, në rastin e atyre që drejtojnë shëndetësinë në Shqipëri, mesazhet vijnë me tone ulëritëse!

    Epidemia e COVID-it u tregoi piktorëve, kimistëve dhe klarinetistëve shqiptarë se shëndeti nuk është një lodër që mund të përdoret për mashtrime elektorale, por ka implikime mbarëshoqërore duke nisur nga ekonomia dhe duke përfunduar tek siguria kombëtare.

    Të pretendosh se mund të kalosh dëmet e pariparueshme që shkaktoi COVID në shoqërinë shqiptare me një spital portativ dhe me një çantë vaksinash elektorale, është dritëshkurtësi. Kur këtë e bën edhe pasi je paralajmëruar një vit rresht për dëmet e COVID-it dhe je këshilluar se si të veprosh, dritëshkurtësia i lë vendin papërgjegjshmërisë!

    Tirja ishte “coup de grâce” e një sistemi shëndetësor në kolapsit. Ajo tregoi se morali i promovuar nga Rilindja, i manifestuar në sloganin “kap ç’të kapësh”, ka penetruar në çdo sektor ku drejton Rilindja, madje edhe aty ku vendoset jeta apo vdekja e njeriut.

    Për ta nxjerrë shëndetësinë nga ky batak i thellë kërkohet vullnet i jashtëzakonshëm, vizion i qartë, investime serioze dhe një plan veprimi imediat.

    Koha nuk pret…

  • Red VARAKU – Pse presioni i Perëndimit duhet të drejtohet personalisht mbi Edi Ramën?

    Red VARAKU – Pse presioni i Perëndimit duhet të drejtohet personalisht mbi Edi Ramën?

    Prej qershorit të 2019 faktori ndërkombëtar ka ardhur duke e shtuar presionin mbi qeverinë shqiptare , presion që këtë herë ka qenë më i fortë dhe më i qartë se kurrë në lidhje me standartin e zgjedhjeve politike të prillit.

    Të gjitha institucionet më të rëndësishme të Perëndimit, përfshi Parlamentin Europian deri dhe Sekretarin Amerikan të Shtetit, i kanë vendosur pesëmbëdhjetë kushte dhe e kanë vendosur reformën zgjedhore dhe zbatimin e saj në kushtet kryesore të integrimit, me shpresë se ky presion do të rrisë efikasitetin mbi standartin e zgjedhjeve, duke detyruar kryeministrin të heqë dorë nga projekti i tij për vjedhjen e zgjedhjeve.

    Kështu ata besojnë se përmes këtyre kushteve, të cilat lidhen drejtëpërdrejtë me perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, mund të ndikojnë mbi qeverinë shqiptare, në mënyrë që ajo të pranojë standardet e Perëndimit për zgjedhje.

    Këtu ata gabojnë.

    Sepse ata nuk e kanë kuptuar që Rama nuk përfaqëson më vetëm Ramën, por përfaqëson një projekt antishqiptar dhe antiperëndimor, që nuk synon thjesht vjedhjen e zgjedhjeve, por synon asgjësimin e demokracisë dhe instalimin e një regjimi të ngjashëm me regjimet autokrate përreth me qëllim kthimin e Shqipërisë në një armë të mbushur kundër Perëndimit në dorën e disa qarqeve antiperëndimore.

    Pra, nuk kemi të bëjmë thjesht me një hajdut të rëndomtë zgjedhjesh që përmes vjedhjesh synon vjedhjen e shqiptarëve thjesht për tu hazdisur më pas si sheik në Dubai, por kemi të bëjmë me një projekt të qartë që synon të ri-instalojë një regjim tjetër në Shqipëri.

    Ky projekt synon që ta shkëpusë Shqipërinë sërish nga Perëndimi dhe ta kthejë Shqipërinë në një shtet vasal në shërbim të interesave të një klubi autokratësh që e vetmja gjë që i bashkon është urrejtja kundër demokracisë, ndërsa mini Jugosllavia është vazhdë e këtij projekti antidemokratik dhe antiperëndimor.

    Në këtë kuptim pesëmbëdhjetë kushtet për integrimin janë shumë pak për të bërë presionin e duhur dhe për të ndalur këtë projekt që synon ta kthejë Shqipërinë 30 vjet pas dhe ta largojë atë sërish nga Perëndimi.

    Presioni i Perëndimit kësa rradhe duhet të bëhet personalisht mbi Edi Ramën, sepse ideja që atij mund t’i bëhet presion me izolimin e Shqipërisë në fakt bën të kundërtën. Ai është i lumtur që ne jemi në vendnumëro në rrugën drejt Bashkimit Evropian, madje ai njësoj si etërit e tij shpirtërorë, kërkon izolimin e Shqipërisë.

    Është e qartë atë e tremb dhe e ndalon vetëm një qëndrim pa ekuivok kundër tij personalisht në këtë proces.

    Ndërkombëtarët duhet të dënojnë qartë rolin e tij në këtë histori dhe jo të flasin si gjithmonë me gjuhën e drunjtë diplomatike, sepse njerëz të tillë, që kanë mbështetje të hapur nga qarqe antiperëndimore dhe kërcënojnë hapur me kthimin e timonit drejt lindjes, nuk njohin kushte. Ata njohin vetëm gjuhën e dhunës, forcës dhe kërcënimit.

    Pra, Perëndimi duhet të shprehet hapur kundër tij personalisht dhe të mos e lejojë që ai të kthejë në qesharake kauzën shqiptare të integrimit si dhe të mos lejojë që ai të keqpërdoret nga forcat antidemokratike dhe antiperëndimore duke u kthyer kështu jo vetëm në problem për vetë shqiptarët, por duke u kthyer në problem edhe për vetë Perëndimin dhe BE-në.

  • Red VARAKU – Arsyet e kapitullimit të qeverisë përballë emergjencave natyrore

    Red VARAKU – Arsyet e kapitullimit të qeverisë përballë emergjencave natyrore

    Pafuqia dhe paaftësia e shtetit shqiptar për tu përballur qoftë dhe me sfidat më të vogla natyrore tashmë është bërë legjendare.

    Sa herë shtohen pak reshjet apo bien pak temperaturat, të gjithë përballemi me dështimin spektakolar të strukturave shtetërore,dhe absurdi qëndron në faktin se të gjithë e dimë eksaktësisht çfarë do të ndodhë ,fjala vjen cila shtëpi do përmbytet, ku do kalojë uji, sa ditë do të zgjasë etj.

    Ndërsa, rasti i bllokimit të rrugëve dhe paralizimit të aeroportit kryesor të vendit për 10 cm dëborë edhe pse IGJEUM kishte paralajmëruar, nuk përbën më skandal, por është turpi i rradhës i kësaj qeverie.

    Ky dështim spektakolar vjen për shkak të dy të arsyeve të mëdha, që kjo qeveri përpiqet t’i mbulojë paturpësisht me propagandë bajate.

    Mungesa e investimeve strategjike dhe paaftësia legjendare 

    për të menaxhuar një situatë të tillë dhe për t’i ardhur sadopak në ndihmë qytetarëve, të cilët paguajnë taksat më të larta në rajon për të pasur garanci në situata të tilla.

    Pra, kjo qeveri jo vetëm nuk ka bërë asnjë investim strategjik për të mbrojtur qytetarët, por ajo sot nuk ka asnjë një plan kombëtar për parandalimin apo reagimin në situata të tilla, ndaj situata është vazhdimisht rrumpallë dhe tërësisht jashte kontrollit.

    Kjo qeveri nuk ka investuar për studimin dhe më pas planifikimin e një strategjie për tu mbrojtur nga fatkeqësitë. Ajo e ka kthyer Emergjencen Civile një strehe militantësh dhe nuk ka investuar asnjë qindarkë për modernizimin e saj, ndaj sot shërbimi që ofrohet është pa asnjë vlerë substanciale.

    Edhe ato pak rregulla që kanë qenë, janë prishur, pra nuk ka asnjë studim shkencor kombëtar, për investime në kuadrin e një investimi strategjik të domosdoshëm.

    Është pikërisht kjo papërgjegjshmëri që prodhon më shumë dëme se vetë fatkeqësia dhe që ka bërë që kostoja për qytetarët të jetë e pabërballueshme. Pikërisht për këtë kjo qeveri duhet të jape llogari dhe jo të dërdëllisë për suksese imagjinare, aq më tepër kur qytetarët e kuptojnë që shumë pasoja mund të shmangen vetëm me menaxhim të mirë dhe punë.

    Dhe për sa kohë do ketë vetëm propagandë të lodhur në vend të një një plani kombëtar të mirëstudiuar për emergjencat civile, për sa kohë do ketë investime në luks, në vend të investimeve serioze strategjike konkrete, për sa kohë do ketë modernizim të teknologjisë propagandistike në vend të modernizimit të sistemit të amortizuar hidroteknik, që mban nën kontroll bonifikimin dhe disiplinon derdhjet e lumenjve, gjithmonë do të përballemi me të njëtën faturë, që sigurisht do ta paguajmë të gjithë.

  • Enver BYTYÇI – Askush nuk e do më Edi Ramën e përdorur me lavde madhështie!

    Në vitin 2014 Edi Rama ishte në Berlin së bashku me homolgët e tjerë ballkanas. Kancelarja Merkel e mori në krah si përfaqësues të të gjitha vendeve të rajonit tonë. Vuçiç, atëherë kryeministër i Serbisë, nuk e trazoi veten. Nuk reagoi në asnjë formë, madje ruajti të pandryshuar edhe mimikën. Rama “piktor”, Rama “baskebollist” do ta bëjë Shqipërinë, thoshin europianët, ndërsa Aleksandër Vuçiç tallej me të kur e thërriste si “lider global”!

    Presidenti i Serbisë së sotme ishte i sigurt se Rama do të përdorej prej tij vetëm duke i dhënë lëvdata të pafund atij. Nuk donte asgjë më shumë kryeministri i Shqipërisë, vetëm që të ishte në faqet e para të shtypit europian dhe të hiqej te shqiptarët, se “kostumi i Shqipërisë I binte ngushtë atij”. Ai  e shihte veten me përmasa europiane të një udhëheqësi! Sindroma hoxhiste e të qenit “klasik i markiszmit” dhe “udhëheqës i proletariatit në botë” u shpërfaq në një mënyrë tjetër te pasardhësi  diktatorit, Edi Rama!

    Ndërsa shqiptarët shijonin lavdinë e udhëheqësit të rilindjes, ata për një farë kohe nuk panë se si po rrënohej çdo ditë e më shumë jeta e tyre. Ata që e vunë re tatëpjetën e atdheut morën rrugët e kurbetit, pa u thënë asgjë komshive dhe njerëzve të tjerë me të cilët ishin në kontakt. Ikja ishte e vetmja formë e reagimit të brendshëm, sepse rezistencën e ndalonin ata që ende besonin te lideri global, Edi Rama.

    Por sapo kaloi mandati i parë, europianët u kthjelluan. Ata vunë re mashtrimin e Edi Ramës. Kuptuan se kanabisi, emigracioni i lartë, mungesa e reformave, prapambetja dhe varfëria e kanë burimin te korrupsioni, bashkëpunimi i qeverisë me krimin e organizuar, te kapja dhe përqëndrimi i të gjitha pushteteve në një dorë, atë të kryeministrit të Shqipërisë. Televizionet e kapura të Tiranës ende nuk duan t’i pranojnë këto fakte. Por në sytë e Europës  Edi Rama gradualisht u shndërrua në të kundërtën e “piktorit dhe ngjyrave të penelit”. U harruan ekspozitat e tij të zhgarravinave, u hoqën nga përdorimi pyetjet e gazetarëve për basketbollin e pikturat e tij dhe sot jemi në ditën kur europianët “e kanë bërë dalje Edi Ramën”! Nuk e bënë këtë për dështimet e tij, por për mashtrimin e madh që përdori përballë europianëve. Edhe vendimet e Brukselit për moshapjen e negociatave tashmë kanë si shkak themelor kryeministrin e Shqipërisë.

    Në të tilla rrethana të dëshprimit europian, i cili investoi në karizmën e një kryeministri mashtrues e sharlatan, Erdogan e ngriti stekën e përdorimit të lojës së vet. “Ah ti kolopuçi i lalës, s’ke ku shkon tani, që Merkel të nxori jashtë gardhit”!, – tha presidenti turk me vete dhe ia hodhi për së dyti herë grepin kryeministrit tonë. Fillimisht u solidarizua me tërmetin dhe ndihmën për eleminimin e pasojave të tij. Mori përsipër të ndërtojë 500 apartamente banimi, por pa ia lëshuar asnjë qindarkë në dorë “mikut të tij”, Edi Rama.

    Në shenjë hakmarrje ky i fundit shtoi kontaktet me grekët. Në pikën më të nxehtë të konfliktit shqiptaro-turk tha se “Greqia ka të drejtë të zgjerojë ujrat e saj territoriale në detin Jon”! Mjaftoi kjo që Erdogan të hedhë rrjetën tjetër për të kapur Edi Ramën. E priti me salltanete të mëdha, siç priten perandorët! Pse? Sepse Erdogan e di se Rama joshet nga madhështia, nga lavdia, jo nga permbajtja, nga thelbi, nga rezultantja! Tam-tame e madhe! Kritika të ashpra për Avrupin!

    Me siguri në këtë ekstazë të pritjes së Ankarasë, pritje që vetëm ajo di ta bëjë, kryeministri i Shqipërisë do ta kishte një brengë të brendshme: – Si do bënte ai me premtimin që i kishte dhënë Micotaçisit për 12 milje det në Jonin shqiptar?! Erdogan i kishte bërë të ditur se “loja me detin ishte e rrezikshme”! Dhe se kjo lojë është e tillë e bëri të qartë gjithashtu ministri i Jashtëm grek, Dendias, kur tha se palët e treta nuk mund ta ndalojnë një marrëveshje për marrëveshje me Ramën për ta dërguar çeshtjen në Hagë!

    Rama nuk flet. Hesht! Bën sikur i ka punët në vijë. Vetëkënaqet me mendimin se po ia hedh Rexhep Tayp Erdoganit, të cilit i ka premtuar se nuk do t’u bëjë lëshime grekëve. Ndërkohë me grekët po luan gjithashtu. U thotë “Ok, ju keni të drejtë të zgjeroheni në 12 milje, por prisni deri pas zgjedhjeve në Shqipëri”! Me të parë e me të bërë! I duhet të blejë kohë! Ndoshta me bindjen se pas 25 prillit do ta lëshojë “bombën” sërishmi në duart e Lulzim Bashës! Pra duke lënë pushtetin në duart e opozitës, kërkon që patatja e nxehtë e detit ta përvëlojë kreun e saj!

    Por një gjë është e sigurt tashmë. Askush nuk e do më Edi Ramën. Askush nuk i ze atij më besë! As shqiptarët, as europianët, as miqtë dhe as armiqtë e tij! Nuk e duan më as besnikët dhe ish-besnikët e vet, as bashkëpunëtorët e tij. Edhe ata e dijnë se nga Edi Rama mund të përfitosh po e krahasove me Skëndërbeun! Por jo pse jep prova aftësie në menaxhimin e punëve të shtetit! Nuk e do më Edi Ramën as Aleksandër Vuçiç, sepse kryeministri i Shqipërisë ka humbur kreditet që t’ia realizojë atij ëndërrën e “Serbisë së Madhe”!

    Shkurt, Edi Rama është shndërruar në një politikan një përdorimësh. Nuk vlen më për zhvillim strategjish. Thjesht mbetet një taktikan në veprimin e të cilit sundon anarkia, çoroditja, propaganda, demagogjia, gënjeshtra dhe mashtrimi! Për pasojë Shqipëria mbetet një vend eksperimental. Eksperimenti filloi me piktorin dhe basketbollistin dhe përfundoi me një klloun që herë vesh brekushe, herë veladonin e priftit e herë vendos në kokë çallmën e hoxhës! Herë ve kryqin ortodoks e herë tjetër hiqet se është katolik. Herë citon Kuranin dhe një herë tjetër Biblën. Një njeri pa shtyllë kurrizore, pa parime, pa rend fjalësh e veprimesh!  Shkurt një klloun politik unik në llojin e vet, por që Shqipërinë e katandisi në gjëndjen më të mjerueshme të mundshme!

  • Red VARAKU – Pse nuk shuhet dot zemërimi që ndezi maskarallëku i çetës së Dubait?

    Është e qartë që pamjet egzotike të ahengut ministror në Dubai në një nga restorantet më të famshëm atje, është skandali më i rëndë politik për këtë mazhorancë, pas skandalit përgjimeve të BILD. 

    Por kjo jo sepse është thjesht një abuzim i pastër nga ana e qeveritarëve tanë provincialë me fondet publike të popullit më të varfër në Europë, aq më tepër kur vendi ndodhet i gjunjëzuar për shkak të pandemisë dhe katastrofës që shkaktoi tërmeti.

    Sepse, ky popull ka parë abuzime edhe më të rënda se kaq nga kjo qeveri. Ka parë se si kjo qeveri e ktheu axhendën kriminale në axhendë kombëtare duke kanabizuar  Shqipërinë. Ka parë se si janë zhdukur 7.2 miliardë euro nga buxheti vetëm sipas KLSH. Ka parë se si kjo çetë e babëzitur shembi Teatrin Kombëtar në një projekt të pastër korruptiv për 200 milionë euro.

    Ka parë vjedhjen e hapur tek Unaza , madje e ka shprehur hapur grykësinë me 229 milionë euro të njohura si shpenzime luksi për barkun qeveritar që ka shkuar deri edhe në 1.6 milionë euro për zyrën e kryeministrit.

    Gjithashtu, kjo nuk përbën skandal qoftë edhe për faktin që ndërkohë që vendi ishte në pushtetin e ujit dhe qytetarët po rrezikonin deri dhe jetët e tyre, ministrat kryesorë të qeverisë jargaviteshin përballë byftekut prej ari të Nustretit.

    Sepse, të gjithë kemi parë se si kjo qeveri ka bërë makabritete edhe më të mëdha. Të gjithë kemi parë sjelljen e tyre barbare me fondet për tërmetin, ku ndërkohë që ka akoma qytetarë që flenë nëpër çadra , abuzimi ka kapur nivele të paimagjinueshme.

    Të gjithë kemi parë sjelljen e papërgjegjshme me pandeminë ku mijëra qytetarë u lanë në mëshirë të fatit jo vetëm pa asnjë ndihmë për shëndetin e tyre , por edhe pa asnjë ndihmë ekonomike për të mbajtur frymën gjallë.

    Me mijëra qytetarë u braktisën ndërkohë që kjo çetë destinonte miliona euro për inceneratorë që as punonin, madje këta kaluan dhe limitet e fantazisë kur fshehën dhe vetë të vdekurit, duke fshehur viktimat nga covid 19.

    Pra, asnjë nga arsyet e mësipërme nuk e bën këtë skandalin më të madh pas përgjimeve. Ajo që e bën këtë skandalin më të rëndë qeveritar pas përgjimeve, është mesazhi i thjeshtë dhe i drejtëpërdrejtë që përcillej vetëm në dhjetë sekonda poshtërim, tallje dhe cinizëm.

    Sepse, kjo fotografi e realitetit të përditshëm të orgjisë qeveritare me paratë publike, që deri dje përflitej kudo si legjendë urbane, nuk ishte thjesht dëshmi e barbarisë dhe grykësisë me fondet publike, por ishte njëkohësisht dhe fyerja dhe poshtërimi më i madh për qytetarët e këtij vendi. Sigurisht humbja e parave është e rëndë, por asgjë nuk dhemb më shumë se sa tallja dhe poshtërimi që përcillej përmes asaj videoje.

    Deri tani qytetarët e kishin të qartë se si vidheshin, por kurrë nuk kishin parë se si përkthehej kjo në terma luksi, ku në kryeqytetin e Sheikëve, në një restorant gati kozmik për çmimet, ndërkohë që me mijëra qytetarë flenë në çadra dhe ndërkohë që ne mijëra të tjerë po humbin njerëzit e tyre të dashur dhe pasuritë e tyre për shkak të pandemisë, çeta e Dubait ripërtypte e qetë një shtëpi të rindërtuar vetëm në një vakt ushqimi.

    Është pikërisht ky poshtërim që zgjoi atë zemërim dhe indinjatë e cila pushtoi menjëherë hapësirën shqiptare dhe zgjoi një reagim të jashtëzakonshëm, sepse shqiptarët mund të falin dhe mund të harrojnë gjithçka, por kurrë fyerjen dhe poshtërimin.

    Dhe është pikërisht nevoja për të shkëputur vëmendjen nga kjo e vërtetë ulëritëse , që e detyroi kryeministrin të kthehej në kavien e parë të vaksinimit, në një rast të paprecedentë, duke refuzuar të tregojë origjinën e këtyre vaksinave.

    Por, duket që e ka të kotë! E vërteta dhe simbolika e asaj sofre ku nëpunës të shtetit ishin shtruar në byftek floriri në kryeqytetin e sheikëve është asgjësuese dhe rrëzon çdo argument . Ajo ka ngrirë në memorien e çdo qytetari dhe dëshmon qartazi të vërtetën e hidhur që dominon qeverisjen në çdo hallkë të saj.

    Dëshmon që ajo nuk është gjë tjetër vetëm se një mekanizëm kriminal që jo vetëm nuk i shërben qytetarëve dhe e përdor pushtetin për të zhvatur pasuritë tyre, por ka dhe paturpësinë që të zdërhallet dhe harbohet në mes të Dubait me gjakun e tyre.

  • Andi BUSHATI – Arena e cirkut me vaksinën

    Në të gjithë vendet e botës ku ka filluar procesi i vaksinimit anti covid, pranohet njëzëri se problem më i madh se sa rreziku i efekteve anësore, është beteja me vaksionofobinë. Falë konspiracionistëve që po mbijnë kudo si kërpudhat pas shiut, falë idhtarëve të teorive komplotiste që thurrin fabula për çipat përgjues, efektet e 5G apo sterilizimin e popullsisë, një pjesë e mirë e njerëzimit është skeptike ndaj vaksinave të reja dhe ka frikë prej tyre.

    Ky fenomen po vihet re në masë edhe në vende të zhvilluara perendimore. Mes të cilave shkëlqen psh Franca, ku më shumë se gjysma e popullsisë i sheh me dyshim këto armë të reja ndaj pandemisë.

    Në këtë panoramë botërore, as Shqipëria nuk bën përjashtim. Në një sondazh në fund të vitit që shkoi, nga Idra poll, theksohej se 54% e shqiptarëve janë dyshues ndaj vaksinës dhe se vetëm 19 përqind e tyre janë të gatshëm ta marin atë.

    Për t’u përballur me këtë digë të pakapërcyeshme, që ka të bëjë sa me frikërat, paranojat, mungesën e informimit dhe mosbesimin tek institucionet, vendet e përparuara, që filluan të parët fushatën e vaksinimit, përdorën absolutisht vetëm një armë: transparencën totale.

    Eshtë interesante të shikohet se si u veprua me vaksinën që u hodh e para në treg, atë të Pfizerit. Kamerat e televizioneve u ftuan në fabrikat ku ajo prodhohej, u përcaktua me saktësi vendodhja e tyre, u mat deri në detaje udha nëpër të cilën ato do të transportoheshin, u treguan GPS-të që do të masnin temperaturat -70 gradë brenda kamionëve transportues, u prezantuan makinat e policisë apo të ushtrisë që do i shoqëronin, frigoriferët e veçantë ku do të ruheshin deri sa të mbërinin në duart e një infermieri që do ta bënte dozën gati për injektim.

    I gjithë ky operacion i pashembullt transparence, me mundim dhe kosto tejet të lartë, kishte si qëllim të vetëm zhveshjen nga çdo lloj velloje misteri dhe dyshimi që mund të shërbente si lëndë e parë për vaksino skeptikët. E megjithë këto përpjekje, beteja ende është larg të qenit e fituar.

    Po çfarë ndodhi në Shqipëri?

    Këtu u zgjodh 100% rruga e kundërt.

    Në ditën e parë të fillimit të fushatës së vaksinimit, që edhe ajo u ndryshua sipas interesave propagandistike, kryeministri doli dhe tha se origjina e vendit nga vinte vaksina ishte sekret. Se rruga e transportimit, që kërkon kushte speciale, në koli izotermike të mbushura me akull karbonik, duhej mbajtur e fshehtë. Se vendruajtjen që kërkon frigoriferë në -70 gradë do ta merrnim vesh me vonë.

    Për t’i bërë edhe më të forta dyshimet, shërbejnë edhe dilemat e mbetura pa sqaruar: mirë vendin e origjinës nuk e tregokemi dot, se kështu na paskësh kërkuar dhuruesi, po mënyra e transportit dhe kushtet e ruajtjes në Shqipëri, pse u dashkan mbajtur sekret?

    Natyrisht që këto pyetje nuk i fashit dot Edi Rama, as me deklaratat delirante se shqiptarët po vaksinohen vetëm prej aftësisë së tij si lypës profesionist, as batutat për transportin e Pfizerit me kuaj dhe me mushka.

    Duke ngritur në çdo hap kultin e fshehtësisë dhe sekretit, Rama e shkallmoi që në nisje fushatën e vaksinimit. Nëse qëllimi i tij është vërtet një imunizim masiv i popullsisë, ai bëri çdo gjë që kishte në dorë që kjo të mos ndodhë. Ai flaku tej të vetmen armë që një lider ka në dorë në këtë betejë, transparencën e plotë.

    Ende është shpejt të thuhet nëse këto veprime i bëri për interesa politike të momentit, apo prej pesimizmit të atij që nuk do i duhet të bindë atë popullatë që e ka të pamundur ta vaksinojë dot.

    Por, një gjë është e sigurtë: nëse ka një rrugë të gabuar për të nisur një fushatë reale ajo është veshja e saj me mister. Prandaj cirku që pamë në Arenën Kombëtare, nuk është zgjidhja që pritej për të luftuar pandeminë.

  • Klodian TOMORRI – Fatura e darkës së Nusretit

    Klodian TOMORRI – Fatura e darkës së Nusretit

    E gjendur përballë zemërimit publik, që nxiti videoja ku shfaqeshin ministra dhe zyrtarë të lartë të qeverisë duke darkuar nën shoqërinë e biznesmenit Samir Mane në një restorant luksoz në Dubai, qeveria nxitoi të justifikohej menjëherë. Me drejtorin e propagandës të kapur gafil duke kafshuar biftekun e arte te Nusretit, Edi Rama u detyrua vetë të lëshojë një deklaratë qesharake në Tiranë, ku shfajësohej se kjo ishte një vizitë punë, se ministrat dhe zyrtarët e tjerë të qeverisë kishin shkuar në Dubai për hall dhe jo për qejf dhe se paratë e darkës së shtrenjtë nuk i pagoi buxheti, por mikpritësi i delagacionit shqiptar, grupi Emaar.

    Madje respekti i madh për Shqipërinë dhe vete Ramen personalisht, e kishte detyruar sheikun xhymert që të cënonte edhe besimin e tij fetar duke paguar edhe verën e shtrenjtë haram për zyrtarët e lartë nga Shqipëria. Por përtej shfajësimeve qesharake, deklarata e qeverisë ka një të vërtetë. Problemi i vertetë i videos nuk është ulja e ministrave për darkë në shoqërinë e biznesmenëve, sado e pamoralshme dhe në konflikt interesi të jetë kjo. Nuk është as fatura e shtrenjtë e restorantit ekzotik, edhe sikur të jetë paguar nga paratë e buxhetit. Problemi real është vetë vizita. Ose më saktë qëllimi i saj.

    Në 3 dhjetor Parlamenti i Shqipërisë miratoi pa zhurmë një ligj për bashkëpunimin ekonomik mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Emirateve të Bashkuara Arabe. I gjithë thelbi i ligjit është vetëm një nen; përjashtimi nga prokurimi publik i të gjitha projekteve që do të financohen nga kompanitë arabe në Shqipëri. Domethenë i jep qeverisë të drejtën të bëjë pazare me kompanitë nga Emiratet e Bashkuara pa asnjë kontroll dhe pa asnjë përgjegjësi ligjore. Opozita tuhafe brenda Parlamentit as nuk e kuptoi fare se çfarë u votua. Opozita reale jashtë parlamentit po ashtu.

    Marrëveshja e bashkëpunimit ekonomik me EBA është një akt i paprecedentë juridik. Një ligj i tillë është tentuar disa herë në të shkuarën edhe nga kompani të vendeve të tjera, por në asnjë rast institucionet shqiptare nuk kishin lëshuar pe edhe përballë projekteve madhore. Deri një muaj më parë. Tashmë ligji kaloi dhe nga pas do të vijë fatura e kripur për vendin.

    Qëllimi kryesor i këtij ligji dhe vizitës së gjysmës së qeverisë në Dubai është një projekt okult në Portin e Durrësit, që do të zhvillohet nga grupi arab Ebaar. Sipas marrëveshjes, qeveria do t’u falë arabëve Portin e Durrësit dhe 100 hektarë tokë në zonën përreth. Në këmbim grupi Emaar do të investojë 2 miliardë dollarë për të ndërtuar pallate, hotele dhe një port turistik në tokën e falur. Ndërsa porti i ri i mallravë do të ndërtohet në Porto Romano, por jo nga kompania arabe, por nga lekët e qytetarëve shqiptarë.

    Ky është një projekt aventurier, përmes të cilit arabët do të aneksojnë 100 hektarë tokë në bregdet për të ngritur bizneset e tyre, ndërsa qytetarët shqiptarë do të humbasin Portin më të madh të vendit, i cili d të kërkojë qindra milionë euro të tjera për t’u ndërtuar sërish, nëse do të ndërtohet dhe nuk do të lihet rrugëve siç e ka zakon qeveria me veprat publike. Madje për të vënë në jetë këtë projekt, qeveri ka hequr dorë edhe nga 60 milionë euro grante dhe kredi të buta nga Bashkimi Europian, për të cilat ka dy marrëveshje të nënshkruara nga Damian Gjiknuri.

    Kjo është arsyeja që e detyroi gjysmën e qeverisë të zbarkojë në Dubai. Për fatin e keq të Belinda Ballukut, pikërisht ditën kur gjysma e Shqipërisë është nën pushtetin e ujit dhe banesat e mijëra familjeve gjenden të përmbytura. Por punët në qeveri kanë prioritete. Në fillim pazari 2 miliardë dollarë, që do të zhvillojë Shqipërinë duke asgjësuar Portin e Durrësit dhe aneksuar 100 hektarë tokë në zonën më të lakmuar të bregdetit. Më pas, Ministria e Infrastrukturës do të vihet menjehërë në krye të punëve për të ndihmuar familjet e përmbytura, që rrezikojnë jetën nga vërshimi i ujit.

  • Andi BUSHATI – “Darka e fundit” në Dubai

    Qeveria Rama u gjend papritmas e përmbytur nga një video disa sekondshe dhe një buqetë fotosh të nxjerra prej saj, ku shfaqej njëri prej biznesmenëve më të mëdhenj në vend, në shoqërinë e dy ministrave dhe eksponentëve të rëndësishëm të rilindjes.

    Gjithçka dukej sikur ishte përgatitur për të bërë zhurmë: Vendodhja Dubai. Restoranti: ai i Nusretit të famshëm. Periudha: në kulmin e përmbytjeve. Konteksti: biznesmenë e politikanë që festojnë së bashku në kulmin e akuzave, kur ky kabinet po akuzohet gjithandej si qeveria e oligarkëve.

    Ky koktej molotov ishte i mjaftueshëm për ti vënë flakën rrejeve sociale. Dhe në këtë kuptim kjo është një ngjarje nga ato të cilat mbahen shënim në historinë e një vendi.

    Sepse ndonëse asnjë nga mediat e mëdha, apo më pak të tilla, nuk foli për këtë ngjarje, qeveria u mundua të japë shpjegime. Ajo sqaroi me anë të një komunikimi se të ftuarit ishin aty për punë, në kuadrin e një projekti rindërtimi, ndërsa vetë Rama, mori mundimin të përgjigjej në Facebook se ministrat e tij e kishin të ndaluar të shkonin me pushime jashtë, ndaj kjo përrallë me “gjellë pasanikësh” ishte e pavlerë.

    Në fakt alibia e qeverisë ishte pak bindëse. Në pamje dukej qartë se festa ishte organizuar nga biznesmeni Samir Mane, dhe ministrat Ahmetaj, Balluku, apo zyrtarë si Mazniku dhe Fuga kishin pak lidhje me njëri tjetrin.

    Çdo mendje normale e ka të pamundur të përtypë se ata gjendeshin sëbashkëu duke punuar për rindërtimin. Fjala vjen, ç’lidhje ka zëdhënësi i kryeministrit me këtë proces? Apo për të shoqëruar gazetarët e tv-ve që gjendeshin në Dubali dhe që u informuan gjithashtu për këtë festë nga facebook-istat e Tiranës?

    Në këtë kuptim, alibitë e zyrës së propagandës qeverisë nuk kanë asnjë vlerë.

    Për faktin e thjeshtë se ato nuk arrijnë të bindin askënd. Jo sepse pretendimi që thotë kryeministria nuk mund të mos jetë i vvërtetë. Jo sepse ministrat mund të mos kenë qenë vërtet të ftuar për punë.

    Por, për një arsye krejt tjetër që e kapërcen fabulën e një feste në një restorant të famshëm të emirateve.

    Ato pak sekonda që u përhapën me shpejtësi rrufeje në rrjet, që u transformuan në dhjetra meme, që u mveshën me audion e zërit të Reshat Arbanës, që gumëzhinë me mijra komente dhe që e detyruan kryeministrin të prishte të dielën për tu përgjigjur, qenë tejet simbolike.

    Ato qenë dëshmia e asaj që mendojnë të gjithë, lidhjeve okulte mes bisznesit dhe politikës. Ato qenë prova e moskokçarjes apo indiferencës së “shërbëtorëve” tanë ndaj fatkeqësisë së një vendi të përmbytur nga ujrat.

    Mënyra se si ato u përhapën, forca më të cilën ato u ripostuan, ishte një tregues i qartë se realiteti që perceptojnë shqiptarët nuk është as ai që i kumton qeveria mes kronikave të përgatitura, as temat për të cilat zgjedhin ti “informojnë” mediat.

    Prandaj qeveria, vendosi të lëshojë sqarim publik dhe Kryeministri të reagojë personalisht. Ata kuptuan se sado që të kesh nën kontroll gjithë kastën, mjaftojnë disa sekonda imazhe që gjithë propaganda të bëhet shkrumb e hi.

    Në këtë kuptim, ajo që ndodhi në Dubai me Rilindjen është e ngjashme me historinë e vallzimit të Nanos dhe Xhoanës në një buzuk grek, kur vendi ishte në zi kombëtare.

    Atëhere, ish-kryeministri nuk i kishte nën kontroll gjithë mediat e mëdha dhe mjaftoi një kronikë në një TV kombëtar, që imazhi i tij të shembej.

    Sot Edi Rama i ka vënë në thundër të gjitha ekranet, por fatmirësisht jetojmë në kohën e rrjeteve sociale. Dhe për Dubain shpërthyen si rrallëherë ato. Jo thjesht se u konsumua një darkë te Nusreti, por mbi të gjitha si revoltë, kundërshtim dhe neveri për fabulën që u tregohet nga kasta. 

  • Red VARAKU – Shqipëria mbytet, qeveria krihet

    Red VARAKU – Shqipëria mbytet, qeveria krihet

    Qytetarët shqiptarë në zonat dhe qytetet e përmbytura nga uji po përjetojnë rrezikun dhe emergjencën e prodhuar nga korrupsioni dhe papërgjegjëshmëria e kësaj qeverie.

    Katrahura që po shikojmë sot vjen nga fakti se qeveria nuk i ka pasur për asnjë çast prioritet investimet për shmangjen e kësaj katastrofe. Ajo ka gënjyer dhe nuk ka bërë asgjë për të shmangur këtë katastrofë për tetë vjet me rradhë .

    Buxheti i parashikuar për ministrinë e bujqësisë është qesharak, aq më tepër kur dihet masakra që ish-ministri i bujqësisë Bled Çuçi ka bërë me aq pak fonde që i ishin lënë nën administrim.

    Si pasojë e keqorientimit të buxhetit dhe vjedhjeve të fondeve publike me qindra- milionë euro për projekte politike për nevoja korruptive të sektit në pushtet, sot nuk ka asnjë investim të madh publik të bërë për të shmangur përmbytjet. Nuk ka asnjë plan për digat, hidrovoret, kanalet bonifikuese, argjinaturat dhe as për sistemimet e shtrateve të lumenjve.

    Përpjekja për tu dukur sikur gjithçka është nën kontroll dhe pamjet me heronjtë e punës socialiste, të cilët tentojnë tu vijnë në ndihmë qytetarëve me iphone dhe lopata në dorë, jo vetëm nuk është serioze, por është qesharake, madje kriminale sepse rëndon drejtpërdrejtë me pronat dhe pasuritë e tyre.

    Është shumë cinike që në ditën kur qytetarët mbyten, kryeministri krihet dhe në vend të një reagimi serioz për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve, e ka mendjen tek sulmet ndaj rivalit të tij.

    Sepse, të gjithë e dimë se kështu si ka vajtur puna, tani ka pak shanse të ketë zgjidhje, sepse është logjistikisht e pamundur të realizohet brenda disa ditëve, ajo që duhet të ishte bërë për tetë vjet me rradhë.

    Tani njerëzit që po vuajnë pasojat e kësaj papërgjegjshmërie nuk kanë nevojë për show politik, sepse nuk ka propagandë që mund ta mbulojë gjendjen e mjeruar që ka ardhur për shkak të vjedhjes dhe keqmenaxhimit të kësaj qeverie.

    Ata nuk e kanë luksin të dëgjojnë se fajin për këtë e paska sërish opozita, por kanë nevojë për një reagim të përgjegjshëm për të siguruar ambiente strehë, bukë, ujë apo ngrohje.

    Ndaj, t’i lenë shfaqjet , sepse të gjithë e dimë se kush i ka zhvatur paratë e destinuara për shmangjen e kësaj fatkeqësie, dhe t’i futen punës sepse priten reshje me intensitet më të lartë dhe e keqja akoma nuk ka ardhur akoma .

    Kjo jo për të shpëtuar faqen e zezë, por për të zbutur të paktën minimalisht pasojat e lakmisë, hajdutërisë dhe papërgjegjshmërisë së tyre.