Blog

  • Vehap KOLA – Propagandë më shumë se 28 vite të marra së bashku

    Vehap KOLA – Propagandë më shumë se 28 vite të marra së bashku

    Më shumë se 28 vite të marra së bashku” është një shprehje propagandistike e Edi Ramës (filloi ta përdorte në vitin 2018), me të cilën synonte të krijonte përshtypjen e rreme se çdo gjë që bënte qeveria e tij në një vit ishte më e madhe se ajo që ishte bërë gjithsej në 28 vite tranzicion.

    Shprehja është përshtatur nga teza revolucionare e vitit zero, ku udhëheqësi i madh, pasi rrëzon të vjetrën, mbi rrënojat e saj themelon të renë dhe nis gjithçka nga e para. Pra, për Ramën dhe propagandën e tij, hapat që ka hedhur Shqipëria përpara se ai të vinte në pushtet ishin një çikërrimë përpara punëve madhështore që ai u thotë njerëzve se po bën për këtë vend.

    Në disa rrafshe, Rama ka thyer jo rekorde 30-vjeçare, por edhe shekullore, si në prodhimin e kanabisit, futjen e kriminelëve dhe apo mafiozëve në Parlament e zyrat e shtetit, borxhi i jashtëm që ka marrë apo shpërdorimi i buxhetit (7.2 miliardë euro në 7 vite). Megjithatë, nuk janë këto “arritje” që ai u përmend shqiptarëve, kur rreh gjoksin se po bën e do të bëjë më shumë se në 30 vite të marra së bashku. Ai e ka fjalën për sukseset imagjinare në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, ekonomi, integrim e politikë të jashtme.

    Rasti i fundit ishte vizita e tij e para dy ditëve në Turqi, ku përsëri Rama nuk zhgënjeu kur enturazhi i tij i propagandës u mundua ta shiste për publikun si një pritje më madhështore se çdo pritje tjetër e udhëheqësve të vendeve të mëdha. Ndonëse ajo pritje u bëhet pothuajse të gjithë liderëve botërore në Ankara dhe kjo mund të verifikohet lehtë me një kërkim të shpejtë në internet, Rama po përpiqet ta projektojë veten si shahist i nivelit ndërkombëtar, të cilit i rri ngushtë kostumi i menaxherit të punëve të një vendi të vogël si Shqipëria.

    Nga pikëpamja politike dhe ekonomike, vizita nuk ka regjistruar asnjë arritje të veçantë. Presidenti Erdoðan i përmendi Ramës mundësinë që marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve të helmohen nga mungesa e një qëndrimi të qartë të këtij të fundit në lidhje me konfliktin ndërmjet Turqisë dhe lëvizjes së Fet’hullah Gylenit. Ai konsideron se turqit dhe shqiptarët janë popuj miq e vëllezër, si dhe premtoi që t’i bëjë popullit shqiptar një spital dhuratë, siç është angazhuar të ndërtojë 523 apartamente për familjet e mbetura pa strehë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

    Projekti e ngrirë i aeroportit të Vlorës nuk u përmend, ndërsa numri i kompanive turke në Shqipëri është reduktuar ndjeshëm 5 vitet e fundit. Një pjesë e tyre janë zhvendosur në vendet e tjera për shkak të korrupsionit galopant dhe politikës fiskale jokonkurruese të qeverisë Rama prej 2013 e këtej. Një pjesë e investimeve të realizuara viteve të fundit nga kompanitë turke janë vazhdim i projekteve të nisura në kohën e qeverisjes së demokratëve ose rinovime licencash e lejesh minerare e energjetike.

    Nevoja e makinerisë së propagandës së Edi Ramës për ta paraqitur këtë vizitë si një sukses i madh i paarritur më parë lidhet me 2 arsye thelbësore. E para është kolapsi i plotë ekonomik e social i Shqipërisë, ndërsa arsyeja e dytë është izolimi i plotë i Ramës nga Europa, ku shqiptarët synojnë të integrohen një ditë plotësisht.

    Kolapsi i ekonomisë dhe shpopullimi, dështimi spektakolar me menaxhimin e pandemisë dhe ndihma e vogël që i ka dhënë ekonomisë, e ka bërë edhe më të vështirë zgjedhjen e Ramës për një mandat tjetër. Ai dhe qeveria e tij janë bërë gjithnjë e më arrogantë. Më shumë se kudo, kjo arrogancë dhe përçmim për vështirësitë elementare të qytetarëve shfaqet në paraqitjet propagandistike të Ramës për të dorëzuar ndonjë shtëpi apo për të inspektuar projekte publike të nisura prej vitesh e të ngecura larg përfundimit.

    Izolimi europian i Ramës është i qartë prej kohësh. Shqipërisë, ndryshe nga Maqedonia, nuk i është dhënë një datë për Konferencën e parë Ndërqeveritare, që do të shënonte edhe fillimin e negociatave për anëtarësimin në BE. Projekti i përbashkët Rama-Vuçiç për shkëmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u kundërshtua dhe u pengua me ndërhyrjen energjike të Gjermanisë. Pushteti në Tiranë ka shkelur marrëveshjen e 5 qershorit, të arritur me garancinë e Zyrës së Delegacionit Europian, duke zhbërë edhe të vetmin kusht të hapjes së negociatave, që u përmbush për një moment.

    Tani, Shqipëria ka përpara një numër të madh kushtesh për të përmbushur dhe është përtej imagjinatës që ajo t’ia dalë deri në zgjedhje, sepse disa prej tyre, si dënimi i krimit zgjedhor dhe Reforma Zgjedhore konsensuale, janë shkelur tashmë. E vetmja gjë që mund të bëjë Rama për të kompensuar këtë hendek në një prej çështjeve më kritike për interesin publik, është ta mbushë atë me mallra false.

    Kështu, kur atë nuk e pret më Merkel apo Makron, ai stis një teori të stërpërdorur për të ashtuquajturin rol të tijin në pajtimin e Turqisë me Greqinë. Ndërkohë që Rama nuk është në gjendje as të mbrojë interesin e Shqipërisë në çështjen e kufirit detar, në pikturën e tij propagandistike ai orvatët të na shfaqet si një paqebërës i denjë për punë të mëdha. Pasi ka ngritur me shumë potere një komision negociatorësh me Greqinë për të zgjidhur problemin e kufirit detar, ai nuk ka asgjë për t’u thënë shqiptarëve për performancën e këtij komisioni. Çuditërisht, paska shumë për të thënë për rolin e tij të ri, atë të pajtimit të dy popujve gjeostrategjikisht rivalë.

    Siç duket, Ramës nuk i ka mbetur asnjë gur tjetër për të lëvizur deri në zgjedhje. Ai do të bëjë çdo gjë për të argëtuar vëmendjen e publikut me tema dhe ngjarje që nuk kanë asnjë lidhje me performancën e qeverisë së tij, me ekonominë, punësimin, varfërinë, shëndetësinë dhe arsimin. E gjithë kjo është përpjekje për të frenuar sadopak tatëpjetën e kuotave të tij publike deri sa të vijë momenti që të provojë të gjitha format e manipulimit dhe blerjes së votës, ndërsa përmbyt debatin publik me pisllëk.

    Turqia dhe Presidenti Erdoðan kanë qenë gjithnjë afër dhe mbështetës për Shqipërinë dhe interesat shqiptare në rajon. Dallimin e bën nevoja e madhe e Ramës për suksese imagjinare në fusha ku ai nuk ka nevojë të investojë paratë që u ka ndarë inceneratorëve dhe PPP-ve. Në këtë drejtim, po, është e vërtetë, një Kryeministër shqiptar është duke bërë propagandë boshe më shumë se 28 vjet të marra së bashku.

  • Red VARAKU – Çfarë paralajmëron Nasip-fushata?

    Red VARAKU – Çfarë paralajmëron Nasip-fushata?

    Edi Rama, Lefter Koka dhe Damian Gjiknuri u shfaqën në një video para opinionit publik nën avujt e alkolit dhe në zdërhallje të plotë duke ‘lypur’ dhe prezencën e një ish-bashkëpunëtori të tyre në tryezën e tyre ku duket se i kanë siguruar dhe një ‘llokëm’ në këmbim të shërbimeve të tij.

    Deri këtu nuk ka asgjë për tu çuditur, sepse të zdërhallesh nën avujt e alkolit me miq apo ish-kundërshtarë politikë dhe degjenerosh në skena të tilla nuk ka asgjë të keqe për standartin e njerëzve të tillë që të gjithë i njohim.

    Në fund të ditës të gjithë ata janë njerëz të atij niveli dhe janë në të drejtën e tyre t’i drejtohen njëri tjetrit në atë formë kur janë në jetën e tyre private. Kjo do të ishte një pamje fare normale e tre bashkëpunëtorëve të cilët janë mbledhur dhe shkëmbejnë batuta nën avujt e alkolit, por kurrsesi e tre zyrtarëve të shtetit.

    Sepse, kur bëhet fjalë për kryeministrin e vendit që po kalon një krizë të rëndë për shkak të tërmetit dhe pandemisë, një ish-ministër i një partie tjetër të lidhur me skandalin e inceneratorëve dhe për garuzhden e korrupsionit të provuar dhe si hajdut zgjedhjesh dhe aktualisht një zyrtar i lartë i PS që drejton Vlorën, kjo merr një kuptim krejt tjetër.

    Aq më tepër kur ata shfaqen duke diskutuar për zgjedhje politike duke ofruar ‘llokma’ pushteti për shërbime elektorale dhe aq më tepër kur dy personazhet kryesore të kësaj videoje, kryeministri dhe Damian Gjiknuri janë akuzuar si arkitektë të vjedhjes së votës në gjithë Shqipërinë dhe janë provuar si të tillë në dosjen 184.

    Këtu fillon problemi. Sepse, jemi përballë një fakti tjetër shumë të rëndë ,i cili na provon asgjësimin tërësisht të procesit politik, asgjësimin e institucioneve dhe degradimin e rëndë të mentalitetit të këtij grupi të strukturuar kriminal që ka pushtuar institucionet dhe ka marrë peng vendin, e cila më së paku është shndërruar në një pazar interesash banale që nuk kanë asnjë lidhje me interesin e qytetarëve.

    Është pikërisht kjo praktikë e rekrutimit të njerëzve mbi baza mercenare që ka instaluar psikologjinë e servilizmit, të vjedhjes, të blerjes dhe matrapazllëkut si mundësi për të ecur përpara dhe për të mbijetuar në këtë realitet të hidhur.

    Pra, në vend që këta persona të shfaqen në një zyrë të caktuar dhe të kishin një bashkëpunim parimor dhe programor për të mirën e qytetarëve dhe në shërbim të tyre dhe fare mirë të ftonin dhe dikë tjetër që ndan të njëjtin vizion për t’iu bashkuar në rrugën e tyre, këta shfaqen të dehur nga pushteti dhe diskutojnë për aleancat politike si pazare të ulëta mercenarësh politikë që e shikojnë pushtetin si matrapazë për të vjedhur dhe për tu pasuruar.

    Kjo dëshmon se llumi ka pushtuar institucionet dhe sundohemi nga një bandë që e shikon pushtetin si tepsi dhe plaçkë për tu ndarë mes çakejve politikë. Kjo njëkohësisht dëshmon se nxënësi i Konicës nuk ka ndezur motorrët e fushatës, por ka ndezur sërish mekanizmin për të realizuar projektin për vjedhjen ose prishjen e zgjedhjeve.

    Dhe kjo është një arsye për të kuptuar se jemi përballë një beteje finale. Për të kuptuar se fatin tonë në dorë tanimë nuk e ka më askush, përveç se vetë ne  dhe se të gjithë kemi vetëm një zgjidhje; të angazhohemi plotësisht dhe të dalim masivisht në zgjedhje për të ndalur projektin e kësaj lukunie për të rivjedhur vullnetin, pasuritë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Rrugë tjetër nuk ka!

  • Enver BYTYÇI – Pse Edi Rama në stilin e Vuçiç i bën karshillëk Europës!

    Enver BYTYÇI – Pse Edi Rama në stilin e Vuçiç i bën karshillëk Europës!

    Dje dhe sot Edi Rama dhe gjysma e qeverisë së tij janë për vizitë zyrtare në Ankara. Fillimisht dua të them se çdo marrëdhënie midis Turqisë dhe Shqipërisë është shprehje e interesit të përbashkët dhe si e tillë e mirëpritur nga shumica dërmuese e shqiptarëve. Asnjëherë nuk kam menduar dhe nuk besoj në teoritë konspirative, sipas të cilave marrëdhëniet e tona me Turqinë mund të rrezikojnë qoftë dhe potencialisht integritetin territorial apo sovranitetin e Shqipërisë.

    Por vizitat e Edi Ramës në Ankara ose në Stamboll  më parë i kam parë gjithnjë me skepticizëm dhe gjykoj se ato nuk vihen në funksion të interesave të Shqipërisë aq sa vihen në shërbim të ushtrimit pervers të pushtetit nga ana e Edi Ramës. Ndërsa për vizitën e tanishme të tij në Ankara nuk kam as më të voglin dyshim se ajo vlen si vizitë kortezie ose çoke në ndihmë të fitores së zotit Rama në zgjedhjet e 25 prillit 2021.

    Këtë të vërtetë e zbuloi me sinqeritet presidenti turk, RexhepTayp Erdogan, i cili së paku në dy raste përmendi zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Në rastin e parë premtoi hapur se do të ndërtonte spitalin e Fierit para zgjedhjeve të 25 prillit, ndërkohë që edhe në mbyllje të fjalës së tij uroi që zgjedhjet të jenë të dobishme për (kë?!,) ndoshta Shqipërinë.

    E gjithë ceremonia, kuajt me flamurin shqiptar në krye, limuzina, sallonet e mëdha sulltanore, premtimet për investime, fjalimet e dy shefave, Erdogan dhe Rama, ishin përgatitur me një regji të hollë për të dhënë mesazhin që ta paraqesin kryeministrin shqiptar si “të vetmen shpresë” për shqiptarët dhe ardhmërinë e vendit tonë. Ndërsa mediet lëpirëse tek ne nuk reshtën pa folur me superlativa, për t’u thënë shqiptarëve se “Edi Rama nuk ka alternativë”!

    Më vjen keq të shënoj ndjesinë se presidenti Erdogan me këtë rast po shfrytëzon vështirësitë që kalon kreu i ekzekutivit shqiptar për shkak të izolimit europian dhe dështimeve spektakolare në të gjitha drejtimet në qeverisjen e tij në vend. Duke i njohur mirë rrethanat në të cilat gjendet Edi Rama, presidenti turk po shfrytëzon terrenin e krijuar që t’ia kundërvejë ShqipërinëEuropës, thjesht për të plotësuar disa interesa të tijat në këto raporte. Ndërsa bashkërendimi i përpjekjeve të përbashkëta kundër “organizatë terroriste të FETO-s” ishte thjesht kupertura e asaj që synohet të arrihet nga presidenti Erdogan. Por me kërkesën për luftë të përbashkët kundër Fetuhllah Guelen, presidenti i Turqisë teston edhe gatishmërinë e Edi Ramës se deri ku mund të shkojë servilizmi i tij ndaj Erdogan. Kjo do të thotë se Rama dhe qeveria e tij, në kushte emergjence për t’i shpëtuar ndëshkimit të qytetarëve më 25 prill po keqpërdoren nga ana e Ankarasë dhe keqpërdorja po na shitet si “sukses i jashtëzkonshëm” i kryeministrit tonë.

    Ka disa vite, së paku nga viti 2018 e këtej, që qeveria Rama është e izoluar nga pikëpamja politike dhe në aspektin e ndihmave ekonomike e financiare nga Bashkimi Europian dhe vendet kryesore të tij. Gjermania është më e zhgënjyera prej vendeve të tjera në raport me Edi Ramën, sepse shpresat e saj ishin të mëdha, ndërkohë që mashtrimi i kryeministrit tonë ishte spektakolar! Humnera midis pritshmërive gjermane për shkak të mashtrimit të Ramës me realitetin e kundërt që krijoi ky i fundit është e jashtëzakonshme. Me mashtrimet e tij kryeministri ynë ka tronditur besimin e të gjithë politikanëve shqiptarë, përfshirë dhe ata të Kosovës, te partnerët europianë.Në Europë është krijuar përceptimi se “të gjithë politikanët dhe liderët e politikës shqiptare duhen parë me skepticizëm dhe se atyre nuk u duhet besuar lehtë”! Kjo falë mashtrimeve të paskrupullta të kryeministrit aktual, Edi Rama!

    Ndërkaq zoti Rama po reagon pa kurrëfarë maturie diplomatike e politike për situatën që vetë e krijoi me europianët. Ai edhe në Ankara kontrastoi aftësitë e presidentit Erdogan me “paaftësitë” e BashkimitEuropian. Kritikoi ashpër qëndrimet e Brukselit, duke lavdëruar marrëdhëniet e partneritetit strategjik të Shqipërisë me Turqinë si “të suksesshme” dhe marrëdhëniet kontraktuale për shkak të integrimit me BE-në si “të pasuksesshme”. Pse duhej që kreu ynë i ekzekutivit të fliste në Ankara kundërEuropës dhe kujt I shërben kjo përveçse interesave të tij përpushtet me ndihmën e Turqisë?!

    Edi Rama nuk flet krejt rastëisht. Ai beson se mund ta luajë rolin e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, kur ai  dëshiron të “frikësojë” europianët,e t’u thotë se po shkon “të flejë në Kremlin”! Edhe Rama dëshiron ta luajë të njëjtën kartë dhe përpiqet ta kërcënojë Brukselin, Berlinin, Parisin, Londrën etj me “mbështetjen” që ai gjen te Erdogan. Por kryeministri ynë është shumë fat keq. Ai në panik dhe i pashpresë është gati të pranojë çdo lloj oferte, mjafton që të mbahet me thonj në karriken e pushtetit.

    Megjithatë kryeministri Rama nuk ka mundur që të bëjë llogari të sakta. Shqipëria nuk është Serbi dhe as Rama nuk është Vuçiç. Shqipëria është orientuar drejt integrimeve europiane, ndërkohë që Serbia drejt Rusisë. Kësisoj Rama i kundërvihet jo vetëm Europës, por dhe interesave të qytetarëve zgjedhës të tij kur injoron Europën, ndërkohë që presidenti serb fiton përkrahjen e elektoratit të tij kur afrohet me Moskën e largohet me BE-në. Rama nuk ka asnjë mundësi reale që të përballet me Bashkimin Europian dhe Gjermaninë, sikur të thërrasë në ndihmë jo vetëm Erdoganin, por dhe Rusinë e Putinit si dhe gjithë lindjen së bashku.

    Kjo vizitë në Ankara e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, do të shpejtojë dhe thellojë humbjen e tij më 25 prill 2021! Nuk ka asnjë shans që atij t’i vijë në ndihmë as Erdogani, as Vuçiç, as ndonjë lider tjetër autoritar i kontinetit ose planetit!

  • Andi BUSHATI – Çmimi që do paguajmë për dhuratat e Erdoganit

    Sot në Ankara ka ndodhur një ngjarje e pazakontë. Kryeministrit shqiptar i është organizuar një nga pritjet më solemne dhe më pompoze që mund të ekzistojnë. Edi Rama hyri triumfator në pallatin madhështor me 2 mijë dhoma, garda e meherëve, e veshur me uniformat e ish mbajtësve të tendës së sulltanit, bëri roje nderi përpara tij, ndërsa vetë Erdogan nuk i kurseu epitetet: vëlla, mik dhe aleat.

    Përpos ceremonialitetit pati edhe më shumë se kaq. Raisi i Turqisë premtoi për të ftuarin e vet mbështetje në zgjedhjet e 25 prillit, ai pohoi se investimet turke do të rriten, ai konfirmoi se ndihma bujare do të shtohet, ashtu sikurse ndodhi gjatë pandemisë dhe tërmetit.

    Nuk do të jetë çudi që dhuratat, ndoshta lokale, apo qoftë edhe ndërkombëtare të Erdoganit për Edi Ramën, të jenë edhe më të mëdha në ditët e ardhshme.

    Por, pavarësisht nga ky gjenerozitet pompoz dhe nga kjo mbështetje e pakufishme, e denjë për marëdhëniet që sulltanët e dikurshëm i falnin vasalëve më të bindur, asnjë qytetar tjetër përpos kryeministrit tonë nuk ka arsye të ndihet i lumtur.

    Sepse dhuratat personale të presidentit islamo- konservator turk për Edi Ramën po paguhen me çmimin e shtrenjtë të erdoganizimit të Shqipërisë.

    Sot ne jemi vendi i vetëm në Europë që ka një kryeministër që ka pranuar versionin e regjimit autokratik të Turqisë, se grushtin e shtetit të korrikut 2016 e organizuan gylenistët. Sot ne jemi i vetmi vend që si pasojë e kësaj marëdhënieje okulte, kemi ekstraduar mësues turq që rezikojnë të marrin dënime kapitale në Turqi (shkrimi poshte).

    Ne po nëpërkëmbin ligjet tona duke mbyllur shkolla e kolegje sipas orekseve të Erdoganit madje dhe duke shkelur ligjet e vendit.

    Tirana është sot një qytet që ka në zonën e saj më ekskluzive një monument në nder të martirëve të një puçi të pavërtetuar.

    Komuniteti musliman ka dorëzuar mëvetësinë dhe ka ndryshuar drejtuesit e tij në bazë të udhëzimeve që vijnë nga Ankaraja.

    Shteti ka përdhosur një princip të panegociueshëm duke i lejuar kalifit otoman të financojë xhaminë më të madhe në vend, madje dhe ta modelojë sipas shijeve të tij.

    Prandaj, çfarëdo pritjeje madhështore ti organizojë Erdogani Ramës, apo çfarë do lloj pompimi të reket ti japë ai në skenën ndërkombëtare kryeministrit tonë, kjo nuk është një gjë që na bën krenarë. Pasi kostoja që po paguan krejt shoqëria nga kjo përkëdhelje personale është disa fish më e madhe.

  • Elona CASLLI – Spiropalis delirium!

    Elona CASLLI – Spiropalis delirium!

    Spiropali, teksa u përballa me statusin tuaj, mbi Gazment Bardhi, u bëra kurioze të mësoja më shumë për çështjen në fjalë. Pasi lexova për këtë të fundit, kuptova se ajo çka Gazment Bardhi e quan nervozizëm tek ju, në të vërtetë është një shfaqje e vërtetë deliri.

    Ethet e delirit ju kanë zënë prej kohësh Spiropali, por ju nuk e kuptoni dhe nuk keni faj për këtë gjë, pasi simptoma e parë e delirit, është humbja e vetëdijes për ambientin që të rrethon.

    Nuk do të merrem hiç me statusin tuaj, pasi është një bashkësi fjalësh pa kurrfarë rrjedhe logjike. Nuk do të merrem as me avokatinë e Gazment Bardhit, pasi i ka kaluar prej kohësh të tetëmbëdhjetat dhe mund të mbrohet vetë.

    Do të merrem me thelbin e çështjes.

    Më datë 24 dhjetor të vitit 2020, Komisioni Rregullator pranë Komisionit Qendror të zgjedhjeve, me një vendim unanim ka vendosur të kufizojë një grup veprimtarish të partive politike në vend, katër muaj para zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re.

    Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka hyrë në fuqi që më datën 25 dhjetor të vitit 2020 dhe kufizon veprimtaritë e mëposhtme;

    – Shpërndarjen në veprimtari publike të lejeve të legalizimeve, në periudhën 4 (katër) mujore para datës së zgjedhjeve;

    – Shpërndarjen në veprimtari publike të akteve për regjistrimin e tokës bujqësore, çertifikatave të pronësise, dhe çfarëdolloj titulli pronësie sipas legjislacionit për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë, si dhe të regjistrimeve të titujve të pronësisë sipas ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën” në periudhën 4 (katër) mujore para datës së zgjedhjeve;

    -Katër muaj para datës së zgjedhjeve deri në ditën e zgjedhjeve, ndalohet dhënia e kontratave publike të koncensionit/partneritet publik privat (PPP);

    -Pasqyrimin e objekteve të rindërtuara ose në proces rindërtimi për shkak të fatkeqësive natyrore etj.

    Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve argumenton se këto masa merren me synimin për të shmangur keqpërdorimin e burimeve shtetërore për qëllime të fushatës elektorale.

    Duke qenë se Rilindja e ka shkelur këtë vendim, Partia Demokratike ka depozituar një kallëzim.

    Kallëzimi është krejt i drejtë, pasi pas datës 25 dhjetor, jemi përballur me videot e të ngjashmit tuaj Erion Veliaj, në të cilat shfaqeshin shtëpitë e ndërtuara nga tërmeti.

    Pas datës 25 dhjetor jemi përballur dhe me bredhjen e deputeteve rilindase nga jetimorja në jetimore dhe me fotografi të shumta, ku këto të fundit u shpërndanin pako fëmijëve.

    Dhe i gjithë ky proces është përdorim i burimeve shtetërore për fushatën elektorale të Rilindjes dhe bie ndesh me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

    E thënë shkurt, Spiropali argumenti juaj që Bardhi është i zi, apo që Partia Demokratike është një parti përjashtuese, është një argument delirant, që nuk ka kurrfarë lidhje me çështjen në fjalë dhe sikundër do të shprehej udhëheqësi juaj shpirtëror Edi Rama: Deliri nuk është argument.

    Kur e quajta Erion Veliajn të ngjashmin tuaj, nuk e bëra rastësisht. Keni të njëjtën trajtë mosmendimi në artikulim.

    Të përjashtuarit nga Partia Demokratike, si rregull duhet të jenë kundërshtarët tuaj politikë. Ata kanë premtuar se do të çojnë të gjithë kastën politike në pension dhe do t’i ofrojnë Shqipërisë një epokë të re. Si rregull rrezikoni edhe ju pensionin nga të përjashtuarit, Spiropali.

    Për një “rastësi të mbrapshtë” ju nuk i shihni si kundërshtarë, për sa kohë u thurni lavde të shpeshta në publik dhe nënvizoni përjashtimin e tyre nga opozita.

    Kjo zemërgjësi është paksa atipike në paradhomën e një fushate zgjedhore dhe mbi të gjitha mbi ata faktorë politikë që janë betuar se do nxjerrin të gjithë politikanët në pension.

    Post Scriptum- Jeni në një gjendje fatkeqe deliri. Të shkuara!

  • Red VARAKU – Logjika politike që asgjëson makiazhin elektoral të kryeministrit

    Red VARAKU – Logjika politike që asgjëson makiazhin elektoral të kryeministrit

    Kur Edi Rama firmosi me gjakun e Ziverit, Faikut, Hekuranit dhe Aleksit kapitullimin përballë LSI-së në prill të 2013, vetëm tre muaj para 23 qershorit, datës së zgjedhjeve politike, pati një furtunë reagimesh jo vetëm nga socialistët, por nga të gjithë qytetarët shqiptarë, që e lëkundën jo pak barkën e rilindjes.

    Ai moment ka qenë ndoshta nga momentet më të vështira politike të Ramës në opozitë, sepse e detyronte atë të gëlltiste të vjellat e tetë vjetëve opozitarizëm shoqëruar me një retorikë brutale kundër Sali Berishës, largimi i të cilit ishte kthyer në prioritetin kryesor të opozitës.

    Kjo sepse Rama deri në atë kohë ishte njeriu i cili i kishte humbur të gjitha betejat politike kundër tij, përfshi zgjedhjet e 2009, të cilat u kontestuan fort. Kështu ai humbi bashkinë e Tiranës vetëm katër muaj pas 21 janarit, ndërsa më pas humbi dhe presidentin , i cili duhet të ishte konsensual, sipas marrëveshjes së tij me ndërkombëtarët.

    Pra, deri në 2013 ai ishte kthyer në humbësin më të madh në politikën shqiptare si lider opozite pavarësisht se si krekoset sot dhe pavarësisht që shumë bëjnë sikur nuk e mbajnë mend. Ndërkohë e gjithë ajo që njihej ndryshe si ‘partia e Nanos’ brenda PS, e cila u formalizua si Lëvizja për Mendimin Ndryshe, plus dhe shumë pakënaqur të tjerë, i doli haptazi kundër, duke e kthyer atë sërish në një humbës potencial në zgjedhjet e 2013.

    Ishte pikërisht ndërhyrja e Koço Kokëdhimës, i cili mësohet t’i ketë shkuar në zyrë dhe t’ia ketë përplasur në fytyrë të vërtetën se ai nuk do të arrinte kurrë ta mundte Sali Berishën, pa një koalicion me LSI-në, që e bëri i të rikonsideronte pozicionin e tij në lidhje me LSI-në.

    Në fakt kjo ishte e vërtetë. Prej 2005 Berisha nuk e kishte marrë kurrë seriozisht atë si pretendent për kryeministër dhe e kishte mundur vazhdimisht, por poshtërimi më i madh që i kishte bërë kishte qenë fakti që e zbythi atë nga pushteti pikërisht në bastionin e tij Tiranën, përmes Lulzim Bashës asokohe vetëm 35 vjeç. Ky ishte poshtërimi më i madh që mund t’i bëhej një pretendenti për kryeministër edhe pse duket që shumë e kanë harruar.

    Përballë këtij realiteti dëshpërues dhe duke qenë një llogaritës gjakftohtë i pushtetit, njëkohësisht duke njohur faktin që prej 2005 LSI kishte qenë përcaktuese për rrotacionin, ai u detyrua të ulte kokën përballë ‘armikut’ dhe rivalit të tij më të madh brenda të majtës, Ilir Metës.

    Dhe përkundër të gjitha parashikimeve emocionale, duke shkelur çdo parim, pra duke shitur gjakun e katër të vrarëve, duke tradhëtuar aleatët e tetë vjetëve opozitë dhe duke i flakur tej pas marrëveshjes me LSI-në, duke sfiduar kështu çdo logjikë elektorale , ai i fitoi zgjedhjet e qershorit të 2013. Kjo sepse kushdo që merret me politikë e ka të qartë që logjika ‘elektorale’ është njē gjë, ndërsa logjika politike është krejtësisht tjetër.

    Dhe pikërisht pse kryeministri e di mirë këtë, po përpiqet me ndryshimet e njëanshme kushtetuese ta shkatërrojë logjikēn politike që sjell me siguri matematike opozitën në pushtet. Sepse, nga përvoja e zgjedhjeve të 2013 ,ai e di mirë që siguria dhe garancia për rrotacionin vret përfundimisht frikën nga pushteti dhe prodhon shpresë për ndryshim.

    Më shumë se kushdo tjetër, ai e ka të qartë, që pavarësisht dështimeve spektakolare në të gjitha fushat ku kryedështimi mbetet bllokimi i integrimit, fitoren e prodhon logjika politike, pra numrat dhe numrat sot ulërasin kundër tij.

    Ndërsa dallgën për largimin e tij e krijon mllefi i madh që është krijuar kundër tij, jo vetëm nga privatizimi i pushtetit dhe instalimi i kulturës së abuzimit në çdo qelizë të ushtrimit të pushtetit, por edhe për shkak se opozita ia ka dalë të vërtetojë tezën e saj, se ai është njeriu që ka marrë peng vendin dhe po e përdor atë në shërbim të axhendës së tij për para dhe pushtet.

    Kjo u provua dhe me fakte shumë të rënda që tashmë i njohim të gjithë. Ato janë projekti i mini Jugosllavisë që tenton ta kthejë Tiranën dhe Prishtinën në shërbëtorë të Beogradit, përpjekja për ndarjen e Kosovës që tentonte destabilizimin e Ballkanit me qëllim shkatërrimin e BE dhe noterizimi shtetëror i shitjes së detit për Greqinë. Këto fakte qëndrojnë aty si vula turpi në fytyrën e kësaj qeverie për t’i thyer kokën kujtdo që tenton të argumentojë të kundërtën.

    Kaq mjafton për ta rrëzuar atë nga pushteti. Pjesa tjetër me aeroporte rrëzëllitëse, stadiume me kulla fluturuese janë vaksina që prodhojnë vetëm haluçinacione që është e sigurtë që as ai vetë nuk i beson se do funksionojnë, por që i duhen shumë për të mbajtur me silazh propagandistik bagëtitë e uritura të pushtetit deri në 25 prill.

  • Erion DASHO – Një Borat në versionin shqip

    Erion DASHO – Një Borat në versionin shqip

    Pak ditë pasi u kthye nga Amerika në një udhëtim që ngjante më tepër me një skenë Borati se sa me një vizitë burri shteti, kryeministri deklaroi se “është njësh për të lypur në emër të shqiptarëve”.

    Në 1 janar, në një dalje të orkestruar, në vend të urimit tradicional, kryeministri dha një lajm të shumëpritur, ardhjen e 500 mijë vaksinave për qytetarët.

    Ky lajm, realisht i shkëlqyer, u përshëndet deri edhe nga kritikët më të ashpër të përgjigjes shqiptare ndaj COVID (ku bëj pjesë edhe personalisht) pasi vaksina prej muajsh është përmendur si e vetmja masë që do ta futë në rrugëzgjidhjen përfundimtare problemin e COVID.

    Vetëm se dardha e paska patur bishtin prapa! Me 30 mijë doza gjatë dy muajve të mbetur nga dimri 2020-21 (të cilat nuk mjaftojnë as për personelin mjeksor) dhe pa një plan të qartë se kur vijnë dozat e tjera, entuziazmi i “lypsit nr. 1” duket i pajustifikuar!

    Të paguash vaksinat e Pfizer në janar me rreth 20 dollarë copa dhe t’i marrësh ato në gusht apo shtator kur çmimi i vaksinave alternative do të ketë shkuar më pak se 2 dollarë copa nuk është një marrëveshje e mirë!

    Për paralelizëm, Izraeli po paguan 28 dollarë një vaksinë, por po e mbyll vaksinimin e krejt popullatës brenda pranverës! Bëhet fjalë për miliona doza dhe jo për thërrimet me të cilat është gënjyer me sa duket “lypsi” ynë!

    Dëmet nga ardhja e vonuar e vaksinës në Shqipëri janë të jashtëzakonshme. Deri sa të arrijnë vaksinat e kryeministrit, COVID në Shqipëri do të shkaktojë disa qindra vdekje të parandalueshme dhe disa dhjetëra milionë euro humbje ekonomike.

    Si thelë mbi bisht, shqiptarët po vidhen edhe me disa milionë euro dëm ekonomik nga blerja e vaksinës së Pfizer kur mund të ishte blerë fare mirë vaksina e Oksfordit apo edhe të pritej vaksina e COVAX-it!!!

    Zgjohu Borat! Kur t’u jesh hequr qafe shqiptarëve, mund të shkosh në Amerikë për të blerë bojra dhe për të marrë mësime kulture! Por sot je kryeministër dhe duhet të sigurosh vaksina për qytetarët e tu! Në kohën e duhur dhe në sasinë e duhur! Ndryshe ato nuk kanë vlerë!

    Zgjohu Borat! Pagesa për 500 mijë vaksina sot për t’i marrë në verë apo vjeshtë, nuk është fitore për ty, por për biznesmenët e suksesshëm të Pfizer! Ata po të shesin sot ty një mall që do t’u kishte ngelur stok pas disa muajsh!

    Zgjohu Borat! Shqiptarët vazhdojnë të vdesin nga virusi, pavarësisht shifrave që fsheh ti dhe takëmi yt!

    Zgjohu Borat! Ndryshe do të kesh në ndërgjegje qindra jetë që i besuan një demagogu dhe ekipit të vet të amatorëve…

  • Enver BYTYÇI – Pasojat shkatërruese të protagonizmit egoist në politikë!

    Enver BYTYÇI – Pasojat shkatërruese të protagonizmit egoist në politikë!

    Në maj të vitit 1912 u mblodh në Junik të Kosovës ai që tashmë ka marrë emrin “Kuvendi i Junikut”. Ai kuvend u bëri thirrje shqiptarëve që të mobilizohen në luftë kundër Perandorisë Osmane në agoni, me synim kryesor krijimin e shtetit të ri shqiptar. Nga kjo thirrje në gusht të atij viti ushtria e kryengritësve e udhëhequr nga Hasan Prishtina, Isa Boletini dhe Bajram Curri, tre burra të mëdhenj të Kosovës e shqiptarisë, arriti që të numëronte në radhët e veta mbi 30 mijë burra të armatosur. Rrallë herë ishin mobilizuar kaq shumë kryengritës në luftën për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë që prej kohës së Skënderbeut e pas vitit 1912. Dhe bëhet fjalë për Shqipërinë etnike, në kufijtë natyrorë të saj të katër vilajeteve!

    Po në gusht të atij viti forcat shqiptare të kryengritjes çliruan Shkupin, i njohur në atë kohë si kryeqendra e Vilajtetit të Kosovës. Por pas çlirimit të tij, në vend që të ngrihej flamuri i pavarësisë e të shpallej mëvehtësia e Shqipërisë, filluan grindjet midis kapedanëve të kryengritjes për protagonizëm. Për këtë shkak Shkupi i çliruar nga osmanët shumë shpejt ra në duart e pushtuesve serbë. Lufta për protagonizëm i përçau shqiptarët dhe krerët e kryengritjes. Nëse do të shpallej pavarësia jonë në gusht e jo në nëntor të atij viti, kishte shanse që shqiptarët të reagonin kundër pushtimit serbo-grek të vjeshtës së vonë të atij viti dhe ta shpëtonin atdheun prej dhunës e terrorit të këtyre dy shteteve grabitqare fqinjë në veri e në jug. Dhe nesë do ta mbronin vendin, Konferenca e Londrës nuk do ta linte thjesht në duart e Rusisë dhe Francës procesin dhe të ardhmen e krijimit të shtetit shqiptar!

    Ma kujtoi këtë fakt historik një deklaratë e ambasadorit Mal Berisha, i cili para disa ditësh dëshmoi se si Edi Rama i kishte kërkuar kryeministrit britanik, David Cameron, në dhjetor 2013, që ta bllokonte dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë nga ana e BE-së, për shkak se meritat e këtij suksesi do të shkonin te ish-qeveria e mëparshme e demokratëve të Sali Berishës. Nuk e ve në dyshim vërtetësinë e asaj që ambasadori Berisha pohon, sepse e njoh nga afër dhe e di, se ai e kursen edhe Edi Ramën nga të vërtetat e tjera të hidhura që ia njeh atij, për të ruajtur integritetin e shtetit shqiptar! Por ky lloj protagonizmi na përsëritet vazhdimisht. Edhe në vitin 1912 lufta midis krerëve shqiptarë u bë për protagonizëm, aq sa për këtë shkak shpallja e pavarësisë u shty disa muaj dhe kjo me pasoja të rënda për fatin e kombit.

    Një fakt i tillë të bën të kuptosh se liderët shqiptarë, më shumë se liderët e tjerë rajonalë e më gjerë, vuajnë nga egoja e protagonizmit. Tek kjo ndjenjë dhe te kjo ambicie duhet t’i kërkojmë rrënjët e konfliktit te liderët politikë shqiptarë në Shqipëri, në Kosovë, Maqedoni e gjetkë. Të etja për lavdi, pushtet, pasuri dhe madhështinë e pushtetit duhet kërkuar pamundësia për bashkëpunim dhe marrëveshje midis mazhorancave dhe minorancave opozitare tek ne. Te etja për protagonizëm, për të përvetësuar sukseset dhe për t’u mburrur me dështimin duhen kërkuar rrënjët e së keqes që sot ka kapluar vendin tonë.

    Nëse analizojmë proceset e zhvillimit historik te ne, sidomos në Shqipëri, vemë re se vendi ynë është shumë më tepër viktimë e garës për protagonizëm të brendshëm, sesa viktimë e diversiont dhe agresionit të jashtëm. Kur lexojmë librat e historisë, ata janë të mbushur me rrenën e madhe se “Shqipëria ka qenë gjithnjë e kërcënuar nga jashtë”. Por në fakt Shqipëria ka qenë e kërcënuar nga jashtë po aq sa Franca, sa ish-Jugosllavia ose Greqia. Pengesa e zhvillimit të saj nuk janë të “jashtmit”, por të brendshmit e formësuar me identë e “lavdisë së përjetshme”, thjesht se kanë zënë plotronin e kryeministrit ose të presidentit të vendit. Kështu ka ndodhur nga dita e formimit të Partisë Komuniste në nëntor 1941 e deri në rënien e regjimit diktatorial në dhjetor 1990. Kështu ka ndodhur shumë raste edhe gjatë tranzicionit. Por ajo që ndodh sot i tejkalon kufijtë e imagjinatës!

    Për hir të protagonizmit kategoria e politikanëve të tipit të kryeministrit të sotëm shqiptar bashkëpunojnë edhe me armiqtë historikë të shqiptarëve, vetëm që të “hyjnë në histori”! Nuk ka dhe nuk mund të ketë një shembull të dytë në botë, kur konflikti politik për shkak të etjes për lavdi e protagonizëm ta çojë vendin në buzë të greminës! Nuk ka dhe nuk do të ketë një rast të dytë në planet kur klasa politike për shkak të protagonizmit e shet dështimin si fitore dhe sukses të qeverisjes së saj, siç ndodh në Shqipëri.

    Shqipëria është rast unik i papërsëritshëm i unifikimit politik me aktorët e faktorët kundërshtarë e armiq të jashtëm, vetëm e vetëm për të luftuar dhe për të mposhtur kundërshtarët e brendshëm politikë! Bashkëpunimi i kryeministrit të Shqipërisë me presidentin e Serbisë është shembulli më perfekt i kësaj sindrome. Jo pak raste Edi Rama ka shfrytëzuar lidhjet dhe konferencat e shtypit me Aleksandër Vuçiç, me qëllim që të godasë dhe të atakojë opozitën e tij në Shqipëri, madje dhe politikën në Kosovë! Dhe më e keqja qëndron se këtë sëmundje politike të Tiranës ai e ka transferuar te politikanë të korruptuar e inkriminuar të Prishtinës! Gjithçka në funksion të interesit të palës së tretë, Serbisë!

    Bashkëpunimi i tij me kryeministrin britanik, Cameron, për shtyrjen e statusit të vendit kandidat për pranim në BE për Shqipërinë për mua mbetet gjëja më pak e rrezikshme për vendin tonë. Por protagonizmi i Edi Ramës dhe etja e egoizmi i tij i pafre, shkon përtej këtij bashkëpunimi. Për arsye të pushtetit dhe pasurisë së grabitur ai iu bashkua të gjitha nismave anti-shqiptare e sidomos anti-Kosovë të presidentit të Seërbisë, me qëllim që të “ruante statusin e liderit rajonal”, emërtim me të cilin miku i tij Vuçiç ia përmendte me tallje e ironi shpotitëse! Se ky realitet është aq i trishtë dhe aq i pranishëm, këtë e dëshmojnë deklaratat spiropaliane, të Çuçit e Gjiknurit, me të cilat ata e krahasojnë liderin e tyre me Skënderbeun! Dhe për këtë shkak këta ministra marrin shpërblime të majme prej kryeministrit tonë!

    Kush beson te egoja dhe etja për lavdi, mund ta besojë edhe kryeministrin tonë! Kush beson te protagonizmi i individit, pra te kulti i tij, mund të besojë në mënyrë të verbër edhe te Edi Rama! Kush beson te pushteti i Edi Ramës dhe pret poshtë shkallëve të tij të rrjedhë ose të pikojë diçka nga prapanica e këtij pushteti, le të besojë edhe te protagonizmi i tij! Por të besosh se qeverisja realizohet në kushte normale, kur atë e sundon etja për protagonizëm dhe jo drejtësia e liria, do të thotë se bëhesh palë me të keqen kundër vlerave të lirisë e të drejtësisë njerëzore e hyjnore. Protagonizmi nuk sjell drejtësi e as liri, përveçse imponim, arrogancë, e deri diktaturë!

  • Enton ABILEKAJ – Një lypës të mirë apo një qeveri normale?

    Enton ABILEKAJ – Një lypës të mirë apo një qeveri normale?

    Qetësia e 1 janarit, u prish nga lajmi i bujshëm i 500 mijë vaksinave, që Kryeministri kishte regjistruar më parë, për ta shpallur në ditën e parë të vitit. Ka për ne dhe për Kosovën. “Shoppingu në New York rezultoi i suksesshëm”,-përqeshi ai me ironi kritikët që e kapën gafil teksa bënte xhiro në dyqanet e shtrenjta të Times Square.

    Pastaj heshtje. Videoja e regjistruar disa ditë më parë, nuk u shoqërua me përgjigjen për kryetarin e opozitës. As në Twitter. I ikur me pushime, nuk ka parë as lajmet. Hodhi një tymuese propagande për të shokuar njerëzit gjatë festës; të mbështjellë me kujdes si gazi lotsjellës që u hedh protestave, për të fjetur i qetë dhe vetë iku.

    Pati edhe nga ata që u dehën nga tymuesja, si protestuesit të pamësuar me gazin lotjellës.

    Pasi tymi ikën, mbetet në ajër zhgënjimi. Asgjë nuk është më mirë, përkundrazi, më keq se sa përpara gënjeshtrës, ndotja e atmosferës së festave është shtuar. Nga ai që duhet të bënte të kundërtën.

    Nuk ka asnjë arsye partiake për ta refuzuar një lajm të mirë, që lidhet me jetën tonë.

    Ardhja e vaksinës është një lajm i jashtëzakonshëm edhe për militantin më ekstrem të opozitës, dhënia e meritës për atë që e sjell është e pashmangshme. Por më parë duhet të vijë vaksina, të jetë në dispozicion të publikut dhe të krijojë mundësinë që t’i rikthehemi normalitetit.

    Brenda tymueses propagandistike, me qëllim ishin fshehur këto informacione bazike.

    Vaksina do të vijë në javën e tretë të janarit, por me 10 mijë doza, që mjaftojnë për 5 mijë qytetarë, domethënë vetëm personeli mjekësor dhe spitalor. Në shkurt do të vijnë 30 mijë doza, të mjaftueshme për 15 mijë qytetarë, ose 0.6 për qind të popullsisë.

    Në mars nuk dihet sa do të vijnë, por nëse marrim progresionin në rritje me 3 herë, do të kemi 90 mijë doza për 45 mijë vetë ose 1.8 për qind, në prill 270 mijë për 135 mijë, ose 5.4 për qind etj. Edhe sikur të vijnë brenda majit 500 mijë dozat, për 250 mijë banorë, do të kemi arritur në 10 për qind të popullsisë rezidente.

    Kaq nuk mjaftojnë për t’ju rikthyer normalitetit, nuk mjaftojnë për të hequr kufizimet e orareve dhe lëvizjes, nuk mjaftojnë për të ringritur ekonominë. Nuk është vetëm faj i Ramës sigurisht.

    Të gjithë vendet, madje edhe më të pasurat, po vuajnë pamjaftueshmërinë e vaksinës, jo vetëm sot, por në perspektivën e 2021.

    Ndryshe nga ne, ata nuk kanë kryeministër që të bëjë udhëtime private me takime nëpër muzetë e New Yorkut, pa protokoll, pa axhendë, pa staf, që ta zgjidhë problemin. Vendet e tyre, kanë një qeveri që studion mundësitë e daljes së vaksinës dhe pastaj mundësinë ekonomike të vendit për ta prenotuar.

    E kanë bërë këtë 4 muaj më parë, me të gjitha kompanitë. E ka bërë edhe Serbia, jo vetëm vendet e pasura.

    Qeveria e Ramës e bëri e fundit në rajon pagesën edhe për vaksinën më të lirë, që do të garantohet nga COVAX. Kryeministri rreshton mjekët përpara fundit të vitit për të propaganduar ardhjen e vaksinës, ndërsa që homologët e tij, në rajon dhe në botë, ndihen në faj që nuk mund të gjejnë më shumë doza në kohë më të shpejtë.

    Ndërsa Vuçiç në Serbi, megjithëse e menaxhoi shumë më mirë pandeminë se miku i tij në Shqipëri, megjithëse ka filluar vaksinimin e personelit mjekësor, 1 muaj përpara se sa parashikohet këtu, megjithëse ka prenotuar që në gusht vaksinën e Pfizer dhe pretendon të fusë 4 vaksina brenda janarit, nuk e shpalli këtë si fitore.

    Asnjë drejtues eksekutivi, sado autokrat, në Ballkan apo më tej, nuk e personalizoi menaxhimin e pandemisë, nuk e privatizoi përpjekjen, nuk e shndërroi në pazar rrugëve, avenuve apo muzeve të botës, nuk priti mëshirën e BE dhe pastaj të fajësonte ata që nuk i dhanë gjë, nuk krenohet me aftësinë për të lypur, por me aftësinë për të menaxhuar, për ta ngritur në nivel sa më shkencor dhe institucional qasjen ndaj emergjencës, për të shfrytëzuar të gjithë faktorët dhe aktorët në vend dhe jashtë në shërbim të zgjidhjes së një krize kombëtare.

    Ne jemi i vetmi vend që kemi mbetur në dorë të pazareve të një njeriu që e konsideron veten lypësin më të mirë në vend. Duhet një qeveri.

  • Armand SHKULLAKU – Pse bllofet e skandalet nuk i ndahen Edi Ramës

    Armand SHKULLAKU – Pse bllofet e skandalet nuk i ndahen Edi Ramës

    I frustuar nga mungesa e rezultateve të dukshme në 8 vjet qeverisje, Edi Rama ka rënë përsëri dje në kurthin e premtimeve të pambajtura. Ai që premtoi 300 mijë vende të reja pune në mandatin e tij të parë, rezulton me një shifër qesharake (të cilën u mundua ta zmadhojë me formalizimin e të punësuarve ekzistues) dhe për më tepër pa asnjë shpresë se mund ta arrijë si premtim edhe sikur të rrijë 8 vjet të tjera në pushtet. Përpjekja sfilitëse për të shitur diçka që nuk e ka, po e shtyn çdo ditë kryeministrin në veprime e qëndrime që ose e nxjerrin bllof ose prodhojnë skandale.

    Manipulimi i trashë me vendet e punës, është vetëm një prej tyre. Tre muaj para zgjedhjeve dhe me dy mandate në krye të vendit, drama e Edi Ramës është bilanci i qeverisjes. Asnjë qeveri para tij, nuk ka qenë në këtë gjendje para zgjedhjeve. Vendet e punës, ulja e varfërisë, rritja e rrogave dhe pensioneve, shëndetësia falas, investimet e huaja, ndihma për familjet në nevojë, zbutja e pabarazisë, shtimi i buxhetit për arsimin e sektorë të tjerë, hapja e negociatave që në vitin e parë të qeverisjes, lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit, janë të gjitha premtime të pambajtura. Në kontrast me to, thellimi i varfërisë, kriza e sistemit shëndetësor e arsimor, emigrimi masiv, bllokimi i negociatave, depërtimi i kriminelëve deri në nivelet më të larta të shtetit, korruspioni i shpërfaqur në dhjetra skandale, asnjë investim i huaj i qenësishëm madje dhjetra miliona euro që po u paguhen nga taksat e shqiptarëve investitorëve të huaj, tendera e koncensione nga inceneratorët e deri tek shërbimet në spitale që po përpijnë pjesë të rëndësishme të buxhetit, është tabloja e një qeverisje, për të cilën Edi Rama ka marrë përsipër misionin e pamundur ta shesë duke e ngjyer me bojëra të tjera.

    Aq eklatant është dështimi i 8 vjeçarit Rama sa edhe mbështetësit e tij mediatikë më lëkurëpandjeshëm, e kanë të pamundur ta mbrojnë publikisht. Thuajse asnjë prej tyre nuk avokon dot në publik ndonjë të arritur të qeverisë, duke e mbushur këtë boshllëk me sulmin ndaj opozitës, si e vetmja arsye që kryerilindasi të mbetet në pushtet.

    Në fakt, në çdo vend normal, kur afron ora e zgjedhjeve bëhet bilanci i qeverisë. Gjykohet menaxhimi katër vjeçar i atij që i janë besuar paratë publike dhe në varësi të rezultateve diskutohet rinovimi apo largimi. I vetëdijshëm se ky gjykim do të ishte i pamëshirshëm me të, kryeministri ka thelluar strategjinë e tij për të zëvendësuar rezultatet konkrete me propagandë dhe spektakël. Duke qenë së një ndërmarrje e tillë është e pamundur, rrugëtimi i çartur i kryeministrit është i destinuar të prodhojë bllofe dhe skandale. Ai është i dënuar të dalë zbuluar sa më shumë rraskapitet të shesë sapunin për djathë.

    Edi Rama del nëpër Shqipëri dhe sulmon për shembull rrugët e bëra nga qeveria para tij. Dhe kur do të tregojë ndonjë kilometër që ka bërë në 8 vite, ato ose i shemben ose i përmbyten pa mbaruar ende turi i propagandës. Kryeministri nxjerr ministrat në terren me kaska në kokë për të shpalosur ditën planet 3D të zhvillimit, natën ata u shfaqen qytetarëve në gostitë e kripura të Nusret Beut. Lideri thotë se do i shpëtojë shqiptarët nga Covid sepse falë tij u sigurua vaksina dhe krejt procesi i vihet në dyshim nga një valixhe me 900 copë që s’dihet nga kanë ardhur e si kanë ardhur. Ai bën spektakël në stadium e premton qindra mijëra vaksina, por ndërkohë në 8 ditë arrijnë të vaksinohen vetëm 447 mjekë dhe sasia që premtoi se do t’i vinte në gjysmën e parë të janarit ende nuk ka mbërritur. Flet se do të vinë investime të mëdha të huaja, ndërsa mbërrijnë vetëm faturat e arbitrazhit me miliona që duhet t’u paguajmë ne të huajve. Lë të kuptohet se do pajtojë Greqinë me Turqinë dhe ngel në klasë tri herë rresht me negociatat. U tregon shqiptarëve se falë tij ata po hedhin valle në gojë të ujkut, por e nxjerrin zbuluar reagimet e BE dhe Francës.

    Një këshilltar i mirë, jo nga ata që i mbushin mendjen se po shkëlqen me manipulimet e tij, do të duhej t’i sugjeronte kryeministrit se kur nuk ke bërë asgjë, më mirë është të vazhdosh të mos bësh asgjë. Përndryshe, këto tre muaj është e garantuar që do shohim e do dëgjojmë bllofe e skandale të tjera.