Blog

  • Nuk ka Lager pa Gulag

    Nuk ka Lager pa Gulag

    Pas kësaj fraze të historianit gjerman Nolte është një listë e gjatë analogjish, konvergjencash dhe ngjashmërishë historike, ideologjike, taktiko-politike dhe sociale midis Komunizmit dhe Nacionalsocializmit. Dy kundërshtarë të egër që ngjanin më shumë se sa shoqëria edhe sot e kësaj dite është e gatshme ta pranojë

    A nuk është kurioz fakti që shpesh ata që ëndërrojnë për një botë pa kufinj, kur kthejnë kokën për të parë pas, duan që çdo fenomen të jetë i përpunuar nga të tjerët? Megjithatë, nëse ka një terren ku “multikulturalizmi”, funksionon ai terren është Historia ku kënetat dhe “tokat e ndërmjetme” janë rregulli. Një botë disi e çmendur – sepse është e bërë nga njerëz – e ku, shekull pas shekulli, gjithçka ngatërrohet dhe kushtëzohet me njëra-tjetra, madje edhe në rastet më të padyshueshme. Ashtu si Historia e Nacionalsocializmit dhe e Komunizmit: dy fenomeneve që, përveç bashkëjetesës së përkohshme, duket se gjithçka i ndan, madje kontraston qartësisht. Por dallimet rrënjësore që i ndajnë historikisht Leninin dhe Stalinin nga Hitleri nuk kanë penguar shumë fije, të padukshme ose pothuajse, të bashkojnë kokfortësisht të dy fushat përmes njerëzve, ideve, projekteve dhe manifestimeve sindikaliste, shumë përpara mbërritjes së Paktit të famshëm Ribbentrop-Molotov të gusht 1939.

    Dhe kjo është temë për një libri gjigand mijëra faqesh e më shumë. Këtu do të na duhet të shpejtojmë pak më shumë, nëpërmjet kujtimeve, të cilat, në fund të fundit, do të na ndihmojnë për të pasur një panoramë padyshim më të plotë të asaj që kanë qenë marrëdhëniet kulturore dhe ideologjike përpara atyre diplomatike midis komunistëve dhe nacionalsocialistëve. Marrëdhëniet që u varrosën për një kohë të gjatë si për interesin e të dy palëve deri në 1945 dhe më pas prej vullnetit të totalitarizmit të mbijetuar – atij sovjetik – nga atëherë e deri më sot. Një historian i madh francez, François Furet (1927-1997), ish-komunist, vërejti se për dekada të tëra ka ekzistuar një tabu historiografike që “ndalonte kritikën ndaj komunizmit dhe kuptimin e fashizmit në perëndim”. Ndër të parët që theu atë tabu – duke paguar pasojat me demonizim – ishte në vitet gjashtëdhjetë, historiani gjerman Ernst Nolte (1923-2016). Nolte në vitin 1966 shkroi një artikull të famshëm në të përditshmen gjermane Frankfurther Allgemeine Zeitung ku ai paraprinte tezat e tij me një pyetje, padyshim retorike: “Vrasjet klasore të bolshevikëve a nuk ishin precedenti logjik dhe faktik i vrasjeve racore të nacionalsocialistëve?”. Por kjo është vetëm njëra nga fijet që lidhin komunizmin me nacionalsocializmin, dy dukuri që janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Më shumë …

    Gjithnjë Nolte – e më pas edhe të tjerë bashkë me të – argumentuan se megjithëse rrënjësisht antibolshevik, Hitleri dhe nacionalsocializmi kishin marrë shumë nga përvoja leniniste që u kishte paraprirë atyre për disa vjet. Nolte ka thënë, në rastin e Hitlerit drejt Bolshevizmit të parë, për “imitim armiqësor”: urrejtjen për hebrenjtë (të akuzuar në të njëjtën kohë se ishin magna pars e nomenklaturës sovjetike dhe simbol i një lloj kapitalizmi spekulativ) duke zëvendësuar atë për kapitalistët, me një temë aq të dashur për Socializmin, domethënë me atë të luftës së të shtypurve kundër shtypësve. Hitleri nuk ishte më pak armiqësor ndaj shoqërisë borgjeze sesa Lenini apo Stalini dhe zbatoi metoda të ngjashme për të rimodeluar shoqërinë e masave që duhej për të mbështetur Rajhun e Tretë: “Kemi të bëjmë me një interpretim tërësisht të deformuar të historisë së shekullit XX – ka shkruar historiani gjerman në librin e tij “Controversie” – për ata që nuk duan të shohin në krimet e nacionalsocializmit imazhe si në pasqyrë të krimeve të mëparshme të bolshevizmit, për ata që nuk duan të njohin në përmasat dhe tragjedinë e nacionalsocializmit kundërveprime, të vona dhe të detyruara, në madhështi dhe tragjedi të Bolshevizmit”.

    Shkurt pra, Nacionalsocializmi, si reagim radikal ndaj Komunizmit, nga i cili, që në fillim të viteve 1920, frikësohej – ashtu si edhe shumë pjesë të tjera të Evropës dhe më gjerë – nga përhapja në Gjermani e gjithë furisë së tmerreve të tij revolucionare.

    Por nuk ka patur vetëm anë të kundërta pak a shumë spekulative midis dy fenomeveve: kishte edhe nga ata që imagjinonin se mund të ecnin krah për krah dhe jo vetëm në nivel diplomatik dhe ushtarak , siç na bën të mendojmë pakti Ribbentrop-Molotov. Nacionalsocializmi, si çdo lëvizje tjetër politike, nuk ishte një shpirt vetmitar, por kishte shumë shpirtra, edhe pse në minorancë. Një prej tyre u mishërua nga vëllezërit Gregor dhe Otto Strasser, dy shpirtrat kryesorë të “nacionalsocializmit të majtë”. Ajo që duhet kuptuar për “nacionalsocializëm të majtë” sugjerohet nga disa momente në biografinë e më të riut nga dy Strasser, nga Otto (1897-1974) i cili në periudhën e pasluftës së parë, pikërisht në muajt kur Hitler hynte në të porsalindurën NSDAP, Partinë nacionalsocialiste, militonte në të majtë. Pas fare pak kohësh, edhe ai do të bashkohej gjithashtu me Partinë nacionalsocialiste, por jo para se ta njihte, për shembull, një nga liderët më të rëndësishëm bolshevikë: Grigorij Evseevič Zinov’ev (1883-1936), figurë e dorës së parë në lëvizjen bolshevike deri sa Stalini e eliminoi gjatë njërit prej “spastrimeve” të tij të famshme. Është Zinoviev ai që ndikoi tek Oto Strasser dhe ta bindte atë në mirësinë e Revolucionit bolshevik në atë pikë saqë Otto, pasi u bë udhëheqës nacionalsocialist dhe anëtar i grupit më të ngushtë të bashkëpunëtorëve Hitlerit në mesin e viteve 1920, përpiqet të çojë partinë drejt pozicionimit haptazi të majtë dhe drejt një hapje ndaj BRSS. Për më tepër, emri i plotë i partisë nacionalsocialiste a nuk ishte ai i Partisë nacionalsocialiste të punëtorëve gjermanë? Otto Strasser nuk është vetëm: bashkë me të janë, për shembull, i vëllai Gregor, përgjegjës për organizimin e nacionalsocialistëve, dhe Ernst Röhm, kreu i SA, skuadrat e sulmit të partisë. Por është edhe njëfarë Joseph Goebbels, në atë kohë sekretar i Gregor Strasser, ministër i ardhshëm i propagandës së Rajhut të Tretë, por në ato vite shumë i tërhequr nga modeli bolshevik. Më 1926, në kongresin kombëtar të NSDAP, Strasserët paraqitën një program që propozonte nacionalizimin e mjeteve të prodhimit, uljen e pronës private e madje edhe një aleancë me Bashkimin Sovjetik.

    Një organizatë e bazuar në modelin e sovjetëve dhe e drejtuar kah një bashkëpunimi strategjik me marksistët për një kthesë antikapitaliste nuk ishin tema mbi të cilat ishte e mundur të hasje konvergjenca të mëdha me Hitlerin. Dhe në fakt konvergjenca nuk pati: nëse Goebbels, me një kthesë të shpejtë, e braktisi të majtën e partisë për t’u bashkuar me Hitlerin, vëllezërit Strasser mbetën në pozicionet e tyre duke u margjinalizuar gjithnjë e më shumë derisa i larguan nga partia. Por momenti i larjes së llogarive midis Hitlerit dhe krahut të majtë të Nacionalsocializmit do të vinte vetëm në qershor 1934 (Nacionalsocializmi ishte tashmë në pushtet prej një viti e gjysmë) me të famshmen “Nata e Thikave të Gjata ” gjatë së cilës edhe ra Röhm, i fundmi i nacionalsocialistëve të majtë i mbetur në krye të NSDAP. Por diçka vëllezërit Strasser (edhe Gregor u vra gjatë “Natës së Thikave të gjata” ndërsa Otto mundi të arratisej jashtë vendit) kishin mbjellë pavarësisht gjithçkaje: sado episodik mbetet emblematik një fakt i ndodhur në nëntor 1932, pra kur dy vëllezërit de facto jashtë partisë që kishin kontribuar dhe bërë që të rritej dhe tre muaj pas emërimit të Hitlerit si Kancelar i Reich. Në Berlin, midis 3 dhe 7 nëntorit 1932, pati një grevë të transporteve ku ra në sy bashkëpunimi midis komunistëve dhe nacionalsocialistëve, të bashkuar në neverinë ndaj sindikatave me frymëzim socialdemokrat. Ngjarja, simbolikisht shumë interesante dhe tragjike në zhvillimin e saj (në pesë ditë katër të vdekut, 47 të plagosur dhe 583 arrestime), u rindërtua me një punë shumë të detajuar nga historiani Klaus Rainer Röhl në vitin 2008 që ka shkruar në “L’Occidentale”: “Megjithë përshtypjen se kemi të bëjmë me një ngjarje e kufizuar në kohë dhe hapësirë, në realitet ato fakte dhe tema kanë një rëndësi të madhe: gjithçka ndodhi pak përpara dhe gjatë atyre që do të zbuloheshin si zgjedhjet e fundit demokratike para ngjitjes në pushtet të Hitlerit. (…) Nëse për dymbëdhjetë vjet ishte regjimi nazist ai që nuk dëshironte të hidhte dritë në atë grevë, pas vitit 1945 situata u përmbys: regjimi komunist i RDGJ-së nuk mund të vlerësonte kujtesën e asaj ngjarjeje paradoksale. (…) Në atë nëntor të ’32, pra, komunistët e KPD-së dhe nazistët e NSDAP u gjendën për herë të parë duke bashkëpunuar në një veprimtari të përbashkët militanteske, nga e cila rridhte një sinjal preçiz politik: të dy kundërshtarët e republikës weimeriane, pavarësisht pozitave të pakapërcyeshme ideologjike, nuk patën asnjë skrupull në planifikimin e një aksioni të përbashkët me synim përmbysjen e rendit demokratik. I një rëndësie jo të vogël për të dy ishte aspirata për të “shkatërruar” rezistencën e sindikatave (afër socialdemokratëve) dhe për të fituar konsensus midis proletarëve dhe berlinezëve të papunë. Në fund të fundit, edhe pe një bashkëjetesë dukej krejtësisht e paimagjinueshme për të gjithë, nga zgjedhjet e korrikut 1932, në Reichstag ishte formuar një shumicë e kuqe-errët”.

    Gjithnjë përsa i përket kësaj grevë, historiani dhe ish-diplomati Sergio Romano ka kujtuar (“Corriere della Sera” 27 tetor 2007) se urrejtja për socialdemokratët, hegjemonë në politikën e Weimar-it, i bashkonte shpesh nacionalsocialistët dhe komunistët, ku këta të fundit, midis të tjerash, nuk ia falën kurrë liderit socialdemokrat, Friederich Ebert, kreu i qeverisë në janar 1919, shtypjen e pamëshirshme të revoltës spartaciste të drejtuar nga komunistët Karl Liebknecht dhe Rosa Luxemburg, të dy të vrarë nga ushtria. Të vrarët e vitit 1919 nuk u harruan asnjëherë nga komunistët gjermanë që mbetën armiqësor ndaj hipotezës së një fronti të madh të së majtës me socialdemokratët kundër nazistëve. Pikërisht për këtë Romano ka shkruar: “Kur kancelari Schleicher, gjatë atyre muajve [von Schleiter ishte në detyrë nga 2 dhjetori 1932 deri më 30 janar 1933], i kërkoi kolonelit Eugen Ott një plani emergjence mbi mundësinë e një sulmi ndaj institucioneve, bashkëpunëtorët e tij imagjinuan një veprim të përbashkët nazi-komunist të ndërlidhur nga ndonjë ndërhyrje polake. Të dy partitë së bashku kontrolluan tetëmbëdhjetë milion vota dhe ishin në gjendje të mobilizonin një pjesë të mirë të elektoratit të tyre. Nuk ka asgjë befasuese në këtë bashkëpunim. (…) Partia Komuniste Gjermane shpesh u bë, në parlament, objektivi aleat i nacionalsocialistëve në betejat që të dy partitë zhvilluan kundër Republikës së Weimarit, Paktit të Locarnos dhe politikave të stabilizimit ekonomik të të cilave socialdemokratët në ato vite ishin protagonistët e guximshëm. Është e dobishme të kujtohet se sa ngjashmëri kishte midis dy partive. (…) Teksa socialdemokratët rroknin konsensuse në rritje në pjesën më të arsimuar dhe të specializuar të proletariatit industrial, komunistët dhe nazistët peshkonin ndjekës midis punëtorëve të pakualifikuar, të papunëve dhe nënproletariatit të qyteteve të mëdha. Midis nazistëve dhe komunistëve, në disa zgjedhje, pati një shkëmbim të votave. Ishin armiq, por i thithnin besnikët e tyre nga të njëjtat grupe shoqërore dhe mbi të gjitha ata kishin të njëjtin armik: socialdemokracinë. Ishte pothuajse e pashmangshme që rrethanat t’i shtynin në shumë raste të bashkëpunonin për të njëjtin qëllim. Sigurisht, asnjëri prej tyre nuk do të kishte hezituar, pas humbjes së socialistëve, për të hequr qafe shokun e udhëtimit. Është kjo ajo që bënë nazistët menjëherë pas marrjes së pushtetit”.

    Por nëse është e vërtetë që nga njëra anë ishte Hitleri ai që bllokoi formalisht çdo përpjekje për rrëshqitjen majtas të nacionalsocializmit, është po aq e vërtetë që Führeri tregoi nga ana e tij më shumë se një anë të tij “të majtë” siç dëshmohet nga një biografi e shkruar nga historiani anglez – ligjëron në Universitetin e Kembrixhit – Brendan Simms: “Hitler: Only World Was Enough”. Për nazistët, madje edhe për nacionalsocializmin, kanë qarkulluar një sërë legjendash që historiografia e fundit i ka lënë mënjanë. Për shembull, shpesh dëgjojmë që Hitleri ishte “nacionalist”. Dhe se nacional-socializmi ishte një lëvizje politike “e djathtë”. Dhe se projekti evropeist është krejt kundërta e atij nacional-socialist. Këto legjenda janë zhbërë nga shumë studime ku veçohet biografia e fundit çër Hitlerin e historianit Brendan Simms. Biografia e Hitlerit ka të ngjarë të shkaktojë shumë zhurmë, duke pasur parasysh ndikimin e tij të fortë revizionist dhe qëllimin për të vënë në diskutim afirmimet e zakonshme në lidhje me figurën e Führerit. Afirmimi i parë i zakonshëm është ai i obsesionit të Hitlerit për hebrenjtë dhe sllavët. Sigurisht, Simms nuk e mohon antisemitizmin e Hitlerit, por, ai e lidh atë me një tjetër këndvështrim: me antisemitizmin si antikapitalizëm. Hitleri i Simms ishte një përkrahës i antisemitizmit biologjik dhe atij shoqëror; si aktorë të kapitalizmit, Hitleri i urren hebrenjtë. Sepse në realitet, ja dhe afirmimi i dytë i përgjithshëm që zhbën ai, Hitleri i urren kapitalistët dhe kapitalin, ai e përkufizon veten dhe ndihet “socialist”, sigurisht një socialist gjerman që lufton kundër atij hebre dhe internacionalist të bolshevikëve. Edhe këtu, ideologjia antikapitaliste e Hitlerit është më pragmatike sesa ajo e eksponentëve të të “majtës” nacional-socialiste, të cilën ai e shtypi pa mëshirë. Por vetëm sepse, me një cinizëm dhe realizëm jo shumë të ndryshëm nga ai i Leninit dhe i Stalinit, Hitleri kishte kuptuar se duke u privuar nga aleanca me kapitalistët ai nuk do të ngjitej kurrë në pushtet. Projekti gjeopolitik i Hitlerit nuk konsistonte në kontrollin e botës, por në dëshirën për t’u bërë padron i Evropës si një hapësirë jetike e shtrirë deri në Rusi. Ky gjigant ekonomik dhe gjeografik duhej të garonte me hegjemoninë anglo-amerikane në botë, duke u lidhur vetëm me lojtarin aziatik, pra Japoninë. Mund të tregohemi keqdashës, por Simms vazhdon të rreshtojë faqet e tij, veçanërisht ato kushtuar luftës, me citate ku Hitleri duket se kërkon më shumë Evropë: në fund të fundit janë të njohura projektet nacionalsocialiste për krijimin e një monedhe të vetme, një Euro-Marke dhe eliminimin e të gjitha barrierave doganore dhe madje edhe kufijve midis shteteve të ndryshme që do të krijonin një Perandori të re, Reich-in e katërt. Ja pse është e gabuar ta quash Hitlerin nacionalist: ai nuk arsyetonte aspak për ndarje shtetërore të përbëra nga një ose më shumë etnike, por lëvizte mbi një hapësirë ​​perandorake, një perandorie të re të përcaktuar nga dominimi etnik i racës ariane, me Berlinin si qendër, dhe një hierarki preçize të racave dhe nën-racave. Dhe ja pra së fundmi se pse nuk është e drejtë të quhet Hitleri si i “djathtë” dhe aq pak konservator. Sigurisht, konservatorët dhe e djathta gjermane e mbështetën atë në ngjitjen e tij në pushtet, por më pas u përpoqën pa sukses për të frenuar ndikimin e tij, deri në përpjekjen për ta vrarë, duke qenë se komploti i Trëndafilit të Bardhë buronte nga qarqet ushtarake dhe të nacionalizmit gjerman.

    Dhe këtu rikthehen spekulimet midis Nacionalsocializmit dhe komunizmit, dy modele perandorake që synonin të ndërtonin realitete mbikombëtare, bazuar mbi një koncept të saktë ideologjik: një objektiv që për nacionalsocialistët ishte “Euro-Aziatik” ndërsa për komunistët ka qenë gjithmonë, si e tregon e gjithë historia e shekullit XX, mbarëbotëror. Afinitetet midis këtyre dy modeleve totalitare mund të shihen edhe në paktin Ribbentrop-Molotov: Atë pakt, shtypi dhe kultura perëndimore, të hegjemonizuara nga një kulturë me origjinë marksiste dhe komuniste, gjithmonë shtiret se nuk e mbante mend dhe vazhdon të ‘harrojë’. Por ai pakt nuk kishte të bënte vetëm me dy diktatorët. Ishte një pakt që përfshinte regjime, parti, aparate, propagandë. Dhe shtrihet shumë përtej Bashkimit Sovjetik dhe gjithë Internacionales Komuniste.

    Ishte e turpshme madje e neveritshme kthesa që komunistët evropianë bënë me antifashizmin militant që nga Luftën e Spanjës me spastrimet e disidentëve antinazistë, me qarqet që nxitonin të mbyllnin çdo armiqësi midis të kuqve dhe zinjve dhe të shikonin me simpati kah Gjermania naziste që po përgatitej të sulmonte kombet kapitaliste. Për meritë të studimeve të viteve të fundit është zbuluar se si përtej fakteve dhe prapaskenave historike (dhe mes këtyre nuk duhet të harrohen kontaktet e fshehta midis Gjermanisë dhe Rusisë edhe pas sulmit nacionalsocialist të qershorit 1941 deri të paktën më 1944), pakti mes Rajhut të Tretë dhe BRSS sanksionoi një “afërsi” të caktuar në nivelin e ideve. Duke shkruar për Gjermaninë totalitare, Simone Weil vërejti se si parullat e nacionalsocialistëve dhe ato të Komunistëve ishin pothuajse identikë dhe këtë ai e pati vënë re që përpara paktit: “nuk mund të mohohet ekzistenca midis komunistëve e një farë simpatie ndaj hitlerianëve… Shpesh krijohet përshtypja se punëtorët komunistë dhe punëtorët nacionalsocialistë në diskutimet e tyre përpiqen më kot të gjejnë një pikë mosmarrëveshjeje … Nën terror të plotë hitlerian, mund të dëgjoheshin hitlerianë dhe komunistë tek qaheshin së bashku për momentet në kur ata luftonin, siç thashnin, krah për krah, domethënë në kohën e plebishitit të kuq; mund të dëgjohej një komunist duke bërtitur: “Më mirë nazist se socialdemokrat” “. Tek “Origjinat e totalitarizmit”, Hannah Arendt nënvizon konvergjencat midis Nazizmit dhe Komunizmit, admirimin e Hitlerit për “gjenialin Stalin” dhe kujton se si Hrushovi kishte thënë: “Stalinit i besonte vetëm një njeriu, dhe ky ishte Hitleri” “.

    Por nuk kanë qenë vetëm Simone Weil dhe Hannah Arendt (le të mos harrojmë se ajo ishte dishepull dhe e lidhur sentimentalisht me filozofin Martin Heidegger i cili u bashkua me regjimin e Hitlerit). Sipas Pierre Chaunu “Nazizmi dhe Komunizmi janë “binjakë heterozigotikë” ndërsa Francois Furet theksonte “afërsinë e patreguar” dhe bashkëpunimin ideologjik. Në “Le malheur du siècle”, Alain Besancon, vëren se Rusia komuniste dhe Gjermania naziste të përbashkët fjalën lager. Ky përdorim, siç dihet, nuk ishte vetëm verbal. Komunizmi dhe nazizmi ndanin premtimin për të mirën absolute në tokë. Nazizmi kishte një pasion estetik, magjik dhe natyralist ndërsa komunizmi ka një pasion etik, historik dhe materialist. Nazistët premtuan për t’i ridhënë bukurinë botës, komunistët premtuan të jepnin mirësi në botë. Komunizmi vret për mirë, është pedagogjik dhe i detyron viktimat e tij që të zhvillojnë brenda tyre rregullat e reja morale; për këtë arësye, shton Besancon, është më pervers se nazizmi. Aq pervers sa “parimi i realitetit është parimi moral që të mund t’i mbijetojë 85 milion kufomave”, ndërsa ideja naziste u nënshtrohet viktimave të saj. Të nazistët, në përputhje me veçantësinë e saj, është e kufizuar mizorisht mbi një armik të veçantë (hebrenjtë dhe pakicat e tjera të shënjestruara); Komunizmi, në përputhje me universalizmin e tij, është vizioni ndëshkues i shtrirë mbi njerëzimin.

    Të gjithë mund të bëhen viktima të komunizmit, ata që mbrojnë familjen, atdheun, fenë ose pronën madje edhe vetë komunistët “devijantë”, anarkistë dhe “socialtradhtarë”. Armiku i komunizmit është i përgjithshëm dhe i papërcaktuar, armiku i nazizmit është specifik dhe i përcaktuar. Frika në regjimet komuniste është universale, të gjithë denoncuar të gjithë. Prandaj, vëren Besancon, komunistët “kanë nevojë për mbylljen absolute të kufijve, për të mbrojtur sekretin e varreve të tyre, të dështimit të tyre”. Në fakt, Komunizmi shembet me globalizimin. Komunistët e kontrollojnë informacionin në mënyrë kapilare, deri në “zëvendësimin e realitetit me një pseudorealitet”.

    Dhe është ai pseudorealitet që i ndalon ende shumë njerëz për të parë – dhe për të pranuar – atë që Historia tashmë e ka treguar qartësisht, në një mënyrë të pamëshirshme por të paanshme: atë që dallimet nuk i njehsojnë dukuritë, por ndodh që t’i bashkangjiten analogjive. Për të konfirmuar një rregull absolut: realiteti është gjithmonë për dreq i ndërlikuar dhe nuk mbyllet lehtë me ndonjë formulë të diktuar nga deformime ideologjike apo politike.

    Vijon

  • E kuqe gjak

    E kuqe gjak

    Disa muaj pas kapjes së pushtetit, bolshevikët menjëherë treguan se cila do të ishte ‘muzika’ për dekadat në vijim. Disa rradhë që tregojnë agimin e Terrorit Komunist nën kujdesin dhe drejtimin e një farë Lenini…

    Në një Rusi të rrënuar nga varfërua dhe të përgjunjur nga mungesa e çdo shprese për të ardhmen, krismat e pistoletës që shpërthyen më 30 gusht 1918 në Petrograd dhe Moskë patën një jehonë në të gjithë vendin dhe shkaktuan pasoja të rënda.

    Në Petrograd, një oficer i ushtrisë qëlloi në revole Moisey Uricky, kreun e Čeka në ish kryeqytet. Disa orë më vonë, pako gjë u desh që Lenini të mos kishte në të njëjtin fund.

    Presidenti i Këshillit të Komisarëve të Popullit sapo kishte bërë një fjalim para punëtorëve në fabrikën e Michelson dhe po shkonte drejt makinës së tij, kur një grua iu afrua, nxori një armë dhe e qëlloi drejtpërdrejtë. Një plumb shpoi krahun e majtë të Leninit, duke depërtuar pothuajse në klavikulën e djathtë; një plumb i dytë i ndaloi në mes të qafës.

    Lenini nuk e humbi vetëdijen; por sapo u fut në makinë – e cila u nis menjëherë drejt Kremlinit me shpejtësi – u plandos në sediljen e pasme, i bardhë në fytyrë. I ndihmuar menjëherë, ai e mori veten dhe dukej se plagët ishin më pak serioze sesa frikësohej në fillim.

    Atentatorja, Fanja Kaplan, një revolucionare socialiste, e arrestuar menjëherë, nuk përkuli as qerpikun e syve kur u mor në pyetje në Lubianka, selia qendrore e policisë politike. “E qëllova Lenin” – tha ajo – “me vullnetin tim të plotë. Nuk do ta them nga kush e kam marrë armën. Në sytë e mi, Lenini e ka tradhtuar revolucionin. Do të ishte më mirë që Rusia të qeveriset nga jo-bolshevikët ». Nuk iu nxorr më asgjë tjetër nga goja para se të pushkatohej.

    Dhe pasojat e sulmit ndaj Leninit vonuan shumë.

    Edhe sepse që në fillim të vitit, Vladimir Ilic Ulianov ishte qëlluar me armë zjarri dhe një tjetër ishte plagosur. Nuk pritej më asnjë hezitim dhe Terrori u zhvillua në gjithë egërsinë e tij.

    Kurrë si atëherë Dzerzinskij [Feliks Ėdmundovič Dzeržinskij, 1877-1926, themelues dhe drejtori i parë i Čeka, policia sekrete sovjetike] pati dorë të lirë. “Borgjezët” e dyshuar kaluan me mijëra nga qelitë e burgut kopshtijet e ekzekutimeve. Historianët kanë lënë mendtë për të matur “masakrën” (por kush u shqetësua ndonjëherë për të nxjerrë numrin makabër që t’ia dorëzojë historisë?). Pa harruar që Rusia ishte e përgjakur, gjatë atyre viteve, nga lufta civile, prej Petrogradi në Vladivostok.

    Historiani amerikan William Henry Chamberlin – pavarësisht mungesës së provave dokumentare – i atribuon bolshevikëve vrasjen e 1.700.000 civilëve dhe ushtarakëve. Por nëse të kuqtë nuk ishin shumë delikate, jo më të paktë ishin kundërrevolucionarët. Ushtritë “e bardha” të Denikin, Judenic, Kaledin, Kolciak, Korniby, Krasnov, Wrangel u njollosën me krime të tmerrshme.

    Statistikat e ekzekutimeve që kanë të bëjnë me njëzet provincat e Rusisë Qendrore klasifikojnë shkaqet e pushkatimeve si më poshtë: – Pjesëmarrja në trazira 3,082 – pjesmarrje në organizatave kundërrevolucionare 2,024 – nxitje për revoltë 455 – banditizëm 643 – spiunazh 102 – dezertim 102 – krime që lidhen me ushtrimin e funksionet 206 – raste të ndryshme 1.704. Tek “të ndryshme” ishin me gjasë shumë njerëz të pushkatuar si pengje apo thjesht sepse ato i përkisnin klasave më të pasura. Llogaritje e reduktuar? Sigurisht po, pasi kufizohet vetëm “në njëzet provincat e Rusisë Qendrore”. Çfarë ndodhi në pjesën tjetër?

    Vetëm Čeka kreu 12.733 ekzekutime, të cilat Chamberlin i llogarit në “rreth” 50 mijë të vrarë (“rreth” është ndajfolja që ndjek gjithmonë çdo llogaritje). Ronald W. Clark, nuk shkëputet nga të dhënat e raportuara nga Chamberlin. “Në fillim të vitit 1922″ – shkruan ai – Čeka raportoi zyrtarisht se midis viteve 1918 dhe fundit të 1921 kishte kryer 12.733 ekzekutime”. Nuk vepron kështu Winston Churchill, i cili i bën të tijat të dhënat e profesorit të historisë Sarolea («Impressions of Soviet Russia», 1924).

    Një hetim statistikor rus thekson se diktatorët vranë: 28 peshkopë, 1.219 priftërinj, 6,000 profesorë dhe mësues, 9,000 mjekë, 12.950 pronarë tokash, 54,000 oficerë, 70,000 policë, 193.290 punëtorë, 260,000 ushtarë, 355.250 intelektualë dhe profesionistë dhe 815,000 fshatarë. “Këto shifra” – shkruan Churchill – “referohen nga Hearnshaw, i King’s College London, në parathënien e tij të shkëlqyeshme të librit. “Një ekzaminim i Socializmit”. Sigurisht ata nuk përfshinë zvogëlimin e madh të popullsisë ruse si rrjedhojë e mungesës së ushqimeve”. Stalini, “i keq”; Lenini, “imirë”? Përgjithësime janë gjithmonë mashtruese.

    “Uria e organizuar” në 1931-1932 nga diktatori gjeorgjian, për të kapërcyer armiqësinë e popullsisë rurale me “format më të përparuara të bashkëpunimit” të regjimit sovjetik, shfarosi miliona kulakë, pronarë të vegjël që nuk pranuan të dorëzojnë grurin dhe / ose e fshehën atë.

    Vdiqën nga uria apo zjarri i mitralozit të çekëve. Po kush, nëse jo Lenini, i kishte treguar kulakët me gisht si kundërshtarët më të këqij të regjimit gjatë fushatës së parë (1918-1920) të nisur për luftën e klasave në fshat?

    Në artikullin “Lufta civile në fshatra”, botuar në gusht 1918, Vladimir Ilic Ulianov dha direktivën të cilës duhej t’i nënshtroheshin. “Kulaku e urren dhunshëm qeverinë sovjetike dhe është i gatshëm të mbysë dhe masakrojë qindra mijëra punëtorë. Dhe ne e dimë shumë mirë që nëse kulakët do të ngriheshin, do të bashkoheshin me pronarët e tokave dhe kapitalistët, do të rikthenin kushtet e rënda për punëtorët, do të shfuqizonin sërish tetë orët e punës së përditshme dhe do t’i vinin përsëri stabilimentet e fabrikat dhe fabrikat nën zgjedhën e kapitalistëve. Çdo dyshim është pa kuptim. Kulakët janë armiq të egër të qeverisë sovjetike. Ose kulakët do të masakrojnë një numër pafund punëtorësh, ose punëtorët do të shtypin pa mëshirë trazirat e pakicës kulake kundër qeverisë së punëtorëve. Nuk ka rrugë të mesme. Këto vampirë po marrin përsëri prona në duart e tyre për të skllavëruar sërish fshatarët e varfër. Kulakëve duhet t’u shpallet një luftë e pamëshirshme! Deri në vdekje! I urrej dhe i përbuz partitë pas tyre, socialistët revolucionarë të djathtë, menshevikët dhe tani edhe socialistët e majtë! Punëtorët duhet t’i shtypin trazirat e kulakëve me një grusht të hekurt, sepse kulakët kanë bërë aleancë me kapitalistët e huaj kundër punëtorëve të vendit të tyre”.

    Në direktivat e Leninit, me pak fjalë, ishin udhëzimet e ndjekura nga Stalini, në fillim të viteve 1930, për masakrën e pronarëve të vegjël të tokave. Vladimir Ilic Ulianov kishte “moral” të tijin, si revolucionar, që nuk lejonte devijime dhe nuk ushqente asnjë lloj keqardhjeje. Ai e nxorri para partisë Kamenevin, që nuk dëshironte të aplikonte dënimin me vdekje për dezertorët.

    Teka. Vizione mikroborgjeze. “Si mund të bëhet një revolucion pa ekzekutime?” – i thoshte shpesh të tijve ai. “Mendoni vërtet se mund të fitojmë pa ushtruar terrorin më të pamëshirshëm?” Ai gjeti tek kreu i Čeka-s Fouquier-Tinville-n e tij (prokurori publik, gjatë Revolucionit Francez ) dhe nuk u pendua për zgjedhjen, sepse për kundërrevolucionarët dhe sabotatorët nuk pati mëshirë.

    David Shub i referohet një episodi që hedh dritë mbi metodat e kreut të Čeka, dhe në përgjithësi mbi atmosferën në Sovnarcom, Këshilli i Komisarëve të Popullit. “Shpesh ndodhte që Lenini të shkëmbente letra me kolegët e tij. Një herë ai i dërgoi një shënim Dzerzinsky: “Sa prej atyre maskarenjve kundërrevolucionarëve gjenden në burgjet tona?” “Rreth nj ëmijë e pesqind”, ishte përgjigjja. Lenini lexoi, rrudhi hundën, shënoi një kryq pranë numrit dhe ia ktheu biletën Dzerzinsky. Dzerzinsky u ngrit dhe la dhomën pa asnjë fjalë. Askush nuk i kushtoi vëmendje as biletës së Leninit e as daljes së Dzerzinsky.

    Mbledhja vazhdoi, por të nesërmen filluan të pëshpërisin me njëri-tjetrin. Dzerzinsky kishte urdhëruar ekzekutimin e të 1.500 “maskarenjve kundërrevolucionarë” natën e kaluar. E kishte interpretuar kryqin e Leninit si një dënim me vdekje kolektive. Do të kishte pasur pak komente për t’u bërë, nëse gjesti i Leninit do të kishte qenë një urdhër për likuidimin total, por, siç shpjegon Fotieva, sekretarja e Leninit: “Kishte pasur një keqkuptim: Vladimir Ilic nuk kishte ndërmend të ekzekutonte të burgosurit, siç e interpretoi Dzerzinsky.

    Vladimir Iliç zakonisht bënte një kryq në memorandume për të treguar se i kishte lexuar dhe i kishte marrë parasysh përmbajtjet e tyre. Keqkuptimi kushtoi jetën e 1.500 qenieve njerëzore”.

    FUND

    Përgatiti Edi DELIU

  • Solari, kënaqësia e rrezikshme

    Solari, kënaqësia e rrezikshme

    Solari u shfaq për herë të parë në Amerikë, në vitin 1978, nga Friedrik Uolf, i cili filloi t’ia liçensonte këtë teknologji kompanive të tjera. Solarët e fundit modernë, nuk kanë shumë ndryshime nga sistemi origjinal. Teknologjia e llambave dhe aparaturave elektronike, ka përparuar me kalimin e viteve. Llambat aktuale janë ende fluoreshente, dhe përdorin lëndë fosforeshente të veçanta, që krijojnë spektrin e rrezeve ultravjollcë alfa dhe beta. Solari ose nxirja e lëkurës siç quhet ndryshe, është një paisje që përdor energjinë elektrike, për të prodhuar rrezatimin ultravjollcë, i cili shërben për nxirjen e lëkurës.

    Rrezet artificiale ultravjollcë

    Rrezet ultravjollcë, janë ajo pjesë e rrezeve të diellit, përgjegjëse për djegien, kancerin e lëkurës, dëmtimin e syve dhe të sistemit imunitar, plakjen dhe rrudhat e lëkurës. Rrezet ultavjollcë alfa, shkaktojnë plakjen e parakohshme të lëkurës, rrudha, njolla, kancerin e lëkurës dhe dëmtimin e syve. Nga ana tjetër, rrezet ultravjollcë beta shkaktojnë, djegien, plakjen, kancerin e lëkurës dhe dëmtimin e syve. Nxirja nga solari, është më e shpejtë se nxirja nga dielli, si rezultat i intensitetit të lartë të rrezatimit ultravjollcë që çlirohet. 

    Të nxihemi apo të digjemi

    Solari duhet të fillojë me një ekspozim 3 deri në 5 minuta, dhe më pas këshillohet që seancat të zgjasin rreth 20 minuta, për 3 deri në 4 javë. Distanca midis seancave, duhet të jetë 48 orë. 

    Kjo ndodh pasi dhomat e solarit, kanë nivele më të larta rrezatimi ultravjollcë, sesa rrezet e diellit në ditët e zakonshme, kështu koha e ekspozimit është më e shkurtër se periudha që kalohet në diell, për të arritur të njëjtën sasi nxirjeje. Rekomandohet që personat të mos përdorin njëkohësisht solarin dhe rrezet e diellit, pasi ekspozimi i tepërt, shkatërron melaninën dhe lëkura digjet. Fjala e urtë popullore, “për t’u nxirë duhet të digjeni” ose djegia nga dielli kthehet shpejt në nxirje, është e gabuar, dhe rrit ndjeshëm mundësitë për shfaqjen e kancerit të lëkurës. Gjatë solarit, nxirja nuk depërton thellë në lëkurë, siç ndodh me rrezet e diellit. Kjo është arsyeja, pse nxirja e shkaktuar nga solari, çngjyroset më shpejt se ajo nga dielli, dhe pse shumë persona besojnë se, nxirja nga solari dëmton më pak qelizat e trupit. Megjithatë, duke ditur rrezikun e këtyre rrezeve, është më e lehtë të kontrollohet sasia e rrezatimit ultravjollcë, gjatë solarit. Kujdes duhet të tregohet me përdorimin e disa artikujve kozmetike dhe medikamenteve (si antibiotikët, ilaçet për tensionin e gjakut, antidepresivët, medikamentet për kujdesin ndaj lëkurës), të cilët mund të rrisin ndjeshmërinë e lëkurës ndaj rrezeve ultravjollcë, duke shkaktuar djegie të lëkurës, njolla dhe të kruajtura. Është e rëndësishme të mos kemi probleme me lekurën (patologji) dhe për këtë duhet të ndërmerret vizita tek mjeku dermatolog, përpara se të vendosim t’i nënshtrohemi këtij trajtimi. Lëkurat variojnë, dhe çdo person duhet të ketë informacionin e duhur, për t’ iu nënshtruar këtij trajtimi. Është me rrezik ekspozimi i lëkurave të ndjeshme, për më shumë se 10 minuta, sidomos në seancën e parë.

    Të mirat e trajtimit me solar

    Krahas rreziqeve, rrezet ultravjollcë kanë dhe avantazhe, pavarësisht faktit nëse merren nga dielli ose burime artificiale, siç është solari. Ndër avantazhet kryesore janë, prodhimi i vitaminës D në lëkurë, dhe trajtimi i sëmundjeve sezonale të lëkurës. Shumë persona që vuajnë nga aknet, ekzemat dhe çrregullime të tjera të lëkurës, trajtohen me rreze ultravjollcë, për të zvogëluar simptomat. Ekspozimi ndaj këtyre rrezeve, shkakton çlirimin e endorfinës, e cila është e dobishme për personat që vuajnë nga sëmundje të lëkurës. Nxirja ndihmon gjithashtu në parandalimin e osteoporozës, duke rritur furnizimin e organizmit me vitaminë D, e cila nga ana tjetër, ndihmon në përvetësimin e kalçiumit nga ushqimet, nëpërmjet murit të zorrëve.  

    Pyetjet që nuk duhen nënvleftësuar

    Sa i sigurt është përdorimi i solarit?

    Shumë njerëz mendojnë se solari është një metodë e sigurtë dhe e kontrolluar për nxirjen e lëkurës, por kjo nuk është e vërtetë pasi nuk ekziston asnjë rregullore, mbi industrinë e solarit. Solari mund të prodhojë përqëndrime të rrezeve ultravjollcë, që janë pesë herë më të forta se rrezet e orëve të vona të mbasdites. Të gjitha llojet e rrezatimit ultravjollcë, qofshin këto nga dielli apo nga solari, dëmtojnë lëkurën, duke shkaktuar tumore. 

    Në ç’ moshë duhet filluar?

    Tregues të ndryshëm kanë dëshmuar se djegiet e shkaktuara nga dielli, gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës, mund të ndikojnë në zhvillimin e kancerit në lëkurë, në moshë të rritur. Rekomandohet që personat, nën moshën 18 vjeçare, të mos i nënshtrohen solarit. Madje në Australi, për personat e moshës 15 deri në 18 vjeç, kërkohet miratimi i prindërve, përpara se të bëjnë solar.   

    Kur nuk këshillohet?

    Solarit duhet t’i shmangen gratë shtatzëna dhe personat me  lëkurë shumë të bardhë, shumë quka, ngjyrë të çelur të syve, flokë të kuqe. Këta persona janë të predispozuar më tepër për t’u prekur nga kanceri i lëkurës, pasi lëkura e tyre, nuk përmban shumë melaninë, në mënyrë që të kryhet pigmentimi.

    Nuk duhet të bëjnë solar personat që vuajnë nga:

    • Dhimbje të shtyllës kurrizore
    • Diabeti
    • Zemra
    • Migrena
    • Epilepsia
    • Alergji të ndryshme
    • Tensioni i gjakut
    • Infeksione të syve
    • Azma
    • Marramendja/vilania
    • Veshkat 

    Cilat pjesë të trupit s’duhen ekspozuar?

    Zonat e ndjeshme të trupit të cilat nuk përmbajnë melaninë, duhet të mbrohen nga ekspozimi ndaj rrezeve ultravjollcë të solarit. Këto zona përfshijnë: hundën, sqetullat, buzët, veshët, zonat intime. Ndër masat që duhen marrë për mbrojtjen e këtyre zonave janë: përdorimi i maskave, peshqirit, ose kremrave që pengojnë depërtimin e rrezeve ultravjollcë.   

  • Tatuazh dhe Piercing, forma më e lashtë e krijimtarisë njerëzore

    Tatuazh dhe Piercing, forma më e lashtë e krijimtarisë njerëzore

    Nga mitet e tribuve te mitet e Hollivudit

    Piercing-u dhe tatuazhet, janë  përdorur vazhdimisht nga kultura të ndryshme. Në kohët e lashta, për disa popuj tatuazhet shërbenin si hajmali kundër shpirtrave të këqinj dhe rreziqeve. Disa të tjerë i përdornin për kurimin e sëmundjeve. 

    Në shoqëritë tribale, piercing dhe tatuazhet përdoreshin si shenjë hierarkie, për të përcaktuar rangun në të cilin bënin pjesë anëtarë të ndryshëm të një tribuje. Shenjat, materiali dhe pozicionimi i tatuazheve, janë karakteristika të cilat identifikojnë secilin klan. Madje dhe martesat midis të rinjve duhet të kryheshin vetëm me anëtarët, të cilët mbanin shenjat e klanit tjetër.

    Egjiptianët e kanë filluar këtë traditë që nga vitet 4000-2000 para erës sonë. Detarët europianë, të cilët udhëtonin drejt Ishujve të Polinezisë, janë impresionuar nga tatuazhet që mbanin gratë dhe burrat.    

    Duke filluar nga viti 400 para erës sonë, japonezët i përdornin tatuazhet jo vetëm si ornamente dhe objekte që lidheshin me besimin fetar, por dhe si mjete për identifikimin dhe ndëshkimin e kriminelëve. Në fund të shekullit të XIX, tatuazhi u përhap gjerësisht në familjen mbretërore në Angli dhe në shtete të tjera.

    Ashtu si tatuazhi edhe piercing ka një histori më vete. Ai është përdorur shpesh në radhët e familjeve mbretërore, nga ushtarët romakë dhe faraonët egjiptianë, si shenjë guximi dhe burrërie.     

    Në kulturën orientale, koncepti i tatuazheve pothuajse nuk pranohej, për shkak të kristianizmit. Ndërsa para disa viteve, tatuazhet konsideroheshin si forma më antike dhe origjinale e shprehjes së krijimtarisë njerëzore, dhe ishin karakteristikë e një kategorie të caktuar njerëzish si ushtarë, kriminelë, anëtarë bandash, ditët e sotme ato po përdoren nga të gjithë njerëzit, dhe shihen si një fenomen modern, që po përhapet me ritme të shpejta sidomos në radhët e të rinjve.

    Vite më parë, për pikturimin e tatuazheve përdorej kënaja, e cila konsiderohej nga specialistët si mjeti më i sigurtë. Ditët e sotme përveç kënasë kanë hyrë në përdorim dhe materiale të tjera. Tatuazhi tashmë është kthyer në kulturë, e cila ka shpërthyer sidomos pasi personazhe të njohur të Hollivudit kanë eksperimentuar këto praktika. Ashtu si tendencat e veshjeve, parfumeve dhe flokëve, të cilat ndryshojnë çdo vit, tatuazhet dhe piercing përbëjnë tendencën e radhës, ku çdo sezon shfaqen modelet e reja që duhen ndjekur.

    Tendencat në Shqipëri

     Në Shqipëri moda e tatuazheve dhe piercing është përhapur në masë kryesisht pas viteve 90′. Disa zona të vendit, kanë patur traditë t’i vinin vath fëmijëve të porsalindur, në mënyrë që ata të kishin jetë të gjatë. Nga ana tjetër, djemtë kur shkonin ushtarë bënin tatuazhe. Kjo ishte shenjë e burrërisë së tyre. Tashmë vathët dhe tatuazhet nuk përdoren më për të treguar burrëri dhe jetëgjatësi. Fillimisht, në vendin tonë, kjo tendencë e re shihej me sy të keq dhe shpesh paragjykohej, por me kalimin e kohës, ajo u kthye në një modë, e cila nuk i bën më përshtypje askujt. Një pjesë e të rinjve shprehen se nëpërmjet tatuazheve përcjellin pjesë të karakterit të tyre: butësi, patriotizëm, romanticitet. Të pyetur rreth grupmoshave që preferojnë tatuazhet dhe piercing, tatuatorët shprehen se pjesa më e madhe i përkasin moshave nga 18 deri në 28 vjeç. Fillimisht, tatuazhet që zgjidheshin më tepër ishin gjarpërinjtë, shpatat, luanët që tregonin agresivitetin dhe shpërthimin e rinisë shqiptare. Sot gjithçka ka ndryshuar. Ndërsa më parë, ishin kryesisht djemtë rebelë ata që bënin më tepër tatuazhe, sot po rritet përherë e më tepër numri i femrave, të cilat kanë dëshirë të eksperimentojnë me trupin e tyre, duke ndjekur tendencat e fundit të tatuazheve dhe piercing. I pyetur nëse ishte penduar për tatuazhin që kishte bërë në trup kur ishte i ri, Arditi u përgjigj: “Të them të drejtën po. Kur vendosa të bëja tatuazhin isha 20 vjeç. Sapo kishte shpërthyer moda e tatuazhit dhe si shumë të rinj dhe unë u tundova nga kjo risi. Ishte një vendim që e mora sa hap e mbyll sytë dhe kur e mendoj tani, më vjen të qesh. Kur je i ri dëshiron të provosh gjithçka që të ofron koha, po me kalimin e viteve fillon të kuptosh rëndësinë e dëshirave rinore. Ai tatuazh që dukej aq i bukur atëherë tani duket si një njollë e zbehur në lëkurë, të cilën mundohem ta fsheh në çdo moment. Sot shoh të rinjtë që entuziazmohen nga ideja e të pasurit një tatuazh. Sikur të kthehesha mbrapa në kohë, nuk do të bëja të njëjtin gabim, sepse për mua realisht është një gabim, sidomos kur bëhet në vend të dukshëm. Ka patur raste që tatuazhi më ka vështirësuar dhe gjetjen e një vendi pune, sepse më shihnin me sy tjetër, sidomos në vende, ku duhet të paraqitesh sa më serioz. Përveç kësaj ekziston dhe rreziku i infektimit të tatuazhit, kështu që çdo i ri ose e re duhet të mendohet mirë përpara se të marr një vendim të tillë”.   

    Rreziqet e tatuazhit dhe piercing-ut

    Të gjithë e dimë se për të bërë një tatuazh ose piercing mjaftojnë vetëm pak minuta. Tatuazhi nuk është gjë tjetër veçse një shenjë e përhershme ose skicim, me pigmente të cilat injektohen mbi shtresën sipërfaqësore të lëkurës suaj. Arti i tatuazhit, përfshin çarjen e një prej barrierave kryesore mbrojtëse të trupit tuaj -lëkurës. Kjo nënkupton se prirjet për infektimin dhe reaksionet e lëkurës, rriten përherë e më shumë. Ndër rreziqet specifike mund të përmendim:

    Sëmundjet që transmetohen me anë të gjakut

    Nëse pajisja që përdoret për tatuazh është e ndotur me gjakun e një personi të infektuar, ju mund të prekeni nga disa sëmundje midis të cilave hepatiti C, hepatiti B, tuberkulozi dhe SIDA.      

    Çrregullime dhe infeksione të lëkurës

    Ekzistojnë infeksione, të cilat janë rezistente ndaj antibiotikëve dhe mund të shkaktojnë pneumoni, infeksione në sistemin e qarkullimit të gjakut, si dhe nekrozën e indeve lidhëse të muskujve. 

    Alergjitë

    Tatuazhet me ngjyrë, veçanërisht ngjyra e kuqe mund të shkaktojë alergji të lëkurës, si dhe të kruajtura në zonën e tatuazhit. Madje kjo mund të ndodhë dhe shumë vite pasi keni bërë tatuazhin.

    Ndërlikimi i rezonancës magnetike të imazhit

    Gjatë ekzaminimit të rezonancës magnetike të imazhit, mund të shkaktohet djegia e zonës së tatuazhit. Kjo është karakteristike kryesisht për tatuazhet që bëhen në vetull, ose afër syrit. Pigmentet që përdoren mund të ndikojnë në cilësinë e shikimit. 

    Heqja e tatuazhit

    Problemi me tatuazhet, ndryshe nga veshjet, qëndron në faktin se tatuazhet nuk mund të hiqen dhe të flaken kur mërziteni me to. Ato dizenjohen për të qënë të përhershëm, dhe nëse vendosni të shpëtoni njëherë e mirë prej tyre, duhet të mendoheni mirë pasi shpenzimet dhe dhimbjet nuk janë të pakta. Problemi kryesor me tatuazhet qëndron te pakënaqësia. Disa tatuazhe zbehen nëse tatuatori e injekton ngjyrën shumë thellë në lëkurë. Në shumicën e rasteve, njerëzit mërziten pas disa viteve dhe fillojnë të mendojnë se tatuazhi nuk përshtatet me imazhin e tyre. Me piercing-un ndodh ndryshe pasi shenjat mund të zhduken më lehtë. Disa nga metodat që përdoren për heqjen e tatuazheve janë:

    Rrezet lazer

    Kjo është metoda më efektive për të reduktuar pamjen e tatuazhit. Gjatë një viti mund të nevojiten rreth 12 seanca me rreze lazer megjithatë ndodh që ky trajtim nuk e eliminon plotësisht tatuazhin.          

    Operacionet kirurgjikale

    Kirurgu mund të presë zonën në të cilën ndodhet tatuazhi dhe më pas të bëjë qepjen e lëkurës. Rreziku i kësaj metode është shenja qe ngelet në trup.

    ______________________________________________________________

    Më trego tatuazhin që ke, të të them ç’karakter ke

    Gjarpri

    Simbol mbrojtjeje. Shpreh dëshirën për përjetësi dhe rinovim

    Trëndafili

    Simbol i dashurisë dhe shprehjes së personalitetit. Shpreh dëshirë romantike.

    Dielli

    Simbol i ngrohtësisë dhe progresit. Shpreh dëshirën për të vërtetën.

    Zemra

    Simbol i dashurisë dhe pasionit.

    Sirena

    Simbolizon altruizmin dhe sakrificën për dashurinë.

    Spiranca

    Simbol i stabilitetit, sigurisë dhe traditës.

    Hëna

    Ylli i të dashuruarve dhe poetëve. Shpreh feminilitet, mister.

    Lulet

    Mishërimi i natyrës dhe simbol i ciklit të lindjes, jetës, vdekjes dhe rilindjes.

    Ngjyrat

    Tatuazhi i zi nënkupton nevojën për t’u afirmuar dhe për të shprehur me ngulm dëshirat dhe personalitetin tënd.

    Tatuazhi blu nënkupton karakterin delikat dhe të ndjeshëm të një personi, si dhe nevojën që kanë këta persona për mbrojtje, përkrahje dhe këshilla.

    Tatuazhi i kuq nënkupton shprehjen me forcë të emocioneve. 

  • Martesa, shkëlqimi dhe rënia e një tradite

    Martesa, shkëlqimi dhe rënia e një tradite

    Koncepti i martesës, lidhet ngushtë me atë të familjes: dy bashkëshortët formojnë një bërthamë familjare, që shpesh zgjerohet me fëmijët. Martesa është konsideruar tradicionalisht, si kusht për krijimin e familjes, e cila në vetvete konsiderohet si shtylla e komunitetit ose shoqërisë. Pra martesa, jo vetëm i shërben interesave të dy individëve, por dhe interesave të fëmijëve të tyre dhe shoqërisë, në të cilën bëjnë pjesë. Martesat e hershme ndryshojnë shumë nga ideja e martesave të sotme. Paraardhësit tanë qëndronin bashkë, më tepër për t’u mbrojtur dhe për të mbijetuar, sesa për të krijuar lidhje të kuptimshme. Disa historianë besojnë se martesat e para kanë qënë grup-martesash, që duheshin kryer detyrimisht brenda tribuve. Pak kohë më vonë, burrat dhe gratë filluan të qëndronin bashkë dhe formuan familjet e veçanta. Duke filluar nga ajo kohë, martesat jo gjithmonë kanë qënë, një ngjarje e lumtur. Krahas martesave të rregullta, janë dalluar dhe martesat “sekrete” ose “rrëmbimet” (pa miratimin e prindërve). Kjo ka qënë një nga arsyet e shpeshtimit të divorceve. Rivaliteti i tribuve, shpeshherë ka qënë shkak për grabitjen ose rrëmbimin e grave dhe fëmijëve. Që në kohën kur brenda tribuve, ishte e ndaluar të martoheshe brenda klanit, atëherë gratë rrëmbeheshin dhe ishin të detyruara të lidheshin në martesë me të huajt, të cilët i kishin rrëmbyer. Historianët, i janë referuar shpesh kësaj periudhe, e cila ishte pjesë e kohës, si era e “martesës me rrëmbim”. Ndryshe nga ajo që ndodhte në të shkuarën, martesa nuk konsiderohet më një etapë e detyrueshme, në jetën e një personi. Që nga lufta e dytë botërore, është vënë re rritja e numrit të divorceve, bashkëjetesave, personave të pamartuar, dhe numrit të fëmijëve të lindur jashtë martese.

    “Deri sa vdekja të na ndajë…”

    Martesa ka evoluar nga një lidhje, që mund të prishet vetëm për shkak të fajit ose vdekjes, në një kontratë, e cila mund të anullohet sipas kërkesave të individëve. Në shumë vende të botës, kur femra nuk kishte arritur ende fazën e pubertetit, babai organizonte një martesë për të, në këmbim të një “oferte martese”, madje me një burrë, mosha e të cilit ishte sa dyfishi i moshës së saj. Në këtë mënyrë, burri kthehej në rojen e saj dhe ajo nuk mund të thoshte asgjë, mbi këto marrëveshje, të cilat shpesh ndodhnin pa dijeninë e femrës. Në disa raste ndodhte që kur një grua, dështonte në lindjen e një fëmije, ajo i kthehej të atit. Kjo reflektonte rëndësinë që kishte prania e një fëmije, e cila ndikonte në vijimësinë e brezave. Disa tradita të hershme të martesës, vazhdojnë të ekzistojnë, në një formë apo në një tjetër dhe në ceremonitë e sotme. Gratë vazhdojnë t’i “dhurohen burrave”, në mënyrë simbolike. Disa bashkëshorte akoma betohen se “do t’a duan dhe do t’i binden” burrave të tyre, dhe disa bashkëshortë betohen se “do të kujdesen” për gratë e tyre. Nuset hedhin buqetën e luleve drejt një grupi femrash beqare, të cilat luftojnë me njëra-tjetrën për t’a kapur atë; sipas traditës femra që kap buqetën e nuses, do të ketë fatin të martohet së shpejti. Një traditë tjetër shumë e zakonshme është momenti, në të cilin dhëndrri mban nusen në krah, derisa kalon pragun e derës. Këto tradita, dhe pse janë sulmuar shpesh nga kritikët dhe studiuesit, mbeten një pjesë e cila ruhet me fanatizëm në shumë ceremoni, dhe preferohet si nga nusja ashtu edhe nga dhëndrri. Përsa i përket veshjeve të dasmës, ato nuk kanë qënë gjithmonë, kështu si janë sot. Në shekullin e 18-të, nuset e varfra vishnin veshje sa më të thjeshta. Kjo simbolizonte për burrin e saj të ardhshëm, se ajo nuk kishte sjellë asgjë me vete dhe po kështu nuk e detyronte të shoqin për asgjë. Nga mesi i shekullit të XIX, pothuajse të gjitha nuset filluan të përdornin veshjet e bardha të nusërisë. Femra e parë, që mendohet të ketë përdorur fustanin e bardhë,  thuhet se ka qënë Mbreteresha Viktoria, në vitin 1840.                   

    Unaza “rreth” në gishtin e zemrës

    Tradita e unazave të martesës është nga më të vjetrat. Çdo  qytetërim, duke filluar nga egjiptianët, i kanë përdorur unazat martesore, si simbol të marrëveshjes martesore. Sipas hieroglifeve egjiptiane, rrethi përfaqëson përjetësinë. Unazat e para kanë qënë përgatitur nga fijet e barit, lëkura, bari i thatë, kocka apo fildishi. Me zbulimin e metalit, ai zuri vendin kryesor në përbërjen e unazave. Vendi klasik, ku duhet mbajtur unaza martesore, është gishti i katërt i dorës së majtë. Ky zakon ka filluar tek egjiptianët, sepse ata besonin që në dorën e majtë, ekzistonte një venë, e cila ndodhej pikërisht në gishtin e katërt, dhe kishte lidhje direkt me zemrën. Sipas bestytnive është e ndaluar, që unaza e martesës, të blihet ditën e premte, madje personat supersticiozë mendojnë, se unaza nuk duhet mbajtur, përpara ceremonisë së martesës.

    Dasma shqiptare, nga duvaku te puthja publike

    Ceremonia e martesave, ka ndryshuar shumë me kalimin e viteve edhe në Shqipëri. Nëse më parë martesa ishte shumë arkaike dhe e përpiktë, sot paraqitet më liberale dhe më pak e kontrolluar. Madje mund të themi se në qytet, ceremonitë martesore janë pasuruar me elemente, që i afrohen dasmave europiane. Vite më parë nusja ishte e mbuluar me duvak dhe e veshur me kostumin popullor të zonës, ndërsa dhëndrri mbante një veshje kombëtare të zgjedhur. Pak çaste, përpara se të futej në shtëpi, vjehrra merrte dorën e nuses dhe ia vendoste gishtat në derën e shtëpisë. Kjo ishte shenja e besimit, e cila përsëritej, pak a shumë në të njëjtën mënyrë, në të gjitha vendet, në atë kohë. Ndryshimi i vetëm brenda trevave, kishte lidhje me ndryshimin e besimeve fetare. Besime të ndryshme aplikonin zakone të ndryshme. Zonat më pak të urbanizuara, respektonin elementin e rrëmbimit, kurse në disa zona malore, deri vonë aplikohej elementi i blerjes së nuses. Madje, dhëndrri i ardhshëm, konsiderohej i aftë nëse kishte një sasi të mjaftueshme parash për ta blerë të shoqen. Pas viteve 90′ gjithçka ndryshoi dhe kjo falë emigracionit. Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, ka patur shumë ndryshime në ritin e dasmës, fejesës dhe martesës. Kjo shpesh ka ndodhur për arsye të njohjes së kulturës së vendeve fqinje. Për shembull, është shtuar përdorimi i pijeve të tjera, që përdoreshin shumë pak në dasmat tradicionale, ku dominonte rakia. Tani përdoret shumë vera dhe birra. Nëpër qytete, rituali martesor është reduktuar, falë koncepteve te reja dhe gjendjes ekonomike, duke zgjedhur një praktikë tjetër shumë të thjeshtuar, koktejin. Muzika nuk është më si dikur, ku dominonin këngët kushtuar partisë. Ajo që duhet theksuar, është se ka ndryshuar shumë marrëdhënia midis dy bashkëshortëve. Vërtet, ruhet deri diku ceremoniali, por të dy bashkëshortët kanë më shumë të drejta te njeri-tjetri. Tashmë janë shfaqur dhe puthjet publike, mes çiftit, dhe përpara dasmorëve, që dikur konsideroheshin element i ndaluar. Nga ana tjetër, është thyer zakoni për mosvajtjen e dhëndrit për të marrë nusen, tani dhëndrri shkon ta marrë vetë nusen, madje si shofer. Shtimi i elementëve evropianë, e ka përfshirë dasmën shqiptare në një kategori, që i afrohet shumë ceremonive evropiane të këtij lloji.

    Bashkëjetesa: fundi i martesës?

    Edhe pse një fenomen i ri në shoqërinë shqiptare, numri i çifteve që zgjedhin bashkëjetesën sa vjen e shtohet. Nuk janë të paktë ata që zgjedhin këtë alternativë. Megjithatë, të jetuarit së bashku përpara martesës, mund të ndryshojë ecurinë e marrëdhënies në çift. Sipas studimeve, personat që bashkëjetojnë për vite me radhë me partnerin e tyre, ndihen më pak entuziastë rreth martesës, në krahasim me ata që e jetojnë lidhjen e tyre duke qëndruar në shtëpinë e prindërve. Dhe janë pikërisht ata që kanë një mendim negativ për martesën, që janë më shumë të predispozuar për të bashkëjetuar. Megjithatë, arsyet nuk ndalojnë këtu: Të jetuarit së bashku sjell ndryshime në bindjet dhe qëndrimet e çiftit. Ne shpesh kemi tendencën për të bërë tonat vlerat dhe bindjet e njerëzve që na rrethojnë, kështu që dy persona që janë kundër martesës mund të konfirmojnë idetë e njëri-tjetrit. Nga ana tjetër, njerëzit kanë tendencën që të kenë ndjenja pozitive për përvojat që përjetojnë, ja pse ata mund të preferojnë bashkëjetesën dhe të jenë kundër martesës.  Së fundi, njerëzit kanë nevojë që të jenë të qëndrueshëm në ndjenjat dhe sjelljet e tyre, pra nëse janë duke bashkëjetuar ata mund të influencohen për t’i thurur lavde kësaj zgjedhjeje dhe të denigrojnë tjetrën, martesën. Të shumtë janë personat që mendojnë se martesa ka një profil, ku mund të konsolidohet ndërthurja e mendimeve dhe njohjes së një çifti. Ajo është fejesa, e cila të krijon hapësirë ashtu si bashkëjetesa. Bashkëjetesa shihet si profil i dy të dashuruarve, që e bëjnë këtë marrëdhënie të afirmuar, në sy të publikut. Nga ana tjetër, shumë mendojnë se bashkëjetesa është një test që duhet kaluar nga të gjithë përpara se të ndërmerret hapi i madh. Nëse bashkëjetesa është fryt dhënëse dhe të dy partnerët janë të lumtur të jetojnë në praninë e njëri-tjetrit, atëherë kjo lidhje do të rezultojë në një martesë të fortë dhe me rrënjë të thella.

  • Dardan MITROVICA – Hanter Bajden, gjuetar dhe pre (nga Trump)

    Dardan MITROVICA – Hanter Bajden, gjuetar dhe pre (nga Trump)

    Goditi djalin për të mundur babanë? Djaloshi është në telashe me drejtësinë dhe gjëja ka filluar të ketë një peshë të konsiderueshme në këtë tranzicion ende për t’u treguar

    Hunter në anglisht do të thotë gjuetar. Kundër Hanter Bajden, djalit të Presidentit të zgjedhur Xho Bajden, ka filluar gjuetia. Gjuetari është bërë pre. Godit djalin për të mundur babanë? Hanter Bajden konfirmon se është po hetohet nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Delaware për çështjen e taksave: “E marr këtë çështje shumë seriozisht, por jam i bindur për faktin se një rishikim profesional dhe objektiv i kësaj çështje do të vërtetojë se si unë i kam trajtuar punët e mia ligjërisht, në mënyrë profesionale”.

    Hetimi filloi më 2018, një vit para se Biden të niste garën për në Shtëpinë e Bardhë. Sipas Nbc, ka të bëjë me taksa të papaguara, sipas Fox News “transaksione të huaja të dyshimta”. Prokurori i Përgjithshëm i Delaware është David Weiss, republikan, i emëruar nga Donald Trump më 2018. Kundërshtarët politikë të ish-numrit dy të Barack Obamës, të kryesuar nga Donald Trump, nuk humbin rastin për ta akuzuar Hunterin se kishte përfituar nga pozita e prindit të tij kur ai ishte në Shtëpinë e Bardhë për interesa biznesi, nga Kina në Ukrainë.

    Hetuesit kanë pritur deri të martën përpara se të shpërndanin një numër fletëthirrjesh (një edhe për Hanter Bajden), zyrtarisht sepse policy e DoJ (shkurtesa për Departamentin e Drejtësisë) nuk lejojnë zbulimin e hetimeve që mund të ndikojnë në votim.

    Rasti i parë për Ruajtësin e ri të vulave

    Njoftimi se Hunterit po hetohet vjen në prag të emërimit të ri të Biden të Ruajtësit të ri vulave që do të thirret për të mbikëqyrur hetimin. Nuk njihet ende emri i tij dhe ka që tani është ngritur çështja e konfliktit të interesit, duke kërkuar abstenimin e tij. “Do të ishte jashtëzakonisht e papërshtatshme nëse prokurori i përgjithshëm i të atit të përfshihej në këtë çështje”, ka shkruar kongresmeni republikan Ken Buck, duke i kërkuar sekretarit të Drejtësisë në largim William Barr të caktojë një prokuror special për të hetuar djalin e presidentit të zgjedhur.

    Abstenimi i ish Keeper Jeff Sessions çoi në emërimin e Robert Mueller për të hetuar mbi Russiagate. Presidenti i zgjedhur “është thellësisht krenar për djalin e tij i cili ka luftuar fort për të kapërcyer sfida të vështira, përfshirë sulmet e ashpra të muajve të fundit. Do të dalë i forcuar”, sigurojnë nga team i tranzicionit.

    Trampi, që nuk e njeh fitoren e Bajdenit, është ringjallur, por jo rastësisht. Ai priti disa orë përpara se të komentonte lajmet. “Nëse po kërkoni manovra elektorale, nuk duhet të shihni më tutje. Kjo është ajo që është. Kanë fshehur informacionin nga publiku për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve. E korruptuan. Nëse do të dihej për Hunter Biden, 10% do të kishin ndryshuar votën e tyre. Por, sidoqoftë, unë fitova” twitton komandanti i përgjithshëm, duke harruar me sa duket shtytjen elektorale që ai mori nga ish shefi i FBI (krahu investigativ i DoJ), James Comey, më 2016, kur komunikoi – dy javë para Election Day – hapjen e një dosjeje për sfidanten e atëhershme demokratike Hillary Clinton mbi Emailgate.

    Hetimi përfundoi me një asgjë, Comey u shkarkua nga Trampi dhe duke pësuar një humbje të bujshme.

    Kush është në të vërtetë Hanter Bajden?

    Kush është Hanter Bajden? New Yorker pikturon një portret të tij duke përshkruar interesat e tij në Kinë dhe duke risjellë në kujtesë se si ai e shoqëroi të atin më 2013 në Pekin kur u takua me një partner të tij. Hunter e ka pranuar se kishte marrë një diamant nga një manjat i energjisë së Dragoit aziatik i përfshirë në një projekt të GNL (Gazit Natyror të Lëngshëm) por mohoi që dhurata shërbente për të bërë presion ndaj të atit.

    “Për çfarë duhet të më korruptonin? Babai im nuk ishte në detyrë”, është mbrojtur Hunteri, protagonist i polemikave kontroverse. Teksa babai i tij ishte zëvendëspresident, rezultoi pozitiv ndaj kokainës dhe u përjashtua nga marina si rezervist. Më 2014 u bashkua me bordin e Burisma, një kompani energjitike në Ukrainë. Dhe nëse nga një hetim i Senatit (i udhëhequr nga GOP) nuk doli asnjë masë politike që mund të ndikohej nga puna e Hunter, tetorin e kaluar, në prag të votimeve, New York Post, nxorri historinë e një kompjuteri të vjetër që djali i ish-zëvendëspresidentit dyshohet se e harroi në një qendër shërbimesh në Delaware, në prill 2019.

    Si në një histori detektivësh të Ken Follett, pronari, John Paul Isaac, pati bërë fillimisht një kopje të hard diskut dhe më pas ia dorëzoi kompjuterin FBI-së, duke ia kaluar informacionin edhe avokatit të Trampit, Rudy Giuliani, që prej kohësh gërmon në punët ukrainase të Hanter. Isaac, i cili është i verbër, pretendon se nuk e njohu menjëherë Hanterin dhe vendosi të dorëzonte laptopin në FBI vetëm pasi e zbuloi atë, sepse pati frikë për sigurinë e tij.

    Ndërsa Xhulianit, ia kaloi të dhënat sepse ishte i indinjuar nga fakti që gjatë procesit të impeachment të Trampit, kompjuteri i Hunterit nuk u përmend kurrë. Disku i ngurtë përmbante email, foto dhe video kompromentuese të Bajdenit të ri, imazhe të ngarkuara edhe në një faqe kineze të themeluar nga ish-strategu i Trump Steve Bannon dhe miliarderi kinez Guo Wengui.

    Sipas NYP, pikërisht njëri prej emaileve është prova e “korrupsionit” të familjes Bajden: një këshilltar i Burisma, Vadym Pozharsky, falënderon Hunterin që i ka dhënë mundësinë për të takuar zëvendëspresidentin e Shteteve të Bashkuara.

    Në vitin 2016, zbulimi i emaileve të Hillary Clinton në kompjuterin e ish-kongresistit Anthony Weiner, burrit të këshilltares së saj Huma Abedin, i cili më vonë u dënua për vepra seksuale, disa ditë para zgjedhjeve, ndihmoi në ngjitjen e “The Donald” në Shtëpinë e Bardhë.

    Trump nuk e njeh fitoren e Xho

    “E gjithë historia nuk është veçse një përsëritje, një fushatë plagjiatron tjetrën”, për të thënë duke perifrazuar Viktor Hygoin. Tramp nuk e pranon humbjen dhe vazhdon të paraqesë ankesa, veçanërisht kundër votimit me postë. Deri më tani ka rreshtuar vetëm disfata ligjore por nuk heqë dorë, edhe nëse vetëm për të delegjitimuar fitoren e rivalit të tij dhe ndoshta do të provojë garën përsëri më 2024. Tani është bashkuar me çështjen e udhëhequr nga Teksasi dhe shpreson të arrijë në Gjykatën e Lartë për të prishur vendimin e turmës. Russiagate e ka ndjekur për pjesën më të madhe të mandatit të tij.

    U vu nën impeachment nga Dhoma e Përfaqësuesve për presion ndaj Ukrainës për të hetuar çështjet e Bajdenit. Tani familja Bajden është në shënjestrën e drejtësisë. “Në jetë gjithçka përsëritet: përjetësisht e re është vetëm fantazia”, ka thënë Friedrich Schiller dhe kush e di nëse republikanët në Kongres nuk po fantazojnë për një impeachment të Bajden.

  • Zija ÇELA – Me ata edhe sherr mund të bëj, o Zot…

    Hyrja mund të kishte një nëntitull: Fundi i mbyllur dhe fundi i hapur. Me një fjalë, fundi mund të shërbejë edhe si fillim. Mirë pra, po filloj të rrëfej katër intimitete, nga ato që çdo kolegu ia sjell përvoja. Po i rrëfej shkurt, megjithëse mund të meritonin më shumë vend.

    1.

    Kur u bë përurimi i librit “Njerëz të krisur” të Dritëro Agollit, në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve e mori fjalën shumëkush. Dihet, sado të restaurohen, tavanet e sallave ku përurohen libra, gjithnjë rrezikojnë të nxihen, jo nga tymi i cigareve, por ai i fishekzjarreve. Mirëpo për Dritëroin nuk kisha pengesa të tilla, mbasi është e ditur se kodi i ndërgjegjës nuk e kursen lejen për shkrimtarët e vërtetë.

    E megjithatë nuk fola.

    Nga leximi i këtij libri me tregime më kishte lindur një pyetje, përgjigjen e së cilës ende s’ia kisha dhënë vetes dhe nuk po e dëgjoja as aty.

    Pyetja ishte: Çfarë ka moderne në klasikën e këtij autori, një moderne disi enigmë, sepse nuk e gjen të shfaqur në formë?

    Pas ca kohësh, bëra një shkrim me titullin “Leximi i një teksti univok”. Kur i hodhi një sy në dorëshkrim miku im Bardhyl Londo, atë kohë kryeredaktor i gazetës “Drita”, shfaqi dyshimin se Dritëroit mund t’i mbetej hatri. Doemos, e kuptoja shyben e Londës. Hallin e kishte te trysnitë e së shkuarës, se ndonëse të vdekura, ka praktika e koncepte që ngrihen lugat. Një nga fantazmat më të tmerrshme është ajo e kritikës panagjeriste.

    Mirëpo nuk e di përse, unë mendoja ndryshe.

    Në atë shkrim pohoja se, sipas meje, Dritëro Agolli u përket shkrimtarëve që dëshmojnë rezistencë konservuese në rrugën e tyre, ai është mjaft i qëndrueshëm (“kokëfortë”) në mënyrën e shkrimit të letërsisë. Në prozat e tij, edhe sot lexuesi shkollar i gjen me lehtësi të ashtuquajturit elementë të kompozicionit, hyrjen, nyjen lidhëse, zhvillimin e ngjarjes, pikën kulminante dhe zgjidhjen e veprimit.

    Në raportet e tij me lexuesin, i prirur më tepër ndaj ideologjisë sesa filozofisë, Dritëroi shkruan një letërsi të orientuar: ai nuk e fsheh, përkundrazi, duket se bën përpjekje të vijueshme që, nga tërësia e tekstit dhe përfundimi i tij, lexuesi të marrë po atë mesazh për të cilin ka shkruar autori.

    Nëse i mungon polisemantika e tekstit, Dritëroin e bën modern teksti univok që, për hir të prirjeve vetjake të shkrimtarit, çuditërisht bëhet mbartës i të jashtëzakonshmes. Po të ishte thjesht një realist i traditës, Agollit do t’i duhej të parapëlqente sidomos vijën e mesit, në kuptimin se çfarë është e besueshme në jetë, bëhet më e besueshme edhe në letërsi. Mirëpo Dritëroi kërkon dhe jep kuotat e skajshme, nevralgjiket, pikat e vlimit. Pa u shquar për kapriço të imagjinatës, ai dallohet për zgjedhjet kapriçoze që qëmton nga jeta. Ja përse, ndonëse të shkruara me qëllime univoke, romanet dhe tregimet e tij afrojnë me vepra që japin mundësi për lexime dhe interpretime të ndryshme, siç ndodh në formacionet e artit modern. Te Dritëroi parimi i veprës me fund të hapur të kujton Brehtin, veç nëse te Brehti gjendet i përpunuar në mënyrë të vetëdijshme, Dritëroi e ka instinktiv dhe spontan. Ndoshta prandaj edhe dikur, para viteve ’90, herë-herë ngjante sfidant. Ndoshta prandaj “Zhurma e erërave të dikurshme” jehon edhe sot. Ndoshta pikërisht intuita e artistit u ka dhënë jetë të gjatë edhe Zylos së famshëm e Mato Grudës me top.

    Kishin kaluar disa ditë nga botimi i shkrimit, kur një ngjarje letrare bashkoi në grup disa shkrimtarë. Po bisedoja me Lazër Stanin, teksa përballë u shfaq Dritëroi dhe Lazri, i cili as ma kishte hapur më parë atë temë, ashtu me dellin për shakatë qesh e ngjesh, ia futi me top duke iu drejtuar mjeshtrit në çast:

    “Hë, Dritëro, e pe si ta kishte hedhur Zijai?!”

    Me atë përskuqjen që i vjen nga kapilarët më të thellë të shpirtit, herë si hir i pastër fisnik e herë si shtrëngim për vetëpërmbajtje, Dritëroi m’u afrua dhe tokëm duart. Pastaj e dëgjova të thoshte:

    “Jo, Zijai ka të drejtë.”

    2.

    Një ditë, mbasi kisha pësuar një humbje të pakthyeshme në kompjuter (po shkruaja “Lëngata e hënës”), gjithë inat me vetveten nisa ecejaket nëpër dhomë.

    Befas, u ndala para raftit të librave. I mërzitur siç isha, si për të gjetur diku ngushëllim, kërkova të kridhesha në lexime.

    Zgjodha një nga kryeveprat e letërsisë botërore, pikërisht “Pallatin e Ëndrrave”.

    Për çudi, ndryshe nga ç’mund të pritej (vëmendje e shpërqëndruar, lëçitje e cekët etj.), po ndihesha tepër luçid, çka ma shtonte sensin e depërtimit dhe të interpretimit paralel me rileximin.

    E solli rasti që, kohë më pas, pimë një kafe me Kadarenë te “Pjaca”. Ishte në shoqërinë e Helenës e të Bujar Hudhrit. Në bisedë e sipër, i tregova përshtypjet e forta që teksti më la sërish. Por edhe shtova pastaj:

    “Për mendimin tim, fundi nuk duhet të këputet ashtu, pra në shtëpinë e Qypërlinjve, ai ka nevojë për një pjesë më vete, vazhduese, pavarësisht se sa radhë mund të jetë ajo, mjaft që në mëngjes nëpunësi të kthehet përsëri në institucionin e tij shtetëror, në Pallatin e Ëndrrave. Ky roman, për vetë polivalencën e tij dhe faktin që i përket estetikës së fundit të hapur, do të më dukej me vend sikur, përkundrazi, nga ana kompozicionale të ishte i mbyllur, dhe të mbyllej tamam në pikën nga është nisur rrethi…”

    Mbas pak, pa e ditur se në ç’kopshtije mendimesh kishte shëtitur, Ismaili nxori një copë letër dhe hodhi një shënim të shkurtër. E sapo ishte larguar:

    “Ndoshta atë propozimin tënd”, nxitoi Bujari, presidenti i shtëpisë botuese “Onufri”. “Nuk ma merr mendja”, ia ktheva, “por kjo nuk ka rëndësi.”

    “Atëherë çfarë paska rëndësi, pra?!”, pyeti paksa i habitur tjetri.

    3.

    Me këtë pyetje varur, po kaloj te Zejnulla Rrahmani, autori i “Sheshi i unazës”, vepër e botuar qysh në vitet ’70 në Prishtinë dhe e mirëpritur. Unë kam patur fatin të më binte në dorë herët dhe pikërisht botimin e plotë të Prishtinës kam në bibliotekën time.

    Nuk e di me ç’rast, para nja tri-katër vjetësh, Zejnulla Rrahmani kishte ardhur në Tiranë bashkë me Sabri Hamitin, me gjasë për punë tekstesh shkollore, me ftesë të Ministrisë sonë të Arsimit.

    Sidoqoftë, dua të them se sapo kisha lexuar romanin e tij të ri “Arbëdhetarët” dhe për të po flisnim. Bisedën e bënim më këmbë, teksa ecnim përgjatë shëtitores Dëshmorët e Kombit. Natyrisht, i shfaqa vlerësime për këtë roman enciklopedik, enciklopedik veçmas në informacionin nga historia, por edhe në stil, një libër i atillë që sikur të mblidhen dhjetë shkrimtarë bjerrakohës së bashku, dhjetë nga taborri i atyre që dinë vetëm të shajnë të tjerët e të mburrin vetveten, nuk arrijnë ta shkruajnë dot.

    Pastaj, duke iu drejtuar me emrin e shkurtuar, thashë:

    “Zenë, e sheh këtë rrugë me asfalt?”

    E pasi heshta pak:

    “Kësaj rruge edhe parmendën t’ia kalosh sipër, nuk e lëron dot.”

    E mori me mend ku e kisha fjalën. Doja të thoja se masa ndaj intensives është tepër delikate, pasi letërsia artistike, sipas meje, ka nevojë që gjithashtu të jetë e shkrifët, çfarë e bën më të lexueshme.

    4.

    Siç ma merr mendja, nga Mehmet Kraja vetëm ndonjëri prej librave të fillimit mund të më ketë shpëtuar pa lexuar.

    Çudi që nuk jemi hasur pikërisht qysh në fillim. Unë nga njëra anë – në Shkodër, dhe ai nga tjetra – në Krajë, vetëm Taraboshi, një mal më i madh se një kodër dhe një kodër më e vogël se një mal, na ka ndarë.

    Si ndër shkrimtarët më të rëndësishëm të letrave tona, Mehmet Kraja ka pasur një rritje të vazhdueshme dhe ka botuar në vijueshmëri, herë romane, herë libra me tregime, përveç publicistikës. Proza e tij ka shpatull të gjerë dhe kaq aq dashni për shqipen, sa gjuha është ndër elementët më të fortë të autorit.

    E kjo bëhet edhe më e domosdoshme për një shkrimtar, i cili tërësinë e veprës e ngre mbi strukturën e rrëfimit. Vini re qoftë rezultatin që arrin përshkrimi tek ai. Përshkrimi është thuajse viziv, i ngjashëm me pikturën. Këtë forcë e gjejmë edhe në romanin e fundit, botuar në Tiranë nga “Onufri” (nuk u ka rënë në sy, ë? sa pak lexohen shkrimtarët e mirë!), me titullin “Babai im e donte Adolfin”. E megjithatë, disi në mënyrë taksative, i kam kërkuar autorit që ta burgosë tri fjalë të stërpërdorura në librat e tij, domethënë, për tri vjet t’i heqë nga dëfteri. Cilat janë? Njëra është fjala “i bardhëllemë” që, nganjëherë ka dhe kuptimin i dalë boje. Por kjo nuk e ka zbërdhulur aspak miqësinë tonë.

    5.

    As që e vë në dyshim se, po t’u ketë ardhur rasti, e keni kapur prej kohësh një shkitje elegante të Borgesit. Duke shkruar për “Uliksin” e Xhojsit, të cilin e vlerëson si e gjithë bota, diku thotë kalimthi se, ç’është e vërteta, nuk e ka lexuar faqe për faqe.

    Unë përmenda katër libra që i kam lexuar faqe për faqe, katër herë kam vlerësuar drejt, por ndoshta katër herë edhe mund të jem gabuar në objeksionet e mia. E megjithatë, prapë nuk ka rëndësi.

    “Po atëherë çfarë qenka e rëndësishme?!”, sikur më përsëdytet me ngulm ajo pyetja, që rri varur.

    E rëndësishme është të identifikosh shkrimtarët e klasit, me të cilët mund të bisedosh lirshëm, pa merakun se prishesh për një fjalë goje, madje i gatshëm të bësh edhe sherr për të shkuar drejt së vërtetës. Me këta kalorës të artit ke ajamë të takohesh, me ta flet me qejf, o Zot!

    Sepse te mediokrit, pavarësisht nga sistemet, nuk ka hapësira për lirinë.

    Prill, 2007

  • Virginia WOOLF – Dhoma e intelektit dhe tregu i jetës

    Virginia WOOLF – Dhoma e intelektit dhe tregu i jetës

    Na duhet të pranojmë se jemi duke kërkuar dhe se është e vështirë të arsyetojmë pakënaqësinë tonë, duke shpjeguar se ç’është ajo që e kërkojmë.

    Në distanca kohore edhe pyetjen tonë e formulojmë ndryshe. Por ajo rishfaqet me këmbënguljen më të madhe, me të lënë romanin e përfunduar në ofshamën e thellë. A thua vlen kjo? Çka është thelbi i tërë kësaj? A është e mundur që, falë atyre lëkundjeve të vogla që duket se shpirti i njeriut i bën herë pas here, Beneti me aparaturën e tij madhështore e ka zënë jetën së prapthi? Jeta ikën; e mbase pa jetë asgjë tjetër nuk ka vlerë.

    Të jesh i detyruar për të përdorur një figurë të tillë, domethënë, të pranosh të mjegulltën; por mbase e përmirësojmë çështjen duke folur për realitetin, ashtu siç janë të prirur të bëjnë kritikët.

    Duke pranuar paqartësinë, që e ngarkon gjithë kritikën e romaneve, le ta hedhim në short mendimin se për ne, në këtë çast, forma e prozës më të popullarizuar shumë më shpesh e humb se e qëllon atë, që ne e mëtojmë. Sido ta quajmë, jetë apo shpirt, të vërtetë apo realitet, kjo, gjëja thelbësore, është flakur fare tutje dhe refuzon që të mbahet më në ato rroba, të cilat hiç nuk i shkojnë e që ne ia kemi qepur aq keq.

    Prapëseprapë, këmbëngultazi e të vetëdijshëm, vazhdojmë të konstruktojmë tridhjetë e dy kapitujt tanë, sipas një dizajni që gjithnjë e më pak i ngjason vizionit në mendjen tonë. Kaq shumë punë e madhe për të vërtetuar qëndrueshmërinë, përngjasimin e tregimit me jetën; nuk është mund thjesht i derdhur kot, por është pa vend, për aq sa errëson dhe njollos dritën e koncepsionit.

    Shkrimtari detyrohet jo nga vullneti i lirë, por nga zgjedha e një tirani fuqiplotë e të paskrupullt, të sigurojë një subjekt, komedi, tragjedi, dashuri, lakmi dhe njëfarë propabiliteti duke balsamuar tërësinë, pa ndonjë të metë, aq sa nëse të gjitha figurat e tij do të ngjalleshin, do ta gjenin vetveten të veshura krejt, tërësisht sipas modës së atij çasti, deri edhe te pullat e palltove të tyre. Janë zbatuar urdhrat e tiranit; romani është bërë sipas tyre. Por nganjëherë, me kalimin e kohës, gjithnjë e më shpesh përjetojmë dyshim çastor, një spazmë revolte, derisa faqet mbushen në mënyrë të zakonshme.

    A është jeta kështu?

    A duhet të jenë romanet kësisoj?

    Duke shikuar përbrenda, duket se jeta është shumë larg të qenit “kësisoj”.

    Vështrojmë për një çast një mendje të rëndomtë në një ditë të zakonshme. Mendja pranon impresione të panumërta – triviale, fantastike, kalimtare ose të gdhendura me mprehtësi metalike. Ato vijnë ngado, një rreshje e pandërprerë atomesh të panumërta; duke rënë, duke marrë formën e jetës në ditën e hënë apo të martë, theksi bie ndryshe nga ç’ndihej në të kaluarën; çasti i rëndësisë vjen jo këtu, por atje; ashtu që po të ishte shkrimtari i lirë e jo skllav, të mund të shkruante atë që zgjedh vetë e jo atë që detyrohet; po të mund ta bazonte punën mbi ndjenjat e veta e jo mbi zakone, s’do të kishte subjekt, as komedi, as tragjedi, as dashuri, lakmi a katastrofë sipas stilit të akceptuar, e s’do të kishte mbase as edhe një pullë të vetme të qepur sipas shijes së rrobaqepësve të Bond-Stritit.

    Jeta nuk është një varg simetrik llambash rrotulluese, po një aureolë rrezulluese, një perimetër gjysmëtransparent që na rrethon që nga fillimi i vetëdijes e deri në fund.

    A nuk është detyra e prozatorit të shprehë këtë shpirt të ndryshueshëm, të panjohur e të pafund, të tregojë çfarëdo bredhjeje a ndërlikueshmërie që ai mund të manifestojë, e sa të ketë mundësi, me më pak përzierje me atë që është e huaj dhe e jashtme?

    Nuk po apelojmë vetëm për guxim e sinqeritet; por sugjerojmë se lënda e prozës është pak më ndryshe nga ajo që, sipas një zakoni të këtillë, kërkojmë të përkufizojmë cilësinë që e dallon punën e disa shkrimtarëve të tjerë, në mesin e të cilëve James Joyce është më i shquari, nga puna e paraardhësve të tyre.

    Ata përpiqen të vijnë më afër jetës dhe të ruajnë më përzemërsisht e saktësisht atë që u intereson dhe që i nxit, qoftë edhe atëherë kur, për ta bërë këtë, u duhet të ikin prej numrit më të madh të konvencave, të cilave zakonisht  u përmbahet u përmbahet shumica e prozatorëve.

    Le të shënojmë atomet, derisa bien në mend ashtu sipas radhës që bien, le të gjurmojmë modelin, sado i palidhur e i parregullt që të paraqitet, atë që çdo vizion e ngjarje e gdhend në vetëdijen tonë.

    Le të mos pranojmë se ka më shumë jetë në çkado që konsiderohet e madhe, sesa në atë që konsiderohet e vogël. Secili që e ka lexuar “Portretin e artistit në rini” apo “Uliksin”, që është edhe më interesant, falë qëllimit të Yoyce-it nuk mund të jetë i sigurt në teori.

    Përkundër atyre që i kemi quajtur materialistë, Joyce-i është spiritualist; brengoset që të zbulojë me çdo kusht drithërimën e atij zjarri më intim, që e vetëton porosinë nëpër tru; me qëllim që këtë edhe ta ruajë, nuk përfill gjithë atë që atij i duket jothelbësore, qoftë propabiliteti, koherenca apo çfarëdo udhërrëfyesi tjetër që me gjenerata kanë shërbyer si mbështetës të imagjinatës së lexuesit, kurdo që ai është ftuar të imagjinojë atë që as mund ta prekë dhe as nuk mund ta shohë.

    Për shembull, skena në varreza, me brilancën, vulgaritetin, jolidhshmërinë, vetëtimat e befta domethënëse, pa dyshim është aq afër shpejtësisë së mendjes, sa vështirë të mos shpallet kryevepër, qoftë edhe me lexim të parë. Nëse kemi kërkuar jetë, veç këtu mund ta gjejmë atë. Vërtetë, do të ngatërroheshim nëse përpiqemi të shfaqim kërkesën e re, dhe t’i vëmë në pah arsyet përse një vepër me origjinalitet të këtillë, megjithatë s’mund të krahasohet me “Rininë” apo “Prefektin e Kasterbrixhit”, se na duhet të marrim shembuj të nivelit të lartë. Mund të themi shkurt, s’mundet për shkak të varfërisë për krahasim të mendjes së shkrimtarit dhe pikë.

    Por ka mundësi të shkojmë më larg dhe të pyesim: A mund t’ia ngarkojmë intelektit se është në një dhomë të ndritshme, por të ngushtë, i kufizuar e i mbyllur brenda, në vend se i rritur e i liruar, sipas limitit të imponuar nga metoda si dhe nga mendja?

    A është metoda ajo që pengon fuqinë krijuese?

    A thua, falë metodës, ne nuk ndihemi as të gëzuar, as fisnikë, por të pëqendruar në një vetje, që edhe përkundër drithërimave të ndjeshmërisë së saj, krijuesi kurrë nuk përqafon apo krijon atë që është jashtë a përtej vetes së tij? A ndihmon theksi i vënë në mënyrë didaktike mbi të panjerëzishmen, efektin e ndonjë gjëje të izoluar apo të mënjanuar? Apo ndodh kjo për të vetmin shkak se, në çfarëdo përpjekjeje origjinale si këto, është shumë më lehtë, posaçërisht për bashkëkohësit, të ndiejnë atë që mungon, sesa të emërtojnë atë që ofron?

    Sidoqoftë, është gabim të qëndrojmë jashtë, duke ekzaminuar “metodat”. Çdo metodë, e cila shpreh atë që  dëshirojmë të shprehim, është e drejtë, nëse jemi shkrimtarë; e secila që na afron me qëllimin e shkrimtarit, nëse jemi lexues. Kjo metodë ka merita se na afron pranë asaj, që ishim përgatitur ta quajmë jeta vetë; a nuk sugjeron leximi i “Uliksit” fakte që bëjnë me dije sa shumë është përjashtuar nga jeta apo injoruar, a nuk është një lloj tronditjeje që jemi bindur me “Tristam Shandin” se, jo vetëm që ka aspekte të tjera, por edhe aspekte më të rëndësishme që kanë dalë në treg.

    Sidoqoftë, sot prozatori është para dilemës, siç supozojmë të ketë qenë edhe në të kaluarën, si të trillojë mjete për t’u liruar dhe për ta hedhur në letër atë që e zgjedh vetë. Duhet ta ketë guximin të thotë se ajo që i intereson atij, nuk është më “kjo”, por është “ajo”; dhe vetëm nga “ajo” i duhet ta ndërtojë punën e vet. Për modernistët “ajo”, thelbi i interesit, ka shumë të ngjarë se fshihet në skutat e errëta të psikologjisë. Përnjëherë, si rrjedhim, theksi bie pak më ndryshe; theksohet ajo që deri tani ishte injoruar, një përzgjedhje forme tjetër bëhet e domosdoshme, e vështirë për t’u kuptuar për ne, e pakuptueshme për paraardhësit tanë.

  • Italo CALVINO – Shpirti i komunikimit

    Italo CALVINO – Shpirti i komunikimit

    Hermes – Mërkuri, perëndia e komunikimit dhe e ndërmjetësive, nën emrin Toth shpikës i shkrimit e, po ashtu, përsa më thotë Jung në studimet e tij mbi simbiologjinë alkimiste, “shpirti Mërkur” përfaqëson dhe principium individuationis… Por sipas opinionit më të përhapur, temperamenti i ndikuar nga Mërkuri, i zoti për shkëmbimet, tregtinë e që i zë dora gjithçka, i kundërvihet temperamentit të ndikuar nga Saturni melankolik, soditës, vetmitar. Që nga antikiteti, temperamenti saturnian mbahet pikërisht ai i artistëve, i poetëve, i mendimtarëve dhe më duket se ky karakterizim i përgjigjet së vërtetës. Letërsia nuk do të kishte ekzistuar kurrë, nëse një pjesë e njerëzve nuk do të ishte e prirur ndaj një mbylljeje në vetvete, një pakënaqësie ndaj botës, një përhumbjeje për orë e ditë të tëra me vështrimin e ngulur në palëvizshmërinë e fjalëve pa zë. Sigurisht që karakteri im u përgjigjet karakteristikave tradicionale të kategorisë së cilës i përkas. Edhe unë kam qenë gjithmonë një saturnian, pavarësisht nga lloji i maskave që kam kërkuar të vë. Kulti i Mërkurit ndoshta përmbush vetëm një aspirim, një dëshirë për të qenë: jam një saturnian që ëndërron të jetë Mërkur dhe gjithçka që shkruaj provon këto dy shtysa.

    Edhe pse Saturni – Kronos ushtron pushtetin e tij mbi mua, megjithatë është e vërtetë se nuk ka qenë kurrë hyj i devocionit tim, nuk kam ushqyer për të asnjë ndjenjë tjetër përveçse respektit nga frika. Një perëndi tjetër ka me Saturnin lidhje afrimiteti e farefisnie dhe mbas tij jam shumë i dhënë, një perëndi që duke mos qenë titullari i një prej shtatë planeteve të qiellit të të vjetërve, nuk gëzon aq shumë prestigj astrologjik, pra dhe psikologjik, por që nga kohët e Homerit gëzon një fat të madh letrar. Po flas për Vullkanin – Hefest, perëndinë që nuk endet nëpër qiej, por strehohet në fund të kratereve, i mbyllur në farkën e tij, ku fabrikon i palodhur objekte të përfunduara në çdo hollësi, bizhuteri e zbukurime për perëndeshat e perënditë, armë, mburoja, rrjeta, çarqe. Vullkani që i kundërvë fluturimit ajror të Mërkurit ecjen jo të rregullt të hapit të tij të çalë dhe goditjen ritmike të çekanit. Edhe këtu duhet t’i referohem një letërsie të rastësishme, po nganjëherë idetë e qarta lindin nga leximi i librave të çuditshëm dhe vështirë të klasifikueshëm për nga rreptësia akademike. Libri në fjalë, që e kam lexuar kur studioja simbologjinë e tarokëve, titullohet “Histoire de notre images” e André Virel-it. Sipas autorit, një studiues i kolektivit imagjinar të shkollës – besoj jungiane, Mërkuri e Vullkani përfaqësojnë dy funksione jetësore të pandara e plotësuese. Mërkuri sintoninë ose pjesëmarrjen në botën që na rrethon; Vullkani fokusimin ose përqendrimin konstruktiv.

    Që kur lexova këtë shpjegim të kundërvënies dhe plotësimit mes Mërkurit e Vullkanit, fillova të kuptoj diçka që deri atëherë e kisha nuhatur turbull, diçka për veten, mbi atë çka jam e çka do të doja të isha, si shkruaj e si do të doja të shkruaja. Përqendrimi e mjeshtria e Vullkanit janë kushte të nevojshme për të shkruar aventurat dhe metamorfozat e Mërkurit. Gjallëria e shkathtësia e Mërkurit janë kushte të nevojshme që lodhjet e pafundme të Vullkanit të shndërrohen në mbartës të kuptimit dhe, nga ganga minerale pa trajtë, të marrin formë cilësitë e perëndive, qestet a sfurqet, shtizat a diademat. Puna e shkrimtarit duhet të ketë parasysh kohë të ndryshme: koha e Mërkurit dhe koha e Vullkanit, një mesazh i menjëhershëm arritur në sajë të rregullimeve plot durim e përpikmëri, një intuitë e çastit që e sapoformuluar merr përcaktimin përfundimtar të asaj çka nuk mund të ishte ndryshe.

  • Norman MANEA – Shtypje mbytëse në tregun e kulturës

    Norman MANEA – Shtypje mbytëse në tregun e kulturës

    Ç’vend zë letërsia sot, në një shoqëri ku kultura masive, e manipuluar me zell e me fitim, afërmendsh që e fiton garën dhe kërcënon të gëlltisë kulturën në vetvete? Nuk e teprojmë po të themi se letërsia është e rrezikuar në kulm.

    Në një kohë kur figura pamore ka pushtet të plotë e kur komunikimi bëhet me shpejtësi ultra të lartë, për të matur peshën vendimtare të krizës, nuk është më as e nevojshme të kërkojmë armiqtë tradicionalë të leximit. Po të jetë fjala për skandalin e përdhunimit më të fundit, për shpërdorimin financiar më të fundit, për bujën më të fundit në sport, në veprimet e policisë apo në jetën e shoqërisë mondane, serialët televizivë mediokër mbarëbotërorë shndërrohen brenda natës në “libra” e përpihen nga po ai lexues masiv, që nuk bën më dallim midis prozës artistike dhe “romanit” të jetës së gjallë. Harbutëria duket se është njëra nga shenjat-simbol të çlirimit nga rregullat, që kufizojnë mendimin e sjelljen dhe për shumë vetë duket se është shprehje e “lirisë” absolute e themelore.

    A është e vërtetë që shija e ulët, pra mendimi i cekët, shpie në veprime kriminale, sikundër e parashikonte Stendali me ironi pa të keq? Lipset pranuar se karakteri i ndërlikuar mahnitës i shumë prej këtyre kriminelëve, nganjëherë na emocionon me rrëfime për botën e fundërrinave: për vetminë dhe të fshehtat e saj, shtytjet e errëta të brendshme, nevojën e ngutshme traumatike për kënaqësi, e parë kjo si konfirmim terapeutik kalimtar i personalitetit; ose me rrëfime për jetën e natës, për lokalet e bodrumeve pa barriera e rregulla standarte, botë që kërkon ose sajon prova minimale, sado të çuditshme e tuhafe të realitetit, qenies, jetës.

    ***

    Nuk është për t’u habitur që demokracia, duke shpallur të drejtat e patjetërsueshme të individit e duke i respektuar ato, mund të bëjë fare pak për të paralajmëruar zgjidhjet e këqija, qoftë në pikëpamje të shijes së ulët në dukje të padëmshme, qoftë në pikëpamje të nevojës së nëmur për të vrarë tjetrin.

    Mjeshtëria e depërtimit artistik në të thellat e këtij universi, artificial po dhe aq njerëzor, mund të jetë herë-herë mahnitëse. Nuk janë për t’u lavdëruar vetëm përpjekjet e shkrimtarëve të njimendtë, por edhe të fondacioneve, shtëpive botuese, universiteteve e bibliotekave për t’i bërë ballë shtypjes mbytëse e vazhdimisht në rritje të tregut të kulturës. Libra me vlerë të lartë shkruhen ende në Amerikë, ku sot janë banorë të saj pesë fitues të Çmimit Nobel për letërsi (i gjashti ka lënë bunkerin e vet në Vermont dhe është kthyer në Rusi, atdheu i shenjtë i tij), ku larmia tematike, gjuhësore dhe e risive mbetet burim bukurie të rrallë e ku shija e vërtetë e famës u përket autorëve të çdo kalibri.

    Shkrimtarët, natyrisht, reagojnë ndaj ngacmimeve aspak të këndshme të shoqërisë që i rrethon, gjendjes së nderë të sa e sa tragjedive njerëzore, dhe këtë punë e bëjnë në pajtim me talentin, me idetë e madje me moshën e tyre. Synimet letrare e mjeshtëria e penës janë të ndryshme te Saul Bellow ( i cili del rregullisht me libra të rinj të nivelit të lartë) dhe te më i riu, William T.Vollman, i cili përvit boton romane me njëfarë origjinaliteti e ndërkaq po shkruan në mijëra e mijëra faqe edhe një sagë të historisë së Amerikës, të rindërtuar me syrin e romancierit.

    Kriza e letërsisë nuk është aspak befasuese, po të kemi parasysh krizën më të thellë e më të gjithanshme të njeriut e të shoqërisë së sotme, sizmograf i së cilës është letërsia. Në fund të fundit, nuk është kalimi i letërsisë në vend anësor ajo çka është më skandaloze. Pak a shumë, ne jemi mësuar me këtë gjë dhe ndonjë përmirësim tepër i madh do të na ngjallte dyshime. Vetëm sistemet totalitare, duke ndaluar qarkullimin e lirë të ideve e njerëzve, i jepnin letërsisë në mënyrë artificiale një prestigj shoqëror të fryrë.

    Në jetën “normale” të shoqërive të hapura, letërsia zë një vend më modest e të qetë. Prozatorë të mëdhenj, si Kafka, Proust, Musil, Joyce, Faulkner, nuk janë më të pëlqyer sot kur kanë hyrë në tekstet e shkollave, nga ç’ishin kur dolën për herë të parë me ndikim të paktë në botën e letrave. Skandaloze është që kjo botë e letrave sot duket se po mbledh forcat për provën madhore të shpëtimit e të mbetjes gjallë.

    Tonet dramatike ndoshta pikërisht këtu e kanë zanafillën, në qëndrimin me sa duket ndaj rrethanave kufizuese. Sot Europa Lindore ndodhet midis dy prirjeve të kundërta: integrimi sa më i shpejtë në modernitet (ecja “përpara” me nervozizmin, gabimet e vështirësitë e vetvetishme të periudhës postkomuniste) dhe nevoja për të marrë veten (lëvizja “mbrapsht”, për të rifituar të kaluarën parakomuniste, deri vonë të lënë në errësirë, të manipuluar, të falsifikuar e madje të ndaluar).

    Zhgënjimet e ardhura nga këto dy prirje, për të mos folur për konfliktin midis tyre, po ndërrojnë drejtimin e po shndërrohen në një furi e çmenduri postkomuniste të thjeshtëzuar dhe aktualisht komode, ose në të kundërtën e saj, në nostalgji prokomuniste, sidoqoftë, në një lloj procesi çlirimi nga faji e hakmarrja, gjatë të cilit “dalja e shpejtë nga zjarri” shmang çdo analizë të imët të asaj çka realisht ka ndodhur pas luftës në dhjetëvjeçarët e demagogjisë, degradimit dhe shpersonalizimit.