Blog

  • Armando A. RODRIGEZ – Sulm i dyfishtë

    Armando A. RODRIGEZ – Sulm i dyfishtë

    Armando A. Rodrigez

    Dy sumbulla vezulluese rrinin dhe vrojtonin në pjesën e sipërme të çatisë; përpara tyre, në dritën e vagëlluar të yjeve, shtrihej sipërfaqja e mbuluar me copëza letrash e gjethe të kalbura nga shirat.

     Macja nuk ia hiqte sytë anës tjetër të pullazit, ku ndodheshin ca dërrasa të vjetra.

    Befas, tendosi muskujt; ata u bënë të fortë dhe tashti ishte e gatshme për t’u hedhur në sulm; ia nguli vështrimin një të çare mes dy dërrasash: aty lëvizte koka e miut, që tutej mos i ndodhte gjë. Me sa dukej, durimi i maces po shpërblehej, sepse miu po matej të dilte nga strofulla për të kërkuar ushqim…

    – As më thua, e dashur, si shkoi loja që bëtë? – Zëri tingëlloi i fortë; bashkë me të, një vrushkull i verdhë drite u shpërnda nga dritarja e hapur e katit të dytë aty, nën çati; papritur, miu u tërhoq prapa dhe u fut në vrimën e mëparshme. Ndërkaq, muskujt e maces u bënë të flashkët; teksa lëvizte veshët ngadalë, këqyri dritaren.

    – Ti e merr me mend si janë ato mbledhje, Ernesto: bëhet një lojë, shtrohet një koktej dhe thashetheme, shumë thashetheme.

    – Natyrisht, thashethemet nuk mund të mungonin, ishte mbledhje … grash.

    Katërkëndshi i dritares pasqyrohej mbi pullaz i vagullt; atje lart, macja rrinte e ulur qetësisht me muskujt e flashkët dhe sytë e saj shihnin nga katrorja e ndriçuar te cepi i errët i dërrasave.

    – Aty ishte gruaja e Albertit, e dashur?”

    Kësaj here zëri ishte i thellë e vinte nga larg.

    – Izabela? Jo, nuk mundi të vinte.

    Pastaj zëri ngulmues, që përsëri u duk sikur vinte nga larg, ushtoi i thellë, si brenda një shpelle; macja ktheu sytë nga dritarja dhe këqyri ngultas.

    – Luajtët në shtëpinë e Hulianit?

    – Jo, nuk luajtëm në… shtëpinë e Hulianit.

    Nga veriu frynte një frullim i lehtë. Në errësirë shkëndijonin sytë e maces, që këqyrnin me durim.

    – Po atëherë, në ç’vend luajtët, Maria?

    Tani zëri i burrit dëgjohej shkoqur, megjithëse e kishte ulur tonin.

    – Në shtëpinë e Amalisë.

    Në katërkëndshin e dritares u duk hija e përthyer e burrit; macja shikoi hijen, pastaj siluetën e zezë në dritare dhe u mbështet butësisht, por me padurim në këmbët e pasme.

    – Në mos gabohem, më pate thënë se do të shkonit në shtëpinë e Hulianit.

    – Po, ashtu e kishim menduar, por hoqëm dorë, parapëlqyem shtëpinë e Amalisë, ishim më rehat aty.

    Hija u zgjat edhe më, duke u shkrirë me fasadën ballore të pallatit.

    – Sa mirë që nuk keni vajtur në shtëpinë e Hulianit, se…

    – Se çfarë?

    Macja ngriti kurrizin, duke lëvizur veshët anash; në mes të dërrasave u dëgjua një ciatje.

    – Për pak desha të vija atje e të merrja pjesë në mbledhjen tuaj. Mirë që nuk erdha, do ta kisha bërë rrugën kot… Nuk është kështu, e dashur?

    Fjalët e gruas mbërritën lart te pullazi, si të shuara e të pasigurta.

    – Po, Ernesto… ashtu është.

    – Do ta bëja rrugën kot, se ti nuk ishe në shtëpinë e… Hulianit, apo e kam gabim?

    Macja e kishte harkuar kurrizin, ndërsa këmbët iu forcuan si kabllo çeliku; sytë i mbante të mbërthyer në cepin ku ndodheshin dërrasat, pasi aty po shfaqej prapë hunda e lagësht e miut, që lëvizte herë andej e herë këtej.

    – Jo, ti nuk mund të ishe atje, përderisa… luaje në shtëpinë e Amalisë…

    Trupi i maces u ngrit ngadalë mbi putra.

    – Mbasi nuk isha i sigurt ku ndodheshe duke luajtur, telefonova në shtëpinë e Amalisë… për të marrë vesh…

    Macja eci ngadalë përpara e bëri dy, tre, katër, pesë hapa; dhe miu kishte përshkuar një copë rrugë mes gjetheve të kalbura.

    – E di si është puna, Ernesto, s’desha të ta them: nuk vajtëm as të luanim, por hymë në një bar dhe pimë… Po, shkuam në një bar dhe pimë… Gabim bëra që nuk ta thashë, por nuk të kisha marrë leje…

    – Po, një marrëzi ke bërë… Megjithatë, vetura jote ndodhej para shtëpisë së Hulianit…

    Macja mblodhi kthetrat e bishti i ngriu; miu kishte nuhatur një farëz dhe po i qasej ngadalë.

    – Ernesto, nuk besoj se ti mendon që unë…

    – Jo, e dashur, është e pamundur të mendosh keq për ty… por unë jam i bindur, plotësisht i bindur se…

    Trupi elastik u tërhoq prapa, pa i shkëputur putrat nga vendi.

    – Jo, Ernesto, nuk është siç pandeh ti… gabohesh… Çfarë po bën, Ernesto?!..

    Hapësirën katërkëndshe të dritës e përshkoi një hije e shpejtë.

    -Jo, joooo, të lutem!

    Trupi i miut përdridhej i zënë rob; në çastin që u dëgjua piskama, macja ngriti kokën…. bebëzat i vezullonin dhe pasqyronin dritën e dritares.

  • Natsume SOSEKI – Kjo barrë nuk shqitet

    Natsume SOSEKI – Kjo barrë nuk shqitet

    Ëndërrova. Mbi vete mbaja një gjashtë vjeçar. Sigurisht që duhet të jetë biri im. Çuditërisht, duke e mos e ditur pse dhe si e di këtë, e di që fëmija është i verbër dhe koka e tij ka ngjyrë qielli, pa flokë, por e kaltër.

    E pyeta se kur u verbua e m’u përgjigj: “Oh, qëkur s’mbahet mend!” Zëri ishte i një fëmije, por toni ngjante me një të rritur; fjalët sesi u thanë, u folën  njëtrajtshëm.

    Në të djathtë dhe të majtë, shtriheshin fushat e orizit ngjyrë qielli. Shtegu ishte i ngushtë. Edhe tash, dhe prapë, forma e çafkës e zbehte rritjen e territ.

    “Po e shoh që kemi arritur tek orizoret”, tha krijesa në shpinën time.

    “Si mund ta dish këtë?”, e pyeta duke e kthyer kokën pas shpinës sime.

    “Nga vajtimi i çafkave”, më erdhi përgjigja.

    Dhe me të vërtetë, mu atëherë çafkat vajtuan dy herë.

    Edhe pse fëmija është imi, ndieja frikën të më kaplonte. Askush nuk mund ta shpjegojë se, duke e mbajtur një objekt të tillë mbi shpinë, çfarë mund të ndodhë më pas. Përderisa shikoja përpara, duke pyetur veten se ku ndoshta mund të lirohesha nga kjo përgjegjësi, pash një pyll shumë të madh se si shfaqej turbullt përmes errësirës. Dhe, po në atë çast kur fillova të pyetem se si mund ta hedh përgjegjësinë atje, ndjeva një thumbim tallës në shpinën time.

    “Pse qesh kështu?”

    Fëmija nuk dha përgjigje, por thjesht më pyeti:

    “Baba, a jam shumë i rëndë?”

    “Jo, nuk je i rëndë.”

    “Prit. Së shpejti do të bëhem i rëndë.”

    Nuk thashë asgjë, vetëm vazhdoja përpara pyllit me zor. Ishte rrugë e vështirë, ngase shtegu ndërmjet orizoreve ishte i përdredhur në mënyrë të parregullt. Pas pak, kuptova se ku ndahet rruga; dhe pushova një grimë.

    “Do të duhej të ishte një shenjë aty diku”, më bëri me dije çilimiu. 

    Bindshëm, një gur me përafërsisht tetë inç katrorë dhe me lartësi deri tek  ijet, qëndronte përpara meje. Në gur lexohej: “Në të majtë Hikagubo, më të djathë Hottoawara.” Shkronjat ishin në ngjyrë të kuqe, andaj edhe pse ishte errësirë, mund të vëreheshin lehtë. E kuqja ishte e kuqe sikur barku i zhabës.

    “Kthesa majtas”, më urdhëroi shpirti im i keq. Tutje në të majtë, pylli ngjante sikur hidhte poshtë mbi kokat tona gjithë hijen e errët që binte nga qielli. Për pak hezitova.

    “S’ke nevojë të turpërohesh”, tha çilimiu.  

    I dorëzuar, vazhdova tutje rrugën për në pyll. Përderisa tërhiqesha zvarrë nga rruga dhe i afrohesha pyllit, duke pyetur veten se si kjo gjë, ky çilimi i verbër, mund të dijë kaq shumë gjëra, zëri më erdhi nga pas shpinës:

    “Të jesh i verbër është padyshim e panevojshme.”.

    “Për këtë arsye unë të mbart në shpinë, por do të bësh mirë.”

    “Duhet, e di, të jam falënderues që më mbart, por njerëzit janë të prirur të më nënvletësojnë. Kjo është e keqe. Çak edhe prindi im më ka nënvlerëtuar. Çka është shumë e keqe.”

    E ndjeja që kjo më mjaftonte. Kështu që nxitoja në ngasjen që t’i afrohesha pyllit sa më parë dhe ta hidhja barrën tutje.

    “Vazhdo edhe pak e pastaj do të shohësh. Ishte një mbrëmje e këtillë”, tha zëri sikur po fliste me veten.

    “Çka ishte?”, pyeta me zërin që tradhtoi ndjenjën.

    “Çka ishte?! Megjithatë, ti di mjaft”, u përgjigj fëmija me mospërfillje.

    Atëherë fillova të ndjeja se e kisha idenë se për çfarë bëhej fjalë. Isha i qetë për të menduar pastër, por nisa të kem një ndjenjë të paqartë se po, ishte një mbrëmje e këtillë. Dhe ashtu sikur tha fëmija, ndjeva që, nëse do të vazhdoja rrugën e vështirë përpara, atëherë do të kuptoja më tepër. Ndjeja se duhej ta lehtësoja mendjen duke hequr qafe këtë barrë nga shpina e se duhej ta bëja, para se të zbuloja se për çka ishte e tërë kjo. Do të ishte katastrofë kur ta kuptoja. E shpejtova hapin, nxitova përpara shpejt e më shpejt.

    Shiu kish zënë kohë më parë. Rruga veçsa vinte e bëhej më e errët. Lëvizja sikur të isha në kllapi. E vetmja gjë që ndjeja, ishte barra mbi shpine dhe se ajo ndriçonte si pasqyrë; si një pasqyrë që ma bënte të njohur të kaluarën, të tashmen e të ardhmen, pa fshehur asnjë fakt. Përkundër kësaj, barra ishte vetë biri im. Ishte i verbër.

    Nuk mund të përballoja më tutje.

    “Ja ku është, këtu te rrënjët e pishës.”

    Zëri i çilimiut ngjau ndryshe përmes shiut.

    U ndala para se të kuptoja se çfarë po bëja. Isha futur thellë në pyll dhe nuk e kisha vërejtur. Vetëm pesë hapa para meje, mu shfaq një objekt i zi. Ishin padyshim pishat, për të cilat më kishte folur fëmija.

    “Baba, ishin te rrënjët e pishës, apo jo?”

    “Po” , u përgjigja pa menduar,  “po, ishte.”

    “Mendoj se ishte viti i Dragoit.”

    Tani që ai e përmendi këtë, më ngjau sikur me të vërtetë kishte qenë po ai vit.

    “Prej sot janë bërë njëqind vjet që kur më ke vrarë.”

    Sapo dëgjova këto fjalë, më mbërtheu kuptimi real  se unë kisha vrarë një njeri të verbër te rrënjët e pishës, në një natë të errët në vitin e Dragoit, para njëqind vjetësh.

    Dhe, me ta kuptuar këtë, çilimiu në shpinë m’u bë më i rëndë se një gur, peshonte sa një statujë Jizo.

  • Bota e spiunëve: Në zbulim të të kaluarës, për të kuptuar të tashmen

    Bota e spiunëve: Në zbulim të të kaluarës, për të kuptuar të tashmen

    Edi DELIU

    Nga romakët te agjentët e Mosadit: dy mijë vjet sekrete (jo gjithmonë) të padeshifrueshme

    Vini re: shërbimet sekrete janë një çështje shumë serioze. E domosdoshme dhe shumë serioze. Megjithatë, në këtë periudhë të vështirë të shkatërruar nga koronavirusi, duke puna mbi spiunët, operacionet e inteligjencës dhe zotërinjtë magjepsës feministë me jetë të dyfishtë dhe një mijë talente na ka tërhequr në një botë të largët, kinematografike, e cila ka lehtësuar disi burgimin e detyruar dhe na dhuruar madje edhe ndonjë buzeqeshje! Si atëherë kur flasim për përpjekjet (e dështuara) e inteligjencës amerikane për të përdorur lakuriqët, për të goditur objektivat japoneze apo për të helmuar Kastron duke kontaminuar kostumin e tij të zhytjes. Mes budallallëqeve dhe veprimeve në kufijtë e të pamundshmes, mes personazheve ambigë dhe spiunëve të gatshëm për të rrezikuar jetën për vendin e tyre, kemi udhëtuar nëpër fazat e spiunazhit, nga antikiteti, tek momentet e arta të shekullit XX. Dhe të paktën për një herë, kurioziteti na ka shtyrë deri në ditët e sotme: si i stërvit agjentët e tij të ardhshëm Mossad? Ne e kemi zbuluar: ju këshillojmë të bëni të njëjtën gjë.

    Vijon

  • Bota e spiunëve: Në shërbim të PUSHTETIT

    Bota e spiunëve: Në shërbim të PUSHTETIT

    Bota e spiunëve – 2/ Nga “veshët” e faraonëve te “sytë” e madhërisë së saj. Spiunazhit ekziston që nga kohërat e lashta: ja si ka ndryshuar gjatë shekujve

    Objektivi: mbrojtja e sigurisë kombëtare.

    Aktiviteti: mbledhje informacioni në shkallë të gjerë (alias operacione të inteligjencës) nëpërmjet spiunazhit dhe kundërspiunazhit.

    Në sintezë, ky është profili i shërbimeve sekrete në të gjithë botën. Lindja e “agjentëve” të parë humbet nëpër labirinthet e kohës, por në aksentin modern origjina e tyre shkon deri në shekullin e gjashtëmbëdhjetë, në epokën e konsolidimit të monarkive kombëtare evropiane. Ndërsa shprehja që i përcakton u “shpik” në 1771 nga Giacomo Casanova (që në një letër vetquhej si “agjent sekret”): aventurieri dhe feministi i famshëm, një paraardhës i denjë i James Bond, në fakt iu përkushtua aktiviteteve të inteligjencës dhe spiunazhit, me emrin e koduar Antonio Parolini për llogari të Republikës së Venecias, atdheu i parë i “007” modernë.

    Hapat e parë

    Nevoja për të mbledhur informacion në një shoqëri – tribu, qytet apo shtet – ka qenë një domosdoshmëri e ndjerë nga njerëzit e pushtetshëm në të gjithë botën, që nga kohërat antike. Ka pasur shumë sovranë dhe ushtarakë që kanë përdorur spiunë dhe informatorë të besuar: që nga faraoni Ramses I (shek. 14-13 para erës sonë) te gjenerali dhe filozofi kinez Sun Tzu (shekulli i 6-të 5 p.e.s), i cili theksoi rëndësinë e njohjes së sekreteve të armikut në traktatin e famshëm të strategjisë ushtarake, që nga të gjithë njihet si Arti i Luftës.

    Përdorimi i “agjentëve sekret” është vërejtur gjithashtu edhe në Romë, në kohën e Jul Çazarit (shekulli I p.e.s.). Madje, në kohën e tij, përdorimi i inteligjencës dhe spiunazhit u bë aq sistematik, sa filloi të përdorej edhe një shifrar i veçantë – i quajtur ” Cesare “- për mbrojtjen e informacionit të ndjeshëm. Ky shembull i parë i kriptografisë parashikonte që çdo shkronjë e një teksti të zëvendësohej me një tjetër në bazë të një çelësi numerik: nëse kjo do të ishte “3”, vijonte ajo që zbriste me tre pozicione (nga “A” bëhej “D”).

    Pas rënies së Perandorisë Romake, përdorimi i formave të ndryshme të inteligjencës dhe spiunazhit vazhdoi edhe në Mesjetë, por në epokën moderne, të shënuar nga një bum në aktivitetet diplomatike, historia e shërbimeve sekrete u bë më e gjallë.

    Në lagunë –  Ndër shtetet e para moderne që adaptoi një sistem të shërbimeve sekrete ishte Venecia, ku spiunazhi u bë një komponent thelbësor i politikës së jashtme dhe strategjive të ekspansionit ekonomiko- tregtar.

    Për të koordinuar veprimet e inteligjencës, në 1506 Këshilli i të Dhjetëve – organi suprem i vendimmarrjes – krijoi institucionin e Sekretarit të Shifrave, eksponenti i parë i të cilit ishte Giovanni Soro, “babai” i kriptografisë moderne, i cili brenda pak vjetëve deshifroi shifrarët e mbretërive të gjysmës së Evropës.

    Po ashtu, më 1539 u konsolidua edhe gjykata e Inkuizitorëve të Shtetit, figura që suportoheshin nga agjentë të shpërndarë kudo detyra e të cilëve ishte të hetonin çdo armik të mundshëm të Republikës së Serenissima-s (ndonjëherë edhe me “licencë për të vrarë”).

    E gjendur në mes të rrugëve tregtare, veçanërisht me Lindjen, Venecia u bë ‘atdheu’ i spiunazhit ndërkombëtar dhe vetë venecianëve iu kërkua të kontribuojnë personalisht duke i futur denoncimet e tyre nëpër kuti apostafat postare të bëra prej guri e të quajtura Boche de Leon, (Gojët e Luanit).

    “Sytë” e mbretëreshës

    Pas Venedikut, edhe në Britaninë e Madhe u vendos të krijoheshin shërbimet sekrete, falë Sir Francis Walsingham, sekretari i parë i Shtetit i Mbretëreshës Elizabeth I (në fron nga 1558 deri 1603). Përdori një rrjet agjenturor të dislokuar nëpër kryeqytete dhe porte të ndryshme evropiane, qendra të pashmangshme të përhapjes së lajmeve. Përdorte shumë vendasit, si dhe të rinj të diplomuar në Kembrixh dhe Oksford. Struktura e “syve” të mbretëreshës shkatërroi, ndër të tjera, dy komplote që synonin pikërisht eliminimin e saj (komploti Throckmorton i vitit 1584 dhe komploti i Babingtonit i vitit 1586). Në të dy rastet, aftësia e agjentëve britanikë për të deshifruar komunikimet midis komplotistëve ishte vendimtare.

    Dhe me matematikanin John Dee (1527-1608), specialist i dekriptimit lidhet edhe një kuriozitet: në mesazhet e rezervuara për Mbretëreshën Elizabeth I, ai shtoi inicialet “007” (zero ishin dy sy, shtatë numër me fat), duke parashikuar para katër shekujsh përdorimin e këtij kodi nga shkrimtari Ian Fleming për James Bond-in e tij.

    FRATËT-SPIUNË

    Pas Anglisë, edhe Franca e Louis XIII – mbret nga 1610 deri në 1643 – krijoi një shërbim sekret modern. Ishte Armand-Jean du Plessis, i njohur ndryshe edhe si Kardinali Richelieu (1585-1642), i cili organizoi një rrjet informativ si të brendshëm ashtu edhe të jashtëm. Në thelb, Richelieu kishte një ushtri të “veshësh” të padyshimtë të cilët, nëpër rrugë, tregje, sallone, teatro, kopshte publike dhe mjedise gjykatash, thithnin çdo informacion, kryesisht pakënaqësinë ndaj mbretit. Mes mijëra agjentëve anonimë kishte edhe kishtarë, si frati kapuçin François Le Clerc du Tremblay (1577-1638), alias Jozefi i Parisit, koordinatori i fuqishëm i një rrjeti fratësh-spiunë.

    Një personazh i cili thujase asnjëherë nuk shfaqej në skenë, duke preferuar të qëndrojë prapa kuintave, duke i dhënë rrugë shprehjes “hirësia gri” (nga ngjyra e tavanit të tij), edhe sot e kësaj dite e përdorur për të treguar këshilltarët e njerëzve të pushtetshëm. Ishte éminence grise Richelieu.

    STRATEGJITË E NAPOLEONIT

    Për të perfeksionuar shërbimet sekrete franceze, mendoi në epokën napoleonike, Joseph Fouché (1759-1820), ministri i policisë, rrjeti i të infiltruarve të të cilit krijoi dosje për një numër të jashtëzakonshëm individësh, duke i përdorur si armë shantazhi politik.

    Progres u bë gjithashtu në fushën ushtarake falë hyrjes në lojë të “agjentëve të dyfishtë”, si Karl Schulmeister (1770-1853), një spiun austriak në shërbim të perandorit francez.

    Në evolucionin e shërbimeve sekrete kontribuoi edhe Eugène François Vidocq, një mashtrues që e ricikloi veten si informator dhe në 1812 themeloi Sûreté (e riorganizuar në 1813 nga Napoleoni si Sûreté Nationale për të garantuar sigurinë e Shtetit), një brigadë policie e përbërë nga të ish të dënuar në gjendje për t’u infiltruar në mjediset kriminale.

    Në 1833 Vidocq kaloi më vete dhe themeloi një nga agjencitë e para të hetimit privat, i famshëm për përdorimin e maskimeve të zgjuara: Bureau de renseignements pour le commerce.

    “LOJA” ZGJEROHET

    Edhe perandoria Austriake nis të punojë në këtë drejtim. “Më 1811 në Vjenë u aktivizua një zyrë inteligjence me agjentë të futur nëpër konsullata dhe ambasada të ndryshme.

    Ndjek Rusia, ku në 1826lindi Seksioni i Tretë, policia sekrete e Car Nicholas I që u shndërrua në 1881në Ochranan, e pamëshirshme në shtypjen e disidencës së brendshme.

    Perandoria Ruse, për pjesën më të madhe të Tetëqindës, u përfshi në një “duel diplomatik” rraskapitës me atë britanik, e shtrirë në territoret e Lindjes të kontrolluara nga të dy fuqitë e duke luftuar në vijën e frontit me shërbimet sekrete. Jo rastësisht u fol për ” Lojën e Madhe ” apo “Turneun e Hijeve”.

    Ndërkohë, në 1865, Presidenti Abraham Lincoln i jep jetë U.S. Secret Service, një repart special agjentësh sekretë me funksione në inteligjencë, të cilëve iu besua detyra për të luftuar qarkullimin e kartëmonedhave të falsifikuara.

    Por, ai u vra menjëherë pas kësaj dhe projekti dështoi, duke u rikthyer në modë në 1901, pas vrasjes së dy presidentëve të tjerë (Garfield dhe McKinley).

    EVOLUCIONI TEKNOLOGJIK

    Në 1909, lindi në Mbretërinë e Bashkuar një nga shërbimet më të famshme, Secret Intelligence Service (Sis), i njohur më shumë si MI6 (Military Intelligence, Sezione 6). Gjatë dy luftërave botërore, secili komb nxitoi për të forcuar agjencitë e tij. Pas Luftës së Dytë Botërore, shërbimet e shumë vendeve u përforcuan për t’i bërë ballë Luftës së Ftohtë.

    Mes agjencive të themeluara pas Luftës së Dytë Botërore, dominonin CIA Amerikane (Central Intelligence Agency, lindur më 1947), Mossad izraelit, i lindur në 1949 dhe KGB-ja sovjetike, e krijuar në 1954 (e shpërbërë në 1991), në kundërpërgjigje të CIA-s.

    Lufta e Ftohtë, përsa i përket aktiviteteve jo gjithmonë “legjitime” të këtyre dhe të të tjerave agjenci, ishte një terren i jashtëzakonshëm për evolucionin e teknikave dhe mjeteve të agjentëve sekretë, mes gadget e 007-ave, aeroplanëve dhe satelitë spiunë.

    Dhe sot, në epokën e internetit dhe luftës kundër terrorizmit, teknologjia, veçanërisht informatika, është tipari mbizotërues i përdorur edhe për të monitoruar përhapjen dhe lëvizjet e njerëzve në këto kohë të emergjencës shëndetësore. Por, pas të gjithave, mbetet përbërësi thelbësor i çdo shërbimi sekret: zgjuarsia njerëzore.

    007-at e botës antike

    “Njihe armikun ashtu siç njeh vetveten. Nëse e bë këtë, edhe në mes të njëqind betejave nuk do të jesh kurrë në rrezik”, janë fjalët e Sun Tzu. Ishte shekulli VI para Krishtit dhe gjenerali kinez i kushtonte një kapitull të tërë të traktatit të tij të mirënjohur, Arti i Luftës, “strategjisë së parashikimit”, dhe avantazheve të përdorimit të spiunëve.

    Por që nga viti 1500 para Krishtit, Hyskos përdornin stafetat për të komunikuar në kod. Edhe Hanibali, në shekullin e tretë para Krishtit, kishte dërguar fillimisht “agjentët” e tij në Italinë e Veriut përpara se të vinte në zbatim planin e tij të guximshëm për të pushtuar gadishullin.

    Ekzistonte pra një traditë e gjatë spiunazhi kur në Romën e lashtë u formua aparati më i strukturuar i inteligjencës. Gjithçka filloi me perandorin paranojak Domitian (shekulli I pas Krishtit), i cili më pas u hoq qafe pikërisht nga një komplot.

    Mbreti dyshues në gjithçka kishte krijuar një shërbim sekret me licencë për të vrarë, duke zgjedhur njerëzit nga frumentarius, një organ ushtarak i caktuar për të furnizuar grurë për ushtrinë. Me kalimin e kohës, funksioni i prokurimit u kthye në një koperturë: misioni i vërtetë i kësaj njësie ishte mbledhja e informacionit për çdo lloj kundërshtie. Për këtë arsye termi frumentarius u bë sinonim i informatorit.

    Profesionistët

    Në Romën perandorake kjo njësi kishte shumë funksione: mbronte sovranin, kontrollonte postën, por sipas rastit njerëzit e tij mund të shndërroheshin edhe në vrasës, veprimi i cili nuk konsiderohej me abuzimin.

    Por në kohë lufte këta spiunë ante litteram nuk mjaftonin më: u futën në lojë eksplorues dhe spekullatorë, profesionistë të spiunazhit luftarak të cilët, të pajisur me kuajt më të mirë, i paraprinin ushtrisë për të grumbulluar informacion, duke kapur, burgosur dhe dhe pyetur kë gjenin rrugës për pozicionin dhe forcat e armikut.

    Por ishte Diokleciani (shek. III-IV), ai që krijoi të parët agentes in rebus, “agjentët gjenerikë”, të pavarur nga ushtria, që përdoreshin edhe në sferën civile, të cilët drejtoheshin nga një lloj “ministri i informacionit”, i quajtur magister officiorum.

    Kjo trupë pati jetë të gjatë dhe nën Theodosius (347-395), perandori që shpalli krishterimin si fenë shtetërore, kishte për detyrë të zbulonte heretikët.

    Vijon

  • Ramiz GJINI – Sorkadhet qajnë kur i vrasin

    Ramiz GJINI – Sorkadhet qajnë kur i vrasin

    Ata njiheshin me njëri-tjetrin që nga koha e shërbimit ushtarak.

    I pari qe një rrondokop i shkurtër, me njërin sy paksa të mbyllur, por energjik në fjalët që thoshte e gjestet që bënte.  

    Tjetri qe më i gjatë nga shtati, i pashëm në fytyrë, por i përtueshëm në bisedë e lëvizje mu si një ligavec. 

    Kishin zënë vend rreth një tavoline dhe bisedonin. Bisedonin dhe pinin.

    Qe dimër dhe jashtë bënte ftohtë. Era sillte e përplaste në xhamat e dritares pika të mëdha shiu, të cilat, rrëshqisnin duke formuar kështu, ca si trajta krimbash të tejdukshëm me kokë poshtë; shformoheshin, zhdukeshin e krijoheshin përsëri.

    U hap dera dhe brenda lokalit hyri një grua e re, bashkë me një vogëlushe rreth tre, ose katër vjeç.

    E vogla qe syshkruar e flokverdhë. Mbante në duar një kukull, së cilës, pas çdo lëvizje i mbylleshin dhe hapeshin qerpikët e syve.

    Me të hyrë aty brenda, gruaja e re qëndroi në këmbë për aq kohë sa iu desh të hidhte një vështrim aty rrotull.

    Në herë të parë, kur vështrimi i syve të saj ra mbi dy burrat, u duk sikur deshi të kthehej e të ikte, por ndërroi mendje dhe vajti e zuri vend pranë një tavoline jo shumë larg prej tyre.

    Të dy burrat e panë të hynte, e panë t’i buzëqeshte kamarjeres, me të cilën ajo njihej; të zbërthente kopsat e pardesysë; dhe sëfundmi, e panë se si u hodhi për herë të dytë një vështrim krejt shpërfillës.

    Qe e bukur kjo grua. E bukur dhe e rreptë njëkohësisht. Kishte një fytyrë ovale me tipare të këndëshme. 

    E ulur, tashmë, në karrige, asaj i ndodhte shpesh ta harronte të voglën e të binte në vramendje. Që nga sytë pus të zinj, i buronte një vështrim paksa kryeneç. Qëndronte përball tyre me buzët dhe gjunjët e shtrënguara. Por burri i gjatë, e kuptoi te manushaqja e valleve të syve, që gjunjët dhe buzët e saj hapeshin.

    Tjetri kishte pasion gjuetinë. Thoshte, që sorkadhja loton momentin kur e vrasin; se ka raste kur kthehet e i dorëzohet gjuetarit; dhe se kjo ndodhte, sipas tij, kur lodhej e ndjekur nga qentë.

    I gjati hiqej sikur dëgjonte bisedën, por në fakt, ndiqte përvjedhtas gruan.

    – Është e pamundur të shpëtosh nga një keqardhje e thellë, – tha burri me njërin sy paksa të mbyllur. – Të vjen ta përplasësh armën për një shkëmbi aq herë, sa ta bësh copa-copa.

    I gjati tundi njëherë kokën sa për t’i dhënë të drejtë, ndërsa vazhdonte t’i hidhte vështrime përvjedhtas gruas së rè.

    Herë-herë, vështrimi i tij binte mbi këmbët e saj: të gjata, të plota me një formë e bukuri të pushtetshme. I kishin hije këmbët asaj dhe dinte si t’i mbante e ulur në karrige.

    Tjetri nisi të mallëngjehej nga fjalët që thoshte vetë rreth gjuetisë së sorkadheve.

    – Janë aq të bukura, – thoshte i prekur ai, – aq të brishta e të pafajshme, sa vdesin duke ëndërruar!

    Pas këtyre fjalëve, ai kuptoi, që i gjati nuk po tregonte vëmendje karshi tij.

    – Ti nuk po më dëgjon mua! – i tha. – Dukesh disi i sikletosur! Mos ke ndonjë hall, vëlla?!

    I gjati u ndje keq si të ishte zënë gafil.

    – Jo! – tha ai. – Çfarë halli të kem?!

    E tha mefshtë, gjithë përtesë, si të ndjente se po i hapej goja për gjumë.

    Vogëlushja qe e prapë, nuk i rrihej në një vend; kapi cepin e mbulesës së tavolinës dhe filloi të ecte mbrapsht, derisa për pak e hoqi. Pastaj mori kukullën, që kish rënë në dysheme dhe filloi të vraponte e qeshte gjithë lazdrim.

    Gruaja i thirri; i tha të kthehej pranë saj, ndërsa përpiqej të rregullonte mbulesën e tavolinës. Pastaj e qortoi të rrinte urtë, të mos bënte prapësira. Po ajo nuk iu bind. Madje e gjuajti të ëmën me kukullën që mbante në dorë.

    E ëma u përpoq ta kapte në ajër, por vetëm sa e ceku me gishta. Për shkak të kësaj prekje, kukulla ndryshoi kah dhe vajti e ra te këmbët e burrit të gjatë.

    I gjati u përkul, mori kukullën dhe e ftoi vogëlushen të afrohej e ta merrte; po vogëlushja u mëdysh. I hodhi të ëmës një vështrim pyetës, por e ëma nuk foli; vazhdonte ta shikonte qortueshëm.

    Burri me njërin sy paksa të mbyllur e pati përfunduar tregimin e tij mbi gjuetinë e sorkadheve. Herë vështronte vogëlushen me të ëmën, herë mikun e tij, të cilit i tha, që po habitej sa shumë i ngjante vogëlushja!

    Tjetri fërkoi një herë mjekrën me gishta; pastaj ia ktheu duke i thënë, që të gjithë njerëzit ngjajnë pak a shumë mes tyre; dhe se në këtë rast nuk kishte asgjë për t’u habitur.

    Vogëlushja bënte sikur qante dhe i kërkonte të ëmës kukullën që mbante në duar i panjohuri.

    Kësaj here, e ëma e këshilloi butë të voglën; i tha të mos bënte si qaramane, sepse kur të pushonte shiu, do të dilnin prej aty dhe ajo do t’i blinte një kukull më të madhe e më të bukur. Po vogëlushja nuk donte të bindej. Mori zemër dhe u afrua drejt burrit që mbante në duar kukullën e saj.

    Ai e pyeti si quhej, por vogëlushja ngurroi t’ia thoshte emrin. Rrinte dhe e vështronte në heshtje, disi e përhumbur.

    Kur çeli gojë, ajo kish harruar për çfarë e pati pyetur i huaji. Tha, që babai i saj, pati shkuar shumë larg, se nuk mund të kthehej më, dhe se ndoshta, edhe mund të kishte vdekur.

    – Kush t’i ka thënë ty të gjitha këto?! – pyeti burri i gjatë.

    – Mami mi ka thënë! – u përgjigj ajo, teksa drejtonte gishtin e dorës së saj të vogë nga e ëma.

    Pas kësaj përgjigjje, gruaja u ngrit nga karrigia, rrëmbeu furishëm vogëlushen dhe doli jashtë.

    – Ikim! – i tha. – Kaq mjafton!

    Burri i gjatë diç mërmëriti nëpër dhëmbë; pastaj nisi të dridhej. E la kukullën në tavolinë dhe ngriti jakën e palltos.

    – Çfarë thatë?! – deshi të dinte tjetri.

    – Asgjë! – mërmëriti i gjati. – Thashë që këtu bën shumë ftohtë!

    Dhe mbuloi fytyrën me pëllëmbët e mëdha të duarve.

    Tjetri e pa të arsyeshme, që nuk ia vlente të qëndronte më. U ngrit, pagoi te banaku dhe doli.

    I gjati hoqi pëllëmbët e duarve nga fytyra dhe pa që kishte mbetur vetëm.

    Ngase donte të shikonte jashtë, ai zgjati krahun dhe fshiu me pëllëmbë avullin e krijuar në xhamin e ftohtë të dritares. Po nuk pa asgjë që t’i bënte përshtypje, përveçse një qen të mjerë e të vetmuar rrugësh, që rrinte dhe lagej në shi mes të panjohurve, që nxitonin secili në punë të vet.

    Kur u kujtua, lokali qe zbrazur nga njerëzit. Kish mbetur vetëm kukulla në tavolinë, që e vështronte ftohtë, shpërfillshëm.

  • Gabriel García MARQUEZ – Si e shkrova “Njëqind vjet” me dy gishta e pa një grosh

    Gabriel García MARQUEZ – Si e shkrova “Njëqind vjet” me dy gishta e pa një grosh

    Nuk e di se në ç’orë ndodhi. Di vetëm që, qysh kur kam mbushur shtatëmbëdhjetë vjeç e deri më sot, nuk kam bërë asgjë tjetër në jetë, përveçse jam zgjuar herët në mëngjes e jam ulur përpara një tastiere për të mbushur një fije letër të bardhë në një makinë shkrimi apo në një kompjuter, me objektivin e vetëm për të shkruar një histori origjinale, ende të patreguar nga askush, për ta bërë të lumtur lexuesin që ende nuk është. Në mënyrën time të zakonshme të të shkruarit ditë për ditë, asgjë nuk ka ndryshuar që atëherë. Nuk kam parë kurrë tjetër, veçse dy gishtat e mi tregues që përplaseshin njëri me tjetrin me ritëm, si dhe njëzet e tetë gërmat e alfabetit që i kam mbajtur përpara syve përgjatë këtyre gjashtëdhjetë e shumë vjet (Salla qesh, sepse nuk thotë “tetëdhjetë” – shën. i përkth.)

    Lexuesit e “Njëqind vjet vetmi” janë sot një komunitet i tillë që, nëse do të jetonin të gjithë në të njejtën pjesë të tokës, do të ishin njëri prej njëzet shteteve më të populluara të botës. Nuk po bëhem mendjemadh. Përkundrazi, dua vetëm të tregoj se ekziston një numër shumë i madh njerëzish që kanë treguar se, nëpërmjet tërheqjes së tyre nga letërsia, zotërojnë një shpirt të hapur, të gatshëm për t’u kënaqur me mesazhe në kastiliançe.

    Menjëherë sapo kisha mbushur tridhjetë e tetë vjeç, me katër libra të botuar qysh në moshën njëzetvjeçare, u ula përballë makinës së shkrimit dhe ia fillova: “Shumë vjet më vonë, përballë skuadrës së pushkatimit, koloneli Aureliano Buendia duhet të ishte kujtuar për atë mëngjes, kur babai e kishte shpënë për të njohur akullin.” Nuk e kisha as idenë më të vogël të domethënies e as të origjinës së kësaj fraze. As se ku do më shpinte ajo. Ajo që di sot, është se nuk rreshta së shkruari asnjë ditë përgjatë tetëmbëdhjetë muajve pasardhës, derisa i dhashë fund librit. Mund të duket si gënjeshtër, por ankthi im i vetëm gjatë atyre ditëve ishte që të kisha mjaftueshëm letër për të shkruar. Kisha edukatën e keqe të të besuarit se gabimet mekanikografike, të gjuhës a gramatikës, ishin në realitet gabime krijimtarie. Dhe sa herë që gaboja teksa shtypja një tastë, e grisja faqen dhe e hidhja në kosh për t’ia nisur gjithçkaje nga e para.

    Me ritmin që kisha marrë, pas një viti praktike, llogarita se do të kisha nevojë për gjashtë muaj duke punuar çdo mëngjes, për ta përfunduar. Esperanza Ariza, e paharrueshmja “Pera”, ishte nje sekretare poetësh e kineastësh që kishte nxjerrë në dritë vepra të mëdha të shkrimtarëve meksikanë. Nga Carlos Fuentes te Juan Rulfo, pa harruar subjekte të panumërta origjinale të Luis Buñuel-it. Kur i propozova të hidhte në të pastër versionin përfundimtar të “Njëqind vjet vetmi”, romani ishte një dorëshkrim i mbushur me pikëza të zeza e të kuqe për të shmangur turbullirat. Por kjo nuk ishte asgjë për atë grua të mësuar me gjithçka në atë kafaz të çmendurish. Disa vjet më vonë, Pera më rrëfeu se teksa po shpinte në shtëpi versionin që i kisha dhënë, ishte rrëzuar duke zbritur nga autobusi dhe faqet e shpërndara kishin përfunduar në ujë përgjatë rrugës. I mblodhi një e nga një me ndihmën e disa udhëtarëve të tjerë dhe, ashtu të lagur e thuajse të palexueshëm, e teri romanin në shtëpinë e saj faqe për faqe me një hekur rrobash.

    Ajo që mund të jetë subjeti i një libri më të mirë se “Njëqind vjet vetmi”, do të ishte tregimi se si arritëm të mbijetonim unë, Mercedesi e dy fëmijet tanë të vegjël gjatë atyre tetëmbëdhjetë muajve, kur nuk kisha mundësi të nxirrja asnjë qindarkë nga asnjë anë. Nuk e di si ia doli Mercedesi, në atë periudhë aq të gjatë, që ngrënia në shtëpinë tonë të mos mungonte asnjëherë. Më kujtohet se kishim idenë për të kërkuar ndonjë borxh, derisa një ditë, të rraskapitur e me zemrën e ndrydhur, bëmë rrugën tonë të parë në Monte di Pietà. Pasi u sollëm sa tutje-tëhu, na u desh të hidhnim vështrimin nga stolitë që Mercedesi i kishte trashëguar prej familjes së saj. Eksperti i ekzaminoi me kujdesin e një kirurgu. I pa dhe i ripa, me syrin e tij magjik, diamantët e unazave, smeraldët e kolanave, rubinët e vëthëve dhe, në fund, na i riktheu të gjitha: “Gjithësa më keni sjellë nuk është gjë tjetër veçse qelq!”

    Në njërin prej çasteve më të rënda për mbijetesën tonë, Mercedesi u konsultua me yjet dhe, pa iu dridhur zëri aspak, i thotë pronarit të shtëpisë: “Do t’jua paguajmë qeranë pas gjashtë muajsh, të gjithën bashkë!” “Më falni, zonjë”, iu përgjigj pronari, “e kuptoni se pas gjashtë muajsh do të jetë një shumë tejet e madhe?” “Sigurisht që e kuptoj”, ia ktheu ime shoqe pa lëvizur qerpikun, “por pas tre muajve do t’i kemi zgjidhur të gjitha, rrini i qetë.”

    Por as atij njeriu të mirë, që ishte një funksionar i shtetit dhe një nga personat më elegantë dhe më të durueshëm që kam njohur ndonjëherë, nuk iu drodh zëri kur tha: “Mirë, zonjë, fjala juaj më mjafton.” Dhe bëri llogarinë fatale: “Do të pres deri më 7 shtator.”

    Së fundi, në fillim të gushtit të vitit 1966, unë dhe Mercedesi shkuam në zyrën e postës së qytetit të Meksikos, për të dërguar në Buenos Aires versionin përfundimtar të “Njëqind vjet vetmi”. Një pako prej 590 faqesh të shkruara në makinë, me hapësirë dyfishe e në letër të zakonshme, që i drejtohej Francisco Porrúa, drejtorit editorial amerikanojugor.

    Punonjësi i postës vuri pakon në peshore, bëri llogaritë e tij me mend e tha: “Kushton 82 pesos.” Mercedesi numëroi kartëmonedhat e monedhat që i kishin mbetur në portofol, pastaj u përball me realitetin: “Kemi vetëm 53.” Kësisoj e hapëm pakon, e ndamë në dy pjesë të barabarta dhe nisëm vetëm njërën për në Buenos Aires, pa menduar më gjatë se si do t’ia bënim për të nisur gjysmën tjetër. Vetëm më vonë vërejtëm se nuk kishim nisur pjesën e parë të librit, por të dytën. Mirëpo, përpara se të nisnim kërkimin për të holla, në mënyrë që të rregullonim dëmin, morëm një telefonatë nga Paco Porrúa nga Buenos Airesi. Pasi kishte lexuar fundin, Porrúa kërkonte absolutisht të lexonte edhe fillimin e romanit. Falë kësaj, na solli paradhënie edhe paratë e pjesës tjetër të dërgesës. Në këtë mënyrë kemi nisur të bëjmë jetën që bëjmë sot. (Fjala e mbajtur nga Gabriel García Márquez në Kartagjenë, Kolumbi, me rastin e 80-vjetorit të lindjes.)

    Përgatiti Edi DELIU

  • Günter GRASS – Arenën ose dashurinë

    Günter GRASS – Arenën ose dashurinë

    Unë nuk kisha ndërtuar një shtëpi çfarëdo. Kantieri im nuk ishte një vend i zakonshëm, të cilin mund ta blinte kushdo me kursimet e mezimbledhura për të ndërtuar aty një çati, një iks çati të çfarëdoshme. Në murin e gjatë të studios do të murosja një dem pesëvjeçar, ndërsa pjesën tjetër të suvatuar me kujdes më vonë, për një dukje krejt të re, e vesha me një tapiceri në ngjyrë të kthjellët e të gëzuar. Pastaj, në vendin ku do të shfaqej koka e demit, vara një kornizë boshe të stilit barok. Ju e dini që emri im dikur triumfoi atje, në arenën e luftës me demat, dhe që unë i përkisja brezit të luftëtarëve jo të shpërfillur, por, meqë gjatë ndeshjes mora një plagë në ije, u detyrova që armët e mia më të parapëlqyera t’i varja në mur.

    Ju mund ta zbuloni lehtë këtë realitet të sotëm. Majtas e djathtas kornizës me stil barok, mbërtheva armët e mia të mira e të vjetra, si dhe të gjitha fotot nga ndeshjet, duke i dhënë mjedisit atmosferën e dhomës së një veterani. Bëja një jetë mjaft të këndëshme. Nga lufta me demat isha larguar dhe tani kujdesesha për lulet. Të verdha, të bardha, brishtësisht të kaltra, ndoshta dhe ngjyrë manushaqe, po një ngjyrë e kuqe, në mënyrë të veçantë, ishte e përjashtuar.

    Përveç kujdesit tim të zakonshëm, u rrethova edhe me shumë gardhe mbrojtëse. Por çdo gardh e ka të vështirë të mbetet gjithmonë më këmbë. Dhe si t’ia bësh pastaj me postën. Çdo ditë vjen postieri i përzemërt me uniformë, më përshëndet gjysmë ushtarakisht (ai më ka njohur që nga koha e shkëlqimit tim) dhe më dorëzon një zarf të lehtë. Natyrisht, ruhesha gjithnjë për të mos e hapur e për të mos e lexuar këtë letër. Edhe pse nuk shënohej emri i dërguesit, e dija nga vinte: e fejuara ime e dikurshme kishte harxhuar përsëri bojë për të më kumtuar mendimet e saj. Njëkohësisht, kisha bindjen se çfarëdo të vinte nga e fejuara ime, nuk mund të ishte e mirë. Dhe se do të qe një dritëshkurtësi, po ta lexoja këtë letër – më e mira do të ishte t’i shkruaja unë asaj.

    Duhet ta dini se ndarjen me Elvira-n e konsideroj përfundimtare. Si çdo dashuri e madhe, edhe jona mbaroi në një mënyrë krejt banale. Erdhi një ditë dhe ajo nuk mundi ta duronte më zhaurimën gjithnjë në rritje që vinte nga molla, teksa e kafshoja me dhëmbët e mi të shëndoshë, në një qetësi solemne, duke e përtypur deri në bërthamën e fundit. Kjo zhaurimë nuk i pëlqente së fejuarës sime. Asaj i bëhej sikur dëgjonte thërmimin e kockave të një vigani të palosur më gjunjë, shkurt, ishte një frut që i shkaktonte efekte krejt të ngjashme me zhurmërinë e arenës së demave, ndaj nuk dëshironte të dëgjonte asgjë të përafërt me të. Nëse dikur plagosja në ije ishte vetëm një shkas për të mos luftuar më në arenën e rrezikshme, pas ultimatumit të Elvira-s tashmë gjithçka u bë më e plotë. Arenën ose dashurinë, këmbëngulte ajo. Unë zgjodha dashurinë. Dhe, më pas, kur nuk kisha më as arenën e as dashurinë, thjesht rrisja lule dhe qëndroja si i shtangur para kornizës boshe me stil barok, megjithatë, përsëri diçka sajoja në mendjen time.

    Posta. Çdo ditë vinte një letër dhe çdo ditë unë përgjigjesha pa lexuar asnjërën prej tyre. Hamendësoja se edhe Elvira, gjithashtu, nuk kujdesej të përdorte hapësen e letrave, prandaj mendova t’i grumbulloja letrat e saj, t’i bëja stivë e pas gjysmë viti t’i lidhja me ndonjë fill të trashë. Kjo ishte historia e një shkrimi të zellshëm të letrave të njëpasnnjëshme. Unë i ruhesha zhaurimës së ngrënies së mollës, kurse ajo kundërshtonte me fanatizëm mbi këtë subjekt. Djalli po pengonte gjithçka, duke më vënë fshehtas stërkëmbëshin. Kështu, një ditë prej ditësh, i shkrova asaj: Kompromisi, megjithatë, është i mundshëm. Atë ditë e këtej, do të porosisja vetëm dardha të buta, kumbulla, pjeshkë dhe ajo mund të vinte të dëgjonte e të hetonte. Dhe ajo erdhi. Elvira erdhi. Të gjitha letrat e mia i kishte lexuar dhe, me gjasë, nga leximi i tyre isha bërë më i dukshëm e më i pranueshëm për të. Tani ajo dëshironte vetëm të kundronte ngrënien e dardhave dhe kishte sjellë me vete një kokërr: dardhë të verdhë të llojit Williams.

    Por nuk ndodhi kurrfarë gostie me dardha. Sapo Elvira hyri në dhomën time prej veterani, klitha: “Elvira, hiqe fundin! Të lutem, hiqe fundin dhe hidhe poshtë, ti nuk e di çfarë po bën!” Tepër vonë. Tepër e vonuar klithja ime paralajmëruese. Vajza, vajza e dashuruar, nuk mundi ta hiqte fundin prej stofi në ngjyrë domateje. Tmerrshëm, përbindshëm, muri shpërtheu befas mu në mes të kornizës bosh me stil barok dhe, duke u shkëputur vrullshëm nga prarimi e nga çengelat, demi pesëvjeçar kërceu bashkë me kornizën në qafë, suvaja si e gjallëruar gulçonte e turfullonte me tullat prej granili, demi vërtitej nëpër dysheme duke shkelur rëndë-rëndë dhe, sa hap e mbyll sytë, mund të ndodhte pikërisht më e kobshmja. Ah, klithi Elvira duke mallkuar fundin e saj të kuq flakë. Tashmë demi kishte kërrusur kokën e fuqishme, gjaku i qe mbledhur te sytë, unë bëra sakaq dy kërcime, rrëmbeva nga muri armët që vareshin aty në kujtim të së kaluarës sime, i vërvita në ajrin e dhomës, duke marrë qëndrimin karakteristik e duke vallëzuar përqark demit të acaruar e kërcënues dhe, me gjithë arsenalin e artit tim, u përpoqa të mënjanoja brirët e tij, për sa kohë ai vazhdonte të shqyente vetëm tapetin, i joshur nga nënbarku i i shenjtë i Elvira-s. Tani unë shihja ballin e tij, sytë e njohur dhe kundroja sërish, me shumë vëmendje, trekëndshin e tmerrshëm. Pastaj e godita vendosmërisht. Oh, Elvira, fundi yt! I përgjunjur po prisja. Fundi yt, si i përgjakur, nga gjaku i hundëve, Elvira. As dhe një pupël nuk mund të përkulej siç isha përkulur unë, për ta stolisur saktësisht ballin e demit të egërsuar.

    Edhe dhoma është kaq e vogël, Elvira. A nuk gëzohet zemra jote, po të dëgjojë se si kërcet gjuri i demit kur thyhet gjatë rënies? A mendon ti ende për të njëjtën mollë torturuese? Syri i bukur i demit shikon lart, kraharori i tij shuhet ngadalë, korniza me stil barok e futi atë në brendësi të vetes, gravura e artë kërcen nga kallëpi dhe noton në një lumë, burimi i të cilit është vetë ai.

    Vetëm një hap të vogël bëri vajza drejt kafshës së posarrëzuar si mal tashmë i qetësuar, dhe pyeti: “Ke ende kafshë të tjera fshehur pas tapetit?”, duke marrë frymë me zor dhe duke u kapur me thonj pas murit në pjesën e dëmtuar. “Njëqind”, ishte përgjigja ime. “Hiqe fundin, Elvira. Njëqind trekëndsha të tmershëm kokash demi valëvit para syve të mi fundi yt i kuq.”

    Atëherë, ajo hoqi fundin me shpejtësi. Me këtë veprim, më tepër se për të zhveshur stofin e modës, pjesërisht kërkoi të shpëtonte nga furia kërcyese e murit dhe pjesërisht të gjente tek unë shpëtimtarin e saj. Tashmë Elvira është gruaja ime. Ajo kujdeset për kopshtin dhe mban djalin tim në duar. Pjesën e murit të shpërthyer e kemi betonuar, duke mbushur boshllëkun. Asnjë kafshë nuk ëndërron më pas tapeteve, asnjë kornizë bosh e stilit barok nuk pret më kurrfarë portreti.

    E megjithatë, arena më josh përsëri. Nga pllakatet klith emri im dhe kush dëshiron të më befasojë, do të më gjejë në një dhomë hoteli, pranë portit. Rri atje mbi një karrige të pagdhendur, në gjysmerrësirë, në një boshësi të njomësht, me dhëmbët e mbushur plot copëza molle, kundroj pa pushim të gjitha kafshatat dhe vë re gjithnjë se, nga mishi i dhëmbëve të mi, rrjedh gjak.

  • Eugenio SCALFARI – E vërteta që përkëdhelim

    Eugenio SCALFARI – E vërteta që përkëdhelim

    Eugenio Scalfari është themelues i njërës prej gazetave më të mëdha europiane, La Repubblica, ku ka qenë edhe editorialist, si dhe i revistës së njohur “L’Espresso”. Ai ka lindur më 6 prill 1924 në Civitavecchia, Itali. E filloi profesionin e gazetarit si bashkëpunëtor në “Mondo” të Pannunzio-s. Deputet në Parlamentin italian për disa vjet.

    Sikur të jetë kohë e mirë apo e keqe e kam zakon të shëtits çdo pasdite rreth orës 5 nëpër kopshtet e Palais-Royal. E mbaj veten me politikë e me dashuri, e mbush me shije e me filozofi dhe e le mendjen të lirë për të ndjekur çdo mendim që i fëshfërin, i mençur apo i çmendur qoftë ai. Dhe mendja sillet si ata të rinjtë që vrapojnë pas çupave gjithë gaz, me fytyrë të qeshur, sy të mprehtë e hundëpërpjetë, duke u folur fjalë të bukura të gjithave, por pa iu vërsulur asnjërës prej tyre. E pra, mendimet e mia janë kurvat e mia.” Kështu fillon njëri prej dialogjeve më të bukura të Denis Diderot, “Nipi i Ramoit”, nëpërmjet kësaj hyrjeje mjaft fine dhe elegante ai shpalos qysh në batutat e parë stilin e një shkrimtari të madh dhe, brenda pak rreshtave, zbërthen atë që është kryesore te çdo filozof dhe çdo filozofi: natyrën e mendimit, madje edhe më shumë se kaq, mendimin që mendon për vetveten.

    Mendja e Diderot është e çlirët, ndjek një rrjedhë që shpejt e braktis për të joshur një tjetër, ashtu siç bëjnë djemtë e rinj kur dalin për të gjuajtur vajza të hareshme nën portikët e Palais-Royal. Mendimet janë kurvat e mia: është një ndër ato sentenca, që nuk ishin hasur kurrë më përpara në gojën e një filozofi dhe mund të konsiderohet zanafilla e filozofisë iluministe.

    Iluminizëm dhe Romantizëm

    Këto katër fjalë janë sinteza e një pyetje të çmendur (dhe e një përgjigjeje): çfarë është mendja, çfarë është mendimi, kush është Uni që zotëron mendjen e josh mendimet dora-dorës, sa herë ata shfaqen, çfarë është ai vullnet që vendos të braktisë një mendim për të ndjekur një tjetër, kush është ai që imagjinon skenat në përgjithësi duke menduar njëkohësisht për mendimin dhe për mendjen e tij. Katër fjalë që përkufizojnë një ontologji të tërë e të plotësuar me një tjetër ontologji  të mbushur plot skepticizëm, eksperimentalizma, pa asnjë mangësi, të ndarë plotësisht nga e kaluara, e refuzuar nga autoriteti e shenjtëria, duke i drejtuar ndjekësit drejt asaj që më pas do të quhet Iluminizëm: Montaigne, Spinoza, Descartes, Leibniz, Galileo, Newton; dhe shokët e udhëtimit: Locke, Hume, Voltaire, si dhe një tufë të tjerësh më të mëdhenj a më të vegjël. Pak nga pak, por thuajse në të njejtën kohë, do t’i takonte Kantit  të merrte në duar trashëgiminë iluministe dhe ta ritransmetonte atë nën formën e mendimin kritik. Aty bën pjesë edhe Rousseau: m’u në sofrën e civilizimit iluminist dhe është ai që i hap plotësisht dyert drejt romanticizmit e njëkohësisht dialektikës midis arsyes dhe emocionit, duke hedhur bazat intelektuale të utopisë së çrregullt të jakobinizmit robespierist. Në aksionin politik e ideologjik të Robespierit dhe Saint-Just nuk ka frymëzim nga Diderot, as nga Voltaire dhe aq më pak nga Montesquieu.

    Viktima të ideve

    Condorcet, i fundmi i iluministëve, do të bjerë viktimë e Gjyqit revolucionar pas procesit të montuar kundër drejtuesve xhirondinë. Por a mund t’i atribuohet Rousseau-s atësia ideologjike e Terrorit? Po ndjekësve të jakobinistëve në Nëntëqindën europiane? Mund të konsiderohen përgjegjës filozofët, profetët e fetarët për gabimet dhe fajet e bëra nëpër aksionet politike? Mund të gjykohet Historia si një fajtor i përhershëm? Kush ecën në këtë rrugë është si ai që do të ngecë brenda një rrjeti të dendur, të endur në mënyrë të palodhshme nga ata mandatorë për të vrarë, duke filluar nga Abrahami, duke kaluar te Platoni e duke mbërritur te Luterim Lojola dhe Niçja. Por kjo nuk është historia e ideve, përkundrazi, është ajo e kasapëve që është një histori krejt tjetër. Duke vijuar në atë që kisha nisur, pra në rreshtat e mia rreth Iluminizmit, kam pyetur veten nëse do të ishte e vlefshme për shoqërinë e sotme apo do të ishte një temë tashmë e stërpërdorur dhe e tejkaluar. Kam pyetur veten nëse sot ka një tepri, për të mos thënë një mungesë racionaliteti. Dhe së fundi shtroja ekuacionin për të demistifikuar karkikaturën aq shumë të dizenjuar, e cila e tregon filozofinë e iluministëve si një lloj perandorie të arsyetimit abstrakt kundër konkretësisë së jetës, të emocioneve, të ndjenjave. Këto pyetje e shumë të tjera që më lindnin, më shtynë t’i hyja për diskutim çështjes se çfarë mund të ishte vërtetë Iluminizmi, por po të shihej në rrafshin e një sistemi mendimi apo si një lëvizje kulturore e politike historikisht e përcaktuar.

    Sigurisht, nuk mëtoj të nxjerr një mendim përfundimtar rreth një teme, që vazhdimisht ka treguar forcë dhe aktualitet, as nuk mëtoj t’u jap rrugë hamendësimeve të shumta. Mirëpo do të përpiqem të qartësoj disa pika që më duken të rëndësishme, pavarësisht se shumë çështje do të vazhdojnë të mbeten të hapura e do të ketë edhe shumë refleksione të tjera.

    Relativizmi absolut

    Do t’ia filloj me bërthamën e filozofisë së iluministëve, që ka të bëjë më Absoluten relative dhe me të gjitha format e saj filozofike, fetare e politike. Kam lexuar shumë prej paraardhësve të Iluminizmit, duke ia filluar për së pari me Montaigne-in, ndonëse ka edhe shumë të tjerë përpara tij, qysh në shek. IV para Krishtit, siç janë skeptikët Pirrone dhe Timone. Faktikisht ka një bazë skepticizmi në mendimin e “philosophes”, i cili nuk është edhe aq i dukshëm në përfaqësuesit më me zë të tyre, duke i ruajtur ata deri edhe prej paraqitjes së një të vërtete në sipërfaqe të padiskutueshme, siç është relativizmi që ka në vetvete filozofia e tyre, e parë prej këtyre përfaqësuesve si një mjet për të çarë nëpër errësirë, si një fener i vogël që rrezikon te fiket jo vetëm për shkak të intolerancës së kundërshtarëve dhe arbitraritetit të pushtetit fetar e politik, por edhe nga opinioni publik, prej tabuve të konsoliduara nëpër kohëra e, së fundi, prej vetë mënyrës së tyre të dijes eksperimantale, duke i besuar ndjenjave e arsyeve, të cilat më të ndërgjegjshmit prej tyre i konsideronin si një shqisë të gjashtë, si një efloreshencë cerebrale që pësonte ndryshime gjatë zhvillimit të organit dhe këtë proces qysh në zanafillë e vëzhgonte nga përtej, larg të qenurit instrument perfekt në gjendje për të zbuluar menjëherë rregullat fluide që qeverisnin universin, natyrën e veprimeve të gjallesave. Kush i përshkruan “philosophes” si mbartësit e një mosbesimi arrogant, që përpiqet ta kthejë botën kah natyralizmi materialistik e mekanik dhe drejt një besimi të drejtuar nga Dea Arësye, domethënë që gjithçka është e shpjegueshme duke fshirë çdo hije misteri nga çdo gjë që ndodh, ka kuptuar shumë pak nga kjo rrymë mendimtarësh, e cila jo rastësisht nuk i dha jetë kurrë ndonjë sistemi filozofik, por shumë kohë pas lindjes u shtye drejt një udhëtimi eksplorues, ku pjesa më e rëndësishme ishte ajo e të udhëtuarit drejt një të reje më shumë se të re dhe jo drejt së resë në vetvete. Me të vetmet përjashtime, për hir të së vërtetës jo dhe aq shumë të rëndësishme, të La Mettrie dhe Holbach, përfaqësuesit më të mëdhenj të iluministëve u mjaftuan me hartimin e një Enciklopedie dhe nëpërmjet shkrimeve të tyre filozofike, artistike, politike, nuk menduan për ndonjë sistem të mbyllur, por për një punë voluminoze e të hapur për kontribute të mëpastajme apo për zhvillime të tjera. Dhe nuk folën kurrë me një zë të vetëm, përkundrazi, secili prej tyre identifikohej te vetvetja, shpesh duke kundërshtuar ashpër shokët e udhëtimit, ndërsa herë të tjera duke kundërshtuar edhe vetveten, duke vënë në dyshim vazhdimësinë e vetë veprës së tyre.

    Keqkuptimet në kohë

    Për fat të keq, disa studiues të mëdhenj të kohës së sotme i referohen versioneve të thjeshta a të supozuara, sipas të cilëve iluministët francezë janë adhurues të Dea-s Arësye në kundërpozicion më kulturën empirike të liberalëve anglosaksonë e amerikanë. Ky kundërpozicionim skolastik është pjesë e një “dobësie” historike, e cila gjithashtu nuk ka asnjë bazë historike; fakti është se idetë e Locke puqeshin në mes të rrugës me ato të Voltaire-it, Hume-i ishte një pikë referimi për bashkëpunëtorët e Enciklopedisë, etërit themelues të demokracisë amerikane u formësuan me idetë e “philosophes”. Një muaj para se Voltaire-i të vdiste, Benjamin Franklin shkon në Paris për ta takuar. Për këtë takim, vetë Voltaire-i thotë: “Franklin kishte me vete një nip të tij dhe më kërkoi ta bekoja. Ia dhashë bekimin duke i vendosur dorën mbi krye e duke i thënë “God and Liberty”. Më pas e përsërita në frëngjisht “Dieu e Liberté”. Bashkë me ne ishin mbi njëzetë vetë dhe të gjithë i përsëritën ato fjalë.” Të nesërmen, i gjithë Parisi mësoi për atë takim të jashtëzakonshëm dhe entuziazmi u dyfishua.

    Rikthehemi sërish në esencën filozifike të Iluminizmit. Përfundimet metodologjike të Descartes-it janë të qarta, por korrigjimi që Diderot bëri mbi mendimin kartezian ka një rëndësi themelore. Descartes e kish krijuar të gjithë ontologjinë e tij të ekzistencës midis “res cogitans” dhe “res extensa” apo thënë më ndryshe, midis shpirtit mendimtar dhe trupit; i kishte dhënë “res cogitans” një ekzistencë të pavarur nga trupat dhe brenda këtij dualizmi kishte rifituar atë metafizikë, të cilën “cogito, ergo sum” dukej se e kishte tejkaluar prej kohësh. Por Diderot e kundërshton që në zanafillë dualizmin kartezian dhe e transformon “res cogitans” në një funksion të “res extensa”. Nga njëra anë, i rikthehet Espinozës te “natura naturans”, natyra që rikrijon vetveten deri në pafundësi dhe në forma gjithnjë të ndryshme; nga ana tjetër, përkon me Niçen dhe me rivlerësimin e trupit të bërë prej autorit të Zarathustrës. Raporti Diderot – Niçe ka qenë pak i studiuar deri këtu dhe kjo pjesë është një boshllëk jo pak i rëndësishëm për studimet niçeane; i njëjti fill që shkon nga Spinoza te Niçja duket sikur nuk është vërejtur aq sa duhe,t ndoshta edhe sepse është ngatërruar nëpër  honet e panteizmit.

    Përfaqësimi, e Vërteta, Vullneti

    Por është edhe një tjetër anë e Iluminizmit që përbën një element thelbësor të modernitetit të sotëm, dhe kjo është tema e përfaqësimit, e së vërtetës dhe e vullnetit, e ndërhyrjeve të tyre të ndërsjellta. Moderniteti mund të përkufizohet në shumë mënyra dhe mund të këtë atribute të pafundme, por kush kërkon të mbërrijë në thelbin e këtij përkufizimi, besoj se do t’i identifikonte marrëdhëniet rretheqark nesh si veprime, që ndërthurin brenda tyre njëkohësisht aktivitetin njohës, aktivitetin estetik, aktivitetin praktik dhe moral.

    Pas “philosophes” kjo do të bëhej temë kryesore për Kant-in, Schelling-un, Feuerbach-un, Schopenhauer-in, Giacomo Leopardi-n. E natyrisht edhe për Friedrich Nietzsche-n.

    Një fakt për t’u marrë në konsideratë: madhështia filozofike e Leopardit, siç e theksojnë mjaft studiues të ditëve të sotme, vazhdon të injorohet dhe konsiderohet gjithnjë vetëm si shtojcë e poetikës së tij. Ky është një gabim. Leopardi ka qenë një mendimtar shumë i madh, përpara se të ishte një poet po kaq i madh. Pjesët e Zibaldones, ku flet për raportet midis të së vërtetës, iluzionit, aksionit, vdekjes, asgjësë, konfigurojnë një mendim të një thellësie shumë të madhe. Nuk e di nëse e njohu Schopenhauer-i kur shkruajti Botën si vullnet dhe përfaqësim, disa vjet më vonë, as nëse e njohu Nietzsche kur shkruajti Gjenealogjinë e moralit, apo Zarathustrën etj; por është e sigurt se nukli filozofik leopardian përbën njërën prej hallkave kryesore të mendimit modern dhe ka një prejardhje iluministe tepër të dukshme. Me këtë rast, dua të tërheq vëmendjen drejt poemës volteriane për tërmetin e Lisbonës dhe për konstatimin e të keqes absolute, si një çështje të pashpjegueshme që shkon përtej çdo metafizike.

    Mund të flasim edhe për shumë tema të tjera që kanë të bëjnë me filozofinë e iluministëve, për Iluminizmin si lëvizje kulturore e politike. Mirëpo, arritur deri këtu, gjërat flasin vetë dhe nuk i referohemi vetëm ndikimit të aksionit shpërthyes që Iluminizmi pati në kalimin historik nga “Ancien Régime” drejt konstitucionalizmit, në ndarjen e pushteteve, në sistemin përfaqësues, te të drejtat e njeriut, te barazia juridike dhe të drejtat qytetare. I referohem shtytjes së fuqishme, me të cilën kjo rrymë mendimi vazhdoi të ushqejë luftrat që kanë vijuar deri në ditët e sotme kundër regjimeve totalitare, absolutizmit dhe shumë rikthimeve tragjike drejt “utopisë revolucionare”, për të cilën flet me vërejtje ndonjë studiues sot.

    Përgatiti Dardan MITROVICA

  • George STEINER – Për ta sjellë në lojën e jetës

    George STEINER – Për ta sjellë në lojën e jetës

    (E mundur apo e pamundur?)

    Në filozofinë e gjuhës mund të shtrohen dhe janë mbrojtur dy pikëpamje radikalisht të kundërta. Njëra thotë se struktura e nëndheshme e gjuhës është universale dhe e përbashkët për gjithë njerëzit. Ndryshimet ndërmjet të folurave njerëzore në esencë janë të sipërfaqshme.

    Përkthimi është i mundur pikërisht se këta universalë të thellë, gjenetikë, historikë, shoqërorë, prej të cilëve rrjedhin të gjitha gramatikat, mund të përcaktohen e të njihen si veprues në çdo idiomë njerëzore, sado origjinale ose të çuditshme qofshin format e saj sipërfaqësore. Të përkthesh do të thotë të zbresësh në pabarazitë e jashtme të dy gjuhëve, për të sjellë në lojën e jetës parimet e qenies së tyre, që janë ananalogë e madje në thelb të përbashkët. Këtu pozicioni universalist lidhet ngushtë me intuitën mistike për një një gjuhë primare të humbur, apo paradigmatike.

    Pikëpamja e kundërt mund të emërtohet “monadiste”. Ajo mbron tezën se strukturat e thella universale ose nuk mund të arrihen nëpërmjet studimeve logjike a psikologjike, ose janë aq abstrakte e të përgjithshme, sa të bëhen pothuaj trivale. Që të gjithë njerëzit që njohim, e përdorin gjuhën në ndonjë formë, që të gjitha gjuhët që njihen janë në gjendje të emërtojnë objektet e përceptuara dhe veprimet, këto janë të vërteta të pakundërshtueshme. Por meqë këto të vërteta i përkasin “klasës”, “të gjithë anëtarët e një lloji kërkojnë oksigjen për të jetuar”, ato nuk na ndriçojnë, veçse në kuptimin abstrakt formal, për natyrën e vërtetë të të folurit njerëzor. Kjo natyrë është kaq e larmishme, historia e zhvillit të saj centrifugal është aq çuditërisht e ndërlikuar, ajo shtron aq shumë probleme kokëforte të llojit ekonomik e social, sa në rastin më të mirë modelet universale janë të padobishme, ndërsa në rastin më të keq të rreme.

    Pozicioni i skajshëm “monadist” – ka poetë të mëdhenj që e mbrojnë – të çon logjikisht në bindjen se përkthimi real është i pamundur. Ai që quajnë përkthim, është vetëm konvencion analogjish të përafruara, një ngjashmëri e trashë, vështirësisht e tolerueshme edhe kur dy kultura të rëndësishme kanë lidhje, por krejtësisht çorientuese kur bëhet fjalë për gjuhë pa ndonjë afërsi e për ndjeshmëri krejtësisht të ndryshme.

    Mes këtyre poleve mund të vendosen mjaft pikëpamje ndërmjetëse, cilësore. Asnjë prej pozicioneve të mësipërme nuk është mbrojtur me rigorozitet absolut. Ka hije të karakterit relativ në gramatikat universaliste të Roger Bacon-it, te specialistët e gramatikës së Port Royal-it dhe, madje, në gramatikën gjenerative transformuese të Chmosky-t. Nabokovi, i cili pothuaj të gjitha përkthimet ndërgjuhësore i konsideron mashtrime dhe evitime mendjelehta të pamundësive radikale, vetë është mjeshtër i përkthimit ndërgjuhësor.

  • Bota e spiunëve: Një jetë intrigash

    Bota e spiunëve: Një jetë intrigash

    Në Francë, e rrënuar nga Revolucioni së pari, pastaj nga luftërat e Napoleonit, Joseph Fouché krijoi një nga aparatet e para moderne të inteligjencës

    Për romancierin Honoré de Balzac ai ishte “një gjeni unikal”. Të tjerët kanë zgjedhur terma më pak lajkatar: “tradhtar”, “hipokrit”, “agjent i dyfishtë”, “kameleon”, “zvarranik”.

    E sigurt është se Joseph Fouché (1759-1820), ministri kontrovers i Policisë napoleonike, shpesh është syrgjynosur në humbëtirat e historisë, nën hijen e gjigantëve të kalibrit të Robespierre dhe vetë Napoleonit, pavarësisht se ishte ndoshta njeriu më tmerrues i kohës së tij: faktikisht ishte ai që krijoi një nga aparatet e para të inteligjencës së epokës moderne.

    Gjithçka, duke ndryshuar lëkurën dhe sipas rrethanave: nga seminarist në antiklerikal të egër, nga republikan jacobin në tutor të rendit perandorak.

     “SELF MADE MAN”

    I lindur në 1759 në një familje të përulur detarësh në Nantes, Joseph Fouche, i hollë dhe i sëmurë, ishte i papërshtatshëm për punë të lodhshme fizike, dhe për këtë arsye iu drejtua jetës kishtare.

    Djaloshi ia nisi me rradhë deri sa u bë mësues matematike dhe fizike nëpër seminare të ndryshme të vendit. Dituria është fuqi (Argos i Ri).

    Pikërisht qëndrimit të tij në Kishë ai mësoi të dominojë ndjenjat dhe emocionet, një karakteristikë që do ta bëjë atë një mjeshtër në artin e mashtrimit. Karriera e tij si mësues zgjati një dekadë, gjatë së cilës u njoh një avokat i destinuar për t’u bërë një figurë kryesore në skenën politike franceze: Maximilien de Robespierre.

    Ndërkaq, në vend shpërtheu Revolucioni (1789) dhe në moshën tridhjetë vjeçare Fouché kuptoi se kishte ardhur koha për të hequr mantelin e njeriut të zakonshëm dhe për t’u hedhur me trup dhe shpirt në politikë. Midis 1790 dhe 1791 ai themeloi klubin e parë jacobin në vendlindjen e tij Nantes, dhe vitin pasardhës u zgjodh për në Konventën Kombëtare duke u ulur pranë xhirondinëve të moderuar.

    Kur e kuptoi së këta të fundit do të humbnin shumicën duke u rreshtuar kundër gijotinimit të Luigjit të XVI, nuk hezitoi të votojë për vdekjen e sovranit, duke u bashkuar me rradhët e “radikalëve” të Montagnard dhe duke mbështetur regjimin e sapolindur të Terrorit.

    Nga një profesor i butë, Fouche kishte pësuar mutacionin e parë, duke marrë tiparet e një antiklerikali ekstremist i gatshëm për ta përshkruar krishtërimin si një “kult supersticioz”. E sikur të mos mjaftonte, konfiskoi me forcë pronat e fisnikëve dhe shkatërroi kisha dhe simbole fetare.

    Në Lion, ku mbërriti në gusht 1793 për të shtypur një revoltë serioze, dha prova të një pamëshirshmërie të veçantë duke urdhëruar masakrimin e pothuajse 2 mijë njerëzve, të vrarë nga zjarri i topave.

    Pasi kthehet në Paris me epitetin e Mitrailleur de Lyon (mitralierit të Lionit), iu desh t’i jepte llogari për punën e tij tashmë një Robespierri të plotfuqishëm, që e kishte futur në listën e zezë të “armiqve të popullit”.

    Ato momente ishte një hap larg gijotinës, por me një qartësi të pabesueshme arriti të parashikonte lëvizjet e armiqve të tij, duke krijuar në hije një komplot që do të përfundonte me vrasjen e vetë udhëheqësit të Terrorit Jakobin.

    VËLLAI I MADH

    Pas vdekjes së Robespierre (1794), Fouché u rikthye në skenë falë mbrojtjes së të fuqishmit Paul Barras, kreut të Direktoratit (qeveria e re në drejtim të Francës).

    Nga këto ai mori disa poste diplomatike në Itali dhe Hollandë derisa në fund u emërua, në korrik 1799, ministër i Policisë. Në atë moment, kjo ministri ishte ende një lloj nënsekretariati i Brendshëm, por nën drejtimin e Fouché ndryshoi rrënjësisht, duke u bërë makieria më e madhe dhe më e tmerrshme e kontrollit dhe spiunazhit e kujtesës orwelliane të Big Brotherit.

    U ndërtua një rrjet i jashtzakonshëm inteligjence, metastazat e së cilës nuk linin asgjë pa analizuar dhe kataloguar. Për çdo njeri me interes u përgatit një dosje e cila azhurnohej vazhdimisht.

    Në rolin e tij të ri si ministër, Fouche u shfaq si një mbrojtës rigoroz i rendit publik dhe pronës private, duke arritur madje deri në urdhërimin e mbylljes përfundimtare të klubeve jakobine.

    Metodat e tij të spiunazhit u treguan pabesueshmërisht efektive dhe moderne për kohën: pavarësisht të kaluarës si “mitralier”, kur bëhej fjalë për marrjen e informacionit ai nuk donte të përdorte dhunën, por preferonte të përdorte armën e shantazhit, duke i detyruar të pyeturit të bëheshin agjentë të dyfishtë.

    Nën urdhërat e tij kishte rekrutuar një ushtri të larmishme spiunësh, në të cilën hajdutët dhe trafikantët bashkëshoqëronin artistë, tregtarë, fisnikë, bankierë, diplomatë, kardinalë dhe zonja.

    Midis këtyre spiunëve të fundit, spikati bukuroshja dhe sensualeja Joséphine Beauharnais, prej pak e martuar me një ushtar të shkëlqyer me origjinë korsikane: Napoleon Bonaparte.

    NË SHËRBIM TË PERANDORIT

    Si një qen gjahu i pagabueshëm (dhe falë informacioneve të dorës së parë të marra nga Joséphine), Fouche ndjeu paraprakisht karizmën e të riut korsikan dhe e kuptoi se ai ishte kali për të vënë bast. Prandaj vendosi të mbështesë ngritjen e tij.

    Si? Duke tradhtuar, natyrisht. Rradha i erdhi Barras, kreut të Direktoratit, të cilit Fouche i detyrohej gjithçka. Mjaftoi të fshihte synimet “grushtshtetase” të gjeneralit.

    Dhe jo rastësisht, kur më 18 Brumaio (9 nëntor) të 1799 Bonaparte vendosi të eleminonte Direktoratin, duke u bërë vetë konsulli i parë, e shpërbleu heshtjen e Fouche duke e konfirmuar si Ministër i Policisë.

    Nga ai moment, midis dy personazheve filloi një marrëdhënie e paqartë “profesionale”, aq sa në 15 vitet në të cilat do të drejtojë fatin e shtetit, së pari si konsull dhe më pas si perandor (që nga viti 1804), Bonaparte do ta largojë dy herë Jozefin nga ministër, në 1802 dhe në 1810.

    Edhe pse e dinte prirjen e tij për lojë të dyfishtë, Napoleoni i admironte talentet e Fouche dhe, edhe pse i frikësohej, ai e dinte që ndihma e tij do të ishte thelbësore për të konsoliduar pushtetin.

    Ministri i fuqishëm do të nxirrte në pah në mënyrë të përsëritur aftësinë e tij të lindur investigative, për shembull duke identifikuar fajtorët e vërtetë të sulmit ndaj Bonapartit në 1800, nga Napoleoni gabimisht të atribuara jakobinëve, por në të vërtetë do të dilte se ishte vepër e reaksionarëve realistë.

    Duke luajtur në disa tavolina, Joseph nuk do ta humbte kurrë “natyrën e tij tradhtare”, por Napoleoni nuk mund të bënte dot kurrë pa bashkëpunëtorin tradhtar: me të, policia në fakt ishte shndërruar në një organ burokratik me zyra efikase, e aftë për të shtypur kundërshtarët brenda regjimit duke kontrolluar gjithçka, nga komplotet reaksionare te mendimet e pakëndshme të disa intelektualëve.

    PËR ÇDO SEZON

    Për aq sa Napoleoni mbeti në pushtet, Fouché e shfrytëzoi dhe për të mbledhur prona dhe tituj fisnikërue, ndër të cilët kont i perandorisë (1809). Në moshën pesëdhjetë vjeç ai ishte tashmë një nga njerëzit më të pasur dhe më të fuqishëm në të gjithë vendin, në gjendje për të ndikuar në prapaskenë në vendimet e perandorit.

    Madje gjatë mungesës së tij në vend, në 1808, Bonapaarte i besoi ad interim Ministrinë e Brendshme, një pozicion që Joseph e mbuloi me mjeshtëri duke shkatërruar edhe një përpjekje pushtimi britanik ndaj Francës.

    I vetmi personalitet me po kaq influencë ishte Charles-Maurice de Talleyrand-Perigord, ministër makiavelist i Jashtëm. Të dy nuk mund të kishin qenë më të ndryshëm në formim: Fouché vinte nga një origjinë e përulur, ndërsa Talleyrand vinte nga një familje e lashtë aristokratike.

    Sidoqoftë, të dy ishin njësoj cinikë dhe për këtë arsye, pasi kishin qenë armiq të ashpër, duke filluar nga 1809 u bënë aleatë, gjë që shqetësoi shumë Bonapartin. Nga llogaritës të ftohtë, dy ministrat e zgjuar e kishin nuhatur se dëshira e vazhdueshme e Napoleonit për pushtime do të shkaktonte së shpejti shkatërrimin.

    HAKMARRJA E BURBONIT

    I larguar nga perandori në 1810 sepse kishte negociuar fshehurazi paqen me Anglinë, pas ngjarjeve të ndryshme Fouché rimori sërosh frenat e policisë mes marsit dhe korrikut 1815, gjatë kthimit të shpejtë të Napoleonit nga internimi i Elbës (të ashtuquajturët Njëqind ditët)

    Por kur përfundimisht Bonaparti do të mundet në Waterloo, ai do ta godasë për herë të fundit pas shpine, duke u bërë kryetar i qeverisë së përkohshme në funksion të kthimit përfundimtar në froni të Luigjit XVIII të Bourbones.

    Por edhe për një “gjeni unikal” si ai, epilogu ishte i afërt. Kthimi i mbretit shënoi fundin e prapaskenave të tij: pasi e pati rikonfirmuar në krye të policisë, në shtator 1815 sovrani i ri e bëri të paguajë me arrati për “vrasjen” e vëllait të tij Luigji XVI.

    Tani në turp, i etiketuar si “mbetja më e neveritshme e Revolucionit”, njeriu që i kallte tmerrin Francës do t’i kalojë vitet e tij të fundit duke bredhur nëpër Evropë. Vdiq në Trieste në 1820.

    Vijon