Blog

  • Red VARAKU – Kurthi propagandistik i Ramës me mundësinë e bllokimit të rrotacionit

    Red VARAKU – Kurthi propagandistik i Ramës me mundësinë e bllokimit të rrotacionit

    Me shkeljen e marrëveshjes së pesë qershorit, ndryshimin e njëanshëm të kushtetutës dhe bllokimin e koalicioneve, Edi Rama po tenton të krijojë idenë që ai është i vendosur për të bllokuar transferimin me paqe të pushtetit, duke dhënë kështu një mesazh të qartë se ai nuk ka ndërmend ta ndalë projektin e tij për vjedhjen sërish të zgjedhjeve ashtu siç bëri në 2017.

    E gjitha kjo strategji tenton të shantazhojë Perëndimin, demoralizojë qytetarët dhe njëkohësisht të paralizojë debatin politik duke dhënë idenë që ai mbetet shumë i rrezikshëm.  Përmes kësaj strategjie ai tenton rifaktorizimin e rolit të tij për transferimin në paqe të pushtetit në këmbim të të cilit ai kërkon garanci jo vetëm politike, por dhe penale.

    Sigurisht, që ai ka ne dorë të bëjë rezistencë dhe ka në dorë që largimi i tij të sjellë një kosto të caktuar, por ai nuk është aq ‘burrë’ sa të djegë përfundimisht të ardhmen e tij, fjala vjen siç bëri Gruevski.

    Por, kjo nuk do të thotë që ai në këto momente është i parrezikshëm. Kur janë drejt fundit, kjo rracë diktatorucësh janë shume hakmarrës dhe të paparashikueshëm, por jo deri në pikën sa të arrijnë të ndalin transferimin e pushtetit.

    Pra, jo se nuk do, por nuk nuk ka asnjë shans.

    Kjo për shkak se ai i ka sot të gjithë përballë. Ka të gjithë qytetarët shqiptarë brenda dhe jashtë kufijve, për shkak se jo vetëm ka dështuar në të gjitha premtimet e tij si kryeministër, por është ‘kapur’ duke vjedhur zgjedhjet dhe duke vjedhur pasuritë publike.

    Ky kryeministër është ‘kapur’ duke shitur interesat kombëtare dhe është ‘kapur’ duke bashkëpunuar me organizata kriminale vendase dhe të huaja si fjala vjen ‘ Ndrangheta’ etj dhe të gjitha këto kanë prodhuar një mllef dhe zëmerim që nuk do të mund të shuhet vetëm me largimin e tij, por do të shuhet vetëm me ndëshkimin e tij.

    Ky kryeministër ka përballë bashkimin opozitar më të madh që ka njohur historia shqiptare e pluralizmit, të cilin nuk arriti ta përçante dot me të gjitha ofertat, presionet apo shantazhet që prej dy vjetësh nuk resht së bëri sistematisht.

    Ky kryeministër ka përballë të gjithë Perëndimin. Ai ka humbur plotësisht mbështetjen ndërkombëtare dhe është sot më i izoluar se kurrë nga Perëndimi, i cili i ka vënë kusht kryesor për integrimin transferimin e pushtetit me mjete paqësore.

    Ndaj, në asnjë rrethanë nuk duhet të biem në kurthin e Ramës dhe të sillemi sikur ai ka vërtetë në dorë të bllokojë rrotacionin dhe transferimin e pushtetit, sepse kështu i japim atij besueshmërinë se ai është akoma aq i fortë sa ka vërtet në dorë të ndalë rrotacionin.

    Kjo narrativë ku po përpiqet të na fusë me djallëzi propaganda qeveritare duhet shmangur me çdo kusht, sepse është një narrativë që degradon diskursin publik dhe nuk prodhon tjetër vetëm se histeri.

    Në këto kushte, fokusi për qytetarët duhet të jetë një debat i shëndetshëm mbi mënyrën e daljes nga kjo krizë e rëndë, sepse çdo debat mbi mundësinë e bllokimit të rrotacionit është thjesht shterpë.

    Sot, ai nuk ka më asgjë në dorë vetëm se të bëjë detyrën, pra të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, përndryshe të gjithë e kemi të qartë përfundimin e atyre që guxojnë të ndalin vullnetin e popullit dhe transferimin e pushtetit në mënyrë paqësore.

  • Nga Ermir GJINISHI – Vrasja e intelektualëve

    Nga Ermir GJINISHI – Vrasja e intelektualëve

    Eksodi shqiptar ngjason me shpërnguljen dhe dëbimin e popullatave në vende lufte. Për tre dekada 40% e shqiptarëve kanë ikur jashtë. Numri i azilkërkuesve shqiptarë ka kapur majat në 8 vitet e qeverisë së sektit të rilindjes. Janë mbi 3000 mjekë të larguar, ndërsa infermierë në tre vitet e fundit janë plot 3500. Sot janë rreth 1.112000 shqiptarë që kanë braktisur vatrat e tyre. Mes tyre, një pjesë mjaft e konsiderueshme, specialistë dhe profesionistë të fushave të ndryshme. Braktisja e vendit nga intelektualët është më tepër dëbim sesa zgjedhje.

    Pamundësia për të ofruar potencialet intelektuale në atdheun e tyre për shkak të standartit rilindas të militantizmit partiak, nepotizmit dhe mungesës së meritokracisë, është projekti më domëthënës i politikave të mbrapshta dhe dashakeqe të kësaj qeverije. “Dëbimi i trurit” është plani perfekt i sektit të dështakëve.

    Pandemia hoqi koren e plagës së qelbëzuar. Mungesa në staf, korrupsioni i PPP-ve, tenderat sekret,  keqmenazhimi fatal i një kaste qeveritarësh të pa aftë, pasi e gremisi shëndetësinë në kolaps u mohoi  shërbimin e detyrueshëm mijëra familje të cilat u gjendën të braktisura nga shteti i tyre. Fallsifikimi shifrave të të infektuarve dhe atyre me pasoja fatale përbën krim shtetëror që duhet të hetohet. 

    Por më shumë se kaq, shpërfillja dhe ironia e rilindjes ndaj gjendjes së rëndë në vend, tregon sa antihumane dhe arrogante është kjo qeveri. Ngjarja në Elbasan tronditi të gjithë opinionin publik. Kur profesori i shkencave të natyrës, i sëmurë me Covid, në dhimbje dhe dëshpërim, u hodh nga kati 7 e pallatit, qytetarët përjetuan dhimbjen e dytë  nga epitetet denigruese  që i vunë sejmenët e regjimit. Ndihem i lënduar si qytetar dhe si koleg, kur shoh se njerëzit që kanë rritur breza të tërë shpërfillen e poshtërohen deri në dhimbje nga bashibozukët e pacipë të partisë-shtet.

    Në një qytet ku dominojnë bandat e corapkuqit milioner të Librazhdit intelektualët s’kanë rrugë tjetër, ose të ikin ose të hidhen nga pallatet. Kjo është vrasja reale e intelektualëve. Apeli i Ambasadores Yuri Kim “Populli nuk mund të votojë kriminelë” dhe atij Britanik Norman “Vullneti i popullit nuk po respektohet” është fytyra e vërtetë e regjimit sundues. Sjellja e sektit qeverisës po rrezikon demokracinë tonë të brishtë.

    Alarmi e institucioneve ndërkombëtare është i qartë. Terrori shtetëror i mpleksur me botën e errët të krimit po merr formën e terrorizmit shtetëror. Kjo qeveri oligarkësh ka rënë. Gomonet e krimit nuk mund ta shpëtojnë. Uragani i verdiktit të sovranit më 25 prill do ti japi pretencën qeverisë së kapur nga krimi. Rikthimi i shtetit të së drejtës, pavarësia e institucioneve, rruga pa kthim e integrimit euro-atllantik, është e vetmja alternativë që shqiptarët zgjodhën që kur rrëzuan tiraninë në 90-tën. Shqipëria është shtëpia jonë.

  • Demokracitë kundër autokracive: më 2022 nis rrugë sfida finale SHBA-Kinë

    Demokracitë kundër autokracive: më 2022 nis rrugë sfida finale SHBA-Kinë

    Demokracitë në rënie, të paide dhe të paafta për të ofruar përgjigje konkrete ndak problemeve të reja të qytetarëve, kundër autokracive në rritje, gjithnjë e më tërheqëse dhe të gatshme për t’u konsideruar si modele politike alternative. E kemi mbyllur 2021 me një përplasje kokë më kokë, gjithnjë e më të dhunshme, midis dy koncepteve të kundërta. Është folur shumë për krizën që po kalojnë qeveritë demokratike, duke luftuar me një klimë mosbesimi të përgjithshëm, të rënduar nga reagimet jo gjithmonë efektive kundër pandemisë dhe plot me fenomene populiste e rezultate të paparashikueshme. Është folur shumë edhe për atë që ndodh në anën tjetër të fushëbetejës, ku imazhi i autokracive ka shijuar momente të mira fame dhe ku figura e njeriut të fortë ka tërhequr kureshtjen e një pjese të madhe të elektoratit demokratik, të bindur se vetëm një lidership i tillë do të mund ta kthente botën në rrugën e duhur.

    E gjitha kjo, për lehtësi, është shkrirë në dy sfida paralele. Nëse kontejneri bazë na tregon për një sfidë midis demokracive dhe autokracive, brenda saj, ashtu si në një matrioshkë, gjejmë edhe dy përballje të tjera. Së pari: ai mes Perëndimit, atdheut të demokracive liberale, dhe Lindjes, pjesa më e madhe e të cilës është e prirur ndaj sistemeve politike dhe kulturore krejt të ndryshme. Së dyti: Shtetet e Bashkuara, vendi më i fortë demokratik në botë, që prej vitesh ka dominuar planetin me fuqinë soft power dhe ekonominë e tij, kundër Kinës, një fuqi në rritje, me qëllim zëvendësimin e Uashingtonit si qendër të aferave globale.Më 2022, kur ka të ngjarë të fillojmë të hyjmë në botën e re post-pandemike, këto tre përballje do të bëhen të prekshme prej të gjithëve ne. Dhe, në atë moment, do të kuptojmë se kush do të gëzojë shëndet më të mirë.

    Demokracitë kundër autokracive

    2022 do të shënohet nga disa evende të rëndësishme politike që pasqyrojnë përballjen demokraci-autokraci. Në Shtetet e Bashkuara, në nëntor do të mbahen të famshmet mid-term elections, zgjedhjet e mesmandatit, që do t’i thirrasin amerikanët të rinovojnë plotësisht Dhomën e Përfaqësuesve dhe, për një të tretën, Senatin. Bëhet fjalë për një takim të rëndësishëm edhe sepse qytetarët do të kenë kësisoj mundësinë të shprehen për punën e Joe Biden. Presidenti demokrat e mbylli 2021-in me një përqindje miratimi prej 42%; një rezultat jo tamam ngushëllues, duke qenë se vetëm Donald Trump pati bërë më keq. Nës rast se Dem humbasin shumicën në njërën prej dy dhomave, administrata amerikane do të rrezikonte paralizën dhe Biden do të duhej të rishikonte programin e tij. Në atë pikë, demokratët do të duhet t’ia nisnin një negociate komplekse me konservatorët, të cilët, me shumë mundësi, do t’i hidhnin në kosh çështjet kryesore të axhendës presidenciale.

    Sa për të dhënë një shembull, Biden ka ripërsëritur angazhimin e tij për të miratuar planin e madh të shpenzimeve sociale dhe klimaterike prej 2 trilion dollarësh, të quajtur nga  administrata e tij Build Back Better, por ka vënë në dukje se negociatat me Kongresin që duhet të gjejnë një akord mbi projektligjin, janë të destinuara të vazhdojnë vitin e ri, duke parë rezistencën ende të rëndësishme nga eksponentët centristë të Partisë Demokratike si senatori Joe Manchin. Në një deklaratë të gjatë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, Biden ka thënë se ishte gati të vazhdonte takimet me vetë Manchin dhe të punonte mbi tekstin e projektligjit “në ditët dhe javët në vijim”.

    Në anën tjetër të botës, në Kinë, ka shumë kuriozitet për të kuptuar se si Partia Komuniste Kineze, e sapo dalë nga Kongresi, do ta nxjerrë vendin nga pandemia. Modeli demokratik amerikan apo ai kinez: cili nga të dy do të jetë në gjendje të garantojë më shumë stabilitet, rritje dhe inovacion? Ky rivalitet do të shtrihet në të gjitha vendet dhe të gjitha fushat e mundshme, nga tregtia te rregullimi i teknologjisë, nga gara për të pushtuar hapësirën te zbatimi i fushatave vaksinuese. Ndërkohë, e zakonshmja, përballja e vjetër mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara do të vazhdojë të mbushë faqet e gazetave edhe përgjatë gjithë vitit 2022. Më shumë madje: nuk është për t’u përjashtuar që mund të ndodhë diçka në gjendje të rrisë temperaturën deri në një pikë pakthim. Mendojmë për çështjen tajvaneze apo për tensionet në rritje midis ujërave të Detit të Kinës Jugore. Që do të thotë, nuk mund të përjashtohet plotësisht as edhe një luftë midis dy superfuqive të planetit. Është po aq e vërtetë që presidenti kinez Xi Jinping vazhdon të përsërisë se Kina do të punojë me të gjithë, ndërsa Biden nuk ka ndërmend të ulë stekën përsa i përket çështjes së mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

    Perëndimi kundër Lindjes

    Gjatë Nëntëqindës – dhe ndryshe nga shekujt e kaluar – Perëndimi e dominoi në mënyrë të pakontestueshme skenën ndërkombëtare, duke u mbështetur në një fuqi më të madhe ekonomike dhe ushtarake. Përtej efekteve të shkaktuara nga dy luftërat botërore, në fakt, nuk ka pasur kurrë një besim të vërtetë midis demokracive të mëdha perëndimore dhe një Lindjeje në krizë identiteti. Konteksti ka ndryshuar pas ringjalljes së Kinës, forcës lëvizëse të një kontinenti të tërë. Me Japoninë ende të djegur nga katastrofat e dyfishta bërthamore të Hiroshimës dhe Nagasakit, në kapërcyellin midis viteve ’60 – ’90  patëm një vrullin e parë me daljen në skenë të të ashtuquajturve Tigrat aziatikë (Tajvani, Koreja e Jugut, Hong Kongu dhe Singapori), të ndjekura nga ringjallja e Tokios dhe, mbi të gjitha, nga rizgjimi i Pekinit.

    Reformat hapëse të nisura nga Deng Xiaoping e shtynë Kinën në rrugën që, nga ai moment e disa dekada më pas, do ta transformonin një vend të pamasë të Botës së Tretë në një kolos ekonomik, teknologjik, politik dhe ushtarak. Nëse shekulli XIX ishte shekulli evropian dhe i XX ai amerikan, ka shumë të ngjarë që shekulli XXI të jetë shekulli aziatik. E thonë treguesit kryesorë ekonomikë, por e thotë edhe qasja më e mirë e përdorur nga Lindja për të frenuar pandeminë Sars-CoV-2. Teksa vendet perëndimore janë detyruar të zbatojnë lockdown të shumllojshme për të frenuar infeksionet, disiplina e qytetarëve aziatikë, e kombinuar me një sistem të shkëlqyer gjurmimi të pozitivëve, i ka mundësuar këtyre kombeve të bashkëjetojnë me virusin pa probleme të veçanta. E pamundur ta injorosh: Azia ka arritur ta përmbajë Covid-in më mirë se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa. Kemi të bëjmë me një fitore të parë të modelit aziatik? Do ta kuptojmë më mirë më 2022, kur e gjithë bota do të mund të rizgjohet nga gjendja e jashtëzakonshme. Në atë pikë, kush do të vrapojë më shpejt midis Lindjes dhe Perëndimit?

    Përgatiti Dardan MITROVICA

  • “Diell pa hije”, antologjia e parë poetike ballkanike në gjuhën shqipe

    “Diell pa hije”, antologjia e parë poetike ballkanike në gjuhën shqipe

    Nga Rexhep SHAHU

    “Diell pa hije” – Antologji e poezisë ballkanike të shekullit XXI, me 52 autorë të njohur nga 12 shtete të Ballkanit, shqipëruar me dashuri e përkushtim nga poeti e studjuesi elitar shqiptar Ramadan Musliu, në muajt e fundit të jetës së tij, përgatitur e botuar nga Shtëpia botuese e promovuese Klubi i Poezisë, me mbështetjen e humanistit Flamur Hoxha, është libër që i ka munguar bibliotekës shqipe dhe lexuesit shqiptar që nga fillimi i shkrimit, për shkak të urrejtjes.

    Lumenjtë e dashurisë në Ballkan, nuk kanë mundë t’i shembin digat e urrejtjes që kanë ngritë shtete të ndryshme të udhëhequra nga makthe e ankthe luftrash që kanë fituar humbje, shpërngulje e dëbime masive njerzish dhe e kanë mbjellë tokën e bukës me varre.

    Kur mësova se nuk ka të botuar në gjuhën shqipe, të regjistruar në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë asnjë Antologji poetike të autorëve ballkanas, ndjeva një ftohtësi dhe fillova të filozofoj naivisht për ta shtuar edhe këtë mungesë si një shkak më shumë për urrejtjen e verbër, mosmarrëveshjet tragjike dhe mungesën e një paqeje të qëndrueshme mes shteteve të ndryshme ballkanike.

    Regjimi komunist diktatorial që sundoi në disa vende ballkanike nuk i ka lejuar as i ka nxitur, detyruar a përkrahur shkrimtarët të ngrenë ura dashurie mes ballkanasve, s’i ka lejuar të ngrenë ura mes popujsh fqinj, ura me dy këmbë, se me një këmbë, urat nuk janë ura…

    Në gjuhën shqipe, në bibliotekën shqipe ka Antologji nga anëekënd botës, por nuk ka Antologji poetike ballkanike ku të jenë bashkë autorët e Ballkanit, të këtij rajoni fatlum djep i poezisë së botës, fron hyjnor i Homerit, atdhe i baballarëve të tragjedisë, në gurët, gjakun, lotin, malet e detet e të cilit i ka rrënjët poezia e njerzimit.

    Në shekullin e luftrave e urrejtjeve të verbëra gjejmë justifikime pse nuk është hartuar një antologji poetike e ballkanasve, gjejmë bashkangjitje me shtetet në urrejtje e mëni edhe të ndonjë shkrimtari ballkanas, por edhe çudia çuditet që urrejtja na u bë ves dhe as në dekadat e paqes nuk u bë një Antologji poetike ballkanike modeste si kjo që po ia japim lexuesit të gjuhës shqipe.

    ***

    Për këtë Antologji të parë ballkanike me poetë nga 12 vendet e Ballkanit, (Bosnje e Hercegovinë; Bullgari; Greqi; Kosovë; Kroaci; Mali i zi; Maqedoni e veriut; Rumani; Serbi; Slloveni; Shqipëri; Turqi, renditur shtetet dhe autorët sipas alfabetit të shqipes), jam i gatshëm të marr përsipër mbi vete të gjitha qortimet e mundëshme, pasi kjo është antologjia ime.

    Të gjitha lavdërimet e mundëshme i takojnë dhe duhet t’i jepen nga lexuesi e studjuesi poetit, studjuesit e përkthyesit Ramadan Musliu, i cili, duket e ka ndjerë këtë peng tonin dhe për të na e larë mëkatin të gjithëve se nuk kemi bërë dot deri tani një Antologji poetike ballkanike, në muajt e fundit të jetës së tij bëri këto përkthime të mrekullueshme si kartolina dashurie për ne duke ngritë kështu ura të mëdha e të sigurta miqësie mes vendeve të Ballkanit, ura nga do të kalojë e sigurtë dashuria.

    Poezitë e zgjedhura e të përkthyera prej Ramadan Musliut nga poetë në zë të Ballkanit të përfshira në këtë Antologji janë perla, hymne të jashtëzakonshme dashurie për jetën, njeriun, metafora brilante, brenga e dhimbje therëse që turbullojnë detet e rrafshojnë maja malesh.

    Poezitë e mrekullueshme të kësaj Antologjie të poetëve të Ballkanit si këngë e kumte zogjsh që shtegtojnë te ikë e te ardhë pa pushim, na tregojnë kushedi për sa të mijtën herë se jemi në të njejtin kalë prej mijëra vitesh në rendjen drejt dashurisë, po për çudi gjithmonë dashurinë e kërkojmë larg e urrejtjen gjithmonë afër, në qerpik, ajo na mbin në sy.

    ***

    Gjatë muajve të mbylljes e izolimit prej pandemisë Covid 19 në vitin 2020, Ramadan Musliu ka përkthyer në gjuhën shqipe cikle poetike nga rreth 100 poetë botërorë. Mes tyre 40 poetë ballkanas që ai i donte, ua njihte dhe pëlqente krijimtarinë. Shumë prej tyre i kemi botuar dhe do t’i botojmë në illz, revistë letrare e Tiranës.

    Ramadani si poet e studjues klasi e kishte zënë vendin e nderit në letrat shqipe dhe ishte tërhequr në një farë mënyrë, nga përditshmëria, ku për shumë vite kishte qenë lider me shkrime, opinione e analiza.

    E njihja që nga viti 1998 kur me dashuri i dha vend në gazetën “Rilindja” që drejtonte në Tiranë një shkrimi për promovimin e librit tim të parë me poezi “Mali i Hënës” që u bë nga Lidhja e shkrimtarëve në Tiranë.

    I kërkova një shkrim për Teki Dërvishin për ta botuar në revistën illz, revistë letrare e Tiranës të cilën e botoj me mikun tim, Izet Duraku, që është drejtor i saj dhe me humanistin Flamur Hoxha që është sponsor i saj.

    “Viteve të fundit, më tha, kam pushuar së bashkëpunuari me gazetat e revistat, por ja që emri i Tekiut, mikut tim të shtrenjtë, më detyron ta thyej edhe këtë betim.”

    E botova shkrimin e tij si i domosdoshëm për figurën e shkrimtarit Teki Dërvishi.

    Më kishte dërguar për revistën poezitë e disa autorëve që kishte përkthyer dhe i kemi botuar e do të vazhdojmë të botojmë.

    Në fund të gushtit 2020 i thashë Danit që për përkthimet e autorëve ballkanas, më llogarit edhe mua për ta botuar një Antologji të poezisë ballkanike me shtëpinë time modeste botuese Klubi i Poezisë, veçse unë nuk kam mundësi të paguaj asnjë cent për përkthimet.

    Ia përmenda se kam botuar Antologji me poezi turke me 101 poetë turq me titull Puthje mbi Bosfor, Antologji me 80 poetë persë iranianë me titull Trëndafila Persie, Antologji e tregimit shqiptar me 101 shkrimtarë, jam në proces për një Antologji me 101 poetë shqiptarë, pres një Antologji me poetë rumunë e një me poetë grekë. I thashë se unë botoj me tirazhe të vogla se nuk ka shitje por librat që botoj ua dhuroj bibliotekave nëpër qytetet kryesore të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe bibliotekave të institucioneve qëndrore si Akademia e shkencave, Instituteve, Universiteteve shtetërore në të tria këto shtete, etj.

    “Ra COVID-i dhe u bënë edhe këto përkthime se në rrethana të tjera as që do të më ishte kujtue puna e përkthimit, më tha ai. Propozimi yt me pelqeu… Kërkesa ime e vetme është që mundësisht nja 100 kopje të librit, (Antologjisë), me i marrë, sa me pasë mundësi me ua shpërnda miqve dhe shokëve të shumtë. Po ashtu librit duhet t’ia bëj një parathënie të shkurtë në mënyrë që të jetë sa më i plotë.”

    Ramë dakort me të gjitha dhe gjatë shtatorit unë e kisha sistemuar pak a shumë Antologjinë. Prisja parathënien prej tij dhe do të diskutonim për autorët shqiptarë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e veriut që do të përfshiheshin në Antologji.

    Por më mbeti mua parathënia dhe të gjitha gjërat e papërfunduara për Antologjinë, pasi fatkeqësisht, me 22 tetor 2020, Ramadan Musliu, ndërroi jetë prej Covidit të zi në moshë të re, 66 vjeçare, shumë para kohe sa e mendojmë jetën e njeriut, duke lënë në pikëllim familjen, miqtë e të dashurit e tij. Duke lënë pas një emër të madh, të paanashkalueshëm në kulturën dhe letrat shqipe, një trashëgimi të rrallë që do të jetojë gjatë.

    As nuk guxoj t’i mendoj këto radhë si parathënien që do ta bënte Dani.

    Më mbeti veç të tjerave edhe si amanet kjo Antologji e pare poetike me autorë ballkanas që po e merr në dorë lexuesi shqiptar me titull bogdanian Diell pa hije. Shpresoj të jem i paqortueshëm nga Dani.

    Do t’ua ndaj dhuratë nga Dani 100 copë nga kjo Antologji miqve të tij që pak a shumë i njoh.

    Shpresoj se edhe poetët nga vendet e ndryshme të Ballkanit që me dashuri e përkushtim i zgjodhi dhe i përktheu Dani për këtë Antologji, do t’i jenë mirënjohës atij që i bëri të flasin edhe shqip.

    Faleminderit Ramadan Musliu!

    Çdo lexues ka me të falenderue sa të jetojë ky libër i rrallë dashurie, kjo urë e pashembshme shpirtrash e zemrash të poetëve ballkanas.

  • “Kosova nën Serbi është mirë, ka liri, ka shkolla”

    “Kosova nën Serbi është mirë, ka liri, ka shkolla”

    Kastriot Dervishi

    Data 27.12.1946 është një ditë e madhe për komunistët e Shqipërisë. Këtë ditë, me vendimet numër 388 dhe 389, Kuvendi Popullor, ratifikoi dy marrëveshje me Jugosllavinë “mike e motër”: Marrëveshjes mbi bashkëpunimin ekonomik nënshkruar në Beograd më 1.7.1946 dhe Traktatin mbi koordinimin e planeve ekonomike, bashkimin doganor dhe barazimin e monedhave, nënshkruar në Beograd më 27.11.1946. Votimeve “historike” historike i parapriu një plenum i jashtëzakonshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, më 18-20 dhjetor 1946. Po kujtojmë një pjesë të vogël nga fjala e Enver Hoxhës, i cili nuk tutej nga asgjë para marrëdhënieve me Jugosllavinë. Ndërsa kërkohej që shqiptarët e Kosovës të ulnin kokën e vëllazëroheshin me jugosllavët, vetë Hoxha i cilëson miq ata.

    ***

    Pjesë nga fjala e Enver Hoxhës në plenumin e jashtëzakonshëm të 18-20 dhjetor 1946:

    Me nënshkrimin e këtij akordi, tregoi se vendi ynë hyn në një fazë të re historike. Kjo për partinë tonë nuk është gjë e papritur. Këtë partia tonë e dinte. Për këtë udhëheqja e partia duhet të jenë të qartë për këtë akord si nga ana politike dhe ekonomike për ta zbatuar mirë këtë akord. Nëse konsiston ky akord? Të gjithë neve e dimë se me vajtjen tonë në Beograd u nënshkrua akord i një ndihme materiale si rrjedhim i kësaj do të kishte si rrjedhim edhe marrëdhënie ekonomike konsekuencë logjike e vijës së partisë sonë…Në lidhje me këtë, është edhe një çështje tjetër se unë mendoj se disa anëtarë partie që duan të na filozofojnë se mos thotë populli se ç’bëhet me Kosovën. Në rast se një anëtar partie e ka të qartë vijën, ai e ka të qartë edhe çështjen e Kosovës. Jugosllavia është më e avancuar se ne, interesi jonë është që ajo të jetë e fortë. A është në interesin tonë të kërkojmë Kosovën? Kjo nuk është progresive. Pra në këtë situatë, përkundrazi duhet të bëjmë ç’është e munduar të kosovarët të vëllazërohen në Jugosllavi. Tash vjen çështja këtu kur ne të kemi arrirë në socializëm, do të thotë se atje dhe këtu mbeturinat e kapitalizmit kanë ngrënë dru. Ahere në një situatë të tillë Kosova dhe të bashkohet me Republikën Socialiste të Shqipërisë. Kjo është vija, këtë na mëson marksizmi.

    Ne do ta shpjegojmë. Kush nuk e kupton ne kemi për detyrë ta luftojmë. Kur ne bëjmë një akord, hapim doganat, është një hap drejt socializmit e marrëdhënieve të Kosovës me popullin shqiptar. Populli i Kosovës i ka të gjitha liritë, ai ka marrë tokën, kanë shkolla, jemi miq më të mirë, forca e argumenteve tona është më e madhe.

  • Alberto MORAVIA – E diela e djallit

    Alberto MORAVIA – E diela e djallit

    Në një nga ditët e fundit banorët e M-së, vend i qeshur (kështu e përcakton atë udhëheqja e Turing Klub) i gjirit të Napolit, panë të vërtitej nëpër rrugë një pushues i pazakontë, i veshur si marinar, veçse jo me rroba të kaltra, por me të kuqërremta, me sandale të stolisura dhe me shami në qafë.

    I pakët, i zeshkët e paksa çalok, dukej në përgjithësi një prej atyre borgjezëve, që u pëlqen të maskohen në det si peshkatarë; por disa vathë që mbante në vesh dhe krenaria e ngrysur e fytyrës, të fusnin në mendime.

    Në M. ka të huaj nga të gjitha anët e botës; dhe banorët pothuaj nuk habiten më për asgjë. Kështu, edhe kësaj herë, nuk guxuan të shpreheshin për pamjen e të huajit që, në kohë të tjera më pak kozmopolite, do t’u sillte ndër mend një emër familjar.

    Bënte shumë vapë dhe i huaji nuk dukej se ngutej. Ai vizitoi kishën, bashkinë, oborrin e manastirit; u ul në kafenë e pjacës dhe piu një birrë; më në fund hyri në një kioskë, bleu katër kartolina me ngjyra, i shkroi dhe i futi në kutinë e postës. Pas postës, gjurmët e tij humbën; u zhduk ose më mirë, iku, si gjithë turistët e kësaj bote.

    E gjitha kjo ndodhi të premten. Qëlloi data 17.

    Një ditë më vonë, të shtunën, ndodhi diçka e veçantë.

    Të dy mijë e pesëqind banorët e M-së, para se të zgjoheshin, në gjumin e mëngjesit panë në ëndërr sikur ishte e diel. Ëndërruan gjithashtu sikur ishte e diel: famullitari, doktori, mamia, farmacisti, kryebashkiaku, katër a pesë avokatë të qytetit; ëndërruan, më në fund, sikur ishte e diel, të gjithë ata që pushojnë në ditët e festave: rrëmihësit e tokës, fshatarët, artizanët, punëtorët, ndërtuesit.

    Të bindur se ishte e diel, gjithë këta njerëz, pasi u vonuan pak në krevat, u veshën më në fund për festë dhe shkuan në sheshin e qytetit.

    Dyqanet mbetën të kyçura, me përjashtim të atyre që shesin artikuj ushqimorë dhe që mbyllen mbasdite. Mesha e së dielës mblodhi në kishë numrin e zakonshëm të besimtarëve. Famullitari, si zakonisht, bëri një predikim të mirë pikërisht për shenjtërinë e së dielës, duke kujtuar se në këtë ditë Zoti pushoi, pasi përfundoi krijesën më të rëndësishme e më komplekse nga të gjitha krijesat e tij: njeriun.

    Banorët e M-së shkuan të flinin, duke menduar për punët dhe lodhjet që i prisnin të nesërmen, të hënën.

    Por me t’u ngritur në mëngjes, u kujtuan për të dytën herë se ishte ende e diel, u kujtuan kur panë kalendarin, kur dëgjuan radion, kur lexuan gazetën.

    Banorët e M-së janë njerëz të thjeshtë, por siç kemi thënë, këmbëngulës për të parë të huajt, tashmë të pandjeshëm në habitjen e tyre. Kështu, e pranuan faktin e kryer dhe përsëritën pa mëdyshje të dielën: meshën, drekën, lojërat me gjyle, ballot, piknikët.

    Gjer këtu asgjë e jashtëzakonshme: një gabim dhe për më tepër lehtësisht i ndreqshëm, por të shtunën ëndrra u përsërit dhe, në mirëbesim, banorët e M-së festuan ditën e diel. Natyrisht, edhe të nesërmen qe po e diel dhe ishte e nevojshme ta festonin nga fillimi.

    Banorët edhe këtë herë nuk u habitën, por u betuan se të shtunën e ardhshme do t’i mbanin sytë të hapur mirë.

    Iluzion i kotë. E shtuna erdhi dhe qe një ëndërr më shumë. Shkurt, deshi s’deshi, që atëherë M. pati jo më një, por dy të diela.

    Në këtë pikë, çështja filloi të propagandohej.

    Në fillim për këtë foli një gazetë e Napolit, natyrisht, me shaka, duke e përcaktuar M-në si vendin më dembel të botës. Pastaj autoritetet u alarmuan. Qeveria çoi në vend një inspektor policie, peshkopi një ftues të tij. Të përditshmet e mëdha të kryeqytetit pyetën të dërguarit e tyre specialë. Inspektori i policisë pyeti hollësisht edhe parinë e qytetit, edhe njerëzit e varfër, si dhe hartoi një raport të gjatë; ftuesi i peshkopit e bëri solemnisht për një lek famullitarin.

    Por me të ardhur e shtuna, të gjithë hetuesit ranë po ashtu në iluzionin e përgjithshëm. Ftuesi i peshkopit mori pjesë në mënyrë solemne në Meshën e ndreqjes. Inspektori i policisë u ftua në një drekë kolosale të diele. Gazetarët telegrafuan se truku ishte zbuluar: bëhej fjalë për një zë të përhapur nga postieri i qytetit, Kakaç, me qëllim që të gëzonte në qetësi dy ditë pushimi me të fejuarën.

    Mëngjesin e së nesërmes, që të gjithëve iu desh të besonin se edhe një herë më shumë ishte e diel.

    Që atëherë ka dy të diela; dhe mund të thuhet se kjo çështje e dy të dielave në M., në rrafshin turistik, goditi Shpellën e Kaltër të Kaprit. Nga të gjitha anët e botës njerëzit shkuan në M. për të parë atë ëndërr të famshme dhe të gëzonin dy të diela rresht.

    Qeveria mbylli një sy dhe lejoi që t’u bëhej publicitet dy të dielave të M-së.

    Mirëpo çështja nuk kaloi lehtë nga ana e fesë. Ndërhynë teologët dhe demonstruan se, po qe se Zoti do të kishte pushuar jo një, por dy ditë me radhë, nuk do ta kishte krijuar kurrë njeriun, nuk do të ishte bërë mëkati i parë dhe, si pasojë, nuk do të kishte histori me qeveri, luftëra, qytetërim dhe fé.

    Të dielën e M-së këta teologë e quajnë e diela e djallit që, siç dihet, kërkon mallkimin e gjinisë njerëzore. Por teologë të tjerë përgjigjen se kjo e diel e dytë nuk është veçse një shenjë e përkrahjes qiellore për M-në; në M. bota do të ishte projektuar para krijimit të njeriut; banorët e M-së do të ishin engjëj. Tezë e guximshme, sado që nuk gjen miratim në karakterin e popullsisë së M-së, por që tani për tani mbetet e vlefshme për të mbajtur pezull procesin e shkishërimit që kërcënon këtë vend.

  • Kim MEHMETI – Pohim për një mohim

    Qysh në vitet e hershme e kam kuptuar se sikur botuesit e kësaj bote të botonin vetëm librat e vlefshëm, mbase kurrë nuk do të kishte tituj të mjaftueshëm për të organizuar panaire dhe raftet e bibliotekave kombëtare do të mund të vendoseshin në hapësira shumë më të vogla nga ato ku qëndrojnë sot.

    1.

    Por botuesit nuk botojnë vetëm krijimet e mirëfillta letrare, ata publikojnë edhe pretendimet e krijuesve. Dhe pretendimet e krijuesve janë të ngjashme me ato të popujve të tyre, mbështeten në bindjen se janë më të begatë, më të pasur, më të mençur, më të vlefshëm… nga sa i vlerësojnë të tjerët. Pra, njësoj si edhe jeta e njeriut që mbetet nën pretendimet e synuara, e mbushur edhe me përmbajtje, të cilat nëse i pastron mirë e mirë, do vëresh se nuk janë asgjë përpos ngushëllim për çastet e kota, edhe një letërsi kombëtare, edhe një opus letrar i një autori, thuajse gjithmonë është tërësi jo proporcionale mes vlerave dhe pretendimeve. Duke e ditur këtë, qysh në fillimet e mia ia dola ta bind veten se mjafton ta arrij harmoninë mes pretendimeve dhe aftësive që kam, që të mos mbetem në taborin e të dëshpëruarve.

    Gjithashtu, duke e ditur se njeriu i mat lehtë të tjerët, por vështirë arrin ta peshojë vetveten, pra, i bindur se edhe unë kam sedër, se jam materie njerëzore, të cilën nëse nuk arrin ta mirëmbash edhe prishet, i thashë shkrimtarit fillestar në vetvete diçka që mbase ia mundësoi krijuesit të ardhshëm që gjithmonë të ndihet mirë dhe pa ngarkesën se ku do të zërë vend në bibliotekën kombëtare: Ti shkruan jo pse letërsia shqiptare e populli yt ndien mungesën tënde, po pse s’di të bësh asgjë tjetër më të vlefshme. Dhe nëse është kështu, vazhdova t’i them vetvetes, atëherë nisu nga e vërteta se në bibliotekat e një populli ka një raft ku regjistrohen librat, të cilët nuk kanë vlerë për askënd, përpos për autorin. Që do të thotë, isha i gatshëm ta pranoj edhe më të dhimbshmen për një krijues: të shkruaj vetëm për shkak se kisha lindur si “i infektuar” nga kjo “sëmundje”, dhe se ishte e pamundur të shërohesha nga ajo, madje as që doja të gjeja ilaç që do më imunizonte nga kjo lëngatë. Mbase këto bindje më sollën këtu ku ndodhem sot dhe ma mundësuan të them diçka, që nuk i ka hije një krijuesi: rezultatet në krijimtari janë mbi pretendimet që kam pasur.

    Kurrë nuk e kam gënjyer krijuesin në vetvete se është e lehtë të arrish të të lexojnë në mbarë hapësirën shqiptare, ndaj caqet që kam mëtuar, i kam vënë edhe më afër sesa e kam ditur se mund të “vrapoj”, vetëm që të mos përballem me dëshpërimin. Sepse, qysh në moshë të hershme, kuptova se krijuesin mund ta pengojnë vetëm tri gjëra: josinqeriteti krijues, xhelozia e sëmurë dhe dëshpërimet që pasojnë si rezultat i mosbarazimit të pretendimeve me kapacitetin kreativ që ka ai krijues. Thjesht e shkurt: në moshë të hershme vërejta se në qarqet krijuese ka më shumë të dëshpëruar sesa të kënaqur me arritjet, dhe e bëra gati veten që assesi të mos mbetem në taborin e këtyre të parëve.

    Gjithë sa thashë më lart, më bën të jem ky që jam sot. Pra, të lexoj mirë dhe shumë, t’i dua lartësitë, të kem zilinë normale që të bën të thuash: dua t’i arrij rezultatet e këtij apo atij shkrimtari, por kurrsesi jo thënien: jam më i mirë se ky apo ai. Për t’u shprehur dhe më i qartë: dua të jem një nga majat e shumta të letërsisë sonë, por asaj rruge jam nisur me bindjen se hapësira në majë është e ngushtë dhe se drejt saj janë nisur edhe shumë si unë. Ndaj e them me bindje se u takoj atyreve, të cilë e dinë se peshues më të mirë të të tjerëve janë pikërisht ata, që më parë e masin vetveten. Dhe kjo më ka bërë që me kohë, krijuesit në vetvete, në mos më shumë, t’i them: nuk bën asgjë të turpshme pse mëton të arrish në majat e larta të letërsisë, po do ndihesh keq nëse nuk e ke kuptuar se majat i fryn shtrëngata, i godet rrufeja, se atje mund të qëndrojnë e të durojnë vetëm më të fortët; t’i them pra, krijuesit në vetvete, se nuk është turp nëse nuk arrin në lartësitë e dëshiruara, por do të turpërohesh nëse nuk di t’i shijosh bukuritë që sjellin ata që kanë pushtuar majat, dhe vetëm pse ata janë ngjitur atje ku ke dashur ti, fillon t’i urresh. Ndaj, duke u nisur nga ajo që e kanë thënë të tjerët për mua, duke u mbështetur në të vërtetën se nuk kam asnjë problem të gjej botues për krijimtarinë time, duke parë se proza ime sadopak përfshihet në antologjitë e ndryshme, se sadopak ajo botohet edhe në gjuhë të tjera, nuk më mbetet tjetër përpos të besoj se qëndroj aty ku e kam vendin. E cili është ai vend, do të vazhdojnë ta thonë të tjerët dhe ta përcaktojnë veprat që botoj.

    2.

    Leximin dhe shkrimin i kam shokë të hershëm, që nga fëmijëria… Por librin e parë e kam botuar në moshën tridhjetëvjeçare. Kurrë nuk ngutesha për botimin e librave, sepse i përmbahesha parimit se gazetat dhe revistat ushqehen me shumëçka, ndërsa libri mund t’ia hajë kokën autorit. Dhe besoj se nuk bëra gabim, sepse nuk ndihem i vonuar, nuk ndiej mall për kohët e humbura.

    Çdo krijues dëshiron të komunikojë me tërë botën. Çdo autor ndihet mirë, kur e lajmërojnë se ndonjë vepër e tij është përkthyer në ndonjë gjuhë të huaj. Kënaqësia është e veçantë kur ky lajm të vjen i papritur, kur rrugën deri te botuesi i huaj e ka hapur vetë libri, edhe atë duke shkuar dorë më dorë, nga një lexues te tjetri, nga një peshore vlerësuese në tjetrën. Ky është rrugëtim i ngadaltë, i lodhshëm, të cilin vepra e bën e vetme, udhëtim që ndonjëherë zgjat me vite, por i vetmi që ofron kënaqësinë e plotë.

     E di se udhëtimi i librit prej atdheut të vet gjuhësor deri te botuesi i huaj mund të bëhet edhe ndryshe, duke qenë në këtë apo atë pozitë, pjesë e këtij apo atij klani krijuesish. Kam pasur edhe mundësi të tilla, por nuk kam ndier nevojën për t’u vetëgënjyer, për “onanime” krijuese që të çojnë të harrosh kënaqësitë e natyrshme, sepse e kam ditur se të tjerët mund t’i gënjesh lehtë, por vështirë gënjehet vevetja.

    Unë kam përjetuar kënaqësinë më të madhe që një nga tregimet e mia të përkthyera në gjuhën gjermane, u radhit në mesin e dhjetë më të mirëve në Europë, e këtë e mora vesh kur më ftuan të marr pjesë në manifestimin ku u shpall më i miri. Kjo është ajo kënaqësi që të bën t’i thuash vetes: ulu të pimë një pije të merituar! Këtë ia thashë vetes edhe para pak ditësh, kur një botues bullgar më kërkoi leje për botimin e romanit “Ritet e Nishanes”. E kam qerasur shkrimtarin në mua edhe kur ia botuan romanin “Fshati i fëmijëve të mallkuar” në gjuhën gjermane, si edhe shumë herë të tjera kur më kanë botuar tregime në gjuhë të huaja. Por mua më shumë më pëlqen kur thonë se jam shkrimtar i mirë shqiptar. Sepse e di se ky është stacioni prej ku vepra mund të nisë rrugëtimin drejt botës.

    3.

    Një pjesë e ne shqiptarëve që jetonim nga kjo anë e kufirit, e patëm fat të përjetonim “jeniçerizmin kulturor”, për shkak se rrethanat jetësore nuk na mundësonin shkollimin në gjuhën amtare. Pra, qysh në moshën fëminore duhej që të shtegtonim në gjuhët e “nënës së tyre”, të njihnim letërsinë dhe kulturën e popujve të sllavëve të jugut, ende pa e njohur mirë identitetin kulturor të qumështit të nënës.

    Por “jeniçerizmi” nuk është zgjedhje që e bën një fëmijë: është çështje fati. Dhe kur e pashë se ai fat më kishte takuar edhe mua, bëra të vetmen gjë që më mbetej: ta mbart ndershëm mbi shpinë. E kjo do të thoshte t’i rikthehesha gjuhës shqipe, pasi kisha përvetësuar mirë gjuhët serbokroate dhe maqedonase. T’i rikthehesha gjuhës, pa të cilën mbetesha si pa atdhe, si shkrimtar i djepit dhe fëmijërisë. Dhe mburrem që ia arrita.

    Fakti që shkruaj e botoj paralelisht edhe në gjuhën maqedonase, më sjell vetëm përparësi “teknike” dhe më mundëson kontakt të drejtpërdrejtë edhe me lexuesit e popullit, me të cilët jetoj në të njëjtin shtet. Sepse përsa i përket karakterit universal të veprës, atë nuk e përcakton fare shumëgjuhësia eventuale e autorit. Veprës së mirë i mjafton gjuha amtare që të bëhet e pranueshme për të gjitha gjuhët e tjera.

    Dygjuhësia ime krijuese shpesh më ka sjellë përparësi, por shpesh edhe më ka përballur me situata paradoksale, si për shembull, ajo gjatë konfliktit të vitit 2001 në Maqedoni kur, për shkak të disa sulmeve në shtypin maqedonas, dhashë një deklaratë publike se nuk do të shkruaj e nuk do të botoj asgjë në gjuhën maqedonase, derisa në këtë shtet nuk zyrtarizohet edhe gjuha ime amtare. Pra, e thashë publikisht se ai që dëshiron t’i botojë tekstet e mia letrare, ato mund t’i marrë e t’i përkthejë në gjuhën që do, se do marr pjesë nëpër tribuna dhe takime vetëm kur do të ketë përkthim simultan nga shqipja në maqedonisht dhe anasjelltas. Kuptohet, kjo i irritoi kolegët e mi maqedonas, por mbase u rikujtova se unë irritohesha me vite, se unë kisha pranuar gjuhën e tyre pa asnjë paragjykim, e aq më shumë m’u bë e papranueshme bindja e tyre se jam i detyruar t’u drejtohem ashtu siç i kishim mësuar me dekada: vetëm në gjuhën e tyre amtare. Pastaj përfundoi konflikti, por e thëna publike mbeti. Ndërkohë, një mik imi – botues maqedonas, duk e ditur se shumë nga tregimet e kësaj përmbledhjeje i kisha botuar në gjuhën maqedonase nëpër revista të ndryshme – më kërkoi përmbledhjen me tregime “Fshati pa varreza”. Por në atë kohë ende nuk ishte përmbushur “kushti” im, dhe ende nuk ishin bërë ndryshimet kushtetuese, që më vonë do ta zyrtarizonin gjuhën shqipe. Kështu që u përballa me dy mundësi: të shkelja fjalën e thënë publikisht, apo të lejoja që libri të përkthehej. Zgjodha të dytën, si një pohim për një mohim. Kjo i habiti kolegët e mi maqedonas, të cilët kërkonin të më bindnin se në këtë shteg dëmtoja veten. Por unë mendova se nuk kisha zgjidhje tjetër. Dhe kështu, në biografinë time, do të mbetet një e dhënë paradoksale fakti që kam botuar libër të përkthyer në maqedonisht, në gjuhën në të cilën shkruaj.

    E dini pse ua rrëfeva këtë? Sepse në një shoqëri normale multietnike, dygjuhësia është përparësi. Ndërsa në këtë Ballkan mund të të kushtojë shtrenjtë. E dini ju si më sulmojnë disa politikanë shqiptarë, kur ndonjëherë ua nxjerr të palarat në shesh: “ai nuk është shkrimtari ynë”, thonë, “ai i takon letërsisë maqedonase”. E këtë ta thonë ata, që asnjëherë nuk kanë arritur ta shqiptojnë tingullin “y” dhe në vend të fjalës “dygjuhësi”, thonë “digjuhësi”, edhe për veten thonë jam “krietar” partie e jo “kryetar”… Këtë e thonë ata që mendojnë se unë ndihem keq kur pohoj: po, i takoj edhe letërsisë maqedonase, jo pse ajo letërsi ka nevojë për mua, jo pse unë jam shtyrë që të radhitem në kolonën e krijuesve maqedonas, por pse i tillë ishte fati im krijues. Aq më shumë, unë mburrem që i takoj një populli, kultura e të cilit është si kopsht ku, sa më tepër këput degë me lule, aq më i fortë bëhet trungu, një popull që u jep të tjerëve, pse ka çfarë t’u japë.

  • Albert CAMUS (Nobel) – Publiku sot duartroket ose fishkëllen rastësisht

    Albert CAMUS (Nobel) – Publiku sot duartroket ose fishkëllen rastësisht

    Në shumicën e rasteve, artisti ka turp nga vetvetja dhe privilegjet e tij, nëse ka të tilla. Përpara së gjithash, atij i duhet t’i përgjigjet pyetjes që shtrohet: a është arti një luks gënjeshtar?

    Përgjigja e parë e ndershme, që mund të jepet, është kjo: në fakt, ndodh që arti të jetë një luks gënjeshtar. Ne e dimë se në urën e galerave, gjithmonë e kudo, mund t’i këndohet yjësive, ndërkohë që të dënuarit me punë të detyrueshme vozisin dhe lodhen në hambarin e anijes; mund edhe të regjistrohet bisdea mondane që vazhdon në shkallët e cirkut, ndërkohë që viktima jep shpirt në gojën e luanit. Dhe është e vështirë ta kundërshtosh këtë art, i cili në të shkuarën ka njohur arritje të mëdha. Një nga akuzat që mund të ngresh kundër tij, është se gjërat kanë ndryshuar paksa dhe, në veçanti, se numri i të dënuarve me punë të detyruar dhe i martirëve është rritur shumë në sipërfaqen e globit. Përpara një mjerimi kaq të madh, ky art, nëse dëshiron të jetë një luks, sot duhet të pranojë të jetë gjithashtu edhe një gënjeshtër.

    Por për çfarë do të fliste ai ? Nëse i përshtatet kërkesave të shoqërisë sonë, në pjesën më të madhe do të jetë argëtim pa kurrëfarë rëndësie. Nëse e refuzon atë në mënyrë të verbër, nëse artisti vendos të izolohet brenda ëndrrës së tij, ai nuk do të shprehë asgjë tjetër përveçse një refuzimi. Në këtë mënyrë do të kishim një prodhim argëtuesish ose gramatikanësh të formës që, në të dyja rastet, ka si rezultat një art të shkëputur nga realiteti i gjallë.

    Përreth thuajse një shekull, ne jetojmë në një shoqëri që nuk është, madje, as edhe shoqëria e parasë (paraja ose ari mund të ngjallin pasione mërshore), por ajo e simboleve abstrakte të parasë. Shoqëria e tregtarëve mund të përkufizohet si një shoqëri, ku gjërat zhduken në dobi të shenjave. Kur një klasë drejtuese nuk i mat pasuritë e saj duke u bazuar në sasinë e tokës apo në numrin e shufrave të arta, por në numrin e shifrave që i përkojnë idealisht njëfarë numri operacionesh shkëmbimi, ajo përpiqet në të njëjtën kohë që ta rrethojë përvojën dhe universin e saj me një lloj mistifikimi. Një shoqëri e bazuar te shenjat, në thelbin e saj, është një shoqëri artificiale ku e vërteta mërshore e individit është e mistifikuar.

    Kështu që nuk do të habitemi, kur të shikojmë se kjo shoqëri ka zgjedhur si fe një moral me parime formale dhe sesi ajo i shkruan fjalët liri e barazi si në burgje, ashtu edhe në tempujt e saj financiarë. Por në të njëjtën kohë, nuk mund të luash me fjalët pa u ndëshkuar. Sot vlera më e përgojuar është ajo e lirisë. Disa njerëz të cekët (gjithmonë kam menduar se ka dy lloj mençurish, mençuria e zgjuar dhe zgjuarësia e trashë) kanë nxjerrë doktrinën se ajo nuk është tjetër, veçse një pengesë në rrugën e progresit të vërtetë. Por ka qenë e mundur të thuhen budallallëqe kaq të mëdha, sepse për njëqind vjet shoqëria tregtare e ka përdorur lirinë në mënyrë përjashtuese e të njëanshme, e ka konsideruar atë si një të drejtë e jo si detyrë, dhe nuk ka pasur frikë të vendoste një liri në parim në shërbim të një shtypjeje që mbretëronte në të vërtetë. Duke u nisur nga ky fakt, përse të habitemi nëse kjo shoqëri nuk i ka kërkuar artit të jetë një instrument çlirimi, por një ushtrim pa pasoja të mëdha dhe një zbavitje e thjeshtë. Tërë ajo botë që karakterizohej nga kokëçarjet për shkak të parave, por mbi të gjitha nga taksiratet për shkak të dashurisë, gjatë shume vitesh ishte e kënaqur me shkrimtarët e saj mondanë dhe me artin më pa vlerë që mund të ekzistonte, ai për të cilin Oskar Uaildi, duke menduar për veten e tij përpara se të kishte njohur burgun, thoshte se vesi më i keq ishte të qenit i sipërfaqshëm.

    Fabrikuesit e artit (ende nuk kam thënë artistët) e Evropës borgjeze, përpara dhe pas 1900, kanë pranuar në këtë mënyrë papërgjegjshmërinë, pasi parpërgjegjshmëria nënkuptonte një shkëputje rraskapitëse nga shoqëria e tyre (ata që janë shkëputur me të vërtetë quheshin Rembo, Niçe, Strinberg dhe të gjithë e dimë shumë mirë çmimin që kanë paguar). Teoria e artit për art, që në fakt nuk është tjetër veçse marrja përsipër e kësaj papërgjegjshmërie, i përket kësaj epoke. Arti për art, zbavitja e një artisti të vetmuar, është me të drejtë arti artificial i një shoqërie të rreme e abstrakte.

    Kurorëzimi i tij i logjikshëm është arti i salloneve ose arti tërësisht formal, i cili ushqehet me preciozitete e abstraksione dhe që ka si rezultat shkatërrimin e çdo realiteti. Disa vepra, ashtu si dhe disa njerëz të mrekullojnë, por në të njëjtën kohë ka edhe shumë shpikje të ndyra që dëmtojnë shumë të tjerë. Si përfundim, arti krijohet jashtë shoqërisë dhe shkëputet nga rrënjët e saj të gjalla.

    Pak nga pak, ndonëse në majë të suksesit, artisti është vetëm, ose të paktën njihet nga kombi i tij vetëm me ndërmjetësinë e shtypit të gjerë apo radios, që do të japin për të një ide të përshtatshme e të thjeshtuar. Me specializimin e artistit, bëhet i nevojshëm edhe vulgarizimi. Kështu, shumë e shumë njerëz do të kenë përshtypjen se e njohin një artist të caktuar të epokës sonë, meqë kanë mësuar nga gazetat se ai rrit kanarina ose se nuk martohet asnjëherë për më tepër se gjashtë muaj. Sot të jesh i famshëm do të thotë të të admirojnë ose të të urrejnë, pa të lexuar. Çdo artist që do të jetë i famshëm në shoqërinë tonë, duhet të dijë se nuk është ai që do të jetë i tillë, por dikush tjetër me emrin e tij, i cili nuk do të ketë asgjë të përbashkët me të dhe ndoshta do të vrasë një ditë brenda tij artistin e vërtetë.

    E si është e mundur të habitemi, po të mendojmë se krijimet me vlerë në Evropën tregtare të shekullit nëntëmbëdhjetë e njëzet, për shembull në letërsi, janë ngritur kundër shoqërisë së kohës së tyre! Mund të thuhet se deri pak para Revolucionit francez, letërsia që lëvrohej ishte kryesisht një letërsi miratuese. Duke u nisur nga çasti kur shoqëria borgjeze e dalë nga revolucioni u stabilizua, u zhvillua një letërsi që karakterizohej nga sensi i revoltës. U mohuan në këtë mënyrë vlerat zyrtare, për shembull te ne, qoftë nga mbartësit e vlerave revolucionare, nga romantikët te Remboja, qoftë nga ata që ruanin vlerat aristokratike, nga të cilët mund të përmendim Vinjinë e Balzakun. Në të dy rastet, populli dhe aristokracia, që janë dy burimet e çdo qytetërimi, radhiten kundër shoqërisë së rreme të kohës së tyre. Por ky refuzim, që me kalimin e kohës u ngurtësua, u bë i rremë dhe çoi në një lloj tjetër steriliteti. Tema e poetit të mallkuar që lindi në një shoqëri tregtare (Shatertoni është shembulli më i mirë), bëri te vetin një paragjylim, sipas të cilit një artistist i mirë duhet të ngrihet gjithmonë kundër shoqërisë së kohës së tij, cilado qoftë ajo. I ligjshëm në origjinën e tij, kur pohonte se një artist i vërtetë nuk mund të bjerë në ujdi me botën e parasë, parimi u bë i rremë kur prej tij nxorën idenë se artisti mund të afirmohej si i tillë vetëm duke qenë kundër gjithçkaje në përgjithësi. Kështu, shumë nga artistët tanë duan të jenë “të mallkuar”, i vret ndërgjegja kur nuk janë të tillë dhe dëshirojnë në të njëjtën kohë si duartrokitjet, ashtu edhe fishkëllimat.

    Natyrisht, duke qenë i lodhur ose shpërfillës, sot publiku duartroket ose fishkëllen rastësisht. Intelektuali i kohës sonë nuk pushon së ngurtësuari për të qenë i madh. Por duke mohuar gjithçka, deri edhe traditën e artit të tij, artistit bashkëkohor i formohet iluzioni se po krijon rregullat e veta dhe arrin deri aty, sa të mendojë se është Zoti. Kështu, ai mendon se është në gjendje të krijojë realitetin e tij. Por, larg shoqërisë, ai do të krijojë vetëm vepra formale dhe abstrakte, prekëse si përjetime, por pa pjellorinë që është karakteristikë e artit të vërtetë, prirja e të cilit është të mbledhë. Si përfundim, ndryshimi ndërmjet stërhollimeve e abstraksioneve bashkëkohore dhe veprës së një Tolstoi ose një Molieri do të jetë po aq i madh, sa edhe ndërmjet tregtisë së shpresuar të një gruri të padukshëm dhe vetë dherave të prekshëm të hullisë.

  • Hart WEGNER – Fjala po përpëlitet në agoni

    Hart WEGNER – Fjala po përpëlitet në agoni

    “Këto të vocklat e të brishtat fjalë, na ngrenë moralisht. Na udhëheqin e na shtypin. Shuajnë luftërat, shkaktojnë debate, i zmadhojnë gabimet, e nxjerrin në shesh të vërtetën.”

    1.

    Para shkrimtarit ishte rapsodi. Para fjalës së shkruar ishte fjala. Përpara gjuhës, poezia e cila na bëri të besojmë që fjala fare mirë mund të jetë edhe send. Poeti filozof Francis Ponzh u mor një jetë të tërë për të zbuluar lidhjet e thella ndërmjet fjalës e sendit. Vepra e tij kryesore, e përbërë nga një poezi relativisht e shkurtër “Le Pré”- shtypur në letër bojëkafe që t’i ngjasonte ngjyrës së tokës nga e cila rritet ky livadh letrar – dhe nga shënime, pjesë ditarësh e variante të ndryshme të kësaj poeme të mbledhura në librin La Fabrique du Pré, është prova më e pakundërshtueshme në mbrojtje të fjalës.

    Fahnestoku përshkruan procesin krijues të Ponzhit me fjalët deri në atë shkallë, sa ato u ngjasojnë sendeve. “Kuptimet e njëpasnjëshme… u japin fjalëve épaisseur-in e tyre, një densitet fizik, por veçanërisht një thellësi semantike. Epaisseur krijon një materie, që i bën fjalët drejtpërdrejtë të këmbyeshme e si të barasvlershme me sendet, dhe jo thjesht simbole arbitrare siç mendojnë pasardhësit e linguistit Sosyr. Duke lexuar shënimet e hollësishme gjatë katër viteve që punoi mbi shtatë faqet e Le Pré-së, ne mund të ndjekim procesin krijues të shtresëzimit të fjalëve me kuptime e shoqërizime të shumta, derisa ato shndërroheshin në sende, “fjalë-si-të-jenë-sende.”

    Procesi krijues i Ponzhit nuk qëndron në transferimin e natyrës në letër, por më tepër në lindjen e natyrës nga letra. Ai flet për lëndinën sikur shpërthen nga letra, në ngjyrë të errët si të tokës. Fleta bëhet dhé, ndërsa poeti shkruan, “Kjo fletë e bardhë duhet të na shpjerë menjëherë te një fletë tjetër, te dhéu ngjyrëkafe”. Pikërisht prej kësaj letre lindi poema. “Në fletën e dhéut kafe kokrrizat e vockla të diturisë nxorën bisqe.” Dhe nëpërmjet këtij procesi lëndina është shndërruar ose krijuar nga poeti. Askush nuk mund të hedhë poshtë fjalët e Novalis: poeti e kupton natyrën më mirë, sesa mendja e një shkencëtari.

    Poeti amerikan Riçard Uilbër, dy herë fitues i çmimit Pulitzer, flet për ndikimin që ka pasur (sidomos Le Parti pris des choses) Francis Ponzhe për të, “duke ma përforcuar shijen për një saktësi konkrete në artin e të shkruarit.”

    2.

    Vetë Rilke ka mësuar nga Rodeni dhe skulpturat e tij se si të përqendrohet në objektet e të krijojë poema, që të jenë jo vetëm shprehje të ndjenjave, por edhe sende konkrete. Në përpjekjet drejt një poezie sa më reale, Rilke krijoi Ding Gedichte, që gjeti shprehjen në Poemat e reja. Rilke, ashtu si edhe Ponzh, vite më vonë i lartësuan sendet  e jetës së përditshme, duke krijuar fjalë-si-të-jetë një lulëkuqe, një gocëdeti apo një pyll me pisha. Sendet e poemave, si edhe fjalët që i përshkruajnë ato,, bëhen të rëndësishme. Toro shkroi në ditarin e tij se “rrënjët e fjalëve janë sendet”, si një përmbyllje të atij pohimi të bërë disa vite më parë se, meqë të gjitha sendet janë të rëndësishme, edhe fjalët duhet të jenë të tilla.

    Shkaku pse duhet të shqetësohemi në lidhje me marrëdhëniet ndërmjet fjalëve e sendeve, është fakti se shumë armiq kërcënojnë fjalën sot. Mungesa e vetëdijes për fjalën e shkruar, zëvendësimi i fjalëve me shkurtimet e numrat, mungesa e dëshirës për t’i mësuar të tjerët, vetveten, puna e pakët që bëhet për të zgjeruar fjalorin vetjak, janë të lidhura me rënien e interesit për lexim. Dhe kjo s’ka ndodhur ngaqë fjala është zhdukur, përkundrazi, fjalët “janë me ne kudo. Në fshehtësinë tonë erotike gjatë gjumit. Ne jemi shpesh më të vetëdijshëm për pështymën sesa për to, paçka se i përdorim më shpesh se edhe vetë këmbët tona.” (Hatitations, 114) Pavarësisht natyrës së tyre të kudondodhur, ato na shërbejnë ashtu si vetëm fjalët mundet. “Këto të vocklat e të brishtat fjalë, na ngrenë moralisht. Na udhëheqin e na shtypin. Shuajnë luftërat, shkaktojnë debate, i zmadhojnë gabimet, e nxjerrin në shesh të vërtetën.” Vlerësimi më i madh që i është blatuar fjalës ndonjëherë, ndodhet në kapitullin e parë të Ungjillit të Shën Gjonit. Ai fillon me këto vargje të famshme: Në fillim ishte Fjala, dhe Fjala ish në Perëndinë, dhe Fjala ishte Perëndia. Po kështu ishte në fillim edhe me Perëndinë. Gjithçka është bërë me anë të Tij; asgjë s’është bërë pa Të. Në Atë është jeta; dhe jeta ishte drita e njerëzve… Dhe Fjala u bë mish, dhe jetoi mes nesh, dhe ne pamë lavdinë e Tij, Lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë. (Gjoni 1:1-4,14)

    Nuk është një çështje e besimit fetar, nëse dikush do t’i pranojë këto vargje si një shpërfaqje e madhështisë dhe rëndësisë së fjalës, qoftë ajo logos prophorikos ose logos endiathetos. Por kuptimi i vërtetë i fjalës Logos e shqetësonte studiuesin Faust, teksa përpiqej të gjente përkthimin e saktë të fjalës, që të pasqyronte përpikëmërisht dramën kozmike të krijimit të botës, sesa thjesht atë të fjalës:

    E shkruar është: “Në fillim qe Fjala”/ Ja ngeca që këtu! Kush më jep ndihmë?/ Unë nuk mund ta çmoj kaq shumë Fjalën./ Pra, duhet ndryshe ta përkthej,/ në më ndriçoftë Shpirti drejt e mirë./ E shkruar është: “Në fillim qe Mendja./ Peshoje mirë këtë varg të parë,/ mos të nxitohet tepër pena!/ Mos është Mendja që i krijon të gjitha?/ Do t’ish më mirë: “Në fillim qe Forca!”/ Por edhe duke shkruar këtë rresht,/ E ndjej që s’do qëndroj këtu./ Më ndihmon Shpirti; tash e shoh të qartë e shkruaj i kënaqur: “Në fillim qe Vepra.”

    Fjala për Shën Gjonin ka një domethënie të tillë, sa ai e përdor për ta njëjtësuar me Krishtin, por njëherazi ajo shërben për të siguruar identitetin e qenieve njerëzore. Në Librin e Shëmbëllimit të Jobit njëri nga zërat pohon: “E di Zot, që s’jam gjë veçse një fjalë.” Nëpërmjet fjalëve, gjuha modelon identitetin tonë vetjak e shoqëror. Francis Ponzh duke cituar nga cogito ergo sum i Dekartit, shkruan: “Flas dhe ti më kupton, si rrjedhim, ne ekzistojmë.” Ekzistencialisti Martin Haideger shikon në fjalët rrënjën “qenie” njerëzore (“Sein”). Novalis thoshte se çdo qenie njerëzore ka gjuhën e vet, pasi gjuha është shprehje e shpirtit. Por ajo mund të shndërrohet në një dizavantazh, siç e ka vënë në dukje edhe R. Bart: “Çdo individ është një i burgosur i gjuhës së tij.” Si rrjedhojë, humbja e fjalës do të thotë humbja e identitetit njerëzor. Identifikimi i njerëzve me numra prej kohësh ishte konsideruar një shenjë barbarizmi. Në filmin gjerman pa zë Varieté (A. E. Dupont, 1925) fokusimi i kamerës te numri i të burgosurit, luajtur nga Emil Jannings, nënvizon qartë poshtërimin e karakterit. Si një fantazmë e bardhë, numri 28 fillon të mbushë tërë ekranin, duke e shndërruar shpinën e të burgosurit ku ndodhej numri në një plan të parë filmimi, si të ishte portreti i Janningsit. Këtu numri është bërë thelbi i qenies të zvetënuar njerëzore.

    Në filmin e Stenli Kubrik “A Clockwork Orange” (1977), vuajtja e protagonistit, e huliganit Aleks, nis që nga çasti kur i caktojnë numrin.

    Kryeroja: Ndodhesh ne burgun H. M. Parkmur. Qysh nga ky çast çdo njeriu do t’i drejtohesh me fjalën “zotëri.” Emrin?

    Aleksi: Aleksanër de Large, zotëri.

    Kryeroja: Sa të kanë dënuar?

    Aleksi: 14 vjet, zotëri.

    Kryeroja: Krimi?

    Aleksi: Vrasje, zotëri.

    Kryeroja: Mirë. Hiqja prangat, zotëri. Ti tani je 655321 dhe mos e harro këtë numër.

    Kohët e fundit, në kutinë time postare më erdhi një revistë. Për titull kishte një seri numrash: 89123, që ishte njëkohësisht edhe kodi postar i zonës sime. Poshtë numrave, me germa të vogla ishte shkruar, “Të krijojmë një komunitet, le ta nisim me banorët e kodit tuaj.” Padyshim, popullsia e zonave të tjera do të ketë marrë revista të ngjashme (natyrisht, për titull duhet te kenë kodet postare të zonave të tyre!). Kësisoj, identiteti ynë do të jetë një kod prej pesë shifrash e jo p.sh.  Xhon Dou, Sahara Avenju, Las Vegas, USA.

    3.

    Ne nuk po vajtojmë vdekjen e një fjale, por faktin që Fjala po përpëlitet në agoni. Profetizuesit e idesë “se po i ikën koha fjalës e bashkë me të edhe gjuhës, ashtu siç e njohim ne”, ka kohë që kanë vënë alarmin. Suzan Sontag ka trajtuar çështjen e të shkruarit mbi filozofinë në një epokë kur sistemet filozofike të së kaluarës janë shpërbërë. Ajo konsideron si më të shquarin në stilin e ri të shkrimeve filozofike eseistin rumun E. M. Çoran, i cili shkruan në frëngjisht, por nën traditën e mendimit të filozofëve të rinj gjermanë, siç demonstrohet në “Aforizmat filozofike të Lichtenbergut”, të Novalisit, të Niçes, në pasazhet e “Elegjitë e Duinos” të Rilkes, si edhe në “Përsiatje mbi Mëkatin, Dhimbjen, Shpresën dhe Udhën e Vërtetë” të Kafkës.”  Më 1956 Çoran profetizoi fatin e tmerrshëm të gjuhës, ndonëse, sipas tij,  ka një dritëz të vogël shprese për një lulëzim delikat para fundit: “S’ka dyshim, ne jemi dëshmitarë të shpërbërjes madhështore të gjuhës. E ardhmja e saj? Ndoshta do të ketë ca impulse ndjeshmërie. . . Fati i saj mund të jetë edhe një agoni e shpejtë vdekjeje.” Kur lexon pohimin e Çoranit, që thotë se kur dashuron një gjuhë, nuk është e ndershme ta mbijetosh atë, çdokush e ka të qartë se nuk ka mbetur asnjë rrugë tjetër për këtë dashnor të fjalës, veçse të hidhet mbi shpatën e tjetrit.

  • Komunizmi dhe nazizmi, dy fytyrat e terrorit

    Komunizmi dhe nazizmi, dy fytyrat e terrorit

    Pse duhet të jetë e pamundur t’i vendosësh në të njejtën pozitë Hitlerin dhe Stalinin? Apo, më ndryshe thënë, totalitarizmi nacionalsocialist është ai komunist në versionin tjetër të tij? Një rezolutë e vitit 2019 e Parlamentit Evropian ka rihapur një çështje me të cilën prej dekadash historianët dhe intelektualët janë përballur ose e shmangin sipas rastit. Por le të shohim pse, me të gjitha ndryshimet në dukje, nuk është e gabueshme të barazosh këto dy përvoja dramatike totalitare

    Nostalgjikët e të majtës pak a shumë radikale, janë gjithmonë vigjilentë në atë që ata konsiderojnë si një nga misionet e tyre historike: të sigurojnë që askush të mos dyshojë në një të vërtetë që deri para disa vitesh ishte pothuajse e zakonshme për të gjithë të majtën, që do të thotë ndryshimi radikal midis NacionalSocializmit, tashmë i përkufizuar në përgjithësi si “E keqja Absolute”, dhe Komunizmi (Sovjetik dhe më gjerë) për të cilin, sipas rojtarëve të sipërpërmendur, mund të flitet maksimumi për “difekte”, por të justifikuara ama nga kushtet e pafavorshme historike dhe ideali i emancipimit të barabartë dhe internacionalist.

    Dhe mesa po shihet, llogaritë me të kaluarën e tyre ish-komunistët duket se kanë vendosur të mos i bëjnë.

    Pra shkaktoi jo pak skandal në atë pjesë të së majtës, por edhe tek shumë intelektualë të mësuar me politikisht korrekten, faktin që Parlamenti Evropian, me rastin e 80-vjetorit të shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, pas një meditimi të gjatë ndërmjet versioneve të ndryshme, miratoi me një shumicë shumë të madhe (535 po) një rezolutë të titulluar “Rëndësia e kujtesës evropiane për të ardhmen e Evropës”, e cila i atribuohet paktit të mos-sulmimit midis BRSS komuniste dhe Gjermanisë nacionalsocialiste [Pakti Molotov-Ribbentrop, 23 gusht 1939, i nënshkruar një javë para fillimit të luftës, që parashikonte ndarjen e Polonisë midis gjermanëve dhe sovjetikëve dhe dritën jeshile për Rusinë për pushtimin edhe të vendeve baltike. Aty vërehet përgjegjësia për shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore dhe vendoset, ndonëse me shumë kontradikta, siç do të shihet, një përballje dhe një shenjë barazimi midis regjimeve dhe ideologjive nacionalsocialiste dhe komuniste.

    Një rezolutë që është në shumë aspekte e pasaktë dhe filozofikisht e kritikueshme, por që ka avantazhin e thyerjes së një tabuje të së majtës, në veçanti kësaj tonës, 60 vjet pas zbulimeve të kongresit XX të Partisë Komuniste Sovjetike, ku sekretari i parë Nikita Hrushovi (1894-1971), i tregoi botës “nga çfarë lotësh dhe çfarë gjaku” është larë revolucioni bolshevik.

    Natyrisht që Hrushovi nuk ishte bërë papritmas demokrat – kishte qenë edhe ai një bashkëpunëtor efiçent dhe besnik i Stalinit … – aq e vërtetë është kjo saqë denoncimi i tij u limitua vetëm në periudhën e stalinizmit e deri në 25 shkurt 1956, në tre vjet (minus një javë) nga vdekja e diktatorit gjeorgjian.

    Por mjaftoi hapja një herë e kutisë së Pandorës, dhe çështja, veçanërisht në botën anglo-saksone, për shumë vite mospërfillëse ndaj botës sovjetike, u përhap shumë shpejt në të gjithë universin komunist, para dhe pas Stalinit, duke vënë në dyshim edhe eksperiencën kineze dhe shumë të tjera.

    Pikërisht ky diskutim mbeti i largët, të paktën deri në rrëzimin e Murit, në vitin 1989, nga e majta e cila, edhe pas kësaj date, është dëshmuar gjithnjë e gatshme për të hapur “dollapin e saj të turpit” dhe në çdo rast nuk ka pranuar kurrë të bëjë krahasime midis eksperimentit nacionalsocialist dhe atij komunist.

    Në të njëjtën mënyrë, ajo ka dënuar gjithmonë si justifikuese analizat e historianit gjerman Ernst Nolte (1923-2016, që fiksonin tek revolucioni bolshevik premisën/kauzën e revolucioneve kryesore konservatore në Evropën Perëndimore: së pari atë fashiste autoritare në Itali dhe më pas atë nacionalsocialiste dhe totalitar në Gjermani.

    Por le të përpiqemi të rinisim arsyetimin mbi evolucionin e opinionit publik në Perëndim ndaj BRSS-së, shtëpia e vërtetë, nënë e ortodoksisë marksiste-leniniste për dekada, përpara se të përpiqemi të vendosim ndonjë një pikë kontakti apo ndryshimi midis nacionalsocializmit dhe komunizmit.

    Kritika ndaj regjimit sovjetik në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, në periudhën midis dy luftërave, ka qenë gjithmonë e kufizuar vetëm për konservatorët, për fashistët dhe për disa fraksione të së majtës radikale, për disa mërgimtarë rusë dhe për pak historianë të formimit liberal, por skarco ka qenë reflektimi i thelluar mbi fenomenin komunist nga një këndvështrim sistemiko-politologjik, kjo edhe për shkak të mungesës së burimeve të drejtpërdrejta dokumentare, lajmeve të pakta që filtronin në Perëndim, propagandës së shfrenuar sovjetike dhe partive në Parajsën e re tokësore si dhe për mbështetjen që shumë intelektualë “të pavarur” vazhdonin t’i japin përvojës komuniste, madje edhe gjatë viteve të spastrimeve, pavarësisht gjyqeve të turpshme kundër disidentëve, ushtarakëve, teknikëve e kështu me rradhë.

    Tronditja nga Pakti Molotov-Ribbentrop, siç thamë më lart, filloi t’i hapë sytë shumë njerëzve, sepse nxirrte në pah një prirje themelore, të paktën në shumë pika, midis dy diktaturave. Por sulmi i mëpasshëm gjerman mbi BRSS (qershor 1941) vuri gjithçka në diskutim në emër të “aleancës së shenjtë” midis Aleatëve Perëndimorë dhe Bashkimit Sovjetik, kundër Hitlerit. Kësaj i shtohej edhe dehja e presidentit amerikan Franklin Delano Roosevelt (1882-1945) i cili, përkundër paralajmërimeve shumta të kryeministrit anglez Winston Churchill (1874-1965), i lejoi Stalinit të pushtonte përfundimisht të gjithë Evropën Lindore të pushtuar nga Ushtria e Kuqe, përfshirë një pjesë të Gjermanisë dhe Polonisë, për çlirimin e së cilës kishte shpërthyer lufta botërore në Evropë. Dhe këto vende ende paguajnë pasojat e asaj përvoje.

    Pra, pavarësisht fillimit të Luftës së Ftohtë, u desh kohë që të fillonte arsyetimi shkencor në lidhje me natyrën e vërtetë të BRSS dhe mbi pikat e kontaktit midis asaj përvoje dhe asaj të Gjermanisë nacionalsocialiste.

    Kategoria të cilës iu drejtuan politologët për të filluar këtë analizë ishte ajo e “totalitarizmit”: një kategori e refuzuar nga e majta deri në vitet e fundit, pikërisht për shkak të implikimeve që shkaktonte ajo. Vetë termi totalitarizëm e ka origjinë më të largët. Vetë Musolini e përcaktoi regjimin e tij si “totalitar”, por se sa pak ishte i tillë, pavarësisht mendimit të disa historianëve, u verifikua më 25 korrik 1943, kur kreu i një qeverie të vetëquajtur totalitare u shkarkua nga Mbreti, pas një votimi kundër të Këshillit të Madh të Fashizmit. Analizat themelore mbi fenomenin e totalitarizmir ridalin në dritë përsëri në 1950.

    Përkufizimi më i plotë është ai i dhënë në 1956 nga CJ Friedrich dhe Z.K. Brzezinski, sipas të cilit regjimet totalitare karakterizohen prej një ideologjie gjithëpërfshirëse e një natyre eskatologjike, një parti e vetme, e udhëhequr nga një diktator, një polici sekrete e gjithëpushtetshme, kontrolli absolut i forcave të armatosura, i mediave dhe i të gjitha organizatave shoqërore, kulturore dhe ekonomike. Me pak fjalë, Shteti politizon qëllimisht dhe e shtrëngon shoqërinë, derisa kufijtë midis shtetit dhe shoqërisë të zhduken në mënyrë progresive.

    Ky revolucion shkon deri në përpjekjen për të zbatuar një mutacion antropologjik të banorëve të Shteteve totalitare, të paraqitura si krijimi i “njeriut të ri”: ariani sundimtar i racave “më të ulëta” ose komunisti i përkushtuar ekskluzivisht për kauzën e proletariatit dhe revolucionit botëror . Në vitin 1951, Hanna Arendt kishte identifikuar si element karakterizues të totalitarizmit edhe përdorimin kapilar dhe të vazhdueshëm, të praktikisht të institucionalizuar të terrorit, psikologjik dhe fizik, për të cilin policia sekrete u bë organi kryesor dhe i privilegjuar i regjimit dhe universi përqendrues institucional qëndror, si në aspektin simbolik ashtu edhe praktik, të fuqisë totalitare. Më pak bindëse rezultuan disa analiza të mëvonshme që lidhnin fenomenin totalitar me një fazë të rritjes së detyruar ekonomike (BRSS dhe Kina), sepse kjo rrethanë nuk ndodh në rastin e Gjermanisë. Po aq e pabazë ishte edhe teza e Samuel P. Huntington sipas të cilit regjimet totalitare mund të imponohen vetëm në fazën e modernizimit, kur teknologjitë u japin aparateve partiake mundësinë për të kontrolluar dhe fuqi të pakushtëzuar, sepse as BRSS në fazën e parë, as Kina maoiste nuk i kishte këto kushte, por sigurisht i shijonte Gjermania e viteve ’30. Me pak fjalë, totalitarizmi nuk është një fëmijë i prapambetjes apo i zhvillimit, sepse mund të imponohet, në rrethana të favorshme, si në vendet e përparuara, ashtu edhe në vendet që, në shkallë të ndryshme, janë larg nga faza e modernizimit. Thënë kjo, mbetet rëndësia e përqëndrimit në kategorinë e totalitarizmit, gjë që ka mundësuar mohimin e barazisë midis Gjermanisë nacionalsocialiste dhe Bashkimit Sovjetik, veçanërisht nga e majta.

    Pasi kemi bërë gjithë këtë parashtrim, nuk mbetet tjetër veçse të përpiqemi evidentojmë, një përmbledhje padyshim të forcuar me historinë si krahasuese, për të parë sesi kondita të ndryshme të nxjerra në pah nga historiografia si thelbësore për ekzistencën e një regjimi totalitar, paraqiten të gjitha, natyrisht me ndryshime specifike, në Gjermaninë hitleriane dhe Rusinë komuniste, dy realitete që mund të konsiderohen si raste ekzemplare të sistemeve totalitare.

    T’ja nisim nga kapja e pushtetit prej të dyja partive (nacionalsocialiste dhe komuniste). Këtu ndryshimi është makroskopik, si demonstrim i faktit se totalitarizmi mund të lindë në mënyra shumë të ndryshme.

    Në Gjermani, Hitleri e mori kancelarinë më 30 janar 1933 i ngarkuar nga presidentit Paul Hindenburg pasi fitoi disa zgjedhje, por vetëm pas vdekjes së këtij të fundit, do të bashkojë të dy postet duke i hapur rrugë një serie masash që çojnë në partinë e vetme, në fundin e lirisë së shtypit dhe në arrestimin e kundërshtarëve.

    Ndërsa në Rusi, partia bolshevike (komuniste) përfaqëson një pakicë absolute në peizazhin politik në kohën e grushtit të shtetit të tetorit 1917 në Pietersburg, por ka në dispozicion një fuqi ushtarake të revolucionarëve profesionistë që i mundësojnë asaj të marrë pushtetin me premtimin e dhënies fund luftës me Gjermaninë (premtim i mbajtur) dhe se do t’ua shpërndajë tokën fshatarëve dhe t’u jepte të gjithë fuqinë sovjetëve (premtim i pambajtur).

    Lufta civile që u zhvillua favorizoi shpërbërjen e Parlamentit (Duma), të partive politike, përfshirë të majtët (menshevikët, socialrevolucionarët, anarkistët, etj.) dhe vendosjen e diktaturës së partisë, të prezantuar si diktatura e proletariatit, e të cilës Partia Komuniste e shpallu veten përfaqësuese unike dhe ekskluzive.

    Partia e vetme është pra një tipar i përbashkët i të dy sistemeve, nacionalsocialist dhe bolshevik.

    Të dy partitë janë bartëse dhe interpretuese të një ideologjie shumë të saktë dhe totalitare që përjashton çdo forcë tjetër politike, sociale dhe kulturore që mund të ndikojë në një mënyrë tjetër në shoqëri.

    Një ideologji me karakterie të forta eskatologjike: në rastin e Gjermanisë, realizimi i supremacisë së popujve gjermanishtfolës dhe të racës ariane (nordike, gjermanike) mbi Evropën dhe botën sllave, me krijimin e “Reich-ut mijëvjeçar” dhe eleminimin e “razave” të konsideruara armiqësore ose të rrezikshme për madhështinë e vetë Reich (hebrenjtë, romët, etj.); në rastin e BRSS, shtrirja e komunizmit në shkallë globale përmes rrjetit të partive të ndryshme të ndërlidhura (Internacionale) dhe eleminimit (politik ose fizik, sipas rastit) të klasave armiqësore (kapitalistët, pronarët e tokave, borgjezia, intelektualët e paangazhuar, etj).

    Në të dy rastet, siç thamë, esencial është identifikimi i një armiku absolut: raca hebraike në rastin e Gjermanisë nacionalsocialiste, borgjezia dhe kapitalizmi në rastin e Bashkimit Sovjetik; për më tepër, me ndryshime të pakta, interpretuesit e këtyre “misioneve historike” janë njerëzit e rinj, të pastruar nga mbeturinat e shoqërive të vjetra dhe të përkushtuar ndaj sakrificës për triumfin e kauzës.

    Përsa i takon karakteristikave të tjera të totalitarizmit, sipas përkufizimit te Friedrich dhe Brzezinski, pra monopoli shtetërore ndaj mjeteve të komunikimit, në organizatat kulturore dhe sociale (ato politike u shtypën për të ndërtuar partinë e vetme, natyrisht), krahasimi midis dy sistemeve, me përjashtim të diferencave që lidhen me karakteristikat historike kombëtare, tregon një ngjashmëri thuajse të barabartë, ku nuk ka shenja se mund të shfaqen forma të mundshme të mospajtimi.

    Në të dyja rastet, mobilizimi i përhershëm i rinisë dhe i kategorive të ndryshme shoqërore tregon një tendencë konvergjente drejt krijimit të një Shteti etik. Ndërsa, në planin ekonomik, dallimet janë shumë të mëdha. Kontrolli sovjetik mbi ekonominë e planifikuar shtetërore është total dhe mbytës, edhe pse karakterizohet kryesisht nga joefikasiteti dhe shpërdorimi.

    Përkundrazi, në Gjermaninë e Hitlerit ekonomia, që mbetet private, është edhe ajo e mobilizuar për arritjen e qëllimeve të synuara nga politika, por kufijtë e autonomisë menaxheriale janë shumë më të mëdha, si rezultat me efikasitetit absolut, siç u verifikua gjatë luftës në të dy vendet.

    Edhe kontrolli i forcave të armatosura nga partia në pushtet është gjithashtu i plotë në të dy sistemet. Në BRSS është e theksuar nga prania e komisionerëve politikë nëpër njësi të ndryshme, të ngarkuar me kontrollin e ortodoksisë ideologjike të drejtuesve ushtarakë.

    Në sezonin e të ashtuquajturave spastrime, të cilat në Rusinë e gjysmës së dytë të viteve Tridhjetë përshkuan të gjitha kategoritë, ku mund të formoheshin forca apo grupe alternative në grupin qeverisës, dhe në veçanti për kryetarin suprem, Stalinin, edhe hierarkitë ushtarake paguan një çmim shumë të lartë, me dhjetëra e mijëra kuadro (marshallë, gjeneralë, kolonelë etj.) u pushkatuan pa gjyq apo me procese farsë.

    Një çmim që u pa kur, në vitin 1941, Gjermania sulmoi BRSS, duke shkaktuar humbjen e shumë milionave ushtarëve dhe qytetarëve rusë edhe falë papërgatitjes dhe reagimit të ngadaltë të Ushtrisë së Kuqe. Në Gjermani, u larguan gradualisht drejtuesit ushtarakë që ishin treguar jo shumë bashkëpunues ndaj regjimit dhe të gjitha forcat e armatosura u lidhën me betimin e besnikërisë ndaj Führerit: një lidhje shumë e fortë, sipas traditës gjermane të respektimit absolut të hierarkisë.

    Kësaj i shtohej kontrolli indirekt që si Gestapo ashtu dhe SS-ja kryenin ndaj drejtuesve të forcave të armatosura. Kur u vërejtën përpjekje për revoltë, me luftën tashmë të humbur, këta prekën vetëm sektorë shumë të kufizuar, të gatshëm të bashkoheshin vetëm në rast se Führer, i cili përfaqësonte garantuesin suprem të të gjitha kufizimeve hierarkike, mund të kishte vdekur. Dhe vijmë në pikën e fundit: policia sekrete, përdorimi sistematik i terrorit dhe gjenocidit dhe shfarosjeve masive.

    Nga ky këndvështrim, këtu është e vështirë të hartohet një pasqyrë e hollësishme e dallimeve/ngjashmërive midis strukturave dhe veprimtarive të dy regjimeve, të cilët në këta sektorë përdorën një pjesë të madhe të burimeve të tyre.

    Netët e shumë qytetarëve rusë dhe gjermanë shoqëroheshin me terror kur dëgjohej një makinë të ndalonte nën shtëpitë e tyre dhe shikonin tek zbrisnin, në Gjermani kapotat e zeza prej lëkure të Gestapos ose kafkat e vdekjes mbi kapelet SS, në Rusi simbolet blu të Čeka (më vonë NKVD dhe akoma më vonë KGB).

    Gjithëpushtetshmëria e këtyre njësive policore ishte absolute, siç edhe të palimituara ishin mjetet e përdorura për të zhvatur rrëfimet pa themel dhe për të dërguar të burgosurit nëpër proceset farsë, kur gjykoheshin të nevojshme, ose për t’i eliminuar drejtpërdrejt.

    Por elementi më karakteristik i dy regjimeve nuk është vetëm terrorizmi shtetëror, i përdorur në mënyrë korrekte si mjet për menaxhimin politik të vendeve përkatëse (edhe pse në Gjermani pas eleminimit fillestar të kundërshtarëve, konsensusi për qeverinë ishte sigurisht shumicë), siç ishte politika e shfarosjes në shkallë të gjerë e praktikuar në bazë të një programi politik specifik.

    Në rastin e Gjermanisë, padyshim më i njohur, pasi u neutralizuar qysh në fillimet e marrjes së pushtetit kundërshtarët politikë, një politikë e tillë synonte kryesisht, siç u tha, në eleminimin nga kontinenti evropian të “racës hebraike”, e paraqitur si një rrezik për pastërtinë e racës ariane dhe si shkaku kryesor i të këquave që kishte kaluar Gjermania.

    Ishte e ashtuquajtura “Zgjidhja përfundimtare”, e planifikuar nga janari i vitit 1942, por e praktikuar me metoda të ndryshme që nga fillimi i luftës në zinxhirin haluçinant të montazhit të dhomave të gazit dhe furrave kremuese.

    Por, përveç hebrenjve (dhe romëve, homoseksualëve, njerëz me aftësi të kufizuara …), dhjetëra mijëra banorë të territoreve të okupuara përjetuan po ashtu të njëjtin fund, duke filluar me pushtimin e Polonisë dhe më pas në pjesën tjetër të Evropës dhe veçanërisht në territoret e Bashkimit Sovjetik.

    Në rastin e Rusisë komuniste, shifrat dhe lajmet janë më pak të sakta sepse ato kanë dalë në mënyra episodike gjatë viteve të ‘arta’ të regjimit falë disa disidentëve të arratisur dhe, edhe pas rënies së tij, ato kanë qenë në duar të studiuesve me raste, sipas mundësisë, pak a shumë të favorshme, të qasjes në arkivat ruse.

    Sido që të jetë, ka të dhëna të pamohueshme: miliona të vdekur gjatë viteve të para të luftës civile dhe luftës së komunistëve, gjatë së cilës uria vrau më shumë njerëz sesa vetë konflikt; më pas gjashtë milion të vdekur (nga të cilët katër në Ukrainë) nga politika e kolektivizimit të detyruar (fushata kundër kulakëve), e praktikuar nëçër fshat me urinë masive që pasoi, midis viteve 1928 dhe 1930; nga shtatëqind mijë deri në një milion të vdekur gjatë spastrimeve të vitit 1937-38, ku u përfshinë anëtarët e partisë, ushtarakë, teknikë, etj .; dhe sërish tre milion vdekje të tjera nëpër GuLag, të cilat kurrë nuk krijuan zhurmë, sepse ishin të fshehura si fantazmat diku midis stuhive të borës siberiane. Mund të vazhdonim me listën e krimeve, por mbase nuk është e nevojshme në këtë kontekst .

    E megjithatë, vlen të shtohet se, përtej Paktit Molotov-Ribbentrop, i cili hapi rrugën ndarjes së Polonisë midis Gjermanisë dhe BRSS, të dy regjimet praktikuan një politikë shfarosjeje (nganjëherë me marrëveshje të ndërsjellë, si në rastin e Paktit ) nëpër territoret e Evropës Lindore, siç është dokumentuar nga studimi i historianit amerikan Timoty Snyder (“Bloodlands. Europe in the control of Hitler and Stalin, 2011).

    Është i njohur fakti i masakrës së Katyn (në rajonin Smolensk të Rusisë) të 22 mijë oficerëve polakë nga NKVD ruse në prill 1940, si dhe ajo e 37 mijë hebrenjve në Babi Jar (Kiev) nga njësitë speciale SS në 1941. Në të dyja rastet shfarosjet praktikuan me metodën e të pushkatimeve masive dhe futjen e të vrarëve nëpër varre të mëdha masive.

    Dhe janë vetëm dy shembuj ndër shumët që mund të bëhen. Si përfundim, me siguri gulagët janë krijuar para kampeve të përqendrimit naziste dhe primati në numrin e viktimave ndoshta i përket regjimit sovjetik, megjithëse, duhet kujtuar, ky i fundit ka mundur të ushtrojë sundimin e tij për 70 vjet (nga të cilat 40 edhe mbi vendet e Evropës Lindore), ndërsa nacionalsocializmi e mbajti pushtetin vetëm për 12 vjet.

    Ky ndryshim, që nuk ka ndonjë peshë të konsiderueshme në krahasimin historik, megjithatë, së bashku me kushtet e ndryshme historike të dy vendeve dhe ato të kontrolluara prej tyre, ndoshta kontribuon në shpjegimin se si dhe pse vendet që kanë jetuar nën regjimin komunist kanë dalë ose ende përpiqen të dalin, pak a shumë me shpejtësi dhe me vështirësi më të mëdha ose më të vogla, nga përvoja totalitare.

    Këto janë faktet nga të cilat hodhi hapat e para rezoluta e Parlamentit Evropian, që ka të paktën meritën e plasaritjes së murit të hipokrizisë, që, veçanërisht në vendin tonë, ka rrethuar gjithnjë dy përvojat kryesore totalitare të shekullit XX. Sidoqoftë, edhe në këtë rast, një hap përpara dhe një hap prapa.

    Sepse, nëse në pikën 5 të rezolutës vendet e Unionit ftohen të bëjnë vlerësime të sakta mbi “krimet dhe aktet e agresionit të kryera nga regjimet totalitare komuniste dhe regjimi nazist”, në pikën 6 ata dënojnë “të gjitha manifestimet dhe përhapjet e ideologjive totalitare, siç janë nazizmi dhe stalinizmi brenda Unionit “.

    Me një kryevepër hipokrizie gjuhësore, Komunizmi, i dënuar në pikën 5, rrudhet në “Stalinizëm” në atë në vijim. Në këtë mënyrë, komunikimi dhe historiografia komuniste dhe përgjithësisht e majta do të vazhdojë, pak a shumë e pashqetësuar, të valëvisë flamujt e saj dhe të propagandojë ideologjinë e saj, ndonëse me një ton më të ulët, brenda Bashkimit Evropian, duke u dhënë mundësi shumë prej tyre që të mos e bëjnë atë ekzaminim të ndërgjegjes historike, që siç e thamë që në fillim, gjithmonë e kanë refuzuar.

    Përgatiti Edi DELIU

    Vijon