Blog

  • Red VARAKU – Përdorimi i viktimave të 21 Janarit për fushatë është më shumë se hipokrizi politike

    Edi Rama u shfaq sërish në këtë 21 janar nën të njëjtën regji mediokre dhe me të njëjtët aktorë të lodhur në ritualin e tij të përvitshëm të vendosjes së karafilave në vendin e ngjarjes bashkë me familjarët e viktimave.

    Absolutisht një akt krejt i logjikshëm që do ta bënte çdo njeri , i cili jo vetëm i hodhi ata si mish për top para kryeministrisë për të marrë pushtetin me dhunë dhe i përdori ata sistematikisht për interesin e tij, por edhe për faktin se ka premtuar publikisht se do të zbardhë këtë çështje dhe autorët do t’i çojë para drejtësisë.

    Në fakt , kjo do të ishte fare normale edhe pse pas tetë vjetësh në pushtet nuk ka më asnjë justifikim dhe është krejt e pafalshme për të që të dalë sërish para familjarëve të viktimave dhe të justifikohet me të njëjtat argumente, por gjithsesi pafuqia për të bërë drejtësi të bën të ulësh kokën, por nuk është se të fajëson, aq më tepër kur pretendon se drejtësia është e pavarur.

    Problemi dhe hipokrizia fillon kur ti tenton ta përdorësh sërish këtë fatkeqësi për t’i hedhur hi syve qytetarëve dhe për fushatë elektorale në funksion të pushtetit.

    Kjo sepse shpallja e tyre dëshmorë mund të bëhej që në 2019 me vendimin e Presidentit Ilir Meta që e përfshinte këtë kategori në një kategori që e meritonte këtë titull.

    Madje dhe kërkesa qesharake e drejtorisë së policisë për të rihapur hetimin për Aleks Nikën mund të ishte bërë shumë vite më parë edhe pse është një akt në vetvete pa asnjë domethënie juridike.

    Por fakti që bëhet pikërisht tre muaj para zgjedhjeve politike dëshmon që ky kryeministër jo vetëm nuk ndien asnjë dhimbje për humbjen e jetës së tyre dhe nuk ndien asnjë përgjegjësi për zbardhjen e kësaj ngjarje, por ai kërkon t’i përdorë sërish këto viktima dhe dhimbjen e familjarëve të tyre në funksion të fushatës elektorale për të mbajtur pushtetin.

    Pra, pasi erdhi në pushtet duke shkelur mbi kufomat e këtyre viktimave dhe duke firmosur marrëveshjen me LSI me gjakun e tyre , si një nekrofil politik, ai po tenton të vjedhë sërish nga lavdia e tyre për të mbajtur pushtetin.

    Të bësh politikë me vdekjen e katër qytetarëve dhe të tallesh me familjarët e tyre duke i shitur plot pompozitet një letër bakalli të Drejtorisë së Policisë si një rihapje të çështjes tetë vjet pasi i ke marrë të gjitha pushtetet, nuk është vetëm e pamoralshme politikisht, por dëshmon dhe degradimin mendor të pashembullt të këtij njeriu.

    Kjo është t’i marrësh njerëzit për idiotë, sepse sot këtë nuk e ha dot më njeri përveç atyre që ushqehen dhe ushqejnë epshin e tyre me gjakun e këtyre viktimave.

    Të gjithë shqiptarët e kanë të qartë se kush e komandon drejtësinë e re, ashtu siç e kanë të qartë që përdorimi i gjakut të Faikut, Ziverit, Aleksit dhe Hekuranit për fushatë elektorale i tejkalon kufijtë e hipokrizisë politike, është kanibalizëm politik.

  • Armand SHKULLAKU – Pse bllofet e skandalet nuk i ndahen Edi Ramës

    I frustuar nga mungesa e rezultateve të dukshme në 8 vjet qeverisje, Edi Rama ka rënë përsëri dje në kurthin e premtimeve të pambajtura. Ai që premtoi 300 mijë vende të reja pune në mandatin e tij të parë, rezulton me një shifër qesharake (të cilën u mundua ta zmadhojë me formalizimin e të punësuarve ekzistues) dhe për më tepër pa asnjë shpresë se mund ta arrijë si premtim edhe sikur të rrijë 8 vjet të tjera në pushtet. Përpjekja sfilitëse për të shitur diçka që nuk e ka, po e shtyn çdo ditë kryeministrin në veprime e qëndrime që ose e nxjerrin bllof ose prodhojnë skandale.

    Manipulimi i trashë me vendet e punës, është vetëm një prej tyre. Tre muaj para zgjedhjeve dhe me dy mandate në krye të vendit, drama e Edi Ramës është bilanci i qeverisjes. Asnjë qeveri para tij, nuk ka qenë në këtë gjendje para zgjedhjeve. Vendet e punës, ulja e varfërisë, rritja e rrogave dhe pensioneve, shëndetësia falas, investimet e huaja, ndihma për familjet në nevojë, zbutja e pabarazisë, shtimi i buxhetit për arsimin e sektorë të tjerë, hapja e negociatave që në vitin e parë të qeverisjes, lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit, janë të gjitha premtime të pambajtura. Në kontrast me to, thellimi i varfërisë, kriza e sistemit shëndetësor e arsimor, emigrimi masiv, bllokimi i negociatave, depërtimi i kriminelëve deri në nivelet më të larta të shtetit, korruspioni i shpërfaqur në dhjetra skandale, asnjë investim i huaj i qenësishëm madje dhjetra miliona euro që po u paguhen nga taksat e shqiptarëve investitorëve të huaj, tendera e koncensione nga inceneratorët e deri tek shërbimet në spitale që po përpijnë pjesë të rëndësishme të buxhetit, është tabloja e një qeverisje, për të cilën Edi Rama ka marrë përsipër misionin e pamundur ta shesë duke e ngjyer me bojëra të tjera.

    Aq eklatant është dështimi i 8 vjeçarit Rama sa edhe mbështetësit e tij mediatikë më lëkurëpandjeshëm, e kanë të pamundur ta mbrojnë publikisht. Thuajse asnjë prej tyre nuk avokon dot në publik ndonjë të arritur të qeverisë, duke e mbushur këtë boshllëk me sulmin ndaj opozitës, si e vetmja arsye që kryerilindasi të mbetet në pushtet.

    Në fakt, në çdo vend normal, kur afron ora e zgjedhjeve bëhet bilanci i qeverisë. Gjykohet menaxhimi katër vjeçar i atij që i janë besuar paratë publike dhe në varësi të rezultateve diskutohet rinovimi apo largimi. I vetëdijshëm se ky gjykim do të ishte i pamëshirshëm me të, kryeministri ka thelluar strategjinë e tij për të zëvendësuar rezultatet konkrete me propagandë dhe spektakël. Duke qenë së një ndërmarrje e tillë është e pamundur, rrugëtimi i çartur i kryeministrit është i destinuar të prodhojë bllofe dhe skandale. Ai është i dënuar të dalë zbuluar sa më shumë rraskapitet të shesë sapunin për djathë.

    Edi Rama del nëpër Shqipëri dhe sulmon për shembull rrugët e bëra nga qeveria para tij. Dhe kur do të tregojë ndonjë kilometër që ka bërë në 8 vite, ato ose i shemben ose i përmbyten pa mbaruar ende turi i propagandës. Kryeministri nxjerr ministrat në terren me kaska në kokë për të shpalosur ditën planet 3D të zhvillimit, natën ata u shfaqen qytetarëve në gostitë e kripura të Nusret Beut. Lideri thotë se do i shpëtojë shqiptarët nga Covid sepse falë tij u sigurua vaksina dhe krejt procesi i vihet në dyshim nga një valixhe me 900 copë që s’dihet nga kanë ardhur e si kanë ardhur. Ai bën spektakël në stadium e premton qindra mijëra vaksina, por ndërkohë në 8 ditë arrijnë të vaksinohen vetëm 447 mjekë dhe sasia që premtoi se do t’i vinte në gjysmën e parë të janarit ende nuk ka mbërritur. Flet se do të vinë investime të mëdha të huaja, ndërsa mbërrijnë vetëm faturat e arbitrazhit me miliona që duhet t’u paguajmë ne të huajve. Lë të kuptohet se do pajtojë Greqinë me Turqinë dhe ngel në klasë tri herë rresht me negociatat. U tregon shqiptarëve se falë tij ata po hedhin valle në gojë të ujkut, por e nxjerrin zbuluar reagimet e BE dhe Francës.

    Një këshilltar i mirë, jo nga ata që i mbushin mendjen se po shkëlqen me manipulimet e tij, do të duhej t’i sugjeronte kryeministrit se kur nuk ke bërë asgjë, më mirë është të vazhdosh të mos bësh asgjë. Përndryshe, këto tre muaj është e garantuar që do shohim e do dëgjojmë bllofe e skandale të tjera.

  • Andi BUSHATI – Paç armiqtë e Albinit

    Ka momente të rralla në politikë, kur kapriçot e fatit janë aq shumë pro dikujt sa i bëjnë edhe kundërshtarët të punojnë pro tij. Kjo fabul po ndodh me Albin Kurtin dhe marshimin e tij drejt një fitoreje të pa parë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

    Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve në Kosovë ka marrë së fundi vendimin për të penguar kandidimin e liderit të Vetëvendosjes si deputet, duke u reshtuar përkrah të gjithë atyre institucioneve të një bote në rrënim që duan të pengonë të pandalshmen.

    Natyrisht, juristët, njohësit e kushtetutës dhe politologët janë të ndarë rreth aspektit teknik të ligjshmërisë së këtij akti.

    Ka nga ata që mendojnë se Gjykata kushtetuese, së bashku me vendimin për të shpënë vendin në zgjedhje të parakohshme, i kapërceu kufijtë e saj me interpretimin pothuajse “ad hominem”, që bëri për deputetët e dënuar. Ka të tjerë që reken të argumentojnë se sado i drejtë apo jo të jetë ky verdikt, ai nuk e prek Albin Kurtin, pasi ai nuk është dënuar me burgim, por me kusht.

    Por, pavarësisht nga kjo përplasje, që në një terren si Kosova i ngjan debatit për sksin e ëngjëjve, perceptimi publik për atë që po ndodh është krejt tjetër.

    Ai përkthehet me gjuhën e thjeshtë, se një kastë e vogël po përpiqet me ç’do mjet të frenojë një ndryshim të madh.

    Pak kush mund të jetë në gjendje të kuptojë se ç’vlerë kanë dënimet penale ndaj Kurtit, kur protestat e tij me gaz lotësjellës shërbyen për ndalimin e një republike të re Serbska?

    Pak kush mund ti quajë normale prangat dhe ditët e tij të burgut, në një Kosovë të pavarur, kur gjithë kapsit e shtetit janë të pagjykuar për vjedhjet e bëra?

    Në logjikën e këtij linçimi përkthehet edhe rrëzimi me grusht shteti parlamentar që iu bë qeverisë së zgjedhur nga vota popullore e 6 tetorit.

    Në këtë vazhdë shihen edhe koncesionet qesharake që ishin të gatshëm të bënin sahanlëpirësit e Grenellit, vetëm për të rrëzuar nga pushteti Vetëvendosjen.

    E domosdo, në këtë optikë do të interpretohen edhe përpjekjet për ta ndaluar Albinin të jetë deputet i parlamenti të ri, apo qoftë edhe më pas, orvatjet për ta ndaluar të rikthehet si kryeministër.

    Pra, të gjitha këto përpëlitje, ligjore ose jo, të arsyetuara, apo aspak të tilla, po i bëjnë liderit të Vetvendosjes dhuratën më të mirë që dikush mund të presë në zgjedhje: atë të viktimizimit.

    Albin Kurti po hyn në fushatë me aureolën e atij që duan me çdo kusht ta pengojnë të vihet në shërbim të njerëzve, me petkun e atij që nuk po e lënë të ndëshkojë grabitësit dhe oligarkët, me kostumin e të kryqëzuarit prej një pakice që mendon vetëm për interesat e saj.

    Votuesit e tij, për të cilët historia e afërt ka dëshmuar se shumohen pas çdo padrejtësie, me gjasë do ta shohin edhe këtë të fundit, si një penalizim ndaj vullnetit të tyre, si një shtrembrim që i bëhet lojës demokratike.  

    Pra, edhe përfaqësuesit e politikës së vjetër edhe institucionet që ngritën ata, paradoksalisht, duket sikur po punojnë për fitoren e pashmangshme të Vetëvendosjes. Në këtë kuptim, çdo përkrahës i saj mund të thoshte sot me ironi: “Nuk ka fat më të madh sesa të kesh armiqtë që ka Albini”.

    Por, ajo që ofron shijen frutit të dhuruar për njërën palë, mund ta ketë bishtin mbrapa për Kosovën. Sepse duke e viktimizuar deri në këtë masë Albin Kurtin, duke u vetë diskredituar kaq shumë në këtë proces, kundërshtarët e tij do ta kenë shumë të vështirë në të ardhmen.

    Me municionin që kanë shpenzuar, me plumbat qorrë që kanë shtirë në ajër, ata nuk do jenë në gjendje ta ndalojnë edhe nëse Albin Kurti rezulton më i rrezikshëm se ai që kanë parë në ëndrrat e tyre.  Ata nuk do të kenë më, as kredibilitetin dhe as mjetet, për të shpëtuar qoftë veten, qoftë Kosovën, nga ai që e vizatuan si diktatorin e ardhshëm, të cilit i duhej prerë me çdo kusht rruga e pushtetit.

  • Gentian Gaba – Ku po e çon mushka, Edi Ramën?

    Gjuha e helmatisur e Edi Ramës ndaj Bashkimit Europian, ka shkaktuar debatin për të cilin kryeministri kishte shumë nevojë. Një fllad freskie, për të lëvizur sadopak ajrin e rëndë që mbush ambientet e një pushteti të mbytur nga stanjacioni i mosarritjeve.

    Një debat që i lejon Ramës ta vozisë opinionin publik larg vetes, larg premtimeve të pambajtura, larg dështimeve të njëpasnjëshme në fushën e integrimit europian. Një debat që ngjason shumë me fabulën e Ezopit, dhelpra dhe rrushi.

    Që përpiqet ta pikturojë Europën e paarritshme nga Rama, si të keqe, ndërsa nga ana tjetër kryeministri kërkon që me këto lëshime të gojës, të shfaqë veten njëkohësisht sypetrit përballë “imperialistëve”, si dhe të djegur nga “padrejtësia” e shpërndarjes së vaksinës. Vaksinë për të cilën ai, “lideri botëror”, po bën përpjekje të hatashme për ta siguruar për popullin e tij.

    Një retorikë që nga njëra anë kërkon të rrisë imazhin e ‘liderit’, ndërsa nga tjetra kërkon ta transformojë vaksinimin në një mision në dukje të pamundur, për t’i dhuruar në çdo dozë të injektuar, sado të pakta qofshin ato, një mundësi për ta portretizuar atë si shpëtimtar. Pra, një elektoralizim i tejskajshëm për një ndodhi që do të jetë e gjithëbotshme, (herët apo vonë vaksina do të vijë në sasinë e duhur në Ballkan dhe në Shqipëri) dhe që na ilustron edhe njëherë se si aventurat me sytë nga zgjedhjet, rrezikojnë të prodhojnë efekte anësore për vendin tonë.

    Jo se Bashkimi Europian do t’i mbajë si vath në vesh deklaratat e Ramës, me qëllim ndëshkimin e Shqipërisë. As do të ndëshkojë Ramën, sepse tashmë e dinë se me kë kanë të bëjnë dhe çfarë ka bërë gjatë qeverisjes së tij.

    Rreziku real, duke pasur parasysh edhe intensitetin e propagandës kryeministrore, e cila depërton në çdo media, të reja e të vjetra, është krijimi te një pjesë e opinionit publik i një ndjeshmërie antieuropiane, e cila mund ta shohë Europën me sytë e Ramës, i cili, nga ana tjetër, e sheh BE-në duke mbajtur një sy nga hallet e tij zgjedhore, dhe jo si një bashkim vlerash që, paçka problemeve të brendshme, ngrihet mbi një model demokratik që garanton liri dhe mirëqenie për qytetarët e Unionit. Një Union që ka qenë dhe mbetet një nga donatorët më të mëdhenj për Shqipërinë, bujaria e të cilit nuk ndalet nga populizmi me të cilën trajton këto çështje, Edi Rama.

    Ky i fundit, sado i ethshëm për të marrë pjesë në debatet mbi gjendjen e BE-së dhe të ardhmen e saj, është ndër politikanët që e ka më të lehtë të shohë ashklën te syri i tjetrit se sa traun te syri i tij.

    Sepse ideatori i monizmit të ri shqiptar, përçarësi dhe armiku i debatit politik, nuk ka çfarë t’u mësojë europianëve. Në këto raste do të ishte e udhës që kryeministri të kundronte pa filtrat e propagandës qeverisjen e tij: korrupsionin, krimin e organizuar që ndërhyn në zgjedhje, kriminalizimin e institucioneve, kanabizimin e vendit, azilkërkuesit që janë shumëfishuar gjatë qeverisjes së tij, PPP-të që i kanë marrë frymën buxhetit, sidomos shëndetësisë, ndihmën më të ulët ekonomike për pandeminë, e kështu me radhë, për të kuptuar se nuk do të kishte nevojë të lypte e as të lëshonte vikama kundër BE-së, por do të ishte në gjendje të përballonte më së miri sfidat, madje do të ishte edhe më pranë Europës.

    “Ku po të çon mushka?”- është një shprehje popullore që i rri si dorashkë këtij momenti të politikës sonë. Me sa duket Edi Rama këtë e di, dhe është një zgjedhje që ai e bën për shkak të 25 prillit që po afron. Ndërsa qytetarët, të cilët nuk janë pyetur për këtë shteg të ri të diplomacisë personale të kryeministrit, po të njëjtën ditë duhet të mbajnë një qëndrim: Ramën ose Europën. Një zgjedhje në dukje jo e vështirë, pasi dihet se ku të çon mushka…

  • Armand MAHO – 21 janari në kohërat e Nusretit

    Armand MAHO – 21 janari në kohërat e Nusretit

    Në këto kohë të vështira, Rama gjeti kohën dhe humorin të bënte sërish Show-n e çdo  viti me  viktimat e 21 Janarit. E njëjta fytyrë e dëshpëruar, i njëjti  tekst, i njëjti skenar. Imazhi i shpirtkëputurit, që po e pengon drejtësia  prej tetë vjetësh të zbardhë drejtësinë.

    Koha ka treguar se Rama kujtohet për viktimat në mëngjesin e çdo 21 Janari, kur i duhet të bëhet gati përpara pasqyrës për aktrimin e tij të radhës.  Është e turpshme që ai vazhdon ta përdorë edhe në vitin e fundit të mandatit. Atyre familjeve ai i ka një borxh të madh; të paktën në këtë ditë duhet të kishte lënë akuzat dhe të kish kërkuar falje.

    Se sa e përgjegjegjshme është qeverisja e tij, këtë e kanë treguar skandalet e njëpasnjëshme. Se sa i respektojnë vuajtjet e njerëzve që rropaten të paguajnë taksat që rriten vit pas viti, e tregoi darka e Dubait në ditë të qametit, e njerëzve të tij. Akoma më i pabesueshëm bëhet kryeministri kur mendon se qindra apo mijra viktima të tërmetit që ra një vit më parë, vazhdojnë të ngrihen e ngrysen jashtë në këto ditë të acarta. Akoma më e trishtë bëhet panorama kur mendon bisedat e Tires së tij me hallexhinjtë e pandemisë.

    Me gjakun e viktimave të 21 Janarit, kryeministri rreket të zëvëndësojë mungesën e bilanceve qeverisëse. Vjedhjen e  taksave, varfërinë e shtuar, masakrën në shëndetësi. Këtë e bën në një kohë që komandantin e grupit të zjarrit e ka bërë kryetar bashkie, dhe akoma më qesharak shfaqet kur premton se do të ndëshkohen ata që nuk vepruan për të bërë drejtësi.  Natyrisht, ai s’mund të thotë se mbi ato katër viktima ngriti rrugën drejt pushtetit.

    E gjithsesi, kjo  asesi s’mund  ta ndihmojë të dalë nga bataku ku është zhytur. Show i radhës mund ta ndihmojë deri nga orët e pasdites për të karikuar sadopak militantët e verbër, që shohin nga ekranet e televizioneve karafilat që hidhen mbi trotuar. Por në fund të ditës, kur gjakrat të jenë ulur, kur të shohin se të ardhurat kanë firuar nga ngritja e çmimeve dhe energjisë, gishti i akuzës do të ngrihet sërish  tek ai. Edi Rama në rast se nuk e ka kuptuar, ka ardhur koha  të fiksojë se në këtë vend s’ka më budallenj që nuk e dinë kauzën e 21 Janarit. Pasi e përdori dhe e flaku tej, atë e zëvëndësuan  PPP-të dhe  rrobat  firmato të atyre që përfituan nga pushteti që erdhi më pas.

    Përveç  mjekrës që i është zbardhur që nga 21 janari i 2011-s, Rama gjithçka tjetër e ka shndërruar sot në një realitet të zi. Titulli që i dha sot katër viktimave mund ta zbusë deri diku dhimbjen e familjarëve, por kurrsesi s’mund të zbusë dhimbjen e halleve për pjesën tjetër të shqiptarëve, që fati i keq u ra të përjetonin qeverisjen e Edi Ramës.

  • Enkel DEMI – Ti nuk din as me ta lyp… (Përse Edi Rama nuk e pushton Francën?)

    Enkel DEMI – Ti nuk din as me ta lyp… (Përse Edi Rama nuk e pushton Francën?)

    Këtë këngë i këndoi Franca Edi Ramës, udhëheqësit megalloman të Shqipërisë. Para do ditësh ky i fundit doli në një konferencë për shtyp dhe porsi gjeli majë plehut kakariste dhe u fryhej gazetarëve duke thënë: “Unë jam njish!”. Duke ndjenjur gjithë ditën me “të fortë” lideri global flet si ata, bën humor si ata, kanos si ata me të njëjtat ngjyrime emocionale të fjalës, me të njëjtin fjalor të shpendit që e bëjnë therror për Vit’ të Ri.

    Me një fjalë, ai po u tregonte njerëzve se është më i miri për të lypur (përherë për të mirën e vendit të tij). Pas këtyre fjalëve si një udhëheqës i përmasës së madhe që po vendos paqen në botë nga konflikti në Nargono-Karabak e deri Turqi-Greqi, ju lëshua Bashkimit Europian.

    Në mendjen e tij të vogël sa të një zogu kapadai BE-ja është Luigj Soreka apo ndonjë si ai që i ka në librin e pagës. Natyrisht dhe zotni Luigji dikur ia shprehte me sms që ishte “njish”, por nuk e çon dot më tej ullukun e ujit.

    Edi Rama gjendet sot në krye të vendit me përqindjen më të ulët të vaksinimit në Europë. Valixhia magjike kontrabandë me ato pak doza ia vlejti vetëm sa të ngjiste pullën në ballë doktor Tritan Kalo. Të tjerat “me kismet”.

    Edi Rama udhëheq qeverinë e Nusretit, e cila nuk e ka idenë kur, si qysh, tek do nisë e do të vazhdojë me vaksinimin. Ka reaguar me vonesë, është sjellë në tregun e madh botëror si maçok që këndellet në diell. Në Serbi vaksinat erdhën në një sasi të konsiderueshme nga Kina, ndërsa vëllami Vuçiç as lypi, as sulmoi Europën. Askush në BE nuk e ka për zemër që ai po bën diversion të hapur me Kinën a Rusinë, por asnjeri në këto kohë nuk shihet me sy të keq, nëse dëshiron që të ndihmojë popullin e tij.

    Edi Rama është ndrysh’, ai nuk do që ta ndihmojë, por që ta gënjejë. Gënjeu qysh në krye, kur thoshte se kreu punë me COVAX, gënjeu kur shkoi në SHBA për të bërë shopping dhe doli në foto me drejtorin e Pfizer, po gënjen edhe sot me BE-në. Në kohën kur shtetet fqinje hynin në trativa direkte me kompanitë që mund të prodhonin vaksinat, ky kursente parapagesat, se kishte hallin e PPP-ve. Sot, nuk ka për shqiptarët, jo sepse Macron-i mban vaksina kot në magazet e tij, por sepse nuk je në planin e prodhimit, meqë nuk ke bërë më parë rezervimet.

    Spanja do e vaksinojë 70 për qind të popullsisë deri në qershor, Italia po ashtu. Janë shtete që kanë popullsi 20 deri në 30 herë më të madhe se Shqipëria, e cila sipas “njishit të lypësave” ka nevojë për 14 muaj që t’i kryejë vaksinat.

    Natyrisht, “vaksinimi” do të vazhdojë me parrullën lozonjare “Shqipëria buzëqesh”, shoqëruar me propagandën e ethshme të stadiumit. Që tani po e çmojmë shumë faktin që me një valixhe kontrabandë Edi Rama ka vaksinuar tre milionë e gjysëm shqiptarë. A e mendon njeri se sa do të arrijë me 10 mijë dozat e para që do i vijnë?

    Nejse, rëndësi ka që ai është “njishi”, i cili po u nevrikos edhe pak e pushton Francën. Madje, në një drekë që pati me “të fortët” u tha atyre me të folmen e tij të rafinuar: “A t’i bim’ Francës?”. “Po ‘re – ju përgjigjën ata – bjeri q… robt! U bo Franca!”.

  • Izolimi i Shqipërisë nga Perëndimi si ‘sukses’ për kryeministrin

    Red VARAKU

    Më në fund kryeministri shqiptar u detyrua ta pranojë me gojën e tij izolimin që i ka bërë Perëndimi, por  çuditërisht edhe këtë dështim spektakolar ai e paraqiti sërish si sukses personal.

    Në fakt edhe pse duket si paradoks, ai ka shumë të drejtë që e konsideron sukses personal, sepse për izolimin që i ka bërë Europa merita kryesore i takon pikërisht këtij kryeministri.

    Kjo sepse me prirjet e tij të hapura anti-Perëndimore, me servilizmin e tij të hapur ndaj autokratëve të korruptuar, me kthimin e timonit drejt lindjes, me përpjekjet e dështuara për të trafikuar troje shqiptare për pushtetin e tij dhe me përpjekjen e tij për ta kthyer Shqipërinë në një minë në duart e armiqve të Perëndimit për të hedhur në erë BE, ai e ka alarmuar dhe ngritur në këmbë Brukselin dhe gjithë Perëndimin si asnjëherë tjetër.

    Ai i ka treguar se çfarë rreziku të madh përbën përkrahja, mbështetja dhe aq më keq tolerimi i njerëzve të gabuar. Dhe për këtë ne duhet t’i themi vërtet faleminderit.

    Ndonjëherë idiotët si ky i bëjnë vërtet një shërbim të jashtëzakonshëm vendit, sepse e detyrojnë Perëndimin të kuptojë rëndësinë e faktorit shqiptar në rajon dhe e detyrojnë atë t’i kthejë sytë seriozisht nga Shqipëria.

  • Dardan MITROVICA – Politika që po shkatërron Amerikën

    Dardan MITROVICA – Politika që po shkatërron Amerikën

    Nuk jam me Trampin, jam kundër politikës së djallëzuar të majtë. Nuk kam turp të them që jam shumë i dëshpëruar me ato që po ndodhin në SHBA, në tempullin e demokracisë botërore.

    Grupe të armatosura njerëzish që pushtojnë Kapitol Hillin, kryeqendrën e demokracisë në planet dhe grupe të armatosura me ushtarë e policë që qëllojnë kundër njerëzve që përpiqen të hyjnë në Kapitol Hill, të gjithë në rresh, për një a dy.

    Dhe për një njeri si unë, të lindur e rritur nën diktaturë, ku mjaftonte fjala Amerikë për të kuptuar lirinë, demokracinë, paranë, kjo bën një përshtypje shumë të madhe.

    As kam nxituar e as nxitoj për të dhënë gjykime përmbi sa po ndodh në SHBA por shpirti më dhemb, sepse mendoj që kur në zemrën e botës demokratike ndodhin kësisoj gjërash, po në vendin tim të varfër, në Shqipërinë time që sapo ka dalë nga regjimi më shtypës dhe vrastar në Evropë çfarë do të mund të ndodhë në një të ardhme të afërt, me këtë palo qeveri që e qeveris sot?

    Dhe s’mund të rri pa menduar se si demokracia më solide në botë erdhi deri këtu: Si ndodhi, kush e solli, pse, pse pse?

    ***

    As e kam mbrojtur dhe as e mbroj Trampin. Më mirë se çdokush atë e bën vetë ai dhe po e bëjnë vetë amerikanët. Nuk flas dot dhe s’marr guximin të flas për zgjedhjet amerikane.

    Janë punë për ta.

    Por, duke u rikthyer katër viteve më parë, kur presidenti Tramp sapo mori presidencën, parë sot katër vjet më pas nuk ka se si të mos më bëjë përshtypje egërsia dhe lufta sa e ashpër aq edhe tinzare që i është bërë vazhdimisht gjatë këtyre viteve.

    Ende pa u tharë mirë boja e vulës së zgjedhjeve presidenti u sulmua nga një grup majtistësh ekstremë në kongres, në mënyrë të paparë deri më sot në SHBA. U thanë e çfarë nuk u thanë për Trampin njeri dhe Trampin president. Një ushtri e tërë mediatike ngriti menjëherë batëritë duke goditur rëndë, aq sa duke shkaktuar reagime, shpeshherë edhe të papranueshme, nga vetë Trampi.

    Nuk justifikohen emërim-shkarkimet e dhjetra e dhjetra zyrtarëve në qeveri, po aq sa nuk justifikohen edhe akuzat deri në impiçment të të majtës amerikane kundër presidentit të zgjedhur të Amerikës. Dhe rrjedhimisht, sulmet e egërta dhe pa princip edhe përgjigjet të tilla do t’i prisnin.

    ***

    Vrasje në Amerikë kanë ndodhur dhe ndodhin vazhdimisht. Ashtu sç fundja ndodhin në çdo vend të botës. Edhe dallime raciale, siç ndodhin thuajse përditë në të gjithë botën perëndimore, SHBA, Evropë, e gjetkë.

    Ishte e pafalshme vrasja e afroamerikanit George Floyd. Vrasje për të cilën drejtësia duhej të thoshte fjalën e saj. Por një furtunë e vërtetë u ngrit kundër Donald Trampit a thua se ai ishte ekzekutori apo urdhërdhënësi. Nuk ju la kohë aspak drejtësisë të fliste. Falanga të pafund njerëzish, të injektuar dhe të indoktrinuar nga majtistët ekstremistë amerikanë dhe jo vetëm pushtuan sheshet dhe rrugët e Amerikës dhe në kërkim të hakmarrjes shkatërruan vlera të paçmeshme të trashëgimisë amerikane dhe botërore. U tha e ç’nuk u tha për Trampin, e për mbështetësit e tij. Faktet? Ku ishin faktet. Asnjë për be.

    Një ushtri e tërë njerëzish u ngrit në këmbë, me armë dhe pa armë duke thyer çdo ligj dhe rregull, madje duke pushtuar në mënyrë të paligjshme edhe qytete të tëra, siç ishte rasti i Siatëllit.

    Qindra miliona dollarë u dhanë nga figura të rëndësishme të financës dhe jetës publike amerikane për të nxitur, krijuar dhe zgjeruar lëvizje ekstremiste majtise me qëllimin e vetëm për të goditur Trampin, kuptohet.

    Dhe këto janë vetëm disa thërrmija të luftës dhe nxitjes ideologjike të paparë e të papërjetuar ndonjëherë në shtetin më të fuqishëm të botës, në kryeqendrën e demokracisë botërore.

    ***

    Dhe vijmë sot, në ditët e sotme, ku gjithkush vëren një polarizim të paparë të jetës dhe shoqërisë amerikane, e cila padyshim që do të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm në të gjithë civilizimin perëndimor.

    Kjo ishte vetëm një gërvishtje në plagën e madhe që është hapur sot në Amerikë, si me thënë, vetëm një përballje e dy pasqyrave.

    A do ta marrë veten Amerika nga kjo ndarje e pazakontë? Kjo mbetet për t’u parë.

  • Erion DASHO – Përrallat e Boratit dhe heronjtë si Tirja!

    Erion DASHO – Përrallat e Boratit dhe heronjtë si Tirja!

    Sa herë del zbuluar me kontrollin e COVID-it në Shqipëri, kryeministri evokon “heroizmin” e mjekëve dhe infermierëve. Si atëherë kur u zu me presh në dorë duke manipuluar shifrat e vdekjeve, ashtu edhe sot me Tiren, çdo komenti kritik ai i bën bisht me frazën shabllon “Mjekët tanë janë heronj!”

    Se ç’lidhje ka Tirja me “heronjtë” e kryeministrit, këtë mund ta argumentojë vetëm një mendje demagoge dhe manipulative!

    Nuk është hera e parë që e shkruaj dhe e them: “Mjekët nuk janë heronj”! Në historinë e Shqipërisë kemi patur gjithsej dy apo tre heronj të vërtetë! Nën modelin sovjetiko-kinez, Enveri nisi të prodhonte “heronj” me shumicë duke përdorur si lëndë të parë traktoristët, shoferët apo fatkeqët që humbnin jetën në detyrë!

    Në se dikujt prej kolegëve bluzëbardhë i pëlqen manteli i pamerituar i heroit dhe nuk arrin të bëjë paralelizmin midis vetes dhe mjelësve të Enverit, aq më keq për të!

    *   *   *

    I dashur Borat!

    Ti dhe qeveria jote i latë mjekët dhe infermierët në mëshirën e fatit! I paguat më keq se çdo koleg i tyre europian. Në shtatë vjet nuk u ngritët asnjë lek pagën; as edhe për indeksim! Sot çuditeni pse ka korrupsion dhe bëni sikur nuk e dini!

    Informaticienët, kimistët dhe klarinestitët që ti caktove të drejtojnë shëndetësinë i keqtrajtuan dhe i dëbuan bluzat e bardha me turma drejt Gjermanisë, Italisë e vendeve të tjera! I lanë spitalet pa mjekë, pasi nuk e kanë idenë se për të arsimuar një mjek duhen 20-25 vjet dhe dhjetëra mijëra euro! Injorantët që vure ti në drejtim kaq dinin dhe kaq bënë! Kasaphanë me sistemin shëndetësor!

    Sot Shqipëria nuk ka heronj! Ka Tire! Ka mjekë dhe infermierë të keqpaguar, të lënë pa pajisje diagnostike, pa medikamente dhe me duar bosh për t’u marrë me hallet e pacientëve! Gjatë pandemisë të lënë edhe pa pajisje mbrojtëse! Muret e spitaleve ama i kemi të lyer njëlloj si Europa!

    Herë pas here, ti bën estradë me mjekët duke i rreshtuar para klarinetistëve të tu sikundër i rreshton sivëllai yt Kim Jong-un! Mjaft më me talljen, nëpërkëmbjen dhe përdorimin e tyre si kukulla propagandistike!

    Borat!

    Lëri përrallat me heronj dhe shiko realitetin e mbushur me Tire! Deklaratat në media dhe statuset në mediat sociale flasin se Tiret janë kudo! Në çdo spital! Diku janë sanitare, diku tjetër koordinatorë! Jo rrallë, i kanë vënë përfund mjekët dhe infermierët! Heronjtë, pra…

    Ky është modeli “Kap ç’të kapësh” që mbizotëron në shtetin tënd! Modeli ku pothuajse kushdo mundohet të shfrytëzojë postin për t’u pasuruar pavarësisht se shkel mbi ekonominë, shëndetin, madje edhe jetën e tjetrit!

    Merr përgjegjësi për Tiret duke u kërkuar shefave të tyre, nga përgjegjësi i turnit dhe deri tek ministrja e shëndetësisë të largohen duke u kërkuar falje shqiptarëve, sepse, në vend që t’i shëronin nga COVID, i lanë në mëshirë të Tireve!

    Meqë ra fjala! Me kaq dështime sa ke patur, bën mirë të ikësh edhe vetë…

  • Armin Laschet, lideri i ri i CDU gjermane

    Armin Laschet, lideri i ri i CDU gjermane

    Kongresi i partisë kristian-demokrate e zgjodhi president me 521 vota pro, kundër 466 të marra nga konkurrenti Friedrich Merz. “Nuk do t’ia dorëzojmë Gjermaninë terrorit të djathtë”

    Është Armin Laschet lideri i ri i CDU. Me 1,001 delegatë, Kongresi i Partisë Kristian-Demorate e zgjodhi president me 521 vota pro dhe 466 kundër, të fituara nga Friedrich Merz. Katër abstenime. Laschet, guvernatori i North-Rhine Westphalia, zëvendëson Annegret Kramp-Karrenbauer, e cila ka dhënë dorëheqjen para afro një viti.

    Zgjedhja e kandidatit për kancelar do të bëhet në pranverë. “Do të bëj gjithçka që Bashkimi CDU / CSU të vendosë se kush do të jetë kancelari i ardhshëm”, tha presidenti i ri i partisë Kristian-Demorate, duke falënderuar 1,001 delegatët menjëherë pas zgjedhjes së tij.

    “Falënderoj për besimin që m’u dha dhe jam i vetëdijshëm për përgjegjësinë”, tha Laschet, i cili është edhe guvernator i Nordrhein Westfalen. Laschet falënderoi gjithashtu edhe dy kandidatët e tjerë, Merz dhe Norbert Roettgen, për “konkurrencë të ndershme”.

    “Nuk do ia dorëzojmë Gjermaninë terrorit të djathtë”, pati thënë Laschet përpara balotazhit të fundit. Fjalim në të cilin pati folur edhe për çështjen amerikane. “Jo vetëm koronavirusi, lockdown, viruset e mutuara: sikur e gjitha kjo të mos ishte tashmë e çuditshme, tani janë edhe imazhet nga Capitol Hill në Washington. Për ne, Amerika ishte sinonim i demokracisë: mirë pra, në politikë është besimi që na çon përpara, dhe është ajo që Donald Trump shkatërroi në Amerikë”.

    Sipas Laschet, “besimi është shkatërruar në Amerikë, ku një president ka polarizuar, duke mbjellë mosbesim dhe përçarje. Ky është helmi që ka futur në shpirtin amerikan dhe po e shohim deri ku e ka çuar: me dritare të shkatërruara dhe njerëz me brirë në zemrën e demokracisë”.

    Dhe përsëri: “Besojmë se tek ne nuk mund të ndodhë”, theksoi guvernatori. “Edhe pse Luebcke u vra për idetë e tij. Ai ishte president i zonës së Kassel, një politikan i apasionuar. Por ne nuk do të lejojmë vendin ynë që të shkatërrohet nga terroristët e djathtë. Dëgjoj gjithmonë frazën që ju duhet të jeni në gjendje të polarizojmë. Jo, , është shumë e lehtë për të përhapur helmin, madje edhe në mënyrë dixhitale: ne duhet të jemi në gjendje të integrohemi, ta mbajmë shoqërinë të bashkuar. Është një punë e vështirë, duhet të dimë të dëgjojmë dhe të flasim edhe ata që nuk i doni, duke kërkuar kompromise dhe zgjidhjet që njerëzit presin nga ne”.