Blog

  • Armand MAHO – Makthi i mandatit të tretë

    Natyrisht e para do fliste zonja Spiropali. Ende pa u tharë boja në marrëveshjen e opozitës, zonja e cila në këtë ditë qameti ka zbuluar pasionin për kërcimin latin nuk do ngurronte që të përdorte gjuhën e kryeministrit për sulmin ndaj partive opozitare. Natyrisht, ajo është thjesht folësja që fjalimin e merr të shkruar nga zyra e Ramës. Deklarata e saj u mbështet dhe nga “spin-doktorët” e taborit mediatik, që të përbashkët me rilindjen kanë përfitimin nga fondet publike.

    Ky është i njëjti kor, me të njëjtat cicërima që tetë vjet më parë kur LSI aso kohe nënshkroi dhe marrëveshjen me Rilindjen, nga e cila ata përfituan jo vetëm thurnin hosana për lavdinë e atij momenti, por festuan me shampanjë në prezencë të Aleksandër Vuçiç.

    Natyrisht ankthi i humbjes bën të vetën dhe këtu mund t’i kuptojmë, por ky është halli i tyre. Moralisht, ata kanë thyer çdo limit, të besimit politik dhe njerëzor. Janë provuar e stërprovuar qoftë në koalicion e qoftë të vetëm, dhe rezultati ka qenë i njëjtë.

    Sado të rrahin gjoksin si më të mirët, në fund të ditës ngelen thjesht dështakë, që i kanë bërë dhe vazhdojnë t’i bëjnë gjëmën vendit. Një armatë e lodhur mashtruesish e servilësh, që ka thyer çdo shpresë, ka përzënë me përdhunë çdo vlerë e resurs njerëzor e intelektual të investuar në këto vite.

    Në këto kushte rotacioni është më shumë se domosdoshmëri, është jetik.

    Këtë herë LSI po bën marrëveshje me kryetarin e PD, i cili ka ditur t’i rezistojë joshjes së manipulimit të votave nga bandat apo tavolinave të krimit të organizuar, tek e cila Rilindja ka ngritur bazat e pushtetit të saj. Dhe kjo është një garanci jo e vogël.

    Rilindja në asnjë projeksion dhe në atë më të guximshmin nuk arrin të dalë fituese. Duke u marrë me natyrën e Bashës dhe lëvizjet e tij politike, i bën dhe më shumë mjeranë. Në një kohë që njerëzit duan zgjidhje për pandeminë, varfërinë dhe rindërtimin në faqen zyrtare të kryeministrit vazhdojmë të shohim projekte në 3D, të cilat, siç na e ka treguar përvoja e këtyre 8 viteve janë thjeshtë pallavra.

    Teksa ata merren me programin e opozitës dhe lëvizjet e saj politike, spitalet janë mbushur rrafsh dhe vdekjet që sa vijnë e shtohen kanë futur makthin e zi te çdo banor i këtij vendi.

    Por Rama gjen kohën të shkojë në Bruksel, se helbete mos marrë ndonjë kredit në imazhin e tij të rrënuar. “Kohë të mjera, njerëz të mjerë” do thoshte Ciceroni. Dhe ai atëherë i revoltuar nga korrupsioni dhe pabesia e pushtetit romak.

    Lulzim Basha nuk po sjell në qeveri e Kuvend persona të inkriminuar siç bëri Rama para tetë vitesh. Ai rrugën drejt pushtetit po e ngre me sjelljen e një njeriu normal, pa batuta, pa konflikte.

    Koalicioni me Lëvizjen Socialiste për Integrim, vjen pas një rrugëtimi katërvjeçar të kësaj të fundit në përballje me regjimin e Ramës. Edhe kjo forcë politike ashtu si PD dhe aleatët e saj ka dorëzuar çdo pushtet. Deklaratat mes forcave politike kanë qenë publike, kufijtë të qartë.

    Sjellja me dy standarde e Rilindjes në raport me ish-aleatin e saj, përngjan më shumë si klithmë dëshpërimi në vigjilje të përballjes së 25 prillit.

    Është e habitshme, por dhe tragjike se si edhe pas tetë vjetësh pushtet, vazhdohet me të njëjtat broçkulla propagandistike dhe mediatike, ndërkohë njerëzit kërkojnë zgjidhje të problemeve. Por fjala “zgjidhje” nuk ekziston më në epokën e spiropalizmit, të verbuar nga etja për pushtet.

  • Poli HOXHA – Kush do ta ndalë mafien e votës, kjo është çështja!

    Kur ditën e  djeshme në Bruksel, zyrtarët e lartë të BE dhe gazetarët aty, i kujtonin Edi Ramës ‘zgjedhjet e ndershme’ dhe sigurinë e votës së lirë ai hidhte batuta bajate, lëshonte kritika për kurnacërinë e Europës me vaksinat, apo fluturonte me retorikën e liderit rajonal te hallet historike që ka Maqedonia e Veriut me Bullgarinë.

    Në fakt është pikërisht Shqipëria ajo që sot ka një hall të madh, i cili është më i madh se rotacioni i pushteteve, se integrimi në BE, se pandemia e tërmeti, se rrënimi i ekonomisë kombëtare e asaj familjare. Ky krye-hall i cili ngjiz përbrenda të gjitha këto që rreshtuam më lart e plot të tjera; është vota dhe vetëm vota e lirë të cilën nuk e kemi pasur kurrë.

    Ndaj për herë të parë gjatë këtyre 30 viteve në prag të zgjedhjeve pluraliste në Shqipëri, po shfaqet një fenomen ‘i çuditshëm’.

    Duke qenë në prag të një rotacioni të domosdoshëm si pasojë e një ngecje të paprecedentë të ekonomisë, shëndetit publik, sigurisë deri fizike nga krimi i organizuar, e sigurisë së xhepit personal nga korrupsioni; frika nuk vjen më nga pamundësia e një fitoreje të frontit opozitar, por nga mundësia e vjedhjes së saj nga mafia e votës.

    Vjedhje kjo, e cila ndër vite ka krijuar shumë mutacione dhe sot është më e sofistikuar se kurrë.

    Nuk bëhet më rëndom duke futur duart në kuti e te numërimi ‘një për ty, e kusurin për ne’, as nëpërmjet pazareve të komisionierëve, e as nga modifikimi i rezultatit nëpër KZAZ apo te vetë KQZ-ja.

    Blerja dhe tjetërsimi, nis ditë e javë përpara se shqiptarët të paraqiten te kutitë e votimit.

    Që në lagjen ku jeton, shtratin bashkëshortor, te puna e gruas, bashkëshortit, fëmijës; te biznesi i vogël apo i madh që posedon, te mbijetesa e familjes tënde në fund të fundit.

    Për një demokraci normale të gjitha këto duken absurde, por ja që jetojmë në Shqipërinë e varfër për një shumicë absolute, ku një drejtor shkolle apo institucioni, të ka në dorë bukën e përditshme dhe arsimimin e fëmijëve. Ku një tatimor të kontrollon mbijetesën e dyqanit dhe njëkohësisht, edhe të gjithë ingranazhin ‘normal’ të jetës.

    Jetojmë në një vend ku strukturat ligj-zbatuese bëjnë lista të kriminelëve dhe trafikantëve, jo për ti goditur penalisht dhe në pasuri, por për ti shndërruar në makineri të egra për ‘korrje-mbledhje e shirje’ votash.

    Ndaj çështja më madhore që koha kërkon për tu zgjidhur njëherë e mirë në 25 prill pas 30 vitesh pluralizëm hibrid, më shumë se çdo gjë tjetër është pikërisht rivendosja e statusit të votës së lirë.

    Ka ardhur dita, ora, çasti i fundit që në demokracinë shqiptare të vendoset Votë-Kracia si pushtet absolut. Përndryshe ta qepim gojën dhe të pranojmë pa kushte që të zvarritemi në ‘hallin tonë’, edhe 30 vite të tjera.

    Por kush do ta mundësojë funeralin e mafies së votës, që ndryshon kah e ngjyrë sipas situatave?!

    Fronti opozitar me frymën për rotacion, ndërkombëtarët që të lënë me barrë dhe ikin, apo paralajmërimi i presidentit; ‘një votë e vjedhur- një dorë e prerë’?!

    Situata është më e ndërlikuar nga sa duket, sepse mundësia për një  Déjà vu është e madhe, por jo e pandalëshme.

    E themi këtë sepse ndërkohë kemi humbur një shans të madh, për të bërë përgatitjet e duhura të këtij funerali historik.

    Nëse kishte një çështje penale tipike të këtyre 30 viteve, nga e cila mund të merrej spont për të goditur njëherë e mirë krimin më të madh që i është bërë Shqipërisë (zhbërja e vlerës së votës) dhe njëkohësisht, që e gjithë klasa politike të reflektojë se më në fund duhet të hapet  një epoke e re për demokracinë funksionale, ajo ishte ‘Dosja 184’.

    Aty brenda del qartë, se si në bashkëpunim perfekt mafiozët e zonës, shefat e policisë, drejtuesit e administratës lokale dhe deri te kryeministri e  ministra kryesorë të qeverisë së tij ishin përfshirë në një plan për të blerë, vjedhur dhe marrë me hir a pahir votat e shqiptarëve.

    Pas përgjimeve të publikuara nga ‘BILD’ doli se ‘objektivat’ e kryeministrit për të mbledhur vota me çdo kusht ishin zbatuar me zell dhe përpikmëri; se kreu i fushatës, ish-ministri i Infrastrukturës Damian Gjiknuri, kishte bërë ‘një tërmet’ me votat e mbledhura; se drejtori i Arsimit së bashku me deputetin e zonës kërcënonin me vendin e punës mësuesit e drejtorët e shkollave; se shefi i policisë ishte koka e operacionit kriminal elektoral, me bekimin e kryetarit të Komisionit të Sigurisë Xhemal Qefalia e atij të Ligjeve Ulsi Manja.

    Nuk kishte se si të mungonte në krye të tavolinës që festonte dhe shpërndante ‘grada’ për këtë masakër të votës, as vetë Kumbari Edi Rama dhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili nga ana e vetë siguronte ‘ushtarin’ e tij në Dibër (shef policie), që ‘të mos e rruante…’.

    Kjo dosje tregoi qartë, se si ka funksionuar mafia politike me emrin ‘Rilindja’ në fushata elektorale, nëpërmjet skemës; bëj vota së bashku me krimin e organizuar për të kapur pushtet; shfrytëzo shtetin për të shpërblyer krimin e organizuar e atë ‘ekonomik’ dhe bëj pasuri.

    Më pas me një pjesë të miliardave të grabitura bli zgjedhjet e radhës, për pushtetin e radhës dhe kështu pambarim!

    Kjo ishte ajo që ndodhi vetëm pak vite më parë, e një palë zgjedhje të shkuara.

    Nuk e di e  nuk e shoh çfarë ka ndryshuara ndërkohë që po shkojmë në zgjedhjet e 25 Prillit, përveç rritjes së gungës kanceroze në shpinë të Shqipërisë dhe ‘votuesve’.

    Nuk ka asnjë shenjë se grupi i mësipërm i strukturua si mafie e votës ka ndryshuar, apo të ketë pësuar ndonjë goditje qoftë edhe administrative, përveç Saimir Tahirit që vëzhgon nga ekskursionet që bën nëpër male. Përkundrazi është bërë më i pasur, më i pushtetshëm, më arrogant e më guximtarë pasi çështja dështoi dhe u mbyll në arkivat e SPAK, me ca ditëzinj të dënuar.

    Nuk ka mbi të gjitha asnjë reflektim qoftë edhe formal as në mes të Brukselit, nga ‘Babloku- Kryeministër’ siç e thërret Ymer Lala i dosjes së Dibrës dhe të cilit Rama po ja kalon vajzën, nga deputete të ‘çamëve’ në deputete të Rilindjes.

    Pra janë të njëjtët personazhe me pushtet të plotë në qeveri, pushtet lokal e atë legjislativ, të cilët po organizojnë dhe po udhëheqin punët e Rilindjes për zgjedhjet e 25 Prillit nëpër gjithë Shqipërinë.

    Panorama e shfaqur kështu duket pesimiste, por jo e pashpresë.

    Shpresa dhe mundësia reale janë vetë shqiptarët të cilët njësoj si në Kosovë, duhet të dalin masivisht në 25 prill e të votojnë vetëm për një qëllim; lirinë e votës së tyre që përkthehet në dinjitet e mirëqenie për familjet dhe fëmijët e tyre.

    Për të treguar se nuk janë aq budallenj sa të shohin të njëjtit film ‘me tërmet’ e me personazhe të njëjtë si Babloku, Gjiknuri e të tjerë, i cili mbyllet po njësoj; pasuri e pushtet pa fund për të parët, e zhytje në varfëri apo ikje nëpër botë, për ata që janë regjisorët de fakto të filmit dhe kanë buxhetin e tij; Votën.

    Në fund të fundit duhet të jenë të ndërgjegjshëm pas 30 vitesh se vota përfaqëson armën më të fuqishme që kanë, brirët e tyre.

    Pavarësisht se Edi Rama (një ujk i maskuar si piktor) ju thotë pa pushim: Pa brirë është më mirë, pa brirë është edhe moda’!

  • Red VARAKU – Makthi i Ramës ka emër

    Red VARAKU – Makthi i Ramës ka emër

    Koalicioni parazgjedhor i PD me LSI duket se e ka alarmuar rilindjen dhe kjo duket qartë në tensionimin e menjëhershëm të klimës politike. Kjo, sepse të gjithë e kanë të qartë që me LSI në krah rrotacioni është i sigurtë.

    Dhe më mirë se kushdo këtë të vërtetë e ka të qartë vetë Edi Rama, sepse ishte pikërisht ‘puthja e dorës’ me ‘gishta obezë’ të Ilir Metës, që e bëri kryeministër dhe e shpëtoi nga largimi i pakthyeshëm nga politika në 2013.

    Ndërkohë, duhet të mirëkuptohet shfazimi i të gjithë ‘snajperistëve’ të qeverisë në media, të cilët të alarmuar, menjëherë pas koalicionit hoqën dorë paturpësisht nga strategjia kryesore e perçarjes së Opozitës, nëpërmjet sulmit kundër LSI dhe i janë rikthyer argumenteve boshe të reformës në drejtësi dhe idiotësisë që qëllimi i Ilir Metës është që t’i marrë udhëheqjen e opozitës z.Lulzim Basha nga frika e reformës .

    E gjitha kjo kthesë në propagandën e rilindjes ndodhi për shkak të impaktit që shkaktoi bashkimi i PD dhe LSI, për shkak se ky bashkim i rrëzoi shtyllën kryesore të trushpëlarjes dhe befasoi një pjesë të mirë të mbështetësve të mpirë dhe të çoroditur të PS, të cilët rrinin me shpresë se Rama i kishte në xhep edhe PD edhe LSI , dhe se do bashkohej me njërën nga të dyja pas zgjedhjeve.

    Ky bashkim është prova që tashmë Opozita e Bashkuar është mazhorancë në frymë dhe në numra, ndaj e vetmja mënyrë që i ka ngelur qeverisë për ta bllokuar rrotacionin është shpresa se do t’i të vjedhë sërish zgjedhjet, duke riaktivizuar të njëjtin mekanizëm banditesk që aktivizoi në 2017.

    Edhe pse tezat e tyre të deritanishme kanë qenë teza të lodhura, pa argument dhe të diskretituara që në vitin 2013, ata ia patën dalë deri diku të mpinin dhe çorodisin militantët e tyre dhe t’i mbajnë ata me gajret. Por bashkimi i një marsit shembi çdo pretendim.

    Të gjithë e dimë që politika në fund të ditës nuk është çështje dëshirash e aq më pak qejfesh, por është çështje numrash. Me koalicionin më të madh të partive që është bërë ndonjëherë në Shqipëri dhe me Ilir Metën në krah, Lulzim Basha është automatikisht kryeministër.

    Në fakt, ky bashkim ishte dhe makthi më i madh i kryeministrit dhe këtu qëndron edhe arsyeja e nervozizmit dhe alarmimit të rilindjes. Sepse ky bashkim dhe formula e e perzgjedhur për të kandiduar si koalicion me dy lista, administron plotësisht frymën anti-rregjim, duke krijuar një sintezë që zbret deri në bazë dhe duke garantuar edhe matematikisht fitoren për këtë koalicion në tavolinë.

    Siguria për rrotacionin, është një element shumë i rëndësishëm në këto momente, sepse vret frikën që ka arritur të mbjellë ky rregjim tek qytetarët, përmes krimit të krimbur ne para dhe pushtet, të cilin e ka instaluar në cdo qelizë të shtetit.

    Nëpërmjet gershetimit te frymës me garancinë për rrotacion ndërtohet padyshim edhe uragani i ndryshimit që do t’i degdisë të gjithë plehrat e këtij vendi , atje ku e kanë vendin, në llumin e historisë së këtij vendi.

  • Jorida TABAKU – Kujt i duhet më Edi Rama?

    Jorida TABAKU – Kujt i duhet më Edi Rama?

    Si gjeli që krekoset në majë të një grumbulli dështimesh, Edi Rama kërkon një mandat të tretë. E do për veten, jo për të vetët, dhe aq më pak për qeverisjen e vendit. Duke mos pasur asnjë hapësirë manovre përveç batutave pa kripë, si gjeli mbi pleh ai i del zot fushatës, qëllimi i së cilës është ambicioz: të mbulojë dështimet që rrënuan Shqipërinë në emër të një diktatoruci dhe për hir të një fasade. Me 100 fshatrat, 1000 petritët, me rilindjen urbane të qendrave të qyteteve të shkretuara nga banorët, me Teatrin Kombëtar të shembur në emër të betonizimit, me idenë e marrë se projektet 3D do të varrosin realitetin, ai kërkon një tjetër mandat, me pafytyrësinë që e maskon si guxim.

    Edi Ramës i duhet një mandat më shumë për të kopsitur përfundimisht atë që kurrë nuk e ka premtuar: qeverisjen totale me njerëz të korruptuar, që në mëngjes japin rrugët e Shqipërisë me koncesion dhe që udhëtojnë drejt restoranteve luksoze të botës ndërsa ato përmbyten. Edi Ramës i duhet ky mandat për të ngrënë qyl mishin e Nusretit; Edi Ramës i duhet edhe një mandat për të mbuluar zhvatjen dhe për zhvatur edhe më shumë me PPP dhe tendera xhepat e shqiptarëve. Por Edi Rama sot ka frikë jo vetëm sepse demokratët do t’i rezistojnë. Edi Rama trembet sepse ka zhvatur edhe socialistët me qeverisjen e tij. Sepse as socialistët nuk janë budallenj aq sa të gënjehen me një tjetër pyll orbital.

    Edi Rama e kërkon mandatin e tretë sepse ka frikë nga qytetarët, jo sepse do t’i qeverisë. Edi Rama po lufton për një mandat të tretë sepse e ka më të lehtë të zbrazë vendin nga njerëzit më vitalë sesa të lëshojë një karrige, të cilën e mban me njerëzit që grabitin ata që nuk kanë mundësi të largohen.

    Edi Rama lufton me mish dhe me shpirt për të sunduar jo përmes votës demokratike, por përmes bjerrjes së ndërgjegjes qytetare, përmes largimit të inteligjencës dhe profesionistëve. Zanati i tij është të vjedhë të ndershmit dhe këtë ta quajë taksim, të përzërë shqiptarët nga shtëpitë e tyre dhe ta quajë këtë zhvillim, të shfrytëzojë çdo mjet të pushtet për luksin personal dhe këtë e ka quajtur punë. Të përdorë ligjet në favor të një klike dhe këtë e ka quajtur emancipim.

    Jo më kot miqtë e tij janë trafikantët dhe të korruptuarit. Jo më kot njerëzit e shohin në realitet kush është Rama ditën që ai shfaqet me ta. Pasi ata janë habitati i vet, me ta ai jeton në paqe, prandaj ai sulmon kundërshtarët e tij politikë me gjuhën e tyre dhe me grushtet e tyre. Ai ka frikë nga demokracia, ka frikë nga llogaridhënia, ka frikë nga qytetarët. Pushteti absolut i nevojitet për të fshehur krimin. Rama sot u shkon nga pas qytetarëve duke i mashtruar, pasi dëshiron një pushtet edhe më të madh për të mbuluar krimet dhe dështimet në 8 vjet qeverisje.

    Lufton për të fshehur gjurmët e pastrimit të parave në ndërtim dhe në kontratat e dyshimta koncesionare që janë përdorur për të pastruar paratë e drogës, me të cilën mbolli vendin. Ai sot nuk lufton për të zgjidhur sa më mirë hallin e pronave, por kërkon që të fshehë vjedhjet galopante dhe sy për sy që po kryen përditë në arsim dhe shëndetësi.

    Nuk i intereson aspak që të ndërtojë një Shqipëri ku mundësia të jetë për të gjithë, por lufton për të mbuluar trafiqet në dogana dhe korrupsionin në tatime. Shqiptarët për të janë thjesht numra, statistika apo audienca, me të cilët ai do të argëtohet duke i gënjyer sistematikisht. Në të vërtetë, ai kërkon pushtet për të manipuluar drejtësinë dhe për të kriminalizuar Policinë. A nuk ka vepruar kështu këto 8 vjet? Një mandat i tretë nuk i intereson askujt përpos Ramës dhe enturazhit të tij të korruptuar dhe inkriminuar. Shqiptari i ndershëm që përvesh mëngët që kur dielli lind, që shkon përditë në punë dhe duron poteren e një trafiku marramendës në Tiranë, diellin zhuritës apo të ftohtin e acartë, nuk ka asnjë përfitim nga kjo.

    Një mandat i tretë nuk u duhet as mjekëve që sot trajtohen si kavje, e që u shitet një rritje page që nuk është e tillë. Nuk u duhet as arsimtarëve që e shohin se si arsimi i sponsorizuar nga Rama është i mbushur me militantë të pandershëm dhe me presione për vota. Madje, as artistëve që u prishi tempullin dhe nuk e stimuloi kurrë artin, por e luftoi si armik, nuk u duhet policeve të ndershëm sepse u vuri mbi kokë shefa të kriminalizuar, trafikantë droge e të korruptuar që u vunë në shërbim të krimit.

    Nuk u duhet prokurorëve e gjyqtarëve që je tojnë me dinjitet (sepse i kërcënon e shantazhon në çdo formë që të lirojnë kriminelet më famëkeq të vendit), nuk u duhet punëtorëve sepse i detyron çdo ditë të lënë familjet e enden rrugëve te botes, nuk u duhet të rinjve sepse u tregon çdo ditë rrugëdaljen nga vendi si e vetmja zgjidhje për të jetuar.

    Nuk u duhet studentëve sepse nuk u dha kurrë atë që u takon dhe nuk i ndihmoi kurrë që të bëhen të zot në vendin e tyre, nuk u duhet pensionistëve sepse i ndau nga djemtë, nipërit e mbesat që ikin në emigracion dhe nuk ua rriti kurrë pensionet. Nuk u duhet zonjave që i trajton për batuta mizogjiniste, ndërsa gajaset me shokët e tij.

    Nuk i duhet askujt tjetër, përveçse pjesës më të errët të shoqërisë sonë. Vetëm atyre u duhet. Atyre u mbaron punë, u shërben, ua zgjidh hallet dhe mendon si të manipulojë këtë vend për t’u shërbyer atyre. Kjo, pasi e di që ata e ndihmojnë që të rrijë në pushtet dhe sepse ai me ta ndihet komod. Sepse vetëm me njerëz të korruptuar e me kriminele gajaset gjithë kënaqësi nëpër telefonata apo skutave ku shtrohen deng me të ngrëne e të pirë. Asnjë shqiptari të ndershëm nuk i duhet mbi kokë shqiptari më i korruptuar në histori.

    Prandaj edhe zgjidhja po bëhet gjithnjë e më e thjeshtë ditë për ditë. Ai e ka të qartë sado që çirret dhe kërkon një tjetër mandat. Rama do të humbasë në 25 prill pasi ka dështuar për të krijuar një Shqipëri për të gjithë. Përkundrazi, ka mbjellë përçarjen dhe urrejtjen për të ndershmin, dinjitozin dhe qytetarinë. Përtej asaj që ai shet, përtej asaj që propagandon, ai në thelb e urren shqiptarin e ndershëm që kërkon më të mirën për familjen dhe vendin e tij. Ai nuk mund ta fitojë një mandat të tretë pasi është pakica. As mundet ta rrëmbejë, pasi është pakica e pakicës dhe si e tillë do të përfundojë në 25 prill ditën kur Shqipëria do të fitojë. Ditën kur familjet shqiptare do të votojnë një qeveri që u shërben atyre dhe një Kryeministër që nuk dëshiron pushtetin, por qeverisjen për të zbatuar planin që po u prezanton shqiptarëve çdo ditë.

  • Ardit GJINALI – “Vajtimi pa zë i Shqipërisë dhe buzëqeshja zhurmëmadhe keqqeverisëse”

    Ardit GJINALI – “Vajtimi pa zë i Shqipërisë dhe buzëqeshja zhurmëmadhe keqqeverisëse”

    Shqipëria vajton për fshatin e zbrazur, qytetin e përçudnuar dhe shtetin e shkatërruar nga gllabërimi i kthetrave të pushtetit… Shqipëria vajton dhe pushteti qesh me vajin e së tillës… qesh pambarim duke e përplasur të tillën buzëqeshje në fytyrën e përlotur të Shqipërisë së shumë-vuajtur… pushteti imponon dhe përcjell  përmes fuqisë së propagandës   së të njëjtit secilën sjellje përfshirë dhe buzëqeshjen duke prezantuar lotët e vuajtjes si të tillë gëzimi… gëzimi  dhe hareja  pushtet-mbajtëse që kumbon me zhumë të madhe për të mundur  thirrjen e padëgjuar qëllimshëm  së qytetarit të pamundur, braktisur, gënjyer që është fytyra e një Shqipërie të drobitur dhe të sëmurë që është degdisur në tunelin e errësirës autokratike… Shqipëria kërkon dritën… thërret ndryshimin dhe kërkon një besim dhe shpresë të re, gjithashtu.

    Qytetari vuan dhe Shqipëria vajton në  heshtje të tillën vuajtje që do ta shprehte piskama e revoltës së sinqertë… vajtim pa zë, por me një shpirt asfare të humbur  nga përdhuna dhe  ofensiva e hordhisë  sunduese që  tenton të  mbulojë  secilën gjurmë  pozitive të së shkuarës përmes shfaqjes së një  realiteti të rremë… vajtimi i Shqipërisë  së  shkretuar është  dhimbja për vuajtjen që  shkakton largimin qytetar  dhe  shpopullimin kombëtar, gjithshtu. Shqipëria vajton zbrazëtinë dhe qetësinë e gënjeshtërt që sjell boshllëku i heshtjes njerëzore;- nuk është heshtja njerëzore që dëshmon miratimin e së keqes pavarësisht interpretimit  si i tilli miratim  nga vetë  e keqja; nuk është heshtja njerëzore si dëshmi e një harmonie shoqërore ku secili fluks shoqëror përshtatet me të tillin status dhe të tillat pritshmëri; nuk është heshtja njerëzore e një besimi ndaj shtet-pushtetit në shpresën e gënjeshtërt të ndryshimit të sjelljes politike të të këtillit  pushtet; – heshtje njerëzore e zbrazëtisë sepse njeriu… qytetari është larguar për shkak të kalvarit të mundësive të vjedhura në një vend që sundohet… mundësi e vjedhur nga rendi sundues për të dobësuar individin e lirë dhe për të uzurpuar jo vetëm shpirtin e të tillit, por të ardhmen e një vendi dhe shoqërie, gjithashtu. Shqiptari i zakonshëm vuan nën zgjedhën keqqeverisëse, e tilla që rreket të përmbushë nënshtrimin e të njëjtit përmes dorës së zgjatur  të djallëzizë kinse ndihmuese që ofron diçka-në nga shumëçka-ja e fshehur në kalendat proçeduriale që serviren si zbatueshmëri e ligjit; i tilli ligj që shndërrohet në instrument të jetësimit të sundimit; ligj  i hartuar  nga sejmenët e shtet-pushtetit , miratuar  nga ansambli i paligjshmërisë dhe zbatuar  nga  secilin segment institucional i vendosur nën thundrrën e sundimtarit.

    25 Prilli është dita dhe data për të mos heshtur dhe për të hedhur tutje frikën që buron nga kërcënimi i shtet-pushtetit ndaj segmenteve të ndryshme të shoqërisë; është dita për të shpaguar secilën vuajtje, lot, pamundësi të stisur dhe për të reaguar dhe ndëshkuar politikisht në heshtje, por me vendosmërinë për të nisur një erë të re ndryshimi në vend; dita qytetare për të kthyer qytetin tek qytetarët dhe për ti kthyer Shqipërisë nderin e vjedhur dhe fytyrën e rrëmbyer nga ansambli mëkatar keqqeverisës. 25 Prilli është dita për të kthyer shpresën përmes një ndryshimi thelbësor dhe të qënësishëm për një Shqipëri me normalitet të kthyer përmes një qeverie dhe Kryeministri normal, gjithashtu.  25 Prilli thërret për një bashkim të madh për të mundësuar një fillim të ri i mbrujtur në një besim të ri. Bashkë sepse ka ende shpresë…

  • Erl KODRA – Nuk është (shumë) turp të jesh një socialist, e turpshme është të jesh me Edi Ramën

    Erl KODRA – Nuk është (shumë) turp të jesh një socialist, e turpshme është të jesh me Edi Ramën

    Shpesh herë jam përpjekur të kuptoj mënyrën se si funksionojnë mendërisht ndjekësit e Edi Ramës. Puna është se ata presupozohet se kanë ndërgjegje, ndenja dhe personalitet, të cilat, në çdo moment janë nën agresion permanent, pikërisht nga Rama. Është interesante se si ato qenie të mjera nuk rebelohen njëherë të vetme, por pranojnë pa kushte fyerje, sharje dhe përbuzje nga ai. Ata pranojnë të përdoren me qejf të madh, të qeshin me përulësi edhe kur ai i fyen brutalisht. Në fakt këtu nuk po përdor elemente të tjera të ndërgjegjes, kur njeriu nuk ndjehet mirë para paturpësisë dhe vesit. Çudia e madhe është se tek mbështetësit dhe ndjekësit e Edi Ramës ka vdekur substanca që nxit reagim mospranues, ata nuk i vret ndërgjeja nga aktet e turpit, vjedhja e hapur, nga mashtrimi publik ose kurvëria politike. Përkundrazi, ata marrin pjesë vet, masivisht dhe intesivisht në veprat e turpshme të Shefit. Ata shkojnë me vrap dhe dëshirë të shkërrdhejnë dinjitetin, duke ofruar fytin, ndërsa Edi derdh drejt e në gurmazin e tyre tubin me të pëgëra.

    Këto fjalë mund të ngjajnë disi të ashpra, por në fakt nuk janë të tilla. Përndryshe, ka njerëz që për njëmijë shkaqe nuk mund të reagojnë, ata preferojnë të qëndrojnë në heshtje, të mos e shfaqin mosaprovimin e tyre ndaj akteve të turpshme. Të tjerë reagojnë, por janë të pafuqishëm, edhe këta për njëmijë arsye. Por ajo që tejkalon arsyen e arsyeshme, janë ata individë të rinjë që pranojnë të hyjnë në Banketin e Turpit.

    Dhe këtu nuk është fjala për Erion Veliaj, Taulant Balla, Ulsi Manja, Damian Gjiknuri, Pandeli Majko, Elisa Spiropali, ose çdo përvers tjetër që bën pjesë në kuplaranë e Ramës. Askush nuk çuditet pse Erioni ose Taulanti është i tillë. Ata ia kanë dalë të bëhen personifikim i qenieve të ulëta, që në vend të ndërgjegjes kanë krimba. Në fakt tronditja është diçka tjetër.

    Çudia është fakti se mes shoqërisë tonë gjenden akoma individë që mbështesin Edi Ramën. Sepse të jesh me Edi Ramën, ose je një budalla, ose një përvers, ose të dyja bashkë. Ne i njohim anëtarët e vjetër të Bandës, por rekrutimet e reja janë të papajtueshme me moralin. Deri dje ai rekrutonte vetëm nivelin e Elvis Roshit e poshtë. Por sot, ai po tenton diçka nëpërmjet procesit “deputeti që duam”.

    Pikërisht kjo është arsyeja e shqetësimit tim.

    Si ka mundësi që gjenden akoma “djem dhe vajza” që pranojnë të rekrutohen nga një politikan-kriminel? Si mund t’ia nënshtrosh ndërgjegjen tënde, me dëshirë, një perversi bullist si Edi Rama? Si mund të pranosh, pa u zverdhur ose skuqur rolin e lolos dhe palaços? Si mund të kërkosh të bëhesh me dëshirë i përdoruri i rradhës, mish për top – për punë të pista – kaq pa teklif, madje me enthuisazëm revolucionar?!

    Dhe e fundit, unë çuditem se si shumë folës dhe shkrues në media e pranojnë si fakt se ka një “Parti Socialiste” kur nuk ka një të tillë. Po, ka një bandë mafiozësh të paskrupullt që e shkatërroi përfundimisht vendin tonë. Vetëm kaq, asgjë tjetër.

    Në një shoqëri që kërkon të shkëputet nga e keqja, ky duhet të ishte debati i madh. Është trishtuese kur sheh se askush nuk e vret mendjen se në çfarë llumi po zhyten ata që po i shkojnë pas Edi Ramës.

    Të jesh socialist nuk është turp, e turpshme, madje kriminale është të jesh me Edi Ramën.

  • Enver BYTYÇI – Ai e hëngri byrekun, por tepsia mbeti aty!

    Enver BYTYÇI – Ai e hëngri byrekun, por tepsia mbeti aty!

    Ai e nisi nga e para, sipas bindjes se historia fillon pas tij! U shfaq në mënyrë atipike! Nga diktatorët dukej nga paraqitja se pëlqente Fidel kastron! Diktatori komunist kishte ardhur në pushtet me sagën e “satrapit Zog”! Ky erdhi me logon e “gogolit Berisha” dhe ende e përdor kundërshtarin e tijsi gogol! Ndërsa vetë u bë satrap, cikllop, kuçedër, gjarpër dhe djall i zi”! Me gogolin thjesht tentoi të maskontë veten!

    Ai u nis nga bashkia për të shkuar nja 700-800 metër tutje, në kryeministri! Jo për të vënë ndonjë tullë mbi themelet e shtetit, por për t’ia heq edhe ato pak tulla që u vendosën pas rënies së regjimit diktatorial! Nuk vuri asnjë tullë në këto themele. Përkundrazi filloi t’i heqë një e nga një që ditën e parë të qeverisjes. Atë ditë ai i tha kreut të shtetit se “shteti jam unë”! Shumica nuk e kuptuan mesazhin e tij atë kohë. Nuk pritja të vinte mbrëma e asaj dite dhe vendosi në zyrën tij e në zyrat e shtetit foton e Ismailit! Në fakt e urrente Ismailin, se i dukej që nuk e arrinte dot! Prandaj e imitoi me mjekrën e bardhë, si të Sandër Prosit! Sot askush, as bashkëpunëtorët e vet nuk kanë më ndonjë dilemë se ai është e kundërta e Ismail Qemalit!

    Gjatë kohës si kryebashkiak i Tiranës hëngri sa mundi byrek në tepsinë e kryeqytetit! Tash e tetë vite si kryeministër ka gëlltitur byrekun e  61 tepsive në 61 bashki. Të gjitha i ka të vetat! Edhe Shkodrën e ka të tijën, sepse ka këshillin bashkiak me përfaqësues të tepsisë që kërkoi më 2017-ën. Pasi hëngri byrekun e nonës Tironë, filloi të thotë se e gjithë Shqipëria për të është “tokë e xanun”! Tokë e xanun për atë vetë, për oligarkët e tij, për bashkëpunëtorët, për analistët dhe televizionet lëpirëse, për mediat e veta të shkruara, për shërbëtorët, batalionet dhe brigadat tij të rrjeteve sociale! Të gjithë këtyre u dha diçka nga byreku i tepsisë së madhe prej 28748 km katëror të Shqipërisë, e që në gjuhën tonë quhet buxhet shtetëror!

    Por ai mund të hante vetëm byrekun. Tepsia është aty. Atë nuk mund ta hante. Ndërkaq pasi hëngri byrekun, filloi të heqë tullat e furrës ku ai piqet! Fillimisht hoqi tullat e shtetësisë. E nisi me tullën që garantonte drejtësinë. E la vendin pa gjykatë kushtetuese dhe pa gjykatë të lartë. Pastaj ia hoqi tullat një pas një kushtetutës. Dhe u pa fare qartë se Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e lartë i eleminoi për të shkatërruar kushtetutën e vendit. Vetëm në kohën e diktaturës dhe të diktatorit Shqipëria nuk kishte gjykatë kushtetuese e ndërkohë kishte një kuehstetutë formale, por jo kaq formale sa është sot! Pra mungonte një prej shtyllave të të bërit drejtësi në këtë vend. Pastaj erdhi ai dhe bëri të njëjtën gjë. Se e donte tepsinë me gjithë byrek për veten e tij. Njësoj si diktatorët!

    Shtyllat e shtetësisë bazohen në pavarësinë e pushteteve dhe balancën midis tyre. Por ai provokoi për më shumë se 5 vite opozitën. U tall me të. Çfarë nuk tha, çfarë nuk shpifi për të. Të keqen e retorikës së diktatorit me Ballin Kombëtar dhe Legalitetin në fund të luftës e në fillim të instalimit të diktaturës komuniste! Ai është ku e ku më lart në luftën speciale kundër opozitës!

    Në fillim u tall kur opozita tha se ai transportote drogë me avionë të vegjël.  Tha se opozitës mushkonjat e Divjakës u duken avionë! Por deshi zot dhe e zbuloi lakuriq me Firmaton e tij! U tall me opozitën kur ajo tha se ai kishte 19 kriminelë në radhët e deputetëve! Por pastaj doli i nxirë, kur gjithçka u faktua. Dhe në shenjë hakmarrjeje vazhdoi të heqë tullat e bashkëpunimit me kundërshtarët e tij politikë. Sepse byrekun donte të  gjithin i vetëm.

    Dhe ia arriti që një ditë ta detyrojë opozitën të ikte nga parlamenti. Prej këtij momenti e gjithë tepsia e byrekut i mbeti në dorë.

    Nganjëherë nuk dinte ç’të bënte me të. Por pastaj e vendosi: Kishte marrë drejtësinë në dorë dhe tani do merrte parlamentin. Por jo me 140 deputetë sa duhen me kushtetutë. I mjaftonin edhe 122 deputetë, për të bëre ligjet e tepsisë, me qëllim që byrekun ta ndante “me ligje” speciale për miqtë e tij oligarkë. E nisi me Fushën dhe e bitisi me Kastratin. Nëse ne e lemë pas 25 prillit, nuk dihet se deri ku do të shkojë me turravrapin e tij për ta shkatërruar pushtetin e shtetësinë në këtë vend. Se nuk ka shtetësi pa institucione.

    Ai i shkatërroi të gjitha institucionet, derisa më 30 qershor 2019 i mori edhe të gjitha bashkitë. Institucioni tashmë është vetë ai. Ministritë, komitetet, gjithçka që formëson është thjesht një formalitet! Kushtetuta është vetë kryeministri! E drejta është Ai, kryeministri! Ligji është po ashtu kryeministri! Pra, i gjithë pushteti është në duart e tij! Të tjerët duhet të bëjnë “amin”! Ndërkohë ai hiqet si baba i kombit, por për ta shkatërruar këtë komb! Ne “fëmijët” e tij duhet të bindemi verbasi e të sodisim se si ai ia heq këtij shteti një e nga një të gjitha tullat e godinës shtetërore!

    Ai di të shkatërrojë, por jo të ndërtojë!  Shkatërroi teatrin kombëtar! Sepse dëshiron të ndërtojë kulla së bashku me mafien! Ai shkatërroi jetën e qytetarëve të vet, që të lulëzonte jeta e mafiozëve, kriminelëve dhe të korruptuarve në këtë vend. Ai përpiqet të shkatërrojë moralin e ndërtimit dhe funksionimit të shtetit, duke i dhënë vlerë grabitjes, rrënimit, vjedhjes, korrupsionit!!

    E ndërkohë sot ai u flet shqiptarëve sikur nuk ka ndodhur asgjë në këto tetë vite! Por tashmë është i vonuar. Mesa duket pasojat e Covid-19 ishin pozitive. Ka shtuar në memorien e shqiptarëve disa MB e GB për t’I risjellë në kujtesë sa e sa prapësi dhe akte anti-ligjore e anti-shtet të tijat! Kësaj i thonë se byrekun e hëngre ai, por tepsinë nuk mund ta hante. Tepsia është aty! Faktet janë aty! Nuk munden të të justifikojnë as televizionet e analistët e blerë, as mediat që i lëpihen, as fjalimet me retorikë batutash, as shfaqjet teatrale dhe as Instituti i Fabrikimit të Shpifjeve, Rrenave dhe Ushtrimit të Propagandës së tij, ngritur në godinën e kryeministrisë!

  • Red VARAKU – 1 marsi si dita e parë e pranverës politike pas një dimri 30 vjeçar

    Red VARAKU – 1 marsi si dita e parë e pranverës politike pas një dimri 30 vjeçar

    Dje nuk ka qenë vetëm dita më e vështirë në kuptimin politik për këtë kryeministër për shkak të dy ngjarjeve me një peshë shumë të rëndë politike kundër tij, por ka qenë njëkohësisht dhe dita më e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë dhe për rrugëtimin e saj drejt Perëndimit.

    Brutaliteti me të cilin e trajtoi Brukseli këtë kryeministër, ishte padyshim një ngjare jashtëzakonshme. Kthimi i tij në Shqipëri pa një datë për hapjen e negociatave sigurisht është një shpullë e qartë për të dhe një mesazh i qartë popullin shqiptar.

    Fakti që u kthye pa një datë dhe u paralajmërua hapur që të mbante larg duart nga zgjedhjet, ishte një presion i hapur dhe një shpullë aspak diplomatike edhe për të gjithë naivët dhe ata që e shitën këtë udhëtim të tij drejt BE si sukses.

    Mungesa e një date për negociatat shemb dhe rrëzon çdo pretendim , ndërsa vendosja e këtyre zgjedhjeve si kryekusht për integrimin si dhe akuzat për vjedhje votash, nuk dëshmojnë vetëm vendosmërinë e miqve të Shqipërisë për rikthimin e demokracisë në Shqipëri, përmes zgjedhjeve të lira dhe rëndësinë që kanë këto zgjedhje për të ardhmen e Shqipërisë , por njëkohësisht tregojnë refuzimin e hapur për regjimin e tij dhe mbështetjen e qartë të BE ndaj Shqipërisë si vend kandidat për tu bërë anëtar dhe ndaj forcave pro-demokratike shqiptare .

    Në terma politikë ky nuk është vetëm një dështim i madh, por është një paralajmërim i BE-së ,që ky kryeministër duhet të lejojë zbatimin e reformës zgjedhore, që në fakt është dhe kryekushti për hapjen e negociatave.

    Ky qëndrim i BE gjithashtu është dhe një vërejtje e hapur reformën në drejtësi dhe nominalisht për SPAK, i cili sipas tyre është i kapur nga ky kryeministër, ndryshe nuk kanë pse i kërkojnë një kryeministri të ndëshkojë krimin elektoral, sepse kjo është detyrë e institucioneve të reja të drejtësisë.

    Por, ndërkohë që Rama merrte refuzimin përfundimtar nga Brukseli, në Shqipëri po ndodhte një ngjarje shumë e madhe politike ,e cila i dha fund të gjitha spekulimeve dhe hamendësimeve të bëra sistematikisht nga matrapikët e kryeministrit nëpër studiot tekevizive, koalicioni PD-LSI i cili jo rastësisht u shpall në ditën e parë të pranverës.

    Kjo sepse kjo marrëveshje është vula që garanton dhe betonizon bashkimin e opozitës aq shumë të vënë në dyshim gjatë gjithë kësaj kohe, duke rrëzuar çdo argument kundër. Pas kësaj marrëveshje kushdo që tenton të argumentojë të kundërtën thjesht flet pallavra, sepse një koalicion politik është në frymë dhe besim dhe jo në akte formale.

    Kjo marrëveshje dhe formula e e perzgjedhur për të kandiduar si koalicion me dy lista, administron plotësisht frymën anti-rregjim, duke krijuar një sintezë që zbret deri në bazë dhe duke garantuar edhe matematikisht fitoren për këtë koalicion në tavolinë.

    Siguria për rrotacionin, është një element shumë i rëndësishëm në këto momente, sepse vret frikën që ka arritur të mbjellë ky rregjim tek qytetarët, përmes krimit të krimbur ne para dhe pushtet, të cilin e ka instaluar në cdo qelizë të shtetit.

    Në këtë kuptim një marsi nuk është vetëm dita e fillimit të një stine të re siç është stina e pranverës , por në kuptimin simbolik është dhe nisja e një stine të re politike për popullin shqiptar, pas një dimri të acartë 30 vjeçar.

    Kjo ditë do të mbetet një ditë shumë e rëndësishme për zhvillimet politike ne vend dhe nuk do të mbahet mend vetëm si dita që vulosi rrugën pa kthim të kësaj mazhorance ilegjitime drejt fundit, por dhe si dita që shënoi fillimin e fundit të tranzicionit dhe dita kur Shqipëria nisi rrugëtimin drejt një stine të re, drejt një epoke të re.

  • Erion DASHO – Po çfarë është ‘normale’ për Boratin?!

    Erion DASHO – Po çfarë është ‘normale’ për Boratin?!

    Me ardhjen e vaksinave kineze dhe me fillimin e vaksinimit elektoral, Borati po flet papushim për një verë “normale”. Po çfarë është “normale” për Boratin?

    Shqipëria sot ka klubet dhe restorantet hapur, ndryshe nga pjesa tjetër e Europës! Ka hapur hotelet dhe bujtinat për turizën!

    Nuk ka kufizime për asnjë biznes, madje edhe për qendat e mëdha tregëtare dhe bizneset jo thelbësore!

    Ka autobuzët plot dhe njerëzit qëndrojnë mbi njeri tjetrin në radha, madje edhe në radhën për të bërë vaksinën anti-COVID!

    Duke filluar nga maji i 2020-ës, Shqipëria nuk ka aplikuar asnjë masë kufizuese duke e lejuar pandeminë të përhapet me ritmet më të larta në Europë dhe të bëjë dëme në jetë njerëzore ndër më të lartat në botë!

    Janë mbi 9,000 shqiptarë të vdekur sot nga COVID-i që e bëjnë Shqipërinë një ndër vendet më të prekura në botë dhe kjo shifër nuk duhet harruar!

    Në këto kushte, të sjellësh 200 mijë vaksina kineze me efektivitet 50% dhe të pretendosh se po krijon me to një “normalitet” është propagandë dhe demagogji!

    Në Shqipëri i ashtuquajturi “normalitet” është krijuar në kurriz të shëndetit dhe jetës së shqiptarëve!

    Duke patur një kryeministër dhe qeveri “anormale” Shqipëria vendosi të ndjekë rrugën e sivëllezërve bjellorusë dhe tanzanianë të cilët i lëshuan vendet e tyre pa frena drejt tragjedive njerëzore!

    Borat! Ndalimqarkullimi pas orës 20 dhe mbajtja e maskave prej lecke në rrugë nuk janë masa!

    Ta kemi thënë qindra herë dhe po e përsërit edhe njëherë se efekti i tyre në parandalimin e COVID është pothuajse zero!

    Nga maji 2020 e deri më sot, shqiptarët nuk kanë patur asnjë mbrojtje nga qeveria e tyre! Prandaj edhe kanë vdekur!

    Sot, ti edhe po i tall e po i mashtron ata për të fituar ca vota më tepër!

    Turp, Borat…

  • Red VARAKU – Pafuqia e Ramës për të ndalur kandididimin e krimit në zgjedhje

    Red VARAKU – Pafuqia e Ramës për të ndalur kandididimin e krimit në zgjedhje

    Gati në çdo dalje publike ambasadorja e SHBA dhe ambasadori i BE po i kërkojnë kryeministrit që të mos kandidojë  njerëz të botës së krimit ose individë të lidhur me botën e krimit.

    Kjo jo vetëm për t’i kujtuar atij angazhimin e tyre për zgjidhjen e krizës shqiptare, përmes aplikimit të reformës zgjedhore si kusht për integrimin, por njëkohësisht për të garantuar opozitën, që zgjidhja e krizës përmes zgjedhjeve të lira është detyrim i tyre si negociatorë te krizës. Për të dhënë llogari për këtë e kanë thirrur dhe në Bruksel këtë të hënë.

    Por, kryetari i PS ka vendosur të hyjë në këto zgjedhje, jo vetëm me të njëjtën strategji, por edhe me të njëjtën bandë me të cilat vodhi zgjedhjet e 2017 duke shkelur angazhimin e tij.

    Kështu ai ka nisur të riaktivizojë po të njëjtin mekanizëm për manipulimin e zgjedhjeve, për të cilin opozita ndërmori aksionin më të madh opozitar të këtyre 30 viteve, duke djegur mandatet dhe bojkotuar  zgjedhjet.

    Përmes kësaj strategjie ai ka vendosur të injorojë kushtet e vendosura nga Bashkimi Europian dhe të refuzojë këshillat e miqve të Shqipërisë, duke marrë kështu mbi shpatulla izolimin nderkombetar dhe koston e bllokimit të integrimit.

    Vetëm se kjo qasje që ai po e servir plot arrogancë dhe prepotencë, në të vërtetë është një përpjekje për të kamufluar dobësinë e tij më të madhe, pafuqinë për të ndryshuar ‘aleatët’ e tij të krimit, sepse të gjithë e dimë që  pavarësisht propagandës, është pikërisht dështimi me integrimin dhe izolimi i Shqipërisë që do t’i prodhojë një humbje spektakolare të pushtetit. 

    Po pse është i detyruar të kandidojë kriminelë dhe kasnecë të krimit , pavarësisht paralajmërimeve, kur ai vetë e ka të qartë se kjo do t’i prodhojë humbje dhe dështim?

    Arsyeja kryesore është fakti që ai është pafuqishëm që ta ndalë kandidimin e tyre. Ata sot janë hallka kryesore që mban në këmbë PS. Ai nuk mund t’i shkelë pazaret që ka mbyllur me grupet kriminale, sepse kjo do të sillte një disfatë totale të PS, ngaqë sot janë ata që e kontrollojnë PS dhe janë padronë të strukturave të saj.

    Pra, edhe pse e ka të qartë fundin e atyre që kanë tentuar ndërprerjen e ëndrrës së shqiptarëve për tu bashkuar me Perëndimin, edhe pse e ka të qartë fundin e atyre që kanë tentuar izolimin e Shqipërisë ,edhe pse e ka të qartë fundin e tradhtarëve të këtij kombi që tentojnë vëllazëri me serbët në kurriz të Kosovës , ai është pafuqishëm që t’i shmanget marrëveshjeve që ka me krimin, të cilin e ka shëndoshur ne poste, tendera dhe para publike, sepse kështu do të ndëshkohej në mënyrë të pashmangshme nga vetë krimi.

    Pra, nëse vendos të largojë ata me të cilët vodhi dhe ndau pushtetin, PS do shkërmoqej përfundimisht, sepse lidhja me këtë kategori e ka asgjësuar tërësisht fuqinë politike të strukturave të partisë, sepse janë këta individë që i kanë zëvendësuar këto struktura ,janë këta që kanë emëruar drejtorë apo kanë urdhëruar punësimin e shumë socialistëve dhe për pasojë largimi i tyre do të sillte dhe asgjësimin e strukturës bazë të partisë.

    Një arsye tjetër është dhe bjerrja e PS-së. PS është në një krizë të rëndë të burimeve njerëzore dhe po përballet me një braktisje të madhe nga qytetarët shqiptarë, pikërisht për shkak të raporteve të saj me krimin dhe kriminelët.

    Të gjithë e dimë që kjo parti sot kontrollohet nga individë që janë aty si përfaqësues të interesave të botës së krimit dhe nuk janë aty si përfaqësues të interesave të qytetarëve. Riciklimi i të njëjtëve individë është drejtpërdrejtë nevoje dhe pasojë e lidhjes biologjike që ka sot kjo parti me krimin e organizuar, ndaj shkëputja nga keta individe shkakton automatikisht vdekje klinike për të .

    Në fakt ky është poshtërimi më i madh i PS prej Edi Ramës. Pasi e ka shkatërruar identitetin e saj me lidhjet e tij me krimin, pasi ka fyer dhe larguar të gjithë socialistët e vërtetë , tani ka mbetur vetëm me ata që e shkatërruan atë dhe nuk ka asnjë shans që t’i largojë.

    Ndaj, për shkak të pafuqisë për të ndryshuar këtë realitet të rëndë, edhe pse e ka të qartë se me këta individë humbjen e ka të sigurtë, ai do te refuzoje vazhdimisht kinse me arrogancë që të përmbushë detyrimin e moskandidimit të krimit , por jo se nuk do, por nuk mundet, sepse nëse i largon sot, fatura i shkon atij personalisht në të gjitha format.