Blog

  • Erl KODRA – Demagogu i fundit

    Erl KODRA – Demagogu i fundit

    Sipas historianit amerikan Reinhard Luthin, demagogu është “… një politikan i aftë në oratori, lajka dhe gjuhë fyese; evaziv në diskutimin e çështjeve jetike; që premton gjithçka për të gjithë; që u drejtohet pasioneve dhe jo arsyes njerëzore; që ngre peshë racat, besimtarët dhe paragjykimet klasore – i etur për pushtet pa parime, që kërkon të bëhet Mjeshtër i Masave, që ka ushtruar për shekuj me radhë profesionin si ‘njeri i popullit’, dhe që është një produkt i një tradite politike të vjetër sa vetë civilizimi perëndimor.”

    James Fenimore Cooper, shkrimtar amerikan i gjysmës së parë të shekullit XIX, në vitin 1838 identifikoi katër karakteristika themelore të demagogëve:

    – Paraqiten si njerëz të dalë nga populli i thjeshtë, që kundërshtojnë elitat.

    – Politika e tyre varet nga një lidhje e brendshme me njerëzit, që tejkalon popullaritetin e zakonshëm politik.

    – Manipulojnë lidhjet dhe popullaritetin për përfitimet dhe ambiciet e tyre.

    – Kërcënojnë ose thyejnë plotësisht rregullat e vendosura të sjelljes, institucionet, madje edhe ligjin.

    Karakteristika kryesore e demagogjisë është bindja me anë të pasionit, mbyllja e diskutimit të arsyetuar ose refuzimi shqyrtimit të alternativave. Ndërkohë që shumë politikanë në demokraci bëjnë herë pas here sakrifica të vogla me të vërtetën, për të ruajtur mbështetjen popullore, demagogët i bëjnë këto gjëra pa pushim dhe pa asnjë vetëpërmbajtje. Demagogët “i jepen pasionit, paragjykimit, fanatizmit dhe injorancës, në vend të arsyes”.

    Thomas Macaula thotë: “Në çdo epokë, ekzemplarët më të ndyrë të natyrës njerëzore mund të gjenden midis demagogëve”.

    Demagogët kanë lindur në çdo demokraci, që nga Athina e lashtë deri në ditët e sotme. Megjithëse shumica e demagogëve kanë personalitete unike, plot ngjyra, taktikat e tyre psikologjike kanë mbetur të njëjta përgjatë historisë. Kleoni i Athinës konsiderohet demagogu i parë, ai mbahet mend kryesisht për brutalitetin e sundimit dhe shkatërrimin e demokracisë athinase, që buron nga thirrja e tij për “njerëzit e thjeshtë” që të shpërfillin zakonet e moderuara të elitës aristokratike. Demagogët modernë përfshijnë Adolf Hitler, Benito Mussolini, Huey Long, At Coughlin dhe Joseph McCarthy. Të gjithë ndërtuan lidhje masat në të njëjtën mënyrë si Cleon: duke eksituar pasionet e turmës kundër zakoneve të moderuara të elitave aristokratike të kohëve të tyre. Të gjithë, antikë dhe modernë, përmbushin katër kriteret e Cooper-it: pretendimi për të përfaqësuar njerëzit e thjeshtë, nxitja e pasioneve të forta mes tyre, shfrytëzimi i atyre reagimeve për të marrë pushtetin dhe thyerja ose prishtja e rregullave të vendosura të sjelljes politike, megjithëse secili në mënyra të ndryshme.

    Demagogët shfrytëzojnë një dobësi të përhershme të demokracive: numri i madh i votave në shtresat varfëra të popullsisë dhe njerëzve më pak të arsimuar – njerëz të prirur të fshikullohen nga tërbimi. Demagogët e shndërrojnë pushtetin që buron nga mbështetja popullore në një forcë që minon liritë dhe shtetin e së drejtës. Sipas historianit grek Polibi “demokracitë zhbëhen në mënyrë të pashmangshme nga demagogët, dhe përfundimisht, çdo demokraci kalbet nga një qeveri e dhunshme që drejtohet me dorë të fortë”.

    Ndërsa mençuria konvencionale vendos demokracinë dhe fashizmin si të kundërta, për teoricienët e lashtë politikë, demokracia kishte një tendencë të lindur për të çuar në një qeveri ekstreme populiste, që u dha demagogëve të paskrupullt mundësinë ideale për të marrë pushtetin. Në të vërtetë, Ivo Mosley argumenton se regjimet totalitare mund të jenë rezultati logjik i demokracisë masive të pafrenuar.

    Metodat

    Një demagog gjithmonë kërkon dhe shenjestron një armik të jashtëm ose të brendshëm, duke e ndarë njerëzinë në “ne të mirët” dhe “ata të këqinjtë, që nuk i hyjnë në punë as dreqit”. Hitleri fajësoi hebrenjtë si të keqen e madhe, që sollën humbjen e Gjermanisë në Luftën e Parë Botërore, si dhe problemet ekonomike që pasuan atë luftë. Kjo ishte thelbësore për shumë njerëz, sepse shumë gjermanë thonin se e vetmja arsye që u pëlqente Hitleri, ishte se ai po u tregonte vendin hebrenjëve. Prandaj “përcaktimi i fajit” i dha Hitlerit dorë të mirë të ruajë unitetin dhe intensifikojë nacionalizmin.

    Komunistët dhe demagogët operojnë me të njëjtat mjete propagandistike, si njerëz të popullit të thjeshtë, që mendojnë ditë e natë për hallet e tyre, se pushteti që buron nga populli është pushteti i tyre popullor (që nuk është në të vërtetë). Ata gjithmonë apelojnë për “armiqë që nuk flenë kurrë”, të gatshëm të “shkojnë në hell” popullin e thjeshtë. Pavarësisht se ndryshimi thelbësor mes demagogëve dhe komunistëve është metoda e marrjes së pushtetit, ata operojnë me të njëjtat metoda për ruajtur pushtetin e tyre. Nëse komunistët vijnë në pushtet nga revolucionet dhe themelojnë shtete terrori, demagogët vijnë në pushtet me votë dhe kthehen në diktatura. Gjatë pushtetit të tyre, të dy palët pretendojnë legjitimitet absolut nëpërmjet mashtrimit dhe gënjeshtrës, teorive të komplotit dhe armiqve imagjinarë. Kur një gënjeshtër nuk funksionin, ata hidhen në gënjeshtra të tjera më të mëdha, më të shumëta, më të paskrupullta.

    Karizma emocionale dhe karizma personale

    Demagogët demonstrojnë aftësi të jashtëzakonshme për të lëkundur audiencat në thellësi dhe lartësi të mëdha emocionale. Ndonjëherë kjo vjen për shkak të elokuencës së lartë, ndonjëherë prej karizmës personale, por edhe nga kombinimi i të dyjave. Adolf Hitler i kishte të dyja. Sytë e tij kishin një efekt hipnotik tek shumë njerëz. Ai i fillonte fjalimet duke folur ngadalë, me një zë të ulët dhe rezonant, duke treguar për jetën e tij në varfëri pasi shërbeu në Luftën e Parë, duke vuajtur kaosin dhe poshtërimin e Gjermanisë së pasluftës, për të përfunduar në një kulm urrejtjeje ndaj hebrenjve, çekëve, polakëve ose cilitdo grup që ai e perceptonte se e pengonte në rrugën e tij – duke i sharë, mallkuar, fyer dhe kërcënuar me shkatërrim dhe shfarosje. Për fat të keq, njerëz të arsyeshëm u përfshinë nga frenetizmi, duke besuar në gënjeshtra dhe marrëzi.

    Edhe Enver Hoxha kishte aftësi të rralla aktrimi dhe oratorie, madje shumë më të sofistikuara se sa Adolf Hitler; ai ishte një demagog i lindur. Fjalimet e tij ishin plot pathos patriotik, për “popullin shqiptar që e ka çarë rrugën e historisë me shpatë ne dorë”, për “Shqipërinë shkëmb graniti buzë Adriatikut” që po ndërton socializmin me forcat e veta, për Partinë dhe Udhëheqësin e saj të lavdishëm (për veten e vet) që po u “ndriçon rrugën klasës punëtore në botë”, në “luftë të egër me imperializmin amerikan dhe social-imperializmin sovjetik”. Kulme të tilla të pakrahasueshme vështirë se do të arrihen nga ndonjë demagog në faqe të dheut, ashtu si fjalimet e Hoxhës; një burrë i gjatë, i pashëm, flokëbardhë, imponues si një perëndi; i frikshëm si një demon, ai kishte magjepsur shumë mendje të çoroditura shqiptarësh të mjerë, që ua kishte mbushur mendjen se bota është pushtuar nga përnidëshat, dhe se vetëm populli shqiptar po jeton në parajsën socialiste të ndërtuar nga Enveri dhe Partia e Punës. Nuk është e rastit se ditën që Enver Hoxha po përcillej për në varreza, shumë shqiptarë qanin me kuje, sikur bota të ishte përmbysur.

    ***

    Ne shqiptarët kemi paguar çmim të lartë duke ushqyer demagogjinë nga padituria dhe frika, nga skamja dhe servilizmi, nga urrejtja dhe komplekset tona. Shpesh herë demagogët e shalojnë mjerimin tonë mendor dhe material, ia hypin nevojave tona elementare për mbijetesë; dhe kështu, ne mbetemi pengje të përjetshme, kësaj here të një demagogu pervers dhe sharlatan si Edi Rama.

    Demagogjia e Edi Ramës është e re për nga stili, por shumë e vjetër për nga përmbajtja. Ai përdorë të njëjtat metoda të vjetra në fjalimet e tij; gënjeshtrën, frikësimin, shpifjen, talljen, përçmimin dhe demonizimin. E keqja është gjithmonë Partia Demokratike që nuk i duhet as dreqit, është Sali Berisha, është Lul Gjumashi që papritur del se është edhe armik dhe tradhtar, i lidhur me rusët dhe serbët. Edi Rama ka gjithmonë të drejtë, ai është më i miri, më i zgjuari, më i gjati, më i drejti: ai ka stil, elokuencë, oratori të lartë – ai është nxënësi i Fan Nolit dhe Faik Konicës – ai ka sqimën e Mithat Frashërit dhe “madhështinë” e Enver Hoxhës. Ai vishet ndryshe, plot stil dhe elengancë, stil të cilin nuk e kuptojnë demokratët e pagdhendur, shpellarët, veriorët dhe kosovarët. Ai është mik i liderve botërorë, të cilët magjepsen nga kultura e tij e gjerë, pikturat e tij, shakatë e tij. Gjestet e tij teatrale përgjatë fjalimeve në Parlament para Kujtim Gjuzit tejkalojnë gjestet e Duçes, Hitlerit dhe Enverit të marra së bashku.

    Edi Rama është pasqyra e mjerimit tonë shoqëror, social dhe kulturor.

  • Erl KODRA – Kanibali

    Erl KODRA – Kanibali

    Në një skenë në formë tubi, e mbushur me portretet online të kandidatëve të ferrit, dje ngriti siparin shfaqja horror e Edi Ramës. Si një demon i gjithëpushtetshëm, i armatosur me fjalor rruge dhe gjeste të rënduara, ai luajti në kufinjtë e të pamundurës. Historia njerëzore ka njohur akte ekstreme dëshpërimi, por në asnjë rast nuk është parë dhe dëgjuar një maskaradë si ajo e djeshmja.

    Ka njerëz të dëshpëruar që dhurojnë shfaqje plot dhimbje, të tillë që ndërmarrin akte ekstreme duke tentuar vetvrasjen, disa zgjedhin të djegin veten me benzinë, të tjerë të hidhen nga lartësi të mëdha, por asnjëherë, në asnjë rast nuk ka ndodhur që dëshpërimi i thellë të kaplojë Kryeministrin e një vendi, ashtu si Edi Ramën dje. Fundja, çfarë është ajo frikë e tmerrshme që mund të detyrojë një njeri të shpërfytyrohet në atë far’ feje, aq sa të vetmasakrohet publikisht?!

    Ne e dimë se ai është një personazh atipik, por dje ai kaloi çdo kufi, përtej të cilit nuk ka vend për arsye racionale. Masturbimi publik i Edi Ramës nuk mund të krahasohet me asgjë, me askënd, në asnjë kohë, në asnjë rrethanë. Bota nuk ka parë ndonjëherë një kanibal si ai, duke iu sulur portreteve njerëzore, ashtu, i çartur prej tërbimit.

    Po nga i vjen ky tërbim Edi Ramës? Çfarë është kjo histeri vullkanike që shpërthen në fyerje seksiste kundër grave dhe burrave të këtij vendi? Kush është ky qelbanik që qelbi dynjanë me poshtërsitë e tij? Deri kur do të durojmë këtë ndyrësirë, të na ndyjë nderin dhe dinjitetin tonë?!

    Deri kur do t’i durojmë edhe televizionet kombëtare të transmetojnë pa fjalë, pa ndërprerje, pa pushim ujrat e zeza që dalin nga gurmazi i Edi Ramës?! Edhe një ditë, edhe dy, edhe tre?! Apo kjo do të jetë hera e fundit?!

    Deri kur do t’i durojmë spiropalët dhe spahitë të glorifikojnë këtë kanibal të moralit tonë? Kaq poshtë ka ra dinjiteti ynë?!

    Ky demon duhet ndalur sot. Përndryshe herën tjetër, në Tubin e Turpit do të shfaqet me ndonjë vajzë adoleshente, për ta përdhunuar publikisht.

    Nëse ne nuk e ndalojmë, sigurisht.

  • Ardit GJINALI – “Vota për ndryshim  shëron Shqipërinë dhe ndëshkon padrejtësinë keqqeverisëse”

    Ardit GJINALI – “Vota për ndryshim  shëron Shqipërinë dhe ndëshkon padrejtësinë keqqeverisëse”

    Nuk është çështja e zgjedhjes së të keqes më të vogël, por për të ndëshkuar të keqen e madhe përmes bashkimit qytetar të vlerave të përbashkëta  për një shpresë dhe besim të ri që do të ndryshonte të tashmen dhe do të garantonte një të ardhme ndryshe për Shqipërinë; bashkimi i sotëm si një garanci për të penguar përsëritjen e kalvarit të së tashmes ku qytetari i zakonshëm i këtij vendi ka humbur shumëçka të rëndësishme;- qytetari halleshumë ka humbur vitet që janë shenjuar nga diktati keqqeverisës, i tilli  që ka lëshuar secilin ferman famëkeq për të instaluar një regjim autokratik që rreket të uzurpojë secilin segment shoqëror dhe të shuajë secilën qelizë të reagimit shoqëror;- regjimi kërkon shkurajimin qytetar të pjesëmarrjes  së të njëjtëve në secilin proçes demokratik sepse fuqia e votës mbetet temjani i djallëzisë keqqeverisëse që nuk mund të përballet me qytetarin për shkak të bilancit të munguar dhe enumeracionit të të pabërave që i kanë bërë gjëmën këtij vendi duke e kthyer në tokën e pajetueshme për bijtë e tij;  Shqipëria  e mpakur në popullsi, e drobitur në shtetshmëri  dhe e sëmurë në trup për shkak të takimit tragjik të aftësisë së munguar, grykësisë së shfrenuar dhe djallëzisë së qëllimtë,  të tillët përcaktorë që përbëjnë boshtin e sjelljes qeverisëse së pushtet-ushtruesve.

    Shqipëria e sëmurë ku pushteti ka gllabëruar shtetin dhe tjetërsuar Republikën mund të shërohet përmes ushtrimit demokratik të instrumentit të votës dhe të një pjesëmarrjeje aktive qytetare, e tilla pjesëmarrje që do të garantonte dëgjimin e zërit qytetar dhe do të hidhte tutje secilën llogari të zezë pushtet-mbajtëse për të vijuar sundimin , e tilla llogari  që bazohet nëpjesëmarrjen e munguar qytetare; vota është ilaçi që do të shëronte Shqipërinë, e tilla votë është vaksina kundër virusit të keqqeverisjes; vota është kundërtrupi që nuk lejon prekjen e nervit qytetar  që përmban shpresën për ditë më të mira në këtë vend; vota dhe fuqia që buron për shkak të së tillës është kushtrimi dhe thirrja për ndryshimin që nuk mund të konsiderohet si një nevojë, por si një domosdoshmëri shoqërore; vota është ndëshkim për secilën dukuri negative të së tashmes; vota është besim për një të nesërme më të mirë; vota është kurajo qytetare për tu përballur me të keqen; vota shemb absolutizmin  dhe ndërton demokracinë; vota përbuz arbitraritetin dhe thërret për të drejtën; vota shëron trupin institucional të një shteti dhe është dëshmia e një shpirti shoqëror të patjetërsuar; vota është drejtësia shoqërore mbi padrejtësinë politike të pushtetit; vota është fuqi dhe pushtet që rrëzon një pushtet të ushtruar keq, i tilli që nuk mund të deformojë vullnetin qytetar nëse individi angazhohet për rrëzimin e autokracisë; vota është liri dhe mundësi për normalitet që do të realizohet përmes ndryshimit.

    Shqipëria kërkon ndryshim dhe qytetari thërret të tillin; pjesëmarrja masive në zgjedhje është mënyra e vetme demokratike për të jetësuar ndryshimin e shumëpritur; ndyshim mendësie dhe sjelljeje qeverisëse në një Shqipëri ndryshe të së nesërmes;- në Shqipërinë normale të një qeverie normale dhe Kryeministri normal, gjithashtu. Koha për një bashkim të madh për të zgjedhur dhe për të ndëshkuar  përmes fuqisë së votës është tani! Vota për ndryshim shëron Shqipërinë dhe ndëshkon padrejtësinë keqqeverisëse. 25 Prilli është dita dhe data që fton për një fillim të ri, besim të ri, shpresë të re dhe për ditë më të mira në një Shqipëri ku mundësia e barabartë  është themeli i lirisë. Koha për një shpresë të re dhe ndryshim është tani! Bashkë sepse ka ende shpresë.

  • Red VARAKU – Rindërtimi i PS në opozitë, sfida kryesore e socialistëve

    Red VARAKU – Rindërtimi i PS në opozitë, sfida kryesore e socialistëve

    PS është rikthyer sot në pikën ku ishte Partia e Punës në vitin 1991, pas diktaturës, ku i duhej doemos të rithemelohej dhe të vendoste në krye të saj një figurë që nuk perfaqëson bllokun.

    Kjo për shkak të bilancit të saj të zi qeverisës, që i riktheu shqiptarëve jo vetëm mjerimin, por dhe hijet e regjimit të shkuar në të gjitha kuptimet.

    Ajo riktheu frymën e partisë shtet që kontrollon gjithçka dhe njëkohësisht ringjalli bijtë e atyre që nuk dhanë asnjë ditë llogari për genocidin e ushtruar mbi popullin shqiptar për 45 vjet me rradhë.

    Gjithashtu, bashkëpunimi i saj me krimin e organizuar ka sjellë dhe degradimin e qelizës bazë të kësaj partie, sepse ka rrënuar përfundimisht procesin politik brenda saj.

    Përdhunimi që Edi Rama i ka bërë kësaj partie ka prodhuar perversë dhe dështakë më emblematiku i të cilëve është Erjon Veliaj.

    Në këtë kuptim kjo parti ka degraduar sërish në pikën që është kthyer në një sekt individësh interesi parësor i të cilëve nuk është kurrsesi interesi i qytetarëve, por është humori i kryetarit.

    Prej saj janë zbuar të gjitha figurat politike dinjitoze dhe ajo është mbushur me mercenarët e Edi Ramës dhe kasnecët e oligarkëve dhe krimit të organizua,  të cilët në fakt do të jenë dhe varri i kësaj partie.

    Mjafton të përfytyrosh pak se me kë janë zëvendësuar Pandeli Majko, Fatmir Xhafaj , Ditmir Bushati etj për të kuptuar kancerin metastazat e të cilit mund t’i marrin jetën kësaj partie.

    Ndaj, kalimi i saj në opozitë përveç se i bën mirë shqiptarëve, i bën mirë vetë socialistëve, sepse i jep mundësinë atyre ta rithemelojnë atë ashtu siç bënë në 1990.

    Pra, mbi të gjitha në mënyrë që të nisë rindërtimin pas katastrofës me emrin rilindje, PS- ja ka nevojë jetike të kalojë në opozitë. Ashtu si në 1990 ajo ka nevojë jo vetëm për një emër të ri, por për një kryetar të ri, një lider të lirë, që nuk është kurrsesi peng tek Edi Rama, dhe që nuk mund të jetë peng i drejtësisë dhe korrupsionit nesër.

    Ata duhet doemos të gjejnë një figurë e cila nuk përfaqēson kurrsesi këtë sekt, sepse nëse PS tenton të mbajë në lojë rilindjen, garant që Shqipëria do të jetë për një kohë të gjatë pa opozitë, deri në formimin e një force të re.

  • Andi BUSHATI – Edhe grushti im bashkë me atë të të “çmendurit” Meta

    Në përpjestim të drejtë me shpejtësinë që rrejti po shpërndan videot e presidentit të republikës duke vënë përpara një bandë të veshur me uniforma policësh bashkiakë, propaganda e rilindjes ka nisur një fushatë të ethshme për ta paraqitur Ilir Metën si një të çekulibruar mendor që zihet me grushta nëpër qytet.

    Në fakt, po ti shikosh personazhet që shfaqen në ato imazhe të bëra tashmë virale, askush nuk duket normal, e aq më pak kreu i shtetit, me kollaren e zhveshur dhe me instiktet e ish shtangistit të rindezura më fort se kurrë.

    Edhe në vendet e botës së tretë, rrallë kemi parë një president republike të përdorë forcën e muskujve për të zgjidhur një konflikt. Edhe në regjimet më të egra, është e vështirë të qëmtosh raste kur personalitetet politike angazhohen fizikisht për kauzën e tyre.

    Thënë këtë, arrij ti përfytyroj të gjithë justifikimet e bythëpambukëve, frikacakëve, të dorzuarve, neutralëve ndaj të keqes, të cilët kërkon të manipulojë agjitpropi i Rilindjes.

    Po, vërtet, për ta, Ilir Meta është një i çekuilibruar, sepse në lartësinë e postit që mban nuk i takon të sillet kështu.

    Njësoj si ai edhe ata protestuesit kuksianë që kundërshtonin traun grabitës të rrugës së kombit ishin të çekuilibruar. Njësoj si ai edhe ato nënat që me gjithë gazin lotësjellës mbi fëmijët e tyre, nuk i lëshonin shtëpitë që po ua prishin pa dëmshpërblim, te stacioni i trenit, ishin për te spitali 5. Njësoj si ai edhe banorët e unazës që protestonin ndaj një projekti që duke fallcifikuar letrat e sekretarit të shtetit amerikan, kërkonte të çonte në parajsa fiskale paratë e grabitësve, ishin të gatshëm për tu vizituar te psikiatri. Njësoj si ai edhe ata pak aktorë që i rezistuan korruptimit të Veliajt, për të mbrojtur teatrin nga projekti qindramilionësh i kullave pas tij, nuk ishin në rregull nga trutë e kokës.

    Më kujtohen të gjithë këto shembuj sepse shpesh edhe vetë, në punën time si gazetar, e kam gjetur veten duke kapërcyer kufijtë e asaj që, në pamje të parë, duket si normale. Natyrisht për këtë i kam ngritur vetes pyetjen: si është e mundur dhe pse po ndodh kjo?

    Rrethana të përsëritura dhe një përvojë jo e shkurtër, ma kanë mësuar përgjigjen: përballë të keqes askush nuk e ka luksin e të qenit normal. Të jesh i tillë përballë një regjimi të dhunshëm e kleptokrat do të thotë në rastin më të mirë se ke pakt të heshtur me të. Të jesh politikisht korrekt, me aq edukatë sa të kthesh njërën faqe menjëherë sapo të kanë fshikulluar tek tjetra, do të thotë se je katandisur në një lolo që si vlen më për asgjë shoqërisë.

    Prandaj dhe duke parë ato pamje, papritmas, mu ndez dhe mua gjaku për ta bashkuar grushtin tim me atë të Ilir Metës, ndonëse me qëllime të ndryshme nga e tija. Por me një gjë që na bashkon: kjo zezonë na ka bërë të gjithëve të mos jemi normalë.

    Pas kësaj është e kotë të qëmtosh në filigran imtësitë e ngjarjes që polli përplasjen që pamë sot në video. Nuk ka asnjë vlerë të diskutosh për shkresat pa firmë dhe vulë që lëshon Uriahipi i bashkisë. Nuk ka pikë kuptimi të debatosh nëse i duhet marrë apo jo selia një partize, sapo ajo iu bashkua koalicionit opozitar. Nuk ka sens të kërkosh se çfarë shkruan ligji për privilegjet që i ishin caktuar Bamir Topit.

    Ajo që ndodhi sot në Tiranë ishte më shumë se kaq. Ajo qe prova gjenerale për dhunimin e opozitës në zgjedhje.

    Ilir Meta ishte aq i çmendur sa ta kuptonte këtë. Ai me sa duket është i vetmi që e ka kuptuar se kjo është një betejë. Një nga ato që nuk përballohet dot as duke qenë normal, as duke vënë qetësisht fëmijët në gjumë.

    Kjo është një luftë që me shumë gjasa Rama do ta fitojë, sepse ai ka edhe paratë e oligarkëve edhe bandat që shantazhoi OFL-ja edhe vemje që paguhen me taksat tona, si kryebashkiaku që pamë sot edhe policë që hidhen si bashibozukë në aksione politike.

    Por, pavarësisht nga rezultati, në këtë përballje secilit i bie për pjesë të luajë rolin e tij. Ose atë të lakeut, ose atë të atij që në vendin e vet e shohin si të luajtur nga mendtë, sepse, siç ka profetizuar i ndjeri Dritero Agolli, këtu një i çmëndur i bën të gjithë si vetja.

  • Poli HOXHA – Kush do t’i ndalë ‘Shtabet elektorale të nëntokës’ që ka ngritur Rama?!

    Këtë të mërkurë ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, shkoi personalisht në Elbasan (qytet ky që njihet si qendër e rëndësishme e krimit të organizuar), nga bëri disa paralajmërime të forta, por la edhe për të kuptuar shqetësimin, se krimi është duke u përfshirë sërish në fushatën elektorale.

    Në të njëjtën ditë, kryetari i Partisë Ambientaliste, Agron Duka, i cili është renditur i dyti në listën e opozitës së bashkuar për Durrësin, lëshoi një denoncim dhe paralajmërim konkret të fortë. Sipas tij në zonën ku garon, Shijak, gangsterët, bandat dhe njerëzit e krimit kanë dalë hapur në fushatë në krah të Partisë Socialiste.

    Ai shtoi se situata është e njëjtë si në zgjedhjet e kaluara dhe se është e pamundur që të garohet në këto kushte. Madje Duka, që deklaron sistematikisht se nuk ka frikë nga asgjë, paralajmëroi se nëse vazhdon kjo situatë, ai nuk ka pse e vazhdon garën.

    Tani imagjinojeni vetë se deri ku ka shkuar puna me gangsterët e Rilindjes, përderisa rrezikon që të dorëzohet para tyre edhe vetë Agron Duka dhe pikërisht në zonën e tij tradicionale!

    Duket se do shohim të njëjtin film, me të njëjtit personazhe, por me ngjyra të tjera.

    Se çfarë ndodhi për sa i përket ndërhyrjes së krimit në zgjedhjet e vitit 2017 jo vetëm shqiptarët, por e gjithë Europa e mësoi pas publikimeve të gazetës më të madhe në kontinent, BILD.

    Aktualisht Edi Rama ka nisur të bëjë një fushatë bulliste dhe denigruese ndaj kandidatëve të opozitës, dhe të gjithë po merren me analizën etike të tij.

    Por ndërkohë që Rama publikisht e ka devijuar debatin te rakia e Dash Shehit apo te pulat e Agron Dukës, ujqërit e tij të krimit kanë dalë në terren.

    Plani i Edi Ramës për të rikonfirmuar organizatën e tij në pushtet edhe 4 vite të tjera, e mandej deri në vitin 2030, pavarësisht dështimeve spektakolare në çdo fushë të qeverisjes, duket se nuk është i bazuar thjesht në dëshirë.

    Ky plan është i disafishtë!

    Përveç mos lejimit të daljes në bllok nëpërmjet koalicioneve të opozitës së bashkuar në këto zgjedhje, shantazhimit të administratës dhe propagandës së shfrenuar me paratë e buxhetit të shtetit, ai shtrihet edhe në dimensionin kriminal.

    Rama po synon që të kryejë një rikthim të skemës së bashkëpunimit me krimin, e përdorur kjo edhe në fushatat e viteve 2013 dhe 2017.

    Por këtë herë skema është sofistikuar në pamje të parë, pasi ka si pengesë Ligjin për Dekriminalizimin dhe veçanërisht investimin e hapur dhe të fuqishëm të ndërkombëtarëve dhe veçanërisht ambasadës amerikane, për të vëzhguar dhe paralajmëruar, edhe duke tejkaluar retorikën diplomatike.

    Në skemën e parë që e solli në pushtet në vitin 2013, përfaqësuesit e krimit, Edi Rama, i futi në parlament dhe i bëri kryetar bashkish. Pa llogaritur katapultimet në administratën shtetërore, e cila u kthye në një çerdhe të të dënuarve jashtë vendit për trafik e vepra të tjera penale.

    Gjithashtu një pjesë të krimit, ai e shpërbleu dhe e fuqizoi nëpërmjet tenderave dhe punëve publike.

    Për zgjedhjet e vitit 2017 iu dha bonusin e madh, duke e shndërruar Shqipërinë në vitet 2015-2016 në një parajsë të kultivimit dhe trafikimit të kanabisit dhe shndërrimin e vendit në një bazë të ndërkombëtare të kokainës dhe heroinës drejt Europës. Sot ato miliarda e të tjera, po i shohim nëpër PPP e kulla gjigante. Një pjesë të tyre, të zeza a të bardha qofshin, do të shpërndahen për blerje kokë më kokë të votës.

    Tani vetëm një muaj e pak përpara zgjedhjeve të 25 prillit, faktet që vijnë nga gjithë Shqipëria tregojnë se tashmë Edi Rama dhe levat e tij e kanë përmbyllur një aleancë të re me krimin e të gjitha llojeve.

    Nëse shihni me kujdes listat jo vetëm në Durrës, por në të gjithë vendit, “niçet” ia kanë dalë që të fusin përfaqësuesit e tyre në vende të sigurta. Nuk ka nevojë për analizë kjo gjë, mjafton që me listat në duar të shkoni qytet më qytet më qytet e fshat më fshat dhe jua tregojnë njerëzit e thjeshtë, se i kujt është njëri e i kujt është tjetri.

    Ndaj përveç shtabeve elektorale të Partisë Socialiste, atyre të biznesmenëve që kanë bërë miliona nëpërmjet punëve me shtetin, (ashtu siç pohoi Duka për Shijakun dhe e informuan dje në Elbasan ambasadoren Kim, Gazmend Bardhi e Monika Kryemadhi), në lojë janë futur edhe shtabet elektorale që kanë dalë nga ‘Operacioni Forca e Ligjit’. Si koordinatorë të të gjithëve janë emëruar dinosaurët e Rilindjes; ministra e drejtorë të fuqishëm, të cilët kanë vënë shumë dhjam gjatë këtyre 8 viteve.

    Edi Rama i ka vendosur jo më kot, në zonën e mbijetesës. Dihet se kushdo që gjendet në një situatë mbijetese, nuk ka zgjidhje tjetër përveçse pragmatizmit ekstrem.

    Kjo do të thotë që ata janë të detyruar që ‘të hanë’ e të shpërndajnë nga dhjami, që i ka lejuar Edi Rama që të vënë në 8 vite.

    Që të bashkëpunojnë me çfarëdolloj ujku tjetër që shpreson të mbijetojë nga ndëshkimi penal dhe të shpëtojë pasurinë, nëse fiton sërish Partia Socialiste.

    E madje edhe të shqyejë të tjerët brenda tufës së tij, aq më tepër që Rama iu ka vendosur në vendet e para të listës “viça pirës e delushe”.

    Ky operacion u parapri herët nga një truk i Edi Ramës, sikur po i hapte luftë prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar dhe të lidhur me krimin. I quajti ‘Kap ça të kapësh’, por në fakt vetëm në retorikë (që e tillë mbeti).

    Gjithsesi mbi këtë fabul kaloi një ligj për ‘OFL’ në dhe me shpejtësi nisi të dërgojë policinë nëpër çdo qytet e zonë të Shqipërisë, për të trokitur në dyert e të dënuarve më herët brenda dhe jashtë vendit. Listat janë gati, ndërkohë që pasuria e tyre rri në ajër.

    Nëse në skemën e parë për të marrë pushtet i futi përfaqësuesit kryesorë të krimit në parlament, pushtet lokal dhe në administratën e lartë, këtë herë ka zgjedhur që ti vendosë nën rresht për këto zgjedhjet pasi i ka shantazhuar me pasurinë, por siç e thamë më lartë edhe duke ju vendosur nëpër lista, “përfaqësues më të pranueshëm”.

    Dhe në fakt ia ka dalë. Shumë histori do të dëgjoni në ditët në vazhdim me të fortë apo trafikant të mëdhenj të drogës, të cilët po i vendosin njerëzit nëpër të gjitha qytetet dhe zonat rurale të vendit përpara një zgjedhje të panegociueshme: Ose votën për Edi Ramën dhe njerëzit e tij, me dëshirë apo me para, ose përndryshe keni punë me ne!

    Të gjithë këta kontigjente të botës së krimit që në shumicën e rasteve janë edhe biznesmenë e po mbahen nën tension permanent, përbëjnë shtabet elektorale ‘në hije’ të Rilindjes që do të garantojnë një pjesë të mirë të votave në zgjedhjet e këtij viti.

    Kjo është çështja dhe beteja e vërtetë, sepse shumica e votuesve duket që e kanë vendosur fatin e Rilindjes dhe jo fushata të tipit: Si nuk ka turp ky Edi Rama, që seksizon Grida Dumën dhe tall `pijanecin` Dash Shehi?!

  • Erl KODRA – Të vërteta të thjeshta

    Erl KODRA – Të vërteta të thjeshta

    Edi Rama po shkon drejt fundit të mandatit të dytë si Kryeministër, dhe me shumë gjasa, edhe fundit të tij politik. Ky shkrim nuk do të jetë një koment rreth asaj se çfarë mund të ndodhë, ose se çfarë duhet të ndodhë. Në të vërtetë, ajo çfarë mund dhe ajo çfarë duhet janë shumë afër, megjithse, si gjithmonë ka përpjekje intensive për ta ndalur zhvillimet dhe ruajtur status quo – n. Unë jam përpjekur të identifikoj ato forca të interesuara për të ruajtur pushtetin e Ramës, forca të cilat rezultojnë se shtrihen që prej botës së errët të krimit dhe deri në majat e pushtetit politik dhe mediatik. Sigurisht, kjo gjendje nuk erdhi papritur, por është rrjedhojë e mentalitetit dhe realitetit shqiptar – e një shoqërie thellësisht të korruptuar dhe kriminale.

    Së pari, mjedisi shoqëror shqiptar është thellësisht kriminal. Të mos rrejmë veten, por të gjithë e kemi kriminelin tonë, nëse nuk e kemi në shtëpi, e kemi në fis. Krimet e kryera nga kriminelët shqiptarë janë nga më të rëndat, ku dominon krimi i vrasjes. Nëse i hedhim një sy faqes së Interpolit, nga 7558 të kërkuar në të gjithë botën, Shqipëria ka 82 vrasës në kërkim ndërkombëtar, Gjermania 10, Franca 27, Italia 8, Greqia 4, dy prej të cilëve janë shqiptarë. Prandaj nuk kemi pse të çuditemi nëse vrasësist arritën të kenë në Parlament përfaqësuesin e tyre, ndërkohë, Mafia ia doli të marrë plotësisht në zotërim Partinë Socialiste të Shqipërisë. Është krejt tjetër histori nëse duam ta pranojmë realitetin, ose më keq akoma, nëse duam ta ndryshojmë këtë realitet. Por fakti mbetet fakt; çdo akt i qeverisjes aktuale është i ndikuar dhe i marrë për interesa të mafias lokale dhe ndërkombëtare.

    Kush dëshiron mund ta lexojë ndryshe tekstin tim, por unë nuk kam ndërmend të bëj asnjë kompromis me faktet dhe realitetin në të cilin jetojnë shqiptarët. Puna është se, edhe nëse askush nuk shkruan për këto fakte, ato përsëri aty do të jenë, një realitet që të këputë leqet e këmbëve.

    Ndërkohë që zgjedhjet e 25 Prillit janë afër, Edi Rama po i jep goditjen përfundimtare edhe atyre pak elementëve socialist që kishin mbetur në atë parti, duke i zëvëndësuar ata me qenie të komandueshme dhe pa personalitet. Duket sikur grupi i Ramës në Parlamentin e ardhshëm do të jetë një përzierje interesante, me të deleguar të mafias lokale dhe ndërkombëtare (ku dominon Ndrangheta) ndërsa vet Rama, do të jetë i përgatitur për çdo skenar të mundshëm. Me shumë gjasa, humbja e Edi Ramës do të pasohet me kaos dhe larje hesapesh, për projekte të ndërprera në mes, për shuma të majme të parapaguara dhe kontrata konçensionesh të papërfunduara anembanë vendit. Kjo është arsyeja pse Edi Rama kërkon me çdo kusht mandatin e tretë. Nëse e keni vënë re, ai e thotë hapur: “Unë kërkoj mandatin e tretë për projektet e mbetura përgjysëm”. Ndërkohë, në mungesë të një programi ekonomik dhe politik, më qartë se kaq, nuk ka.

    Kështu, Edi Rama do të përdorë të gjitha mjetet për të arritur qëllimin. Në një botë ideale, një njeri si ai do të ishte askushi, por në botën që jetojmë ne shqiptarët, Edi Rama është padyshim njeriu më i rëndësishëm. Përndryshe, Tom Doshi do të marrë pjesë në zgjedhjet e 25 Prillit me një parti të blerë nga Skënder Gjinushi, ndërsa Ymer Lala do të jetë aktor dhe ortak me Ramën nëpërmjet të deleguarve të tij. Një kombinim interesant po ndodhë ndërkohë në Listat e Ramës, ku emrat e “të përjashtuarve” si Vangjush Dako, do të përzihen në mënyrë origjinale nëpërmjet delegimit, me emrat e papërlyer (sic) të Damian Gjiknurit, Taulant Ballës dhe Ilir Ndraxhit me shokë.

    Edi Rama nuk ka nevojë të blejë, ose manipulojë, ose tjetërsojë të gjitha votat. Sigurisht ai do të blejë vetëm një pjesë të vogël votash, aq të papërfillshme sa të mos bjerë në sy, por të mjaftueshme sa të marrë mandate të pamerituara. Krejt tjetër gjë që në Shqipëri ka të vërteta që vdesin dhe askush nuk i thotë në televizion. Meqë ra fjala, të gjithë e dinë se Ramës i duhet të blejë vetëm 1 përqind të votave, sepse gati 2 përqind të tjera i ka siguruar në tavolinë nëpërmjet reformës territoriale; akoma 2-4 përqind të tjera nëpërmjet “partive” të dala nga Partia Demokratike, të paktën dy deputet ia siguron Tom Doshi, të tjerë ia siguron Dhëndri i Qifes, e kështu, dukshëm këto do të jenë mjetet dhe “programi politik” i tij.

    Shpesh herë kam shkruar për televizionet kryesore në vend dhe “korifenjtë” e gazetarisë shqiptare. Në fakt, sipas një këndvështrimi të thjeshtë, ata janë përgjegjësit, në mos të them ndryshe, vrasësit me pagesë të shpresës së shqiptarve. Unë nuk do të bëj retorikë, por thjesht do të rendis disa fakte.

    Javën e kaluar tek Blend Fevziu ishte Monika Kryemadhi në denoncimin sipas saj të aferës së Inceneratorit të Tiranës. Krejt tjetër gjë se kush e bënte këtë denoncim, se kush është Znj. Kryemadhi, por fakti është se ajo ishte dhe mbeti një shfaqje e shëmtuar televizive. Blend Fevziu, i ndihmuar nga Lorenc Vangjeli dhe Plarent Ndreca kryen një ndër avokatitë më të shëmtuara publike, për një ndër aferat më kriminale të mafias lokale dhe mafias ndërkombëtare në fushën e pastrimit të plehrave. Ishte trishtuese se si një “personalitet” i gazetarisë televizive si Blend Fevziu, bashkë me dy personazhe të tjerë, pastronin me sa mundeshin një ngjarje ekonomike kriminale, ku janë të përfshirë masivisht një numër shumë i madh kriminelësh lokal, që nga Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, disa Ministra dhe vet Kryeministri Edi Rama.

    Në të vërtetë, kjo situatë është pothuaj në shumicën e televizioneve krysore të vendit. Gazetarët më të njohur televiziv, me vetëm dy – tre përjashtime të vogla, janë hapur në mbështetje të krimeve të Kryeministrit. Them krimeve, sepse, sipas fjalorit, unë nuk mund të gjejë një fjalë tjetër adekuate për të përshkruar të gjitha ngjarjet kriminale të ndodhura përgjatë 8 viteve, dhe ku të mos jetë i përfshirë Edi Rama, direkt ose indirekt. Është fakt i pamohueshëm se Edi Rama dhe Ministrat e tij, bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë janë të përfshirë direkt edhe në manipulimin e provave dhe fakteve penale. Puna është se këto fakte pastrohen dhe manipulohen çdo ditë nga mediat kryesore në vend, çka ka sjellë humbjen e shpresës se ne mund të ndryshojmë fatin tonë. Tek e fundit nuk janë vetëm kriminelët që janë kaq të fuqishëm, sa të mund të marrin peng një shoqëri të tërë, por janë ndihmësit e tyre që kanë zënë pikat kyçe të komunikimit publik.

    Në një rend të drejtë, ku gjërat janë ashtu siç duhet të jenë, Blend Fevziu, Eni Vasili, Sokol Balla dhe Alban Dudushi do të shpreheshin hapur në mbështetje të ndryshimit, të paktën do të bënin një përpjekje në drejtim të shpresës, se ky vend mund të bëhet. Më e pakta, ata do të kishin guximin të thonë se Skënder Gjinushi, Kryetari aktual i Akademisë së Shkencave, ia ka shitur partinë Tom Doshit, dhe se ky i fundit është një mafioz i demaskuar, i cili do të marrë pjesë në zgjedhje, për të mbështetur Kryeministrin Edi Rama.

  • Ilir NIKOLLA – Zgjedhjet e 25 prillit, një ekuacion ku zullumqari ka dalë cullak

    Ilir NIKOLLA – Zgjedhjet e 25 prillit, një ekuacion ku zullumqari ka dalë cullak

    Kureshtja e listave elektorale u shua. Lajmi më i mirë, në nisje të fushatës, është se s’pati supriza. E dimë cilët janë autoritetet që i zgjodhën kandidatët, si i zgjodhën dhe pse i kanë renditur asisoj.

    Për shkak të mungesës së surprizave, edhe duhet të jetë shumë e thjeshtë përzgjedhja e 25 prillit. Nuk duhet të hutohemi e të kërkojmë ku është hileja. S’ka hile në listat e kësaj here, as strategji që duhet admiruar. Loja ka qenë me “detyrim-përcaktim”, prandaj edhe të dyja palët kanë luajtur me armët e tyre më të rënda, pra s’kanë luajtur me befasinë, por me forcën.

    Thënë këto konsiderata të para, përgjegjësia e secilit prej ndjekësve nga afër të politikës në Shqipëri dhe të këtij tranzicioni të stërzgjatur (çka e konsideroj modestisht edhe veten), është ta thjeshtojë leximin dhe të tërheqë vëmendjen tek gjërat e rëndësishme, duke e ndihmuar zgjedhësin të mos hutohet nga spektaklet darovitëse me ish-mjekë, ish-inxhinierë a ish-gjithçkabërës. Në listat e partive politike nuk duhet kërkuar ekselenca, nuk duhet kërkuar Jezu Krishti e as Baba Dovleti, ai që e shpëton vatanin nga inglizi a Evropa mosmirënjohëse. Fundi i tranzicionit kërkon njerëz normalë, prandaj letra e lakmuesit është kërkimi i zullumqarëve dhe në ç’llogore janë rreshtuar. Zullumqarët mund të jenë përsëritës, mund të kenë dalë me arrogancë para nesh për vite me radhë në poltrona pushteti, mund të jenë emëruar edhe ndër opozita, por mbi të gjitha mund të jenë përfitues të mëdhenj të buxhetit të shtetit, për shkak të ortakërisë me pushtetin.

    Kërkimi i zullumqarit dhe identifikimi i llogores duhet të jetë ushtrimi i kësaj fushate elektorale. Përpjekja për të gjetur gramin e listave na çon vetvetiu tek përzgjedhja e drithit, tek përzgjedhja e jo-zullumqarëve. Të dhënat janë të qarta për të gjithë. Ata që janë identifikuar si të lidhur me narkotrafikun dhe me bandat janë kainët e listëve, ata që e kanë majmur pasurinë dhe tyre dhe e kanë qindfishuar atë janë alibabat e listave, ata që gjenden në listat për vjedhje votash dhe janë sërish në listat për t’u zgjedhur janë ndihma më e madhe që na jepet për të ditur si të zgjidhet me 25 prill.

    E krejt në fund, nëse edhe pas këtyre indicieve, nuk e gjejmë dot zullumqarin ndër lista, duhet të mendojmë për 8500 shqiptarë më shumë që humbën jetën vitin e fundit, për shkak se u gjendën të vetëm përballë pandemisë e që s’po shohin asnjë vaksinë në horizont.

    Shpallja e listave zgjedhore na ndihmoi duke mos na hutuar me surpriza, prandaj ekuacioni i 25 prillit është i thjeshtë: të identifikojmë zullumqarët e listave dhe të mos i votojmë ata.

  • Red VARAKU – Kurbanët e fundit të një PS-je që po jep shpirt

    Red VARAKU – Kurbanët e fundit të një PS-je që po jep shpirt

    Menjëherë pas publikimit të listave, ku me një të rënë të lapsit Edi Rama flaku në rrugë palcën e partisë socialiste Gramoz Ruçin, Fatmir Xhafajn, Ditmir Bushatin, Pandeli Majkon etj, ujërat brenda kënetës së partisë Socialiste janë trazuar fort dhe përbindëshat që gjallonin të qetë brenda saj janë zgjuar të alarmuar.

    Kjo sepse është e qartë që kjo listë është një listë që jo vetëm do ta degdisë PS drejt humnerës, por do të djegë përfundimisht dhe aksionet dhe të ardhmen e tyre politike.

    Është e qartë që kjo listë jo vetëm që nuk garanton fitoren e PS, por është thjesht një listë që garanton moskokëçarje për Edi Ramën pas humbjes së zgjedhjeve, si në aspektin politik nesër në opozitë ashtu dhe në aspektin e kohezionit të brendshëm të partisë.

    Në fakt, askush nuk e kishte menduar që ai do t’i fuste thikën PS në mesnatën e tetë marsit dhe kjo jo sepse i dhimbset sepse ka kohë që pushteti e ka kaluar në overdozë dhe nuk ndjen më asgjë, por sepse goditja në palcë e saj sjell automatikisht paralizimin e saj .

    Por, Rama me sa duket e ka të qartë humbjen ndaj e ka pastruar anijen nga peshat e rënda me qëllim që të shpëtojë vetëm besnikët e tij. Kjo listë parathotë qartazi dhe të ardhmen që e pret PS. Ajo përcakton që Rama pas humbjes së zgjedhjeve nuk ka ndërmend të largohet nga pushteti , por ka vendosur të qëndrojë dhe të sundojë PS, përmes një pupaci pa shtyllë kurrizore si Veliaj.

    Këtë e parathonë dhe emrat e rinj në listën e PS . Ata ose janë njerëz pa kërbisht politik si vetë Veliaj ose janë përfaqësues të bandave që garantojnë si aksionet e veta ashtu dhe kamzhikun brenda rradhëve për këdo që nesër do tentojë të dalë jashtë rreshtit.

    Gjithsesi, e gjitha kjo e ka trazuar  keq gjendjen në PS . Brenda saj gëlon një shumicë e cila nuk ndjehet vetëm e humbur në aspektin e aksioneve politike apo të ardhmes politike, por ndjehet e poshtëruar nga mënyra se si po i trajton kryeministri dhe me kë po i zëvendëson.

    Kjo pakënaqësi pritet të paralizojë makinerinë elektorale dhe të prodhojë një disfatë fatale për PS dhe vërtet rrezikon ta kthejë atë në forcë të tretë, jo vetëm për shkak të krizës së brendshme në këtë parti, por edhe për shkak të faktit që dinozaurët e kënetës socialiste mund t’i transferojnë plotësisht aksionet e tyre drejt LSI dhe ky do ishte fundi i PS .

  • Armand SHKULLAKU – Pse e çthurri gjuhën Edi Rama

    Ende pa nisur zyrtarisht, fushata elektorale ka shënuar sot një degradim që mendohej se ishte lënë pas këto vitet e fundit. Edi Rama, të cilit i pëlqen ta quajë veten një poltikan me etikë, ka degjeneruar në sulme e ofendime personale, me zë dhe figurë, ndaj disa kandidatëve të opozitës. Mënyra e zgjedhur për t’i poshtëruar ata publikisht, live para kamerave, nuk i shkon aspak figurës së një kryeminstri perëndimor, siç e vizaton veten Edi Rama. Gjuha e përdorur prej tij, një gjuhë e pisët politikisht, është shenjë e qartë se fushata e mazhorancës do të shkojë në të vetmen rrugë, atë të goditjes së kundërshtarit politik.

    Po përse Edi Rama, që përgjithësisht ka caktuar Erjon Velinë, i cili nuk e ka problem ta ndyjë gojën sa herë ia kërkojnë, ka marrë vetë flamurin e një sjellje bullizuese që merret me personat dhe jo me atë çka ata përfaqësojnë? Çfarë ka ndodhur që një kryeministër që hiqet me sqimë dhe shpesh, me të drejtë, është paraqitur si viktimë e “politikës së baltës”, të baltosë deri në karikaturizime fizike kundërshtarët e tij, pa kursyer as femrat?

    Përgjigja e këtyre pyetjeve dhe shpjegimi i kësaj sjellje të ulët, të çon tek shqetësimi më i madh i kryeministrit, të cilin e ka shprehur edhe vetë disa herë. Problemin në këto zgjedhje, Edi Rama e ka me ata që i ka cilësuar si të zhgënjyerit nga qeverisja e tij 8 vjeçare. Humbja e besimit tek një pjesë e madhe e votuesve të tij, që dikur e shihnin si shpresë për të ndryshuar Shqipërinë, si dhe pamundësia për të ndërtuar një kauzë të re për tërhequr të pavendosurit, përbëjnë hallin më të madh të Ramës në këtë fushatë.

    Ky hall i kryeministrit lexohet edhe tek stërmundimi i skajshëm për të fshehur zhgënjimin mes emrave në listën e kandidatëve që do të kërkojnë votat e shqiptarëve në 25 prill. Ai është përpjekur t’i mbulojë emrat simbol të qeverisjes së tij, poshte “gjetjeve” të reja, figurave të panjohura, duke dashur t’i japë listës fytyrën e një partie që nuk ka qeverisur 8 vjet, por që kërkon të votëbesohet si për mandatin e parë. Në këto 45 ditë që kanë mbetur, kryeministri shpreson të fashisë zhgënjimin dhe të shndërrojë në lajm kryesor zbulimet e tij elektorale. Në vend të debatit për arritjet në shëndetësi, ai poston videon e Najada Çomos tek Skënderbeu apo në vend të bilancit për gjendjen ekonomike të vendit, prezanton fytyrat e disa vajzave që do u prijnë listave të PS. Zakonisht një parti politike që hyn në zgjedhje si forcë qeverisëse, armën më të fortë të saj ka rezultatet e arritura dhe premtimet e mbajtura prej ditës që ka marrë votëbesimin.

    Dhe këtu vimë edhe te shpjegimi i gjuhës së baltës dhe sulmeve personale, që po i përdor si i shfazuar këto ditë kryeministri i vendit. Duke qenë se truku i listave është i pamjaftueshëm për të neutralizuar zhgënjimin, ai po përdor taktikën e vjetër të së keqes më të vogël. Duke demonizuar me një fjalor banal kundërshtarin, nënteksti i Ramës është i qartë: mund të jeni të zhgënjyer me mua, por shihni se çfarë ju pret po votuat opozitën. Spin doktorët e tij e kanë përqëndruar fushatën tek Berisha apo Meta duke synuar të ringjallin emocione të tejkaluara, si një rrezik që mund t’i trembë të zhgënjyerit nga PS.

    Rama duket se i është dorëzuar kësaj strategjie si e vetmja mundësi që mund ta mbajë në pushtet, prandaj e ka lëshuar dhe do ta lëshojë më shumë gjuhën për të denigruar kundërshtarët, duke lënë të kuptohet se nëse ai ka dështuar në këto 8 vjet, megjithatë nuk ka një alternativë më të mirë për ta zëvendësuar atë. Kamuflimi i zhgënjimit nëpërmjet trukut të listave dhe gjuha denigruese ndaj kundërshtarit janë të vetmet armë që i kanë mbetur Ramës për të mbajtur pushtetin. Në mungesë të fabulës së re, ai iu rikthye strategjisë së vjetër.

    Por për të marrë një mandat të tretë përsëri pa bërë asgjë, duket shumë më e vështirë se sa të marrësh nëpër gojë kundërshtarët. Nëse Rama do të rrëzohet më 25 prill, kjo nuk do të vijë nga performanca e atyre që ka përballë, por nga revolta e heshtur e shumicës që ka vënë përfund. “Mund të mashtrosh një pjesë të popullit për gjithë kohën dhe mund të mashtrosh edhe gjithë popullin për një kohë të caktuar, por s’mund të mashtrosh të gjithë popullin për të gjithë kohën”.  Këtë citat të Lincolnit, Edi Rama po provon ta nxjerrë të pavlefshëm. Dhe për t’ia arritur do jetë i gatshëm të bëjë gjithçka deri më 25 prill. Pa i ardhur keq as për veten e tij.