Blog

  • Nga Sebastian ZONJA – Edi Rama bie më lehtë se Viktor Orbani

    Në zgjedhjet e kësaj të diele hungarezët rrëzuan nga pushteti njërin prej politikanëve më të artikuluar dhe strategjist në Evropën lindore. Viktor Orban, ish-kryeministri i Hungarisë, është shembulli i një politikani që bën çdo gjë për të rritur prestigjin e vendit të vet. Patriot dhe i qartë se aleanca me amerikanët është e pathyeshme në kuadër të sigurisë, u kthye në problemin e madh të Evropës sepse ndërtoi diplomaci shumëvektoriale me Rusinë dhe Kinën për përfitimet e vendit të vet.

    E ktheu Hungarinë në njërin prej vendeve të rëndësishme për energjinë e rinovueshme duke sjellë investime kineze. Koha do tregojë sa i qartë dhe i kthjelltë ishte në këtë sipërmarrje. Kompani të mëdha gjermane shkuan për të investuar në Hungari. Me anë të energjisë së lirë ruse, teknologjisë kineze dhe inxhinierëve gjermanë ai hodhi bazat për ndërtimin e një Kine të vockël në Evropë. Probleme të ndryshme ekonomike të cilat kanë të bëjnë me çmimet e larta, politikat e tij thuajse komuniste për çështjen e pensioneve, disa shtetëzime masive, kriza e pandemisë si dhe shkëputja e zinxhirëve globalë të furnizimit u kthyen në kokëçarjet më të mëdha të qeverisë. Çmimi i banesave, rrogat e ulëta, çmimet e larta të ushqimeve, pensione të ulëta, akuzat për korrupsion (shoku i tij i shkollës 8-vjecare, nga hidraulik bëri 2.5 miliard euro me tendera shtetëror kur Orbani erdhi në pushtet) sollën, pak nga pak, gërryerjen e pushtetit të stërmadh.

    Gjithë kandidatët e tjerë opozitarë kishin nga një yçkël që ua gjente me mediet e veta. Për shembull, kandidatja e shkuar u shpall familjarisht se ngacmonin seksualisht këdo u dilte përpara. Ajo ngacmonte vajza, i ati abuzonte me infermieret në spital. Shkatërrim total i figurës kur i dilje kundër Orbanit. Kontroll total i medieve. Disa gazetarë të mirë opozitarë që kishin mbetur punonin online, sepse mediet e mëdha nuk i merrnin në punë.

    Ndërkohë, Peter Magjari, një djalë që kishte punuar me Orbanin për vite të tëra, i doli kundër. Djalosh i thjeshtë. Me një parim të vetëm bëri thuajse gjithë fushatën – po mori Orbani edhe një mandat tjetër, s’do e heqim dot më. I ka kapur të gjitha. Do na bëhet si Putini. Sot ka rritje ekonomike, por po të mos ketë nesër, s’kemi asnjë mundësi ta heqim. Do bëhemi si Moska që bën zgjedhje sa për sy e faqe.

    Shkoi derë më derë dhe tha gjënë më të thjeshtë në botë: unë jam konservator, ai është neoashist. Unë di të të them se i majtë a i djathtë qofsh, parimi konservator është se përgjegjësia për veprimet që ndërmerr qëndron në themel të të qenit qytetar, fermer,  punëtor, hidraulik apo violinist. Përgjegjësia si burrë, si kryefamiljar, si vëlla, si grua, si nënë … është konservatorizmi. Ky tjetri, Orbani, ka ngatërruar fenë, Zotin, historinë, armiq të jashtëm e të brendshëm, njerëz me mjekra nga Lindja, njerëz me identitete seksuale të çuditshme nga Perëndimi, vetëm e vetëm që të furnizojë makinerinë e propagandës.

    Qytetarët dolën dhe i dhanë votën opozitarit. Ata e dinë sa e vështirë është që gjërat të ndryshojnë shpejt, por kanë në dorë një çelës që mund ta ndryshojnë pushtetin kur nuk iu volit. Evropa i ndihmoi, ndërsa Amerika do jetë aleat me ta, si me Orbanin, si pa Orbanin, sepse hungarezët kanë aleatë vetëm amerikanët. Ata kanë frikë se sa të ndajë mendjen Gjermania, Franca dhe Britania për t’i mbrojtur, Moska i ka shkelur me këmbë, siç bëri në vitet ’50. 

    Në Shqipëri, kryeministri Edi Rama nuk ka mprehtësinë dhe mendjen strategjike të Viktor Orbanit. Nuk kemi këtu fabrika gjermane apo kineze. Kemi kulla me para të pista. Kaq vizion ka ky. Rama s’ka bërë as një të njëqindën për vendin e vet sa ç’ka bërë ai për Hungarinë. Emigracioni i të rinjve hungarez është njëra prej plagëve të shoqërisë, të cilën Orbani mundohej ta kuronte. Ndërkohë, sistemi ekonomik i Edi Ramës do e boshatisë Shqipërinë në 20 vjet dhe ne ja hedhim fajin të gjithëve nga pak.

    Hungarezët na treguan një gjë – sistemin që s’po funksionon më e ndërtoi ky zotëria, Orbani. Fajtori është ky. Sa më shumë ta stërhollosh, aq më shumë shkon faji te sulltani osman që pushtoi Hungarinë shekuj më parë. Orbani do ik nga pushteti ndërsa çakejtë e vet do i çojmë në burg, thanë hungarezët e zgjuar.

    Ndërkaq, në Tiranë, agjitatorët dhe propagandistët merren akoma me fajet e osmanëve, Ahmet Zogut dhe Sali Berishës që rri në opozitë prej 13 vjetësh. Sërish, edhe pse Edi Rama ka pushtet më të dobët se Orbani, ka shumë më pak arritje se ai, më pak njohje diplomatike, është më i izoluar ndërkombëtarisht dhe me një linjë opozitare më të fortë se ajo në Hungari, fiton.

    Mund të gjejmë një mijë e një arsye, por njëra duket se mbizotëron (bashkë me problemet që bart opozita jonë): fatkeqësisht, ne nuk e duam demokracinë. Nuk e njohim atë. Regjimet rrëzohen me votë, por ne e shesim atë, e blejmë, e manipulojmë brenda partisë, në zgjedhje të përgjithshme, në zgjedhje vendore …

    Gjyshërit tanë nuk kanë jetuar në demokraci. Prindërit tanë jo. As ne nuk jetojmë në demokraci. Kemi pluralizëm, por nuk jetojmë në demokraci. Nuk e njohim demokracinë. Nuk e duam atë. Ne nuk e duam, ata që na drejtojnë nuk e duan, gjysma nuk e di çfarë është, pluralizmi ngatërrohet me demokracinë, shteti me pushtetin, institucioni me dyqanin e babës, partitë nuk janë demokratike, garë nuk ka në asnjë instancë partiake, karriera institucionale bëhet me mik jo me meritë, por flasim gjithë ditën për vlerat e mëdha demokratike dhe se si do futemi në Evropë.

    Hungarezët treguan se janë demokratë. Regjimet bien me votë masive. Demokracia është betejë e përditshme e çdo qytetari të përgjegjshëm.

  • KRIZA E PUSHTETIT: Si Edi Rama po sakrifikon shtetin për të mbrojtur Belinda Balluku

    KRIZA E PUSHTETIT: Si Edi Rama po sakrifikon shtetin për të mbrojtur Belinda Balluku

    Në politikën shqiptare, narrativa ka qenë shpesh po aq e rëndësishme sa vetë veprimi. Për më shumë se një dekadë, Edi Rama ndërtoi një profil politik të bazuar mbi reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe orientimin e qartë europian.

    Por zhvillimet e fundit kanë vënë në pikëpyetje serioze këtë ndërtim.

    Rasti i Belinda Balluku nuk është më thjesht një çështje individuale. Ai është kthyer në një test për gjithë sistemin: për drejtësinë, për politikën dhe për raportin mes tyre.

    Në vend që të ruhet një distancë institucionale, kryeministri ka zgjedhur të përfshihet drejtpërdrejt, duke e kthyer këtë çështje në një betejë politike me pasoja të gjera.

    Dhe këto pasoja tashmë janë të dukshme.

    Rënia e narrativës së reformës në drejtësi

    Për vite me radhë, Edi Rama e paraqiti reformën në drejtësi si një projekt të pakthyeshëm dhe të paprekshëm nga politika.

    Deklaratat e tij kanë qenë të forta: drejtësia duhej të vepronte pa kompromis, edhe kur prekeshin figura të rëndësishme të pushtetit.

    Por kur hetimet e SPAK arritën te Belinda Balluku, standardi ndryshoi.

    Retorika u zëvendësua nga kritika, ndërsa mbështetja për institucionet e drejtësisë u zbeh ndjeshëm. Vendimet e gjykatave u cilësuan si të gabuara, ndërsa prokurorët u vunë nën presion publik.

    Ky ndryshim i menjëhershëm ka krijuar një perceptim të fortë se reforma në drejtësi mbështetet vetëm kur nuk prek nivelet më të larta të pushtetit.

    Në këtë mënyrë, një nga shtyllat kryesore të legjitimitetit politik të qeverisë duket se është goditur nga vetë vendimet e saj.

    Përplasja me partnerët europianë

    Një tjetër pasojë e rëndësishme është tensioni i hapur me European Union.

    Procesi i integrimit europian kërkon jo vetëm reforma në letër, por edhe prova konkrete të zbatimit të tyre.

    Rasti i Belinda Balluku është perceptuar nga disa vende anëtare si një provë e rëndësishme për funksionimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

    Reagimet nga ambasadat dhe institucionet europiane nuk kanë qenë të zakonshme. Ato kanë theksuar nevojën për hetime të pavarura dhe pa pengesa, duke nënkuptuar se situata aktuale nuk i përmbush këto standarde.

    Përgjigjet e Edi Rama ndaj këtyre kritikave kanë qenë të ashpra dhe mbrojtëse, duke e thelluar më tej hendekun me partnerët.

    Ky është një zhvillim i pazakontë për një qeveri që për vite me radhë është mbështetur fort në mbështetjen ndërkombëtare.

    Dobësimi i balancave institucionale

    Një nga aspektet më shqetësuese të kësaj situate është ndikimi në funksionimin e institucioneve.

    Vendimet e gjykatave për pezullimin e Belinda Balluku nga detyra krijuan një precedent që sfidon mënyrën tradicionale të ndarjes së pushteteve.

    Në vend që kjo të trajtohej si një çështje institucionale, reagimi politik ka qenë i fortë dhe shpesh konfrontues.

    Kjo ka sjellë një tension të ri mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor, duke rritur pasigurinë mbi kufijtë e kompetencave.

    Nëse ky precedent konsolidohet, ai mund të krijojë një model të ri ku vendimet institucionale interpretohen dhe sfidohen në mënyrë selektive.

    Një kosto e lartë politike për një betejë personale

    Në fund të fundit, pyetja që shtrohet është e thjeshtë: a ia vlejti kjo përplasje?

    Për të mbrojtur Belinda Balluku, Edi Rama ka hyrë në një konflikt të hapur me drejtësinë, ka tensionuar marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë dhe ka ekspozuar dobësi në strukturën institucionale.

    Kjo nuk është më vetëm një çështje lojaliteti politik.

    Është një çështje e kostos së pushtetit.

    Dhe kjo kosto nuk paguhet vetëm nga një individ apo një qeveri, por nga i gjithë sistemi politik dhe institucional i vendit.

    ***

    Ngjarjet e fundit kanë treguar se sistemi politik shqiptar ndodhet në një moment delikat.

    Vendimet që merren sot do të kenë pasoja për vitet që vijnë.

    Rasti i Belinda Balluku dhe qëndrimi i Edi Rama ndaj tij janë një provë e qartë se sa e brishtë mund të jetë balanca mes politikës dhe drejtësisë.

    Nëse kjo balancë prishet, pasojat nuk do të jenë vetëm politike — por edhe institucionale dhe shoqërore.

    Dhe kjo është një çështje që shkon përtej çdo individi.

  • Nga Andi BUSHATI – Ç’fshihet pas armiqve që shpall Edi Rama

    Në të njëjtën kohë që pothuajse të gjitha TV-të e lajmeve po transmetonin këtë të shtunë loghorenë anti opozitare të Edi Ramës, përpara socialisteve të Lushnjës, ish ministri i tij i jashtëm, Ditmir Bushati, publikoi në You Tube episodin e fundit të podcastit të vet, Public Square, ku po bashkëbisedonte me një prej teoricienëve bashkëkohorë të demokracisë, Daniel Ziblatt.

    Në pamje të parë asgjë nuk do të mund ti lidhte bashkë këto dy ngjarje, që gjografikisht i ndan në mes oqeani Atlantik, që praktikisht u flasin audiencave të ndryshme: njëri që u drejtohet militantëve të tij myzeqarë dhe tjetri, profesor në Harvard, që shqetësohet për metodat që përdorin liderët autoritaristë për të vrarë ato sisteme që i kanë sjellë në pushtet përmes votës.

    Por, po ti i ndiqje nga ekrani, njëri pas tjetrit, nuk mund të mos vije re një fije të nëndheshme që i bënte bashkë. Edi Rama shfaqej duke i etiketuar kundërshtarët dhe kritikët e vet si qenër që lehin në koridoret e BE kundër qeverisë së tij. Duke e barabitur veten me Shqipërinë ai i etiketonte ata si armiq të saj dhe i paralajmëronte se nuk do të mundnin kurrë ti’a merrnin pushtetin duke sharë në Bruksel dhe duke dhënë intervista në TV e huaja.

    Nga ana tjetër në median alternative, profesori dhe autori i librave Ziblatt, skiconte identikitin e një udhëheqësi, që ka potencialin për të qenë varmihës i demokracisë. Sipas tij, përpjekja për të mos legjitimuar opozitarët dhe kritikët, për ti përjetuar ata si armiq, për të përdorur ndaj tyre çdo mjet që bën të pamundur rotacionin e pushtetit janë simptoma të dukshme të kësaj sëmundjeje të rëndë. E këtu lidhja mes dy ngjarjeve fillon e bëhet e prekshme. Por, për cilindo që yshtet nga kureshtja për tu thelluar më shumë, Daniel Ziblatt, së bashku me kolegun e tij, Steven Levitsky ka shkruar para disa vitesh, një libër të mrekullueshëm, të botuar tashmë edhe në shqip nga shtëpia botuese Pema, të titulluar “Si vdesin Demokracitë”.

    Aty, në mes të tjerave tregohet se diktatorët e rinj, nuk i ngjajnë atyre të shekullit të shkuar, të cilët përdorinin vrasjen apo burgimin për të sunduar. Ata tregojnë se metodat e instalimit në pushtet janë sofistikuar. Pa përmendur enkas Shqipërinë, në këtë libër të shkruar gjatë presidencës së parë të Trumpit, ata na japin të gjitha levat dhe instrumentat për të kuptuar se ç‘ndodh sot tek ne. Ata marrin shembujt e Fuxhimorit në Peru, të Orbanit në Hungari, të Putinit e Erdoganit e kështu me radhë.

    Një nga dukuritë më të prekshme sipas tyre është blerja me para ose joshja me poste e kundërshtarëve politikë, siç ndodhi në Peru, kur duhet të shtyhej përtej afateve të ligjshme kohëzgjatja në pushtet e presidentit. Më pas vjen rekrutimi i mediave të mëdha, shndërrimi i tyre në bori të regjimit përmes dhurimit të aksesit në paranë publike. Ata të rrallë që nuk e pranojnë këtë rrugë kanë aftin e keq, që Putini i dhuroi Boris Berezovskit apo Erdogani konglomeratit mediatik Dogan Yain, që kishte në kontroll edhe gazetën Hurriyat. Një hap tjetër është tubimi i oligarkëve rreth vetes duke perdorur, sipas nevojës, herë joshjen dhe herë friksimin. Kështu në vitin 2003 diktatori i Kremlinit urdhëroi burgosjen e Kohdorovskit, padronit të Yukos, pasuria e te cilit shkonte deri në 15 miliardë USD. “Mesazhi për oligarkët e tjerë ishte i qartë: bëni para por qëndroni larg politikës”, shkruajnë autorët.

    Ata vizatojnë edhe tipare të tjera të vrasësve të demokracisë, që fillojnë me korruptimin e personazheve VIP të shoubizit apo ndërkombëtarëve, që vazhdojnë me asgjesimin e arbitrave, pra drejtësisë së pavarur duke fshirë me fshesë sistemin e vjetër ekzistues para ardhjes se tyre ne pushtet e duke shkuar edhe me tej me ndryshimin e njëanshëm të rregullave të lojës, duke i qepur ato si kostume me porosi për trupin e autokratit.

    Pasi rendisin të gjitha këto fenomene Levitsky dhe Ziblatt arrijnë në konkluzionin: “Duke dobësuar arbitrat, blerë a cfilitur kundërshtarët dhe rishikuar rregullat e lojës udhëheqësit e zgjedhur janë në gjendje të krijojnë përparësi vendimtare dhe të përhershme ndaj rivalëve të tyre. Por duke qenë se këto masa janë të ngadalshme dhe ruajnë vellon e ligjshmërisë, devijimi drejt autoritarizmit jo gjithmonë shoqërohet me rënien e këmbanave të alarmit. Qytetarët në përgjithësi e kanë të vështirë të kuptojnë se demokracia po çmontohet ndonëse kjo ndodh përpara syve të tyre”( faqe 110 e botimit shqip).

    Majfton të lexosh këtë konluzion edhe po su thellove në tërë faqet e “Si vdesin demokracitë” për të kuptuar se sa shterpë është debati i herë pas hershëm që ndizet në këtë provincën tonë. Mjafton ti drejtosh te këta autorë ata që vijojnë të mbrojnnë tezën se ne jetojmë ne demokraci, pasi këtu Edi Ramën ka të drejtë ta shajë çdo kush, se këtu nuk ka diktator që burgos rivalët, se këtu pushteti katërmandatësh zgjat vetëm si pasojë e opoziatëve të pa aftë e të korruptuar.

    Në fakt, fabula është krejt e ndryshme: në Shqipëri ne vijojmë të ruajmë vetëm për fasadë kufomën e demokracisë, ndërkohë që janë çjetëzuar të gjitha organet vitale të saj. Pikërisht një nga simptomat e pamë edhe sot në mbledhjen e asamblesë në Lushnje me trajtimin e opozitarëve që qen që lehin për të nxirë Shqipërinë. Po të dëgjosh intervistën e Daniel Ziblatt në Public Square, ky është një ndërmjet shumë tipareve të një autokrati. Lapsi.al

  • Në prag të greminës: Pse çmimet në Shqipëri janë të larta dhe çfarë mund të bëjmë

    Në prag të greminës: Pse çmimet në Shqipëri janë të larta dhe çfarë mund të bëjmë

    Çdo mëngjes, miliona familje shqiptare zgjohen me të njëjtin shqetësim: si do t’i arrijnë të blejnë ushqimet e nevojshme për ditën. Në një vend ku rrogat mesatare nuk kalojnë 450 euro në muaj, ndërsa një familje katërpersonare shpenzon deri në 300 euro vetëm për ushqim, ekuacioni ekonomik është thjesht i pamundur. Kjo është historia e Shqipërisë së sotme – një vend i bllokuar në një spirale ku pagat e ulëta takohen me çmimet e larta të produkteve bazë, duke krijuar një krizë sociale që prek çdo shtresë të shoqërisë.

    Realiteti i vështirë shqiptar

    Por pse ndodh kjo? Pse një vend me kaq potencial natyror, me klima të favorshme për bujqësi dhe me traditë shekullore në prodhimin ushqimor, nuk arrin të sigurojë ushqime të lira për qytetarët e tij? Përgjigjja nuk është e thjeshtë. Ajo fshihet pas një labirinti politikash fiskale të gabuara, mungesë mbështetjeje për prodhuesit vendas, dhe një tregu të deformuar nga informaliteti dhe ndërmjetësimi i tepërt.

    Artikulli që keni përpara syve nuk është thjesht një analizë ekonomike. Është një thirrje për veprim, një përpjekje për të kuptuar rrënjët e një problemi që po e shtyn vendin drejt varfërisë dhe po e detyron rininë të emigrojë. Sepse kur familjet shpenzojnë 60% të të ardhurave për ushqim, nuk ka hapësirë për arsim cilësor, për shërbime shëndetësore, për kursim apo investime. Nuk ka të ardhme.

    Sektorët më të prekur: Kush vuan më shumë?

    Familjet me Të Ardhura të Ulëta: Dënimi i Padrejtë

    Shqipëria ka një nga nivelet më të larta të pabarazisë ekonomike në rajon. Në këtë kontekst, sistemi aktual i taksimit të ushqimeve vepron si një taksë regresive – ai godet më rëndë ata që kanë më pak. Një familje që fiton 400 euro në muaj dhe shpenzon 250 euro për ushqim, paguan të njëjtën shifër TVSH-je (20%) me një familje që fiton 2000 euro dhe shpenzon 400 euro për ushqim. Por ndikimi është krejtësisht i ndryshëm: për familjen e parë, kjo do të thotë të heqë dorë nga ilaçet, nga pagesa e faturave, ose nga veshmbathjet e fëmijëve. Për familjen e dytë, është thjesht një shpenzim i rëndomtë.

    Fermerët dhe Blegtorët: E ardhmja e pavendosur

    Në fshatrat shqiptare, historia është po aq e vështirë. Fermeri që prodhon qumështin që ju pini në mëngjes, merr më pak se 40% të çmimit që ju paguani në supermarket. Pjesa tjetër shkon për zinxhirin e gjatë të ndërmjetësve, për transportin e pamirëmbajtur, për magazinimin primitiv, dhe për taksat. Kjo situatë e ka shuar entuziazmin e brezave të rinj për të punuar tokën. Fermat po braktisen, tokat po lihen djerr, dhe Shqipëria po bëhet gjithnjë e më varëse nga importet.

    Pensionistët dhe Grupet e Nxënies: Në kufijtë e mbijetesës

    Me një pension mesatar prej 180-200 euro, një i moshuar shqiptar duhet të zgjedhë midis ilaçeve dhe ushqimit. Ky është realiteti i pamëshirshëm që sistemi aktual krijon. TVSH-ja 20% mbi bukën dhe qumështin nuk është thjesht një shifër fiskale – është një dënim me vdekje të ngadaltë për kategoritë më të cenueshme të shoqërisë.

    Çfarë thonë studimet?

    Analiza ekonomike e Bankës Botërore për Shqipërinë e vitit 2024 thekson se “struktura aktuale e TVSH-së kontribuon në thellimin e pabarazisë së të ardhurave”. Raporti i FMN-së për vendin vëren se “reduktimi i TVSH-së për produktet bazë do të kishte efekt pozitiv të menjëhershëm në fuqinë blerëse të popullatës, me një kosto të kontrolluar për buxhetin”.

    Ndërkohë, studimet e Institutit të Statistikave tregojnë se një ulje prej 10 pikë përqindjeje në TVSH-në e ushqimeve do të ulte indeksin e çmimeve të konsumit me 3.2%, duke i dhënë frymëmarrje ekonomisë. Në anën tjetër, ekspertët e bujqësisë paralajmërojnë: “Pa një strategji të qartë mbështetëse për prodhuesit vendas, ulja e TVSH-së do të përfitonte kryesisht importuesit, duke rrezikuar edhe më tej sektorin vendas”.

    Një analizë krahasuese: Ku qëndron Shqipëria?

    Bashkimi Europian: Modeli i Suksesit

    Në Gjermani, buka dhe qumështi taksohen me 7%. Në Francë, produktet bazë bujqësore kanë TVSH 5.5%. Në Spanjë, vlera është 4%. Italia aplikon 4% për ushqimet bazë. Këto vende kanë kuptuar një të vërtetë të thjeshtë: ushqimi nuk është luks, është e drejtë themelore. Taksimi i lartë i ushqimeve është një politikë që godet shtresat e varfra dhe frenon zhvillimin ekonomik.

    Vendet e Rajonit: Një Lojë e Humbur?

    Shqipëria nuk është e vetme në rajon me çmime të larta, por është e vetmja që aplikon TVSH 20% për ushqimet. Maqedonia e Veriut ka normë 5% për produktet bazë. Mali i Zi aplikon 7%. Serbia, me gjithë problemet e saj, ka një sistem të ndarë ku ushqimet bazë taksohen me 10%. Kjo do të thotë se shqiptarët paguajnë më shumë taksë për bukën e tyre se sa qytetarët e vendeve fqinje, ndërkohë që fitojnë më pak.

    Rreziqet e mospërmirësimit: Çfarë na pret?

    Eksodi i ri: Rinia që ikën

    Kur kostoja e jetesës bëhet e papërballueshme, zgjidhja e vetme është ikja. Shifrat e fundit tregojnë se 42% e të rinjve shqiptarë planifikojnë të emigrojnë në 5 vitet e ardhshme. Arsyeja kryesore? “Nuk arrijmë të mbijetojmë me rrogat aktuale”. Kjo është një humbje e pakthyeshme për vendin – humbim kapitali njerëzor, humbim potenciali zhvillimor, humbim të ardhmeje.

    Varësia nga importet: Rreziku i sigurisë ushqimore

    Shqipëria importon mbi 60% të ushqimeve që konsumon. Kjo e bën vendin të ekspozuar ndaj krizave globale, ndryshimeve të kursit të këmbimit, dhe politikave tregtare të vendeve të tjera. Një konflikt gjeopolitik, një krizë energjetike, ose një pandemi e re, mund të çojnë në mungesë ushqimesh në tregjet shqiptare. Pa një sektor bujqësor të fortë, Shqipëria nuk ka siguri ushqimore.

    Thellimi i pabarazisë: Rreziku social

    Kur diferenca midis shtresave sociale thellohet, rriten tensionet sociale. Krimi, informaliteti, mosbesimi në institucionet – të gjitha këto janë pasoja të një sistemi që nuk arrin të sigurojë minimumin e jetesës për qytetarët e tij. Një reformë në sektorin ushqimor nuk është vetëm çështje ekonomike; është çështje sigurie kombëtare.

    Zgjidhja: Tri Shtyllat e reformës së integruar

    Shtylla e parë: Reforma fiskale – Ulja e TVSH-së

    Propozimi është i qartë: ulja e TVSH-së për ushqimet bazë (bukë, qumësht, vezë, oriz, miell, perime, fruta) nga 20% në 6-8%. Kjo do të sillte:

    • Ulje të menjëhershme të çmimeve për konsumatorët me 12-15%
    • Rritje të fuqisë blerëse të familjeve me të ardhura të ulëta
    • Stimulim të konsumit të brendshëm
    • Rritje të formalizimit të tregut

    Kostoja vlerësohet në 180-200 milionë euro në vit, por pjesa më e madhe e kësaj shume do të kompensohej përmes rritjes së konsumit dhe zgjerimit të bazës taksuese.

    Shtylla e dytë: Mbështetje prodhimit vendas

    Shqipëria ka 700,000 hektarë tokë bujqësore, por vetëm 40% e tyre punohen. Potenciali është enorm. Një program mbështetës duhet të përfshijë:

    • Subvencione direkte: 300-500 euro për hektar për kulturat strategjike
    • Kredi me interes të ulët: 2-3% për investime në bujqësi
    • Asistencë teknike: Agronomë në çdo fshat për këshillim dhe trajnim
    • Infrastrukturë: Ujësjellës, rrugë fshatare, magazina frigoriferike
    • Përpunimi: Fabrika për vlerësimin e prodhimeve vendase

    Kostoja vlerësohet në 100-120 milionë euro në vit, por efektet do të ishin transformative: rritje e prodhimit vendas me 40% në 5 vjet, ulje e varësisë nga importet, krijim i 50,000 vendeve të reja të punës.

    Shtylla e tretë: Rregullim i tregut

    Zinxhiri aktual: Fermer → Grumbullues → Transportues → Magazinier → Shitës me shumicë → Shitës me pakicë → Konsumator, duhet të shkurtet. Zgjidhjet përfshijnë:

    • Tregjet e fermerëve: Platforma ku prodhuesi sheh drejtpërdrejt konsumatorin
    • Kooperativat: Organizim i fermerëve për të pasur fuqi negociuese
    • Platforma digjitale: Aplikacione që lidhin fshatin me qytetin
    • Kontrolli i shtetit: Luftë kundër monopoleve dhe praktikave abuzive
    • Certifikimi i cilësisë: Standarde të qarta për prodhimet vendase

    Kjo kërkon investime në teknologji dhe kapacitetin institucional, me një kosto vlerësuar në 30-50 milionë euro në vit.

    Kompensim i kostove: Si të financohet reforma?

    Buxheti i shtetit nuk është i pafund, por as reforma nuk është e paarritshme. Mjetet e financimit mund të jenë:

    1. Lufta kundër evazionit fiskal

    Shqipëria humbet çdo vit 1.2 miliardë euro nga evazioni fiskal. Një përmirësim prej vetëm 20% në këtë fushë do të siguronte 240 milionë euro – më shumë se sa kërkon gjysma e reformës.

    2. Taksimi progresiv i pasurisë

    Një taksë 0.5% mbi pronat e patundshme me vlerë mbi 500,000 euro do të sillte 60-80 milionë euro në vit, duke goditur ata që kanë më shumë për të ndihmuar ata që kanë më pak.

    3. Fondet e Bashkimit Europian

    Shqipëria ka të drejtë të aplikojë për fonde IPA dhe të tjera për zhvillimin rural. Kapaciteti aktual i absorbimit është i ulët, por me një strategji të mirë, mund të sigurohen 100-150 milionë euro në vit për bujqësinë.

    4. Eficienca në shpenzimet publike

    Ulja e 10% e shpenzimeve të panevojshme administrative (makina luksoze, udhëtime, konferenca) do të sillte 50-70 milionë euro.

    Efektet e pritshme: Një Vizion për 2030

    Nëse reforma fillon tani, skenari optimist për 2030 është:

    • Çmimet: Ushqimet bazë do të jenë 20-25% më të lira se sot
    • Pagat reale: Fuqia blerëse do të jetë rritur me 30%
    • Prodhimi vendor: Shqipëria do të prodhojë 70% të ushqimeve që konsumon
    • Emigrimi: Rënie me 50% e dëshirës për të emigruar
    • Pabarazia: Indeksi Gini do të ulet nga 33 në 28
    • Punësimi: 100,000 vende të reja pune në sektorin bujqësor dhe përpunues

    Pyetje të shpeshta

    A do të çojë ulja e TVSH-së në rritje të borxhit publik? Jo, nëse kompensohet me rritjen e bazës taksuese dhe luftën kundër evazionit. Studimet tregojnë se ulja e TVSH-së për ushqimet stimulon konsumin dhe formalizimin, duke rritur të ardhurat totale.

    Pse fermerët shqiptarë nuk janë konkurrues? Sepse paguajnë kosto më të larta për inputet (karburant, plehra, fara) dhe nuk kanë mbështetjen shtetërore që kanë fermerët europianë. Një hektar gruri në Gjermani merr 300 euro subvencion; në Shqipëri, asgjë.

    A nuk do të përfitojnë më shumë të pasurit nga ulja e çmimeve? Jo, sepse të pasurit shpenzojnë pjesë më të vogël të të ardhurave për ushqim. Një familje me 2000 euro shpenzon 400 euro për ushqim (20%); një me 400 euro shpenzon 250 euro (62%). Ulja e çmimeve ndihkon më shumë të varfërin.

    Çfarë ndodh nëse importet vazhdojnë të dominojnë? Reforma duhet të shoqërohet me politika proteksioniste të lejuara nga BE-ja për vendet në zhvillim: taksa doganore për prodhimet që mund të prodhohen vendas, kontrolle cilësie, dhe promovim i “Made in Albania”.

    Thirrje për veprim: Koha është “Tani”

    Shqipëria nuk ka luksin e kohës. Çdo ditë që kalon pa reformë, është një ditë ku një familje tjetër nuk arrin të blejë ushqim të mjaftueshëm, ku një fermer tjetër braktis tokën, ku një i ri tjetër vendos të emigrojë.

    Qeveria aktuale dhe ato që do të vijnë, duhet të kuptojnë se kjo nuk është thjesht një çështje teknike fiskale. Është një çështje ekzistence. Një vend që nuk ushqen dot qytetarët e tij, nuk ka të ardhme.

    Opozita duhet të ndalojë të përdorë këtë çështje për përfitime elektorale dhe të propozojë zgjidhje konkrete. OJQ-të duhet të monitorojnë çmimet dhe të denoncojnë abuzimet. Mediat duhet të mbajnë përgjegjës institucionet. Dhe ne, qytetarët, duhet të kërkojmë llogaridhënie.

    Reforma e integruar në sektorin ushqimor është e domosdoshme. Ajo fillon me uljen e TVSH-së, vazhdon me mbështetjen e fermerëve, dhe përfundon me një treg të rregullt dhe transparent. Kostoja është e përballueshme. Kostoja e mospërmirësimit është e papërballueshme: varfëri, emigrim, dhe humbje e sigurisë kombëtare.

    Shqipëria ka potencialin për të qenë një vend që prodhon ushqim të lirë dhe cilësor për qytetarët e saj. Toka është, klima është, njerëzit janë. Mungon vetëm vullneti politik dhe një vizion i qartë. Koha për të vepruar është tani.

  • Nga Sebastian ZONJA – “Unë naftën, ti metalet e rralla”

    Nga Sebastian ZONJA – “Unë naftën, ti metalet e rralla”

    Ish-kryeministri italian Romano Prodi tha këtë javë gjatë një interviste për mediet vendase se gazi rus do rikthehet në Evropë sapo institucionet financiare amerikane të bëhen bashkëaksionere nëpër tubacione e gazit. “Pikërisht kështu do të përfundojë gjithçka. Do ta shihni vetë se si do zhvillohen ngjarjet. Më duket se ky është qëllimi i Trampit.”, tha ai. Skenari që politikani italian parashtron për publikun evropian është ai ku investitorët amerikanë marrin nën kontroll pronësinë e infrastrukturës energjetike ruse, duke lejuar më pas që gazi dhe nafta të vijnë drejt Evropës pa ndonjë pengesë. Sipas tij, BE-ja do të detyrohet të bëhet pjesë e këtij projekti.

    Aktualisht, sipas statistikave, Shtetet e Bashkuara janë prodhuesi më i madh në botë i naftës dhe gazit natyror. Ndiqen nga Rusia dhe Arabia Saudite. Amerika, pas vitit 2008, me perfeksionimin e teknikave të nxjerrjes së gazit dhe naftës, në 2018-ën mori kurorën si vend eksportues dhe superfuqi energjetike në botë. Teksa lufta në Lindjen e Mesme mund të dobësojë fuqinë e OPEC-ut, boshti energjetik pritet të jetë në vijim ai mes ShBA-së dhe Rusisë. Evropa i gjend e papërgatitur në këtë skemë të madhe shahu energjetik.

    Dy grabitqarë

    Dy superfuqitë, Amerika dhe Kina, aktualisht janë pozicionuar si grabitqarë në skenën energjetike ndërkombëtare. ShBA-të po tentojnë kontrollin total të naftës dhe gazit. Kanë tërhequr vëmendjen e shumë studiuesve deklaratat e shefit të Shtëpisë së Bardhë për kontrollin e naftës në Venezuelë dhe në Iran. Në krahun tjeter, Kina kontrollon 90% të metaleve të rralla, të cilët janë të domosdoshëm për teknologjitë e reja (automjete elektrike, mikroçipa, panele diellore). Kina zotëron mbi 60% të minierave botërore prej nga nxirren mineralet e rralla, teksa përpunon shumicën dërrmuse të tyre (80-90% të grafitit, litiumit dhe kobaltit). Ajo kontrollon gjithashtu rreth 80% të zinxhirit të prodhimit të Paneleve diellore në botë. 

    Asimetria

    Rivaliteti energjetik ShBA-Kinë pasqyron një ndryshim themelor në dinamikat e fuqisë globale. Konfliktet për zinxhirët globalë të furnizimit pritet të shtohen. Pekini është pozicionuar si lider drejt tranzicionit tek energjia e gjelbër, ShBA-të për lëndët fosile. Pikërisht kjo asimetri sjell varesi dhe konkurencë: ShBA-të varen nga mineralet e përpunuara nga Kina, ndërsa Pekini nga nafta dhe gazi amerikan. Historia na ka mësuar se tranzicionet energjetike kanë sjellë edhe përplasje të forta gjeopolitike. Kur Britania ishte ende te avulli dhe Gjermania shpiku makinën me djegie të brendshme, të gjithë e dimë se shpërtheu Lufta e Parë Botërore. Për vite të tëra, pavarësisht se studiues të fushës e kishin vënë theksin prej kohësh, mineralet kritike u nënvlerësuan prej Amerikës dhe Evropës, teksa Pekini punonte përditë si t’i vendoste nën kontroll. Bateritë, automjetet elektrike, panelet diellore dhe mikorçipat e avancuar për përdorim ushtarak dhe industrial sot janë mjete që Kina i ka perfeksionuar për t’i përdorur në tregtinë ndërkombëtare. ShBA-të kanë reaguar duke vendosur tarifa mbi automjetet elektrike kineze, panelet diellore dhe bateritë.

    Sisteme paralele

    Administrata e shkuar amerikane nisi një projekt ambicioz për të shkruar drejt energjisë diellore. Gjermania po ashtu ka ndërmarrë hapa të tillë. Ndërkohë, avantazhi i thellë amerikan në këtë rend mbetet nafta dhe gazi. Kjo konkurrencë mes dy superfuqive mund të na çojë drejt dy sistemeve paralele: njëri në Perëndim që ka për bazë lëndët fosile, tjetri kinez që ka në thelb energjitë e rinovueshme.

  • “Po të kishte korrupsion, s’do kishim rritje”! Gjetja e madhe e Ramës

    “Po të kishte korrupsion, s’do kishim rritje”! Gjetja e madhe e Ramës

    Që kur ka plasur skadali Balluku dhe kanë dalë sheshit faktet e një qeverisjeje kryekëput të korruptuar, kryeministri Rama ka nisur një kryqëzatë të dëshpëruar për të luftuar me këtë perceptim, që po zgjerohet me këmbënguljen e një njolle vaji. Ai njëherë reket të thotë se në akuzat për ish zv kryeministren e tij nuk bëhet fjalë për vjedhje, por për shkelje të barazisë në tendera, një herë tjetër i vërsulet SPAK-ut duke e akuzuar se fiksimi për të gjurmuar abuzuesit po e bën kurën anti korrupsion “më të rreziksme se sa vetë sëmundja”.

    Por kulmi arriti gjatë një takimi me struktuarat e PS, kur Rama tha se “e refuzonte me neveri” akuzën se drejton një parti dhe një qeveri të korruptuar, e ku, për tu mbrojtur, hodhi tezën e shumë diskutuar se ”nuk mund të kemi edhe korrupsion edhe rritje ekonomike në të njëjtën kohë?”

    “Është rritur korrupsioni’. Kjo është një gënjeshtër shumë e madhe, sepse po të ishte rritur korrupsioni nuk do të rritej ekonomia, pensionet, numri i përfituesve nga garat publike etj. Unë e refuzoj me neveri narrativën  atye që nuk dinë të thonë gjë tjetër veç: ‘Vjedhje, vjedhje, vjedhje! Korrupsion, korrupsion, korrupsion!’. Por po të ishin të vërteta këto, nuk do të ndodhnin ndryshimet që ne kemi bërë”, tha Rama në asamblenë e Partisë Socialiste, në Njësinë 12 në Tiranë.

    Në fakt, po të lundrosh në Google apo të kërkosh në Chat GBT ky version i thjeshtëzuar i kryeministrit mund të rrezultojë i vërtetë. Një përgjigje të shpejtë që merr do të qe se korrupsioni e pengon zhvillimin ekonomik. Pra nëse Shqipëria rilindase po zvillohet, dmth se nuk ka aq shumë korrupsion sa mendohet.

    Por e vërteta e asaj që ndodh në realitet është pak më e komplikuar dhe këtu, tezën e kryeministrit e kanë kundërshtuar me argumenta njerëz që nuk janë shkolluar për pikturë. Ish zv/ministrja në qeverinë e parë të PS, Irena Beqiraj ka një këndvështrim tjetër për realitetin e përfitimit të qytetarëve nga rritja ekonomike dhe për rolin që luan korrupsioni në krijimin e pabarazive dhe shpërndarjen e mirëqenies.

    Në një artikull ajo thekson se rritje ekonomike ka edhe thjeshtë kur hapet një gropë, ndonëse nga ajo nuk fiton asgjë askush. Sipas saj: “Analizimi i rritjes ekonomike pas viteve 1990 tregon se nga viti 2000 deri në 2008 ritmet e rritjes ishin të shpejta (mesatarisht mbi 6% në vit) dhe gjithëpërfshirëse, duke përfshirë edhe të varfrit. Ndërsa që prej vitit 2008, Shqipëria ka përjetuar një ngadalësim të ritmeve të rritjes, dhe, për më keq, rritja ka humbur karakterin gjithëpërfshirës, ku 40 % e shqiptarëve jetojnë akoma në kufijtë e varfërisë”.

    Krijimi i hendekut mes atyre që marrin gjithçka dhe atyre që mbesin në varfëri pavarësist rritjes ekonomike shpjegohet sipas Beqirajt me faktin se ”Kjo mënyrë e rritjes, nga viti 2015 deri sot, është shoqëruar me uljen e produktivitetit. Struktura ekonomike që kemi sot ka nga njëra anë një grusht të vogël investitorësh strategjikë që prodhojnë kryesisht ndërtim, të shoqëruar me një garniturë turistike, që menaxhojnë porte aeroporte , rrugë e asete të tjera shtetërore të marra pa garë ,dhe nga ana tjetër qindra mijëra dyqanxhinj që ofrojnë shërbime me produktivitet të ulët”.

    Nga një tjetër kënd e kundërshton tezën e shefit të qeverisë, në një analizë për BIRN, Gjergj Erebara. Ai përdor të njëjtën llogjikë me Ramën për të ironizuar se po të ndiqet kjo metodë, i bie që qeveritë e Berishës apo Nanos, kanë qenë dy herë më pak të korruptuara pasi ato kanë garantuar rritje ekonomike më të madhe. “Nëse e pranojmë logjikën e kryeministrit, atëherë mund të themi se mes viteve 1993 dhe 2008, Shqipëria pati rritje ekonomike mestare prej 6.5% në vit, ndërsa nga viti 2009 deri në vitin 2025, rritja mesatare ekonomike ka qenë 3% (të dhënat janë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar). Mos vallë kjo do të thotë që, në periudhën 15 vjeçare që pasoi rënien e komunizmit në Shqipëri kishte dy herë më pak korrupsion nga sa ka sot?! Ndërsa, në periudhën 16 vjeçare nga viti 2009 deri më sot ka dyfish më shumë korrupsion?- shkruan Erebara.

    Pra, me të njëjtin argument propaganda e Ramës bie poshtë. Por kryesorja këtu nuk është që të rrëzosh truket e tij prej prestigjatori, por që të vërtetosh se ndonëse korrupsioni, në pamje të parë duket sikur e nxit ekonominë, pasi shmang burokracinë dhe përshpejton proceduarat, në finale ai e frenon rritjen ekonomike, pengon mbërritjen e investitorëve të huaj seriozë dhe thellon pabarazinë. Prandaj Irena Beqiraj thotë se duhet të informohet kryeministri se “në kushtet e mungesës së konkurrencës, inovacionit dhe dijes, korrupsioni ka gjasa të mbetet faktori dominant i rritjes ekonomike, e cila, si rrjedhim, do të jetë gjithmonë e pamjaftueshme, e paqëndrueshme dhe jo gjithëpërfshirëse”.

    DMTH, fakti që ekonomika ka pasur rritje nuk është një alibi për mungesën e korrupsionit, por një pikpyetje se sa më mirë do të ishim po të vidhej shumë më pak.

  • Rënia e çmimeve të naftës: kur do të ulen realisht çmimet në pikat e karburantit?

    Rënia e çmimeve të naftës: kur do të ulen realisht çmimet në pikat e karburantit?

    Tregjet ndërkombëtare të energjisë kanë përjetuar një tronditje të fortë pas njoftimit të Donald Trump për një armëpushim dyjavor me Iranin, duke shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit në rajonin e Gjirit. Ky zhvillim ka sjellë një frymëmarrje të lehtë në bursat botërore, të cilat prej javësh ishin nën presion për shkak të tensioneve në Ngushticën e Hormuzit — një nga arteriet më të rëndësishme të furnizimit global me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm.

    🌍 Një armëpushim që trondit tregjet, por jo domosdoshmërisht çmimet në pompë

    Vetëm brenda pak orësh nga njoftimi, çmimet e naftës bruto ranë me mbi 13 përqind për Brent-in e Detit të Veriut dhe mbi 14 përqind për naftën referuese amerikane. Tregjet aziatike reaguan menjëherë: Nikkei u rrit me mbi 5 përqind, ndërsa DAX gjerman shënoi një rritje të ngjashme në hapje. Në pamje të parë, gjithçka dukej si një kthesë e fortë drejt stabilizimit.

    Por realiteti në terren është shumë më kompleks. Mbi 800 anije cisternë mbeten të bllokuara në Gjirin Persik, ndërsa kompanitë e transportit detar dhe sigurimet detare shprehin dyshime serioze për besueshmërinë e marrëveshjes. Ngushtica e Hormuzit, e kontrolluar nga Garda Revolucionare Iraniane, ka qenë praktikisht e mbyllur që nga fillimi i konfliktit, duke shkaktuar një krizë të furnizimit që nuk mund të zgjidhet brenda natës.

    Kjo situatë e paqartë ngre një pyetje thelbësore për konsumatorët: edhe pse çmimet e naftës po bien me shpejtësi në tregjet ndërkombëtare, a do të shohim të njëjtën ulje në pikat e karburantit? Apo do të përballemi sërish me “efektin raketë-pupël”, ku çmimet rriten menjëherë, por bien me ngadalësi të qëllimshme?

    ⛽ Pse çmimet e naftës bien shpejt, por çmimet në pompë jo?

    Rënia e çmimeve të naftës bruto është e pamohueshme: Brent-i ra në 94.92 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane në 96.54 dollarë. Por kjo nuk do të thotë automatikisht se çmimet e karburantit do të pasqyrojnë të njëjtën rënie.

    Arsyeja kryesore lidhet me fenomenin e njohur si “efekti raketë-pupël”. Ky term përshkruan sjelljen e kompanive të karburantit:

    • Kur çmimet e naftës rriten, çmimet në pompë rriten menjëherë — si raketë.
    • Kur çmimet e naftës bien, çmimet në pompë zbresin shumë ngadalë — si pupël.

    Zyra Federale Gjermane e Karteleve e ka dokumentuar këtë sjellje prej vitesh. Dhe situata aktuale e konfirmon: pavarësisht rënies së çmimeve të naftës, benzina dhe nafta në pikat e karburantit janë më të shtrenjta se para hyrjes në fuqi të rregullit të ri të çmimeve në mesditë.

    Sipas ADAC gjerman, kompanitë e naftës po shfrytëzojnë pasigurinë e tregut për të vendosur një “prim rreziku”, duke rritur çmimet një herë në ditë. Sa më e paqartë të jetë situata gjeopolitike, aq më i lartë është ky prim.

    Me fjalë të tjera: tregjet mund të reagojnë brenda minutash, por kompanitë e karburantit nuk kanë asnjë nxitje të bëjnë të njëjtën gjë.

    🚢 Ngushtica e Hormuzit: pika kyçe që mban peng tregjet e energjisë

    Edhe pse armëpushimi ka sjellë një frymëmarrje të përkohshme, situata në Ngushticën e Hormuzit mbetet e paqartë. Kjo ngushticë është një nga korridoret më strategjike të energjisë në botë: rreth 20% e naftës globale kalon përmes saj.

    Që nga fillimi i konfliktit:

    • Ngushtica është mbyllur praktikisht nga ushtria iraniane.
    • Mbi 800 anije cisternë janë bllokuar.
    • Objektet e naftës në disa vende të Gjirit janë bombarduar.
    • Anije cisternë janë sulmuar ose ndaluar.

    Ekspertët paralajmërojnë se edhe nëse armëpushimi respektohet, rrjedha normale e naftës nuk mund të rikthehet brenda 24 orëve. Jennifer Parker, profesoreshë në Universitetin e Australisë Perëndimore, thekson se kompanitë e sigurimeve, pronarët e anijeve dhe ekuipazhet duhet të jenë të bindur se rreziku ka kaluar — jo thjesht është pezulluar.

    Deri atëherë, tregjet do të mbeten të ndjeshme dhe çmimet e karburantit do të vazhdojnë të pasqyrojnë këtë pasiguri.

    📉 A do të ulen çmimet e karburantit? Ja çfarë pritet në ditët në vijim

    Në teori, rënia e çmimeve të naftës duhet të sjellë ulje të çmimeve të karburantit. Por në praktikë, situata është më e ndërlikuar.

    Çfarë pritet të ndodhë?

    • Ulje të menjëhershme? Shumë e pamundur.
    • Ulje graduale? Po, por vetëm nëse armëpushimi respektohet dhe ngushtica hapet realisht.
    • Rritje të reja? Mund të ndodhin nëse tensionet rikthehen ose nëse kompanitë vazhdojnë të aplikojnë prim rreziku.
    • Stabilizim afatshkurtër? Vetëm nëse tregjet besojnë se furnizimi do të normalizohet.

    Në këtë moment, ekspertët bien dakord për një gjë: Çmimet e karburantit nuk do të bien me të njëjtin ritëm si çmimet e naftës bruto.

    Konsumatorët mund të shohin një lehtësim të vogël në ditët ose javët e ardhshme, por uljet e mëdha janë të lidhura ngushtë me hapjen reale të Ngushticës së Hormuzit — dhe kjo mbetet ende e pasigurt.

  • Kriza e naftës: Kur preferohet arka e shtetit para xhepave të shqiptarëve

    Kriza e naftës: Kur preferohet arka e shtetit para xhepave të shqiptarëve

    Ka momente në politikë që zbulojnë përmbajtjen e vërtetë të një qeverie. Jo ato të stilizuara për kamerat, me premtime dhe projekte madhështore. Por ato të voglat, ato kur duhet të zgjedhësh midis interesit publik dhe arkës së shtetit. Edhe vendimi i Parlamentit ishte pikërisht një nga këto momente.

    Momenti i Vërtetë i Qeverisë

    E teksa shqiptarët paguajnë 220 lekë për litrin e benzinës – çmimi më i lartë në rajon – opozita kërkoi të diskutonte me procedurë të përshpejtuar një paketë ligjore që premtoi ulje të menjëhershme në 175 lekë. Përgjigjja e mazhorancës së Edi Ramës ishte një refuzim i ftohtë: 77 vota kundër, shtyrje për më 30 prill, dhe një justifikim procedural që fsheh një të vërtetë të thjeshtë: kjo qeveri nuk ka vullnet politik për të ulur taksat.

    Por aho që u pa në seancën plenare nuk ishte thjesht një çështje kalendari. Në fakt ne pamë dëshminë e qartë të një qeverie që ka zgjedhur të pasurohet nga kriza, duke futur në xhep të ardhura që i përkasin qytetarëve, ndërkohë që ata vuajnë.

    Skandali i Rezervave: 27 vjet ligj, zero veprim

    Fillimi i kësaj historie është më i rëndë se sa refuzimi i një ligji. Është dështimi sistematik i shtetit për të garantuar sigurinë më elementare të një vendi: rezervat strategjike të naftës.

    Sipas deklaratave publike të vetë qeverisë – që opozita i nxori në dritë në Kuvend – Shqipëria ka rezerva që mbulojnë vetëm 30 ditë importe. Standardi i Bashkimit Europian, përcaktuar në direktivën 2009/119/EC, kërkon 90 ditë. Edhe NATO ka detyrime të ngjashme. Po ligji shqiptar? Ai ekziston që nga viti 1999. 27 vjet që kur një vend sovran miratoi një ligj për të mbrojtur veten nga krizat energjetike, dhe sot kemi vetëm një të tretën e nevojshmes.

    Çfarë do të thotë kjo në praktikë? Nëse nesër një konflikt në Mesdhe, një bllokadë detare, apo një krizë globale ndërpret furnizimet, Shqipëria ka rezerva vetëm për një muaj. 1 muaj! Pas kësaj, gjithçka ndalet: traktorët në fusha, kamionët në rrugë, gjeneratorët në spitale, fabrikat në prodhim. Dhe qeveria që sot refuzon të ulë taksat, do të duhet të shpjegojë pse nuk kishte rezerva kur koha ishte me paqe.

    Sipas deputetit Eno Bozdo: “Shqipëria sot ka zero rezerva sigurie. Është në shkelje të angazhimeve ndaj NATO-s, në shkelje të direktivës së Bashkimit Europian, në shkelje të ligjit që ka të miratuar vetë”. Kjo nuk është thjesht mangësi administrative. Është një shkelje kushtetuese e sigurisë kombëtare, e mbuluar me heshtje ndërkohë që qeveria fokusohet në projekte propagandistike.

    Paketa që u hodh poshtë: Dy zgjidhje të testuara, një refuzim i pakusht

    Propozimi i opozitës nuk erdhi nga zbrazëti. Përmbante dy mekanizma fiskalë të testuar në vende demokratike, me efekte të llogaritura dhe kosto të kontrolluar:

    Taksa e Qarkullimit: Kthimi në realitet

    Më 2013, para se Edi Rama të vinte në pushtet, taksa e qarkullimit për naftën ishte 4 herë më e ulët se sot. Rritja katërfishe e kësaj takse ka qenë një nga burimet kryesore për të mbushur arkën e shtetit, por ka goditur drejtpërdrejt çdo shqiptar që lëviz, që prodhon a që transporton.

    Opozita kërkoi kthimin në nivelin e 2013-s. Jo një favor, por rikthim në normalitet. Kjo do të ulte çmimin me 15-20 lekë për litër menjëherë.

    Modeli Italian: Kur shteti nuk e vjedh krizën

    Më inovativ ishte propozimi për “akcizën e ndryshueshme”, si në Itali. Mekanizmi është i thjeshtë: kur çmimi i naftës rritet globalisht, TVSH-ja e mbledhur nga shteti rritet automatikisht (sepse është përqindje). Në Itali, kjo tepricë përdoret për të ulur akcizën, duke stabilizuar çmimin final për konsumatorin.

    Në Shqipëri, qeveria Rama bën të kundërtën: mbledh TVSH-në e riftuar (20% mbi çmimin e lartë), mban akcizën të pandryshuar, dhe fut diferencën në buxhet. Siç denoncoi Bozdo: “Qeveria jonë po pasurohet nga çmimi. Po fut në xhep atë që nuk i takon”.

    Kombinimi i këtyre dy masave do të sillte ulje nga 220 lekë në 175 lekë për litër. 45 lekë më pak. Për një familje që harxhon 100 litra në muaj, kjo do të thoshte 4,500 lekë kursim – shumë në një ekonomi ku shpenzimet për ushqim zënë 60% të buxhetit.

    Por mazhoranca hodhi poshtë edhe diskutimin. Jo miratimin – thjesht diskutimin.

    Hipokrizia procedurale: Kur Irani hyn në mesnatë, nafta pret një muaj

    Argumenti i qeverisë ishte procedural: “Projektligji është parashikuar për në datën 30 prill… bëhet fjalë vetëm për një javë diferencë”. Një javë. Sikur kriza të ishte një takim që mund të shtyhej.

    Por Eno Bozdo e zbuloi hipokrizinë: “Kur keni pasur vullnet politik, meqënëse ra fjala tek Irani dhe rezoluta e Iranit, e keni futur në orën 12:00 të natës të një dite më parë, pa pyetur aspak opozitën, duke i kërkuar dhe opozitës ta votojë qorrazi atë gjë”.

    E kuptoni dallimin? Rezolutat për Iranin – që nuk prekin asnjë lek të buxhetit, që nuk ul asnjë takse, që nuk ndihmojnë asnjë familje shqiptare – hyjnë në mesnatë, me procedurë të shpejtë, pa pyetur. Nafta që shqiptarët paguajnë çdo ditë, që fermerët kanë nevojë për të punuar tokën, që nënat paguajnë për të çuar fëmijët në shkollë – kjo pret një muaj. Sepse këtu ka kosto. Këtu duhet të ulen të ardhurat. Këtu shteti duhet të japë, jo të marrë.

    Kjo është qeverisja Rama në një moment: e shpejtë kur duhet të marrë, e ngadaltë kur duhet të japë. E fleksible për politikën e jashtme, e hekurt për ekonominë e familjes.

    Dëmi real: kush vuan sot dhe kush do vuajë nesër

    Refuzimi i 30 marsit nuk është thjesht një humbje politike për opozitën. Është një goditje për ekonominë reale, me efekte që do të ndjehen për muaj:

    Fermerët në krizë: Me 220 lekë litri, kostoja e punimit të një hektari është rritur me 40% në dy vjet. Shumë kanë hequr dorë nga kulturat intensive. Toka po braktiset. Brezi i ri po emigron. Dhe qeveria që sot refuzoi të uli kostot, nesër do të ankohet se “bujqësia nuk ecën”.

    Transporti i bllokuar: Autobusët ndërqytetas kanë rritur çmimet me 25%. Një familje me dy fëmijë që shkojnë në shkollë në qytetin fqinj, tani paguan 8,000 lekë në muaj vetëm për transport – 20% e një page minimale. Kjo është arsyeja pse fëmijët në zonat rurale braktisin shkollën.

    Inflacioni i fshehur: Çdo produkt në supermarket ka përfshirë koston e naftës. Qeveria ankohet për “spekulacionin” e tregtarëve, por hesht për taksat e saj që i bëjnë çmimet të paevitueshme.

    Ndërmarrjet në mbyllje: Fabrikat që përdorin gjeneratorë – dhe në Shqipëri ato janë shumë për shkak të energjisë së pamjaftueshme – kanë kosto shtesë që i bën të pakonkurrueshme me importet. Kjo është arsyeja pse “Made in Albania” mbetet slogan, jo realitet.

    Konteksti rajonal: Shqipëria, e fundit në listë

    Nëse do të aplikohej modeli italian, Shqipëria do të bashkohej me vendet që mbrojnë qytetarët e tyre nga luhatjet e tregut. Por zgjedhja e qeverisë Rama është të rrijë në fund të listës.

    Bullgaria ka mekanizma amortizues. Rumania ul taksat në kohë krize. Greqia subvencionon transportin publik. Edhe Kosova, me burime më të kufizuara, ka arritur të mbajë çmimet më të ulëta se Shqipëria.

    Diferenca 45 lekëshe nuk është teknike. Është politike. Është zgjedhja midis qytetarit dhe burokracisë. Midis fermerit dhe zyrës. Midis xhepit të shqiptarit dhe arkës së shtetit që qeveria e shikon si pronë private.

    Pyetje që qeveria nuk do t’i përgjigjet

    Përtej retorikës së sotme, disa pyetje mbeten pa përgjigje – sepse përgjigjet do të tregonin dështim:

    1. Pse pas 27 vjetësh nga ligji i parë, kemi vetëm 30 ditë rezerva? Ku kanë shkuar paratë që duhej të investoheshin në siguri energjetike?
    2. Sa është kostoja reale e uljes së taksave? Nëse është 200 milionë euro, a është e papërballueshme për një buxhet prej 7 miliardësh që rritet çdo vit?
    3. Cili është plani B nëse një krizë godet nesër? A ka qeveria një strategji për 60 ditët e mbetura pas rezervave, apo do të kërkojë ndihmë ndërkombëtare duke na kthyer në vitet ’90?
    4. Pse modeli italian vlen për rezolutat e OKB-së por jo për ekonominë tonë? A ka ndonjë shpjegim tjetër përveç faktit që aty nuk preket arka?

    Emergjenca që u bë procedurë

    Debati i 30 marsit zbuloi një qeveri që ka harruar përse është aty. Nuk është për të mbushur arka, por për të shërbyer qytetarët. Nuk është për të ndërtuar rezerva propagandistike, por rezerva strategjike. Nuk është për të pasuruar shtetin në krizë, por për të lehtësuar barrën e qytetarëve në vështirësi.

    Refuzimi i procedurës së shpejtë për naftën, ndërkohë që procedura e shpejtë përdoret për çështje të parëndësishme, është dëshmi e një qeverie që ka humbur ndjenjën e emergjencës. Për të, një muaj shtesë me çmime të larta është “vetëm një javë diferencë”. Për fermerin që sot nuk e lëviz dot traktorin, është një muaj humbje që mund ta çojë në falimentim. Për nënën që sot vendos midis benzinës dhe ilaçeve, është një muaj dhimbje reale.

    Kjo qeveri ka zgjedhur. Ka zgjedhur arken para qytetarit. Ka zgjedhur procedurën para emergjencës. Ka zgjedhur të pasurohet nga kriza në vend që të luftojë krizën.

    Dhe çmimi i kësaj zgjedhje – 45 lekë për litër, çdo ditë, për çdo shqiptar – është një taksë që nuk shfaqet në faturë, por peshon rëndë në ndërgjegjen e një vendi që meriton më shumë.

  • Nga Basir ÇOLLAKU: Veliaj – Dado, bashkiaku mbetet i pandehur, prokurori jo, Reforma po…

    Nga Basir ÇOLLAKU: Veliaj – Dado, bashkiaku mbetet i pandehur, prokurori jo, Reforma po…

    Gjyqi Veliaj-Dade, novela më e re e fundshpinës së pushteteve, është gjyqi i Reformës, Ramëdeformës. Eshtë përpjekje lokale për të përdorur pretekstin si shkak. Veliaj ka qenë një nga më të përkëdhelurit dhe aksionerët kryesorë në emërim-shkarkimet, kur gjezdiste përqafuar shpesh me vëlla Sorosin. Tutorin e Reformës në Drejtësi.

    Një nga pamjet më të shëmtuara të varësisë e kontrollit, kujtojmë kur në një promovim filmi alla James Bondi shihje nën kujdesin e ambasadorëve plastelinë, prokurorë e gjyqtarë e oficerë drejtues policie, tek i përkuleshin Veliajt sikur të ishte prift apo hoxhë në Kishë dhe Xhami.

    Një pështirosje servile. Madje drekonin e darkonin me Veliajn e me Soros në Tiranë disi shpesh. Nuk janë pa kujtesë lobingjet për të kaluar vettingun. Ishin njjë duel i zi mes Ballukut e Veliajt deri në përpjekje për të caktuar kreun e SPAK. Betejë të cilën e fitonte gjithnjë Rama.

    Nuk e hapën zërin as kur rivlerësimin ia dhanë një kompanie austriake kanalizimesh të ujërave të zeza, prej së cilës prisnin punë të bardhë. As kur prokurorë, gjyqtarë, komisionerë ishin të pandehur, por u amnistuan. As kur dordoleci Irenë, mbushur me vepra penale shpërndante vendime drejtësie. Dhe kur rastësia e partnerëve shkundi mykun në Prokurorinë Speciale na doli e pandehur Belinda Balluku. Zëvëndësja e Ramës ekspozoi në korrupsion shefin e saj. Hetimi është aty për kryeministrin.

    Çpo bëjnë tani?!

    Sadushi është turrur të fusë në kurth unifikimi procedurën për masat e arrestit në burg. Sepse bashkëpunëtorëve të Ramës në qeli u është sosur durimi. Po flasin. Gratë ia dalin me shtatzani halli. Burrat nëpër qeli megjithë chekup-in që lë me barrë meshkujt, nuk po ngelen, ndaj duan të mbarsin sistemin. Tani Veliaj kërkon në gjykatë të zhbëjë procedurën e emërimit të Olsi Dados në SPAK. Presidenca sigurisht u bë menjëherë vartëse. Ai, Veliaj, mund të ketë të drejtë në padinë e tij. Dhe shkelje ka shumë. Si gjysma KPK e KPA e KLGj e KLP kanë mëkate të shumta ligjore të falura nga përdoruesit e tyre.

    Por.

    Konflikti me Daden nuk e bën Veliajn të pafajshëm. Kjo procedurë nuk solli bashkiakun të pandehur. Ajo tregon kalbëzimin e kapjes së reformës. Veliaj është në qeli nën akuzën e hajdutit. Të grupeve kriminale në Bashkinë e Tiranës ku shumë porosi janë të Edi Ramës. Eshtë Dumani një nga prokurorët. Nëse Dado shembet si procedurë e rregullt ligjore e marrjes së detyrës pyetjet e shumta janë:

    A merret Veliaj i pandehur për,

    Inceneratorët,

    Eco Tiranën.

    Milona pemë të pambjella në tokë por në letër, ku një fidan kushtonte 6 milionë e gjysmë lekë.

    Marrja financim e jo sipërfaqe e më pas trukimet me banesat sociale,

    5D.

    Lejet e ndërtimit.

    Tenderat elektoralë.

    Punësime elektorale.

    Dosja e ndërtimeve të Ndranghettës.

    Komisionet në KPK e KPA ILD, KLP, Presidencë, ONM, dhe SPAK filtrues e fitues të emërimit të Dados.

    Halli i Veliajt nuk është Dado. Veliaj me këtë kallëzim po bëhet dëshmitar se si ai dhe Rama kapën e masakruan drejtësinë. Tani kur janë kthyer të dy të pandehur të të kapurit të hershëm, ta gëzojnë gjellën e gatuar me duart e tyre. Kjo çështje duhet të shërbejë për hetimin e madh të Reformës. E cila është e pandehura më e madhe.

  • Kur pushteti të bëhet zakon dhe demokracia e humbet qëllimin

    Kur pushteti të bëhet zakon dhe demokracia e humbet qëllimin

    Ka pushtete që konsumohen shpejt dhe ka pushtete që zgjasin aq shumë, sa fillojnë të duken të përjetshëm. Qeverisja e Partisë Socialiste dhe e Edi Ramës i përket kategorisë së dytë. Jo për shkak të një suksesi të jashtëzakonshëm, por sepse mungesa e alternativës, dobësimi i institucioneve dhe kapja graduale e hapësirës publike e kthyen pushtetin në rutinë.

    Dhe kur pushteti bëhet zakon, demokracia fillon të humbasë tensionin e saj jetik.

    Pushteti i përqendruar në një dorë

    Në këto vite, Partia Socialiste është shndërrua nga një organizatë me identitet dhe debat të brendshëm në një strukturë që funksionon kryesisht si zgjatim i vullnetit të kryeministrit. Nuk është më e qartë se ku mbaron partia dhe ku fillon lideri.

    Ky personalizim i skajshëm i pushtetit nuk është thjesht çështje stili. Është çështje mendësie që prodhon pasoja konkrete: mungesë përgjegjësie, heshtje kritike dhe frikë nga mendimi ndryshe. Një parti që nuk debaton brenda vetes, e ka të pamundur të qeverisë me maturi jashtë saj.

    Reforma pa shpirt dhe institucione pa peshë

    Reformat e shpallura, në fakt, kanë qenë të shumta, por ndikimi i tyre real mbetet i diskutueshëm. Në shumë raste, ato janë si instrumente kontrolli dhe jo mekanizma fuqizimi institucional.

    Institucionet janë reformuar në letër, por të dobësuara në praktikë. Pavarësia është zëvendësuar nga varësia politike, profesionalizmi nga besnikëria, ndërsa transparenca nga propaganda.

    Nga kritikë në dekor

    Një nga zhgënjimet më të mëdha është edhe roli i mediave. Në vend që të shndërrohen në roje të interesit publik, shumë prej tyre janë përshtatur me pushtetin, duke e shoqëruar atë më shumë sesa duke e sfiduar.

    Gazetaria kritike është tkurr, ndërsa opinioni është mbushur me relativizma, justifikime dhe heshtje të qëllimshme. Publiku ka mbetur pa orientim, ndërsa pushteti pa presion real.

    Opozita e pafuqishme dhe zgjedhjet pa garë

    Nuk mund të flitet për demokraci funksionale pa opozitë. Dhe e vërteta është se opozita ka dështuar në mënyrë të përsëritur të ndërtojë një alternativë bindëse. Kjo i ka dhënë qeverisjes socialiste një avantazh të pamerituar: pushtet pa kontroll.

    Zgjedhjet janë kthyer thjesht në procedurë, jo në garë. Fitorja është bërë krejtësisht e parashikueshme, ndërsa humbja justifikohet gjithmonë me fajin e tjetrit. Jo se zgjedhjet nuk janë vjedhur, përkundrazi. Sa here është votuar, ditën e zgjedhjeve bandat kanë rrethuar si në lak qendrat e votimit, nga ku asgjë nuk mund bëhej pa bekimin dhe miratimin e kriminelëve të veshur me pushtet, në shërbim të shtetit dhe PS-së. Faji i opozitës, sidomos e kohëve të fundit qëndron në mosgjetjet e mënyrave dhe formave të duhura për t’iu kundërpërgjigjur këtyre vjedhjeve masive, si dhe në mosdenoncimin në të gjitha institucionet vendimmarrëse me peshë në politikën ndërkombëtare. Edhe pse, sot, vetëm Partia Demokratike dhe opozita mund të rikthejnë shpresën e humbur dhe këtë e dine të gjithë.

    Kur gjithçka mbaron, çfarë mbetet?

    Por vjen një ditë dhe çdo pushteti i vjen fundi. Pyetja nuk është nëse, por si. Dhe më e rëndësishmja: çfarë mbetet pas? Ka mbi një dekadë që Shqipëria ka humbur më shumë sesa ka fituar në besim institucional, në debatin publik dhe shpresën demokratike.

    Dhe kur vërtetë të mbyllet ky cikël, (dhe shpresoj sa më shpejt) nuk do të mjaftojë të ndryshohet vetëm emri i qeverisë. Do të duhet të rindërtohet vetë ideja e pushtetit si shërbim, jo si pronë personale.

    Dhe kjo po, është sfida e vërtetë që na pret.