Blog

  • Nga Prof. Dr. Enver BYTYÇI – Edi Rama nuk është thjesht një zhgënjim, ai është kërcënimi më i madh i Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve!

    Regjizori i njohur dhe me zë të padiskutueshëm, Mevlan Shanaj, ka lëshuar publikisht pyetjen për kryeministrin Rama, duke i kërkuar atij se “Pse na zhgënjeve ne që të besuam”! Nuk dyshoj aspak në sinqeritetin e artistit të madh. Nuk e paragjykoj për faktin pse ai i ka besuar deri më sot Edi Ramës. Në shumë raste edhe intelektualët e mëdhenj duan të jenë të sigurt, kur shprehin një pikëpamje ose një qëndrim. Madje duan që të jenë perfekt dhe të mos dyshojnë se qëndrimin e tyre do ta refuzojë një kohë tjetër. Krejt normale është kjo.

    Ndërsa për ne që Edi Ramën e kemi njohur në distancë është ndryshe. Njohja në distancë shpesh herë të zhvesh nga nostalgjia e fëmijërisë ose e rinisë. Të bën më të vëmendshëm dhe të besueshëm në mendimin që pjek për një ngjarje, fenomen apo personazh. Por njohja në distancë bëhet vetëm atëherë kur personazhin, në rastin konkret Edi Ramën, e ke ndjekur në çdo kohë, në çdo hap, në çdo deklarim, në secilin prej akteve që ai ka kryer. Sepse arsyetimi dhe gjykimi për ngjarjen, fenomenin e personazhin nuk mund të jenë objektive, nëse nuk mundesh të bësh krahasimin midis çdo etape të zhvillimeve dhe qëndrimeve, në rastin konkret atyre politike. I mirënjohuri Mevlan Shanaj nuk ka patur as kohë dhe aq mundësi ta bëjë këtë. Nuk ka patur shans që ai ta ndjekë në secilin hap dhe në secilën vendimmarrje kryeministrin e vendit. Ndaj dhe ai nuk ka mundur që ta shohë më sytë e moszhgënjimit atë.

    Në fakt Edi Rama ka zhgënjzer ëndërrat e gjithë qytetarëve shqiptarë që në vitet e para të qeverisjes së tij. Në vitin 2013, edhe unë që kam votuar të djathtën, ju thosha miqve të mij “Le të ndodhë ndryshimi se këta socialistët mund t’i bëjnë së paku nja dy gjëra më mirë se sa ne demokratët”! Ndonjë më shihte me dyshim, kur thosha këtë lloj shprehje të besimit te kundërshtari politik. Por nuk është faj të besosh te e mira për vendin. Për një vit isha i rezervuar të bëj kritika të hapura ndaj qeverisë Rama, sërishmi me shpresën se ai do të bënte diçka më të mirë sesa demokratët e Sali Berishës. Por pas një viti u binda për plotësisht se Edi Rama nuk është vetëm zhgënjimi im, ishte dhe do të ishte zhgënjimi i të gjithë shqiptarëve, madje kërcënim për Shqipërinë dhe shqiptarët.

    Për mua që ndjek çdo ditë e çdo orë zhvillimet në Ballkan dhe në Kosovë ishte e qartë që në nëntorin e vitit 2014 se qeveria shqiptare e Edi Ramës po shkonte drejt një aleance të ngushtë e të gjithanshme me Serbinë dhe presidentin e saj, Aleksandër Vuçiq. Dhe se këtë ai nuk po e bënte për interesin e Shqipërisë. Po e bënte që të shihej nga BE dhe SHBA si faktor stabiliteti në rajon dhe kësisoj të “bënte diferencën” me paraardhësin e tij, të cilin e konsideronin pengesë “për pajtimin shqiptaro-serb”! Pra, po e bënte që të fitonte besueshmërinë e partnerëve perendimorë, pa pyet aspak nëse sjelljet e tij politike dhe diplomatike i dëmtonin ose jo interesat e shqiptarëve dhe në veçanti të Kosovës. Nga kjo aleancë lindën dhe u mbështetën të gjitha projektet e Beogradit për Kosovën dhe Ballkanin. U mbështet ndarja e Kosovës, krijimi dhe përpjekja për ta imponuar Open Balkan, si dhe shumë iniciativa të tjera pro serbe.

    Duke përfituar nga mbështetja ndërkombëtare, Edi Rama e përdori këtë për të ndërtuar brenda vendit një shtet feudo-autokratik. Derisa sa erdhi te sjellja prej feudali në lidhje me pronat e shqiptarëve. E kam paralajmëruar faktin se një ditë kupa do të dredhej, sepse prekja e pronës, grabitja e saj për t’ua dhënë miqve të Edi Ramës, atyre që quhen oligarkë, do ta sensibilizonte opinionin publik. Kjo tashmë ka ndodhur. Por janë shumë 13-14 vite për ta toleruar një qeverisje që vetëm grabit, që varfëron pjesën më të madhe të shqiptarëve dhe me taksat tona pasuron një grusht njerëzish. Janë shumë kaq vite të mos e vëresh se si kryeministri i vendit tënd ndërton struktura korruptive e kriminale brenda strukturave të shtetit. Se si ai koordinon veprimtarinë e strukturave të korrupsionit me eksponentët e krimit të organizuar, me të cilët konsumon verë speciale me çmime prej 33 mijë eurosh, ose sa pensioni 15 vjeçar i një pensionisti. Se si ai pret e përcjell në zyrën e tij eksponentët e organizatave mafioze ndërkombëtare, siç ishte rasti i eksponentit të organizatës terroriste të Sinaloas në Meksikë.

    Koha ka qenë e mjaftueshme edhe para dhjetë vitesh për të dalluar se Edi Rama i ka zhgënjyer shqiptarët. Do të mjaftonte kanabizimi i Shqipërisë për këtë. Do të mjaftonin aktet e grabitjes së votës dhe gjithçka tjetër, që e ka çuar Shqipërinë në këtë situatë kaq të vështirë. Ndërkohë që qeverisja e Edi Ramës jo vetëm nuk bëri dy gjëra më mirë sesa ajo e mëparshmja, përkndrazi e bëri çdo gjë keq e më keq, si për inat të atyre që e besuan aq shumë kryeministrin e Shqipërisë. Megjithatë nuk është vonë. Asnjëherë nuk është vonë për ta parë dhe dëshmuar të vërtetën. Të vërtetën e hidhur se Edi Rama nuk është vetëm zhgënjimi, por edhe kërcënimi më i madh për Shqipërinë dhe shqiptarët!

  • Nga Dardan MITROVICA: Kush e ushqen etjen për t’i dhënë mend opozitës shqiptare

    Nga Dardan MITROVICA: Kush e ushqen etjen për t’i dhënë mend opozitës shqiptare

    Në Shqipërinë politike, ku çdo lëvizje e një partie opozitare analizohet me lupë dhe komentohet me një intensitet që shpesh i ngjan një ndeshjeje futbolli të humbur me penallti, ka një fenomen që nuk shuhet kurrë: këshillat e atyre që nuk janë më pjesë e asaj partie, që nuk e duan, që e kanë braktisur, madje që e kanë sulmuar për vite me radhë. Ata shfaqen papritur në studio televizive, në rrjete sociale, në intervista të improvizuara, duke shpallur me ton profetik se opozita po gabon, se zgjedhjet e brendshme po bëhen keq, se strategjia është e gabuar, se drejtimi është i çoroditur. Dhe ndërsa e gjithë kjo zhurmë rrotullohet rreth një partie që përpiqet të gjejë veten, mbetet pezull një pyetje që askush nuk e shqipton me zë, por të gjithë e mendojnë: pse dikush që ka ikur, që është larguar me vetëdije, që e ka mbyllur derën pas vetes, vazhdon të sillet sikur ende ka çelësin e saj?

    🧩 Sindroma e “udhëheqësit të humbur” dhe etja për të mbetur në qendër të skenës

    Ka një lloj drame të heshtur që shfaqet sa herë dikush largohet nga një parti politike. Disa ikin me dinjitet, duke pranuar se rruga e tyre ka marrë drejtim tjetër. Por të tjerë ikin fizikisht, ndërsa mendërisht mbeten të lidhur me atë shtëpi politike, si ish-banori që endet rreth oborrit duke kontrolluar nëse dritat janë ndezur siç duhet.

    Këta ish-aktorë, të cilët dikur po, mund të kenë patur rol, ndikim, zë, sot shfaqen si komentues të paanshëm e të përhershëm të gabimeve të të tjerëve, veçanërisht Parisë Demokratike në opozitë. Ata flasin për zgjedhje të brendshme sikur të ishin ende pjesë e tyre, japin receta për fitore sikur të mos kishin humbur vetë më parë, tregojnë rrugën drejt pushtetit sikur të mos kishin dështuar ta mbanin atë.

    Në thelb, kjo sjellje nuk është thjesht politikë. Është psikologji, është frika e të mbeturit jashtë loje, është ankthi i të qenit i harruar, apo dëshira për të treguar se “pa mua nuk bëni dot”, edhe kur faktet tregojnë të kundërtën.

    Dhe ndërsa këta zëra rrotullohen rreth opozitës si satelitë të çliruar nga orbita, ata nuk e pranojnë dot se koha e tyre ka kaluar, se modeli i tyre nuk funksionoi, se populli nuk i ndoqi më. Prandaj sot, në mungesë të një partie të tyre, kërkojnë të ndërhyjnë në partinë e të tjerëve.

    🔍 Pse nuk krijojnë një parti tjetër? Frika nga prova dhe tundimi i kritikës së lehtë

    Në një vend ku pluralizmi lejon krijimin e partive të reja me një procedurë të thjeshtë, pyetja lind natyrshëm: pse këta kritikë të përhershëm nuk krijojnë një parti të tyre? Pse nuk i tregojnë shqiptarëve modelin ideal që kërkojnë t’u imponojnë të tjerëve?

    Përgjigjja është më e thjeshtë se sa duket:
    sepse është më e lehtë të kritikosh sesa të ndërtosh.

    Të ndërtosh një parti kërkon vizion, njerëz, organizim, sakrificë, terren, durim, besim. Të kritikosh kërkon vetëm një mikrofon. Të fitosh mbështetje kërkon punë të gjatë, të lodhshme, të përditshme. Të japësh mend kërkon vetëm një status në Facebook. Të marrësh pushtetin kërkon strategji, koalicion, përballje, rrezik. Të tregosh se si merret pushteti kërkon vetëm një intervistë 15-minutëshe, apo ndonjë pseudodebat i stisur.

    Këta zëra që sot flasin për opozitën, që e qortojnë, që e akuzojnë për gabime, shpesh janë të njëjtët që nuk patën guximin të ndërtonin diçka vetë. Disa prej tyre e provuan dhe dështuan. Disa të tjerë nuk e provuan kurrë, sepse e dinë se realiteti është shumë më i ashpër se teoria.

    Prandaj, në vend që të marrin përgjegjësi, ata zgjedhin të mbeten komentues të përhershëm të gabimeve të të tjerëve. Një rol i rehatshëm, pa rrezik, pa kosto, pa përgjegjësi.

    Pyetja që mbetet pezull në ajër

    Në fund të ditës, opozita shqiptare ka sfidat e saj, gabimet e saj, betejat e saj. Por ajo ka edhe të drejtën të ecë vetë, të gabojë vetë, të mësojë vetë, të ndërtojë vetë.

    Ndërsa zërat nga jashtë vazhdojnë të flasin, të komentojnë, të japin mend, mbetet pezull e njëjta pyetje që i përshkon të gjitha këto ndërhyrje të çuditshme, të lodhshme, të përsëritura:

    Ku e kanë hallin?

  • PD drejt një epoke të re: Këshilli i ri Kombëtar (lista e plotë) shënon kthesën më të fortë politike të dekadës

    PD drejt një epoke të re: Këshilli i ri Kombëtar (lista e plotë) shënon kthesën më të fortë politike të dekadës

    Në Tiranën politike të mbërthyer nga debatet, dyshimet dhe shpresat e një partie që kërkon të rigjejë veten, Partia Demokratike mbylli numërimin e votave të Kuvendit Kombëtar të 30 majit 2026, duke shpallur emrat e anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar. Një proces që, ndonëse teknik në dukje, mbart peshën e një rikthimi të shumëkërkuar: rikthimin e besimit të brendshëm, të kohezionit dhe të një vizioni të ri politik. Rezultatet, të konfirmuara pas përpunimit të tabelave nga 13 komisionet e numërimit, tregojnë jo vetëm fituesit, por edhe një transformim të thellë kulturor brenda strukturave të PD-së. Për herë të parë, të rinjtë arrijnë 30% të listës fituese—dyfishi i minimumit statutor—ndërsa kuotat e grave dhe vajzave respektohen me rigorozitet, duke sinjalizuar një frymë të re hapjeje dhe modernizimi. Në horizont qëndron edhe përfshirja e diasporës, e cila do të shtojë 15% të anëtarëve të rinj, duke e bërë këtë Këshill Kombëtar më gjithëpërfshirësin në historinë e partisë.

    🌐 Një listë që flet për ndryshim

    Përbërja e re e Këshillit Kombëtar nuk është thjesht një listë emrash; është një deklaratë politike. Ajo tregon se PD kërkon të dalë nga spiralet e përçarjes dhe të ndërtojë një identitet të ri, ku brezi i ri nuk është më dekor, por aktor kryesor. Dyfishimi i përfaqësimit të të rinjve nuk është rastësi, por një zgjedhje strategjike që synon të injektojë energji, ide dhe ritëm të ri në një parti që ka nevojë urgjente për të rifituar terren. Po aq domethënëse është edhe rritja e përfaqësimit të grave, një tjetër shtyllë e reformimit të brendshëm, që e vendos PD-në në një linjë më moderne me standardet europiane të përfaqësimit politik.

    🗳️ Procesi i votimit dhe hapat e ardhshëm

    Numërimi i votave, i kryer nga 13 komisione të dedikuara, nxori fituesit në një garë ku disa kandidatë u renditën me pikë të barabarta në kufijtë e listës—një tregues i konkurrencës së fortë dhe i interesit të lartë për të qenë pjesë e strukturës së re. Por procesi nuk mbyllet këtu. Sipas statutit, 15% e vendeve do t’i shtohen përfaqësuesve të diasporës, të cilët do të propozohen nga kryetari i partisë dhe do të miratohen nga Kryesia. Ky hap pritet të sjellë një dimension të ri, duke përfshirë zërat e shqiptarëve jashtë vendit, të cilët prej vitesh kërkojnë një rol më aktiv në politikën e brendshme.

    Opinioni i gazetatjeter.net: PD në provën e së vërtetës, tani struktura e re kërkon edhe kulturë të re politike

    Procesi i zgjedhjes së Këshillit të ri Kombëtar të PD-së nuk është thjesht një ushtrim organizativ; është një test i maturisë politike të një partie që ka kaluar stuhi të njëpasnjëshme. Dyfishimi i përfaqësimit të të rinjve dhe respektimi i kuotave gjinore janë hapa të rëndësishëm, por ato nuk mjaftojnë nëse nuk shoqërohen me një kulturë të re politike, ku meritokracia dhe transparenca të mos jenë vetëm slogane, por parime të prekshme. PD ka nevojë të rindërtojë besimin e publikut, dhe kjo nuk arrihet vetëm me emra të rinj, por me mënyra të reja të të bërit politikë. Përfshirja e diasporës është një mundësi e artë për të sjellë perspektiva të freskëta, por edhe një sfidë për të menaxhuar diversitetin e mendimeve. Nëse kjo strukturë e re do të shndërrohet në motor reformash apo do të mbetet një fasadë kozmetike, kjo mbetet për t’u parë. Por një gjë është e qartë: PD nuk ka më luksin e gabimeve. Ky është momenti i saj i fundit për t’u ringritur me dinjitet dhe për të treguar se është ende një forcë politike me peshë reale në skenën shqiptare.

    Lista e plotë e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PD

  • Shqipëria përballë Brukselit! Çfarë përpiqet të fshehë qeveria: IBAR, Rama dhe Bela

    Shqipëria përballë Brukselit! Çfarë përpiqet të fshehë qeveria: IBAR, Rama dhe Bela

    Ka vite që qeveria shqiptare përpiqet të ndërtojë një narrativë triumfale rreth integrimit europian, duke e shitur çdo deklaratë të BE-së si fitore personale të kryeministrit dhe çdo raport teknik si një medalje nderi për “reformat historike”. Por realiteti, si gjithmonë, është më kokëfortë se propaganda. Raporti i ri i IBAR, i miratuar nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian, e zhvesh këtë propagandë deri në palcë dhe e vendos Shqipërinë përballë një pasqyre të pakompromis: një shtet ku drejtësia sulmohet, ku politika ndërhyn pa turp, ku imuniteti përdoret si bunker për të mbrojtur të pushtetshmit dhe ku korrupsioni nuk është më “shqetësim serioz”, por “shqetësim thelbësor”.

    Kur Brukseli flet hapur, Tirana zyrtare ul kokën

    Në vend që të shënojë progres, raporti i majit është një kambanë alarmi. Ai nuk është më një dokument teknik i zakonshëm, por një paralajmërim politik i qartë: Shqipëria nuk mund të ecë drejt BE-së me këtë model qeverisjeje. Dhe mbi të gjitha, nuk mund të mbyllë kapitujt e negociatave pa ndalur ndërhyrjet ndaj SPAK, pa respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe pa zbatuar standardet europiane për imunitetin parlamentar – standarde që qeveria i ka shkelur hapur në rastin Balluku.

    Ky raport nuk është një letër e zakonshme. Është një akt-akuze.

    Nga raporti i shkurtit te raporti i majit: BE-ja humbi durimin

    Në shkurt, Komisioni Europian paraqiti një draft relativisht të butë, me tone diplomatike dhe me gjuhën e zakonshme të “progresit të qëndrueshëm”. Por vendet anëtare, të cilat kanë fjalën e fundit, e ndryshuan rrënjësisht dokumentin. Dhe kjo është shenja më e qartë se durimi i tyre ka mbaruar.

    Në versionin e majit, BE-ja përmend SPAK-un me emër, flet për “sulme në rritje dhe shqetësuese” ndaj drejtësisë, thekson ndërhyrjet politike “në nivele të larta”, e cilëson korrupsionin si “shqetësim thelbësor”, kritikon patronazhistët, presionin ndaj mediave dhe përdorimin e administratës në zgjedhje, kërkon respektimin e standardeve të Komisionit të Venecias për imunitetin parlamentar.

    Ky nuk është më një raport që të fton të ecësh përpara. Është një raport që të thotë: “Ndal. Kthehu mbrapa. Riparo çfarë ke prishur.”

    Dhe ky ndryshim tregon një gjë të thjeshtë: BE-ja nuk i beson më qeverisë shqiptare kur flet për reformën në drejtësi. E sheh qartë se ndërhyrjet politike nuk janë raste sporadike, por pjesë e një strategjie të qëndrueshme për të kontrolluar sistemin.

    Rasti Balluku: imuniteti si bunker politik dhe mesazhi i prerë i Brukselit

    Në qendër të raportit qëndron një çështje që qeveria u përpoq ta shiste si “keqkuptim”: refuzimi i mazhorancës për t’i dhënë SPAK-ut autorizimin për arrestimin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku. Por BE nuk e ka bleu këtë justifikim.

    Në raport, kërkesa është e qartë: Shqipëria duhet të zbatojë standardet europiane për imunitetin parlamentar, të përcaktuara nga Komisioni i Venecias. Dhe këto standarde thonë një gjë të thjeshtë: imuniteti mbron deputetin vetëm kur ka dyshime për ndjekje penale me motive politike.

    Por në rastin Balluku: SPAK deklaroi se nuk ka asnjë motiv politik, avokatët e Ballukut pranuan se nuk ka motiv politik, deputetët e opozitës e konfirmuan këtë gjatë seancës së Mandateve.

    Pra, sipas standardeve europiane, imuniteti nuk duhej të përdorej. Por mazhoranca e përdori. Dhe BE-ja e ka shënuar këtë si shkelje të rëndë.

    Ky është një precedent i rrezikshëm: një parlament që mbron një zyrtare të lartë të akuzuar për shkelje të barazisë në tendera me vlera qindra milionëshe dhe për kërcënim dëshmitarësh. Dhe një kryeministër që del publikisht kundër SPAK-ut, duke e akuzuar se po bën “eksperimente socio-politike”.

    Në çdo vend europian, kjo do të ishte krizë politike. Në Shqipëri, qeveria e quajti “normalitet”.

    Sulmet ndaj SPAK dhe drejtësisë: kur qeveria lufton institucionet që vetë i krijoi

    Raporti i IBAR nuk kufizohet te rasti Balluku. Ai përshkruan një panoramë të gjerë të ndërhyrjeve politike në drejtësi, duke përfshirë: sulmet publike të kryeministrit ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve, fushatat e linçimit në media pranë qeverisë, presionin ndaj institucioneve të pavarura, përdorimin e shumicës parlamentare për të bllokuar hetime.

    BE-ja e ka kuptuar se qeveria shqiptare ka hyrë në një konflikt të hapur me SPAK-un, sidomos pas hetimeve që prekën zyrtarë të lartë të qeverisë dhe drejtues të AKSHI-t. Dhe ky konflikt nuk është më një çështje e brendshme: është bërë pengesë për integrimin.

    Në raport, BE kërkon që: ekzekutivi dhe legjislativi të përmbahen nga ndërhyrjet, të zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të garantohet pavarësia e drejtësisë, të forcohet llogaridhënia e gjyqësorit.

    Këto nuk janë rekomandime. Janë kushte. Dhe pa përmbushjen e tyre, kapitulli 23 nuk mbyllet. Dhe pa kapitullin 23, Shqipëria nuk lëviz asnjë centimetër drejt BE-së.

    Një BE që kërkon zgjerim dhe një Shqipëri që ecën në drejtim të kundërt

    Ironia më e madhe është se BE-ja, pavarësisht krizave të brendshme, ka vullnet të qartë për zgjerim. Propozimi i kancelarit gjerman Friedrich Merz për t’i dhënë vendeve të Ballkanit Perëndimor status vëzhguesi në institucionet europiane është një sinjal i fortë politik: Europa po hap dyert.

    Por Shqipëria nuk po hyn dot, sepse qeveria e saj nuk po respekton rregullat e shtëpisë ku kërkon të futet.

    Në vend që të shfrytëzojë momentin historik, qeveria shqiptare: përplaset me ambasadat europiane, sulmon SPAK, mbron zyrtarët e akuzuar, përdor imunitetin si mburojë, lejon patronazhistët të kontrollojnë administratën, ushtron presion ndaj mediave dhe e trajton integrimin si çështje marketingu, jo si reformë shtetformuese.

    Ndërkohë, opozita e sheh propozimin e Merz-it si një mundësi reale për të përshpejtuar integrimin. Por edhe ajo e di se ky proces nuk mund të ecë përpara pa një ndryshim rrënjësor të sjelljes së qeverisë.

    Shqipëria nuk ka nevojë për dekorata propagandistike, por për një shtet që respekton drejtësinë

    Raporti i IBAR nuk është një dokument që qeveria mund ta përdorë për të bërë fushatë. Nuk është një certifikatë suksesi. Është një diagnozë e rëndë për një shtet që ka devijuar nga rruga europiane dhe që po e përdor reformën në drejtësi si fasadë, ndërsa në prapaskenë përpiqet ta kontrollojë atë.

    Mesazhi i BE-së është i qartë: ndalni ndërhyrjet politike, respektoni SPAK-un, zbatoni vendimet e Gjykatës Kushtetuese, aplikoni standardet e Venecias për imunitetin, luftoni korrupsionin jo me fjalë, por me vepra.

    Nëse qeveria vazhdon të injorojë këto mesazhe, integrimi do të mbetet një ëndërr e largët. Dhe Shqipëria do të vazhdojë të notojë në batakun e korrupsionit dhe kapjes së shtetit, ndërsa BE-ja do të vazhdojë të dërgojë raporte që qeveria i lexon si suksese, por që në fakt janë paralajmërime.

    E ardhmja europiane e vendit nuk varet nga deklaratat e kryeministrit, por nga respektimi i drejtësisë. Dhe ky raport e thotë qartë: Shqipëria nuk mund të hyjë në BE me një qeveri që lufton SPAK-un dhe mbron të akuzuarit.

  • Nga Lutfi DERVISHI – Beteja e humbur me gjuhën shqipe

    Gjuha shqipe është histori mbijetese. Ajo u ka bërë ballë kohërave, pushtimeve, ndalimeve dhe perandorive:

    I mbijetoi Perandorisë Romake për rreth pesë shekuj.

    I mbijetoi Perandorisë Bizantine për afro një mijëvjeçar.

    I mbijetoi Perandorisë Bullgare dhe asimilimit sllav në Mesjetë.

    I mbijetoi Perandorisë Serbe të Stefan Dushanit.

    I mbijetoi Perandorisë Osmane për gati pesë shekuj.

    I mbijetoi censurës, ndalimeve dhe luftës së egër kundër shkollës shqipe.

    I mbijetoi përpjekjeve për ta shkruar me alfabete greke, arabe e cirilike, apo me variante të copëzuara latine, derisa shqiptarët e unifikuan atë në Kongresin e Manastirit më 1908.

    Arbëreshët e ruajtën për pesë shekuj larg atdheut.

    Shqiptarët e Kosovës e mbrojtën në kohë represioni e aparteidi.

    Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut u ngritën në protesta për të drejtën për të mësuar, shkruar dhe studiuar në gjuhën amtare.

    Prandaj, përpjekjet cinike në Shkup për të rikthyer shqipen në një “gjuhë të përqindjeve”, vendimet e Gjykatës Kushtetuese që prekin të drejtat e fituara, heqja e gjuhës shqipe nga tabelat e rrugëve, mohimi i të drejtës së studentëve shqiptarë për të dhënë provimin në gjuhën shqipe jane shenja të dëshpërimit të një politike që s’e pranon dot barazinë.

    Është një paradoks i madh që Shkupi po u shpall luftë gjuhës së popullit shtetformues, ndërsa vetë përballet me Bullgarinë që ia mohon ekzistencën gjuhës maqedonase. Nëse Maqedonia e Veriut synon vërtet integrimin në Bashkimin Evropian, ajo duhet të shohë drejt modelit të vendeve si Belgjika (me tri gjuhë zyrtare) apo Zvicra (me katër), ku shumëgjuhësia është vlerë dhe shtyllë e stabilitetit, jo kërcënim.

    Historia e ka dhënë tashmë përgjigjen: çdokush që ka hyrë në betejë me gjuhën shqipe, ka humbur. Edhe perandoritë më të fuqishme të botës.

  • Nga Andi BUSHATI – Të vërtetat alternative të Ramës

    Edi Rama është zhytur në një spirale marramendëse të mohimit të realitetit dhe të krijimit njëkohsisht me të të të vërtetave alternative, që zor se mund t’ia besojnë edhe nënpunësit e tij më të devotshëm. Brenda harkut të pak ditëve kryeministri e ka shpallur qeverisjen e tij si lider në rajon për prokurimet publike, duke u mburrur se dixhitalizimi i këtyre garave na ka bërë që t’ia kalojmë edhe Gjermanisë, “që ende punon me faks“. Ai i ka thënë këto pa pasur gajle fare se i gjithë publiku është njohur me mënyrën se si i caktonte fituesit e tenderave me një të rënë të celularit Balluku, se si shpërndaheshin paratë publike në AKSh, ku ata që nuk bindeshin merreshin peng, se si procedonin drejtorët e famshëm të 5D në bashkinë e Tiranës, apo qoftë edhe se pas avullimit të gjysëm miliardëve Euro nuk ka më asnjë incenerator.

    Të njëjtën këmbëngulje për të mohuar realitetin Rama dëshmoi edhe gjatë një replike që pati me “Reporterët pa kufij“, lidhur me lëngimin e lirisë së medias në Shqipëri, që humbi këtë vit edhe dy vende të tjera në klasifikimin e përvitshëm të Reporters sans frontieres“.

    Për të analizuar këtë arratisje nga e vërteta po ndalem në këtë temën e dytë, jo vetëm se pas shpërthimit të dosjeve të viteve të fundit, askush nuk ka më dyshime se si vidhet ky shtet, por edhe sepse lidhur me lirinë e mediave ka më shumë debat me pro dhe me kundra, më tepër argumenta sipërfaqësorë që fshehin disa të vërteta shumë të thjeshta.

    Një nga këto argumenta është përshembull ai se fjala e opozitës politike nuk censurohet nga mediat e mëdha. Një tjetër edhe më perfid, është ai se në emisionet e debatit politik të mbrëmjes ka plot kritikë të qeverisë dhe kryeministrit, që thonë lirshëm fjalën e tyre. Në pamje të parë dhe për dikë që nuk i ka hyrë teorikisht detyrave dhe fuqisë së pushtetit të katërt, këto janë alibi që zënë vend. Pikërisht me këtë mendësi dredharake replikonte edhe kryeministri me “Reporterët pa kufij“, duke iu referuar një shoqate anonime që kishte matur kohën televizive në dispozicion të opozitës dhe kishte numëruar titujt kundër qeverisë në mediat online të vendit. Pra mesazhi qe: këtu të gjithë janë të lirë të thonë ç‘të duan dhe të kritikojnë kë të duan, madje për të arritur deri atje ku thotë Edi Rama se, Shqipëria vuan në abuzimi me lirinë dhe jo nga mungesa e saj.

    Në fakt, nuk është kështu. Ndonëse në Shqipëri askush nuk dënohet për lirinë e shprehjes, si pëshembull në regjimet e Erdoganit apo Putinit, liria e medias është tjetër gjë dhe aty sistemi i ngritur nga Rama nuk ndryshon shumë nga ato të Turqisë apo Rusisë. E vërteta vritet po njësoj. Ndonëse në televizionet e mëdha mund të përmenden shkarazi skandalet e Ballukut, Veliajt, apo Ergys Agasi, ndonëse aty ftohen zëra kritikë që ‘lejohen’, ti citojnë ato, publiku hutohet mes sherrnajës së të ftuarve pro dhe kundër. Ajo që do ta shmangte këtë bigbradhërizim të politikës, janë emisionet informuese dhe investigative për këto afera. Le të kujtohet gjithsekushi se ku ka parë në një nga ekranet kombëtare një kronikë të thelluar lajmesh, apo një investigim për mënyrën se si i jepte tenderat e rrugëve Belinda Balluku, se si shpërndaheshin paratë e AKSH-it, të cilit Rama i kishte dhënë fuqinë të centralizonte të gjithë tenderat, se si vidhnin drejtorët e Lalit, për të furnizuar me një pjesë të këtyre parave fushatat elkektorale të PS-së. Kur këta të fundit u prangosën u thye një tjetër rekord. Meqënse Veliaj ishte ende në zyrë, për këtë ngjarje nuk u bë asnjë emision. Ka edhe më: kur ky i fundit ra vetë në kurthin e SPAK, në të njëtin moment që ai çohej drejt qelisë, në ekrane shfaqej duke përuruar një shkollë. Në këtë vazhdë qe edhe intervista e fundit e ish drejtoreshës së AKSH, të cilës iu dha një orë kohë të përlotej e të qante hallin e fmiljarëve të saj, ndërkohë që nuk iu bë asnjë pyetje e vetme për gjëmat me të cilat duhej të përballej në proces.

    Po ti shtosh këtyre shembujve edhe politikat editoriale të emisioneve informative që i japin kohë pa fund ndonjë eurodeputeti të lodhur apo ndonjë lobisti kur lavdëron Ramën ndërkohë që çensurojnë artikujt kritikë të mediave prestigjoze ndërkombëtare për narkoshtetin; po të mos harrosh pëzgjedhjen për citim të pjesëve pozitive nga raportet e DASH, apo BE-së duke lënë në errësirë kritikat, e ke fare të lehtë të kuptosh se si azgjesohet rrugës e vërteta, pikërisht nga ata që duhet të kenë si mision për ta përcjellë atë tek publiku. Ndryshe nga ajo që ndodh në Moskë apo në Ankara tek ne ka liri fjale, të drejtë për kritikë, por këto nuk janë të mjaftueshme për të folur për media të lira. Prandaj dhe statistikat që servir Rama për të thënë të kundërtën janë një manipulim banal. Prandaj dhe alibitë e borizanëve të tij që numërojnë zërat kritikë për të thënë se gjithçka shkon mbroth, duhen rrefuzuar me përbuzje. Në Shqipëri gjithsekush është i lirë të flasë, por ama publiku është zhveshur nga e drejta për tu informuar. Këtu fillon dhe mbaron debati për nivelin e mediave tona.

    Por ama kjo na shërben edhe për të kuptuar paradoksin që vumë re në fillim, çudinë se si Rama i jep të drejtë vetes të na quajë një vend lider për prokurimet publike, ku jo vetëm nuk janë vjedhur para, por me procedurat e AKSH-it ia kemi kaluar edhe disa vendeve të BE-së.

    Kjo arratisje nga e vërteta, ky mohim i realitetit, në çdo vend tjetër do kërkonte një diagnostizim psikologjik të atij udhëheqësi që i flet kështu popullit të vet. Por në rastin tonë, fatmirësisht për pacientin dhe fatkeqësisht për ne, nuk kemi të bëjmë me një problem mjeksor, por me me një shqetësim demokratik. Rama i lejon vetes të thotë se ne jemi një vend me tendera të rregullt dhe media të lira, sepse e di që i ka robëruar aq shumë këto të fundit, sa mund të flasë pa asnjë lloj filtri apo kontrolli. Prandaj ai thjeshtë u citua dhe nuk u analizua edhe kur mori mbi vete “riskun” për tu mburur me prokurimet publike të qeverisë që drejton.

  • Shqipëria dhe Europa: propaganda politike si sfidë reale ndaj integrimit europian

    Shqipëria dhe Europa: propaganda politike si sfidë reale ndaj integrimit europian

    Integrimi europian i Shqipërisë mbetet një nga aspiratat më të mëdha kombëtare të shqiptarëve, por rruga drejt Bashkimit Europian vazhdon të përballet me pengesa të brendshme politike, mungesë reformash të thella dhe debat të ashpër mbi mënyrën se si ky proces është përdorur nga politika shqiptare ndër vite.

    Për Shqipërinë, rruga drejt Bashkimi Europian nuk është thjesht një objektiv diplomatik apo një proces teknik i mbushur me raporte dhe kapituj negociues. Për shqiptarët, integrimi ka qenë gjithmonë një aspiratë historike dhe identitare, një kthim simbolik dhe politik drejt familjes natyrore europiane. Është një projekt kombëtar që lidhet me të ardhmen, me modelin e shtetit, me demokracinë dhe me mënyrën sesi vendi synon të pozicionohet në hartën politike të kontinentit.

    Megjithatë, rruga drejt Europës nuk ka qenë kurrë lineare. Shqipëria ka kaluar dekada të tëra mes tranzicioni të zgjatur, krizash politike, reformash të papërfunduara dhe debatesh të pafundme mbi atë se kush e pengon dhe kush e ndihmon procesin. Në qendër të këtij debati qëndron shpesh politika e ditës, e cila në shumë raste e ka përdorur integrimin jo si mision kombëtar, por si instrument propagandistik për konsum elektoral.

    Në vitet e fundit, tema e integrimit është kthyer në një nga sloganet më të forta politike, por edhe në një nga çështjet më të kontestuara. Pyetja që shtrohet sot është e drejtpërdrejtë: a po ecën Shqipëria realisht drejt Europës, apo vetëm po krijon perceptimin e kësaj lëvizjeje?

    Integrimi europian si projekt kombëtar, jo si slogan politik

    Procesi i integrimit europian nuk mund të reduktohet në konferenca shtypi, deklarata festive apo takime protokollare në Bruksel. Ai kërkon transformim të thellë institucional dhe shoqëror.

    Për t’u bërë pjesë e Europës, një vend duhet të ndërtojë institucione të forta, të garantojë ndarjen e pushteteve dhe të mbrojë shtetin e së drejtës.

    Ky proces nuk matet vetëm me hapjen e kapitujve negociues. Ai matet me standardin e demokracisë. Matet me luftën ndaj korrupsionit, me funksionimin e drejtësisë dhe me besimin që qytetarët kanë tek shteti i tyre.

    Pikërisht këtu nis sfida më e madhe shqiptare. Sepse integrimi nuk është dekor politik. Është reformë reale. Dhe reforma reale kërkon vullnet. Jo vetëm retorikë.

    Debati mbi rolin e Edi Ramës në procesin europian

    Kryeministri shqiptar e ka vendosur integrimin europian në qendër të narrativës së tij politike. Pothuajse çdo mandat është shoqëruar me premtime për afrimin e vendit me Europën. Në fjalimet zyrtare, kjo paraqitet si një histori suksesi.

    Por kritikët argumentojnë se realiteti është më kompleks. Sipas tyre, procesi është përdorur shpesh si mburojë politike. Një mënyrë për të zhvendosur vëmendjen nga problemet e brendshme: nga korrupsioni, nga polarizimi politik, nga dobësitë institucionale, nga mungesa e dialogut, nga centralizimi i pushtetit. Debati mbetet i hapur.

    Pse Brukseli nuk mjafton

    Shpesh në Shqipëri krijohet ideja se mjafton mbështetja e Komisioni Europian për të siguruar anëtarësimin. Por realiteti është ndryshe. Vendimin final e marrin shtetet anëtare. Dhe ato vlerësojnë jo vetëm dokumentet. Por edhe klimën politike, edhe stabilitetin institucional, edhe besueshmërinë demokratike.

    Çdo krizë e brendshme politike ndikon në perceptimin europian, çdo tension institucional ngre pikëpyetje, çdo skandal korrupsioni dobëson pozicionin negociues.

    Prandaj Brukseli nuk është destinacioni final, është vetëm një stacion i rëndësishëm.

    Opozita, kritika dhe kultura demokratike

    Një demokraci funksionale ka nevojë për opozitë të forte, ka nevojë për debat, ka nevojë për kontroll dhe balancë.

    Kur opozita paraqitet si pengesë ndaj procesit europian, krijohet një problem më i madh. Sepse vetë fryma europiane mbështetet mbi pluralizmin mbi lirinë politike, mbi konkurrencën demokratike. Nëse opozita trajtohet si armik dhe jo si partner institucional, standardet europiane dëmtohen.

    Kjo nuk është vetëm çështje shqiptare. Është çështje e kulturës demokratike.

    Dhe Europa këtë e vëren gjithmonë.

    A është 2029 një premtim realist?

    Objektivat afatgjata për anëtarësim janë të rëndësishme. Ato japin drejtim, japin shpresë. Por ato duhet të mbështeten mbi rezultate konkrete. Nëse viti 2029 paraqitet si afat politik, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë transparence: çfarë është arritur? Çfarë mbetet për t’u bërë? Ku janë pengesat? Kush mban përgjegjësi?

    Vetëm kështu procesi fiton besueshmëri. Ndryshe mbetet një premtim elektoral. Dhe shqiptarët kanë dëgjuar shumë premtime.

    Shqipëria nuk ka alternativë tjetër përveç rrugës europiane. Ky është një konsensus kombëtar që tejkalon partitë, liderët dhe mandatet qeverisëse. Por pikërisht sepse është një mision historik, ai nuk mund të trajtohet si pronë e një individi apo si slogan fushate. Europa nuk fitohet me simbolikë, as me propagandë. Ajo fitohet me institucione të forta, me drejtësi funksionale, me demokraci të vërtetë dhe me respekt ndaj qytetarëve. Në fund, pyetja nuk është nëse Shqipëria e do Europën. Pyetja është nëse politika shqiptare është gati të ndryshojë për ta merituar atë.

  • Nga Armand SHKULLAKU – Çfarë fshihet pas puthjes së Ndrenikës

    Pas shfaqjes së fundit të Erion Velisë, ata që vuajtën më shumë emocionalisht nga sulmet kundër Robert Ndrenikës, ishin pak a shumë ata që po vuajnë materialisht nga mungesa e kryetarit dorëlëshuar të bashkisë. Duke shmangur thelbin e atij inskenimi, që la pas një shije të thartuar, një grusht mbështetësish nga halli të Velisë, u përpoqën t’i japin atij trajtat e viktimës nëpërmjet ndjeshmërisë që ngjallte një burrë në moshë të thyer, për më tepër një personazh i dashur i kinemasë e teatrit, i vënë menjëherë nën breshërinë e rrjetit.

    Dhe kjo tentativë nuk është se nuk ia arriti qëllimit. Regjisori i pjesës teatrale, “Puthja në ballë” u la mënjanë dhe thuajse të gjithë u morën me atë që gjithë jetën e ka shkuar duke luajtur rolet që i kanë caktuar. Prirja jonë popullore për të ndëshkuar pasojën dhe jo shkakun, shkëlqeu edhe një herë në shkronja e ekrane. Fama e Ndrenikës, mu për këtë i përzgjedhur për të “puthur atë burrë”, tërhoqi mbi vete gjithë polemikat post festival. Eshtë i njëjti mentalitet që dënon më fort bashkëpunëtorin e sigurimit dhe jo atë që e detyron të bëhet i tillë, që denigron atë që shitet dhe veneron atë që e blen, që sulmon atë që përulet dhe respekton atë që e godet. Në këtë kompleks popullor nënshtrimi ndaj pushtetit dhe histerie ndaj dobësisë njerëzore, u godit edhe Ndrenika duke lënë mënjanë autorin e shfaqjes së shëmtuar.

    Në sfidën mes pushtetit dhe intelektualit, sigurisht që duhen treguar me gisht edhe ata që keqpërdoren, shiten apo shërbejnë me vetëdije, për dëmin që i shkaktojnë shoqërisë. Por në rastin konkret, ata që u morën me Ndrenikën ranë pikërisht në kurthin e projektuar për të amnistuar atë që kishte shpërndarë rolet. Si ata që u revoltuan me aktin publik të aktorit 83 vjeçar si ata që u shtirën se u vinte keq për të, në fund shmangën thelbin e atij teatri në sallën e gjyqit.

    Pavarësisht trajtave karikaturale të vënies në skenë, debati që do duhej të prodhonte ajo ngjarje është ai i raportit mes pushtetit dhe asaj pjese të shoqërisë që prezumohet në antagonizëm me të, si avangardë e progresit, e lirive më të mëdha dhe e të drejtave më të shumta. Ata që morën në mbrojtje Ndrenikën nuk thanë asnjë fjalë për deformimin e vazhdueshëm që Veliaj me pushtetin e tij u ka bërë artistëve, gazetarëve, sportistëve, e në përgjithësi krijuesve, që pikërisht për shkak të sistemit të korruptuar të vlerave që ka instaluar soji i erionveliajve, nuk ia dalin të jetojnë me punën e tyre apo të pleqërojnë me dinjitet nga djersa e shpërblyer. Nuk u përmendën emra të tjerë të mirënjohur që për shkak të varësisë nga ky pushtet i kalbur janë detyruar të shpërndajnë supë, të ngulin pemë. Të bëjnë deklarata publike kundër opozitës e të rreshtohen në fondacionet medemek kulturore të Ajola Xoxës.

    Zërat publikë që u mallëngjyen nga puthja në ballë e u revoltuan për sulmet ndaj Ndrenikës, nuk bënë asnjë ditë vetme llogarinë e thjeshtë se sa krijues do të jetonin me dinjitet sikur në vend të supës të ndanin qindra mijëra eurot që zonja e parë e bashkisë i kishte investuar në garderobën personale. Apo sikur paratë e ndara me zarfe në shërbim të propagandës, të shpërndaheshin me garë e transparencë për të mbështetur pikërisht pavarësinë e artistëve ndaj trysnisë së pushtetit.

    Shfaqja “Puthja në ballë” nuk duhet analizuar për dobësinë njerëzore të Ndrenikës por duhet parë si një metaforë ulëritëse i kapjes që një pushtet i korruptuar i ka bërë asaj që do duhej të ishte pjesa më progresive e shoqërisë. Jo thjesht për aktin e një aktori të mirënjohur, por për mënyrën se si u trajtua ky akt në sferën e debatit publik. Njësoj si në rastin e dosjes së Veliajt, ku anashkalohet krimi për t’u kapur personalisht me një prokuror, edhe në këtë rast amnistohet regjisori për t’u marrë me një aktor.

  • Nga Basir ÇOLLAKU – Rama, pengmarrja e fundit, nga tre gra…

    Nga Basir ÇOLLAKU – Rama, pengmarrja e fundit, nga tre gra…

    Ndonëse lidhja me Mafian e qeverisë dhe kreut të saj është lemerisëse, pengmarrjen e fundit Edi Rama e ka nga tre gra. Por e fillojmë më parë me shtesat.

    Benet Beci bashkiaku i Shkodrës, në gjyq për histori hajnie, Hajdari i bashkisë së Kuçovës për fshehje dënimi, vijon në zyrë me vendim dënimi të formës së prerë. Balluku e pandehur për korrupsion marramendës. Bashkiaku i Tiranës Veliaj, në qeli për vjedhje, ish-ministri Beqja në gjyq për histori korrupsioni, deputeti rilindas Bllako e ish-ministri Koka andej nga inceneratori, ish deputeti socialist Çyrbja për sekrete bandash u lirua. Rama, Xhaçka, Balla, Gjiknuri, mund të merren në hetim e të pandehur, nëse SPAK punon një ditë i pavarur 100 përqind. 40 bashkiakë majtistë në përballje penale me dënime e hetime. E gjithë qeveria gjendet po aty nëpër dosje. Shumica kanë edhe vëllezër e familjarë në hetim. Duke nisur nga Edi Rama me Lindën dhe Olsin.

    Bandat e kokainës kanë marrë nga pushteti qindra milionë euro para publike dhe u janë firmosur plot investime strategjike. Trafikantët e drogës, janë drejtuesit realë politikë të mazhorancës nëpër qarqe. Call centerat gjithashtu në duart e tyre me ortakëri qeverie dhe politike. Lojërat e fatit në të zezë, njëlloj kanë ndarë zonat secila bandë qarkun e vet dhe Tirana e ndarë me lagje sipas grupeve. Kërdisin nëoër xhepa miliona euro në muaj. Policë, prokurorë e gjyqtarë, marrin zarfat për të ndenjur sqep-mbyllur. Rama do t’i shesë së shpejti, ka nisur në fakt. Sepse po i tkurret laku atij personalisht dhe familjarëve të tij.

    800 pagesa në një vit, ose më tepër se dy herë në ditë kanë shkuar sipas të dhënave të thesarit në llogari të kompanisë së baxhanakut të Edi Ramës. Edhe uji mezi vjen një herë në ditë nëpër llogaritë e tubave të ujlsjellësit. Ata e dinë si kanë gjetur kohë për të punuar, ngaqë mezi u dilte për të numëruar. Prokuroria ende nuk ka thënë asnjë fjalë për raportin e tyre ligjor në dosjen AKSHI, ndonëse plot sekëlldi penale ka nëpër dosje.

    Ramën e kanë marrë peng gratë

    Linda e shtëpisë, Linda e teknologjisë, Linda e zëvëndëskryeministrisë

    Lindat

    E para Linda e shtëpisë, në përmendjen e emrit te AKSHI, ku duhet parë bashkëpuna me Lindën e dytë, Karçanajn, Lindën e Teknologjisë. Lirimi nga Gjykata e Lartë në detyrim paraqitje, një të akuzuar të Organizatës Kriminale, raste çudie kur ata marrin vendime të kësaj natyre dhe jo kthejnë për vendimmarrje gjykatave të niveleve më të ulëta, është dëshmi halli. Ergys Agasi, ndoshta ka dërguar imazhet e bisedat e fërgjuara në folenë e kanosjes. Dihet se në atë arkiv të çmendur janë të gjithë. Pa përjashtuar as Ramën. E kemi dëgjuar Kryeministrin të jetë avokati kryesor publik i Karçanajt. Madje duke gënjyer dhunshëm.

    Linda varrosëse është ajo e qeverisë. E pandehura Balluku. Miliardat e lëvruara në administrim dhe abuzim janë të të dyve. Mbi 25 video të prodhuara nga ekipi informal i ekspertëve të të pandehurës, janë kanosja e madhe. Me këtë ajo po qeveris edhe ekzekutivin edhe partinë. Sigurisht anenia e SPAK është tmerrësisht dështuese. Rama dëshmoi kapitullim. E mbrojti aq sa BE e përfshiu në raport Ballukun si cënim të drejtësisë me veprimet e Ramës, duke bllokuar integrimin. Opozita duke ndaluar dilemat mos bëhen trilema..

    Ka shumë, më tepër sa mendohet. Edhe për njerëzinë e drejtësisë.

    Arkivat Balluku-Agasi, konkurojnë Sky-enchro

    Dhe yjet e SPAK, rrinë gjatë e vështrojnë. Gratë pengmarrëse, nuk e lëshojnë pengun, pengu se lëshon SPAK-un dhe Gjykatat e çdo niveli. Ambasadorët e diplomatët, janë turistët më të kënaqur në Shqipëri me paketat qarkulluese me 5 yje…

  • Gënjeshtra që po mbyt Shqipërinë: Propaganda, si arma kryesore e pushtetit

    Gënjeshtra që po mbyt Shqipërinë: Propaganda, si arma kryesore e pushtetit

    Në një vend normal ndodhin të gjitha, përfshirë edhe gënjeshtra politike, por edhe manipulime të zakonshme mediatike, në favor të njërës apo tjetrës pale politike. Por ka edhe vende jo shumë normale, siç është rasti i Shqipërisë ku ndodh që politikanë të bëjnë nga ato deklarata që e tejkalojnë çdo kufi të arsyes. Pikërisht ajo ndodhi me kryeministrin Edi Rama, i cili në mënyrë jo normale përsëriti dy herë të njëjtën akuzë brenda një deklarate: opozita kontrollon median; Partia Demokratike paska 60% të hapësirës mediatike.

    Kur gënjeshtra bëhet metodë qeverisjeje

    Një pretendim që, për këdo që ndjek realitetin mediatik shqiptar, tingëllon jo vetëm absurd, por edhe provokues. Sepse pjesa dërrmuese e këtij minutazhi të përditshëm nuk është hapësirë për opozitën, por hapësirë për ta sulmuar opozitën. Janë emisione, panele, debate dhe kronika ku PD demonizohet, linçohet, etiketohet dhe përqeshet pa pushim. Dhe këtë, kryeministri e quan “kohë për PD”.

    Në një vend normal, një deklaratë e tillë do të shkaktonte debat kombëtar. Në Shqipëri, ajo kalon si pjesë e zakonshme e një monologu të gjatë, të përsëritur, të lodhshëm, ku e vetmja gjë që mungon është e vërteta.

    Por kjo nuk duhet pare vetëm një gënjeshtër shëmtuar. Në mënyrën dhe formën që u bë, u bë e qartë se ajo ishte e qëllimshme, e ndërtuar për të krijuar tymnajë, për të zhvendosur vëmendjen, për të relativizuar skandalet dhe për të sulmuar opozitën në një moment kur vendi përballet me tension të madh politik dhe social.

    Dhe kur gënjeshtra përsëritet me dëshmitarë, në një sallë parlamenti që prej kohësh nuk funksionon si institucion, por si skenë propagande, atëherë kriza nuk është më thjesht politike. Është krizë e shtetit.

    Media nën presion: Kur heshtja bëhet provë e kontrollit

    Pretendimi se opozita kontrollon median është një nga gënjeshtrat më të mëdha të hedhura ndonjëherë në hapësirën publike shqiptare.
    Faktet flasin ndryshe.

    Kur SPAK publikoi rezultatet e hetimit për grupin e strukturuar kriminal të AKSH-it, me dokumente zyrtare dhe me njoftim publik, mediat kryesore nuk e pasqyruan fare: asnjë titull, asnjë kronikë, asnjë debat. Sikur konfiskimi i 40 milionë eurove pasuri të Karçanajt, Agasit dhe Beqirit të mos kishte ndodhur kurrë.

    E pra, sipas nesh kjo heshtje nuk është rastësi, as gabim teknik, e as nuk është mungesë informacioni.

    Ajo është kontroll, është presion, është ndikim i drejtpërdrejtë politik.

    E njëjta gjë ka ndodhur me Ballukun, ashtu ka ndodhur edhe me Veliajn. Po, e njëjta gjë ndodh sa herë që një skandal prek kupolën e pushtetit.

    Nëse opozita do të kontrollonte median, këto skandale do të shpërthenin në çdo ekran. Por ato zhduken. Dhe kjo zhdukje është prova më e qartë se kush e kontrollon realisht hapësirën mediatike në Shqipëri.

    Parlament i mbyllur: opozita përjashtohet dhe akuzohet se “flet shumë”

    Gënjeshtra e dytë e kryeministrit ishte po aq e pacipë: se PD qenka e privilegjuar në parlament dhe paska më shumë kohë fjale se qeveria.

    Në fakt realiteti flet ndryshe, deputetët e PD përjashtohen rregullisht nga Kuvendi, shpesh për periudha deri në dy muaj, u mohohen kërkesat për komisione hetimore, u refuzohen interpelancat, u bllokohen mocionet me debat dhe mbi të gjitha, kryeministri nuk paraqitet kurrë për të dhënë llogari.

    Parlamenti është kthyer në një institucion ku opozita nuk lejohet të ushtrojë funksionet e saj kushtetuese. E vërteta është se Parlamenti është shndërruar në një sallë ku monologu zëvendëson debatin, ku propaganda zëvendëson transparencën e ku arroganca zëvendëson llogaridhënien.

    Të thuash se opozita flet më shumë se qeveria është njësoj si të thuash se i burgosuri ka më shumë liri se roja.

    Gënjeshtra si strategji: Pse Rama ka nevojë të shpikë armiq

    Kur një qeveri përballet me skandale të njëpasnjëshme, kur SPAK publikon dosje të rënda, kur ministrat dhe bashkitë përfshihen në hetime, kur ekonomia vuan dhe tensioni social rritet, pushteti ka dy zgjedhje:

    Të japë llogari. Ose të shpikë armiq.

    Edi Rama ka zgjedhur të dytën.

    Duke akuzuar opozitën për kontroll të medias, ai përpiqet të krijojë një realitet paralel ku PD paraqitet si fuqi e padukshme, si pengesë, si fajtor për gjithçka. Duke pretenduar se PD është e privilegjuar në parlament, ai përpiqet të fshijë faktin se Kuvendi është kthyer në instrument të pushtetit.

    Sepse gënjeshtra e tij nuk është gabim. Jo, ajo është një strategji, është mjet mbijetese politike.

    Kriza që po vjen: Kur realiteti përplaset me propagandën

    Shqipëria nuk është në krizë për shkak të opozitës, as për shkak të mediave e as për shkak të qytetarëve.

    Shqipëria është në krizë për shkak të një qeverie që ka humbur kontaktin me realitetin.
    Që ka ndërtuar një botë paralele ku çdo kritik është armik, çdo fakt është sulm, çdo skandal është shpifje.

    Por e vërteta nuk zhduket me monologue, as me konferenca, as me gënjeshtra të përsëritura.

    Ajo vjen, shfaqet, përplaset dhe më në fund, shpërthen.

    Dhe shumë shpejt, ky realitet do t’i përplaset në fytyrë kryeministrit dhe grupit të strukturuar që ai e quan “kabinet qeveritar”.

    E vërteta nuk mposhtet me gënjeshtra

    Gënjeshtra mund të vonojë të vërtetën, por nuk mund ta mposhtë.
    Propaganda mund të shtypë zërat, por nuk mund t’i shuajë.
    Monologu mund të dominojë ekranet, por nuk mund të zëvendësojë llogaridhënien.

    Shqipëria ka hyrë në një fazë ku qytetarët nuk mashtrohen më lehtë.
    Ata shohin, kuptojnë e reagojnë.

    Dhe kur një shoqëri arrin këtë pikë, asnjë gënjeshtër – sado e shëmtuar, sado e përsëritur, sado e mbështetur me dëshmitarë – nuk mund ta ndalojë ndryshimin.