Në një vend normal ndodhin të gjitha, përfshirë edhe gënjeshtra politike, por edhe manipulime të zakonshme mediatike, në favor të njërës apo tjetrës pale politike. Por ka edhe vende jo shumë normale, siç është rasti i Shqipërisë ku ndodh që politikanë të bëjnë nga ato deklarata që e tejkalojnë çdo kufi të arsyes. Pikërisht ajo ndodhi me kryeministrin Edi Rama, i cili në mënyrë jo normale përsëriti dy herë të njëjtën akuzë brenda një deklarate: opozita kontrollon median; Partia Demokratike paska 60% të hapësirës mediatike.
Kur gënjeshtra bëhet metodë qeverisjeje
Një pretendim që, për këdo që ndjek realitetin mediatik shqiptar, tingëllon jo vetëm absurd, por edhe provokues. Sepse pjesa dërrmuese e këtij minutazhi të përditshëm nuk është hapësirë për opozitën, por hapësirë për ta sulmuar opozitën. Janë emisione, panele, debate dhe kronika ku PD demonizohet, linçohet, etiketohet dhe përqeshet pa pushim. Dhe këtë, kryeministri e quan “kohë për PD”.
Në një vend normal, një deklaratë e tillë do të shkaktonte debat kombëtar. Në Shqipëri, ajo kalon si pjesë e zakonshme e një monologu të gjatë, të përsëritur, të lodhshëm, ku e vetmja gjë që mungon është e vërteta.
Por kjo nuk duhet pare vetëm një gënjeshtër shëmtuar. Në mënyrën dhe formën që u bë, u bë e qartë se ajo ishte e qëllimshme, e ndërtuar për të krijuar tymnajë, për të zhvendosur vëmendjen, për të relativizuar skandalet dhe për të sulmuar opozitën në një moment kur vendi përballet me tension të madh politik dhe social.
Dhe kur gënjeshtra përsëritet me dëshmitarë, në një sallë parlamenti që prej kohësh nuk funksionon si institucion, por si skenë propagande, atëherë kriza nuk është më thjesht politike. Është krizë e shtetit.
Media nën presion: Kur heshtja bëhet provë e kontrollit
Pretendimi se opozita kontrollon median është një nga gënjeshtrat më të mëdha të hedhura ndonjëherë në hapësirën publike shqiptare.
Faktet flasin ndryshe.
Kur SPAK publikoi rezultatet e hetimit për grupin e strukturuar kriminal të AKSH-it, me dokumente zyrtare dhe me njoftim publik, mediat kryesore nuk e pasqyruan fare: asnjë titull, asnjë kronikë, asnjë debat. Sikur konfiskimi i 40 milionë eurove pasuri të Karçanajt, Agasit dhe Beqirit të mos kishte ndodhur kurrë.
E pra, sipas nesh kjo heshtje nuk është rastësi, as gabim teknik, e as nuk është mungesë informacioni.
Ajo është kontroll, është presion, është ndikim i drejtpërdrejtë politik.
E njëjta gjë ka ndodhur me Ballukun, ashtu ka ndodhur edhe me Veliajn. Po, e njëjta gjë ndodh sa herë që një skandal prek kupolën e pushtetit.
Nëse opozita do të kontrollonte median, këto skandale do të shpërthenin në çdo ekran. Por ato zhduken. Dhe kjo zhdukje është prova më e qartë se kush e kontrollon realisht hapësirën mediatike në Shqipëri.
Parlament i mbyllur: opozita përjashtohet dhe akuzohet se “flet shumë”
Gënjeshtra e dytë e kryeministrit ishte po aq e pacipë: se PD qenka e privilegjuar në parlament dhe paska më shumë kohë fjale se qeveria.
Në fakt realiteti flet ndryshe, deputetët e PD përjashtohen rregullisht nga Kuvendi, shpesh për periudha deri në dy muaj, u mohohen kërkesat për komisione hetimore, u refuzohen interpelancat, u bllokohen mocionet me debat dhe mbi të gjitha, kryeministri nuk paraqitet kurrë për të dhënë llogari.
Parlamenti është kthyer në një institucion ku opozita nuk lejohet të ushtrojë funksionet e saj kushtetuese. E vërteta është se Parlamenti është shndërruar në një sallë ku monologu zëvendëson debatin, ku propaganda zëvendëson transparencën e ku arroganca zëvendëson llogaridhënien.
Të thuash se opozita flet më shumë se qeveria është njësoj si të thuash se i burgosuri ka më shumë liri se roja.
Gënjeshtra si strategji: Pse Rama ka nevojë të shpikë armiq
Kur një qeveri përballet me skandale të njëpasnjëshme, kur SPAK publikon dosje të rënda, kur ministrat dhe bashkitë përfshihen në hetime, kur ekonomia vuan dhe tensioni social rritet, pushteti ka dy zgjedhje:
Të japë llogari. Ose të shpikë armiq.
Edi Rama ka zgjedhur të dytën.
Duke akuzuar opozitën për kontroll të medias, ai përpiqet të krijojë një realitet paralel ku PD paraqitet si fuqi e padukshme, si pengesë, si fajtor për gjithçka. Duke pretenduar se PD është e privilegjuar në parlament, ai përpiqet të fshijë faktin se Kuvendi është kthyer në instrument të pushtetit.
Sepse gënjeshtra e tij nuk është gabim. Jo, ajo është një strategji, është mjet mbijetese politike.
Kriza që po vjen: Kur realiteti përplaset me propagandën
Shqipëria nuk është në krizë për shkak të opozitës, as për shkak të mediave e as për shkak të qytetarëve.
Shqipëria është në krizë për shkak të një qeverie që ka humbur kontaktin me realitetin.
Që ka ndërtuar një botë paralele ku çdo kritik është armik, çdo fakt është sulm, çdo skandal është shpifje.
Por e vërteta nuk zhduket me monologue, as me konferenca, as me gënjeshtra të përsëritura.
Ajo vjen, shfaqet, përplaset dhe më në fund, shpërthen.
Dhe shumë shpejt, ky realitet do t’i përplaset në fytyrë kryeministrit dhe grupit të strukturuar që ai e quan “kabinet qeveritar”.
E vërteta nuk mposhtet me gënjeshtra
Gënjeshtra mund të vonojë të vërtetën, por nuk mund ta mposhtë.
Propaganda mund të shtypë zërat, por nuk mund t’i shuajë.
Monologu mund të dominojë ekranet, por nuk mund të zëvendësojë llogaridhënien.
Shqipëria ka hyrë në një fazë ku qytetarët nuk mashtrohen më lehtë.
Ata shohin, kuptojnë e reagojnë.
Dhe kur një shoqëri arrin këtë pikë, asnjë gënjeshtër – sado e shëmtuar, sado e përsëritur, sado e mbështetur me dëshmitarë – nuk mund ta ndalojë ndryshimin.



