Blog

  • Së bashku rrezikuan përmbytjen e gjysmës së Tiranës, Edi Rama emëron Blendi Gonxhe, në krye të superministrisë së re

    Së bashku rrezikuan përmbytjen e gjysmës së Tiranës, Edi Rama emëron Blendi Gonxhe, në krye të superministrisë së re

    Kryeministri Edi Rama ka njoftuar ndryshime në Qeveri një ditë para takimit që do të zhvillojë me të tijtë në Lezhë, ku është parashikuar të kryhet një analizë e qeverisë dhe mazhorancës.

    Në një postim në rrjetet sociale, ai bën me dije se, ka vendosur ndryshimin e strukturës së qeverisë dhe krijimin e një ministrie të re të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, e cila siç shprehet, “do të bashkojë në një të vetme pjesët që aktualisht funksionojnë të ndara në ministritë respektive të Financave dhe Ekonomisë e të Kulturës”.

    Drejtuesi i kësaj ministrie është emëruar Blendi Gonxhe.

    Me këtë vendim, Rama shkrin ministrinë e Kulturës me në krye Elva Margaritin, ndërsa sektori i ekonomisë hiqet nga Ministria aktuale e Financave dhe Ekonomisë që drejtohet nga Ervin Mete. Kështu, ky i fundit pritet të drejtojë Ministrinë e Financave. Rama kthen dhe Inovacionin si emërtim ministrie. Në vitet  2013-2017, Ministria e Inovacionit ka qenë ministri më vetë dhe drejtohej nga Milena Harito.

    Rama e vlerëson kreun aktual të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor si “një drejtues publik që ka spikatur për reformimin dhe modernizimin mbresëlënës të institucionit, orientimin konstant ndaj inovacionit në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimit për qytetarët, shpejtësinë e integrimit të nënsektorit përkatës në kornizën e standardeve europiane”.

    Figura e Blendi Gonxhes megjithatë është shumë larg nga ajo që e përshkruan Rama. Denoncimet e opozitës, por edhe raportimet mediake kanë zbuluar se si me kompaninë “Albarent”, Gonxhe ka përfituar qindra milionë para publike në procedeura tenderuese.

    Gjithashtu, tenderat e DPSHTRR-së të ankimuar në Komisionin e Prokurimit Publik ngrenë dyshime për procedura të paracaktuara e korruptive nga Blendi Gonxhe.

    Një vit më parë, ai ishte në qendër të kritikave pasi u shfaq si mbrojtjes i një nisme që parashikonte rritjen me më shumë se dyfish të çmimit të patentës.

    Blendi Gonxhe është një prej bashkëpunëtorëve më të vjetër e më të ngushtë të kryeministrit Edi Rama. Në vitin 1998, kur ish-kreu i qeverisë, Fatos Nano, e mori Ramën nga emigrimi në Paris dhe e emëroi në krye të Ministrisë së Kulturës, Blendi Gonxhe u emërua shef i tij i kabinetit. Më tej, Rama e mori Gonxhen si zëvendës të tij në Bashkinë e Tiranës, në vitin 2002. Blendi Gonxhe u largua me dorëheqje, pas përmbytjes së “Tiranës së Re” nga një hapje e gabuar e digës së Liqenit Artificial.

    Pas disa vitesh në aktivitet privat, Blendi Gonxhe rikthehet në Bashkinë e Tiranës, kësaj radhe si vartës i Erion Veliajt. Ai qëndroi për tre vjet në postin e drejtorit të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit dhe në vitin 2018 u emërua nga kryeministri Edi Rama në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit të Transportit Rrugor.

  • Konferenca e Bujanit: 80 vjet më parë, kur kërkohej bashkimi i Kosovës me Shqipërinë

    Konferenca e Bujanit: 80 vjet më parë, kur kërkohej bashkimi i Kosovës me Shqipërinë

    Konferenca e Bujanit filloi më 31 dhjetor 1943 dhe përfundoi më 2 janar 1944. Aty u nënshkrua një rezolutë, ku Kosovës i njihet e drejta e vetëvendosjes deri në shkëputje dhe realizimi i dëshirës së popullit shqiptar të Kosovës për bashkim me Shqipërinë.

    Konferenca e Bujanit u mbajt si rikonfirmim i rrethanave të reja të krijuara pas Mbledhjes së Mukjes, si dhe rezultat i mospërfshirjes së Kosovës dhe viseve tjera shqiptare nën sundimin e ish-Mbretërisë SKS, (Konferenca e Bujanit), e cila u mbajt pikërisht për t’i kundërshtuar vendimet e Mbledhjes së II të AVNOJ-it në Jajcë (29-30 nëntor 1943) dhe mos përfshirjes së Kosovës si subjekt i pavarur që deri atëherë ishte përfaqësuar përmes Malit të Zi në KAÇKJ-së.

    Bujani u zgjodh si vend pritje i përfaqësuesve të dy kombësive (shqiptarëve dhe serbëve) që kërkonin një marrëveshje për parandalimin e konflikteve të mëtejshme ndëretnike. Mbledhja e Konferencës u mbajt në kullën e Sali Manit, Bajraktarit të Krasniqes, që ndodhej pranë bazës së Shtabit Kryesor të UNÇ të Kosovës dhe të Komitetit Krahinor për Kosovë e Rrafshi i Dukagjinit, ku morën pjesë 49 delegatë që përfaqësonin të gjitha viset dhe shtresat shoqërore të Kosovës.

    Midis pjesëmarrësve kishte komunistë, nacionalistë dhe atdhetarët të tjerë demokratë, përfaqësues të Forcave të Armatosura, të rinisë e të gruas antifashiste etj. Në këtë konferencë morën pjesë 49 delegatë që përfaqësonin popullin e Kosovës dhe forcat politike të rreshtuara te Fronti Antifashist Nacional-çlirimtar i Kosovës. Konferenca shqyrtoi tri ditë radhazi problemet që dilnin nga lufta kundër pushtuesit.

    Ajo zgjodhi kryesinë prej 9 vetash: Mehmet Hoxha (kryetar) ish-prefekt i Elbasanit, Rifat Berisha (nënkryetar), Pavle Joviqeviçin (nënkryetar), Xheladin Hana (anëtar), Fadil Hoxha (anëtar), Hajdar Dushi (anëtar), Zekeria Rexha (anëtar), Milan Zeçarin (anëtar) dhe Ali Shukriun (anëtar).

    Konferenca e Bujanit doli me një dokument përfundimtar, me rezolutë të miratuar në konferencë, ku thuhet: “Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit është krahinë e banuar me shumicë nga populli shqiptar, i cili, si gjithmonë, ashtu edhe sot, dëshiron me u bashkue me Shqipërinë”. Më poshtë në rezolutë theksohej se: “Lufta e përbashkët me popujt e tjerë të Jugosllavisë kundër okupatorit nazist e rrogëtarëve të tij, është e vetmja rrugë për ta fituar lirinë, në të cilën të gjithë popujt, pra edhe populli shqiptar, do të kenë mundësi me vetëvendosë mbi fatin e tyre, me të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje”.

  • Kush po ndërton më shumë në Europë, sipas Eurostat? Në dy vendet e para janë…

    Kush po ndërton më shumë në Europë, sipas Eurostat? Në dy vendet e para janë…

    Në të gjithë Europën e rajonin ndërtohet, por në asnjë vend ky sektor nuk po lulëzon si në Shqipëri e Kosovë.

    Në një raport të fundit për strehimin, Eurostat ka matur madhësinë e sektorit të ndërtimit për gjithë Europën. Kjo matje bëhet përmes vlerës së shtuar bruto (VSHB[1]) të gjeneruar nga ky aktivitet ekonomik si pjesë e VSHB-së totale (prodhimi në ekonomi pa përfshirë taksat).

    Sipas Eurostat, për Bashkimin Europian, kjo përqindje ishte midis 5 dhe 6% në periudhën 2010-2022. Treguesi ishte më i larti në 5.8% në 2010, duke rënë në 5.1% në 2014-2017 dhe më pas duke u rritur përsëri për të arritur në 5.5% në 2020, 5.4% në 2021 dhe 5.5% 2022.

    Midis Shteteve Anëtare, pjesa e VSHB në ndërtim ra në 14 Shtete Anëtare midis 2010 dhe 2022, me uljen më të madhe që u shënua Spanjë, Bullgari dhe Qipro. Ndër vendet anëtare me një peshë në rritje të sektorit të ndërtimit gjatë kësaj periudhe, Hungaria, Gjermania dhe Lituania treguan rritjen më të lartë.

    Në vitin 2022, Shtetet Anëtare me përqindjet më të mëdha ishin Austria (7.3%), Finlanda dhe Rumania (të dyja 7.0%), referoi Eurostat.

    Treguesi është shumë më i lartë për Shqipërinë. Sipas Eurostat, në vitin 2022, ndërtimi në Shqipëri zinte 11.1% të vlerës së shtuar bruto, më e lartë në Europë dhe dy herë më e lartë sesa mesatarja e Bashkimit Europian.

    Shqipëria mund të jetë një vend në zhvillim dhe është përballuar me një tranzicion të fortë demografik, por në vendet e tjera të rajonit, ku është kaluar një cikël i tillë, ndërtimi zë një peshë shumë të ulët në ekonomi. Psh, Maqedonia e Veriut e kishte këtë tregues në 6.2% të VBSH-së në 2022, Mali i Zi, që është një vend po i orientuar nga turizmi në 4.8% të VBSH-së, Serbia 6.6%, Bosnjë Hercegovina 5.2%.

    I vetmi vend që e “konkurron” është Kosova, që po shfaq të njëjtën tendencë si Shqipëria me ndërtime të larta në kryeqytet e rrethina. Ndërtimi zinte në Kosovë 10.7% të vlerës së shtuar bruto në 2022.

    Treguesi për Shqipërinë në 2022 ishte më i larti që nga viti 2014, kur zbriti në 9.9% të VBSH-së, nga gati 15% që kishte kulmuar në 2010-n. Si një sektor ciklik ndërtimi filloi rënien që e kishte nisur pas viteve 90, si rrjedhojë e zhvendosjeve të brendshme të popullsisë, ku një pjesë e konsiderueshme e familjeve iu drejtuan zonës së qendrës. Megjithatë pas 2014-s iu rikthye rritjes, i udhëhequr kryesisht nga ndërtimet në Tiranë dhe në zonat turistike.

    Tendenca pritet të vijojë, sidomos në kryeqytet. Në 2022-n u dha një rekord i lejeve për ndërtime rezidenciale në Tiranë, prej rreth 1.8 milionë metra katror, sipas INSTAT.

    Në vitin 2023, bashkia Tirana vlerëson në projektbuxhet se pret të mbledhë 7 miliardë lekë nga Taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja, nga 5.5 miliardë lekë që ishte plani fillestar. Bashkia thotë se “Realizimi i të ardhurave nga kjo taksë tejkalon planin e miratuar si rrjedhojë e aplikimeve përtej parashikimeve. Në periudhën 2024-2026 pritet të arkëtohen rreth 6.5 miliardë lekë në vit nga kjo taksë, në një sinjal që Bashkia parashikon të vijojë me dhënien vrullshme të lejeve të ndërtimit.

    Kjo tendencë po vjen në një kohë që tendenca e popullsisë është drejt tkurrjes, për shkak të emigracionit të lartë që po vazhdon dhe plakjes natyrale të popullsisë. Në 2022, shtesa e popullsisë në Tiranë ishte më e ulëta historike, me më pak se 6 mijë persona, nga rreth 20 mijë disa vjet më parë.

    Të huajt janë bërë një faktor i rëndësishëm në blerjet e pasurive të paluajtshme, por ritmi i tyre pritet të bjerë, pas shtrenjtimit të vazhdueshëm të çmimeve, që po ngushton diferencën me vendet e tjera të rajonit, si Kroacia, apo Mali i ZI. Investimet e huaja në pasuri të paluajtshme për 9-mujorin 2023 arritën vlerën e 222 milionë eurove, sipas Bankës së Shqipërisë, me një rënie të lehtë me 1.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndryshe nga 2022-shi, kur rritja ishte dy shifrore.

    1] Vlera e shtuar bruto (VSHB) përcaktohet si prodhim (me çmimet bazë) minus konsumin e ndërmjetëm (me çmimet e blerësit); ky tregues është zëri balancues i llogarisë së prodhimit të llogarive kombëtare. VSHB-ja mund të ndahet sipas industrisë dhe sektorit institucional. Shuma e VSHB-së mbi të gjitha industritë ose sektorët plus taksat mbi produktet minus subvencionet për produktet jep produktin e brendshëm bruto (PBB). E thënë thjesht VSHB është totali i përgjithshëm i të gjitha të ardhurave, nga shitjet përfundimtare dhe subvencionet (neto), të cilat janë të ardhurat e bizneseve. Këto të ardhura përdoren më pas për të mbuluar shpenzimet (pagat, shpërblimet, dividentët), kursimet (fitimet, amortizimin) dhe taksat (indirekte)./Monitor

  • Ja opinionistja që do komentojë këtë vit në ‘Big Brother Vip 3’

    Ja opinionistja që do komentojë këtë vit në ‘Big Brother Vip 3’

    Ori Nebiajn! Po-po, prezantuesja televizive, aktualisht deputete e Parlamentit Shqiptar, do të mbajë  pozicionin e opinionistes ne edicionin e tretë të “BBV3”.

    Teksa ”Big Brother Vip 3” nis më 13 janar, janë përfolur emra të mundshëm të personazheve, por janë lakuar edhe emra për opinionistët. Luizi sot e ka mohuar se do të jetë opinionist këtë vit. Burime të afërta nga “Top Channel” kanë konfirmuar se do të jetë pikërisht Ori Nebiaj.

    Nga ana tjetër, mbrëmjen e sotme gazetarët Olti Curri, Andi Vrapi, Fatma Haxhialiu dhe Altin Berisha kanë zhvilluar një video live në Instagram, ku kanë folur për “BBV”. Është përmendur emri i Ori Nebiajt nga gazetarët si opinioniste e programit./RevistaWho

  • Alketa fton Arbanën për bashkëpunim. Çfarë pritet të ndodhë!

    Alketa fton Arbanën për bashkëpunim. Çfarë pritet të ndodhë!

    Alketa është gati të bashkëpunojë me Arbanën. Teksa bisedonte me ndjekësit e saj në Instagram, Alketës i është propozuar që të realizojë një podcast me Arbanën, gjë për të cilën u shpreh e gatshme.

    “Arbanën e duam në një podcast me ty dy (mbretëreshat) e ekraneve shqipfolëse“- i shkroi një ndjekës.

    “Më shumë se e mirëpritur. Besoj do kishim shumë për të thënë, një brez, një fillesë, një pasion, bashkëkohëse të pandara që 14 vjec në media. Gjithmonë kam dashur të bëjmë diçka bashkë, e ftova dhe në Festival në 2020 por su bë dot e mundur. Duhet në fakt te dyja ta kemi një moment televiziv. Ta ideoj Arbana, unë e ndjek“- u përgjigj Alketa.

  • ‘Është i shitur’, Luizi ndërpret emisionin dhe i kthehet Ronaldos

    ‘Është i shitur’, Luizi ndërpret emisionin dhe i kthehet Ronaldos

    Një video e Luizit papritur ndërpret emisionin “E diell”, pasi ai kërkon që të rinumërojë komentet sepse i bën përshtypje fakti pse njerëzit komentojnë më shumë emrin e tij.

    “Këtë video-selfie po e bëj për emisionin “E Diell” tek Ronaldoja, meqenëse kanë hapur një sondazh dhe nuk jam dakord për komentet dhe përzgjedhjet që keni bërë. Kërkoj rinumërim të komenteve pasi nuk është normale që 95% të jenë në emrin tim. Kjo tregon që ai emision është i shitur, Roni është i shitur. Turp të keni, paci faqen e zezë, urime për emisionin.”

    Sigurisht kjo video ishte një shaka, pasi ai në fund të videos i uron për emisionin.

  • Rrahja e 3 shqiptarëve në Malin e Zi dhe propaganda e shëmtuar e Taulant Ballës në mediet e Tiranës

    Rrahja e 3 shqiptarëve në Malin e Zi dhe propaganda e shëmtuar e Taulant Ballës në mediet e Tiranës

    Më 06/01/2024 një ngjarje e rëndë ka ndodhur në shtetin fqinj, Mali i Zi, ku disa persona të kamufluar me rroba ushtarake dhunuan tre të rinj shqiptarë.

    Autoritetet malazeze filluan hetimet për ngjarjen, ndërsa të rinjve iu dha ndihma e nevojshme mjekësore dhe nëpërmjet një avokati kanë kryer të gjitha procedura e dononcimit që parashikohen.

    Ajo që bie në sy në këtë ngjarje është sjella qësharake-propagandistike e ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Taulant Balla, i cili shpërndan që prej bërjes publike të ngjarjes lajme nëpër media se Balla po merret personalisht me ngjarjen, hetimin e zbardhjen e saj.

    Nëse kontrollon mediat pranë pushteti në Shqipëri ngjarja nuk është më rrahja brutale e tre të rinjve, por ngjarja është Taulant Balla.

    Ministër i Brendshëm që nuk kontrollon dot policinë që ka nën hyqëm kujdeset t’i tregojë policisë malazeze si të bëjë hetimet, si të zbardhë ngjarjen, si të vendosë autorët përpara përgjegjësisë.

    Kur ndërkohë ditën e djeshme ka ndodhur një ngjarje e rëndë në Durrës, ku një 41-vjeçare ka shkuar drejt vetëvrasjes për shkak se policia që drejton Taulant Balla nuk ka bërë sa duhet dhe nuk ka marrë seriozisht denoncimin e të ndjerës në policinë e Durrësit.

    Kanë kaluar dy ditë dhe ende Taulant Balla nuk ka vënë para përgjegjësisë asnjë polic nga drejtoria e Durrësit për mosvlerësim të denoncimit të 41-vjeçares.

    Taulant Balla para se të bëjë si “hero” i kudogjendur me një propagandë të shmëtuar nëpër mediat që kontrollon pushteti i tij, bën mirë të zbardhë ngjarjet kriminale që ndodhin nën hundën e policisë që drejton dhe kun ë të shumtën e rasteve vetë policia punon me krimin për moszbardhje të tyre.

  • Inteligjenca Artificiale në duart e Rilindasve safi

    Inteligjenca Artificiale në duart e Rilindasve safi

    Në orët e para të ndërrimit të viteve, kryeministri Edi Rama e kishte agjendën e propagandës mjaft të ngjeshur. Kujt t’ia prishte e kujt t’ia ndreqte mes pronarëve të mediave që e lusnin ta kishin si “imazh” në momentet e ndërrimit të viteve. Në fund Rama vendosi të shfaqej në dy drejtime: me propagandën e intelicencës artificiale dhe në një tallava mediatike si një personazh që fitonte ca para në një kuitz të gatuar më parë nga vetë stafi i kryeministrit.

    Ajo që ra në sy ishte bashkëbisedimi me drejtues të AKSHI-t (Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit), ku propagandoi se shumë shpejt do investohej në atë që njihet si inteligjenca artificiale. Inteligjenca artificiale është aftësi e kompjuterit për të vepruar si qenie njërzore e cila përfshin një numër të madh aplikacionesh si simulator softuerik dhe robotik. Kjo teknologji e re është në testim nga disa shtete të zhvilluara, por për Ramën “nuk duhet humbur kohë” për ta aplikuar në vendin tonë. Po nga kush do të menaxhohet?

    Si “provë të parë” eunukët e AKSHI-t, kishin zgjedhur t’i bënin një surprizë shefit Rama, duke marrë pamjen e tij në një fjalim të stisur ku Rama fliste për pushtet të gjatë dhe broçkulla të tjera që janë tërsisht rrena të trasha, por që mbesin gjysmë të vërteta në dëshirat e kreut të qeverisë. Ajo që çdo qytetar duhet të shqetësohet është se kjo çmenduri për të futur inteligjencën artificiale edhe në shërbime, apo në dokumenta të rëndësishme të shtetit, do të menaxhohet nga AKSH-i. Është kjo agjenci e cila nuk ishte në gjendje të ruante asnjë të dhënë të ndjeshme të qytetarëve.

    Identiteti i qytetarëve, numrat e telefonëve, adresat e banesave, të dhënat e sistemit TIMS, targat e automjeteve dhe pagat në sektorin publik e privat u hakeruan duke u shpërndarë kudo dhe përfunduar edhe në duart e kujtdo, përfshi edhe terroristëve.

    Shteti i ngjau një femre që bërtiste që ishte e virgjer, por sapo kishte dalë nga një shtëpi publike e zhveshur tërësisht. U tha se hakerimet ndodhin edhe në vendet e zhvilluara, duke justifikuar në fakt abuzimin më shumë se paaftësinë për të mbrojtur të dhënat e qytetarëve. Megjithatë ky AKSHI i madh me të cilën kryeministri mburret ishte përgjegjës kryesor për ruajtjen e të dhënave dhe ndonëse kishte shpenzuar qindra milionë euro për sigurisë, çdo informacion që prekte qytetarët u hallakat në çdo dorë.

    Ky shtet digjital i qeverisë ra në pak minuta. Mjaftonte kaq që të mendoheshin gjatë para se të dhëna të tjera të futen në sistemin digjital e aq më shumë të përfshihen aplikacione të reja që vetë shtete e zhvilluara druhen për t’i përdorur. Si gjithnjë Shqipëria është vendi i eksperimenteve të mëdha sociale të cilat kanë qëllimin e madh propagandën dhe jo vlerën e vërtetë që mund të sjëllë çdo teknologji e re. Si mund të jetë Inteligjenca Artificiale në duart e Rilindasve natyral? Ditë edhe më të vështira duket se do të vijnë.

  • Operacionet e Wagner-it në Afrikë: ku lëviz dhe objektivat reale të Grupit

    Operacionet e Wagner-it në Afrikë: ku lëviz dhe objektivat reale të Grupit

    INDEKSI I DOSSIERIT

    1) Wagner dhe contractors-ët e tjerë: galaktika e mercenarëve rusë
    2) Të gjitha fushatat e Grupit Wagner në Ukrainë
    3) Operacionet e Grupit Wagner në Afrikë: ku po lëviz dhe cilat janë objektivat reale
    4) Si stërviten dhe çfarë bëjnë milicët e Grupit Wagner
    5) Jo vetëm Wagner: cilët janë mercenarët e Uraleve që sfidojnë Grupin Wagner

    Botsvana, Burundi, Republika e Afrikës Qendrore, Çadi, Sudani, Komoret, Kongo, Guinea Ekuatoriale dhe Bisau, Libia, Mali, Madagaskari, Mozambiku, Nigeria dhe Angola janë vetëm disa nga shtetet në të cilat është vënë re prania e tashmë “mercenarëve” famëkeq rusë. Mirëpo Grupi Wagner, i bërë i njohur në të gjithë botën pas pushtimit rus të Ukrainës, është thjesht maja e ajsbergut. Në Afrikë dhe në botë, operojnë shumë PMSC të tjera ruse, sigurisht me një profil më të matur, por që sidoqoftë u shërbejnë interesave të Moskës.

    Nëse Wagner është një PMSC sui generis, siç tregon përdorimi i tij masiv në teatrin ukrainas, grupet Anti-terror, Rossiskie System Bezopasnosti (RSB), Mar, Enot dhe Patriot vazhdojnë të veprojnë pothuajse të patrazuar. Këto grupe janë bërë një element qendror i strategjisë së depërtimit rus në Afrikë: aty ku Federata propozon marrëveshje tregtare dhe eksporton armatime, këta aktorë ofrojnë kryesisht shërbime ushtarake dhe inteligjente (shoqërim personal VIP, siguri detare, dezinformim dhe fushata propagandistike e madje edhe kundër-operacionet kryengritëse).

    Kështu, politika e jashtme afrikane e Kremlinit është dybinarëshe, pasi përveç marrëdhënieve të zakonshme bilaterale, ajo kryesisht mbështetet në një pjesë të madhe në aktorë nominalisht privatë, të cilët i garantojnë një të ashtuquajtur “plausible deniability” Moskës dhe për këtë arsye janë të lirë të veprojnë në shkelje të qartë të normave ndërkombëtare dhe ligjeve të luftës. Nëse kjo strategji ka arritur disa suksese (Siri, Republika e Afrikës Qendrore, Sudan), ajo ka edhe plot dështime – të mëdha. Kështu, përshenmbull, në Madagaskar, përpjekja për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2019 përfundoi praktikisht në thjesht asgjë.

    Gjithnjë në vitin 2019, kësaj here në Mozambik, PMSC Wagner thirret për të “zgjidhur” kryengritjen në provincën e Cabo Delgado, në pjesën veriore të vendit. Mirëpo, contractors-ët rezultuan jo vetëm të papërgatitur për këtë lloj misioni dhe të paaftë për të bashkëpunuar me forcat e armatosura vendase, por të paaftë madje edhe për të komunikuar për shkak të mungesës së aftësive gjuhësore. Viktima e kurtheve të ndryshme, pra, pësuan rregullisht humbje dhe nuk arritën të marrin rezultate në terren, deri në atë pikë sa qeveria e Presidentit Nyusi do të detyrohet të ndërpresë kontratën me PMSC-në, duke shkaktuar largimin e saj. Por, pavarësisht këtyre dështime që zbulojnë mangësi strukturore në politikën afrikane të Moskës, hija e Wagnerit ka vazhduar të qëndrojë pezull mbi kontinent e madje mesa duket edhe e gatshme të zgjerohej. Të jetë e vërtetë? Dhe mbi të gjitha, sa e qëndrueshme është prania e Wagner në Afrikë në terma afatgjatë?

    RCA: një bankoprovë

    Nëse politika afrikane e Rusisë u përshkrua gjatë Samitit të Soçi 2019, Republika e Afrikës Qendrore përbën bankoprovën e asaj strategjie, e cila mbështetet në aktorë gjysmë (apo pseudo) privatë. Edhe pse disa burime raportuan rritje të pakënaqësisë së popullsisë ndaj contractors-ëve rusë për shkak të veprimeve të përsëritura kundër të civilëve dhe akuzave të ndryshme për përdhunim, kjo çështje sigurisht që mund të konsiderohet një sukses për Kremlinin.

    Rusët, në fakt, që nga viti 2017 mbyllën një akord me qeverinë e Bangui në lidhje me eksportin e armëve dhe materialeve ushtarake. Menjëherë pas kësaj, “instruktorët ushtarakë” të Wagner-it hyjnë në vend. Duke kombinuar një fushatë mjaft të egër kundër kryengritësve që solli shpejt rezultate në terren me një shërbim më të gjerë konsulence politike të bazuar në propagandë dhe dezinformim, “agjentët e posaçëm” të Moskës arrijnë të pushtojnë vendin.

    Një nga njerëzit e tyre bëhet këshilltar për sigurinë kombëtare i presidentit, mercenarët nisin të patrullojnë rrugët dhe mbrojnë detyrën më të lartë të vendit me një lloj roje pretoriane. Madje contractors-ët arrijnë – për një periudhë të shkurtër – të menaxhojnë edhe doganat e këtij vendi të vogël që nuk ka dalje në det. Dhe jo vetëm kaq: duke shfrytëzuar dobësitë e sektorit të sigurisë së Afrikës Qendrore, njerëzit e Wagner marrin kontrollin e të paktën dy batalioneve të Forcave të Armatosura afrikanoqendrore, të stërvitura më parë nga një mision evropian (EUTM-RCA).

    Mali: një “hap më i madh se këmba?”

    Afrika Qendrore është një nga shtetet afrikane më të vogla për sa i përket shtrirjes territoriale, e pasur me burime natyrore (në veçanti ar dhe uranium). Wagner pra mund të vetëfinancojë praninë e tij në vend përmes nxjerrjes së këtyre burimeve përmes kompanisë Lobaye Invest, pronësia e së cilës shkon në mënyrë indirekte në tashmë të ndjerin Yevgeniy Prigozhin. Përsa i përket Malit, çështja është ndryshe. Ai është vendi i 24-të në botë për nga shtrirja territoriale dhe ka një teatër operacional të mbipopulluar: ekziston, faktikisht, edhe një mision i OKB-së (Minusma) i cili ka në përbërje të tij një komponent të fortë evropian, një mision stërvitjeje i BE-së (Eutm-Mali), me forcat rajonale të G5 Sahel (Fc-G5S) dhe deri pak kohë më parë edhe operacioni francez Barkhane i ndihmuar nga task-forca Takuba.

    Pra, hyrja e Wagner-it në këtë teatër operacional i përgjigjet një objektivi më të gjerë, pikërisht atij të shtrirjes së ndikimit të Moskës në një zonë me interes strategjik për Evropën dhe në veçanti për Francën. Nga ky këndvështrim, misioni mund të konsiderohet i suksesshëm, pasi shkaktoi tensione të papajtueshme mes Parisit dhe Bamakos, të cilat kanë pasur pasoja mbi trupat franceze, të ndjekura nga afër prej atyre të vendeve të tjera evropiane që nisën të largohen gradualisht nga vendi. Megjithatë, lindën dyshime të rëndësishme përsa i përket qëndrueshmërisë së pranisë së Wagner-it në Mali në planin afatgjatë. “Contractors”-ët  rusë për këtë skenë nuk disponojnë mbështetje të mirë logjistike, janë të paktë (sidomos në krahasim me numrin e rëndësishëm të francezëve) për një zonë kaq të gjerë dhe duhet të mbështeten në aftësitë logjistike të ushtrisë maliane (Fama).

    Nuk është e qartë se sa i kushton grupi Wagner qeverisë së Bamako (supozohet rreth 10 milionë dollarë në muaj) dhe se si ky i fundit arrin ta financojë, aq më tepër që vendi afrikan nuk ka burime të rëndësishme natyrore. Për më tepër, asnjë kompani ruse deri më sot nuk ka arritur të fitojë ndonjë të drejtë për nxjerrjen e arit në veri të vendit (koncesioni në fakt i mbetet një kompanie kanadeze). Ndërkohë që në një këndvështrim thjesht ushtarak, është e vështirë të mendohet se një grusht njerëzish mund të kenë sukses aty ku ushtria franceze substancialisht ka dështuar. Nëse operacioni Peacekeeping “i fuqishëm” i dëshiruar nga Parisi nuk arriti të zgjidhte kryengritjen xhihadiste në veri dhe në qendër të vendit, është e pamendueshme që rusët të mund të kenë sukses.

    Në fakt, që kur rusët kanë hyrë në Mali, metodat brutale të përdorura për të neutralizuar grupet kryengritëse vetëm sa kanë rritur pakënaqësinë popullore (veçanërisht të etnisë Fulani), duke shtuar rradhët e rebelëve. Që nga tërheqja e trupave franceze, sulmet nga grupet me orientim islamik vetëm janë shtuar, ashtu si edhe veprimet e qeverisë kundër popullsisë civile. Një përzierje e rrezikshme që kontribuon në përkeqësimin e situatës për nga pikëpamja e respektimit të të drejtave të njeriut. Në qarqet qeveritare sot flitet për zëvendësimin e contractors-ëve rusë drejtpërdrejt me mjete ushtarake, nëpërmjet përdorimit kirurgjikal të dronëve, në veçanti atyre turq Bayraktar TB2.

    Objektivi Burkina Faso

    Junta në pushtet në Burkina Faso prej disa kohësh duket se është po “përkëdhelet” prej rusëve. Në fakt, tensionet me Parisin janë rritur dhe ka zëra për një ndërhyrje të mundshme nga Grupi Wagner. Sidoqoftë, zyrtarisht nuk ka përfunduar ende asnjë marrëveshje dhe ka të ngjarë që përkeqësimi i kushteve të sigurisë në Mali të ngadalësojë udhëheqësit Ouagadougou.

    Nëse ishte e pamundur që politika afrikane e Moskës të arrinte suksese të rëndësishme atje ku Perëndimi ka dështuar, rreziku i një “overstretch” (zgjerimi të tepruar) të Grupit Wagner në Afrikë është padyshim i lartë. Nëse impenjimi në këta skenarë të shumtë e të ndryshëm do të përfundonte me dështim, politika afrikane e Moskës, e përqëndruar në furnizimin me suksese ushtarake brenda në një kohe të shkurtër, do të pësonte kësisoj një goditje serioze imazhi.

    Përgatiti për gazetatjeter.net: Dardan MITROVICA

  • Nga Sonila MEÇO – Gjithë fajin e ka TikTok-u???

    Nga Sonila MEÇO – Gjithë fajin e ka TikTok-u???

    Vetëm tragjeditë na zgjojnë, na mbajnë syçelët për tre ditë dhe në të katërtën nisim sërish “të ëndërrojmë” humnerën e tjetrit. Gjithnjë e më të paktë shohin punën e tyre, gjithnjë e më të paktë pasurojnë ditën përtej “reels”-ave të rrjeteve sociale, edhe më të paktë gjejnë motivimin tek aftësitë e tyre kur leku nuk respekton më meritën a talentin dhe më të paktët fare, një grusht arrijnë të ushqejnë orët e panginjura të jetës me kënaqësi shpirtërore.

    Konsum, konsum, konsum, komercializim i ekzistencës deri në detajet më private, ekzibicionizëm i një luksi të shfrenuar, sensacionalizim i banales, të gjitha i kemi pasur meny ditore bashkë me të mirat e rrjetit, por të tërhequr në mënyrë virale më së shumti nga skandalozja, përçudnimi, dhunimi.

    Ndjekës të pafundmë, si konsumatorë të dalldisur e dehur pas virales, pa një gllënjkë empatie, pa shpirt, pa zemër, por vetëm me “stomak” të uritur për zhurmë, reklamë, famë, parà, idhuj. Por më të zellshëm janë “haters”, urryesit, ata, që edhe nëse kanë të drejtë teksa kritikojnë e nuk bien dakord me dikë, nuk mjaftohen. Duan ta shpërbëjnë, shkatërrojnë, mallkojnë, fyejnë, denigrojnë, ta njollosin, murosin, gurosin, ta shkelin, rrjepin, shqyejnë tjetrin me “lirinë” e pafundme, që garanton rrjeti, anonimati, mjeti shpërndarës, gjurulldia e pakontrollueshme e një shoqërie me institucione të lodhura, të shembura. Dhe këtu nuk është veç “liria e pafundme” e rrjetit, që shkakton viktima, por thelbi i ndyrë njerëzor, që keqpërdor lirinë edhe sikur me pikatore ta ketë.

    Një nënë 41-vjeçare e katër fëmijëve vret veten, e bullizuar në TikTok nga adresa anonime. Tmerr!

    Por nuk ka si të jetë tjetër shoqëri ajo e para vetëvrasjes së Bedries dhe një tjetër pas.

    Kush skandalizohet tani nga ngjarja (dhe me të drejtë) kishte motive të forta për t’u skandalizuar edhe para saj. Me po të njëjtin mllef, me po të njëjtin kut moral, me po të njëjtin pasion.

    Sepse aty, nga i njëjti “mejdan”, që kryqëzoi Bedrien ushqehet përditë e më e pangopur një shoqëri e tërë, pleq pa pensione; fëmijë pa kontroll prindëror; adoleshentë nën presione hormonesh; bashkëshortë, që shtrihen me kurriz e flirtojnë secili në llogarinë e vet deri ndaj të gdhirë; nëna të dëshpëruara nga suksesi me temina i të tjerave; baballarë të demoralizuar nga “burra” të aftë të shijojnë jetën (në TikTok); të rinj në kriza identiteti nga bollëku prej “punëve” me bereqet të moshatarëve në rrjet; të divorcuar të zhgënjyer nga paaftësia për të mbajtur familje të sheqerosura Instagrami; profesionistë të shkurajuar nga monetarizimet e sfidave të të papunëve në TikTok; prindër të dorëzuar ndaj modeleve “të suksesit” prej nga frymëzohen bijtë e bijat; nxënës të inkurajuar të diskreditojnë mësuesit, që ende kërkojnë detyra shtëpie; gra e burra të zhytur në përroin psiqik të “challenge”-ve, rutinave dhe videove selfie; manjakë të eksituar nga “bujare” e “bujarë” imazhesh në kufij pornografikë pa asnjë kufizim; xhelozë e inatçorë të stimuluar nga çdo formë anonimati dhe në fund, por jo e fundit, inteligjenca artificiale e gatshme për të çmontuar e përdhosur imazhet e atyre, që “u hanë shpirtin” përdoruesve të rrjetit me e pa të drejtë…

    Të gjitha ishin edhe dje, edhe një orë pas vetëvrasjes së Bedries dhe do të jenë aty.

    Ndaj t’i kërkosh sot qeverisë të ndalë tik-tok-un si fajtorin e vetëvrasjes së një nëne të bullizuar është si historia e Ksanthit të lashtësisë greke, që premtoi të pinte detin teksa i dehur vinte bast me kapitenin e rojeve. Por kur i doli pija e kuptoi ç’kish bërë i kërkoi ndihmë Ezopit të shpëtonte nga zotimi se do të pinte detin nëse humbte. Dhe Ezopi i sugjeroi të deklaronte se vërtetë pati premtuar, se do të pinte detin, por jo dhe ujin e lumenjve, shiut, a ujëvarave, që derdhen në të. “Ndajini dhe ndalini ato dhe unë do ta pi detin”, deklaroi më në fund Ksanthi.

    Si ta ndash detin (tik-tok-un) nga ushqyesit e tij, që nga “shitësit” e gjithçkaje veç për famë tek mediat, që venerojnë llumin. Se këtu “pas hekurave” nuk duhet të shkojë

    tik-tok-u, por i gjithë sistemi, që mban gjallë pjesën kërcënuese, vrastare, përdhunuese të tij. Tik-tok-u ka edhe gjëra të bukura, këshilla të vyera, reagim politik, zell anti-censurues, siç është njëkohshëm mjeti e sheshi favorizues edhe i shkatërrimit shpirtëror, moral e njerëzor për miliona gra e burra të tjerë viktima potenciale. Ama “limfa”, që e ushqen këtë rreth, ajo, që e mban gjallë, nuk është avatari, algoritmi, por shoqëria, që marroset pas mjetit e sheshit për mos t’u ndjerë e përjashtuar, për t’u konformuar, për të plotësuar mangësitë e jetës reale, për t’u konfirmuar edhe pa talent, për të fituar edhe pa meritë, për të triumfuar edhe pa djersë, për t’u respektuar edhe pa vlera, për të “vrarë” këdo urren me dhe pa arsye pa u dënuar kurrë.

    Ky skandalizim, që i paraprin ndonjëherë edhe një nevoje për protagonizëm, këto protesta, që i paraprijnë ndonjëherë edhe një nevoje për “të larë” ndërgjegjen kishin po kaq arsye për të ekzistuar edhe para vetëvrasjes së Bedries, por pas tri ditësh do të treten sërish mes përpjekjes për “monetarizim” dhe vëmendje.

    Kjo sa i takon reagimit me komandë dhe veç prej tragjedisë.

    E sa për Bedrien e gjorë, që la 4 jetimë dhe për të gjithë viktimat potenciale të rrjetit dua t’u kujtoj se teknologjia po sfidon çdo shpirt njerëzor, se me Inteligjencën Artificiale, jo video origjinale, por të sajuara na kanë që sot viktima.

    Mund të gdhiheni një mëngjes e të shihni veten protagonist në video të ndyra virale, ku s’keni pasur asnjë lidhje. Mund të shfaqeni perversë, kriminelë, manjakë, aktorë/e pornografikë, hajdutë, sadomazokistë e striptistë/e pa qenë kurrë të tillë, por veç në fantazinë e maskarenjve, që duan t’u bëjnë keq.

    Ndaj nuk ka kufinj kjo betejë çnjerëzore e imponuar nga zhvillimi teknologjik. Jemi të gjithë të rrezikuar seriozisht nga mendjet diabolike, xhelozët, armiqtë e të panjohurit, që thjesht s’duan të të shohin mirë.

    Por nuk e ndalon dot as mbyllja e tik-tok-ut e as skandalizimi nga i njëjti rrjet ku mbillen edhe fitimet e privilegjet.

    Nis e sos me edukimin kjo histori, me ndërgjegjësimin, me kultivimin e njerëzores, më shumë se kurrë, me forcimin e shtetit e institucioneve, shtetit të së drejtës, me mençurimin e maturimin e shoqërisë, rezistencën me mish e shpirt ndaj kaosit vleror e moral prej të cilit askush nuk është imun.

    Andaj e përforcoj më shumë së kurrë, kujdes nga skandalizimi me komandë për arsyet e gabuara, sepse prodhon të keqe po aq vrastare sa edhe vetë krimi, por mendjen tek reagimi i përhershëm ndaj modeleve shkatërruese të një shoqërie virtuale me vese reale.