Blog

  • Nga “MPAQI” tek “MDIK”, kush do të jenë ministritë e reja të Ramës

    Nga “MPAQI” tek “MDIK”, kush do të jenë ministritë e reja të Ramës

    Krijimi i një ministrie të re, me një miks të çuditshëm që nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën, siç është Ministria e Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës, duke emëruar në këtë post, Blendi Gonxhen, ka trembur disa ministra në detyrë dhe po bën të ëndërrojnë disa të tjerë. Por pa kaluar një javë nga kjo çartje, Rama ka krijuar një tjetër dikaster, Ministrinë e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, duke ia besuar Adea Pirdenit, që deri dje mbante postin e zëvendësministres së Drejtësisë.

    Disa njerëz pranë Ramës thonë se i është shkrepur keq në kokë që të bëjë ca lëvizje të çuditshme që ministrat dhe deputetët e PS-së nuk i kuptojnë, por do i pranojnë si tu thotë i madhi i tyre. Ministria e re e mundshme në mendjen e Ramës do të jetë Ministria e Marrëdhënieve me Parlamentin dhe Arkivës Qendrore Inovative me inicialet “MPAQI”. Emri është gati dhe nuk do të lëvizë, ajo pritet të drejtohet nga ministrja aktuale e Marrëdhënieve me Parlamentin Elisa Spiropali. Do i bashkangjtet si institucion varësie edhe një strukturë e re: “agjencia e servilizmit institucional” me icicialet ASI.

    Një tjetër ministër me shembuj të shumtë si njeri i ditur me shkollim dhe mendësi anglosaksone do vijojë të jetë ministër drejtësie, por Ulsi Manjës meqë ia prenë “krahun e djathtë” duke i hequr zëvendësen e tij duke i marrë edhe zyrën antikorrupsion do i shtohen disa portofolë të tjerë dhe mund të quhet Ministria e Drejtësisë, Inteligjencës dhe Kreativitetit me inicialet “MDIK”.

    Ministria e Brendshme nuk do ketë më si ndikim të drejtëpërdrejtë me politikat e saj Policinë e Shtetit. Do behet Ministria e Brendshme për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Pyllëzimin, ndërsa Policia e Shtetit do të kalojë në varësi të Ministrisë më të re që do të hapet. Do të quhet Ministria e Kanabisit Legal, Porteve dhe Tregtisë së Bananeve. Për këtë ministri kaq të rëndësishme e cila do të jetë tërësisht e re, Rama po mendohet gjatë në përzgjedhje duke i shoshitur kandidaturat mirë.

    Nuk do të lëvizë Arbion Mazniku. Nuk ka shumë që po drejton Ministrinë e Pushtetit Lokal, por do i ndryshojë emri dhe do kalojë Ministri i Kulinarisë, për Marrëdhëniet me Dubain, Sheikët dhe Oligarkët. Do të krijohet një ministri e re e quajtur Ministria e Harbimit dhe Komunikimit Oral. Emri më i përshtatshëm ishte ai i Safet Gjicit, por ndodhet në paraburgim pas një afere seksuale orale në zyrë. Megjithatë ka plot të tjerë që kanë paraqitur kandidaturat dhe Rama mund t’i shohë me shumë prioritet këtë sektor. Ministritë e tjera nuk lëvizin, por do u hiqen disa sektorë. Ministrisë së Financave nuk kanë çi heqin më se ja hoqën ekonomimë, por po mendohet që Ministrisë së Bujqësisë t’i shtohet kompetenca të tjera duke u quhet Ministria e Bujqësisë, Blegërimit, Çerdheve dhe Lëndinave.

    Nënkryeministrja Belinda Balluku do bëhet me superministi. Ajo të të drejtojë Ministrinë e Infrastrukturës, Energjitikës, Ushtrisë dhe Lulishteve. Ndërsa Niko Peleshit i hiqet ushtria dhe do jetë Ministër i Mbrojtjes së Bimëve të Rrezikuara dhe Pelikanëve.

  • Nga Lutfi DERVISHI – Këta vjedhin edhe prokurorin

    Ndërkohë që prokurorët specialë janë angazhuar në misionin e shenjtë për të pastruar korridoret, anekset, guzhinën dhe tualetet e politikës shqiptare, një ngjarje e padëgjuar i ndërpreu vrullin e pastrimit dhe kombi mbajti frymën pezull.

    Një prokurori special i humbi celulari. Një celular i tipit Iphone nga ata që të rinjtë e sotëm e përdorin edhe për të bërë ndonjë thirrje telefonike.

    Të brymosur me doktrinën juridike bashkohore, të armatosur me praktikën e Strasburgut dhe me një etje të pashuar për të vërtetën, prokurorët nuk po e merrnin veten nga goditja e madhe: si është e mundur që në shtëpinë e akuzës ku ka vetëm akuzues dhe të akuzuar të ndodhë gjëma, të “avullojë” celulari?

    Dhe kur ndodhi gjëma? Në momentin më të mirë, kur besimi i publikut arriti majat e ndërtesës së shtëpisë së drejtësisë.

    Një prokuror mund të humbasë një dosje, mund të humbasë edhe mendjen, mund t’i marrin edhe portofolin se njerëz jemi, por si mund të të marrin celularin?!

    Reporterët e krimit, këta gjahtarë të paudhësive e mëkateve njerëzore nxituan të hedhin kripë mbi plagën e hapur.

    Titujt shpotitës shpërthyen në ekranet e televizioneve.

    Raportimet live nga vendngjarja bënë që njerëzit të ndalnin gjerbjen e kafesë dhe të përthithnin çdo fjalë të reporterëve që i referoheshin “burimeve të mia”

    Televizionet në mbrëmje ndërprenë programet edukative dhe thirrën ushtrinë e ekspertëve për të komentuar “ngjarjen e shekullit”

    Mesa di unë vetë iphone ka një opsion “më gjej” dhe mjafton një kompjuter, ose laptop, ose ipad, ose qoftë edhe një celular dhe kjo çështje zgjidhet- tha një ekspert teknologjie.

    Po të ishte kjo, do të ishte gjetur ndërkohë – nxitoi të ndërhyjë moderatori i cili kishte thirrur në emision katër të ftuar që i binin fyellilt në një vrimë.

    Në një televizion ku 24 orë në 24 kritikohet opozita për mosqeverisjen e vendit, komentatori i njohur më shumë si avokat me pagesë i qeverisë bëri një ndërhyrje që la pa gojë edhe vetë drejtuesin e pavarur të programit.

    “Këtu duhet të kemi parasysh se prokurori po bën një shërbim të madh vendit duke bërë qilizëm në kodrën e abuzimeve, me malin e denoncimeve,… por të nderuar të kemi parasysh se edhe ai që ka mundur t’i marrë iphone prokurorit ka kryer një akt të madh. Nuk po them të mirë apo të keq se unë nuk jam Papa që lëshon verdikte, por gjesti është i pa precedent. I madh! Madhështor! Pra unë i heq kapelen prokurorit për misionin që ka ndërmarrë dhe i përkulem atij që ka arritur të shqetësojë sadopak njeriun e akuzës.

    Nuk kishte ndodhur asnjëherë që dikush brenda një fjalie të ishte edhe me akuzën edhe të akuzuarin, siç i thonë të moçmit, qerratai është edhe me gjuetarin edhe me lepurin.

    Ndëkohë që emisionet e mbrëmjes e kthyen iphone e humbur të prokurorit në çështje kombëtare, vetë njerëzit e akuzës, në përputhje të plotë me këshillën e vjetër: “i zoti e nxjerr gomarin nga balta”, u hodhën në veprim.

    Brenda 1 minuti morën një letër nga gjykatësja për sekuestrimin e celularit të një gazetari. Gjykatësja i kërkoi ndjesë prokurorit për vonesën prej 60 sekondash.

    Celulari i sekuestruar i gazetarit bëri të mundur që prokurorët të gjenin me shpejtësi rrëmbyesin e iphone. Nga komunikimet mes gazetarëve hetuesit e kuptuan se prokurori e kishte humbur celularin gjatë kryerjes së detyrës..

    Në një ditë rutinë të prokurorit, gjatë një seance të gjatë pyetjesh me një zyrtar të lartë ky i fundit jo vetëm që kundershtoi akuzën per vjedhje të fondeve publike, por i shtyrë nga motive të pa shpjegueshme arriti t’i marrë iphon-in prokurorit

    Nga komunikimet në celularin e sekuestruar të gazetarit, prokurorit i mbeti në mendje një fjali.. “Këta janë mjeshtra, vjedhin edhe prokurorin”.

  • Nga Basir ÇOLLAKU – Aplikim te KLGJ! KPA , na ruani 7 vende bosh në Apel deri në 2026

    Nga Basir ÇOLLAKU – Aplikim te KLGJ! KPA , na ruani 7 vende bosh në Apel deri në 2026

    Hajde se u zunë vendet. Ndryshimet e shumta në institucionet e drejtësisë, një hartë e re gjyqësore, shkrirja dhe bashkimi në një gjykatë Apeli, ka sëkëlldisur jo pak anëtarët e Komisionit të Posaçëm të Apelimit, të rivlerësimit, të cilët mendojnë për të ardhmen e tyre, jo më tepër se të drejtësisë, apo institucionit.

    Drejtuesja e Komisionit, Albana Shtylla në tetor të vitit 2022, i dërgon një shkresë drejtueses së Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, që të mos harrojnë vendet e tyre, ashtu si ligji për prokurorë e gjyqtarë u njeh të drejtën. Pra kërkon 7 vende bosh, pa Apeli e di vetë si funksionon me mungesa të shumta dhe me pafundësi dosjesh të akumuluara nga vendet e tjera të paplotësuara prokurorësh e gjyqtarësh, pasojë juridike e punës edhe të këtij Komisioni. Ndonëse njëri nga anëtarët, zoti Hajdari, është në një hetim, ku nuk dihet nëse do të qëndrojë apo zëvendësohet, megjithë angazhimet ndikuese për ta pafajësuar. Kapërcimet ligjore për tu ardhur në ndihmë, si dhe për të shtuar përfitimet komisionarëve nuk janë të pakta. Ata me detyrën aktuale kanë marrë status magjistrati, ndonëse vetëm njëri nga anëtarët e ka këtë veshje nga kryerja e ciklit të shkollimit në magjistraturë. Gjithashtu, për të qenë gjyqtar në Gjykatën e Apelit, ligji parashikon një përvojë shtatë vjeçare, të cilën nuk e përmbushin asnjëri nga anëtarët, përveç zonjës Ina Rama, që ka qenë më herët në Gjykatë Apeli. Pavarësisht se përvoja profesionale e saj, kishte më pak se dy vite në një gjykatë rrethi, nga shtatë të përcaktuara nga kriteret ligjore në ngritjen në detyrë. Pra mazhoranca dhe kontribuuesit u kanë falur këtyre “gjyqtarëve” së paku 10 vite investim në edukim dhe punë, të cilin nuk dihet si do ta mbyllnin personalisht.

    Në shkresën e dërguar, Shtylla shkruan:

    E nderuar zonja Llagami

    Këshilli i Ministrave, me vendim nr 495, datë 21/07/2022 “Për riorganizimin e rretheve gjyqësore të gjykatave” ka miratuar Hartën e re Gjyqësore në Republikën e Shqipërisë. Kolegji i Posaçëm i Apelimit, është bërë me dije nga,njoftimet e publikuara në faqen zyrtare të institucionit tuaj, (kur duan marrin vesh kryesisht) SE Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ, ka ngritur një Grup Ndërinstitucional Pune, për ndjekjen dhe zbatimin e vendimit të Këshillit të Ministrave të sipërcituar si dhe për të përgatitur të gjitha aktet e nevojshme për zbatimin e Hartës së Re Gjyqësore.

    Gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nëpërmjet kësaj shkrese dëshirojnë të sjellin në vëmendjen e Këshillit të lartë Gjyqësor dhe Grupit Ndërinstitucional të Punës, të ngritur pranë tij, përcaktimet kushtetuese që përcaktojnë pozitën e Kolegjit si Gjykata e vetme e procesit të rivlerësimit dhe gjykata e juridiksionit disiplinor si dhe nenin 166 pika 6 të ligjit nr 96/2016 “për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, i cili përcakton:

    Anëtari i Kolegjit të Apelimit, emërohet si gjyqtar në nivel apeli në përfundim të mandatit, përveç rasteve kur ndaj tij është dhënë masë disiplinore, gjatë ushtrimit të detyrës”

    Bazuar në nenin 179 pika 7 dhe nenin 179/b pika 5 dhe 6 të Kushtetutës, nenin c pika 16 dhe nenin F pikat 1 dhe 3 të aneksit të saj Kolegji i Posaçëm i Apelimit është:

    a) Gjykata që do të kontrollojë procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, nëpërmjet shqyrtimit të ankimeve të subjekteve të rivlerësimit ose të Komisionerit Publik ndaj vendimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit si dhe

    b) Gjykata disiplinore për ankimin e magjistratëve për masat disiplinore të vendosura nga KLGJ, KLP, apo shqyrtimin e shkeljeve disiplinore për subjektet e përcaktuar në Kushtetutë dhe ligj

    Kolegji i Posaçëm i Apelimit në përputhje me juridiksionet dhe kompetencën e sipërcituar shqyrton dhe vendos për çështjen, si një gjykatë fakti, duke zbatuar dispozitat proceduriale të aplikueshme për Gjykatën e Apelit të juridiksionit të zakonshëm përfshirë edhe gjykatën e apelit administrative si dhe vlerëson nëse në procesin e rivlerësimit, procedimit disiplinor apo hetimit të shkeljes disiplinore të një subjekti/ankuesi, janë zbatuar parimet e procesit të rregullt ligjor.

    Komisioni i Venecias në opinionin e tij përfundimtar për ndryshimet kushtetuese datë 15 janar 2016, ka rekomanduar:

    “Kolegji i Posaçëm i Kualifikimit” ngjan me një gjykatë në disa drejtime

    Anëtarët e tij quhen gjyqtarë, ata funksionojnë brenda Gjykatës së Lartë, dhe gëzojnë garanci të njëjta me gjyqtarët e kësaj gjykate. Për më tepër sipas projektit të ndryshimeve kushtetuese Kolegji i Posaçëm i Kualifikimit bëhet një institucion i ndarë qartësisht nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Megjithatë Komisioni i Venecias rekomandon që mandati i Kolegjit të Posaçëm të Kualifikimit duhet të jetë relativisht i shkurtër. Por duhet thënë që një mandat i shkurtër, mund të shihet se i bën gjyqtarët e tij më të ndjeshëm ndaj ndikimeve të jashtme dhe mund të minojë pavarësinë e tyre dhe si pasojë të vërë në dyshim karakterin gjyqësor të procedurave para Kolegjit të Posaçëm të Kualifikimit. Për këtë arsye Komisioni i Venecias rekomandon që gjyqtarët e Komisionit të Posaçëm të Kualifikimit, në përfundim të mandatit të tyre, duhet të vazhdojnë të punojnë si gjyqtarë të zakonshëm të Gjykatës së Lartë”

    Bazuar në gjithë sa parashtruam më sipër, duke pasur në konsideratë pozicionin e posaçëm si gjykatë, që Kushtetuta i ka dhënë Kolegjit,, me qëllim që të mos vihej në dyshim karakteri gjyqësor, i procedurave të kryera të kësaj gjykate, si dhe për të shmangur ndikimin e jashtëm dhe për të garantuar pavarësinë e gjyqtarëve gjatë ushtrimit të detyrës, ligjvënësi në nenin 166, pika 6 të ligjit ne 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” parashikoi për gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit garancinë e vazhdimit të ushtrimit të detyrës, si gjyqtarë në nivel apeli, në përfundim të mandatit të tyre.

    Sjellim në vëmendje të Këshillit të Lartë Gjyqësor nqë sipas nenit 179/b pika 8 të Kushtetutës, gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, kanë mandate nëntë vjeçar që përfundon në 17 qershor 2026

    Në kuadër të reformës së ndërmarrë mbi riorganizimin e rretheve gjyqësore, përcaktimin e kompetencave tokësore të gjykatave, përfshirë edhe gjykatën e apelit të juridiksionit të zakonshëm dhe atë të apelit administrativ, si dhe numrit të gjyqtarëve që do të përcaktohen në këto të fundit, do të kërkonim nga Grupi Ndërinstitucional i Punës, dhe më tej nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, marrjen e masave nëpërmjet akteve dhe modaliteteve që Këshilli do të përgatisë dhe miratojë me qëllim zbatimin e dispozitës së mësipërme, për të garantuar që në përfundim të mandatit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit 7 gjyqtarët e tij të emërohen gjyqtarë në nivel apeli

    ..Duke ju falënderuar për mirëkuptimin….

  • Nga Enton ABILEKAJ – Kronikë e paplotë për pushtetin e Edi Ramës

    Nga Enton ABILEKAJ – Kronikë e paplotë për pushtetin e Edi Ramës

    Në 10 janar 2024 Edi Rama i dha vetes një tjetër të drejtë që ia mori opozitës, ta bëjë Kodin Zgjedhor vetëm. Konferenca e shtypit nga Shëngjini, ku u shpall ky vendim, ndodhi dje, por raportimi nuk mund të bëhet më pa data. Janë momentet historike të rikthimit në diktaturë prandaj çdo vendim që i shërben, duhet të ketë datën.

    Ndodhi në 2017, që, në marrëveshje më Lulzim Bashën, pas 5 orësh bisedime jotransparente, të bëheshin zgjedhjet në një afat më të shkurtër se 40 ditët që Kodi Zgjedhor kërkonte për regjistrimin e Koalicioneve. Pasoja ishte që Edi Rama, për herë të parë fitoi pa aleatë, vetëm 1 vit pas kanabizimit të plotë të vendit. Ishte 17 maj 2017, kur Lulzim Basha me shtrëngimin e dorës përpara kryesisë së Kuvendit, i hapi rrugën Edi Ramës për të ndërtuar pushtetin personal.

    Ndodhi në shkurt të 2019 kur opozita dorëzoi mandatet, për të lënë një parlament njëpartiak dhe për ta shtuar pushtetin personal të Edi Ramës. Dukej sikur Lulzim Basha kishte marrë vendimin të mos ndiqte më farsën institucionale të një pushteti që ishte kapur në përgjime, duke vjedhur zgjedhjet, duke mohuar të drejtën bazë që një vend të quhet demokratik. U duk sikur opozita do të bashkohej me qytetarët për të rikthyer votën e lirë, si parakusht për zgjedhjet e ardshme. Ishte 16 shkurt 2019, kur Edi Ramës iu dorëzua pushteti legjislativ.

    Ndodhi në qershor të 2019, kur i njëjti Lulzim Basha, bojkotoi zgjedhjet vendore, për t’i hapur rrugën një pushteti njëpartiak lokal. Ende dukej sikur rruga e bashkimit me qytetarët po bëhej e pashmangshme, ndërkohë që PD po dorëzonte çdo pushtet tek Edi Rama. Dukej sikur aleanca e qytetarëve me opozitën do të përplasej me pushtetin e uzurpuar nga një njeri, edhe pse kishte mbështetjen perëndimore. Por, pas zgjedhjeve lokale, lideri i opozitës u zhduk, për t’u shfaqur disa muaj më vonë, për t’u ulur me Damian Gjiknurin në tryezën e reformës zgjedhore. Ishte 30 qershor 2019 kur Edi Rama mori në dorë gjithë pushtetin lokal.

    Ndodhi në 2020, që pasi bëri disa ndryshime konsensuale, të diktuara nga SHBA dhe BE, në Kodin Zgjedhor, Edi Rama e prishi marrëveshjen duke prishur koalicionet me ligj. Ai ishte një hap i rëndësishëm për instalimin e pushtetit personal, pasojat e të cilit po i vuan opozita sot. Ishte 30 korrik 2020, kur marionetat e Edi Ramës dhe mbetjet e opozitës votuan kundër barazisë në zgjedhje.

    Ndodhi në 2021, që rezultati i zgjedhjeve të përcaktohej nga blerja masive e votës, në një operacion special të partisë në pushtet në bashkëpunim me policinë, kriminelët më të njohur dhe biznesmenët më të mëdhenj. Edi Rama fitoi mandatin e tretë. Përballë një opozite që në vend të pushtonte institucionet pas manipulimit, zgjodhi farsën e dorëzimit të fakteve në zyrat e manipulimit, kishte mbështetjen e pashpjegueshme të SHBA dhe BE, ndërkohë që raportet e vëzhguesve perëndimorë vlerësuan se partia -shtet përdori çdo mjet, edhe blerjen e votave. Ishte 25 prill 2021 kur Edi Rama fitoi i vetëm për herë të dytë pasi kishte shpallur ambicien për të qeverisur jo më pak se 16 vjet.

    Ndodhi në maj – shtator 2021, më pak se 1 muaj pas zgjedhjeve, kur, në vend të tentonin kufizimin e pushtetit të Edi Ramës, SHBA-të i dhanë një goditje opozitës. Lideri historik i PD-së u shpall non grata, ndërsa liderit në detyrë iu kërkua përjashtimi i tij. Në vend që të përqëndrohej te reagimi pas vjedhjes së zgjedhjeve, opozita u përqëndrua në sherrin brenda vetes. Kryetari në detyrë vendosi të përjashtojë Sali Berishën, duke i hapur rrugën përçarjes përfundimtare të partisë më të madhe të opozitës. Ishte 9 shtator 2021, kur Lulzim Basha, për të disatën herë, dha një dorë në instalimin e pushtetit personal të Edi Ramës.

    Data të tjera para, ndërmjet apo pas këtyre mund të ketë. Të gjitha shenjojnë momentet historike të kalimit nga një shtet kaotik-demokratik, në një shtet personal, autokratik që po bëhet çdo ditë e më shumë totalitar.

    Nuk janë vetëm datat, janë edhe njerëzit që e mbështesin që duhet të shenjohen, për të mos u harruar këtë herë, për të mos përsëritur të njëjtin faj, për të mos e zhytur edhe një herë vendin në errësirën ku po zhytet me shpejtësi.

    Nëse një ditë do të dalë nga errësira.

    Sot është 11 janar, 78 vjet nga dita kur Enver Hoxha e shpalli Shqipërinë Republikë Popullore, pasi fitoi zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, nën akuza për manipulime.

  • Nga Kim MEHMETI – Shqipërinë e ‘sundojnë’ ata që as i ka zgjedhur e as i ka votuara njeri- ‘SPAKistanianët’?!

    Forca shtetbërëse e një populli nuk matet vetëm nëpërmjet nënshkruesve të deklaratës së pavarësisë, por mbi të gjitha me atë sa ai mund e di të ndërtojë shtet të së drejtës, pra shtet institucional ku ligji do vlejë njësoj edhe për të pushtetshmin e të pasurin edhe për të pambrojturin dhe skamnorin.

    Vlerësuar nga ky këndvështrim, Shqipëria nuk ishte mjaftueshëm shet as në kohën e Partisë së Punës kur ekzistonte thuajse vetëm sa të kishte Enveri ku ta burgoste popullin e vet si dhe ku të vriste e dhunonte kënd të donte. Edhe atë jo vetëm pse nuk kishte ligj mbi vullnetin e tij, por pse elitat e shqiptarisë – njësoj si sot gjatë regjimit të Piktorit – e mbanin kokën te prapanica dhe shtireshin se nuk e dëgjojnë piskamën e fatkeqve.

    Shqipëria nuk ia doli të konsolidohet si shtet institucionalë dhe i së drejtës as tri dekada pas rënies së komunizmit, duke mbetur kështu atë që ishte edhe në kohën e Enverit: shtet që i takon partisë, me popullin në të që i shërben sunduesit.

    Dhe duke qenë shoqëri e cila nuk pati guxim të përballet me të shkuarën e vet komuniste, Shqipëria shumë shpejtë ra në duart e pasardhësve të ‘xhelatëve’ që e mbajtën gjallë regjimin më antishqiptarë – atë të Enverit.

    Ndërkohë, të huajt, mbase edhe gabimisht, nisën të besojnë se Shqipëria nuk ka potencial të mjaftueshëm shtetformues, andaj duhej atë bërë ‘protektorat’, por të një lloji krejt tjetër.

    Duke e ditur se shtetin e drejton ai që i kontrollon ‘peshoret’ e gjyqësorit, të huajt vendosën që mëmëdheut tonë t’ia reformonin drejtësinë dhe kështu atë ta ‘pushtonin’ nëpërmjet SPAK-ut.

    Dhe më në fund Shqipëria u bë ‘Spakistanë’ me në krye Piktorin, pra u bë shtet ku askush nuk e dinë nëse prokurorët dhe gjykatësit mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre dhe nëse  kryehajdutët e ‘Rilindjes’ e kontrollojnë SPAK-un, apo SPAK-u i kontrollon ata.

    Por ku megjithatë shihet qartë  se ‘SPAKistanianëve’ u është dhënë urdhër të mos merren gjithaq me bërjen e Shqipërisë shtet të së drejtës, por me pastrimin e saj nga ‘plehu’ politikë i tridhjetë viteve të fundit edhe atë, duke i mbyllur sytë përpara ‘aleancës së qelbësirave’, duke i lënë pra të qetë kryehajdutët e ‘Rilindjes’, ata që Shqipërisë ia harxhuan të ardhmen duke e bërë të pabanueshme për brezin e ardhmërisë.

    Dhe mbase Shqipëria edhe nuk mund të arrinte më larg se aty ku ndodhet sot me ne të cilët – si edhe gjatë dekadave enveriste – u mbetëm besnikë partive dhe pushtetarëve, por jo edhe shtetit e popullit, me ne që dëshmuam sa nuk e kemi kuptuar se demokracia është përrallë e bukur për t’i vënë në gjumë fëmijët nëse ajo shërben për t’u pasuruar pushtetarët për të cilët nuk vlen gjë ligji.

    Me ne pra që tri dekada me radhë shtireshim se nuk e dinim që aty ku askush nuk mbanë përgjegjësi për keqqeverisjen dhe ku nuk ka moral, nuk të vlen gjë ligji dhe vota, se demokraci është edhe kur dy budallenjtë e mbivotojnë një të mençur, por jo edhe kur një votues ‘kushton’ më lirë se një dele.

    Dhe duke qenë se thuajse të gjitha ua lamë në duar hajdutokratëve, të cilët ditën na zhvatnin e natën e rrënonin Teatrin Kombëtarë dhe mbëmendjen kolektive për të shkuarën e shqiptarisë, ne edhe jemi bashkëfajtorë pse mëmëdheun tonë sot e ‘sundojnë’ ata që as i ka zgjedhur, e as i ka votuara njeri – ‘SPAKistanianët’?!

    Pra të gjithë ne jemi fajtorë pse edhe sot, njësoj si në kohën e Enverit, shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë ndjeheni si popull pa mëmëdhe! 

  • Gonxhja që çeli në saksinë e Ramës

    Gonxhja që çeli në saksinë e Ramës

    Në ditët e para të vitit 2024, në një humbëtirë të theksuar të idesë qeverisëse, Ramës i ka ikur edhe “inovacioni” i mendimit. Ai doli me një ide rishtare, duke bërë ndryshime në kabinetin qeveritar jo me lëvizje ministrash, por në krijimin e një ministrie të re. Edhe emërtimi duket kaq me çudi ashtu sikurse edhe drejtuesi i ri i kësaj ministrie. Në një postim në rrjetet sociale kreu i qeverisë shkruan se ka vendosur të krijojë Ministrinë e Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës. Ka marrë copëza në tre ministri për t’i bërë në një, me ofertën “bli një merr tre” dhe një Gonxhe falas…

    “Për këtë nevojë strategjike të kësaj faze të re të zhvillimit, kam vendosur ndryshimin e strukturës së qeverisë dhe krijimin e një ministrie të re të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, e cila do të bashkojë në një të vetme pjesët që aktualisht funksionojnë të ndara në ministritë respektive të Financave dhe Ekonomisë e të Kulturës. Për drejtimin e kësaj ministrie të re do t’i propozoj sot Presidentit të Republikës, zotin Blendi Gonxhe, një drejtues publik që ka spikatur për reformimin dhe modernizimin mbresëlënës të institucionit, orientimin konstant ndaj inovacionit në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimit për qytetarët, shpejtësinë e integrimit të nënsektorit përkatës në kornizën e standarteve europiane”-shkruan Rama.

    Po kush është “inovatori” Gonxhe? Rama e ka pasur “fiksim” që në ditën e parë kur sipas ish-kryeministrit Fatos Nano “u mor nga Franca me thonj të paprerë” dhe e bëri Ministër Kulture në vitin 1998. Gonxhe u emërua nga Rama shef kabineti. Dy vite më vonë, kur Rama u bë kryetar i Bashkisë Tiranë, Goxhe nisi të “lulëzonte” si nënkryetar dhe u bë shpejt një personazh mjaft i njohur për ndërtuesit. Ishte koha kur u fut në skenë skema “20% për shefin”… Një ndërmjetës gjendej gjithnjë aty me …

    Për lulëzimin gradual të Gonxhes së vyer, u kujdes ta “vadiste” edhe Erion Veliaj, i cili e emëroi drejtor i Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit. Kulmin e karrierës së Gonxhes ishte Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor. Nën drejtimin e tij ky institucion është vënë shpesh në akuza publike sidomos nga opozita. Afera të shumta tenderash në të ashtëquajturën “modernizim”. Madje vetë Gonxhe ishte hapur në “konflikt interesi” pasi kishte në pronësi shoqëri transporti kombëtar dhe ndërkombëtar e madje i afeksionuar shumë pas makinave retro. Jo pak tendera të zhvilluara nga Drejtoria e Përgjithshme e Trasportit Rrugor janë me flamuj të kuq, jo vetëm si të dyshuara me garë të paracaktuar por me lidhje të mundëshme me bizneset e tij.

    Gonxhe në korrik të vitit të kaluar është thirrur në SPAK, por doli “i qetë” duke thënë se ishte aty për një çështje personale, që nuk kishte të bënte me institucionin që drejtonte. Shumë zyrtarë dhe ish-zyrtarë kur dalin nga SPAK shprehen se shkuan për një problem të vogël, e madje edhe për ndonjë kafe. Megjithatë Rama ka vendosur t’i besojë një ministri të re, të krijuar rishtas dhe shumë pa kuptim për rolin që do të kryejë. I rrituri në saksinë e Ramës tashmë është bërë lule.

  • Nga Andi BUSHATI – Debati që mbyllën prokurorët e McGonigal

    Pretenca e prokurorëve të Kolumbias për skandalin McGgonigal, përtej atyre që dinim, i shërben një debati që e kapërcen fatin e kryeministrit të sotëm shqiptar. Deri më tani ne jemi të bindur se kjo aferë i ka shpërblyer Edi Ramës për të goditur opozitën vendase. Se për të arritur këtë qëllim, ai dhe njerëzit pranë tij, korruptuan agjentin më të lartë të FBI-së në histori, që e ka tradhtuar ndonjëherë këtë institucion. Ne kemi mësuar se në gusht 2017, Charles McGonigal i kërkoi para borxh Agron Nezës, se në shtator ai e solli të takohet me Ramën dhe menjëherë më pas, në një parkim makinash, mori plot 225 mijë USD cash. Pavarësisht se çfarë thotë propaganda në Tiranë, e përditshmja prestigjioze amerikane ‘New York Times’ e përmblidhte mirë këtë histori kur konkludonte se agjenti i korruptuar “ndërmori hapa në dobi të politikanit Rama”. Këtu diskutimi është i mbyllur. Dhe në këtë pikë leximi i 17 faqeve të prokurorëve të Kolumbias nuk sjell ndonjë gjë të re. As ndonjë detaj që i përforcon pandehmën, si ai që, “FBI nuk ishte e bindur për provat ndaj lobistit të Bashës, Nik Muzin, por ajo e hapi hetimin nën presionin e McGonigal dhe e mbylli menjëherë sapo ky i fundit u largua nga detyra”, sërish nuk ndryshon gjë në bindjen e përgjithshme.

    Por në të kundërt, aty mes rreshtave, lexohet e zeza mbi të bardhë, një konkluzion që i shërben si një gurë i çmuar debatit tonë të brendshëm. Prokurorët arrijnë në përfundimin se me të marrë paratë, Charles McGonigal, i shërbeu qëllimeve të atyre që e korruptuan dhe jo atyre të SHBA-së. Dhe ky ish agjent arriti që falë pushtetit të tij dhe parave të marra të hapte një hetim kundër opozitës shqiptare. Ky hetim “rrodhi në media” si një shqetësim amerikan për paratë ruse që financonin PD-në. Dhe në Tiranë plasi gurguleja për linçimin e kundërshtarëve të Ramës, që frymëzohej “nga provat” amerikane. Edhe njëherë në veshët tanë ushtuan sloganet se aleatit tonë strategjik i duhet besuar qorrazi, se partneriteti me Amerikën është i pacenueshëm, se vërtetësia e fermanëve të perandorisë është e padiskutueshme. Në lojë u shfaqën edhe njëherë të gjithë ata që bëjnë be për SHBA-në edhe kur e shpall Berishën “burrë shteti” edhe kur e etiketon si “minues të demokracisë”, edhe kur kërkon stabilitet gjatë qeverisës abuzive të kryeministrit Meta, edhe kur nuk e lë të njëjtin person të demonstrojë si president me flamur amerikan, ata që i shkojnë me sy mbyllur Amerikës edhe kur Kris Hilli i hap dritën jeshile burgosjes së Fatos Nanos, edhe kur këtë të fundit e presin me nderime në Shtëpi të Bardhë.

    Në këtë polemikë, midis atyre që përsërisin me një idiotësi gati religjioze se Amerika nuk gabon, se ajo është e pakorruptueshme, se ajo duhet besuar verbërisht, dhe të tjerëve që këmbëngulin se çdo rast duhet shqyrtuar sipas logjikës, bindjes së brendshme dhe fakteve që kemi në dorë, pa paragjykime ekstreme inferioriteti, konkluzioni i prokurorëve të çështjes McGonigal vlen shumë. Sepse ai na dëshmon se si një person i korruptuar arriti të shtrembërojë perceptimin tonë për një Amerikë të pagabueshme. Ai arriti ti imponojë FBI-së një hetim kundër opozitës vendase tek e cila specialistët e saj nuk besonin, përmes tij ky lajm u morr si i vërtetë nga mediat e përtej Atlantikut. Dhe falë të gjitha këtyre së bashku, shqiptarëve iu përcoll një mesazh i korruptuar, që sipas prokurorëve nuk ishte ai që i interesonte SHBA-së, por thjeshtë ai që donin pagatorët e McGonigalit.

    Pikërisht për këtë, për faktin se na hap sytë që nga perandoria mund të mbërrijnë edhe mesazhe të blera me para në dorë, pretenca e fundit është një dokument, që duhet mbajtur mend. Madje ajo është edhe më e rëndësishme sesa debati i ditës për implikimin kryeministrit të radhës me çështjen McGonigal. Sepse fatkeqësisht, ata që kanë spekuluar me besimin fanatik ndaj asaj që vjen përtej oqeanit, kanë ekzistuar edhe para Ramës, janë shumëfishuar gjatë mbretërimit të tij dhe do ta vazhdojnë ta bëjnë edhe kundër tij, kur ai të mos jetë më. Prandaj duhet të jemi vigjilentë ndaj atyre që aromën e parave na e shesin si erë të së vërtetës.

  • Nga Luçiano BOÇI – Byrek, gjumë dhe mosmirënjohje

    Sa herë dëgjoj vargjet e këngës popullore “byrek, byrek o usta Murat….”, krahas entuziazmit popullor të këngës, më vjen një një buzëshje cinike dhe e hidhur!

    Së pari pjesën cinike e kam me veten.

    Dikur kur e dëgjoja mendoja se çfarë poetizimi apo dhe kuptimi mund të kishin këto fjalë?!

    Por ja që qenkam jam gabuar!

    Usta Murati dhe autori paskan qenë filozofë popullorë të jetës. Byreku paska qenë mall me vlerë e kuptim. Bukë edhe gjellë që konkuronte dhe pataten e Hoxhës madje.

    Dhe t’i këndosh byrekut nuk qenka mungesë arti.

    E kjo sepse vitet kanë kaluar, por byreku ama se ka humbur vlerën e tij e efektin e tij poetiko-politik.

    Pjesën e hidhur e kam me realitetin sepse më dhemb.

    Më qëllon shpesh tek lëviz me makinë të shoh grupet e fëmijëve e nxënësve të gëzuar të cilët në pushim të gjatë rradhiten para dyqaneve përballë shkollave të tyre, për të blerë një byrek 50 lekësh për të shuar urinë. Më fatlumët marrin dy.

    Kaq është mundësia maksimale e prindërve të shumë familjeve shqiptare, të cilët në mëngjes, kur munden t’i sigurojnë fëmijëve 100 lekëshin e ditës, së paku janë të qetë.

    E në qytetin tim e jo vetëm, kudo në Shqipëri, pas kafeneve, byrektoret mbajnë rekord e furnizojnë njerëzit me brumë, yndyrë, gjizë e kripë të mjaftueshme për të shuar urinë e mbajtur gjatë ngopjen.

    Shenjë e një varfërie totale e mbjellë me kujdes!

    Shitësit e palodhur marrin atë kënaqësinë e atij fitimi minimal, për të pasur dhe ata mundësinë e jetës dhe të ushqyerit, megjithëse në trysninë e rreptë e të pandarë të taksidarëve të shtetit që duan “të nxjerrin dhjamë nga byreku” , se me të mëdhenjtë nuk ia mban.

    Jo vetëm fëmijët!

    Shumë të tjerë zgjidhjen e detyruar të ushqimit kanë byrekun. I lirë dhe efektiv.

    Deri në ketë pikë i ka cuar qeverisja turistike e Ramës.

    Ulen ashtu me qesen e tyre me byrek e kafen e mëngjezit para e përtypin mendimet për të gjetur zgjidhjen për të nesërmen, sepse shteti i ka lënë në mëshirë të byrekut.

    E maksimumi nga dreka vjen në tryezë ndonjë panine me qofte, kushedi me çfarë mishi që të bie në stomak e që të mbush ditën.

    E pas kësaj byreku e paninja me efektin e tyre “magjik” të çojnë drej gjumit këndellës, shoqëruar me ndonje debat politik, apo ndeshje futbolli që nuk mbarojnë asnjëherë. As natën e vitit të ndërrimit të viteve.

    E tram-trami i jetës pa dalje me mbikqyerje shtetërore përsërit veten çdo ditë.

    Tamam sipas shprehjes romake, që për të mbajtur në kontroll masën duhet “Panem et circenses”, Bukë dhe cirk.

    Ndërsa cinizmin dhe hidhërimin bashkë e kam për politikën e byrekut.

    Politikën që kur ha byrek për qejf, për të ndryshuar veljen nga frutat e detit apo ushqimet ekzotike, bën nje vrap deri në Lushnje, ose ikën me grup xhirimi tek byrektorja e lagjes për t’u dukur popullore e madhe.

    Dhe luftën për të shqyer byrekun e rradhës më pas e shet si luftë me qeverisjen, luftë të paepur me Ramën.

    Sidomos këtë e bëjnë ata që “vdesin” për pak like fb-je e nuk lenë rastin t’i humbasë.

    Vdesin, sepse thonë që byreku ka efekt e të jep gjumë të thellë. Dhe thonë madje që të jep gjumë me ëndrra. Ëndrra jo dosido. Po ëndrra sikur ke pushtet, sikur je “Luan” me krifë që ha byrek, sikur je “meteor” që ndriçon.

    Biles, biles tregojnë që politikanët pas gjumit të byrekut, bëjnë deklarata të mëdha politike.

    Thënë shkurt prodhojnë politikë “të madhe”. E nuk pyesin për askënd nën efektin e byrekut e gjumit.

    Dhe produkti themelor i tyre është mosmirënjohja njerëzore, arrivizmi politik dhe vetëkënaqja e fërkimit të sharjeve të veta (si fërkimi i barkut pas byrekut) pa kufi në deklarata “zyrtare” të lyrosura me yndyrë byreku, jargë gjumi, e ëndrra në sirtar.

    Byrek, byrek o usta Murat!!!!

  • Nga Klodian TOMORRI – Skenari hollivudian që bëri bashkë Ekonominë me Kulturën

    Shumë nga ata që ndjekin zhvillimet politike mbeten jo pak të çuditur një ditë më parë, kur Edi Rama njoftoi krijimin e një ministrie të re, e cila bashkon ekonominë, kulturën dhe inovacion në një dikaster të vetëm.

    Përtej rrokadës së emrave, largimit të Margaritit dhe afrimit të Blendi Gonxhes në kabinetin qeveritar, habia më e madhe e opinionit qëndron në faktin se çfarë i lidh bashkë ekonominë me kulturën dhe cila është logjika e bashkimit të tyre në një institucion të vetëm.

    Kjo nuk është një habi e panatyrshme. Bëhet fjalë për dy sektorë, të cilët në aspektin e politikave dhe administrimit janë aq të largët me njëri tjetrin. Ndaj në historinë e qeverisjes së Shqipërisë moderne, asnjëherë më parë, kultura nuk ka qenë satelit institucional i ekonomisë apo anasjelltas.

    Megjithatë strukturat organike të qeverisë nuk janë të ngurta. Në fund të fundit, kabinetet qeveritare formatohen në funksion të filozofisë dhe prioriteve qeverisese të klasës në pushtet. Dhe filozofia qeverisëse e maxhorancës aktuale ka krijuar një segment me interesa shumë të mëdha, ku ekonomia dhe kultura piqen me njëra tjetrën. Është administrimi i pronave në vendet historike apo monumentet e kulturës.

    Prej disa kohësh në korridoret oligarkike dhe ato të maxhorancës qarkullojnë zëra për disa projekte të rëndësishme në zona të mbrojtura me statusin e monumenteve kulturore. Porto Palermo dhe Pallati i Brigadave janë dy prej tyre.

    E para është një nga zonat më të lakmuara të Shqipërisë. Një xhevahir në gjerdanin e Rivierës shqiptare, që deri më tani i ka shpëtuar duarve të gjata të oligarkisë apo interesave private të pushtetit pikërisht për shkak të statusit të mbrojtur.

    E njëjta gjë vlen edhe për Pallatin e Brigadave. Një kompleks i jashtëzakonshëm historik dhe kulturor, i cili shtrihet në një sipërfaqe prej 37 hektarësh parku të pyllëzuar. Ky kompleks është një monument prioritar në trashëgiminë kombëtare të Shqipërisë. Por koncesionet çajnë bllokadën, ndërsa orekset financiare formatojnë qeveri.

    Si për Porto Palermon ashtu dhe për Pallatin e Brigadave ka plane të përfshirjes së privatëve përmes koncesioneve. Për të parën, verën e kaluar ka patur dhe diskutime paraprake jo institucionale me një biznesmen nga përtej Atlantikut. Ndërsa për dytën, dy vjet më parë, Ministria e Kulturës financoi një draft strategji për menaxhimin afatgjatë.

    Në dokumentin strategjik u rekomandua një sistem hibrid menaxhimi me përfshirjen e sektorit privat për të mundësuar financimin e mirëmbajtjes dhe zhvillimit të Pallatit të Brigadave, ndonëse në formën e Fondacionit jo fitimprurës. Me pak fjalë një sistem i ngjashëm administrimi si ai Butrintit.

    Nëse këtyre u shtohet dhe fronti i madh i financimeve që pritet të hapet në sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Inteligjencës Artificiale, është e qartë se këtu është krijuar një portofol me interesa gjigande financiare. 

    Mesa duket Gonxhe është personi i duhur për ta menaxhuar atë dhe për të shtyrë përpara “reformat”. Madje në këta rast fati rezervon edhe një shaka. Në shumë filma aksion të Hollivudit, ka skenarë ku anëtarët e bandave të vjetra, bëhen sërish bashkë pas shumë vitesh për grabitjen e fundit. Rama dhe Gonxhe e kanë nisur bashkë karrierën. Tani u bënë sërish bashkë. Këtë here jo për të mbytur Tiranën e Re.

  • Nga Alfred LELA – Për Berishën nuk duhet drejtësi, por ligj

    Nga Alfred LELA – Për Berishën nuk duhet drejtësi, por ligj

    Në fjalët e një prej juristëve të shkëlqyer amerikanë, Oliver Wendell Holmes Jr., mund të përcaktohet ajo që pritet nga Gjykata e Apelit, dhe me gjasë gjithë sistemi gjyqësor në Shqipëri në rastin SPAK vs Berisha: gjykatat janë për ligjin, jo për drejtësinë.

    Drejtësia, duke qenë një fakt efemer, nuk ekziston. Ajo është shpikur, si kërkesë dhe terminologji, nga dy klasa që kanë nevojë për retoriken dhe patetikën e saj, jo faktin: populli dhe politika.

    Pikërisht për të ndarë rrezikun e lartë, që vjen si nga turmat ashtu edhe forcat politike apo politikanët populistë dhe popullorë, u krijuan ligjet apo jurisprudenca. Për ta lënë jashtë, në oborr të gjykatës, atë që njihet si ‘drejtësia’. Nuk ka nevojë të thuhet se, ajo që për dikë shihet si drejtësi për një tjetër është padrejtësi. Ka qenë kështu e po njësoj do të jetë në përjetësi.

    Ligji, zbatimi i tij, kur bëhet, me përpikmëri e mbyll këtë hendek të madh që drejtësia krijon.

    Gjykatës së Apelit, që ka në dorë kërkesën për lirimin e Sali Berishës, i duhet ta mbajë parasysh këtë. Të gjykojë nëse duhet të shohë Kushtetutën dhe ligjet e Republikës apo t’i dorëzohet asaj që, si nga një pjesë e popullit, si nga qeveria dhe aksesorët e saj, po deshët edhe nga në mëhallat ndërkombëtare, shihet si drejtësi.

    Drejtësia, si gjithmonë, bëhet duke prerë koka, duke marrë hak, duke i dhënë fund ‘pandëshkueshmërisë’- një term ky që vlon në kaq shumë deje- e gërmushje të tjera alogjike. Ligji në anën tjetër është i ftohtë: ai nuk kallëzon, por kqyr; nuk jep verdikte, por vendos; nuk interpreton, por lexon; nuk zhvendoset, por aktualizon.

    Apeli mund të bëhet e para instancë që shkëputet nga kjo ethe politike e stinës së hakmarrjes që ka zënë sytë e Shqipërisë, të cilët i mbyll edhe qeveria për nevojat e saj, për të bërë apo vendosur drejtësi. Është një import që nuk e tregon të vërtetën, nuk e zgjidh problemin dhe, për më shumë, kushton shumë. Koncepti i drejtësisë është, pak a shumë, vlimi i amfiteatrove romakë ku gladiatorët ndesheshin dhe perandori vendoste për jetën ose vdekjen, në varësi të kënqësisë apo trishtimit që turma kishte fituar nga dyluftimi i heroit të shkretë, të vetmuar, poshtë në arenë.

    Ligji, në anën tjetër, del mbi instiktin e individit dhe turmës, del madje mbi vetë logjikën dhe ndërtohet mbi përvojën.

    Ashpërsimi i masës ndaj Sali Berishës për faktin se ky shpërfilli një masë të mëparshme e cila nuk mbështetej në ligj, por në një instancë të ‘drejtësisë’, është një përpjekje e dytë për të rivendosur drejtësinë, por jo aplikim i ligjit.

    Gjykatat, siç thekson Holmes Jr., nuk janë për drejtësinë, por ligjin. Ligji, në rastin e Berishës, e thotë qartë. Zhveshja e ligjit dhe thirrja në arenë e drejtësisë është një ulje e gishtit të madh për të kënaqur turmën dhe vendosur drejtësinë e saj, jo akt në jurisprudencë.

    Nëse reforma e gjyqësorit në Shqipëri vazhdon me sindromën e fundit të pandëshkueshmërisë, hakmarrjes, vendosjes së drejtësisë etj., do të kthejë në artefakt themelin e patjetërsueshëm të vetes: ligjin.

    Drejtësia nuk ekziston dhe mjafton një fakt i thjeshtë për këtë. A keni hasur ndokënd që thotë se nuk ka të drejtë, dmth që nuk është në anën e drejtësisë?

    Për të zgjidhur këtë nyjë të njerëzimit, qytetërimi ka thirrur në ndihmë ligjin.