Blog

  • Një qen për fëmijët? Ja kush janë 30 racat më të mira

    Një qen për fëmijët? Ja kush janë 30 racat më të mira

    Jo pa arsye qentë quhen miku më i mirë i njeriut! Qentë, në fakt, janë kafshë shtëpiake të përshtatshme për të bashkëjetuar në një shtëpi ku ka fëmijë, pasi pothuajse gjithmonë kanë kënaqësi të madhe dhe janë shumë të disponueshëm të përkëdhelen dhe të luajnë me fëmijët e vegjël.

    Vazhdojmë leximin dhe hidhini një sy racave më të përshtatshme për t’i bërë shoqëri fëmijës tënd.

    30. Scottish terrier

    Të shkathët dhe të pavarur, këta këlyshë të vegjël mund të duken të painteresuar për të huajt, por i duan pa fund njerëzit e tyre…


    29. Chinese Crested Dog – Qen kinez me kreshta

    I ëmbël, lozonjar dhe i dashur, ky qen do ta adhurojë fëmijën tënd…


    28. American Foxhound

    Janë të sjellshëm, inteligjentë dhe besnikë. Për nga natyra janë kafshë perfekte shoqëruese edhe për të vegjlit fare…


    27. Afghan Hound

    Janë elegantë dhe madhështorë, nuk kujdesen shumë për të huajt, por nëse bëhesh pjesë e tufës së tyre, zemra e tyre është e gjitha e jotja…


    26. Pembroke Welsh Corgi

    Të shoqërueshëm dhe mbrojtës, këta këlyshë bëjnë gjithçka për t’u siguruar që njerëzit e tyre të jenë mirë…


    25. Bolognese

    I rezervuar dhe i urtë, qeni i racës Bolonjeze është i famshëm për besnikërinë ndaj njeriut të tij, përfshirë më të vegjlit…


    24. Bloodhound

    I quajtur edhe qeni i Saint Hubert-it është një gjahtar i zoti, por edhe shumë i ëmbël, gjë që e bën ideal për një familje…


    23. Airedale terrier

    Të shoqerueshëm, të këndshëm, miqësorë dhe guximtarë, këta qen duan t’i kënaqin njerëzit e tyre. Për më tepër, Airedales janë shumë të stërvitshëm dhe të bindur…


    22. Chow chow

    Kanë gjuhë vjollcë dhe mund të jenë të tërhequr e të pavarur, por janë edhe shumë besnikë ndaj njerëzve të tyre…


    21. Boston terrier

    Të gjallë dhe inteligjentë, Boston terrier janë shumë miqësorë dhe do ta kalonin të lumtur ditën jashtë, bashkë me fëmijët përpara se të vendosin për një sy gjumë (dhe të përkëdhelen)…


    20. Dachshund

    Dachshunds janë të dashur dhe të përkushtuar ndaj njerëzve të tyre. Gjithashtu, janë tepër të durueshëm dhe të qetë, duke i bërë perfektë për të sapolindurit dhe fëmijët e vegjël…


    19. Cavalier King Charles spaniel

    Të patrembur dhe të adaptueshëm, këta këlyshë janë po ashtu edhe krijesa mjaft lozonjare dhe të shoqërueshme që do të shkonin dakord me këdo…


    18. Setter irlandez

    Janë shumë të dashur dhe të shoqërueshëm dhe nuk u pëlqen të qëndrojnë vetëm, kështu do të jenë shoqëria perfekte për fëmijët tënd…


    17. Vizsla hungarez

    I sjellshëm dhe shumë i gjallë, ky qen pëlqen të vrapojë dhe di të përballojë një sasi të madhe aktivitetesh…


    16. Bull terrier

    Ka një arsye të mirë që këto krijesa me hundë të gjatë janë kaq të njohura. Janë miqësorë dhe shumë të stërvitshëm dhe përshtaten mjaft mirë me një familje me fëmijë…


    15. Australian shepherd

    Këta pastorë australianë janë qen aktivë, të disponueshëm që priren të jenë shumë mbrojtës me “tufën” e tyre…


    14. Bichon à poil frisé

    Janë super të dashur dhe të sjellshëm, të përsosur për një shtëpi plot me fëmijë…


    13. Dalmat

    Dalmati është energjik dhe i dashur, dy karakteristika thelbësore për një qen të përshtatshëm për fëmijë…


    12. Mastiff

    Mos u impresiono nga pamja e jashtme e tyre. Mastifët janë qen me natyrë të mirë dhe shumë mbrojtës ndaj njerëzve të tyre, veçanërisht atyre më të dobët…


    11. Boxer

    Të patrembur dhe të përkushtuar, boxer janë të mrekullueshëm me të sapolindurit dhe me fëmijët falë personalitetit të tyre të sjellshëm dhe besnik…


    10. Mongrel

    Shpesh, një mongrel rezulton të jetë më i i përsosuri mik me katër këmbë për çdo shtëpi, duke pasur parasysh se në përgjithësi zotërojnë një gamë të gjerë karakteristikash që i bëjnë ata inteligjentë dhe pranues…


    8. Pit bull

    Pavarësisht reputacionit që kanë, pitbullët janë qen të dashur që adhurojnë të kënaqin njerëzit e tyre. Reputacioni i keq është tërësisht për faj të pronarit dhe jo racës, kështu, të stërvitur korrektësisht janë qeni ideal për një familje me fëmijë…


    7. Labrador retriever

    Labradorët janë ndër racat më miqësore që përshtaten mirë në familje. Janë të shkëlqyer me fëmijët …


    6. Barboncino

    Barbonçinët janë ndër racat më të zgjuara të qenve, duke i bërë ata kafshë shtëpiake të përsosura, pasi mësojnë shpejt dhe i ndjekin rregullat. Janë po ashtu krijesa të sjellshme, miqësore dhe besnike…


    5. Newfoundland dog

    Këta gjigantë të sjellshëm karakterizohen nga një personalitet lezonjar dhe janë shumë mbrojtës, aq saqë me siguri do të bëhen miku më i mirë i të voglit tënd…


    4. Bulldogu anglez

    Të bindur dhe gregarë, janë edhe qen shumë besnikë, mbrojtës dhe të dashur me fëmijët…


    3. Border Collie

    Jashtëzakonisht inteligjentë, Border Collie jo vetëm që do të kujdeset dhe do të ndihmojë në rritjen e fëmijës tënd, por edhe do të jetë krenar që e bën një gjë të tillë…


    2. Beagle

    Beagles janë të sjellshëm dhe të vendosur, karakteristika perfekte për një qen që do të kalojë kohë me fëmijët…


    1. Golden retriever

    Golden Retriever janë në vend të parë të klasifikimit të qenve për familje për disa arsye: ata janë të sjellshëm, të besueshëm, miqësorë dhe besnikë, ka shumë mundësi që ata mund t’i duan fëmijët tuaj më shumë se ju.

  • Nga Luçiano BOÇI – Dhuna ndaj 21 janarit

    Sa herë vjen kjo datë, shpërthen një dhunë-zhurmë mediatike, produkt i një propagande të shfrenuar dhe histerike.

    Gjithçka fokusohet tek pasoja fundore e kësaj ngjarje, duke lënë me qëllim jashtë vëmendjes shkakun thelbin dhe dinamikën që prodhoi 21 Janarin e që ngjarja të mbesë e izoluar në përjetimin emocional (të drejtë) të humbjes së katër jetëve.

    Është një shtrembërim i së vërtetave që mbështetet në teknologjinë e propagandës thërrmuese e jo në fakte.

    Dhuna që prodhohet sot ndaj 21 Janarit, është ekuivalente me atë dhunë që u dëshmua nga organizuesit e saj politikë atë ditë.

    Ndërkohë shkaku e thelbi i ngjarjes është i qartë dhe i dukshëm.

    21 Janari nuk ishte protestë, siç e retushojnë sot e dje grafomanët politikë e mediet servile. Nuk ishte protestë e thjeshtë që rastësisht u shndërrua në tragjedi.

    21 Janari ishte tentativë e përmbysjes së rendit kushtetues me dhunë dhe marrje pushteti e paralajmëruar po me dhunë.

    Ai si i tillë u përgatit, u paralajmërua dhe u financua nga njerëz tashmë në pushtet,  pushtet të cilin kërkuan që atëherë ta merrnin e mbanin me dhunë, në krye të cilëve qëndron Edvin Rama.

    Kush ishte i dëshiruar për viktima?

    21 Janari u pararend dhe u paralajmërua si ngjarje e përgjakshme nga vetë organizuesit.

    Rama vetë në prononcimet e tij deklaronte domosdoshmërinë e pasjes së viktimave. Dhe zinxhiri politik i tij përfshirë mediet pranë tij, ngrinte lart retorikën e një dhune të domosdoshme. Ndërsa organizuesit pajisën dhe financuan çdo detaj për ta derdhur turmën drejt policisë e për të pushtuar Kryeministrinë.

    Rama i dërgoi njerëzit para Kryeministrisë që t’i vriste jo t’i drejtonte në një protestë politike.

    Suksesi i Ramës për atë ditë u barazua me dy fjalë: gjak dhe viktima.

    Kjo ishte dëshira e tij, por mbi të gjitha qëllimi i tij.

    Rama ia arriti këtij qëllimi me format dhe mënyrat që dihen. Madje duke përdorur dhe grupin e zjarrit të gardës drejtuesin e së cilit e dekoroi politikisht, deri në Kryetar Bashkie.

    Dhe poshtërsisht këtë qëllim, vazhdon ta përdorë me të njëjtën dhunë, duke u munduar të fshehë rolin e përgjegjësinë penale të vetën ndaj kësaj ngjarje.

    Aspak i interesuari për pasojat me jetë të kësaj ngjarje, ishte Kryeministri Sali Berisha.

    Kjo dhe në planin njerëzor, por dhe politik. Çdo degradim i ngjarjes do ishte një minus për qeverisjen e tij dhe ai bëri gjithçka që kjo të mos ndodhte.

    Ai ishte personi më i largët i pasojave të kësaj ngjarje për faktin e thjeshtë se mbrojtja e institucioneve shtetërore bëhet pavarësisht vullnetit të tij, nga organet e përcaktuara ligjërisht.

    Retorika ndaj Sali Berishës është krejt boshe dhe e pavlerë.

    Kush duhet të mbajë përgjegjësi për ngjarjen?

    Moralisht për njerëzit që i merr për arsye politike mban përgjegjësi ai që i thërret.

    Këtu s’ka asnjë mëdyshje. Viktimat i përdori si mish për top ai që sot e gjithë këto vite teatron sikur i dhemb. Përgjegjësinë e ka njeriu që e ndërtoi pushtetin e vet mbi fatkeqësinë e katër familjeve që i keqpërdori atë ditë dhe vazhdon t’i keqpërdorë për qëllimet e tij të ulta politike e për të akuzuar pa asnjë bazë kundërshtarin e tij politik.

    Juridikisht: Akuza e ngjarjes është e thjeshtë: Permbysje e rendit kushtetues me dhunë me autor Edvin Ramën.

    Përgjegjësitë e tejkalimit të kompetencave nga garda janë marrë dhe janë konsumuar në një proces të ezaurur.

    Ngelet vetëm pika e kontaktit e Ramës, jo e vetme, në grupin e zjarrit, aktiviteti i së cilit e të cilëve mbart shumë pikëpyetje.

    Hiqeni vellon e emocionalitetit dhe dhunën ndaj 21 Janarit, sepse qartazi dhunën dhe pasojat e dhunshme i prodhoi tentativa e Ramës për të marrë pushtetin me dhunë!

    SPAK të marrë Ramën të pandehur për 21 Janarin!

  • Nga Alfred LELA – ‘Fajin e ka Saliu’, nga slogan elektoral në strategji persekutimi

    Nga Alfred LELA – ‘Fajin e ka Saliu’, nga slogan elektoral në strategji persekutimi

    Në pranverën e 2013, Edi Rama dhe Partia Socialiste, filluan të qarkullojnë sloganin “fajin e ka Saliu”. Këshilltarët e huaj të pr-it, me sa duket, kishin ideuar një fushatë dy drejtimëshe ku PS riemërohej si “Rilindja”-e cila do të instalohej pas rrëzimit të kryeministrit Berisha, 8 vite në krye të vendit.

    Sigurisht, sloganet e fushatave janë ‘të pafajshme’, edhe kur ato qëllojnë të jenë më agresive apo më manipulative se ç’duhet. Slogani u be teprim kur, vit pas viti, edhe pse Sali Berisha kishte dhënë dorëheqjen nga drejtimi i PD, duke mbetur deputet dhe autori zulmëmadh i një faqeje në Facebook ku “qytetari dixhital” bënte kërdinë me denoncime, socialistët shfaqeshin sërish në debate mediatike dhe, pa kurrfarë zori deklaronin ‘fajin e ka Saliu”. Slogani kësisoj po dilte nga fushata elektorale dhe roli i vet dhe po shndërrohej në diçka tjetër. As më pak e as më shumë po një fushatë persekucioni politik me qëllim, së pari vrasjen karakteriale të Sali Berishës dhe, në finale, largimin e tij nga skena me të gjitha mjetet.

    Është rasti kur një slogan është më shumë se parulla e një fushate, një strategji e qartë politike për të ndërruar me mjete deus ex machina opozitën e një vendi.

    Akuzat mediatike u bënë sfondi i një përpjekjeje më programatike dhe diabolike për ta targetuar z. Berisha, jo vetëm si sinonim i të këqijave të së shkuarës, por si një pengesë në rrugën e së ardhmes së vendit. Ngjarjet duhen parë nga perspektiva në retrospektivë për të shpërndarë pak mjegullën e habisë për të huajt e instaluar në Tiranë, që heshtnin para skandaleve të “qeverisë Rama”. Kanabizimi përshëndetej si luftë kundër drogës, korrupsioni si betejë për zhbërjen e tij, shkelja e të drejtave të njeriut si reformacion, e me radhë.

    Prania gjithnjë e më e madhe e Fondacionit Shoqëria e Hapur dhe George e Alex Soros-it, plani i tyre për reformën në drejtësi dhe shkëmbimet e territoreve në Kosovë, ideja e materializuar e Ballkanit të Hapur etj., e panë Sali Berishën thuajse të vetëm përballë një komploti transnacional.

    Edi Rama e paralajmëroi në Kuvendin e Shqipërisë, muaj përpara, shpalljen non grata të Sali Berishës. Të njëtën gjë edhe në rastin e Britanisë së Madhe. Që qeveritë e vendeve partnere i shërbenin kryeministrit të Shqipërisë informacione për kundërshtarin politik, të cilat ai mund t’i përdorte për të ngjyrosur sloganin e dalëboje “fajin e ka Saliu”, kjo më së paku ka shije të keqe gjeopolitke.

    Një fakt i mëvonshëm nuk pyeste as për shijen dhe as për kodet, por shpaloste më gjerë dhe më thellë homo corruptus-in që ndërkombëtarët mbështesnin te Edi Rama dhe shpura e tij. Dosja McGonigal ekspozonte thelbin banal të sulmit të orkestruar ndaj Partisë Demokratike dhe Sali Berishës. Lulzim Basha gjendej aty vetëm si aksesor i planit. Nëse kemi një material shtrëngues për të, atëherë do t’i duhet të zgjedhë mes atit politik, demokratëve dhe kokës së vet.

    Luli u dorëzua, por jo Saliu. Ky mosdorëzim hedh në erë edhe sloganin më jetëgjatë (ndoshta) në historinë politike të botës ‘fajin e ka Saliu’ sepse, si rregull ai që ka faj, dorëzohet dhe tërhiqet, nuk duelon në prani të fajit.

    Non gratat amerikane dhe britanike ndihmuan Bashën dhe Ramën për të kënduar refrenin e lodhshëm dhe hipokrit se janë ata kryqtarët e euro-atlantikes në këtë vend, por nuk pakësuan as nervin politik të Berishës dhe as mbështetësit e tij.

    Në dy palk zgjedhje Sali Berisha u dëshmua si shefi i forcës së dytë më të rëndësishme në vend, duke e mbuluar me turp pasardhësin dhe paraadhësin e tij në krye të PD.

    Në këto kushte ‘fajin e ka Saliu” duhej ripërpunuar, apo më saktë duhej çuar faji te Saliu, pasi Saliu nuk pranonte të shkonte te faji. Për këtë faze të aksionit u vu në lëvizje SPAK, një prej institucioneve të drjetësisë së re, platformën e të cilës (mos harroni!) e kishte hartuar dhe paraqitur në Tiranë “Fondacioni Soros”.

    Sali Berishës i shkon shprehja e Xhulio Andreotit ‘më akuzojnë për çdo gjë në Itali, përjashto Luftrat Punike”, por ndër akuzat, tre më qendroret kanë qenë 97-a, Gërdeci dhe 21 janari. Për të përpunuar “fajin” megjithatë, u zgjodh një çështje tjetër, më pak e trajtuar, privatizimi i “kompleksit Partizani”. Pse? Në terma të propagandës, “Partizani” ngjiste më lehtë. Bashkoheshin në të besnikëritë sportive, toka dhe prona- dy njësi që gjithmonë përbëjnë lakmi në mitologjinë popullore dhe ‘kullat’. Vini re që ndërtesat e kompleksit cilësoheshin nga mediat pranë qeverisë “kulla”, edhe pse nuk ishin më shumë se pallatet e zakonshme 9 apo 10 katëshe të çdo lagjeje në Tiranë. Me këtë rast qeveria që akuzohej për betonizimin e Tiranës me kulla kërkonte të krijonte përshtypjen se kullat në fakt i bën Saliu. Me gjasë, ‘tehu’ më djallëzor i përzgjedhjes së Partizanit kishte të bënte me përfshirjen e dhëndrrit të Berishës, Jamarbër Malltezi. Kjo e bënte ‘aferën’ sagë familjare dhe çonte ujë te akuzat e vjetra e të pashterrshme të përfshirjes së familjarëve të Berishës në akte korruptive. Pra, hetimi i SPAK takohej me akuzat e Ramës ndër vite dhe me non grata-n.

    Qarku i persekucionit politik të Sali Beridhës mbyllej kështu i plotë. 10 vjet pas ardhjes në pushtet të socialistëve, edhe pse PD kishte qeverisur tashmë më pak se PS gjatë 30 viteve të paskomunizmit në Shqipëri, edhe pse skandalet e qeverisë Rama i përkasin kategorisë së epikes së korrupsionit, faji duhej deleguar te Saliu.

    Në këtë kuptim, atë të përpjekjeve të politikës, që nëpërmjet drejtësisë të godasë kundërshtarin, Sali Berisha futet në radhën e politikanëve të djathtë si Berlusconi dhe Trump.

    Në një kuptim tjetër Sali Berisha qëndron më vete si humanist. Në periudhën 1991-1992, kur partia që ai drejtonte synonte pushtetin, Sali Berisha shpiku dhe përdori sloganin ‘bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë’. Me të donte të thoshte se nuk ka vend për hakmarrje. Në Shqipërinë e Enver Hoxhës të gjithë kemi qenë pjesë e fajit dhe vuajtjes. Nuk e di se nga e nxori Berisha atë paradigm, por rrënjët e saj janë, me siguri, të krishtera. Berisha, paraqitej si lideri thelbi i të cilit ishte mëshira kristiane, pra aspak i huaj për Europën.

    Në këtë finale, në perspektivën e re që na lejon të shohim në retrospective, Sali Berisha ka gbauar. Ai duhet të kishte zgjedhur kodin hebraik ‘një sy për një sy”. Sepse sot, ata që ishin më fajtorë se Berisha, në sistemin ku, sipas Doktorit, të gjithë ishin ‘bashkëvuajtës dhe bashkëfajorë’, kthehen me shpagim për ta shpallur atë si fajtorin e vetëm.

    Në këtë kthesë të fatit qëndon sot Sali Berisha. Fajtorët e djeshëm të komunizmit, veshur me petkat e sotme të progresivizmit, vijnë për t’i thënë se për të nuk ka bashkëvuajtës.

    Një mësim tjetër po nga Krishtërimi: “Asnjë vepër e mirë nuk kalon pa u ndëshkuar”.

  • Nga Agim XHAFKA – SPAK-u po arreston pluralizmin

    Kam marrë pjesë në të gjitha votimet që janë zhvilluar në atdhe. Kam blerë biletë avioni e kam ardhur edhe kur kam qenë jashtë shtetit. Në të gjitha rastet, duke filluar nga viti 1992, kam votuar për opozitën e kohës. Pra, votën time ia kam dhënë edhe PS, edhe PD.

    Ngaqë besoj fort se ndryshimet në qeverisje sjellin përherë progres, energji, për rrjedhojë pasurim të vendit. Por këto vite të qeverisë Rama, mua e qindra mijëra shqiptarëve që kanë votuar si unë, na ka humbur pëlqimi që hodhëm në kuti ditën e zgjedhjeve. Pra, sot unë nuk e di kush më përfaqëson në Kuvend apo në parlament siç i thonë dendur. S’e gjej veten askund.  Paçka se me votën time, sipas Kushtetutës, e kam deleguar të drejtën që në zhvillimin e vendit të marrin vendime për mua grupi i deputetëve që kam përzgjedhur unë dhe një pjesë e madhe e zgjedhësve. Shkurt, vota ime s’gjendet askund. Jo veç imja, por thuajse e krejt opozitarëve që votuam njësoj.

    Me arrestimin absurd, flagrant, antiligjor e hakmarrës të Berishës, parlamenti im tani i bie të ndodhet te “Rrugica e Salës”. Ai e ka prokurën popullore të më përfaqësojë mua dhe 700 mijë shqiptarë. Po kryeministri aktual, kampioni i qeverisjes më të keqe që na ka ndodhur që kur u krijua shteti ynë, Edi Rama, e ka arrestuar atë. Me veglën e tij SPAK, ai burgosi bashkë me liderin e opozitës edhe votat tona. Jo veç Berisha, por edhe Meta e Kryemadhi, edhe Mediu e ndonjë tjetër (hë për hë veç Nard Ndoka nuk po hetohet nga opozita) në kuadrin politik po përshfaqin tmerrin e gjëmës që po na rri mbi kokë. SPAK, siç duket, paska projekt të arrestojë pluralizmin shqiptar. Të jetojmë një demokraci fasadë dhe të drejta e liritë tona të treten në një humbëtore pale se ku.

    Tani parlamenti është njëpartiak. Është kthyer si Selia e PS. Që qiranë, energjinë, rrogat e benefitet e kësaj partie-shtet ia paguajmë ne kundërshtarët e saj. Edhe ca deputetë që mund të flisnin në emrin tim, Rama me veglën Nikolla vërtet nuk i ka burgosur ende, por i dënon përherë. I dënon me aq ditë sa i teket kryeministrit. Pra, sërish unë si zgjedhës nuk jam brenda sallës së parlamentit. Vota ime është zhdukur, e ka përpirë antiligji. Ose më saktë, në Shqipëri po prangoset edhe vota.

    Pyetja ime, ku është vota ime, në çdo vend demokratik nuk bëhet, është pyetje absurde, nuk ka kuptim. Por në regjime diktatoriale, duhet ta artikuloj me forcë.

    -A ia vlen të votosh në një shtet ku opozita futet në burg pa asnjë akuzë, pa asnjë provë, pa fakte, por vetëm me një sms të kryeministrit?!

    Përgjigja normale:

    -Jo, nuk ia vlen. Ky sistem nuk rrëzohet me votë të prangosur. Duhet treguar forcë, pa përdorur forcë. Mjafton një batanije dhe jo më shumë se dy ditë protestë poshtë zyrës së qeverisë. Kaq e prangat shkojnë te duart e armiqve të lirisë.

  • Nga Andi BUSHATI – Kujt i shërben “republika e prokurorëve”?

    Edi Rama mund të ankohet sa të dojë lartë e poshtë, për vendosjen e “republikës së prokurorëve”, ç’ka nënkupton fuqinë e pamatë, deri në abuzim, të SPAK-ut, por deri më tani, faktet tregojnë se ai është përfituesi më i madh i saj. Vendimi i fundit, që mban firmën e Altin Dumanit, për të mos lejuar kreun e opozitës të shkojë në parlament, nuk është gjë tjetër veçse një përkthim në gjuhë juridike, i devizës politike: “Nuk flasim dhe nuk bashkëpunojmë me non gratat”.

    I gjithë procesi zhurmëmadh i dosjes së privatizimit të klubit Partizani, nuk ka treguar gjë tjetër veçse një përkim interesash mes prokurorëve dhe kryeministrit. Të parët vendosën në mënyrë të paligjshme ta zhvishnin Berishën nga imuniteti dhe më pas të kërkonin arrestin pa një proces të rregullt parlamentar. Deputetët socialistë e çeritifikuan me votat e tyre këtë praktikë, duke i njohur spakistëve më shumë të drejta sesa u njeh kushtetuta dhe ligji. Ata sanksionuan se heqja e lirisë së një të zgjedhuri nga populli, mund të bëhet edhe pa bekimin e kuvendit, madje ngritën kartonat për për të miratuar edhe masën e arrestit, pa qenë nevoja që akuza të paraqesë prova. Ky qe një moment  që shumica parlamentare të tregohej e vëmendëshme për ekulibrin dhe kontrollin e pushteteve, ndonëse këtë herë po i “bihej në qafë” kundërshtarit të saj më të madh politik. Rama dhe të tijët nuk e bënë. Të flasësh pas kësaj për rrezikun e republikës së prokurorëve, është thjeshtë hipokrizi.

    Deri më tani, në procesin kundër Berishës, SPAK-u ka kryer pikërisht atë që Edi Rama dhe të tijët e kanë imagjinuar në ëndrrat e tyre më perverse. Misionin që se realizoi dot Basha me përjashtimin, që s’pati mundësinë ta bëjë KQZ me tentativat për ti djegur mandatin, që se arritën dot gjykatat me rëmbimin e vulës, po e realizon SPAK-u me izolimin e Berishës. Dhe kulmi do të jetë nëse pas pesë muajsh, heronjtë e fëmijëve tanë, në bashkëpunim me deputetët rilindas, do ta përjashtojnë Berishën nga parlamenti, me justifikimin se nuk është paraqitur në punë. 

    E njëjta fabul si me liderin e opozitës po përsëritet nga SPAK edhe me një nga krerët e minoritetit grek në Shqipëri. Prokuroria e Posaçme po i bën kryeministrit atë dhuratë, që refuzoi t’ia jepte populli i Himarës. Kush e mban mend fjalën e Ramës, në një miting me sfond nga deti, do të kujtohet se ai u lut pikërisht për këtë: “Mos më detyroni mua të bashkëpunoj me këtë gagaç, injorant”. Pakica greke dhe shumë shqiptarë, vendosën me votë pikërisht këtë gjë. Por ama, kërkesën e Ramës e bëri të mundur SPAK, që jo vetëm e mban në burg Belerin, me pretendimin se ka shpenzuar 40 mijë lekë për të blerë vota, por pa e lënë të bejë dhe betimin, ndonëse ende prezumohet si i pafajshëm.

    Në këtë rast, prokurorët e SPAK nuk kanë asnjë ndryshim, as nga dallkaukët rilindas të punësuar në drejtorinë e burgjeve, as nga ata xhandarët politikë që llahtarisën varrezat e Himarës, në ditën e varimit të gjyshes së Fredi Belerit.

    Këto dy raste tregojnë se prokurorët e SPAK, janë kapluar nga një servilizëm dhe frikë që i bëjnë të duken ëngjëj, Alush Dragoshin apo Arben Qeleshin e kohës së Berishës së parë. Ata po sillen si vegla të të pushtetshmit të radhës. Prandaj deklaratat e Ramës për rrezikun e republikës së prokurorëve, ato që ai i thotë në biseda private diplomatëve, paralajmërimet që u bën drejtorëve të administratës për të mos bashkëpunuar me SPAK, nuk duhen marrë aspak seriozisht. Ato ose janë një pjesë e një taktike të vjetër të atij që hedh gurin e fsheh dorën, për të mbuluar me sa mundet faktin se reforma e amerikanëve dhe evropianëve është kapur nga rilindja, ose thjeshtë paranoja e një të gjithpushtetshmi që i ka mbetur edhe ndonjë segmet minimal brenda SPAK-ut pa e kontrolluar.

    Por, pavarësisht se cila nga këto hipoteza është më pranë realitetit, faktet e deritanishme tregojnë se shoqëria jonë nuk rrezikohet aspak nga një bandë prokurorësh që mund të bëhen të pakontrollueshëm prej forcave të tjera brenda sistemit. Reziku është gjithmonë ai i njëjti, ai i përdorimit të drejtësisë si një vegël që pushteti ia kundërvë rivalëve të tij politikë. Frika nuk është tek instalimi i një “republike prokurorësh”, që prezumon fuqinë e tyre përtej ligjit, por tek shndërrimi i tyre në dordolecë të paligjshëm.

  • Nga Kim MEHMETI – Mëmëdheun tim e rrezikon virusi i quajtur ‘Rilindja’ e Piktorit!

    Të dhënat tregojnë se kjo pandemi nuk i rrezikon fëmijët (ku bëjnë pjesë edhe nipat e mbesat e mia) dhe të rinjtë (ku bien edhe fëmijët e mi). Kjo më mjafton që të mos kem ndonjë arsye madhore pse t’i frikohem këtij virusi.

    Si më frikacaku i kësaj bote, me këtë nuk dua të them se ne të moshuarit nuk duhet të kujdesemi për vetveten, por se nuk na ka hije të vajtojmë e t’i shkulim flokët nga frika, thuajse dikush përnjëherë dhe papritur, na e ka sjellë lajmin për diçka që nuk e kemi ditur: se jemi qenie të vdekshme.

    Pra dua të them që të mos trembemi nëse nuk ka vend për të gjithë ne nëpër spitale, sepse edhe kur jemi nën përkujdesjen e mjekëve, ne mbetemi vetëm në duart e Zotit!

    Ndërkohë i shoh liderët partiakë të Maqedonisë si të qetë, e pa e dramatizuar situatën, shkojnë te Presidenti i shteti ku vendosin t’i shtyjnë zgjedhjet parlamentare. Gjithashtu e shoh edhe Ministrin e Shëndetësisë, i cili nga disa herë në ditë, por pa mbjellë fikë te banorët e këtushëm, raporton për numrin e të infektuarve dhe për masat që ka ndërmarrë qeveria. Dhe them në vetvete: o Zot, ruaj fëmijët dhe të rinjtë e vendit tim dhe të kësaj bote, që të ketë kush t’u gëzohet bukurive që ke krijuar mbi këtë tokë!

    I përcjell rregullisht edhe daljet publike të Kryeministrit dhe Ministrit të Shëndetësisë të Kosovës, të cilët me qetësinë ë burrështetasve të përgjegjshëm e të ndërgjegjshëm, të krijojnë bindje se je në duart e sigurta. Dhe them në vetvete: o Zot, shtoje kujdesin dhe mëshirën mbi popullin tim në Kosovë, mos i mbyll nëpër shtëpi ata që kjo Evropë nuk i lejon të shëtisin lirshëm nëpër botë, ata që ende nuk i kanë shëruar plagët nga lufta e deridjeshme dhe ende nuk e kanë tejkaluar trishtimin që ua solli ajo luftë!

    Kuptohet nuk mund të mos e përcjell edhe atë që ndodhë në Shqipëri. Dhe e shoh Kryeministrin e atjeshëm, i cili i drejtohet popullit nga Surreli, dhe i cili edhe në këto rrethana gjen kohë ta reklamojë vetveten, të ironizojë me opozitën duke i rekomanduar që jo vetëm duart, por t’i lajë edhe sytë, t’u tregojë qytetarëve në cilën orë të mbrëmjes të mbyllen nëpër shtëpitë e veta, thuajse ai e dinë se virusi Covid-19 punon në ndërrimin e natës.

    Dhe sa herë që e shoh me atë pamje si i dalë nga shpella them: o Zot dyfishoje kujdesin dhe mëshirën ndaj mëmëdheut tim sepse, përpos se nga kjo pandemi, ai është i lënë pa Gjykatë Kushtetuese, e pa shumë institucione tjera që janë shtyllat e një shteti, sepse në mëmëdheun tim nuk dihet se vallë politika e drejton mafinë apo mafia politikën dhe se, mëmëdheu im nuk është i rrezikuar vetëm nga kjo pandemi, por edhe nga virusi i quajtur ‘Rilindja’ e Piktorit, i cili tani, si kurrë më parë, ndjehet si pronar i vetëm i vendit!

  • Nga Basir ÇOLLAKU – Mediet, vrasësit me pagesë qeveritare

    Nga Basir ÇOLLAKU – Mediet, vrasësit me pagesë qeveritare

    Në regjimin e diktatorit, tej viteve 90-të, kishte disa gazeta, sigurisht me filtër partie e sigurimi, kryesisht një zgjatim shërbimi, në funksion të gjithëkontrollit. Zëri i Popullit, Zëri i Rinisë, Bashkimi, Mësuesi, Drita, gazetat e vaktit të qoftëlargut kishin shpesh shkarje qortuese brenda sistemit, më tepër se 90 për qind e medieve sot, në raport me nënshtrimin ndaj pushtetit. Sot mediet më së shumti ato tradicionale, pa lënë mënjanë pjesën masive të atyre sociale, janë biznes qeveritar, ku informacioni dhe gjithnjë e më shpesh programacioni, servilosen kryeministrit e ministrave, apo rrinë duke qëndisur porositë e tyre. Ato gjithnjë e më përsëritshëm po i bëjnë opozitë borderosh qeverisë, duke ndërtuar me të një marrëdhënie ekonomike, një harmoni interesash financiare.

    Mediet kombëtare kanë dalë nga binarët e gjithëpërfaqësimit, duke u vëtëpërfshirë në sektorin fason të informacionit. Janë bërë prodhuese të një tjetër realiteti, duke gatuar kriza larg qeverisë e pushtetit, në bashkëpunim të detajuar me të, për ti siguruar asaj mbështetje, në sajë gënjeshtrash. Për 90 për qind e kusur të këtyre medieve, Shqipëria është anëtarësuar në BE, Rama është lider Global, Veliaj është bashkiak global, ministrat janë të hatashëm, më të mirët e 30 viteve. Opozita fajtorja kryesore kur punët e qeverisë nuk ecin mirë. Mbi 1 milionë shqiptarë kanë braktisur atdheun për arsye astronomike, e jo pamundësi jetese shërbimesh dhe ekonomike. Trafiku i drogës është minimizuar, ne kemi marrë edhe vend të dytë e të tretë krahas vendit të parë të mbajtur prej vitesh. Sot falë mbështetjes së pushtetit, ia kemi dalë që grupet tona mafioze e kriminale të furnizohen vetë me kokainë në Ekuador, Venezuelë, Kolumbi, kudo në vendet prodhuese në Amerikën Latine, duke mos pasur më vartësi nga shpërndarësit e mëdhenj të para dhjetë viteve. Bana King e simotrat e saj shkarkojnë në Durrës, apo Rinas edhe ndonjë banane mes kokainës, trailerat e kamionët dalin e shkarkojnë sikletet e kthehen sërish për të bërë letrat. Bedelët mendimtarë me tekste të furnizuara në bordero, krehin bishtin ramë-fugë-Veliajt, duke habitur dhe paguesit për zellin kapërcyer.

    Kryeministri dhe qeveria e tij korruptojnë numrin një të kundërzbulimit të FBI dhe mediet në Tiranë e shohin si sukses këtë ngjarje cenuese të sigurisë kombëtare amerikane, sipas përcaktimit në senat të prokurorit federal. Inceneratorët për shumicën e medieve, ishin listë pagash e reklamash, duke qepur gojën investiguese e denoncuese, për shkërmoqjen e mbi 1 miliard eurove taksa publike. Plaçkitja e pronave, kafshimi kanibal bregdetit, e së fundmi zonave të mbrojtura. Botuesit në Shqipëri, pronarët e mediave kombëtare e lokale, në mbi 90 për qind të tyre janë:

    Ndërtues pallatesh, fitues tenderash, koncesionesh, investitorë strategjikë, fshatrash turistikë, një dorë nga dëmet e tërmetit, një tek zgjedhjet e pushtetit, tjetrën të vilat e ziafetit, projekte nga donatorët e huaj, me ndërmjetës qeverinë, qokaxhinj të inceneratorëve, përfitues në fshehje pasurie, evazion fiskal, punonjës pa kontrata në të zezë, paga me dy palë bilance, e mjaft mëkate të tjera. Rrinë kurriz përkulur ndaj Erion Veliajt, numërojnë me të pemë imagjinare e ajër Zvicre në Tiranë, verbohen nga betonizimi, e plaçkitja e lulishteve, kinemave, teatrove, me firmën e tij. Nga këta nuk pret opozitë askush mbi faqe të këtij dheu. Nxjerrin me orë live torollakë nëpër ekrane sepse kanë etiketën sipër rrobave ministër apo bashkiak, në vend të sallam, mish lope, tru gomari, apo ngordhësirë kriminale. Ata janë eunukërisht të kapur në pamundësi për t’iu vënë kundër, bamirësit të tyre kryeministër, njëherësh krye-keqbërësit të shqiptarëve Edi Rama.

  • Nga Enver BYTYÇI – Një postulat i Fan Nolit shprehur në metamorfozën ‘magjike’ të Enver Hoxhës dhe Edi Ramës!

    Fan Noli ka thënë shumë postulate. Por njëri prej tyre është më domethënësi. Ai shkruan se ‘Këtu (në Shqipëri) tradhtari bëhet brenda natës si me magji patriot dhe patrioti shpallet tradhtar’! Duke e arsyetuar dhe analizuar në thelbin e vet këtë fenomen, më shkoi mendja në dy shembuj nga qeverisja e pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri.

    Njëri ka të bëjë me metamorfozën e ish-diktatorit shqiptar, Enver Hoxha, pas prishjes së Jugosllavisë me Stalinin dhe Bashkimin Sovjetik. Dhe tjetra lidhet me një lloj metamorfoze të kujdesshme e më të ngadaltë të Edi Ramës në marrëdhëniet e tij me të njëjtin aktor, Serbinë, pas krisjes së marrëdhënieve të Aleksandër Vuçiq me faktorin euro-amerikan. Vini re: Hoxha i prish me jugosllavët pas denoncimit të Stalinit kundër tyre! Rama ka filluar të mbajë formalisht distancë me serbët pas ftohjes së marrëdhënieve Perendim-Vuçiq!

    A ka një përqasje me atë që thoshte Fan Stilian Noli të sjelljes së këtyre dy personazheve politike të Shqipërisë në dy kohë të ndryshme? Le të shpjegohemi:

    Ish- kryeministri, njëkohësisht ministër i Jashtëm dhe ministër i Mbrojtjes i Shqipërisë i periudhës 1944-1948 ndërtoi një marrëdhënie vasaliteti me Jugosllavinë dhe me Josip Broz Titon. Kjo marrëdhënie shkoi deri atje se udhëheqësi komunist shqiptar të propozonte Titon si kryetar të Partisë Komuniste Shqiptare, të nënshkruante marrëveshje skllavëruese me Beogradin e në fund, në mars të vitit 1948 t’i kërkonte me shkrim liderit komunist jugosllav, duke shtruar pyetjen se ‘kur do të kryhej procesi i bashkimit të Shqipërisë me Jugosllavinë’. Pra se kur Shqipëria do të bëhej Republikë e 7-të e Federatës Jugosllave të AVNOJ-it.

    Më 28 qershor 1948 diktatori sovjetik, Josif Visarionoviç Stalin, dërgoi letrën e ahstuquajtur të Informbyrosë së kampit socialist, në të cilën dënonte udhëheqjen komuniste të Jugosllavisë për ‘tradhti ndaj marksizëm-leninizmit’ dhe me akuzën për ‘bashkëpunim me imperializmin’! Kjo letër u dërgua nga Stalini në ditën serbe të Shën Vidovdanit, pra të Betejës së Fushë Kosovës dhe atentatit serb kundër princit austro-hungarez të kurorës në Sarajevë, Franz Ferdinand dhe gruas së tij, Sofisë. Qëllimi i diktatorit sovjetik ishte që të nxiste serbët kundër Titos.

    Enver Hoxha e shfrytëzoi këtë letër dhe si me magji ‘hoqi dorë’ nga tradhtia me jugosllavët dhe u shfaq si ‘patriot i klasit të parë’! Për hir të së vërtetës, shumica e shqiptarëve e besuan. Ai akuzoi Koçi Xoxen dhe bashkëpunltorët e tij për tradhti në bashkëpunimin me Titon. Mjaftoi ky akt metamorfoze, që shqiptarët jo vetëm ta besojnë, por edhe ta mëshirojnë diktatorin shqiptar, për ‘rrezikun që ai paska përballuar’! Kjo metodë u përdor deri në muajt e fundit të jetës së tij. Vrasje, krime, eleminim fizik i bashkëpunëtorëve më të ngushtë të tij, nga Liri Belishova e deri te Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu. Një tipologji metodike e ‘suksesshme’ e tij për t’u heq si ‘shpëtimtar’ i Shqipërisë dhe si viktimë e ‘armikut të brendshëm’!

    Si për çudi, e njëjta tipologji politike u ndoq nga viti 2013 e deri më sot nga kryeministri i sotëm, Edi Rama. Ai e nisi qeverisjen në mënyrë të ngjajshme si ajo e diktatorit Hoxha. Më 1 prill 2013 nënshkroi në Shkodër në prani të ish-presidentit serb, Boris Tadiq, marrëveshjen e koalicionit me LSI-në e Ilir Metës. Dhe bashkëqeverisën katër vite së bashku. Ndërkaq politikën e nënshtrimit ndaj Beogradit e vijoi në modelin e viteve 1941-1948.

    Në tetor 2013 u luajt në Beograd një ndeshje midis kombëtares së Shqipërisë dhe kombëtares se Serbisë. Stadiumi i shndërrua në një arenë dueli politik. Qeveria dhe mediet serbe e promovuan Olsi Ramën si nacionalistin shqiptar që ideoi dhe organizoi ngritjen e dronit të Ballist Morinës mbi stadium. Për këtë shkak Rama fërkonte duart në Tiranë. Po fitonte kapital politik nacionalist. Po bëhej jo vetëm ‘patriot’, por ‘heroi i nacionalizmit’!

    Mbas një muaji, nëntor 2013, Rama shkoi për vizitë zyrtare në Beograd. Edhe kjo vizitë u propagandua si vazhdim i vizitës së fundit të një kryeministri shqiptar, asaj të Enver Hoxhës në vitin 1946. Bisedoi me kryeministrin Vuçiq për dy orë kokë më kokë. Ndërsa kur doli në konferencë shtypi kërkoi që Serbia ta njohë shtetin e Kosovës. Kryeministri serb thirri publikisht ‘Provokacija, provokacija’! Ndërkaq një gazetar i afërt me Ramën e mori këtë dhe e bëri logo të emisionit të tij televiziv. Për këtë shërbim Rama atë e dërgoi ambasador të Shqipërisë në Zvicër. Te shumë shqiptarë e sidomos në Kosovë kjo deklaratë e Edi Ramës në Beograd u prit me duartrokitje e brohoritje. ‘Rama u bë papritmas patriot i madh’, ‘më i madhi ndër të gjithë kryeministrat e mëparshëm’! ‘Më i madh edhe se Ismail Qemali’! Priti madje që njerëzit të mblidheshin në sheshe dhe të thërrisnin ‘Rama është babai i kombit’!

    Por çfarë ndodhi më pas?! Kur Rama mendoi se mori përfundimisht medaljen e patriotit u rikthye në origjinë. Në origjinën e vet si individ, por edhe në origjinën e të parëve të tij. Ata që e njohin mendësinë e Edi Ramës e thanë që ditën e dytë të vizitës së tij në Beograd, se gjithçka qe inskenuar qëllimisht pët t’i dhënë njëri-tjetrit (Rama dhe Vuçiq) kredite nacionaliste në vendet e tyre. Unë pata shkruar dhe pata thënë se ky akt është pjesë e një skenari që do t’i kthehet në bumerang Kosovës. Fatkeqësisht ndodhi ajo që prisja.

    Por nuk vazhdoi gjatë ‘patriotizmi’ i Ramës. Fillimisht nisi retorika e marrëdhënieve të mira midis Tiranës zyrtare dhe Serbisë. Këto marrëdhënie të mira u motivuan ‘për nevojën për paqe në rajon’! U tha se fqinjësia e mirë (pa qenë fqinjë) më Serbinë garanton jo vetëm paqen në Ballkan, por edhe normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë. Skeptikët, ku bëj pjesë edhe unë, reaguan.

    Megjithatë Edi Rama nuk u ndal. Fillimsht përkrahu idenë e Vuçiq për ta krijuar Jugosllavinë e Re, me projekt si republikë të saj edhe Shqipërinë. Por Vuçiq-it kjo iu duk pak. Pa se me Ramën mund të zbatonte projekte më të mira! Në nëntor 2016 ai i propozoi kryeministrit të Shqipërisë idenë e ‘shkëmbimit të territoreve midis Serbisë dhe Kosovës’, në fakt të ndarjes së shtetit më të ri në Europë. Kësaj radhe në Nish. Prej aty shkuan në Beograd dhe promovuan librin e kryeministrit shqiptar të titulluar ‘Kurbani’, të përkthyer në gjuhën serbe. Nuk u mor vesh kush e botoi dhe kush ishte përkthyesi. Por serbët u shërbyen me një libër që predikon përçarjen e shqiptarëve. Ky ishte qëllimi i përkthimit dhe botimit.

    Enver Hoxhaj dhe Hashim Thaçi u thartuan. Thanë se ‘nuk pranojmë paternalizëm nga qeveria e Tiranës për çeshtjen e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë’! Por nuk vonoi shumë dhe pas dy muajsh, diku nga shkurti 2017, këshilltari i Thaçit, Bekim Çollaku, njoftoi publikun që të bëhej gati për ‘kompromis të dhimbshëm’! Pas kësaj u bë e njohur se Thaçi kishte rënë dakord t’ia jepte Serbisë veriun e Kosovës. Reaguan forca të shumta politike e jo politike në Kosovë e në Shqipëri. Sali Berisha ishte në pararojë të kundërshtimit të këtij projekti të Serbisë së Madhe. Debati u zhvillua i ashpër. Rama kaloi ylberin e ‘patriotit’ dhe u bë ‘tradhtar’. Në këtë rol mori në Berlin hartën e dy shteteve, Serbisë e Kosovës, dhe në prezencë të Merkelit e Macronit tregonte me gisht bashkë me Thaçin e Vuçiq-in se cilat do të ishin territoret që do t’i jepeshin Serbisë.

    Kur ky projekt dështoi, Rama vazhdoi ‘tradhtinë’ e tij me akordin midis tij, Vuçiq dhe Zaev për të krijuar Minishengenin e tranfsormuar më vonë në Open Balkan. Thelloi aq shumë marrëdhëniet e tij me Beogradin, sa në çdo rast, madje edhe në samitet ndërkombëtare, kritikonte Prishtinën dhe Albin Kurtin dhe e bëri Kosovën fajtore për diversionet serbe kundër Kosovës. Aq shumë u ngjiz me presidentin e Serbisë, sa kur fliste Rama nuk dallohej nëse po fliste kryeministri i Shqipërisë, apo presidenti i Serbisë, gjithnjë në mbrojtje të Serbisë. ‘Tradhtia’ vijoi me entusiazëm. Shkoi deri atje sa zoti Rama t’i akuzonte kundërshtarët e projektit të tij me Vuçiq të ndarjes së Kosovës e të Open Balkan, si ‘tradhtarë’ dhe veten ta quajë ‘mesia kumbarë’ midis shqiptarëve dhe serbëve e madje edhe midis Beogradit nga njëra anë dhe Brukselit e Uashingtonit nga ana tjetër.

    ‘Ne tradhtarët’ u ndjemë keq, sepse po na akuzonte për të tillë një person që mori në mbrojtje Serbinë dhe presidentin e saj kur ai përgatiste plane për akte terroriste në Kosovë dhe vazhdonte aleancën e ngushtë me Rusinë. Po na akuzonte ai që quhet kryeministër i Shqipërisë. Ndërkohë do të ndjehemi akoma më keq, kur Edi Rama të bëjë metamorfozën tjetër, por jo edhe të fundit.

    Tani që Perendimi po sheh se Aleksandër Vuçiq është problemi dhe zjarrvënësi i Kosovës dhe Ballkanit, Rama ka nisur të distancohet me të. Natyrisht jo menjëhershëm siç Enver Hoxha u distancua nga Tito. Rama po largohet me shumë kujdes. Përmend Reçakun, por nuk ia mban të bëjë përgjegjës për të as Milosheviçin, jo më ministrin e kasapit të Ballkanit, Aleksandër Vuçiq-in! Përmend nevojën për pajtim dhe kritikon Beogradin pse mbajti zi për terroristët, por nuk pranon të hartojë dhe miratojë një rezolutë në parlament për genocidin serb në Kosovë! Thotë se ngjarja në Banjskë ishte akt kriminal, por nuk do të pranojë se ishte edhe akt terrorist. Rama vazhdon të bëjë shërbime më të kamufluara për Beogradin, siç ishte rasti i projektit të Asosacionit, të cilin pa u konsultuar me autoritetet e Prishtinës ia dërgoi kancelarit Scholz dhe presidentit Macron.

    Në fakt as Enver Hoxha nuk qe distancuar plotësisht nga Jugosllavia e Titos. Shërbimet sekrete të të dy vendeve bashkëpunuan deri në fund. Të njëjtën gjë bën edhe sërbimi sekret i Edi Ramës me atë të Aleksandër Vulin. Tregtia midis Shqipërisë e jugosllavisë vazhdoi pandërprerje. Kjo po ndodh masivisht me Edi Ramën. Pas ngjarjeve të Pragës në gusht 1968 Enver Hoxha bëri thirrje për aleancë ushtarake me Jugosllavinë, si preteks se ndoshta sulmon Bashkimi Sovjetik. Ndërsa Rama nuk ka heq dorë ende nga aleanca politike me Beogradin! Ngjashmëritë dhe përdorimi i të njëjtave metoda janë karakteristika themelore midis Enver Hoxhës dhe Edi Ramës.

    Poblikisht edhe Enver Hoxha hidhte akuza dhe kritika kundër Jugosllavisë. Sidomos pas vdekjes së Titos. Fjalimi i tij në Kongesin e 8-të të PPSH-së shihet prej enveristëve si ‘patriotizëm i pastër’ i ish-diktatorit shqiptar. Por ama as atij nuk ia mbajti të mbajë fjalime të tilla sa kohë ishte gjallë bashkëpunëtori i tij i viteve 1940, Josip Tito. Edi Rama ka filluar të bëjë deklarata ‘patriotizmi’ dhe mund ta thellojë këtë retorikë në kërkim të rolit të ‘patriotit’! Ai e di se ne shqiptarët kemi një kujtesë vetëvrasëse dhe mbajmë mend vetëm fundin e filmit. Pra do të shënojmë në memorie retorikën ‘patriotike’ të ‘patriotit të madh’, Edi Rama! Kjo do ta motivojë atë që të ‘bëhet patriot’, si me magji e brenda natës! Mos u çuditni kur ne të tjerëve të na shpallë ‘tradhtarë’! Por ama sa kohë të jetë në jetë Aleksandër Vuçiq, ai do ta ruajë vijën e kuqe! Sepse presidenti serb është dëshmitar i keq për kryeministrin e Shqipërisë!

    Ky është një nga shembujt më të spikatur të asaj çfarë na ka lënë si trashëgimi Fan Noli. Mesa duket kjo është arsyeja pse Rama kur ishte në opozitë shfaqej si fanolist i thekur, ndërsa gjatë qeverisjes së tij gati 11 vjeçare, thuajse nuk e ka përmend asnjëherë atë!

  • Nga Serge JULY’ – Basti i Makronit

    Nga Serge JULY’ – Basti i Makronit

    Bashkë me shpërndarjen e parlamentit dhe organizimin e një referendumi, emërimi i një kryeministri të ri është një nga mjetet në dispozicion të presidentit të republikës franceze për të rinisur aksionin e tij, atë të ngritjes në sondazhe dhe për të urtësuar opinionin publik.

    Midis mundësive të ndryshme, ndryshimi i kryeministrit ishte zgjidhja më e menjëhershme dhe më pak e rrezikshmja.

    Kjo zgjedhje përshkruan situatën në të cilën ndodhet Macron sot. Presidenti është i detyruar të qeverisë pa një shumicë në parlament dhe mbijeton falë nenit kushtetues që i lejon ekzekutivit të miratojë ligjet edhe pa votën e parlamentit. Për më tepër, projektligjet që arrijnë të kalojnë në trekëmbëshin e parlamentit janë të dobësuar dhe të mangët në ambicie, pra shpesh janë për t’u rishkruar. Kështu, zgjedhjet evropiane në qershor dukej se vinin në kohën më të keqe për Macron. Vota evropiane dhe pasojat e saj në nivel kombëtar rrezikonin humbjen e koalicionit të tij dhe të prishnin fazën e fundit të mandatit të tij.

    Duke përshpejtuar ndryshimin e gardës në krye të qeverisë, Emmanuel Macron do të tentojë të përmbysë parashikimet në zgjedhjet europiane, duke përfituar nga risia e garantuar nga kryeministri, duke vlerësuar njëkohësisht potencialin e tij si pasardhës i mundshëm.

    Gabriel Attal, në fakt, është figura e vetme e kampit të tij që ka sukses të madh në sondazhe. Kjo e bën një kafshë të rrallë dhe e bën atë shpëtimtarin e mundshëm të mbretërimit makronian.

    ________________________________

    Serge July, Libération, Francë

    Përgatiti për gazetatjeter.net: Dardan MITROVICA

  • Nga Kim MEHMETI – Mbamendje është e shkruara!

    Mbamendje është ajo që mbetet e shkruar e jo ajo që na e rrëfejnë gjyshet tona. Andaj edhe është thënë se të mençurit lënë pas vetes shkrime, e ata tjerët llafe, të cilat i merr era apo dalëngadalë zbehen dhe e ndryshojnë të vërtetën.

    Edhe të vërteta për Ballkanin dhe ne shqiptarët në të janë ashtu siç ato shpeshherë janë përshkruar nga të tjerët. Për çka edhe ndodh që ne të habitemi pse intelektualët perëndimorë nuk i njohin të vërtetat tona, duke harruar se librat nga të cilat ata kanë mësuar për popujt e këtyre hapësirave, përfshi edhe shqiptarët, kryesisht janë të autorëve serbë.

    Andaj ne shqiptarët duhet të bëjmë çmos që ta desërbizojmë të vërtetën për Ballkanin dhe për shqiptarët në të, duke e shqiptarizuar atë me të vërtetat tona. Gjë që mbi të gjitha duhet ta bëjnë historian[t, por edhe të gjithë tjerët që mjet pune kanë penën.

    Letërsia serbe është me përplot vepra që flasim për heroizmat serbe dhe ‘barbarizmat’ shqiptare, ndërkaq në letërsinë tonë nuk ka mjaftueshëm krijime as për mizorit e fundit serbe mbi shqiptarët e Kosovës.

    Shteti serb ka investuar që këto vepra të përkthehen dhe të botohen në gjuhë të huaja duke e përhapur kështu të vërtetën për vetveten dhe të tjerët kudo ku kanë mundur.

    Dhe kështu sot e kësaj dite shumë të vërteta për shqiptarinë bota i mëson nga autorët tjerë e jo nga ato shqiptarë. Madje edhe ne vet kemi filluar që fytyrën tonë kolektive ta shohim me syzat serbe dhe në mos më shumë të sillemi thuajse çdo gjë e jona varet nga Beograd.

    Me çka edhe u arrit ajo që pretendonte Serbia: që ne, për shembull, të shlyejmë nga mbamendja se sa herë revolucionarët dhe rilindësit tanë e kanë pasur ngushtë në vendin e tyre, të kërkonin e gjenin strehim në Sofje, Budapest, Stamboll, SHBA e madje edhe në Egjipt, por thuajse kurrë jo në Beograd.

    Dhe jo vetëm aq, por ‘zhurma’ serbe neve na bëri thuajse të harrojmë se përtej të vërtetave që i shpërndan për ne Beogradi, ka edhe të tjera të autorëve të njohur botëror që janë marrë me Ballkanin duke qëndruar me vite në këtë troje dhe duke lënë përshkrimet e veta të mbështetura mbi fakte.

    Andaj ndoshta është koha e fundit që ato vepra të përkthehen në gjuhën shqipe dhe të sillen nëpër bibliotekat tona që kështu ta begatojmë mbamendjen tonë për vetveten dhe të tjerët rreth nesh.

    Me çka edhe do e kuptojmë se si u bë të harrojmë, për shembull, se Sanxhaku është tokë shqiptare dhe në të është folur shqip deri vonë. Apo si u bë dhe harruam që pronarët e tokës përcaktohen nëpërmjet asaj se cilën gjuhë flasin të gjallë që e banojnë atë.

    Ndër autorët që kanë shkruar për Ballkanin është edhe  Johann von Hahn i cili gjatë udhëtimit të tij të parë nga Beogradi deri në Selanik, gjatë vjeshtës së vitit 1858, merret edhe me të dhëna etnografike dhe gjuhësore mbi rajonin e lumit Morava.

    Kështu në veprën e tij “Reise von Belgrad nach Salonik”, 1861, pasqyrohen të dhëna etnografike dhe gjuhësore mbi shpërndarjen e vendbanimeve në rajonin e Moravës sa i përket përbërjes etnike të popullsisë e që përcaktojnë kufirin gjuhësore midis shqipes, bullgarishtes dhe serbishtes në vitet 50-ta të shekullit XІX si dhe pasqyrojnë përbërjen etnike të shumë vendbanimeve sipas rajoneve, e që kanë përfshi pellgun e Toplicës me 84 katunde shqiptare, 32 katunde serbe, 20 katunde bullgare, 11 katunde shqiptaro-serbe dhe 10 katunde bullgaro-shqiptare; pellgun e Pusta Rekës me 17 vendbanime shqiptare, 3 katunde bullgare, 1 katund serb dhe 3 katunde bullgaro-shqiptare; pellgun e Jabllanicës me Medvegjën me 33 katunde shqiptare dhe 30 katunde bullgare; pellgun e Veternicës me 26 katunde bullgare, 12 katunde pa të dhëna për etninë, 7 katunde shqiptare; pellgun e lumit të Moravës së Sipërme me 65 katunde bullgare, 49 katunde shqiptare, 11 katunde serbe, 19 katunde shqiptaro-bullgare dhe 7 katunde shqiptaro-serbe.

    I kësaj natyre është edhe punimi i Gustav Weigand me titull  “Ethnographie von Makedonien” 1924), në të cilën përcaktohen kufijtë gjuhësorë mes popujve të këtushëm e ku ai shkruan se “Nga mali Gramos, diku te Dardha, kufiri gjuhësor shqiptar bën një kthesë të mprehtë kah lindja përafërsisht te Liqeni i Kosturit dhe pastaj shkon në veriperëndim përmes skajit jugor të Grykës së Prespës deri te skaji jugor i Liqenit të Ohrit, bregu perëndimor i të cilit nga Pogradeci deri te Piskupi është shqiptar; pastaj ai (kufiri) ndjek qafën e Malit Mokra pikërisht në veri deri te Boroveci, rreth 12 km në veri të Strugës”

    Një përshkrim shumë të hollësishëm për zonën e kontaktit gjuhësor midis bullgarishtes dhe shqipes ka dhënë edhe studiuesi rus Afanasij Selishçev. Ai ka marr pjesë në  ekspeditën ruse shkencore në këto troje gjatë vitit 1914.  Shkrimet e tij pasqyrojnë  dialektet bullgare në këto hapësira, duke i përcaktuar  zonat e kontaktit midis shqipes dhe bullgarishtes.

    Dhe nuk janë vetëm këta studiues që kanë lënë vepra të shkuara për gjuhën shqipe, për shqiptarinë dhe ndërlidhjet e saja me të tjerët. Ka edhe plot vepra tjera të kësaj natyre që duhen  marr nëpër duar nga studiuesit tanë dhe që duhet përkthyer në gjuhën shqipe me çka ato do e plotësojnë mozaikun e të vërtetave për ne dhe të tjerët rreth nesh. Edhe atë jo me pretendime të tregohemi atë që nuk jemi, por përkundrazi që të qartësohet se cilët jemi.

    Më në fund duke mbajtur mend të shkuarën tonë  ne edhe do e shohim më qartë sa  jemi të gatshëm që të mos lejojmë ajo të na përsëritet dhe si të ruajmë miqësitë me popujt miq e si t’u kundërvihemi atyre që i ndjellë gjaku shqiptar, atyre që duan të na shfarosin ngaqë na ndjejnë si pasqyrë ku e shohin fytyrën e vet të vrastarit dhe vetveten si zaptues të tokave tona.