Blog

  • Nga Alfred LELA – Heshtja e Ramës diçka më thotë

    Nga Alfred LELA – Heshtja e Ramës diçka më thotë

    Kur pyeta një amerikan, rezident në Shqipëri se, ç’mendon për intervistën e Ahmetajt, mu përgjigj me një kundrapyetje: Çfarë do të kishte ndodhur në Amerikë nëse, ta zëmë, Nancy Pelosi ose Kamala Harris do të kishin ikur, le të themi në Singapor, dhe prej aty të lëshonin akuza të forta kundër presidentit Biden?

    Të paktën një impeachment kundër Biden dhe, më e pakta fare, një reagim i Presidentit, dhe shumë të tjerëve në departamentet e qeverisë amerikane.

    Por, nuk jemi në Amerikë dhe nuk ka ndodhur asgjë e tillë.

    Komunikimi publik mban si aksiomatike tezën se, në raste krizash apo akuzash, nëse nuk reagon, edhe nëse nuk je fajtor je duke e marrë përsipër fajësinë. Në këto kushte, a është fajtor Rama, apo duke zgjedhur të mos reagojë, ngase nuk e njeh komunikimin publik!?, po merr përsipër një faj që nuk e ka?

    Që të jemi praktikë deri në fund faji është i dyllojtë. Faji për aktin që ke kryer në kundërshtim me rregullat apo ligjet, dhe faji në të cilin je aktor i dorës së dytë apo tretë, pra bashkëfajtor, aksesor etj. Ka edhe një lloj të tretë faji, që njihet si fajtor nëpërmjet bashkëshoqërimit apo, në anglisht guilt by association.

    Pra, Rama nuk ka faj, por thjesht shoqëria me Arben Ahmetajn e fut në faj.

    Nëse ka nga ata që, për të shfajësuar Ramën zgjedhin këtë pistë të tretë, do të kundërshtohen nga logjika.

    Së pari, sepse aktori i madh në këtë bashkëshoqërim nuk është Ahmetaj, por Rama. Është ky i dyti shefi i të parit dhe kryeministër i vendit. Pra, në çdo rast është Rama që mund të akuzohet si për faj, si për bashkëfajësi. Faji merr kuptim prej fuqisë apo pafuqisë. Në dyshen e ushtrimit tonë, Rama-Ahmetaj, është kryeministri që e ka fuqinë dhe e ushtron pushtetin, jo e kundërta.

    Së dyti, edhe në rastin kur Ahmetaj mund të ketë ngrënë dardha pas shpinës së tij, Rama ka përgjegjësinë publike që të ndahet prej zëvendësit të tij. Do të thotë e shkarkon dhe në të njëjtën kohë shpall edhe arsyen e shkarkimit. Fakti që nuk e bëri i ka dhënë mundësinë z. Ahmetaj të plotësojë narrativën publike me tezën e tij se e larguan për ta bërë kokë turku (dhe dy duar për një krye janë). Përpjekja e Ramës për ta ndarë qeverisjen e tij nga Ahmetaj, duke lënë SPAK ta veçojë si mollën e kalbur në pirgun si kokrra e mollës të qeverisë, do të kishte funksionuar nëse ish-zëvendësi i tij do ta kishte ulur kokën para dënimit. Këtë nuk kishte llogaritur Rama. Përndryshe do ta shpallte fajtor që në fillim, duke e shkarkuar për korrupsion dhe duke e flakur në kthetrat e SPAK. Skema që Ahmetaj të bëhej kurban dhe të pranonte të shkonte në të s’ëmës për partinë i kishte funksionuar me Sajmir Tahirin, me Alqi Bllakon apo Taulant Tushën. Me sa duket, një gjirokastriti si Ahmetaj nuk mund t’i hahen gorica pas shpine.

    Këto janë arsyet pse Rama hesht. Së pari, sepse i ka konsumuar lëvizjet në prapaskenë dhe nuk i ka mbetur më asgjë për skenën. Po të kishte zgjedhur pistën e parë, ta shkarkonte për korrupsion, ai do të kishte folur me aktin dhe do të fitonte të drejtën e heshtjes.

    Por, ka edhe një arsye të dytë. Rama është i detyruar të heshtë, sepse Ahmetaj e ka detyruar. Nëse Rama flet, i jep të drejtë Ahmetajt të flasë edhe më shumë. Nëse Rama flet është duke regjistruar material falas për shërbimet inteligjente që përmendi Ahmetaj.

    Kështuqë, kryeministrit dhe të tijve, u intereson të heshtin. Të paktën deri të dielën kur PS mbledh Asamblenë dhe dikujt, askujt më shumë se Ramës, i takon të thotë diçka. Qoftë një përsëdytje kërcënimi për ata që prishin unitetitn, që shkofshin në të s’ëmës, qafirët!

    Janë disa ditë parapërgatitje për të thyer heshtjen e zhurmës që shkaktoi intervista e ish-zv/kryeministrit. Në mos për të folur me fjalë të paktën me akte. Për shembull duke gjetur një kokë turku, që zë vendin e kokës, tashmë zvicerane, tashmë neutrale, tashmë orë që nuk gabon në numërimin e fundit, të Arben Ahmetajt.

  • Ambasadori Hovenier, si minues i pavarësisë së Kosovës

    Ambasadori Hovenier, si minues i pavarësisë së Kosovës

    “Për çdo gjë që vendos Kosova, SHBA-të dhe BE-ja e kundërshtojnë ose kërkojnë shtyrjen e vendimit”, komentoi pak ditë më parë njohësi i zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer, duke shtuar se një politikë e tillë minon sovranitetin e vendit. Serwer iu referua zbatimit të një rregulloreje të Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit serb në pagesa me para ta gatshme, të cilën po e kundërshtojnë BE dhe SHBA.

    Pikërisht në këtë linjë që fshikulloi ish diplomati dhe analisti u soll të shtunën ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier. Ai deklaroi se veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës, në lidhje me dinarin serb dhe mbylljen e komunave paralele serbe, janë duke rritur panevojshëm tensione etnike dhe si pasojë ia kufizojnë mundësitë Shteteve të Bashkuara për ta mbështetur atë në arenën ndërkombëtare.

    Policia kosovare ka mbyllur katër komuna paralele ilrgale serbe, në Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë.

     “Institucioni i vetëm i Serbisë brenda Republikës së Kosovës do të jetë ambasada e saj në Prishtinë”, tha në mënyrë provokuese ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.

    Marrëveshjapër normalizim e 2013, e nënshkruar nga Kosova dhe Serbia parashikon mbylljen e këtyre institucioneve publike paralele që financohen me denarë serbë.

    Pikërisht për këtë Banka Qëndrore e Kosovës vendosi të fusë në fuqi, në 1 shkurt, masat për ndalimin e qarkullimit të dinarit dhe kryerjen e pagesave përmes tij. Më pas policia në zbatim të këtij vendimi bëri sekuestrime në strukturat paralele ilegale.

    Një gjë e tillë ashtu sikurse pritej shkaktoi furtunë në Beograd.

    Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç dënoi operacionet e policisë. “Enklavat në Kosovë janë sulmuar pas vendimit që është vetëm formalisht vendim nga e ashtuquajtura Banka Qendrore e Kosovës, në thelb ky është vendimi i Albin Kurtit”, tha ai.

    Dhe në dilemën mes zbatimit të ligjeve të një shteti sovran dhe ruajtjes të stabilitetit fallco në rajon, ambasadori i SHBA, ka zgjedhur, si gjithnjë në mënyrë të përsëritur, këtë të dytën.

    Hovenier shprehu shqetësimin e tij për “konfiskimin e dinarëve serbë” nga Policia dhe kërkoi që masa për ndalimin e dinarit të shtyhet për një kohë tjetër.

    “Ne shpresojmë se autoritetet e Kosovës sigurohen që ato pagesa do të arrijnë pa vonesa te individët tek te cilët ishin nisur ato”, tha ai.

    Ambasadori amerikan e përsëriti thirrjen që Kosova t’i zgjidhë çështjet në lidhje me strukturat e mbështetura nga Serbia në bisedime me Serbinë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian duke kërcënuar se në të kundërtën ajo do të humbistë mbështetjen e vendit të tij.

    Dhe fiks këtu qëndrimi i një burokrati zyrtar amerikan bie ndesh me idenë e një bashkatdhetari të vet, që gjykon në mënyrë të lirë dhe pa vargonj.

    Daniel Serwer duke komentuar vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin thotë: “Unë mund ta kuptoj që “15 vjet pas pavarësie banka konsideron se është koha e duhur për të zbatuar ligjin. Ky nuk është një problem i madh, por një çështje e vogël, e cila ka rëndësi simbolike për çështjen e sovranitetit”.

    Sipas tij është kjo lloj politike për interesat e momentit bën që “çdo gjë që vendos Kosova, SHBA-të dhe BE-ja, ose e kundërshtojnë ose kërkojnë shtyrje”, duke sjellë si pasojë e minimin e sovranitetit të një vendi “që të zbatojë ligjet e veta”. Pra, po e hoqe lupën nga segmenti i vogël i një momenti, duke e lënë atë të zmadhojë krejt pikturën, e kupton se burokratë liliputë si, Jeff Hovenier e kanë gabim. Ata janë të prirur ti thonë jo më voglit, vëtëm nga frika se nuk kontrollojnë dot Serbinë. E kështu ata jo vetëm minojnë në afatgjatë sovranitetin e një vendi, por bashkë me të edhe vendimin amerikan të një dekade e gjysëm më parë, që e njeh Kosovën si të pavarur.

  • Nga Enver BYTYÇI – Franca dhe kryqëzimi i historisë me ngjarjet e sotme!

    Më tre dhe katër shkurt të vitit 2000, d.m.th 24 vjet më parë, filloi masakra dhe dëbimi i shqiptarëve nga Mitrovica e Veriut. Kjo ndodhi pasi serbët u armatosën nën mbykëqyerjen e KFOR-t francez dhe vendosën kontrollin e tyre tek Ura e Ibrit.  Dje u përkujtuan 10 viktima shqiptarësh të atyre dy ditëve shkaktuar nga rojat e Urës së Ibrit. Asokohe këto banda të Serbisë vrisnin shqiptarë të pafajshëm, ndër ta edhe fëmijë, me qëllim spastrimin etnik të shqiptarëve në veri të Mitrovicës, ndërkohë që ato ishin nën mbrojtjen e KFOR-it francez. Franca vetëm formalisht ishte pjesë e koalicionit euro-atlantik dhe pjesmarrëse në bombardimet e NATO-s kundër Serbisë për çlirimin e Kosovës. Dhe pas 24 vitesh, po dje, Franca i bëri zyrtarisht ultimatum Kosovës dhe qeverisë së saj, që kjo të heq dorë nga heqja e përdorimit të dinarit serb e të vazhdojë ta përdorë atë si monedhë këmbimi. Gjë që dëshmon se ky vend i rëndësishëm europian, edhe pse Ballkani kërcënohet seriozisht nga një konflikt dhe luftë europiane për shkak të ndërhyrjes e influencës ruse, vazhdon të mbështesë marionetën e Rusisë, Serbinë.

    Në fakt vrasja e dhjetë shqiptarëve të pafajshëm nga bandat kriminale serbe në sy të ushtarëve dhe oficerëve francezë të KFOR-it është diçka që nuk krahasohet me kërkesën gati ultimative të Parisit për të lejuar monedhën serbe të dinarit në Kosovë. Por simbolika është vërtet shumë domethënëse. Ndërsa Parisi bën presion në dobi të prezencës serbe në Kosovë, Berlini shpalli në të njëjtën ditë një qëndrim krejt të kundërt. Po dje ministri për Europën i Gjermanisë, Michael Roth, tha se përdorimi i euros nga serbët në Kosovë është një veprim normal dhe kundërshtoi përdorimin e dinarit të Serbisë. Madje u shpreh se edhe Gjermania nuk përdor dollarë amerikanë, por euron. Dollari është valutë që këmbehet me euron.

    Ndërkaq mbrëmjen e djeshme kryeministri Albin Kurti bëri një veprim simbolik, por të pazakontë. Darkoi me ambasadorin britanik në largim nga Kosova. Ishte kjo shprehje e afërsisë dhe mbështetjes së pakufishme të Londrës në politikat e qeverisë dhe kryeministrit të Kosovës, gjë që e dëshmoi ministri i Jashtëm David Kameron në fillim të janarit, madje si askush tjetër në këto kohë të turbullta në Europë e në rajon. Interesant, Britania, megjithëse gjeografikisht përtej Francës, pra më larg Rusisë, është e shqetësuar shumë më tepër se ajo për ndikimin rus në Ballkan dhe rolin destabilizues të Serbisë. Franca jo! Edhe pse ajo rrezikohet para Londrës.

    Gjithkush i kupton sentimentet franceze ndaj Moskës dhe Kremlinit, sepse është një histori shumë shekujsh bashkëpunimi e bashkëveprimi deri në ditët e sotme. Por që një vend si Franca, me një demokraci të zhvilluar dhe klasë politike të pjekur, të vendosë si prioritet marrëdhëniet e ngushta me presidentin rus Vladimir Putin dhe aleatët e tij serbë, në vend se të punojë me Kosovën dhe aleatët e tjerë europianë për ta kundërshtuar linjën politike destabilizuese Beograd-Moskë, kjo vërtet që është një absurditet i pazakontë. Po lemë Kosovën dhe interesat e saj me një anë. Supozojmë se këto interesa nuk ekzistojnë. Po a ekziston një interes europian për paqe, stabilitet dhe siguri të qëndrueshme?! Sigurisht që po. Atëherë pyetja tjeter shtrohet se kush e garanton këtë në Ballkan: – Kosova, shqiptarët, apo Serbia dhe serbët?! Kush janë aleatët e Europës, Shteteve të Bashkuara, NATO-s në përballjen me rrezikun rus, shqiptarët, pra Kosova, apo Serbia e Aleksandër Vuçiq?!

    Çdokush me pak mend dhe logjikë të zhvilluar e di se shqiptarët, veçmas Kosova, janë aleatë të natyrshëm të Perendimit. Ndërsa Serbia dhe serbët në Ballkan janë kalë Troje i Vladimir Putin në rajonin tonë. Atëherë pse Franca, e cila është pjesë e aleancës perendimore, kujdeset kaq shumë për interesat serbe në Kosovë dhe jo për ushtrimin e të drejtës kushtetuese të saj?! Dikush mund të thotë se Parisi “ka frikë nga ndonjë përshkallëzim i ri midis Kosovës dhe Serbisë”! Kështu thonë dhe filofrancezët e filoserbët në mediet shqiptare në Kosovë e në Shqipëri. Po Gjarmania nuk paska “frikë”?! Gjithashtu Britania e Madhe dhe vende të tjera të kontinentit europian, që përkrahin qëndrimet konstitucionale e ligjore të qeverisë së Kosovës nuk kanë “frikë” nga ky lloj përshkallëzimi?!

    Është shumë e lehtë të sajosh alibinë e qëndrimeve pro-serbe, për të fshehur thelbin e atyre qëndrimeve. Por është vështirë të garantosh paqen dhe stabilitetin europian përmes politikave të Kollonës së Pestë në Europë. Po kujtoj lexuesin: – Nëse Sarkozi dhe politika franceze nuk do të shkonte në Kremlin të bekonte pushtimin e Krimesë nga Moska më 2014-ën, ndoshta 24 shkurti i vitit 2022 do të ishte evituar dhe Ukraina do të ishte në paqe. Franca e ndikoi edhe Angela Merkelin që të kundërshtonte pranimin e Ukrainës në NATO, gjë të cilën presidenti Bush ishte i gatshëm ta bënte. Dhe sot, kur Rusia dhe Serbia përmes konflikteve ballkanike kërcënojnë seriozisht paqen e stabilitetin në Europë, Franca akoma vijon të t’i mbështesë këto synime anti-europiane. Eshtë më mirë për Europën, nëse Parisi shpall një aleancë të radhës me Moskën kundër Bashkimit Europian dhe vetë kontinentit tonë!

  • Nga Basir ÇOLLAKU – Po mbrohen VIP-at e ‘SKY ECC’ në qeveri-drejtësi? Paditet Ina Rama…

    Nga Basir ÇOLLAKU – Po mbrohen VIP-at e ‘SKY ECC’ në qeveri-drejtësi? Paditet Ina Rama…

    Ard Veliu, ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, e më pas zëvendësministër, por sërish drejtues i mbikëqyrjes policore, ai për të cilin Rama edhe po të dilnin 500 mijë vetë në shesh, nuk e dorëzonte, u dorëhoq dhe shkriu në heshtje, sikur po shkonte në plazh. Akuza të shumta, bazuar në të dhëna të përsëritura mediatike, kanë deklaruar se Veliu ishte një ndër përdoruesit e aplikacioneve të koduara SKY-ENCRO. Dosjet e dinë, por ende nuk po flasin.

    Tre ditë më parë, tashmë ish-kreu i Gardës së Republikës, Gramoz Sako, është dorëhequr, e lajmi është fikur rrugës. Sërish dyshimet vërtiten rreth SKY, por djegiet shkojnë gjithandej.

    KLP emëroi këshilltare ditë më herët, bashkëshorten e prokurorit Xhevahir Lita, arrestuar në operacionin “Metamorfoza”, një histori e madhe telefonash pazaresh, vrasjesh, ende pa dënime fajësie. Përmbush kriteret dhe aplikimi ka nisur para arrestimit të bashkëshortit, është shpjegimi i thatë i qeverisë së prokurorisë. KLGJ ka pasur në gjirin e saj partiak një tjetër anëtar të sajin, mik të “Metamorfozës”, garant i punëve delikate në këmbime ndersh, por Prokuroria e Posaçme nuk shkoi dot aq afër ta ndalonte e bënte pjesë hetimi, për ta përballur me përfshirjen në keqbërje.

    Tigri, luani, sorkadhet, hienat e sistemit po bëjnë kërdinë pa u trazuar nga kolegët me dijeni e me dosje nëpër duar. Sërish një gjyqtar i rëndësishëm, në dosje përmendet se ka kërkuar dhe marrë 500 mijë euro për të mbaruar punë biznesmenit. Edhe ai rrëshqiti, e kaloi vetingun, nuk e pickoi asnjë hetues apo prokuror për ta marrë të pandehur. Sot duhet të ishte në qeli. Fashikujt e shumtë ku gjendet episodi i tij, do të jenë strukur në ndonjë sirtar për të ndjekur pistën si të sillet. Rrethi i tij në drejtësinë me demek të re, është i zgjeruar deri në majë të piramidës.

    Një ministër ishte kontakt i disa të pandehurve dhe arrestuarve edhe në grupin e chatist-ëve SKY. Punëmbaruari zyrtar ligjëron si luftëtar antikrim, pavarësisht zhytjes personale në këtë pusetë. Asgjë rreth qeveritarit të përveçëm nga prokurorët e posaçëm.

    Ina Rama dhe Mimoza Tase janë dy anëtare të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, të paditura në Prokurorinë e Posaçme me 15 dhjetor 2023, për shpërdorim detyre. Akuzohen se kanë favorizuar prokurorin Julian Xhengo në veting dhe dyshohet se kanë zhdukur informacione për subjektin e rivlerësimit në bashkëpunim. Sërish heshtja nga hetimi, lë dyshime ndikimi. Ndonëse ka një raport zyrtar të bërë publik prej 53 faqesh, ku prokurori Julain Xhengo rezulton i përfshirë hapur në korrupsion me të pandehurit. Inspektorati i Lartë i Drejtësisë pret ndonjë ankesë me shkrim për të parë detaje rreth kësaj historie, sepse në versionin kryesisht ka pamundësi shikimi.

    Vitin e kaluar një tjetër anëtare e kësaj Gjykatë Apelimi u shfajësua me ndikim diplomatik pasi prokuroria e kishte akuzuar për “falsifikim të dokumenteve’ dhe “refuzim për deklarimin, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”. Shkalla e Parë, gjyqtari Erion Bani, në procesin e rivlerësimit të të cilit komisionerja Çiftja, ka qenë pjesë e trupës, vendosi më herët ta klasifikonte kundërvajtje administrative pretendimin e prokurorëve.

    Taulant Balla vajti në Europol, por lajme kishte më pak se për gjoba biçikletash e këmbësorësh. Diku, dihet përse nuk solli asnjë triumf kronikash kjo vizitë. Duket se takimet e pritshme u rrëzuan rrugës, ndoshta nga gjetjet e çuditshme gjatë udhës për t’u bërë ministër.

    Ndërkohë çunat në Dubai presin te Nusreti e drekojnë e darkojnë qetësisht me kripën e florinjtë, për të mbështetur investimet e çdo lloji në Shqipëri intensivisht. Një marrëveshje ekstradimi nuk e duan ortakët politikë në Tiranë.

    Pa hyrë më tej te sekëlldia e Edi Ramës në komunikimet telefonike me Charles McGonigal, ku aplikacionet mund të dalin surprizë dhe frikë.

    Inceneratorët lëshojnë tym në Tiranë, zjarr në offshore, duke nxjerrë tek-tuk edhe hi të shtuar rus.

  • Nga Kim MEHMETI – ‘Shqipëritë’ tona i ka zënë dhe i ka mbuluar ‘harami’ i hajdutërisë!

    ‘Shqipëritë’ tona nuk janë të rrezikuara nga spektaklet që i ka e gjithë bota e ku ‘budallenjtë’, të paturpshmit e të pamoralshmit bëjnë garë mes vetes për ‘çmimin e madh’ dhe ku ata shpallen ‘modele’ suksesi të shqiptarisë, as pse aq shumë u shlyen tabutë sa së bashku me to u zhbë edhe turpi, por pse u bëmë shoqëri ku fati i të diturit, të ndershmit e të moralshmit është në duart e injorantit dhe hajdutit.

    E keqja e ‘Shqipërive’ tona nuk ka të bëjë me ekranet ku garojnë mes veti gjinjtë e cullakosur me dhjetëra kilogram silikon në to dhe vithet e zhveshura ‘njëtonëshe’ të mbushura me dhjamë ‘maceje’, por me të vërtetën e dhembshme se jemi bërë shoqëri ku nuk ka thuajse asnjë vlerë truri i ‘bukur’.

    Po pra, e keqja e ‘Shqipërive’ tona nuk buron nga ‘investitorët’ që e shpërblejnë shthurjen, paturpësinë dhe amoralin, por pse e prumë punën deri aty sa i riu shqiptarë të mos lumturohet kur dikush e shpërblen me ndonjë bursë për të studiuar në Perëndim, por kur ia mbulojë harxhimet për ta bërë trupin si të porsalindur nga kirurgu.

    Dhe ‘Shqipëritë ‘ tona së pari herë nuk janë të rrezikuara nga asnjë armik i jashtëm apo i brendshëm, por nga sasia e madhe e lekëve të fituar pandershëm, nga hajdutët e pushtetshëm që u bënë ‘modele’ suksesi dhe si të tillë investojnë shumë për ta bindur rininë tonë se nuk të vlejnë gjë aftësitë personale e as dituria, por leku që të bënë të bukur e të mençur edhe  kur je i budalla i shëmtuar.

    Shkurt e shqip: ‘Shqipëritë’ tona i ka zënë dhe i ka mbuluar ‘harami’ i hajdutërisë dhe pandershmërisë, mbase shkaku se në to nuk ka mjaftueshëm ‘buldozerë’ të mençurisë, të ndershmërisë dhe të atdhetarisë, e që do mund ato t’i pastronin nga ky pleh që është duke e ‘kalbur’ më të vlefshmen që kishte dhe që ka shqiptaria – familjen!

  • Nga Alfred LELA – Arben Ahmetaj, ose bijtë që hanë Rilindjen

    Nga Alfred LELA – Arben Ahmetaj, ose bijtë që hanë Rilindjen

    Intervista e Arben Ahmetajt, për Çim Peka Live në SyriTV, mund të ketë shuar kureshtje, nga ato që nuk i kënaq dot as Big Brother, por ka hapur edhe disa plagë. Jo vetëm te të përmendurit, ata që u nënkuptuan, por krejt ngrehina e Partisë Socialiste, ajo që Edi Rama pagëzoi si “Rilindja” në vitin 2013.

    Ajo që tha Ahmetaj ‘kur ta marrin vesh shqiptarët se Edi Rama dhe Partia Socialiste nuk janë e njëjta gjë, ndoshta do të jetë shumë vonë”, nuk ka si të jetë e vërtetë. PS dhe Rama janë, në fakt, e njëjta gjë, por se çfarë gjëje janë, ky është debati.

    Të paktën sipas asaj që na tha Ahmetaj- e të tjera që me gjasë mund të thotë në vijim-, Rama nën strehën e Rilindjes dhe kjo nën të PS, janë përgjegjës të drejtpërdrejtë për Shqipërinë si vend, apo për shndërrimin e atdheut të përbashkët në atë që njihet si ‘shtet i dështuar’ (failed state).

    Edhe pse incineratorët morën pjesën më të madhe të intervistës së gjatë, mbi xeherorët e tyre shkëlqyen diamante të tjerë, që e shpjegojnë strukturalisht atë që Rilindja i ka bërë këtij vendi përgjatë një dekade. Ahmetaj zbuloi psh një qëndrim të tijin mbajtur në një retreat qeveritar, që lidhej me mosdakordësinë me kanabizimin e vendit. Mundet ose jo të jetë e vërtetë, por çka vlen është se, një socialist ka menduar si shumë zëra opozitarë ose të pavarur që, thuajse me dëshpërim, i kanë rënë kambanave të kanabizimit të vendit për kaq vite rresht.

    Vendi po paguan sot haraçin dhe haramin e atij vendimi anti-kombëtar i cili lejoi që industria, bujqësia dhe turizmi kryesor i vendit për 4-5 vjet të ishte mbjellja, përpunimi dhe eksporti i cannabis sativa. Industria e lehtë e cannabis-it krijoi një eldorado të pasurimit të shpejtë që,  në këmbim, ushqeu shumë iluzione ekonomike dhe shoqërore. Kur ethja e kanabisit kaloi dhe përfituesit e mëdhenj e diversifikuan ‘portofolin’ e investimeve, duke kaluar në ndërtim apo droga të rënda, çka mbeti ishin ata me peshën e një iluzioni. Meqë Shqipëria nuk j’ua ushqente më, ata morën rrugët e mërgimit. Jo rastësisht, të rinjtë shqiptarë zgjidhnin Britaninë e Madhe, sepse atje mund të punonin në një industri që e njihnin mire: ‘shtëpitë e barit’. Rilindja, pasi e prodhoi, e ricikloi këtë kontigjent, duke kërkuar amnisti fiskale për ata që ministri Damjan Gjiknuri quajti ‘çunat e Londrës’.

    Ky ishte kriminalizimi i dytë më i madh që iu bë shoqërisë shqiptare gjatë qeverisjes së Ramës (i pari është kriminalizimi elektoral). Aspak paradoksalisht, gjithë aksioni i pasurimit të elitës së re përreth Rilindjes, u zhvendos te lojrat e fatit, shëndetësia, kriptomonedhat dhe call centers. Të gjitha industri efemere, diçka mes shërbimeve dhe teknologjisë (IT). Të vetmet ‘industri të rënda’, që u përvijuan si fitimprurëse, ishin ndërtimi dhe mbetjet. Kullat e larta, që e vranë pëfundimisht sky line-in e Tiranës, dhe gjithashtu mushkëritë e qytetit, dhe tre inceneratorët (virtualë), jo vetëm prodhuan të ardhura për një grusht njerëzish të lidhur me qeverinë, por edhe kundërthënie tronditëse.

    Secila prej këtyre industrive pati martirët (viktimat) dhe heronjtë (famëkëqinj që të dy) e vet. Një ilustrim i të parëve është Ervis Martinaj dhe i të dytëve Amant Josifi (vini re se të parët janë kundër Ramës dhe të dytët të tijtë). Pati, sigurisht, edhe kategorizime të mesit të tabelës, si psh Ilir Beqja, që nuk u bë as viktimë dhe as hero, duke mbetur, sipas gjithë gjasave, një hajdut i shtrenjtë.

    Arben Ahmetaj është diçka mes të dyjve, një gjysmë-viktimë dhe një gjysmë-hero, një qenie e ndërmjetme në mitologjinë e mbrapshtë të Rilindjes, në krye të së cilës (Zeus, siç e quajti bilalesha e qeverisë) qëndron Edi Rama.

    Arben Ahmetaj, në intervistën e të enjtes, shfaqi pak a shumë, vullnetin për të mos e lënë Rilindjen që ta hante (ai përmendi vdekjen, sipas një motivi të huazuar nga seriali “Vikingët”-një fis i lashtë nordik, edhe ata viktima dhe heronj të historisë). Këtu, keni pak a shumë një rimarrje të temës së ‘revolucionit që ha bijtë e vet’. Ish- zv/kryeministri u shfaq mbrëmë në një rol të përmbysur të ngjarjeve dhe të historisë: biri i revolucionit (Rilindjes) që kërkon të hajë revolucionin.

    Ky është një epilog tipik shqiptar, sepse historia na mëson se e kundërta është norma: revolucioni i ha bijtë e vet. Por nuk është epilogu (mbyllja), por prologu (nisja) që e bën të ndryshme Rilindjen nga revolucionët e tjerë. Ajo nisi mbi premisën jo për ta bërë Shqipërinë, por për ta sunduar apo zhavtur. Revolucionet, si rregull, edhe pse degjenerojnë rrugës (përfshi të komunistëve të Enver Hoxhës) u nisën mbi dëshirën apo iluzionin për të bërë diçka më të mirë.

    Slogani informal i Rilindjes ishte ‘aleanca e qelbësirave’. Pra, jo një bashkim vullnetar i më të mirëve për më të mirën, siç janë kryesisht këto nisma, por kush të mundet, dhe me çdo kusht, për të marrë pushtetin.

    Kjo prodhoi këtë cyborg qeveritar që ekspozoi Arben Ahmetaj në rreth 2 orë intervistë. Ish-numri 2 i qeverisë së Rilindjes, u kthye si biri që vjen për të ngrënë revolucionin, shenjë refuzimi për të përfudnuar vetë në nofullat e tij.

    Në këtë pikë ai mund të jetë një trim, një i marrë ose, pse jo, një pioner. Sidoqë të jetë aktori, akte të tilla zakonisht paralajmërojnë fundin e revolucionit. Nuk ka rëndësi nëse ai i ha të bijtë apo të bijtë e hanë atë. Në çdo rast, dhe pavarësisht siluetës që ka viktima, është era e qelbësirës që mbetet dhe duhma e saj që na e bën me dije se fundi është afër. Ata që bëjnë zhurmë janë korbat, siç ndodh përmbi të gjitha kërmat.

  • Nga Klodian TOMORRI – Oktapodi

    Menjëherë sapo Taulant Balla u emërua ministër i brendshëm, një nga vendimet e para që mori ishte shkarkimi i shefit të Operacionales në Policinë e Shtetit, Oltion Bistri. Zoti Balla kishte arsye të forta për ta shkarkuar Bistrin, të cilat do të zbuloheshin vetëm pak ditë më vonë.

    Pasi ish-shefi i operacionales u arrestua nga SPAK për përfshirje në grup kriminal në të ashtuquajturën dosja Metamorfoza, në media rrodhi një tjetër lajm tronditës. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore kishte kallëzuar në prokurorinë e Tiranës Forcën e Posaçme Operacionale, pasi ishte zbuluar se në këtë strukturë përdorej një linjë e paligjshme përgjimi.

    Linja ishte ngritur nga vetë zoti Bistri për të përgjuar eksponentë të lartë të qeverisë dhe biznesit. Mes tyre Arben Ahmetajn, biznesmenin Irfan Hysenbelliu dhe vetë Taulant Ballën. Përgjimet kryheshin për llogari të një figure tjetër të lartë të maxhorancës, që aktualisht është një nga tre njerëzit me të pushtetshëm të Shqipërisë.

    Përgjimet e rivalëve brenda llojit për ta përdorur informacionin si shantazh apo për të ngjitur shkallët e hierarkisë janë karakteristikë tipike e organizatave mafioze. Por jo e vetmja.

    Në shtator të vitit 2019, Top Channel sajoi në programin e vet investigativ Top Story një emision që godiste Ditmir Bushatin për pasaportat diplomatike. Disa muaj më parë në të njëtin emision ishte goditur Fatmir Xhafaj, Niko Peleshi dhe Taulant Balla.

    Kohë më vonë filluan të dilnin në sipërfaqe intrigat pas emisioneve. Pasi qeveria udhëroi prishjen e Prestige Resort, Irfan Hysenbelliu deklaroi publikisht se kryeministri i kishte kërkuar të godiste një nga ministrat e tij të jashtëm. Bëhej fjalë pikërisht për Ditmir Bushatin. Por ajo që me sa duket nuk u realizua në Neës 24, u sajua me pasaporta në Top Story.

    Arben Ahmetaj deklaroi të enjten në intervistën e tij për Çim Pekën se të gjitha emisionet që godisnin figurat e maxhorancës porositeshin nga e njëjta dorë. Nga udhëheqësi i partisë. Në fakt, konfidencialisht këtë e thonë të gjithë të prekurit. Por kjo ishte e parë që u tha publikisht.

    Përgjimet dhe shantazhet janë një biznes gjerësisht i përhapur brenda Rilindjes. Në të gjitha sferat. Brenda dhe jashtë llojit. Pak ditë më parë, një drejtor i rëndësishëm i Bashkisë së Tiranës ka darkuar me një gazetar. I pranishëm në darkë ka qenë dhe një biznesmen i njohur në fushën e ndërtimit. Aty është përgatitur terreni për të shantazhuar një prokuror të SPAK, i cili po heton një dosje sensitive.

    Hetimi është për një kompani, e cila ka ndërruar disa herë pronësi dhe emër. E denoncuar për herë të parë publikisht nga Belind Këlliçi, kompania aktualisht mban akronimin 5D, që disa e përkthejnë si 5 drejtorët.

    Kjo kompani nga hiçi u shndërrua në një nënkontraktor miliona eurosh i Bashkisë së Tiranës dhe disa nga adresat e saj përkojnë me bizneset e drejtorëve të rëndësishëm në bashki.

    Xhovani Falkone dikur pati thënë si mund të shmangim të flasim për shtetin nëse flitet për mafian. Pra mafia është shteti. Ose shteti është mafia. Tashmë kjo po u bëhet gjithmonë e më qartë të gjithë shqiptarëve. Rilindja është një Oktapod. Por të enjten për herë të parë dikush e theu Kodin e Heshtjes. Mafia është një fenomen human. Dhe ashtu si çdo fenomen njerëzor ka një cikël me fillim dhe fund. Shpresa e vetme është që fundi i saj të mos përkojë me fundin e Shqipërisë./KAPITALI

  • Nga Erion DASHO – Punë plehrash

    Nga Erion DASHO – Punë plehrash

    Afera korruptive më skandaloze dhe vjedhja më e madhe në historinë e Shtetit Shqiptar është nga fillimi në fund një çështje plehrash; duke nisur nga objekti i trajtuar prej saj që në gjuhën e përditshme etiketohet me termin përbuzës “plehra” dhe duke përfunduar tek ata që e stisën këtë aferë, të cilët alegorikisht etiketohen prej shumë vitesh me të njëjtin term.

    ***

    Besoj të gjithë e mbajnë mend krizën pothuajse permanente të mbetjeve në Italinë fqinje. Kur qeveritë antimafia të pas viteve ’90 u përpoqën të kalonin procesin e trajtimit të mbetjeve nga duart e mafies drejt biznesit serioz, kriza arriti kulmin.

    Askush nuk guxonte të konkurronte me mafiozët të cilët kishin krijuar perandori me vlerë qindra milionë eurosh nëpërmjet aferës fitimprurëse. Plehrat mbushën rrugët duke bërë praktikisht të pabanueshëm Napolin dhe shumë qytete të tjerë të Italisë Jugore.

    Qeveria e Boratit vuri mend nga ajo që ndodhi në Itali. Rreziku nga lënia e biznesit të mbetjeve në dorë të mafiozëve, mund ta kthente çështjen e djegësve në një çështje që mund të digjte rilindjen dhe vetë Boratin.

    Zgjidhja u gjet!

    Në vend që të liheshin plehrat në dorën e mafies dhe të rrezikohej një ditë kolapsi, u kthye qeveria në mafie dhe, sikundër kolegët e tjerë të Mafies, Ndragetës dhe Cosa Nostrës, nisën të merreshin me të njëjtën punë, pra me plehrat.

    Kësisoj shqiptarët mund të rrinë të qetë për sa kohë votojnë mafiozët e rilindjes me në krye Boratin. Plehrat do t’i kenë në qeveri, ndërsa rrugët do t’i kenë të pastra nga plehrat e përditshme.

    ***

    Ndërkohë shqiptarët dëgjojnë “Tigrin” kur shpjegon skemat e padëgjuara të vjedhjes nga ai vetë së bashku me ish ortakët tashmë të kthyer në armiq, duke komentuar “Po ç’na tha Tigri të re?!”

    Normal që Tigri dhe askush tjetër nuk mund të thotë më tepër se sa ka thënë opozita në 8 vitet e fundit përditë dhe me forcë. Tigri nuk bëri tjetër veçse konfirmoi akuzat duke u vënë vulën e besueshmërisë.

    Është tani në dorën e shqiptarëve të zgjedhin, do të ulin kurrizin dhe të pranojnë këtë megaaferë plehrash që kutërbon nga kilometra larg, apo do të reagojnë ndaj saj sot me protestë dhe nesër me votë.

    Për ta çuar shtetin e plehrave aty ku e ka vendin, në koshin e plehrave të historisë…

  • Nga Nga Basir ÇOLLAKU – Ahmetaj çon në të sëmës Ramën, Veliajn, e reformën në drejtësi…!!!?

    Nga Nga Basir ÇOLLAKU – Ahmetaj çon në të sëmës Ramën, Veliajn, e reformën në drejtësi…!!!?

    Arben Ahmetaj zëvendësi i Edi Ramës, nisi rrëfimin e pjesshëm nga Zvicra, në intervistë dhënë për Syri tv për Çim Pekën, duke nxjerrë lakuriq shefin e tij të djeshëm, disa kolegë ministra, kryebashkiakun Veliaj, si dhe disa vrima të zeza në drejtësi, duke kanosur realisht kërcënuesit e tij.

    Së pari:

    Zëvëndësi i Ramës e nisi me mosbesimin ndaj drejtësisë së re.

    Të gjithë e dinë tha ndër të tjera Ahmetaj, si bëhet vetingu diku me një mesazh emëroheshe dhe shkarkoheshe, a një telefon. Duke zhbërë dhe ndërkombëtarët e ojq-ve fasadë sehirxhinjsh përfitues pensionesh, komisionesh, e enocionesh në Shqipëri.

    Në KPK mesazhet mbërrinin te Genta Bungo, Pamela Balluku motra e zëvëndëskryeministres aktuale?!?

    Në KPA telefonat Sky të qeverisë dërgonin mesazhet tek Ina Rama, Albana Shtylla, Sokol Çomo?

    Pa lënë mënjanë Dvoranin e Sadushin?!

    Këtu ka të vërteta që i kam hasur e denoncuar prej gjashtë vitesh. Mos u habisni për këtë hibrid drejtësi.

    Së dyti

    Kanosja për jetën nga burgu, ku janë shumë ortakë të pushtetit, kërcënimet verbale, si dhe kanosja në qeveri e parti, ku Rama ka thënë se kush prish unitetin, shkon në të sëmës. Për këtë ai kish njoftuar tre shërbime sekrete të vendeve partnere, ku USA vështirë se mungon. Dhe kjo nis e realizohet nëpërmjet SPAK, në korridoret e të cilit, prokurorët tremben se Ahmetaj po del i pafajshëm.

    Së treti

    Debati për kanabizimin e Shqipërisë ku kundërshtisë së tij si ministër treguan se Rama nuk e reagoi, e kishte projekt të tijin, duke manipuluar me Lazaratin. Kjo sjell dhe përfshirjen e ambasadorëve të cilëve u kishte ikur zëri. Lu, Vlahutin, Soreca, Kim, e dinë vetë çfarë ka prodhuar heshtja. Ndoshta jo siç thotë populli heshtja është flori.

    Së katërti

    Erion Veliaj pronar i inceneratorit të Tiranës sepse Ahmetaj solli shembuj ku kryebashkiaku jepte porosi kush duhej të paguante e kush jo nga kompanitë. Gjithashtu ai zbuloi pronarët e inceneratorit të Tiranës, për të cilët Prokuroria nuk e dinte ku dhe kush janë. Blerim Hoxha dhe 20 përqindëshi ofshore, kapërcenin në kuota dominuese. Mirel Mërtiri sipas ish zëvëndësit të Ramës i është marrë biznesi dhe është larguar.

    Së pesti

    Edi Rama ngjashëm pronar inceneratori në Tiranë, ndoshta 40 përqindëshi i mbetur dhe ndënjë racion në ofshore. Eco Parku pronë e familjarëve të Ramës. Edi Rama qoftengrënës dhe zaptues trojesh e lejesh në tokë, parqe, në det e gjithkund, për klientët e tij. Përdorja e televizioneve me reportazhe kundër Ahmetajt, Bushatit, Xhafës, Peleshit..

    Së gjashti

    Belinda dhe Erioni sekserë të reformës nëpër ambasada duke fajësuar zëvëndësin e Ramës. Ulsiu i heshtur duke mbajtur karriken, Damianin kurban se e mbrojti, Çuçin që shfajësohej se nuk të ndjekim ne po SPAKU…

    Këto deklarime të zëvëndësit të Ramës janë veprime të një ORGANIZATE KRIMINALE. Këtë duhet të çojë në të sëmës SPAK-u…

    “Tigri” i qeverisë tha se “Luani” i qeverisë shefi i Ahmetaj, çon në të sëmës Ramën, Veliajn, e reformën në drejtësi…!!!?

    Këto deklarime të zëvëndësit të Ramës janë veprime të një ORGNIZATE KRIMINALE. Këtë duhet të çojë në të sëmës SPAK-u…

    “Tigriit” i qeverisë tha se “Luani” i qeverisë shefi i tij mund ta vrasë por ai nuk do heshtë..

    Vrasje e paralajmëruar, miliardat paguajnë jo për ta ndaluar !!!?!!??

    Mafia dhe qeveria Rama ngjajnë si dy pika ujë, sa vështirë të dallosh kush është qeveria, apo Mafia kush është.. !! i tij mund ta vrasë por ai nuk do heshtë..

    Vrasje e paralajmëruar, miliardat paguajnë jo për ta ndaluar !!!?!!??

    Mafia dhe qeveria Rama ngjajnë si dy pika ujë, sa vështirë të dallosh: kush është qeveria, apo Mafia kush është.. !!

  • Enver BYTYÇI – Një qendër spiunazhi e zbuluar në Prishtinë dhe shumë të tjera qendra spiunazhi mediatike e politike të pandëshkuara!

    Një qendër spiunazhi ka vepruar prej vitesh e ndoshta dekada në qendër të Prishtinës e madje në kufi me tri institucione shumë të rëndësishme të sigurisë së Kosovës. Ajo u zbulua dhe u bastis njëkohësisht dje nga policia e Kosovës. Spiunazh i maskuar me të drejtën e ushtrimit të veprimtarisë civile si organizatë joqeveritare. Tre persona janë marrë në pyetje dhe nuk dihet se si do të përfundojë kjo odise dhe çfarë do të zbulojnë më tej hetimet. Nuk e dimë nëse janë sekuestruar kompjuterët dhe mjetet e tjera të komunikimit në duart e këtyre personave. Por gjithkush shpreson së kësaj radhe shteti është aty dhe vepron me seriozitet të plotë.

    Po të pyesësh Lajçakun, Borrelin, ndoshta e Christofer Hill-in, këta do të thonë “prisni, mos godisni! Nuk duhet ta provokojmë Serbinë”! Pra, dua të them se kjo qendër spiunazhi në mes të Prishtinës dhe në afërsi me institucione të rëndësishme të sigurisë, si policia dhe prokuroria, ka vepruar e patrazuar, e qetë dhe pa shkujdesje, sepse ajo është mbrojtur nga politika e Kosovës së mëparshme dhe madje nga vetë agjencitë e zbatimit të ligjit, gjithnjë “në emër të lirisë”. Duke qenë kështu, goditja që dha policia dje me siguri se do të kritikohet nga europianët dhe amerikanët si “nxitje e konfliktit me Serbinë”, ndoshta edhe “si ndërhyrje në lirinë e lëvizjeve qytetare”!

    Edhe çesthja e dinarit serb u trajtua me këtë gjuhë. Ndërkombëtarët si Lajçak u pozicionuan pro Serbisë e në shkelje të kushtetutës së Kosovës. Dhe sa herë këta dalin kundër kushtetutës së shtetit të Kosovës, më shkon ndërmend se kjo pjesë e ndërkombëtarëve po mendon për ndryshimin e saj. Ose po përpiqet që ta rikthejë Kosovën sërishmi nën sovranitetin e Serbisë. Ndërkaq këtij qëllimi i shërbejnë edhe qendrat e spinazhit serb e rus në Kosovë: – Ta zhbëjnë pavarësinë, lirinë dhe shtetin e Kosovës.

    Ajo që e bën më të trishtë situatën diversioniste të shërbimeve sekrete ruse e serbe në Kosovë lidhet me faktin se po punohet për destabilizimin e saj. Janë bashkuar të gjithë spiunët dhe armiqtë e Kosovës e të shqiptarëve, me qëllim të pengojnë procesin e pakthyeshëm të shtetësisë së Kosovës. Këtë ata e shohin si kushtin themelor të dëmtimit të interesave shqiptare, por besoj edhe perendimore, në Ballkan. Vetëm pengimi dhe zhbërja e Kosovës e ndal dhe e dëmton në mënyrë të pariparueshme interesin tonë kombëtar dhe mbyll perspektivën e paqes e të stabilitetit në rajon e më gjerë. Pikërisht këtë po synon Beogradi ta arrijë në Kosovë, fatkeqësisht edhe me ndihmën e disa diplomatëve perendimorë, të cilët ende besojnë se më lëshime në Kosovë e zbusin oreksin serb të krijimit të Serbisë së Madhe. Po ashtu me ndihmën e spiunëve politikë e mediatikë shqiptarë!

    Zbulimi i qendrës së spiunazhit në afërsi të institucioneve të sigurisë së Kosovës në fakt nuk është befasi. Spiunët serbë në trevat tona shqiptare tashmë flasin hapur në çdo studio televizive shqiptare pro Serbisë dhe pro presidentit të saj, Aleksandër Vuçiq. Ata i dallon menjëherë kur përsërin pafund kritika ndaj qeverisë dhe kryeministrit Kurti me kërkesën e tyre që të bëhën lëshime ndaj kërkesave të ndërkombëtarëve, të cilët nuk bëjnë tjetër, veçse përcjellin kërkesat e institucioneve serbe në Kosovë. “Nigoni! Une po jua tham se Albini ka me ba lshime. Nuk ka kah shkon”! Kjo është retorika e përnatshme dhe e përditshme e gramafonëve të Aleksandër Vuçiq në studio televizive shqiptare.

    Në këtë armosferë analistët shqiptarë e pro-serbë në mediet tona kanë shërbyer e po shërbejnë si suport i padiskutueshëm për grupet e spiunazhit serb e rus në Kosovë e pse jo edhe në Shqipëri e në Maqedoninë e Veriut. Dhe pas analistëve qëndrojnë disa politikanë. Ose disa që hiqen si politikanë, por që në fakt luajnë rolin e sharlatanit, si ai Arifi i Preshevës, që me naivitetin e përkushtimin e qenit besnik ndaj Vuçiqit, ia tërheq mikrofonin dhe flet kundër qeverisë së Kosovës në emër të Christofer Hill! Nuk kam parë skenë më të turpshme se atë. Dhe jam i bindur se edhe ambasadori amerikan në Beograd u turpërua me aktin paturp të Shqiprim Arifit.

    Shqiprimat janë kudo te ne. Në Prishtinë, në Tiranë, në Shkup e Tetovë, ndoshta edhe në Podgoricë e Ulqin, jo vetëm në Preshevë. Ata janë logjistika politike e mediatike e qendrave të spiunazhit, si ajo që u zbulua në qendër të Prishtinës. Por me këta nuk merret askush. Nuk reagon askush kur banditë politike e mediatike shqiptare sulmojnë Vjosa Osmanin e albin Kurtin, pse këta mbrojnë kushtetutën e Kosovës, lirinë e pavarësinë e saj, shtetësinë e arritur me aq shumë sakrifica dhe flijime!