Blog

  • Nga Alfred LELA – Bashkimi që zhbën pafuqinë (dhe armiqtë e tij)

    Nga Alfred LELA – Bashkimi që zhbën pafuqinë (dhe armiqtë e tij)

    Gazment Bardhi me orbitën e deputetëve mbështetës, pas 2 vitesh e kanë riquajtur shtëpi selinë qendore të Partisë Demokratike, duke e zhvilluar aty mbledhjen e grupit parlamentar, bashkë me kolegët e “Rithemelimit”. Pas bashkimit në parlament, lëvizja e djeshme certifikoi përfundimisht se cila është Partia Demokratike reale, dhe kush e mban peshën dhe tagrin e negociatës në emër të popullit demokrat.

    Bashkimi nuk u prit mirë gjithandej dhe kjo, në fakt, është një favor që i bëhet diskurit publik dhe të kuptuarit të tij. Sepse, shumë ide mund të kuptohen më mirë duke parë se kush i sulmon, se sa kush i mbron.

    Sulmuesit e bashkimit dhe idesë së tij kanë qenë, që në fillim, ashtu dhe dje, të njëjtët. Janë të rreshtuar të gjithë me Ramën dhe prej 2 vjetësh edhe me Lulzim Bashën. Deri para 9 shtatorit 2021 të gjithë ishin kundër Bashës kryetar i PD dhe, sapo ky bëri një akt që rezultoi se do ishte minues i fateve të opozitës, këta menjëherë u bënë me të. Pra, e kishin problemin me Bashën si kryetar i PD, jo si rrënues i saj. Kjo e fundit e bënte atë për ta “një çun të mirë me të cilin mund të punohet”.

    Kundërvënia, që këta personazhe të analizës së majtë apo të tjerë që këtu do t’i quaj DINO (democrats in name only-demokratë vetëm në emër) tregon si asgjë tjetër se bashkimi i djeshëm ka qenë gjëja e duhur, dhe një lëvizje që i ka shqetësuar kundërshtarët e PD dhe të pluralizmit.

    Po ta vini re, këta njerëz nuk i kënaq asgjë te PD-ja, madje as ndarja. Me të drejtë, sepse, thellë në zemër të psikës së tyre sociopolitike fle ëndrra e asgjësimit të forcës së parë të pluralizmit politik në Shqipëri. Kësisoj nuk i kënaq as bashkimi, sepse kjo u heq mundësinë për ta treguar Sali Berishën, jo vetëm si ‘pengestar’ të çlirimit të Shqipërisë nga ai-dhe rënia nën Edi Ramën- por edhe si vetmitar. Kjo e fundit i pasionon dhe i tremb posaçërisht.

    Kështuqë, i hidhen në fyt çdo ideje, çdo akti dhe çdo individi politik që ua shemb këtë apasionatë të vjetër, në të cilën Berisha është i vetëm nën gishtin e tyre të cilin ata e imagjinojë si shpatën epike të Damokleut.

    Në këtë pikëpamje, bashkimi i djeshëm ka prodhuar një akt disruptiv, të vetmit ndoshta që vlejnë në politikë, në një 2 vjeçar të mbushur me monotoni-pjesëmarrja masive në protestën e 7 korrikut permbylli aktin rebelues dhe popullor të Foltores dhe hapi një stinë stanjacioni relativ.

    Kundërshtarët duhen shpërfillur, por kritikët duhen dëgjuar. Ca sysh thonë se, ky bashkim vlen, por nuk e kryen punën. Ai mbetet sërish vazhdim i mbylljes dhe, jo lajmërim i hapjes-ose të aktën një hapje kah vetja. Se bashkimi duhet të vazhdojë me një Federatë gjithpërfshirëse opozitare. Se me bashkimin në seli duhet të shkriftohen edhe organet drejtuese të PD. Se primaret, ndoshta kanë rënë, tani që grupi i Bardhit nuk do ketë kohë të tejkalojë helmet e sulmeve të së shkuarës. Se shoqëria, që t’i besojë PD duhet të shohë te ajo një organizatë e cila ka qëllime politike, por edhe etike e estetike.

    Këto janë të përmbledhura ato që thuhen dhe që mund ta bëjnë fazën pas bashkimit një motor me djegie të brendshme që prodhon energji, edhe për një shoqëri të tulatur si kjo e jona. Në këtë faze, e rëndësishme është që bashkimi i djeshëm e zhbëri pafuqinë e një partie me dy pjesë, që sillej si zhgaba e flamurit: dy koka që ktheheshin nga njëra tjetra vetëm natën, sa për të dale nga miti. Ditën, vetëm sa stolisnin gjuhën e drunjtë të unitetit pa akt.

  • Nga Erion DASHO – Fali Zot, se nuk dinë ç’bëjnë me këtë shëndetësi

    Nga Erion DASHO – Fali Zot, se nuk dinë ç’bëjnë me këtë shëndetësi

    Ministrja e Shëndetësisë, e emëruar pa bujë në shtator të vitit të kaluar dhe e mbetur për muaj të tërë “inkonjito” jashtë vëmendjes së medias dhe syrit të publikut, më në fund u bë e gjallë.

    Politikisht u shfaq në karnavalin politik të rilindjes duke kritikuar as më shumë dhe as më pak, por Lalin e bashkisë, numrin dy të rilindësve. Sigurisht që kjo kritikë është bërë, sikundër çdo variete tjetër në karnavalin e Boratit, nën dirigjimin e “mjeshtërve të ceremonisë”.

    Pas daljes në skenën politike, nuk mund të mungonte edhe dalja në skenën profesionale, aty ku deri sot kishte patur maksimumi rolin e figurantes në show-n e Boratit për të ashtuquajturën “autonomi spitalore”.

    Nga Berati, në krah të një prej aleatëve më të ngushtë të Ramës, ish-ministrit Çuçi, ministrja Koçiu shpalli “binjakëzimin” midis spitalit rajonal të Beratit dhe spitalit bashkiak të Kuçovës.

    Kjo ndërmarrje e Borates së shëndetësisë fut ujë nga shumë anë.

    Së pari, spitali i Beratit, si spital rajonal, i shërben edhe Bashkisë së Kuçovës. Nëse Boratja e re nuk e ka marrë vesh akoma, kuçovarët kanë vite që, në mungesë të pothuajse çdo specialiteti në spitalin bashkiak tashmë të atrofizuar, i drejtohen edhe për shërbimet më elementare spitalit të Beratit.

    Së dyti, spitali i Beratit vuan edhe vetë nga mungesa e mjekëve, ku shumë specialitete vitale për një spital rajonal mbahen në këmbë vetëm në sajë të mjekëve pensionistë.

    Së treti, termi “binjakëzim” sugjeron për një marrëdhënie midis dy entiteteve të ngjashëm. Nëse ministes i lipsej një personifikim animistik, termi më i saktë do të kishte qënë “birësim”, aq më tepër që ky term përputhet edhe me statusin prej vitesh prej jetimi të spitalit të Kuçovës.

    ***

    Shpikjet e Boratëve të rilindjes me binjakëzime dhe birësime, mund të vazhdojnë në të ardhmen edhe me martesa, divorce, bashkëjetesa dhe flirtime.

    Gjithçka, përveçse masave reformuese, seriozitetit prej shtetarësh, premtimeve të bazuara mbi analiza, programeve konkrete zhvillimore dhe, sigurisht, në përfundim edhe llogaridhënies.

    Qytetarët e Beratit dhe të Kuçovës presin ndërkohë të bëhen viktima e radhës e autonomisë “alla Borat”, e cila vjen me faturën 3,000 lekë për vizitë, e barabartë kjo me një të tretën e pensionit mujor të pensionistit.

    Qytetarët e Beratit dhe të Kuçovës kanë vite që për ndërhyrje okulistike të cilat Dr. Aroni i bënte para pesëdhjetë vjetësh në spitalin që sot po “binjakëzohet”, i drejtohen klinikave private të Tiranës, Durrësit apo Vlorës.

    Qytetarët e Beratit dhe të Kuçovës nuk kanë nevojë të “binjakëzohen” dy spitale të ngelur jetimë, pasi edhe binjakë, ata përsëri jetimë mbeten.

    ***

    Pasi dështuan me turp me shëndetësinë falas, të cilën në dhjetë vjet e shndërruan në shëndetësinë ku qytetari paguan 60% të shpenzimeve…

    Pasi e thanë shëndetësinë nga çdo financim, duke grabitur 500 milionë euro me koncesionet e tyre makute…

    Pasi shkatërruan laboratorët e spitaleve dhe njësitë e sterilizimit për të mbushur xhepat e veta dhe të oligarkëve…

    Pasi dështuan me turp me sistemin shëndetësor anglez, por në fakt rikrijuan sistemin e centralizuar sovjetik të etërve të dikurshëm…

    Pasi i atrofizuan të gjithë spitalet rajonalë të cilët i lanë pa mjekë, pa infermierë dhe pa shërbime bazë…

    … sot boratët tallen duke u ofruar qytetarëve dhe pacientëve demagogji, mashtrim dhe fjalë boshe sikundër shpikja me “binjakëzime”.

    Bashkëqytetarët e mi beratas e kanë vetë në dorë zgjedhjen:

    Të durojnë “edhe pa drita, edhe pa ujë”, por të kenë mirë Boratin dhe rilindësit, apo t’u kërkojnë llogari këtyre të fundit për talljen 33 vjeçare me votën e tyre.

    Përsa u takon vetë boratëve dhe ynereve të tyre me shëndetësinë, e vetmja shprehje që u shkon për shtat është:

    Fali, Zot, se nuk dinë ç’bëjnë…

  • Nga Enver BYTYÇI – Njëzet shkurti: – Nuk ka më kohë! Ora është 12 pa pesë!

    Vizita e sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, në Tiranë është një përzgjedhje e mrekullueshme për qeverinë mafie të Shqipërisë. Ajo do realizohet vetëm tri ditë para protestës së 20 shkurtit në Tiranë. Madje në ditën që në Uashington zhvillohet gjyqi kundër McGonigal dhe kryeministrit të Shqipërisë e bashkëpunëtorëve të tij. Blinken do pritet nga personazhi i atij gjyqi në godinën e kryeministrisë. Qeveria do ta shfrytëzojë këtë vizitë për të demotivuar shqiptarët në pjesmarrjen e tyre në protestë. Por sa do të arrihet ky objektiv?

    Që në fillim duhet thënë se protesta e 20 shkurtit ka një simbolikë, por nuk është simbolikë. Thjesht data e përzgjedhur ruan logon e 20 shkurtit 1991, kur shqiptarët rrëzuan monumentin e diktatorit Hoxha. Ndërkohë koha e sotme është më e vështirë, më tragjike, më emergjente. Shqipëria po zhbëhet. Dhe mos harroni: – Këtë tragjedi kombëtare nuk mundën ta shkaktojnë as pushtuesit, as programet shfarosëse të armiqve fqinjë të Shqipërisë, sidomos Serbisë, as diktaturat. Po e realizon me shumë sukses mafia e Rilindjes, e cila qeveris Shqipërinë për gati 11 vite.

    Nëse vazhdon ky ritëm dhe gjasat janë se po, Shqipëria do të mbetet vetëm me turistë. Por edhe këta do të shërbehen nga filipinasit e indianët. Shqiptarë nuk do të ketë më në këtë vend. Flitej për një batutë të pranverës sëvitit 1991, sikur Adil Çarçani i kishte thënë dikujt se “Vetëm unë e ti do mbetemi në këtë vend, edhe Ramizi do të ikte”! Sot është ndryshe. Vetëm mafia do të mbetet në Shqipëri. Të gjithë të tjerët do t’i detyrojnë të largohen dhe të gjejnë strehë diku tjetër. Ndryshe do të pranojnë të bëhen skllevër modernë të saj.

    Prandaj dhe protesta e 20 shkurtit duhet të shënohet në histori si moment kthese. Ora është 12 pa pesë minuta. Nuk kemi kohë më shumë se 5 minuta. Këto pesë minuta mund të jenë koha fatale për ne ose koha e vendimmarrjes për ta ndalur homotagjinë kombëtare njerëzore. Ta ndalësh sot emigrimin e shqiptarëve është shumë e vështirë. Më vështirë se sa në vitin 1991. Asokohe xhepat e qytetarëve ishin bosh, por edhe arka e shtetit ishte gjithashtu bosh. Sot mafia në pushtet e rjep qytetarin, me qëllim që të shtojë pasuritë e mafies dhe me miliardat që bëjnë manipulojnë dhe imponojnë gjithçka. Edhe akt-akuzat që ngrenë ndaj kundërshtarëve politikë.

    Prandaj dhe nuk ka më kohë. Mafia dhe pushteti i saj në Shqipëri kanë një projekt. Shpopullimin e Shqipërisë nga shqiptarët. Tashmë vendi ynë ka më pak banorë sesa Kosova. Ndaj tash e tutje duhet thënë që Shqipëria të bashkohet me Kosovën, jo e kundërta. Shqipëria u plak, Shqipëria po shuhet! Ky është interes jo vetëm i mafies shqiptare, por edhe i asaj ndërkombëtare. Eshtë gjithashtu interes i Serbisë dhe Rusisë. Në Shqipërinë e zbrazur nga fëmijët, gjithësesi mungojnë edhe mbi 2000 mësues. Kanë ikur dhe të tjerë po bëhen gati të ikin! Të ikin pa e ditur as ata vetë se ku do të shkojnë! Mjafton që të largohen nga pushteti i mafies në vendin e tyre! Koha është flori! Por vetëm nëse atë e shfrytëzojmë duke i dhënë peshën e vet në jetën tonë.

    Më 20 shkurt është thirrur një protestë! Mos u vono, sepse ora ka shkuar 12 pa pesë. Duhen vetëm pesë minuta nga koha jonë për të rënë në greminën që ka përgatit mafia e pushtetit për ne! Nëse doni ta kapni orarin e të mos kalojë ora 12.00, atëherë bashkohu në këtë protestë. Mos pyet se kush e organizon! Mos pyet se si janë ata që e organizojnë. Mund të jenë të mirë ose të këqinj. Kjo varet nga përceptimi i secilit prej nesh! Por bashkohu se duke pyetur se kush janë folësit, do na kalojë ora 12.00! E po kaloi kjo orë e ligë, atëherë ramë të gjithë brenda humnerës që na ka përgatitur mafia në pushtet dhe pushteti i mafies.

    Bashkohuni! Jo me djajtë, se ata sjellin mafien, siç e sollën pasi erdhën në pushtet para 11 vitesh me moton e “Bashkimit të të gjitha qelbësirave”! Jo mos u bashko me qelbësirat. Por mos kërko njerëz perfektë për t’u bashkuar me ta. Mos kërko njerëz si veten, se nuk gjen! Nuk ka dy njerëz të njëjtë, madje as dy objekte të njëjta! Prandaj pranoje tjetrin ashtu si është dhe mendo thjesht se duhet luftuar kundër pushtetit të mafies për ta shpëtuar Shqipërinë. Ka ardhur fundi! Fund tjetër nuk ka për këtë vend! Jemi në minutat e fundit të kohës për reagim dhe protestë, për bashkim dhe fitore!

    Ora është 12 pa pesë minuta! Mendo këtë dhe kaq mjafton që të bashkohesh në luftën e vështirë kundër pushtetit mafioz të Shqipërisë!

  • Nga Lutfi DERVISHI – TikTok-u apo TikTaku i vetëvrasjeve

    Një nënë e re i dha fund jetës (siç raportohet deri më tani) pasi nuk e përballoi dot turpin pas publikimit të një fotografie intime që disa media/individe sot po e ripublikojnë masivisht.

    Të thuash kriminale është pak, të thuash më shumë se kriminale prap mbetet e pamjaftueshme përballë makabritetit virtual.

    Ana e errët e mediave sociale dhe e një pjese të portaleve, u rishfaq sot me ripublikimin e një fotografie që për 27 vjeçaren përkthehej në vetëvrasje, ndërsa për punëtorët e klikimeve përkthehet në para.

    Një tjetër fatkeqe pre e listës së viktimave të TikTok, një tjetër “balenë blu” që këtë herë ka si kreatorë ca mendje të sëmura që përveç maskarallëkut kanë edhe internet.

    Nuk mjaftoi vendimi tragjik i nënës së re për t’u arratisur me dëshpërim nga kjo jetë, por gjyqi ndaj saj vijon nga dhjetëra  idiotë që hedhin “gurë dixhital” mbi të vdekurën si të ishin kryetarë të  gjykatës së  moralit.

    Megjithatë, nuk mund të presësh që idiotë interneti (ii) të tregohen njerëz dhe të bëjnë dallimin mes jetës dhe vdekjes mes privates dhe publikes, mes dinjitetit dhe poshtërsisë, por ajo që është shqetësuese është roli i medias në raportimin e gjëmave/kobeve.

    Ndërkohë që është e stëprovuar efekti domino i raportimit të detajuar të vetëvrasjeve, në një kohë që është vërtetuar se sensacionalizmi i rasteve fatkeqe çon në dëme afatgjatë edhe për shoqërinë, sërish e sërish sillemi njëlloj deri në tragjedinë e radhës që sërish do të kryhet për të njëjtat shkaqe dhe me të njëjtat mënyra.

    Të bësh thirrje për etikë dhe vetëpërmbatje në raportimin e ngjarjeve tragjike rrezikon t’i ngjash njeriut që merr shatin dhe prashit në det.

    Shpërndaja e shpejtë e informacionit dhe mundësia që informacionin ta prodhojë dhe shpërndajë kushdo, nevoja për të patur të shenjtë lirinë e shprehjes dhe dëmi që vjen nga shpërndarja pa kriter e materialeve private/të dëmshme ka krijuar një realitet të ri që nuk mund të përballohet me instrumentat e kohës para internetit.

    Krimi në internet nuk mund të luftohet me të njëjtat mjete dhe burime njerëzore si krimi i rrugës.

    Në kohën kur sa vjen dhe bëhet më i vështirë dallimi mes jetës reale dhe asaj virtuale, problemet e shëndetit mendor dhe krimi kibernetik sa vijnë dhe agravohen për shkak të zhvillimit të shpejtë të teknologjisë.

    Problemet dhe sfidat epokës digjitale nuk përballohen me instrumenta dhe mendësi analoge.

    Sot, si kundërpërgjigje ndaj ngjarjes tragjike policia e shtetit publikoi një video nga momenti i ndalimit të personit të dyshuar si shkaktar i humbjes së jetës së 27 vjeçares. Krimi modern luftohet me ligj, struktura dhe vullnet, jo me video-klipe.

    Institucionet ligj zbatuese (policia/prokuroria) nuk janë të pajisura siç duhet as në teknologji dhe as në burime njerëzore për t’u përballur me kriminelët e dukshëm dhe të padukshëm në hapësirën virtuale. Çdo vonesë do të na sjellë viktima të reja dhe video-klipin e radhës.

    Forcimi i legjislacionit dhe strukturave do të ishte vetëm njëra anë e medaljes. Media vetë mund të luajë një rol pozitiv me kusht që klikimet mbi fatkeqësi t’i konsiderojë “krim”.

    Është në dorën tonë nëse do të duam të mbetemi njerëz dhe të respektojmë zinë e tjetrit apo të kthejmë në spektakël edhe vdekjen.

    Deri më tani gjithçka ka mbetur vetëm fjalë, duke numëruar viktimat deri sa të vijnë veprat që mungojnë!

  • Hesapet e Ramës me OJQ-istin Veliaj

    Hesapet e Ramës me OJQ-istin Veliaj

    Në mbledhjen gati 5 orëshe të Asamblesë së PS-së, kryeministri Edi Rama në fillim kandisi të përzgjedhurit e tij që t’i ngrinin topin e ai më pas të godiste aty ku e kish qëllimin. Për herë të parë të paktën në mixhlisin e drejtuesve të PS-së, Edi Rama lëshoi kritika ndaj Erion Veliajt, krybashkiakut të Tiranës i cili është njëkohësisht kryetar i PS-së së qarkut Tiranë.

    “Ça janë këto mbledhje kot që bëni, je bërë si OJQ”-mësohet t’i jetë drejtuar Rama Veliajt, duke iu referuar riorganizimit të PS-së për qarkun Tiranë dhe veçanërisht rezultatin mjaft të dobët në dy bashkitë Kavajë dhe Rrogozhinë, ku PS humbi Kavajën, ndërsa mori me ‘burgaxhi’ Rrogozhinën. Të jetë vetëm ky shkaku që Rama iu lëshua Veliajt?

    Jëmi dhjetë muaj larg zgjedhjeve lokale dhe padyshim që dje nuk ishte momenti i asaj analize. Koha që Rama zgjodhi për t’i dhëna ca “këshilla miqesore” kanakarit të tij është mjaft iteresante. Së pari vetë Rama nuk është në pozitë të mirë pas deklaratave të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, që implikoi Ramën për shantazh dhe që “dha tokën, detin dhe ajrin, duke ngrënë qofte”, por edhe Veliajn si “pronar faktik” i Inceneratorit të Tiranës.

    Duke ia bërë të qartë se po vepron si “drejtues OJQ-je” dhe jo si politikan Rama thjesht po mundohet të justifikohet tek të tijët, për të gjetuar problemin e vetes tek të tjerët. Veliaj është një “mish i huaj” në PS i cili u fut nga vetë Rama duke u besuar shumë më shumë ngase G99-tëshi mati veten në zgjedhjet e vitit 2009. Megjithatë mesazhi i dhënë në sy të të tjerëve është më shumë një tentativë e pastër e Ramës për të shkëputur vëmendje. Në këto momente i intereson të duket sikur brenda vetë qeverisjes ka “demokraci mendimi”.

    Po kush janë “mbledhjet koti si të ishin OJF”? Për këtë duhet kthyar koka pas vetëm tre javë më parë kur kryebashkiaku Veliaj bëri një “tur” nëpër Tiranë për të treguar në sytë e Ramës besnikërinë. “Kush mendonte se pas tre mandateve në bashki unë do ta ulja ritmin, ju premtoj publikisht se kjo do të jetë fushata ku unë do të impenjohem edhe më shumë, do të punoj edhe më fort, jo vetëm për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, por për faktin se kjo forcë politike dhe kryetari i saj e kanë transformuar Shqipërinë në një mënyrë të paimagjinueshme”, tha Veliaj në një nga takimet me strukturat e PS-së.

    Mirëpo duket se kaq nuk mjafton në sytë e Ramës, ndaj po e mban në ankth përi ti treguar që mos mendojë se e ka të shtruar tapetin e kuq në krye të PS-së, kur vetë Rama të heqë dorë. Interesante është që vetë Veliaj po tregohet “amator politik” teksa ka nisur një revansh jo ndaj Ramës, por ndaj atyre që mendon se janë shumë më pranë Ramës. Kryebashkiaku po sulmon nën rrogozë nënkryeministren Belinda Balluku. Për momentin Lali Eri dukshëm në sulm për të zënë vendin e Ramës sheh si rivale zëvendëskryeministren, duke mos bërë një hesap fare të thjsht: Është Rama ai që vendos se kujt do ia lerë PS-së. Ajo që ndodhi në Asamblenë e PS-së nuk ishte gjë tjetër përveçse një shashkë e hedhur nga Rama, por “trimit Veliaj” iu duk si një bombë e madhe.

  • A po i trembet Rama padurimit të Veliajt për t’i marrë partinë?

    A po i trembet Rama padurimit të Veliajt për t’i marrë partinë?

    Ditën e sotme Edi Rama mblodhi Asambenë e PS-së ku ka kritikuar vetë, por ka angazhuar edhe ministren e shëndetësisë, Koçiu, për të prezantuar raportin kritik ndaj kryebashkiakut të Tiranës Veliaj.

    Albana Koçiu ka qenë e ngarkuara e Ramës me detyrë për të mbikqyrur punën e Veliajt si drejtues i Qarkut të Tiranës. Në raportin e saj Koçiu ka prezantuar një raport mjaft kritik për drejtuesin e qarkut, me specifikisht në dy bashki, atë të Rogozhinës dhe Kavajës.

    Të dyja bashki të humbura nga PS-ja, por që Rrogozhina u grabit me rastin e përsëritjes së zgjedhjeve, ku e gjithë Bashkia Tiranë dhe pushteti qëndror u angazhuan për të grabitur me një rezultat më të lartë se herën e parë, kur mbushën kutitë e burgut.

    Gjatë kësaj mbledhjet e cila ka zgjatur për më shumë se 5 orë objekt kritikash ka qenë edhe ish-ministrja Olta Xhaçka si dhe deputeti Etjen Xhafaj edhe të tjerë.

    Socialistët kanë lëshuar një sërë akuzash ndaj tyre duke thënë se Veliaj & Co zhvillojnë takime si OJQ.

    Sipas tyre Veliaj shmang strukturat dhe veprojnë si parti më vetet.

    Mbledhja është zhvilluar në masa të rrepta sigurie, Rama ishte kujdesur që t’u bllokonte valët e telefonit asambleistëve për të mos lejuar rrjedhje të informacionit.

    Kujtojmë se në datën 16 Mars do të ketë një tjetër mbledhje të Asamblesë së PS-së në Durrës.

    Është e disata herë që Rama sulmon Erion Veliajn, i njohur ky i fundit si pretendenti i vetëm për ta pasuar atë në PS.

    Me sa duket Veliaj ka shfaqur padurimin për t’i marrë partinë Ramës dhe ky i fundit ka orkestruar sulmet e strukturuara ndaj tij, siç edhe i ka hije kësaj partie që nga kohë e Enver Hoxhës.

    Teza e pasuesit të Ramës në PS është një tezë reale por, disa e shohin atë si të parivalizueshëm nga Veliaj, ndërsa disa të tjerë mbrojnë tezën se ky i fundit është fuqizur shumë ekonomikisht dhe i ka dalë Ramës jashtë kontrollit.

    Cilado qoftë teza më afër së vërtetës, një gjë është e sigurtë, korentet mafioze brenda rilindjes janë shumë afër shpërthimit. Pushteti i gjatë dhe vjedhja e pashembullt ka rritur orekset e pretendimet e brendshme, gjë të cilën do ta ketë shumë të vështirë ta izolojë edhe një autokrat si Rama që ka asfiksuar debatin e brendshëm në PS që nga 2005 e këtej.

  • Hitleri duhet të vdesë

    Hitleri duhet të vdesë

    • Si 42 atentatet e bindën Führer-in se ai ishte njeriu i Providencës dhe e shtynë popullin gjerman ta ndiqte deri në fund
    • Një nga misteret më të mëdha të Rajhut të Tretë është se si Führer ia arriti t’i shpëtonte i padëmtuar mbi dyzet atentatve. Ishte thjesht fat? Historia e një rekordi që pati pasoja tragjike mbi fatet e Gjermanisë. Dhe të botës

     “Edhe në roulette del e kuqja ose e zeza del. Ideja e vrasjes së diktatorit në vetvete nuk ishte e pamundur. Ishte thjesht një fat i keq”. Këto janë fjalët e Ewald Heinrich von Kleist, i cili vdiq më 2013 në moshën nëntëdhjetë vjeçe, një nga të paktët komplotistë që i mbijetoi atentatit të dështuar kundër Adolf Hitlerit më 20 korrik 1944 në shtabin e përgjithshëm në Rastenburg, në Prusinë Lindore. Deklarata e tij është e pranueshme, po të marrim parasysh se si shkuan ngjarjet, por nuk kërcet mirë po të shohim që, gjatë jetës së tij, Hitleri arriti t’i shpëtonte diçkaje si dyzet e dy atentateve: një rekord vërtetë i jashtëzakonshëm që bën copash çdo logjikë dhe, në një farë kuptimi, sfidon edhe vetë fatin e mirë.

    Duke shfletuar listën e gjatë të tentativave për të eleminuar Führer-in, si ato të abortuara që në lindje, ashtu edhe ato të kryera në të vërtetë, nuk mund të mos kuptohet mbetesh i goditur nga modalitetet me të cilat arrinte gjithmonë të shpëtonte i padëmtuar, veçanërisht gjatë viteve të para të tij aktiviteti politik, kur masat e sigurisë ndaj tij ishin pothuajse inekzistente.

    Duke filluar nga viti 1932 – atentati i parë i njohur, i organizuar nga një vrasës i cili u përpoq ta eleminonte gjatë një udhëtimi me tren – në pesë vitet pasardhëse atentatet do të ishin plot gjashtëmbëdhjetë. Disa janë në kufinjtë e një guximi të çmendur, si p.sh., përpjekja për ta vrarë me një tufë lulesh të ujosura me helm. E nëse në shumë raste atentatorëtishin si qen të lëshuar nga zinxhirët, që mbase edhe vuanin nga çrregullime mendore, që nuk e toleronin fuqinë bindëse të oratorisë së “njeriut të fatit” gjerman, në të tjerët ishin kundërshtarë të vërtetë, të pastër politikë.

    Siç është rasti i Josef “Beppo” Römer, themeluesit dhe aktivistit të Sozialistische Front, i cili u përpoq disa herë: për së pari më 1934, kur, pasi ia kishte arritur të futej i pashqetësuar në kancelarinë e Reich, u ndalua në momentin e fundit nga forcat e sigurisë. Përpjekje të tjera i atribuohen në dy-vjeçarin 1941-43: të gjitha të çuara dëm, pasi u kap ai vuajti disa vjet në kampin Dachau për t’u gijotinuar më pas në shtator 1944.

    Nuk munguan as vrasësit e huaj. Më 1938, Maurice Bavaud, një njëzetedy vjeçar me origjinë zvicro-franceze, që me sa duket vuante nga çrregullime të rënda mendore, rreku të eliminonte Hitlerin në tubimin e Mynihut. I pajisur me një pistoletë gjysmë-automatike, nuk ia arriti ta shënjestronte mirë nga vetëm disa metra larg: krahët e ngritur të spektatorëve që përshëndesnin shëtitjen e Führer-it, e penguan të shënjestëronte si duhet.

    Një nga atentatet më të njohura dhe më të pabesueshme u organizua në nëntor të vitit pasardhës prej aktivistit Georg Elser në fabrikën e birrës Bürgerbräukeller, gjithnjë në Mynih. Në këtë rast, gjërat ishin planifikuar me përpikëri. Për muaj me radhë atentatori, një marangoz i zoti, hyri në lokalin ku do të gjendej më pas Führeri, pas përfundimit të orarit zyrtar të hapjes, për të hapur një gropëz të vogël në një nga shtyllat e lokalit, në mënyrë që të vendoste një bombë me sahat, për ta bërë më pas të shpërthejë gjatë një prej fjalimeve të Führer, i cili ishte një frekuentues i rregullt i atij vendi. Por për një lojë të pabesueshme të fatit, natën kur erdhi Hitleri mbajti një fjalimi shumë më të shkurtër se zakonisht, pak më pak se një orë. Në kohën e shpërthimit, diktatori ishte zhdukur prej kohësh.

    Në atentat humbën jetën disa nga mbështetësit e tij besnikë: pati tre të vdekur dhe mbi gjashtëdhjetë të plagosur. Pas lajmit se Hitleri i kishte shpëtuar atentatit, Papa Piu XII shprehu kënaqësinë duke e uruar Hitlerin ndërsa në katedralen e qytetit u këndua Te Deum si falënderim për “mrekullinë”.

    Në një studim të fundit të historianit anglez Roger Moorhouse, “Killing Hitler”, citohen një seri sulmesh të organizuara nga agjentë sovjetikë dhe britanikë, edhe këto të dështuara që në lindje. Dihet, gjithashtu, që një komplot polak me përdorimin e eksplozivëve u ndalua në minutën e fundit, ashtu si dhe tentativa e pabesueshme e organizuar në fund të 1939, nga një aktore impresionuese ruse: për kronikë, ishte atentati i njëzetegjashtë.

    Tani, rradha e oficerëve

    Me fillimin e operacioneve ushtarake të Luftës së Dytë Botërore, forcat e sigurisë morën masa për sigurimin e Hitlerit, deri në atë moment i bekuar nga fati, duke rreshtuar një vendosje masive të forcave. Ky hap dekurajoi iniciativat e “ujqërve të vetmuar”, ​​por nuk ndaloi dorën e atentatorëve të tjerë. Tani kërcënimi vinte prej disa rrethe ushtarake. Nëse fillimisht mospajtimet ndërmjet oficerëve të lartë nuk shfaqeshin hapur (disa projekte për përmbysjen e diktatorit, të planifikuara nga gjeneralët Franz Halder dhe Walther von Brauchitsch, nuk u vunë kurrë në zbatim), duke filluar nga viti 1942, njëkohësisht me dështimet e para ushtarake, u rrit në mënyrë eksponenciale edhe rezistenca. Siç kujton historiani Wolfgang Schieder në Dy Gjenerata në Rezistencën Ushtarake Kundër Hitlerit: “Duket se midis viteve 1941-1942, në komandën e GjeneralMarshall Erwin von Witzleben në Paris, për dy herë u përgatit një atentat. Por meqenëse Hitleri nuk shkoi në Paris, ato nuk mundën të kryheshin”.

    Por më 1943 situata mori një kthesë më serioze. “Pas katastrofës së Stalingradit, në armatën qendrore të frontit lindor hartoheshin vazhdimisht planet e reja për atentate, po kështu edhe armatën veriore”, shkruan gjithnjë Wolfgang Schieder. Por, pabesueshmërisht, Hitleri në atë kohë mjaftohej duke vizituar vetëm armatën jugore, ku nuk ishte organizuar asnjë lloj komploti.

    Një rrezik të madh kaloi në mars 1943, kur më në fund vendosi të vizitonte shtabin qendror të Grupit të Armatosur me qendër në Smolensk, në Rusi. Gjenerali Henning von Tresckow dhe oficeri Fabian von Schlabrendorff vendosën një bombë (në këtë rast një eksploziv anglez me shpërthyes kimik), të fshehur në disa kuti pijesh në aeroplanin që duhej të sillte diktatorin në shtëpi.

    Plani dukej i përsosur, ashtu si edhe besueshmëria e materialit, e megjithatë përsëri ndodhi e pashmbesueshmja: bomba nuk shpërtheu. Disa ekspertë kanë hipotezuar se temperaturat e ulëta në ngarkesë mund të kenë kompromentuar sistemin shpërthyes, por kjo është vetëm një teori. Sidoqoftë, rezistenca nuk hoqi dorë. Siç kujton Schieder: “Përgjatë vitit 1943, koloneli Rudolf von Gersdorff, kapiteni baron von dem Bussche, togeri Ewald Heinrich von Kleist dhe kapiteni i kalorësisë Eberhard von Breitenbuch ishin gati të vinin në rrezik jetën e tyre në një atentat me bombë kundër Hitlerit. Sidoqoftë, askush prej tyre nuk gjeti rastin, sepse Hitleri instinktivisht qëndronte larg takimeve të përgatitura”.

    Indikative është tentativa e 21 marsit 1943 në Berlin, pranë muzeut ushtarak Zeughaus: Gersdorff, i cili kishte në xhepin e palltos një bombë të fuqishme me një timer të vendosur për të shpërthyer pas dhjetë minutash, shoqëroi Führerin gjatë gjithë vizitës. Megjithatë, ky i fundit, mbase duke ndjerë nervozizmin e oficerit, vendosi të nxitonte pa dhënë shpjegime. Gersdorff atëherë mezi pati kohë të çarmatosej fshehurazi brenda tualeti. Edhe një herë Hitleri i shpëtoi vdekjes.

    Në strofkullën e ujkut

    Sidoqoftë, kërcënimi më i madh nuk ishte shfaqur ende. Në një letër të shkruar në fillim të vitit 1944, koloneli Claus von Stauffenberg i shkruante në mënyrë lakonike gruas: “Është koha që të bëhet diçka.

    Ai që do të guxojë të veprojë duhet bëjë llogaritë me faktin se ndoshta do të hyjë në historinë gjermane me damkën e tradhtarit. E, nëse do të heqë dorë, do të ishte tradhtar para ndërgjegjes së tij”. Në këto pak rreshta del dilema torturuese që e kishte gllabëruar prej muajsh me radhë, përpara vendimit fatal që do t’i ndryshonte jetën përgjithmonë. Në fakt, ishte ndërgjegjja e tij që mbizotëroi. “Ndjej,” theksonte, “që duhet të bëj diçka për të shpëtuar Gjermaninë. Të gjithë ne, oficerët e Shtabit të Përgjithshëm, duhet të marrim pjesën tonë të përgjegjësisë”. Më 20 korrik 1944, Stauffenberg , së bashku me njëzet e katër oficerë të tjerë të lartë, morën pjesë në një takim në selinë e Rastenburgut.

    Duke përfituar nga afërsia e tij me Adolf Hitlerin, ai arriti të vendoste një trastë plot me eksploziv disa metra larg Führer-it. Pastaj, me justifikimin e një telefonate urgjente, u largua papritmas. Pak më vonë ndodhi shpërthimi: edhe pse mundi të aktivizonte vetëm njërën nga dy bombat që kishte me vete, ishte i sigurt se fuqia e shpërthimit nuk do t’i linte asnjë shans tiranit. Pjesa e dytë e planit, Operacioni Valkyrie, përfshinte mobilizimin emergjent të ushtrisë për të parandaluar reagimet e zyrtarëve të lartë nazistë dhe SS të Himmler në veçanti.

    Objektivi i komplotistëve, pjesë e të cilëve ishte koloneli, ishte në thelb një grusht shteti që synonte krijimin e një qeverie të re për të shpëtuar vendin nga shkatërrimi: një program që nuk do të ishte kurrë i mundur për sa kohë Hitleri të ishte në pushtet. Por gjërat shkuan shumë ndryshe.

    Siç do të mësohej më vonë, në sekondën e fundit, koloneli Heinz Brandt, i ulur pranë diktatorit, lëvizi çantën poshtë tavolinës. Shpërthimi goditi tre oficerë dhe stenografin, të cilët vdiqën menjëherë. Ndërsa Führeri, për mrekulli arriti të shpëtojë duke pësuar vetëm disa plagë të vogla. Në kaosin e orëve në vijim, komplotistët në të vërtetë kishin akoma edhe disa mundësi për sukses, por një seri të metash në organizatë dënuan arritjen e suksesit të planit dhe në një kohë të shkurtër revolta u shua. Joseph Goebbels, Ministri i Propagandës së Rajhut të Tretë, në kujtimet e tij bën këtë koment përbuzës: “Çfarë idiotësh. Nëse mendoj se si do ta kisha trajtuar unë një gjë të tillë … Pse nuk e pushtun radion dhe të përhapnin gënjeshtra nga më absurdet? As nuk më shkëputën telefonin! Duke pasur kaq shumë asa në dorë dhe duke hedhur gjithçka në erë, çfarë fillestarësh!”.

    Në ditët në vijim në Gjermani shpërtheu një gjueti e vërtetë, e cila, sipas historianit Ian Kershaw, çoi në arrestimin e pesë mijë njerëzve, kryesisht të afërm të komplotistëve, ndërsa pothuajse dyqind burra “kaluan nëpër duart e xhelatit”. Stauffenberg ishte një prej tyre: i arrestuar në të njëjtën natë, atë të 20 korrikut, u qëllua pas shpine në oborrin e Bendlerblock, selia e Komandës Supreme të Ushtrisë, në Berlin. Hiri i tij dhe i shumë komplotistëve të tjerë u shpërnda nëpër kanalet e qytetit me urdhër të Fyhrerit në mënyrë që “eshtrat e tradhtarëve të mos ndotnin tokën gjermane”.

    Disa e shmangën vdekjen me varje duke u vetëvrarë. Ndërmjet tyre, gjenerali Henning von Tresckow, para se të merrte pistoletën në dorë, i tha kolegut Fabian von Schlabrendorff: “Tani të gjithë do të na shajnë, por unë jam akoma plotësisht i bindur se kemi bërë gjënë e duhur. Hitleri është armiku i betuar jo vetëm i Gjermanisë, por i të gjithë botës”. Në të njëjtën mbrëmje të atentatut, një Fyhrer i provokuar dhe euforik u shfaq në mikrofonat e radios shtetërore për të qetësuar popullin për gjendjen e tij shëndetësore, duke deklaruar: “të mendoj për sigurinë time? Kur njerëzit e tjerë në dhomë u plagosën rëndë…”. Dhe menjëherë e lëshoi veten ndaj kësaj parandjenje: “Tani jam i sigurt se nuk do të më ndodhë më gjë kurrë!”. Në një farë mënyre pati të drejtë. Deri në vetëvrasjen e tij në kancelarinë e Berlinit më 30 prill 1945, askush nuk guxoi më të provonte diçka të tillë. Arsyeja është e thjeshtë: rezistenca e brendshme u shua plotësisht.

    Thjeshtë fat?

    Nëse Stauffenberg do t’i kishte vendosur të gjitha bombat e nëse fitili në aeroplan nuk do të kishte ndalur dhe, akoma, nëse fjalimi në birrerinë Bürgerbräukeller do të kishte zgjatur si zakonisht, për Führer-in nuk do të kishte shpëtim. Mirëpo historia, nuk bëhet as me “nëse” as me “por”. Sidoqoftë, është e vështirë të mos magjepsesh nga rastësi të tilla. Dhe mbi të gjitha si t’i shpjegojmë? Nëse, për arsye të kuptueshme, historiografia zyrtare kufizohet me nënvizimin e fatit të pabesueshëm të diktatorit, dikush ka shkuar më tej duke evokuar hijen e mbrapshtë të forcave okulte dhe fuqive demoniake.

    Duke kujtuar sesi Hitleri, të nesërmen e sulmit të 20 korrikut 1944, kishte theksuar vazhdimisht faktin se shpëtimi i tij ishte një shenjë e qartë e Providencës, vetë Kershaw u shty me këtë koment shqetësues (dhe sarkastik): “Në realitet, si shumë herë në jetën e tij, nuk ishte Providenca që e shpëtoi, por fati. Një fat djalli”.

    Më racionalisht, duke analizuar karakterin e Fyhrer është e mundur të gjesh disa aspekte të sjelljes së tij, të cilat, në raste të caktuara, ndoshta i shpëtuan jetën. Hitleri, siç kujton historiani Giorgio Galli në “Hitleri dhe nazizmi magjik”, ishte i bindur se zotëronte “një lloj prevedence që e bën t’i shpëtojë vdekjes” dhe që e ndihmonte “të shpëtonte nga atentatet e organizuara nga rezistenca ushtarake”.

    Pa ia atribuar këtë virtyt të supozuar faktorëve ezoterikë apo magjikë, aftësia e madhe intuitive e Fyhrer-it që në vitet e para të pushtetit deri në 1942 mund të ishte një pjesë e psikologjisë së tij komplekse: sjellja e tij paranojake – shihte komplote kudo dhe ndjente një neveri të përgjithësuar ndaj takimeve – e bënin një subjekt të atipik, të vështirë për t’u parashikuar dhe kontrolluar. Manitë e tij ishin sigurisht një armë e mirë në gjendje për të devijuar edhe planet më të përsosura. Për më tepër, vëmendja e tij obsesive, edhe në detajet në dukje të parëndësishme, mund të kishin bërë të perceptonte nervozizmin e atyre që ishin përreth tij dhe për këtë arsye të ishte tmerrësisht i kujdesshëm. Një aspekt intrigues është edhe pasioni i tij për astrologjinë.

    Siç kujton Ellic Howe në The Astrologers of Nazism, para sulmit ndaj birrerisë në Mynih Hitleri ishte informuar nga një astrolog, përmes shërbimeve të tij të sigurisë, për “mundësinë e një atentati duke përdorur materiale shpërthyese”. Ne dimë që përdorimi i këtyre praktikave në Rajh ishte i vazhdueshëm dhe të paktën dy oficerë policie, Bernard Gisealous dhe Arthur Nebe, ishin ekspertë të kësaj materie. Se sa ndikoi e gjitha kjo në jetën e diktatorit është e vështirë të përcaktohet me siguri, por nuk mund të përjashtohet që ndjeshmëria e tij e fortë dhe intuita e tij e hekurt të kenë vepruar si një kambanë alarmi duke i mundësuar, më mirë se çdo truprojë, t’i shpëtojë rreziqeve.

    Njeriu i “Providencës”

    Si reagoi Hitleri ndaj kësaj sekuence mbresëlënëse atentatesh? Dhe sa ndikuan ato në sjelljen e tij? Përpos shpërthimit të etjes për hakmarrje, sulmi i dështuar [i 20 korrikut] e rriti në përmasa të papërcaktueshme vetsigurinë e Hitlerit për përzgjedhjen e tij hyjnore. Tashmë, i bindur se ishte udhëhequr nga Providenca, ai interpretoi kalimin e rrezikut si shenjën e përmbushjes së pashmangshme të misionit të tij historik . Kjo ia mprehu tiparet mesianike. ‘Këta kriminelë që donin të hiqnin qafe’, u tha sekretareve, “as nuk e imagjinojnë se çfarë do të ndodhte me popullin gjerman. Ata nuk e dinë që armiqtë tanë kanë planifikuar asgjësimin përfundimtar të vendit tonë. Nëse mendojnë se pa Gjermaninë fuqitë perëndimore do të ishin aq të forta sa të mbanin nën kontroll bolshevizmin, gabojnë shumë. Unë jam i vetmi që e di madhësinë e rrezikut, dhe i vetmi i aftë për ta shmangur’. Fjalë në të cilat reflektohej, si në një pasqyrë deformuese, figura e rilindur e memories wagneriane, heroi në gjendje për të shpëtuar i vetëm gjithë botën nga katastrofa: një Parsifal modern”.

    E nëse që në vitet ’30 Hitleri ishte i sigurt se ishte ai i përzgjedhuri, me kalimin e kohës kjo bindje e tij u radikalizua edhe më shumë për t’u bërë një lloj dogme pagabueshmërie: Providenca e ruante atë në mënyrë që ai të mund të zbatonte planet e tij.

    Kjo bindje e vendosur, sidoqoftë, shkaktoi në planin afatgjatë mbylljen e befasishme ndaj botës së jashtme e cila, gjatë muajve të fundit të luftës, kufizohej me patologji kronike. Në këtë kuptim duhet interpretuar edhe fobia e tij e njohur për t’u dukur në publik. E nëse më pas merret parasysh edhe përkeqësimi i shpejtë i shëndetit të tij fizik dhe mendor (studime të mëvonëshme kanë evidentuar një përdorim masiv të ilaçeve të forta që e çuan atë në varësi), do të kuptojmë më mirë paaftësinë, që manifestoi në vitet e fundit të luftës, për të dominuar ngjarjet.

    Këtyre elementeve iu duhet shtuar edhe mungesa thuajse totale e besimit te Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë, fajtor sipas të tij, si përgjegjësi kryesor për disfatat. “Hitleri”, shkruan historiani Joachim Fest, “thjesht thjesht shtynte përpara, i pazoti për ditë të tëra të merrte ndonjë vendim, dhe pastaj papritmas inercia e tij i linte vendin një aktivizmi shpërthyes”. Intuitat e shkëlqyera që kishin shënjuar dyvjeçarin e parë të konfliktit u shndërruan në vitet e fundit vetëm një kujtim: strategjitë e përpunuara për të ndaluar përparimin e trupave sovjetike, për shembull, u treguan të pasuksesshme, ashtu si dhe masat e miratuara në skenat e tjera operative u treguan joefektive.

    Ndoshta ndjenja se ishte duke përmbushur një mision hyjnor kishte ngulitur në mendjen e Führer-it sigurinë se do ta fitonte përfundimisht, sido që të shkonte puna. Mbase edhe për këtë arsye, ai priti me padurim deri në fund mrekullinë që do të përmbyste fatet e luftës. Por kjo nuk ndodhi kurrë. Pasi doli i padëmtuar nga mbi dyzet atentate dhe me Ushtrinë e Kuqe disa metra larg bunkerit të tij, diktatorit nazist nuk i mbeti gjë tjetër përveç vetëvrasjes. Evropa ishte në gjunjë dhe Gjermania e shkatërruar. Dhe aftësia e Hitlerit për t’i shpëtuar vrasësve të tij, por jo në vetvete tingëllon vërtetë si një mashtrim i tmerrshëm.


    Atentati i Rastenburg-ut dhe zanafilla e komplotit

    Komploti i organizuar më 20 korrik 1944 arriti vërtetë një hap larg objektivit të synuar. Por nga kush ishte organizuar?

    Zanafilla e tij mund të gjurmohet që në shtator 1943 kur FieldMarshalli Günther von Kluge, gjeneralët Ludwig Beck dhe Friedrich Olbricht dhe ish-kryebashkiaku i Leipzig-ut Carl Goerdeler u takuan në fshehtësi për të diskutuar politikën e pamatur të Hitlerit dhe rrjedhën e konfliktit.

    Konkluzionet në të cilat arritën nuk lanë vend për dyshime: Führer duhej eliminuar me çdo kusht sepse vetëm në këtë mënyrë do të ishte e mundur të shpëtohej Gjermania nga shkatërrimi i plotë. “Atentati”, tha qartësisht gjenerali Henning von Tresckow, një nga anëtarët më aktivë të komplotit, “duhet të bëhet, me çdo kusht. Edhe nëse nuk ia arrin qëllimit, duhet të bëhet. Sepse tashmë çështja nuk është objekt i atentatit, por fati për t’i treguar mbarë botës dhe historisë se lëvizja e rezistencës gjermane ka guxuar me çdo mënyrë, duke vënë në rrezik edhe jetën. Gjithçka tjetër, në fund të fundit, është absolutisht dytësore”.

    Vënia në praktikë nuk ishte aspak e lehtë. Duke filluar nga qershori 1941, me fillimin e operacionit Barbarossa, Hitleri ishte zhvendosur në mënyrë të përhershme në Strofkullën e Ujkut (Wolfsschanze) në Prusinë Lindore, një nga zonat më të mbrojtura të Reich-ut të cilën e linte mjaft rrallë për të shkuar në Berlin.

    Për më tepër, Gestapo ishte në gjendje gatishmërie të lartë pasi kishte ndjerë mundësinë e një atentati nga Shtabi i Përgjithshëm. Komploti pati shumë pjesë gjatë organizimit duke përfshirë me dhjetra njerëz (ishin më shumë se dyqind).

    Mes tyre, me sa duket, ishte edhe Erwin Rommel, i cili, pas dështimit të fushatës në Afrikën e Veriut, ishte tashmë totalisht i zhgënjyer me aftësitë vendimmarrëse të Hitlerit. I vetëdijshëm se lufta ishte pashmangshmërisht e humbur, ai u takua me Hans Speidel dhe Carl-Heinrich von Stulpnagel (dy oficerë kryesorë të konspiracionit), duke rënë dakord se ishte e nevojshme të flisnin me Aleatët për të ndaluar konfliktin para zbarkimeve të Normandisë.

    Mirëpo takimi nuk çoi në ndonjë gjë konkrete sepse Rommel nuk ndante idenë e vrasjes së diktatorit.

    Por kthesa ndodhi vetëm kur komplotit iu bashkua koloneli von Stauffenberg i cili, për shkak të mundësisë së tij për të hyrë në shtabin qëndror të Rastenburgut, ishte figura më e përshtatshme për të kryer misionin.


    Ja pse Operacioni Valkiria ishte një dështim

    Të eleminohet Hitleri dhe, menjëherë më pas, të nisë një grusht shteti për të siguruar kontrollin e vendit. Kjo, në pak fjalë, ishte ideja e komplotistëve të drejtuar nga von Stauffenberg.

    Për të arritur ta zbatonin praktikisht, me sugjerimin e gjeneralit Friedrich Olbricht, iu drejtuan operacionit Valkiria, një plan i veçantë (në të vërtetë i planifikuar që vite më parë) i cili parashikonte përdorimin e ushtrisë territoriale (Ersatzheer) në rast rebelimi të brendshëm apo në territoret e okupuara. Mirëpo në këtë rast, trupat nuk do të drejtoheshin kundër popullsisë së pambrojtur, por kundër SS të Himlerit dhe vetë udhëheqësve të partisë naziste: vetëm duke hequr të gjithë ata, në fakt, do të ishte e mundur të pajtoheshim me Aleatët.

    Që nga gushti 1943, gjenerali Henning von Tresckow kishte vendosur të bënte disa ndryshime në Operacion për të mundësuar pushtimin e ministrive në Berlin, stacionet radiofonike, centralet telefonike dhe, në veçanti, shtabin e përgjithshëm të Himmler në Prusinë Lindore.

    Makina komplekse do të vihej natyrshëm në lëvizje vetëm pas një të atentati të suksesshëm. Në këtë rast von Stauffenberg – i cili ishte i vetmi që mund të konfirmonte vdekjen e Hitlerit, gjë që ai gabimisht e bëri pasi ishte i bindur se shpërthimi kishte goditur në shenjë – do të duhej të shkonte me shpejtësinë më të madhe në kryeqytet për të marrë komandën e operacioneve. Plani, edhe pse i orkestruar mirë, tregoi se nuk ishte pa boshllëqet e tij.

    Një nga dobësitë ishte qëndrimi i paqartë i gjeneralit Friedrich Fromm – i vetmi që mund të mobilizonte Ersatzheer – që ishte treguar i gatshëm të merrte pjesë në komplot vetëm me Hitlerin të vdekur. Por ishte e qartë se, me dyshimin më të vogël, ai nuk do të hezitonte të anohej kundër komplotistëve dhe nëse kjo do të ndodhte, pa urdhra të veçantë, edhe oficerët e tjerë të ngarkuar me rrethet ushtarake nuk do të lëviznin.

    Dhe është pikërisht kjo ajo praktisht ndodhi: kur Fromm mori komunikimin direkt nga Fieldmarshalli Keitel se Führer kishte mbijetuar nuk lëshoi asnjë urdhër mobilizimi dhe vetëm me ardhjen e Stauffenberg në Berlin, tre orë më vonë, u bë e mundur fillimi i pjesshëm i lëvizjes së trupave. Por ishte tepër vonë.

    Përgatiti Dardan MITROVICA

  • Nga Basir ÇOLLAKU – Shqipëria e mbushur me skllevër shqipfolës, nuk i duhet askujt si partnere

    Nga Basir ÇOLLAKU – Shqipëria e mbushur me skllevër shqipfolës, nuk i duhet askujt si partnere

    Shqipëria nën qeverisjen e Edi Ramës ka vite e renditur në tre vendet e para, për trafik droge, pastrim parash e krim të organizuar, duke zgjeruar frikshëm terren ndërkombëtar.

    Shqipëria nën qeverisjen e Edi Ramës ka asgjësuar balancën e pushteteve, përjashtuar opozitën me rregullore nga Parlamenti, duke shprishur demokracinë

    Shqipëria nën qeverisjen e Edi Ramës është bërë magazinë refugjatësh, ujgurësh, muxhahedinësh, afganësh, bangladeshas, afrikanësh.

    Shqipëria nën qeverisjen e Edi Ramës, arriti të fusë kriminelë e të dënuar, në Parlament, Bashki, qeverisje. Sot ata qeverisin bashkë çdo centimetër e çdo qindarkë.

    Shqipëria nën qeverisjen e Edi Ramës eshtë boshatisur nga shqiptarët, më shumë se pas pushtimit turk, pas vdekjes së Skënderbeut, duke e kthyer vendin në një azil të moshuarish pa rini.

    Shqipëria nën qeverisjen e Edi Ramës nuk zbaton asnjë vendim gjykate, duke përfshirë ato të Gjykatës Kushtetuese, apo të atyre ndërkombëtare

    Shqipëria nën qeverisjen e Edi Ramës ai mundësoi Mafias bashkëqeverisjen, duke qenë aksionerë në çdo institucion.

    Shqipëria nën qeverisjen e Edi Ramës nisi reformë në drejtësi dhe kriminalizoi drejtësinë ku plot emra nga drejtësia e re, prokurorë e gjyqtarë të çdo niveli janë kuvendues e punë mbarues të bandave mafioze

    Shqipëria nën qeverisjen e Edi Ramës është destinacion e strehë keqbërësish, parajsë ndërkombëtarësh ku sajdisen me orgjira e financa të zeza.

    Shqipëria nën qeverisjen e Edi Ramës emërton vëllezër serbët e komshi shqiptarët. Duke keqësuar marrëdhëniet me vëllezër gjaku, shqiptarët e e Kosovës tej çdo marrëzie.

    Shqipëria nën qeverisjen e Edi Ramës është e plaçkitur barbarisht, nga të gjithë pasuritë natyrore e nëntokësore, duke bërë ujdi për fundshpinën e fundxhepat e Ramës, si dhe oborrtarëve të tij vendas e të huaj

    Shqipëria nën qeverisjen e Edi Ramës ka Kryeministër një individ që urren shtetasit e tij, urren Shqipërinë, por përkulet si vemje para Aleks Sorosit

    Shqipëria nën qeverisjen e Edi Ramës, ka zyrtarë hajdutë, e qytetarë skllevër, që kanë këmbyer stomakun me lirinë.

    Ata që e mbështesin dhe punojnë për të, e nën të, kanë interesa jo shqiptare…Kushdoqofshin.

    Shqipëria e TiRamës e mbushur me skllevër, me mendjen te stomaku, nuk i duhet askujt për partnere.

    Demokracia e asgjësuar e zëvendësuar me të shkuarën e qoftëlargut, nuk rikthehet me lutje..

  • Nga Erion DASHO – Një tjetër mashtrim i dalë në shesh

    Nga Erion DASHO – Një tjetër mashtrim i dalë në shesh

    Të gjithë shqiptarët u ndjenë krenarë për rritjen e konsiderueshme të numrit të turistëve gjatë vitit 2023. Personalisht, nuk kam dyshim për këtë, pasi tre kolegë pune gjermanë vizituan familjarisht Shqipërinë dhe disa të tjerë po përgatiten ta vizitojnë këtë vit.

    Por propaganda e shpifur e Boratit për gjoja 10 milionë “turistë” bën që e gjithë kjo ndjesi pozitive të të kthehet në pështirosje. Greqia, një destinacion botëror i turizmit dhe me përvojë dhjetëra vjeçare, raporton 30 milionë turistë në vit, pra vetëm tre herë më shumë se Shqipëria.

    Si shpjegohet?

    Tabela e mëposhtme sqaron gjithçka. “Turistët” e Boratit janë së pari gati 6 milionë shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, ose më saktë, jo 6 milionë, por disa qindra mijëra që kanë ardhur disa herë gjatë vitit në Shqipëri.

    Kategoria tjetër përbëhet nga shqiptarë me banim në Angli, Itali, Greqi, Gjermani dhe në vendet e tjera destinacion i emigracionit shqiptar. Këta sipas të dhënave duhet të jenë më shumë se 2 milionë.

    Pra, në rastin më të mirë, janë 2 milionë turistë “realë”, çka sërish është një arritje e madhe për turizmin tonë.

    Nëse nuk do të kishim një demagog mashtrues në krye të shtetit, 2 milionë do të ishte statistika e saktë e turizmit shqiptar. Uroj që ky numër të bëhet 3 apo 4 milionë këtë vit, sepse industria e turizmit shqiptar dhe aktorët e saj të shumëvuajtur kanë të drejtë të shpërblehen për mundin dhe investimin e kryer. Nga zemra u uroj: Këtë vit më mirë!

  • Studimi i ri që përmbys krejtësisht atë që dimë për vrimat e zeza

    Studimi i ri që përmbys krejtësisht atë që dimë për vrimat e zeza

    Ndoshta për vrimat e zeza gjithmonë kemi gabuar. Një studim i ri nga ekipi i astronomëve në Universitetin Johns Hopkins përmbys çdo teori mbi origjinën reale të vrimave të zeza: ja çfarë dimë

    Vrimat e zeza kanë ekzistuar që në agimin e kohëve dhe vazhdojnë të jenë ndër objektet më magjepsëse të studimit. Sipas teorive të përhapura deri më sot, janë ato që modelojnë kozmosin dhe janë formuar pas lindjes së yjeve dhe galaktikave të para. Por sot ka dalë një teori e re që do të përmbyste gjithçka që kemi marrë si të mirëqenë deri më tani: sipas një studimi të fundit nga një ekip i Universitetit Johns Hopkins në Baltimore, SHBA,  bazuar në analizën e të dhënave që vijnë nga teleskopi hapësinor James Webb, mund të jenë pikërisht vrimat e zeza ato që mund të kenë përshpejtuar lindjen e yjeve të rinj gjatë 50 milionë viteve të para të Universit.

    Teoria e re rishkruan historinë e vrimave të zeza

    “Dimë se këto vrima të zeza monstruoze ekzistojnë në qendër të galaktikave pranë Rrugës së Qumështit, por surpriza e madhe tani është se ato kanë qenë të pranishme edhe në origjinën e Universit dhe ishin pothuajse si blloqe ndërtimi apo fara për galaktikat e para”, ka deklaruar Joseph Silk, profesor në departamentin e fizikës dhe astronomisë së Johns Hopkins University dhe Institutin e Astrofizikës në Paris, autori kryesor i studimit Which Came First: Supermassive Black Holes or Galaxies? Insights from JWST – Kush erdhën së pari: Vrimat e zeza supermasive apo Galaktikat? Vështrime nga JWST, botuar në The Astrophysical Journal Letters.

    Galaktikat në Universin primordial, të parë në imazhet e ardhura nga teleskopi hapësinor James Webb duken shumë më të shndritshme nga sa prisnin shkencëtarët, duke zbuluar një numër jashtëzakonisht të madh yjesh të rinj dhe vrima të zeza supermasive, ka shpjeguar Silk. Konvencionalisht shkenca ka mbështetur teorinë se vrimat e zeza u formuan pas përplasjes së yjeve supermasivë dhe se galaktikat, u formuan pas lindjes së yjeve të parë në Universin e errët primordial.

    Por studimi i ri kthen gjithçka përmbys: ekipi i Johns Hopkins University sugjeron që vrimat e zeza dhe galaktikat kanë bashkëjetuar dhe ndikuar njëra-tjetrën gjatë 100 milionë viteve të para. “Në të vërtetë kanë fuqizuar gjithçka, si amplifikatorë gjigantë të formacionëve yjore, që në vetvete përfaqëson krejt tjetër gjë nga ajo që mendonin të mundshme më parë, aq sa kjo mund të ndryshojë plotësisht të kuptuarit tonë se si formohen galaktikat”, ka thënë Silk.

    Vrimat e zeza dhe origjina e galaktikave

    Siç shpjegon studimi, vrimat e zeza janë rajone të Hapësirës ku graviteti është aq i fortë sa asgjë nuk mund t’i shpëtojë tërheqjes së tyre, as drita. Është falë kësaj force që krijohen fusha të fuqishme magnetike të cilat nga ana e tyre shkaktojnë stuhi të forta plazmatike, duke vepruar si përshpejtues gjigantë të grimcave. Kjo është arsyeja se pse teleskopi James Webb ka vëzhguar shumë më tepër vrima dhe galaktika të zeza sesa pritej.

    Studimi pretendon se “vrima e zezë lëshon re të grimcuara gazi, duke i kthyer në yje e duke përshpejtuar ndjeshëm shkallën e formimit të yjeve. Përndryshe, është shumë e vështirë të kuptohet se nga vijnë këto galaktika të ndritshme, pasi përgjithësisht ato ishin më të vogla në Universin primordial”. Këto erëra të pafundta që vijnë nga vrimat e zeza – edhe pse të padukshme – i shtypin retë e gazit aty pranë dhe i shndërrojnë në yje, “unaza që ka munguar e që shpjegon pse këto galaktika të hershme janë shumë më të ndritshme se sa prisnim”.

    “Mendonim që në fillim galaktikat formoheshin kur një re gjigante gazi përplasej. Surpriza e madhe është se kishte një farë në mes të asaj reje – një vrimë të madhe të zezë – dhe kjo ka kontribuuar në transformimin e shpejtë të pjesës së brendëshme të asaj reje në yje me një ritëm më të shpejtë nga sa mund të pritej. Dhe kështu galaktikat e para janë tepër të ndritshme”, ka konkluduar Silk. Mbetet vetëm të presim për vëzhgime dhe studime të reja bazuar në imazhet e teleskopit hapësinor James Webb, të cilat mund të na ndihmojnë të kuptojmë më shumë rreth evolucionit të Universit. Dhe ku i dihet, të na befasojë edhe një herë.

    Përgatiti Dardan MITROVICA