Blog

  • Lulzim Basha, limoni i shtrydhur i amerikanëve në Tiranë

    Lulzim Basha, limoni i shtrydhur i amerikanëve në Tiranë

    Kur Lulzim Basha po afrohej në oborrin e parlamentit këtë të enjte, gazetarët nxituan t’i zënë pritë. Në këtë ditë të shënuar nga vizita e sekretarit të shtetit, Entoni Blinken kishte një interes të pazakontë, gati cinik, se përse Lulzim Basha nuk ishte askund në axhendën e takimeve.

    “Ju vjen keq që sot asnjë përfaqësues i opozitës nuk do të takohet me Entoni Blinken për 8 orë që do të qëndrojë në Shqipëri?” ishte pyetja që iu bë sapo Basha e ndali hapin.

    I ndërgjegjshëm se retorika që e mban gjallë ekzistencën e tij në politikë nuk i përgjigjej fakteve, Basha bëri një përpjekje për t’i relativizuar faktet. Në fillim shpjegoi domethënien e konceptit “marrëdhënie strategjike” në raport me SHBA. Pastaj gjeti shpëtim tek një shprehje të parapërgatitur sipas së cilës këto marrëdhënie “nuk mund të futen në çorapet e pista të Tiranës”.

    Por loja e fjalëve nuk mjaftoi për t’i ikur kontradiktës. “Mirë që nuk njeh “non gratat”, por me sa duket nuk ju njeh as ju” ishte kunja, që u hodh nga grupi i reporterëve, si për t’ia zgjatur sikletin. Teksa ngjiste shkallët e kuvendit, me buqetën e mikrofonave nga pas, Basha këputi edhe një frazë ashtu kot, “Takimet me kolegët e Amerikës nuk kanë munguar dhe nuk do të mungojnë” tha ai.

    Përtej nënqeshjeve të gazetarëve dhe ngacmimeve rutinë në oborrin e kuvendit, kjo vizitë e sekretarit të shtetit, Entoni Blinken merr rëndësi edhe për një aspekt tjetër dytësor, atë të luftës për identitet brenda opozitës.

    Ndërsa njëra anë e opozitës e udhëhequr nga Sali Berisha gjen kuptim tek disa qindra mijëra vota gjithsesi të pamjaftueshme për fitoren në zgjedhje, thelbi i ekzistencës politike të Lulzim Bashës ka qenë një lloj simpatie, me të cilën e përkëdhelte dikur Juri Kim, ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Ishte ky trajtim konfidencial, vizitat e shpeshta në selinë e PD-së, referimi i tij si “Luli” nga diplomatët amerikanë që i dhanë mundësinë të qarkullonte nëpër Tiranë me një aureolë, si të ishte “njeriu i amerikanëve” brenda opozitës.

    Sigurisht që për ta përforcuar këtë identitet të ri, pas humbjes së 25 Prillit të vitit 2021, shërbeu edhe akti që Basha mori me kërkesë të ambasadës amerikane duke goditur Sali Berishën në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Dhe për hir të “marrëdhënieve strategjike me aleatin e madh përtej Atlantikut”, ai i vuri flakën partisë më të madhe të opozitës, përjashtoi mbi 50 mijë anëtarë të saj, madje kur kishte nevojë i ktheu sytë nga Edi Rama për bashkëpunim.

    Për çdo hap që hedh në politikë, në çdo fjalim që mban me mbështetësit e tij, në çdo vendim që merr, Lulzim Basha thotë se bën në konsultim me aleatët tanë strategjikë përtej atlantikut.

    Madje një muaj më parë, ambasada amerikane u detyrua ta përgënjeshtrojë publikisht, kur ai e përdori për të disatën herë “sekretin e tij” me aleatët strategjikë, për marrëveshjen që kishte ujdisur në prapaskenë me Edi Ramën për komisionin e reformës zgjedhore.

    Për të kuptuar se mungesa e sotme në axhendën e Blinken nuk është rastësi, duhet përmendur se në 1 Nëntor të vitit 2012, kur Hillari Klinton erdhi në Tiranë administrata e asaj kohe rezervoi një takim me kreun e Partisë Socialiste, Edi Ramën. Detaji e bën akoma më të rëndë vizën që i kanë hequr amerikanët një pseudo-opozitari të dalë boje, që nuk i ka mbetur më asgjë, as “amerikanizmi” për të kapur ndonjë kockë nga pushteti i Ramës.

  • Nga Andi BUSHATI – Blinken konfirmoi një regjim me mbështetje amerikane

    Parada e shkurtër e sekretarit të shtetit Antony Blinken në Tiranë i ka hedhur një dush të ftohtë iluzioneve të tërë atyre opozitarëve që shpresojnë se SHBA nuk mbështet një regjim antidemokratik në Tiranë.

    Togfjalëshat, ‘një udhëheqës i shquar dhe kryeministër shumë i mirë’, në adresë të Edi Ramës, i vunë kapak të gjitha pandehmave, se shefi i qeverisë që korruptoi zyrtarin më të lartë të FBI të rekrutuar ndonjëherë, ishte që prej asaj kohe i padëshiruar për këtë administratë amerikane.

    Prej kohësh, mes opozitarëve dhe kritikëve të autokratit shqiptar qarkullonte një besytni, e shprehur dhe publikisht, se skandali McGonigal e dogji njëherë e mirë Ramën në sytë e zyrtarëve të përtej Atlantikut. Dikush spekulonte se dhe dosja që po heton Dumani ishte direktivë nga Uashingtoni, të tjerë se Blinkeni nuk i kishte dhënë as dorën në OKB, e ndonjë tjetër se lobimi i Sorosit nuk po pinte më ujë.

    Jo nuk është kështu. Blinken jo vetëm erdhi në Tiranë, jo vetëm i thuri elozhe Ramës, por mbi të gjitha ai refuzoi të takohet me çdo lloj kundërshtari të tij brenda vendit.

    Pra mesazhi i vizitës së tij është i qartë: nëse nuk iu pëlqen Edi Rama, nëse besoni se ai është i korruptuar, nëse këmbëngulni se ai po grabit dhe shpopullon Shqipërinë, mos e llogarisni SHBA-në në betejën kundër tij. Në Uashington vlerësojnë më shumë ndihmën për afganët që u mbetën në derë, pasi nuk e eksportuan dot demokracinë drejt lindjes, bazën e Kuçovës të cilën mund ta përdorin pas muajit të ardhshëm, sesa skrupujt demokratikë të një vendi gjeopolitikisht të papërfillshëm.

    Edhe njëherë, idiotët e dobishëm që i besojnë në mënyrë idealiste moralit të hipërfuqisë dhe merakut të saj për mbarëvajtjen demokratike të Shqipërisë, me siguri që kanë mbetur të zhgënjyer. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Nëse në arenën e madhe globale Blinken mund të lërë ndonjë trashëgimi, në historinë e këtij vendi ai do të ngulitet me aktin e non gratas, që përçau në mënyrë të pariparueshme opozitën, duke përmbyllur instalimin e një regjimi autoritar.

    Midis këtij akti dhe lavdeve të sotme është një histori e tërë. Aty duhen llogaritur përshëndetja për ‘fitoren historike’ të zgjedhjeve, ende pa dalë rezultati i masakrës elektorale të 2021-shit, kërcënimet për politikanët që manifestonin kundër qeverisë me flamuj amerikanë, urimin për zgjedhjen e gjykatëseve kushtetuese të bregut të Lanës, që më pas Venecia i konsideroi të paligjshme, mbylljen e syve për prishjen e marrëveshjes elektorale të 5 qershorit, e deri tek thirrjet për ngrënie bari.

    Pra shkurt, nëse regjimi i Ramës është ky që është sot, ai është i tillë edhe falë ‘carta bianca’-s amerikane.

    Për këdo që është i ndërgjegjësuar për këtë, vizita tetë orëshe e Antony Blinken nuk përbënte asnjë lajm. Ndërsa të tjerëve, që përkundin ëndrra për Amerikën shpëtimtare, aleatin tonë të madh strategjik, të cilit duhet ti bindemi verbërisht, mbetet një pikëpyetje: A i shpjegojnë ata dot fjalët: ‘një udhëheqës i shquar dhe kryeministër shumë i mirë’, në adresë të Edi Ramës?

  • Nga Sali BERISHA – Welcome to monist Albania

    Nga Sali BERISHA – Welcome to monist Albania

    Të dashur miq, vizita e sekretarit të Departatmentit të Shtetit të SHBA për çdo vend dhe për më tepër për Shqipërinë është një eveniment shumë i rëndësishëm, sidomos në këtë periudhë të trazuar për botën dhe rajonin tonë.

    Partia Demokratike promotore kryesore e bashkëpunimit dhe miqësisë midis Shqipërisë dhe Shtetve të Bashkuara këto 33 vite, e cila futi zyrtarisht Shqiperinë në NATO, një dekadë e gjysëm më parë, lokomotivë kryesore e proceseve integruese të Shqipërise në BE mbetet e vendosur të mbeshtesë e pa lëkundur sikundër deri sot bashkëpunimin dhe miqësinë midis dy vendeve tona dhe çdo përpjekje në kuadrin e NATO-s, por edhe në rrafshin bilateral të SHBA në për paqen sigurinë në rajon, Europë dhe me gjerë. Të dashur miq, vizita e sotme e Sekretarit Blinken është vizita e 6-të e një Sekretari të Shtetit në Shqipëri. Por kjo ëshzë e para vizitë e një sekretari shteti, pas 33 vite pluralizëm, që fatkeqësisht të paktën në protokoll ka takime vetëm me Partinë-shtet.

    Kjo për shkak të dhunimit masiv të votes nga qeveria, sot si kurrë ndonjëherë në historinë e vendit, 95% e të gjithë zyrtarëve të lartë të emëruar apo të zgjedhur i përkasin partisë shtet të Edi Rames.

    Së dyti Edi Rama, aktualisht kryeministri më i korruptuar në Europë për të vënë në kontroll opozitën në një super Watergate të këtij shekulli korruptoi shefin e kunderzbulimit te FBI të New York, Charles McGonigal dhe i pagoi atij se paku 225 mije dollar per te manipuluar dosje kunder opozites shqiptare. Dokumentat deshmojnë se perveç McGonigal, Louis Bladel, Marko Rossini, Edi Rama dhe mentori i tij George Soros lobuan fort per shpalljen time nongrata, pa prova, per korrupsion domethenses, 8 vite pasi kisha dhene dorheqjen nga çdo funksion.

    Ata e bënë këtë me qëllimin e vetëm që të shuanin zërat që denonconin fuqishëm mega aferat korruptive të Edi Ramës lidhjet e tij të tmerrshme me krimin në Shqipëri, rajon deri tek bosët shqiptarë të Sinaloas të Meksikës por edhe denoncimin e mbështetjes nga Edi Rama të projekteve serbo-ruse në rajon si ndryshimi i kufijve dhe de facto ndarja e Kosovës midis Serbisë dhe Shqipërisë.

    Ata e bënë këtë se ne kundërshtuam me forcë projektin e Ballkanit të Hapur që mbështetetet haptas nga Sergei Lavrov dhe po kaq haptas nga Aleksis Soros si dhe mbrojtjen hapur të Beogradit nga ana e tij në samite ndërkombëtare për mosrespektimin e sanksioneve të NATO-s dhe BE ndaj Rusisë. Por me këtë rast dua t’ju garnatoj miq se ashtu sikundër kam shkruajtur në letrën time drejtuar Sekretarit Blinken në maj të vitit 2021 se në momentin kur qeveria e SHBA, agjensitë e saj apo të çdo vendi tjetër do paraqesin një provë apo dokument të vetëm për të faktuar korrupsionin tim, Sali Berisha largohet përfundimisht nga politika.

    E vërteta është se pas tri vitesh hetimesh intensive e të shumanshme qeveria, drejtësia e kontrolluar prej saj dhe askush tjetër nuk kanë gjetur dot asnjë provë fakt apo dokument që të fajësojnë Sali Berishën ndaj dhe unë jam sot me urdhër politik të Edi Ramës, si asnjë lider tjetër opozite nën arrest, por pa asnjë akuzë dhe me një proces në shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve shqiptare por edhe të konventave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut!

    Jam sot me urdher politik ne arrest shtepies si person ne hetim sepse dhendri im Jamarber Malltezi si njeri nga 510 mij qytetar shqiptar qe ne vitet 2006-2021 kane marre ne total me kethim dhe kompensim 1 miljard e 577 milion e 400 mij m2 tok ka marre dhe ai ne perputhje te plote me ligjin 410 m2 toke te familjes se tij te konfiskuar nga rregjimi komuniste 60 vite më parë.

    Monizmi ne Shqiperi eshte i instaluar edhe sepse Edi Rama prej shume kohesh ju mohon 43 deputetve te opozites ne Parlament te drejtat themelore kushtetuese. Ai nuk pranon krijmin e komisioneve hetimore parlamentare per megaferat e tij te medha korruptive PPP e tij. Dubai Cityn e Durresit, Parkun e Butrintit, per superkandalin e Rama- McGonigal per te cilin ka nje gjyq neser ne Washington. Ai nuk pranon perfaqesuesit e tyre te zgjedhur ne komisionet parlamentar dhe me kontrollin e tij rreptë te tij mbi drejtesine dhe urdher publik te tij mban ne arrest shtepie pa akuze liderin e partise me te madhe opozitare duke shndërruar Shqiperinë vendin antar te NATO-s, ne Ugande apo Tunizine e Europes. Me kete akt Edi Rama vazhdon traditen e babait te tij biologjik ish-zevendesit të diktatorit Ramiz Alia qe firmoste ne gusht te vitit 1988 ekzekutimin e fundit politik ne gjithe Europen Lindore, varjen ne litar si kundershtar politik te poetit disident Havzi Nela. Për gjithë keto dua te garantoj shqiptaret dhe miqt e Shqiperise ne SHBA dhe kudo ne bote se opozita shqiptare eshte sot me e vendosur se kurr te rivendos zgjedhjet e lira dhe pluralizmin politik ne Shqiperi bazuar pikerisht mbi vlerat e lirise per te cilat sekretari James Baker foli para 200 mije shqiptareve 33 vjet me pare.

  • Elon Musk ia lë vendin e parë Bernard Arnault: cilët janë sot 10 miliarderët më të pasur në botë

    Elon Musk ia lë vendin e parë Bernard Arnault: cilët janë sot 10 miliarderët më të pasur në botë

    Miliarderi që ka qëndruar në krye të listës së Forbes për më shumë se gjashtë muaj, Elon Musk, ka patur një janar plot ngjarje. Më 24 janar, Tesla njoftoi gjatë se priste një rritje “dukshëm” më të ngadaltë më 2024. Menjëherë, që të nesërmen, ky lajm çoi në një rënie prej 12% të çmimit të aksioneve të Tesla. Më pas, më 30 janar, një gjykatës i Delaware vendosi të anulojë paketën prej thuajse 51 miliardë dollarësh të dhënë Teslës nga Musk më 2018. Nën dritën e këtij vendimi, Forbes e uli me 50%, paketën e opsioneve që kishte marrë Musk, duke e ulur me 25.5 miliardë dollarë pasurinë e tij. Kombinimi mes një aksioni Tesla më të dobët dhe stopit të paketës së kompensimit e ka zbritur Musk-un në vendin e dytë në renditjen e njerëzve më të pasur në botë.

    Njeriu i ri më i pasur në botë është francezi Bernard Arnault. Pronari i LVMH, në vendin e dytë që nga qershori 2023 (me një kalim të shkurtër në vendin e parë më 26 janar 2024), ka përfituar një rritje prej 9% të të ardhurave të kompanisë së tij.

    Nëntë nga dhjetë njerëzit më të pasur në botë janë më të pasur më 1 shkurt 2024 sesa muajin e kaluar. Asetet e tyre në përgjithësi kapin vlerën e 1.44 trilion dollarëve, nga gati 1.47 trilion dollarë një muaj më parë, për shkak të rënies së pasurisë së Elon Musk.

    Dy miliarderët me rritjen më të madhe të aseteve në muajin e fundit ishin Mark Zuckerberg, me një rritje prej 12.4 miliardë dollarësh dhe Bernard Arnault, që fitoi 10.1 miliardë dollarë në janar. Pasuria e të dyve u rrit falë rritjes së çmimit të aksioneve të kompanive të tyre përkatëse.

    Renditja e 10 njerëzve më të pasur në botë

    1. Bernard Arnault>>>>209,4 miliardë dollarë
    2. Elon Musk>>>>>>> 182,6 miliardë dollarë
    3. Jeff Bezos >>>>>>> 177,4 miliardë dollarë
    4. Larry Ellison >>>>>>139,3 miliardë dollarë
    5. Mark Zuckerberg >>>137,7 miliardë dollarë
    6. Warren Buffett >>>> 126,3 miliardë dollarë
    7. Bill Gates >>>>>>>>122,2 miliardë dollarë
    8. Larry Page >>>>>>>117,7 miliardë dollarë
    9. Steve Ballmer >>>>>117,3 miliardë dollarë
    10. Sergey Brin >>>>>>112,9 miliardë dollarë

    Forbes.com/ Përgatiti Dardan MITROVICA

  • Konferenca e shtypit në Uashington për vizitën në Tiranë, zero pyetje për Shqipërinë dhe McGonigal dhe por një batutë e gazetares për Yuri Kim

    Konferenca e shtypit në Uashington për vizitën në Tiranë, zero pyetje për Shqipërinë dhe McGonigal dhe por një batutë e gazetares për Yuri Kim

    Zëvendës Sekretari i Shtetit për Europën dhe Euro-azinë, James O’Brian dhe zëvendësja e parë e zëvendësve të Sekretarit për Euroazinë, Yuri Kim, ish-ambasadore në Tiranë, kanë dalë dje në Uashington në një konferencë shtypi, një ditë para nisjes për në Tiranë dhe Munih.

    Ajo që bie në sy është fakti se asnjë prej pyetjeve nuk ka qenë për Shqipërinë, dhe arsyet e vizitës së Sekretarit Blinken në Tiranë dhe Shëngjin. Të gjitha janë përqendruar te lufta në Ukrainë dhe Gaza, apo deklaratat e ish-Presidentit Trump për NATO-n.

    Dy janë mundësitë: ose Shqipëria nuk zgjon interes, dhe gazetarët e kanë parë këtë këmbë të turit të Sekretarit Blinken si të parëndësishme ose, dhe këtu jemi në shtegun e një spekulimi, gazetarëve u është kërkuar ‘si favor’ që të mos ketë pyetje për Shqipërinë. Ngjan e çuditshme që reporterët e gazetave më të mëdha amerikane, që e kanë trajtuar gjerësisht «aferën McGonigal», nga Washington Post te New York Times, nuk i kanë pyetur ndihmësit e Blinken.

    Çështja është ngritur edhe në Kongresin Amerikan. Edi Rama dhe disa prej personazheve të dosjes McGonigal ishin gjithashtu klientë në hotelin e Trump në Uashington DC për të cilën gjithashtu raportoi media amerikane pas publikimit te një Raporti të Komitetit Mbikqyrës të Kongresmenit Raskin.

    Sidoqë të jetë, mosinteresimi total për Shqipërinë është tregues, fatkeqësisht, i faktit se askush nuk pret gjë nga kjo vizitë, e cila duket se është parë nga gazetarët si një lloj dekori politik para ndalesës së rëndësishme të Blinken në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

    Shqipëria u përmend një herë, por në raport me ish-Ambasadoren amerikane. Një gazetare e Reuters i kujtoi Yuri Kim se po kthehej në vendin ku shërbeu dhe ku kishte qenë një ‘borderline celebrity’ (dikush në kufijtë e të qenit famoz).

    Është një koment që mund të merret nga të dy anët: kompliment ose ironi.

    Sa i takon pyetjeve për «çështjen McGonigal», mbetet për tu parë se çfarë do të ndodhë në Tiranë. A do ti lejojë gazetarët Kryeministri të drejtojnë këtë pyetje? Për zotin Blinken sepse përgjigjen e Ramës e dimë.

  • Nga Andi BEJTJA – Që Blinken mos vijë si një Papë për të larë mëkatet e Ramës

    Fotografia e madhe e Sekretarit Blinken në universitetin e Tiranës te Nënë Tereza, njësoj si ajo e Papës kur dhe shkelqesia e tij vizitoi Shqipërinë, padyshim i shijon Edi Ramës dhe Qeverisë së tij. Rama dhe të tijët e duan Sekretarin e Shtetit si Papë, jo thjesht për t’i rrëfyer mëkatet të cilat Blinken i gjen kollaj tek raporti i fundit i Departamentit të Shtetit, ku indeksi I korrupsionit, parave të pista dhe blerjes së mediave dhe votave, është në ditën më të zëzë: Rama dhe të tijët e duan Blinken si Papë për të larë pikërisht këto mëkate të përshkruara në Raport, për të larë mëkatin e korruptimit të Zyrtarit të lartë të FBI Mg Gonigal, që më shumë turpëroi Amerikën se Shqipërinë, për t’i shtuar tulet oligarkisë dhe për të betonizuar autokracinë.

    Unë nuk jam naiv të besoj, se për herë të pare një zyrtar i Lartë Amerikan, kur bëhet fjalë për një vend të vogël si Shqipëria, në raportin mes Stabilitetit dhe Demokracisë, dhe sidomos në këtë kohë të trazuar jo vetëm për rrajonin tonë po për të gjithë botën, do të anojë në zgjedhje nga DEMOKRACIA në vend të STABILITETIT, por disa përpjekje dhe pikërisht me Këshilla “Made in Usa” do t’i bëj që të paktën vizita e një Sekretari Shteti mos përfundojë si vizita e lobuar e një Pape me sapun në dorë për të larë mëkatet e autokratëve të korruptuar.

    Përshembull, do isha i lumtur që të paktën në avion rrugës për në Shqipëri, një nga vartësit e tij, ti lexonte vetëm 30 sekonda një pjesë nga fjalimi i një Sekretari tjetër Shteti, mbajtur fiks për koicidencë në muajin Shkurt plot një dekadë më parë. Ja cfarë tha fjalë për fjalë Jonh Carry në atë fjalim historik jo thjesht diplomatik dhe pikërisht kur sapo kishte filluar kriza në Ukrainë: “Aspiratat e qytetarëve përsëri po nëpërkëmben nga korrupsioni, nga interesat e oligarkëve, të cilët përdorin paratë për t’i marrë frymën opozitës politike, për të blerë politikanë dhe median, si dhe për të dobësuar pavarësinë e gjyqësorit e të shoqërisë civile”.

    Fatkeqësisht, pas një dekade, si në rrajon por edhe në Shqipëri, kto fenomene janë trashur disa fish, pasi politika amerikane sidomos në këtë rrajon ka mbajtur padrejtësisht kërbac për opozitën dhe lule për Qeverinë në këmbim të marjes së disa muxhahedinëve apo afganëve, duke bërë që në afera të tilla korruptive si Icenratori Tiranës të arrimë deri aty ku amerikanët kanë dhe frikën më të madhe: të gjejmë gjurmë të parave ruse dhe iraniane.

    Do isha dyfish i lumtur sikur qoftë dhe disa sekonda në dremitje e sipër po në avion Sekretari Blinken të risillte në mendje qoftë edhe në gjumë Doktrinën e Presidentit Biden “ Demokracia përballë Autokracisë”, doktrinë e formalizuar në të ashtëqujturat dy Samitet e Demokracisë mbajtur në 2021 dhe 2022 në Uashington.

    Do isha trefish i lumtur, sikur vec 15 sekonda, që po dikush nga vartësit thjesht në avion, ndoshta fill pasi stjuardesa ti jepte picetën e lagur sekretarit Blinken pas ushqimit, t’i risillte një tjetër thënië të një zyrtari tjetër të lartë Amerikan, po disa vite më parë që ta kishte sidomos parasysh kur të takojë qoftë Ramën apo qoftë dhe Dumanin. Ja cka thënë në mënyrë eksplicite Jonathan More: “Të luftosh korrupsionin nuk do të thotë që ata që kanë pushtetin sot, të ankohen për ata që kishin pushtetin më parë?. Nuk duhet të bëhet fjalë thjesht për fajësim të paraardhësve”.

    Do isha katërfish i lumtur, shumë i lumtur, neqoftëse dikush do ia rikujtonte Sekretarit Blinken përpara se të zbriste në tokën Shqiptare atë që bisedova dhe me Presidentin Bush gjatë intervistës që pata me të në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2007 ku dha dy lajme të rëndësishme Kosova e Pavarur dhe Shqipëria në NATO: “Që qeveri pro Amerikane është e lehtë të gjeh në këtë rrajon, por popuj pro amerikanë jo dhe aq lehtë”. Rri i qetë Sekretari Blinken, se dhe kjo opozitë është po aq servile dhe vasale ndaj jush sa ju mer jo vetëm muxhahedinë dhe afganë, por rrezik dhe armët kimike nëse i ripropozoni prapë. Kujdes, mbaje mirë me shqiptarët, respekto disa parime demokratike, disa ballanca, se nuk do jetë çudi që dhe shqiptarëve t’iu mbarojë dashuria e verbër për Amerikën dhe të përfundojnë me të njëjtat ndjesi të përziera ndaj jush si Grekët, Maqedonasit apo akoma keq Serbët.

    Dhe së fundmi, i dashur Sekretari Blinken, të jem i sinqertë, jam pesëfish i lumtur, që ndryshe nga të gjitha Nogratat e tjera në Botë dhe në Rajon, ku është e shkruar e zezë mbi të bardhë konkretisht motivi i Nongratës, e shpallët Nongrata ish kryeministrin Berisha pa asnjë provë e asnjë fakt, duke i bërë një nder të madh demokracisë shqiptare. Pa këtë akt, sot nuk do të kishim pothuaj asnjë digë demokracie e rezistence opozitare, do të kishim shumë e shumë më pak denoncime të këtij regjimi kleptokratik, rrezik do të kishim një qeveri të përbashkët nga e majta der në të djathtë, përfitues të cilit do ishin një grusht politikanësh e oligarkësh, për të cilët Sekertari tjetër i Shtetit Johm Kerry dha alarmin po në shkurt fiks 10 vite më parë.

    Titulli në origjinal: Që Blinken mos vijë si një Papë për të larë mëkatet e Aferës Rama-MgGonigal

  • Nga Erion DASHO – Shkëndijat që ndriçojnë hajdutërinë

    Nga Erion DASHO – Shkëndijat që ndriçojnë hajdutërinë

    Zjarri dogji urgjencën e re të QSUT-së në Tiranë, e cila nuk ka mbushur ende vitin nga koha e përurimit dhe që, si gjithçka tjetër në shëndetësinë e rilindjes u ka kushtuar shqiptarëve sa qimet e kokës.

    Të gjithëve u kujtohet Borati në versionin elektoral kur deklaronte paturpësisht se “ky spital nuk kishte asnjë ndryshim nga spitalet pariziene”.

    Nga ana tjetër mjekët nën zë deklaronin se përveç shumë mangësive, spitalit i mungonin deri edhe mjediset mësimore, çka përbën një domosdoshmëri për një spital universitar.

    Zjarri ndërkohë tregon se spitali i ri ka probleme shumë më të mëdha, kësaj here me sigurinë për jetën e pacientëve. Dy pyetjet që duhet t’i bëjë çdokush janë:

    A kanë ndonjë garanci investimet super të shtrenjta të rilindjes dhe boratëve?! Para pak kohësh ishte suvaja e një tavani të posakonstruktuar që u rrëzua duke rrezikuar seriozisht jetën e pacientëve. Sot është zjarri. Po nesër?!

    A mban dikush përgjegjësi për tenderimin, projektimin dhe zbatimin e këtyre projekteve dhjetëra milionë euro?! Në Europë numërohen me gishtat e duarve firmat që janë të afta të projektojnë spitale. Cila është firma që ka projektuar dhe ndërtuar spitalin e “shkëndijës” së sotme?!

    ***

    Shkëndija në urgjencën e QSUT-së nxori edhe njëherë zbuluar propagandën dhe mashtrimet e rilindjes me shëndetësinë.

    Gjërat e fundit që u interesojnë boratëve janë shëndeti, siguria dhe jeta e shqiptarëve. Më të rëndësishmet për ta janë koncesionet, hajdutëria dhe grabitja e pareve publike.

    Por shqiptarët durojnë!

    Big Brother ka hyrë në një fazë shumë interesante… Këtë verë kemi kampionatin europian… Më pas nis fushata elektorale…

    Lum si ne për rilindjen dhe Boratin!

  • Nga Agim XHAFKA – Censusi i plehrave

    Dje isha në Korçë. Mes farefisit e miqve takova edhe Calen, shokun tim të fëminisë.

    -Sa gënjeni për censusin ju të Tiranës, bre!- ma priti ende pa më përqafuar.

    -Po ku e sheh gënjeshtrën ti, bre?- ia ktheva korçarçe.

    -Po ja, thoni që gjoja nuk janë shpallur të dhënat, gjoja po fshihen ato, gjoja na i kanë vjedhur iranianët. Çfarë nuk sajoni o t’u mbylltë e mendjes!

    Sa do hapja gojën ta sqaroja, ai vazhdoi:

    -Ne në Korçë na i kanë thënë rezultatet, lopka-lopka na i kanë bërë. Të kuptueshme, bre. Bile na i thonë dhe na i thonë përditë. Kemi qeveri transparente, po juve nuk u pëlqen e vërteta.

    E pashë që të vazhdoje dialogun me të qe punë boshe. Nuk i merrte pykë mendja. Sado që të ngjiresha unë.

    -Epo m’i trego mua atëhere këto shifrat e censusit, byrazer!- u talla.

    -Ja bre lalkë, t’i shkoqit unë fët e fët,- tha.

    E mori një pozë serioze sikur të qe vetë shefi i censusit.

    -E mban mend atë rrugicën që zbriste si gjarpër nga kampi i punëtorëve te bulevard “Republika”?

    -Atë që bënim ski kur binte borë, o?

    Dhe sapo më përfshiu nostalgjia ai vazhdoi:

    -Po, po atë. Banojnë 93 familje gjatë asaj gjarpërusheje. Dhe çdo mëngjes te dera varnin në gozhdë qesen e plehrave se ti e di që lagjet e vjetra me vila nuk kanë kazanë. Më pas vinte makina që i përfshinte të gjitha qeset te barku i vet.

    -Dhe? Ç’lidhje kanë plehrat me censusin?- e pyeta.

    -Kanë o byrazer se ja sot ajo rrugicë e gjatë e gjatë me plot 93 familje te portat sheh veç 5 qese plehrash. Të tjerët i derdhin plehrat nëpër botë. Pra s’ka nevojë t’i vonojë qeveria shifrat. I kemi para syve orë e minutë.

    Ky fakt më trishtoi. Sa do i thoja që ke të drejtë, Korça vërtet e paska shpallur censusin, ai më tha:

    -Ti e di që unë punoj te xhaxhai im që ka tavernën “Qejfi”. Prej muajsh matura 1985–1989 e gjimnazit kishin prenotuar për darkën e takimit të tyre. Kishin mall pas 35 vitesh.

    -Dhe?

    -Dhe e anulluan. Se nga 42 ish-nxënës në Shqipëri kanë ngelur veç 6. Të tjerët enden nëpër glob. Deri në Alaskë, o byrazer.

    Calja më shtiu në mendime. Censusin pa e rrëmbyer iranianët e kemi rrëmbyer ne me jetën tonë plot halle,plot mangësi, plot vrima. E dimë mirë rezultatin. Sado të përpunohen të dhënat nuk mbulojnë dot diellin me shoshë.

    -E sheh, Korça e ka shpallur censusin,- tha Calja.

    -Dhe Tirana, dhe Shqipëria e kanë shpallur, por ne jemi të vdekur,jemi të pakallur,- fola me vete.

  • Çfarë duhet të bëni dhe nuk duhet të bëni nëse jeni të rrethuar nga një tufë me qen encacakë?

    Çfarë duhet të bëni dhe nuk duhet të bëni nëse jeni të rrethuar nga një tufë me qen encacakë?

    Nëpër rrugët tona tashmë është bërë e zakonshme të shohim qark nesh, veçanërisht gjatë natës, një qen apo një tufë qensh endacakë që në gjuhën e përditshme i quajmë edhe ‘qen rrugaçë’. Nuk ka rëndësi se si dhe pse enden rrugëve. Është tjetër diskutim ai. Sot po flasim për faktin kur në një moment të caktuar, gjendesh i rrethuar prej një tufe të tillë. Atëherë?

    Qentë, qofshin endacakë, rrugaçë, apo jo, të gjithë ruajnë instinktin grabitqar të Ujkut.

    E thënë më thjesht, mund të thuhet pa asnjë dyshim se në çdo qen ndodhet, thellë-thellë, një Ujk dhe instinkti i ujkut nuk humbet kurrë, pavarësisht kryqëzimeve të shumta dhe bashkëjetesës mijëravjeçare njeri-qen.

    Tufat e qenve rrugaçë janë padyshim më të rrezikshëm se një tufë ujqërish, kjo jo për shkak të forcës apo agresivitetit të dy grupeve, por për faktin se Ujqërit priren t’i shmangin njerëzit, duke pasur, jo frikë, por një mosbesim atavist ndaj njeriut; ndërsa qentë rrugaçë, nuk kanë frikë apo hezitim të afrohen me njeriun dhe me hapësirat e tij.

    Tufa e endacakëve nuk ka tendencë të sulmojë njerëzit, e kanë më të leverdisshme të bashkëjetojnë me ta dhe të shfrytëzojnë atë që hidhet nga njerëzit, por nëse për arsye të ndryshme, të cilat për momentin nuk mund t’i hamendësojmë, ka ndërmend të sulmojë një njeri, do bëjeni para së gjithash ndaj një personi të izoluar, gjithnjë për shkak të instinktit të Ujkut që përpiqet të izolojë gjahun më të dobët, të dëmtuar apo të sëmurë.

    Nëse papritmas, në një moment të jetës tënde gjendesh në këtë situatë, atëherë më së pari, ajo që duhet demonstruar është mungesa e frikës, një qëndrim në vend dhe i vendosur, shenjë shëndeti dhe force kjo, dhe jo të nxitet tufës me gjeste sfiduese, ndoshta duke u përpjekur për t’i përzënë nëpërmjet gjesteve të ndryshme.

    Një shkop apo objekt tjetër i gjatë i frikëson qentë dhe ka mundësi t’i bëjë ata që të ndalojnë sulmin, por duke supozuar se je vetëm, pa shkop dhe me një tufë endacakësh që të vijnë përballë, atëherë absolutisht duhet që të sigurohesh që të mbrosh kurrizin, të mbështetesh në një mur, në një makinë, a në një pemë të madhe, me pak fjalë nuk duhet të lejosh që të rrethohesh. Nëse vëren se grupi po përpiqet të krijojë një rreth rreth teje, atëherë është pothuajse e sigurt që do të të sulmojnë.

    Atëherë duhet vëzhguar me kujdes sjellja e tyre dhe të përpiqesh të kuptosh se është qeni alfa, ai i pari i tufës, ai që në përgjithësi do të të ndalojë përballë me një qëndrim kërcënues dhe i vëmendshëm ndaj lëvizjeve të tua, duke urdhëruar pjesëtarët e tjerë të tufës të të rrethojnë.

    Nëse nuk ke ku mbështetesh, pra të sigurosh kurrizin, nuk ke shkop, je vetëm, nuk ke shumë se ç’të bësh; qëndro në vend, duke treguar vendosmëri por pa sfidë dhe duke mos u përpjekur të bësh veprime të tilla sikur je duke thirrur dike, duke treguar duart apo të bësh gjeste të tjera miqësore, tufa mund t’i interpretojë si dobësi.

    Tani një eksperiencë personale: kohë më parë isha në kodër për një shëtitje në pyll, vetëm, kisha një çantë shpine të vogël mbi supe dhe një pelerinë, shishe uji dhe objekte të tjera, kur befas, rreth 10 metra larg meje, nga një një rrip anësor toke zbresin përgjatë shtegut tre qen të mëdhenj të racave të përziera që shfaqen para meje dhe ia nisin një të lehin, fillimisht lehtas, ulin kokën dhe rreshtohen para meje. Menjëherë hoqa çantën e shpinës dhe e shtrëngova me njërën dorë ndërsa me tjetrën mbaja pelerinën shumë dukshëm dhe lart, qëllimi im ishte të “zgjeroja” siluetën time, doja të bëhesha më i madh dhe më i fortë në sytë e tyre, hodha këmbën e djathtë pak përpara dhe lëviza trupin pak anash sikur do sulmoja, e mbaja shikimin ngultazi mbi qenin në të djathtë, jo te qeni alfa. Të tre patën një tundim të lehtë, një pavendosmëri mbi se çfarë të bëjnë, unë përfitova menjëherë dhe bëra një gjysmë hapi përpara, i qetë. Qeni alfa ndoshta më konsideroi një “pre” luftarake dhe ndoshta prandaj vendos që do të ishte më mirë të shikonte diku tjetër.

    Përgatiti Dardan MITROVICA

  • Beteja kundër alkoolit dhe zia: Rio Ferdinandi tjetër

    Beteja kundër alkoolit dhe zia: Rio Ferdinandi tjetër

    Ish qendërmbrojtësi anglez ka humbur gruan pas një sëmundjeje të rëndë. Pas futbollit, rrëfimet për demonin alkool: “Nuk e mbaj mend mirë karrierën time”

    Një futboll ndryshe, dhe jo edhe aq i largët. Jo plotësisht jashtë linjave në krahasim me standardet aktuale, por të ndryshme, më reale, më pak të shndritshme, më autentike. Thjesht, më shumë sport. Vitet ’90 të futbollit, sipas shumëkujt, janë dekada e fundit e madhe e topit, ende bardh e zi, ende e thjeshtë. Tani, e pamundur. Bota ka ndryshuar, më e vogël a më e madhe, secili ka mendimin e tij.

    Rio Ferdinand ka përjetuar shumë botë futbollistike. Dhe ka ditur të sillej në përputhje me rrethanat, duke i dhënë formë realitetit rreth tij dhe po, duke arritur të kalojë përtej momenteve që do të kishin rrëzuar këdo. Jo atë, kolos në fushë, i brishte jashtë për shkak të rrethanave. I shtyrë në limite me dëshirën e tij, i shtyrë në limite prej fatit jo të mirë. Futbollist në tre dekada të ndryshme, përpara se të bëhej nënë dhe baba për fëmijët e tij, për shkak të sëmundjes së trishtë që i mori dashurinë e jetës.

    Bashkëshortja Rebecca Elisson u nda nga jeta në vitin 2015 pas një beteje të gjatë me kancerin e gjirit dhe aty Rio Ferdinand u lëkund për herë të fundit. Sepse humbja e tmerrshme e riktheu në rrugën e shtruar të alkoolit, pas së cilës u përpoq të kapej. Demonin e lëngshëm e pati me vete për shumë kohë gjatë karrierës së tij si futbollist, duke u kthyer të trokasë në derën e tij britanike për t’u përballur me vdekjen.

    Rio Ferdinand ka rrëfyer në të shkuarën se i duhej shishja për të kapërcyer të keqen absolute. Por më pas, vetëdija se duhej të kujdesej për fëmijët e tij Lorenz, Tate dhe Tia, e largoi përfundimisht nga ajo pjesë negative e jetës së tij, siç ka treguar në një dokumentar mbi jetën e tij të transmetuar nga BBC:

    “Për të luftuar dhimbjen kam pirë shumë për tre ose katër muaj. Kur më rastiste të lexoja histori të tilla mendoja ‘si mund të jesh kaq egoist sa të duash vetëvritesh apo të përpiqesh ta bësh?’, por tani i kuptoj. “

    “Kam qenë me fat, sepse kam patur një rreth njerëzish qark meje gati për të më ndihmuar dhe mendimi i fëmijëve të mij më shtynte të ringrihesha çdo mëngjes dhe të sigurohesha që mund të vazhdoja tutje, por të tjerë nuk mund të mbështeteshin në këto gjëra dhe përfundojnë duke e lënë të shkojë”.

    Iu desh të riorganizonte botën e tij, duke u bërë nënë dhe baba me kohë të plotë për hir të fëmijëve. Edhe opinionist dhe komentator televiziv, por para së gjithash prind. Duke prekur fundin e atij që nuk dinte se duhej të ringrihej për të rilindur, donte apo jo, nisi të flasë me vetëdije për të kaluarën e tij me alkool, se si e shkuara kishte shkuar.

    Vërtetë shumë famshëm për kohët në Manchester United, por Rio Ferdinand fillimisht shkëlqeu me lagjet e West Ham, në Londrën e tij. Fundi i viteve ’90, futbolli rimon me gota plastike plot birrë që mbush stadiumet. Edhe nëpër pijetore. Edhe në duart e tij, asokohe pak më shumë se njëzet vjeç:

    “Kur isha i ri, isha i çmendur. Kujtimet e karrierës sime janë të konfuze, njerëzit flasin për disa momente caktuara, e unë ulem dhe tund kokën. Nuk e kam idenë se për çfarë po flasin, nuk mbaj mend saktësisht. Aso kohe e teproja shpesh. Mund të pija tetë, nëntë, dhjetë litra birrë. Pastaj kaloaa te vodka.

    Mund të vazhdoja të pija gjithë ditën. Ato kohë ishte një kulturë ndryshe nga kjo e sotme. Kur isha në West Ham mendonim për futbollin, por edhe për të pirë dhe për nightclub-et. Njerëzve që më pyesin nëse kam ndonjë pishman si lojtar, u them se nuk duhej të kisha pirë alkool. Kam qenë me fat, kam patur një aftësi natyrale për ta kaluar atë periudhë të jetës sime”.

    Vetëm zija e tmerrshme që pësoi e ktheu për pak kohë në rrugën e trishtë të pijes për të harruar. Por nuk ka harruar sesi në kohët e Manchester United (më të lavdishmet e karrierës së tij, aq sa për ta bërë një nga qëndrorët simbol të mijëvjeçarit të ri) përmbahej karshi atyre të Londrës. Edhe pse jo plotësisht, përkundrazi:

    “Në verë pija për dy javë rresht derisa plasja, por vazhdoja të pija. Më pas arrita në një pikë ku duhej të merrja një vendim dhe të isha më profesionist”.

    Më shumë se elegant në lëvizjet e tij për të vjedhur topin, Rio Ferdinand kujtohet si një anësor i fuqishëm, fizik, i vendosur në fushë për të rrëmbyer topin me mënyra jo edhe aq xhentile. Pjesë të sportit. Të sportit po, të futbollit, por jo vetëm. Sepse në moshë të re ka qenë balerin, për të provuar më pas të bëhej boksier pas epokës futbollistike, pa ia arritur. Tjetër histori kjo.

    Ka patur shumë jetë Rio Ferdinand, të trishtuara, të lumtura, të shoqëruara nga demonë të lëngshëm. Jetë që e detyruan të bëhej një prind i përgjegjshëm, i përfshirë në punë sociale. Si një shembull. Shembull i dikujt që është ndërgjegjësuar për jetën e përditshme, për zinë dhe dhe i vetëdijshëm. Si një që kuptoi se duhej të ndryshonin stilin e jetesën, për të qenë profesionistë. Për të kujtuar dhe për të mos harruar.

    Përgatiti Dardan MITROVICA