Blog

  • 10 shtetet me më shumë armë bërthamore në botë, përfshirë Izraelin

    10 shtetet me më shumë armë bërthamore në botë, përfshirë Izraelin

    Zbuloni se cilat vende kanë arsenalet më të fuqishme bërthamore

    Tensionet politike dhe diplomatike midis dy vendeve, të krijuara nga interesa të kundërta, të sjellin ndërmend një të kaluar të trishtë të shënuar nga luftëra të dhunshme. Pavarësisht nëse kombet e tjera i kërcënojnë apo jo, fuqitë e mëdha botërore investojnë shuma të jashtzakonshme për krijimin e arsenalit të tyre. Zbuloni se cilat janë 10 vendet me më shumë armë bërthamore në botë, sipas renditjes së publikuar nga faqja e internetit Wojornauls.

    10º Irani – Vendi prodhon mjaftueshme energji bërthamore sa për të përballuar një luftë. Më 2015, Irani firmosi një marrëveshje kufizuese bërthamor të ideuar nga Shtetet e Bashkuara në bashkëpunim me fuqi të tjera. Marrëveshja parashikonte zhvillimin e programit bërthamor të Iranit për qëllime jo luftarake.

    9º Koreja e Veriut – Një nga vendet më të mënjanuara ndaj dialogut ndërkombëtar është Koreja e Veriut e cila ka kryer një numër testesh bërthamore kohëve të fundit. Për shkak të regjimit jashtëzakonisht të mbyllur politik, nuk dihet saktësisht sasia e arsenalit bërthamor të prodhuar nga vendi. Koreja e Veriut udhëhiqet nga diktatori Kim Jong-un, i konsideruar nga shumë njerëz si një kërcënim për paqen ndërkombëtare.

    8º Izraeli – Sipas specialistëve, Izraeli është fuqia e tetë botërore për sa i përket armëve bërthamore. Përveç çështjes bërthamore, vendi investon shuma të mëdha edhe në stërvitjen e ushtrisë së tij, e cilësuar si një nga më të fortat në botë. Izraeli ka përjetuar konflikte të panumërta gjatë 30 viteve të fundit, jo vetëm për shkak të përplasjes me Hamasin dhe zotëron një arsenal të madh ushtarak, si në aspektin e ushtarëve ashtu dhe të armëve.

    7º India – Kush udhëton në Indi për të vizituar bukuritë e saj magjepsëse ndonjëherë nuk e ka as idenë më të vogël për kapacitetin luftarak që ky komb zotëron. Zyrtarisht India ka rreth 100 bomba atomike. Sipas publikimit në fjalë, vendi ka garantuar përdorimin e armëve bërthamore vetëm në rast mbrojtjeje.

    6º Pakistani – Zë vendin e gjashtë për sa i përket armëve bërthamore. Pakistani është i njohur në të gjithë botën falë ushtrisë së tij të mirëtrajnuar. Përveç ushtrisë së tij, Pakistani zotëron edhe rreth 120 raketa bërthamore.

    5º Mbretëria e Bashkuar – Çështja e armëve bërthamore okupon debatet politike edhe në Britaninë e Madhe. Monarkia britanike ka në dispozicion rreth 225 raketa. Falë natyrën paqësore të politikës britanike, ka shumë pak gjasa që vendi të lëshojë raketa bërthamore rreth e qark nëpër botë.

    4º Kina – Kina mendohet të ketë 250 raketa bërthamore në dispozicion. Ndryshe nga vendet që miratojnë një politikë pacifiste, Kina komuniste ka armiq në mbarë botën. Sipas artikullit, armatimi kinez do të ishte edhe një mënyrë për të trembur armiqtë.

    3º Franca – Sipas artikullit, francezët zotërojnë më shumë se 300 armë bërthamore. Pavarësisht problemeve të Francës që kanë të bëjnë thuajse të gjitha me politikën e brendshme, fuqia bërthamore në dispozicion e bën atë vendin e tretë më të fuqishëm në botë. Duke pasur parasysh natyrën paqësore të politikës franceze vitet e fundit, është e vështirë të imagjinohet që vendi do t’i përdorte armët e tij bërthamore kundër kombeve të tjera, përveç mbrojtjes.

    2º Shtetet e Bashkuara – Për disa mund të jetë surprizë të shohin SHBA-të në vendin e dytë dhe jo të parin. Përveç armëve bërthamore, vendi investon shumë edhe në përgatitjen e ushtrisë dhe armëve të tjera të luftës.

    1º Rusia – Edhe pse sasia e armëve bërthamore që Rusia posedon nuk dihet me siguri, botimi i Wojornaulsh e ka shpallur si vendin më të fuqishmin për sa i përket kapacitetit bërthamor. Rusia ka një histori të njohur përsa i përket armëve bërthamore, që daton që nga kohërat e Bashkimit Sovjetik. Thuhet se vetëm një nga bombat në dispozicion të Putinit është e barabartë me rreth 3800 bomba si ajo e hedhur në Hiroshima më 1945 nga Shtetet e Bashkuara.

    Përgatiti Dardan MITROVICA

  • Çfarë e mundon Edi Ramën, të pathënat e asamblesë së PS

    Çfarë e mundon Edi Ramën, të pathënat e asamblesë së PS

    “Asambleja e sotme ishte fotokopje e asaj te Xibraku…”Kështu tha një socialist që mori pjesë në takimin e sotëm online. I çuditur po aq shumë sa kushdo tjetër që dëgjoi për mbledhjen e thirrur me nxitim nga Edi Rama, ai foli për përsëritje të mesazheve e porosive që Rama la dy javë më parë.

    Atëhere pyetja që me të drejtë shtrohet në këtë rast është kjo: Çfarë i duhej Edi Ramës një asamble tjetër 10 ditë më pas? Gjithçka ngjan të jetë një lëvizje e sforcuar propagandistike një ditë pas protestës së opozitës, ku dukshëm kishte një pjesëmarrje të gjerë në shesh.

    Në orët e vona të mbrëmjes së kaluar pasi kishte përfunduar protesta e opozitës dhe darka e Ramës me Erdogan në Ankara, në grupet në WhatsApp të socialistëve mbërriti njoftimi i beftë për asamblenë e ditës së sotme bashkë me linkun për pjesëmarrje online. Të pranishëm fizikisht në selinë e PS ishin vetëm drejtuesit politikë të qarqeve dhe ministrat e kabinetit qeveritar.

    Për t’i dhënë më shumë kuptim dhe paketim si gjoja takim i rëndësishëm, Rama detyroi edhe njëherë drejtuesit e qarqeve të raportonin nga fillimi për gjendjen e partisë në zonat e tyre, për organizatat socialiste, për anëtarësimet e reja dhe zgjedhjet e brendshme.

    Më pas doli vetë në selinë e PS para gazetarëve, jo rastësisht në orën 19:00 kur nisin edicionet informative të mbrëmjes, për të zaptuar gjithë ekranet me gjoja ngjarjen e madhe që po ndodhte në selinë rozë. Me zellin për t’i shërbyer pushtetit të tij, mediat i bënë pikërisht jehonën që Rama donte edhe pse në takimin e sotëm s’kishte as lajm, as ngjarje me rëndësi, asnjë element për t’u evidentuar.

    Asambleja e sajuar sot me shpejtësi si fotokopje e shëmtuar e asaj të 11 shkurtit te Xibraku tregon për të disatën herë atë që e kemi thënë e stërthënë me mijëra herë përgjatë kësaj dekade, se Partia Socialiste është shndërruar në një ndërmarrje private të Edi Ramës dhe oborrit të tij. Është një parti që nuk përfaqëson më as vlerat e së majtës e ku s’ka ngelur më asnjë grimcë demokracie e brendshme.

    I zënë disi ngushtë nga protesta e opozitës, Edi Ramës i duhej me patjetër një ngjarje e re politike për t’i treguar opinionit publik se edhe ai është i mobilizuar, i duhej kjo shfaqje me asamble socialiste për të sfumuar disi jehonën e protestës së mbrëmshme në bulevard.

    Dhe si në çdo rast që kopja është më e shëmtuar se origjinali, edhe asambleja e sotme pas darkës me Erdoganin në Ankara, ishte më e shëmtuar se ajo që pamë te Xibraku 10 ditë më parë, ku socialistët hynin e dilnin kokëulur duke pritur me veshët hapur çdo të thoshte Edi Rama për akuzat e rënda të Arben Ahmetajt. Pa folur ai i pari, nuk guxon dot njeri në PS as të mendojë me kokën e vet e jo më të shprehet publikisht.

  • Nga Erion DASHO – Matematika e protestës apo matematika e fitores?

    Nga Erion DASHO – Matematika e protestës apo matematika e fitores?

    Ashtu si e do tradita, pa u mbyllur ende protesta e opozitës, mediat e blera të pushtetit nxituan të bënin “matematikën” e protestës.

    Qëllimi kuptohet është minimizimi i pjesëmarrjes për të argumentuar se populli opozitar nuk ju përgjigj thirrjes së opozitës, se protesta nuk e arriti qëllimin, se kauza e saj është e dështuar, se opozita nuk ka shpresë, etj., etj.

    Duke qenë se “shifrat” janë bërë specialiteti im i dytë (prej vitesh merrem me digjitalizimin në shëndetësi dhe atë që duhet shkenca e të dhënave), më mjaftuan vetëm disa pamje të protestës për të kuptuar se pjesëmarrja ishte në nivelin e dhjetëra mijë pjesëmarrësve, sigurisht pa mundur të jap shifrën e saktë pasi nuk isha prezent.

    Për mosbesuesit, vetëm pjesa e Bulevardit e mbushur nga pjesëmarrësit është 600m e gjatë dhe 50m e gjerë, pra 30 mijë m2 pa llogaritur rrugët anësore. Me një dendësi nga 2 deri në 6 protestues për m2, në bulevard mund të kenë qënë midis 60 mijë dhe 180 mijë protestues.

    Kjo shifër duhet të mbushë me optimizëm opozitën, ndërkohë që nga ana tjetër frikëson deri në palcë pushtetin.

    Përse?

    Në kushte e terrorit të ushtron prej vitesh rilindja dhe Borati që kanë blerë, kapur dhe akaparuar çdo pushtet të mundshëm, qytetari opozitar sot ndihet i shtypur me shumë se kurrë më parë.

    Rrjeti i patronazhistëve spiunon çdokënd duke e kërcënuar deri me bukën e gojës. Koeficienti i frikës është pa dyshim një me pesë ose edhe më i lartë. Shtoji kësaj edhe faktin se protesta bëhej në Tiranë dhe shumë opozitarë nga qytete të tjera e kanë pasur të pamundur udhëtimin, dhjetëra mijë qytetarë në bulevard përkthehen në 800 mijë deri një milion vota.

    Nëse zgjedhjet do të bëheshin nesër dhe do të ishin të ndershme, Borati shkon në shtëpi, pas 11 vjetëve poshtërsi, hajdutëri dhe diktaturë.

    Po çfarë ndodhi që shqiptarët vranë frikën?

    Shumë faktorë mund të përmenden këtu, por për mendimin tim, tre prej tyre janë përcaktues.

    Së pari, shkalla e paprecedent e hajdutërisë së Rilindjes dhe boratëve. Vetëm me dy afera koncesionesh të shëndetësisë dhe djegësve janë grabitur 1 miliard euro. Kurrë nuk ka ndodhur diçka e ngjashme, jo në Shqipëri, por as edhe në botë.

    Së dyti, shkalla e arbitraritetit dhe abuzimit me pushtetin. Vetëm boratët mund të mendonin të vidhnin çdo park të qytetarëve tiranas për ta mbushur me kulla. Vetëm boratët mund të grabisnin portin e Durrësit. Vetëm boratët mund të burgosnin opozitën, të kapnin çdo media, të bënin aleancat më të errëta me oligarkinë dhe narkotrafikun, duke u shitur nga ana tjetër si engjëj.

    Së treti, bashkimi i opozitës ishte vendimtar për pjesëmarrjen masive. Opozitarët e kuptuan se të përçarë ishin të humbur, jo vetëm në 2025-ën, por edhe në 2029-ën e në tej. Të bashkuar opozitarët mund ta mundin Boratin dhe rilindjen që nesër.

    Protestuesit i kanë dërguar shqiptarëve një mesazh të madh shprese dhe lirie.

    Jo Borati, por edhe sikur të ringjallen Enveri dhe Ramizi bashkë, nuk mund t’i bëjnë ballë opozitarëve të bashkuar që kanë vrarë frikën.

    Fundi i diktatorit të radhës së shqiptarëve është i afërt. Le të urojmë që të jetë fundi i diktatorit të fundit…

  • Kabaretë e Ramës dhe Gonxhes në zonat e mbrojtura

    Kabaretë e Ramës dhe Gonxhes në zonat e mbrojtura

    Krijimi i një ministrie të re enkas për Blendi Gonxhen, disa e komentuan si “një vend i mirë pune për shokun e hershëm”, por arsyeja e vërtetë po zbulohet shpejt. Zonat e mbrojtura, që me ligjin e deritanishëm nuk preken dhe nuk lejohet ndërtimi, shumë shpejt do të kthehen në troje për tu betonizuar nga oligarkia e lidhur me pushtetin.

    Me ndryshimet ligjore të paraqitura nga qeveria, drejtori të dorës së dytë, ministria e Goxhes dhe padyshim vetë kryeministri, do lëshojnë pafund leje ndërtimi në parqe natyrore dhe site arkeologjike. Idetë janë fort të qarta: Ndërtime dhe komplekse turistike në zonat e mbrojtura.

    Rama do i mbrojë si “investime strategjike”, paçka se pas “investitorëve strategjikë” deri më tani janë shfaqur gaztorë, deputetë, ministra, ish-ministra të PS-së dhe bosë të krimit të organizuar. Betoni do derdhet lumë në zonat e mbrojtura dhe koha do jetë e shpejtë kur në parqet natyrore të cilat u ruajtën edhe në vitin e trishtë 1997, do të lulëzojnë ndërtimet, kryesisht resortet turistike, hotele dhe kazino.

    Asnjë pengesë nuk do të kenë pasi këtë të enjte projektligji do të votohet në Parlament, për ta pasur sa më shpejt në duar dhe pas miratimit do të nisë batërdia në shkatërrimin e atyre pak zonave ku dora e egër e ndërtimeve pa kriter ende nuk i kishte kapur.

    Në mungesë të reagimit qytetar, për ne “mendon bota”… Kreu i delegacionit të BE-së në Tiranë Silvio Gonzato rikujton qëndrimin e progres-raportit të vitit 2023 për ligjin kontravers për investimet strategjike. “Legjislacioni për investimet strategjike ngre shqetësime për mbrojtjen e biodiversitetit, pasi mund të lejojë investime të mëdha turistike dhe industriale në zonat e mbrojtura,” citohet raporti në letër, duke shtuar se “për më shumë qeveria propozon të lejojë ndërtimin e një numri veprash infrastrukturore mbi vaditjen (kullimin) dhe mbrojtjen nga përmbytja në zonat e mbrojtura”.

    Kjo është klithja e fundit që vjen nga BE, por duket se Rama me taborin e tij ka ndezur me kohë motorët e betoniereve. Projektligji do kalojë me urgjencë këtë të enjte, ku deputetët e PS-së që të gjithë në rresht do i bëjnë kryeministrit dhuratë gjithë zonat e mbrojtura. Një fije shpresë është nëse organizmat ndërkombëtare të mbrojtjes së natyrës mund të ndikojnë që të paktën ta shtyjnë ca në kohë këtë çmenduri qeveritare.

    Fatkeqësisht një barrierë që mund ta ndalonte shkatërrimin e mjedisit dhe objekteve kulturore tashmë ka rënë prej më shumë se një viti. Gjykata Kushtetuese është kthyer si “zyrë protokolli” e kryeministrit, duke mos pranuar asnjë ankesë që vjen nga opozita apo shoqëria civile për ligje që prekin interesin qytetar. Të njëjtin fat nëse ankohet do të ketë edhe ky ligj që të enjten merr rrugëtimin zyrtar. Gjyqtarët e kushtetueses janë aty, teksa në emër të drejtësisë së re po bëjnë rolin e “patronazhistëve” të pushtetit. Pas pak kohësh, kabaretë e kryeministrit do vihen në punë, duke mbjellë beton kudo pas së cilëve është një lavatriçe e madhe e pastrimit të parave të pista.

  • Nga Lutfi DERVISHI – Shishja e ujit kjo bombë me hidrogjen

    Një grup turistësh holandezë mbrëmë iu bashkuan protestës të opozitës me idenë se kishin të bënin me një pelegrinazh pranë një manastiri.

    Megjithatë, pavarësisht, qetësisë dhe mungesës së incidenteve, lajmet e sotme flasin për një hetim të detajuar të policisë.

    Ndërsa manifestuesit që mbanin në duar pankartat (përgjithësisht satirike) po i jepnin  lamtumirë bulevardit, disa policë që duam (më të zellshëm ata me veshje civile dhe kapuçonë) me një zell që do të bënte me turp Sherlock Holmsin nisën një hetim të imtësishëm. Ndaluan 4-5 protestues, dhe nisën me shpejtësi mbledhjen e provave në vendngjarje.

    Provat e mbledhura dhe të bëra publike, do të hutonin edhe më entuziastët e romaneve policeske. Plot 37 bidonë plastikë uji 0.5 litra, 6 bidonë plastikë të djegur, 21 flakadanë, një bidonë i mbushur me një lëng që dyshohet se është benzinë dhe plot 3 kapsolla! (imagjino të ishin hetuar festimet e Vitit të Ri!)

    Shishet me ujë, mesa duket arma më e rrezikshme e përdorur nga protestuesit u morën me po të njëjtin seriozitet që tregohet kur sekuestrohen kuintalë me kokainë në Portin e Durrësit. Zëra të pa konfirmuar thonë se janë marrë në cilësinë e provës materiale edhe “pështyma të manifestuesve) për të identifikuar keqbërësit ose më saktë të pangopurit me të mirat që i ka sjellë kjo qeveri popullit mosmirënjohës prej 10 vitesh.

    Në një botë ku testimi i ADN-së zbulon krimet më të tmerrshme duket se policia që duam ka hapur një degë të re  të mjekësisë ligjore: hidrokriminologjinë. Kjo fushë novatore jo vetëm që zbulon aktivitetet e paligjshme të demonstruesve që përdorin shishe uji, por gjithashtu është zile alarmi ndaj rreziqeve të hidratimit të manifestueve.

    Në analet e historisë së protestave, hetimi që u shfaq edhe live në TV do të mbahet mend padyshim për përzierjen e tij unike të këngëve, fjalimeve, 5-6 molotovëve, entuziazmit policor dhe kriminalizimit të hidratimit.

    Ndërsa bota rri e shikon, shpresa është që etja për demokraci, si shishet e konfiskuara të ujit, do të mbetet e pashuar.

     I mbetet Prokurorisë që të çojë më tej, hetimin e nisur nga policia dhe sigurisht që gjykata do të thotë fjalën e fundit.

    Nuk dihet nëse ky hetim i imtësishëm për të zëvendësuar protestuesit që do të shpëtojnë nga amnistia por e rëndësishme është që nga sot duhet të bëjmë kujdes kur pimë ujë me bidon.

    Ndërkohë materialet e sekuestruara (shishe plastike bosh dhe shishe të djegura do të kalojnë si lëndë e parë për incineratorin e Tiranës.

    P.S. Turistët hollandeze që ndenjën deri në fund të manifestimit kërkuan të dinë se kur do të jetë koncerti i radhës në Bulevard?

  • Nga Alfred LELA – Protesta e 20 shkurtit, si shenjë se opozita projekton normalitet

    Nga Alfred LELA – Protesta e 20 shkurtit, si shenjë se opozita projekton normalitet

    Mbrëmë, falë elektrizimit që prodhoi protesta e opozitës, kishte më shumë entuziazëm se sa mban prej kohësh mitra e lodhur e ngjarjeve shqiptare.

    Pjesëmarrja trajtohej si jonormale dhe krahasimi bëhej me 7 korrikun 2022, një demonstrim shprese dhe fuqie, i cili ende kujtohet me notalgji në qarqet opozitare në Shqipëri.

    Debati për numrat mund të vazhdojë gjatë, ashtu si edhe skeçi i përhershëm me dron dhe pamje nga lart në stacionet qeveritare, por për fytyrën e normalitetit që ofroi protesta, nuk foli thuajse askush.

    Dhe askush nuk mund të fajësohet, pasi normalitet konsiderohet prej vitesh e kundërta e tij.

    Protesta e djeshme duhet parë, jo si prodhim i anormalitetit, por të kundërtës, nevojës për normalitet politik.

    Edhe mënyra e zgjedhur prej Sali Berishës për të mbajtur fjalimin, me një foltore dhe banerin e zakonshëm të komunikimit opozitar, ishte një përpjekje për të përcjellë normalitet. Ata që mund ta ndiqnin protestën rastësisht, pa ndonjë njohje specifike të Shqipërisë dhe të kontekstit politik të saj, nuk do të mund ta kuptonin dot se Sali Berisha, ishte një lider që fliste nga izolimi. Berisha dukej dje sikur fliste nga sheshi, ishte para protestuesve dhe fizikisht në ballë të tyre.

    I tillë, një ushtrim normaliteti ishte edhe fjalimi i tij. Aq shumë i tillë sa dukej se e përqeshte anormalitetin e Edi Ramës me programacionin e vet, me minimumin jetik, rrogat, investimet, Shqipërinë e së ardhmes etj.

    Berisha ishte një Navalny shqiptar që kërkonte ta verbonte opresionin qeveritar me pasqyrat arkimediane të ligjësive të normales.

    Ndërsa shefi i opozitës e vishte me normalitet Shqipërinë, Edi Rama, që nga takimi me Erdoganin në Ankara ngulmonte për të kundërtën. Prania policore në Bulevard, ishte e tillë sa dukej sikur nuk ishin shqiptarët që po protestonin në Tiranë, por kurdët në Turqi. Gjuha, përherë e gatshme, për ta trajtuar si anormale opozitën e vendit nga shpura medikatike proqeveritare, edhe mbrëmë pas protestës shpërndante toksina belicioze.

    Policët civilë në turmë dhe shoqërimi i protestuesve, apo dhe inskenimi i ‘hetimeve’ para Kryeministrisë ishte pjese e skenarit të pushtetit për të mbajtur gjallë pamje të anormalitetit.

    Një tjetër pamje e normalitetit, që siguroi opozita, është fakti se ata që ishin mbrëmë në Bulevard nuk qenë shqiptarë të patronazhuar apo të detyrurar nga shefi dhe nga puna në shtet. Ata qenë shqiptarë me vullnet të lirë të cilët i dhanë një mësim të gjithëve, se çfarë është liria dhe çfarë normaliteti. Sidomos atyre që konsiderojnë normale mungesën e disidencës, të opozitarizmit dhe të një pushteti që vazhdon pa konkurencë dhe përtej ligjit.

    Këta të fundit i shihje mbrëmë studiove. Gjysmë të kërrusur dhe të dorëzuar ata e pranonin më fund opozitën, por jo normalitetin. Ende të bezdisur prej tij, ende pengje të nevojës që anormalja e pushtetit të jetë modus vivendi i gjërave.

    20 shkurti, si mbrëmë, si para 33 viteve, mbetet shenja se, një pjesë e shoqërisë e kthen vendin në normalitet, pikërisht kur normalja duket e pamundur.

    Të rrëzoje shtatoren e Enverit 33 vjet më parë ishte futje e Shqipërisë në normalitet. Të demonstrosh sot se gjërat nuk janë siç i paraqet Edi Rama, është gjithaq normalitet.

  • Nga Andi BUSHATI – Një protestë anti Blinken

    Protesta e 20 shkurtit, me pjesmarrjen që demostroi, i provoi të gjithëve se në Shqipëri ka një masë të stërmadhe njerëzish që nuk besojnë se vendi drejtohet nga “një kryeministër i shkëlqyer”, apo nga “një udhëheqës i shquar”. Në këtë kuptim, më shumë sesa një manifestim për të celebruar bashkimin e opozitës, më tepër sesa një mbështetje për liderin e persekutuar Berisha (dukej nga pjesmarrja që qe me e madhe sesa ajo e 7 korrikut 2022), më përtej se një përpjekje për të dobësuar qeverisjen autokratike, ajo ishte një mesazh anti Blinken.

    Ata njërëz që u derdhën në bulevard ishin të deleguarit e asaj tërësie opozitare, që nuk i besojnë fjalëve që sekretari amerikan i shtetit tha pak ditë më parë në Tiranë, që e përbuzin injorimin që Blinken i bëri të gjitha opozitave, që shprehin mos dakordësi me linjën që diplomacia amerikane ndjek prej vitesh, kundër çdo faktori anti Rama në këtë vend.

    Duke zhvilluar menjëherë pas vizitës së Blinken protestën më të madhe që prej majit 2021, kur Sali Berisha u shpall non grata, ata pjesmarës dëshmuan se nuk e hanë më për djathë sapunin që u ofron administrata aktuale e Uashingtonit.

    Pikërisht këtë provoi edhe pjesmarrja në këtë manifestim e mbi 20 deputetëve që iu bashkuan opozitës reale, të cilët pas më shumë se dy vitesh kalamendje mes kërcënimeve për “ngrënie bari” dhe të bërit politikë të bazuar tek vota, zgjodhën këtë të dytën.

    Të ashtuquajturit pjestarë të grupit Bardhi, që kishin rrefuzuar të mblidhnin “një kongres kundër SHBA-së”, megjithëse ai iu kërkohej nga antarësia, që kishin miratuar përjashtimin e liderit historik, për ta mbajtur mirë me ambasadën, që injoronin militantët në emër të një të ardhmeje strategjike për ta, u kthyen të gjithë në vathë.

    Sepse për ata, ashtu sikurse për çdo qytetar të këtij vendi me dy pare mend në kokë, Edi Rama nuk mund të jetë dot kurrësesi, ai që u portretizoi në mënyrë të paturpshme, kryediplomati amerikan.

    Pra, ata që u derdhën në bulevard këtë 20 shkurt e bënë për të rrëzuar shtatoren e një diktatori të ri, që Antony Blinken u rek të legalizonte tek piramida mauzoleum.

    Si për ta theksuar edhe më shumë këtë mesazh, askush nuk e përfilli shantazhin që bënë disa përfaqësues të vulës, tashmë të shitur tek qeveria, se këtë të martë do të zhvillohej një protestë kundër “aleatit tonë të madh strategjik”.

    Natyrisht duke mbërritur në konkluzionin se kjo ishte një protestë kundër mesazheve të Blinken, jam i ndërgjegjshëm se zjarrfikëset trushplarës të propagandës do të prodhojnë tituj për protestën “anti amerikane” të saliistëve.

    Por, është thjeshtë çështje e tyre nëse ngatërrojnë qëllimisht, një person të vetëm të një administrate kalimtare, me peshën e dhe vlerat e hiperfuqisë. Për ta vlen vetëm një pyetje: si e shpjegojnë që protesta më e madhe e opzitës pas kaq vitesh, “rastisi” vetëm pesë ditë pas vizitës së sekretarit të shtetit?

    Unë vetë e kam përgjigjen: kjo e sotmja qe diçka më e madhe sesa një demostrim i minorancës berishiste. Ajo ishte reagimi i një shumice që nuk pranon të tërhiqet prej hunde duke ia shitur Ramën si një udhëheqës të shquar dhe kryeministër të shkëlqyer.

  • Nga Luçiano BOÇI – Mos i mungoni historisë

    Qytetarë sot është dita juaj!

    Dita e së vërtetës!

    Griseni heshtjen dhe bashkohuni me ne për të thirrur liritë e të drejtat tuaja.

    Për të kërkuar dinjitet, mirëqënie e demokraci!

    Për të nisur së bashku ndërtimin e një të sotme dhe të ardhme që na duhet dhe e meritojmë.

    Për një vend:

    -Pa shpopullim

    -Pa korrupsion

    -Pa krim

    -Pa autokraci

    Largojeni apatinë dhe hajdeni me ne në bulevard, të themi të vërtetat tona dhe me ato të nisim të ndërtojmë Shqipërinë tonë:

    -Ku ka arsim cilësor

    -Shëndetësi për çdo njeri

    -Siguri e rend

    -Ka gëzim jete

    -Dhe shpresë pa fund

    Revoltohuni qytetarë!

    -Të fitojmë krenarinë tonë

    -Të fitojmë lirinë politike të votës

    -Të fitojmë opozitën e bashkuar

    -Të fitojmë familjet tona

    -Të fitojmë vendin tonë

    Mos mungoni në ditën tuaj!

    Është dita për të ngritur në pjedestal NJERIUN dhe shembur IDHUJT e rremë!

    SOT NË 20 SHKURT, NË 17.30 NË BULEVARDIN “DËSHMORËT E KOMBIT”

  • Nga Enver BYTYÇI – Pse duhet të jemi sot në protestë?

    1. Sepse nuk duam më të vazhdojë braktisja e Shqipërisë. Duam ta ndalojmë hemoragjinë kombëtare të emigrimit dhe shpopullimit!

    2. Sepse duam që të ringrihen tri shtyllat e shtetit: – Arsimi, shëndetësia dhe administrata publike!

    3. Sepse nuk duam një vend pa opozitë, me institucione shtetërore në duart e një njeriu. Ne shqiptarët i kemi vuajtur pasojat e diktaturës dhe nuk mund të lejojmë të rikthehet ajo në emër të stabilokracisë!

    4. Sepse duam drejtësi. Drejtësi sidomos në luftën kundër korrupsionit, mafies dhe krimit të organizuar. Pra drejtësi e luftë pa kompromis kundër të keqes që e ka mbërthyer për gryke regjimin e sotëm!

    5. Sepse duam barazi. Barazi në dinjitet, barazi në integritet, barazi në votim, barazi në shpërndarjen e të mirave materiale dhe fondeve publike, barazi dhe drejtësi në shanse!

    6. Sepse duam liri! Liri të fjalës e të mendimit, liri të shprehjes në medie, liri të kritikës e të kontrollit të institucioneve të shtetit, sidomos ekzekutivit, liri në zgjedhjet politike, por edhe në zgjedhjet personale për ta ndërtuar vetë jetë tonë!

    7. Sepse duam demokraci! Demokraci në ndarjen e pushteteve dhe funksionimin e pavarur të tyre! Demokraci në pjesmarrjen e drejtpërdrejtë në qeverisje përmes referendumeve. Demokraci në ushtrimin e funksioneve të secilit institucion! Pra llogaridhënie dhe jo si tani, kur ekzekutivi e shteti i kërkojnë llogari popullit, zgjedhësve!

    A na i siguron këto vetëm një protestë? Sigurisht që jo. Por ne duhet të dëshmojmë se ne i duam këto vlera të shoqërisë njerëzore! Dhe kjo protestë duhet të japë mesazhin se është mjet i efektshëm për të arritur këto synime.

    A na i siguron këto opozita që ka thirrur protestën? Ne duhet ta rrëzojmë këtë regjim dhe duhet ta testojmë e paralajmërojmë opozitën se ne nuk do ta tolerojmë as atë nesër në pushtet! Vetëm duke i marrë vetë ne fatet tona në duart tona do të imponohemi. Por radha është t’i imponohemi këtij regjimi! Që sot!

    Opozitën do ta testojmë nesër e në çdo protestë që do të bëhet! Nesër do ta testojmë për projektin dhe kërkesat ultimative që do t’i bëhen regjimit kleptokratik e mafioz të Shqipërisë.

    Mos u pajto me stabilokracinë, kërko me ngulm lirinë dhe demokracinë! Kjo është motoja dhe qëllimi ynë!

  • Rrezikon 4 vite burg, Luiz Ejlli akuzohet për falsifikim

    Rrezikon 4 vite burg, Luiz Ejlli akuzohet për falsifikim

    Luiz Ejlli është një personazh mjaft i dashur për publikun, por mesa duket ai nuk ka shkëputur ende lidhjet me problemet ligjore. Prej datës 26 dhjetor 2022 Luiz Ejlli është i pandehur për drejtësinë shqiptare si person i dyshuar për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve.

    Prokuroria e Fierit, më datë 26 shkurt do të japë dënimin përfundimtar të tij në orën 12:45. Ky dëgjim pritet të vendosë fatin e tij në lidhje me akuzën: falsifikimin e dokumenteve në bashkëpunim.

    Drejtësia e akuzon Ejllin se me profesionin e noterit ai ka falsifikuar deklaratë noteriale për të justifikuar paratë e një personi që ishte në hetim. Kjo histori nis në vitin 2021 aty ku prokuroria do të kërkonte sekuestrot e pasurive të shtetasit F.A. si të pajustifikuara me burime të ligjshme.

    Data për paraqitjen e tij para gjykatës ishte caktuar për datën 12 shkurt, por për shkak të arsyeve të ndryshme, ajo u shty deri më 26 shkurt. Luiz Ejlli për këtë veprë penale, e cila në bazë të kodit të procedurës penale mund të dënohet me burgim nga 6 muaj deri në 4 vite.