Gjykata Supreme e SHBA ndryshon rregullat e pasaportave. Tani vetëm me seks biologjik

Nga “X” në “M” ose “F”, Gjykata Supreme e SHBA ndryshon rregullat e pasaportave. Tani vetëm me seks biologjik

Vendimi 6 me 3 i gjykatës më të lartë amerikane i lejon administrates Trump të zbatojë politikën premtuar që në fushatë të pasaportave që pasqyrojnë vetëm seksin biologjik në lindje, duke shkaktuar debat të gjerë mbi të drejtat e personave transgjinorë.

Dardan MITROVICA
5 Min Read

Një vendim nga Gjykatës Supreme e SHBA po riformulon mënyrën se si identiteti njihet në dokumentet zyrtare federale. Më 6 nëntor 2025, shumica konservatore e gjykatës vendosi të pezullojë një urdhër të gjykatës federale. Urdhri bllokonte politikën e administratës Trump për pasaportat. Kjo politikë kërkon që pasaportat amerikane të tregojnë vetëm seksin biologjik në lindje. Duke hequr mundësinë e zgjedhjes së shënjës “X” ose një gjinie tjetër. Vendimi nuk është zgjidhje përfundimtare e çështjes ligjore, por lejon qeverinë të zbatojë politikën ndërkohë që procesi gjyqësor vazhdon. Për personat transgjinorë dhe jo-binarë, ky është një goditje e drejtpërdrejtë. Për administratën, është një hap tjetër në zbatimin e axhendës së saj mbi identitetin gjinor.

Gjykata Supreme e SHBA, rruga ligjore drejt vendimit të 6 nëntorit

Politika bazohet në urdhrin ekzekutiv të nënshkruar nga Presidenti Donald Trump më 20 janar 2025, ditën e parë të mandatit të tij. Urdhri përcakton se qeveria federale njeh vetëm dy sekse, mashkull dhe femër, të përcaktuara në lindje.  Departamenti i Shtetit vijoi menjëherë me ndryshimin e rregullave të pasaportave. Duke ndërprerë lëshimin e dokumenteve me shënjën “X” ose me gjini të ndryshme nga ajo e regjistruar në lindje.

Kundërshtimi ligjor erdhi shpejt. Unioni Amerikan për Liritë Civile (ACLU) paditi administratën në gjykatën federale në Massachusetts, duke argumentuar se politika shkel të drejtën për barazi dhe të drejtën për të udhëtuar lirshëm. Një gjykatës federal bllokoi politikën në qershor 2025. Dhe një gjykatë apeli mbajti vendimin në fuqi në shtator.  Administrata iu drejtua Gjykatës Supreme me kërkesë për pezullim urgjent.

Shumica e gjykatës argumentoi se shënimi i seksit në lindje në pasaportë është thjesht regjistrim i një fakti historik, i ngjashëm me shënimin e vendit të lindjes.  Sipas gjykatës, kjo nuk përbën trajtim diferencial ndaj askujt. Tre gjykatësit liberalë kundërshtuan ashpër. Duke argumentuar se dëmi real ndaj paditësve tejkalon çdo interes qeveritar të pashpjeguar.

Nga “X” në “M” ose “F”, çfarë ndryshon konkretisht për mbajtësit e pasaportave

Ndryshimi më i dukshëm është zhdukja e opsionit “X”. Që nga viti 2021, Departamenti i Shtetit lejonte aplikantët të zgjidhnin vetë shënjën gjinore që përputhej me identitetin e tyre, përfshirë “X” për personat jo-binarë.  Tani, pasaportat e reja lëshohen vetëm me “M” ose “F”, bazuar në certifikatën e lindjes.

Për personat transgjinorë që kishin përditësuar dokumentet e tjera të identitetit — patentën, kartën e sigurimeve shoqërore — por jo pasaportën, situata bëhet veçanërisht e ndërlikuar. Një paditës në çështje, një burrë transgjinor, përshkroi se si u ndalua nga Agjencia e Sigurisë së Transportit (TSA) sepse patenta e tij tregonte “M” ndërsa pasaporta “F”.  Ai u akuzua për dokumente false dhe u detyrua të shpjegonte statusin e tij transgjinor para se të lejohej të kalonte.

Organizatat e të drejtave të njeriut paralajmërojnë për pasoja më të gjera. Human Rights Watch vëren se dokumentet e papërputhshme me paraqitjen e personit rrisin rrezikun e ngacmimit, dhunës dhe refuzimit të shërbimeve gjatë udhëtimit.  Një studim i përmendur në dosjen gjyqësore tregon se personat transgjinorë me dokumente jo-kongruente përballen me stres psikologjik dukshëm më të lartë.

Gjykata Supreme e SHBA, një betejë ligjore që nuk ka mbaruar

Vendimi i 6 nëntorit është një masë e përkohshme, jo një aktgjykim përfundimtar. Çështja Trump v. Orr vazhdon të shqyrtohet në gjykatat më të ulëta.  Kjo do të thotë se politika mund të ndryshojë përsëri në varësi të vendimeve të ardhshme. Administrata Trump, megjithatë, e konsideron vendimin si një hap të rëndësishëm në zbatimin e urdhrit ekzekutiv që synon të eliminojë njohjen e identitetit gjinor në dokumentet federale.

Gjykata Supreme ka trajtuar kohët e fundit edhe çështje të tjera që lidhen me të drejtat e personave transgjinorë, përfshirë përjashtimin e tyre nga ushtria.  Kjo tregon se çështja e pasaportave është pjesë e një debati më të gjerë mbi kufijtë e njohjes shtetërore të identitetit gjinor në Shtetet e Bashkuara.

Për momentin, mijëra persona që prisnin pasaporta me shënjën e tyre të identitetit gjinor përballen me një realitet të ri. Disa do të detyrohen të udhëtojnë me dokumente që nuk përputhen me pamjen e tyre. Të tjerë do të zgjedhin të mos udhëtojnë fare. Ndërsa procesi ligjor vazhdon, pasojat praktike të këtij vendimi tashmë ndihen në sportelet e aeroporteve. Por sidomos në pikat e kontrollit kufitar.

Share This Article