Blog

  • Nga Kim MEHMETI – Kosovën nuk e rrezikon ‘antiamerikanizmi’ i Kurtit, por proamerikanizmi i hajdutëve të saj!

    Është e dukshme se kundërshtarët e Albinit i ka gëzuar lajmi se Amerika e ka pezulluar përkohësisht dailogun strategjik me Kosovën, e çka tregon se urrejtja e tyre ndaj Kryeministrit në detyrë është më e madhe se dashuria ndaj vendit ku veprojnë.

    Në të vërtet drejtuesit partiak që iu gëzuan këtij lajmi as që e kuptojnë se problemi i Kosovës nuk është si ajo do bisedojë me të tjerët, por pse ajo e ndërpreu dialogun me vetveten dhe për të mirën e  vetvetes.

    Sa i përket dialogut me Amerikën mbase edhe Trampit do i shkaktonte të vjella e vërteta se proamerikanë më të devotshëm të Kosovës janë disa politikanë që grumbulluan pasuri thuajse poaq saç ka Presidenti amerikan edhe atë duke pasur vetëm një vlerë – proamerikanizmin me të cilin e mbulonin hajdutërinë dhe zhvatjen e popullit të vet. 

    Po pra, shumë kundërshtarë të Kryeministrit në detyrë të Kosovës i gëzoi lajmi se Amerika nuk don më të bisedojë me Kurtin. Të tillët besojnë se vetëm kështu dobësohet Lëvizja Vetëvendosje dhe se vetëm me ndihmën e të huajve ata do mund të bëhen të pranueshëm për popullin e vet?!

    Por ndërkohë duke harruar se nëse proamerikanizmin e Kosovës do e mbrojnë ish burrështetasit e saj që ndërtuan me dhjetëra shtëpi dhe ‘blenë’ pa para me qindra hektarë tokë, pra ata që dinin të ndërtojnë vila milionëshe për vetveten, por jo edhe institucione që do e konsolidojnë shtetin, atëherë Kosova do vazhdojë të mos e kuptojë se atë nuk e rrezikon ‘antiamerikanizmi’ i Kryeministrit në detyrë, por proamerikanizmi i hajdutëve të saj, e të cilët i rrezikon Kurti.

  • Nga Basir ÇOLLAKU – Diellë- kryedielli, çifti artificial i Shqipërisë natyrale

    Nga Basir ÇOLLAKU – Diellë- kryedielli, çifti artificial i Shqipërisë natyrale

    A di gjë kjo Diella për zullumet e kryediellit babait, burrit, gjyshit, e shokut të saj, shpikësit bojaxhi ende KM

    • Për Air Albania me miliona euro zhvatje e falimentimit.
    • Për Porto Romano e falur burrit italian në hetim.
    • Për inceneratorët e rinj.
    • Për agregatët që rrufisin 100 mijë euro në ditë.
    • Për Llogara tunelin, aeroportin e Vlorës e miliarda tender rrugësh nga duart e Belës?! Se publike janë?!

    Po për parqet voltaike e të erës nga hiset e Belës di gjë diell-kryedielli?!

    • Për AKSHI( nëna krijuese) që përlan qindra milionë euro e ku janë përfshirë familjarët e KM, kryediellit
    • Për motër Belindën e vëlla Taulantit në zijafetet e tyre të zeza?!
    • Për vëlla Erionin në burg e qindra milionë eurot publike të Bashkisë ?!
    • Për vëlla Beqen edhe pak hi tech por në qeli.
    • Për kushërinjtë Lefterin, Alqin, Tahirin, me histori burgjesh.
    • Për vëllain artificial ish drejtor të prokurimeve Jonaid Myzyrin tashmë të pandehur nga SPAK.
    • Për familjarët Damian Gjiknuri, Fatmir Xhafa, Nikon kryekuvendar me kujtime nga inceneratori. Për motrat Elisë Mamica, Oltë strategjikja dhe Klotildë dëshmitarja. Të gjitha janë me duar në diell të padjegura.

    Po për Olsi vëllain, nënë Lindën e shok Grekun, apo bijë Rean ke dëgjuar gjë andej nga Eco Park dhe AKSH dhe nëpër ofshor. ?! Andej duhet të bësh ndonjë tel kushërinjve iranianë mbase! E dinë ata si bëhet lakuriq sistemi. Po për marrëveshjen e detit ca miliardë euroshe do kalojë nëpër “diell-kryediell”?

    Për dosjen 41 në ministrinë e jashtme?!

    • Po për vëlla Aleksin e miliardat e tij të përfshira edhe në Shqipëri?!
    • Po për vëlla Charles me shokët e tyre rusë e kinezë gjobvëniet, koncensionet e tyre në pasuritë natyrore?!
    • Po për tufat e qokave ndaj Tony Blair, Dalema, Fabrizio Lisit të Ndrangheta, apo Florianit të “Sinaloa” ?!

    Për lejet e investime strategjike të trafikantëve të kokainës ?!

    Po për Thethin e Valbonën për shembjet, hapjen e tokave të lira, për shokët e dhëndërrit?!

    Për qindra leje ndërtimi e pafundësi parash publike të zgrapur nga lejedhënësit bashkiakë e kryeqeveritarë?!

    • Po për marrëveshjet miliardësh me Melonin që e ka shkërmoqur drejtësia italiane?!
    • Po për fondet e BE, ca qindra milionë euro që i krehu Krifca e bujqësisë për vila e dasma shokësh të partisë ?!
    • Po për qindra milionë të drejtësisë para të BE dhe SHBA në Tiranë, ku pastruar mbylljes së USAID po hetohen nga Uashingtoni?!
    • Po për pronat e ushtrisë kafshuar nga shoqnia e Ramës me symbylljen e firmosjen e Bajramit të Presidencës.
    • Po për tenderat sekretë më të shumtët në numër, qindra milionë euro, të shpërndara me porosi të kryediellit, kush do i thotë ndonjë llaf diellës fukareshë.

    Për Bajrët, Suelin, Çyrben, Shegën, Çopjan, Klajdin, Nuredinin, tender-marrës bandash kush do e pjerdhë “diellën” me yshtje të kryediellit.?!

    Po me “prokurimet” për Tiranën, andej nga DEA, DIA, DASH, Eurojust, sky-enchro, do lëçisë ndonjë germë për publikun e hallakatura diella..?!

    Duket se “Diella” dhe “Kryedielli” çifti artificial me shumë fëmijë natyralë, nuk do të jenë bashkë, derisa “vdekja” artificiale t’i ndajë… Derisa zjarri nga Nepali të lajmërojë diell-kryediellin nga Surreli se lidhja është ndërprerë, dikush ka futur gishtat në prizë…

  • Nga Enver BYTYÇI – Kë do të qeverisë Partia Socialiste në 2050-ën?

    Nga Enver BYTYÇI – Kë do të qeverisë Partia Socialiste në 2050-ën?

    Të enjten Edi Rama njoftoi përbërjen e re të qeeverisë. Nuk ka ndonjë surprizë. Parashikimet e disa orakujve nuk dolën lidhur me përfshirjen e opozitarëve demokratë të çdo lloji në këtë qeveri. Ndërsa risitë e tjera nuk ndodhën ndryshe nga e kaluara. Të gjithë të emëruarit, si edhe të shkarkuarit, e morën vesh në sallën e Pallatit Kongreseve. Një metodë kjo për të legjitimuar kultin e njëshit!

    Por surprizën Rama e dekonspiroi në rastin e Manastirliut, të cilën e kandidoi për postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, në vend të Erion Velisë. Vetëm asaj i tha se “nuk do ma falësh këtë surprizë”! Ndërsa me Erisën ndodhën të dyja, shoku i “shkarkimit” dhe “magjia” e ngarkimit si ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme. Kur Rama shpalli për kryetar të Kuvendit Niko Peleshin, Elisa Spiropali u nxi. Sa nuk i ra të fikët të “shkretës”! Pas disa minutash asaj iu zbardh fytyra dhe u shkund si pula kur del nga gjoli kur dëgjoi se do të ishte shefe e diplomacisë shqiptare.

    Të reja në fakt nuk pati as në përbërje, as në mënyrën si janë zgjedhur të 17 anëtarët e kabinetit të qeverisë së re, as nga brumi, as nga përmbajtja, as nga zakoni, as nga veset. Është qeveria e vazhdimësisë, qeveria e sorosistëve dhe kandidatëve të krimit mafioz. Është qeveria e pastrimit të parave dhe e ngjizjes me grupet kriminale.

    E re ishte vetëm thirrja e kryeministrit për Partinë Socialiste, që ajo “ta nguliste në tru se duhet ta drejtojë vendin deri në vitin 2050”! Ok! Edhe kjo është një e drejtë e kreut të sotëm të PS-së për ta thënë dhe për ta promovuar rilindjen. Në fund të fundit PS ose PPSH ka udhëhequr 47 vjet. Shto dhe 20 vite të tranzicionit “demokratik”! Pse në këtë rast Partia Socialiste, pra Rilindja, të mos drejtojë për 37 vjet (2013-2050)?!

    Por pyetja është se kë do të drejtojë Partia Socialiste në vitin 2030, 3035, 2040 e në vitin 2050? Për 12 vite të qeverisjes së kësaj partie kanë ikur nga Shqipëria një milion e dyqind mijë shqiptarë. Në vitet 1991-1992 PPSH, dmth Partia Socialiste, përzuri nga Shqipëria mbi një milion shqiptarë të tjerë. Sipas kësaj matematike i bie që në 25 vitet e ardhshme ajo të dëbojë nga atdheu ynë edhe dy milion e 500 mijë shqiptarë, aq sa sot janë banorë të kësaj Shqipërisë së shitur, të kriminalizuar dhe të drobitur. Atëherë kë do të drejtojë Partia Socialiste në të ardhmen? Kush do të jenë banorët e këtij vendi, të këtij atdheu? Me siguri që aziatikët dhe afrikanët do të jenë zotër në Shqipërinë e Edi Ramës dhe të Partisë Socialiste. Dhe në këtë rast Rama mund të parashikojë pa vështirësi që PS të qëndrojë në pushtet gjithmonë, prej vitit 1944 e deri në vitin 2144. Pse jo? Derisa aziatikët dhe afrikanët të bëhen si qytetarët e Nepalit, së paku! Se shqiptarë nuk do të ketë më në këtë vend!

  • Nga Andi BUSHATI – Rënia e Lalit, pasqyra ku çdo ministër i ri duhet të lexojë fatin

    Gjashtë anëtarë të rinj kabineti, të cilët kanë pranuar të hyjnë në një sistem ku nuk ka asnjë njësi matëse për suksesin, dështimin apo fundin e tyre

    Ndërkohë që shumica e kastës socialiste prisnin me ankth dhe zemërdridhje mësimin e emrave të të preferuarve të Ramës në qeverinë e re, kryeministri i ka surprizuar të gjithë duke krijuar një lajm më të madh: fundin e Erion Veliajt.

    Duke u shtirur si zemërthyer nga vendimet e padrejta të drejtësisë, duke përmendur sa për të larë gojën izolimin pa dënim të kryebashkiakut të zgjedhur tre herë, Rama ka shpallur përfundimin e mandatit të tij.

    Për këdo që i ka pasur sytë hapur, kjo që ngjau sot, mund të përbëjë një surprizë për kohën se kur ndodhi, por jo për fatin e paracaktuar. Prej kohësh Veliaj po trajtohej si lebroz nga shefi i tij. Ministria e Drejtësisë e ka privuar atë nga të drejtat si i burgosur i zakonshëm, njerëzit e tij u shkarkuan nga bashkia, mbështetësit e tij u përjashtuan nga grupi i ri parlamentar i PS.

    Pra tani, kur Rama shpalli se Këshilli Bashkiak do të fillojë procedurat për shkarkimin e kryebashkiakut të burgosur, madje kur shkoi edhe më larg, kur paratha ndryshime ligjore për të bërë të mundur këtë shkarkim, nuk ka më dyshime se në rastin më të mirë (pra edhe nëse s’duam të besojmë se e ka urdhëruar vetë) ai ka qenë i sinkronizuar me SPAK-un në goditjen ndaj Veliajt.

    Në këtë kuptim, hedhja e Lalit si limon i shtrydhur, pikërisht në ditën emërtimit të ekipit Rama 4, tregon shumë për ata që po marrin detyrat e reja sot. Për një pjesë ministrash që ndryshuan dikaster, por sidomos për gjashtë rishtarët e kabinetit, nuk ka asnjë pikë reference se si duhet të sillen për të pasur fat në të ardhmen e tyre. Besfort Lamallari tek Drejtësia, Evis Sala tek Shëndetësia, Sofian Jaupaj tek Mjedisi, Ervin Demo tek Pushteti Lokal, Toni Gogu tek Marëdhëniet me Parlamentin dhe Andis Salla tek Bujqësia, nuk kanë asnjë eksperiencë ku të mbështeten. Rasti i Erion Veliajt i lë ata pa busull.

    Kryebashkiaku i burgosur konsiderohet ende si shembull suksesi nga partia e tij. Ai qëndron në memorie si njeriu që i mundi kundërshtarët tre herë në zgjedhje, që transformoi e modernizoi Tiranën, që pati mbështetjen më të madhe që ka pasur ndonjë politikan në mjediset artistiko sportive të kryeqytetit.

    Nga ana tjetër ai diti të tregohej servili par excellence i shefit. Edhe duke ulur kokën për të pranuar urdhra për të bojatisur muret e shkallëve, apo për të ndjekur nga pas lopën e një fshatari, ai nuk thoshte kurrë jo. Nuk e bënte këtë as kur, kundër dëshirës së tij, merrte përsipër kostot e shembjes së teatrit të dëshëruar nga shefi apo kur, ndonëse nuk kishte lidhje, përzihej me zgjedhjet në federatën e futbollit.

    Por as suksesi sipas parametrave rilindas, as aftësia prej bythëlëpirësi ndaj të madhit, nuk e shpëtoi atë nga rokullisja më dramatike që ndonjë politikan i këtyre tre dekadave ka pësuar ndonjëherë.

    Atëherë duke parë këtë fat tragjik, epilogu i të cilit u shkrua pikërisht në ditën e emërimit të tyre të parë, ç’duhet të mendojnë ministrat e rinj?

    Kush e përcakton fatin dhe të ardhmen e tyre politike?

    A ka më rëndësi puna, bindja e verbër, apo edhe këto sëbashku, mund të zerohen papritmas, thjeshtë për teka apo kalkulime perverse të kryeministrit?

    Natyrisht nuk ka dyshim se ashtu si Veliaj, ministrat rishtarë do të kenë mundësi të vënë dhjamë, të pasurohen shpejt, të krijojnë privilegje për veten dhe rrethin e tyre, por përpos kësaj ata nuk do të kenë asgjë më tepër në dorë.

    Për ta nuk do të ketë asnjë njësi matëse për të krahasur suksesin apo dështimin dhe mbi të gjitha kohën kur do të ikin apo do të bëhen “koka turku”.

    Prandaj në këtë rast, në vend të urimit është mirë tu thuhet: mirësehytë në aventurën e atij që pranon me ndërgjegje të mos e ketë më veten në dorë. Ky është steriotipi i një anëtari tipik të kabinetit Rama 4.

  • Nga Nga Lutfi DERVISHI – Diplomacia ekonomike: pa atashe ekonomik

    Është bërë si refren festivali: çdo vit në takimin e ambasadorëve tanë në Tiranë del në skenë “kënga e madhe” – diplomacia ekonomike.

    Një togfjalësh magjik, i përsëritur me patos, që duket sikur zgjidh gjithçka, por askush nuk thotë se kush do ta këndojë refrenin deri në fund.

    Pyetja e parë është banale por e pakapërcyeshme: sa atashe ekonomikë kemi ? Dikur, diku kishim një, sot ndoshta pak më pak! Me një fjalë diplomacia ekonomike është si të shpallësh kampionatin kombëtar të basketbollit pa pasur as top e as fushë.

    Ndërkohë, ne vazhdojmë të mbajmë ambasada të shpërndara në pesë kontinente, me staf minimal që duhet të bëjë gjithçka: nga shërbimi konsullor për komunitetin, tek pritja e përcjellja në aeroporte e deri tek identifikimi i talenteve të diasporës.

    Të kërkosh prej këtij personeli edhe të sjellë investime të huaja është njëlloj si të detyrosh një kamarier të bëhet edhe shef kuzhine edhe DJ i dasmës.

    Përtej retorikës, një investitor i huaj (serioz) nuk e merr mundimin për të trokitur në derën e ambasadës shqiptare.

    Ai pyet agjencitë ndërkombëtare, shikon raportet e Bankës Botërore, FMN-së apo thjesht guglon “problemet e pronësisë në Shqipëri”. Rezultatet që i dalin janë më bindëse se çdo broshurë diplomatike e printuar me ngjyra.

    Për më tepër, edhe nëse vendosim të “joshim” investime, duhet të dimë ku do t’i kërkojmë: në gjithë botën, në vendet e BE-së, apo thjesht tek fqinjët? Pa një strategji të qartë, thirrjet për investime mbeten si ato mesazhet e grupeve të mëdha në WhatsApp: që mund t’i lexojnë të gjithë, por askush nuk përgjigjet.

    Por le të ëndërrojmë pak se ëndrrat nuk kanë kosto. Supozojmë se i kemi atashetë ekonomikë, kemi buxhetin dhe ccdo gjë që duhet.

    Por:

    • Problemi i pronësisë
    • Pasiguria juridike (ndryshimet e shpeshta te ligjeve dhe taksave)
    • Ndarjet në lote (për të shmangur kompanitë e huaja)
    • Detyrimi për të patur një partner shqiptar
    • Korrupsioni, etj, etj

    nuk i zgjidh as diplomacia ekonomike më e përkryer.

    Dhe për kujtesë: precedenti i Beketit është tritol për diplomacinë ekonomike

    Katër vite më parë e mbyllja shkrimin me këtë temë me refrenin “Parole, parole, parole”. Sot, fatkeqësisht, teksti është i njëjtë. (Edhe premtimet për të ndarë punën me Kosovën kanë mbetur në letër) Veçse orkestrën e kemi më të varfër dhe korin më të lodhur.

    Në vend që të bëjmë diplomaci ekonomike, vazhdojmë të bëjmë diplomaci retorike. Dhe kjo, siç dihet, nuk sjell as investime, as zhvillim – vetëm fjalime me dietë ditore. Këtu kemi rritje të dukshme, të paimagjinueshme.

  • BE-ja dhe paratë e shpërndara nëpër Media: çështja e “investigatorëve” të OCCRP e zbuluar nga Berliner Zeitung

    BE-ja dhe paratë e shpërndara nëpër Media: çështja e “investigatorëve” të OCCRP e zbuluar nga Berliner Zeitung

    “E vërteta? E vërteta është ajo që unë them se është!”, deklaronte manjati i medias, Foster Kane, në kryeveprën e Orson Welles, Citizen Kane, 1941, ose siç e njohim ndryshe edhe me titullin Pushteti i Katërt.

    Dukej se këtë e kishte kuptuar edhe Bashkimi Evropian, që prej kohësh duke mbështetur narrativën e tij propagandistike duke ofruar fonde për redaksitë dhe gazetarët që ka ngjarë që gjithka të bëjnë përveçse të kritikojnë ata që i financojnë.

    Siç raportohet në një ekskluzivitet të Berliner Zeitung, në qendër të vëmendje tani është mbështetja financiare e Bashkimit Evropian për networkun investigativ Organized Crime and Corruption Reporting Project (OCCRP).

    Çështja, e zbuluar pas një hetimi të eurodeputetit Petr Bystron (AfD), i cili është nën hetim nga zyra e prokurorit të Mynihut për dyshimine për korrupsion dhe pastrim parash në lidhje me platformën pro-ruse Voice of Europe, vë në pikëpyetje neutralitetin e projekteve të gazetarisë që marrin fonde nga agjenci qeveritare, si BE apo, në të kaluarën, nga agjencia amerikane USAID.

    Sipas asaj që ka zbuluar Berliner Zeitung, BE-ja ka destinuar mbi 600,000 euro për OCCRP duke filluar nga nëntori 2024, si pjesë e projektit NEXT-IJ, që synon “forcimin” e gazetarisë investigative evropiane përmes trajnimeve dhe mjeteve. Komisioni Evropian e ka mbrojtur transparencën e këtyre subvencioneve, duke theksuar se fondet janë të mbrojtura nga “standarde rigoroze gazetareske”.

    Sidoqoftë, kritikë si Bystron shohin në këtë praktikë një përpjekje të qartë dhe të hapur për të ndikuar në opinionin publik. “OCCRP-Medien si si Der Spiegel kanë marrë mbi 600,000 euro nga BE-ja menjëherë pas zgjedhjeve evropiane. Pikërisht këto media manipuluan zgjedhjet e fundit me fushata masive”, ka deklaruar Bystron për Berliner Zeitung, duke akuzuar rrjetin për diskreditimin e politikanëve “euroskeptikë”.

    OCCRP, e themeluar më 2006, është e njohur për hetime të profilit të lartë, si Panama Papers dhe Azerbaijan Laundromat. Mirëpo, burimet e saj të financimit ngrenë dyshime. Gazetarët e NDR-së, John Goetz dhe Armin Ghassim, kanë zbuluar se një pjesë e madhe e fondeve të rrjetit më parë vinin nga USAID, një fluks që u ndërpre gjatë presidencës Trump.

    Siç raportohet nga InsideOver, këto fonde qeveritare nuk ishin pa kushte: funksionarët amerikanë do të kishin përdorur pushtetin e tyre për të influencuar vendime editoriale dhe të personelit brenda organizatës. Organizata ka marrë 11 milionë dollarë nga agjenci amerikane, 5.7 milionë dollarë nga të cilat vinin direkt nga USAID.

    Studimi që i heq maskën BE-në

    Qershorin e kaluar, studimi i Thomas Fazi, Brussels’s Media Machine, ka nxjerrë në dritë se si Bashkimi Evropian, përmes Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian, investon afërsisht 80 milionë euro në vit në projekte mediatike, për një total prej gati 1 miliard eurosh gjatë dekadës së fundit, me qëllim promovimin e narrativave pro-BE dhe influencimin e opinionit publik.

    Komisioni financon programe si IMREG (40 milionë euro që nga viti 2017), Journalism Partnerships (50 milionë që nga viti 2021), Multimedia Actions (20 milionë në vit) dhe European Digital Media Observatory (27 milionë), shpesh duke bashkëpunuar me transmetues publikë dhe agjenci shtypi për fushata promocionale dhe iniciativa promovuese të “luftës kundër dezinformimit”.

    Parlamenti Evropian ka ndarë 30 milionë nga viti 2020 për projekte të ngjashme. Këto iniciativa, të prezantuara si mbështetje ndaj lirisë dhe pluralizmit të medias, shpesh synojnë të margjinalizojnë zërat kundërshtues, të krijojnë një sferë publike të kontrolluar dhe të promovojnë interesat gjeopolitike, edhe duke përfshirë vende si Ukraina dhe Ballkani Perëndimor.

  • Nga Alfred LELA – McGonigali u skuq si rus, u mavijos si shqiptar, dhe po zverdhet si kinez

    Nga Alfred LELA – McGonigali u skuq si rus, u mavijos si shqiptar, dhe po zverdhet si kinez

    Edi Rama, asokohe një burrë i ri me ëndrra ende të painfektuara, në mbyllje të një mainfestimi opozitar në vitin 1991, te “stadiumi Dinamo”, pat thënë ndër të tjera se, “komunizmi na skuqi si rusë, na zverdhi si kinezë dhe na nxiu si shqiptarë”.

    Ky kolorit është rikthyer në skenën e historisë për një mikun e tij, por ndoshta edhe për vetë Kryeministrin. Charles McGonigal, ish kryeagjenti tashmë dy herë i dënuar i FBI, është edhe njëherë para ‘gijotinës’ për t’u dënuar me shumë gjasë, një here të tretë. Pasi u shpall fajtor për ‘dosjen shqiptare’ në Washington dhe për ‘dosjen ruse’ në New York, duket se do të dënohet për ‘dosjen kineze’. Për analogji, pasi u skuq si rus, u mavijos si shqiptar, tani do të zverdhet si kinez.

    Sigurisht, implikimet kineze të një agjenti amerikan nuk janë të herës së parë, dhe nuk do ngjallnin interes në Shqipëri, por shqiptarët aty janë aktorë kryesorë të dosjes. Nga pak Agron Neza dhe sidomos Dorian Duçka, personat A dhe B, por edhe kryeministri Rama. Të tre këta kanë qenë të pranishëm, si protagonistë, edhe në ‘dosjen shqiptare’ për të cilën McGonigal u dënua me 2 vjet e 4 muaj burg.

    Ajo që potencialisht mund të jetë e re këtë radhë është se, McGonigal nuk do të trajtohet si ‘i korruptuar’, pra si fshehës shumash monetare apo thyerës i kodeve sjelljes së shërbimeve inteligjente amerikane, por si spiun i fuqive të huaja armike, çka mund ta rëndojë akuzën edhe deri në tradhëti ndaj Amerikës.

    Në rrafshin amerikan të ngjarjeve, Donald Trump do të hakmerret ndaj establishmentit të majtë, i cili me anë të McGonigal donte ta shpallte atë ‘tradhtar të Amerikës’ nëpërmjet lidhjeve të hamendësuara ruse. Duket se McGonigal, nëpërmjet lidhjeve kineze, mund të stigmatizohet me po atë akuzë.

    Në Tiranë kanë rëndësi dhe peshë lidhjet shqiptare të dosjes.

    Ajo që duket nga një lexim i dyfishtë është se shqiptarët që e futën në kurth, edhe e tradhtuan agjentin amerikan. Sipas të gjitha gjasave në shkëmbim të njëfarë imuniteti.

    Ndoshta këtu mund të gjendet edhe twist-i ri, informal ose jo, që mund të marrë çështja. A do ta falin, këtë hetim të ri të McGonigal -drejtuesit e rinj FBI por edhe agjentët hetues, faktin se një grup të huajsh, të një vendi aleat të NATO-s, ku me gjasë përfshihet edhe KM Rama, futën në kurth dhe më pas ‘shitën’ një ish-koleg të tyrin, një amerikan, një shok armësh?!

    A do të jetë hetimi i gjithi vetëdije profesionale apo edhe patriotike?

    Askush nuk mund ta thotë me siguri, por ajo që duket nga koha, forma dhe narrativa e administratës Trump, është se kjo dosje, për ta thënë në amerikanisht, duket si ‘going in for the kill’, pra për ta mbyllur me një goditje finale, e cila ka brenda hakmarrjen politike, personale dhe amerikane.

    Të tre aktorët shqiptarë të ‘dosjes kineze’ nuk duhet të jenë të qetë.

  • Billy Preston – “Beatles i pestë” që i dha jetë muzikës botërore

    Billy Preston – “Beatles i pestë” që i dha jetë muzikës botërore

    Era e ftohtë e Londrës frynte më 30 janar 1969, ndërsa kalimtarët ngrinin kokën lart, të hutuar nga tingujt që shpërthenin prej çatisë së ndërtesës “Apple Corps”. Beatles kishin dalë papritur për performancën e tyre të fundit publike, dhe mes tyre, me një buzëqeshje të qetë dhe duar që rrëshqisnin mbi tastierë, ishte Billy Preston. Organoja e tij elektrike sillte një ritëm të gjallë, duke i lidhur zërat dhe kitarat e grupit në një harmoni të pazakontë. Ai nuk ishte një vizitor i rastësishëm: ishte gjaku i ri që u dha Beatles-it edhe pak jetë, edhe pak dritë.

    Një fëmijë-prodhigj që jetonte me muzikën

    Billy Preston lindi më 2 shtator 1946 në Houston, Teksas, por familja e tij u vendos herët në Los Angeles. Që fëmijë, ai tregoi se kishte një lidhje të jashtëzakonshme me tastierën. Në moshën 10-vjeçare, ai shoqëronte Mahalia Jackson-in në organo gjatë koncerteve kishtare – një moment që do ta shënonte përgjithmonë. “Ai nuk e shikonte instrumentin, e ndjente me gjithë trupin,” kujtonin më vonë të afërmit. Në adoleshencë, ai u gjend në skenë përkrah Little Richard, duke u rritur në një mjedis ku muzika ishte jo vetëm profesion, por frymëmarrje.

    Një takim i hershëm me Beatles

    Në vitet e hershme ’60, gjatë një turneu me Little Richard në Hamburg, Billy Preston takoi për herë të parë Beatles. Ishin ende djem të rinj me ëndrra të mëdha, por edhe atëherë ai la përshtypje të fortë me talentin e tij. Ishte një njohje që do të merrte formë të vërtetë vetëm disa vite më vonë.

    Sesionet e tensionuara dhe ardhja e shpëtimtarit

    Viti 1969 e gjeti Beatles në një pikë kritike. Të lodhur nga grindjet, të tensionuar nga biznesi dhe të paqartë për të ardhmen, ata hynë në studio për të regjistruar atë që do të bëhej albumi Let It Be. Atmosfera ishte aq e rënduar, saqë George Harrison vendosi përkohësisht të largohej nga grupi. Në kthim, ai solli me vete një mik të vjetër – Billy Preston.

    Hyrja e Preston në studio ishte si një rreze dielli në një ditë të zymtë. Paul McCartney kujtonte: “Prania e Billy-t na bëri të silleshim si muzikantë, jo si njerëz që grindeshin. Ai na bëri të kujtonim se çfarë do të thoshte të luaje muzikë për kënaqësi.” John Lennon, me sinqeritetin e tij tipik, e quajti publikisht Preston-in “Beatle-in e pestë”.

    Magjia në tastierë: këngët që morën jetë

    Kontributi i Preston në këngët e Let It Be është i pamohueshëm. Ai nuk ishte thjesht një muzikant i ftuar; ai ishte pjesë e atmosferës, i pranishëm në momentet kur Beatles regjistruan disa prej këngëve më të dashura të tyre:

    • “Get Back” – Loja e tij i dha këngës një ritëm të gjallë, një puls lozonjar që e ngriti atë nga një këngë e thjeshtë rock në një hit të pavdekshëm. Jo rastësisht, disku u publikua si “The Beatles with Billy Preston”.
    • “Don’t Let Me Down” – Organoja e Preston i shtoi një frymë gospel, duke e bërë këngën një klithmë dashurie të Lennon-it me një dimension shpirtëror. Kritiku Mark Lewisohn ka shkruar se “pa Preston, kënga do të kishte mbetur një rrëfim i zhveshur; me të, ajo u bë një lutje.”
    • “I’ve Got a Feeling” – Në këtë bashkim të dy botëve krijuese, Lennon dhe McCartney, Preston ndërtoi një urë me tastierë, duke dhënë energji dhe kohezion.
    • “The One After 909” – Një rikthim i Beatles te rrënjët e tyre rock’n’roll, i cili me organon e Preston fitoi ngrohtësi dhe një energji spontane që e bëri të shkëlqente në koncertin legjendar mbi çatinë e “Apple Corps”.
    • “Dig a Pony” – Loja e tij krijoi një atmosferë të rrjedhshme e psikedelike, duke mbushur hapësirat bosh të këngës dhe duke e bërë melodinë më tërheqëse.

    Çdo këngë ku Preston luante merrte jetë të re. Nuk ishte thjesht teknika, por ajo që ai sillte si shpirt muzikor: gëzim, freski, spontanitet.

    Një karrierë e vetësishme me ngjyra funk dhe soul

    Pas Beatles, Billy Preston nuk mbeti në hije. Ai ndërtoi një karrierë solo të suksesshme, duke u bërë një figurë e rëndësishme e muzikës soul dhe funk. Hitet si “Nothing from Nothing”, “Will It Go Round in Circles” dhe “Outa-Space” e vendosën në krye të klasifikimeve dhe i dhanë atij një Grammy.

    Por bashkëpunimet e tij nuk mbaruan aty. Ai ishte pjesë e turneve madhështore të Rolling Stones, u ngjit në skenë me Eric Clapton dhe Bob Dylan, dhe mbeti një partner i ngushtë i George Harrison edhe pas shpërbërjes së Beatles. Në fakt, Harrison e ftoi atë në koncertin e famshëm “Concert for Bangladesh” në vitin 1971, duke i dhënë sërish hapësirën e merituar në një skenë historike.

    Zërat që flasin për të

    Shumë prej ikonave të muzikës kanë lënë fjalë që dëshmojnë ndikimin e Preston:

    • George Harrison: “Billy kishte një shpirt të pastër muzikor. Ai mund të të nxirrte nga errësira vetëm me një akord.”
    • Mick Jagger: “Kur Billy ishte me ne në skenë, Stones merrnin një tjetër energji. Ai na shtynte përpara me atë groove të tij të papërsëritshëm.”
    • Eric Clapton: “Ishte e pamundur të luaje pranë tij pa buzëqeshur. Ai e bënte muzikën një gëzim, jo një punë.”

    Janë vetëm disa nga dëshmitë se magjia e tij nuk ishte iluzion: ishte reale dhe e ndjerë nga gjigantët me të cilët ai ndau skenën.

    Pasuria dhe plagët e jetës

    Si shumë artistë të mëdhenj, edhe Preston nuk i shpëtoi demonëve të brendshëm. Ai u përball me varësi dhe probleme ligjore, që shpesh e penguan në karrierë. Megjithatë, edhe kur jeta e tij personale binte në kaos, muzika mbetej streha e vetme. Në çdo koncert, buzëqeshja e tij dhe mënyra e tij e të luajturit e mbushnin sallën me dritë.

    Një trashëgimi që jeton

    Billy Preston ndërroi jetë më 6 qershor 2006, në moshën 59-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme. Muzika e tij është ende gjallë: në çdo akord të “Get Back”, në çdo emocion të “Don’t Let Me Down”, në çdo ritëm të “Outa-Space”.

    Ai ishte më shumë sesa një shoqërues i yjeve – ishte një yll më vete, një shpirt i lirë dhe një mjeshtër i tastierës që la gjurmë të pashlyeshme. Dhe kur sot kujtojmë titullin “The Fifth Beatle”, ai nuk tingëllon si një hiperbolë: është thjesht e vërteta.

    Kujtimi i gjallë i një tingulli

    Sot, më shumë se pesë dekada pas atyre sesioneve të tensionuara dhe atij koncerti mbi çati, fansat e Beatles e përjetojnë sërish praninë e Billy Preston falë dokumentarit Get Back të Peter Jackson. Në çdo pamje ku ai shfaqet, atmosfera ndryshon: dhoma errëtsohet më pak, tensioni shuhet, buzëqeshjet kthehen. Dhe sa herë që tingujt e organos së tij shpërthejnë në “Get Back” apo “Don’t Let Me Down”, dëgjuesit e sotëm e kuptojnë qartë pse Lennon e quajti “Beatle-in e pestë”. Billy Preston mbetet një kujtesë e gjallë se muzika nuk është vetëm teknikë, por energji që shpëton dhe frymëzon – edhe në momentet më të errëta.

     Momentet kyçe të karrierës së Billy Preston

    Viti Ngjarja Kryesore
    1956 Në moshën 10 vjeçare shoqëron Mahalia Jackson në organo.
    1962 Lufton me Little Richard në turne në Hamburg; takon për herë të parë Beatles.
    1965 Publikon albumin e parë solo The Most Exciting Organ Ever.
    1969 Ftohet nga George Harrison në sesionet e Let It Be, duke u bërë “Beatle-i i pestë”.
    1971 Merr pjesë në Concert for Bangladesh me George Harrison.
    1972 Fiton Grammy me hitin instrumental “Outa-Space”.
    1974 Hitet “Nothing from Nothing” dhe “Will It Go Round in Circles” ngjiten në krye të Billboard Hot 100.
    1975–77 Bashkëpunon me Rolling Stones në turne dhe albume.
    2006 Ndahet nga jeta më 6 qershor, duke lënë një trashëgimi të pashlyeshme muzikore.
  • Nga Enver BYTYÇI – T’i besosh Edi Ramës në intrigat e veta, është njësoj si t’i besosh djallit që hiqet si engjëll!

    Nga Enver BYTYÇI – T’i besosh Edi Ramës në intrigat e veta, është njësoj si t’i besosh djallit që hiqet si engjëll!

    Kur Blendi Fevziu e pyeti kryeministrin shqiptar, të enjten në mbrëmje, nëse e kishte shitur Sazanin apo jo, Edi Rama u përgjigj: “Janë thashetheme si ato që u bënë për ndarjen e Kosovës”!

    Po a ishin thashetheme akuzat ndaj Edi Ramës dhe Hashim Thaçit për ndarjen e Kosovës? Sigurisht se jo. Pse?

    1. Ish ministri i Jashtëm i Suedisë, Carl Bild, deklaroi në Financial Times të Britanisë së Madhe se kryeministri Rama i kishte propozuar atij si zgjidhje të konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë, pikërisht ndarjen e Kosovës të maskuar si shkëmbim territoresh. Edi Rama nuk e përgenjështroi këtë deklaratë të Carl Bild.

    2. Ish kryeministri britanik, këshilltar i Ramës, i mirënjohuri Tony Blair, ka deklaruar se me porosi të Ramës dhe Vuçiq ai ishte investuar për lobim për ndarjen e Kosovës. Por këta nuk e përgenjështruan as këtë akuzë, se e tillë quhet sipas deklarimit të Edi Ramës.

    3. Akuza të drejtpërdrejta për investimin e Ramës për ndarjen e Kosovës kanë bërë në mënyrë të përsëritur Sonja Biserko, Natasha Kondiç dhe shumë eksponentë të tjerë. As këta nuk janë kontestuar nga kryeministri i Shqipërisë.

    4. Edi Rama dhe Hashim Thaçi iu lutën fillimisht presidentit të Francës, Emmanuel Macron, gjatë një kongresi të Frankofonisë në vitin 2018 në Ereven të Armenisë, që ky i fundit të ndihëmojë për realizimin e projektit të ndarjes së Kosovës. Dhe për këtë këta të dy janë përmendur vazhdimisht, por asnjëherë nuk e përgenjështruan këtë fakt.

    5. Kur Hashim Thaçi deklaroi në gusht të vitit 2018 në një samit në Austri se bashkë me Vuçiq po punojnë për “korrigjimin e kufijve”, Edi Rama nuk reagoi, heshti dhe heshtja ishte miratim i plotë.

    6. Në maj 2020 u bë samiti i Procesit të Berlinit në Berlin. Edi Rama, Aleksandër Vuçiq dhe Hashim Thaçi ia hapën hartën e Ballkanit kancelares Merkel për t’i shpjeguar se cilla do të ishte marrëveshja për shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, pra si do ndahej Kosova. Por Merkel refuzoi kategorisht, ndërkohë që Macron heshti për shkak se e dinte që Merkel është kategorikisht kundër kësaj ideje. Rama ishte në anën e Vuçiq dhe Thaçit, ndërkohë që kryeministri Haradinaj qëndronte larg në shenjë refuzimi. Madje ai i shau meritueshëm!

    7. Kurrë Rama nuk është shprehur kundër korrigjimit të kufijve ose shkëmbimit të territoreve publikisht. Pra kurrë nuk e ka denoncuar përpjekjen për ndarjen e Kosovës, sepse ishte vetë skenaristi i përpjekjeve të tilla për ndarje. Edhe të ejnjten në mbrëmje ai u mbrojt skiç, duke i konsideruar akuzat të papaza. Por kurrë nuk tha se “Jam kundër ndarjes së Kosovës”, edhe atëherë kur debati mori zjarr.

    8. Edi Rama vuri Baton Haxhiun të testojë lojën me ndarjen e Kosovës, kur ky (Batoni) si këshilltar i Ramës dhe përçues i ideve të kryeministrit të Shqipërisë dhe presidentit të Serbisë deklaroi publikisht se 1) Kosova duhet ndarë, 2) Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë duhet mbyllë, 3) Krimet dhe genocidi serb në Kosovë duhen harruar!

    Ka njëmijë fakte, me të cilat Edi Rama provohet si intriganti dhe udhëheqësi, sidomos në prapaskenë i ndarjes së Kosovës. Ndërsa Hashimi dhe Vuçiq ishin të hapur në publik, ky, Edi Rama inspiroi dhe drejtoi të gjithë fushatën mediatike të komunikimit publik në favor të ndarjes së Kosovës.

    T’i besosh Edi Ramës në termat që sot ai përdor, është njësoj so t’i besosh djallit që hiqet si engjëll!

  • Nga Sebastian Zonja – Lavdi liderave tanë Edi Rama dhe Albin Kurti!

    Nga Sebastian Zonja – Lavdi liderave tanë Edi Rama dhe Albin Kurti!

    Ditët e fundit veçova dy lajme që ishin pjesë e bisedave publike – në Tiranë vajtja e kreut të SPAK-ut Altin Dumani në Uashington dhe blerja e disa autoblindave amerikane nga ana e Prishtinës.

    Nuk më ka rastisur të shoh ndonjë lajm në Greqi se si politika dhe qytetarët duartrokasin vajtjen e kryeprokurorit për të raportuar dhe marrë udhëzime nga një vend aleat. Edhe kur ndodh, nuk del nëpër medie. Grekët e kanë të shenjtë sovranitetin penal. Ata bashkëpunojnë me gjithë aleatët, kanë diplomaci me kundërshtarët, por kanë vendosur disa kufinj.

    Ndërkohë, edhe Serbia blen armë kudo mundet. Thotë se mban kurs neutraliteti dhe kërkon ta ruajë me fanatizëm asnjëanësinë e saj. Nuk është lajm kombëtar blerja e autoblindave, siç bëjmë ne, por kontratat miliardëshe me Francën dhe Izraelin.

    Ne kemi një shprehje të bukur që thotë se shtëpia nuk mbahet me miell hua. Kur populli thotë këtë shprehje, pëgjigjja që ka marrë gjithnjë nga politika dhe një pjesë e intelektualëve ka qenë se ne nuk bëjmë dot përpara nëse nuk bashkohemi me një perandori të madhe. Faktikisht, kjo është pyetja – pse ne nuk bëjmë dot përpara pa varësi kaq të theksuar nga një qendër? Përgjigjja është historiciste – shih romakët dhe bizantinët ku ne kishim perandorë, apo sa vezirë kishim nën osmanë. Sërish, kjo është pyetja – pse nuk bëmë vendin tonë por u dhuruam të tjerëve perandorë dhe vezirë? Edhe në këtë rast përgjigjja është e thjeshtë – se na lanë mbrapa osmanët. Mund ta vijojmë këtë logjikë deri më sot për të pyetur se pse ne kemi aleatë amerikanët, fuqinë më të madhe në botë, por jemi të fundit në Ballkan?

    Në këtë kontekst ravijëzohen dy linja mendimi – izolacionizmi enverist dhe eurocentrizmi perandorak. Edhe pse të dyja janë të gabuara, sërish ka remineshenca për enverizmin se si ai ruante një lloj dinjiteti ndërkombëtar, apo logjika që parashtruam më sipër se pa u bërë pjesë e Bashkimit Evropian jemi të humbur dhe s’ndryshojmë dot.

    Në të dyja këto linja mendimi na çon pafuqia. Ndërkohë, fuqia e të pafuqishmit është pikërisht mendimi. Shih Japoninë, Singaporin apo Izraelin sa vende të vogla përballë Kinës apo arabëve dhe sa të fuqishëm janë.

    Nëse sovranitetin penal e kemi deleguar te aleatët, ushtrinë po ashtu, edhe diplomacinë, ajo që ngelet janë veç politikat fiskale. Pra, “autokrati Rama” ka në dorë të zgjedhë sa dhe kujt do i mbledhë taksa dhe tatime. Taksidari Rama nuk plotëson asnjë kusht themelor autokracie si Erdoani, Putini apo Shi Xhinpingu, për shembull – sepse nuk ka në dorë ushtrinë, diplomacinë, sovranitetin penal.

    Edhe në Kosovë është thuajse e njëjta qasje, por me një ndryshim të vockël – ky në Tiranë i ka qejf paratë dhe vjedh shumë, ai në Kosovë i ka zët paratë dhe s’bën investime fare.

    Nëse aleatët na kanë lehtësuar nga barra e të menduarit për diplomaci të madhe, strategji ushtrake apo goditje grupesh të rrezikshme kriminale, sërish jemi keq. Edhe kur i kemi pasur vetë në dorë kemi qenë keq – izolacionizmi enverist.

    Si ka mundësi që shkuam nga të qenit vendi më i izoluar në botë, tek vendi që kemi në dorë vetëm disa politika fiskale, me politikanë taksidarë? Ngjan se njëra nga përgjigjet është se duke i vënë kurora dafine politikanit të radhës, jo institucioneve shtetërore, harruam të përfytyrojmë dhe ndërtojmë të ardhme më të mirë për veten dhe fëmijët. Duket sikur e përçmojmë demokracinë. Nuk e duam. Përderisa ne nuk e duam, as ajo s’na do, ndaj do gjejmë përkujdesje atërore nga “autokrati” i radhës, i cili lufton me Athinën e Beogradin si nëpër poezitë e Fishtës, por ne mbetemi prap të fundit në Ballkan.