Blog

  • Nga fitorja historike, në një natë zie. Si u vra Gramoz Palushi nga tifozët grekë vetëm se ishte shqiptar

    Nga fitorja historike, në një natë zie. Si u vra Gramoz Palushi nga tifozët grekë vetëm se ishte shqiptar

    Tiranë, 4 shtator 2004. Stadiumi “Qemal Stafa” shpërthen. Shqipëria e Hans Peter Brigel sapo ka mposhtur kampionët e Europës, Greqinë, me rezultatin 2-1, në ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës 2006. Golat e Altin Rakipit dhe Edvin Muratit ndezin një komb të tërë. Flamujt kuqezi valëviten nga veriu në jug, fishekzjarret çajnë qiellin, klaksonët nuk pushojnë. Ishte ajo lloj nate kur ndihesh më shumë se kurrë krenar që je shqiptar.

    Por teksa Tirana vallëzonte në rrugë dhe qytetet shqiptare gumëzhinin nga festa, larg, në një ishull turistik të Greqisë, tragjedia po shkruante faqen e saj më të zezë. Në Tsilivi të Zakynthos-it, 20-vjeçari Gramoz Palushi, student në Shkollën e Marinës në Vlorë, ndodhej mes shokëve, duke festuar fitoren. Ishte i gëzuar, i mbushur me emocionet e një fitoreje që për të dhe të gjithë shqiptarët ishte më shumë se sport – ishte dinjitet, ishte identitet.

    Festa e tyre nuk u prit me simpati. Pas fitores së Shqipërisë, tensionet u ndezën. Fjalët u kthyen në ofendime, ofendimet në grushte, dhe më pas… në krisma. Në atë përplasje mes të rinjve shqiptarë e grekë, një armë u ngrit dhe qëlloi. Plumbat ndalën jetën e Gramoz Palushit në vend. Në çastin kur zemra e tij rrihte më fort se kurrë nga gëzimi i flamurit kuqezi, ajo u ndal përgjithmonë.

    Një djalosh me ëndrra të mëdha

    Gramoz Palushi nuk ishte thjesht një viktimë e dhunës. Ai ishte një djalosh që ëndërronte të ndërtonte jetën e tij me mund e përkushtim. Kishte zgjedhur Marinën, sepse i donte horizontet, detin, disiplinën. Ishte i qeshur, plot jetë, i dashur me të gjithë. Një djalë që kishte vajtur në Greqi për punë sezonale, si shumë bashkëmoshatarë të tij, për të ndihmuar familjen dhe për të përgatitur të ardhmen. Nuk e dinte se aty do ta priste fundi i parakohshëm.

    Një natë krenarie dhe zie

    Shqipëria u zgjua mëngjesin e 5 shtatorit mes dy ndjenjash që nuk takohen shpesh: lumturisë së një fitoreje historike dhe dhimbjes për humbjen e një jete të re. Nëpër media, krahas titujve për triumfin ndaj Greqisë, u shfaq lajmi tronditës: “Vritet një i ri shqiptar në Zakynthos, gjatë festës së fitores.”

    Fitorja nuk ishte më e pastër, nuk ishte më vetëm gëzim. Ajo kishte marrë edhe çmimin e saj të dhimbshëm. Që nga ajo ditë, emri i Gramoz Palushit u lidh përgjithmonë me 2-1-shin historik. Ishte kujtesa e hidhur se krenaria kombëtare kishte ardhur me gjak.

    21 vite më vonë

    Sot, kur kanë kaluar 21 vite nga ajo natë, shqiptarët ende e kujtojnë Gramoz Palushin. Për familjen e tij, ai mbetet djali që nuk u kthye më në shtëpi. Për shokët, buzëqeshja që nuk do të shuhet kurrë. Për një komb të tërë, simboli i një nate të dyfishtë – triumf dhe tragjedi.

    Në çdo përmendje të asaj fitoreje madhështore, bashkë me emrat e Rakipit dhe Muratit, dëgjohet edhe ai: Gramoz Palushi. Jo si golashënues, por si dëshmitar i dhimbshëm se historia shpesh shkruhet me dritë e hije.

    Gramoz Palushi mbetet djaloshi që u shua mes festës, por që sot jeton në kujtesën e një kombi.

    Burimi: Marrë nga milanistat.com

  • Nga Arnand MAHO – “Tërmeti” i qeverisë së 13-të të Ramës!

    Një fjalë e urtë thotë: “Kur shteti drejtohet si shtëpi publike (bordello), turpi nuk pyet për derë”.

    Edi Rama po hyn në mandatin e katërt të qeverisjes, dhe deri më tani ka ndërruar 12 qeveri – kjo është e 13-ta. Mes tyre janë rreth 60 e ca ministra, pa llogaritur ata që janë ndërruar në mes të mandatit. Këtyre shifrave u shtohet edhe ushtria e drejtorëve të ndërruar, kryebashkiakëve të arrestuar dhe gjithëfarë llumrash që i mori nga krimi i organizuar dhe i ngjiti në rangjet më të larta të qeverisjes dhe ligjbërjes.

    Në vitin tashmë të largët 2013, Rama premtoi se do të ishte kryeministri më “i suksesshëm i historisë”. Në fakt, ka rezultuar më i dështuari, dhe qerthulli ku futet vit pas viti me ndryshimet e kabinetit e tregon më së miri këtë. Fakti që ikën një ministër dhe vjen një tjetër nuk ndryshon asgjë. Fjala vjen: çfarë ndryshoi kur iku Saimir Tahiri dhe erdhën më pas Xhafaj, Lleshaj, Balla apo Ervin Hoxhaj? Mos vallë u luftua kriminaliteti, pastrimi i parave e gjithë ato që premtoheshin? Po heqja e Gjiknurit dhe zëvendësimi me Ballukun çfarë solli? Mos vallë u ul abuzimi me lejet e ndërtimit, tenderat korruptivë, PPP-të preferenciale, e me radhë? Dhe kështu në çdo hallkë tjetër të qeverisjes, qoftë në shëndetësi, pushtetin lokal, drejtoritë në varësi e me radhë. Fundja, çfarë do të ndryshonte edhe sikur të ikte Pirro Vengu nga Ministria e Mbrojtjes dhe të vinte ndonjë Zengjine nga Roskoveci?

    Sepse të gjithë këta që vijnë e ikin janë thjesht aksesorë që nuk prekin thelbin e asaj që përjetojmë çdo ditë. Sot janë të rrallë njerëzit që mbajnë mend anëtarët e kabinetit një për një, dhe personalisht nuk do të habitesha sikur zërat qesharakë për emërimin e Tërmet Peçit si Ministër i Financave të rezultonin të vërtetë në fund. Se mos kemi qeveri ne! Fundja, çfarë kanë bërë të tjerët më shumë? Veçse kanë firmosur sybyllazi porositë e Ramës për miqtë e tij oligarkë apo nga bota e krimit. Në këto 12 vjet nuk kemi pasur qeveri, por thjesht ca ushtarë që në jo pak raste kanë pranuar të bëjnë edhe burgun për të mbrojtur interesat e shefit. Personalisht, për nivelin e qeverisjes që ka shpërfaqur Edi Rama, Tërmeti i Tepelenës do të ishte më adap për atë punë.

    Konkluzioni është i thjeshtë:

    Ndërrimi i bishtukëve nuk sjell asgjë të re, as çnderimi apo poshtërimi që u bën Rama të vetëve. Taksapaguesit nga ky rrotacion karrigesh në ministri nuk do të përfitojnë asgjë. Biznesi do të vazhdojë të lëngojë, pensionistët do të vazhdojnë të gënjehen me lëmosha, dhe të rinjtë do të vijojnë të ikin. Jeta do të vazhdojë po njësoj, me çmimet që sa vijnë e rriten, me korrupsionin në çdo qelizë të qeverisjes, me propagandën bajate të një realiteti mediatik krejt ndryshe nga ai që jetojmë, me thellimin e hendekut mes të varfërve dhe të pasurve e kështu me radhë.

    Është e vërtetë që “uji buron i pastër, por ndotet rrugës”, por kjo nuk vlen për Shqipërinë. Tek ne, uji buron llum që në fillim – dhe imagjinoni çfarë bëhet rrugës. Pra, rrekja për të krijuar një imazh se gjërat do të ndryshojnë është pesë me hiç. Nëse gjërat duhen ndryshuar, atëherë ato duhet të nisin nga koka; uji duhet të dalë njëherë i pastër nga burimi, dhe pastaj të shohim kush e ndot rrugës.

    Pra, mos gënjejmë veten kot: për sa kohë Edi Rama të jetë kryeministër, ky vend nuk ka shpresë.

  • 115 vjet nga lindja e Nënë Terezës – Shqiptarja që u bë nënë e njerëzimit

    115 vjet nga lindja e Nënë Terezës – Shqiptarja që u bë nënë e njerëzimit

    Më 26 gusht 1910, në Shkup, lindi Gonxhe Bojaxhiu, e cila do të mbetej përjetësisht në kujtesën e njerëzimit si Nënë Tereza, shqiptarja që i dha botës një shembull të pakrahasueshëm përkushtimi, dashurie dhe humanizmi. Në 115-vjetorin e lindjes së saj, kombi shqiptar e përkujton me nderimet më të larta bijën e vet më të ndritur, e cila me jetën dhe veprën e saj i dha emër e dinjitet kombit në mbarë botën.

    Një shqiptare që frymëzoi botën

    E rritur në një familje shqiptare me tradita të forta kombëtare dhe fetare, Gonxhe Bojaxhiu u edukua me vlera që më vonë do të ndriçonin misionin e saj. Edhe pse e larguar në moshë të re drejt Irlandës dhe më pas Indisë, ajo kurrë nuk e mohoi origjinën e saj. Përkundrazi, shpesh e theksonte me krenari faktin se ishte shqiptare. Kjo lidhje e pashkëputur me rrënjët e saj do ta shoqëronte gjithmonë, edhe kur fama e saj kapërceu kufijtë e kontinentëve.

    Vepra që i tejkaloi kufijtë e botës

    Në Kalkutë të Indisë, Nënë Tereza themeloi Urdhrin e Misionareve të Bamirësisë, duke i kushtuar çdo ditë të jetës shërbimit ndaj të varfërve, të braktisurve dhe të sëmurëve. Me një përkushtim të pashoq, shqiptarja nga Shkupi i dha botës një dëshmi të gjallë se dashuria e sinqertë dhe sakrifica mund të ndryshojnë jetët e njerëzve më të harruar. Përmes veprës së saj, ajo u bë një figurë universale e paqes dhe e dhembshurisë, duke tejkaluar dallimet fetare, etnike e kulturore.

    Nderimi i botës për shqiptaren e madhe

    Humanizmi i saj u njoh nga mbarë bota. Në vitin 1979, Nënë Tereza u nderua me Çmimin Nobel për Paqe, si shenjë e vlerësimit për misionin e saj të shenjtë. Në vitin 2016, ajo u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u kthyer në një ikonë të përjetshme të Kishës Katolike dhe të mbarë njerëzimit. Megjithatë, për shqiptarët, ajo mbetet mbi të gjitha një bijë e kombit, një shqiptare që i dha botës fytyrën e mëshirës dhe të dashurisë së pakushtëzuar.

    Vizita historike në Shqipëri

    Një nga momentet më të veçanta për kombin shqiptar ishte vizita e Nënë Terezës në atdheun e saj më 2 dhjetor 1992, pas dekadash izolimi që vendi kishte kaluar. Vizita e saj në Shqipëri kishte një simbolikë të thellë: rikthimi i bijës më të ndritur të kombit në truallin amtar. Gjatë kësaj vizite, ajo u prit me nderimet më të larta dhe u takua me Presidentin e atëhershëm të Republikës, Sali Berisha. Ky takim përfaqësonte jo vetëm respektin e shtetit shqiptar ndaj figurës së saj, por edhe një moment historik të ribashkimit shpirtëror të Nënë Terezës me vendin e saj të origjinës. Ajo vetë u shpreh me emocion se, ndonëse kishte shërbyer gjithë jetën larg, zemra e saj kishte mbetur gjithmonë pranë Shqipërisë dhe shqiptarëve.

    Trashëgimia e përjetshme e Nënë Terezës

    Sot, kujtimi i Nënë Terezës është i gjallë në çdo cep të botës. Institucione arsimore, spitale, sheshe e monumente mbajnë emrin e saj, duke dëshmuar për ndikimin e përjetshëm që ajo la pas. Në Tiranë, aeroporti kryesor mban emrin e saj, ndërsa në Prishtinë dhe Shkup, monumentet dhe institucionet e dedikuara Nënë Terezës e mbajnë të gjallë frymën e saj.

    115-vjetori i lindjes së saj është një thirrje solemne për të kujtuar madhështinë e shpirtit të saj dhe për të përqafuar vlerat që ajo predikoi me jetën e saj. Si shqiptare që u bë nënë e mbarë njerëzimit, Nënë Tereza mbetet simbol i mirësisë, i sakrificës dhe i dashurisë së pakushtëzuar – një figurë që do të ndriçojë përjetësisht në historinë e kombit shqiptar dhe të mbarë njerëzimit.

    Kush ishte Nënë Tereza

    • Emri i lindjes: Gonxhe Anjezë Bojaxhiu
    • Datëlindja: 26 gusht 1910, Shkup
    • Origjina: Shqiptare, nga familja Bojaxhiu
    • Misioni: Themeluese e Urdhrit të Misionareve të Bamirësisë në Kalkutë
    • Çmimi Nobel për Paqe: 1979
    • Vizita në Shqipëri: 2 dhjetor 1992, takim me Presidentin Sali Berisha
    • Shpallja shenjtore: 4 shtator 2016, nga Papa Françesku
    • Përjetësia: Aeroporti i Rinasit dhe shumë institucione në Shqipëri, Kosovë e botë mbajnë emrin e saj
  • Nga Luçiano BOÇI – Kutia e Veliajt

    Erion Veliaj e ka kaluar “hutimin e parë”.

    I fokusuar fillimisht tek opozita e më pas tek prokurori, me gjuhën tipike agresive, ai duket qartë se e ka kuptuar se kush qëndron pas burgosjes së tij dhe eleminimit politik de facto.

    Retorikat e dikurshme për reformën e famshme në drejtësi dhe për udhëheqësin e lavdishëm, janë zëvendësuar tanimë me gjuhë goditëse të koduar dhe kërcënime.

    I braktisur nga të gjithë miqtë e dikurshëm ai po mundohet të dëshmohet si i zbritur në realitet dhe të lëshojë sinjale të forta se mund të kthehet në një “pentito” dhe të hapë “Kutinë e Pandorës” alias “Qivurin e pushtetit të Ramës”.

    Po a ka Veliaj një kuti Pandore?

    Dhe sa të tilla ekzistojnë për pushtetin e korruptuar në shumë dimensione deri në qelizë?

    Nisur nga faktet e njohura dhe botërisht që lidhen me aferën e inceneratorëve, pastrimin e parave, lidhjet kriminale e deri në perversitetin e interpretimit të pushtetit, duket që kutia e Veliajt është plot.

    Por paralajmërimi i koduar i tij ngjan se shkon dhe përtej fakteve ndoshta të lidhura dhe me faktorë të tjerë të padalë ende ne dritë, skema grabitje perfide e thika pas shpine për njerëz e çështje institucionale. Thuajse një çorbë mafioze e përzier me luks.

    Kurioziteti i ngjallur është shumë “joshës”, megjithatë e gjitha kjo ka dëshmuar një gjë absolute të denoncuar publikisht nga opozita: që vendi drejtohet nga një organizatë mirëfilli kriminale që ka pushtuar politikën dhe hapësirën e jetës sociale dhe ekonomike të vendit.

    Me një strukturë solide dhe me drejtues një njeri të pushtuar nga e keqja.

    Pritet thjesht të nxirret në pah frekuenca reale e gjithë këtij realiteti.

    Duhet dhënë pëgjigja dhe për sasinë e “kutive të Pandores” që ekzistojnë.

    Po, nuk ka vetëm një dhe nuk është vetëm Veliaj qe e ka një të tillë.

    Kutitë janë shumë.

    Kuti ka dhe Beqaj dhe Koka dhe Bllako dhe Ahmetaj.

    Kuti kanë dhe ata që janë jashtë dyerve të burgjeve dhe SPAK dhe që ia tundin Ramës me kodim para hunde.

    Veliaj e di shumë mirë ketë, sikurse e di që kutia e tij është më e hidhura që mund të hapet, ku helmi dhe e keqja janë të papara e padëgjuara.

    Dhe Rama e di.

    Ai tani po luan me fillin e durimit të Veliajt dhe duke i njohur karakterin në mënyrë cinike ruan qetësinë dhe ka hedhur në veprim dhe masat e mbrojtjes që pa dyshim janë kriminale dhe pa dyshim akoma më shumë se ato që mund të rrëfehen.

    A do flasë Veliaj?

    Ahmetaj foli pjesërisht dhe Rama me SPAK-un e tij u strukën.

    Por Veliaj nuk është Beni.

    I rritur nën hijen e Ramës dhe “i rrahur” gjithë jetën nga Rama Veliaj e ka të vështirë.

    Nëse tek ai do kishte një dimension të vogël publik apo dhe politik, ai tashmë do e kishte bë.

    Paralajmërimet e koduara megjithë tmerrin e fakteve që fshehin brenda, tani duken thjesht lojra për të fituar lirinë nëpërmjet jo drejtësisë, por nëpërmjet tutorit të tij dhe tutorit të drejtësisë së politizuar, Rama.

    Veliaj ose do zgjedhi fikjen e turpshme politike, siç duken “bathët” duke marrë me vete ca lëshime cinike e ca të vërteta tronditëse, ose do vendosë një gur kilometrik politik ne denoncimin e së keqes dhe thënies së vërtetave hapur duke ruajtur së paku disa gjëra nga emri i tij.

    Kutia me peshën e së keqes brenda, nuk mund të mbahet gjatë në dorë.

  • Truku më i thjeshtë për të lidhur smartfonin me një rrjet Wi-Fi pa e njohur passwordin

    Truku më i thjeshtë për të lidhur smartfonin me një rrjet Wi-Fi pa e njohur passwordin

    Zbulo një metodë pak të njohur që thjeshton aksesin në internet nga smartfoni yt

    Sa herë të ka ndodhur që ke dashur ta lidhësh smartfonin me një rrjet Wi-Fi dhe të gjendesh përballë me një sekuencë të gjatë shkronjash, shifrash dhe simbolesh të pamundur për t’u mbajtur mend?

    Është një skenë e zakonshme: miqt që kërkojnë me dëshpërim nëpër dokumente paswodin e shtëpisë, apo mysafirë që shkruajnë disa herë një kod, vetëm për të zbuluar se kanë ngatërruar një “O” me një zero. Në këto momente, lidhja e internetit duket më e largët se kurrë, duke gjeneruar frustrim dhe humbje në kohë.

    Sot, përditshmëria jonë varet nga një lidhje e qëndrueshme: ne punojmë, studiojmë, marrim informacion e madje edhe shoqërohemi në internet. Për këtë, ideja e pamundësisë për t’u lidhur me Wi-Fi krijon njëfarë ankthi. Jipet pothuajse e mirëqenë që për t’u lidhur me një rrjet, është e nevojshme të kujtosh një pasword kompleks apo t’ia kërkoni dikujt ta ndajë me ty. E megjithatë, ekziston një alternativë që pak e njohin e që e ndryshon rrënjësisht këtë skenar.

    Sekreti pas lidhjes së menjëhershme

    E vërteta është se lidhja me një rrjet WiFi pa e ditur fjalëkalimin tashmë është e mundur dhe kjo falë veçorive të integruara në smartfonat modernë. Nuk bëhet fjalë për aplikacione të jashtme apo metoda të rrezikshme, por për mjete zyrtare të ofruara drejtpërsëdrejti nga sistemet operative më të përhapura: Android dhe iPhone.

    Vitet e fundit, Google ka futur në Android një opsion që mundëson ndarjen e aksesit në një rrjet nëpërmjet një kodi të thjeshtë QR. Mjafton të hysh në impostacionet e telefonit, të zgjedhësh rrjetin e dëshiruar dhe të gjenerosh një kod që mund të skanohet nga një tjetër pajisje.

    Në pak sekonda, kushdo mund të lidhet, pa shtypur as edhe një karakter të vetëm. Komoditeti është evident, por edhe siguria: nuk ka më rrezik që fjalëkalimi juaj i shkruar ose i diktuar të bjerë në duar të gabuara.

    Apple ndoqi të njëjtën rrugë me iOS 18, duke futur mundësinë e ndarjes së rrjetit WiFi direkt nga aplikacioni “Contraseñas”. Edhe në këtë rast, sistemi gjeneron një kod QR që mundëson një lidhje të menjëhershme. Për përdoruesin, do të thotë t’i japë lamtumirë sekuencave të pafundme për t’u mësuar përmendësh dhe gabimeve në shtyp.

    Përdorimi i kodeve QR për të hyrë në Wi-Fi është pra çelësi që thjeshtëson jetn e përditshme dixhitale. Një gjest i shpejtë, i sigurt dhe jashtëzakonisht praktik, që eliminon pengesën e paswordeve komplekse dhe mundëson të shijosh menjëherë lidhjen. Në një botë gjithnjë e më të lidhur, ky funksion përfaqëson jo vetëm një përmirësim teknologjik, por edhe një lehtësim të vogël në ndërveprimet e përditshme.

    Materiali është përgatitur nga bashkëpunëtorët e gazetatjeter.net

  • Nga Enver BYTYÇI – Nuk është vetëm pavarësia e Kosovës, por edhe Rruga e Kombit!

    “Ndonjëherë mendoj, ç’do bënin këta po të mos ishte pavarësuar Kosova? Do të hante njeriu njeriun këtu”! Kështu shkruan akademiku shqiptar, i mirënjohuri Artan Fuga. Ai i referohet pranisë së turistëve kosovarë në Durrës dhe thotë se këtë të mirë publike në Shqipëri e solli pavarësia e Kosovës. Po. Kjo është e vërtetë. Pa turistin kosovar Shqipëria dhe Durrësi do ishin mjerimi më i madh i të gjitha kohëve. Dhe pa pavarësinë e Kosovës nuk do i kishim këta turistë. Ndaj dhe njohja e këtij fakti na bën më mirënjohës, me përulës para asaj që ka ndodhur në këtë çerekshekulli në Ballkan, në Kosovë dhe në hapësirën shqiptare.

    Akademiku Fuga ka vënë në piskamë pavarësinë e Kosovës, si kushtin dhe shkakun kryesor të dyndjes së turistëve nga Kosova drejt bregdetit shqiptar, kryesisht Durrësit, por edhe drejt Shëngjinit dhe Velipojës. Natyrshëm që një Kosovë nën sundimin serb nuk do të kishte mundësi të tilla. Pra do ishte e pamundur në kushtet e para 12 qershorit 1999 që banorët e Kosovës të ishin kontigjenti më i madh I turistëve në Shqipëri.

    Por nuk është vetëm pavarësia e Kosovës ajo që sot e bën turizmin shqiptar të suksesshëm. Dje mediet dhanë një lajm: – Rruga e Kombit është e bllokuar nga trafiku i madh i lëvizjes së mjeteve drejt Shqipërisë! Nëse këto mijëra e dhjetëra mijë mjete në një ditë do të mësynin nga rruga e vjetër drejt Qafës së Malit, ato nuk do të mbërrinin në Durrës as në tri ditë. Pra, sikur pavarësinë e Kosovës të mos e shoqëronte ndërtimi i Rrugës së Kombit, nuk do të kishim këtë fluks turistësh nga Kosova. Vështirë se ndonjë mendje mesatare do të thoshte se “edhe pa Rrugën e Kombit banorët e Kosovës do të dyndeshin drejt Durrësit”! Por jo! Pas faktorit pavarësi, rolin kryesor e luan Rruga e Kombit.

    Rruga e Kombit rezultoi shumë shpejt si arteria më e rëndësishme që garantoi turizëm të qëndrueshëm në Shqipëri dhe solli situatën kur së paku „njeriu të mos hante njeriun“ prej urisë, siç thotë profesor Fuga. Megjithatë ne vazhdojmë të hamë njëri-tjetrin. Por jo nga uria. Për pasuri, për pushtet, për prestigj dhe për lavdi! Nuk rrinë dot shqiptarët pa ngrënë njëri-tjetrin në përpjekjet e tyre për të marrë nofkën se “Shqipëria është e vogël për dimensionet e udhëheqësit tonë”!

    Në fakt dimensionet e një njeriu, lider apo politikan, varen nga rrënjët e jo thjesht nga disa degë që krasiten here pas here për shkak të thatësirës. Rrënjët e suksesit të sotëm turistik duhen kërkuar te pavarësia e Kosovës, dmth te ndërhyrja e NATO-s dhe SHBA-ve, lufta e UÇK-së së Adem Jasharit dhe përpjekjet politike e diplomatike të Ibrahim Rugovës. Por duhen kërkuar dhe te vepra historike e ndërtimit të Rrugës së Kombit. Rrënjët janë ato. Janë të dukshme dhe të pakontestueshme.

    E vetmja krasitje e qeverisë së sotme, e cila mburret me turizmin, është taksa në Rrugën e Kombit. Profesor Artan Fuga thotë se „Të jem si këta, taksën e kalimit të trarit të kosovarëve për të ardhur këtu, ja u paguanin këta me qejf atyre“! Por në fakt ajo taksë është një pengesë artificiale që qeveria shqiptare e vendosi për të dekurajuar kosovarët të vinin në Shqipëri. Ndoshta edhe për të thënë: „Hë se ata patriotë janë, t’i paguajnë dhjetë euro për patriotizëm“! Po kujt t’ia paguajnë, sipas vendimit të qeverisë? Oligarkëve privatë të lidhur me pushtetin! Jo buxhetit të shtetit!

    Ndërkohë Rruga e Kombit u ndërtua vetëm me paratë e taksapaguesve shqiptarë. As Banka Botërore dhe as Banka Evropiane për Zhvillim nuk pranuan të japin kredi të buta ose normale për këtë rrugë. Jo se nuk e dinin se ajo do ta shlyente veten për një dekadë. Por se lobet antishqiptare e ndikuan vendimmarrjen, më saktë refuzimin e tyre. Për një rrugë të paguar nga taksat e qytetarëve qeveria shqiptare nuk duhej t’i detyronte qytetarët ta paguajnë për së dyti herë sërishmi përmes taksës shtesë. Një rrugë që sjell kaq shumë turistë e të ardhura dhe që nuk na le „të hamë njëri-tjetrin“, do të duhej të ishte e lirë dhe pa trarë. Siç është psh autostrada për Vlorë, tek e cila kryeministrit tonë nuk ia mban të vendosë trarë.

    Pra, janë të tjerët ata që sollën turizmin e zhvilluar në këtë vend, ndërkohë që mburrjet gjatë 24 orëve i shkojnë qeverisë së mafies!

  • Nga Erion DASHO – Shqipëria e Boratit: Vendi ku buka e gojës është luks

    Nga Erion DASHO – Shqipëria e Boratit: Vendi ku buka e gojës është luks

    Dua të ndalem pak më gjatë tek statistikat e FAO-s, të cilat i quaj “Tabelat e Turpit”.

    Përse?

    Sepse treguesit janë tronditës. Jo vetëm Shqipëria renditet e fundit në Evropë për sa i takon ushqyerjes, por sepse statistikat janë të tilla që na vendosin poshtë disa prej vendeve më të varfra të Azisë dhe të Afrikës.

    Sepse kur bëhet fjalë për ushqyerjen, nuk flitet më për kulla, për hotele, për lungomare, për turizëm, por thjesht për BUKËN!!!

    Për një familje që shkon në krevat e uritur!

    Për një fëmijë, trupi dhe truri i të cilit nuk zhvillohen sepse i mungon ushqimi i përditshëm!

    Statistikat nuk gënjejnë!

    》5.4% e shqiptarëve janë klinikisht të kequshqyer. Jo në Afrikë, jo në Azi, por këtu në mes të Europës, në vitin 2025! Nëse del në rrugë e sheh 100 njerëz, pesë prej tyre janë të paushqyer. Klinikisht!

    》33% e shqiptarëve vuajnë nga pasiguria ushqimore. Do të thotë se një në tre shqiptarë nuk e di nëse nesër do të ketë bukë në tavolinë. Nëse 100 njerëz shkojnë në një takim me Boratin, 33 prej tyre janë të uritur! I gërryen stomaku i zbrazur!

    》Krahasimi është shkatërrues: Ukraina në luftë prej katër vitesh ka një tregues më të ulët se Shqipëria!

    Kush mban përgjegjësi për këtë situatë??!!

    》Kush është përgjegjës që, në vend që të mbështetet fermeri dhe të forcohet bujqësia, vidhen fondet e BE-së?!

    》Kush është përgjegjës që, në ndryshim nga çdo forcë politike e vetëquajtur e majtë, në çdo vend të botës, vëmendja për shtresat më të varfra në Shqipëri është inekzistente?!

    》Kush është përgjegjës që nga viti 2004 deri më sot, GDP është katërfishuar, kurse siguria ushqimore ka mbetur në vend?!

    Përgjegjës është ai që flet për resortet e luksit, që jep leje për kulla e lungomare, ai që fal porte dhe aeroporte, ndërkohë që një në tre shqiptarë vuan për bukën e gojës!!!

    Pyetja që duhet të bëjë sot çdo shqiptar është:

    A është normale që Shqipëria, një vend me këtë tokë, ujëra dhe klimë, të ketë tregues më të këqij të ushqyerjes se Kameruni apo Kirgistani?!

    Që Shqipëria vendi evropian kufi me Italinë e Greqinë të ketë një të tretën e popullsisë që nuk siguron dot bukën?!

    Ky nuk është thjesht turp! Është krim!

    O njerëz (edhe ju trushplarë)!

    Mos i kaloni këto shifra si një statistikë!

    Kjo është jeta e juaj, e fëmijëve tuaj!

    Është shëndeti i fëmijëve që po rriten me stomak bosh!

    Doni më për Boratin?!

    Ja ku e keni Shqipërinë e urisë! Shqipërinë e turpit!

    Shqipërinë që ai e ka shndërruar në vendin më të mjeruar të Evropës!

    Shqipërinë e paushqyer!

    Shqipërinë e uritur!

    Mjerë ju, o të pangrënë, që nuk mbushni dot barkun me bukë dhe akoma votoni Boratin…

  • Revoltat dhe protestat, ja si sigurimet mund t’i parashikojnë të gjitha

    Revoltat dhe protestat, ja si sigurimet mund t’i parashikojnë të gjitha

    Thelbi i gjithçkaje: minimizimi i humbjeve dhe rritja e fitimeve

    Nën vazhdën e asaj që ngjan si një tjetër stinë protestash, mes luftërash, represioni mbi emigracionin dhe premtimesg për përshkallëzim, kompanitë e sigurimeve mund të mos jenë gjëja e parë që ju vjen ndërmend. E megjithatë, industria e sigurimeve po përpiqet të parashikojë trazirat civile duke përdorur modele statistikore.

    2025-a është karakterizuar nga nivele dhune distopike. Që nga lufta që po zhvillihet midis Ukrainës dhe Rusisë, deri te bombardimet e vazhdueshme të Gazës dhe shkëmbimet raketore midis Izraelit dhe Iranit, kz ka qenë një vit i trazuar pa shenja se mund të zbutet.

  • Është aeroporti më i shtrenjtë në botë ku një birrë kushton sa një vakt luksoz

    Është aeroporti më i shtrenjtë në botë ku një birrë kushton sa një vakt luksoz

    Nëse ndodheni aty dhe keni uri ose etje, përpiquni ta largoni mendjen; është më i shtrenjti në botë.

    Kush është mësuar të udhëtojë me avionë e di shumë mirë se sa mund të kushtojnë gjërat nëpër aeroporte. Në brendi të këtyre strukturave, në fakt, edhe çmimi i një kafeje ose i një sanduiçi është shumë i lartë, qoftë edhe vetëm prej faktit se udhëtarët nuk kanë alternativa ose zgjedhje të tjera. Janë aty dhe gjatë pritjes, nëse duan të konsumojnë diçka nuk kanë zgjidhje tjetër. Kështu ndodh në çdo aeroport në botë, edhe pse, në disa raste, shkohet dukshëm përtej normales. Le të shohim atëherë, së bashku, se cili është aeroporti më i shtrenjtë në botë.

    Aeroporti më i shtrenjtë në botë

    Nga një analizë e krahasuese e të përditshmes së madhe gjeneraliste Corriere della Sera të çmimeve të aeroporte të ndryshme anembanë botës, është bërë e mundur edhe identifikimi i vendit ku udhëtarët janë të ekspozuar ndaj mbiçmimeve jo të parëndësishme. Dhe fituesi i kësaj sfide jo shumë të lavdërueshme, është aeroporti i Stambollit, aty ku ushqimi dhe pijet janë shumë më të shtrenjta se gjetkë.

    Siç referohet, për shembull, një pjatë 90 gramëshe me lazanja bolonjeze shitet për 24.50 euro. Ndërkohë që, çmimi i lartë, nuk pasqyron ndonjë cilësi më të mirë, pasi lazanja “duket më shumë si një copë tullë me pak hi sheqeri dhe diçka që i ngjan djathit të grirë dhe një gjetheje borziloku të rreme”.

    Çmimet në aeroportin e Stambollit

    Por, nëse për një pjatë e parë kërkohet shumë para, gjërat në Aeroportin e Stambollit nuk janë shumë më mirë as me ushqime të lehta dhe me pijet. Në vend të parë listohet kroasan i kripur me pulë, me çmim prej 14.50 euro, me shifrën që shkon duke u rritur në 16.50 euro për versionin me ton dhe 17.50 euro për versionin me salmon.

    Kalojmë te ëmbëlsirat. Një brioç i thjeshtë shitet për 6.50 euro, ndërsa një me bajame kushton 10 euro. Sa i përket pijeve, nuk është vështirë të shihet se si një birrë lokale, Efes, që në qendër të qytetit shitet për 1.50 euro, por në aeroport mund të kushtojë deri në 17.50 euro.

    Ato që godasin janë gjithashtu edhe çmimet e larta që aplikojnë fast food-et. Te Popeyes, për katër krahë pule me patate të skuqura dhe një pije freskuese kërkohen 17.50 euro. Një Big Mac te McDonald’s kushton 21.50 euro, ndërsa diku tjetër (në botën perëndimore) kushton mesatarisht 8.60 euro.

    Mbrojtja e Aeroportit

    Duke parë ekon mediatike të këtyre çmimeve të mbikripura, të kombinuara edhe me ankesat e shumta të udhëtarëve, Aeroporti i Stambollit përgjigjet me një manifest korporativ në të cilin lëxohet se kompania e menaxhimit iGA adapton “një qasje holistike, që synon të mbulojë të gjitha fashat e buxhetit”. “Çmimet tona – lexohet – janë të krahasueshme me ato të aeroporteve kryesore si Amsterdami, Kopenhageni, Dubai, Frankfurti dhe Heathrow”. Dhe përsëri: “Produktet tona pasqyrojnë cilësinë e përbërësve, koston e prokurimit dhe eksperiencën”.

    Burimi

    Përgatitur nga bashkëpunëtorë të jashtëm të Gazetatjeter.net

  • Nga Agim XHAFKA – Krevati dopjo…

    Berti ka qënë shoku im më i mirë. Edhe më i ngushtë paçka se qe nja 6 vite më i madh. U rritëm bashkë te i njëjti pallat. Aty lindëm të dy. Kur të polli Valka ty unë e urova të të rrojë, bënte shaka me mua. Asnjëherë nuk u soll më i madh, gjithnjë si moshatar.  Në fakt në të njëjtën shkollë nuk u puqëm kurrë. Kur ai iku nga fillorja unë e nisa. Kur ai hyri në të mesmen unë fillova tetëvjeçaren. Dhe kur Berti u bë student atëhere  unë hyra në  gjimnaz. Bash nga ajo kohë mbaj mend që sa vinte me pushime na mblidhte te bashta e “Lendinës së Lotëve” dhe na tregonte një foto. Një gocë me gërsheta, imcake në fytyrë, por me sy shumë të bukur.

    -Kjo është e dashura, -na thoshte.

    Calja qeshte e ia priste:

    -Ik, ore pirdhu, kjo është artiste ruse, e kam parë në gjithë ato filma.

    Por Berti nuk nxehej. Qeshte dhe na tregonte se ajo çupka quhej Drita, ishte nga Lushnja, studionin bashkë për letërsi. Kur tregonte për të na shfaqej i dalldisur. I ndriste surrati si maçokut të Neranxës kur i vendosnin qumështin para. Mësuam se ajo çmendej për Bertin.

    -Eh, kush nuk marroset pas teje! – i vinte kapak Nesti.

    Dhe nuk e kishte keq. Berti dukej si artist filmi. Qe zeshkan, i gjatë, elegant. Tamam si Raxh Kapuri thoshin në pallat. E mbi të gjitha Berti ishte si kujdestari i të gjithëve. Nga që qe më i madh, por edhe pse na trajtonte me dashuri e respekt dhe çdo qaravitjen tonën e dëgjonte me vëmendje. Mbaj mend që unë kur bëja fjalë me vëllain te Berti e gjeja gjyqtarin. Herë më jepte të drejtë, herë më thoshte, e ke dhjerë sot, shko përqafoje! E nisesha me vrap, hapja krahët, puthja vëllain e i thoja disa herë, më fal, më fal.

    Shkurt, Bertit i shkonte përkufizimi: ”Floriri i pallatit”. Nëna e babai kishin shumë respekt. Si Berti të bëhesh, lutej mamaja dhe bënte kryqin.

    Kur ai po mbaronte universitetin erdhi një verë me Dritën. Të fejuar atë mot. Bënin bujë qysh larg, sikur zoti i kishte bashkuar. Po prisnin emërimin e do bënin dasmën para se të fillonin punën. Nga që ishte djalë i vetëm mendohej që do e caktonin në Korçë, ose në fshatrat aty rrotull. Me ëndërra të tilla erdhi gushti e  Bertin me Dritën i caktuan mësues të letërsisë në…fshatrat e Pukës. Ne si pallat na u duk sikur na ra tërmeti i vitit 1962 që na shkundi shtëpitë dhe zemrat. Tamam sikur na vdiq dikush. Heshtje në shkallë e asnjë zhurmë fëmije. Por Berti na ftoi në shtëpi të gjithëve. Bashkë me Dritën. Qeshnin e na e bënë të lehtë largimin. Po dasmën? Do e bëjmë në Pukë, thanë në një gojë.

    Ikën me një valixhe dërrase drejt agjencisë së autobuzëve. I përcollëm ne shokët, por edhe prindërit. Do flinin në Tiranë e më pas në Pukë. Ditën e tretë në Arrës-Miliska. Kështu quhej fshati.

    Pritëm e pritëm një javë dhe ja, nga Andrea, i vetmi që kishte telefon në pallat erdhi lajmi, arritën mirë. Kjo vonesë ka krijuar në mendjen time një distancë aq të madhe me Pukën sa Amerika më vjen më pranë, nga që shkoj brenda ditës. Më tej nuk morëm lajm. Kur pyesnim babain e Bertit na thoshte, është mirë, por në sy i lexohej trishtim dhe dhimbje.

    -Po pse i degdisin deri në Pukë xhanëm? – pyesja me habi babain.

    -Do e mbyllësh gojën ti, -më kërcënonte nëna.

    Në dhjetor gëzimit të vitit të ri iu shtua dhe ardhja e Bertit. Bashkë me Dritën. Ajo me bark rrumbullak. Berti qe hequr në fytyrë, por i gjallë në sy. E pyetëm për fshatin e na tha se ia kalonin kaq mirë, si tek filmi “Dhe në malet me borë ka jetë” Pastaj na tregoi per deborën si në Korçë, për pyjet e bukur, për pejzazhin, për nxënësit. Sikur na tregonte film. Ia thashë babait e më tha:

    -Ashtu duhet folur. Bravo.

    Nuk kuptova hiç këtë gjuhë të dyfishtë. Më pas erdhi rrallë, thuajse humbi. Mësuam se u bë me dy vajza dhe vazhdonte të jepte mësim atje larg. Ndërkohë unë shkova në fakultet e për fat kur isha student më pranuan gazetar me part time në Radio-Tirana. Fat se merrja honorare e kështu kisha ca lekë nëpër xhepa. Në një nga shërbimet shefi më dërgoi në Pukë. U gëzova se doja të shkoja dhe te fshati i Bertit. Kur u thashë në komitet emrin e tij më thanë se për atje nuk ka rrugë, por tani edhe po të kishte ka shumë borë. Këmbëngula dhe më dhanë si udhërrëfyes një çun të zonës që punonte në gjeologji. Pasi bëmë dy orë me makinë ia nisëm hypjes së malit me këmbë. Mes pyjeve dhe borës arritëm pas gjashtë orësh. Bertin e njihnin të gjithë. Më çuan deri afër e më thanë, ja atje banon. Nata sapo kishte zbritur dhe banesa e tij qe thjesht një kasolle pupuliti, nga ato që i lenë pa i prishur sondat e kromit kur largohen. Trokita te dera dhe doli një vajzë e bukur, bjonde. I thashë, kërkoj Bertin. E pas pak u shfaq shoku im. I drobitur, i lodhur, i dobësuar dhe me sy që nuk kuptoheshin nga drejtoheshin. U përqafuam dhe hyra brenda. Kaq e dobët qe llampa sa m’u duk se kisha hyrë në ndonjë galeri miniere. Në mes digjej një zjarr i fortë e anash në tavolinë shkruanin Drita dhe goca tjetër. Pas tre minutash Berti më tërhoqi për mënge e dolëm jashtë. U përqafuam prapë dhe po qanim. Unë me dhimbjen e tij, ai me fatin e vet. Më tha se i mbushi 12 vjet atyre anëve. Se ishte plot vuajtje dhe mungesa. Se nuk kishte as qumësht për vajzat. Se nuk e lejonin të ikte në Korçë nga që asaj ane kishte mungesa me mësues.

    -Mbaj mend se hiqeshe si i lumtur? – e ngacmova.

    -Ashtu vërtet. Nga që mendova se kujtdo i takon për vendin të sakrifikojë 3-5 vjet, të japë nga eksperienca dhe dituria e tij në këto zona të egra. Por kur kalojnë vitet dhe kur mbi kurriz ndjen veç kamzhikë atëhere të mbyt pasiguria dhe nis e tmerrohesh me pyetjen, ore ç’do bëhet me fëmijët e mij. Kjo zonë nuk ka asnjë zhvillim. Fshatarët gati po vdesin, nuk kanë as ushqim bazë. Fëmijët hanë lëvore peme. Na rroftë rroga që marrim se asnjë ushqim nuk ke ku e ble.

    Më ra mbi kokë ai mal me dëborë. U kthyem te kasollja që pa atë zjarr do ishte më akull se frigoriferi. Deri afër mëngjesit folëm e folëm. Folëm e u shmallëm. Zbritjen e bëra pa çunin që më tregoi rrugën. Doja të arrija sa më shpejt në komitet. Unë isha student gazetar, por në zyrën e shefit të arsimit u hoqa si kushëri, mik, koleg, nip i kujdo gazetari me emër që më vinte ndër mend. Iu përula, gati i putha këmbën veç Berti të lejohej të ikte në Korçë. Pastaj e inçizova sikur kishte arritur suksese e m’u duk se ia arrita.

    Kaluan muaj, dhashë provimet, mora emërimin tim në Tiranë dhe ika i lumtur për ca ditë pushimesh në Korçë. Sa po pija dy gota raki moskat me babain, më thotë nëna:

    -E transferuan Bertin, e sollën nga Puka.

    Nuk prita më dhe zbrita poshtë te shtëpia e tij. Derën ma hapi e ëma dhe më tregoi dhomën. U sula dhe pashë në një krevat dopjo Bertin, Dritën bashkë me dy vajzat. Flisnin e dukej se ashtu ndjeheshin mirë. Qenë të gëzuar. Më erdhi ndër mend një dokumentar ku kishin gjetur një vajzë që qe rritur mes ujqërve. Për një kohë të gjatë ajo kërcente dhe hidhej si ujk. Dhe Berti për aq vite në krevat mblidheshin e  ngroheshin. Atje qenë më të sigurt nga e ftohta jashtë dhe uria që u kanosej. Mbledhur bëheshin më trima e u ngrohej gjaku. I lashë në sjelljen e tyre disa vjeçare e u lumturova që jeta e familjes së tij do ndryshonte disi.

    Fati më pas na e përmbysi jetën të gjithëve. U sulën shqiptarët  mbi anije, nëpër ambasada, në monopate kufijsh veç të largoheshin nga murtaja. E në ato çaste Berti hezitoi. U mblodh sërish te krevati i tij, të katër shtrënguar. Dukej se fati i dënoi sërish. Por ja që dhimbjeve të tyre iu tha boll një gjysh në Amerikë. I larguar shumë herët atje u krijoi mundësinë të shkonin ashtu bashkë, pa krevatin e madh, në USA. Si qytetarë të atij vendi të madh. Nuk e kam takuar këto vite se ai banon në perëndim, Kaliforni. Por flasim, shmallemi. I ka kaluar të shtatëdhjetat, por punon. Se ndjehem i dobishëm, thotë. Po mos u ndjeve i tillë të është bërë gati shpallja që vendoset në shtylla. Kur e pyes për Pukën shprehet, atje kam depozituar vitet e arta të rinisë dhe kam kyçur dramën time. Mbase shkoj ndonjë ditë ta shoh si film. Them se rolin tim në dobi të atdheut e kam luajtur bukur. Do e kap një OSCAR prej bronxi. Do e kap patjetër…