Blog

  • Nga Artan HOXHA – Regjimi ‘Mashtrim, Dhunim, Shkatërrim, Favorizim’

    Nga Artan HOXHA – Regjimi ‘Mashtrim, Dhunim, Shkatërrim, Favorizim’

    Edi Rama nuk priti shtatorin të na tregonte tiparet e regjimit të tij, na i demonstroi ato menjëherë pas zgjedhjeve të 11 majit. Shumica e cilësuar me 83+3 deputetë, veç 7 deputetë larg shumicës kushtetuese parlamentare ia jep këtë vetëbesim, por ia dikton edhe këtë nxitim.

    Deri këtu nuk erdhëm në një ditë por gradualisht ndër vite falë veprimit të disa shkaqeve e faktorëve, në veçanti gabimet strategjike të opozitës në 2017 dhe 2019, përçarja e saj në 2021-24, goditjet e pamerituara marrë nga faktori ndërkombëtar, veçanërisht ai amerikan, mbi opozitën nga njëra anë dhe mbështetja e pamerituar dhënë qeverisë së Edi Ramës nga ky faktor nga ana tjetër.

    Në këto rrethana u prish balanca e forcave, ajo anoi gjithnjë e më shumë, votim pas votimi, në favor të qeverisë, e cila, gradualisht mori tiparet e një regjimi autokratik – të gjitha pushtetet në një dorë, asaj kryeministrore. Hap pas hapi qartësimit e forcimit të regjimit, ai keqpërdori gjithnjë e më shumëfuqinë e shtetit për dobësim e mëtejshëm të opozitarizimit politik dhe shoqëror, qoftë përmes kulaçit e qoftë përmes kërbaçit, duke forcuar kësisoj pozitat e veta.

    Tashmë regjimi po na i tregon të plota tiparet e tij kryesore, ato të mashtrimit, dhunës, shkatërrimit dhe favorizimit. Në çdo akt kryesor të këtij regjimi dallohen këto tipare, sipas rastit konkret, njeri tipar më fort se të tjerët a ndonjë tipar që del në pah më vonë se të tjerët.

    Këto katër tipare dallohen edhe në rastin e aksionit për ‘sigurinë ushqimore’ përmes detyrimit për faturim të produkteve të mishit e bulmetit edhe në rastin e aksionit të ‘mbrojtjes së bukurisë natyrore të Thethit’ përmes prishjeve rrufe atje; edhe në rastin e ‘mbrojtjes së territorit nga ndërtimet pa leje’ nisur në valë të gjerë fill pas aksionit në Theth edhe në aksionin e ‘gjallërimit të qeverisjes vendore’ përmes urdhërimit të dorëheqjes së të gjithë drejtorëve të bashkive dhe zëvendësimit të tyre, një fare qarkullimi kuadri, siç këto tipare dalloheshin edhe në aksionet e mëparshme të kësaj qeverie – dalin e teprojnë për ilustrim shembujt e inceneratorëve fantazmë apo e Agon Channel.

    Këto tipare dallohen qartë edhe në aksionin më të fundit qeveritar, atë të ‘gjallërimit të industrisë ushtarake’, prej të cilit, në daç si efekt i drejtpërdrejtë, në daç si efekt kolateral, u nxorën në rrugë, me staf e mjete, News 24, Gazeta Shqiptare, Gazeta Panorama, Balkanweb dhe derivatet e tyre.

    Ky kompleks mediatik, me fokus informimin e përminutshëm mbi politiken dhe kronikën, është një nga institucionet më kontribuuese në sferën e medies shqiptare, pjesë e rëndësishme e historisë së kësaj medie në demokraci, njëherazi institucion formimi dhe edukimi në vijueshmëri të shumë gazetarëve ndër breza.

    Në të gdhirë të së shtunës, datë 9 gusht, kompania shteterore KAYO, me mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe Policisë Ushtarake si dhe me mbështetjen juridike të Avokaturës së Shtetit, (shkurt pala shtet) me nje aksion rrufe, fillimisht bllokon dy godinat e grupit mediatik, ndërpret energjinë, për pasoje edhe sinjalin televiziv, e në vijim nxjerr jashtë e largon pajisjet teknike e teknologjike dhe mjete të tjera të punës së përditshme të këtyre medieve, me gjasa përfshirë dokumente sensitive të mbajtura në format elektronik a në letër.

    Gjendja nuk është normalizuar as në nivelin më minimal të domosdoshëm ndonëse për këtë u mor, që para tri ditësh, edhe një vendim sigurimi padie nga Gjykata e Tiranës, vendim që, hë për hë, as nuk është zbatuar dhe duket se as që do të zbatohet nga pala shtet. Në këto rrethana, edhe si revoltë edhe si forcë mbijetese, stafi i kësaj medie komplekse po transmeton informacion në kushte rrethanore të improvizuara aty-për-aty në mjedise të hapura e në rrugë.

    Që pronari i një pasurie të paluajtshme ka të drejtën, në llogari të fundit e pavarësisht qëllimit, të vendosë për përdoruesin dhe/ose destinimin e asaj pasurie, aq më shumë nëse përdoruesi nuk respekton kushtet e kontratës, këtë nuk e vë njëri në diskutim-kështu duhet të jetë – por e drejta e pasurisë mbi të paluajtshmen, qoftë edhe në kushtet e një sjelljeje jo korrekte të përdoruesit, nuk të lejon asesi të ndërhysh njëanshmërish e brutalisht, me mjete vetëgjyqësie e vetëekzekutimi, mbi pasuritë e luajtshme që gjendet në pronë, aq më shumë të shkaktosh dëme edhe materiale edhe morale, me rrezik deri në asgjësimin e një kompleksi mediatik, si dhe të punës, karrierës e pasionit të shumë gazetarëve e stafit tjetër, siç po ndodh në këtë rast.

    Ndërsa kjo nuk duhet të ndodhë në asnjë rast, qoftë shteti qoftë privati pronar, në rastin konkret vetë vendimi i qeverisë që të njëjtën godinë ia merr nga përdorimi një medie të rëndësishme që prodhon informacion dhe ia jep një kompanie të sapoformuar që do prodhojë mjete lufte (me kë, si e çfarë nuk dihet ende) është,në thelb dhe simbolikisht, vendim regresiv.

    Po të konsiderosh këtu se edhe në atë ish-kombinat ka zgjidhje tjetër alternative për nevojën ushtarake të shtetit pa cenuar aktivitetin mediatik ekzistues, le pastaj të konsiderosh alternativa në shumë mjedise të tjera industriale në konservim, në Tiranë e gjetkë, ky vendim bëhet i dyshimtë në qëllimet e vërteta të tij-tip ‘me një gur vras dy zogj’.

    Nëse konsideron edhe se në këtë vend nuk ka mbet kuç e maç pa marrë statusin e investitorit strategjik bashkë me mijëra katrorë truall të hapur a mjedis të mbuluar me çmim simbolik 1 euro, ti mohosh vijimin e kontratës mbi 20 vjeçare një grupi mediatik në mjediset ku ka investuar ndër vite s’të mbetet gjë tjetër veç të mendosh se qëllimi më i parë, ndonëse i kamufluar, është krijimi i premisave për shkatërrimin e tij.

    Kjo ngjarje nuk është as rastësi as aksident. Ngjarje të këtilla janë ligjësi, do ndodhin shpesh e më shpesh, egër e më egër. Regjimi i pushtetit në një dorë do të realizojë pashmangshmërisht natyrën e vet. Por i duhet edhe të nxitojë pasi rrethanat dhe shkaqet që e formësuan po ndryshojnë gradualisht. Natyra e vërtetë e regjimit po kuptohet nga gjithnjë e më shumë shqiptarë si dhe gjithnjë e me qartë nga ndërkombëtarët që nuk mbajnë më të njëjtat qëndrime si në vitet e kaluara, veçanërisht amerikanët.

    Sa më fort e egër vepron regjimi aq më qartë e nxjerr natyrën e vërtetë, aq me pak mund të kamuflohet, aq më shumë do të kundërshtohet.

    Çdo regjim kështu bie, nga trashja e zullumeve të veta. Edhe ky.

  • News24, gazetarët në protestë, media antiqeveritare e përkrah. Si u shkatërruan gjatë natës pajisjet e televizionit të madh informativ

    News24, gazetarët në protestë, media antiqeveritare e përkrah. Si u shkatërruan gjatë natës pajisjet e televizionit të madh informativ

    Censurë totale ndaj protestës së kolegëve, gazetarët e News24 braktisen nga të gjitha mediat vizive, përveç Syri Tv

    Ende të shokuar emocionalisht nga terrori policor që i ndaloi të hynin në punë të shtunën, të pasigurtë për çfarë do të ndodhë në të ardhmen dhe të braktisur nga pronari Irfan Hysenbelliu, gazetarët e Neës24 protestuan në hyrje të godinës, duke iu kundërvënë forcave ushtarake me armën e tyre të vetme; fjalën.

    Njëri pas tjetrit, ata ngritën zërin kundër një urdhëri politik, që padrejtësisht i ka nxjerrë të papunë, në mes të katër rrugëve, megjithëse disa prej tyre ende janë me shpresë se investimin për televizionin më të madh informativ në vend do të ripërtërihet.

    Osman Stafa, gazetari që deri dje raportonte nga selitë e opozitës e hapi protestën duke denoncuar vendimin për t’i ndaluar gazetarët të futen në godinë.

    “Janë 1200 fabrika dhe reparte ushtarake në Shqipëri. Disa metra më tej një fabrikë ushtarake është dhënë për restorant. Në Elbasan po ashtu është dhënë. Por nga 1200 reparte ushtarake u zgjodh këtu për t’u ndërtuar dhe krijuar njësi armatimesh. është e qëllimtë dhe nuk ka të bëjë aspak me respektimin e ligjit.Ka edhe televizione të tjera që veprojë në një formë të tillë. Por askush nuk shkon atje. Por vijnë tel Neës24 sepse Neës24 nuk qëndron në linjë, në linjën editorial që kërkon qeveria shqiptare. Prandaj sulmohet sot! Prandaj është në këtë situatë!” tha Stafa.

    Drejtoresha e përgjithshme e News24, Anila Jole pati një moment përlotjeje në fjalën e saj. Pas 25 vitesh në këtë redaksi, ajo dukej e tronditur dhe plot pikëpyetje për të ardhmen e televizionit.

    “Jam thellësisht e shqetësuar për të ardhmen e këtij televizioni lider të informacionit. Por e shqetësuar jam më së shumti edhe për kolegët e mi, të cilët me të drejtë ndjejnë një pasiguri të madhe. E kam fjalën për kolegët e Neës24, por me këtë që ndodhi të gjithë gazetarët ndjehen të pasigurt” tha Jole.

    Jole tregoi se gjatë natës, shkatërrimi i News24 ka vazhduar në fshehtësi. Në pjesën e pasme që lidh dy godinat, fadromat e IMT kishin shkatërruar një corridor lidhës mes dy ndërtesave duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme televizionit.

    “Kjo godina që shikoni ku ka nisur veprimtarinë Neës24 ka një kontratë qiraje, por mbrapa kësaj është një godinë tjetër që ka një kontratë të re qiraje dhe që mbaron në vitin 2033. Atje punonim ne. Atje është edhe ajo studio e bukur, e investuar ku ne thërrasim të ftuar të ndryshëm, diskutojmë, japim informacionet e fundit. Mirëpo ajo është mbyllur dhe nuk lejohemi të hyjmë në redaksi, por sot është prishur nga furcat e IMT që kanë hyrë natën, tuneli që lidh godinën e vjetër me atë të re. Aty ka pajisje të kushtueshme, ndërsa nëntokë janë lidhjet që bëjnë të mundur transmetimin e Neës24 dhe tani nuk ka më shpresë, edhe sikur të hyjmë do të na duhet kohë që të vëmë në punë sinjalin e Neës24” u shpreh Jole.

    Kërkesën për t’u lejuar të punojë e shprehu edhe Endri Xhafo, gazetari që mbylljen e Neës24 e quajti një test për shoqërinë tonë. Xhafo kujtoi edhe një shprehje të diktatorit afrikan Idi Amin se “Liri fjale ka, por nuk mund t’jua garantoj lirinë pas fjalës”.

    “Kjo protestë e sotmja nuk është vetëm për të kundërshtuar një veprim policor, por edhe për të thënë se të drejtat bazike të punonjësve të medias duhet të mbrohen çdo ditë, – nga ne vetë në radhë të parë, – përpara se të arrijmë në momente si ky. Një media e lirë nuk ekziston pa gazetarë të mbrojtur në ambjentin e tyre të punës, me sigurime dhe paga korrekte për punën e tyre.

    Ndaj ne kërkojmë të lejohemi të punojmë. Ne kërkojmë kthimin e menjëhershëm të aksesit në godinën me kontratë në fuqi, respektimin e ligjit dhe mbylljen e kësaj praktike të rrezikshme. Ne kërkojmë që institucionet të mos bëhen vegël e urdhrave verbalë, por të veprojnë vetëm mbi bazë të ligjit dhe të akteve të shkruara. Ky është një test për shoqërinë tonë, por edhe për ne vetë. Dhe fatkeqësisht, vitet e fundit, teste të tilla janë bërë të shpeshta. A do të heshtim kur pengohet një redaksi të bëjë punën e saj, apo do të ngrihemi për të mbrojtur të drejtën për të punuar të lirë?”

    Më optimistja mes kolegëve dukej Klodiana Lala, e cila u shpreh e sigurtë se televizioni do të ringrihej akoma më i fortë se më parë dhe se do të sfidonte qeverinë dhe pushtetin që e ka sulmuar sot.

    “Ne jemi këtu sepse këtë televizion do ta ringremë pavarësisht arrogancës së pushtetit. Do ta ringremë pavarësisht barbarisë me të cilën u futën forcat e ushtrisë dhe të policisë. Do ta ngremë dhe do të jemi më të fortë për të raportuar qoftë edhe nga ky shesh ku ne ndodhemi sot. Sepse gazetaria nuk është një vend pune, por një mision” tha Lala.

    Moderatori Klevi Muka tha se mbyllja e televizionit tashmë lexohet si një mesazh nga kolegët e tjerë gazetarë. Nëse do të tentojnë ta bëjnë me dinjitet punën e tyre, atëherë do të kenë të njëjtin fat si gazetarët e Neës24, ishte leximi që i bëri Muka mbylljes së televizionit.

    “Një ditë të bukur kur ti, pasi je investuar në karrierën tende, je përpjekur të jesh një gazetar me integritet, edhe të jesh pa kompromis edhe duket e pamundur të mos bësh compromise kur punon në media. Edhe një ditë të bukur të shembet gjithcka dhe kjo nuk është vetëm për më shumë se 200 familje që mbahen nga Neës24 por është edhe për shumë familje të tjera. Çfarë shembulli jepet për ata që duan të jetojnë një jetë me integritet në Shqipëri? Çfarë shembulli jepet për kolegët që ti ose do të jesh në një vend pune që do të bësh kompromise por do të kesh siguri financiare, ose në një vend tjetër ku do të kesh mundësinë të jesh i lirë me sa mundet, por do të jesh i pasigurt në aspektin social” u shpreh Muka.

    “Emocionalisht jemi të gjithë copë” u shpreh Nisida Tufa, moderatorja që përmendi në protest se sa e lidhur kishte qenë me News24, ndërsa forcat e policisë nuk e kishin lejuar të futej për të marrë instrumentat e saj kozmetike dhe kostumet e prezantimit të lajmeve.

    “E shtunë që askush nga ne nuk do të donte të na zgjonte një lajm si ai që morëm, dhjetëra mesazhe në Whatsapp ku na dërgoheshin pamjet se policia ka rrethuar News24. Unë nuk di të flas për cështje pronash procedurash dhe çështje ligjore. Di të them se aty janë të gjithë kostumet e mia, make-up që unë përgatitem bashkë me kolegët dhe koleget për të qenë në transmetim të drejtpërdrejtë” u shpreh Tufa.

    Nga fjalët e gazetarëve kuptohet se Irfan Hysenbelliu nuk ka ende një plan B. Mungesa e tij në protestë flet shumë. Po aq domethënëse është edhe heshtja për më shumë se 48 orë pas bllokimit të redaksisë së Neës24 dhe marrja e dy godinave nga çetat e Ardi Veliut.

    Tashmë, njësoj si të gjithë të tjerët, edhe Hysenbelliu ka vendosur të mendohet dhjetë herë para se të përgjigjet apo të veprojë përballë agresivitetit me të cilin e sulmoi Edi Rama.

    Mbyllja e televizionit më të madh informativ në vend, gjithsesi do ta ndikojë peisazhin mediatik në Shqipëri, që edhe aq ishte për të ardhur keq. Mjafton të thuhet se protestave e gazetarëve të News24 u censurua nga të gjitha mediat dhe asnjë prej kolegëve dhe miqve të tyre gazetarë, megjithë solidaritetin e shfaqur nuk do të raportojë asgjë për atë që ndodhi sot. I vetmi televizion që e transmetoi direkt protestën ishte Syri Tv, por edhe këta në një moment e ndërprenë zërin e kolegëve gazetarë, të detyruar të fusin në transmetim zërin e Sali Berishës nga selia e PD-së.

  • Nga Gazetatjeter.net – Po e vrasin Fjalën, para syve tanë! Një goditje e rëndë për demokracinë shqiptare

    Nga Gazetatjeter.net – Po e vrasin Fjalën, para syve tanë! Një goditje e rëndë për demokracinë shqiptare

    Që do të vinte kjo ditë dihej! Ndoshta jo nga të gjithë por nga kush kupton se me marrjen e dhunshme të 83 mandateve nga qeveria dhe reagimit të vagët të opinionit publik, po përgatiten të gjitha kushtet për instalimin e një qeverisjeje që çdo gjë mund të quhet vetëm demokratike jo. Mbyllja e News24, kanalit që në njëfarë mënyre rrjeshtohej te ato që mund të konsiderohen media akoma të lira në Shqipëri, në fakt ka alarmuar mbi të gjitha, institucionet ndërkombëtare. Në një kohë kur Shqipëria po përballet me një krizë të thellë politike dhe demokratike, ky akt përforcon frikën dhe censurën që pushteti Rama po imponon ndaj çdo zëri kritik.

    Atmosfera mbytëse pas zgjedhjeve të vjedhura

    Zgjedhjet parlamentare të majit 2025, të cilat shumë institucione ndërkombëtare dhe opozita i kanë cilësuar jo të lira dhe të ndershme, kanë hapur një kapitull të errët për demokracinë në Shqipëri. Grabitjet e votës, përdorimi i administratës për qëllime elektorale dhe manipulimet flagrante kanë shuar shpresat e një mase të frikshme qytetarësh për një të ardhme më të drejtë. Kësaj klime i shtohet edhe mbyllja e News24, në vetvete një akt për të heshtur plotësisht një zë edhe pse jo plotësisht, por pjesirisht ishte opozitar dhe kritik dhe një këmbanë për të gjithë opozitarët dhe kritikët e vërtetë të këtij regjimi.

    Mediat e blera dhe shërbëtorët e pushtetit

    Sepse, mjafton një vëzhgim i thjeshtë dhe do të kuptosh se në Shqipëri, pjesa më e madhe e mediave janë të blera dhe të shndërruara në vegla propagande të qeverisë. Sepse, ky kontroll i informacionit shërben për të manipuluar opinionin publik, duke mbuluar skandalet dhe duke heshtur zërat kritikë. Mbyllja (të paktën deri tani) e News24, si një prej pak kanaleve që ndryshonin prej morisë së mediave mavi të qeverisë, nxjerr në pah strategjinë e qartë të pushtetit për të monopolizuar narrativën mediatike dhe për të shuar çdo formë të vërtetë lirie.

    Censura si mjet shtypjeje: Kur media bëhet armik i pushtetit

    Në vend që të garantojë pluralizmin dhe transparencën, qeveria Rama zgjodhi heshtjen e zërave kritikë për të fshehur abuzimet dhe keqmenaxhimin e skandaleve që nuk dëshiron të dalin në dritë. Mbyllja e një televizioni si News24 nuk është aksidentale — është planifikim dhe frikë nga e vërteta.

    Çfarë do të thotë për shoqërinë mbyllja e medias joqeveritare?

    Ky akt nuk është vetëm një sulm ndaj një televizioni të vetëm; është një goditje e rëndë ndaj gjithë shoqërisë shqiptare. Pa media të pavarur, qytetarët humbasin mundësinë për t’u informuar në mënyrë të drejtë dhe të balancuar. Gjë që krijon një hendek të thellë mes pushtetit dhe publikut, ku informacioni “përpunohet” për të ruajtur interesa të ngushta politike dhe ekonomike. Në mungesë të një kontrolli të pavarur, korrupsioni dhe abuzimet rriten, dhe shoqëria bëhet më e pafuqishme për t’u organizuar dhe për të kërkuar llogari.

    Koha për reagim masiv: Koha për protesta dhe rezistencë qytetare (po nga kush)

    Në këtë moment kritik, qytetarët, gazetarët dhe opozita duhet të bashkohen dhe të ngrihen në këmbë për të mbrojtur të drejtën e shprehjes. Pa media të lirë, nuk ka demokraci. Pa fjalë të lira, nuk ka shpresë. Nëse mbyllet një televizion, nuk duhet të mbyllet goja e askujt!

    Fjalën e lirë nuk e ndal dot asnjë

    Mbyllja e News24 është një thirrje alarmi për të gjithë ne: liria është e shtrenjtë dhe kërkon luftë të përditshme. Nuk duhet të heshtim! Është momenti që zëri i popullit të dëgjohet më fort se kurrë më parë.

  • Nga Luçiano BOÇI – Rrethimi i News24, është vrasje shtetërore e fjalës së lirë

    Një shoqëri demokratike matet jo nga fjalët e bukura të politikanëve, por nga mënyra se si trajton median e lirë.

    Rrethimi i News24 është një sinjal i fundit se në Shqipëri, pushteti është gati të përdorë metoda brutale për të mbyllur zërat kritikë e vrarë lirinë e fjalës.

    Ky nuk është një incident i izoluar apo masë institucionale. Është ekzekutim publik. Është vazhdimësi e një strategjie të qëndrueshme për të nënshtruar median.

    Në vitet e qeverisjes së Edi Ramës, kemi parë kapjen e televizioneve përmes financave, shpërndarjen selektive të reklamave shtetërore, përdorimin e gjobave dhe ligjeve si “Paketa Anti-Shpifje” për të frenuar portale të pavarura.

    Kemi parë sulme e mbyllje si me “Agon Channel”.

    E çfarë nuk kemi parë!!?

    Ndërkohë, kryeministri ka sulmuar publikisht gazetarët, duke i quajtur “kazanë” dhe “plehra”.

    Kjo retorikë nuk është thjesht denigruese. Është një strategji për t’i delegjitimuar në sytë e publikut, për t’i linçuar, duke krijuar një klimë ku presioni ndaj tyre duket i pranueshëm.

    Rrethimi i një redaksie është një akt i rëndë, që shkon përtej presionit mediatik.

    Është një mesazh kërcënues për çdo gazetar dhe çdo media: “Kush nuk hesht, do të përballet me forcën”.

    Dhe kur një media izolohet fizikisht, nuk rrethohet vetëm një ndërtesë por rrethohet vetë e vërteta.

    Raportet e “Reporterëve pa Kufij” tregojnë se Shqipëria ka rënë ndjeshëm në renditjen e lirisë së shtypit. Ky është rezultat i drejtpërdrejtë i politikave dhe veprimeve që kanë mbytur hapësirën për fjalën e lirë.

    Sot është News24.

    Nesër mund të jetë çdo zë tjetër që guxon të pyesë dhe të kritikojë.

    Në një vend ku media rrethohet ka triumfuar diktatura.

    Nëse qytetarët heshtin përballë kësaj, atëherë heshtja do të bëhet norma dhe propaganda do të jetë e vetmja gjuhë publike.

    Fjalën e lirë nuk e mbron vetëm gazetari.

    E mbron çdo qytetar që nuk pranon të jetojë në errësirë.

  • Nga Dardan MITROVICA – Havzi Nela, zëri i lirisë që nuk heshti kurrë

    Nga Dardan MITROVICA – Havzi Nela, zëri i lirisë që nuk heshti kurrë

    Kujtojmë sot poetin, mësuesin dhe martirin e fjalës së lirë, Havzi Nela, i cili më 10 gusht 1988 u var publikisht në Kukës – një nga aktet më të errëta të diktaturës komuniste shqiptare. Ai ishte intelektuali i fundit që regjimi i Enver Hoxhës guxoi ta ekzekutonte, duke lënë pas një plagë të pashlyeshme në ndërgjegjen kombëtare.

    Një jetë e thjeshtë, një shpirt i madh

    Havzi Nela lindi më 20 shkurt 1934 në fshatin malor Kollovoz të Kukësit. Rridhte nga një familje e ndershme dhe u rrit me dashurinë për librin dhe dijen. Pasi kreu gjimnazin pedagogjik, punoi si mësues në zonat më të thella të vendit. Që në rininë e hershme, ai u dallua për mendimin e lirë dhe shpirtin kritik ndaj padrejtësive.

    Nga mësues në të burgosur politik

    Në vitin 1967, së bashku me bashkëshorten, tentoi të arratisej drejt Kosovës për t’i shpëtuar mbylljes së hekurt të Shqipërisë komuniste. Por tentativa dështoi dhe për këtë “krim” u dënua me 15 vite burg dhe punë të detyruar. Në qelitë e regjimit, ai nuk heshti – vargjet e tij qarkullonin fshehurazi mes të burgosurve, duke mbajtur gjallë shpresën.

    Internimi dhe persekutimi pa fund

    Pas lirimit, regjimi nuk e lejoi të kthehej në mësuesi. U dërgua në internime të njëpasnjëshme, gjithmonë i survejuar. Edhe në kushte skajshmërisht të vështira, ai vazhdoi të shkruante poezi që demaskonin padrejtësinë, frikën dhe varfërinë e vendit nën diktaturë.

    Vendimi fatal

    Në vitin 1988, kur bota komuniste po lëkundej, regjimi shqiptar tregoi fytyrën e tij më të egër: arrestoi Havzi Nelën me akuzën e njohur “agjitacion e propagandë armiqësore”.
    Gjykata Popullore e Kukësit, dha vendimin ekstrem: dënimin me vdekje me varje. Vendimi u mor në një klimë tërësisht politike, ku drejtësia ishte thjesht vegël e diktaturës.

    Vdekja që tronditi Shqipërinë

    Më 10 gusht 1988, në Kukës, dënimi u ekzekutua publikisht. Varja e tij u mendua si një mjet frikësimi për popullin, por u kthye në një akt që tregoi botërisht se regjimi nuk toleronte mendimin ndryshe deri në ditët e fundit të tij.

    Trashëgimia që jeton

    Pas rënies së komunizmit, Havzi Nela u shpall Martir i Demokracisë. Poezitë e tij u botuan dhe sot janë një monument i fjalës së lirë dhe guximit qytetar. Ai mbetet simbol i rezistencës intelektuale dhe kujtesë e gjallë se liria ka një çmim të lartë.
    “Më mirë i vdekur për liri, se sa gjallë në robëri” – ky është mesazhi që Havzi Nela i la brezave.
    🕯 Sot, kujtojmë jo vetëm një poet të madh, por një njeri që pagoi me jetën për të drejtën për të menduar dhe për të folur lirë.

  • Nga Trëndafile VISHA – Shteti, Irfani dhe liria që ha vetveten…

    Nga Trëndafile VISHA – Shteti, Irfani dhe liria që ha vetveten…

    Ndonjëherë të shtunat si dua hiç, ndonjëherë i dua shumë… 

    E djeshmja?!

    Ah ç’ditë e madhe për demokracinë!

    (Ah ç’kafe e idhët pelin për t’u pirë te lokali i Likut, mu përballë News 24…!)

    Dje, shteti ynë i dashur, i fortë, trim dhe me biceps kushtetues, vendosi të tregojë se kush komandon: rrethoi godinën e Televizionit News 24, sepse, mesa duket, ishte dita për të bërë provën gjenerale si në filmat aksion.

    Sigurisht, pati reagim masiv të gazetarëve, që si rrallëherë pas dekadash zbuluan fjalën “solidaritet”. Si në një film bardh e zi ata dolën në skenë për të mbrojtur “lirinë e fjalës”,  atë fjalë që rastësisht, e kanë përdorur për 35 vite vetëm kur u është djegur çatia e vet.

    E çuditshme… ku ishin kolegët e mi, kur Irfan Hysenbelliu, ky shkelës kronik i ligjit në tregun e medias (se mos vetëm ai), i kthente gazetaret në skllevër modernë?

    Kur pagat vonoheshin (vonohen) me muaj?

    Kur sigurimet shoqërore nuk paguheshin (nuk janë paguar prej 2 vitesh)?

    Kur gazetarët paguanin (paguajnë) “nën dorë” për të  regjistruar fëmijët në çerdhe a në kopshte?

    Kur privoheshin të merrnin kredi (privohen) ? Heshtje. Heshtje e gjatë, e thellë, e turpshme.

    Po shteti?

    Ai i dha Irfanit një liri të artë; – lirinë për të bërë ç’të donte me  punonjësit e mediave dhe të bizneseve të tjera në pronësi të tij. Tatimet (ky një institucion kaq i shigjetuar në media për korrupsion ndër vite), përveç një gjobe sa për sy e faqe, nuk morën asnjë masë. Sepse shteti dhe oligarku ishin (janë) si dy sy të së njëjtës fytyrë: njëri mbyllet, tjetri shikon anash.

    Unë e di shumë mirë, sepse e kam përjetuar mbi shpinë këtë “bashkëjetesë” shtet–oligark.

    Unë, modestja guxova para një viti të sfidoj padrejtësinë. Vetëm se atëherë padrejtësia quhej “punëdhënësi”. Çfarë ndodhi?

    – Më kyçën derën e godinës ku kisha punuar 23 vite. Shkarravitën librezën time të punës me “braktisje detyre”, ndërkohë që detyrën e kishte braktisur pronari prej 6 muajsh pa më dhënë pagën.

    Faji im?!

    Kërkova të paguhesha për punën time, të më llogaritej vjetërsia, të më paguheshin sigurimet. Ky ishte krimi im…?

    Dhe shteti?!

    Shteti thjesht pa nga dritarja tjetër; – vendosi të mos më prishte “rehatinë”…

    Tani, që shteti i tregoi muskujt Irfanit, ashtu si Irfani ua ka treguar dhjetëra e dhjetëra gazetarëve papritur kthehemi në Spartakë me mikrofon në dorë. Të gjithë dalin në shesh për “të drejtat e tyre”, pa përmendur se për

    dekada kanë pranuar t’ua shkelin të drejtat më elementare.

    Ndërsa shoh këtë revoltë kolektive, më duket sikur jam në një teatër absurd:

    ku në aktin e parë, oligarku shkel gazetarët;

    në aktin e dytë, shteti godet oligarkun (pasi e ka lënë atë që të mbush e të derdh kupën duke sfiduar ligjin);

    dhe në fund, të gjithë dalin në skenë të përqafuar, duke recituar monologun “Liria e shtypit”.

    Ndërsa shoh këtë revoltë, më dhemb, më dhemb shumë  hipokrizia e reagimit.

    Nuk di ndonjë vend tjetër në Europë ku të luhet një teatër i tillë, ku të drejtat e gazetarëve të shkelen kaq hapur, dhe ku vetë gazetarët ta kenë pranuar këtë shkelje si normalitet.

    Kjo është Shqipëria: vendi ku liria e shtypit ngatërrohet me lirinë për të shtypur.

    PËRSE HESHTA DJE?

    – Respektova veten, kolegët, profesionin, ndonëse Tjetra ime më thoshte me ngulm: reago, reago tani!

    Heshta pasi më duhej (t) që në peshore të vë gjithë situatën e krijuar, të cilën e shoh në dy nivele paralele:

    1. Veprimi i shtetit – mbyllja pa paralajmërim (duhej bërë një njoftim publik)  e sinjalit të transmetimit të një prej televizioneve më të mëdha në vend

    (sidomos pa transparencë dhe pa ezauruar procedurat ligjore) është një precedent shumë i rrezikshëm për lirinë e medias. Është një sinjal presioni, jo vetëm për atë televizion, por për të gjithë spektrin mediatik.  Nga ana tjetër, prona për të cilën shteti dhe Irfan Hysebelliu i tregojnë muskujt njëri-tjetrit; – ku shteti deklaron se është pronë shtetërore dhe se aty do të ngrihet fabrikë armësh, e ndërsa Irfani luan me kartën e kontratave të qirasë, dihet nga të gjithë gazetarët se është në pronësi të banorëve të Shkozës. A nuk është krim, që pronarët e vërtetë të pronës shohin teatrin që luhet para syve të tyre. Gazetarët e News 24 janë dëshmitarë, se si Lik Kasharit, një nga pronarët e tokës për të cilën grinden balozët, i ndalohej të parkonte makinën jashtë portës së News 24, në tokën e tij. Atë kohë e në gjithë kêtë kohë, të gjithë ne gazetarët bënim sehir, edhe pse pinim kafe çdo ditë te lokali i Likut. Të bësh duel ne ring për tokën që ju është vjedhur pronarëve të ligjshēm është e turpshme në radhë të parē për shtetin e pastaj për oligarkun Irfan Hysenbelliu, cili që nga viti 2022 është njoftuar në vijimësi për lirimin e ambienteve. Kolegët e mi dinë mirë këtë fakt. Por në këtë shfaqje të turpshme të humburit e mëdhenj janë ata, pasi janë flakur nē rrugë të madhe. 230 punonjës jo vetëm rrezikojnë vendin e punës, por rrezikojnë të mos marrin as rrogat e prapambetura dhe sigurimet shoqërore të pa paguara nga pronari i tyre i papërgjegjshëm.

    2. Historia e pronarit Irfan Hysenbelliu është një shembull i modelit të pronarit që i sheh gazetarët si “mjet pune”, jo si profesionistë me të drejta të plota. Mos-pagesa e sigurimeve shoqërore, vonesat e pagave, presioni për të heshtur, këto janë shkelje të drejtpërdrejta të ligjit dhe etikës.

    (Një detaj interesant: prej vitesh, për çdo muaj deri ditën e djeshme është kënduar në kompaninë e Irfanit, është kthyer në hit  refreni i këngēs:

    – ēshtë hedhur rroga?

    S’është hedhur rroga?

    Po pse…?

    Po kur…?

    Po kam qira…,

    Po kam kredi…,

    Po s”kam shtëpi…)

    …nëse do hapje WhatsApp e gazetarëve që kanë punuar dhe punojnë në kompanitë mediatike të Irfanit, refreni i këngës për rrogat e fundmuajit do bëhej virale.

    (Ky refren tronditës, thua se shteti ka vdekur, këndohet dhe në televizione të tjera, që nuk harrojnë t’i bëjnë qokën Irfanit.)

    – Nëse do të reagoja dje, pa dashje ose me dashje reagimi im do “ngatërrohej” në publik si mllef personal.

    Do ngjante se “fishekun në pajë” e kisha ruajtur për individin (Irfanin), dhe jo për shtetin tim të dashur që flirton, bashkëpunon me oligarkët në kurriz të qytetarëve.

    Shteti im i dashur ishte (është) në dijeni se Irfan Hysenbelliu është një ndër mëkatarët e mëdhenj të tregut, por në vijimësi mbyllte sytë, ose më e shumta e pickonte sa për t’i thënë: “Hej ti”!

    Shteti im i dashur kërkonte (kërkon) që “gështenjat nga zjarri” t’i nxirrte (nxjerr) me duart e të tjerëve.

    Ç’hipokrizi!

    Ç’tallje trapi!

    Në një vend ku presupozohet se ka shtet dhe funksionon ligji, nuk krijohen situata të tilla absurde,

    nuk mbijnë nga hiçi oligarkë që tallen me djersën e dinjitetin e gazetarëve.

    Dhe gazetarët, të cilët nëpërkëmben nga mëngjesi në mbrëmje e heshtin, ta kursejnë frymën për të bërtitur për “të drejtën kushtetuese”, për “fjalën e lirë”.

    Një gazetar që nuk mbron të drejtat bazike të tij, nuk mund tē mbroj të drejtat e qytetarëve të këtij vendi.

    Si mundemi, si, të pretendojmë për një qeverisje më të mirë, për një të ardhme më të mirë në Shqipëri?!

    Unë solidarizohem me kolegët e mi, por ata duhet të nisin të bëjnë ndryshimin nga vetja. Respekti nuk kërkohet,  fitohet. Gazetarët

    Duhet ta fshijnë nga memoria e tyre atë thënien prej skuthi: “larg nga b**** ime”!

    …ose, ose…shëtttt, shëttt… Çudia më e madhe në këtë vend tri ditë zgjat.

  • Nga Basir ÇOLLAKU – Telefoni “Agasit”ose kutia e zezë e “Ramës”

    Nga Basir ÇOLLAKU – Telefoni “Agasit”ose kutia e zezë e “Ramës”

    Telefoni i biznesmenit në hetim Ergys Agasi me shumë gjasa është “kutia e zezë” e Ramës. Ajo përmbajtje, nëse pavarësia hetimore e Strukturës së Posaçme ndodh, do të jetë dosje e ngjashme me inceneratorin, por me shumë degëzime në biznes, krim të organizuar dhe pushtet. Sepse çështja e inceneratorëve u copëzua për të mos e klasifikuar si akuzë organizatë kriminale. Kujtojmë se shkrepja e parë ishte akuza mediatike e ish-zv kryeministrit Arben Ahmetaj, kur denoncoi vizitat e Agasit, në Kryeministri, në takime me kreun e qeverisë dhe aktorë gri në një sallë të zgjedhur enkas për ziafete të tilla jo institucionale. Ai e pagëzoi me koordinatori i bandave të krimit të organizuar. Ndikimet në institucione dhe grupe kriminale nisën të zbardhen pjesërisht dhe dyshimet vinin në rritje. Derisa u shfaq SPAK me një akuzë zyrtare.

    Pas blerjes së fabrikës së cigareve sekuestrimit të saj, Agasi ka pohuar gadishmëri në përballje me pretendimet e SPAK.

    Po a është telefoni Agasit një kuti e zezë?!

    A është Rama aty në koordinime për grupe dhe institucione? Për biznes e pastrim parash?!

    A është aty policia në emërime titullarësh e shërbime tolerance?!

    Po AKSHI? A po del dosje tjetër me fije të këtij thellimi kërkimor ku poste të rëndësishme të çojnë te lidhjet familjare të koordiantorit?!

    Po shërbime të tjera me tjera me qasje afektive strategjike?!

    Po Kadastra?!

    Po Inspektoriate të rëndësishme shtetërore të koordinuara në marrjen e posteve?!

    Lejet e ndërtimit?!

    Grupet kriminale?!

    Kjo është një paketë informative me përmbajtje të theksuar penale?! Hapja dhe përpjekja e provueshmërisë së këtij arkivi do të ishte një tërmet, ku Kryeministri do kthehej në qendrën e lëkundjeve siszmike rrënuese.

    A janë aty të dhëna për të fortët elektoralë e mafias së kokainës në Durrës, Elbasan, Tiranë, Shkodër, Fier, Vlorë. Dibrës?!

    A janë aty “taksat” e dorëzuara nga grupet për bordin?!

    A janë aty investimet strategjike?!

    A janë aty edhe dashnoret strategjike të shumë pushtetarëve e mafiozëve strategjikë?!

    A janë aty të dhëna jo të pakta për shkarkimin pa dorëheqje të koordinatorit të mëparshëm mikut të Ranës, Gushit, me pastërti të pretenduar prej tij publikisht si akullore?!

    A janë aty koordinime për përcaktime të listës së deputetëve pjesën e jërkuar nga grupet si financues fushatash?!

    Këto edhe shumë të tjera kanë përgjigje të gatshme në arkivin telefonik e koordinues të koordinatorit. Mjafton vullnet, pavarësi, këllqe e transparencë, nga godina transparente prej xhami,  e Strukturës së Posaçme.

  • Nga Agro TUFA – Fajin e ka Saliu…!

    Nga Agro TUFA – Fajin e ka Saliu…!

    I dashur mik, zonjë, zotëri, zonjushë,

    të njohur e të panjohur, me emra e pa emra!

    Ju që kapërceni gardhin et fb dhe futeni pa teklif, llap e squp në komentet e shkrimeve të mia e të kujtdo që prekin një çështje lënduese, shpesh pa e lexuar shkrimin, pa e vrarë mendjen fare për idenë. Pra ju që të gjitha dështimet, për të gjitha tragjeditë personale e kolektive, për çdo gjë që frymon e lëviz – fajtor bëni Saliun, pra një person.

    Hiqni dorë nga kjo sindromë e rrezikshme, edhe sikur kjo të ishte në mënyrë të  mbinatyrshme e mundur – sepse Saliu nuk mund të jetë si ai Cjapi biblik i mëkateve që hebrenjtë ia ngarkonin dhe e dëbonin në Shkretëtirë. Kjo është sëmundje që ju bllokon të menduarit origjinal.

      Dhe mos thoni: “Na e la Saliu peshqesh”, apo “mbaje, se t’a ka lënë Saliu!” Kjo zgërdhirje qoftë e ligë, qoftë shprehje zhgënjimi, nuk ndihmon askënd të ruajë dinjitetin dhe të mos përkulet. Saliu mund t’i lërë ndonjë gjë, po pati, fëmijëve të vet, jo mua, as ty, as shoqërisë shqiptare – edhe në kuptimin figurativ që e ke ti, komentues.

    E dyta, ai që i lë bekim ose mallkim një personi apo një populli është një forcë madhore, Destini, apo ndryshe, veç i madhi Zot, në bazë të mëkatit.

    E treta, nuk janë diktatorët, autokratët, njëshat që vendosin një gjendje të caktuar regjimi, por Vetëdija e manipulueshme, vullneti i plogësht dhe karakteri qytetar frikacak, servil dhe i nënshtruar i shoqërisë.

       Ti mund ta marrësh fare ngushtë, fjala vjen, që të fajësosh 1 person për fatkeqësinë popullore, por kështu ke habitur veç veten, askënd tjetër. Merreni (me mend) Enver Lugatin, çojeni në krye të shoqërisë franceze (angleze, gjermane) të vitit 1945 e në vazhdim. Sa muaj mendoni se mund ta duronin këto shoqëri Enverin tuaj?

    Nuk zgjidhen çështjet duke fajësuar njërin për gjithçka që shkon keq, duke thënë “fajin e ka Saliu” edhe kur e ka Rama; “fajin e ka Saliu” edhe kur ty, më falni, nuk të ngrihet ai miku në shtrat!

      Po përveç Saliut, a ka kush ndonjë faj në këtë botën tonë shqiptare?

    Prandaj Rama bën përsheshin e tij, se e ka gjetur sheshin dhe alibinë e gatshme: çfardo krimi, çfardo  përdhunimi që të bëjë ai me bandën e pushtetit, e di tashmë që njerëzit, masa e njerëzve që e pandehin veten të lirë, do të thonë: “fajin e ka Saliu!”.

    Pra fajet i ka Saliu, edhe pse ti e shet votën me para, fajin e ka Saliu edhe pse ti nuk del në votime; fajin e ka Saliu edhe pse ti trembesh, shantazhohesh, pranon ofertat, pislleqet, korruptimet në administratë; fajin e ka Saliu edhe kur ti e sheh padrejtësinë dhe dhunën para hundet dhe nuk flet, nuk proteston, madje bën sehir, se e ke gjetur fajtorin -Saliun e përjetshëm. Pra fajin e ka Saliu se të pëlqen të jesh i poshtëruar; “fajin e ka Saliu”, ndonëse të qiu Rama! Kjo është alibi e pështirë!

    Por gjithsesi, gjithsesi, Saliu i ka fajet e veta, përgjegjësitë e veta, të mëdha, shpesh të tej-ekzagjeruara, por ka dhe gabime me pasoja të rënda. Sikundër ka dhe merita të padiskutueshme, historike.

    O popull i mjerë! Ju skllevër të shtypur e të deformuar në shpirt e në mendje nga pesha dërrmuese e diktaturës 50  vjeçare! A njëmend prisnit t’ju dërgonte Perëndia nga sferat qiellore Kryeengjëllin njëmijëkrahësh me kerubimët e Zotit? Dhe ju kujtuat se ai është Berisha me PD? Po ai ishte pasqyrë e juaja: nuk mund të shpikej tjetër. Ju doni drejtësinë dhe zgjedhjen hyjnore midis punëve të njerëzve: drejtësi, por mundësisht hyjnore! Kështu? Po ju? Ju vetë si zgjidhni e si zgjidheni? Zgjidhje zengjineshë!

     Edhe mund të jeni engjëj krejt të dlirë, siç shtireni shpesh, por po bëni një mëkat të përjetshëm: nuk po kundërshtoni përdhunimin që po ju bëhet. Dhe nuk do të jeni kurrë më të dëlirë!

    Dhe për këtë, kurrëfarë faji s’ju ka as Saliu  i ditëve të para, as i ditëve të fundit të tij (meqë është në fundin e tij). Dikush tjetër po ju ndërron Kodin Penal, Kushtetutën, e çfarë ju përmban pragu: po ju luan fenë! Në të gjitha kuptimet!

    A ju lehtëson tani të thoni: “po, ti ke të drejtë, por edhe për këtë, fajin e ka Saliu, sepse…” Vazhdojeni, vazhdojeni i nderuar mendimin…

  • Nga Kim MEHMETI – Maqedonasit brohorasin ‘Vdekje shqiptarëve’, politikanët shqiptarë jargaviten e u luten: Mosni, se nuk është mirë ashtu!?

    Maqedonasit shpesh herë, edhe kur kanë ngrënë dajak nga të tjerët, i kanë sharë dhe ofenduar shqiptarët, ashti siç i shanë dhe ofenduan në Kumanovë gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë!

    Dhe pas ngjarjeve të këtilla, përfaqësuesit shqiptarë jargaviten duke u kujdesur që sa më butësisht e pa e ngritur zërin t’u thonë maqedonasve të jenë më të sjellshëm dhe t’ua rikujtojnë se Maqedonia është shtet i përbashkët, thuajse ata gabimisht janë edukuar si shovenë dhe thuajse ata nuk dinë se në këtë vend jetojnë edhe shqiptarë.

    Jo njëherë ka ndodhur – si në rastin e fundit në Kumanovë – që në prani të burrështetasve të Maqedonisë, shovenët maqedonas të brohorasin ‘Vdekje Shqiptarëve’ dhe ‘Vetëm shqiptari i vdekur është shqiptarë i mirë’ e atyre të mos u lëvritë as qerpiku, mbase pse për dallim nga politikanët shqiptarë ata e respektojnë zërin e popullit të vet!?

    Po pra, përderisa politikanët maqedonas, në mos më shumë, heshtin kur populli i tyre shprehë dëshira që ata nuk munden për momentin t’ua plotësojnë, këta tanët nisin e jargaviten turpshëm  edhe kur reagojnë, si për shembull VLEN’i, që në reagimin  për rastin Kumanovës e thekson  se brohorimat e këtilla shovene janë zëri i pakicës maqedonase?!

    Kur lexon reagime të këtilla të turpshme të imponohet pyetja: nga e dinë politikanë shqiptarë se brohorimat e tilla e shprehin dëshirën e pakicës maqedonase!?

    Ja unë publikisht e them: ato brohorima janë zëri i shumicës së maqedonasve ngaqë nëse do ishte ndryshe mediat dhe politikanët maqedonas nuk do kishin frikë që t’i publikojnë dhe t’i dënojnë ato!

  • Nga Andi BUSHATI – A ka vjedhur Veliaj në emër të Ajolës?

    Publikimi pak ditë më parë i dosjes së SPAK për marrjen të pandehur të çiftit Ajola Xoxa – Erion Veliaj e ka futur opinionin në një qorrsokak, duke provokuar një debat shterpë mes atyre që këmbëngulin dhe të tjerëve që s’besojnë në pafajësinë e tij.

    Ata që nuk e duan kryebashkiakun ende në detyrë të Tiranës po botojnë dhe propogandojnë fragmente nga skema e zbardhur nga hetuesit. Sipas tyre, bashkëshortja e Veliajt ka ngritur një kostelacion të tërë OJF-sh fiktive, kryesisht me prirje artistike, të cilat nën emra te rremë kanë marrë fonde drejtpërdrejt me firmën e kryebashkiakut, në konfikt të pastër interesi. “Ajola krijonte organizata fiktive dhe aktive ndërsa Veliaj firmoste fonde dhe pagesa për OJF e bashkëshortes, që ishin krijuar vetëm për vjelje fondesh”, thuhet në dokumentin e SPAK, ku përmenden njëra pas tjetrës Qendra Byla, Muza, Bash art, Forbolous, etj dhe aktivitetet që ato kryenin të komanduara nga znj. e parë e Tiranës.

    Ky version i vjedhjes është fortifikuar edhe nga shumë dëshmi bashkëpuntorësh që kanë pranuar para prokurorëve se ata firmosnin fiktivisht, në mënyrë servile, për përfitimet që merrte bashkëshortja, të detyruar nga pushteti i madh i Veliajt.

    Por, nga ana tjetër, mbrojtësit ligjorë të të burgosurit dhe mediat që vijojnë ta mbrojnë atë, kanë hedhur në treg një hipotezë tjetër. Sipas tyre e gjithë sa po thuhet është vetëm “agjitacion e propagandë”, një proces populist që nuk ka për qëllim zbardhjen e së vërtetës, por njollosjen e personit që është paracaktuar të linçohet. Ata këmbëngullin se Erion Veliaj nuk ka të bëjë aspak me këto akuza, pasi realisht s’ka qenë ai që vendoste për projektet artistike. Ata pretendojnë se këtë rol e luante që në vitin 2016, me miratim të Këshillit Bashkiak, një bord prej 9 personalitete të njohura në fushën e kulturës. Madje madje, thonë ata edhe nënshkrimi formal i fondeve, nuk bëhej nga Veliaj, i cili prej shtat vitesh ia kishte deleguar këtë kompetencë njërit prej nënkryeatarëve.

    Po ta lexosh kështu këtë histori të duket sikur ka vërtet një kontadiktë.Një person që majftohet me kaq do të kishte ngritur pyetjet legjitime: A e dinte Lali se ç‘bënte gruaja? A miratonin me sy mbyllur 9 antarët e bordit artistik, apo ndaj tyre bëhej presion? A ishte në të njëjtën pozitë nënkryetari i bashkisë të cilit i ishte deleguar firma? Dhe në fund të fundit, edhe për këdo që është i bindur se kjo qe një skemë mbrojtjeje e kamufluar, dilema mbetet: a mjafton hipoteza se ai ka pasur djeni për të fajësuar një njeri, kur vendimet formalisht i kanë ndërrmarë të tjerët?

    Personalisht si qytetar (po jo si prokuror apo gjykatës që është i dënuar ti vërtetojë bindjet e tij) unë besoj se Veliaj i ka kryer këto krime. Ai ka qenë në djeni të gjithçkaje. Njësoj si në rastet kur korruptonte me projekte grevëthyesit e protestës tek teatri, njësoj sikur blenet gazetarët që i punësonte në ndërmarrjet që vareshin nga bashkia, në atë institucion Veliaj vendoste për çdo gjë.

    Por sa më i vendosur dhe i bindur që të jem për anën që duhet mbajtur në debatin fallco se a kishte djeni Veliaj për paratë që shkonin te Ajola, aq më qesharak dhe tallës më duket ky qorrsokak ku na kanë futur eunukët e SPAK.

    Sepse, problemi madhor i drejtimit për gati një dekadë të Tiranës, nuk është nëse shkuan disa para tek Harabeli, nëse u shpik një rrugë për tu rriur vlera e apartamentit të krushqisë, nëse familja Veliaj përfitoi një vilë në Golem.

    Po këto mund të përbëjnë shkelje për të cilat edhe mund të përfundosh në burg. Por, të para në kontekstin e përgjithshëm, ato nuk janë asgjë më shumë sesa një pikë uji në oqean. Ato janë grimca dhe lëshime vetëm që Erionit mos i çante trapin gruaja. Ato janë dhurata për të përkëdhelur vanitetin e asaj me të cilën herë pas here ndante shtratin. Por, vetëm kaq. Pjesa e padukshme e ajzbergut të korrupsionit në bashkinë e Tiranës duhet kërkuar tek firma për inceneratorin, tek paratë e 5 D që shkonin për vjedhjen e zgjedhjeve. Ama SPAK është i tredhur që ti hyjë kësaj rruge. Njësoj si për Tahirin që u dënua për Habilajt dhe jo për projektin e kanabizimit, njësoj si për Beqen që hetohet për faturat e restorantit dhe jo për koncesionet në shëndetësi, njësoj si për Ahmetajn që i kanë bllokuar vilat e grave, duke i harruar djegësat e Elbasanit e Fierit edhe Velian po e shpien të turrën e druve si një njeri që nuk përmbante dot ekseset e gruas.

    Pikërisht për këtë arsye ne jemi zhytur sot në një polemikë, sa absurde po aq dhe qesharake, nëse e dinte apo jo “Lali”, nëse ka firmosur apo jo ai për Ajolën.

    Ky është kontributi real i SPAK-ut në shoqëri. Ndërsa prokurorët specialë daravisin vemendjen e publikut me këto kotësi, ndërsa ata provokojnë polemika shterpë dhe përplasje qesharake për mëkatet minore të Veliajt, ai në emër të të cilit kryebashkiaku i Tiranës u bë therror, vazhdon të mos figurojë në asnjë dosje. Çakallin e kanë këmbyer me Harabelin.