Blog

  • Nga Andi BUSHATI – Çfarë tregon fshesa mbi bashkitë

    Kundërshtimi i një zyrtari që askush nuk ia kishte dëgjuar më parë emrin, deri ditën që u bë lajm kombëtar sepse kishte kundërshtuar kryeministrin, është një indicie domëthënëse për të shpjeguar fortunën që ka përfshirë pushtetin lokal.

    Mediat e raportuan me një kuriozitet të madh dhe habi të pafshehur faktin se kryetari i Bashkisë së Konispolit, Ergest Dule, nuk do ti bindej direktivës së Edi Ramës për të shkarkuar të gjithë vartësit dhe drejtorët e vet. “Fraza e tij e thjeshtë: “I kam të rinj nuk mund ti heq”, u raportua me peshën dhe solemnitetin e një sakrilegji.

    Pse kemi arritur deri në këtë pikë, ku edhe një qëndrim i thjeshtë e normal fiton me shpejtësi përmasat e një evenimeti mbarëkombëtar?

    Për ti’u përgjigjur kësaj pyetjeje duhet kuptuar më parë se ç’po ndodh me mësymjen e shefit të qeverisë kundrejt pushtetit lokal.

    Njëra hipotezë është politike. Kuptohet që Edi Rama ka nevojë për një shock tronditës. Dalldia për të kapur çdo votë i dha atij në 11 maj një shumicë të cilësuar duke e rënduar edhe më peshën cfilistëse të një pushteti 12 vjeçar. Po ti shtosh kësaj dhe faktin se ai kontrollon mbi 90% të bashkive (56 nga 61 gjithsej), kjo e rrit shumë peshën e përgjegjësisë dhe akumulimin e zemërimit popullor në një pikë të vetme.

    Çdo lider që jeton me makthin e një pushteti të gjatë e di mirë se e vetmja mënyrë për të fituar kohë dhe për të shfryrë tensionet, është kanalizimi i pakënaqësisë dhe lodhjes nga një gjendje që nuk ndryshon tek prodhmi i kokave të përhershme të turkut. Qytetari që sheh mbirjen e barit mbi varrezat e Elbasanit, mungesën e ujit në qytetet bregdetare apo tymin e djegjes së plehrave mbi gjirin e Vlorës, ndonëse e di se këto nuk do të zgjidhen me një shkop magjik, gjen një ngushëllim sado të vogël duke parë se ata që i kërkuan votën pak javë më parë gjithësesi po marrin një ndëshkim. Rama është i ndërgjegjshëm për këtë. Prandaj lideri që pretendon se hyri në politikë prpara tre dekadash për të rrëzuar diktaturën, tani, që po e rikthen Shqipërinë nën thundrën njëpartiake, ka nevojë të huazojë doktrinën e paraardhësve për qarkullimin e kuadrove dhe luftën kundër burokracisë. Kjo valë që fryu në Shqipërinë e viteve ’60-’70 si një importim nga revolucioni kulturor maoist, po ringjallet nën regjimin e ri. Jo më kot Timoneri i madh thoshte: “Kuadrot nuk duhet të ngulen si rrënjë në një vend, përndryshe kalben”.  Pikërisht kjo po ndodh me drejtorët, nënpunësit e bashkive dhe shefat e njësive administrative.

    Hipoteza tjetër lidhet me aferat. Të gjithë e dinë se kjo valë spastrimesh nisi nga Vlora me stuhinë e papritur që shefi i madh ndërmori kundër kryebashkiakut Ermal Dredha. Por, pak kush i ka dëgjuar ato burime që pretendojnë se kjo valë zemërimi nuk kishte të bënte aspak me mbarëvajtjen e punëve të qytetit. Këta të fundit pretendojnë se mëkati i vetëm i Dredhës ishte se nuk kishte pranuar të hidhte firmën për një pazar që ai lart kishte mbyllur me një oligark në fushën e energjisë.

    Ngaqë çështja kishte probleme dhe mund të përfundonte para drejtësisë, Dredhës iu propozua ta zgjidhte përmes një nisme të Këshillit Bashkiak, ngjashëm siç pati bërë Veliaj për inceneratorin e Tiranës. Por ky i fundit i bindur se shefi, pasi mbaron punë të shtet, madje të akuzon dhe për dardhat dhe kumbllat që ke ngrënë pas shpinës së tij, pati frikë ti hynte këtij deti në këmbë. Ai nguroi ta hidhte këtë hap. Dhe ky qe çmimi i linçimit të tij publik dhe degjenerimit që pësoi përpara vartësve të vet. Ndoshta ngaqë frika që e çoi kryebashkiakun e Vlorës drejt mosbindjes nuk duhej kthyer në precedent, Rama vendosi ti rezervojë të gjithë të ngjashmëve të tij, pak a shumë të njëjtin fat.

    Natyrisht që hipotezat për arsyet e nisjes së një raprezaljeje të tillë mund të jenë shumë më të gjëra sesa këto të dyja që u përmendën më lart. Nëse askush nuk mund të japë një shpjegim logjik dhe koherent, se pse duhet larguar një administrator në Pukë për arsyen se nuk pastrohet plazhi në Ishëm; se pse duhet detyruar me dorëheqje një drejtor në Lezhë ngaqë janë zënë trotuaret në Durrës, apo pse duhet ta paguaj një nënpunës i Shkodrës, për barin mbi varret e Elbasanit, gjithkush është i lirë të mendojë çfarë të dojë. Ama një gjë është e qartë për të gjithë: Ky është një dënim kolektiv, një vendim arbitrar i një njeriu të vetëm që tregon shpërfilljen më të paskrupullt ndaj ndarjes së pushteteve dhe shtetit të së drejtës.

    Këtu mbërrijmë tek një pikë tjetër e rëndësishme. Si ka mundësi që në të gjithë këtë fushatë abuzive nuk u ngrit qoftë edhe një zyrtar i vetëm, që të thoshte se nuk pranonte urdhrin dhe se nuk e jepte dorëheqjen? Në ç’pikë kemi mbërritur që të gjithë ulën kokat si hajdutë apo të paaftë dhe pranuan të largohen me bisht në shalë?

    Cilat do të kenë qenë shtysat që e nxitën fshesën e Ramës një gjë është e pa kundërshtueshme, se kjo valë e re është një dëshmi më shumë për sistemin autokratik që është instaluar. Dhe këtu merr përgjigje edhe pyetja e ngrtitur në fillim se përse shkaktoi aq bujë një frazë e mefshtë e kryebashkiakut, deri dje anonim, të Konispolit.

  • Nga Alfred LELA – Edi Rama kundër popullit, ‘në emër të popullit’

    Nga Alfred LELA – Edi Rama kundër popullit, ‘në emër të popullit’

    Duke parë dhe gjykuar atë që po ndodh në Theth, por edhe tjetërkund në Shqipëri prej një jave të gjatë e torturuese, Edi Rama duket si personazhi ideal për të shpjeguar shprehjen popullore tiranase “nuk kam turp, nuk ke çfarë më bën!’. Në këtë kontekst, me një Kryeministër që nuk njeh ligjin, kodet, as turpin, duhen gjetur zgjidhje të tjera. Cilatdoqofshin ato!

    Por, që të vijë zgjidhja, në fillim duhet të vijë fundi dhe, kam përshtypjen se jemi afër. Të paktën në terma historikë apo të ngjashmërive historike. Pyetja është: do ta pranojmë, a sfidojmë fundin?

    I duhet hedhur një sy hartës elektorale të Shqipërisë në 2 zgjedhjet e fundit: të 11 majit 2025 dhe 25 prillit 2023.

    Nëse në internet, në formën e memeve, kanë qarkulluar disa variacione që përziejnë humorin e hidhur me melankolinë politike, ku në veri të vendit hartën e popullojnë burra me veshje të traditës dhe me pushkë në dorë, dhe në jug dele, historia është më treguese.

    Ndarja e Shqipërisë politike nuk është më as veri- jug dhe as qendër-periferi. Polarizimi i ngjan shumë periudhës 1945-1948, kur nacionalizmi dhe rezistenca ishin tërhequr dhe strehuar në enklavat kryesisht katolike të veriperëndimit. Po të shihni zgjedhjet e fundit lokale, rezultati i të cilave u ripërsërit edhe në parlamentaret, në Shqipëri u ri-krijua një Rrip i Biblës. Partia e djathtë Demokratike mori bashkitë me mbizotërim të elementit katolik në Mirditë, Pukë dhe Fushë-Arrëz. Në zgjedhjet e përgjithshme pati rezultate solide në të njëjtat territore, por edhe në Lezhë e Shkodër, gjithashtu zona me prani të fortë të krishterë.

    Kjo ka qenë pak a shumë gjendja edhe në mes të viteve ’40 të shekullit të shkuar, kur në pushtet erdhën komunistët. Me jugun dhe qendrën (hiq një rezistencë të nostalgjikëve të Mbretit dhe Abaz Kupit në Mat dhe Krujë) të rënë shpejt në duar të komunistëve, veriu -kryesisht ai katolik- i bëri qëndresën më të qenësishme komunizmit. Rezistenca ishte e përgjakshme, por nuk zgjati shumë.

    Në këtë siujdhesë rezistence Thethi i 11 majit u dëshmua një përjashtim. Shaljanët e kësaj zone duket se ‘zgjodhën’ Edi Ramën, me sa duket të gënjyer nga një ‘besë’ që ky u dha gjatë fushatës duke u premtuar legalizime dhe falje gjobash. Dy muaj më vonë, fshati piktoresk mes Alpeve e pa veten të rrethuar, të gënjyer, të linçuar. Shpagimi i daljes nga amaneti i të parëve ‘me komunistët nuk ka besë’, e plotësoi rrugën e vet në formë dramatike. Me tokë të trashëguar, por pa trashëgimi, me vend të lakmuar, por pa katandi, me turistë të huaj, por pa vatra e kulme, malësorët, me siguri, kanë kujtuar porositë e priftërinjve katolikë të 1945 lënë gjyshërve të tyre.

    Sigurisht, as Shqipëria, as katolikët, nuk janë më të dikurshmit. Një syresh tallej publikisht në një gazetë të regjimit me sojin e vet, të cilin e quante ‘qesharak’. Një bijë e atyre maleve, që sapo ka dorëzuar krrabën e dhive për kartonin e deputetit, e ngriti atë ende pa hyrë në Parlament, dhe nga dukagjinase, brenda ditës u bë dukaqenëse.

    Shqetësimi këtu, ose thelbi i tij, nuk është Thethi dhe katolikët në vetvete, por simbolika e tyre në historinë e Shqipërisë. A po rrezikohet përsëritja e historisë? A po shkohet sërish drejt një regjimi [me petka demokratike] me sjellje totalitare? A po shndërrohet Edi Rama në një Enver që ka më shumë kulaç se kërbaç [por e përdor këtë të dytin sa herë i pari nuk i kryen punë]. Leksioni i Thethit del përtej këtij fshati. Kryeministri, në plotfuqinë e tij, ka ndërmend që të shpikë beteja, edhe ku nuk ka.

    Ai ka në kokë idenë e një Shqipërie transaksionale që e përpunon çdo natë në Kinostudion e kokës së vet. Nuk pyet për standard. Vilma Nushi & Co. mund të bëjë resorte në Vuno, në zonë të mbrojtur, por malësorët e Thethit, as kullat e tyre nuk mund të imitojnë për t’i kthyer në bujtina.

    Se pse katolikët kanë rezistuar en block si zotërime të së djathtës, ky është një fat, fakt dhe fatalitet historik. Me ta ka qenë gjithmonë kështu: janë mbyllur në vetvete, lartësive të stuhishme të atdheut, për të refuzuar gjithçka që besimi, instinkti dhe, pse jo, kokëfortësia ua përplaste kodeve primordiale. Siç e thotë një varg i atyre zonave ku i këndohet kësaj paradigme “se për grada e për çifligje, fenë e Krishtit nuk e shite”.

    Pas 500 vjetësh, ka ardhur koha që tokat e tyre të pakta, por të bukura, si të ishte një shpagim për gjithë atë mujtë shekullore, të fitojnë ‘grada’ dhe të bëjnë çifligje. Por, ja, ku u vjen Edi Rama, me taborët edhe ma të zi se të osmanllive, dhe ua zë në grykë gostinë që ata kujtuan se ua kishte gatuar Zoti vetë.

    Edi Rama po e imiton Enver Hoxhën, sa me kulaç e sa me kërbac, edhe në atë se është kthyer kundër popullit ‘në emër të popullit’.

    Në parim, ky është fillimi i fundit.

  • Qytetet më të rrezikshme në Evropë

    Qytetet më të rrezikshme në Evropë

    Renditja e qyteteve më “kriminale” në kontinentin tonë

    Ah, Evropë! Tokë historie dhe kulture, e mbështjellë me një aurë përrallore. Qytetet e saj magjepsëse tërheqin miliona turistë çdo vit, të etur për të përjetuar një udhëtim bukurie dhe sigurie. Por kujdes: jo të gjithë janë aq paqësorë sa duken.

    Këtu poshtë, kemi renditur qytetet më të rrezikshme në Evropë, bazuar në shkallën e kriminalitetit. Shifra llogaritet duke pjesëtuar numrin e krimeve të denocuara me popullsinë totale, e shumëzuar me 100,000.

    Disa nga destinacionet më të dashura mund t’ju habisin me praninë e tyre në renditje, por pse janë aty… një arsye është.

    Vazhdojmë leximin pra, për të zbuluar se cilat janë këto qytete:

  • Nga Kim MEHMETI – Shqipëria nuk është as demokraci, as autokraci, as diktaturë – ajo është pronë private e Piktorit!

    Disa thonë se rrënimi i ndërtimeve në Theth tregon se Shqipëria ka rënë si shtet? Në të vërtet rrënojat e Thethit e dëshmojnë se me ardhjen e Piktorit në pushtet ajo është zhbërë si shtet.

    Pra Thethi tregon se Shqipëria nuk është as shtet demokratik, as autokraci as diktaturë.

    Thethi shpërfaqi të vërtetën se Shqipëria nuk është shtet por pronë private e Piktorit, ku të gjithë veprojnë ashtu siç e përshkroi klithma e famullitarit të Shkodrës, Dom Vlash Palaj: të joshin, të rrejnë, të shfrytëzojnë, të vjelin dhe në fund të hedhin, të tradhtojnë, të djegin, të shkatërrojnë dhe të gjobisin e të burgosin.

    Por duhet të jemi të drejtë e të themi se Shqipëria u bë ‘Ramaduristan’ jo pse këtë e donte vetëm Piktori, por pse publikisht iu kërkua atij t’i grumbullonte rreth vetes të ë gjithë qelbësirat dhe ta merrte në duar shtetin.

    Dhe ai erdhi në pushtet edhe me ndihmën e “Aleancës së qelbësirave’ sepse atë e donin gjithë ato elita që heshtnin dhe heshtin, të gjithë ata alamet akademikë, profesorë e debatues të ‘pavarur’ që për çdo natë e gënjejnë popullin se jeton në shtet të mirëfilltë duke e fshehur të vërtetën se për çdo gjë që sot kanë shqiptarët e mëmëdheut, vendosë pronari i vetëm i tyre – Piktori.

    Të thonë hapur se një Shqipëria ku në masë të madhe krimineli i përfaqëson të ndershmit, ku nuk të pasuron puna por hajdutëria, ku më së miri përfitohet nga shërbesat që ia bënë Piktorit, se një shtet i tillë nuk mund të arrinte më larg se aty ku ndodhet sot: i ‘afërt’ me të huajt dhe BE-në, por i largët për shqiptarët.

    Dhe u bë Shqipëria e tillë sepse Piktori e kuptoi më parë dhe më mirë se gjithë të tjerët se Evropa ‘humane’ dhe e të ‘drejtave njerëzore’ qëmoti ka vdekur. Se Evropa e sotme nuk i mat burrështetasit e kësaj pjese të Ballkanit me atë sa ata ndërtojnë shtet institucional, por sa janë të aftë e të gatshëm ta nënshtrojnë popullin e vet dhe të mbeten në pushtet!

  • Nga Enver BYTYÇI – Sa herë i besove Edi Ramës o njeri?!

    Një i ri që “i ka besuar Edi Ramës” është kthyer nga Italia, ku jetonte si emigrant, dhe ka investuar kursimet e djersës së tij për zhvillimin e turizmit në Theth. Kryeministri kishte bërë thirrje që emigrantët të vijnë dhe të investojnë në atdheun e vendlindjen e tyre. Dhe i riu, burrë i malësisë, e ka besuar mafien. Ka menduar se “tani është shansi të bëj diçka në vendlindje e njëkohësisht të jem pranë familjes”! Nuk u thellua i shkreti, se kryeministri që i bëri ftesën ka xhelozi e cmirë të skajshme ndaj atyre që e duan familjen, atdheun e kombin. E si mund t’i lejojë të tjerët në vendin e tij një kryeministër pa familje e një politikan që e marton lagjia (Sorosi) për llogari politike?! Këtë hesap nuk e kishte bërë i riu viktimë e mashtrimit të Edi Ramës. Tani ankohet!

    Në video të shumta lexuesit mund ta shohin Edi Ramën, kur para një viti për hesap të zgjedhjeve dhe grabitjes së votave, shkoi në Theth dhe “shpërndau” tapitë e pronave. Atë ditë ai u prit me lule, këngë e me valle malësorësh. Bie në sy xhubleta ose imitimi i saj në veshjen e vajzave dhe grave. Kryeministri i shoqëruar nga dopjo-mashtruesi tjetër, Benet Beci, duken të entuziazmuar dhe të lumtur për pritjen e ngrohtë. Dikush foli dhe e quajti Edi Ramën “burrë që mban fjalën”! Dhe ky i fundit “u kërkoi” që tani të investojnë në pronën e tyre për zhvillimin e zonës e të turizmit në vend.

    Por sapo kaloi viti, sapo grabiti votat e shqiptarëve e tashmë zgjedhjet lokale janë disi larg, Edi Rama u çoi fadromat fshatarëve të Thethit. Madje duke i fyer ata se “kanë investuar në tokën e xanun”! Le ta sqarojmë pak këtë termin “tokë e xanun”! – Në fjalor termi “tokë e xanun” përdoret kur dikush ia ka grabit tokën dikujt tjetër dhe e ka zënë atë me një ndërtim të caktuar. Banorët e Thethit nuk kanë grabit tokë. Ata kanë investuar në pronën e truallin e vet. Përdorimi i termit “tokë e xanun” nga kryeministri shpjegon në fakt qëllimin që ai ka. Tokën e banorëve të Thethit ai e quan tokë të tijën. Thotë se është e shtetit, por ka parasysh Olsin dhe oligarkët e tjerë rreth vetes, për të cilët ai shkatërron pronat dhe ndërtimet e banorëve të Thethit e në të gjithë Shqipërinë. Para një viti për të ishte pronë e malësorëve të Thethit. Tani u thotë se toka e këtyre banorëve, qenka “tokë e xanun”!

    Por të kthehemi te “zhgënjimi” i malësorëve me Edi Ramën. “Na mashtroi”, thonë ata. Po mor zotni, por unë dhe shumë të tjerë si puna ime ka 12 vite e më shumë që ju themi se “Edi Rama është djall, është mashtrues, është i pabesë”! Si nuk na besuat njëherë xhanëm! Kjo do të thotë se ne shqiptarët jemi mësuar “të mësojmë vetëm kur e pësojmë”! Nëse edhe në këtë rast vërtetë mësojmë diçka. Se ka më shumë gjasa që me afrimin e zgjedhjeve djalli Edi Rama të shpikë diçka, për të cilën këta “të zhgënjyerit e sotëm” t’i besojnë sërishmi nesër!

    Edi Rama ishte, është dhe do të jetë deri në fund të jetës së vet një person që rren dhe njeri i pabesë. Ai gënjeu kur tha në vitin 2013 se “Legalizimet do të jenë falas” dhe se “Edhe Enver Hoxha të ngrihet nga varri nuk u shemb dot shtëpitë e pronat e palegalizuara”! Fadromat dhe rruspat janë ëndrra dhe vepra e tij! Ai shkëlqen dhe kënaqet kur sheh se si të tjerët vuajnë. Përfshirë miqtë e bashkëpunëtorët e tij. Rrënimin e të tjerëve e përjeton si triumfin e vet. Këtë ka bërë gjithë jetën. Ka rrënuar gjithkënd që ka mundur dhe tani po rrënon edhe Shqipërinë. E ka bërë vendin tonë të parin vend pensionist të Evropës. Se rininë e ka përzënë. Edhe kur i thërret të rinjtë të kthehen në Shqipëri, sërishmi ai ua bën gati valixhet të ikin nëpër botë! Ky është Edi Rama! Ju që bëni se nuk e dini, do ta mësoni kur ta provoni! Ata që e kanë pësuar prej tij, e dinë, por ka prej tyre që u pëlqen pak mashtrimi. Kush është i zgjuar mjaftueshëm e kupton nga ato që thotë e më shumë nga ato që kryeministri bën. Pse ai ka dhimbje të shpinës, kërkon që të njëjtën sëmundje ta kenë të gjithë njerëzit në botë dhe jo vetëm shqiptarët.

    Ndaj mos thoni më se “na mashtroi Edi Rama”!  Mashtron gjithmonë dikush që nuk ka mashtruar më parë. Ndërsa ai vetëm mashtrimin ka profesion, ndaj prej tij nuk pritet drejtësi dhe sinqeritet. Kush e pret, së paku mos të ankohet më!

  • AC Milan, fillon Epoka Modriç. Fëmija i luftës që u bë legjendë

    AC Milan, fillon Epoka Modriç. Fëmija i luftës që u bë legjendë

    Lojtari më i madh kroat i të gjitha kohërave: shkurt, Luka Modriç. Me ish-yllin e Real Madridit, Milani po përpiqet të përsërisë atë që ndodhi më 2020 me Zlatan Ibrahimovicin. Edhe Kampioni suedez mbërriti në moshën 39 vjeç dhe bashkë me të erdhi vala tronditëse që i çoi kuqezinjtë fillimisht në Champions League, pas shtatë vitesh ‘agjërimi’ dhe më pas në fitimin e Scudettos. Modriç është thirrur për të sjellë mentalitet fitues, karizëm dhe cilësi. Është thirrur për të qenë një model për më të rinjtë. Sot, fillon zyrtarisht aventura e tij me kuqezinjtë: firma, pastaj një një palë pushime të merituara pas një sezoni me më shumë 70 ndeshje të luajtura dhe më pas, pas kthimit, do të jetë në dispozicion të Massimiliano Allegrit.

    Fëmija i Luftës

    Lindi më 9 shtator 1985, në fshatin Modrići të Zaton Obrovaćki, në atë që atëherë ishte ende Jugosllavi, Modriç ka përjetuar me sytë e tij shpërbërjen e vendit, në formën e tij më mizore: gjyshi Luka u ekzekutua në dhjetor 1991, bashkë me gjashtë civilë të tjerë, pas një prite nga serbët. Krimi i tij i vetëm: ishte kroat. Familja e Modriç u arratis nga fshati Obrovac për në Zarën aty pranë dhe u mirëprit në kampin e refugjatëve Hotel Kolovare.

    Goditjet e para me top në Zara, “palestra” në Bosnjë Hercegovinë

    Luka gjeti strehim edhe në futboll, duke bërë hapat e tij të parë me skuadrën vendas të Zadarit dhe më pas duke u transferuar në të rinjtë e Dinamo Zagrebit në moshën 16 vjeçare. Ka një talent të pamatë, por u konsiderua shumë i dobët fizikisht. Më mirë ta çonin për t’u shëndoshur pak: në moshën 18 vjeç, u dërgua në Mostar, në Bosnjë Hercegovinë. “Kush luan atje mund të luajë kudo”, do të thoshte vite më vonë i famshmi Modric, duke kujtuar vështirësitë dhe forcën fizike të kampionatit boshnjak. Për kronikë, në atë sezon të vetëm ai fitoi çmimin e lojtarit më të mirë të kampionatit. Por nuk mjafton me kaq: Dinamo e dërgoi sërisht në huazim edhe për një vit tjetër, te Inter Zapresic ku fiton edhe çmimin si lojtari më i mirë i ri në kampionat. Kur klubi mëmë më në fund e rithërret dhe e përfshiu në skuadrën e parë, tashmë ishin disa klube të interesuara për të.

    E kërkon Sampdoria, e rrëmben Tottenham

    Ndër klubet e kategorive superiore të futbollit evropian, fillimisht ishte Sampdoria ajo që dukej më serioze në kërkesën për Luka, por trembet prej çmimit të kërkuar nga Dinamo: 10 milionë euro. Damien Comolli, sot drejtor i përgjithshëm i Juventusit, nuk bënte shumë numra për ta marrë te Tottenhami më 2008 për 21 milionë euro, dhe për ta rishitur më pas te Real Madridi, katër vjet më vonë.

    Lojtari më i suksesshëm i të gjitha kohërave te Real Madridi

    Me Blancos një dashuri e gjatë 13 vjeçare e bëri lojtarin më të suksesshëm të të gjitha kohërave për skuadrën më të suksesshëm në botë: 28 tituj. Mes të cilëve gjashtë Champions League, një rekord i bashkëndarë me Paco Gento, Dani Carvajal, Nacho dhe Toni Kroos. Por edhe pesë Botërore për Klube, një Kupë Ndërkontinentale, pesë Superkupa UEFA, katër kampionate spanjolle, dy Coppa del Re dhe pesë Superkupa spanjolle. Nën drejtimin e tij, kombëtarja kroate arriti pikën më të lartë në historinë e saj, gati duke ngritur në qiell Botërorin më 2018, e mposhtur vetëm nga Franca. Është lojtari me më shumë ndeshje në kombëtaren e Kroacisë (188), si dhe i pari që fiton Topin e Artë, duke thyer duopolin Messi-CR7. Kaq mjafton për të shpjeguar madhështinë e tij.

    Aventura e re te AC Milan

    Kontratë njëvjeçare dhe një pagë neto prej 3.5 milionë eurosh: këto janë shifrat për transferimin e tij te Milani. Jo të gjithë e dinë që për ardhjen te kuqezinjtë ka ushtruar trysni edhe lloj tërheqjeje shpirtërore për Modricin, i cili në një intervistë të para shumë kohëve pati pranuar pasionin e tij për Milanin falë Zvonimir Boban. Çfarë mënyre më të mirë për ta mbyllur karrierën?

    Marrë nga Milanistat.com

  • Nga Basir ÇOLLAKU – Kanuni i ‘Lekës’ dhe ‘katundi’ i Ramës

    Nga Basir ÇOLLAKU – Kanuni i ‘Lekës’ dhe ‘katundi’ i Ramës

    Malësorët në veri e në jug kanë lëshuar kushtrimin, kanë thirrur Kuvendet, janë mbledhur paria dhe krerët e bajraqeve, pashallëqeve, bejlerët, për me i dalë zot vatanit, të rrezikuar prej armikut. As serb, as turk, as grek, as shkja nuk na kanë marrë trojet tona prej 500 motesh – thotë Zef Vladi, trashëgimtar i Bajrakut të zonës.

    Prifti në krah të malësorëve. Ata po përballen me antiligjin. Me shtetin e kapur. Me qeverinë e përdorur. Me vendorët e rrëzuar. Kanë shtet-pushtet-partinë përballë. E në traditën e paqes ku nderi e kodi rrinë në këmbë, janë kthyer te e drejta zakonore, përpara të cilës të gjithë binden. Aty kuvendi ndahet me një seancë. Thethi thirri burrat në Kuvend. Bajraktari dhe prifti – ata duan bekimin e Zotit kur të veprojnë. Janë të gjithë në këmbë. Mandati i Kuvendit të Maleve është i shenjtë. Nuk ka parti. Ka veç atdhe. Kullat kanë kode. Kanë asht. Kanë vatanin fe.

    Në Theth, si kudo në Shqipëri, po shohim se Kanuni i Lekës është bërë i domosdoshëm përballë “katundit” të Ramës, për të mbijetuar. Me 500 fjalë në një letër rruge të Paketës së Ramë-Benetit, dy të pandehurve të mëdhenj, na u bëkërka për pesë minuta pronar i trojeve 500-vjeçare. Por këtu çudia nuk zgjat tre ditë. Janë thirrur burrat nga Malësia e Diaspora dhe të gjithë janë gati me u mbledh në Dukagjin. Vetëm ai që ka detyrë ligjin, KM, nuk është gati të zbatojë ligjin e të merret vesh me vendasit. Sepse Rama ka zgjedhur baronët në vend të banorëve. Sjellja e pushtetit me armë kundër autoktonëve, sikur e kanë katundin e shefit e po e çlirojnë, është kanibalizëm. Ulërimë është plaçkitja e pronës, kudo në Vlorë, Sarandë, Ksamil, Shëngjin, Velipojë, Durrës. KM ia ka sajuar targat ndonjë “thethiani me ngjyrë” apo jo shqipfolës për të bërë pazarin e radhës. Thethi nuk është Surreli i vjedhur, as Gjipeja e klonuar e kthyer në saraj të ramajve qeveritarë me VKM.

    Fatkeqësisht, me leje e ligje mbajtëm në kurriz 50 vite diktaturë vrasëse. Po sot, me çligje të Ramës, grabitja është kthyer derë më derë. Qeveri, kuvend, bashki, drejtësi, ekonomi, media, votë, mafie – të gjitha i koordinon e kontrollon një individ. Shteti nuk është fadromë. Kur institucionet nuk funksionojnë, atëherë njerëzit, qytetarët, e kanë detyrim të ngrihen e t’i ribëjnë ato. Sot, Kanuni i Lekës ka mbajtur rend e siguri shumë herë më tepër se “katundi” kriminal i Ramës. Ne e kujtojmë marrjen e frymës dhe azmën e acaruar të Kryeministrit që dihaste si maratonomak i sëmurë, kur kuksianët i dhanë kusurin traut apo kur studentët e telendisën për tre ditë. E treta mund të prodhojë lajme. Në një emergjencë kombëtare, askush mos u befasoftë kur shqiptarët të brohorasin me më shumë dëshirë: rroftë “Kanuni”, e poshtë “Katundi”…

  • Nga Erion DASHO – Drejtorët

    Nga Erion DASHO – Drejtorët

    Në një shtet serioz, nëpunësit civilë dhe drejtuesit janë hallka kyçe për funksionimin e institucioneve dhe vetë shtetit. Ata janë memorja institucionale, garancia e zbatimit të ligjit dhe përgjegjësit për funksionimin e gjithë shtetit, përtej cikleve të qeverive dhe interesave të përkohshme politike. Pa një kastë drejtuesish të aftë, të ndershëm dhe të pavarur, nuk mund të kryhen reforma dhe as zbatohen strategji zhvillimore afatgjata.

    Përvoja e punës në këto vite më ka çuar në shumë vende të botës dhe më ka dhënë mundësinë të njihem nga afër me mënyrën si funksionon administrata publike në këto vende. Dallimet sigurisht janë të mëdha, por në thelb, aty ku shteti funksionon, administrata është e shenjtë.

    Në vijim do të jap dy shembuj, një nga Gjermania, një nga Nepali, në pamje të parë dy realitete krejt të ndryshëm, por me një pikë të përbashkët, respektin ndaj shërbimit civil dhe mbrojtjen e tij nga ndërhyrjet politike.

    *

    Në Gjermani kategoria e punonjësve civilë quhet “Beamte”. Ata janë funksionarë të përhershëm të shtetit dhe punojnë në administratë, polici, drejtësi, arsim, dogana dhe institucione të tjerë të pavarur. Beamtët nuk i përkasin partive, nuk i ndryshon dot çdo ministër, dhe gëzojnë mbrojtje ligjore nga çdo ndërhyrje politike.

    Beamtët janë të sigurt në punë, kanë paga dhe pensione të garantuara, sigurim shëndetësor të nivelit më të lartë të mundshëm dhe në këmbim ofrojnë profesionalizëm, etikë të lartë, përkushtim dhe përgjegjësi.

    Beamtët janë një ndër arsyet kryesore se përse, edhe kur qeveritë ndryshojnë, Gjermania ecën përpara.

    Shteti gjerman nuk zhbëhet çdo katër vjet…

    Nepali është një vend në zhvillim, por sistemi i tij i nëpunësve civilë është tepër i konsoliduar, me një strukturë të qartë të niveleve dhe nënniveleve hierarkike. Kalimi nga një nivel në tjetrin bëhet nëpërmjet kritereve transparente, si p.sh., vjetërsia në punë, përvojat e mëparshme, arritjet, vlerësimi i performancës, penalizimet, etj.

    Ky sistem ka bërë që administrata nepaleze të mbetet funksionale dhe të ruajë integritetin edhe gjatë tranzicioneve politike, të cilat nuk kanë qënë të pakta. Madje në shekullin tonë ndodhi edhe kalimi nga monarkia në republikë.

    Në mënyrë të zgjuar aplikohet edhe mandati i kufizuar, ku një drejtues pasi qëndron 2 deri 5 vjet në detyrë, kalon detyrimisht në një pozicion tjetër në përputhje me nivelin që ka arritur në hierarkinë administrative.

    Si Gjermania ashtu edhe Nepali kanë kuptuar dhe zbatojnë me përpikmëri një parim strikt të ndarjes së pushteteve, administrata duhet të jetë e pavarur nga politika, profesionale dhe e mbrojtur nga arbitrariteti i politikës. Kjo nuk është thjesht çështje teknike, por parim shtetformues.

    Beamtët gjermanë dhe zyrtarët nepalezë gëzojnë respekt, mbështetje dhe, mbi të gjitha, nuk zëvendësohen sipas tekave të partive. Sepse në fund të ditës, institucionet nuk ndërtohen me fjalime dhe demagogji, por me njerëz të ndershëm dhe profesionistë që nuk e kanë frikë pushtetin politik.

    *

    Në Shqipërinë e Boratit, drejtori është instrument i vjedhjes dhe i kontrollit të politikës mbi burimet dhe interesat. Nuk ka patur asnjë përpjekje për ndërtimin e një administrate të pavarur dhe profesionale. Përkundrazi, janë emëruar militantë kokëboshë, shpesh pa patur as edhe kualifikimin më minimal për detyrën dhe pozicionin.

    Me kalimin e viteve, emërimi i drejtorëve të rëndësishëm u bë kompetencë e përbashkët e politikës, oligarkisë, krimit dhe narkotrafikut. Qëllimi është i qartë: të emërohen njerëz të bindur dhe të korruptuar, të cilët nuk pyesin për ligj, por vetëm për urdhrat e pronarëve, cilëtdo qofshin ata.

    Shembujt janë të pafund. Drejtorët e famshëm të grupit 5D, sinonimi i abuzimit, vjedhjes deri në shndërrimin në hajdutë strategjikë. 5D-të mund të hyjë në librin e Rekordeve Guinness, pasi hajdutët u përjashtuan nga detyrimi për t’u taksuar, kur deshën të investojnë paret e vjedhura nga taksat.

    Përgjimet e Sky ECC nxorën zbuluar se si shumë drejtorë u emëruan dhe kanë qenë nën kontrollin e bandave, duke u bërë pjesë e strukturave të pastrimit të parave, narkotrafikut dhe krimit.

    Kjo që ka krijuar Borati vetëm administratë nuk mund të quhet!

    Kjo është mafia me dokumente zyrtare…

    *

    Së fundi, Borati ka nisur “fushatën e spastrimit” duke shkarkuar në masë drejtorë bashkiakë, duke u përpjekur të japë përshtypjen e një pastrimi moral. Përveç se i paligjshëm sepse minon edhe atë pak autonomi lokale që i ka mbetur Shqipërisë, ky është qartazi teatri i radhës.

    Drejtorët e rinj që do të emërohen për të zëvendësuar të vjetrit, do të jenë po aq të korruptuar, sepse kriteri mbi të cilin ata përzgjidhen nuk ka ndryshuar: të vjedhin, të vjedhin, të vjedhin. Mbi të gjitha, pjesën e luanit të mos ta mbajnë për xhepin e vet, por për tutorin politik apo atë kriminel.

    Shqiptarët vetë nuk kanë asnjë dyshim.

    Përsa kohë do të ekzistojë qeverisja e Boratit, administrata nuk do të prodhojë as punë dhe as rezultate, por 5D-në e radhës…

  • Nga Andi BUSHATI – Rama si mallkim i shërbëtorëve të vet

    Edi Rama nuk po lë rast pa i zhgënjyer idiotët e dobishëm që duan ta mbështesin duke predikuar se Shqipëria jeton ende në një sistem demokratik. Që pas 11 majit, kur është siguruar për një mandat të katërt, ai po shpërfill edhe ruajtjen sipërfaqësore të fasadës së një vendi ku respektohet shteti ligjor dhe pushtetet janë të ndara.

    Në pak javë shembujt nuk mungojnë. Ato janë shfaqur me shpërfilljen ulëritëse ndaj pavarësisë së bashkive, që në letër prezumohen të jenë të pavarura nga qeverisja qendrore. Pa i hyrë në thelb debatit se kush ka të drejtë, se a po tregohet hipokrit kryeministri në raport me qëndrimet që ka mbajtur më parë, fakti se qytetarët e Vlorës, Tiranës apo Durrësit, kanë zgjedhur dikë tjetër për t’i drejtuar punët e komunave të tyre, por është shefi i qeverisë që shkarkon e emëron stafet lokale, vendos për prioritetet, jep urdhëra dhe i vë bashkitë nën hyqmin e deputetëve apo ministrave, është shenjë flagrante e shkatërrimit të parimit të decentralizimit, në emër të vullnetit të një njeriu të vetëm.

    I njëjti injorim për votën e qytetarëve, madje për të qenë me precizë, për atë të socialistëve, u pa edhe pas procesit të rinumërimit. Ndonëse kllounia me fustan, Zeqineja, rezultoi se nuk i gajaste aq shumë militantët sa për ta shpënë në parlament, me urdhër të drejtpërdrejtë të shefit, ajo që renditej para saj u detyrua të jepte dorëheqjen. Ç’vlerë ka këtu vota e qytetarëve, respekti kushtetues për listat e hapura, apo gara brenda partisë? Të gjitha këto zhbëhen përpara modelit spiropalizues, që ka përqafuar vajza nga Roskoveci, dhe që kërkon ta promovojë me çdo kusht Edi Rama.

    E njëjta shpërfillje për shtetin ligjor dhe ndarjen e pushteteve u vu re edhe ndaj prokurores së Shkodrës, Elsa Gjeli, e cila, mirë apo keq, kishte një logjikë të sajën për të mos ndjekur penalisht pronarin që kishte ndërtuar në Theth, dhe që nuk priste në këtë pikë leksione nga një mësues vizatimi. Fakti se nuk i shkoi kryeministrit pas avazit, jo vetëm e shndërroi atë në pre të sulmeve politike, por ministri i drejtësisë filloi procesin e masave disiplinore kundër saj.

    Çuditërisht, kryeministri që e bëri gjuhën çorap ndaj prokurores Gjeli, i ka vënë gojës shtupë për prokurorët dhe gjyqtarët që po mbajnë në burg Veliajn. Vetëm kjo kontradiktë është e mjaftueshme për të dëshmuar se heshtja për Lalin nuk ka të bëjë me ndonjë parim të mbajtjes së një distance higjenike ndaj vendimeve të drejtësisë, por me dëshirën e shefit, për të zhdukur nga skena politike ish delfinin e tij, pa bërë vetë duart pis, por duke përdorur për këtë qëllim, mashën SPAK.

    Nuk është e rastësishme që rëndimi i pozitave juridike të kryebashkiakut në detyrë të Tiranës, po shkon paralelisht me shkuljen e spaletave të tij politike nga PS. Sot Rama po e trajton Veliajn si një lebroz mes socialistëve dhe kjo është arsyeja kryesore që një sistem i kapur vazhdon ta mbajë atë në qelitë e Durrësit.

    Pra, vetëm në pak kohë pas 11 majit, kryeministri po dëshmon se e ka suprimuar autonominë e pushtetit lokal, se as do t’ia dijë për votën e shprehur përmes listave të hapura, se di t’i masakrojë prokurorët që nuk i binden dhe të sinkronizohet me SPAK-un, që e përdor për të larë hesapet e veta të pista.

    Se ku mund të ndeshen fenomene dhe shtrembërime të tilla, në një sistem që klasifikohet si demokratik, këtë edhe “naivët” që kundërshtojnë idenë se Shqipëria nuk është një autokraci, e kanë të vështirë ta gjejnë.

    Por, me sa duket, edhe për ta misioni po bëhet gjithnjë e më i pamundur. Nëse Rama ka demostruar simptoma të tilla edhe më parë, pas fitores së mandatit të katërt, bashkë me shkallmimin e opozitës, ndoshta ka flakur edhe skrupujt për t’u dukur së paku në sipërfaqe si demokrat.

  • U lirua pas 9 muajsh, si u montua procesi që burgosi deputetin e Partisë Demokratike, Ervin Salianji

    U lirua pas 9 muajsh, si u montua procesi që burgosi deputetin e Partisë Demokratike, Ervin Salianji

    Gjykata e Fierit i kurseu Ervin Salianjit 2 muaj e gjysëm burg për sjellje të mirë duke e liruar me kusht para se të mbaronte dënimin, por procesi ndaj ish-deputetit të Partisë Demokratike është një nga rastet më flagrante të përdorimit të drejtësisë së re sipas interesave të mazhorancës.

    Kërkesa e Salianjit për t’u liruar u mbështet nga një raport pozitiv i burgut të Fierit dhe Shërbimit të Provës, mbështetur edhe nga prokurori i çështjes, raport që i hapi rrugë lirimit me kusht të ish-deputetit që pas kësaj i rikthehet jetës politike në vend, pa pasur mundësi të kandidojë më për deputet.

    “Më në fund pati një element minimal drejtësie, për mendimin tim i gjithë procesi është i padrejtë. Ai ishte një dënim politik, por sot arritëm ta shkurtonim në më pak se dy muaj e gjysëm të dënimit të mbetur. Po procedurat janë që duhet të lirohet brenda ditë së sotme, pra lirim të menjëhershëm. Zoti Salianji sqaroi se beteja e tij ka qenë interesi publik” tha avokati pas vendimit gjyqësor.

    Burgosja e Ervin Salianjit ishte produkt i një procesi të manipuluar gjykimi ndaj tij, që nisi pas denoncimit publik të trafikantit të drogës Geron Xhafaj, njëkohësisht vëllai i ish-ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj.