Blog

  • Nga Basir ÇOLLAKU – Ndiq kokainën, ndiq betonin, ndiq zgjedhjet dhe del në Surrel…

    Nga Basir ÇOLLAKU – Ndiq kokainën, ndiq betonin, ndiq zgjedhjet dhe del në Surrel…

    Problemi Emergjencë Kombëtare.

    1. Mosha 61 vjeç.
    2. Me mjekër.
    3. Gjatësi 2 metër.
    4. Pesha 100 kilogramë e përpjetë.
    5. Flokët shkurt me tendencë tullac.
    6. Shtetësia lindur si shqiptar.
    7. Kombësia anon nga serbët.
    8. Profesioni antishqiptar.
    9. Në kërkim nga viti 2013-të.
    10. Adresa e punës Bulevardi Dëshmorët e Kombit.
    11. Adresa e banimit, në Surrel dhe në avion.

    Ka 10 vite reformë me demek në drejtësi. Tetë vite SPAK. Tani kanë kapur korpusin ligjor në dorë për ta thyer sërish në mes. Nuk dihet ku ndalen.

    Task – Forca e Strukturës së Posaçme para 11 majit më tepër ishte një OFL e përsëritur me rezultat të munguar se sa një punë e qëruar. Po e nisim disi nga fundi me operacionin ndërkombëtar që përfundoi me propagandë kombëtare. 6 ton kokainë me një vlerë afro 410 milionë euro. Biznese ndërtime, personazhe interesantë. Po të shohësh pak me vëmendje kohët e bizneseve dhe zgjedhjeve vjen me një rastësi befasuese. Mandatet parlamentare kanë atësi.

    Kështu rendi kronologjik i krijimit të shoqërive të çunave të operacionit më të fundit të SPAK:

    • 08.06.2016
    • 24.10.2018
    • 02.12.2020
    • 16.02.2021
    • 02.03.2022
    • 01.10.2022
    • 19.09.2023

    Çdo përkim kohor me mandatet e mazhorancës aktuale është krejtësisht një rastësi natyrore e vullnetit të deleguar. Menjëherë pas 11 majit Struktura nuk la mënjanë se bashkiaku Benet Beci u mor i pandehur, Erion Veliaj i pandehur, Mazniku u transferua nga prokuroria e Tiranës në SPAK, Belinda Ballukut i nisën hetimet jo vetëm për Llogaranë, por edhe për aeroportin e Vlorës, Myzyraj i Prokurimeve u mor i pandehur. Bashkiaku i bërë deputet, Tërmet Peçi është rrugës pas sekuestrimit të dosjeve të tenderave 60 milionë euro. Ministra të tjerë janë me çelësa në dorë.

    Henry E. Petersen, dikur në 1974 zv prokuror i përgjithshëm në SHBA do ta reformonte thënien e tij biblike në një seancë dëgjimore në Senat: “follow the monney” Në Shqipëri duhet të jetë ndiq kokainën betonin dhe zgjedhjet. Janë partnerët kërkues të operacioneve pasi në Amerikën Latine shqiptarët dhe kokaina janë bërë sinonime. Zotërimet e tyre me terren të zgjeruar në porte dhe aeroporte në BE është me një ndikim nga 35 në 40 për qind duke marrë vendin e dytë pas Ndranghettës. Një javë më parë Rama si bekues i rrugës së mëndafshit të pastrimit të parave dhe një dorë kulla e risorte. Degëzimet e fijet e grupeve të kokainës janë në këto investime këmbëkryq. SPAK ka kthyer godinën në një zyrë transparente ku vijnë amerikanët dhe evropianët Eurojust e DEA. Shpall arreste. Bën edhe sekuestro. Po shefi…?!

    Kështu kollajllëku me pafundësi provash na thotë që:

    Ndiq kokainën, ndiq betonin, ndiq zgjedhjet dhe del në…Surrel…

  • Nga Andi BUSHATI – Rama po e skicon vetë ditën e fundit të pushtetit

    Ngjarjet e fundit në bashkinë e Tiranës, pas atyre që nisën në Vlorë dhe u përhapën në mbarë vendin, vulosën edhe për më skeptikët se Shqipëria komandohet nga një njeri i vetem. Eshtë Edi Rama që përcakton se kur do shkarkohet masivisht administrata e pushtetit lokal, se kur fadromat do godasin ndërtimet pa leje, pa prtitur vendimet e gjykatave, në injorim të plotë të ndarjes së pushteteve, të autonomisë vendore apo ekuilibrave të një shteti ligjor.

    Mirëpo bashkë me akumulimin e stërmadh të fuqisë, e cila përforcohet nga kontrolli total mbi një shumicë parlamentare që mund të ndryshojë ligje me ⅗ dhe nga dominimi i pushtetit lokal (mbi 90% të bashkive),  situata nuk është aq rozë sa duket.

    Sa më tepër fuqi që merr mbi vete, aq më shumë Edi Rama e rrit çmimin që ka për të paguar. Për këtë vlen të merret vetëm një shembull. Deri më tani, për çdo skandal të madh që ka plasur, kryeministri e ka pasur të gatshme përgjigjen. Alibia e përhershme ka qenë se qëllimet e tij ishin të mira, duke ia lënë fajin “shokëve” të skuadrës, të cilëve ua ka errësuar ndërgjegjjen etja për të fituar në mënyrë të pandershme. Ndonëse për çdo mendje me logjikë normale këto ishin broçkulla të pa kapërdishme, për një pjesë të elektoratit militant, gënjeshtra se dikush ka ngrënë kumblla dhe dardha pas shpinës të “atij të gjatit”, vijonte të përsëritej qoftë edhe si justifikim.

    Por, duket se me fitoren e mandatit të katërt, me zegjineizimin përfundimtar të PS-së dhe linçimin e Veliajt, që mbylli ciklin e spastrimeve të atyre me të cilët fitoi pushtetin në 2013, Rama nuk e përdor dot më alibinë e se nuk i ka pasur gjërat në kontroll dhe shokët ia kanë futur nga pas.

    Për shëmbull, a mund të fajësohen si deri dje, bashkitë e Elbasanit, Fierit apo Tiranës për skandale të ngjashme më atë të inceneratorëve, tani kur shefi i qeverisë ka dalë hapur duke shkarkuar dhe emëruar vetë gjithë trupën e pushtetit lokal? A mund të funksionojë më dredhia “nuk kisha djeni”, për afera si ajo e “5D”, kur publikisht është pranuar se edhe qytetet tani qeverisen nga kryeministri? A mud të përdoret më justifikimi për segmente apo individë që dalin kundër linjës të projektit të madh që ka vendosur udhëheqësi?

    Natyrisht, askush nuk i besonte as më parë këto pallavra, por ndryshimi ka të bëjë me faktin se tani është vetë Rama që ka vendosur ta lërë vetën pa alibi. Edhe formalisht ai i ka marrë përgjegjësitë mbi vete.

    Po çdo të thotë kjo fazë e re e heqjes dorë nga alibitë dhe e shpalljes se dekompleksuar se tani zot i këtij vendi jam unë?

    Në pamje të parë dhe për një kohë të shkurtër, ajo flet për gjithëfuqishmërinë e Edi Ramës. Për pushtetin e tij thuajse absolut. Por ama, nga ana tjetër ajo po përvijon një rrugë me kosto të lartë, së pari për vendin, por mbi të gjitha për vetë atë që e ka përzgjedhur. Ja sepse.

    Në mënyrën se si e ka ngritur mbretërimin e tij, Edi Rama nuk qëndron dot as edhe një ditë të vetme pa e ushqyer pushtetin me korrupsion. Mënyra si vendos për kullat, për koncesionet, për resortet në bregdet, duke i kaluar personalisht tek një grusht njerëzish, që janë po të njëjtët që kontrollojnë mburojën e tij mediatike, që financojnë zgjedhjet e që korruptojnë zyrtarët apo këshilltarët e huaj, përbën një sistem tashmë të pa zhbëshëm. Edhe si model ekonomik edhe si mënyrë mbijetese në majë të qeverisjes, ato janë tashmë të pakthyeshme.

    Nëse ato kanë qenë të tilla edhe deri më sot, risia e fundit qëndron në faktin se tashmë Rama i ka dalë i vetëm për zot, pa e ndarë më përgjegjësinë me askënd.

    Ai ka hyrën në fazën e njohur të vetmisë së thellë të pushtetit nëpër të cilën kalon detyrimisht çdo autokrat, pasi parapralkisht rrethohet vetëm nga lakej, servilë dhe eunukë. 

    Por, historia ka treguar rëndom se bashkë me këtë vetmi dhe marrje përgjegjësish mbi vete shtohet dhe ankthi e frika për rëzimin një ditë nga pushteti. Një prijës që ka bërë tokë të djegur rreth tij dhe që ka marrë mbi vete të gjitha përgjegjësitë, i druhet vetëm një gjëje: ditës të gjykimit. Me çdo mjet ai punon për ta larguar atë.

    Pikërisht për këtë ne kemi hyrë në fazën kur zgjidhja politike përmes votës dhe zgjedhjeve është bërë më e pamundur se kurrë duke iu afruar gjithnjë e më shumë një versioni me fund traumatik.

    Nuk ka rëndësi se sa do të qëndrojë Edi Rama në pushtet pas fitimit të këtij mandati të katërt. Pavarësisht nëse kjo kohë do të jetë katër, tetë apo njëzet vjet, zgjedhja paraprake që ai ka bërë, duke preferuar një model korruptiv të ushtrimit të pushtetit të shoqëruar me lëvizjet e fundit për të mos e ndarë më me askënd përgjegjësinë, janë parakushtet që përcaktojnë mënyrën e tij të largimit. Sa më i fortë të duket pushteti sot, aq më tragjike do të jetë shpërbërja e tij nesër. Sa më i përjetshëm të duket Rama sot, aq më i keq mund të jetë fati i tij nesër. Problemi është se këto lloj zgjidhjesh nuk janë problematike vetëm për fatin e një njeriu të vetëm.   

  • Kartëmonedhat më të falsifikuara në botë! Kush janë, renditja

    Kartëmonedhat më të falsifikuara në botë! Kush janë, renditja

    Edhe pse përdorimi i parave cash, në dorë, po bie në mbarë botën, ato janë ende mënyra më e prekshme dhe e pakontrollueshme për të bërë pagesa. Çdo vit, shtetet në mbarë botën shtypin para e po të njëjtën gjë e bëjnë edhe shumë mashtrues. Kartëmonedhat e falsifikuara përgjithësisht po zvogëlohen në nivel global, por ekzistojnë ende dhe përbëjnë një problem të madh. Një mënyrë për të monitoruar monedhën e falsifikuar është përdorimi i një metrike të quajtur pjesë për milion (ppm), e cila tregon një kartëmonedhë të falsifikuar për çdo milion kartëmonedha të vërteta. Më poshtë me narrativën tonë, do të ekzaminojmë monedhat më të falsifikuara, në bazë të ppm. Shfletoni, pra, rreshtat në vijim për të zbuluar se cilat janë ato.

    Ringgit malajzian

    Viti më i keq i vendit ishte 2015-a, me një ppm prej 1.9, por ia arritën ta reduktonin në 0.3 më 2022. Në mars 2025, ringgit malajzian ka një normë ppm prej 1.6.

    Mendohet se shkaku i shtimit të ppm të jetë një incident i shkaktuar më 2023 që përfshinte 3,868 kartëmonedha ringgit false.

    Kartëmonedhat malajziane kanë një sërë karakteristikash sigurie, mes të cilave filigranë 3D, printim me reliev, një fije që ndryshon ngjyrë dhe dritare transparente.

    Dollari australian

    Dollari australian ka qenë gjerësisht i falsifikuar më 2015, kur arriti kulmin në mbi 30 ppm. Për fat të mirë, autoritetet ia dolën të ndalonin një numër operacionesh falsifikimi dhe rritja e pagesave pa para cash ka ndihmuar gjithashtu AUD për të rikuperojë normën e tij ppm.

    Deri më 2020, kartëmonedha 50 dollarëshe ishte kartëmonedha më e falsifikuar në Australi. Më pas, kartëmonedha 50 dollarëshe është tejkaluar nga kartëmonedha 100 dollarëshe.

    Me një normë aktuale prej 6.7 ppm, falsifikuesit tani e kanë më të vështirë të falsifikojnë para në Australi. Kartëmonedha 100 dollarëshe tani ka një sërë elementësh sigurie, ndër të cilat ngjyra të ndryshueshme, efektet 3D dhe imazhin e një bufi që duket se tund krahët dhe ndryshon ngjyrë.

    Dollari kanadez

    Kanadaja u përmbyt me kartëmonedha të falsifikuara në fund të viteve ’90 dhe në fillim të viteve 2000. Shteti amerikano-verior arriti një shifër marramendëse prej 470 ppm më 2004-ën.

    Më 2011, Banka e Kanadasë bëri një ndryshim të madh që pati rezultate dramatike. Filluan të përdorin plastikën në vend të letrës për kartëmonedhat e tyre.

    Sipas Royal Canadian Mounted Police (RCMP), brenda 2015-ës, kjo bëri që falsifikimet të kenë një rënie prej 74%. Përpara kalimit në kartëmonedha polipropileni, RCMP-së i dërgoheshin 45,000 kartëmonedha të dyshimta në muaj. Pas 2015, shifra u ul në mënyrë drastike, duke shkuar në afërsisht 1,500 në muaj.

    Randi afrikano-jugor

    Sipas South African Reserve Bank (SARB), midis viteve 2020 dhe 2021, vendi kishte një normë prej 5.68 ppm. Ky numër tani është rritur, por mbetet nën 12 ppm.

    Kartëmonedhat e reja kanë hyrë në qarkullim më 2023 dhe të gjitha kanë elementë sigurie, si filigran të kokës së çdo kafshe.

    Të tjera karakteristikat përfshijnë një shirit sigurie që ndryshon ngjyrën dhe sipërfaqe në reliev. Kjo teknologji jep te disa modeleve kartëmonedhash iluzionin e lëvizjes.

    Peso filipinase

    Më 2021, Bangko Sentral ng Pilipinas raportoi një shkallë falsifikimi prej 7.9 ppm. Aso kohe, u akuzuan 19 persona për mashtrim.

    Në vitin 2023, për falsifikim të pesos filipinase u arrestuan 25 persona. Prej atëherë, shkalla është rritur në 12.2 ppm.

    Kartmonedhat tani kanë kaluar nga letra në polimer, duke i bërë ato më të vështira për t’u falsifikuar. Karakteristikat përfshijnë pika të prekëshme, elementë metalikë dhe ndryshime të ngjyrës kur përthyhen.

    Dollari i Zelandës së Re

    Falsifikimi në vend është në rritje. Më 2024, Reserve Bank of New Zealand njoftoi një rritje marramendëse prej 300% krahasuar me dy vitet paraardhëse.

    Shkalla e ppm kaloi nga një mesatare prej 3.64 më 2022 në 14.34 ppm më 2024. Kartëmonedha 50 dollarëshe e Zelandës së Re është më e falsifikuara.

    Banka deklaron se duke qenë se njerëzit nuk përdorin më shumë para cash, kanë më pak familjaritet me kartëmonedhat.

    Euro

    Euro është një nga monedhat më të përdorura në botë, që përfshin një hapësirë prej 20 vendesh evropiane. Vetëm për shkak të vëllimit të saj, është e prirur të jetë e ekspozuar ndaj falsifikimeve në sasi të mëdha.

    Banka Qendrore Evropiane ka sinjalizuar se më 2023 janë tërhequr nga qarkullimi 467,000 kartëmonedha false, me një normë prej 16 ppm.

    Seria e kartëmonedhave evropiane përmban karakteristika të shumta sigurie, ndër të cilat filigranë, një fije sigurie dhe holograme me portrete.

    Stërlina

    Sterlina britanike hyn në listën e monedhave më të falsifikuara me afërsisht 25 ppm.

    Sipas Bankës së Anglisë, zëvendësimi i kartëmonedhave letër me ato polimerike ka kontribuuar në uljen e numrit të falsifikimeve.

    Kartmonedhat përmbajnë holograme jashtëzakonisht të vështira për t’u replikuar. Në kartëmonedhat £50, për shembull, imazhi ndryshon midis ’50’ dhe simbolit ‘£’.

    Dollari amerikan

    Dollari amerikan është ndoshta monedha më e falsifikuar në botë. Dhe më e përdorura padyshim, duke e bërë edhe më të shënjestruarën nga falsifikatorët. Sidoqoftë, qeveria amerikane nuk tregon shpesh shifra të sakta.

    Raporti më i fundit i publikuar daton më 2006. Aso kohe, një kartëmonedhë amerikane në 10,000 ishte e falsifikuar. Një kërkim i Federal Reserve Board të SHBA-ve vlerësohet se më 2025, numri i kartëmonedhave false do të jetë afërsisht një në 80,000.

    Vlerësuar se në të gjithë botën janë në në qarkullim afërsisht 70-200 milionë kartëmonedha të falsifikuara në dollarësh amerikanë. Kjo shifër, megjithatë, përfshin para të falsifikuara e të përdorura nëpër filma dhe programe TV.

    Ndryshe nga vendet e tjera, SHBA përdorin ende kartmonedha letër. Ato kanë një sërë karakteristikash sigurie, ndër të cilat filigrana dhe motive që ndryshojnë ngjyrë.

    Një kuriozitet: softueri i përpunuimit të fotove Adobe Photoshop përfshin një sistem të integruar kundër falsifikimit që i pengon përdoruesit të hapin imazhe që tregojnë monedhën amerikane.

    Burimet: (Love Money) (Central Banking)

  • 30 kryeqytetet me cilësinë më të mirë të ajrit në botë

    30 kryeqytetet me cilësinë më të mirë të ajrit në botë

    Në këto qytete, mund të merret frymë thellë e mbushësh mushkëritë plot ajër të pastër

    Të gjithë e kuptojmë kur thithim ajër të ndotur, por si matet ai dhe si krahasohet midis kryeqyteteve të ndryshme të botës? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, analizohen sasitë e grimcave të ajrit të thithura në kohë. Raporti Botëror mbi Cilësinë e Ajrit 2024, i botuar nga IQAir ka shqyrtuar përqendrimin e PM2.5 – grimcave të imëta – nëpër të gjitha kryeqytetet botërore. Raporti ka aplikuar korrigjime të bazuara mbi popullsinë për të standardizuar rezultatet dhe ka llogaritur një mesatare vjetore të të dhënave. Nëse një qytet i tejkalon limitet e sigurisë të vendosur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë – pesë mikrogramë për metër kub (μg/m³) – shëndeti i banorëve të tij është potencialisht në rrezik.

    Por, cilat kanë rezultuar kryeqytetet më të pastra për pulmonet e banorëve në Botë? Shifrat e mëposhtme tregojnë se cilat janë:

    30. Vilnius, Lituani
    Përqendrimi mesatar i PM2.5: 9.1

    Vilnius, kryeqyteti i Lituanisë, krenohet me nivele relativisht të ulëta të aktivitetit industrial krahasuar me kryeqytetet e mëdha evropiane. Sharmi i tij historik përzihet me planifikimin urban modern që i jep përparësi hapësirave të gjelbra dhe transportit publik të pastër, duke kontribuar në cilësinë e ajrit.

    29. Tokio, Japoni
    Përqendrimi mesatar i PM2.5: 9.0

    Urbanizimi dhe industrializimi i shpejtë kanë shkaktuar shumë probleme mjedisore gjatë shekullit të fundit. Edhe pse ndotja është ulur krahasimisht me ato kohë industrializimi të fortë, ende ka shumë gjurmë ndotjeje që vijnë nga fabrikat.

    28. Ankara, Turqi
    Përqendrimi mesatar i PM2.5: 9.0

    Pavarësisht se është një qendër e rëndësishme politike dhe administrative, Ankaraja ka ruajtur nivele të moderuara të ndotjes. Qyteti ka ndërmarrë masa për të ulur emetimet, por cilësia e ajrit ende luhatet për shkak të trafikut të automjeteve dhe prodhimit të energjisë.

    27. Buenos Aires, Argjentinë
    Përqendrimi mesatar i PM2.5: 8.9

    Buenos Aires, një nga qytetet më të mëdha të Amerikës së Jugut, është prej kohësh në luftë me ndotjen nga automjetet dhe industria. Sidoqoftë, iniciativat e vazhdueshme për të përmirësuar transportin publik dhe hapësirat e gjelbra kanë ndihmuar në uljen e ndotësve atmosferikë.

    26. Bruksel, Belgjikë
    Përqendrimi mesatar i PM2.5: 8.9

    Bruksel ka bërë hapa prej gjiganti në uljen e trafikut të makinave dhe inkurajimin e biçikletave dhe transportit publik. Pavarësisht se është një qendër administrative, përpjekjet për të përballuar ndotjen urbane kanë rezultuar me ajrin më të pastër se në shumë kryeqytete të tjera evropiane.

    25. George Town, Ishujt Kajman
    Përqendrimi mesatar i PM2.5: 8.5

    George Town përfiton nga gjeografia e tij ishullore dhe nga flladet oqeanike, të cilat ndihmojnë në shpërndarjen e ndotësve.

    Edhe pse anijet turistike dhe automjetet kontribuojnë në emetime, cilësia e përgjithshme e ajrit mbetet mjaft e lartë.

    24. Paris, Francë
    Përqendrimi mesatar i PM2.5: 8.3

    Parisi historikisht është përballur me probleme me smogun dhe emetimet e automjeteve.

    Politikat e fundit që inkurajojnë përdorimin e biçikletave dhe kufizimin e makinave në zonat qendrore kanë çuar në përmirësime të ndjeshme të cilësisë së ajrit.

    23. Madrid, Spanjë
    Përqendrimi mesatar i PM2.5: 8.1

    Edhe në nivele të ulëta, ndotja e ajrit në kryeqytetin spanjoll shkakton efekte të rëndësishme shëndetësore.

    Cilësia e dobët e ajrit mund të përkeqësojë ose të shkaktojë probleme të frymëmarrjes, si astma.

    22. Londër, Angli
    Përqendrimi mesatar i PM2.5: 7.8

    Londra regjistron rregullisht nivelet

    më të larta të ndotjes atmosferike në vend.

    Ndotësit kryesorë gjenerohen nga transporti urban dhe ngrohja e shtëpive.

    21. Luksemburg, Luksemburg
    Përqendrimi mesatar i PM2.5: 7.7

    Ky kryeqytet i vogël dhe i pasur tregon edhe qëndrueshmëri. Me transportin publik falas dhe një vëmendje të fortë në ambjent, Luksemburgu mban nivele të ulëta ndotjeje pavarësisht se është një qendër e madhe dhe shumë e rëndësishme financiare.

    20. Uashington, D.C., SHBA
    Përqendrimi mesatar i PM2.5: 7.6

    Pothuajse gjysma e ndotjes së ajrit në

    Uashington vjen nga makinat,

    kamionët, trenat dhe aeroplanët.

    19. Lisbonë, Portugali
    Përqendrimi mesatar i PM2.5: 7.4

    Përqendrimi aktual i PM2.5

    në kryeqytetin portugez

    është mbi

    nivelin e rekomanduar.

    18. Bernë, Zvicër
    Përqendrimi mesatar i PM2.5: 7.2

    Angazhimi i Bernës për energjinë e gjelbër dhe ambjenti i saj natyror i ruajtur mirë ndihmojnë në mbajtjen e ulët të ndotjes atmosferike.

    Kryeqyteti zviceran është i njohur për rrugët e tij të pastra, transportin efikas dhe rregulloret e forta mjedisore.

    17. Kopenhagen, Danimarkë
    Përqendrimi mesatar i PM2.5: 7.1

    I konsideruar si një nga qytetet më të qëndrueshëm në botë, kryeqyteti danez ka ende disa probleme me ndotjen e ajrit.

    Kjo është veçanërisht e përhapur në rrugët hyrëse dhe në qendër të qytetit.

    16. Oslo, Norvegji
    Përqendrimi mesatar i PM2.5: 6.9

    Oslo është një qytet

    relativisht i qëndrueshëm

    dhe burimet kryesore të ndotjes së ajrit

    janë trafiku rrugor dhe ngrohja.

    15. Dublin, Irlandë
    Përqendrimi mesatar i PM2.5: 6.6

    Një nga shkaqet kryesore të niveleve

    të ndotjes atmosferike

    në Dublin janë tymrat

    dhe emetimet e automjeteve.

    14. Vaduz, Lihtenshtajn
    Përqendrimi mesatar i PM2.5: 6.5

    Përqendrimi aktual i PM2.5

    në Vaduz

    e tejkalon limitin

    e rekomanduar nga OBSH.

    13. Ottawa, Kanada
    Përqendrimi mesatar i PM2.5: 6.0

    Si në shumë qytete të tjera, një nga shkaqet kryesore

    të ndotjes atmosferike në Ottawa

    janë tymrat dhe emetimet e automjeteve.

    12. Porti i Spanjës, Trinidad dhe Tobago
    Përqendrimi mesatar i PM2.5: 6.0

    Pak sipër rekomandimeve të OBSH-së,

    Porti i Spanjës ka një cilësi

    mjaft të mirë të ajrit.

    11. Helsinki, Finlandë
    Përqendrimi mesatar i PM2.5: 5.5

    Falë iniciativave të vazhdueshme mbrojtëse,

    si dhe faktorëve meteorologjikë dhe gjeografikë,

    ndotja atmosferike është ulur ndjeshëm në kryeqytetin finlandez.

    10. Stokholm, Suedi
    Përqendrimi mesatar i PM2.5: 5.3

    I njohur si një qytet “i gjelbër”,

    pjesa më e madhe e ajrit të ndotur të Stokholmit

    gjenerohet nga përdorimi i automjeteve.

    9. Brasilia, Brazil
    Përqendrimi mesatar i PM2.5: 5.2

    E ndërtuar me planifikim modern, planimetria e Brasilias kufizon trafikun.

    Qyteti gëzon ajër më të pastër se të shumë qyteteve të tjera të mëdha braziliane, falë edhe hapësirave të gjelbra dhe aktivitetit më të pakët industrial.

    8. Talin, Estoni
    Përqendrimi mesatar i PM2.5: 4.3

    Ky qytet baltik

    ka cilësi relativisht të mirë të ajrit

    dhe nivele të ulëta ndotjeje.

    Perfekt për një shëtitje nëpër qytet!

    7. Wellington, Zelanda e Re
    Përqendrimi mesatar i PM2.5: 4.3

    Erërat bregdetare të Wellingtonit dhe dendësia e ulët e popullsisë ndihmojnë në mbajtjen e ajrit jashtëzakonisht të pastër. Qyteti përfiton nga mbrojtje të forta mjedisore dhe një kulturë që vlerëson qëndrueshmërinë.

    6. Canberra, Australi
    Përqendrimi mesatar i PM2.5: 3.9

    Në vend të gjashtë është kryeqyteti australian, Canberra!

    Edhe pse, gjatë verës, qyteti mund të përjetojë shtim të ndotjes atmosferike për shkak të zjarreve në shkurre qark.

    5. Reykjavik, Islandë
    Përqendrimi mesatar i PM2.5: 3.8

    Me një vend të tretë të respektueshëm,

    Reykjavik është kryeqyteti i vetëm evropian

    që hyn top five.

    4. Bridgetown, Barbados
    Përqendrimi mesatar i PM2.5: 3.1

    Bridgetown gëzon erëra oqeanike dhe industrializim të kufizuar, të cilat e mbajnë ajrin të freskët. Edhe pse trafiku dhe turizmi sjellin njëfarë ndotjeje, ambjenti i përgjithshëm mbetet një nga më të pastërve në Karaibe.

    3. Papeete, Polinezia Franceze
    Përqendrimi mesatar i PM2.5: 2.8

    Vendndodhja e largët dhe popullsia e rrallë e Papeete kontribuojnë në pastërtinë e ajrit. I rrethuar nga bukuri natyrore, kryeqyteti ka një ndotje minimale industriale dhe ofron një ajër nga më të freskëtit në Paqësor.

    2. San Juan, Porto Riko
    Përqendrimi mesatar i PM2.5: 2.6

    Kryeqyteti i Karaibeve

    me cilësinë

    më të mirë të ajrit

    është San Juan!

    1. Nassau, Bahamas
    Përqendrimi mesatar i PM2.5: 2.3

    Nassau përfiton nga pozicioni i tij ishullore dhe efektet e shpërndarjes së flladeve detare. Edhe pse turizmi dhe aktiviteti i lundrimit rrisin emetimet lokale, cilësia e ajrit mbetet çuditërisht e lartë përgjatë gjithë vitit.

    Burimet: (IQAir) (Visual Capitalist)

  • Shtetet ku liria e shtypit është vërtet e garantuar

    Shtetet ku liria e shtypit është vërtet e garantuar

    Kombet që mbrojnë gazetarët dhe median e pavarur

    Reporterët pa Kufij (RSF) kanë publikuar raportin e tyre vjetor mbi lirinë globale të shtypit, duke shqyrtuar rajonet më të mira dhe më të këqija për gazetarinë. Liria e shtypit është thelbësore për demokracinë dhe të drejtat e njeriut, pasi mundëson transparencën dhe llogaridhënien. Por ndërsa disa rajone ofrojnë mbrojtje të forta dhe medie vërtetë të pavarura, sfidat mbeten, madje edhe në vendet më të mira. Gazetarët duhet të qëndrojnë vigjilentë për të ruajtur pavarësinë dhe sigurinë e tyre. Në rreshtat e mëposhtëm ne kemi evidentuar 30 rajonet kryesore ku liria e shtypit është prioritet, duke treguar mjedise mediatike rezistente që mbështesin vlerat demokratike.

    Vazhdojmë së bashku pra, në zbulim të rajoneve më të mira në botë përsa i përket lirisë së shtypit.

    30. Cape Verde (Kepi i Gjelbër) – Cape Verde dallohet në rajon për mjedisin e tij miqësor ndaj gazetarëve. Ky komb i arkipelagut afrikan e garanton lirinë e shtypit me kushtetutë, duke e lejuar median të veprojë në mënyrë të pavarur dhe pa frikë nga censura qeveritare.

    29. Australia – Australia renditet në vendet e para për lirinë e shtypit, me mbrojtje ligjore që e lejojnë gazetarinë e pavarur dhe raportimin transparent, të lirë nga ndërhyrja apo censura qeveritare.

    28. Namibia – Namibia e mbështet fort lirinëe shtypi me mbrojtje kushtetuese, media të pavarura dhe një censurë qeveritare minimale.

    27. Afrika e Jugut – Afrika e Jugut mbetet një vend lider i lirisë së shtypit afrikan. Gazetarët janë të mbrojtur nga Neni 16 i Kushtetutës dhe qeveria e respekton gjerësisht pavarësinë e medias.

    26. Xhamajka – Xhamajka ka një shtyp të lirë dhe të pavarur, me mbrojtje të fortë ligjore, duke lejuar një gazetari të larmishme dhe kritike pa frikën e censurës.

    25. Franca – Franca mbështet fuqimisht lirinë e shtypit, me mbrojtje ligjore që u lejojnë gazetarëve të raportojnë në mënyrë të pavarur në një peizazh të larmishëm mediatik, me ndërhyrje minimale nga ana e qeverisë.

    24. Tajvani – Tajvani gëzon një liri të qëndrueshme të shtypit dhe mbështetje të fortë qeveritare për median e pavarur. Gazetarët gëzojnë mbrojtje të forta dhe janë pjesë e një prej ambjenteve online më të lira në Azi.

    23. Spanja – Spanja mbështet lirinë e shtypit me mbrojtje të forta ligjore për gazetarinë e pavarur. Që nga fundi i diktaturës së Francos më 1975, vendi ka nxitur një panoramë të larmishme mediatike në mbështetje të lirisë së shprehjes.

    22. Austria – Austria mbështet lirinë e shtypit përmes mbrojtjeve të forta ligjore, duke i lejuar mediat e pavarura të veprojnë pa ndërhyrje domethënëse qeveritare, duke garantuar raportim të larmishëm dhe shkëmbim të lirë idesh.

    21. Kanadaja – Kanadaja renditet në krye të lirisë së shtypit, me me mbrojtje të forta ligjore për gazetarët dhe mediat e larmishme. Qeveria mbron lirinë e shprehjes, duke u garantuar gazetarëve mundësinë që të mund të shkruajnë pa censurë.

    20. Mbretëria e Bashkuar – Mbretëria e Bashkuar mbështet një liri të fortë të shtypit, me mbrojtje ligjore që garantojnë një ndërhyrje minimale qeveritare. The Times, e themeluar në 1785, është një shembull i shkëlqyer i ndikimit të gjatë gazetaresk në vend.

    19. Trinidad e Tobago – Trinidad e Tobago ka një ambient të fortë mediatik, ku liria e shtypit është e sanksionuar me Kushtetutë dhe mbrojtjet ligjore garantojnë ndërhyrje minimale qeveritare.

    18. Belgjika – Belgjika renditet në krye të lirisë së shtypit, me një panoramë mediatike të larmishme dhe mbrojtje të fortë ligjore. Si anëtare e Koalicionit për Lirinë e Medias, ajo ndeshet për sigurinë dhe lirinë e medias në nivel global.

    17. Islanda – Islanda renditet krye të lirisë së shtypit, me mbrojtje të forta ligjore dhe me një censurë minimale. Korniza ligjore garanton lirinë e shtypit dhe aksesin në informacionin publik në një kontekst transparent.

    16. Zelanda e Re – Zelanda e Re mbështet lirinë e shtypit përmes mbrojtjes së fortë ligjore. Gazetarët mund të shkruajnë lirisht dhe në mënyrë të pavarur në një ambjent mediatik me censurë minimale.

    15. Letonia – Shteti i parë ish sovjetik që iu bashkua BE më 2004, Letonia mbështet lirinë e shtypit me mbrojtje të forta ligjore dhe ndërhyrje minimale nga ana e qeverisë.

    14. Lituania – Lituania mbështet lirinë e shtypit me mbrojtje të forta ligjore dhe ndërhyrje minimale nga ana e qeverisë, duke e promovuar gazetarinë e pavarur dhe debatin e hapur publik në panoramën e saj të larmishme mediatike.

    13. Luksemburgu – Luksemburgu garanton lirinë e shtypit me garanci të forta ligjore. Gazetarët punojnë në mënyrë të pavarur dhe dimensionet e shtetit nuk e kufizojnë impenjimin e tij në favor të mediave të hapura dhe demokratike dhe të lirive të shprehjes.

    12. Lihtenshtajni – Në Lihtenshtajn, liria e shtypit mbrohet nga vlerat demokratike dhe ligji. Edhe pse e limituar, panorama mediatike lejon gazetari të pavarur pa ndërhyrje apo censurë qeveritare.

    11. Gjermania – Gjermania e mbështet lirinë e shtypit përmes ligjeve të forta për gazetarët. Ambjenti i saj i larmishëm mediatik promovon gazetarinë e pavarur, duke garantuar një gamë të gjerë perspektivash pa ndërhyrje apo censurë qeveritare.

    10. Republika Çeke – Republika Çeke garanton lirinë e shtypit me mbrojtje të forta ligjore, një panoramë mediatike të larmishme dhe transparencë qeveritare. Financimi publik dhe ulja e përqendrimit mediatik përmirësojnë klasifikimin.

    9. Zvicra – Zvicra mbështet vlera të forta demokratike dhe lirinë e shtypit, me gazetarë që punojnë në një ambjent të sigurt dhe të pakufizuar, i cili promovon media të larmishme e të pavarura dhe gazetari të hapur.

    8. Portugalia – Liria e shtypit mbetet e fortë në Portugali, me mbrojtje ligjore për gazetarët, kufizime minimale qeveritare dhe një vlerësim të lartë për lirinë e shprehjes dhe pavarësinë e medias.

    7. Irlanda – Shtypi irlandez është i lirë dhe i gjallë, me një traditë të gjatë të gazetarisë së pavarur. Ligjet e forta mbrojnë lirinë e shtypit dhe ndërhyrja e qeverisë është minimale.

    6. Danimarka – Danimarka ofron një liri të shkëlqyer shtypi, me mbrojtje ligjore për gazetarët dhe një qeveri transparente.

    5. Finlanda – Finlanda renditet në krye për lirinë e shtypit, me mbrojtje të forta ligjore për gazetarët dhe censurë minimale. Renditet vazhdimisht e shkallët e para në klasifikimet globale të lirisë së shtypit, si demonstrun i ambjentit e saj të fortë mediatik.

    4. Suedia – Suedia është e njohur për lirinë e saj të fortë të shtypit, me një angazhim për transparencë dhe gazetari të pavarur. Liria e fjalës, liria e shtypit dhe hapja janë themelore për shoqërinë suedeze, duke garantuar censurë minimale.

    3. Holanda – Holanda mbështet lirinë e shtypit me mbrojtje të forta ligjore, duke garantuar pavarësinë dhe sigurinë e gazetarëve. Një shtyp i lirë është thelbësor në një shoqëri demokratike, pa ndërhyrje qeveritare në lirinë e fjalës apo të të shkruarit.

    2. Estonia – Estonia renditet e dyta në nivel global për lirinë e shtypit falë qeverisjes së saj transparente, shtypit të lirë dhe kontrollit minimal qeveritar mbi përmbajtjen dhe shprehjen e medias.

    1. Norvegjia – Norvegjia, vazhdimisht renditet e para për lirinë e shtypit, me mbrojtje të forta ligjore, stabilitet politik dhe ndërhyrje minimale qeveritare, duke i garantuar medias të veprojë lirisht dhe në mënyrë të pavarur.

    Burimet: (Reporterët pa kufi) (Euronews)

  • Nga Luçiano BOÇI – Arkitektura narciste e Duçes shqiptar

    Në fillim ishte Duçja. Pastaj erdhi “Artist-i”. Dhe në të dy rastet, qyteti u kthye në pasqyrë të pushtetit. Në Itali, Benito Mussolini ndërtoi “Romën e tretë” për të përjetësuar mitin e perandorisë dhe të vetvetes. Në Shqipëri, Edi Rama po ngre “Tiranën e re”, jo për qytetarin, por për të ndërtuar një muze të gjallë narcisizmi politik.

    Mussolini kishte Piacentinin (Marcelo); Rama ka Boerin. Të dy arkitektët, pavaresisht kohës e konteksteve që i ndajnë, bashkohen në një pikë: Në përdorimin e formës për të maskuar deformimin e lirisë.

    Stefano Boeri, arkitekti i njohur italian që njihet për konceptet ekologjike dhe gjelbërimin vertikal, është shndërruar, dashur pa dashur, në estetizuesin e një regjimi që përdor arkitekturën për të maskuar shkatërrimin institucional dhe politik.

    Ai nuk është më thjesht një arkitekt – por pjesë e skenografisë së një autokracie urbane.

    Piacentini përdori gurë travertini e kolonada klasike për të fiksuar përjetësinë e Duçes.

    Boeri përdor fasada me pemë për t’i ngjitur Ramës etiketën e “të gjelbrit avangardist”. Travertini i viteve ’30 është zëvendësuar nga marketingu vertikal i shekullit XXI, por qëllimi mbetet i njëjtë për ta bërë qytetin poster propagande.

    Arkitektura e Duçes nëpërmjet Piacentinit  ishte e ftohtë, e qartë, e menduar për të bindur njeriun se Shteti është gjithçka dhe qytetari asgjë. Ajo ishte një arkitekturë me uniformë ushtarake – simetrike, monumentale, e ndërtuar për parada dhe propagandë.

    Por ajo që ndodh sot në Tiranë është më e rafinuar, më e maskuar, më e rrezikshme – sepse fshihet pas ngjyrave, shkëlqimit, formave moderne dhe fjalëve të bukura për “kreativitetin” dhe “rilindjen urbane”.

    Baza e saj është kaotizmi i hapësirës dhe i lartësisë, ndryshe nga kalkulimi simetrik i Duçes.

    Rama sikurse Duçja nuk ndërton për qytetarët. Ai ndërton për veten.

    Kullat që i mbijnë Tiranës  nuk janë zhvillim, por dëshmi e një pushteti që kërkon të shfaqet i pathyeshëm, i paprekshëm dhe i përjetshëm.

    Siç Duçja kishte obeliskun në Foro Italico me mbishkrimin “Mussolini Dux”, Rama ka kullat e tij me emra që i japin qytetit një shkëlqim të rremë kapitalist – por që fshijnë rrënjët, historinë dhe njerëzit.

    Teatri Kombëtar ishte një kthesë. Aty ku fashizmi ndërtoi një institucion kulturor, Rama ndërtoi një precedent: zhdukjen e trashëgimisë në emër të betonit.

    E gjitha e shoqëruar me një retorikë të stërkonsumuar për “modernitetin” dhe “të ardhmen”.

    Por e ardhmja e ndërtuar mbi rrënimin e së shkuarës nuk është zhvillim – është fshirje e kujtesës.

    Ashtu si Mussolini e pa dhe e shpalli veten si arkitekt të shpirtit italian, Rama e sheh veten si mjeshtër të ndriçimit “estetik” të një kombi që, sipas tij, nuk di çfarë do.

    Prandaj është ai që vendos për gjithçka: nga ngjyrat e pallatit te forma e sheshit, nga pamja e parkut te emri i kullës.

    Ai nuk pyet, ai vulos. Nuk bashkëbisedon me qytetin, por e urdhëron atë.

    Tirana nuk është më qyteti i njerëzve, por galeria personale e një njeriu që ka vendosur të shkruajë historinë e pushtetit të tij në katet e njëpasnjëshme të një metropoli të ngufatur.

    Nga arkitektura e Duçes te estetizmi i Ramës, ndryshon vetëm forma, jo thelbi: kontrolli, imponimi, dhe zhdukja e mendimit ndryshe nga hapësira publike.

    Kulla-boom-i i Ramës shkon paralel me ekonominë e padeklaruar. Investigimet e medias dhe të opozitës kanë lidhur valën e ndërtimeve me pastrimin e parave nga kontrabandat, hashashi dhe oligarkët e lidhur me qeverinë. Duke përdorur PPP-të si “fshesë financiare”, Rama e ka shndërruar borxhin publik në hipotekë private të klientelës.

    Në fund të ditës, qytetet janë pasqyra të regjimeve që i qeverisin.

    Dhe Tirana sot na tregon se Shqipëria është në dorën e një pushteti që ndërton për të sunduar, jo për të shërbyer.

    Nga monumentalizmi i fasadave tek heshtja e shesheve, ajo që mungon gjithmonë është një zë: ai i qytetarit të lirë.

    Nëse ndalemi për një çast dhe pyesim veten  se kujt i shërben kjo Tiranë që po ndërtohet, përgjigjja është e thjeshtë:

    Jo qytetarit, por Duçes së kohëve moderne.

  • Misteret e Biblës: çfarë dimë vërtet për Noè?

    Misteret e Biblës: çfarë dimë vërtet për Noè?

    Noè, është i njohur nga i madh e i vogël në këtë botën tonë të sotme, si njeriu që ndërtoi një varkë kaba, e ngarkoi plot me kafshë të egra dhe i mbijetoi përmbytjes më të madhe që ka përmbytur ndonjëherë Tokën. Por pse u thirr pikërisht ai për ta bërë këtë dhe çfarë lloj njeriu ishte?

    Shfletojmë më poshtë për të mësuar më shumë rreth kësaj figure qendrore biblike në narracionin e Zanafillës për Përmbytjen e Madhe.

    Kush ishte Noè? – Noè është njeriu që i mblodhi kafshët dhe i drejtoi ato, dy nga dy, në arkën që kishte ndërtuar për Përmbytjen e Madhe.

    Njeri i drejtë – Në historinë e Përmbytjes, Noè portretizohet si një njeri i ligjshëm dhe i drejtë, një patriark që gjen hiret në sytë e Zotit.

    Botë e ligë – Në Zanafillën 6, na thuhet se ka ligësi të madhe në botë. Zoti e njeh të keqen në njerëzim, në zemrat dhe mendjet e tyre.

    Zemërimi i Zotit – Zoti vendos ta shpëtojë Tokën nga njerëzimi sepse është bërë e tmerrshme. Megjithatë, Noè konsiderohet i pafajshëm dhe i besohet një detyrë e rëndësishme.

    Përmbytja – Zoti vendos ta përmbytë Tokën, duke shkatërruar çdo formë jete nën qiej, çdo krijesë që ka brenda saj frymën e jetës. Beh…, jo të gjitha.

    Zoti bën një besëlidhje me Noè – Zoti e paralajmëron Noè për fatkeqësinë e afërt. Bën një pakt me të, duke i premtuar ta shpëtojë atë dhe familjen e tij në këmbim të një nderi.

    Ndërtimi i Arkës – I urdhëron Noè të ndërtojë një arkë, një konstrukt gjigand mjaftueshëm për të strehuar brenda tij ekzemplarë meshkuj dhe femra të të gjitha specieve shtazore në botë.

    Arka e Noè – Kështu, Noè, punon me besnikëri për të ndërtuar arkën, duke ndjekur urdhrin e Zotit. Tre bijtë e tij, Semi, Kami dhe Jafeti, e ndihmojnë për të ndërtonte anijen gjigante prej druri.

    75 vjet – Noè dhe skuadrës së tij iu deshën 75 vjet për të ndërtuar arkën. Është një kohë shumë e gjatë, kohë që e testoi durimin e Zotit deri në limite.

    Ngarkesa e çmuar – Pasi përfundimit, arka ishte gati të mbushej me ngarkesën e saj të çmuar. Anija do të shërbente si një strehë e sigurt për përfaqësuesit e të gjitha specieve të kafshëve tokësore dhe zogjve të krijuar nga Zoti.

    Furnizimet – Përveç kafshëve, arka ishte e mbushur me ushqim dhe ujë të mjaftueshëm për ditët dhe muajt në vijim.

    Fillon Përmbytja e Madhe – Teks në arkë po ngarkoheshin kafshët e fundit, nga qielli nisën të binin pikat e para të shiut, një paralajmërues i gjëmës që po vinte.

    Të gjithë në bord! – Noè, gruaja e tij, tre djemtë e tyre dhe gratë e tyre ndoqën kafshët brenda anijes dhe mbyllën dyert. Pastaj pritën.

    Mbijetesa nga përmbytja – Shtatë ditë pasi mbylljes së dyerve, qiejt u hapën. Bibla thotë se shirat që krijuan Përmbytjen e Madhe zgjatën 40 ditë (Zanafilla 7:17).

    Përmbytja e Tokës – Ujërat e përmbytjes qëndruan në Tokë për 150 ditë, e më pas u tërhoqën ngadalë.

    Arka dhe Mali Ararat – Së fundmi, arka e Noè u ndal në malin Ararat. Pak pa më shumë se një viti, toka ishte mjaftueshëm e thatë që banorët të zbrisnin.

    Rigjenerimi i natyrës – Noè i drejtoi të gjithë jashtë arkës dhe i liroi kafshët. Duke vepruar kështu, rivendosi ekosistemin global.

    Sakrifica – Adhurimi ishte një pjesë qendrore e jetës së Noè, kështu, pas përmbytjes, Noè ndërtoi një altar dhe i ofroi flijime Perëndisë, sipas Zanafillës 8:20.

    Besëlidhja tjetër me Noè – Perëndia pranoi flijimet e kafshëve dhe bëri një besëlidhje me Noè, e nëpërmjet tij me të gjithë njerëzimin, për të mos e shkatërruar tokën dhe as për ta zhdukur njerëzimin nëpërmjet një përmbytjeje tjetër.

    Ylberi – Si shenjë e premtimit, Zoti bëri që të shfaqej një ylber në qiell, garanci e dukshme e fjalës së tij.

    Njeri shumë i vjetër – Por përveç historisë së përmbytjes, çfarë tjetër dimë për Noè? Epo, që mbi të gjitha, ishte një burrë shumë i vjetër. Në fakt, sipas Zanafillës 5, ishte 500 vjeç kur u bë baba i tre djemve të tij…

    Njëri i besueshëm – Noè ishte një burrë i bindur. Fakti që e mori shumë seriozisht misionin e tij dhe ishte besnik ndaj Perëndisë dëshmon për përkushtimin e tij ndaj detyrës.

    Njeri i Bekuar – Bekimi i Perëndisë për Noè ishte një bekim që shtrihet edhe për familjen e tij, një shpërblim, nëse do ta quajmë kështu, për drejtësinë e Noè. Por në virtytin e tij pati një rënie të qartë.

    Një gotë më shumë – Pas përmbytjes, Noè mbolli një vresht duke përdorur farat e bartura në arkë. Kur filloi ta pinte, vera i ra në kokë.

    I dehur – Krejtësisht i dehur dhe në gjumë të thellë, Noè u gjet lakuriq nga djali i tij Ham, i cili shkoi t’ia tregonte të vëllezërve.

    Mbulesa – Vëllezërit e mbrojtën turpin e babait të tyre duke e mbuluar Noè, ende të dehur, me një batanije.

    Mosha e shtyrë – Dehja e Noè tregohet në Bibël dhe është dëshmi e dobësisë dhe papërsosmërisë njerëzore. Por takimi i tij i sikletshëm me alkoolin nuk i shkaktoi asnjë dëm. Noè jetoi edhe 350 vjet të tjera pas përmbytjes dhe vdiq në moshën e pjekur të 950 vjeçe.

    Burimet: (Bible Study Tools) (Answers in Genesis) (National Center for Science Education)

  • Nga Basir ÇOLLAKU – ‘Kasapi Rama’, delet e ‘therura’ nga SPAK

    Nga Basir ÇOLLAKU – ‘Kasapi Rama’, delet e ‘therura’ nga SPAK

    Delet, administratë, punonjës, votues, bien dakort me kasapin se ai do të ujdisë jetën e tyre plot gaz lumturi e hare. Deri në një ditë, në një moment, kur të mbërrijë data e therjes, datë e cila është gjithnjë oreks e kalendar i kasapit dhe jo dëshirë apo vullnet i deleve. Në përgjimet e zbardhura të një punonjësjeje të Komisionit të Prokurimeve Publike, në çështjen ku kreu i këtij Komisioni, Jonaid Myzyri, është i pandehur ndër të tjera thuhet : “punonjësit firmosin letrat, ndërsa lekët i marrin të tjerët..vajta i shërbeva si qeni, i shërbeva me sy mbyll… e du edhe pikë. E du kshtu…firmos ne, të gjithë si delet..” Po këtu nis puna për kryefjalinë e drejtësisë, ndiq paranë. Në këtë rrëfim të përgjuar del çfarë ndodh në qeverisje, si administrohet pasuria, si plaçkitet ajo. Kush janë delet, kasapi dhe çobani. Në shumë dosje të Strukturës së Posaçme në mjaft biseda të fsheta tashmë të publikuara zyrtarë të niveleve periferike, detyrohen të nënshkruajnë paligjshmëri, për të përfituar eprorët, biznesmenët e lidhur me to, thjesht për të zgjatur qëndrimin në një post shpërfillës në administratë. Myzyri paska urdhëruar vartësen, por në hierarkinë zyrtare, edhe i pandehuri ka një epror kërkues, urdhërues apo pagues. A është Belinda Balluku? Nëse po edhe ajo si zëvëndëskryeministre e ka një epror.

    A është ai Edi Rama? E kush tjetër. A duhet besuar se porosia për delëri ka shkuar nga poshtë lart, apo anasjelltas?! E dyta është e vërteta e pandryshueshme, pasi edhe fuqia urdhëruese e mbështet veprimin. Kështu për skllavërinë e bukës, trysnia, presioni, ka formatuar dele-administratën nën hyqmin e një kasapi si KM, duke përdorur vendin si livadh të tij, ndërsa çobani deri më tani punon më shumë si fasoneri. Turret me hanxhar arrestesh në dorë nëpër dele, e nuk po e sheh batërdinë e bërë nga kasapi. Rama ka shndërruar në kullotë e thertore individuale gjithë Shqipërinë, me prona me të cilat qeras miqësitë kriminale, diplomatike, sheikë, pastrues parash, organizata mafioze. Ajo çfarë rezulton si ngathtësi e trashur e hetimit, ka të bëjë me dosjet e shumta ku përmenden dhe investigohen ministra. Kryesisht nga materialet e sjellë nga partnerët, por sidomos nga ato të korrupsionit në vendin tonë.

    Sky-enchro e Matrix, janë një qeveri më vete e botës së krimit. Në miliona faqe e ca më tepër mesazhe, ku gjenden emrat e politikanëve, deputetëve, ministrave, bashkiakëve, prokurorëve, gjyqtarëve, gazetarëve, biznesmenëve, nuk ka një lëndë për tu amnistuar. Aty është një vathë ku nuk gjen më thjesht dele, por “kafshë” ortakë të kasapit në thertoren e madhe. Ndaj pandëshkueshmëria në këtë grup, është mbrojtje e përbashkët, për krimet e përbashkëta. Kjo autokraci me kahje të nxituar nga diktatura, do të vazhdojë deri kur të gjallojë edhe delja e fundit në adminsitratë në biznes, në kutitë e votimit. Megjithë pushtetin e konsumuar, kujtojmë se të tillë u bënë edhe Veliaj, Tahiri, Beqja, Koka, Bllako, e janë në shina për tiu bashkuar tufës, Balla, Mazniku, Balluku, Peleshi, Xhaçka, Vengu, Hoxha, Gonxhe..Sepse për ironi të fatit, ata kanë shef Ramën, autorin e Kurbanit..

  • Nga Luçiano Boçi – Kur regjimet sulmojnë klerikët

    Në historinë e regjimeve, nga ato komuniste te ato moderne me maska demokratike, një tipar mbizotërues ka qenë gjithmonë lufta ndaj zërit të ndërgjegjes.

    Dhe askush nuk përfaqëson më fuqishëm ndërgjegjen morale të një shoqërie sesa kleri.

    Regjimet nuk e durojnë dot një autoritet që nuk e kanë emëruar vetë.

    Ata nuk tolerojnë një zë që nuk kontrollohet, një fjalë që buron nga besimi dhe jo nga partia. Ata kanë frikë nga një altar që s’ka nevojë për licencë nga qeveria, por për liri nga Zoti.

    Regjimet moderne nuk e luftojnë klerin për arsye fetare. Ata e sulmojnë sepse kleri përfaqëson një fuqi të pakontrollueshme që mbart autoritet dhe ndikim.

    Në rastin Rama vs Dom Vlash Palaj, nuk jemi para një debat fetar apo një keqkuptim personal.

    Jo, sulmi ndaj Dom Vlash Palajt nuk është rastësor.

    Është vazhdimi i një tradite të vjetër: regjimi e patronazhistët-sigurimsa të tij duan ta kenë edhe Zotin dhe përfaqesuesin e tij në tokë, në listën e partisë.

    Jemi ne atë përplasjen klasike mes pushtetit të kalbur dhe zërit të ndershëm, mes një kryeministri që do të kontrollojë gjithçka nga vota deri te Zoti dhe një meshtari i cili guxon të flasë për realitetin që të tjerët e fshehin.

    Rama e sulmoi klerikun simbol të përkushtimit në shërbim të komunitetit, sepse Dom Vlash Palaj nuk heshti, nuk u nënshtrua, nuk tradhëtoi shërbesën e misionin e tij.

    Sepse foli hapur për dhunën ndaj banorëve të Thethit, për shembjet pa ligj, për mashtrimin e Ramës, për arrogancën e pushtetit ndaj malësorëve. Ai bëri atë që pushteti e urren më shumë: ia përplasi të vërtetën në sy.

    Dom Vlash Palaj nuk është as kundërshtar politik, as aktivist.

    Është një njeri i Zotit që refuzon të heshtë përballë padrejtësisë.

    Dhe pikërisht për këtë, bëhet armik i regjimit.

    Fjala e tij e lirë është armiku.

    Dhe kur kjo fjalë njësohet me petkun e autoritetit fetar, bëhet më e fuqishme se çdo propagandë.

    Për këtë arsye regjimet, nga Hoxha te Rama, kanë tentuar e tentojnë gjithmonë të delegjitimojnë, poshtërojnë dhe frikësojnë klerin.

    Dhe ky rast, ironikisht ndoshta i vogël për median zyrtare të Ramës, është një sinjal i madh për shoqërinë shqiptare.

    Ai na kujton se në mungesë të lirisë së fjalës e lirive politike, të drejtësisë së pavarur dhe të mediave të ndershme, kleri mbetet një nga zërat e fundit të lirisë.

    Kur pushteti nis të sulmojë edhe klerin, ai hapur kërkon të deklamojë se ka ndërtuar një republikë të frikës dhe të arrogancës.

    Dom Vlash Palaj nuk është thjesht vetëm një prift.

    Ai është zëri i një komuniteti që nuk pranon të nënshtrohet. Ai është kujtesa e një Shqipërie që nuk shet shpirtin për interesa e aq më pak nga terrori, as hesht për vendime të paligjshme.

    Kleri i vërtetë nuk është me pushtetin, por me të vërtetën.

    Ndaj sulmi ndaj tij është tregues i qartë: kemi të bëjmë me një regjim që po humbet kontrollin dhe që ka frikë nga gjithçka që nuk e komandon dot.

    Sepse kur kleriku bëhet armiku i pushtetit, është pushteti ai që mbart mëkatin dhe përfaqëson të keqen e djallin.

  • Nga Agim XHAFKA – Drejtorët pa bythë

    Këto ditë u shfaq filmi rilindas: “Drejtorë të të gjithë bashkive: Shporruni!” E pa gëk e mëk, pa gjys fjale një hordhi njerëzish që paguhen nga taksat, që marrin rroga të majme, që kanë dhe shoferë, vetura dhe të tjera e të tjera dorëzuan çelësat. E me njëri-tjetrin zëmekur bëjnë pyetjen pa përgjigje:

    Ore, po pse na hoqi? Ç’i bëmë? Sa herë na thoshin firmosni ne vëp firmën, sa herë na thoshin gjobisni ne vëp gjobën! Ç’patën pra me ne?

    U mbush java që inceniratori i Ramës i futi te furra dhe i dogji qindra drejtorë. Si të qenë ashkla drurësh. Si bajga të thata. Një zjarr bubulak, as hiri nuk u ngeli.

    Populli më nuk tronditet e as çuditet. Ka mbi 80 vite që sheh të njëjtin film. Rritet varfëria fap shkon në burg një ministër, vidhet një copë atdhe fap bëhen ndërrime komisarësh.

    S’ka ujë Fierza fap krisin zjarret pyjeve.

    Ndaj dorëhiqet drejtori i Dibrës se shezlongët në Himarë nuk paguajnë kuponë. Dorëhiqet drejtori i Belshit se nuk ka më belushka në restorantet e Pogradecit.

    Drejtorët shqiptarë treguan se janë pa bythë. Term i përdorur për njerëz pa karakter. Frikacakë nga që janë vetë hajdutë, ose nga që atë post nuk e kanë merituar. Ua kanë dhuruar. Ikën si tufë bagëtish. I vuri para çobani. As blegërima nuk guxuan të lëshojnë.

    Rama rri para tastierës së kompjuterit. I vendos në ekran gjithë drejtorët e Shqipërisë dhe sa bëhet gati të shtypë “Delete” i luten po vetë drejtorët:

    -Mos e lodh gishtin o komandant, ikim vetë ne. Ikim pa zhurmë, pa bujë, pa fjalë. Ikim si një fllad ere në këtë zhegun e verës…