Blog

  • Shqipëria në prag të kolapsit: nga mungesa e ujit te e dritave, nga shndërrimi në kryeqendrën e drogës në Evropë e deri te mungesa e të ardhmes për rininë

    Shqipëria në prag të kolapsit: nga mungesa e ujit te e dritave, nga shndërrimi në kryeqendrën e drogës në Evropë e deri te mungesa e të ardhmes për rininë

    Prej vitesh, opinioni publik shqiptar është tronditur herë pas here nga lajme për zjarrëvënie masive, shpyllëzime të qëllimshme dhe dëmtime të natyrës. Por, nëse ndalemi vetëm tek flakët dhe pasojat e tyre, rrezikojmë të mos shohim tablonë e plotë të krizës së shumëfishtë që po kalon vendi. Shqipëria nuk po digjet vetëm nga zjarret, por edhe nga një sërë problemesh më të thella, që prekin çdo cep të jetës së qytetarëve.

    Kriza e ujit: një vend i pasur me burime, por i etur si në shkretëtirë

    Keni dalë në Tiranë, në kryeqendrën e Shqipërisë? Mjafton të bëni një shëtitje rreth prëve të paradites dhe të pasdrekës. Pika e ujit nëpër çezmet e kryeqytetasve. Shkoni në rrugën Myslym Shyri, apo Aleksandër Moisiu, kaloni nëpër lagjet stërmëdha të Kombinatit apo Kinostudios dhe Ali Demit. Do t’i shihni dhe provoni në lëkurën tuaj! Dhe kur kjo ndodh në mesin e mesit të Shqipërisë, kjo vetëm 1000 metër larg ndërtesës së kryeministrit të gjatë e me syze të kuqe, imagjinoni çfarë ndodh në pjesët e tjera rurale! Në një vend të pasur me burime ujore, qindra mijra qytetarë shqiptarë përballen ende me ndërprerje të vazhdueshme të furnizimit me ujë të pijshëm. Në disa zona uji mungon me ditë të tëra, duke detyruar banorët të mbushin bidonë nga burime të pasigurta. Ky realitet është një ironi e hidhur për një vend që konsiderohet “i bekuar” nga natyra, por i mallkuar nga keqmenaxhimi.

    Errësira e shekullit XXI: mungesa e dritave që ka fikur përfundimisht premtimet e socialistëve

    Edhe pse menduam se ia dolëm, sot, në shekullin XXI, ende një pjesë e shqiptarëve vazhdon të përjetojë ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike. Mungesa e dritave nuk është më vetëm një bezdi e përditshme, por një tregues i prapambetjes infrastrukturore dhe mungesës së investimeve serioze në rrjetin energjetik. Bizneset vuajnë, familjet jetojnë në pasiguri, ndërsa zyrtarët japin premtime që nuk realizohen kurrë.

    Pasiguria totale: të jetosh mes frikës dhe krimit të organizuar

    Krimi i organizuar dhe mungesa e sigurisë publike po i japin një tjetër dimension krizës. Nga vrasjet me porosi, tek grabitjet e dhunshme, qytetarët ndihen gjithnjë e më të pambrojtur. Policisë shpesh i mungon kapaciteti dhe ndonjëherë edhe vullneti për t’u përballur me fenomenin, duke lënë hapësirë për një klimë frike dhe mosbesimi.

    Shqipëria karteli i ri i Evropës: nga kanabisi tek kokaina

    Një nga shqetësimet më alarmante është roli i Shqipërisë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Raporte të shumta ndërkombëtare e cilësojnë vendin si një nyje të rëndësishme të krimit të organizuar në Evropë. Fushat e kanabisit të viteve të shkuara u shndërruan në një simbol të mungesës së shtetit, ndërsa sot, rrjetet kriminale shqiptare janë bërë aktorë të mëdhenj në tregun evropian të kokainës dhe heroinës. Kjo jo vetëm që dëmton imazhin e vendit, por edhe minon të ardhmen e një brezi të tërë.

    Kriza e shumëfishtë që ve në rrezik të ardhmen e shqiptarëve

    Problemet që po kalon Shqipëria nuk janë thjesht çështje të përditshme, por simptoma të një krize të thellë shoqërore, ekonomike dhe institucionale. Zjarret, mungesa e ujit dhe dritave, pasiguria dhe rritja e ndikimit të narkotrafikut janë hallka të një zinxhiri të rrezikshëm, që po e zhyt vendin në një terren gjithnjë e më të brishtë.

    Nëse këto sfida nuk luftohen me politika të forta, me institucione të përgjegjshme dhe me vullnet të vërtetë politik, rreziku më i madh është që Shqipëria të shndërrohet jo vetëm në bazë të narkotikëve në Evropë, por edhe në një shembull tragjik të një shteti që u rrëzua nën peshën e vetë problemeve të tij.

  • Nga Basir ÇOLLAKU – Politizimi i krimit dhe kriminalizimi i ekonomisë

    Nga Basir ÇOLLAKU – Politizimi i krimit dhe kriminalizimi i ekonomisë

    Janë dy nga rrënimet e mëdha të ndodhura në Shqipëri, në këto 12 vite, me një gjeografi e shpejtësi të frikshme. Kanë lidhje të pashmangshme bashkë. Me synim të vetëm pushtetin Rama gjeti lehtësinë e zgjidhjes me ofrimin e kandidaturave me telashe të rënda penale, si votëblerës e votëmarrës të dhunshëm, me ekipet e tyre të botës së paligjshme.

    Në fitoren e 2013-ës, mazhoranca e Rilindjes futi në Kuvend rreth 20 deputetë, persona të inkriminuar. Ishin ata prodhues me peshë të fitores së Ramës. Kjo martesë nuk do të kishte divorc. Ligji i dekriminalizimit erdhi me presionin e fortë të opozitës PD, dhe ndërkombëtarëve, të njohur me rastet konkrete.

    Rama krijoi politizimin e krimit duke veshur përfaqësues bandash me mandat deputetësh, kryebashkiakësh. Zgjatimi përfshiu administratën, policinë, drejtësinë. Kapja e plotë ndodhi. Tani ishte radha e shpërblimit. Mosndëshkim nga drejtësia dhe përfitime ekonomike. Reforma në drejtësi vënia e saj në duart e Ramës ishte garancia e dhënë KM nga aktorë ndërkombëtarë, kryesisht Soros.

    Mafia dhe Krimi i Organizuar shqiptar me mbështetjen e zyrave publike u forcuan e morën terren jashtë vendit. Trafiku i kokainës nisi të prodhojë qindra milionë e miliarda euro. Krimi shqip u bë dorë e parë sinonim i kokainës në Kolumbi, Venezuelë. Ekuador, Brazil, Bolivi. Nuk mungoi rritja e djemve problematikë të Londrës, Evropës, Dubait. Shtegu i pastrimit të parave u bënë ndërtimet në Tiranë dhe bregdetin shqiptar. Me miliarda.

    Pallate, hotele, risorte, offshore, u bë një çorbë kriminale në zyra qeverie. Ndranghetta, Sinaloa, Cosa Nostra, Camorra e mjaft organizata të botës së krimit zgjeruan aktivitetin në Shqipëri. Ats po mrrrnin gjithnjë e më shpesh tendera duke formalizuar paranë me punë publike. Mafia gjeti rrugën për të hyrë kështu edhe në buxhetin e shtetit dhe vijuar mbylljen e shtimin rrethit sasior e cilësor. Shtabet elektorale të Rilindjes ishin hibridi më i keq i menduar.

    Deputetë, ministra, trafikantë, vrasës, bashkiakë, biznesmenë, prokurorë, gjyqtarë, oficerë policie. Të gjithë në një ekip. Nuk mungonin medie dhe gazetarë. Dosjet e ardhura nga partnerët, sidomos pas zbërthimit të komunikimeve të koduara të sky-enchro e konfirmuan në detaje këtë lidhje.

    Krerë bandash sipas përgjimeve emëronin e shkarkonin drejtues policie, prokurorë e gjyqtarë, bash në zemër të reformës euroatlantike. Nderet këmbeheshin.

    Investitorë strategjikë nga bota e kokainës u shtuan. Lejet për të pastruar e punuar merreshin nga zyra e kontrolluar nga Edi Rama. Ata shtuan emrat në politike e investimet në ekonomi. Thelluan politizimin e krimit dhe kriminalizimin e ekonomisë. Në zgjedhjet e 11 majit 2025 ata arritën të krijojnë grupin e tyre parlamentar. Tani nuk i kontrollon më as dhënësi i licencave të para, kryeministri. E kundërta ndodh Ai korruptoi FBI, zyrtarë të.saj drejtues.

    Të lidhur me oligarkë rus të sanksionuar. I bëri bashkë në Shqipëri e më tej. DEA hapi zyrë në Tiranë. USAID u mbyll por të dhënat amerikane dëshmuan skemën e dështimit të drejtësisë e përdorjes së saj politikisht për interesa të diktuara nga Rama.

    Soros, një qelizë kancerogjene për vendin u bë strumbullari. Ekonomia jonë varur nga eksport-import, hashash kokainë, nuk prodhon gjë tjetër. Shtesë u bë eksodi. Shkombëtarizimi. Edhe një dorë para, për ne ishin konsiderueshëm mbi 100 milionë euro, për ti dhënë takat bujqësisë, u shpërndanë nëpër grupe gri e të zeza.

    BE ndali financimin. Jemi bërë kurorë e raporteve të CIA, DEA, DIA, Eurojust. Shumë ministra, deputetë, e pushtetarë vendorë janë ushtarë të krimit sepse mandatet i kanë fituar bashkë. Maduro ka binjak Ramën. Por ai mori vëmendjen e duhur amerikane.

    Ne nuk nuk duhet të presim kur i vjen radha Ramës nga USA apo perëndia. Edhe hoxhën, Zoti e shënoi të hidhej nga minareja, por një dorë ia dha edhe robi që e kishte zënë halli me të. Pa atë dorë nuk do të kishte ndodhur. Së paku në atë kohë. SPAK nuk është ende ajo dorë e munguar…

  • Këtu po ndërtojnë aeroportin më të madh të realizuar ndonjëherë

    Këtu po ndërtojnë aeroportin më të madh të realizuar ndonjëherë

    Etiopia po përgatitet të mikpresë një nga qendrat aeroportuale më imponuese dhe strategjike të planetit. Në periferi të kryeqytetit, Addis Ababa, do të ndërtohet Aeroporti i ri Bishoftu, i destinuar të bëhet aeroporti më i madh i Afrikës dhe një nga qendrat kryesore më të mëdha botërore të trafikut ajror.

    Projekti, rezultat i një bashkëpunimi midis Ethiopian Airlines dhe Bankës Afrikane të Zhvillimit, premton të revolucionarizojë lidhjen ajrore të kontinentit, të stimulojë ekonominë lokale dhe të tërheqë udhëtarë nga çdo pjesë e botës.

    Aeroporti i Bishoftu shënon fillimin e një epoke të re për transportin ajror afrikan. Me numra rekord, një rol strategjik në nivel ndërkombëtar dhe një nxitje të fortë për zhvillimin ekonomiko lokal, ky mega-projekt mund ta transformojë Etiopinë në një nga qendrat kryesore të aviacionit në botë. Në vitet e ardhshme, miliona udhëtarë mund të kalojnë këtej, duke zbuluar jo vetëm një infrastrukturë në avangardë, por edhe një kontinent që po përjeton rritje të shpejtë dhe plot mundësi.

    Një projekt rekord: aeroporti i ri i Bishoftu

    Aeroporti i ri i Bishoftu do të lindë në Abusera, rreth 40 kilometra në jug të Addis Ababa, Etiopi dhe do të përfaqësojë projektin infrastruktural më ambicioz të kontinentit afrikan në fushën aeroportuale.

    Me një kapacitet fillestar prej 60 milionë pasagjerësh në vit, që mund të zgjerohet deri në 110 milionë, do të jetë një gjigant i vërtetë i aviacionit. Për të dhënë një ide të dimensionit së tij, Aeroporti aktual Ndërkombëtar i Bole – i cili do të integrohet në qendrën e re – menaxhon afërsisht 25 milionë pasagjerë në vit: aeroporti i ri do ta katërfishojë këtë volum.

    Kostoja e përgjithshme e projektit vlerësohet në 10 miliardë dollarë (afërsisht 8.3 miliardë euro) dhe ndërtimi pritet të nisë në fund të vitit dhe të zgjasë pesë vjet.

    Iniciativa mbështetet nga Banka Afrikane e Zhvillimit, e cila do të ofrojë një kredi fillestare prej 500 milionë dollarësh dhe do të koordinojë mbledhjen e fondeve të nevojshme për të kompletuar financimin.

    Përtej dimensioneve, aeroporti i ri do të jetë zemra e një aerotropoli të vërtetë: një zonë urbane dhe logjistike e integruar, e projektuar për të favorizuar zhvillimin ekonomik të rajonit, për të përmirësuar infrastrukturat dhe për të gjeneruar dhjetëra mijëra vende pune. Ky kompleks do të përfshijë struktura për trafikun e pasagjerëve dhe mallrave, duke nxitur të gjithë sektorin e transporteve dhe të transporteve detare të Afrikës.

    Një qendër strategjike për Afrikën në botë

    Aeroporti i ardhshëm Bishoftu nuk do të jetë vetëm një projekt infrastrukturor imponent, por edhe një gateway panafrikan i nivelit botëror. Sipas Mesfin Tasew, CEO i Ethiopian Airlines, ky projekt përfaqëson një hap vendimtar drejt përmirësimit të lidhjes ajrore, promovimit të tregtisë brenda Afrikës, nxitjes së turizmit dhe forcimit të integrimit rajonal.

    Strategjikisht, qendra do ta pozicionojë Etiopinë si një zonë qendrore në udhëtimet ajrore botërore, falë vendndodhjes së saj të favorshme gjeografike për lidhjet midis Afrikës, Evropës, Lindjes së Mesme dhe Azisë.

    Ethiopian Airlines, lider aktual kontinental në sektor, do të mundë kështu të zgjerojë operacionet e saj ndërkombëtare duke mbajtur Aeroportin Bole të dedikuar kryesisht për fluturime vendase.

    Akinwumi Adesina, President i Bankës Afrikane të Zhvillimit, e ka quajtur iniciativën si “një moment transformimi jo vetëm për Ethiopian Airlines dhe për Etiopinë, por për të gjithë kontinentin”. Në fakt, projekti shkon përtej transportit të thjeshtë ajror: ai synon të përforcojë pozicionin e Afrikës në ekonominë botërore duke tërhequr investime, duke nxitur inovacionin dhe duke krijuar mundësi të reja zhvillimore.

    Përgatiti për gazetatjeter.net, Dardan MITROVICA

  • Do një Pagani? Nuk mjafton të jesh i pasur: ja si bëhesh klient i markës më ekskluzive në botë

    Do një Pagani? Nuk mjafton të jesh i pasur: ja si bëhesh klient i markës më ekskluzive në botë

    Të kesh një Pagani është shumë më tepër se një blerje: është një eksperiencë që nis vite përpara dorëzimit të makinës dhe kërkon diçka që shkon përtej disponueshmërisë financiare. Sipas Horacio Paganit, themeluesit të markës emiliane, i intervistuar në podcastin e Gazzoli-t “Passa dal BSMT”, paratë janë vetëm një nga variablat, madje as më e rëndësishmja.

    Më shumë sesa klientë, anëtarë të një familjeje

    Kush dëshiron të blejë një nga hypercar më ekskluzive në botë – si Huayra ose Utopia – duhet të bëhet pjesë e “familjes Pagani”. Dhe kjo do të thotë të jesh pjesë aktive e një komuniteti që ndan vlera si bukuria, arti, kultura e dizajnit dhe vëmendja obsesive ndaj detajeve. “Nuk është vetëm pasuria ajo që shikojmë”, shpjegon Pagani, “por personi në tërësi: shija, idetë, humaniteti”.

    Shumë klientë janë të afeksionuar prej dekadash, shpesh në zotërim të disa ekzemplarëve. Atyre u jepet përparësi absolute për modelet e reja. Por edhe blerësit e rinj, nëse përzgjidhen, duhet të demonstrojnë një ndjeshmëri të veçantë, një lidhje të vërtetë me filozofinë e kompanisë.

    Çdo makinë është një vepër arti

    Pagani nuk prodhon makina në seri. Çdo eksemplar është një projekt unik, i modeluar sipas dëshirave të klientit. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për ngjyrat apo detaje të vogla: disa makina lindin nga bashkëpunimet me artistë dhe artizanë, nga kërkesa të pazakonta apo nga frymëzime personale.

    Një shembull? Një makinë e ngjyrosur “Pink Panther” apo një model special i realizuar në bashkëpunim me Bulgari, i dekoruar me detaje diamanti dhe e përpunuar me dorë nga tre artistë përgjatë muajve. Makina është vetëm thjesht një makinë: ajo është manifestimi i identitetit të klientit.

    Makthi i spekulimeve

    Ekskluziviteti rimon me dëshirueshmërinë, por edhe me rrezikun e spekulimeve. Për këtë motiv, Pagani e përzgjedh me kujdes se kush mund të bëhet klient i tij: asnjë flipper supercar, d.m.th., blerës që menjëherë i rishesin makinat për çmime astronomike. Shtëpia prodhuese monitoron rrjetin global të koncesionarëve të saj për të shmangur raste të tilla, të cilat do të dëmtonin imazhin dhe koherencën e markës.

    Pritja? Deri në katër vjet

    Kush hyb në rrethin shumë të ngushtë të fatlumëve duhet të armatoset me durim: prodhimi i një Pagani kërkon tre deri në katër vjet. Një kohë e gjatë, por e nevojshme për të garantuar që çdo detaj të jetë perfekt dhe që procesi kreativ të pasqyrojë plotësisht nevojat e klientit.

    Dorëzimi si ritual

    Eksperienca Pagani kulmon me një event të papërsëritshëm: dorëzimin e makinës. Jo vetëm një dhënie e thjeshtë çelësash në koncesionar, por një ceremoni e vërtetë festive e personalizuar ku Horacio Pagani dhe team i tij mblidhen për të nderuar klientin. Ka muzikë live (të zgjedhur nga blerësi), një tendë të ndërtuar me porosi, një piano dhe teknikët dhe artizanët që morën pjesë në projekt.

    “Falënderojmë klientin që na dha mundësinë të realizojmë këtë makinë”, thotë Pagani. “Është një moment emocional, konkluzioni i një rrugëtimi të bërë së bashku. Më pas, makina vazhdon udhëtimin e saj me të”.

    Materiali është përgatitur nga bashkëpunëtorë të jashtëm të gazetatjetër.net

  • Qafë-Valmiri, 17 gusht 1949 – Dita kur Mirdita u gjunjëzua me gjak

    Qafë-Valmiri, 17 gusht 1949 – Dita kur Mirdita u gjunjëzua me gjak

    Rruga dredhon mes maleve të Mirditës. Ajri i freskët mbart ende aromën e pishave dhe gjethnajës së dendur. Në Qafë-Valmir, ndihet se ky vend mban brenda tij një peshë të rëndë, një heshtje që nuk është thjesht e natyrës, por e historisë. Banorët e zonës, kur përmendet emri i saj, ngrenë kokën dhe heshtin për pak sekonda, sikur të kthenin mendjen pas në kohë.

    Një ditë vere që u mbulua nga errësira

    Ishte 17 gushti i vitit 1949. Qielli mbi Mirditë ishte i ndriçuar nga dielli i verës, por atmosfera ishte e zymtë. Banorët u urdhëruan të dilnin nga shtëpitë dhe të shkonin në Qafë-Valmir. Të gjithë duhej të shihnin “drejtësinë popullore”. Qindra, më pas mijëra vetë u mblodhën rreth një gropë të madhe, të hapur posaçërisht për trupat që do të binin aty.

    Të prangosur dhe të lodhur nga ditët e hetuesisë, 14 burra të Mirditës u sollën para turmës. Disa ishin të rinj, të tjerë në moshë. Asnjëri prej tyre nuk kishte gjak mbi duar. Akuzat ishin të mjegullta: “bashkëpunëtorë të të arratisurve”. Vendimi, megjithatë, ishte i prerë që më parë.

    “Spektakli i frikës”

    Katër prej tyre u ndanë nga të tjerët. Preng Dedë Gjomarkaj, Pjetër D. Vila, Dodë Mark Biba dhe Pjetër Paloka. Një litar i trashë u hodh mbi qafën e secilit. Turma u shua në heshtje, fëmijët qanin, gratë mbanin duart mbi fytyrë. Litarët u shtrënguan, dhe trupat mbetën pezull në ajër. Ishte një shenjë paralajmëruese: “Ja çfarë ndodh me ata që nuk binden.”

    Ndërkohë, dhjetë të tjerë u rreshtuan pranë gropës. Breshëria e armëve shpoi ajrin. Trupat e tyre ranë një nga një mbi dheun e hapur. Dëshmitarët kujtojnë se disa ende lëviznin, të gjallë, kur ranë mbi njëri-tjetrin.

    Një popull i tërë i gjunjëzuar

    Mirdita nuk humbi vetëm 14 burra atë ditë. Pas ekzekutimeve, qindra të tjerë u arrestuan. Rreth 300 familje u internuan në kampet e përqendrimit të Tepelenës dhe Lushnjës. Fshatra të tëra mbetën pa burra, pa djem, pa shtylla që mbanin jetën e përditshme.

    “E kujtoj sikur të ishte dje,” – tregonte vite më vonë një grua nga Kaçinari. – “Na morën burrat para syve, e ne mbetëm me fëmijët e vegjël. Qava aq shumë, sa më thanë sytë. Por lotët nuk mbaruan kurrë.”

    Qielli që qau me njerëzit

    Legjenda urbane e Mirditës thotë se atë ditë, ndërsa trupat binin mbi gropën e përbashkët, qielli u mbulua papritur nga re të zeza. Një stuhi e rrufeshme shpërtheu mbi Qafë-Valmir, dhe mbi malet ra breshër e borë, në mes të gushtit. Banorët e morën këtë si një shenjë hyjnore: natyra vetë po qante me ta.

    Kujtesa që nuk shuhet

    Sot, pas më shumë se shtatë dekadash, Qafë-Valmiri është ende vend pelegrinazhi për të afërmit dhe pasardhësit e viktimave. Emrat e tyre janë skalitur në memoriale, janë përmendur në ceremoni zyrtare, por dhimbja mbetet e pashuar. Asnjëherë nuk u tregua ku prehen kockat e tyre, asnjëherë nuk u kërkua falje nga ata që dhanë urdhrat.

    Kur qëndron në atë qafë, mes maleve që duket se flenë, dëgjon një zë të brendshëm që pëshpërit: këtu nuk është thjesht një vend, por një kujtesë. Një kujtesë e gjallë për terrorin e një kohe kur jeta e njeriut vlente më pak se një urdhër partie.

  • 15 minuta në ditë vlejnë më shumë se tre orë ecje: studimi i habitshëm

    15 minuta në ditë vlejnë më shumë se tre orë ecje: studimi i habitshëm

    Vetëm 15 minuta ecje e shpejtë në ditë mund të zvogëlojnë me 20%, rrezikun e vdekjes: e zbulon një studim i habitshëm

    Mjaftojnë vetëm 15 minuta në ditë për të patur të njëjtat efekte si ato të mbi tre orë ecjeje. Çfarë? Jo vetëm një shëtitje e thjeshtë dhe e relaksuar, por ecje e shpejtë me një ritëm të shpejtë. Sipas një studimi të kohëve të fundit të botuar në American Journal of Preventive Medicine, ecja e shpejtë, qoftë edhe një çerek ore në ditë, shoqërohet me përfitime shëndetësore të krahasueshme me – dhe në disa raste edhe më të larta se – ato të orëve ecjeje së ngadaltë. Tani, s’na mbetet veçse të zbulojmë përse.

    Ecja e shpejtë, më e mirë se ecja e ngadaltë? Pse ritmi ka më shumë rëndësi se kohëzgjatja

    Le ta marrim gjërat hap pas hapi dhe t’ia nisim nga fillimi, duke thënë se mesazhi i studimit është mjaft i qartë: intensiteti i aktivitetit fizik mund të bëjë diferencën. Duke analizuar të dhënat e Southern Community Cohort Study – një studim i madh që ka ndjekur për gati 17 vjet rreth 85,000 persona, në pjesën më të madhe afrikano-amerikanë dhe me të ardhura të ulëta – studiuesit kanë zbuluar se 15 minuta ecje e shpejtë në ditë ulte me 20% rrezikun e vdekjes nga të gjitha shkaqet. Nga ana tjetër, më shumë se tre orë ecje e përditshme e ngadaltë kanë rezultuar me një ulje prej vetëm 4%.

    Efekti i përgjithshëm ishte edhe më i theksuar në rastin e sëmundjeve kardiovaskulare karshi shkaqeve të tjera të vdekshmërisë, siç është kanceri.

    Ndër të tjera, autorët e studimit theksuan edhe një detaj tjetër: shpejtësia e ecjes mund të jetë një tregues kyç i gjendjes fizike dhe shëndetit kardiovaskular, më i rëndësishëm se sasia e kohës së kaluar duke ecur. Nuk bëhet fjalë për të minimizuar përfitimet e shëtitjeve me ritëm të ngadaltë, por për të mësuar se për një impakt domethënës mbi jetëgjatësi, një hap i vendosur është një aleat i vlefshëm.

    Një zbulim që mund t’i ndryshojë përgjithmonë zakonet tona

    Puna e studiuesit që çuan përpara këtë studim është menduar hartuan për të mbushur një boshllëk në studimet mbi aktivitetin fizik, shpesh të zhvilluara mbi persona me të ardhura të mesme-të larta e të etnisë së bardhë.

    Ndërsa duke u përqendruar mbi një kampion socioekonomik të ndryshëm, mundëson të zgjerohet kuptimi i efekteve të lëvizjeve në kontekstin e një jete më komplekse, ku mundësitë për të bërë sport të rregullt mund të jenë të kufizuara.

    Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se hulumtimi ka disa limite: shpejtësia dhe kohëzgjatja e ecjes janë sjellë nga vetë pjesëmarrësit dhe për këtë arsye mund të ketë edhe pasaktësi.

    Do të nevojiten padyshim studime të ardhshme me matje objektive për të konfirmuar rezultatet. Sidoqoftë, mesazhi praktik është i thjeshtë dhe i arritshëm nga të gjithë: edhe kush ka pak kohë mund ta përmirësojnë shëndetin duke i kushtuar një hapësirë të shkurtër kohore të përditshme një aktiviteti fizik më intensiv.

    Edhe sepse vetë udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë rekomandojnë të paktën 150 minuta aktivitet fizik të moderuar ose 75 minuta aktivitet intensiv në javë. Ecja e shpejtë mund t’i përshtatet plotësisht këtyre udhëzimeve, duke përfaqësuar një zgjidhje të arritshme dhe totalisht falas për miliona njerëz.

    Qoftë gjatë udhëtimit, apo gjatë një pushimi dreke, apo një shëtitje të shkurtër në mbrëmje, ato 15 minuta me ritmin e duhur mund të jenë një investim i vlefshëm afatgjatë për shëndetin. Nuk kushtojnë vërtetë asgjë dhe mund të bëjnë një diferencë të madhe, shumë të madhe për shëndetin tonë.

  • Nga Kim MEHMETI – Elitat maqedonase kryesisht përbëhen nga bullgarë e shqiptarë ortodoks të serbizuar!

    Republika e Maqedonisë së Veriut është shtet i paqartësive. Kështu për shembull, edhe sot e kësaj dite është e paqartë përqindja e saktë e shqiptarëve të këtushëm dhe nuk dihet nëse ata janë aq saç thonë për vetveten – diku mbi 40 për qind- apo aq saç duken si potencial politikë – edhe më pak se romët?!

    Siç është e paqartë për shembull edhe nëse ata që vetveten sot e quajnë maqedonas, e që ‘certifikatën e lindjes’ e ndryshojnë sezonalisht,  janë pasardhës të sllavëve të jugut, apo nipër të Aleksandërit të madh dhe të ushtarëve të tij që e pushtuan Babilonin?!

    Maqedonia e Veriut është vend ku qytetarët e etnive të ndryshme e gënjejnë njëri tjetrin, si për shembull shqiptarët, të cilët në paraqitjet publike dhe nga foltorja e parlamentit thonë se e duan këtë vend dhe maqedonasit në të, por nëpër ‘odat e burrave’ dhe nëpër këngët e kënduara me qifteli me dy tela thonë se nuk mund ta duash shtetin që çdo katër vjet të kthen atje ku ke qenë para katërdhjetë viteve dhe popullin të cilit i je i mirë vetëm si i vdekur?!

    Ndërkohë ata që vetveten sot e quajnë maqedonas, publikisht dhe sa për sy e faqe thonë se duan të ndërtojnë shtet të barabartë për të gjithë që jetojnë në të, por pasi e pinë birrën e tretë dhe në biseda të mbyllura ‘intelektuale’ e thonë se s’ka ç’të duhet shteti që duhet ta ndash me shqiptarët që nuk pranojnë të mbeten atë për çka kanë nevojë maqedonasit: druvarë, barinj dhe kopshtarë?!

    Maqedonia është edhe shtet i çudirave ku më e çuditshme është sjellja e politikanëve shqiptarë, të cilët ose janë idiot që nuk e kuptojnë, ose qyqarë që kanë frikë ta thonë se elitat maqedonase kryesisht janë të përbëra nga bullgarë e shqiptarë ortodoksë të serbizuar. E të cilët, për ta fshehur përkatësinë e vërtet etnike, mbulohen me një urrejtje të egër ndaj bullgarëve dhe shqiptarëve.

    Duke qenë Republika e Maqedonisë Veriore atdhe i paqartësive, i gënjeshtrave dhe çudirave, ajo me asgjë nuk i ngjanë një shteti normal. Dhe si e tillë ajo mbase edhe vështirë se do mund ndonjëherë të bëhet shtet i mirëfilltë ku asnjëri nuk do këto nevojë as të vetëgënjehet, as t’i gënjejë të tjerët.

  • E dashur makinë, sa më kushton? Pse e quajmë artikull luksi

    E dashur makinë, sa më kushton? Pse e quajmë artikull luksi

    Nuk kemi shpikur rrotën po të themi duke thënë se blerja e një makine sot, veçanërisht e një të reje, është një shpenzim i madh për xhepat tanë. Angazhimi ekonomik është i konsiderueshëm dhe, duke marrë parasysh kohështrirjen në të cilën një personi i zakonshëm vozit gjatë jetës së tij dhe makinat që ndërron, mund të kushtojë më shumë se një shtëpi. Kanë menduar gjermanët e ADAC dhe Bundesamt für Statistik, Zyra Federale e Statistikave, për të bërë një vlerësim. Kështu, në një periudhë 54-vjeçare, nga mosha 18 vjeç kur njeriu merr lejen e drejtimit të autos e deri në moshën 72 vjeçare, mesatarisht, njerëzit blejnë tri makina të reja dhe pesë të përdorura. Kjo mund të mos jetë kështu për të gjithë, por mesatarisht funksionon ky lloj trendim, që aktualisht, në të ardhura kushton rreth 500,000 €, ose 9,000 € në vit.

    Në fakt, ADAC përfshin në këtë kosto edhe mirëmbajtjen dhe të gjitha kostot aksesore. Pra, 500,000 € kundrejt 340,000 €, që është vlera mesatare e një shtëpie familjare prej 120 metrash katrorë. Edhe një herë, theksohet rritja pothuajse e pashpjegueshme e çmimeve të blerjes së automjeteve, të cilat që nga 2012-a janë rritur me 91%: nëse më parë 116,900 ishin të mjaftueshme për të blerë një makinë në harkun e gjithë jetës, tani shifra është rritur në 223,600 euro. Paralelisht janë rritur:

    • Sigurimet (+35%)
    • Mirëmbajtja (+44%)
    • Karburanti (+8%)
    • Kostot e larjes dhe produkteve për makina (-20%).

    Kjo tendencë penalizon në mënyrë të veçantë citycar, makinat qytetase, dhe makinat kompakte, dikur të konsideruara si zgjedhje ekonomike, por tani më të shtrenjta për shkak të zhdukjes së modeleve të përballueshme dhe futjes së teknologjive të shtrenjta: çmimi i blerjes së tyre është rritur me 94%.

    Studimi thekson gjithashtu se, për ata që ndërrojnë shpesh auto, marrin makinë me qira afatgjatë ose leasing, kjo mund të rezultojë ekonomikisht më efektive sesa blerja: në harkun e 54 viteve, kostoja mesatare do të ishte 191,200 euro, krahasuar me 223,600 euro që nevojiten për të blerë një makinë. Shkurt, makina është tashmë një nga shpenzimet më të rënda në jetën e një personi dhe efektet vërehen në tregun e makinave, i cili nuk është rikthyer në një trend pozitiv prej një kohe të gjatë.

    Materiali u përgatit për gazetatjeter.net, nga bashkëpunëtorë të jashtëm

  • ‘Unë e pashë çfarë ka në jetën e përtejme’: e vdekur për 8 minuta, rrëfimi tronditës. Çfarë pa zonja në botën e misterit?

    ‘Unë e pashë çfarë ka në jetën e përtejme’: e vdekur për 8 minuta, rrëfimi tronditës. Çfarë pa zonja në botën e misterit?

    Klinikisht e vdekur për 8 minuta, një grua rrëfen çfarë pa në jetën e përtejme: një përvojë tronditëse që i ndryshoi jetën përgjithmonë

    Për tetë minuta të tëra, zemra e një gruaje pushoi së rrahuri dhe ajo pa se çfarë ka në jetën e përtejme. Ajo që po ju tregojmë sot është historia e vërtetë e një gruaje amerikane, e goditur nga një patologji e rrallë neurologjikë, që e gjeti veten në një vend që sfidon çdo logjikë dhe kuptim. Rrëfimi i saj, intensiv dhe vizionar, ka ndryshuar rrënjësisht perceptimin që kishte për jetën… dhe vdekjen. Nuk na mbetet veçse ta zbulojmë së bashku.

    Udhëtimi përtej trupit dhe përtej kohës i gruas “së vdekur për 8 minuta”

    Le t’i marrim gjërat me rradhë dhe t’ia nisim nga fillimi. Kjo që po ju tregojmë është historia e Brianna Lafferty, 33 vjeç, që ka bashkëjetuar për vite të tëra me një mioklonus distonik, një çrregullim i rrallë që shkakton spazma muskulore dhe dhimbje dobësuese. Pas ditësh pagjumësie ekstreme, trupi i saj u dorëzua. Madje, në spital, rrahjet e zemrës së saj në fakt pushuan së rrahuri dhe, për tetë minuta, ishte klinikisht e vdekur.

    Por pikërisht këtu fillon pjesa interesante. Brianna ka treguar se pati perceptuar shpirtin e saj duke u shkëputur nga trupi, duke u ngjitur lart e lart, derisa hyri në një dimension të pafundtë, të zhytur në errësirë. Një errësirë që nuk ishte kërcënuese, por mbështjellëse. Madje, ishte “si të ktheheshe në shtëpi”.

    Çfarë ndjeu Brianna gjatë 8 minutave në të cilat ishte “klinikisht e vdekur”

    Në këtë hapësirë pa kohë dhe kufij, gruaja dëgjoi një zë që e pyeste nëse ishte gati të “vazhdonte përtej”. Ajo iu përgjigj po dhe aty kuptoi një të vërtetë që tani ndjen nevojën ta ndajë me të gjithë: vdekja, për të, është një iluzion.

    Shpirti mbijeton dhe ajo që ne e quajmë fund është thjesht një transformim. Në atë realitet pezull, mendimet e saj materializoheshin menjëherë, sikur vetëdija të kishte fuqinë për të krijuar. Gjithashtu, thotë ajo, në ato tetë minuta u takua me entitete jo-njerëzore, por familjare, duke perceptuar se çdo eksperiencë e përjetuar, madje edhe dhimbja, kishte një domethënie preçize.

    Rilindja dhe mesazhi i shpresës së Briannës

    Kur Brianna “u kthye” në tokë, perceptimi i saj ishte sikur kishte qenë larg për muaj të tërë. Pas katër ditësh në spital, iu desh të mësonte sërisht të ecte dhe të fliste, duke u përballur edhe me dëmtime të përhershme të gjëndrës hipofizore. Frika e një tjetër arresti kardiak mbeti, por bashkë me të erdhi edhe një vizion i ri për jetën.

    Sot thotë se i përballon vështirësitë me mirënjohje, e bindur se çdo ngjarje – edhe më e ashpra – në të vërtetë ka një kuptim, një domethënie të fshehtë. Ka mësuar ta transformojë negativitetin në forcë, duke e pranuar atë që ndodh pa zemërim. Për të, sëmundja nuk është më vetëm një barrë, por një udhëzues shpirtëror që e ka çuar drejt një kuptimi më të thellë të ekzistencës.

    Mesazhi i saj është i thjeshtë por i fuqishëm: mos e ki frikë vdekjen, sepse nuk është fundi. Është një kalim, një prag drejt një forme tjetër të jetës. Qoftë e interpretuar si një eksperiencë e vërtetë shpirtërore, apo si një fenomen i lidhur me mijëra lojërat e mendjes, rrëfimi i Briannës mbetet një dëshmi në gjendje të prekë korfat universale që shkojnë përtej asaj që mund të shohim.

    Përgatiti për gazettjeter.net, Dardan MITROVICA

  • Nga Basir ÇOLLAKU – Drejtësia, fitoi Fronti i Lindjes, financoi Fronti i Perëndimit

    Nga Basir ÇOLLAKU – Drejtësia, fitoi Fronti i Lindjes, financoi Fronti i Perëndimit

    Nëse hetohet, brenda sistemit të drejtësisë del një organizatë e cila mund dhe duhet të dënohet. Gjithnjë nëse. Ku? Në prokurori, gjyqësor, polici, Këshillin e Prokurorisë, gjyqësor, Gjykatën e Lartë, atë Kushtetuese dhe të rangjeve të tjera më të ulëta.

    Pas mbylljes së USAID, hetimeve të fondeve të përdorura me dedikim për subjekte të caktuara, kaluar nëpërmjet fondacionit “Soros”, kontrollori i drejtësisë gjoja të reformuar, raporti i Departamentit të Shtetit për vitin 2024 sjell gjetje për mungesë suksesi e shërbim dukshëm të cunguar të drejtësisë në vendin tonë — si nga procedura, afatet, lidhja e akuzës me provat. Nën këtë vëzhgim konkludues, shihet qartë se të drejtat e njeriut në Shqipëri kanë bërë gjithnjë e më pas, e jo përpara.

    DASH e di mjaft mirë nga DEA, FBI dhe CIA se kartelet e drogës qeverisin bashkë me qeverinë. Kjo mjafton për të “vaksinuar” drejtësinë. Në 2016, në mesnatën e 21-22 korrikut, duartrokitjet në Kuvend e puthjet Lu-Vlahutin, shoqëruar me 140 vota të detyruara nga mesazhet e këshillimet sanksionuese nga ambasadat, mundësuan një të quajtur “Reformë në Drejtësi”. Procesi ishte i njënashëm në shërbim të Edi Ramës, porositësi i kësaj fasonerie. Opozita rezistoi vakët, deri në një tërheqje të pavend të ngjashme me atë të mandateve të deputetëve si dhe të zgjedhjeve bashkiake më pas, në 2019-tën.

    Më pas, “kirurgjia” e kapjes së institucioneve ishte ajo çka është sajuar nga çfarë kemi sot: një masë amorfe me kokë nga ambasadat, sipas reshjeve diplomatike. E nisëm me një kampion antikorrupsioni, Ardian Dvorani, duke i varur “mëlçitë” e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, të cilit, në fazat e rivlerësimit, në të dy shkallët, thjesht nuk i kujtoheshin burimet e justifikimit të nja 100 milionë lekëve. Kusur xhepi.

    Teatër ishte edhe dosja e Prokurorit të Përgjithshëm, ku rezultonin fitime të shëndetshme nga shit-blerjet e banesave brenda familjes, me prindërit. Anëtarë të Gjykatës Kushtetuese u selektuan dhe u heshtën verifikimet. U bë kujdes marrja e kupolës së sistemit nga besnikë të sistemit të vjetër të sigurimit të shtetit dhe lidhjes organike me sektin e bllokut komunist të diktaturës. Gjithçka erdhi me etiketë të re, por ishte e vjetër nga Fronti i Lindjes; ndryshonin vetëm financimet, të ardhura nga Fronti i Perëndimit SHBA-BE. Ish-njerëzit e drejtësisë së diktaturës u përfshinë masivisht tek e reja. Ata ndërruan vetëm kostumet, por jo karriget.

    Kontrolli iu la në dorë një kompanie austriake kanalizimesh e ujësjellësish, me përvojë tenderash në botën e tretë, duke mos harruar të marrë tender kanalesh edhe në Tiranë. Një “Theo” portugez bënte hatanë duke ulëritur si shefi i kontrollit, derisa i fikej zëri me mjete “demokratike” nga hyqymeti. Ndonëse ai dhe kolegë të tjerë të huaj vinin nga një histori dështimi dhe hetimi nga Kosova, ku gjyqtarë të EULEX-it i kishin akuzuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm.

    Pati edhe nga ata të cilët, në mungesë të masave mbrojtëse, u bënë baballarë në Tiranë.

    U hoqën në masën dërrmuese mbi 90 për qind prokurorë e gjyqtarë nga krahinat e veriut dhe kryesisht të njohur si të djathtë. Komisionerët, ekipi i zgjedhur me aq vëmendje ndërkombëtare, në shumicën e tyre nuk plotësonin kriteret kushtetuese.

    Thuajse gjysma ishin me notë mesatare ku thërret qameti, ndonëse do të matnin punën e magjistratëve ekselentë. Të tjerë u paditën për dokumente të falsifikuara, fshehje pronash e pasurish. “Soros” mbikëqyrte çdo detaj, duke u kthyer në një zyrë burimesh njerëzore për “reformën”, bash siç e lypte Rama.

    Siç denoncoi Arben Ahmetaj në një nga intervistat e tij, ishim aty, ne e dinim si bëhej vettingu me sms. Tani shohim se Këshilli i Prokurorisë, gjyqësori, ILD, Struktura e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit presin të rrëshqasin këmbët ndërkombëtarisht Ramës, për të shkundur pafundësinë e dosjeve ku akuzohen ministra qeveritarë, bashkiakë, zyrtarë drejtësie. Ata punojnë ende me “prosoi” partie.

    Deri atëherë, rrofshin partnerët që na sjellin ndonjë dosje e plotësojmë statistikat. Fronti i Lindjes në drejtësi pret gjithë ankth se mos lëviz ndryshe e ndërron shishen Fronti i Perëndimit. Si në politikë, edhe këtu, kurrë mos thuaj kurrë.