Blog

  • 20 Shtetet në botë ku kriminaliteti është inekzistent

    20 Shtetet në botë ku kriminaliteti është inekzistent

    …Ku mundësitë për të qenë viktimë e krimit janë minimale

    Për të vlerësuar sigurinë e një shteti, gjëja e parë që duhet bërë është të shikohet shkalla e kriminalitetit. Vendet që mund të konsiderohen të sigurta në bazë të kritereve të shumta, në realitet mund të kenë shkallë kriminaliteti më të lartë nga sa mund të mendosh. Për këtë arsye, nivelet e ulëta të krimit, në vetvete, janë të rëndësishme për t’u shqyrtuar, pasi ato ofrojnë informacion të vlefshëm. Duke parë kontekstin që krijojnë këto shkallë të ulëta të kriminalitetit, mund ta kuptojmë më mirë se si politika të caktuara arrijnë ta mbajnë nën kontroll nivelin e paligjshmërisë në një vend.

    Jeni të interesuar? Patjetër që po. Vazhdojmë më poshtë pra, për të parë renditjen e vendeve me shkallën më të ulët të kriminalitetit në botë.

    20. Malta

    Malta ka një nga nivelet më të ulëta të kriminalitetit në rajonin e Mesdheut. Krime si vjedhja, dhuna dhe aktivitete të tjera të paligjshme nuk janë më të zakonshme në Maltë.

    Besimi publik tek policia është relativisht i lartë në Maltë, me shumicën e popullsisë që ka një mendim pozitiv për forcat e rendit.

    19. Kanada

    Pavarësisht pranisë së zonave të mëdha urbane me popullsi të dendur, shkalla e përgjithshme e kriminalitetit në Kanada është e ulët.

    Kanadaja ka një trupe efikase policore, që kontribuon në garantimin e sigurisë publike dhe në ruajtjen e rendit, si dhe ligje të rrepta për kontrollin e armëve.

    18. Koreja e Jugut

    Suksesi i Koresë së Jugut në garantimin e sigurisë publike, duke ruajtur edhe një shkallë të ulët kriminalitetit, vjen prej disa faktorëve.

    Një zbatim efikas i ligjit, rregulloret e ashpra dhe të vlerat e forta shoqërore kontribuojnë në aftësinë e vendit për të kontrolluar dhe parandaluar krimin.

    17. Kroacia

    Shkalla e kriminalitetit është e ulët në Kroaci, ku krimi, dhuna dhe vandalizmi i raportuar janë ndër më të ulëtat në Bashkimin Evropian.

    Trazirat sociale në vend janë të ulëta dhe njerëzit ndihen të sigurt në aktivitetin e tyre të përditshme, falë incidencës së ulët të aktivitetit kriminal apo çrregullimeve publike.

    16. Sllovenia

    Sllovenia ka një shkallë të ulët të kriminalitetit. Edhe pse mikrokriminaliteti, apo krime të vogla, është i pranishëm, bëhet fjalë përgjithësisht oër vjedhje xhepash nëpër zonat më të populluara.

    Vendi është shtëpia e një prej kryeqyteteve më të vogla dhe më pak të populluara në Evropë, ku njerëzit mund të lëvizin pa frikën se do të jenë viktima të krimeve të rënda.

    15. Gjeorgjia

    Gjeorgjia është një vend me të ardhura të ulëta dhe me nivele kriminaliteti ekstremisht të ulëta. Shkalla e krimit në vend mbetet relativisht e qëndrueshme nga viti në vit.

    Një sërë reformash të ndërmarra në Gjeorgji përgjatë 20 viteve të fundit kanë kontribuar në zhvillimin e vendit, duke e bërë atë një vend më të sigurt për të udhëtuar dhe jetuar.

    14. Austria

    Austria zotëron një nivel të lartë të infrastrukturës sociale dhe sigurimeve shoqërore dhe krenohet me një nga nivelet më të ulëta të kriminalitetit në botë.

    Në Austria ka një sistem institucional dhe ligjor të mirëstrukturuar, ku shkalla e kriminalitetit është minimale që e bën Austrinë një nga vendet më të sigurta të Evropës.

    13. Norvegjia

    Në Norvegji krimet me natyrë penale janë jashtëzakonisht të ulëta, gjë që kontribuon në shkallën përgjithësisht të ulët të krimit në vend. Vjedhjet, grabitjet ose vandalizmat janë tashmë gjëra të rralla.

    Burgjet e vendit janë institucione të vogla edukuese, me bazë në komunitet, të cilat përqendrohen në rehabilitimin dhe riintegrimin në shoqëri.

    12. Kina

    Pavarësisht popullsisë së pafundtë, Kina ka një nga nivelet më të ulëta të kriminalitetit në botë. Politikat qeveritare dhe forcat e zbatimit të ligjit e mbajnë krimin në nivele shumë të ulëta në vend.

    Vlerat shoqërore, normat kulturore dhe efektiviteti në qeverisje ndihmojnë në mbajtjen e niveleve të ulëta të krimit në Kinë, pavarësisht numrit të madh të njerëzve që jetojnë aty.

    11. Japonia

    Ligjet për armët janë jashtëzakonisht të rrepta në Japoni, e cila ka një shkallë relativisht të ulët krimi. Në vend mbizotëron një ndjenjë të fortë komuniteti dhe bashkëjetese shoqërore.

    Shoqëria japoneze është e begatë dhe stabiliteti politik i vendit është i lartë. Janë të pakta protestat e dhunshme që zhvillohen në Japoni.

    10. Singapori

    Në Singapori ekzistojnë ligje dhe dënime të rrepta, prej të cilëve kriminelët përballen me dënime shumë të ashpra.

    Në Singapor, ekziston një rrjet i madh mbikëqyrjeje, në të cilin ndodhin rrallë krime të vogla si vjedhja e xhepave apo vjedhja në rrugë.

    9. Luksemburgu

    Luksemburgu është një vend me një rrezikshmëri mjaft të ulët kërcënimesh ao rreziqesh për sigurinë e një individi. Krimet e dhunshme, vjedhjet ose format e tjera të rrezikut për sigurinë personale janë të rralla.

    Luksemburgu është një vend relativisht i pasur me një standard të lartë jetese, ndaj edhe kjo arësye mund të kontribuojë në shkallën e ulët të kriminalitetit në vend.

    8. Danimarka

    Në Danimarkë procedurat e parandalimit dhe ndërhyrjes së shpejtë janë të zakonshme dhe shkalla e kriminalitetit është e ulët. Vendi ka reputacionin e të qenit i sigurt dhe i mbrojtur.

    Në Danimarkë ekziston një kohezion i fortë shoqëror dhe një nivel i lartë bashkëpunimi midis shkollave, klubeve rinore dhe policisë.

    7. Islanda

    Islanda ka ndër shkallët e kriminalitetit të dhunshëm dhe të krimeve kundër pronës shumë të ulëta të krahasuara me shumë prej fqinjëve të saj evropianë, duke bërë që në vend të mbizotërojë një normë shumë e lartë sigurie.

    Në përgjithësi, janë shumë të pakta incidentet e sulmeve fizike, vandalizmit apo vjedhjes. Bashkëjetesa e fortë shoqërore dhe standardi i lartë i jetesës mund të jenë faktorë që kontribuojnë në këtë fenomen.

    6. Estonia

    Ndër vendet evropiane me më lart në këtë renditje, Estonia krenohet me një shkallë kriminaliteti  në vend të gjashtë në botë.

    Ligje dhe rregullore të forta, një pronësia e kufizuar armësh dhe një forcë policore aktive kontribuojnë në shkallën e ulët të kriminalitetit në vend.

    5. Hong Kong

    Në këtë rajon të veçantë administrativ të Kinës, ku shkalla e krimit është një nga më të ulëtat në botë, siguria personale është e lartë.

    Besohet se faktorët kulturorë, siç është konformiteti, kontribuojnë në këtë indeks të ulët. Qeveria ka një qasje armiqësore ndaj krimit dhe parashikon dënime të rënda për të rriturit që kryejnë krime.

    4. Tajvani

    Krimi i dhunshëm është jashtëzakonisht i ulët në Tajvan, në vend të katërt të kësaj renditjeje. Vjedhjet janë të rralla, edhe pse pagat nuk janë veçanërisht të larta.

    Shkalla e ulët e mikrokriminakitetit në Tajvan e bën atë një destinacion të dëshiruar për udhëtarët. Në fakt, bëhet fjalë për një vend ku shkalla e kriminalitetit është një nga më të ulëtat në botën e zhvilluar.

    3. Emiratet e Bashkuara Arabe

    Shkalla e ulët e kriminalitetit në Emiratet e Bashkuara Arabe mund të jetë për shkak të ligjeve dhe rregullave të ashpra. Vendi zotëron shumë mjete parandaluese për aspirtant kriminelët.

    Siguria në Emiratet e Bashkuara Arabe është e dukshme në rrugë, ku një forcë policore proaktive ruan rendin. Në përgjithësi, niveli i sigurisë në vend është i lartë.

    2. Zvicra

    Gjerësisht e konsideruar si një nga vendet më të sigurtë në botë, Zvicra renditet e dyta në këtë listë. Vendi zotëron masa efektive për të garantuar rendin publik.

    Aktivitetet kriminale si vjedhja, vandalizmi dhe dhuna janë relativisht të rralla në Zvicër, duke e bërë atë një shoqëri të qëndrueshme dhe një destinacion të sigurt udhëtimesh.

    1. Katari

    Në vendin e parë është Katari. Me shkallën më të ulët të kriminalitetit në botë, vendi mban një ambjent të sigurt si për vizitorët ashtu edhe për rezidentët.

    Krahasuar me vendet e tjera, Katari ka regjistruar numrin më të ulët të paligjshmërive. Kjo tregon efektivitetin e parandalimit të krimit në Katar.

    Artikulli është përgatitur nga bashkëpunëtorë të gazetatjeter.com

    Burimet: (Gitnux) (Global Finance) (Time Out) (Business Insider) (ResearchGate)

  • Nga Andi BUSHATI – Si ta zbulosh një kripto Ramist

    Dhjetë pika që vlejnë për të kuptuar një lake të pushtetit që shtiret si i pavarur

    Tek mitingu i pasfitores në sheshin Skëndërbej Edi Rama lëshoi një urdhëresë, e cila, që prej asaj dite është shndërruar në refrenin e të gjitha studiove televizive; të asaj që përsërisin opozitarët fallco, që kanë gjetur një formë mbijetese në këtë regjim; të asaj që thonë gjoja të pavarurit, të cilëve u ka mbetur ende një lloj cipe; apo të idiotëve të dobishëm që përtojnë të vënë trurin në punë.

    Në atë fjalim kryeministri tha se ky popull ka vendosur “të mos ndryshojë qeverinë pa ndryshuar më parë opozitën” e këtij vendi. Që nga ky moment “zbërthimi” i kësaj direktive është shfaqur në publik në mënyra të ndryshme. Prandaj ndoshta i’a vlen ti reshtosh këto “argumente” për të dalluar ramistin e fshehur që qëndron pas tyre.  

    1-Alibia: “Nuk fitoi Rama, humbi Berisha”

    Mbështetësit e idesë se patëm zgjedhje normale kapen si i mbyturi pas fijes së barit për të thënë se populli nuk zgjodhi Ramën, por dënoi Berishën. Ata e përmendim me pathos dhe qëmtojnë çdo argument për të vërtetuar këtë tezë. Por ata “harrojnë” se pas 12 vjetësh në pushtet dhe zbulimit të një gjysëm dyzine hajdutësh në qeveri, Rama mori më shumë vota se ndonjëherë në histori (plot 856 mijë) që si pati fituar as në 2009, as në 2013, as në 2017 as në 2021. Pra fitorja e Ramës nuk vjen vetëm si pasojë e shkalafitjes së opozitës, por edhe për faktin e thjeshtë se me metodat e tij, ai arriti numër rekord votash në favor të PS.

  • Ja si do të jetë Real Madrid, i Xabi Alonsos

    Ja si do të jetë Real Madrid, i Xabi Alonsos

    Për çdo mbret që shkon, lind një i ri. Carlo Ancelotti tashmë është në historinë e Real Madridit, ndërsa Xabi Alonso është një histori që duhet ende të shkruhet. Ndryshimi në pankinën e Real Madridit është shumë më tepër sesa një deklaratë informative.

    Kapo i ri në Bernabeu, rikthimi në shtëpi – Ardhur nga Toulouse, i bashkohet Los Blancos pas dy sezoneve të paharrueshme te Bayer Leverkusen dhe me tiparin dallues të trajnerëve të kohëve të fundit të Florentino Pérez: është një lojtar i formuar në shtëpi.

    Trajner modern – Përveç kësaj, Xabi Alonso mbërrin me etiketën e një trajneri modern, me ide të qarta, por të adaptueshëm ndaj rrethanave dhe një vizion futbollit të bukur e të rafinuar që nuk është parë prej kohësh në Santiago Bernabéu.

    Rikuperimi i iluzionit – Pra, për të përcaktuar Real Madridin e Xabi Alonsos, gjëja e parë për të cilën duhet të flasim është entuziazmi, sepse tifozët madrilenë janë shumë të emocionuar për ardhjen e trajnerit të ri.

    Futbolli rikthehet në Bernabeu? – Xabi Alonso ka konfirmuar se skuadra e tij do të zbresë në fushë për t’i dominuar ndeshjet, për të luajtur dhe për të argëtuar një tifozeri që, gjatë viteve të fundit, ka parë të fitohen tituj, vërtetë, por pa pasur ndonjë taktikë loje të qartë.

    Shumllojshmëri taktike – Në këtë kuptim, spanjolli e ka plotësisht të qartë se nuk mund të mbështetet mbi një sistem të vetëm taktik dhe se do ta lëvizë skuadrën rreth kundërshtarëve, duke përdorur tre qendërmbrojtës, katër mbrojtësa anësorë, apo çdo zgjidhje tjetër që do t’i kërkojë çdo ndeshje specifikisht.

    Presion i lartë – Ajo që Xabi Alonso ka qartësuar është se Real Madridi i tij do të përqendrohet mbi pressing-un në të gjithë fushën, një element kyç ky i suksesit të Bayer Leverkusen-it. Kjo do të kërkontë përfshirjen e të gjithë lojtarëve, dhe është pikërisht këtu që trajneri ka shumë punë për të bërë.

    Vini dhe Mbappé – Dhe po, të gjithë kanë menduar për Mbappé dhe Vinicius Jr. kur flitej për presion të lartë, por Xabi Alonso ka siguruar se do t’i bëjë të punojnë së bashku dy yjet e Real Madridit.

    Kujdes për më të rinjtë – Nga ana tjetër, Xabi Alonso kishte nën drejtimin e tij shumë prej lojtarëve të rinj të Castilla-s aktuale kur luante në kategoritë më të ulëta me klubin. Lojtarë si Jacobo Ramón ose Chema mund të kenë shansin e tyre, nëse do ia kërkonte trajneri.

    Borxhi i madh i Carlettos – Një nga kritikat më të mëdha të drejtuara ndaj Carlo Ancelottit është fakti se ai diti të mbështetej mbi sektorin e të rinjve, përveç momenteve kritike, si atëherë kur në fushë hyri Asencio. Pritet që Xabi Alonso t’u ofrojë mundësi më të mëdha lojtarëve të rinj.

    Elegancë në konferencën për shtyp – Ajo që duket se është ruajtur është eleganca në konferencat për shtyp. Xabi Alonso, në prezantimin e tij, u shfaq i sigurt në vetvete, i qetë dhe i patrazuar dhe duket se do të ndjekë gjurmët e Carlo Ancelottit, i cili ishte i patëmetë në katër vitet e tij si trajner i Real Madridit.

    Shpirti i Mou – Pastaj, Xabi Alonso, është maja e diamantit të shpirtit të José Mourinhos te Real Madridi. Dhe shtylla kryesore e kohës së tij në Bernabéu tani mban frenat e klubit, me promovimin e Álvaro Arbeloa në Castilla dhe rikthimin e Diego López. Rikthehet Mou, shpirtërisht, dhe tifozët madrilenë buzëqeshin.

    Përgatiti Dardan MITROVICA

  • Është zgjedhur si grupi më i mirë rock, i të gjitha kohërave: dhe nuk mposhten kurrë

    Është zgjedhur si grupi më i mirë rock, i të gjitha kohërave: dhe nuk mposhten kurrë

    Historia e rock-ut është plot me emra të mëdhenj, si i bëhet për të zgjedhur grupin më të mirë nga të gjithë? Mjafton që mendërisht të kalosh nëpër disa shembuj (Beatles, Led Zeppelin, Pink Floyd, Queen, Metallica, Oasis) për të kuptuar sa e vështirë është të krijosh një hierarki. E megjithatë, zbulohet se gazetarët e muzikës ndodh që edhe të bien në një mendje kur bëhet fjalë për të caktuar një vend, atë më të lartin: atë se kush është grupi më i madh rock në historinë e muzikës.

    Nuk ekziston klasifikimi përfundimtar, përkundrazi, natyra e operacionit është e destinuar pashmangshmërisht të gjenerojë polemika: megjithatë, ekzistojnë klasifikime më prestigjioze, si ato të revistave të rëndësishme dhe të njohura. Louder dhe Forbes janë dy prej revistave të rëndësishme dhe të njohura, që në fakt, kanë provuar sipërmarrjen – më shumë argëtuese sesa të dobishme – për të përcaktuar se cilët janë rokerët më të mirë nga të gjithë: përgjigjja ishte e njëjtë.

    Nuk ka histori, janë Led Zeppelin.

  • Pronari i AC Milan, Gerry Cardinale, blen historiken britanike Daily Telegraph: shpërthen protesta e tifozëve milanistë

    Pronari i AC Milan, Gerry Cardinale, blen historiken britanike Daily Telegraph: shpërthen protesta e tifozëve milanistë

    Çmenden tifozët në rrjetet sociale. Një atmosferë e nxehtë dhe fjalë të mëdha e të rënda ndaj pronarit të Milanit

    Gerry Cardinale, pronar i AC Milan përmes RedBird Capital Partners, ka blerë Daily Telegraph, gazetën historike britanike. Operacioni, me vlerë 595 milionë euro, shënon një zgjerim të konsiderueshëm në sektorin editorial për fondin amerikan. Kjo lëvizje vjen në një kohë kur Milani po përballet me sfida të shumta e të rënda, si në fushë ashtu edhe financiarisht, me një sezon zhgënjyes pas krahësh dhe me negociatat që kanë nisur për shitjen e Tijjani Reijnders te Manchester City, për të cilin ka pasur edhe disa të reja gjatë orëve të fundit, të cilat nuk janë aspak të këndshme për tifozët kuqezinj.

    Vendimi i Cardinales për të blerë Daily Telegraph

    Vendimi i Cardinales për të investuar në një sektor larg futbollit ka shkaktuar reagime të përziera midis tifozëve të Milanit. Shumë prej tyre shprehin shqetësim në lidhje me prioritetet e pronësisë, duke marrë parasysh se klubi Rossoner ka nevojë për investime të synuara për të forcuar skuadrën dhe për t’u rikthyer në krye të futbollit evropian. Për më tepër, perspektiva e shitjes së një lojtari kyç si Reijnders për arsye financiare dhe investimet gjigande në fushën e editorisë së pronarit Cardinale, nxisin pakënaqësi midis tifozëve.

    Shpërthen protesta sociale e tifozëve kuqezinj

    Reagimet në mediat sociale kanë qenë veçanërisht kritike, me shumë tifozë që kanë komentuar negativisht për marrjen e kontrollit të Telegraph. Një përdorues shkroi: “Shpresojmë të dështojë”, duke shprehur zhgënjim me zgjedhjet e pronarëve. Kjo situatë ngre pyetje në lidhje me strategjinë afatgjatë të RedBird për Milanin dhe menaxhimin e burimeve midis investimeve të jashtme dhe nevojave të brendshme të klubit.

  • Nga Edi DELIU – Sulmet ndaj drejtuesve të PD: Strategjia për asgjësimin e Partisë Demokratike?

    Nga Edi DELIU – Sulmet ndaj drejtuesve të PD: Strategjia për asgjësimin e Partisë Demokratike?

    Në mjedisin politik shqiptar, një fenomen shqetësues ka marrë hov kohët e fundit: sulmet e orkestruara dhe të pandërprera ndaj figurave kyçe të Partisë Demokratike, si Sali Berisha, Edi Paloka dhe të tjerë. Këto sulme, shpesh të zhvilluara përmes profileve anonime në rrjetet sociale dhe nga individë pa lidhje të dukshme me elektoratin demokrat, ngrenë pikëpyetje serioze mbi qëllimin e tyre të vërtetë.

    Ajo që bie në sy është fakti se personazhet e sulmuar janë pikërisht ata që kanë treguar një rezistencë të palëkundur ndaj pushtetit dhe kanë fituar vazhdimisht besimin e demokratëve në çdo garë ku kanë marrë pjesë. Kjo histori suksesi dhe qëndrueshmërie duket se i bën ata objektiva kryesorë të një fushate denigrimi, e cila, sipas shumë analizave, synon asgjësimin e opozitës së vërtetë në Shqipëri.

    Pse sulmohen pikërisht figurat më qëndrestare dhe më të votuara të PD-së? Përgjigja duket se është e thjeshtë: të dobësosh udhëheqjen do të thotë të dobësosh partinë. Duke diskredituar dhe delegjitimuar liderët, synohet të krijohet një perceptim negativ tek publiku i gjerë, duke i zhveshur ata nga autoriteti dhe mbështetja popullore. Kjo strategji shërben për të krijuar konfuzion brenda radhëve të opozitës dhe për të larguar vëmendjen nga problemet reale të vendit.

    Sulmet anonime, shpesh të mbushura me shpifje dhe dezinformata, janë një mjet efikas për të ndotur debatin publik pa mbajtur përgjegjësi. Këto profile pa identitet, të cilat nuk përfaqësojnë asnjë forcë politike apo grupim të qartë, shërbejnë si megafonë për mesazhe të caktuara, duke synuar të minojnë besimin dhe unitetin brenda Partisë Demokratike.

    Megjithatë, historia ka treguar se populli shqiptar nuk dorëzohet lehtë. Rezistenca ndaj përpjekjeve për të asgjësuar opozitën e vërtetë është një detyrë qytetare. Në një demokraci funksionale, një opozitë e fortë dhe e besueshme është thelbësore për të balancuar pushtetin dhe për të garantuar llogaridhënien. Përpjekjet për të shuar zërin e opozitës janë një kërcënim për vetë parimet demokratike.

    Ndaj, pavarësisht sulmeve dhe fushatave denigruese, pritet që shqiptarët, dhe në veçanti demokratët, të mos lejojnë shkatërrimin e forcës së tyre politike. Qëndrueshmëria dhe besimi tek liderët e tyre, të provuara në çdo garë elektorale, mbeten shpresa më e madhe për të përballuar këtë furtunë politike dhe për të mbrojtur të ardhmen demokratike të vendit.

    PS.: Njerëz si dr. Alimehmeti dhe zonja Tabaku janë një vlerë e shtuar e PD dhe s’duhet të lejojnë kurrë të përdoret emri i tyre për të sulmuar idealet e tyre

  • Nga Andi BUSHTI – Çfarë tregon zbulimi i një grupi narkotrafikantësh për zgjedhjet e 11 majit

    Dosja e Troplinëve dëshmon për ekzistencën e një katërkëndëshi të përbërë nga hajdutë të votës, para të zeza, banda kriminale dhe favoreve me punë publike apo leje ndërtimi që u dhurojnë atyre rilindasit

    Goditja nga antimafia italiane e atij që u konsiderua si një nga grupet më të rrezikshme të narkortafikut në vend, më shumë sesa një lajm kronike është një tjetër njollë politike në kurmin e përlyer të këtij pushteti.

    Ky aksion më shumë se për të na faktuar se si vinte kokaina nga Amerika Latine, se si mbërrinte në portin e Durrësit, se si rishpërndahej prej aty në Itali e në mbarë Evropën dhe se si, pastaj, paratë e përfituara përfundonin të pastroheshin në Shqipëri, tregon tjetër gjë. Ajo nuk është thjeshtë një radiografi e organizatës kriminale të Troplinëve, por një dëshmi se si funksionon qeverisja e viteve të fundit dhe se si ia mbërrin ajo të konfirmohet pas çdo sfide elektorale.

    Le ti marrim konkretisht me shembuj…

    Lideri i PD, Sali Berisha disa herë para 11 majit e denoncoi këtë bandë se po intimidonte kandidatët e PD dhe po bëntë hapur fushatë për PS-në. Reporterë të shumtë kanë pohuar se së paku dy nga anëtarët e listës së socialistëve për Durrësin janë njerëz direkt të saj. Por edhe sikur këto deklarata ti marrim me dyshim, faktet sërish janë kokëforta.

    Në dosjen e prokurorëve të antimafias italiane dhe në pohimet e përmbaruesve të tyre shqiptarë del e qartë se një nga krerët e kësaj organizate ishte shpërblyer drejtpërdrejt nga Edi Rama me një leje ndërtimi. Elvis Doçi, i njohur si “Visi i Pojës”, nipi i Xhevdet Troplinit, me kompaninë “Eldemar Construction”, tërësisht në pronësi të tij, ka fituar në Prill 2024, të drejtën për të ngritur një hotel dhjetë katësh në qytetin e Durrësit. Këtu çështja nuk është thjeshtë kush firmosi dhe cili përfitoi. Pyetjet shkojnë përtej: si po zhvillohet industria jonë e turizmit? Kush po investon në të? Dhe mbi të gjitha me çfarë parash? Pikërisht këtu vijmë tek një pikë tjetër. Sa herë që përballen me akuzat për pastrimin e parave të zeza në sektorin e ndërtimit në Shqipëri, pjestarët e qeverisë bëjnë të paditurin apo justifikohen se ato janë fryt i kursimeve të emigrantëve shqiptarë, se mungesa e kredidhënies argumentohet me blerjen që në gropë, e broçkulla të tjera.

    Dosja italiane na dëshmon me detaje, video dhe foto se si mbërijnë në Shqipëri, në mënyrë klandestine përmes autobuzësh, paratë e drogës së shitur në Itali. Janë pikërisht këto para – që mbajnë të ulët kursin e euros – që shërbejnë si injeksione për ekonominë dhe që një herë në katër vite përcaktojnë edhe zgjedhjet.

    Dhe ky nuk është një rast i izoluar. A nuk përfundoi në pranga deputeti deputeti socialist Jurgis Çyrbja i cili doli nga përgjimet e SKY se ishte njeriu i vendosur në listë nga bandat dhe madje spiuni për llogari të tyre në parlament?

    Po kur u bë publike një pjesë e dosjes së grupit të Suel Çelës, në fund të vitit që shkoi, a nuk doli aty emri i një biznesmeni, Marsel Shega që e furnizonte organizatën me paratë e tenderave publikë, që merrte prej pushtetarëve socialistë. A nuk kishin arritur dy vëllezërit e arrestuar të kësaj bande të gradonin motrën e tyre Adelajda Roka drejt e në paradhomën e Edi Ramës, pikërisht si drejtoreshë të Agjensisë së Zhvillimit të Territorit, ku vendoset për lejet e ndërtimit?

    Nuk është rastësi që edhe Troplinët edhe Çyrbja edhe banda e Suel Çelës, për të mos përmendur shumë raste të tjera, janë të gjithë të akuzuar nga opozita si manipulatorë të zgjedhjeve. As naiviteti ekstrem i idiotëve të dobishëm, që nuk duan ti shohnin të lidhura këto fakte, nuk mjafton për të mbuluar katërkëndëshin e përbërë nga hajdutë të votës, para të zeza, banda kriminale dhe favoreve me punë publike apo leje ndërtimi që u dhurojnë atyre rilindasit. Kjo është baza reale e pushtetit në Shqipëri.

    Të papërfshira me të nuk ka si si të shihen as disa pikpyetje që janë ngritur në orët e fundit: Pse kur gjykata italiane i firmosi arrestimet që në shkurt, ato u ekzekutuan vetëm tani? Mos vallë dhe Troplinët njësoj si Bajrat në zgjedhjet lokale, u lanë të lirë për të mbaruar punë me votën? Po “Visi i Pojës” si arriti të ikë në drejtim të paditur, ndoshta dikush i ktheu nderin e asaj që bëri në fushatë? Po Task forca qesharake e SPAK-ut që prezumohej ti kishte prej muajsh nën vëzhgim, nuk pa asgjë nga ato që po ndodhnin në Durrës, pavarëshit denoncimeve të atyre që bërtisnin: “Po na vjedhin”?

    Pas dosjes që lexuam këto pyetje mbeten në ajër, ndonëse gjithmonë do të gjenden nga ata që “në mirëbesim” do të betohen se kjo nuk ka të bëjë me 11 majin.    

  • Nga Basir ÇOLLAKU – Visi i Ramës, Po-ja i zgjedhjeve, Sueli i Sarës, SPAK-u i ambasadave

    Nga Basir ÇOLLAKU – Visi i Ramës, Po-ja i zgjedhjeve, Sueli i Sarës, SPAK-u i ambasadave

    Duket se Antimafia italiane dhe DEA amerikane në prani të.SPAK, mbajtën raportin e parë paraprak për zgjedhjet e 11 majit 2025. Pesë vite hetim 40 episode trafik heroine dhe kokaine biznese dhe leje investimesh për kulla e hotele, me firmë të zyrës së drejtuar nga Kryeministri. Si Visi dhe Hajri njëlloj nga Sky-Enchochat te sajdisja e Ramës. Po ashtu Çyrbja. Tre grupe kriminale në Durrës njëherësh pronarë të Portit janë shtabet elektorale socialiste. Italiano-amerikanët kishin prerë arrestet në shkurt. Por ekipi duhej në maj. E kështu Struktura e Posaçme ofroi pafuqinë e pavarësisë së munguar. La kohë për të mbyllur fushatën por edhe për të mos u arrestuar.

    Njëlloj shtabi elektoral Elbasan ku Suel Çela administratori i qarkut me leje qeverie njëherësh grup i strukturuar në botën e Mafias, me dosje të publikuar nga Prokuroria, bën batërdi elektorale për llogari të kandidatëve të Ramës. Thyen rekorde elektoralë për kandidatë anonimë lagjesh. Edhe atë se kapin dot. Ndonëse qëndron në mes të qytetit. Kështu në Shkodër me Bajrët. Po në Fier ku Bela nxori ujë të zi mandateve. Aty dhe në Vlorë një tjetër organizatë mafioze me rrezikshmëri të lartë krasit mandate prej vitesh dhe nuk trazohet. Por sajohet me tendera e leje ndërtimesh pafundësisht. Në rresht u vunë bizneset duke marrë porosi zgjedhore. Kontratat për investime e pastrim parash në miliarda me mafien kombëtare dhe ndërkombëtare ktheu zgjedhjet e 11 majit në një departament kokaine. Në këto ekipe elektorale politikanë trafikantë nuk ka kufi ndarës. Dosjet e ardhura me mall SKY janë plot.

    Qeveritarë e zyrtarë drejtësie e policie janë bashkë me banditët. Fitojnë prej katër mandatesh. Pritet si iluzion përballja e tyre me drejtësinë. Gjepura. Pra asgjë e re nga fronti i kokainës. Visi, Rama, Safeti, Gjushi, Gysi, Sueli, Rraja, Çyrbja, Hajri, Dubai, djemtë e tërmeteve nga Londra, Belgjika, Holanda, apo fondet e gjoja investimeve pastruese, bëjnë të njëjtën gjë. Shesin drogë, blejnë çdo pushtet, pastrojnë para miliardash dhe riciklojnë vetveten. Duke tallur mender zgjedhjet. Stabilo-heroina dhe Demo-kokaina kanë qeverinë e tyre me aksione ndërkombëtare. SPAK nuk duhet të jetë fort turistik në reagime të ngjarjeve të rënda dhe të jetë dëshmitar i përsëritur masakrash që pret e përcjell qorrazi ambasadorë, për vakinë zgjedhore të radhës.

  • Nga Artan HOXHA – Varfëri, arrati, robëri

    Nga Artan HOXHA – Varfëri, arrati, robëri

    Ndërsa çdo ditë dalin fakte e prova për manipulime të shumëllojshme, të drejtpërdrejta a të tërthorta, mbi kutitë vendase apo mbi votat nga emigracioni, rezultati me diferencë të thellë mes subjektit monist PS dhe koalicionit pluralist PD, prej afro 20% nga afro 2% në vitin 2021, ka vetëm dy shpjegime: i) ose PD ka gabuar plotësisht në përcaktimin e natyrës së regjimit – si regjim antidemokrat, narko-shtet, neo-diktaturë – për rrjedhojë, shumica e votuesve nuk e ndoqi në këtë përcaktim; ii) ose regjimi është vërtetë i këtillë dhe ka fituar me mjetet e shumta dhe fuqinë e dhunshme të një regjimi të këtillë. Përgjigja mbi natyrën e regjimit përcakton edhe mënyrën e shpjegimit të rezultatit të votave 2025.

    Kam qenë e jam i mendimit, gjithnjë e më të përforcuar, se kemi të bëjmë me një regjim hibrid i cili, në ecurinë e tij këto 12 vite, e kaloi vijën imagjinare 50:50 fill pas zgjedhjeve 2021 duke anuar sot fort e dukshëm, në anën jo-demokratike drejt asaj diktatoriale të spektrit (gatuar edhe për shkak të sjelljes politike të PD në zgjedhjet 2017 dhe pas tyre), ndihmuar qoftë nga faktorë të brendshëm qoftë të jashtëm, siç ai i administratës Biden dhe i Europës politike neo-liberale. Që në pikënisjen e vet më 2013 e në vijim ky regjim u mbështet edhe nga pjesa dërrmuese e krimit të organizuar, në rritje e fuqizim, si dhe nga pjesa dërrmuese e elitës vendase, të kooptuar e të korruptuar. Natyrisht që regjimi nuk llogaritet nga niveli zero, ai e gëzon vijueshëm mbështetjen historiko-inerciale të lidhur me PPSH/PS, prej më shume se 30% të elektoratit, ndërsa faktorët e tjerë nën analizë i mbivendosen kësaj mbështetjeje për të arritur shumicën komode qeverisëse moniste – i gjithë pushteti në një dorë.

    Nën qeverisjen e këtij regjimi Shqipëria mbeti ose ra rishtazi në fundin e tabelës së klasifikimit europian lidhur me të ardhurat, pagat, pensionet, ndihmën sociale, si dhe mbeti apo u ngrit rishtazi në krye të këtij klasifikimi lidhur me pabarazinë, varferinë, padrejtësinë, prapambetjen. Edhe sipas të dhënës më të fundit të Eurostat, 42% e shqiptarëve përjetojnë disa forma përjashtimi që i klasifikojnë si të varfër apo në rrezik varfërie, kur ky tregues për vendet e Ballkanit Perëndimor lëviz në intervalin 30-34%, për Rumaninë është 32% (tregusi më i lartë në BE) ndërsa mesatarja e BE është as 22%.

    Varfëria shumëdimensionale dhe pasiguria e lartë janë forca shtytëse për emigracion. Por, ndërsa forcat tërheqëse emigratore, të tilla si ulja e barrierave hyrëse në tregun europian apo amerikan të punës për shkak të kërkesës së lartë për fuqi punëtore, veprojnë simetrikisht lidhur me përkatësinë apo preferencën politike të emigrantëve tanë, forcat shtytëse të brendëshme veprojnë asimetrikisht, pra më shumë e më fort mbi ata që janë të lidhur, në një masë e tjetrën, me opozitën. Kjo shkakton emigracion asimetrik duke pakësuar bazën elektorale të opozitës demokrate. Kjo asimetri duket është forcuar këto katër vite, si rrjedhojë e humbjes së shpresës në elektoratin opozitar, vite gjatë të cilave opozita politike ka qenë nën goditjet e forta, si kurrë më parë, edhe të të gjithë shtetit edhe të ndërkombëtarëve, kryesisht amerikanëve neo-liberale.

    E dhëna më e fundit demografike, lindjet në tremujorin e parë 2025, me rënie vjetore mbi 14% në raport me tremujorin e parë 2024 (për më tepër lindjet ndjeshëm më pak se vdekjet) është shumë domethënëse. Rënia sistematike e lindjeve në dekadën rilindase krahasimisht dekadës së mëparshme, por edhe luhatshmëria e lartë e ‘kapricioze’ e këtij treguesi vit pas viti është prova më e mirë se edhe emigracioni (në formë valësh) ka qenë shumë më i lartë krahasimisht me atë që u rrek të na bindte INSTAT me Censin 2023 edhe se ai ka vijuar edhe në 2024 e vijon edhe sot. Për rrjedhojë, pjesa dërrmuese e 200 mijë votave më pak në kutitë vendase është shkaktuar nga kjo ‘arrati’ emigratore edhe këto katër vitet e fundit ndërsa pabarazia në mirëqënie/varfëri për shkak të pozicionit politik provon se shumica dërrmuese e këtyre votave të munguara janë nga votuesit opozitarë 2021 të emigruar këto katër vitet e fundit.

    Që krimi i organizuar ka mbështetur regjimin edhe në këto zgjedhje kjo tashmë duket ashiqare. Për më tepër, regjimi i fuqizuar së fundmi, krimin e organizuar e ka tashmë më shumë shërbëtor se partner e, interesante, këtë radhë ju caktoi edhe disa personazhe për të cilët duhet të mblidhnin vota e mbi këtë numër votash do matej asfare performanca e kandidatit anonim por performanca e bandës mbështetëse përkatëse.

    Elita vendase – administrative, ekonomike, akademike, profesionale, artistike, sportive – , qoftë pjesa e adultëve të dekadës së fundit të socializmit (e kohës kur zvordhi ideologjia dhe lulëzoi vesi), qoftë ajo lindur e rritur në post-socializëm është formësuar ekonomikisht e kulturalisht në këtë mjedis të ashpër me evazion të gjërë, korrupsion të gjithëpërhapur dhe dhunë të fortë, dhunë kjo sa e individit ndaj individit, sa e individit ndaj shtetit dhe sa e shtetit ndaj individit. E formësuar në këto rrethana kjo elitë nuk ka moralin dhe motivin e duhur për të udhëhequr popullin drejt regjimit me më shumë demokraci, ligj, drejtësi e barazi ndaj, në shumicën e saj, kooptohet dhe korruptohet lehtësisht nga ky regjim anti-demokratik duke u vënë, me hir a pahir, në shërbim të tij.

    Në kushtet e regjimit që varfëron dhe/ose diskriminon, arratia emigratore duket mënyra më e mirë për t’i shpëtuar edhe varfërisë edhe robërisë së këtij regjimi. Kush mbetet këtu i duhet të zgjedhë robërinë e shpërblyer ose kryeneçësinë me pasoja – afërmendësh që shumica zgjedhin të parën.

    Sa për emigrantët që votuan, në atë pak përqindje që morën pjesë (me pak se 200 mijë nga 1.7 milion gjithsej me të drejtë vote), rezultojnë të jenë pjesa më militante e emigracionit votues në tërësi, aq më shumë nëse konsiderojmë edhe fuqinë mobilizuese më të madhe të regjimit për militantët e vet edhe fuqinë e tij shpërblyese apo kërcënuese, të atyre drejtpërdrejt apo të familjarëve këtu, edhe mundësinë manipuluese të regjimit, për rrjedhojë vota e tyre jo vetëm nuk mundte e nuk solli ndryshim, përkundrazi do i shërbente siç i shërbeu regjimit anti-demokratik.

    Ndaj, kush rreket të japë rekomandime se ç’duhet të bëjë PD-ja lodhet kot, askush që beson se kemi të bëjmë me një regjim antidemokratik nuk ka as arsye as nge të dëgjojë ata që thonë se PD humbi zgjedhjet për fajet e veta ndonëse garoi në kushte mjaftueshmërisht demokracie, barazie e ndershmërie.

    Arsye e nge ka vetëm për ata që e vlerësojnë regjim si anti-demokratik e nuk pajtohen me të. Për një gjë duhet të jemi të qartë mes nesh, tani e në vijim – përballja me regjimin në konsolidim do jetë gjithnjë e më e vështirë, rrëzimi i tij gjithnjë e më i komplikuar, gjithsesi jo i pamundur ne kushtet e një PD-je që ruajti përmasat e partisë së madhe opozitare (nuk u copëzua në 7-8 pjesë) dhe me një raport të ri, miqësor e bashkëpunues, me administratën amerikane Trump dhe partitë e qendrës së djathtë europiane.

  • Nga Luçiano BOÇI – Asgjësimi i votës si triumf i banalitetit

    Për të argumentuar konceptin e saj të “banalitetit të së keqes”, filozofja Hannah Arendt i bëri një analizë shteruese gjyqit të Adolf Eichmann (një nga organizatorët dhe autorët e Holokaustit).

    Në konkluzion ajo theksoi se e keqja mund të kryhet jo patjetër nga përbindësha, por nga njerëz të zakonshëm që thjesht ndjekin disa “rregulla” të imponuara, pa reflektuar etikisht mbi to.

    Produkti i tyre është i përbindshëm në raport me rregullat që i janë imponuar. Kësisoj përbindëshi i vërtetë fshihet tek krijuesi i rregullave dhe pasojat e zbatimit.

    E mora këtë përkufizim për të ndriçuar sado pak atë që ka ndodhur me votën në këto zgjedhje.

    Larg retorikës politike mund të themi se vrasja e votës sot si akt “i përbindshëm” është kryer me shumë thjeshtësi në mes të ditës dhe në bazë të disa “rregullave” të bëra tashmë normë, të hartuara dhe të ekspozuara nga pushteti i Ramës si të domosdoshme e detyruese për t’u zbatuar.

    Në këtë këndvështrim patronazhistët politikë, administrata e frustruar dhe frikësuar, bandat e krimit të organizuar, mediat e blera ose të vetëofruara, policia e kapur, megjithëse janë ekzekutorët e vrasjes e asgjësimit të votës, ndjehen krejtësisht me ndërgjegje të qetë para pasqyrës së tyre dhe besoj nuk kanë asnjë reflektim përkundër ndjenjës së triumfit.

    Madje i duket e tepërt, për të mos thënë e çuditshme, ajo që sot kërkon opozita.

    Sipas tyre ato kanë ndjekur “rregullat” e pushtetit të imponuara nga partia dhe kreu i organizatës, të cilat janë përtej ligjit e kushtetutës, por ama që konsiderohen fuqiplote në një sistem i cili ka në bazë banalitetin politik.

    Blerja e votës prej tyre, manipulimi industrial, deformimi me dhunë e benifite i saj, është një proces i shpallur prej vitesh dhe tani ka arritur kulmin.

    RAMA, si banalitet politik

    Rama hyri në politikë dhe do dalë prej saj si krijuesi i banalitetit politik, si politikani që asgjësoi votën dhe si kryeministri që themeloi një narko-regjim shembullor.

    Makineria e tij e manipulimit është gjigande dhe ka brenda çdo mekanizëm qeverisës përfshirë dhe mediat, institucionet e drejtësisë e KQZ, por dhe tërësinë e partive çirake politike.

    Fushatat elektorale të tij prej kohësh janë kthyer në një garë për batuta, slogane që harrohen një ditë pas zgjedhjeve, dhe shfaqje populiste që nuk i shërbejnë qytetarit, por vetëm imazhit.

    Ai nuk thotë asgjë sepse pas këtyre kuintave banale, gjithçka tjetër është kriminale: hajdutëri, blerje masive, angazhim krimi, para e pisët, deformim e asgjësim vote.

    Në fund të ditës zgjedhjet nuk ekzistojnë për të. Kemi vetëm një ritual të përsëritur, ku ndryshon vetëm dekori, por jo skenari.

    BERISHA, si sfidant

    Në një telefonatë të vitit 2013 kur mbaja detyrën e kryetarit të PD të degës, me Berishën, asokohe Kryeministër, më bëri përshtypje që insistimi i tij themelor ishte drejtësia e votës dhe qartësia e procesit zgjedhor dhe jo fitimi i zgjedhjeve me çdo kusht dhe mjet.

    E kam mbyllur komunikimin jo pa habi, por ky ishte Doktori. Ai donte të fitonte me drejtësi, me llogaridhënie, me program dhe me vlera politike.

    I tillë është dhe sot.

    Brenda konceptit të tij vota është e mbetet themel i një sistemi të cilin e deshëm dhe e ëndërruam që në 1990.

    Banalistët që paraqitën si analistë e që sot kanë triumfuar si shpura e praruar e banalitetit të Ramës, nuk reshtin sulmet ndaj tij, politikanit i cili dhe në gjykimin e kundërshtarëve te tij më të egër mbetet “i vetmi politikan i vërtetë”.

    Por skema banale e kërkon këtë dhe të gjitha bateritë e shigjetat e banalitetin drejtohen sot ndaj njeriut e cili përfaqëson e transmeton të kundërtën e banalitetit.

    Tek ai ka pasur e ka seriozitet politik, program real, pozitivitet njerëzor dhe vizion të prekshëm.

    Spostimi i debatit mediatik nga problemi i banalitetit tek sfidanti është vazhdim i triumfit të banalitetit me media banale e metoda banale.

    Epilog

    E gjitha kjo që ka ndodhur me asgjësimin e votës, nuk është vetëm një krizë politike. Është dhe një krizë e thellë kulturore dhe qytetare, sepse heshtja pranuese e së keqes është më e keqe se vetë e keqja.

    Dhe sfida më e madhe sot nuk është të mundësh një parti apo një kandidat.

    Sfida është të mposhtësh mbretërinë e banalitetit e të kthesh votën, seriozitetin dhe përmbajtjen në qendër të debatit publik.

    Demokracia nuk vdes me një krismë; ajo fiket ngadalë, kur ne pranojmë që gjithçka është “në rregull” edhe kur nuk është.

    Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë ta rikthejmë kuptimin e votës.

    Jo thjesht si një të drejtë formale, por si një akt moral dhe politik që kërkon përgjegjësi nga të gjithë: qytetarë, politikanë dhe institucione.

    Sepse një votë e asgjësuar është një demokraci e rrënuar. Dhe një demokraci e rrënuar është toka ku rritet banaliteti i së keqes.

    Është lluca ku “derri” Ramë ndjehet Kryeministër i banalitetit.