Blog

  • Nga Armand MAHO – ‘Të na rruaç’ nga Kuçi!

    Në këto zgjedhje, Edi Rama nuk po investohet për të çuar Shqipërinë në BE. Nëse do të kishte dashur, kjo do të kishte ndodhur me kohë. Rama ka qenë njeriu që ka bllokuar ose ka tentuar të bllokojë sistematikisht procesin e integrimit. Kush e beson se Rama do të jetë njeriu që do të japë pasaportën e BE-së, të paktën është i sylesh.

    Këto zgjedhje për Ramën janë për jetë a vdekje. Duket qartazi se, qoftë BE, qoftë SHBA, janë neveritur nga autokrati që arritjen më të madhe të tij e ka largimin e qytetarëve nga vendi. Në këto zgjedhje, Ramën e ka lënë në baltë edhe miku i tij Erdogan, i cili, pavarësisht metodave aspak demokratike që përdor në vendin e tij, duket se nuk ia fal kollaj lidhjet me Sorosin, ish-mikut të tij. Besoj e mbani mend se sa herë qurravitej Rama para disa vitesh, Erdoganin e kishte me shami në dorë. Tashmë edhe Erdogan, pavarësisht antikonformizmit të tij ndaj BE-së, e ka të qartë se nuk i duhet më një kufomë politike si ai.

    Në këtë panoramë mjerimi për kryeministrin, s’ka asnjë dyshim se si aleatë të tij i kanë mbetur vetëm patronazhistët që i ka dhe të punësuarit në administratë, por edhe ndonjë votues sylesh, nostalgjik i mësuar me diktatura të gjata, që sheh te Edi Rama as më shumë e as më pak sesa të mishëruar figurën e një lideri autoritarist, të ngjashëm me qoftëlargun.

    E parë në këtë këndvështrim, mund të kuptohet lehtësisht imazhi që po kërkohet të imponohet në publik për një fitore imagjinare të Ramës. Në një kohë kur s’i dalin llogaritë askund, nuk u mjaftua me sondazhet false, të paguara dhe të hartuara sipas mendjes së tij, nuk u mjaftua as me gjuhën denigruese apo thirrjet për të mos votuar, por në Kuç të Vlorës, nën ison labe dhe qëndrimin “gatitu” të dy apo tre militantëve të tij, firmosi “Memorandumin e Kuçit” një paçavure e  ngjashme me atë të vitit 2021, vetëm se këtë herë ka harruar se kë ka përballë.

    Zgjedhjet e 11 majit janë kthyer në një sfidë, jo për Sali Berishën, as për opozitën në tërësi. Kjo është një luftë që po zhvillohet mes qytetarëve dhe Edi Ramës. Litari është ngrehur dhe shtrënguar në atë farë feje, me varfëri dhe padrejtësi  sa siç e thamë edhe më parë vetëm syleshët nostalgjikë nuk dinë ta shohin, ndonëse për ta ndjerë, e ndjejnë fort mirë  që ç’ke me të.

    11 maji nuk është thjesht një ditë votimi. Ajo është, para së gjithash, një verdikt kundër të gjitha veseve dhe poshtërsive që solli Edi Rama me sektin e tij të rilindjes.

    Prandaj shqiptarët duhet të japin një votë përmbytëse , aq përmbytëse sa Edi Ramën dhe shpurën e tij ta dërgojë atje ku e ka vendin. Edi Rama duhet bërë shembull për këdo që vjen pas tij. Mesazhi duhet të jetë i qartë: asnjë individ, politikan apo lider, të mos guxojë më të nëpërkëmbë popullin e tij, të cilin, pasi e ka vjedhur deri në rrasht, e përbuz, e pështyn dhe e përzë nga trojet e tij.

    Po ashtu, është siç thotë vetë Rama: vota e 11 majit duhet të jetë ndarja përfundimtare nga e keqja për këtë vend, dhe kjo duhet të fillojë nga vetë ai. Fati i tij nuk duhet të jetë vetëm largimi nga politika.

  • Nga Alfred LELA – 100 ditë apo 16 vite?

    Nga Alfred LELA – 100 ditë apo 16 vite?

    Marshall McLuhan, një nga mendjet më brilante të komunikimit, ka një shprehje që është pranuar si aksiomatike: mediumi është mesazhi. E thjeshtuar do të thotë se, mesazhi nuk është vetëm çka thuhet, por edhe ai/ajo që e thotë. Në këtë kuptim kur Berisha dhe Rama, dy rivalët e mëdhenj të kësaj fushate elektorale, thonë diçka, nuk është vetëm çka thonë por edhe cili. Pra cilësitë, kreditet, historitë e kandidatit.

    Të dy ata, në më shumë se një kuptim, janë në luftë me kohën dhe e kanë atë kundër. Berisha për shkak të moshës biologjike, dhe Rama për shkak të moshës së pushtetit. I pari është 80 vjeç, ndërsa i dyti është në pushtet të pandërprerë ekzekutiv që nga 1998, pra prej 27 vitesh, 12 prej tyre si kryeministër, që nga 2013.

    Është pikërisht te kjo ‘betejë’, apo te raporti i dy kandidatëve me të vetmen përballje që nuk fitohet- me kohën- që mund të na ndihmojë të kuptojmë se cili është kandidati i duhur për punën e kryeministrit. Në gjuhën e Sali Berishës koha është diçka e çmuar, që nuk mund të abuzohet (vdirret) dhe as mund të merret apo ofrohet falas. Në premtimet e tij, jo vetëm në intensitetin e javëve të fundit, por që prej dhjetorit të vitit të shkuar, ai artikulon ‘100 ditëshin’ si njësi matëse të kohës politike. Kërkon 100 ditë për Paketën e Dhembshurisë, po kaq për luftën kundër krimit dhe korruspionit (‘pastrimin e shtëpisë’, duke huazuar nga fjalori i Trump), e me radhë. Sali Berisha është pra një kandidat finit, që operon brenda kufijve të së kapshmes apo të së mundshmes.

    Edi Rama është e kundërta. Ai operon brenda ‘kompleksit të Zotit’, që e ka kohën të vetën, infinite, dhe brenda saj ofron të pafundmen. Për shembull, ai artikulon “Shqipëria 2030”, një stacion që është 1 vit përtej mandatit që kërkon, si për të thënë se ai ka në dorë jo vetëm këtë, por edhe vijuesin. Nëse nuk e bën këtë mandat (2025-2029) e bën në pasuesin. Çka nuk thotë është se, nëse koha e tij në pushtet mund të konceptohet si e pafundme, e atyre që janë pa pushtet, dmth popullit, ka skadencë. Fermeri, i riu, pronari i një dyqani, pensionistja etj., nuk e kanë luksin e kohës pas fund. Atyre u nevojitet diçka sa më shpejt. Trokashka e halleve të së përditshmes troket çdo orë e ditë. Ata nuk e kanë dikë që u sjell një verë të shtrenjtë, që u bën një vilë të mirë, që u dhuron një seancë detoksi. Hallet e tyre, të vogla a të mëdha, mund t’i zgjidhin vetëm vetë. Nëse kanë një qeveri që, në mos i ndihmon të paktën nuk i mundon, mirë.

    Kështu, këto zgjedhje kanë vënë përballë 2 burra të cilët mund ose jo të bëjnë diçka me kohën. Me kohën e tyre në pushtet dhe sidomos me kohën e atyre që votojnë. Sali Berisha kërkon të jetë në pushtet për 100 ditë, dhe brenda këtij vetëkufizimi e mat apo e sfidon veten. Edi Rama, me 12 vite në pushtet, kërkon një mandat tjetër të pakufizuar. Për tani i ka vënë targën “2030”, por mund ta riformulojë si të dojë. Për të koha nuk ka lëndë as rëndësi.

    Për ju mendoj se po. Duhet të ketë.

    E di që mund t’iu duket si ushtrim filozofik e gjithë kjo, por në fakt bazohet në një logjikë kaq të thjeshtë dhe sublime në të njëjtën kohë. Ka të bëjë me një lëndë infinite si koha, por po ashtu e shterrshme për të gjallët. Për të gjithë pa përjashtim.

    Sali Berisha dhe Edi Rama po ju kërkojnë kohë borxh. Ju kujt do t’ia jepnit: atij që u kërkon 100 ditë apo atij që u kërkon 16 + vite!?

  • Nga Armand SHKULLAKU – A i trembet Rama hakmarrjes së heshtur më 11 maj

    Në ditët e fundit të fushatës, Edi Rama po shpërfaq një të papërmabjtur mllef ndaj kujdo që vë në pikëpyetje rezultatet e sondazheve që e nxjerrin atë dhe Partinë Socialiste fitues. Ky shkulm kundër komentuesve dhe gazetarëve, të lirë për t’i analizuar sipas këndvështrimit të tyre shifrat elektorale, ndonëse i palejueshëm, mund të kuptohej nëse do të vinte nga opozita. Por jo. Ai buron nga koka dhe goja e kryeministrit, duke lënë shijen e një lajthitje mbi objekt.

    Pse e shqetësojnë Edi Ramën komentet mbi sondazhet, kur ato që kanë rëndësi janë shifrat elektorale? Normalisht do të duhej të ndihej i qetë përsa kohë anketimet janë në përputhje me pritshmëritë e tij. Ai thotë se do të korrë një fitore historike, madje e ka projektuar me atë të vitit 1997 kur ai ishte emigrant në Francë, dhe shifrat larushane në shumë ekrane e mbështesin optimizmin e tij. Rama thotë se sondazhet paraqesin realitetin, se ai nuk ka kundërshtarë, se është i vetmi që shqiptarët i besojnë etj, etj. Atëherë përse duhet t’i acarojë nervat delikate me ata që vënë në pikëpyetje shifrat kur ai vetë e di rezultatin?

    Duke lënë mënjanë probabilitetin e lajthitjes, logoreja e kryeministrit kundër gazetarëve, para syve të çmeritur të qytetarëve, mund të shpjegohet me faktin se ai është i ndërgjegjshëm se çfarë janë ato sondazhe dhe se, çdo analizë objektive e tyre, ia rrëzon propagandën e qeverisjes së suksesshme. Për të mos folur për ato ekrane, që dikur bënin anketime se italianët donin për kryeministër Edi Ramën, edhe sondazhet që nisen nga premisa profesionale paraqesin anomali serioze. Këtë Rama e di shumë mirë, prandaj i prishet qetësia kur i tregojnë, se ai vetë thotë se nuk i sheh, komentet që bëhen për shifrat e tij elektorale.

    Një shoqëri që kur testohet nga sondues ndërkombëtarë për çështje jo politike, rezulton më e pakënaqura në rajon me qeverisjen dhe pastaj goxha më e kënaqur kur pyetet në prag të zgjedhjeve nga anketues lokalë, dëshmon frikën dhe pasigurinë e kësaj shoqërie që qeveriset në mënyrë arbitrare për 12 vjet nga një njeri i vetëm. Kreyministri e di që sondazhet, ndonëse i shkojnë sipas midesë, nuk e kapin këtë deformim të një shoqërie që nuk është e lirë dhe që nuk lejohet të votojë e lirë. Shqetësimi i tij lidhet pikërisht me faktin, se çdo koment, analizë apo kritikë që e vë në pah këtë deformim, mund të zgjojë kundërreagim të qytetarëve. Frika dhe pasiguria nuk mund të zgjasin përjetësisht.

    Rama me shumë gjasë i trembet një hakmarrje të heshtur në kutitë e votimit. Atë që njerëzit nuk guxojnë ta thonë përballë një intervistuesi, mund ta realizojnë me një shenjë mbi fletën e votimit. Nevoja për të vrarë frikën e tyre, mund të shëndërrohet në akt për të vrarë sundimin e gjatë të një njeriu. Dhe sa më shumë zëra e dëshmojnë presionin me vende pune, me para, me banditë, me premtime e mashtrime, me propagandë e kërcënime, aq më i dukshëm bëhet deformimi i vullnetit të votuesve. Prandaj kryeministri nuk ka se si gjen qetësi tek shifrat e sondazheve, përsa kohë është i vetëdijshëm se ato janë fryt i një regjimi autokratik dhe jo rezultat i një qeverisje të mirë.

    Atij i dhembin më shumë komentet se sa e ledhatojnë sondazhet, për faktin e thjeshtë se në fund të 12 viteve, jo vetëm kundërshtarët por edhe socialistët kanë gjithë të drejtën e botës për një hakmarrje të heshtur. Në tre palë zgjedhje ata votuan si socialistë dhe morën në këmbim hajdutë e banditë që bënë kërdinë me taksat e tyre. Votuan për një model të majtë, për më shumë barazi e solidaritet dhe për mbi një dekadë numërojnë vilat dhe sarajet e qeveritarëve, milionat për veshje e udhëtime, shishet e verës dhe koshat e NBA ku sheik- kryeminstri socialist argëtohet me familjen. A kanë ata të drejtë të hakmerren, qoftë edhe pa bërë zë, kur të shkojnë në kutitë e votimit?

    Po ata prindër që u ka vajtur dinjiteti në fund të këmbëve duke iu lutur fëmijëve të tyre të votojnë për një vend pune, për një rrogë arsimtari, për një leje legalizimi apo një pension invaliditeti? Po ata që nuk guxojnë të ngrenë kokën kur përfaqësuesi kokëgdhë i rilindjes e kërcënon me bukën e përditshme? A munden këta një ditë të vendosin që, të paktën në heshtje, ta groposin frikën dhe të marrin hak?

    Qytetarë që ndëshkojnë me votë qeveritë e tyre kur nuk përmbushin premtimet e aq më tepër kur abuzojnë e vjedhin, janë normalitet në çdo shoqëri demokratike. A mund të ndodhë kjo këtë herë edhe në Shqipëri, ashtu heshtur dhe pa zhurmë siç po mbyllet dhe vetë fushata elektorale? Kjo është pyetja që ia prish gjumin Edi Ramës dhe nuk ka sondazh që t’i shërbejë si somnifer. Pikën kur pakënaqësia popullore mund të bashkohet me nevojën për ndëshkim, në një shoqëri të nënshtruar, është  vështirë të parashikosh. Prandaj komforti i sondazheve nuk e mposht dot akthin e hakmarrjes së heshtur. Rama bërtet për të marrë zemër nga zëri i vet.

  • Nga Enver BYTYÇI – Paralele midis ‘Agjendës 2010’ të Gerhard Schoeder dhe ‘Agjendës 2030’ të Edi Ramës!

    Në vitin 2004-2005 ish-kancelari gjerman, Gerhard Schroeder, pati shpik slloganin ‘Agjenda 2010’! Qëllimi i tij ishte që pas tetë vitesh në pushtet të garantonte edhe një mandat të tretë. Gjetja ishte impresionuese. Sipas llogarive të Schroeder ai sllogan do të ngjiste te zgjedhësit gjermanë dhe në fushatë kancelari i atëhershëm dukej entuziast. Ndodhën edhe përmbytjet e Lumit Elba në Gjermaninë Lindore dhe kancelari Schroeder veshi çizmet e pantallonat mushama e hyri në ujërat e turbullta, duke e shit veten si ‘njeriu i sakrificës’, që meritonte edhe një mandat tjetër në qeverisje.

    Zgjedhjet u bënë në shtator 2005. Schroeder i humbi zgjedhjet. Gjermania vendosi për të bërë rrotacionin. Angela Merkel kryesoi qeverinë e re gjermane. Po Schroeder? Ai u strehua në Moskë e Petërgrad të Rusisë, pranë Gazprom-it rus. Ia mundësoi këtë këtë lloj azyli të butë miku i tij i zemrës, Vladimir Putin. Më pas doli hapur pro politikave të Kremlinit dhe bëri avokatinë e atyre politikave, sidomos në vitin 2008, kur Putin aneksoi dy krahina të Gjeorgjisë, atë të Abkahzisë dhe Osetinë e Jugut! Por edhe në vitin 2014 Schroeder e justifikoi pushtimin dhe aneksimin rus të Krimesë. Në vitin 2022 ai doli hapur në krah të ‘së drejtës së Kremlinit’ për agresionin ushtarak kundër Ukrainës.

    Prej vitit të kaluar e sidomos në këtë fushatë zgjedhore Edi Rama ka zgjedhur të kopjojë ish-kancelarin gjerman. Ka shpallur ‘agjendën 2030’! Me të njëjtin synim, të zgjasë pushtetin e tij absolut e autoritar në Shqipëri. Bashkë me zgjatjen e pushtetit të shtojë pasurinë e tij, duke grabitur pasuritë e shqiptarëve.

    Dhe bashkë me këto të vazhdojë të shpopullojë qytetet më të mëdha të Shqipërisë, siç bëri në 12 vite me fshatrat dhe qytetet më të vogla të saj. Edi Rama është një kopjac i keq. Shpiku kopjen e Gerhard Schroeder me shpresë se nuk do ta pësojë fatin e modelit që zgjodhi. Pra në përpjekje për të marrë një mandat të katërt.

    Në fakt modeli Schroeder nuk do t’i sjellë fat Edi Ramës. Përkundrazi, kur nuk ngjiti atëherë të gjermanët, te shqiptarët nuk ka si të ngjisë ky sllogan. Shumica prej tyre nuk e dinë se çfarë do të thotë kjo lloj agjende. Por edhe se agjendën e Edi Ramës shqiptarët prej 12 vitesh e provojnë në kurrizin e tyre.

    Agjendë me më shumë varfëri, polarizim të shoqërisë, me më shumë kriminalitet e mafie në strukturat e shtetit e në shoqëri. Kjo lloj agjende mallkohet prej shqiptarëve, jo më të votohet. Në vend të votimit Edi Ramës i ka ardhur mallkimi. Por mbas humbjes më 11 maj ka shumë shanse që Rama të shkojë në Beograd.

    Aty ai ka sivëllain e tij, Vuçiq dhe ka mundësi që vitet e pleqërisë t’i kalojnë bashkë.

  • Kush është sot futbollisti më i mirë në botë? Messi dhe Ronaldo tani janë “të vjetëruar”, dy emra mbi të gjithë

    Kush është sot futbollisti më i mirë në botë? Messi dhe Ronaldo tani janë “të vjetëruar”, dy emra mbi të gjithë

    Pas performancës së shkëlqyer të 17-vjeçarit Lamine Yamal, në gjysmëfinalen e Champions League, kundër Barcelonës, rikthehet në modë pyetja: kush është futbollisti më i mirë në botë sot? Duhet kujtuar se Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, të cilët dominuan skenën për 20 vjet, janë ende aktivë, por kanë qenë në periferi të futbollit që ka rëndësi prej disa kohësh tashmë.

    Njëri luan në MLS me Inter Miami, tjetri me Al-Nassr në Saudi Pro League – Ligën Profesionale Saudite. Ndër futbollistët që luajnë në Evropë, emrat më të kuotuar janë mbi të gjithë dy, për momentin: Mbappè i Real Madridit dhe, pikërisht, ylli i Barcelonës, Lamine Yamal. Por padyshim që një sy duhet mbajtur edhe mbi Erling Haaland, Vinícius Jr dhe Jude Bellingham të cilët shpesh tregohen ndër më të mirët, ashtu si dhe Salah i Liverpoolit.

    Lista, sigurisht, përfshin edhe ish Napolin, Victor Osimhen dhe Khvicha Kvaratskhelia. Nuk mund të mos përmendet Julian Alvarez, Rodri, fituesi i fundit i Topit të Artë, De Bruyne dhe djaloshi i përjetshëm Luka Modric. Të tjerë futbollistët janë, Leao me shumë admirues, por edhe Lautaro Martinez pëlqehet nga shumë tifozë. Në disa lista sociale është edhe Scott McTominay, i cili ka ngjallur shumë kuriozitet.

  • Nga Agron DUKA – Kur Lulzim Basha luan rolin e Zegjinesë së Roskovecit!

    Nga Agron DUKA – Kur Lulzim Basha luan rolin e Zegjinesë së Roskovecit!

    Lulzim Basha, disa herë me radhë, sulmon kandidatin e PAA dhe “Shqipëria Madhështore” në qarkun e Tiranës, Elton Rroshi.

    E sulmon nëpër studio televizive, bën postera dhe bën thirrje të mos e votojnë, sepse z. Rroshi është kushëri i z. Elvis Rroshi.

    Tani, besojmë se z. Basha duhet ta dijë që në pushtet është PS dhe Edi Rama, dhe jo Sali Berisha, PD-ja dhe aleatët e saj.

    Dhe mbi të gjitha, Elton Rroshi nuk ka asnjë funksion publik, asnjë përgjegjësi shtetërore, që të justifikojë sulme gjatë një fushate elektorale.

    Ajo që nuk e dimë në këto kushte është: çfarë roli ka Basha në këtë fushatë?

    Pra, a është ai në opozitë dhe kërkon të marrë pushtetin, apo është në opozitë dhe lufton për të mbajtur në pushtet ata që janë tani?

    Sepse të jesh në opozitë, do të thotë të luftosh me ata që janë në pushtet, jo me ata që janë gjithashtu në opozitë.

    Ne e dimë se Basha nuk ka asnjë ambicie për pushtet.

    Në rastin më të mirë, ai po garon për vendin e pestë në këto zgjedhje.

    Ndaj, nuk po e harxhon fushatën kot, por ka vendosur të bëjë ndonjë “plaçkë”, si shumë të tjerë si puna e tij.

    Mesa duket, ai është ngarkuar nga z. Rama që të bëjë me kandidatin tonë Elton Rroshi atë që bën Zegjineja e Roskovecit me kandidatin e “Shqipëria Madhështore” në qarkun e Fierit, z. Gazmend Bardhi.

    Por, mesa duket, as rolin e Zeqines nuk po e luan mirë!

  • Milan, ja kush janë lojtarët më të fortë në historinë e kuqezinjve

    Milan, ja kush janë lojtarët më të fortë në historinë e kuqezinjve

    AC Milan është një gjigant i padiskutueshëm në futbollin evropian. I pasur me një traditë të lavdishme dhe histori që kanë galvanizuar tifozët në të gjithë globin, klubi, në harkun e tridhjetë vjetëve, ka parë në rradhët e tij disa prej yjet më të ndritshëm të qiellit të futbollit. Duke dominuar Serie A dhe shkëlqyer në kompeticionet Evropiane më të rëndësishme, Rossonerët i kanë dhuruar një sërë momentesh të paharrueshme botës së futbollit. Le t’i eksplorojmë së bashku pra të gjithë ata që përbëjnë formacionin më të jashtëzakonshëm të gjitha kohërave të Milanit.

    Sebastiano Rossi

    Duke filluar nga vija e fundit e mbrojtjes, ikoniku Sebastiano Rossi ka qenë një nga portierët më të mirë të Serie A në vitet ’90. E filloi karrierën e tij në Cesena përpara se t’i bashkohej Milanit të madh më 1990. Rossi u shndërrua në portierin e paracaktuar për skuadrën e “Të Pathyeshmëve” gjatë sezonit legjendar 1991-92. Portieri italian kaloi 12 vite me Milanin, duke e mbajtur portën të paprekur në plot 150 raste.

    Marcos Cafu

    Mbrojtësi i djathtë brazilian Cafu është një tjetër legjendë e futbollit që meriton të përfshihet në këtë listë speciale.

    Cafu firmosi me klubin kuqezi më 2003, pas një periudhe të ndritur me Romën. Shënoi 4 gola dhe dha 22 asiste në 166 paraqitje zyrtare me Milanin.

    Alessandro Nesta

    Mbrojtësi i qendrës i lindur në Romë ishte një tjetër emër i shquar i skuadrës milaniste nga viti 2002 deri më 2012.

    Përgjatë dhjetë sezoneve të tij te Milan, Nesta ka fituar, ndër trofe të tjerë, dy Scudetto dhe dy Champions League.

    Paolo Maldini

    Pa dyshim mbrojtësi më ikonik italian i të gjitha kohërave, i madhi Paolo Maldini ishte një mbrojtës i majtë unik. Aftësia e tij për të lexuar lojën me elegancë dhe klas e bëri të shndërrohej në një legjendë të vërtetë. Ish shoku i skuadrës, Cafu, e përshkruan atë si “simbolin dhe fytyrën e Milanit”, duke theksuar ndikimin e tij në skuadër.

    Andrea Pirlo

    I mbiquajtur nga shumë si një “gjeni i futbollit”, Andrea Pirlo ka kaloi një dekadë duke mbrojtur ngjyrat e AC Milan. Mesfushori italian ka realizuar 41 gola dhe 71 asiste në 401 ndeshje. “Pirlo është një lider i heshtur. Ai flet me këmbë”, ka deklaruar ish-trajneri i kombëtares së Italisë, Marcello Lippi.

    Gianni Rivera

    Gianni Rivera konsiderohet një legjendë e klubit pasi gati njëzetë vjetësh të kaluar duke luajtur me fanellën e AC Milan (nga viti 1960, deri më 1979). Mesfushori italian konsiderohej “Golden Boy i futbollit italian”. Është shumë i lëvdëuar për aftësinë në leximin e lojës së kundërshtarëve dhe prezencën dominante në mesfushë.

    Ricardo Kaká

    Brazilian ishte një perlë e vërtetë për t’u admiruar. Mbërriti tek Milan më 2003, ku krijoi një reputacion të nivelit botëror.

    Përdorimi që i bënte topit e pati shndërruar në një makth të vërtetë për mbrojtësit kundërshtarë. Kaká ka fituar Topin e Artë më 2007.

    Gennaro Gattuso

    E do apo e urren, sjellja e zjarrtë e Gattusos në fushë e bëri një lojtar të paçmuar për Milanin, duke dhënë një kontribut të madh në historinë e pasur të klubit. Për rreth 13 vjet, nga 1999 deri më 2012, “Ringhio” realizoi 11 gola dhe 19 asiste në 468 ndeshje për klubin.

    Clarence Seedorf

    Lojtari hollandez ka bërë pjesë në brezit e artë të viteve 2000, duke u dalluar për lojën e tij me këmbë dhe futbollin elegant në mesfushë.

    Pas një periudhe të suksesshme te Real Madridi dhe Interi, ai firmosi me Milanin, duke shënjuar fillimin e një historie të madhe suksesi.

    Marco van Basten

    Hollandezi ishte një kërcënim i vërtetë dhe i vazhdueshëm në fushë.

    Pavarësisht dëmtimeve të vazhdueshme, Van Basten ishte një nga sulmuesit më të mirë në Evropë, të asaj kohe, duke shënuar 125 gola vetëm për Milanin.

    Andriy Shevchenko

    Andriy Shevchenko është padyshim një nga sulmuesit më të mirë në historinë e Milanit.

    Sulmuesi ukrainas ka kontribuuar për fitimin e Champions League, në sezonin 2002/03 dhe ka shënoi 175 gola në 322 ndeshje me kuqezinjtë.

    Figura të tjera të Nderuara

    Historia e Milanit ka qenë e qëndisur me talente të klasit botëror përgjatë viteve, gjë që e bën veçanërisht të vështirë ngushtimin e skuadrës vetëm në njëmbëdhjetëshen titullare. Megjithatë, nuk donim të linim pa përmendur edhe disa prej emrave të ndritur, që i kanë dhënë shumë historisë së klubit tonë të lavdishëm.

    Nelson Dida

    Një tjetër portier i madh kuqezi ka qenë Nelson Dida, i cili konsiderohej si një nga më të mirët në botë në kulmin e karrierës së tij te Milan (2003-2005).

    Portieri brazilian e ka mbajtur portën të paprekur në 132 ndeshje për kuqezinjtë.

    Frank Rijkaard

    Arrigo Sacchi, në sezonin 1988-89, vendosi të përforconte mesfushën e Milanit me Frank Rijkaard, i cili iu bashkua bashkëkombësve të tij Marco van Basten dhe Ruud Gullit.

    Rijkaard ka realizuar 26 gola dhe 26 asiste për Rossonerët në 201 paraqitje zyrtare.

    Ruud Gullit

    Ruud Gullit bënte pjesë në legjendaren treshe hollandeze që iu bashkua Milanit në fund të viteve ’80, pas ndryshimit të rregullave në Serie A, që mundësonte më shumë lojtarë të huaj për skuadër. Mesfushori sulmues hollandez ishte një spektakël në fushë. Pavarësisht periudhës së tij të shkurtër në klub, realizoi 56 gola dhe 38 asiste në 171 paraqitje zyrtare.

    Roberto Donadoni

    Donadoni ka qenë një tjetër lojtar i jashtzakonshëm që ka kontribuuar në epokën e artë të Milanit në fund të viteve ’80 dhe ’90.

    Mesfushori dallohej për talentin dhe aftësinë e tij teknike me topin.

    Marrë nga: milanistat.com

  • Pse i kërcënon Rama qytetarët që ankohen për korrupsionin

    Pse i kërcënon Rama qytetarët që ankohen për korrupsionin

    Ka një moment në takimet e fushatës së Edi Ramës, kur ai nuk e mban dot më rolin me të cilin del nga shtëpia çdo politikan; atë të shërbëtorit të popullit, të njeriut që ka ardhur për të dëgjuar hallet e qytetarëve dhe që herë pas here i hedh ndonjë romuz apo akuzë rivalëve politikë. Ky është momenti kur ndonjë qytetar i ankohet se ka paguar ryshfet, se ka qenë i detyruar të bëjë pagesa nën dorë për të marrë shërbimet që normalisht i takojnë falas dhe me shansin që i jepet për të pasur kryeministrin përballë, shpreson t’i përmirojë gjërat duke e vënë në dijeni për zyrtarët e korruptuar që sillen pandershmërisht dhe i kërkojnë qytetarëve t’i dorovisin me para.

    Ndodh në atë moment që buzëqeshja e Ramës kthehet në skërmitje, premtimet për rivitalizimin ndalen dhe ekranet me projeksionet 3D, fiken. Qytetarit të gjorë që ka guxuar të hapë temën e korrupsionit, të thyejë këtë tabu të takimeve elektorale dhe të ngrejë zërin për t’u ankuar, i del përballë fytyra tjetër e kryeministrit, ajo e arrogancës, e intimidimit dhe gjuhës së shantazhit.

    Skena u përsërit këtë të hënë në Shkozë, gjatë një takimi që synonte t’i siguronte banorët e zonës për garancitë dhe standartet e fabrikës së armëve që pritet të ndërtohet pranë shtëpive të tyre. Teatri i dëgjesës së halleve me popullin nisi më së miri, me fjalimet e ministrave të rinj që recituan fjalimet dhe i siguruan qytetarët se nuk ishte rasti për t’u panikosur, përkundrazi fabrika e re sjell edhe punësim, edhe investime. Pati edhe qytetarë që kërkuan ndërtimin e rrugëve, ndonjë kërkoi legalizime dhe një tjetër falenderoi qeverinë për punët e mëdha që kishte bërë në Shkozë. Por takimi mori rrjedhë tjetër, gati u prish pikërisht kur një prej qytetarëve u ngrit dhe pa iu dridhur qerpiku i përmendi Edi Ramës korrupsionin e inspektorëve të IMT dhe të policisë, që sapo tenton të ngresh ndonjë kotec bie fjala, paraqiten njëri pas tjetrit në radhë dhe nuk ikin pa u dorovitur mirë me të holla.

    “Një moment që do të bësh një kotec pulash, po e zej, të vjen IMT, IKMT, policia bashkiake, policia e rendit. Edhe nuk vijnë në zbatim të ligjit, por vijnë thonë 5 mijë njëri, 5 mijë tjetri, 20 mijë euro. Shikoje vet këtë punë” u shpreh qytetari.

    Kaq u desh dhe Rama e la rolin e shtetarit që ka ardhur aty për të dëgjuar dhe për t’u qarë hallet bashkëqytetarëve të tij. Njësoj si të ishte vetë ndonjë nga inspektorët e akuzuar, a thua se e kishin kapur në flagrancë, kryeministri u ndez dhe nisi t’i flasë me ton tjetër qytetarit, duke e fajësuar edhe atë me fjalët:

    “Nuk mund të flasësh në hava” “Zotnia jote ka ndërtu pa leje ktu? Apo jo? Ëëë?” “Është edhe turp i madh që e thua kështu”, “Ti do ta denoncosh sepse nuk mund të ma bësh mua kështu e të qeshësh, më kupton?”, “Në bazë të ligjit shqiptar, ti je po aq fajtor sa dhe kushdo qoftë që ka bërë këtë gjë”

    Video e ankesës së qytetarit për korrupsionin e inspektorëve dhe përgjigjen e Ramës e shihni më poshtë:

    I bindur se qytetari do të kishte frikë të shkonte më tej me denoncimin përderisa e shpalli njësoj fajtor për korrupsion, Rama e ka ftuar të shkojë në polici, ose të heshtë, gjithnjë duke i kërkuar përgjegjësi për fjalët e thëna publikisht.

    Nga mënyra se si reagoi, kuptohet se kryeministri nuk e sheh si viktimë qytetarin që ankohet për korrupsion.

    Përkundrazi, në sytë e kryeministrit ky është fajtor, sepse guxoi ta bëjë denoncimin para kamerave, të mos heshtë për një të vërtetë që e njohin të gjithë, në një takim elektoral ku duhet respektuar rregulli i pashkruar i heshtjes dhe aktrimi sikur çdo gjë po shkon më së miri. Edhe kur mbaroi takimi, (VIDEO Më LART), shihet se si ministri i brendshëm, Ervin Hoxha i kërkon qytetarit të heshtë dhe i thotë se ka gabuar, duke i tërhequr vërejtjen për akuzën që bëri për korrupsion, edhe pse ky këmbëngul se kjo është një e vërtetë që e dintë të gjithë, sepse të gjithë kishin paguar para për legalizimet.

    E vërteta për korrupsionin nuk janë disa inspektorë dhe policë, që rastisën “djem të këqinj” në një rrugicë në periferi të Tiranës. Ata janë pjesë e një mekanizmi më të gjerë, të projektuar që të vjelë ryshfet dhe më pas t’i kalojë paratë dorë më dorë, deri lart në administratën shtetërore. Kjo është dhe mënyra se si furnizohet dhe mbahet në këmbë makineria e madhe e fushatave elektorale.

    Ndaj kushdo që ngre zërin për këtë padrejtësi, s’ka si të marrë zgjidhje, por kërcënime dhe intimidim nga lideri,  i cili vetë qëndron ulur, këmbëkryq në majë të sistemit. Nga ky pozicion, ai gati është gjithmonë ta dëgjojë popullin, por jo kur populli i thotë të vërtetën.

  • Nga Lutfi DERVISHI – Fushatë talljeje në Republikën e Gallatës

    Kjo fushatë po thyen rekorde! Nuk po flasim për arritje ekonomike, por për shfaqjen më të madhe komike që ky vend ka parë ndonjëherë. Me një aplikim të thjeshtë, kjo fushatë mund të futet fare mirë në listën e trashëgimisë shpirtërore të UNESCO-s!

    Është fushata e parë pa debat!

    Pse të debatosh kur mund të flasësh në kafe, në Facebook, Instagram apo në ëndërr? Debatet?

    Debatet janë për ata që s’ kanë pushtet. Për atë që është në pushtet, mjafton monologu!

    Është një fushatë ku partia që qeveris prej 12 vitesh, kundërshtarin kryesor e quan kënetë, ndërsa veten qelibar.

    Një fushatë jo vetëm pa debat, por pa thelb, pa mish, pa kocka, veç me aromën e ëndrrës për një pasaportë që do vijë në vitin 2030, sigurisht me tren!

    Një fushatë pa reklama në TV? Pse të ketë? Populli e di për kë do votojë! Reklamat janë për produktet që kanë konkurrencë. Në këtë fushatë Partia në pushtet, e dashuruar me monopolet e PPP-të, i ka dhënë vetes te drejtën ekskluzive për të mos thënë asgjë, për të mos premtuar asgjë, për të mos shpjeguar asgjë. Larg qoftë për llogari e bilanc!

    Kryeministri? Ai është në “silent mode”. 15 ditë para ditës së votimit, ai i ngjan yllit të një reality show që nuk ka nevojë të paraqitet në çdo episod. 10 gladiatorë opozitarë përplasen ditë-natë në studio, ndërsa ai, Cezari modern, do të duket në finale, për të marrë trofeun.

    Ai nuk ka kohë për dalje në TV, sepse është duke ndjekur sondazhet , që siç dihet, bëhen me metoda të shenjta: lutje, meditim dhe pak magji statistikore. (Siç thoshte Mark Twain, çfarë t’i bëjmë fakteve, por numrat në dorë i kemi).

    Është një fushatë ku tallja është ushqimi bazë. Nuk flitet për shpopullimin, sepse ka mbetur pak popull për të dëgjuar. Flitet për pasaportën se kur të ikin të gjithë, të paktën të ikin me stil, si zotërinj të vërtetë.

    Opozita e vjetër është këneta,

    opozita e re është moçal,

    lideri opozitës është buf,

    ata që votojnë opozitën janë çyryk,

    ata që nuk shohin mrekullitë e qeverisë janë autik

    dhe ata që nuk kanë ndërmend të votojnë partinë në pushtet më mirë të rrinë në shtëpi!

    Është një fushatë ku në vend të programit, ka diss-e.

    Në vend të platformës, ka batuta.

    Në vend të projekteve, ka një dron me pankartë: “2030!”

    Dhe në fund, mbi të gjitha, kemi valle.

    Kjo është fushata jonë: pa debat, pa thelb, por me shumë gallatë.

    Një vend që qesh, sepse nuk qan dot.

    Kjo është Republika e Gallatës, ku zgjedhjet nuk janë për të zgjedhur, ku kush flet humb, kush hesht fiton dhe kush tallet sundon.

  • Nga Edi PALOKA – Pse tërbohet Rama nga Ilir Vrenozi?

    Nga Edi PALOKA – Pse tërbohet Rama nga Ilir Vrenozi?

    Kur mora vesh këtë “ftesën” e Ramës për kafe me Vrenozin dhe mësova përgjigjen qe i kishte dhënë Iliri, sigurisht u gëzova dhe pse jo, u ndjeva dhe krenar për qëndrimin dinjitoz të tij.

    Komunikova me Ilirin dhe mes të tjerash i bëra të qartë që Rama nuk do ti ndahej për ca kohë. I ka dhembur e djegur aq shumë refuzimi yt sa ha veten nga inati. Ai që është mësuar të korruptojë deputetë, kryetarë partish, ambasadorë e funksionarë të lartë perëndimorë deri tek drejtori i FBI Mc Gonigal, nuk korruptoi dot një qytetar të njohur për varfërinë e tij…

    Rama nuk arrin as ta përtypë po as ta besojë që i ka ndodhur kjo. Sepse Rama dhe lloji i tij nuk e besojnë që në këtë llum ku ka zhytur vendin ai , ka dhe njerëz dinjitoz, me parime e moral që nuk shiten e nuk blihen si bagëti as kur janë aq të varfër e të vuajtur sa Ilir Vrenozi. Për fat të keq, jo vetëm për Ramën po dhe për ata rreth tij, sot i ndershmi e parimori është budalla! Kush nuk vjedh, nuk korruptohet, nuk intrigon e nuk lëpihet, është çyryk. Ata që vjedhin, korruptohen, ata që ju hyjnë njerëzve në shtëpi si miq e pastaj ju marrin gruan, ata qe intrigën e poshtërsinë e quajnë vlerë, ata janë “të zot” e të përshtatshëm për “rilindjen”

    Prandaj Rama tërbohet nga Vrenozi e nga vrenozët. Jo vetëm pse ja menderosi Ilir Vrenozi po sepse Rama kryeministër është krejt e kundërta e Ilirit të varfër.

    Vrenozi është i varfër e pa shkollë të lartë, prindrit nuk i lanë asgjë, por respekti që ai ju bënte dhe ju bën edhe tani qe nuk janë më, është shembullor.

    Ti Edvin pa prindërit e tu do kishe mbetur një hiç, siç je realisht . Gjithçka ta dhanë ata po ti kurrë nuk i respektove, përkundrazi i fyeje e dhunoje e vetëm kur të duhej ti përdorje për interesin tënd në politikë luajte rolin sikur i respektoje!

    Vrenozi është i varfër po ka rritur me dashuri një djalë, Enrin, me parimet më të forta morale e qytetare.

    Sjelljen tende me djalin Edvin e dinë të gjithë. E nëse vërtetë e ke gjetur ndonjëherë të fshehur e të trembur – siç ke thënë – ka qenë fshehur prej teje…

    Iliri i varfër, ka një motër me aftësi ndryshe e kujdeset për të si nënë e babë me dhembshuri. Ti i fyen fëmijët me aftësi ndryshe!

    Vërtetë Iliri lëshon edhe fjalë “banale” , po ai nuk është kryeministri që shan e fyen me banalitete këdo. Vrenozi nuk ju thotë fëmijëve shihni fotot e mia nudo…

    Prandaj të tërbon Vrenozi, jo vetëm pse ta menderosi po se ai është e bardha e ti e zeza.

    Po bën gjoja ironi këto ditë se Vrenozi është përfaqësuesi i denjë i PD.

    Po, pa ironi fare, Vrenozi, ai që ti ju lute të ulej për kafe me ty e ta menderosi, është i denjë për PD prandaj ka zgjedhur të mbështesë një lider të ndershëm që respekton familjen e ka vlerat morale e parimet e grave e burrave të ndershëm e dinjitozë!