Blog

  • Veliaj i tradhëtuar, çfarë tregon Facebooku i Lalit

    Veliaj i tradhëtuar, çfarë tregon Facebooku i Lalit

    Si ka ndryshuar komunikimi i kryebashkiakut në rrjetet sociale pasi partia e la në baltë

    Pasi Gjykata e Apelit të Posaçëm vendosi ta lërë në burg Erion Veliajt duhet sikur ia kanë hedhur çelësat në det. Ndryshe nga ç’priste në katër ditët e sulmit final që u zbardhën përmes përgjimeve të SPAK, ai nuk ia doli dot të lirohej nga burgu as në shkallë të dytë.

    Mediat e Ramës që shkruanin përditë pro tij dhe kundër prokurorëve, nuk veprojnë më me dendurinë e mëparshme për të prodhuar lajme të komanduara nga qelitë e Durrësit. Edi Rama, në një provë force, i zhduku njerëzit e tij nga drejtimi i bashkisë për të instaluar aty besnikët e vet duke e marrë përfundimisht në duar kontrollin e institucionit. Ish deputetët pro Lali në parlamentin e shkuar duket se nuk kanë më gjasa të jenë fitues në listën e PS-së në Tiranë. Dhe e fundit, në një dalje publike, as ish miku i tij më i afërt dhe bashkëthemeluesi i Mjaft, Arbër Mazniku nuk guxoi të thotë asnjë fjalë kundër asaj që Veliaj e ka konsideruar si një burgosje të padrejtë nga SPAK.

    Me një fjalë, për ish kryebashkiakun e kudogjendur të Tiranës duket sikur ditët e lavdisë kanë përfunduar. E vetmja armë që ka për të mbajtur me pahir atë që ka mbetur nga fama e tij e dikurshme është faqja e vet e Facebook, e cila menaxhohet nga i vëllai, Arbëri dhe nga disa besnikë të fundit që i kanë ngelur në bashki. Përmes saj lexohet dëshpërimi për të tashmen dhe mundimi për të mbajtur gjallë “të shkuarën e ndritur”.

    Pas një shqyrtimi, të bërë postimeve të dyzet ditëve të fundit që kur u mor vendimi se do të mbetej në burg, menjëherë pas marrjes së vendimit të gjykatës në faqen e tij është bërë një postim i shoqëruar me foto se si festohej dita e verës në Tiranë atëherë kur kryebashkiaku ishte i lirë. Pak ditë më pas ka ilustrime të këndeve të lojrave që janë ngritur në Tiranë gjatë dekadës së sundimit të Veliajt. Kur kombëtarja e futbollit nisi eleminatoret për botërorin, me ndeshjen në Londër, aty u postuan pamje të festës së Veliajt me tifozët në sheshin Skënderbej për Evropianin. Më pas gjen postime, të gjitha të lidhura me foto dhe ngjarje të së shkuarës, që ilustrojnë ngritje çerdhesh e kopshesh, ristrukturim të gjimnazit Sami Frashëri, rivitalizim biblotekash lagjesh dhe për risinë e korsive të biçikletave.

    Një aspekt tjetër është edhe përpjekja për tu shfaqur ende si kryebashkiak ndonëse në izolim. Kështu çdo ngjarje apo ditë përkujtimore, nga vdekja e Papa Françeskut, dita e bektashijve apo rizgjedhja e pasardhësit të Janullatosit është shfrytëzuar për të ripublikuar video dhe foto të vjetra të Veliajt me këta personalitete fetare.

    Në fund të postimeve, si ato për mbjelljen e pemës së 1 miliontë, një manipulim nga i cili ish kryebashkiaku nuk heq dorë as aty ku ndodhet, gjenden togfjalësha për “punën e madhe që është bërë në Tiranë”, “ndryshimin e faqes së kryeqytetit”, “transformimin” e tij, “vizionit për të ardhmen”, “pasionin” dhe “punën e palodhur”.

    Vetëm pasi ke skanuar këtë strategji komunikimi e kupton se i harruar në burg, Veliaj ka dy objektiva. Një të shfaqet ende si kryebashkiak në detyrë, tani kur është i ndërgjegjshëm se Rama e ka zhveshur nga çdo fuqi reale brenda institucionit që drejtoi për një dekadë. Dhe e dyta që pas njollës së madhe që ka marrë, me daljen e vilave të fshehura, përfituesve të tenderave të bashkisë të shndërruar në financues të shoqatave të së shoqes, pas mbi 800 mijë eurove të shpenzuar vetëm për bizhu, fustane dhe të brendshëme nga Ajola Xoxa, ai do të japë mesazhin se në Tiranë jo vetëm është vjedhur, por janë bërë edhe punë.

    Në këtë kuptim faqja e Facebook të Veliajt duhet lexuar si tentativë e dikujt që, pasi e ka kuptuar se e kanë vrarë si politikan, po reket të shpëtojë atë që mund të shpëtohet nga nderi njerëzor.

  • Nga 115, në “jo më pak se 71 mandate”, si u zbeh deliri i Ramës për 11 Majin

    Nga 115, në “jo më pak se 71 mandate”, si u zbeh deliri i Ramës për 11 Majin

    Dikur në Asamblenë e PS, Rama premtonte të përsëriste rezultatin e 97, sot premton “jo më pak se 71 mandate”

    Për të shpjeguar komunikimin publik të Edi Ramës në rrjete sociale, në mitingje apo edhe në konferenca me gazetarët, shpeshherë flitet për sondazhet që organizon Partia Socialiste dhe që i dhurojnë atij orientimin e duhur mbi çështje dhe probleme të ndryshme që ngrenë qytetarët. Edhe vetë Rama mburret se PS organizon për çdo muaj anketa, të cilat, sipas tij, janë ku e ku më pranë të vërtetës, në krahasim me ato të televizioneve.

    Prandaj, kur kryeministri ndan parashikimet për 11 Majit, këto nuk duhen parë si fjalë që i merr era, por si produkte të pyetësorëve, që masin pëlqimin e qytetarëve për njërën parti apo tjetrën, në një moment të caktuar.

    Dhe në një hark kohor prej tetë muajsh, Edi Rama ka bërë një seri parashikimesh për rezultatin e 11 Majit, të cilat nëse shihen nga afër tregojnë atë që çdo lider politik do të donte ta fshihte para ditës së zgjedhjeve: pritshmëritë e PS për 11 Majin janë në rënie.

    T’i marrim me radhë:

    Më 8 shtator 2024, gjatë fjalës së tij në Asamblenë e PS, Edi Rama fluturoi lart me bastin publik për fitoren në zgjedhje. Me arrogancën karakteristike të pushtetarit që sheh para tij një shoqëri të gjunjëzuar para pushtetit, Rama lëshoi një parashikim për të cilin sqaroi se nuk e kishte parë në filxhanët e kafes, por e kishte falë “instituteve moderne të matjes së opinionit”.

    “Dhe mbajeni mend këtë që po iu them, ne do e lëmë PD me rezultatin e vitit 1997”, deklaroi ai, duke iu referuar një nga momenteve më dramatike të vendit, kur shteti nuk ekzistonte; Partia Demokratike mori vetëm 25 deputetë dhe Partia Socialiste arriti mbi 115 mandate në parlament.

    Vetëm një lider delirant ose një autokrat i sigurtë se e ka eleminuar opozitën, mund të shpallë një fitore të tillë 8 muaj para zgjedhjeve.

    Pastaj filloi zbritja. Më 10 prill 2025, një ditë para nisjes së fushatës, ndërsa fliste para ekranit të kompjuterit në rubrikën “Sy m’sy” në Facebook, Edi Rama lëshoi një version më të zbutur të fitores: “Nuk e di rezultatin, mbase do të fitojmë më shumë se 77 deputetë” u shpreh ai.

    Nuk ishin më 115, por gjithsesi një shumicë komode, që socialistët e synuan por nuk e arritën dot në vitin 2021. Në të njëjtën frymë, ai paralajmëroi se do ta shpallë rezultatin nga Kuçi, siç bëri katër vite më parë.

    Shtatë ditë më pas, më 17 prill, u tregua më i rezervuar, ndërsa përsëriste se parashikimin ekzakt do ta bënte nga Kuçi i Vlorës.

    “Ne ndjekim dhe anketojmë popullin çdo muaj prej 12 vitesh, i kemi shumë të dhëna për të parë luhatjet, kështu që mbi bazën e tyre do të ta them ekzakt se cili do të jetë numri minimal” tha Rama.

    Kësaj radhe, nuk përmendi numër mandatesh, por iu referua numrit prej 74 mandatesh, që ka aktualisht në Kuvend. “Që sot mund të them se minimali do të jetë mbi atë që kemi”, u shpreh Rama, që aludoi për rritje simbolike në krahasim me rezultatin e katër viteve më parë.

    Por më 21 prill, ndërsa fliste me simpatizantët në Kavajë, kryeministri zbriti përfundimisht në tokë dhe i çoi pritshmëritë disa herë më poshtë: “Po e përsëris dhe një herë: edhe sikur bota të përmbyset, ne nuk marrim më pak se 71 mandate… PS nuk merr kurrë më pak se 71 mandate” u dëgjua të thotë Rama një parashikim, me të cilën mbyllet cikli i një ëndrre që filloi me 115 deputetë.

    Një lider i kujdesshëm politik nuk do të lëshonte në asnjë mënyrë mesazhe të tilla dekurajuese për mbështetësit e tij, të cilët në fillim i ndez me fitore plebishitare, por më pas, ai vetë, ia zbeh pritshmëritë dhe ia pret hovin e angazhimit gjatë fushatës. Të zbresësh reziltatin nga 115 deputetë tek minimumi i 71-shit, tregon më së paku kaos në komunikim dhe mungesën e një strategjie të qartë elektorale.

    E nëse ky komunikim, bazohet në anketa dhe sondazhet që organizon vetë Partia Socialiste, kjo rënie graduale dëshmon minimalisht se as vetë Rama nuk i ka të sigurta pritshmëritë dhe rezultatin në 11 Maj.

    Dhe kjo është normale, vetëm po të llogarisësh se votat në Shqipëri ose i blen me para në dorë, ose i rrëmben me presionet për një vend pune, ose kur në terren për ty punojnë banditë që nuk i kap dot policia, e jo më t’i kapin sondazhet dhe anketat që bëhen me disa telefonata.

  • Sa fiton Papa? Paga (e refuzuar e Papa Françeskut). Po kardinalët, peshkopët dhe priftërinjtë, sa e kanë pagën? Të gjitha pagat mujore të Kishës

    Sa fiton Papa? Paga (e refuzuar e Papa Françeskut). Po kardinalët, peshkopët dhe priftërinjtë, sa e kanë pagën? Të gjitha pagat mujore të Kishës

    E dimë mirë që as bota kishtare nuk është e lirë nga strukturat hierarkike dhe kompensimet ekonomike. Arritur në këtë pikë, për një pjesë të mirë të besimtarëve dhe jo vetëm, kërshëria është e madhe: sa janë të ardhurat mujore të Papës, sa është paga e tij, po ajo e kardinalëve, peshkopëve, priftërinjve, murgeshave dhe fretërve? Pavarësisht imazhit të masave shtrënguese, edhe në botën kishtare ekziston një hierarki e rregullt pagash, e përcaktuar me kritere të sakta dhe e ndikuara nga roli, vjetërsia dhe përgjegjësia që gjithësekush ka. Le t’i zbulojmë së bashku, rast pas rasti, se sa janë.

    Si funksionojnë pagat e Kishës?

    Pagat në Kishën Katolike ndjekin një logjikë hierarkike dhe meritokratike: janë vjetërsia, roli dhe detyrat ato që përcaktojnë edhe masën e kompensimit. Vatikani ka zhvilluar një sistem që llogarit pagën sipas një vlerësimi të bazuar në eksperiencën e përftuar. Kësaj i shtohen edhe të ardhurat e mundshme nga detyra të tjera të jashtme apo donacione, si në rastin e drejtuesve fetarëve të punësuar në shkolla apo spitale.

    Sa fiton Papa? Paga (e refuzuar nga Papa Françesku)

    Në parim, një Papë ka të drejtën e një page që nuk mund t’i kalojë 2500 euro në muaj. Të paktën kaq ka përftuar Papa Benedikti XVI – edhe pas dorëheqjes e deri në vdekje.

    Megjithatë, nuk kemi asnjë informacion të sigurt se sa ka pas përftuar paraardhësi i tij Papa Gjon Pali II, ndërsa një detyrë edhe më e vështirë është të përpiqesh të rikthehesh edhe më pas në kohë.

    Përveç pagës, një Papë ka gjithashtu edhe mundësinë për të shfrytëzuar lirisht nga Peter’s Pence, një fond që mbledh donacionet për qëllim sponsorizimin e projekteve bamirëse të planifikuara nga Kisha dhe të deklaruara në faqen zyrtare të internetit.

    Sipas të dhënave të raportuara nga Avvenire, më 2022 të ardhurat e Peter’s Pence arritën në 107 milionë euro, ndërsa harxhimet në 95.5 milionë.

    Që në momentin e shpalljes së tij, i ndjeri Papa Françesku vendosi të hiqte dorë nga paga, duke mos i marrë 2500 eurot që ka pas përftuar Papa Benediktit XVI.

    Faktikisht, Papa Françesku vendosi t’i përkushtohej sa më shumë që të ishte e mundur varfërisë, me zgjedhjen për të refuzuar pagën, e cila ishte në përputhje me parimin e mishëruar nga emri që vetë zgjodhi në fillim të pontifikatit të tij, duke vendosur edhe që të varroset në një varr thelbësisht të përulur.

    Siç thamë, për mbajtjen e tij Papa Françesku mund të mbështetej në Peter’s Pence, edhe pse Ati i Shenjtë përgjatë gjithë papatit të tij u përpoq t’i vinte fre shpenzimeve të Kishës.

    Sa fitojnë kardinalët?

    Kardinalët mund të përftojnë një pagë mujore midis 4,000 dhe 5,000 eurove, sidomos kur mbajnë poste të rëndësishme, si shefa departamentesh. Sidoqoftë, Papa Françesku vendosi një reduktim prej 10% mbi pagat më të larta për të përballuar ngadalësimin ekonomik vatikanas.

    Sa fitojnë peshkopët?

    Për peshkopët, paga është rreth 3000 euro në muaj, që përfaqëson tavanin maksimal të vendosur. Nëse një peshkop merr të ardhura të tjera, Selia e Shenjtë plotëson vetëm pjesën që mungon. Kryepeshkopët dhe zyrtarët e tjerë në poste të larta mund të përfitojnë shifra edhe më të larta.

    Sa përftojnë priftërinjtë?

    Priftëria është një vokacion, por edhe një profesion. Priftërinjtë, veçanërisht famullitarët, përftojnë nga 1000 deri në 1200 euro në muaj. Paga ndikohet nga përgjegjësitë dhe koha e shërbimit.

    Sa fitojnë murgeshat dhe fretërit?

    Fretërit dhe murgeshat nuk përftojnë rrogë fikse, me përjashtim të rasteve kur kryejnë detyra specifike. Disa murgesha, për shembull, paguhen sipas kontratave të punës së Shteteve ku shërbejnë, nëse punojnë si mësuese ose infermiere. Ndërsa fretërit, jetojnë në komunitete ku ushqimi i tyre mbulohet nga donacionet. Për ata zbatohen betimet e varfërisë, dëlirësisë dhe bindjes, me një organizim të ngjashëm me atë të familjes.

    Përgatiti Dardan MITROVICA

  • Nga Romir SARAÇI – Ramën e tradhëton sondazhi i tij!

    Që prej nisjes së fushatës, të gjitha mediat pranë së majtës kanë nisur një fushatë sondazhesh, të cilat më pas përdoren për retorikë fushate nga kryeministri Edi Rama. Por edhe vetë kryeministri duket se nuk u beson këtyre sondazheve, përballë sondazhit të tij personal, të cilin e fshin dhe e fsheh.

    Pakënaqësinë dhe refuzimin ndaj tij, Edi Rama e konstaton çdo ditë në rrjetet e tij sociale. Më i fundit, postimi “NDJESË”, për ofendimin e fëmijëve autikë!

    Nga një monitorim i këtij postimi të kryeministrit, në orën e parë kishte në total 504 komente! Në kohë reale, propaganda kujdesej të fshinte çdo koment negativ. Dhe nga 504 komente, brenda një ore u fshinë 180 komente, që ishin shpërthim ndaj gjuhës fyese të kryeministrit. Nga 324 komente të mbetura, 98 prej tyre vijonin të ishin kritike, e fshirja vazhdonte nga “Pallati i Kongreseve”, por me sa duket nuk arrinin të përballonin volumin e lartë të komenteve negative.

    Dhjetëra komente të tjera si “Bravo”, “Respekte”, “Je njish” etj., ashiqare dukeshin se vinin nga e njëjta zyrë, nga profile false në dispozicion. Por edhe nëse llogarisim edhe këto “vajzat e zhveshura” të profileve false, rezulton se në 1 orë, nga 504 komente, vetëm 226 ishin në mbështetje të Ramës dhe 278 kundër tij.

    Duke parë nivelin e lartë të shpërndarjes – 103 “share” në një orë – kjo tregon angazhimin për përhapjen e mesazhit të kryeministrit, si dhe të strukturave të PS për të suportuar me komente dhe like “SHEFIN”. Nga kjo kuptohet se jo vetëm qytetarët, por edhe ata që “me detyrim” duhet të reagojnë në postimet e tij, kanë nisur ta bojkotojnë.

    Sot ky postim numëron mbi 1.600 komente. Gjysma e tyre janë fshirë. “Për imazh”, vijojnë të jenë me qindra komente kritike dhe me përçmim ndaj figurës së Edi Ramës – të cilat, sipas historikut, fshihen disa orë më vonë.

    Pra, para se të lexoni sondazhet e përgatitura në skuta, hidhini një sy profilit publik të Edi Ramës. Ai është sondazhi më i saktë për atë që mendojnë shqiptarët.

  • Nga Andi BUSHATI – Rama fushatë në aleancë me TV e mëdha

    15:48, 22/04/2025

    Ky fillim jave u dominua nga jehona mediatike që patën dy dalje publike të kryeministrit. I pari, takimi i tij i munguar me një bloger tejet popullor ndërmjet grupeve të gallataxhinjve në Instagram dhe tjetri që kishte të bënte me rievokimin e fotove të tij nudo në një plazh të Francës, këtu e dy dekada më parë. Po ti shikosh të dyja këto ngjarje, në sfondin e fushatës që ka nisur Edi Rama, ato janë në koherencë të plotë me linjën e vendosur për të folur për gjithçka përveçse për politikë.

    Ai e nisi garën elektorale me një shfaqe gjysëm fokl gjysëm tallava, që nuk kishte të bënte fare, as me mandatin katërvjeçar që po mbyllet e aq më pak me atë të ardhshmin. Ai ka zgjedhur si sllogan të kësaj beteje, pashaportën evropiane 2030, që edhe sikur të ndodhë ndonjë mrekulli hyjnore dhe të bëhet realitet, nuk ka asnjë pikë lidhje me periudhën katëvjeçare për të cilën po kërkon votën. Po ti shtosh këtyre përqëndrimin tek figura si bufi i kënetës, krahasimet seksiste kundër meshkujve, refuzimin për të zhvilluar një debat publik me rivalin e tij direkt, apo ndalimin e të gjithë kandidatëve rilindas për tu përballur në studio televizive më opozitarët, kuptohet lehtë se shefi i qeverisë kërkon të imponojë një sfidë elektorale pa brendi dhe pa thelb.

    Natyrisht, Edi Rama i ka bërë mirë llogaritë e tij. E vetmja gjë të cilës do ti shmanget është qoftë bilanci real për qeverisjen e katër viteve, qoftë ai për dekadën e fundit në tërësi. Ai është i ndërgjegjshëm se edhe ato pak suksese, që mund të numërohen me gishtat e dorës, kanë të gjitha nga pas ndonjë njollë.

    Le të marrim përshembull njërin prej tyre që lidhet me veprat e kryera nga Rama 3, tunelin e Llogarasë. Eshtë e vërtetë se ata që do zgjidhnin ta mbronin në një studio televizive mund të përmendnin hovin që ai i jep turizmit në rivierën shqiptare, afrimin e qytetit të Vlorës me brigjet e mrekullueshme të Jonit etj. Por, nëse ky propogandist rilindas do kishte një kundërshtar apo kritik përballë, flluska do shfryhej shpejt. Boll që të përmendej dëshmia publike e ish zv/kryeministrit, që pati pohuar të ketë parë me sytë e tij se, që në tenderim, u vodhën jo pak por 50 milionë Euro.

    Ky episod hipotetik do të ishte identik për pothuajse të gjitha “skuseset” e qeverisë, për të mos përmendur këtu ato ku milionat janë derdhur por “vepra” nuk ekziston fare.

    Pikërisht, për të shmangur incidente të tilla, për të fshirë nga fushata ballafaqimin me fakte tronditëse si burgosjet e Kokës, Beqajt, Ahmetajt apo Veliajt, për të mos folur për vilat apo apartamentet luksoze me emra të fshehur, tenderat me gjobë deri 40%, vjedhjet e fondeve të BE-së, vanitetin e bashkëshorteve që shpenzojnë qindra mijra euro për të brendëshme, Edi Rama po reket që sfidën për 11 majin ta shndërrojë në gallatë.

    Në pamje të parë, deri këtu nuk ka ndonjë anomali të madhe. Në një garë elektorale secili sfidant ka të drejtën të përzgjedhë strategjinë që i shkon më tepër për shtat. Atë që i fsheh difektet dhe i mbulon mëkatet. Askush nuk mund të pretendojë që një kryeministër të dalë në fushatë për ti thënë votuesve “këtu kam gabuar”, “këto janë pikat e mia të dobëta”.

    Në një shoqëri normale, në një vend që pretendon të quhet demokratik, këtë rol janë të dënuara ta luajnë mediat. Janë ato që duhet të shndërrohen në watchdog, për të mbrojtur publikun nga gënjeshtrat e politikanëve që ka mbi kokë.

    Pra le ta themi troç, këtu faji nuk bie vetëm mbi Ramën që do të na manipulojë, por tek TV e mëdha që i’a mundësojnë një gjë të tillë. Mëkati i kryeministrit nuk është spekullimi gjatë këtij një muaji, por fakti se ka prodhuar një sistem mediatik të nëpërkëmbur prej tij.

    Boll të shikosh çdo natë në ekranet e mbrëmjes lajmet kryesore dhe shout e përditshëm politikë. Temat e bëra bajate janë: A do ia dalin partitë e reja? A do e mundë Shehaj-Llapajn? A po krijohet një opozitë e re? A do ikë Berisha po humbi? Tema e vetme që mungon është vetëm një tjetër.

    I ndodhur në një emision përballë panelistëve që mbështesin këtë qeveri, i bëra atyre një pyetje të thjeshtë. A keni parë ndonjë speciale në lajme që të bëjë bilancin e qeverisjes katër vjeçare? A keni parë ndonjë emision të rëndësishëm të darkës të ketë si temë: “si jemi qeverisur këto katë vite”? Natyrisht, nuk mora përgjigje. Të tillë as ka pasur e as nuk do të ketë. Pra imagjinoni për një çast. Një fushatë mund të fillojë dhe të mbyllet, pa u debatuar tema më bazike, më normale, më e pashmangshme: cili është bilanci katërvjeçar i atij që po na rikërkon votën. Televizionet dhe emisionet e mbrëmjes “kanë liri” të diskutojnë gjatë për fatin e atyre partive, që të gjitha sëbashku nuk do të kapin dot as dhjetë deputetë, janë të preokupuar për të ardhmen e opozitës, impakti i së cilës në jetët e shqiptarëve është afër zeros, por nuk kanë leje të trajtojnë atë që na shqetëson të gjithëve. Dhe kjo ndodh pasi, disa prej urdhrit politik e disa më “të ndershëm” prej autocensurës, nuk shkelin dot në një tokë të ndaluar nga udhëheqësi.

    Sesa normale është kjo nuk ka nevojë ta thotë as OSBE-ODHIR, as OJF e shoqërisë civile që vëzhgojnë zgjedhjet. Atë e kuptojnë të gjithë. Çdo kush e di se ndonëse pretendon se ka hyrë në këtë garë pa koalicion, Rama është aleat me 5 bizneset  familjare që kontrollojnë mbi 90% të audiencës televizive në vend. Ai po garon së bashu me ata që u jep koncesione dhe leje ndërtimi me emra fiktivë e që u mbyll dosjet kur kanë halle në SPAK. Prandaj ai ka dhe luksin të bëjë një fushatë gallatë pa dhënë llogari dhe pa bërë bilancin e asaj çka ndodhur deri më tash.

  • Nga Alfred LELA – Pse vetëm një parti po bën fushatë në Shqipëri?

    Nga Alfred LELA – Pse vetëm një parti po bën fushatë në Shqipëri?

    Fushata elektorale në Shqipëri është thuajse e patrajtë. Fizionomia e saj është e humbur në tri llogore betejash, ku rreshtohen krahë politikë që kërkojnë vëmendjen, besimin, hutimin apo votën e shqiptarëve më 11 maj.

    Në njërën llogore, Edi Rama i vetëm, me 12 vite që i vijnë pas- dhe një pasaportë që e nxjerr para- është i munguari i madh i kësaj fushate. Kur sheh agjendën e tij në mëngjes, të bien në sy takimet e shumta, dhe mendon se një fushatë e marrë seriozisht po ndodh. Kur shëtit nga një aktivitet në tjetrin, e kupton se të gjithë janë njëlloj. Është Rama dhe pasaporta. Aty mungon përballja me 12 vitet e qeverisjes, në formë retrospektive apo perspektive. Rama nuk flet për ç’ka (s)ka bërë në një dekadë, por për atë që do të bëjë në vijuesen.

    Rama e ka zbrazur fushën nga kundërshtari.

    Në kuptimin që nuk del në debat me rivalin, nuk lejon ministrat të shkojnë në studio TV me kundërshtarët, nuk paraqet një bilanc qeverisjeje, nuk e balancon këtë bilanc me publikun apo grupet e interesit. Edhe faktin se ka deputetë, ministra e kryebashkiakë të arrestuar për korrupsion, e quan sukses të qeverisë së tij.

    Edi Rama e ka zbrazur politikën dhe fushatën nga kuptimi.

    Fushata e tij është atipike, e menduar si një serial NETFLIX, jo paraqitje e programit dhe përballje me rekordin e qeverisjes 12 vjeçare. Ajo mund të jetë argëtuese, por qytetari/a fillon kur e kupton se duhet ta ndajë gallatën nga menaxhimi, qeverisja, politika.

    Në një bllok të dytë renditen minipartitë, apo partitë e vogla, që vetëquhen ‘të reja’, por demonstrojnë tipologji të vjetra. Edhe ato janë pa fushatë. Më së pari sepse nuk kanë muskujt për të përballuar fushatat e mëdha kombëtare. Së dyti, edhe pse ligjërojnë si formacione që janë ngritur për të përmbysur ‘kultin e liderit’, riformësojnë dhe riparaqesin pikërisht këtë kult. Kush njeh dikë tjetër te Mundësia e Agron Shehajt apo te Shqiperia behet e Lapajt. Veç kësaj, të ngecur në kurthin e vetëpërkufizimit si ‘ndryshe nga të vjetrit’, këto miniparti bëjnë gabimin e madh që paketojnë dy partitë e mëdha, në një kundërshtar të vetëm. Kjo amniston qeverinë 12 vjeçare dhe gërryen opozitën e barrikadave, atë që-mirë keq- i ka bërë rezistencën më të gjatë, më të kushtueshme, më produktive kësaj qeverisje. Nëse politikisht është miopi, intelektualisht është e pandershme. Në vend që të invstoheshin fort për një shumicë, edhe të brishtë, të opzoites, ku të bënin pjesë si kushtëzues edhe ata vetë, kontribuojnë në mbajtjen e një mazhorance e cila nuk dihet se ç’trajtë do të marrë, në raport me ta dhe as me shoqërinë. Në fakt, dihet: ashtu si Frankenshtajni i shkencëtarit, ashtu si çdo monster, ajo do të rritet dhe do të godasë të parët ata që që ndihmuan në prodhimin e saj, pra edhe liderët e minipartive.

    Në një teatër politik me mazhorancë të forte, minipartinë minimizohen edhe më shumë, deri në humbje të kuptimit. Liderët e mëdhenj të partive të vogla të shohin vendet autoritare, apo demokracitë hibride në lindje të kontinentit tonë për këtë.

    Për program të tyre nuk mund të flitet; më saktë as minipartitë nuk flasin, sepse paraqitja e një programi të evidenton si forcë qeverisëse. Duke qenë se u mungojnë muskujt dhe mbështetja, e vetmja formë që do i bënte parti qeverisëse është aleanca me një prej 2 partive të mëdha.

    Për të ardhur te Partia Demokratike e Sali Berishës, që ngjan e çuditshme, sepse është e vetmja që operon si parti klasike e fushatave politike. Me program të qartë, me shtjellim të palodhur, me takime të drejtpërdrejta me qytetarët, në vende të hapura publike, Sali Berisha është rikthyer si politikani me idenë e shtetit, dhe etatizmin dhe seriozitetin e mjaftueshëm për ta bërë realitet.

    Ai është i hapur për debat, merr disa herë në javë pyetje nga gazetarët në seli apo pas aktiviteteve të ndryshme në Tiranë dhe rrethe, dhe bashkëpunëtorët e tjerë në parti, e kërkojnë debatin me rivalët e PS.

    Kundërshtari mungon.

    Në këtë kuptim, Partia Demokratike është e vetmja që bën fushatë dhe ka fushatë. Dy blloqet e tjera nuk janë të interesuara për fushatë. PS sepse nuk ka çfarë të tregojë për të shkuarën, dhe minipartitë, sepse nuk kanë çfarë ofrojnë për të ardhmen.

  • Nga Artan HOXHA – 12 dështime në 12 vite

    Nga Artan HOXHA – 12 dështime në 12 vite

    Rilindja po plotëson 12 vite në qeverisje, 8 prej të cilave e vetme në timon, ndërsa po kërkon një tjetër mandat 4 vjeçar duke shmangur llogaridhënien për bilancin e shkuar e duke shpërqendruar vëmendjen përmes premtimit të anëtarësimit të përshpejtuar në Bashkimin Europian në vitin 2030-divulguar përmes metaforës së pasaportës europiane nga vetë Kryeministri.

    Në fakt, 12 vite qeverisje rilindëse shënojnë 12 dështime të mëdha dhe/ose premtime të pambajtura.

    • Shëndetësia falas jo vetëm që është bërë shumë më e shtrenjtë por është bërë shëndetësi që edhe nuk shëron edhe që poshtëron. Shqipëria, ndër vendet me rritjen më të lartë të vdekjeve shtesë nga Covid19 në rang europian e botëror, me numrin tejet të ulët të mjekëve e infermierëve për frymë, me koncesionet abuzive e deri tek skandali i pashpirt me ilaçet e mohuara për pacientët fatkeq tek Spitali Onkologjik,janë ndër provat më domethënëse të këtij dështimi.
    • Premtimi për ujë të pijshëm 24 orë, në fakt me rritje veçse modeste të orëve mesatare të furnizimit, pa rritje të cilësisë (mbetet si gjithnjë ujë për larje lëveresh, pjatash e dyshemerash) dhe asnjë shtesë domethënëse në trajtimin e ujërave të zeza, ndonëse në sektor janë investuar shuma marramendëse dhe borxhet e sektorit për energjinë dhe furnizuesit e tjerë janë rritur ekspotencialisht, është një tjetër premtim i pambajtur dhe dështim i paralajmëruar.
    • Arsimi, premtuar të financohet me 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), mezi arrin 2.5% ndërsa Testi Pisa dëshmon rënien në pikiatë të cilësisë së dijenxënies si treguesi më sintetik i gjithë morisë së problemeve e mangësive në dimensionet horizontale e vertikale të sistemit arsimor e të relacioneve të tij me shtetin partiak, shoqërinë në emigrim e plakje, dhe ekonominë në koncentrim e drogëzim, një tjetër dështim rilindës por me pasoja afatgjata.
    • Bujqësia dhe agroindustria, e premtuar se do rilindte me qeverisjen e tyre, po shkon drejt vdekjes klinike nga konkurrenca e pamëshirshme e importit, pakësimi i fuqisë punëtore e rinore në fshat prej emigrimit masiv dhe zhvendosjes së përshpejtuar drejt qyteteve, subvencionet klienteliste dhe investimet e pakta shtetërore në infrastrukturën bujqësore e rurale e deri tek bllokimi i fondeve të Bashkimit Europian, IPARD III, si pasojë e abuzimeve me fondet e fazave të mëparshme.
    • Pastrimi i Shqipërisë nga plehrat, krenaria e Kryeministrit, rezultoi në dështimin më spektakolar të Rilindjes. Kosto qindra milion euro drejtpërdrejt e lidhur me inceneratorët inekzistentë dhe/ose jofunksionalë është vetëm maja e ajsbergut të dëmeve. Ndryshimi i skemës, kapërcimi i fazave të ripërdorimit dhe riciklimit, grumbullimi i përqendruar e me përdhunë i mbetjeve për qëllimet e skemave abuzive të incenerimit shkatërroi industrinë e re ricikluese dhe gjithë rrjetin e grumbullimit e të seleksionimit paraprak ndërsa ekonomia humbi vlerat kolosale të këtyre lëndëve të para kaq të çmuara.
    • Industria përpunuese dhe eksportet përkatëse në rënie vijuese prej disa tremujoresh tashmë, pasojë e drejtpërdrejtë e narkoeurove që fuqizojnë virtualisht lekun dhe tërheqin kapitale në sektorët ku pastrohet më kollaj origjina kriminale e parasë, siç është ndërtimi masiv i banesave e kullave, e gjitha kjo falë bashkëqeverisjes së Rilindjes me Krimin e Organizuar. Në industrinë minerare dhe atë energjetike asnjë shtesë domethënëse kapacitetesh prodhuese përveç premtimeve karagjozë për naftën e Shpiragut dhe hidrogjenin e Bulqizës që do na ushqenin me lugë floriri, siç Norvegjezët nafta e Detit të Veriut.
    • Infrastruktura rrugore, premtuar se do ndërtohej e plotë, e shtrirë në territor në shërbim të zhvillimit dhe me standarde europiane sot është në pikë të hallit. Në 12 vite Rilindja nuk ka bëre dot as gjysmën e kilometrave rrugë kombëtare krahasimisht qeverisjes demokrate në 8 vite, edhe këto vende-vende të pambaruara, me kosto të shumëfishuara e kohëzgjatje tërkuzë; për rrugët rurale as që është kujtuar kush nga rilindja e ato që la të bëra qeveria e mëparshme janë dëmtuar; rrugët përshkuese të zonave industriale janë ku thërret qameti, sa për ilustrim: rrjeti rrugor përshkues i shpartalluar tërësisht në zonën industriale në dy krahët e superstradës Tiranë-Durrës, zonë kjo qe jep më shumë se gjysmën e PBB-së e të taksave. Në 12 vite kjo qeveri mezi mbaroi gjysmën tjetër të Unazës së Tiranës ndërsa të hysh e të dalësh prej saj është një tmerr i vërtete.
    • Cilësia e mjedisit, ajrit, ujërave, pyjeve, tokës dhe erozionit të saj, premtuar se do përmirësohej thelbësisht, është përkeqësuar në vijimësi e pa kthim. Pa trajtim të ujërave të zeza, me një pjesë të madhe të mbetjeve urbane e industriale që përfundojnë në lumenj e prej këtu në det, bashkë me tretjet e pesticideve e kimikateve të mbipërdorura në bujqësi, po shkatërrohet flora dhe fauna detare si dhe cilësia e ujërave në plazhe në dëm të turizmit bregdetar. Pyjet në pakësim, po kështu lulishtet e parqet në qytete (përveç gënjeshtrave me 1 milion pemë në Tiranë) ndërsa galopi i ndërtimit dhe zvarritja e trafikut, veçanërisht në qytetet e mëdha dhe rrugët në bregdet, kanë rritur ndjeshëm ndotjen e ajrit. Shqipëria pozicionohet ndër vendet më të ndotura të Europës në disa tregues thelbësore mjedisorë, e shëndetësorë për rrjedhojë.
    • Ndërsa të ardhurat për fryme mezi arritën 1/3 e mesatares së Bashkimit Europian pabarazia, premtuar nga rilindja se do zbutej,është thelluar dhe ashpërsuar. Rilindësit kritikonin qeverisjen demokrate me argumentin se 5% e depozituesve posedonin gjysmën e vlerës së depozitave bankare në 2012-tën dhe ata do ta përmbysnin këtë realitet me politikat e tyre sociale dhe taksën progresive, por sot, më pak se 5% e depozituesve zotërojnë afro 60% të totalit të vlerës së depozitave bankare. Nëse këtu konsiderojmë edhe llojet e tjera të pasurive, më se pari ato imobiliare, pabarazia thellohet e ashpërsohet edhe më shumë.
    • Ndërsa premtuan barazi e drejtësi sociale dhe shanse të barabarta,raporti me pushtetin rilindës është bërë burim parësor i pabarazisë, padrejtësisë dhe diferencimit social si për individët edhe për bizneset. Kontraktimi shtetëror, prokurime e koncesione, është tashmë një sistem i fuqishëm dhe efektiv i shpërndarjes preferenciale e korruptive të përfitimeve ekonomike kundrejt mbështetjes dhe besnikërisë politike. Punësimi në shtet, pa meritokraci dhe i shtuar në numër me mbi 20 mijë vetë (shtesë prej afro 13% ndërsa popullsia zvogëlohet me 16% dhe koncentrohet në qytete ndërsa rritet përdorimi i teknologjisë IT dhe IA në administrimin publik), është bërë streha e patronazhimit të votës. Nga sondazhet elektorale të Euronews dhe News24 rezulton se votuesit e Rilindjes që e vlerësojnë pozitivisht gjendjen aktuale ekonomike dhe atë të pritshme të familjeve të tyre përbëjnë shumicën e atij elektorati, tregues ky 2-4 herë më i lartë se tek votuesit demokratë apo ata neutralë.
      Rilindësit e përdornin emigrimin si argument të qeverisjes së keqe të demokratëve por emigrimi gjatë qeverisjes rilindëse rimori përmasa eksodi. Census 2023, i zvarritur dhe i trukuar, nuk e fsheh dot degradimin demografik. Shqipëria ka humbur rini, moshë pune dhe moshë pjellore me ritme të paktën dy herë më të larta emigratore gjatë 12 vjeçarit rilindës krahasuar me dekadën e mëparshme dhe ky ritëm ka qenë 4-5 herë me i lartë në 6 nga 12 vitet rilindëse, veçanërisht këto 3 vitet pas pandemisë Covid19. Emigracioni s’ka se si të mos këtë qenë fortësisht asimetrik edhe politikisht, për shkak të pabarazisë ekonomike e sociale që ka krijuar pushteti afatgjatë i Rilindjes.
    • Rilindja premtoi rend e drejtësi por përfundoi me polici të inkriminuar deri në palcë dhe drejtësi të politizuar deri në rrënjë. Simbioza Rilindje-Krim i Organizuar kaloi në katër faza: përfshirje e drejtpërdrejtë në parlament dhe pozita të tjera shtetërore te eksponentëve të krimit të organizuar që në 2013; kanabizim në 2016 përpara zgjedhjeve 2017; ngritje e krimit të organizuar shqiptar në nivelin e trafikut ndërkombëtar të kokainës para zgjedhjeve 2021; pastrimi në vlera gjigante e parasë së drogës në ekonominë shqiptare, veçanërisht në ndërtim, përpara zgjedhjeve 2025. Publikimet e bisedave në rrjetet e inkriminuara, ardhur nga Franca a Belgjika e demonstrojnë më së miri lidhjen rilindje-polici-prokurori/gjykatë-krim i organizuar. I vetmi përfitim (i përkohshëm) i këtij sistemi miks narko-shtet është rënia e krimeve ordinere, që si rregull bien në kësi sistemesh, rënie në të cilën ka kontribuar edhe emigracioni. Në ndërkohë, drejtësia rilindëse ka akumuluar mbi 150 mijë dosje në pritje për trajtim nga më pak se 35 mijë në 2015, e sot, një vendim gjyqësor i formës së prerë mund të kërkojë edhe më shumë se një dekadë-imagjinohet fare lehtë se sa është rritur çmimi i korrupsionin në këtë farë drejtësie. E, sa për fundin e pandëshkueshmërisë, gjethja e fikut e dashnorë(e)ve të SPAKU-t, po, po, ajo ka përfunduar për këdo përveç për njërin-Kryeministrin.
    • Opozita ndëshkohet padrejtësisht që të fuqizohet pushteti i Kryeministrit, edhe disa qeveritarë krah tij, ata që hanë mollë e dardha prapa shpinës së Kryeministrit, ndëshkohen me lejen paraprake të tij, sepse pushteti i fuqizuar i 1-shit duke dobësuar opozitën ka nevojë edhe të lucidohet nga njollat sipërfaqësore e të legjitimohet kësisoj duke dënuar ca nga të vetët.

    Afërmendsh që12 dështimet e mësipërme rilindëse (ka dhe plot të tjera) nuk premtojnë as zhvillim kombëtar as integrim europian, por që gënjeshtra të besohet, ajo duhet të jetë sa më e madhe, sa më e pacipë, sa më pretenduese.

    Kryeministri thotë se do përfundojë në kohë rekord negociatat duke përdorur Inteligjencën Artificiale në përafrimin e legjislacionit tonë me atë të Bashkimit Europian (krahas përdorimit magjik të AI në prokurimet publike, e-albania etj).

    Nëse kështu u bërkërkan punët më shpejt, më mirë e më lirë, le ta zëvendësojmë vetë Kryeministrin me Inteligjencën Artificiale dhe kështu i japim fund mundit e rropatjes së tij për të mirën tonë e të Shqipërisë.

    Kështu ai do zërë më në fund një vend nderi në historinë e Shqipërisë e do ketë me shumë kohë të merret me hallet globale që i ka gjithashtu fort për zemër.

  • Nga Lutfi DERVISHI – Nga loti te lotët…

    Dikur, në kohët e moçme, para vitit të largët 2013, inaugurimi bëhej në dy akte të thjeshta: një për fillimin e punimeve dhe një tjetër, kur çuditërisht, punimet përfundonin!

    Më pas u zbulua një zgjidhje magjike: segmentimi.

    Rruga u nda në lote, faza dhe copëza… dhe për çdo copëz, një gërshërë, një fjongo dhe një kameraman me dron, por pa gazetarë!

    Ata mund të bënin pyetje të sikletshme, si: “Po kur do mbarojë, realisht?” Sa kushton? Etj etj. Kështu që më mirë, vetë ministri apo Kryeministri raportojnë live nga kantierët! Shembull: unaza e Tiranës!

    Më pas, e njëjta rrugë filloi të inaugurohej dy, madje edhe tre herë, për të njëjtin segment, por me fjalime të ndryshme.

    Shikoni Rrugën e Arbrit: një rrugë me më shumë inaugurime sesa tunele, me më shumë fjalime sesa tabela sinjalistike dhe me më shumë inspektime se ditë pune!

    Dhe pastaj, si çdo shoqëri që ecën me hapa gjigantë drejt progresit: filluam të inaugurojmë edhe ato projekte që nuk nisën kurrë!

    Trami i Tiranës? Kalimet nëntokësore, Ballkani i Hapur …

    Ndërsa tani… e kemi kaluar realitetin.

    Inaugurojmë foto. Po, FOTO. Pamje të mrekullueshme, me filtra, me dritë, plot shpresë.

    Rruga Tiranë–Durrës, segmenti më i ngarkuar në vend, është kthyer sot në një ekspozitë pikture digjitale, ku edhe Van Gogh-u do të kishte dorëzuar penelin.

    Makinat ecin me rend, trafik nuk ka, pemët nuk kanë nevojë për krasitje, lulet nuk thahen kurrë nga dielli. Është një mrekulli e krijuar nga duart e arta në Photoshop.

    Nuk mbaron këtu:

    Pas inagurimit të fotove, kaluam një shkallë më lart:  inaugurimi i ideve. Projekt-ideja e trenit Durrës-Prishtinë është shembulli ideal: asnjë tra, asnjë shinë, por plot ndjenja patriotike dhe në mungesë të valëve të kaltra të Adriatikut, një det flamujsh kuq e zi…

    Por evolucioni  është i pashpirt, nuk ndalet.

    Faza më e fundit është inaugurimi i dëshirave.

    Pasaportat europiane për të gjithë shqiptarët, në vitin 2030! 

    Dhe mbërrin momenti që njerëzit nuk shohin më ëndrra, por jetojnë me to.

    Shqipëria e sotme e halleve dhe e valleve i ka gjithë të mirat dhe vetëm një problem: asgjë nuk realizohet, por gjithçka inspektohet dhe inaugurohet.

    Dhe me këtë ritëm, së shpejti do të presim shiritat në Facebook! Gëzuar!

  • Nga Alfred LELA – Ylli i Ramës: e bardhë, a jeshile…

    Nga Alfred LELA – Ylli i Ramës: e bardhë, a jeshile…

    Jo pa qëllim, Sali Berisha, ndër ata që përshëndeti në hyrje të fjalës së tij në paraqitje të programit të koalicionit PD-ASHM, përmendi edhe Renis Gjokën, kantautorin e disa vijave melodike të njohura.

    Përmendja e Renisit nuk lidhet me faktin se ai është i djathtë, apo se ka mbetur i vetmi artist hapur në krah të opozitës (hiq nja 2-3 raste të tjera), por për atë që mishëron Renisi, për atë që Berisha kërkon të mishërojë opozita dhe shoqëria shqiptare.

    Renisi, simbolikisht, është muri ndarës mes artit serioz dhe pop-kulturës, mes zhurmës dhe tingullit, mes mesazhit shoqërisht përfshirës dhe atij përjashtues. Sidomos, ai është hendeku mes modelit dhe antimodelit.

    Berisha, duke përmendur Renisin, por edhe duke përzgjedhur atë në të gjitha eventet e viteve të fundit të fushateve elektorale, kërkon të japë një mesazh dhe të kontrastojë një anti-mesazh.

    Vlerat tona janë këto. Është Renisi, rocker i suksesshëm, prind dhe familjar i mirë, është Renisi “çun Tirone”, por edhe burrëror, është artisti që e bën artin për t’u ndjerë mirë me veten, por edhe për të përmirësuar të tjerët, muzikën shqiptare, pra edhe shoqërinë.

    Nuk dua aspak të paragjykoj përzgjedhjet e PS dhe Ramës. Ato janë të tyret dhe me to duhet edhe të përballen estetikisht dhe etikisht. Aq më pak këngëtarët vetë, të cilët, në një shoqëri të lirë janë të lirë të zgjedhin se me kë janë, cilën rrymë muzikore ndjekin etj.

    Ama mund të flasim për modelin, atë etik dhe shoqëror. Nëse shoqëria ka nevojë për laryshinë (variacionin), ajo ka nevojë edhe për boshtin, pra për modele që e mbajnë të kornizuar dhe të kufizuar.

    Ky i fundit është një parim fetar, e di, sipas të cilit liria është te kufizimet, por është në të njëjtën kohë etik dhe laik. Historia na jep shembuj të pafund të rënieve, të njerëzve dhe të shteteve, që vijnë nga teprimet, nga shkapërderdhjet, nga moskufizimet, nga ‘everything and all is okay’.

    Noizy, është anti-modeli i kthyer në model, dhe Rama me Veliajn kanë ndihmuar. Parimi ka qenë: këta janë popullorë me rininë, kështuqë i përdorim për qëllimet tona. Unë nuk dyshoj se Rama kuptohet në shije me Noizy-n, por dyshoj se Noziy e kupton se po përdoret nga Rama. Të dy marrin nga fama e tjetrit, por çka humbet është komunikimi i modelit.

    Sepse, adoleshentët mund të dëgjojnë nga prindërit [me gjasë amatorë të Çelentanos apo Dire Straits) se Noizy nuk e ka gjë muzikën, por kur e shohin që e begenis kryeministri, të cilin e shohin në media nga mëngjesi në mbrëmje, ndryshon puna. Rama normalizon, një individ ose fenomen, që në neutralitet është anormal. Ai i heq kështu anormales tehun, e normalizon.

    Ky është një ndryshim skolastik në dukje, një filozofi e tepërt për fushatat elektorale, ku rëndësi ka numri, jo shija apo cilësia. Por një burrë shteti prin edhe duke vendosur agjendat, duke përcaktuar narrativuat, duke skicuar kornizat.

    Korniza që ka vendour Edi Rama në 12 vjet qeverisje është shpërfillja e të gjitha kornizave. Asgjë nuk është e shenjtë dhe gjithçka është profane. Elektoralisht kjo mund t’i ketë funksionuar, por me cilat kosto për shoqërinë?

    Duhet llogaritur edhe kjo më 11 maj te kutia e votimit.

    Të kënaqesh me ‘pasaportën europiane’ si një ‘model përfitimi’, duke shpërfillur ‘modelet qendrore’, parimet, rregullat, kornizat, vizionin, është të ndërtosh një antimodel. Është Europa ku shkohet me zhgrrap noj’ gjo, jo si europianë.

    Deri më tani ky është modeli Rama.

    Noizy është një prej ilustrimeve.

    Me sa duket, Rama, më shumë se te bluja e flamurit dhe varaku i yjeve të BE, përfaqësohet te motivi i një prej këngëve të Noyizit: e bardhë, a jeshile/ e bardhë a jeshile/ s’bëjmë pazar nën njëqind kile.

  • Nga Andi BUSHATI – Rama si padron i kohës dhe shkallmues i kalendarit

    Socialistët thyen çdo kod politik duke e hapur fushatën e tyre elektorale sikur të qe nisja e një festivali folklorik kombëtar. Në manifestimin ku u ndërthurën tallavaja dhe folku, ndërmjet Belinda Ballukut që kërcente nën ritemet e “fierakes me fustan me xixa” dhe Hulsi Manjës që i uli njerëzit e tij këmbëkryq përballë një lahutari, u vunë re disa simbole që kërkojnë shpjegim. E para, askush nga drejtuesit e qarqeve nuk bëri një bilanc të katëvjeçarit, por u mjaftua vetëm me vënien e një basti për të ardhmen. Asnjëri prej tyre nuk e përmendi Partinë Socialiste, por vetëm Edi Ramën. Çudia ishte se në sheshin Skënderbej nuk shihej gjëkundi, ndonjë flamur i PS-së që organizonte tubimin, por valviteshin vetëm ai kombëtar dhe ai i BE-së.

    Kjo atmosferë nuk arsyetohet thjeshtë vetëm me lartësimin e kultit të individit që tashmë ka hedhur rrënjë, në një parti ku të gjithë ëndërrojnë të kenë karrierrën e Mamicës, duke i thurrir lavde gojore Skënderbeut.

    Fabula ka mundësi të jetë pak më e ndryshme. Ngjan se tendenca është në lartësimin e Ramës dhe në lënien në hije të PS. Dikush me siguri duhet të mbajë përgjegjësi, për Kokën, Ahmetajn, Bllakon, Beqen, Dakon, Gjicin e së fundi Veliajn, që kanë qenë bij të partisë po që ia “kanë punuar pas shpine” liderit të saj. Pranddaj në këtë fushatë e para po qëndron pas kuintave, ndërsa Rama do të pushtojë të gjithë skenën.