Blog

  • Pse Edi Rama, mashtron me integrimin e Shqipërisë në BE

    Pse Edi Rama, mashtron me integrimin e Shqipërisë në BE

    Gjatë një takimi me diasporën në Itali, nënkryetari i Partisë Demokratike, Flamur Noka, shprehu shqetësimin e tij për kursin që ka ndërmarrë politika e Tiranës zyrtare, të cilën ai e cilësoi si antievropiane dhe antiamerikane.

    Duke iu referuar refrenit të përsëritur të kryeministrit Edi Rama për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, Noka u shpreh skeptik, duke theksuar se ky objektiv nuk ka për t’u realizuar. Sipas tij, jo vetëm qeveria shqiptare nuk ka bërë asgjë për të përshpejtuar këtë proces, por edhe vetë BE-ja nuk e ka ndërmend ta pranojë Shqipërinë në radhët e saj.

    Ndërkohë që edhe ish-kryeministri Sali Berisha, përpara tij, ka thënë se Komisioni Europian e ka “ngelur në klasë” qeverinë shqiptare sa i përket kapitujve të negociatave për anëtarësim. Sipas Berishës, dështimi i qeverisë për të përmbushur kriteret e BE-së tregon qartë paaftësinë dhe korrupsionin që e ka kapluar administratën socialiste.

    Qëndrimi i Bashkimit Europian pas deklaratave të opozitës

    Deklaratat e liderëve të opozitës vijnë në një kohë kur nga vetë partitë qeverisëse të vendeve kryesore të Bashkimit Europian janë ngritur shqetësime serioze për ecurinë e reformave në Shqipëri, veçanërisht në fushën e drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit. Deklaratat e partive Popullore Evropiane, por edhe nga liderë evropianë kanë theksuar mangësitë e mëdha në procesin e negociatave, duke bërë thirrje për përmirësime të ndjeshme në standardet demokratike dhe të sundimit të ligjit.

  • Nga Dardan MITROVICA: Si po i dënon qeveria, pensionistët me varfëri?

    Nga Dardan MITROVICA: Si po i dënon qeveria, pensionistët me varfëri?

    Pensionistët shqiptarë po përballen me një krizë të thellë ekonomike, të shkaktuar nga pensionet e ulëta dhe rritja e vazhdueshme e kostos së jetesës. Me pensionin minimal prej rreth 100 eurosh në muaj, shumica e të moshuarve në Shqipëri mezi arrijnë të mbulojnë shpenzimet bazë për ushqim, ilaçe dhe energji elektrike.

    Realiteti i Hidhur: Braktisja e plotë nga qeverita

    Pensionistët përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë, por politikat sociale duket se i kanë lënë ata në harresë. Çmimet e ushqimeve dhe shërbimeve janë rritur ndjeshëm, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë jetesën e kësaj kategorie. Shumë të moshuar janë të detyruar të zgjedhin mes blerjes së ilaçeve apo pagimit të faturave të energjisë elektrike.

    Ndërsa vendet e tjera në rajon kanë miratuar politika mbrojtëse për pensionistët, qeveria shqiptare ka ofruar rritje minimale të pensioneve që nuk përballojnë as inflacionin. Ndihmat ekonomike dhe subvencionet janë të pamjaftueshme, duke e lënë këtë kategori në varfëri ekstreme.

    Çfarë duhet bërë?

    • Rritja e pensioneve në nivelin e nevojave bazë jetësore.
    • Subvencione për energjinë elektrike dhe ilaçet për pensionistët me të ardhura të ulëta.
    • Politika mbështetëse për uljen e kostos së jetesës, si ulja e taksave për produktet bazë.

    Pa masa konkrete, pensionistët shqiptarë do të vazhdojnë të jetojnë në kushte të vështira, duke u dënuar me varfëri dhe pasiguri për vitet e mbetura të jetës.

  • Rrugët e “florinjta”, si u “gllabëruan” 1 miliard euro investime vetëm më 2024-ën

    Rrugët e “florinjta”, si u “gllabëruan” 1 miliard euro investime vetëm më 2024-ën

    Vitin e kaluar, shpenzimet buxhetore për investime arritën rekord historik me më shumë se 1 miliard euro, por rezultati ishte më i ulët se plani 123 miliardë lekë (1,2 mld euro).

    Të dhënat e detajuara nga Ministria e Financave për investimet vjetore tregojnë se pjesa më e madhe e financimit ka shkuar për projektet e transportit rrugor dhe kryesisht në tunelin e Llogorasë, Unazën e Madhe të Tiranës, Segmentet e Korridorit 8, dhe rruga Qukës-Qafë Plloçë, infrastruktura dixhitale etj.

    Gjithashtu një pjesë e konsiderueshme e programit të investime prej 4,8 miliardë lekësh ose 48 milionë euro shkoi për financimin e investimeve në ushtri.

    Projekti më i madh për nga vlera e financimit është Unaza e Madhe e Tiranës, ku pjesa e ndërtimit vitin e kaluar u financua me rreth 8,5 miliardë lekë, e cila pas shumë vite punimesh u bë në funksion të plotë.

    Tuneli i Llogorasë, i cili tashmë ka përfunduar dhe është në funksion u financua vitin e kaluar me 4 miliardë lekë ose të gjitha fondet në dispozicion.

    Infrastruktura dixhitale po zgjeron investimet dhe fondet viti pas viti. Të dhënat tregojnë se Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së informacionit (AKSHI) ka investuar vitin e kaluar 3,4 miliardë lekë ose 34 milionë euro në përmirësimin e infrastrukturës digjitale. Projekti më i madh i investimit prej rreth 6,3 milionë eurosh ishte në “Implementimi i e-Albania 2.0”.

    Segmenti rrugor Qukës – Qafë Plloqë mori rreth 3 miliardë lekë ose 25 milionë euro financim me 2024, ndonëse nuk kishte një buxhet të planifikuar për lotet përkatëse.

    Rruga e Arbrit vijon të marrë një pjesë të konsiderueshme të investimeve kapitale me një financim prej 3.5 miliardë lekësh më 2024, duke u renditur në krye të listës së projekteve të mëdha të investimeve.

    Financime të mëdha ka marrë edhe zgjerimi i Autostradës, Tiranë -Durrës, rruga Berat -Ballaban.

    Nga funksionet e tjera të qeverisë një seri projektesh nga Ministria e Turizmit ndonëse ishin programuar nuk u realizuan. Realizim të dobët kanë pasur disa investime në ushtri. Funksionet e Ministrisë së Ekonomisë, kryesisht pjesa kulturës nuk ka mundur të realizojë shumë projekte të planifikuara. Investimet për shkencën dhe arsimin gjithashtu kishin ecuri të dobët. Fondet ujësjellësit dhe mbështetja për energjinë nuk ecën sipas programit./ MONITOR

  • Nga lider në lodër, si po e përdor Rama për herë të fundit Lulzim Bashën

    Nga lider në lodër, si po e përdor Rama për herë të fundit Lulzim Bashën

    Videot qesharake në Facebook dhe disset e Unikkatilit, si e degradoi Basha lidershipin politik në karagjozllëk

    Ditët e fundit, Edi Rama dhe Lulzim Basha nuk po ngjajnë më me dy figura politike, por me dy personazhe komikë të një komedie, që prodhon çdo ditë nga një dozë të re neverie. Dy klounët e një Shqipërie të varfër dhe me probleme: njëri duke i dhënë gaz makinës nën tingujt e Unikkatilit, tjetri i veshur me kostum sportiv dhe i dehur nga një vetëkënaqësi arrogante.

    Njëri, me këmishën e hekurosur dhe flokët me xhel që bërtet me të madhe para celularit, tjetri me vetësigurinë e një autokrati në degradim që flet për art, por vjell beton dhe propagandë.

    Sot, të dy kanë gjetur një gjuhë të përbashkët: hip-hopin e Unikkatilit. Jo për të sfiduar realitetin, por për ta fshehur atë. Luli që bën diss me refrenin “Ku i ke shokët o Rame?”, ndërsa Rama ia kthen me “Se ti nuk mundesh me u shty me mu”, dhe spektakli vazhdon nga Facebook, ndërsa në sfond, një popull që shtyn ditët në varfëri, paguan fatura për projektet e oligarkisë, dhe i jep “play” kësaj farse si të ishte një episod i ri i “Portokallisë”, por me pasoja reale.

    Prej vitesh tanimë, Lulzim Basha nuk është më lider opozite, por bashkë me lidershipin politik ka dorëzuar edhe fytyrën, duke u shndërruar në klounin zyrtar të qeverisë, një figurë tragjike që ka kaluar nga zhgënjimi në vetëshkatërrim. I dorëzuar ndaj idesë se nuk ka më mbështetje, nuk ka më parti, nuk ka kauzë dhe as turp, tashmë krijon skena për klikime, një celular dhe ulërimat “O Rame ku jeeee!”

    Rama? Tallet, qesh dhe e përdor ish-kundërshtarin e tij, njësoj siç bëri në vitin 2017, kur e bindi të mbyllë çadrën duke i dhënë ca ministri dhe hipotekën, për t’i rrëmbyer zgjedhjet. Siç e përdori edhe kur Sali Berisha u përjashtua nga Partia Demokratike në shtator të vitit 2021, një akt që e shndërroi opozitën në orendi të thjeshtë të zyrës së Ramës.

    Duhet thënë se profili i një Lul Bashe të qeshur dhe të shpenguar, është një eksperiment i dështuar. Vetë Basha bëri një tentativë për t’u shfaqur i çliruar nga kombinimi kostum-kollare gjatë fushatës së zgjedhjeve të vitit 2021. Por kur pa se përpjekja e këshilltarëve të huaj për ta sjellë liderin e opozitës më njerëzor dhe më të natyrshëm, shndërrohej vazhdimisht në frymëzim për meme, ai vetë hoqi dorë.

    Sepse çfarëdo filtri të përdorësh, realiteti del i njëjti: Luli mbetet një “koçi politik”. Edhe tani, kur vëmendja publike duhej të ishte te korrupsioni, varfëria, krimi dhe keqqeverisja, Lul Basha duket se po i jep ndihmën e fundit Edi Ramës duke e shpërqëndruar elektoratin opozitar me disset, memet dhe shakatë banale nëpërmjet një skeçi, ku populli nuk është më votues, por spektator që voton me gishtin që bën scroll.

    Gjithsesi, të mos gënjejmë veten. Basha nuk ka më asnjë aspiratë për të qeverisur. Kur ka vendosur të shndërrohet në jokerin e Ramës –ai ishte i ndërgjegjshëm që do të jetë thjesht një meme lëvizëse, një karikaturë e opozitës që shkakton të qeshura. Por sërish zgjedh të jetë pjesë e farsës. Sepse mesa duket, ca njerëz preferojnë më mirë t’i qeshin, sesa t’i harrojnë fare.

    Rama ndërkohë ka luksin të shfaqet artist, kryeministër, baba i kombit dhe ndonjëherë edhe Unikkatil. Në fund, këtu nuk flitet më për politikë, por për humor të zi. Një serial i pafund ku e vetmja gjë që ndryshon është numri i skandaleve dhe toni i memeve; një eksperiment social ku luhet me njerëzit, që nuk duhet të kuptojnë se sa poshtë kanë përfunduar.

    Pra, mos u çudisni kur shihni Lulin që bën freestyle dhe Ramen që qan hallin e SPAK-ut. Është vetëm akti i radhës i Republikës së Klounëve. Aty ku politika ka vdekur dhe komedia e zezë ka marrë pushtetin.

    Zgjidhni kë doni në zgjedhje! Klounin me kravatë ose klounin me penel! Janë pjesë e të njëjtës trupë cirku. Ne na kanë lënë vetëm një funksion: ne paguajmë biletën!

  • Makinat me naftë: cilat janë modelet me konsumin më të ulët

    Makinat me naftë: cilat janë modelet me konsumin më të ulët

    Pavarësisht kritikave, makinat me naftë mbeten më të mirat për ata që duan të kursejnë para. Le të shohim së bashku se cilat janë modelet më efikase

    Deri pak vite më parë, makinat me naftë kanë qenë protagonistet e tregut, të pranishme në të gjitha kategoritë, nga citycar deri tek berlinat. Suksesi i tyre vinte për shkak të konsumit të ulët të karburantit, rrezes së gjatë të autonomisë dhe kostove më të ulëta se mjeteve me benzinë. Sidoqoftë, vëmendja drejt elektrifikimin dhe rregullat gjithnjë e më të rrepta e kanë reduktuar goxha ofertën e automjeteve me naftë, duke i bërë ato më pak të kërkuara.

    Pavarësisht kësaj, për ata që udhëtojnë shumë kilometra në vit, nafta mbetet zgjidhja më e përshtatshme: autonomi më e madhe, konsum më i ulët se benzina dhe asnjë detyrim për rikarikime, siç ndodh me hibridet plug-in. Tani, le t’i shohim së bashku se cilat janë modelet më efiçente për 2025-ën.

    Makinat me naftë me efikasitet më të lartë sipas kategorisë

    • Citycar dhe të vogla – Makinat e vogla me naftë janë tashmë pothuajse zhdukur plotësisht, por Renault Clio 1.5 dCi me 101 kuaj fuqi reziston ende me një konsum të shkëlqyer karburanti prej 23.8 km/l, duke rezultuar makina me naftë më kompakte ende në qarkullim.
    • SUV kompakte – Audi Q2 2.0 TDI me 116 kf ofron një konsum prej 20.8 km/l karburant, duke mbetur një nga të paktat B-SUV me naftë në treg.
    • Berlina dhe kompakte – Volkswagen Golf dhe Skoda Octavia, të dyja të pajisura me 2.0 TDI 116 kf, mburren me një konsum mesatar prej 23.8 km/l, duke i bërë ideale për ata që kërkojnë efikasitet pa sakrifikuar rehatinërezultate shumë të mira ka paraqitur edhe Mercedes Class A 180d, duke kaluar lehtësisht 20 km për 1 litër karburant.
    • SUV mesatare dhe premium – Ndër modelet më virtuoze janë BMW X1, BMW X2 dhe Mini Countryman, me 2.0 mild hibrid prej 163 kf, në gjendje të përshkojë 22.2 km me një litër naftë.
    • Berlina premium – Mercedes C-Class në versionet 200 d dhe 220 d (163 dhe 197 kf) deklaron 22.7 km/l, duke u pozicionuar ndër më efikaset e segmentit D.

    Makina me naftë me konsumin më të ulët të karburantit

    Nga të gjithë modelet e analizuara, makina me naftë që konsumon më pak më 2025, është Renault Clio 1.5 dCi prej 101 kf, me një kilometrazh zyrtar prej 23.8 kilometër për litër karburant. Falë motorit të tij efikas dhe peshës së vogël, ajo mbetet një zgjedhje e përkryer për ata që kërkojnë një makinë ekonomike pa sakrifikuar në përdorim. Mëkat që është e penalizuar nga vetë Renault që e ofron vetëm në versionin bazë, pa mundësinë as të montimit të kambios automatike.

    Pavarësisht rënies së ofertës, makinat me naftë mbeten zgjidhja më e mirë për ata që udhëtojnë shumë kilometra dhe duan të kursejnë karburant. Një opsion ekonomik dhe jo me shumë shpenzime në planin afatgjatë, edhe për ata që jetojnë në provinca, pavarësisht kilometrave që do të përshkojnë, veçanërisht nëse nuk duhet të lëvizin vazhdimisht me makinë në kontekst urban.

  • Dardan MITROVICA – Nga Gjyshër në Lypsarë: kriza e Pensionistëve dhe mungesa e apatisë socialiste

    Dardan MITROVICA – Nga Gjyshër në Lypsarë: kriza e Pensionistëve dhe mungesa e apatisë socialiste

    Pensionistët shqiptarë po kalojnë një nga periudhat më të vështira ekonomike të dekadave të fundit. Mijëra të moshuar jetojnë me më pak se 120 euro në muaj, ndërsa qeveria i ka lënë në mëshirë të fatit, duke u mjaftuar vetëm me premtime boshe dhe masa qesharake, siç ishte rritja më e fundit prej vetëm 300 lekësh. Ironi e poshtër! Dikur gjyshër që ndihmonin familjet, sot janë kthyer në lypsarë të vërtetë që mezi sigurojnë bukën e gojës. Por, si arritëm në këtë gjendje dhe kush është fajtor?

    Rritja e kostove, pensionet e ngrira

    Ndërsa çmimet e ushqimeve, barnave dhe faturave të energjisë kanë pësuar rritje të ndjeshme, pensionet e shqiptarëve mbeten në nivelet më të ulëta në rajon. Inflacioni ka gllabëruar fuqinë blerëse të pensionistëve, ndërsa qeveria nuk ka ofruar asnjë skemë të qëndrueshme për t’i ndihmuar ata të përballojnë këtë krizë ekonomike.

  • Si u zhduk Lali dhe u shpik Anuela, telenovela e një puçi në bashki

    Si u zhduk Lali dhe u shpik Anuela, telenovela e një puçi në bashki

    Kush ka ende dyshime se Shqipëria është kthyer në republikën personale të një njeriu të vetëm, sot ka marrë përgjigjen finale. Përgjigjia vjen me një zë të ngrohtë, të qetë dhe me flokët e kapura bisht, nga një figurë që deri dje nuk e njihte askush: Anuela Ristani. Për habinë e qytetarëve dhe për qejfin e kryeministrit Rama, ajo është “Kryetarja e Deleguar” e Bashkisë Tiranë, një pozicion që nuk ekziston as në Kushtetutë, as në ligj dhe që Erjon Veliaj nuk e kishte imagjinuar as në fantazitë e tij më të guximshme.

    Anuela Ristani doli në konferencë dhe me tonin e një infermiereje që të siguron se “gjithçka është nën kontroll”, ndërkohë që pacienti është duke vdekur, njoftoi se punët e bashkisë po vazhdojnë të kryhen me përkushtim dhe se kryetari Erion Veliaj kishte pasur “informacion të cunguar” kur e kishte zhveshur nga kompetencat asaj dhe ia kishte transferuar ato Sara Goxhajt.

    Me recitimin e zakonshëm të manekinëve të kurdisur të partisë, zonja njoftoi se në bashkinë e Tiranës punët po kryhen “me energji, përkushtim dhe vizion”, ndërkohë që realisht, në zyrat e Bashkisë ndodhi sot ajo që ndodh pas çdo grushti shteti: spastrimi nga armiqtë e ish-kryetarit.

    24 orë pas tentativës së Veliajt për të ruajtur kontrollin në bashkinë e Tiranës, Ristani përmbysi urdhrat e tij dhe shkarkoi Sara Goxhajn dhe Alban Dokushin, dy emrat që lidhen ngushtë me Erion Veliajn.

    Praktikisht, vendimet e saj në dokumentat më poshtë, zhbëjnë çdo firmë të kryetarit dhe spastrojnë çdo mbetje politike të Veliajt brenda institucionit, si për t’i treguar atij (dhe kujtdo tjetër që sheh ëndrra të ngjashme) se në qendrën e pushtetit ka vend vetëm për një – për shefin e madh, Edi Ramën.

  • Të jetosh në luks me më pak se 1000 euro në muaj: destinacionet perfekte në Evropë

    Të jetosh në luks me më pak se 1000 euro në muaj: destinacionet perfekte në Evropë

    Ke ëndërruar ndonjëherë të jetosh pa stres financiar, me qira të ulët, ushqim të mirë dhe një klimë të këndshme? Me rreth 1000 euro në muaj duket e pamundur në shumë qytete perëndimore, por janë disa zona të Europës ku mund të shijosh një ekzistencë komode, pa sakrifica. Le t’i zbulojmë, pra, së bashku këto destinacione ideale, ku kostoja e jetesës është çuditërisht mëse e përballueshme.

    Ku 1000 euro në muaj të bëjnë të jetosh mirë?

    Ti nuk ke nevojë të shkosh në anën tjetër të botës për të gjetur një vend ku paraja ka më shumë vlerë. Sepse janë shumë vende të Evropës Lindore, Ballkanit dhe të Mesdheut që ofrojnë një mënyrë jetese të këndshme dhe me një buxhet modest. Nga Spanja në Portugali, nga Greqia në Bullgari, në qytetet simpatike të Polonisë dhe Republikës Çeke, ekzistojnë oaze të vërteta ekonomike ku cilësia e jetës është e lartë ndërsa shpenzimet të ulëta.

  • Bota e sportit në shock: ndahet nga jeta George Foreman

    Bota e sportit në shock: ndahet nga jeta George Foreman

    Bota e sportit ka pësuar një humbje të madhe. George Foreman, një nga ikonat e boksit botëror, është larguar nga jeta duke ndërprerë një rrugëtim të jashtëzakonshëm. Me një karrierë që u shtri për dekada dhe ndikoi miliona adhurues sporti, Foreman do të mbetet një nga figurat më të dashura dhe të fuqishme që ringu i boksit ka njohur ndonjëherë.

    Në Zaire, në ditën që ndryshoi gjithçka

    Nëse ka një moment që ndryshoi tërësisht rrjedhën e historisë së boksit, ai ishte dueli i famshëm midis George Foreman dhe Muhammad Ali në vitin 1974, i njohur si “Rumble in the Jungle”. I zhvilluar në Kinshasa, Zaire, ky meç legjendar tregoi forcën dhe zgjuarsinë taktike të Ali-t, i cili përdori strategjinë “rope-a-dope” për të lodhur Foremanin dhe më pas ta nokautonte në raundin e tetë. Humbja e asaj nate ishte një goditje e madhe për Foreman, por jo fundi i historisë së tij.

  • Indrit Çullhaj, Kampioni i padiskutueshëm i xhudos, zgjidhet anëtar i Komitetit Ekzekutiv Olimpik

    Indrit Çullhaj, Kampioni i padiskutueshëm i xhudos, zgjidhet anëtar i Komitetit Ekzekutiv Olimpik

    Komiteti Olimpik Shqiptar kompletohet me anëtarin më të ri të tij, kampionin e padiskutueshëm të xhudos në Shqipëri, por edhe kampion Ballkani dhe Evrope, Indrit Çullhaj.

    Çullhaj është për rreth 18 vjet rresht kampion i Shqipërisë, ku vlen të theksohet se për po kaq vite nuk ka humbur kurrë, asnjë ndeshje, duke fituar njëkohësisht edhe kupën e Shqipërisë. Rekord i pandodhur ndonjëherë në sportin shqiptar.

    Edhe në jetën e përditshme Indrit është një kampion i vërtetë dhe këtë e tregon gjithë krenari me një tatuazh në krahun e tij të majtë ku bashkë me flamurin tonë kombëtar, shkruhet “Champion”.

    Mbështetja më e madhe për superkampionin, siç e pranon gjithmonë ai, është familja, babai, mamaja, bashkëshortja dhe vajza e tij e vogël.

    “Jam shumë i lumtur që sot marr pozicionin si anëtar i Komitetit Ekzekutiv”, deklaron kampioni në një status të tijin në Facebook. “Dua të falënderoj të gjithë të pranishmit që më mbështetën, si dhe Presidentin e Komitetit Olimpik, z. Fidel Ylli, për mbështetjen e tij. Une si Indrit, do të bëj çmos për të përfaqësuar zërin e sportistëve, për të adresuar problematikat e tyre dhe për të qenë bashkëpunues me këdo që synon ta çojë sportin gjithnjë e më lart”.